Komedia “Megalomani” nën drejtimin e Robert Nuha, nesër premierë në TKK

Trupa profesionale e Noa Dance Theatre Co, sjell premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, komedinë “Megalomani” drejtuar dhe konceptuar nga Robert Nuha, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore, teknikave më të fundit të dansit, kombinimeve të gjuhës së trupit, fjalës, pantomimës, shfaqja “Megalomani” shpërfaqë situatat në format komike, në të cilat trajtohen fenomenet e madhështisë, pushtetet absolute, absurditetet e po këtyre fenomeneve si dhe pasojat e saj.

Tendenca e shfaqjes është që të ngrijë disa pyetje rreth këtyre fenomeneve destruktive dhe shpeshë-herë të rrezikshme për individin por edhe për shoqërinë.

Çfarë na bën Megaloman?
Çfarë shkakton Megalomania?
Cili është ndikimi i fenomenit Megaloman tek ne?
A kemi ne përgjegjësi si shoqëri për efektet e drejtpërdrejta dhe anësore që shkakton Megalomania?

Shfaqja vjen premiere ditën e martë, më 13 qershor, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në kuadrin e vazhdimësisë së bashkëpunimit të trupës profesionale të Noa Dance Theatre me degën e koreografisë pranë Kolegjit AAB, kjo shfaqje vjen edhe si manifestim i diplomimit të gjashtë studentëve të cilët në këto 3 vite të studimit në degën e koreografisë, kanë arritur të zhvillohen dhe të vijnë në nivelin e duhur profesional për të qenë pjesë edhe e komunitetit artistik të Kosovës por edhe të përfshihen në shumë procese profesionale si është kjo e fundit që me këmbëngulje e përkushtim vetëmohues kanë arritur të japin kontributin artistik të nevojshëm e të domosdoshëm për një mbyllje të dinjitetshme të studimeve.

Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha janë gjashtë koreografët e ardhshëm të skenës artistike të Kosovës për të cilët kontributi i tyre do të jetë i dobishëm dhe i domosdoshëm në skenën koreografike vendore dhe më gjerë. / KultPlus.com

Koreografi Robert Nuha shfaq premierën botërore të “Mechanical” në festivalin ‘Jerusalem International Solo Dance’

Koreografi kosovar Robert Nuha, në Jerusalem, dhuroi premierën botërore të “Mechanical”, përcjell KultPlus.

E ngarkuara me punë në Republikën e Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se koreografi kosovar Robert Nuha mbrëmë ka dhuruar premierën botërore të vallëzimit bashkëkohor me titull “Mechanical” në “Jerusalem International Solo Dance Festival” (JISDS).

Më poshtë ua sjellim shkrimin e plotë të saj:

Me ftesë të Jerusalem International Solo Dance Festival (JISDF), nën organizimin e koreografes së njohur izraelite me famë botërore, znj. Miriam Engel, para një audience të gjerë në Jerusalem të Shtetit të Izraelit, koreografi i njohur kosovar z. Robert Nuha mbrëmë dhuroi premierën botërore të densit bashkëkohor “Mechanical”.

Në mesin e të pranishmëve në këtë ngjarje ishin edhe Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv, z. Dan Oryan, bashkëatdhetarë nga Kosova që jetojnë dhe punojnë në Izraelin, e kështu me radhë.

The Jerusalem International Solo Dance Festival është një ngjarje ndërkombëtare ku shfaqen krijimet e solo densit nga artistë nga shtete të ndryshme, në një skenë teatri të hapur në “Hansen House” të Jerusalemit – njëherësh një nga vendet më të veçanta dhe mitologjike të artit dhe kulturës në zemër të qytetit. Vizioni artistik i këtij festivali nxjerr në pah artin performues të rrëfimit individual në spektrin shumëkulturor.

Në qershor të këtij viti, koreografja izraelite znj. Miriam Engel dhuroi performancën artistike “Ndal luftën” në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit të njohur feminist në Ballkan “FemArt”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Koreografi Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovë në Jerusalem Solo Dance Festival në Izrael

Koreografi i njohur kosovar, Robert Nuha do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në festivalin Jerusalem Solo Dance Festival që do të mbahet në Shtetin e Izraelit, nën organizimin e koreografes se njohur izraelite me famë botërore, Miriam Engel.

