Muzetë e Beratit zgjuan interesin e mbi 4500 turistëve

Muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj, me vlerat e koleksioneve të tyre.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se, “Muzeun e Ikonografisë Onufri dhe Muzeun Etnografik gjatë periudhës janar – prill 2022 e kanë vizituar 4 553 vizitorë vendas dhe të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 362% më shumë vizitorë”.

“Konkretisht Muzeu Onufri u vizitua nga 3370 vizitorë dhe Muzeu Etnografik nga 1176 vizitorë”, tha Polovina.

Sipas tij, gjatë këtij viti ka pasur një fluks të turistëve të huaj, krahasuar me dy vitet e mëparshme.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Trishtimi i një fëmije kur humbet një mik

“Vdekja e zogut” është një tablo e një prej përfaqësuesve të epokës viktoriane, piktorit, George Elgar Hicks (13 mars 1824-1914). Me gjithë përpjekjet gjithnjë e më insistuese, për të zënë një vend në interesimin e publikut londinez, fillimet e tij nuk rrokin ndonjë interesim dhe konsideratë nga kritika. Tematika e trajtesës e shtyn atë në sprova të ndryshme ku spikatin portretet dhe tablotë me tematikë historike.

Pa u ndalur tek zbatimi ose jo me rigorozitet i elementeve shprehëse estetike nga ana e piktorit, “Vdekja e zogut” është një pikturë shumë prekëse. Admiruesit para tablosë nuk kanë mjaftueshëm kohë të ndalen e të zbërthejnë dilemat e teknikës realizues, ata thjeshtë bëhen pjesë e ndjesisë që përçon momenti i fiksuar.

Një çast i “fotografuar” në tablo për të mbetur gjithnjë i tillë si komunikim i ndjenjave delikate, si afri e gjërave të zakonshme që ndodhin kaq beftas dhe tragjikisht do të zhdukeshin në honet e errëta të harresës nëse një shpirt i pasur dhe një penel delikat nuk cytet ta jetësojë në përjetësi këtë shkreptimë momenti.

Një vajzë e vogël që mbanë në duar zogun e saj të ngordhur. Në çdo elemet promovues të kësaj tabloje spikat ajo gjendje pikëllimi, të cilën mund ta dallosh fare lehtë në vështrimin e përhumbur të vajzës, e cila në këtë kllapitje rreket të gjej një pikvështrim ku të vërshojë dhimbjen dhe zemërimin e saj. Një zog i ngordhur, ndoshta për shumëkënd është një shpend pa jetë dhe vetëm kaq. Por për vajzën kjo është një humbje e madhe, sepse cicërima e atij zogu ishin nga të paktat gjera që asaj i kanë dhuruar çaste gëzim në jetën e saj plot privacione. Piktori e ka përcjell këtë moment me një vërtetësi prekëse dhe forcë shprehëse.

Nga Albert Vataj. / KultPlus.com

Zyrtare: Gërvalla në Strasburg, dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryediplomatja kosovare ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në KE. Këtë e ka konfirmuar Sharr Jakupi nga kabineti i saj.

Prishtinës do t’i shtohet edhe një bibliotekë

Ipeshvia e Kosovës ka njoftuar se në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ernest Koliqi, do të bëhet inaugurimi i Bibliotekës së Ipeshkivës “Ernest Koliqi”.

Inaugurimi i kësaj biblioteke, e cila gjendet në Qendrën “BogdaniPolis”, nën Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, do të bëhet më 20 maj nga ora 19:00. / KultPlus.com

Luani Gjoni, është liruar në hapësirë të jashtme

Luani Gjoni, kjo krijesë e bukur përkohësisht është duke qëndruar tek ‘Pylli i Arinjve Prishtina’ dhe tani ka mundësi për të shijuar hapësirën e tij të jashtme. I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni dalëngadalë po mësohet përsëri të jetojë si një luan.

“Që kur ka arritur tek strehimorja jonë kujdestarët tanë kanë qenë të angazhuar intenzivisht që të përgatisin hapësirën e jashtme për të. Në mëngjesin e 4 majit, erdhi momenti i shumëpritur për Gjonin. Ju desht ca kohë që të merrte guximin për të bërë hapat e parë në bar të freskët dhe në dheun e hapësirës së tij të jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të derisa ai të mësohet me hapësirën e jashtme, por ne jemi të sigurtë që Gjoni shumë shpejt do të ndihet më i relaksuar”, thonë nga “Pylli i Arinjve Prishtina”, strehimore për arinjtë e shpëtuar në Kosovë dhe Shqipëri.

Fatmirësisht moti me diell, mjedisi i qetë dhe lojërat që kujdestarët e strehimores i përgatisin do ta ndihmojnë që shumë shpejt Gjoni t’i tejkalojë traumat nga e kaluara e tij.

Sido që të jetë, “Pylli i Arinjve Prishtina” nuk është destinacioni përfundimtar i Gjonit.

