Sot është dita botërore kushtuar radios. Kjo datë u vendos nga shtetet anëtare të UNESCO-s, në 2011 dhe u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në 2012.
Radioja është një media e fuqishme e cila ka përballuar me sukses edhe ndryshimet që solli epoka e dixhitalizimit.
Ajo është një media me kosto të ulët, e përshtatur për të arritur edhe në komunitetet më të largëta dhe njerëzit në nevojë.
Për 13 shkurtin e 2023, UNESCO thotë se duhet të vërë në pah radiot e pavarura si shtylla që parandalojnë konfliktet dhe që ndërtojnë paqen.
Narrativa e një medieje si radioja, mund të shtojë tensionet ose të kontribuojë për paqe. Gjatë raportimit dhe informimit të publikut, një radio mund të formësojë opinionin publik dhe të kornizojë narrativën duke influencuar situatat dhe vendimmarrjen.
Kështu që rritja e standardeve gazetareske të radios duhet konsideruar si investim për paqen, thotë UNESCO./ atsh / KultPlus.com
Organizatat e shoqërisë civile që funksionojnë në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), do të promovojnë përmbledhjen e raporteve të tyre (2017 – 2022), me titull “Universiteti i Prishtinës nën llupë”, me ç’rast do të shfaqet edhe dokumentari “GJYSËM shekulli UNIVERSITET”, me autor Shkëlzen Gashin.
Promovimi do të mbahet më 15 shkurt 2023, në orën 18:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës (mbrapa Ministrisë së Arsimit). / KultPlus.com
Turizmi në Shqipëri dhe Europën Juglindore pritet të lulëzojë, pasi interesi për këto destinacione ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Lajmi u raportua New Deal Europe (NDE), një platformë turistike dhe tregtie për Ballkanin dhe Europën Juglindore, e cila thotë se rajoni po sheh rritje të interesit për investime në hotele dhe resorte, pasi turistët po ndërgjegjësohen më shumë për rajonin si një destinacion i ri turistik.
“Ballkani po lulëzon.
Është një nga rajonet e fundit ekzotike të Europës, por gjithnjë e më shumë njerëz po interesohen sepse ka një larmishmëri të madhe, nga Alpet në Egje, ofron kulturë, bukuri natyrore, plazhe, male, kulinari, verë dhe ski”, vuri në dukje bashkëthemeluesi i NDE, Tim Murn.
Kompania do të mbajë takimin e saj vjetor të tregtisë më 24 mars, i cili lidh furnitorët e turizmit nga të gjitha vendet e Ballkanit; Greqia, Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria.
Për më tepër, rajoni ofron vlerë të madhe për investime, veçanërisht për vendet jashtë BE-së, ku Shqipëria është një nga destinacionet më premtuese. Interesi për këtë vend është rritur veçanërisht te britanikët, pasi nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë drejtohen mbi tetë fluturime në ditë.
Shqipëria ka tregues të fortë për një industri të madhe turistike dhe mund të jetë po aq e suksesshme sa Greqia, vendi fqinj i saj. Më parë, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit.
Të dy vendet u zotuan të promovojnë destinacionet dhe të rrisin numrin e turistëve që vijnë.
Vendimi vjen pas takimit mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Presidentes së Organizatës Kombëtare Greke të Turizmit (GNTO), Angela Gerekou, e cila theksoi se sa e rëndësishme është ruajtja e identitetit të të dy vendeve në industrinë e turizmit.
Shqipëria pati një vit rekord në 2022, me shumë grupe të rëndësishme hotelesh që konsideruan vendin për të investuar./ atsh / KultPlus.com
Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë po organizon Koncertin e Parë Solistik të zërit të melodive autentike Nezafete Shala, përcjell KultPlus.
Ky koncert do të shoqërohet në piano nga Nezafete Shala, përderisa pjesëmarrës në këtë koncert është kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.
Koncerti do të dirigjohet nga Kastriot Sada dhe në piano do të jetë Gent Kumnova.
Koncerti mbahet më datë 14 shkurt, në ora 19:00, në hollin e Shkollës së Muzikës “Prenk
Një tjetër detaj interesant i këtij koncerti është edhe dizajni dhe shkrimi i posterit i cili në tërësi është realizuar me shkrim dore nga vetë Nezafete Shala. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Todi Lubonjën.
