Galeria vjeneze frymon shqip, Albana Ejupi: Piktura më bën të ndjehem gjallë

Xhemile Hysenaj

Nuk është hera e parë që një ndër Galeritë më në zë të Vjenës frymon shqip. Bëhet fjalë për artisten nga Kosova, Albana Ejupi e cila edhe këtë vit merr pjesë në ekspozitën që do të hapet sot në Galerinë ‘Lukas Feichtner Gallery’. Ejupin e karakterizon origjinaliteti artistik që frymon përmes ngjyrave të saj edhe kësaj radhe ishte ndër të përzgjedhurat e kësaj Galeria për të ekspozuar punën e saj, shkruan KultPlus.

‘Desire for intimacy’, apo thënë shqip ‘Dëshira për intimitet’ është tema që shpaloset në artin e sivjetëm të Ejupit. Ajo potencon se piktura i sjellë një realitet tjetër, që sipas saj, i dhuron një ndjesi të mos qenit vetëm. ‘Piktura është e vetmja që nuk largohet nga jeta ime. Ky fakt më bën të ndjehem gjallë’, shprehet ajo.

Trajtimi i trupave njerëzor në pikturat e artistes shpreh dëshirën për intimitet, pasi intimiteti sot, trajtohet nga fiksimi i shoqërisë për të ndarë pothuajse gjithçka nga jeta private e secilit. Kjo gjë ka bërë që Ejupi të tentojë të prezantojë pikërisht atë lidhje intime dhe unike midis trupave. ‘Ka të bëjë me diçka që është vetëm e jotja. Si dashuria, emocionet, kujtimet, dhimbjet, plagët e seksualiteti. Diçka që padyshim vlen të ruhet’, shprehet tutje Ejupi.

Albana Ejupi, ka treguar për KultPlus se realizimi i pikturave të shfaqura në ekspozitë i kanë marrë pothuajse një vit kohë. ‘Për shkak të pandemisë kam qenë në Kosovë për pesë muaj dhe aty e kam shfrytëzuar studion e vjetër të punës në shtëpinë time dhe besoj se është një përparësi e madhe për artistin që në çfarëdo vendi që të shkojë, ta ketë vendin e punës’, tregon Ejupi për KultPlus.

Albana poashtu për KultPlus ka treguar se si në çdo profesion, situata pandemike ka ndikuar edhe tek artistët, të cilët sipas saj e kanë përjetuar në mënyra të ndryshme. Mirëpo, për të, ka qenë një periudhë gjatë së cilës, ajo është fokusuar maksimalisht në projektet ndërkombëtare vjetore, edhe pse siç tregon tutje Ejupi, shumica nga ato projekte janë anuluar si pasojë e pandemisë Covid19, por që pritet të mbahen përgjatë vitit 2021.

Arti i Albanës konsiderohet si ndër më të veçantët e kësaj periudhe. Ajo ka një stil tejet unik tek i cili zakonisht mbizotërojnë ndjenjat më të thella njerëzore dhe ajo çfarë e bën të veçantë punën e saj, është cilësimi unik i teknikës më rërë të Kosovës.

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për një muaj rresht. Ndërkaq bashkangjitur gjeni linkun ku do të mund të shihni ekspozitën edhe në formatin online, gjë kjo e cila u mundësua duke pasur parasysh situatën pandemike dhe ngecjet që mund të vijnë si pasojë e saj. / KultPlus.com

Portreti i ministrit Moser i realizuar nga artistja kosovare, kalon kufijtë

E përditshmja “Kurier” i ka kushtuar një artikull të veçantë, piktores kosovare, Albana Ejupi, e njohur tashmë për veprat e saj artistike edhe përtej kufijve.

Ky artikull mbanë titullin “Portreti i ministrit Moser: I papërfunduar, si mandati i tij.

Albana ka portretizuar këtë ministër, ndërsa shkruhet:

Ai madje nuk kishte qenë në detyrë për një vit e gjysmë kur videoja e Ibiza solli karrierën e tij ministrore në një fund të papritur: Josef Moser, ministër i Drejtësisë i koalicionit blu-bruz deri në qershor 2019.

“I papërfunduar” është edhe portreti i tij, i cili tani është varur në Galerinë stërgjyshore të Ministrisë së Drejtësisë. “Një pjesë është e dukshme, tjetra është vetëm e skicuar”, thotë Moseri, duke shpjeguar paralelizmin midis veprave artistike dhe programit qeveritar blu-bruz.

Është traditë që çdo ministër i Drejtësisë të ketë pikturuar vetë pasi të largohet. Ndryshe nga disa nga paraardhësit e tij, Moseri nuk donte thjesht ta shihte fytyrën e tij të pikturuar bukur në mur, përkundrazi të linte një mesazh:

Artistja Albana Ejupi vjen nga Kosova dhe lidhjet midis Austrisë dhe Ballkanit Perëndimor ishin “veçanërisht të rëndësishme për të personalisht gjatë Presidencës së Këshillit të BE”, shpjegon Moseri.