“Ne po vazhdojmë të punojmë që ai të zhvendoset në njërën prej strehimoreve për macet e mëdha të FOUR PAWS, ku ai do ta shijojë jetën e tij në një mjedis të përshtatshëm për llojin e tij”, thuhet tutje. / KultPlus.com

210-vjetori i lindjes së Edward Lear, poeti dhe piktori që dokumentoi Shqipërinë e shekullit XIX

Në 12 Maj 1812, në Highgate, Angli, lindi Edward Lear, poet dhe ilustrues, autor, piktor që vizatoi çdo gjë që pa në rajonin e Mesdheut (Shqipëri, Greqi) dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij me përshkrime udhëtimesh.

Në 1848 Lear nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij morri një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes disa zonave të perandorisë. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Më pas vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë.

Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851).

Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e shumtë e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Por, me librin e tij “Nonsense”, Lear fitoi famë si poet limerik, zhanër vargjesh të pakuptimta që shpesh shoqërohen me vizatime ilustruese. Vargu Limerik (nga emri i qyteti në Angli) është formë poetike autentike angleze. / KultPlus.com

111 vjet nga lindja e atdhetarit, Zekeria Rexha

Më 12 maj 1910 në Gjakovë lindi Zekeria Rexha. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje dhe në vitin 1925 së bashku me familje u vendos në Tiranë.

Shkollën e mesme e kreu në Liceun frëng në Korçë, kurse studimet e larta i ndoqi ne Francë. Në vitin 1941 u kthye në Gjakovë ndërsa një vit më vonë themeloi dhe drejtoi Shkollën e parë Normale shqipe në këtë qytet.

Ishte pjesëmarrës dhe kryesues i Konferencës Historike të Bujanit nga 30 dhjetor 1943 – 1 janar 1944. Është edhe hartuesi dhe nënshkruesi i Rezolutës së kësaj Konference për vetëvendosje pas çlirimit të vendit. Nga marsi 1958 kur u dëbua me dhunë nga Kosova nga pushteti i atëhershëm jugosllav e deri sa vdiq jetoi në Shqipëri. Vdiq në Tiranë më 26 shkurt 1972. / KultPlus.com

Përdhunimi si mjet lufte, ekspozitë në Nju Jork me foto nga Kosova

Në qytetin e Nju Jorkut, u hap të martën ekspozita me titull “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta”, e fotoreporteres së njohur Marissa Roth, që trajton temën e dhunës dhe përdhunimit si mjete lufte. Një pjesë të madhe të fotografive të ekspozuara, gazetarja amerikane i realizoi në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, fituesja e çmimit Pulitzer flet mbi vështirësitë dhe misionin e projektit të saj. Të pranishme në hapjen e ekspozitës ishin edhe të mbijetuarat e luftës në Kosovë, Vasfije Kransiqi-Goodman dhe Besarta Jashari. Siç njofton kolegu Burim Goxhuli nga Nju Jorku, ato folën mbi domosdoshmërinë e vënies para drejtësisë të autorëve të krimeve ndaj tyre.

Për 38 vite, fotoreporterja amerikane, fituese e çmimit Pulitzer, Marissa Roth, realizoi në mbarë botën fotografi me gra që u mbijetuan krimeve të luftës, përmes së cilave solli historitë rrëqethëse të këtyre grave.

Një pjesë e fotografive të saj u shfaqën në ndërtesën e Rusveltit në Nju Jork, në kuadër të një ekspozite të realizuar nga Muzeu i Tolerancës i qendrës “Simon Wiesenthal” dhe nga organizata “Rally for her justice”.

Shumë prej fotografive në ekspozitën e titulluar “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta” janë realizuar në Kosovë.

“Kam parë gjëra që do të doja të mos i shihja kurrë, por nuk mund t’i fshij nga kujtesa. Mundohem që të përfshihem me zemër dhe pastaj të tregoj e ritregoj këto histori. Ato më pikëllojnë por ndjej se përmes këtyre historive mund t’i tregoj botës atë që ka ndodhur. Kjo është mënyra ime për të treguar se sa të forta dhe të guximshme janë këto gra. Them se jam aktiviste e paqes dhe se kjo është mënyra ime e të thënit se mjaft është mjaft”, thotë zonja Roth për Zërin e Amerikës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 qershor.

Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe një panel diskutimi ku mori pjesë aktivistja dhe e mbijetuara e përdhunimit gjatë luftës së viteve 98-99 në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman.

Ajo tha se lufta në Ukrainë është tregues i qartë se historia mund të përsëritet, nëse nuk merren masat e nevojshme për të parandaluar këto krime.

“Kam luftuar për drejtësi nga viti 1999 dhe kurrë nuk gjeta drejtësi për rastin tim. Por nuk do të ndalem së luftuari derisa ta arrij qëllimin. Është koha që Serbinë ta mbajmë përgjegjëse për të gjitha krimet e kryera. Por vendet demokratike po lejojnë Serbinë ta luajë rolin e viktimës, në vend të agresorit të luftës”, tha zonja Krasniqi-Goodman.