Lubonja lindi më 13 shkurt 1923. Mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Qe shkrimtar dhe drejtues i medieve kryesore deri në vitin 1973. Polemika që pasoi edicionin e 11-të të Festivalit të Këngës dhe zemërata e shkaktuar në radhët e udhëheqjes së regjimit komunist i kushtuan lirinë.
“Veshje dhe shfaqje të huaja”, “me imitime dekadente”, “shfaqje disidente” etj, ishin vetëm disa prej frazave denoncuese, që arsyetuan ndërmarrjen e ndëshkimeve edhe për organizatorët dhe pjesëmarrësit e Festivalit.
Fillimisht, familja Lubonja u internua në Lezhë. Në 27 korrik 1974, shkrimtari u dënua me burg. Më 7 qershor 1987, do të lirohej pas 13 vjetëve në burgun e Burrelit. Me vendosjen e pluralizmit politik, iu dedikua shkrimit duke botuar libra autobiografikë me kujtime nga diktatura. Vdiq më 19 nëntor të vitit 2005.
DPA sjell një letër-ankesë për keqtrajtimin e të dënuarit Lubonja, drejtuar Drejtorisë së Kontrollit të Veprimeve Hetimore. / KultPlus.com
Një oqean i ri po formohet, ja cili është kontinenti të cilin ai po e ndanë mes për mes.
Pllakat tektonike të Tokës janë në fluks dhe lëvizje të vazhdueshme.
Dhe kohët e fundit, shkencëtarët kanë njoftuar se të dhënat e reja satelitore mbështesin idenë se kontinenti afrikan po ndahet në dysh falë lëvizjes tektonike dhe se kjo ndarje do të krijojë një oqean të ri.
Pse po ndahet në dysh Afrika?
Shpjegimi për këtë bazohet në parashikimet e tektonikës gjeografike të pllakave.
Në Afrikën Lindore, veçanërisht në rajonin Afar të Etiopisë, klima e nxehtë po bën që pllakat tektonike të largohen nga njëra-tjetra. Ky rajon shtrihet mbi tre pllaka tektonike, përkatësisht pllakën nubiane, somaleze dhe atë arabe.
Të çara si në foton e mëposhtme po ndodhin përgjatë të gjithë zonës ku parashikohet të bëhet ndarja e kontinentit afrikan.
Shembull i çarjes së tokës si pasojë e thatësirave në rajonin e Afarit ne Etiopi, Afrike.
Në një raport të NBC News, i cili vjen përmes Futurism, Christopher Moore, një student doktorature në Universitetin e Leeds në Mbretërinë e Bashkuar, diskutoi të dhënat e reja satelitore. Moore ka përdorur në mënyrë specifike radarin satelitor për të monitoruar aktivitetin vullkanik.
Moore i tha NBC News se “[Kjo zonë e Afrikës] është i vetmi vend në Tokë ku mund të studioni se si çarja kontinentale bëhet një çarje oqeanike”. Me fjalë të tjera, i vetmi vend në Tokë ku një kontinent po ndahet në dysh.
“Gjiri i Adenit dhe Deti i Kuq do të vërshojnë mbi rajonin Afar dhe në Luginën Rift të Afrikës Lindore dhe do të bëhen një oqean i ri….” tha Moore për NBC News, duke shtuar se pjesa e sapo ndarë e Afrikës “do të bëhet kontinenti i saj i vogël dhe i veçantë”. / KultPlus.com
Rrufeja goditi statujën ikonë të Krishtit në Brazil gjatë fundjavës. Statuja 38 m, e vendosur në Rio De Zhaneiro të Brazilit, vizitohet nga gati dy milionë njerëz çdo vit dhe, çuditërisht, është hera e tretë në 15 vjet që goditet nga një rrufe e tillë.
Ende një dukuri jashtëzakonisht e rrallë, rrufeja goditi figurën fetare më 10 shkurt, duke e ndriçuar atë me një shpërthim drite që tani po shihet nga miliona njerëz në të gjithë globin.