“Me këtë rast do të qëndroj në rezidencën artistike në Izrael, nga data 22 gusht deri më 9 shtator, me ç’rast do ta mbyll atë përvojë me premierën botërore të densit bashkëkohor të njohur si “Mechanical”, ka shkruar Nuha në rrjetin social Facebook.

Nuha ka falënderuar Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Izrael dhe të Ngarkuarën me Punë të Republikës së Kosovës në Jerusalem, znj. Ines Demiri, ambasadat e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë Shkëlqesinë e Saj, si dhe Ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv për mbështetjen.

Në qershor të këtij viti, koreografja izraelite Miriam Engel dhuroi performancën artistike “Ndal luftën” në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit të vetëm feminist në Ballkan “FemArt”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Performanca “K’tu jemi!” vjen më 29 prill në Ditën Botërore të Vallëzimit

Performanca e vallëzimit e titulluar “‘K’tu jemi!” së shpejti vjen si protestë e koreografëve kundër shkeljes së dinjitetit profesional, përcjell KultPlus.

“K’tu jemi!”, do të organizohet më 29 prill pikërisht në Ditën Botërore të Vallëzimit, duke filluar nga ora 10:00.

Performanca-protestë do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

KultPlus më poshtë ua sjell postimin e plotë të koreografit Robert Nuha:

Kjo performancë-protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe të mos injorohet si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.

Me këtë rast ne kërkojmë vlerësimin e shkollimit tonë në Koreografi, angazhimin dhe konsulencën me ekspertizën e kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë!

Fyerjet publike, të cilat tentojnë të zh’bëjnë shkollimin tonë, janë të papranueshme. Është ky edukim universitar që bën të mundur kontributin tonë në shkollimin e brezave të ardhshëm në Kosovë.

Baleti, Kërcimi dhe Koreografia egzistojnë në Kosovë qe pas lufte. Detyrë e Ministrisë dhe e ministrit është mbështetja dhe përkrahja e jo të fyhet e degradohet për ditë pa marrë përgjegjësi askush! / KultPlus.com

Mbahet mbrëmja ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’, Dones:  Gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së shtunës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u mbajt mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, në shënim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje, përveç poezive me vargje fuqizuese dhe frymëzuese kushtuar grave e që u interpretuan nga artistët rezidentë të ‘Artpolis’, u shënua edhe më një sërë aktivitetesh të tjera që përfshinin të ftuarën speciale, shkrimtaren Elvira Dones, sopranon Besa Llugiqi, shkrimtaren e gazetaren Ilire Zajmi, aktorin dhe poetin Shpetim Selmani, këngëtaren e kantautoren me origjinë shqiptare nga Belgjika’ Ceylan Taci si dhe kërcimtarët e Noa Dance Theatre me koreograf Robert Nuha që i shtuan magjinë kësaj nate me vallëzim kontemporan.

Mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, e cila mëton të fuqizojë gratë mbijetuese të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u moderua nga Zana Hoxha, themeluese dhe drejtoreshë e ‘Artpolis’.

Nën tingujt e pianos që udhëhiqej nga Alzan Gashi, aktivitetet në këtë mbrëmje nisën me këngën ‘Unë vendos’ të Hana Cakulit, interpretuar nga artistet e ‘Artpolis’, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli. Kjo mbrëmje u përcoll edhe me interpretimin e katër poezive. Artistet e ‘Artpolis’ interpretuan ‘Mora lule sot’ nga Paulette Kelly, ‘Do t’shkruaj letra’ nga Vera Pavlova, ‘Mos fajësoni askënd’ nga Pablo Neruda dhe ‘Dhuna’ nga Erich Fried,

Më pas trupës së artistëve iu shtuan edhe Edlir Gashi dhe Mikel Markaj duke dhuruar një emocion të pashoq me interpretimin e këngëve ‘Ditë Dimri’ dhe  ‘Fërfëlloj fëllënza në ujë’.

