10 pikat turistike më të bukur në botë sipas Tik Tok

Edhe pse TikToku njihet tashmë për videot virale qoftë ato me kërcime apo edhe ato humoristike, kjo platformë mund të përdoret edhe si një tregues i vendeve më popullore për sa i përket turizmit.

Faqja e udhëtimeve Next Vacay ka analizuar të dhëna nga kjo platformë për të ndërtuar një studim rreth atraksioneve më ‘të preferuara në TikTok’.

E para në listë ishte Disney World në Orlando dhe kjo nuk duhet të vij si çudi kur merret parasysh që moshat e reja dhe fëmijët janë ata që zënë pjesën më të madhe të përdoruesve të TikTok.

Kjo është lista e 10 pikave turistike më tërheqëse në botë sipas TikTok:

1 – Disney World – Orlando, SHBA (8.6 miliardë shikime)

Resorti i Walt Diseny i njohur ndryshe edhe si Disney World, është një kompleks argëtimi masiv në Orlando, Florida. Ai u hap për herë të parë në vitin 1971 nga kompania e famshme e filmave të animuar Walt Disney. Që atëherë, ky vend ka tërhequr familje nga e gjithë bota me atraksione të ndryshme që përqendrohen rreth personazheve më të famshme të filmave Disney dhe jo vetëm.

2 – Burj Khalifa – Emiratet e Bashkuara (1.9 milardë)

Burj Khalifa apo Kulla Khalifa është ndërtesa më e lartë në botë e inauguruar në vitin 2019 në Dubai. Disa nga gjërat që mund të bëhen gjatë një vizite në Burj Khalifa janë ngjitja deri në majë për të parë pamjet piktoreske, vizita në restorantin At.mosphere apo edhe një rezervim në SPA-në e hotelit ekskluziv të Armani-t.

3 – Kulla Eifel, Francë (719 milionë)

Kulla Eifel është kthyer tashmë në një destinacion emblematik në kryeqytetin e Francës, Parisin. Ajo është emërtuar pas inxhinierit të saj Gustave Eiffel dhe nofka e përdorur nga parisienët është La dame de fer apo Zonja e Hekurt. Kjo kullë njihet edhe si monumenti më i vizituar në botë dhe që prej vitit 1991 ajo është bërë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.

4 – Taj Mahal, Indi (377 milionë)

Taj Mahal i njohur ndryshe i ‘Pallati i Kurorës’ është një mauzoleun islamik i ndërtuar krejtësisht nga mermeri, gjë që i ka dhënë të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u kthyer në një prej 7 mrekullive të botës. Ajo u porosit në vitin 1632 nga perandori Shah Jahan në nder të gruas së tij Mumtaz Mahal. Taj Mahal është pjesë e një kompleksi të madh që përfshinë një xhami, disa kopshte madhështore dhe një lumë që rrethon të gjithë kompleksin.

5 – Grand Canyon, SHBA (273 milionë)

dawn on the S rim of the Grand Canyon

Një nga kanionet më të famshme në botë por edhe një pikë turistike e preferuar nga turistë nga e gjithë bota, Grand Canyon është një monument natyror i gdhendur nga vetë Lumi i Kolorados në Arizona, SHBA.

6 – Las Vegas Strip, SHBA (259 milionë)

Las Vegas Strip është një pjesë e Bulevardit Jugor të Las Vegas në Nevada, SHBA. Pak mund të thuhet për Las Vegas që ende nuk dihet tashmë. Ai është qyteti ku përqendrohen hotelet, resortet, luksi dhe kazinotë më të famshme në botë. Atraksionet që ofrohen këtu nuk janë për të gjithë, por ata që tërhiqen nga dritat dhe ndërtesat luksoze janë gjithnjë të mirëpritur këtu.

7 – Ura Golden Gate, SHBA (118 milionë)

Kjo urë është një ikonë e San Franciskos në SHBA. Ajo bashkon Gjirin e San Franciskos me Oqeanin Paqësor dhe vizitohet nga miliona amerikanë dhe turistë të huaj çdo vit.

8 – Hoover Dam, SHBA (79 milionë)

Hoover Dam është një digë dhe strukturë e madhe betoni brenda Kanionit të zi në Lumin e Kolorados e cila ndodhet në kufirin e Nevadës dhe Arizonës në SHBA. Ajo u ndërtua në vitet 30-të gjatë Depresionit të Madh dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar jetën qindra njerëzve.

9 – Parku Kombëtar Yosemite, SHBA (59 milionë)

Paru Yosemite është një Park Kombëtar në Kaliforni të SHBA-së. Ai është i rrethuar nga Pyjet Sierra. Ky park mori statusin Objekt i Trashëgimisë Kulturore në vitin 1984 dhe dallon për kodrat e granitit, ujëvarat, burimet e pastra, malet, liqenet, akullnajat dhe diversitetin e faunës.

10 – Stonehenge, Mbretëri e Bashkuar (52 milionë)

Stonehenge është një monument prehistorik dhe tejet misterioz në Wiltshire, Angli. Ai përbëhet nga një unazë e jashtme gurësh masiv të cilët janë mbi 4 metra të lartë dhe peshojnë rreth 25 ton secili. Këto gurë janë pjesë e monumenteve të periudhës së Neolitit dhe Epokës së Bronzit. Arkeologët mendojnë se Stonehenge u ndërtua dikur mes shekullit 3000 dhe 2000 para erës sonë dhe sot e kësaj dite, pavarësisht disa teorive, nuk dihet ende se si njerëzit e asaj kohë kanë pasur mundësi të ndërtojnë këtë strukturë kaq të rëndë pa asnjë teknologji të avancuar./ KultPlus.com

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Meriton një dashuri shumë të bukur

Poezi nga Frida Kahlo

Meriton një dashuri që të do
të pakrehur
me gjithçka dhe me arsyet që të bëjnë
të ngrihesh me nxitim
me gjithçka dhe me demonët që
nuk të lënë të flesh.

Meriton një dashuri që të bën
të ndihesh e sigurt,
në gjendje të gëlltitësh botën
kur ecën krah teje,
që ndjen se përqafimet e saj janë
të përsosur për lëkurën tënde./ KultPlus.com

Kush e tradhëtoi Ana Frankun, vajzën hebreje simbol të Holokaustit

”Përshëndetje. Hebrenjtë fshihen në fund të rrugës Prinsengracht 263 në Amsterdam. Nga e di ti?” “E di”. “Dhe kush je ti?” “Askush”. Ishte kjo përmbajtja e bisedës ”tradhtare” ndaj Ana Frankut, e vrarë në mars 1945, shkruan focus.it.