Në kërkim të drejtësisë është edhe Besarta Jashari, e mbijetuara e vetme në sulmin e 5-6 dhe 7 marsit në Prekaz, ku humbën jetën 22 anëtarë të familjes së saj.

“Jam shumë e emocionuar dhe po më rikthehen përjetimet e atyre tre ditëve, më 5-6 dhe 7 mars. Mirëpo njëkohësisht jam shumë krenare që pas gjithë këtyre viteve dikush diskuton për Kosovën dhe besoj se shumë shpejt ata që kanë kryer këto krime në vendin tonë do të dënohen dhe do të mbahen përgjegjës”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe ish-ligjvënësi amerikan Eliot Engel.

Ai tha se është e frikshme që përgjegjësit për këto krime ende nuk janë vënë para drejtësisë, ndërsa sot Evropa po përjeton sërish atë që ndodhi në Kosovë vite më parë.

“Është një situatë makthi. Bota po e sheh dhe po e shpreh zemërimin, por vitet kalojnë dhe asgjë nuk ndodhë. Njerëzit që kanë vrarë dhe u kanë shkaktuar gjëra të tmerrshme grave në luftërat e Ballkanit ende nuk janë gjykuar. Është shumë zemëruese. Prandaj mendoj se duhet të bëjmë një analogji mes asaj që po ndodhë në Ukrainë dhe ngjarjeve në Kosovë”, tha zoti Engel për Zërin e Amerikës.

Drejtorja e “Muzeut të Tolerancës”, Liebe Geft, tha se ndëshkimi i këtyre krimeve do të ishte më i lehtë nëse qeveritë kanë vullnet politik dhe guxim.

“Sanksionet, masat ekonomike, embargo e armëve, ndalesa të udhëtimeve. Të gjitha këto së bashku mund të shfrytëzohen si mjete për të ndryshuar llogaritë e palëve në një konflikt, që veprojnë duke menduar se jo vetëm që nuk ndëshkohen por se mund edhe të përfitojnë”, thotë ajo.

Sipas vlerësimeve, gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 10 mijë shqiptarë, dhe ende po kërkohet për trupat e rreth 1 600 prej tyre.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut rreth 20 mijë gra e vajza janë përdhunuar dhe mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. /VOA / KultPlus.com

Koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës jehoi mbrëmë në tinguj jo të zakonshëm, intensiv dhe tejet goditës

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë pushtoi atmosferën vepër pas vepre. Kryeveprat botërore e shqiptare erdhën nën dirigjimin mahnitës të Baki Jasharit, Lirjona Sylejmanit dhe Hajrullah Sylës, të cilët me mjeshtërinë e tyre kontrolluan instrumentet frymore duke sjell kështu një mori melodish të cilat qysh në sekondën e parë të lëshimit, kapluan vëmendjen e gjithsecilit e njëkohësisht dolën përtej limiteve për të prekur atë ajkën e perfeksionit, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Frymore e mirëpriti publikun që ta përjetojë në një mënyrë tejet unike, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Johann S.Bach, Georges Bizet, Leonard Bernstein, Frank Erickson, Jan Van Der Roost, John Fannin, Jacob De Haan, Samuel R.Hazo dhe Klaus Badelt, për të vazhduar me magjinë e kompozitorit shqiptar Rexho Mulliqi, “Baresha”, një vepër kjo e cila mbrëmë erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla ku me meloditë nga klarinisti Shkumbin Bajraktari dhe atyre që vinin nga instrumentet frymore, koncerti jehoi në tinguj jo të zakonshëm por mjaft intensiv dhe tejet goditës.

Pasi që të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër të madh në karriget e vendosura në Qendrën ‘Bogdani Polis’, qetësia e tyre e njohur ishte shoqëruesi i pandashëm i tingujve dhe melodive për gjatë gjithë natës. Vallëzimi i notave muzikore erdhi papritmas kur instrumentistët dolën në skenë dhe nisën nxehjen e tyre paraprake. Nuk donte aq shumë që instrumentet të viheshin në funksion të gjatë për të dëshmuar kështu talentin e pronarëve të tyre që me krenari i mbanin ato pranë vetes. Shndritja e instrumenteve dallohej qysh në momentin kur dhe nisin notat e para të veprës “Carmen Suite” nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit.