Disa arritën të bënin foto të fenomenit, ndërsa fotografi Fernando Braga kapi imazhe dhe video të goditjes së rrufesë teksa ndodhi.
Tani duke u qarkulluar në internet, pamjet magjepsëse kanë mahnitur shumë njerëz, duke u parë më shumë se 20 milionë herë. /KultPlus.com
Dita e sotme do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.
Vendimi u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ëhstë shprehur se në këtë ditë flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, Rama është shprehur se “dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”.
Numri i të vdekurve të raportuar nga tërmetet në Turqi dhe Siri tejkaloi dje shifrën 34 000, ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë në rrënoja veniten çdo orë./ atsh / KultPlus.com
Ata që s’kanë bukë, kur të kujtojnë bukën, ty dhe mua le të kujtojnë. Ata që s’kanë zjarr, kur të kujtojnë zjarrin, ty dhe mua le të kujtojnë. Të pagjumët e botës, me syrin hapur si nata, në mesnatën e tyre ty dhe mua le të kujtojnë. Ata që kanë vdekur dhe dashurojnë akoma, ty dhe mua le të kujtojnë./KultPlus.com
Intervista ekskluzive e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin Rugova.
Mbititulli: Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i dha intervistë ekskluive gazetës ‘Rilindja’ në jubileun e 60-vjetorit
Titulli në faqen 1 e 2: Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin
Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt
Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës
——————–
Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova. “Unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja. Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova. Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.” “Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka deklerësuar z. Rugova.
——————–
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime?
PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë.
RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje.
RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt.
RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës.
RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda?
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi?
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!
RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President. / KultPlus.com
Sipërfaqja e akullit të detit në Antarktidë ka arritur nivelin më të ulët rekord më 8 shkurt.
“Të dhënat satelitore kanë regjistruar një sipërfaqe te akullit prej vetëm 2.2 milionë kilometrash katrorë që mbulon Oqeanin Jugor”, sipas Institutit Alfred Wegener (AWI) në Gjermani.
Ky është niveli më i ulët i sipërfaqes së akullit që nga fillimi i regjistrimit në 1979, ndërsa periudha e shkrirjes së verës pritet të vazhdojë deri në fund të muajit.
Rekordi i mëparshëm ishte sipërfaqja prej 2.27 milionë kilometra katrorë, rreth një vit më parë, më 24 shkurt 2022.
Gjatë vitit, sipërfaqja e akullit të detit në Antarktidë arrin kulmin në shtator ose tetor dhe arrin një pikë të ulët në shkurt.
“Në kulmin e saj, në përgjithësi mbulon deri në 20 milionë kilometra katrorë”, sipas AWI, duke u shkrirë në rreth 3 milionë kilometra katrorë, në verë.
Në gjashtë vitet e fundit, lindja dhe perëndimi i Gadishullit Antarktik kanë përjetuar temperatura gjithnjë e më të ngrohta të ajrit.
Është e paqartë nëse sipërfaqja e akullit do të mbetet e qëndrueshme.
Biologia detare, Franziska Saalmann e organizatës mjedisore “Greenpeace” tha se niveli i ri rekord tregon se kriza klimatike vazhdon të përshkallëzohet.
“Kjo na prek të gjithëve, dhe është një turp që vazhdojnë të planifikohen sipërmarrje të reja të karburanteve fosile”, tha ajo./ KultPlus.com
Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh, këngë e intepretime këto që e bënë këngëtaren shumë të dashur për publikun, shkruan KultPlus.
Njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që ti jep jetë artit të saj.
Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar
KultPlus ju sjell këngën ‘’Më the të dua’’, nën intepretimin e këndshëm të Parshqevi Simakut.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Më the të dua por nuk mu besua Mos folen zogjtë apo pemët Mos ishte zhurma e erës Unë ty tu luta Qe mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua Mos folen ujrat e pranverës Mos folen udhët plot Mos folen udhet plot njerëz
Prapë unë ty tu luta Qe mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua Prapë unë ty tu luta Qe mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua Mos foli kush N’atë, n’atë prush,
N’atë gusht e n’atë prush N’ata mos foli Apo tjetër kush N’atë gusht e n’atë prush N’ata mos foli Apo foli kush Mos foli hëna përmes degesh A gonxhet qe do çelin
Gonxhet qe do të çelin nesër Prapë unë ty tu luta Qe mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua Prapë unë ty tu luta Qe mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua
N’atë gusht e n’atë prush N’ata mos foli Apo foli kush N’atë gusht e n’atë prush N’ata mos foli Apo tjetër kush N’atë gusht e n’atë prush N’ata mos foli Apo tjetër kush N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli Apo tjetër kush Kokën lehtë e vure E vure ti tek mua Të dua pranë, ty te dua Më unë ty s’tu lutë Që mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua
Kokën lehtë e vure E vure ti tek mua Të dua pranë, ty te dua Më unë ty s’tu lutë Që mua të më thuash Të dua pranë, ty te dua. / KultPlus.com
Ekipet e shpëtimit nga shumë vende të botës po vazhdojnë kërkimin nën rrënojat e ndërtesave që u shkatërruan pas dy tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën, përcjell KultPlus.
Këtij kërkimi iu bashkuan edhe pjesëtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sot, përmes një postimi në Facebook, FSK ka njoftuar se pjesëtarët e tyre kanë shpëtuar edhe dy persona që kishin mbetur për 160 orë nën rrënoja.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Edhe dy jetë të shpëtuara në Turqi
Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar.
Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti./ KultPlus.com
Një festë në të gjithë botën për babanë e një prej teorive më të rëndësishme shkencore në histori, atë të teorisë së evolucionit.
Charles Darwin u lind më 12 shkurt 1809 dhe me teorinë e tij revolucionarizoi imazhin që kemi për veten dhe për origjinën tonë.
“Evolucioni ka pasur një ndikim të madh sepse ka të bëjë me jetën e gjithsecilit, ai trajton pyetjen se çfarë jemi ne, qenia jonë njerëzore dhe nga vijmë”, komenton Chiara Fabi, drejtuese e Njësisë së Koordinimit Shkencor të Muzeut të Historisë Natyrore të Milanos.
Për të përkujtuar ndikimin e jashtëzakonshëm të teorisë së evolucionit, lindja e natyralistit britanik që formuloi teorinë e tij në moshën 50-vjeçare është festuar për 20 vjet në të gjithë botën, më shumë se 20 vjet pas kthimit nga udhëtimi i gjatë në bordin e anijes ”Beagle”.
“Kur balenat kishin këmbë” është titulli i një prej iniciativave të planifikuara në hapësirat e Muzeut të Detit të Lashtë dhe Biodiversitetit, në Salsomaggiore Terme (Parma), i projektuar për fëmijët për të shpjeguar se si, të nxitura nga mutacione gjenetike të rastësishme dhe presioni selektiv, të gjitha speciet e gjalla në planet kanë pësuar transformime të thella gjatë miliona viteve.
Kjo ishte pikërisht një nga intuitat e mëdha të Darvinit në bazën e teorisë së evolucionit, mekanizmat më të thellë të së cilës, veçanërisht mungesa e një specieje superiore, nuk janë ende të lehta për t’u pranuar sot.
Një teori që, kur u propozua nga Darvini dhe paralelisht edhe nga Alfred Russel Wallace, ngjalli menjëherë polemika të hidhura.
Për këtë arsye, një nga objektivat e ditës ndërkombëtare është gjithashtu të frymëzojë njerëz nga e gjithë bota për të reflektuar dhe vepruar mbi parimet e guximit intelektual, kuriozitetit të përhershëm, të menduarit shkencor dhe urisë për të vërtetën, të mishëruara nga Charles Darwin./ KultPlus.com
Përbrenda historisë së artit, shumë persona kanë gdhendur emrat e tyre, një artiste e rëndësishme është edhe Anna Pavlova, e cila daton si balerina që për herë të parë bëri turne rreth botës, shkruan KultPlus.
Përderisa sot shënohet 142-vjetori i lindjes së saj, kujtimi për të mbetet i veçantë.