Në ktë mbrëmje, Shpëtim Selmani, Donikë Ahmeti, Mikel Markaj, Edlir Gashi lexuan një bllok me poezi në shenjë solidarimi me popullin ukrainas pas pushtimit nga Rusia.

“Ne si një qendër e tillë, si artistë dhe artiste të angazhuara nuk mund të bëheshim sikur kjo ngjarje nuk po ndodhë. E dimë që Ukraina po kalon nëpër një luftë të tmerrshme për shkak të agresionit rus dhe ne e kemi obligim si qyetarë të kësaj bote të jemi në solidaritet. Shpresojmë që përmes artit tonë të kontribuojë në një ndërgjegjësim që lufta të ndalet, të ketë paqe dhe drejtësi kudo në botë” – tha moderatorja Hoxha.  

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u shtua edhe më shumë pas performancës së artistëve të Noa Dance Theathre, si zë i grave të pambrojtura, atyre që shtuan numrin e statistikave të grave që u vranë nga burrat e tyre.

Aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje, iu bashkua edhe këngëtarja dhe kantautorja me origjinë shqiptare, Ceylan Taci, e cila përveç që interpretoi këngët e saj në shqip ‘Kajti daja’ dhe ‘Ta qes lëkurën në tokë’, tregoi para publikut historinë se si filloi të mësojë e të shkruajë në gjuhën shqipe.

“E gjitha ka fillu në Theth, në Shqipërinë Veriore. Isha duke ecë nëpër kodra e më dukej sikur më flisnin kodrat, e ma tregojshin historinë tem e më detyronin të flas në shqip. U ktheva në Belgjikë e ja nisa me shkrujt në shqip, me fjalë të thjeshta, me imazhe. E fillova me shkru shqip kur vdiq baba, e kur vdiq nana, s’pata me kon me fol, ja nisa me shkrujt, qe historia” – tha Taci, e cila dhuroi emocione të përziera në sallë me rrëfimin e saj dhe performancën e këngëve, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje që gërshetoi dhimbjen, forcën, mbështjen, solidarizimin, nuk munguan edhe poezitë për dashurinë që u lexuan nga artistët e ‘Artpolis’.

Dalëngaladë, mbrëmja arriti kulmin e saj, në pjesën ku shkrimtarja Ilire Zajmi intervistoi të ftuarën speciale, Elvira Dones e cila është një romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë. Është romanciere dhe shkrimtare dygjuhëshe (shqip dhe italisht). Ajo ka botuar shtatë romane, dy përmbledhje me tregime të shkurtra, ka shkruar disa skenarë dhe ka drejtuar një seri dokumentarësh për Radion Publike Zvicerane. Romanet e saj janë përkthyer në disa gjuhë.

Dones filloi të flasë për pozitën e gruas në Shqipëri, duke e lidhur me librin e saj ‘Yjet nuk vishen kështu’  për të cilin ajo thotë se është libri i vetëm që nuk do të donte ta kishte shkruar.

“Do të kisha dashur të mos e kisha shkruar sepse ajo faqe e zezë e shoqërisë shqiptare, ajo anë e errët që doli pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri dhe ato vite që ishin qeveri pa qeveri, në ato vite filloi kriminaliteti dhe vajzat shqëiptare, merreshin nga shkollat, mashtroheshin se do t’i gjenin punë në Itali, Francë. Dhe këto vajza disa vinin nga familje të varfëra e disa nuk vinin nga familje të varfëra. Disa prej tyre u tradhëtuan nga të fejuarit, nga të dashurit, nga vëllezërit nga baballarët nganjëherë.”  – u përgjigj Dones teksa shton se gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Duke qenë se subjekt në librat e Elvira Dones janë gratë, fenomone e histori të dhimshme. Autorja tregon se pse trajton pikërisht këto tema.