Kjo mund të ketë qenë biseda telefonike e 4 gushtit 1944 që “dënoi” Ana Frankun, e cila është kthyer në simbol të persekutimit antisemit.

Le të zbulojmë se si u kryen hetimet për të vërtetuar se kush e tradhtoi Anën, përmes artikullit “Të tradhtuar!” nga Anita Rubini, marrë nga arkivat e Focus Storia.

Informacioni arriti në zyrën e Julius Dettmann, një oficer eses gjerman, i cili dërgoi menjëherë një ekip për të kontrolluar shtëpinë.

Pas një rafti librash është hyrja e strehës ku Otto Frank, gruaja e tij Edith dhe dy vajzat e tyre Anna dhe Margot, tre anëtarë të familjes Val Pels dhe dentisti Fritz Pfeffer kishin jetuar për dy vjet.

Ata u arrestuan të gjithë dhe u dërguan në kampin tranzit Westbord dhe më pas u transferuan në Aushvic.

Sot ai “askush” nuk mund të kishte emër.

Sipas dy gazetarëve flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop Van Wijk, ishte vërtet Nelly Voskuijl, një nga motrat e Elizabeth një daktilografiste e punësuar nga Otto.

Nelly filloi vullnetarisht të bashkëpunonte me Gestapon pas pushtimit gjerman deri në atë denoncim mizor./KultPlus.com

Zuckerberg sfidon Musk-un dhe prezanton Twitter-in e ri

Emri i koduar është ‘Project92’, në realitet është sfida që Mark Zuckerberg dëshiron të nisë në Twitter-in e Elon Musk.

Një platformë e re, e ngjashme, por më efikase dhe më e “shëndetshme” se ajo e blerë nga pronari i Tesla-s, e cila tashmë do të kishte ndër përdoruesit e saj të ardhshëm personazhe të famshëm me miliona ndjekës.

Ideja e një Twitter 2.0 u komunikua nga Chris Cox, shefi i produkteve të Meta, kompanisë që zotëron Facebook dhe Instagram, në një takim me drejtuesit kryesorë siç raportohet nga faqja e specializuar “The Verge”.

“Kemi dëgjuar nga krijuesit dhe personazhet publikë dhe ata na kanë thënë se duan një platformë të menaxhuar në mënyrë të shëndetshme, të cilës mund t’i besojnë dhe të mbështeten për shpërndarjen e përmbajtjes së tyre”, shpjegoi menaxheri, duke e quajtur shprehimisht rrjetin e ri social. “një përgjigje për Twitter”.

Cox pohoi gjithashtu se ishte tashmë në kontakt me yllin amerikan të talk-show Oprah Winfrey dhe Dalai Lama, përkatësisht 42 dhe 19 milionë ndjekës, të cilët do të ishin gati të hiqnin dorë nga Twitter për të hyrë në ”bandën” e Metës./KultPlus.com

Mark Zuckerberg annuncia il cambio di nome di Facebook, che da oggi è Meta, 28 ottobre 2021. ANSA

Libri ‘Udhërrëfyesi juaj Olimpik’ vjen për herë të parë në shqip

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë në promovimin e librit “Udhërrëfyesi juaj Olimpik” i shkruar nga prof. Marita Bulatova, zëvendëspresidente e Komitetit Olimpik të Ukrainës, presidente e Akademisë Olimpike të Ukrainës, zv/presidente e Akademive Olimpike Evropiane, si dhe anëtare me të drejta të plota në Akademinë e Shkencave të Ukrainës.

“Libri vjen për herë të parë në shqip me iniciativë të Akademisë Olimpike Shqiptare, në kuadër të 30-vjetorit të saj, si dhe me mbështetje të KOKSH”, u shpreh Kushi.

Ministrja tha se, tashmë lexuesit dhe sportdashësit shqiptarë përmes këtij libri kanë mundësi të mësojnë më shumë mbi Lëvizjen Olimpike, duke përfshirë informacione mbi origjinën, historinë dhe vlerat e olimpizmit.

Ajo falënderoi të gjithë nxënësit dhe shkollat që kishin përgatitur një ekspozitë të veçantë të punimeve të tyre në kuadër të Javës Olimpike./atsh/ KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

‘Soditja’, ‘Një perlë e vogël nga Winterhalter-i ynë i shkëlqyer

“Soditja” është tabloja krejt e ndryshtë nga punët e piktorit gjerman të oborrit, Franz Xaver Winterhalter.

Në këtë tablo ka më shumë modesti dhe më shumë shprehje artistike, më pak rrezatim imponues dhe më shumë lojë penelatash dhe të dritës.

Ferdinand Knab, poeti i narracionit të muzgjeve të flakërimta në pikturën gjermane

“Soditja”, përshkruan një grua të re të shtrirë në një kostum të lirë, të paqartë lindor.

Ajo mban fletë muzikore ose vargje në dorën e djathtë dhe kokën anon në të majtën.

Mbretëresha Viktoria e përshkroi këtë pikturë në Ditarin e saj si “Një perlë e vogël nga Winterhalter-i ynë i shkëlqyer, i një figure femërore, mjaft bukuroshe, për sa i përket fytyrës, vizatimit dhe ngjyrosjes”.

Ishte varur në dhomën e shkrimit të Princit në Windsor. Nënshkruar dhe datë: F Winterhalter / 1847./Albert Vataj/KultPlus.com

Letra

Poezi nga Miguel Hernandes

Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.

Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.

Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.

Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria

Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër./KultPlus.com

Të rinjtë nga Sicilia që shkruajnë e kompozojnë në arbërisht

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët prezantoi për publikun një grup djemsh nga Hora e Arbëreshvet (Piana degli Albanesi), në Sicili, të cilët shkruajnë dhe kompozojnë këngë në arbërisht.

Këta të rinj përcjellin me muzikën e tyre, në një udhëtim të përmalluar drejt rrënjëve, një kulturë që jetohet përmes syve të të rinjve.