Nën dritat e ngrohta të vendosura pingul mbi skenë, vija melodike e veprës së parë flakëroi tërë sallën brenda një emocioni. Nuk është e mundur që dikush të mos njihte qoftë edhe një copëz të asaj vepre e cila nuk lë vend e as fjalë për ta përshkruar. Të tilla ishin edhe veprat e tjera si: “Uverturë Jubiloso”, “Flashing Ëinds”, “Fanfare Nueve”, “Oregon”, “Piratët e Karaibeve” dhe “Mambo”, të cilat vunë në pah teknikën e posaçme të manovrimit të instrumenteve frymore, interpretimin e secilit instrumentist jo vetëm në instrument por edhe në elementet koreografike, pozicionimi i trupit të tyre në përshtatje me çdo notë muzikore si dhe shpirtin e tyre kreativ që dukshëm dallohej në shprehjet e fytyrave të tyre.

Ndonëse programi i këtij koncerti shpalosej radhë pas radhe, dukshëm vërehej që publikut iu kishte munguar një rrjedhë e tillë artistike dhe ata mezi pranonin që të viheshin ballë për ballë me vepra të fuqishme e të njëpasnjëshme. Në një kontrast të ëmbël me të tjerat, vepra “Arioso” e aranzhuar nga kompozitori Jacob De Haan dhe nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, arriti që zemrat e të pranishmëve ti qetësojë pak me melodi jashtëzakonisht të lehta që i ngjasonin pikërisht zanave që shfaqën vetëm në një përrallë. Për disa minuta, “Arioso” solli një qetësi hyjnore dhe përçoi një ndjeshmëri të papërjetuar më parë.

Por, qershia mbi tortë për këtë koncert do të ishte vepra e titulluar “Arabeska” që erdhi nën dirigjimin e Baki Jasharit. Tingujt mistik të muzikës dhe motivet abstrakte e shpërfaqura në këtë vepër shpalosën një sensualizëm delikat me goditje të fuqishme dhe tradicionale të cilat dëshmuan për pikën më të lartë të këtij programi për këtë koncert. Një turne tingujsh mbizotëruan hapësirën jo vetëm të vendit por edhe të çdo trupi dhe mendjeje të pranishme. E veçantë në llojin e saj, “Arabeska” fluturoi mes unikes, perfeksionit dhe rrallësisë.

Ajo se çfarë la më së shumti përshtypje në këtë koncert ishte natyrisht dhe vepra “Baresha”, një vepër shqiptare që erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla i cili së bashku me klarinistin Shkumbin Bajraktari sollën një version të mrekullueshëm. Kurioziteti në publik sa vinte e shtohej me ç’rast nuk munguan as fotografitë dhe videot të cilat ishin bërë pjesë kyçe mes njerëzish. Me buzëqeshje të shumta dhe admirim në sytë e tyre, të pranishmit mirëpritën veprën brohoritje të shumta.

Pas çdo vepre, duartrokitjet e zjarrta që morën të tri dirigjentët dhe Orkestra Frymore, ishin dëshmi për talentin e rrallë të tyre. Të vendosur në këmbë, duart e të pranishmëve trokitnin ende pa ndalim, gjë kjo që flet për emocionet e paharrueshme që ata i dhuruan për gjatë gjithë këtij koncerti sa intensiv e i rëndë, aq edhe i rrallë e i nevojshëm për çdokënd.  

Për të na folur më shumë rreth realizimit të aranzhimit të veprës shqiptare ‘Baresha’, për KultPlus ka folur dirigjenti Hajrullah Syla.

“Koncerti shkoi jashtë mase mirë ngase jemi përgatit me mjaft mund në provat që i kemi pasur. Ky formacion që keni parë nuk është dhe aq i zakonshëm tek ne, andaj kemi filluar një rrugëtim mjaft interesant me pjesën frymore të Filharmonisë që besoj që do të vazhdoj ende, ngase Kosovës i ka munguar një i tillë. Ne e dimë që një i tillë ekziston vetëm në Forcën e Sigurisë të Kosovës, kështu që tash e kemi edhe në Filharmoninë e Kosovës”, thotë Syla.

Sipas tij, për formacione të tilla zakonisht veprat janë nga kolonat zanore të filmave por në këtë rast edhe pse programi ka përmbajtje të veprave të tilla, është kujdesur që të jenë edhe vepra serioze të kompozitorëve të cilët kanë shkruar për formacione tjera por që janë adaptuar për orkestrën frymore.

“Aranzhimi për ‘Baresha’ është bërë në një periudhë shumë të shkurtër sepse e kemi pa të nevojshme që të ketë diçka shqip dhe ideja për atë vepër ka qenë që të sillet në këtë formacion e të ketë një muzikë të cilën publiku shumë e dëshiron. Vepra tregon me të vërtetë vlera të larta muzikore dhe interpretimi i klarinistit Shkumbini, ishte po ashtu tejet e mirë”, përfundon Syla.

Po ashtu, dirigjentja Lirjona Sylejmani për KultPlus shpalosi përshtypjet e saj pas një koncerti të tillë.

“Për mua ka qenë një kënaqësi shumë e madhe e sidomos duke marrë parasysh formacionin me instrumente frymore. Në fakt, kanë qenë ditë shumë të ngarkuara me prova intensive të cilat në fund sigurisht që ia ka vlejtur ngase të tre ne, dirigjentët, e shijuam jashtë mase performancën e sotme”, thotë Sylejmani.