“Mua më interesojnë të tregoj dritëhijet dhe hijet, më intereson të tregoj histori të njerëzve që nuk ndodhin tek çdo njeri. Ne, shqiptarët, kosovarët, kemi histori të dhimbshme, nëse nuk e shkruajmë ne historinë tonë, atëherë kush do ta shkruajë. Kam dashur të tregoj këto faqe të errëta jo vetëm shqiptare por edhe histori të tjera. Më intereson të tregoj për fundin e botës, për ata të fundit që askush nuk i vështron, ata lypsarët që nganjëherë para tyre kalojmë drejt dhe vazhdojmë në jetën tonë të rregulluar, të stresuar por të privilegjuar.” – thotë ajo.

Dones dhe Zajmi flasin edhe për librin ‘Luftë e vogël e përkorë’, libër ky në të cilin autorja Dones ka trajtuar luftën e fundit në Kosovë.

“Erdha në Kosovë për herë të parë, katër muaj pas luftës, kur Prishtina dhe e gjithë Kosova ishte akoma gjysmë e rrënuar, mbante erë akoma luftë. Pastaj derisa arrita ta shkruaja librin u ktheva edhe pesë herë të tjera në Kosovë, për respekt ndaj viktimave. Nuk mund t’ia lejoja vetes të bëja fantazi mbi tragjedinë e Kosovës. Kisha nevojë të krijoja distancën time emotive, të shkruaja një libër, ashtu siç kishin ndodhur gjërat” – thotë autorja Dones, e cila shton se libri i saj për luftën në Kosovë, e vuri në vëmendjen e popullit zviceran dhe gjerman atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë.

Pas këtij bashkëbisedimi, në skenë u ngjit sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila interpretoi këngët, “Për mu paska ken’ kismet” dhe “Në zaman t’njasaj furie”, duke e shtuar edhe më shumë laramaninë  e kësaj mbrëmjeje.

E krejt në fund, iu dha mundësia edhe pjesëmarrësve në publik që të lexojnë disa nga poezitë e tyre. Një ndër ta ishte edhe Rrezarta Isma, e cila lexoi poezinë e saj në gjuhën angleze, inspiruar nga rrëfimet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT.

Ky aktivitet u implementua nga Artpolis dhe u mbështet nga UNFPA Kosovë./ KultPlus.com

Sot shfaqet premiera “Equal” me koreografi të Robert Noah

Projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i titulluar ‘Equal’, ka premierën sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, të cilat nxjerrin në pah fuqinë dhe rëndësinë e gruas në shoqërinë tonë, rëndësinë dhe nevojën e barazisë, përgjegjësinë kolektive ndaj fenomeneve të dëmshme për shoqërinë tonë si dhe shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik.

Përmes imazheve që do të ofrohen përgjatë kësaj performance që nis në orën 20:00, do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore.

“Equal” është projekt i kompanisë së vetme të dansit bashkëkohorë në Kosovë “Noa Dance Theatre Co”, mbështetur nga fushata 50% – 50% dhe fondi Feminist i drejtuar nga Qendra per Art dhe Komunitet “Artpolis”. / KultPlus.com

Premiera e shfaqjes “Equal” me koreografi të Robert Nuhës vjen të martën në TKK

Projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i titulluar ‘Equal’, do ta ketë premierën të martën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, të cilat nxjerrin në pah fuqinë dhe rëndësinë e gruas në shoqërinë tonë, rëndësinë dhe nevojën e barazisë, përgjegjësinë kolektive ndaj fenomeneve të dëmshme për shoqërinë tonë si dhe shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik.

Përmes imazheve që do të ofrohen përgjatë kësaj performance që nis në orën 20:00, do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore.

“Equal” është projekt i kompanisë së vetme të dansit bashkëkohorë në Kosovë “Noa Dance Theatre Co”, mbështetur nga fushata 50% – 50% dhe fondi Feminist i drejtuar nga Qendra per Art dhe Komunitet “Artpolis”. / KultPlus.com

Koreografi Nuha njofton se është duke punuar në një projekt artistik për Italinë

Koreografi, Robert Nuha, ka njoftuar se është duke punuar për të sjellur diçka të re shumë shpejt, shkruan KultPlus.