Grupi muzikor arbëresh mban emrin “Shega”. Megjithëse vijnë nga një katund arbëresh, me artin e tyre, djemtë e “Shegës” kanë mundur të kapërcejnë kufijtë lokalë, krahinorë e shtetërorë. Së shpejti ata do të ndërmarrin një turne në Zvicër.

Muzikantët arbëreshë do të jenë në Zyrih të Zvicrës më 18 qershor. Me rastin e koncertit do të ekspozohen foto të Alessandro Ferrantelli dhe Maria Calderone, dy artistë profesionistë që ndër vite kanë dokumentuar kulturën arbëreshe me ngjyrat lokale që e karakterizojnë.

Ekspozita e titulluar ZËMBRA ARBËRESHE ka për protagoniste gratë e Horës së Arbëreshvet, me veshjet e tyre të magjishme tradicionale./KultPlus.com

Vdes aktori italian, Francesco Nuti

Vdes në moshën 68-vjeçare aktori i njohur Francesco Nuti.

Lajmi u bë i ditur nga vajza e tij Ginevra, e cila tha se babai i saj vdiq në Villa Verde, Romë. Ajo dhe familjarët e tij falënderuan personelin shëndetësor dhe të gjithë ata që u kujdesën për aktorin gjatë kohës kur ai ishte i sëmurë.

Data dhe vendi i varrimit nuk janë bërë ende të ditura./KultPlus.com

Sa i pasur ishte ish-presidenti i Milanit, Berlusconi?

Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian dhe ish-president i Milanit, ka vdekur në moshën 86-vjeçare, në mëngjesin e së hënës.

Një njeri që ka vepruar në shumë sfera të ndryshme të jetës, Berlusconi ishte një manjat mediatik në Itali, duke zotëruar tre kanale televizive kombëtare nëpërmjet Mediaset, të cilat përbënin gjysmën e sektorit të televizionit kombëtar.

Ai zotëronte gjithashtu Publitalia, agjencinë kryesore të reklamave dhe publicitetit në Itali. Përtej kësaj, ai zotëronte një aksion kontrollues në shtëpinë botuese më të madhe në Itali, ndërsa vëllai i tij zotëron dhe drejton Il Giornale, një gazetë e qendrës së djathtë.

Ish-gruaja e tij zotëronte pjesërisht një gazetë me ndikim të krahut të djathtë, kështu që kontrolli i tij në peizazhin mediatik ishte i gjerë.

Përveç kësaj, ai u bë pronar dhe president i klubit të futbollit AC Milan në 1986, duke i kthyer ata në një nga klubet më të suksesshme në botë.

Nën periudhën e tij, ata fituan tetë tituj ligë, një Coppa Italia, shtatë Supercoppa, pesë Kupa Evropiane, pesë Superkupa UEFA dhe tre Kupa Ndërkontinentale ose Kupa Botërore për Klube.

Kohët e fundit, ai ka qenë pronar i Monzas në Serie A, pasi ka shitur AC Milan në 2017. Ai është gjithashtu kryeministri më jetëgjatë i Italisë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

U raportua nga Forbes në vitin 2012 se Berlusconi ishte njeriu i gjashtë më i pasur i Italisë. Ai kishte një pasuri neto prej 5.9 miliardë dollarë në atë kohë dhe kjo pasuri u rrit në dekadën e fundit të jetës së tij.

Në fakt, është raportuar nga shumë media se pasuria neto e Silvio Berlusconit në vdekjen e tij ishte 6.8 miliardë dollarë. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Lutje Zotit

Lutje e Presidentit të Republikës së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova më 12 qershor 1999.

Të Lutëm O Zot
Për Lirinë Që Na Fale
Të Lutëm O Zot
Për Kthimin Tonë
Në Kosovën Tonë
Në Tokën Tonë
Të Falemi Ty
Për Këtë Mrekulli
O Zot./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e arkitekturës ‘Projekte për Tiranën’

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Milanos çeli ekspozitën “Progetti per Tirana”/ “Projekte për Tiranën”.

Ekspozita paraqet punime diplomash, kushtuar kryeqytetit shqiptar dhe të krijuara nga studentët në laboratorin e masterit të Shkollës së Arkitekturës  AUIC të Politeknikut të Milanos të drejtuar nga prof. Raffaella Neri.

“Projekte për Tiranën” do të qëndrojë e hapur deri më 16 qershor 2023, në hollin e katit të dytë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ceremonia e çeljes së ekspozitës pasohet nga një tryezë e rrumbullakët me ekspertë shqiptarë dhe italianë, e koordinuar nga Frida Pashako dhe që përfshin drejtuesit e projekteve të studios “Stefano Boeri Architetti”. Temë qendrore e takimit janë projektet kryesore dhe vizioni që ka kjo studio për Tiranën, me fokusin tek vlerësimi i hapësirave publike dhe zbatimi i filozofisë së pyllëzimit urban.

Universiteti Politeknik i Milanos në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës ka studiuar disa projekte për tre zona të mëdha të qytetit në procesin e urbanizimit të ri: zhvillimi i aksit të gjatë që përfaqëson vazhdimin e elementit të parë gjeneratorit të kryeqytetit, për të cilin janë zhvilluar dy hipoteza të masterplanit të ndryshme; zona e ish fushës e Aviacionit si dhe vendbanimi i përzier përgjatë brigjeve të Liqenit të Farkës, një pasuri e çmuar e qytetit./atsh/KultPlus.com

Vdes ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, vdiq sot në moshën 86-vjeçare.

Berlusconi ishte duke u trajtuar në spitalin San Raffaele në Milano.

Lideri i Forza Italia dhe themeluesi i Mediaset ishte 86 vjeç.

Berlusconi u kthye në San Raffaele të premten e kaluar, pas një shtrimi 45 ditësh, i cili përfundoi disa javë më parë, për shkak të pneumonisë dhe një forme leukemie.

Shëndeti i tij është përkeqësuar ndjeshëm viteve të fundit. Ndërkohë, kishte katër ditë që ishte duke u trajtuar në spital./ANSA/KultPlus.com

Anna Frank: Kush ka guxim dhe vetëbesim nuk do të mposhtet kurrë nga fati i keq

Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.

Sot, në 94-vjetorin e lindjes së saj, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësaj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore:

“Vërtet është për t’u habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurde dhe të pamundura për t’i realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.”

Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.

Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.

Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.

Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.

Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.

Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.

Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.

Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.

Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.

Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.

Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.

Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.

Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.

Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).

Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.

Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.

Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.

Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.

Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende. /KultPlus.com

Analizë strukturore dhe semantike veprës “Një roman i pamundur” të Besnik Mustafajt

Nga Fjollë Mehmeti

Besnik Mustafaj është poet, romancier e eseist, përveç jetës letrare një rol të veçantë te ky krijues luajti gjithashtu jeta politike. Nga viti 1992 shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Francë.

Autori në fjalë është krijues i disa veprave si: “Motive të gëzuara”, “Bishti i kometës”, “Pragu i verës”, “Ëndrra e doktorit” etj. Me veprën, “Daullja prej letre” ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi. Së fundmi Besnik Mustafaj ka botuar sprovën letrare të titulluar “Një roman i pamundur”. Një ndër problematikat fillestare me të cilat ndeshet lexuesi në krijimin e lartpërmendur do të jetë përcaktimi i llojit të cilit i përket ai krijim letrar. Teksti i mësipërm nuk është një roman, por që vendos shenja të një romani. Që në vështrim të parë ne ndeshemi me titullin e krijimit, e  në realitet e gjithë brendësia ndërlidhet me atë çfarë përkufizon vetë titulli i saj. Besnik Mustafaj bën shpërfaqjen e manovrimeve të ndryshme mbështetur në dy ngjarje, të cilat në njërën anë paraqesin luftën serbo-shqiptare, e në anën tjetër orvatjet e vet autorit për romanin e dëshiruar, por, të pamundur… E pamundura nuk lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë letrare, por që ka të bëjë me aspekte joletrare.

                                             Struktura në funksion të semantikës

Krijimi “Një roman i pamundur” i Besnik Mustafajt shquhet për strukturën e shpërfaqur, e cila vihet në funksion të përmbajtjes. Konflikti shqiptaro- serb, është trajtuar në shumë vepra të letërsisë shqipe, por që tekstin e autorit në fjalë e bën të veçantë forma, stili, mënyra se si ai ka zgjedhur të sjellë për lexuesit një formë të re, të një problematike të vjetër. Që në ndeshje të parë me tekstin lexuesi arrin të etiketojë tendencën e autorit për të tërhequr vëmendjen përmes: titullit, formës, lojës që ai ofron. Për një qasje të tillë, autori pati ndikim nga poetika postmoderne. Shenja të një kënvështrimi të tillë janë të dukshme, duke filluar nga forma e tërsishme që shpërfaq vepra, inkuadrimi i interteksteve të shumta e mbi të gjitha të folurit për procesin krijues, që në terminologjinë postmoderne njihet si fundi i magjisë (poioumenon). Në shkrimet e mëhershme vepra vinte thjesht si rezultat, Mustafaj bën të kundërtën, në qendër vendos procesin krijues, kështu duke lënë hapësirë për inkuadrim edhe të vetë lexuesit. Fokusi në një element të tillë, i jep risi, veçanti tekstit. Krijimi i Mustafajt tejkalon format e zakonshme, përqëndrimi nuk është te personazhet, përmbajtja, por te forma e cila i shërben semantikës. Ajo se çfarë e karakterizon veprën ka të bëjë me vendosjen, tekst mbi tekst. Krijimi i ri realizohet mbi rimarrjen, më konkretisht duke u mbështetur në dy tekste bazë; tekste këto që në esencë trajtojnë konfliktin shqiptaro-serb. Storia e dytë e vitit 1999 bëhet arsye e rikthimit në kujtesë të ngjarjes së vitit 1913. Në aspektin kohor, dy ngjarjet përfshijnë shekullin XX, më saktësisht dy skajet e këtij shekulli.

Me një vështrim të parë lexuesi vëren se vepra nuk ndjek një linearitet, por që në vazhdimësi bëhet lëvizja para-prapa. Një teknikë e tillë tërheq vëmendjen e lexuesit, përmes lojës e cila realizohet nga elementi i kohës. Në aspektin strukturor elementi kohor e shquan krijimin në fjalë, autori na ofron dy pamje: në njërën anë vendos kohën që përfshin dy ngjarjet dhe në anën tjetër kohën e cila inkuadron vitet e orvatjes së autorit mbi të njëjtin sinopsis. Nga pozicioni i së tashmës bëhet inkuadrimi i të kaluarës, përmes perspektivës narrative personale, gjegjësisht narratorit të vetës së parë i cili identifikohet drejpërdrejt me vetë autorin. Qasja narrative më tepër ndërlidhet me tekstet bazë, rimarrjet ndërsa vepra në tërsi më tepër së rrëfim është një lloj komentimi i teksteve, duke i vendosur këto të fundit në disa këndvështrime. Autori rimarrjen në rastin e parë e sjell si parafrazim ndërsa në rastin e dytë si citat dhe më tutje manovron përmes këtyre dy teksteve. Komentimi i Mustafajt vendoset paralelisht me rimarrjet, ku njëkohësisht kemi ndërfutjen e këtyre dy elementeve.

Euridicioni është një karakteristikë tjetër e poetikës postmoderne, një gjë të tillë e vërejmë edhe në veprën e Mustafajt. Autori pothuajse në secilën situatë arrin të inkuadrojë lidhshmëri, analogji me tekstet tjera. Ky veprim i tij e bën veprën njëkohësisht komplekse dhe të veçantë. Në aspektin letrar pikëtakimet e tilla të cilat i bën autori, cytin tutje zhvillimin e situatës si dhe vendosin pikëpyetje, dilema te lexuesi. Një gjë e tillë është e dukshme në përafritë që autori gjen  në mes të luftës greko-trojane si dhe asaj shqiptaro-serbe. Autori bën rikuptimësim të rimarrjes, duke e vendosur atë në një kohë më të vonshme, në një problematikë të re që në tërësi ka analogji, por që veçohet përmes karakteristikave individuale. Këto dy histori nuk i bashkon fundi i tyre, autori lë hapur mundësinë që ndoshta edhe problematika shqiptaro-serbe do të kalojë në një mitologji, ngjashëm me atë greko-trojane. Në disa raste të tjera autori rimarrjen e lë në të njëjtin nivel, duke e shfrytëzuar thjesht në kuptimin e parë. Një gjë të tillë e bën përmes inkuadrimit të veprës “100 vjet vetmi” të autori Gabriel Garsia Markezi. Qasja vihet në funksion të procesit krijues, Besnik Mustafaj dëshiron që edhe krijimi i tij të përfshijë polifoni, disa këndvështrime njëkohësisht, ngjashëm siç ndodh te vepra e Markezit. Rimarrja nuk qëndron vetëm në këtë nivel, më tutje autori rikuptimëson interteksin e shtratit të Prokrustit, duke e vendosur një element të tillë, në shërbim të shpërfaqjes së politikës totalitare.