Turneu i saj rreth botës arriti që të depërtojë artin e saj rreth Amerikës së Jugut, Indisë dhe Australisë, teksa Pavlova ishte pjesë e Baletit Rus Perandorak dhe Baletit të Sergei Diaghilev. “The Dying Swan” është një vallëzim soloografik i realizuar nga Mikhail Fokine në “Le Cygne të Camille Saint-Saëns” për balerinën Anna Pavlova, e cila e interpretoi atë rreth 4,000 herë.
Shumë më vonë, kur kompozitori u takua me Pavlova, atëherë, e kënaqur me performancën e saj, bërtiti: “Zonjë, falë jush, kuptova se kam shkruar muzikë të lezetshme!”
Në Hagë, në teatrin e qytetit për shumë vjet në përvjetorin e vdekjes së Pavlov, po zhvillohej një shfaqje e çuditshme: perdja po ngrihej, muzika e Saint-Saens po luante dhe një qendër e vëmendjes bosh lëvizte përgjatë skenës së zbrazët, duke ndjekur lëvizjet e një kërcimtari të padukshëm. Publiku këto ditë shikoi kërcimin fantazmë në këmbë dhe në heshtje të plotë. / KultPlus.com
“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë.”
“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes.”
“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit.”
“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër.”
“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.”
“Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia.”
“Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar.”
“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet.”
Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.
“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë.”
“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua.”
“Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën.”
“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën.”
“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyeja.”
“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj?”
“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë.”
“Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet.”
“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit.”
“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër.”
“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë.”
“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.”
“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën.”
“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur.”
“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder.”
“Shkenca është dije e organizuar; mençuria është jetë e organizuar.”
Edhe në ditën më të shndritshme, është e pamundur për ne të shohim dritën e Diellit në të gjitha gjatësitë valore që lëshon, por një imazh i ri nga NASA zbulon në rrezet X “dritën e fshehur” të një ylli pranë, me energji të lartë dhe më shumë frekuenca që janë të padukshme për syrin e njeriut.
“Drita e padukshme” emetohet nga materiali më i nxehtë në atmosferën e Diellit dhe u kap nga teleskopi orbital i NASA-s NuSTAR. Observatori hapësinor studion kryesisht objekte jashtë sistemit tonë diellor, si vrimat e zeza dhe yjet e shembur, por rregullisht u siguron astronomëve informacione rreth Diellit.
Imazhi i mësipërm është një “mozaik” vëzhgimesh të shumëfishta, pasi të dhënat e NuSTAR (me blu) janë të mbivendosura me vëzhgimet nga teleskopi Hinode i Agjencisë Japoneze të Kërkimit të Hapësirës Ajrore (në të gjelbër) dhe matjet nga Observatori Dinamik Diellor (SDO ) nga NASA (ngjyrë e kuqe).
Rrezet X me energji të lartë të regjistruara nga NuSTAR ndodhen vetëm në disa pjesë të atmosferës së Diellit.
Në të kundërt, XRT i Hinode zbulon rrezet X me energji të ulët në gjatësi vale të emetuara nga e gjithë sipërfaqja e Diellit po ashtu SDO që “sheh” dritën ultravjollcë
Një nga misteret më të mëdha të Diellit
NuSTAR mund t’i ndihmojë shkencëtarët të zgjidhin një nga misteret më të mëdha rreth yllit më të afërt: pse atmosfera e jashtme e Diellit, e ashtuquajtura korona, arrin një milion gradë Celsius dhe është të paktën 100 herë më e nxehtë se sipërfaqja e yllit.
Kjo ngre pyetje për shkencëtarët sepse energjia e Diellit vjen nga bërthama i tij dhe përhapet jashtë. “Është sikur ajri rreth zjarrit është 100 herë më i nxehtë se flakët”, komenton NASA.
Nxehtësia e koronës diellore mund të jetë për shkak të shpërthimeve të vogla në atmosferën e Diellit, të ashtuquajturat nanoflazime. Shpërthimet tipike janë shpërthimet e nxehtësisë, dritës dhe grimcave të regjistruara nga një gamë e gjerë observatorësh diellorë. Në të kundërt, nanofrezat janë ngjarje shumë më të vogla, por të dy llojet e shpërthimeve prodhojnë material më të nxehtë se temperatura mesatare koronale.