“Mekanike” Vallëzoni dhe improvizoni derisa të gjeni një gjuhë të re trupi, diçka të ndryshme, diçka origjinale që duhet ta kërkoni thellë për të… më pas, sa herë që do të prodhoni diçka të re!”, shkroi ai në “Facebook”.

Nuha për KultPlus konfirmoi se ky është një projekt artistik për Italinë dhe do të vijë shumë shpejt.

Vallëzimi teatral ‘Totem and Taboo’ me koreografi të koreografit, Robert Nuha ka qenë pjesë e disa festivaleve viteve të fundit. /KultPlus.com

Shfaqja “InOuT” e koreografit Nuha po vazhdon rrugëtimin në festivale të rëndësishme të dansit bashkëkohorë (VIDEO)

Shfaqja e dansit bashkëkohorë “InOuT” e kishte premieren e saj botërore në festivalin e njohur ndërkombëtar “Laiks Dejot” në Riga të Letonisë në datë 19 Gusht 2021, për të vazhduar pastaj në 3 Shtator në festivalin tjetër të rëndësishëm “Solo Dance Festival” në “Cer Modern” Ankara, Turqi, përcjell KultPlus.

Kurse, sot shfaqja ishte paraparë të prezantohet në festivalin “Albania Dance Meeting” në Tiranë, me ftesën e udhërrëfyesit artistik e profesional, Gjergj Prevazi, mirëpo për shkak se prezantimi ishte paraparë të mbahet në ambient të hapur dhe moti nuk ishte në favorin e tyre, prezantimi është shtyrë në një datë për të cilën do të njoftohet me kohë.

Po ashtu, Solo Performanca pritet të jetë pjesë e festivalit të organizuar nga “Motus Company” në Siena të Italisë në Mars 2022.

Në Letoni isha bashkë me kolegen e miken time të shtrenjt Rosella Pellicciotti me të cilën poashtu prezantuam një kërkim të ri koreografik të quajtur “Again” e të konceptuar në rikthimin e ndjeshmërisë së ritakimit tonë në skenë pas më shumë se 3 viteve!

Ftesa më ka ardhur nga një prej personaliteteve më të rëndësishme të Koreografisë në Letoni dhe jo vetëm, znj. Olga Zitluhina e cila me organizimin e këtij festivali dhe me mikëpritjen e saj na bëri të ndjehemi si në shtëpinë tonë.

Në Turqi, më nderoi me prezencen e tij Institucioni më i lartë i Kulturës në vendin tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me përfaqësuesit e tij z. Sejnur Veshall zv. Minister dhe z. Onur Canhas, këshilltar. Me këtë rast dua të Falenderoj MKRS, ministrin z. Hajrulla Çeku dhe këshilltarin z. Liburn Jupolli për vlerësimin dhe përkrahjen që po u japin artistëve të Kosovës, përfshirë dhe mua!

Në Turqi ishte një pritje e ngroht dhe vëllazërore nga Diplomatët e Ambasada e Kosovës në Ankara/Kosova Cumhuriyeti Ankara Büyükelçiliği Egzon N Mumxhiu, Serdal Vardar, Sherife Z Shala dhe Ambasadori i Kosovës në Ankara z. Ilir Dugolli, të cilët ishin në ç’do moment afër dhe me mua! Faleminderit!

Jam shumë i lumtur që perfaqësova dhe do të përfaqësoj Kosovën në këto festivale të rëndësishme të dansit bashkëkohorë duke krijuar kështu lidhje të reja për skenën dhe artistët e rinj të Koreografisë bashkëkohore në Kosovë!“, ka shkruar koreografi Nuha në rrjetet sociale. / KultPlus.com

‘Totem and Taboo’ e koreografit Robert Nuha, pjesë e Festivalit të Teatrit Skampa në Elbasan

Vallëzimi teatral ‘Totem and Taboo’ me koreografi të koreografit, Robert Nuha do të jetë pjesë e ‘Festivalit të Teatrit Skampa’ në Elbasan këtë të enjte më 30 shtator nga ora 19:30, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka dhënë vetë koreografi Nuha përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Vallëzimi teatral ′′Totem and Taboo’

Nën koreografinë dhe drejtimin e Robert Nuhës

Dramaturgji nga Zana Hoxha

Prodhuar nga Qendra Artpolis

Do të jetë pjesë e Festivalit të Teatrit Skampa në Elbasan, këtë të enjte, 30 shtator në orën 19:30.