Në pamje të tërsishme, inkuadrimet intertekstuale e plotësojnë veprën në aspektin psikologjik, duke paraqitur dilema, pikëpyetje të mëdha, e mbi të gjitha ndërlidhen me vetë thelbin e tekstit, mundësinë apo pamundësinë krijuese. Një element të tillë Mustafaj e bën fundamental, duke manovruar përmes një çështje të tillë, e si rezultat i këtij manovrimi sjell në jetë krijimin “Një roman i pamundur”, që nga kritika më tepër se roman, është parë si një projekt- roman, që vendos shenja të një romani lehtë të realizueshëm. Të gjitha elementet stukturore si: koha, rrëfimi, komentimi, loja me tekstin bazë, vihen në funksion të aspektit semantik. Duke bërë paraqitjen e problematikës shqiptaro-serbe, që njëkohësisht obligon dhe pamundëson shkrimin për një çështje të tillë. Pamundësia krijuese nga ana e autorit Besnik Mustafajt, vjen si shkak i dy pikave kyçe: mosdëshira e nënvetëdijes për të shkruar diçka që më tepër i atribohet gjendjes emocionale, si dhe mosdëshira për të shkruar nën politikën e kohës.  Janë të gjitha këto elementet e lartpërmendura që e bëjnë realizimin e projekt- romanit të autorit Besnik Mustafajt.

       Dimensioni psikologjik dhe paralelizmi në veprën e Besnik Mustafajt

Tërësia e veprës “Një roman i pamundur” karakterizohet përmes dilemës, pikëpyetjeve të shumta, hapësirave të vazhdueshme të cilat autori i inkuadron. Një perspektivë e tillë tekstin e dërgon drejt një dimensioni psikologjik. Një qasje kjo e cila bëhet pjesë fundamentale, që plotësohet vazhdimisht nga ana e autorit. Rol të veçantë në këtë pikë luan e jashtmja dhe e brendshmja, përplasja ndërmjet tyre sjell si rezultat përballjen e individit me vetveten. Në rastin tonë në një gjendje të tillë ndodhet vetë autori.

“Nuk kam arritur dot deri më sot ta shkruaj këtë novelë dhe prapë s’jam i sigurte se do të arrij ta shkruaj një ditë, siç edhe e di se vullnetarisht nuk do të heq dorë kurrë prej saj”[1]. Citati i mësipërm e dëshmon mjaft mirë gjendjen. Një dilemë e tillë ka të bëjë me mundësinë dhe pamundësinë krijuese. Besnik Mustafaj përmes këndit të tij do të paraqes disa nga arsyet e mosrealizimit të romanit të cilin ai e dëshiron. Në të vërtetë e gjithë kjo perspektivë është një lojë e autorit përmes së cilës ai na sjell dy pamje:

  • Realiteti i përballjes me të njëjtin sinopsis, për të sjellë një kryevepër
  • Shfrytëzimi i një orvatjeje të tillë, për krijimin e veprës “Një roman i pamundur”

Themi se autori përmes krijimit ka shfaqur edhe nuanca të realitetit, të përballjes për të sjellë një krijim, por që njëkohësisht e ka shfrytëzuar një manovrim të tillë për ta bërë esencë të veprës “Një roman i pamundur”.

Një rëndësi dimensionit të lartpërmendur i shton figura e gjyshes. Heshtja e saj kishte ndikuar në botën e brendshme të autorit. Gjyshja nuk pranonte ndërhyrjen, ajo preferonte heshtjen. Një reagim i tillë dukej i paqartë në të kaluarën, por i zbërthyeshëm në të tashmen. Heshtja për autorin u bë një luftë në vetvete për të sjellë një roman apo novelë.

Tërheqja e paraleleve do të jetë një ndër fokuset kryesore të autorit në fjalë. Besnik Mustafaj përmes një qasje të tillë inkuadron disa problematika njëkohësisht, që në vështrim të parë lexuesi arrin të kuptojë se krijimi në qendër ka dy histori tragjike të cilat pikëtakohen në të njëjtën dhembje. Përveç kësaj autori vendos në fokus dy fëmijë, të cilët janë përfaqësues të gjeneratës së re… Kjo është pamja kryesore e cila na jepet, por jo vetëm në këtë pikë, paralelet vazhdojnë tutje, ku kemi aspektin historiko-politik në njërën anë si dhe në anën tjetër poetikën socialiste (komunizmin) si ndikuese në qasjen ndaj sinopsisit.

Paralelizmi kryesor i shpërfaqur është vendosja e dy ngjarjeve njëkohësisht, storie këto të cilat e plotësojnë njëra- tjetrën. Ngjarja e fundit e cila lidhet me vitin 1999 bëhet shkas i të kthyerit në kujtesë të ngjarjes së ngjashme, që ka ndodhur në po të njëjtin shekull, nga i njëjti agresor. Autori përmes një inkuadrimi të tillë bën të qartë për lexuesit se këto histori nuk janë të vetme, por janë vetëm dy nga historitë e shumta… Një gjë e tillë vërtetohet përmes dy historive të cilat përfshijnë dy polet, skajet e shekullit XX. Ngjarja e vitit 1914 inkuadrohet nga ana e autorit si një sinopsis i dëgjuar që në vegjëli; ku autori e vendos subjektin e shkurtër për lexuesin dhe më pas gjatë gjithë kohës manovron me të njëjtin subjekt. Përballja e autorit me sinopsisin realizohet nga disa këndvështrime, ndërsa rëndësinë tekstit ia shtojnë pyetjet retorike, pikëpyetjet e shumta të cilat vazhdimisht shtrohen nga autori…