Ndërsa klarinisti Shkumbin Bajraktari tregoi për veprën “Baresha” dhe interpretimin e saj në një aranzhim të ri.

“Është një ndjenjë e veçantë dhe po ndjehem shumë i privilegjuar që më është dhënë mundësia që të performoj në Filharmoninë e Kosovës. ‘Baresha’ ka qenë dhe vazhdon të jetë ikonë e jona dhe tash është shndërruar në njëfarë simfonie. Përndryshe, kjo vepër ka qenë e shkruar për orkestër harqesh por dirigjenti Hajrullah Syla e ka adaptuar dhe riaranzhuar për klarinetë dhe orkestër frymore”, thotë Bajraktari.

Sipas tij, tash e tri javë është dhënë maksimumi që kjo vepër të adaptohet më së miri.

“Vepra ‘Baresha’ neve na flet të gjithëve në shpirt por kësaj here unë me të vërtetë e dhashë maksimumin tim dhe besoj që ia kam arritur e që kjo nuk do të jetë hera e fundit që do ta luajmë”, thotë ai.

Gjithashtu, muzikologia Rreze Kryeziu për KultPlus foli rreth përshtypjeve të saj për këtë program me vepra kaq të famshme.

“Ky koncert ishte shumë i nevojshëm duke nisë edhe nga vetë përzgjedhja e programit, program ky tejet atraktiv dhe jo pak sfidues edhe për instrumentistët ku duke marrë parasysh që kishim orkestrën frymore, nevojitet goxha kondicion sidomos për një program të tillë. Sa i përket pjesës së interpretimit, kolegët kanë bërë një punë të shkëlqyer që po vazhdon të dëshmohet në vazhdimësi. Ajo se çfarë është më karakteristike dhe më e rëndësishme për ne, është kur arrijmë të evidentojmë një numër kaq të madh të interpretuesve”, thotë ajo.

Sipas saj, pjesa që la më së shumti përshtypje ishte inkuadrimi i kompozitorëve shqiptarë me veprën “Baresha”, një nga veprat antologjike që erdhi nga orkestra frymore dhe solisti Shkumbin Bajraktari i cili konsiderohet se ka realizuar një interpretim të shkëlqyeshëm.

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert premierë në kuadër të sezonit 2021/2022, në Qendrën ‘Bogdani Polis’ (Katedralja “Nënë Tereza”) në Prishtinë. / KultPlus.com

Kosova do të aplikojë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Burimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.

Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka përmendur të mërkurën ne Bruksel presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

Përpara darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj, Vuçiq tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Këshilli ka inicuar fushata për çështje si mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Po ashtu ka zhvilluar fushata për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes në internet.

Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.

Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale. /REL / KultPlus.com

Këtë fundjavë do të ndodhë eklipsi i plotë hënor

Një eklips i plotë hënor do të ndodhë këtë fundjavë, pasi njerëzit në mbarë botën do të të shohin Hënën nën hijen e Tokës.

Eklipsi hënor do të jetë i dukshëm mbi Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe pjesë të Evropës dhe Afrikës. Hëna do të kthehet në të kuqe gjatë eklipsit.

Kushdo që është i interesuar për hapësirën apo astronominë duhet të shfrytëzojë sa më shumë mundësinë për të parë eklipsin këtë fundjavë. /abcnews/ KultPlus.com

Duke të pritur ty

Poezi nga Ismail Kadare

Ne orën pesë duhet të vijsh
Ja rruga,
Ja shenjat e bardha ku do të kalosh,
Si re të bardha që notojnë mbi asfalt.

Tek xhamia,
Përballë sahatit unë rri
Akrepat, si vetulla
Në fytyrën e kohës,

Herë të qeshur, herë të ngrysur atje lart.
Pas pak do të bjerë pesë
Tani pëllumbat
Rrotull sahatit vërtiten, të bardhë, të bardhë./ KultPlus.com

Nesër në Galerinë Kombëtare hapet ekspozita ‘Komploti i Tiranës’

Nesër (12 maj) do të hapet ekspozita “Komploti i Tiranës” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Komploti i Tiranës” e Ardian Isufit, hapet me fillim nga ora 19:30.

Gjithashtu, sipas njoftimit ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor të këtij viti.

Kjo është ekspozita e parë personale e Isufit që hapet në Galerinë Kombëtare.

Gjithashtu, kjo ekspozitë është e kuruar nga Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha dhe Elton Koritari.