Por flakët tipike nuk ndodhin aq shpesh sa për të justifikuar temperaturat e larta të regjistruara nga shkencëtarët. NASA spekulon se nanoflakët mund të ndodhin më shpesh, duke ngrohur koronën në tërësi.
NuSTAR mund të zbulojë dritën nga materiali me temperaturë të lartë, i cili besohet se prodhohet kur shumë nanoflake ndodhin “njëkohësisht” në një rreze relativisht të vogël. Teleskopi orbital i lejon fizikantët të hetojnë se sa shpesh ndodhin nanofrezat dhe se si ato lëshojnë energji.
Vëzhgimet e përdorura në këto imazhe përkonin me fluturimin e 12-të të anijes hapësinore Parker Solar Probe të NASA-s në pikën më të afërt të orbitës së saj me Diellin.
Sonda diellore Parker po fluturon më afër yllit tonë se çdo anije tjetër kozmike në histori./ KultPlus.com
Në mes mjegullash të nxira hëna zhduket, hëna bredh. Mbi të trishtëmet rrafshira trishtëm dritën ajo derdh. Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë. Zile e kalit monotone mezi ndihet nëpër të. Seç më kap një mall rinie karrocieri kur këndon, herë gas çapkënërie herë mall ai më zgjon. S’shoh as zjarr e as kasolle vetëm borë si pambuk. Dhe përtej shtyllat rrugore duken, zhduken tek e tuk. Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë, tek e shtrenjta do të vi. Pranë zjarrit kur të rrimë të të shoh me mall në sy. Dhe akrepi i sahatit do vij’ rrotull me qetësi E mërzitshmja mesnatë s’do na ndajë përsëri. Mërzi udhës dimërore karrocieri zu dremit Zile e kalit monotone hënë e mjegullt që ndrit.
Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim. Sa mall sërish ti po më bie në shpirtin tim, në gjakun tim. Për mua gazi është i huaj… çdo ngazëllim e çdo shkëlqim më sjell mërzi, më bën të vuaj.
Oh, nëmëni shqotën, suferinën dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë që të bie rasti kot? Pse të dha i fshehti fat një ndëshkim me tmerr në botë? Ç’është ai pushtet i nxirë, që prej hiçit më ka thirë, që në shpirt më dha mundime dhe dyshim në mendjen time? Pa një dritë e një qëllim, më rreh zemra në shkreti. Më mbush plot me pikëllim jeta gjith monotoni./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar qytetin e Kosovës, Prizrenin, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Rama tha se Prizreni gjithnjë i jep një kënaqësi të posaçme.
Postimi i plotë:
“Prizreni të jep përherë një kënaqësi të posaçme; historia e shqiptaria bashkëjetojnë në ajrin që thith dhe njerëzit kanë një energji shumë të mirë ngado i hedh sytë”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Aktorja amerikane Angelina Jolie apeloi për donacione për Turqinë dhe Sirinë, pas tërmeteve shkatërruese të së hënës nga të cilët mijëra njerëz humbën jetën.
”Zemra ime është me popullin e Sirisë dhe Turqisë. Është e vështirë të kuptosh dhimbjen e paimagjinueshme që kaq shumë familje po e përjetojnë në këtë kohë”, shkroi ajo në Instagram.
Aktorja tha se ajo ka bërë donacion dhe shpreson që edhe ”të tjerët të japin gjithashtu”.
Ajo ndau fotografi nga zonat e tërmeteve të të dy vendeve dhe një link për donacion./KultPlus.com
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë përcolli sot një mesazh urimi në kuadër të 103 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
Bashkimi Europian në Tiranë po restauron edhe Teatrin e Kukullave, që shërbeu pak pas shpalljes së Tiranës kryeqytet, si godinë parlamenti.
“Kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë, 103 vjet më parë, nisi edhe ndërtimi i një godine që pak vite më vonë do të bëhej Parlamenti i ri. Ajo është Teatri i Kukullave që kemi sot. Ndërtesa shërbeu edhe si zyrë për disa ministra të qeverisë së re. Sot, kjo godinë është duke u restauruar nga programi “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS”, bëri të ditur zyra e BE-së në vendin tonë.