Kënga e Shog Sokolit ka në fokus figurën fëmijë, babain e tij si dhe banorët e fshatit Vuthaj. Në qendër autori vendos aspektin historiko-politik që ndërlidhet me agresorin serb, malazez. Banorët e fshatit detyrohen të hapin varrin e tyre të përbashkët dhe të përshëndeten me jetën. Në mesin e të rriturve ndodhet edhe fëmija 12-13 vjeçar, që i shton tragjicitetin këngës. Në njërën anë kemi dhembjen, trishtimin ndërsa në anën tjetër shpërfaqet kënga e kënduar nga Shog Sokoli, fëmija këndon disa minuta para vdekjes. Agresorët Serbë arsyetojnë veprimin e tyre si shkak i moskristianizimit të shqiptarëve. E vërteta është se një paraqitje e tillë ishte dhe mbetet thjesht një arsyetim, ndërsa realiteti nënkupton krejtësisht diçka tjetër. Dy ngjarjet e vendosura njëra pas tjetrës plotësojnë trysninë, torturën e shkaktuar… Masakra e vitit 1999 nuk përfshin arsyetim, fshehje, por paraqet rritjen e tensionit, tashmë nuk kursehet asgjë, madje pika më e dobët e shoqërisë bëhet qendra kryesore e agresorit. Në sinopsisin e parë fati i Shog Sokolit është vdekja, i njëjti fat nuk e pret Dren Cekën, ky i fundit shpëton në mesin e 21 viktimave. Ky paralelizëm që inkuadron njëkohësisht dy ngjarje,  që kanë në fokus, një shekull, një agresor dhe një gjenocid përfshin fajin, fatin dhe fundin tragjik të shqiptarëve. Historia e Shog Sokolit dërgon lexuesin në një trini të tillë të njohur, që nga antika Greke.

Tërheqja e dy problematikave të tjera të cilat vendosen paralelisht ka të bëjë me sistemin diktatorial në njërën anën, dhe në anën tjetër luftën Serbo-Shqiptare. Përveç problemit me armiqtë Shqiptarët kishin gjithashtu një problem tjetër, që ka të bëjë me sistemin diktatorial; një gjë të tillë, torturë, mbyllje Besnik Mustafaj e shpërfaq përmes inkuadrimit të intertekstit nga mitologjia greke, që ndërlidhet me shtratin e Prokrustit. Interteksti autorit i jep hapësirë të përçojë përmes pak fjalëve diktaturën e Enver Hoxhës. Ndërlidhja e periudhës me shtratin, kohë kjo kur sistemi vendos dhe përshtat trupin për shtratin, përshtatet gjithçka përreth në dobi të kornizës politike.

“Një keqardhje pa adresë. Ne ishim të mësuar tashmë të jetonim si njerëz pasivë, të cilët vëmendjen e tyre e pohojnë brenda hapësirës, që u jepet, një hapësirë e detyrueshme dhe e përcaktuar si liri..”[2] Një citat i tillë dëshmon mjaft mirë kufizimet me të cilat është përballë populli shqiptar, jo vetëm në kuadër të lirisë personale, por një mbyllje e tillë ishte mbi të gjitha mbi atë se çfarë servohej për lexuesit. Besnik Mustafaj sinopsisin e tij provon ta përshtat në raport me kohën, pasi që edhe ishte pjesë e saj. Te historia e vitit 1914 ai provon me radhë dy personazhet Shog Sokolin dhe babain e tij për protagonist të krijimit të tij, por nuk arrin realizimin, sipas tij nuk mund të shndërrohet në hero romani, dikush, që në realitet nuk ka qenë i tillë. Problemi kryesor qëndron te mungesa e heroit, në të vërtetë diçka tjetër jepnin personazhet e diçka tjetër kërkohej nga poetika socialiste. Këtu qëndron njëra ndër problematikat për mosrealizimin e romanit. Poetika e tillë kërkonte që vepra të ishte në shërbim, të bëhet shpërfaqja e personazheve bardh e zi etj.  Besnik Mustafaj provon realizimin e romanit edhe pas vënies në dyshim të poetikës socialiste, por që tani gjendet në një problematikë tjetër, e brendshmja gjegjësisht nënvetëdija bëhet shkak i mosrealizimit.

Krejt në mbyllje të veprës autori për të ngritur lart figurën e shqiptarit, e vendos atë në përballje me karakterin serb. Pikërisht përmes një elementi të tillë tërheq dy kënde, për të realizuar kështu figurën e Dren Cekës. Besnik Mustafaj vendos në kontrast figurën e fëmijës dhe figurën e Ivo Andriqit. Në njërën anë figura e Dren Cekës përfaqëson popullin shqiptar, e në anën tjetër autori fokusin e vendos tek Ivo Andriqi, një shkrimtar i atillë si ky i fundit që luan me dy fytyra. Personi i lartpërmendur dhe figura të tjera të rëndësishme të kombit Serb shërbyen për të keqen, gjenocidin që u bë kundrejt popullit shqiptar. Në njërën anë cytin të keqen, e në anën tjetër ngrisin lart personazhet Serbe duke i shpërfaqur si shenjëtorë… Besnik Mustafaj demaskon një gjë të tillë. “Nuk rri dot pa përmendur veçanërisht njërin prej tyre, pa dyshim më të madhin, Ivo Andriç, diplomat i lartë i mbretërisë serbo-kroate dhe i komunizmit serbo-kroat dhe nobelist në letërsi. Shembull i mjaftueshëm. Ai ka shkuar aq larg sa të marrë pjesë edhe në hartime platformash të turpshme për t’u shërbyer politikanëve e policëve të çmendur, që duhej të kryenin shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova, pastrimin e kësaj toke nga joserbët…”[3]. Autori thekson diferencën në mes të figurës fëmijë dhe përfaqësuesve me ndikim nga populli Serb, këta të fundit ishin shumë larg Dren Cekës.

            Përmes një këndvështrimi të tillë kemi arritur të sjellim dy çështjet themelore të veprës. Në njërën anë aspektin strukturor dhe në anën tjetër aspektin semantik. Një qasje e tillë na ndihmoi të kuptojmë veçantitë kryesore të veprës në fjalë. / KultPlus.com

Albana Ejupi dërgon rërën e Kosovës edhe në Podgoricë

“Duke përdorur rërën nga Kosova, ndiej se një pjesë e trashëgimisë sime materializohet në punën time“, thekson Ejupi.