“Kjo ekspozitë heton dhe shfaq proçese krijimi, tundime, përballje publike por edhe pamundësi dhe drama kolektive dhe personale të botës së brishtë të artit bashkëkohor – lokal apo global. Kjo sepse veprat e Ardian Isufit kanë karakter të veprave të angazhuara të cilat ndikojnë drejtpërdrejt mbi opinionin publik si një dialog me mjetet e artit duke na vorbulluar me paqëndrueshmëritë dhe qëndrimet eklektike të artistit si një kostum që me kast e ka veshur për të na destabilizuar përcaktueshmërinë e përkohëshme e të përsëritur që ai propozon..”, përshkruhet shfaqja./ KultPlus.com

 ‘Babai dhe babai’, premierë më 16 maj në Prishtinë

Shfaqja ‘Babai dhe babai’ me skenar nga Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqë premierën të hënën më 16 maj në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, përcjell KultPlus.

‘Babai dhe babai’ sjell bashkë në skenë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

‘BABAI DHE BABAI’

Dini jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Dini ka disa probleme shëndetësore, është i papunë, megjithatë, pas disa vitesh do të pensionohet dhe pret që pastaj gjërat do të jenë më të kollajshme. Gruaja, e tij, Sara, punon në një fabrikë të vogël për çepjen e uniformave të punës dhe me atë rrogë ajo mbanë familjen dhe mbështetë studimet e Lolës. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen.

Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme. Shpesh sherri plasë për gjëra krejt të kota. Thellë-thellë, duket se dicka është thyer, dhe sic duket, askush nuk është i gatshëm të kthehet mbrapa.  

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndërrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje./ KultPlus.com

Veprat e famshme të Salvador Dalít të cilat e shndërruan në ikonë të artit (FOTO)

Përderisa artisti i njohur, Salvador Dalí ia mbylli sytë jetës në mëngjesin e 23 janarit të vitit 1989, veprat e tij mbetën pas për të përçuar një dritë artistike, shkruan KultPlus.

I njohur për frymën e tij surrealiste, pikturat e Dalít padyshim që sot janë kthyer në ikonë të epokës së rëndësishme të historisë së artit pamor.

Veprat e tij shprehin një shumëdimensionalitet të formës, mendimit, idesë, mesazhit e revoltës që ai përfaqësonte në qenien e tij.

Salvador Dalí, shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe mbeti i pavdekshëm nëpërmjet brushave të tij, e që KultPlus ua sjell veprat më të njohura të tij:

Kendrick Lamar “ngjall” Kobe Bryantin në videoklipin e ri (VIDEO)

Reperi i famshëm amerikan Kendrick Lamar e ka publikuar këngën e tij të re, “The Heart Part 5”.

Videoklipi i këngës është i veçantë, pasi në të ai e ka përdorur metodën “deep fake”, duke e vendosur fytyrën e basketbollistit të ndjerë Kobe Bryant në të tijën, teksa i këndon vargjet e këngës.

Përpos Bryantit, ai i ka vendosur edhe fytyrat e ish-futbollistit amerikan, O.J. Simpson, i njohur po aq për akuzat se kishte vrarë bashkëshorten e tij, por që ishte shpallur i pafajshëm në një gjykim tejet kontradiktor.

Pastaj, me “deep fake” në fytyrën e tij janë vënë edhe Kanye West, Jussie Smollett, Nipsey Hussle.

Prej fytyrave të përdorura në këtë klip, Hussle dhe Bryant tashmë nuk janë gjallë./ KultPlus.com

Reuters fiton Pulitzer për fotografitë intime, shkatërruese të pandemisë në Indi

Nga spitalet, pirat funerale dhe fshatrat e largëta në një kodër të Himalajeve, parkingjet e makinave dhe tempujt, fotografët e Reuters siguruan mbulim të pandemisë së koronavirusit në Indi që kapën përhapjen e sëmundjes dhe numrin e saj të papenduar, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Ekipi i Reuters fitoi çmimin Pulitzer 2022 për fotografinë artistike për fotografitë që balancojnë “intimitetin dhe shkatërrimin duke u ofruar shikuesve një ndjenjë të shtuar të vendit”, tha juria.

Kryefotografi i Indisë, Danish Siddiqui, i cili vdiq në korrik 2021 ndërsa mbulonte luftën në Afganistan, shkrepi shumë nga fotot, duke përfshirë një pamje ajrore të zjarreve nga një djegje masive që ndezi një pronë banimi në Delhi.

Një fotografi tregon një grua të gulçuar duke marrë oksigjen në një makinë në një parking, për shkak të mungesës së hapësirës në spitale. Një tjetër tregon një 19-vjeçar me një kostum mbrojtës duke u gjunjëzuar para trupit të nënës së tij pasi është vendosur në një pirg.

Duke demonstruar se askush nuk ndihej i sigurt nga sëmundja, Siddiqui bëri gjithashtu një fotografi të një njeriu të shenjtë hindu të mbuluar me hi, duke vendosur një maskë përpara një zhytjeje rituale në lumin Ganges.