Ky projekt do të risjellë Teatrin historik të Kukullave për breza të tërë fëmijësh, të cilët do të krijojnë kujtime të bukura./atsh/ KultPlus.com
I njohur për etikën e tij të punës së madhe, këmbëngulësisë dhe zgjuarsisë, Thomas Edison është njëri prej shpikësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nga llamba në fotografinë, gjatë jetës së tij Edison mbajti mbi 1000 licensa në Shtetet e Bashkuara në emrin e tij, pa përmendur edhe tjerat rreth botës.
Kontributet e tij të mëdha në energji elektrike, filma, inçizim të zërit madje edhe makina x-rreze ndryshuan botën në të cilën jetojmë sot. Së bashku me shumë arritje të tij, mentaliteti dhe etika e punës e Edison gjithashtu e shtyen atë drejt suksesit.
Më poshtë gjeni thëniet më të njohura të Thomas Edison:
‘’Shanset humbasin nga shumë njerëz për shkak se ajo është e veshur me pantallona dhe duket si punë’’.
‘’Fati i mirë shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen’’.
‘’Për të shpikur, ju keni nevojë për imagjinatë të mirë dhe për gjëra të vjetra’’.
‘’Gjeniu është 1 përqind inspirim dhe 99 përqind djersë’’.
‘’Dobësia jonë më e madhe qëndron në dorëzimin. Mënyra më e sigurtë për të pasur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër’’.
‘’Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10,000 mënyra të cilat nuk kanë pasur sukses’’.
‘’Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’’.
‘’Unë kam më shumë respekt për një njeri i cili ka një ide dhe arrin sukses me të se sa për një njeri i cili ka me mijëra ide dhe nuk bën asgjë’’.
‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’.
‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’./KultPlus.com
Më 10 shkurt 2023 shënohet 125 vjetori i shkrimtarit e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht. I dëbuar prej nazistëve Brecht jetoi 15 vjet në emigracion. Heronjtë e tij ishin gjithmonë njerëzit e thjeshtë.
Qyteti i tij i lindjes Augsburg e nderon Bertolt Brechtin në 125 vjetorin e lindjes me një festival nën moton “Worldwide Brecht”, sepse shkrimtari, i cili i dëbuar prej nazistëve u detyrua të jetojë 15 vjet në emigracion, prej kohësh është kthyer në një ndër autorët më të frekuentuar në skenat e mbarë botës.
Opereta e tij “Opera për tri grosh” shkruar më 1928 është ndër teatrot muzikore të vëna më shpesh në skenë në mbarë botën. Me këtë vepër Brecht pushtoi jo vetëm skenat në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, por edhe në Japoni, Togo e Poloni, ku veprat e tij vazhdojnë të vihen edhe sot e kësaj dite në skenë. “Opera për tri grosh” trajton problemet e kohës kur Brechti jetonte, por që janë aktuale edhe sot. Personazhet sjellin në skenë një botë, ku një hajdut xhepash duket njeriu më i ndershëm dhe parimor e korrupsioni dhe vjedhja kanë arritur kulmin duke kapur majat: kryepolici është kryemafiozi dhe koka e rrjetit kriminal.
Në qendër të “Opera për tri grosh” është figura e Meki Thika, një gangster që me bëmat e paudhësitë e tij imponohej duke fituar pushtet. Motivi është marrë nga figura fiktive Captain Macheath e trajtuar si nga John Gays tek The Beggar’s Opera. Brecht e ripërdori këtë figurë në veprën e tij. Që në hapje të operetës shfaqet direkt karakteri i Meki Thikës me strofën të shoqëruar nga muzika e Kurt Weil:
“Peshkaqeni ka dhëmbë, që i mban dukshëm në fytyrë
Ndërsa Macheath mban një thikë, që ju s’mund ta shihni kurrë
Ah nga kreshta e skuqur e peshkaqenit e kupton kurështë i përlyer në gjak
Por Meki Thika mban doreza që paudhësia të mos diktohet aspak”
Edhe tek “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” (1941) në fokus janë njerëzit e përvuajtur të shoqërisë. Në të bëhet fjalë për një nënë, që përpiqet t’i nxjerrë fëmijët e saj shëndosh prej luftës. Në Lomé regjisori Ramsès Alfa e ka vënë në skenë “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” – që është gjithashtu një ndër pjesët më të njohura të Brechtit. Ramsès Alfan, thotë, se kjo pjesë i kujton atij ndihmëset e të korrave në fushat e lajthive në Togo, të cilat me fëmijët e tyre në kurriz punojnë në vapën përvëluese për një pagë sa për një kafshatë bukë. Ose i kujton shitëset e rrugës në kryeqytetin Lomé, të cilat në këkrim të klientëve lëvizin me ngarkesë të rëndë me limonata, fruta apo stofra duke trokitur derë më derë shtëpive për të siguruar të ardhura sado pak sa për të mbajtur frymën e familjes.