′Totem and Taboo’ , nën koreografinë e Robert Nuhës dhe dramaturgjisë së Zana Hoxhës, është një tandem eksperimental i kërcimit bashkëkohor dhe tekstit minimal që i mundëson audiencës të reflektojë për çështjet e ngritura që ndërthurin jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

‘Totem and Taboo’ , është pasqyrim i realitetit kosovar dhe kontradiktave të tij. Vjen për publikun në një formë të veçantë kërcimi bashkëkohor i ndjekur nga monologe dhe dialoge të fuqishme. ′′ Totem dhe Tabu ′′ nxjerr në sipërfaqe mentalitetin patriarkal, ndërsa tregon ndaj njerëzve se është ndikimi negativ që ka në jetën tonë.

Nëpërmjet ndërthurjes së valleve, aktrimit, këngëve dhe vokaleve të aktorëve, dhe humorit, tregimeve të trishta dhe dërrmuese të elaboruara, kujtojnë se gjallesa sfidohet në forma të ndryshme, dhe se ne jemi ata që mund t ‘ i japim ngjyra.

Gjetja e paqes dhe qetësisë pas stuhive të mëdha që lidhen me dhunën emocionale dhe fizike, dhe traumat e së kaluarës ndërthuren me tradita si Totemi kaloi nëpër breza, ndërthurur me Kanunin dhe zakonet që shpesh shtypin dhe promovojnë pabarazinë dhe që ende barten si mbetje të së kaluarës gjeneratave më të reja të grave dhe burrave kosovarë. /KultPlus.com

Koreografi kosovar Robert Nuha, pjesë e ‘Solo Dance Festival’ në Turqi

Koreografi, Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin e vallëzimit bashkëkohor ‘Solo Dance Festival’ në Ankara të Turqisë.

Njoftimin e ka bërë vetë koreografi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“I lumtur të njoftoj se do të përfaqësoj Kosovën në stilin bashkëkohorë @solodanceankara në @kermodern në Ankara, Turqi nga data 3 deri 5 shtator!
Me performancën time Solo “InOuT” e cila pati premierën botërore në ‘Laiks Dejot Festival në Riga’, në Letoni një javë më parë!
Faleminderit festivalit dhe @kosovo_in_ankara @emumxhiu për ftesën!”, ka shkruar Nuha.

Robert Nuha më herët ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh artistike, me artistë shqiptarë dhe të huaj, duke prezantuar punët e tij në festivale të ndryshme në Gjermani, Itali, Zvicërr, Kroaci, Letoni etj. / KultPlus.com

Koreografi kosovar Robert Nuha, pjesë e festivalit ‘Laiks Dejot’ në Riga

Koreografi, Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin e vallëzimit bashkëkohor ‘Laiks Dejot” në Riga të Letonisë.

Njoftimin e ka bërë vetë koreografi përmes një postimi në Facebook, shkruan KultPlus.

“Shumë i Lumtur të përfaqësoj Kosovën në Festivalin e mirënjohur të dansit Bashkëkohorë “Laiks Dejot” në Riga të Letonisë nga data 16 deri në 20 Gusht me solo performancën time “InOuT”, gjithashtu të jap master-class për studentët e Akademisë së Dansit Bashkëkohorë të Letonisë, akoma edhe më i lumtur të bashkë-ndajë këtë eksperiencë artistike me mikeshën dhe partneren time të dansit Rosella Pellicciotti!”, ka shkruar Nuha.

Robert Nuha më herët ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh artistike, me artistë shqiptarë dhe të huaj, duke prezantuar punët e tij në festivale të ndryshme në Gjermani, Itali, Zvicërr, Kroaci etj./KultPlus.com

‘Totem dhe Tabu’, nëpërmjet komedisë solli tragjiken që vjen si rezultat i heshtjes kolektive

Suada Qorraj

Nën tingujt e muzikës, lëvizjeve të trupit por dhe fjalëve të thëna nga aktorët, shfaqja danse teatër, ‘Totem dhe Tabu’ shtjelloj në natën e mbrëmshme historitë prekëse të një realiteti të pandryshuar në kohë, por njëkohësisht dhe një aktualitet, rrugëtimi i së cilit gjendet brenda kornizave e heshtjes kolektive, shkruan KultPlus.