“Daniku e zotëronte këtë histori që në fillim,” tha Ahmad Masood, Kryefotografi i Reuters në Azi. “Ai dha lajmin me fotot e tij, duke treguar shkallën e shkatërrimit si në Delhi ashtu edhe në zonat rurale. Kjo është një dëshmi e guximit dhe përkushtimit të tij ndaj gazetarisë.”

Vetëm një muaj para se të nisej për në Afganistan, Siddiqui ishte në telefon me Sanna Irshad Mattoo, një fotoreportere në Kashmir, duke diskutuar një mënyrë tjetër për të ilustruar pandeminë. Ata vendosën që ajo të vizitonte një nga kampet më të largëta të vaksinimit në vend, në një kodër të pjerrët të Himalajeve.

Pa rrugë të përshtatshme për makina, ajo u ngjit me kalë të vogël dhe eci në vendin në Lidderwat, rreth 3,400 metra (11,150 këmbë) i lartë, për të bërë fotografinë e një bariu që merrte qëllimin e tij./ KultPlus.com

“Përtej kohës”, intimja e Artan Peqinit nga skulptura te piktura

Dhimbja, gëzimi, jetë e shpresë këto janë ndjesitë e 3 akteve të “Përtej kohës “. Ekspozita në FAB i shfaq anën e panjohur skulptorit Artan Peqini. Artisti për herë të parë prezantohet me një ekspozitë pikture të plotë kuruar nga Najada Hamza.

Familja është në qendër të këtyre punimeve. Gjithçka nis nga portreti i nënës së artistit, i cili më pas pasurohet me rrëfimet e saj në mjediset e brendshme familjare, duke sjell një intimitet e një poetizëm magjik përmes formës e ngjyrës.

Në ciklin e dytë vijnë shtegtimet poetike familjare dhe me miqtë e afërt në gjjirin e natyrës, në rrethana pandemie. Por ajo që të bën përshtypje në këto punime metafizike është natyra e cila nuk është sfond, por qendër.

Sipas kuratores Narrativa e tij, thelbi realist i përshkrimit, mençuria e fabulës, pandashmëria e tij nga personazhet për të cilat tregon, e bëjnë gati të përafrueshme këtë pikturë  me konceptin e teatrit. /KultPlus.com

Ëndrra e zemrës sime

Poezi nga Paul Verlaine

Sa herë ëndërrova, një ëndërr për çudi,
Një grua të panjohur që më do dhe e dua
E që prorë më duket jo krejt si ajo grua
Po jo dhe krejt si tjetër, e më do pa kufi.

Sepse më kupton e më njeh e më di,
Misteri i zemrës sime veç prej saj u zbulua
Veç ajo, duke derdhur çurkë lotësh mbi mua
Ma freskon zjarr’ e ballit e më deh me magji.

S’e di është ezmere apo leshraartë
Emri i saj? Më kujtohet, i ëmbël, tingull i qartë,
Si i njerëzve tanë dikur të ikur në mërgim.

Sytë: vështrimin e ngulur të statujave i kanë
Dhe zëri i vjen i largët, i qetë e gjithë trishtim
Si një këngë prej zërash të dashur që më s’janë./ KultPlus.com

Franca alarmon në Këshill të Sigurimit për sigurinë në Bosnje e Kosovë pas luftës në Ukrainë

Ambasadorja e Francës në Kombet e Bashkuara, Nathalie Estival-Broadhurst, ka thënë se shteti i saj shpreh shqetësimin për krizën e vazhdueshme politike në Bosnje e Hercegovinë që nga vera e kaluar.

Siç ka thënë ajo, një krizë e tillë rrezikon arritjen pothuajse 30 vjeçare të ndërtimit të institucioneve dhe reformave në Bosnje e Hercegovinë.

Broadhurst tutje ka thënë se duke qenë përballë kësaj dinamike shqetësuese, prezenca ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë mbetet e nevojshme për stabilitetin e Bosnjës dhe të rajonit.

Diplomatja franceze ka thënë se prezenca e misionit të EUFOR-it në Bosnje duhet të vazhdojë, derisa përmend edhe Kosovën, duke thënë se Bashkimi Evropian ndihmon në reduktimin e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes misionit të EULEX-it.

Broadhust tutje ka thënë se me luftën e paprecedentë që Rusia ka nisur në Ukrainë, Franca nuk do të ndal përpjekjet për të punuar për stabilitetin e Evropës dhe në mënyrë të veçantë të Ballkanit.

“Meqë kontinenti evropian përballet me një sfidë të paprecedentë që vjen nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të punuar për stabilitetin në Evropë, veçanërisht në Ballkan”, ka thënë ambasadorja Broadhurst në Këshillin e Sigurimit./Express/KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në darkën e organizuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi

Në përmbyllje të qëndrimit të saj në Washington D.C., Presidentja Osmani morri pjesë në darkën e shtruar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi për nder të Takimit të Liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Presidentja Osmani dhe Kryetarja Pelosi patën rastin të diskutojnë për gjendjen aktuale të sigurisë në Evropë e në veçanti edhe në Ballkan. Në këtë drejtim u potencua rëndësia e partneritetit e komunikimit të vazhdueshëm në të dy anët e Atlantikut për garantimin e paqes dhe stabilitetit.