Albana Ejupi, artistja kosovare e cila jeton në Vjenë, vazhdon me ekspozitat e pikturave të saj nëpër kryeqytet evropiane. Ekspozita “Sandscapes” është hapur më 7 qershor në Muzeun e Arteve në Podgoricë. Kjo ekspozitë ka hapur edhe edicionin e sivjetshëm të manifestimit të Verës Kulturore në kryeqytetin e Malit të Zi, shkruan albinfo.at.

Ekspozita “Sandscapes” tregon një prezencë fizike të veçantë, duke shprehur forma trupore natyrale përtej idealeve të romantizuara mediatikisht.

Kjo bukuri natyrale shprehet përmes trupave voluminoz të cilët ndihen rehat në trupat e tyre, ku materializohen me zallin nga Kosova me qellim që të prejardhja e saj të manifestohet në veprat artistike. „Unë përdor shtresa të ndryshme ngjyrash dhe materialesh në pëlhurë”, shprehet Albana për albinfo.at.

“Duke përdorur rërën nga Kosova, ndiej se një pjesë e trashëgimisë sime materializohet në punën time“, thekson ajo.

Kuratori i ekspozitës është Lukas Wolf, i cili gjatë hapjes së ekspozitës ka deklaruar se ndryshe nga shumë artistë bashkëkohorë që marrin imazhe nga mjetet e komunikimit masiv dhe i përpunojnë me teknika pikture, Albana fokusohet drejtpërdrejt te modeli i gjallë.

Ejupi ka lindur në vitin 1994 në Prishtinë, dhe aktualisht jeton dhe punon në Vjenë. Nëpërmjet artit të saj, ajo merret me aspektet shpirtërore dhe sociale të natyrës njerëzore, veçanërisht marrëdhëniet midis shpirtit dhe trupit në të cilin jetojmë. Ajo kombinon nudo me tema të tilla si idealet e bukurisë, seksualitetit dhe dashurisë. Punimet e saj janë një lloj kundërpushteti ndaj digjitalizimit, mediave sociale dhe inteligjencës artificiale përmes perceptimit personal, duke u fokusuar tërësisht në zhanrin e pikturës.

Artistja kosovare është shumë aktive me ekspozitat e saj në qendra të ndryshme të shteteve evropiane, si në Austri, Zvicër, Portugali, Francë, Itali, Poloni, Sllovaki etj. Me artin e saj, ajo është duke mahnitur vizitorët të cilët vizitojnë dhe pëlqejnë pikturat e saj.

Ekspozita e artistes kosovare do të qëndrojë e hapur në Podgoricë deri më 3 shtator. / KultPlus.com

IMG Models dhe Venera Mustafa organizojnë Open Model Casting në Prishtinë

Venera Mustafa dhe IMG Models organizojnë Open Model Casting për herë të parë në Kosovë për të gjetur fytyra të reja për përfaqësim global.

Më date 8 korrik, nga ora 10:30 deri në ora 18:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjeter Bogdani’ në Prishtina do të mbahet ngjarja ku ftohen të marrin pjesë modele dhe modelë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.

Thirrja e hapur për casting organizohet nga agjentja amë dhe dizajnerja Venera Mustafa bashkë me agjencionin ndërkombëtar IMG Models.

IMG Models do ta vizitojë Kosovën për herë të parë për të zbuluar fytyra të reja nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Krahas Venera Mustafës dhe skautëve nga IMG Models, prezente në casting do të jetë edhe modelja nga Kosova Sihana Shalaj e cila është nën menaxhimin ndërkombëtar të IMG Models.

Që nga kontrata me IMG Models, Sihana ka korrur sukses të madh ndërkombëtar dhe ka sfiluar për shtëpitë më të mëdha të modës botërore përfshirë Prada, Miu Miu, Yves Saint Laurent, Versace, Balenciaga, Givenchy dhe Raf Simons mes shumë tjerash.

Suksesi i pakontestueshëm i Sihanës po e sjell IMG Models për herë të parë në rajon për të identifikuar fytyra të reja mashkullore dhe femërore për tu bërë pjesë e këtij agjencioni prestigjioz.

IMG Models është lider ndërkombëtar në identifikimin e talentëve dhe në menaxhimin e modeleve e njohur gjerësisht për portfolion e saj diverse të klientëve. Agjencioni ka zyra në gjashtë kryeqendra botërore: New York, Los Angeles, Londër, Paris, Milano dhe Sidnej. Në mesin e modeleve të menaxhuara nga IMG Models janë edhe Gigi dhe Bella Hadid, Ashley Graham, Hailey Bieber, Paloma Elsesser, Alton Mason, Precious Lee, dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com

Ambasada britanike uron Ditën e Çlirimit: Ditë emocionale për shumë ushtarë britanikë të cilët nuk do ta harrojnë kurrë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka uruar qytetarët me rastin e 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ambasada ka thënë se është një ditë emocionale për shumë ushtarë britanikë të cilët nuk do ta harrojnë kurrë 12 qershorin e vitit 1999 dhe pritjen që iu bë atyre.

“Sot shënojmë përvjetorin e hyrjes së trupave të para britanike në Kosovë si pjesë e KFOR-it më 12 qershor 1999. Është një ditë emocionale për shumë kolegë tanë të Ushtrisë Britanike të cilët nuk do ta harrojnë kurrë atë ditë dhe pritjen që iu bë. / KultPlus.com

Momente emocionuese nga hyrja e NATO-s në Kosovë, fëmijë e të moshuar me lot në sy (VIDEO)

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.

Gëzimi i madh i qytetarëve në këtë ditë çlirimi edhe sot është një emocion i papërshkrueshëm. Përmes një video përmbledhëse ne ju sjellim më afër emocioneve dhe festimet që karakterizuan Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori. / KultPlus.com

Sonte fillon Java e filmit etnografik

Sonte fillon prezantimi treditor, i javës së filmit etnografik organizuar nga Departamenti i Antropologjisë, UP, në bashkëpunim me Kino ARMATA, përcjell KultPlus.

Ky program përbëhet nga një paraqitja e tre filmave që tregojnë vizualisht shumësinë dhe kompleksitetin e përvojave njerëzore në kontekste të ndryshme sociale, politike e kulturore në periudha të ndryshme.