Pikërisht këto korniza individuale e kolektive, nëpërmjet komedisë sjellin tragjiken, të qeshurën që të bënë të reflektosh, por dhe të shikosh përtej asaj që shihet e thuhet në sipërfaqe.

‘Totem dhe Tabu’ ngrehë pikëpyetjet për shqetësimet e mëdha shoqërore, traumat, hipokrizinë e shoqërisë, por dhe ndikimin e pandemisë në po këtë shoqëri, ku pikërisht me lëvizjet e trupit, vallëzimin e aktorëve dhe ndërthurjen e këtyre lëvizjeve me monologjet e dialogjet, rrëfejnë homazhet për ata që humbën jetën nga ‘tabutë’ e shoqërisë, historitë që heshtën veç pse muret ku ato ndodhin nuk na takojnë ne. Por, ndonëse muret ku ato ndodhin janë të ndryshme prej atyre ku ne jetojmë, këto përjetime, sado të huaja, ndërtojnë përditshmërinë, realitetin por dhe të ardhmen tonë. E ky realitet mbi të cilin ndërtohet shfaqja ‘Totem dhe Tabu’ e koreografi Robert Nuha dhe e bazuar në dramaturgjinë e Zana Hoxhës, ngriti publikun në këmbë, me një duartrokitje disaminutëshe dhe emocione të shumëfishta.

Për koreografin Robert Nuha, procesi i realizimit të shfaqjes nuk ka qenë edhe aq i lehtë sepse trupa teatrale është krijuar tash e tre muaj e njëkohësisht puna e tyre është kufizuar edhe nga situata pandemike. Tutje ai ka thënë se secili nga ne duhet të ketë një kontribut sado të vogël që situata e dhunshme t’i flasim dhe t’i komunikojmë me të tjerët.

“Besoj që ne si shoqëri edhe si artistë duhet secili të ketë një kontribut sado të vogël që situatat, konfliktet ose mënyrën sesi ne i shohim gjërat të cilat janë të dhunshme për ne duhet t’i trajtojmë e t’i flasim, t’i komunikojmë tek të tjerët, me qëllim që shoqëria të hapet dhe të ndryshohen”, ka thënë Nuha për KultPlus.

‘Totem dhe Tabu’ për pothuajse 90 minuta erdhi në një mënyrë mjeshtërore nga trupa artistike e Artpolis me aktorët Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini.

Aktorja Donikë Ahmeti, në një prononcim për KultPlus ka theksuar se përgatitja për shfaqje ka qenë e lodhshme, me orare të stërzgjatura dhe punë fizike, por që në fund ka dhënë mesazhin e duhur tek publiku.

“Temat që kemi dashur të trajtojmë qëndrojnë mes të qeshurës dhe të qarës, nuk kemi dashur që temat e rënda t’i bëjmë shumë të rënda. Kjo nuk ka qenë veç një dramë, ka qenë gjithçka, por që në thelb është një dance teatër”, ka pohuar ajo. Ndërkaq Zana Hoxha e cila ka bërë dramaturgjinë e shfaqjes, shpreson që ‘Totem dhe Tabu’ të prek zemrat dhe mendjen e njerëzve sepse në vete ngërthen shumë mesazhe, por dhe reflektime të ndryshme./ KultPlus.com

“Totem dhe Tabu” nesër premierë në TKK

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton premierën e shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës, të martën me 18 maj, në ora 19:30, përcjellë KultPlus.

“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

Shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologjeve.

Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.

Në këtë shfaqje luajnë trupa artistike e Artpolis me aktorët: Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Blerta Gubetini.

Shfaqja vjen e përkrahur nga cfd, Agjensia për Barazi GJinore dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com