Në darkë Presidentja Osmani pati rastin të takohet dhe me Kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, Senatorin Bob Menendez, Senatorin Lindsay Graham, Kongresistin Gregory Meeks, si dhe zyrtarë e të ftuar të tjerë.

Presidentja Osmani qëndroi në Washington D.C. me ftesë të organizatorëve të Takimit të Liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, me ç’rast ajo ishte edhe njëra nga folësit kryesor në diskutimin mbi bashkëpunimin transatlantik për sigurinë energjetike si dhe folësja kryesore në organizimin lidhur me rritjen e rolit të grave në politikë./ KultPlus.com

“Djemtë e përkryer nuk ekzistojnë, por ekziston gjithmonë një djalë që është i përkryer për ty”

Fragment nga Bob Marley

“Ai nuk është i përkryer. Nuk je as ti dhe as ju të dy nuk do të jeni kurrë të përkryer. Por nëse të paktën njëherë mund të ju bëjë të qesheni, ju bënë të mendoni dy herë, dhe nëse ai e pranon se është njeri dhe bënë gabime, mbahuni pas tij dhe jepini atij sa më shumë që mundeni.

Ai nuk do të ju citoj poezi, nuk do të mendoj për ty çdo minutë, por ai do të ta jap një pjesë të tij të cilën ai e di se ti mund ta thyesh. Mos e lëndo atë, mos e ndrysho atë, dhe mos prit më shumë se sa që ai mund të jap.

Mos analizo. Qesh kur ai të bënë të lumtur, bërtit kur ai të zemëron dhe përmallohu për të kur ai nuk është me ty. Dashuro shumë kur ka dashuri, sepse djemtë e përkryer nuk ekzistojnë, por ekziston gjithmonë një djalë që është i përkryer për ty.” / KultPlus.com

Kolegji Universum po shënon Javen e Infermierisë me aktivitete të shumta

Kolegji Universum në kuadër të JavësInfermierisë organizoi aktivitete të shumta bashkë me studentët e Infermierisë.

Aktiviteti i parë filloi në Komuna e Vitisë ku studentët e Kolegjit Universum ju ofruan kujdes dhe këshilla shëndetësore qytetarëve të Vitisë.

Aktiviteti u përkrah edhe nga Kryetari i Komunës së Vitisë Z. Sokol Haliti dhe Drejtoresha e QKMF-Viti Znj. Vjollca Kadolli.

Përveq aktivitetit me qytetar, studentët dhuruan edhe lule dhe mirënjohje për stafin e infermierëve në Viti në shenjë falenderimi për kontributin dhe sakrificen e tyre për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.

Aktivitetet do të vazhdojnë deri në fund të javës, neser Universum do të jetë në Sheshin e Qytetit në Ferizaj, të premten në Kacanik dhe të shtunën në Qendren Tregtare “Ring Mall”.

Për më shumë informata na ndiqni në rrjete sociale në facebook apo instagram, kontaktoni në [email protected] ose +383 44 144 062./ KultPlus.com

Salvador Dali, surrealisti më i kokëkrisur dhe më përfaqësues i pikturës

Nga Albert Vataj

Kur ndërmendim Salvador Dali, përulemi si nën peshën e një detyrese dhe ndërsejmë në memorien e të tashmes këtë rrufe krijimi.

Në fillimtarin e kësaj qëmtese mëtoj nji prej “predikimeve” të tij, që munet me ken dhe nervi i kësaj shtjelle rrapëllitëse: “Inteligjenca na bën të çlirojmë nëpër mjegull disa nuanca të skepticizmit, që kanë mbi të gjitha për efekt kryesor të zvogëlojnë për ne në disa koeficientë të një pasigurie gastronomike dhe superxhelatinoze, prustiane, të një loje parimisht të lartë. Për këto arsye është mirë dhe njëkohësisht e nevojshme që kohë pas kohe, spanjollët si Picasso dhe unë, të vinim në Paris për t’u vënë para syve francezëve një copëz të papjekur dhe të gjakosur të së vërtetës”. Jo vetëm Parisi por bota krejt u përmend nga kjo përpjekje titanësh.

Salvador Dali është një prej majave që ngërthehet ngulmues përnga lartësitë më të epërme të kuadratit të tablosë. Dhe jo vetëm aq, ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm. Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara fort. Kurrnji oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dali dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dali padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalinë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti i tij, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i rradhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Dali është penelata më e jashtëzakonshme. Nuk kanë nguruar ta thonin këtë shumë ekspert, shumë njohës të korpusit të tij artistik. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dali në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyne, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq gangull. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. Në rrapëllimën e tekave, shprehi këto të gjenialiteti që trashëgoi, ai u ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art./KultPlus.com