Por jo vetëm në Togo, edhe në Japoni Brecht është mjaft i njohur. Sipas hulumtimeve të studiueses Monika Ayugai nga City University në Nju Jork, në fillim të shekullit 21 Brecht renditej fare pranë Shakespeare. Në emigracion Brecht është marrë me letërsinë japoneze. I ftuar tek kolegia e tij Hella Wuolijoki në Finlandë ai zbuloi dramën japoneze “Historia e trishtë e një gruaje, historia e Chink Okichi”, në të cilën një geisha në shekullin e 19 josh një konsull nga SHBA, për të shpëtuar qytetin e saj Shimoda nga sulmet e amerikanëve, por atë e poshtërojnë si tradhëtare. Brecht nisi ta përkthejë këtë pjesë, u mrekullua nga fati i punonjëses së seksit, të cilën pavarësisht aktit të saj heorik shoqëria e poshtëron.
Brecht një i huaj në bllokun lindor
Brecht i kaloi 15 vjet të jetës në emigracion, përpara se pas Luftës së Dytë Botërore të kthehej sërish në Gjermani, por në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Një ditë pasi ra zjarri në Rajshtag në vitin 1933, Bertolt Brecht bashkë me familjen dhe gruan e tij Helene Weigel u largua drejt Parisit dhe më pas në Danimarkë. Pak pas kësaj librat e tij u dogjën prej nacionalsocialistëve dhe u ndaluan. Më 1941 Brecht u vendos në Los Angeles në SHBA dhe më 1949 u kthye në Berlinin lindor.
Ai në pjesët e tij vazhdimisht kritikonte padrejtësitë e kapitalizmit. “Tingëllon paradoksale, por Brecht si njeri dhe artist me pikëpamje ekstrem të majta, mund të ishte fare pranë ideologjisë dhe estetikës së Rusisë sovjetike, e në fakt nuk qe kështu”, konstaton studiuesja ruse e teatrit, Marina Davydova. Ajo vëren, se Brecht u pranua me shumë ngurrim dhe rezerva në Rusinë sovjetike, sepse krerët e vendit e ndjenin potencialin shpërthyes të artit të tij. Brecht është i mprehtë dhe pa kompromis në artin e tij. Ai i flet direkt publikut, pa doreza, kjo sipas studiueses ka bërë që krerët sovjetikë të kishin rezerva ndaj veprave të tij.
Vetëm pas vdekjes së Stalinit dhe në vitet 1970 vepra e tij arriti të ketë sukses në Bashkimin Sovjetik. As sot në Rusinë e Putinit Brechti sërish nuk ka më shans të vihet në skenë, shpjegon Davydova.
Brechti ka qenë mjaft i diskutueshëm edhe në perëndim duke u konsideruar si komunist. Sidoqoftë ai ka lënë gjurmë me veprën e tij, e cila sipas regjisorit nga Togo Ramsès Alfa edhe sot pas 70 vjetësh së vdekjes është mjaft e preferuar, pasi ai rrëfen për njerëzit, që kanë pak, që janë të shtypur dhe të margjinalizuar. Brecht ka shkruar qysh në moshë fare të re: Për pjesët e tij të para “Daullja e natës” dhe “Baal” më 1922 ai u vlerësua me çmimin Kleist (Heinrich von Kleist) /DW/ KultPlus.com