Përmes fuqisë së rrëfimit antropologjik ky program do të ofrojë mundësi që publiku të zhytet më thellë në njohjen e kulturave dhe praktikave jetësore, të cilat paraqiten përmes këtyre veprave të veçanta.

Po me këtë rast, pas shfaqjes së filmave, do të zhvillohen biseda kuptimplota rreth larmisë dhe thellësisë së ekzistencës njerëzore parë përmes thjerrëzës së kinemasë etnografike.

Java e filmit etnografik fillon sonte në ora 19:00 në Kino Armata, ndërsa gjatë tre netëve do të shfaqen këta filma:

E hënë (12.06.2023)

“Chronicle of a Summer” (1965)
Regjisorë: Jean Rouch, Edgar Morin
Kohëzgjatja: 85 min.

E martë (13.06.2023)

“Unity Through Culture” (2011)
Regjisorë: Christian Suhr, Ton Otto
Kohëzgjatja: 59 min.

E mërkurë (14.06.2023)

“About Love on a Small Island” (2019)
Regjisorë: Elaheh Habibi
Kohëzgjatja: 26 min. / KultPlus.com

Voskopoja, vendlindja e modernitetit në Ballkan

Universiteti “Fan Noli” i Korçës dhe Universiteti “Aristoteli” i Selanikut organizuan për herë të parë një akademi ndëruniversitare pesëditore me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, me synimin për ta shndërruar në traditë të përvitshme.

Në këtë aktivitet prof. Shaban Sinani paraqiti ligjëratën “Arkivat, bibliotekat dhe burimet për Voskopojën në shek. XVII-XVIII”

Historia e Voskopojës është shkruar në dhjetëra studime monografike duke filluar prej shekullit XIX, në të gjitha gjuhët e Ballkanit, në osmanisht, hebraisht, si dhe në gjuhët e mëdha të Perëndimit: gjermanisht, italisht e frëngjisht.

Bibliografitë për Voskopojën përmbajnë burime e studime jo vetëm për qytetin, për “Akademinë e Re” (“Nea Akademia”) dhe shtypshkronjën që mbante emrin e Shën Lukës e herë-herë edhe me emrin e Shën Naumit; por edhe për familjet e mëdha voskopojare, arhondët, gjuhët dhe shkrimet, tetragloson-in e pentagloson-in, por edhe për protagonistët e zhvillimit kulturor, filozofë si Teodor Kavalioti e Grigor Voskopojari, për gramatikanë dhe hartues fjalorësh, mendimtarë, klerikë etj.

Voskopoja lulëzoi për aq kohë sa ishte e jashtëvarur: kryeqendra e saj ishte Ohri, ku gjendej selia e Patrikanës, që u shua më 1767; ishte e përjashtuar nga sistemi tatimor i perandorisë otomane për shkak të statusit të mbrojtur të saj nga nëna-perandoreshë si “has” i saj, status që e humbi pikërisht pak vite më vonë kur u shit prej saj; që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Harvin e Madh të Jerusalemit” dhe “Vëllazërinë e Varrit të Krishtit”. Kur këto jashtëvartësi protektuese mbaruan, Voskopoja nisi rënien.

Nga dokumentet osmane që ruhen në Shqipëri provohet se voskopojarët e gëzonin mbrojtjen nga tatimet edhe kur dilnin jashtë territorit të tyre.

Epoka e lulëzimit të Voskopojës është cilësuar si shekulli i sinkronisë së zhvillimit në Ballkan e në Europë, sunduar prej dukurisë së iluminizmit, që u zhvillua në të njëjtën kohë në dy anët e kontinentit, dukuri që nuk kishte ndodhur as me romantizmin, as me realizmin e zhvillime të mëvonshme. Ky zhvillimi sinkronik mendor e kulturor në Ballkan me dukuritë sunduese në Europë njihet edhe si shekulli i iluminizmit gjuhësor, që i parapriu romantizmit kombëtar një shekull më vonë. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: NATO e ndaloi gjenocidin në Kosovë, përgjithmonë falënderues dhe mirënjohës

Kryeministri Albin Kurti tha se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës, në 24 vjetorin e çlirimit të vendit.

Ai shprehu falënderimin e mirënjohjen ndaj ndërkombëtarëve për lirinë.

“Pas çlirimit vjen paqja. Sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe për humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe kontributin e NATO-s”, tha Kurti.

“Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com

Komedia “Megalomani” nën drejtimin e Robert Nuha, nesër premierë në TKK

Trupa profesionale e Noa Dance Theatre Co, sjell premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, komedinë “Megalomani” drejtuar dhe konceptuar nga Robert Nuha, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore, teknikave më të fundit të dansit, kombinimeve të gjuhës së trupit, fjalës, pantomimës, shfaqja “Megalomani” shpërfaqë situatat në format komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e po këtyre fenomeneve si dhe pasojat e saj.

Tendenca e shfaqjes është që të ngrijë disa pyetje rreth këtyre fenomeneve destruktive dhe shpeshë-herë të rrezikshme për individin por edhe për shoqërinë.

Çfarë na bën Megaloman?
Çfarë shkakton Megalomania?
Cili është ndikimi i fenomenit Megaloman tek ne?
A kemi ne përgjegjësi si shoqëri për efektet e drejtpërdrejta dhe anësore që shkakton Megalomania?

Shfaqja vjen premiere ditën e martë, më 13 qershor, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në kuadrin e vazhdimësisë së bashkëpunimit të trupës profesionale të Noa Dance Theatre me degën e koreografisë pranë Kolegjit AAB, kjo shfaqje vjen edhe si manifestim i diplomimit të gjashtë studentëve të cilët në këto 3 vite të studimit në degën e koreografisë, kanë arritur të zhvillohen dhe të vijnë në nivelin e duhur profesional për të qenë pjesë edhe e komunitetit artistik të Kosovës por edhe të përfshihen në shumë procese profesionale si është kjo e fundit që me këmbëngulje e përkushtim vetëmohues kanë arritur të japin kontributin artistik të nevojshëm e të domosdoshëm për një mbyllje të dinjitetshme të studimeve.

Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha janë gjashtë koreografët e ardhshëm të skenës artistike të Kosovës për të cilët kontributi i tyre do të jetë i dobishëm dhe i domosdoshëm në skenën koreografike vendore dhe më gjerë. / KultPlus.com