Thelbi i karakterit

Në dukje “e papërfunduar” është tipike për artisten Ejupi, ajo shpesh pikturon mbi portrete pothuajse përtej njohjes. “Ishte koha që hëngri pjesë të fytyrave dhe krijoi formën e jashtme jo të plotë. Pjesa tjetër e dukshme përfaqëson thelbin e karakterit të personit; përvojat, kujtimet dhe mendimet e tij”, shpjegon ajo.

Fotografitë janë në dispozicion në dublikatë – 65-vjeçari, i cili u tërhoq nga politika tërësisht në mars, kishte bërë një të tillë për apartamentin e tij.

Do të ketë një ekspozitë individuale nga artistja Ejupi më 20 tetor në galerinë “Lukas Feichtner”, në Vjenë. / KultPlus.com

Albana Ejupi prezantohet me ekspozitë personale në platformën e njohur ndërkombëtare në Vjenë (FOTO)

Gili Hoxhaj

Parallel Vienna është një platformë internacionale e artit në përgjithësi, duke përfshirë prezantimin e artistëve te rijnë deri tek ata me famë botërore. Në kuadër të emrave të shumtë, atje është prezantuar edhe piktorja nga Kosova, Albana Ejupi.

Punimet e saj kanë zënë vend në galerinë e njohur vjeneze të quajtur “Lukas Feichtner Gallery” . Duke qenë se artistja Ejupi ka shpalosur artin e saj edhe në vende të tjera të botës, veçmas me ekspozita kolektive, kjo është hera e parë që u prezantua me ekspozitë personale në Vjenë të Austrisë. Ajo ka treguar për KultPlus eksperiencën që po përjeton atje, ku arti i saj po vlerësohet nga koleksionistët të artit dhe nga vizitorët.

“Deri tani kam marr pjesë me dy ekspozita kolektive ne Vjene, dhe tanimë me ekspozitën e parë personale ne Parallel Vienna e cila po vazhdon te jete një eksperience e mahnitshme, duke filluar nga bisedat e shumta dhe komentet e shumta te mijëra vizitorëve. Po ashtu kam rastin te bisedoj me shume koleksionit te artit të vendeve të ndryshme te botës, të cilët janë shumë të interesuar për blerje”, u shpreh Ejupi për KultPlus.

Në “Parallel Vienna”, Ejupi është prezantuar me shumicën e pikturave të shpalosura më parë në Prishtinë, në ekspozitën e parë personale të titulluar “Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash”, që u hapë vitin e kaluar në Galerinë e Ministrisë Qafa.

“Unë kam nderin dhe fatin si artiste nga Kosova te jem pjese e listës së emrave te artistëve nga vendet e ndryshe të botës, veçmas nga një galeri me një eksperience punë më shumë se 20 vjeçare”, ka thënë tutje Ejupi.

Ajo ka treguar për KultPlus se prezantimi i punës së saj në këtë platformë, në kryeqytetin vjenez tashmë i ka hapur dyert edhe të depërtimit në vende tw tjera jashtë Evropës.

Platforma “Parallel Vienna” do jetë e hapur deri të dielën ku vizitorët do të kenë mundësinë e ndjenjës se llojllojshmërisë së artit në përgjithësi./ KultPlus.com

Albana Ejupi solli akte dhe silueta aktesh duke portretizuar femrën, dashurinë dhe peripecitë e jetës

‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ është titulluar ekspozita e parë personale e autores Albana Ejupi e cila erdhi mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Derisa minutat po afroheshin drejt hapjes zyrtare të ekspozitës, depërtimi tek pikturat e autores po bëhej gjithnjë e më i vështirë duke qenë se kjo ekspozitë mirëpriste plot mysafirë e artdashës.

Piktorja e re në moshë por me një pjekuri e guxim artistik mbuloi më shumë se gjysmën e mureve të kësaj galerie me pikturat që të rrëmbenin në një botë të sensualitetit femëror. E gjithë kjo erdhi përmes dhjetë punimeve në formate të mëdha e që trajtonte tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë njerëzore, po ashtu sjellë edhe dashurinë, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej temave tabu si arti seksual, duke e paraqitur femrën si bartëse e plleshmërisë dhe si bartëse e përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi.

Penesta Dika , kuratorja e kësaj ekspozite solli një zbërthim të veprave të autores duke thënë se me paraqitjen shtesë të pikturës së saj në një hapësirë pa figuracion, ajo vë një gurthemel për zhvillimin e një zhanri të artit në përgjithësi.

“Kjo ekspozitë sjellë në njërën anë aktet e vetmuara të femrave dhe në anën tjetër shohim silueta çiftesh. Akte femrash të vetmuara me pozitën që e marrin na bëjnë me dije se kanë kaluar në ndodhi të ndryshme në jetë, duan ta shfrytëzojnë pikërisht këtë moment të shtrirjes paksa për tu çlodhur nga mundimet apo peripecitë që ua ka sjellë jeta. Ato sikur kërkojnë të jenë të qeta, duan të jenë vetëm dhe ta ndjejnë trupin në hapësirë, duan ta përpunojnë të kaluarën që të mund të përpunojnë të ardhmen”, ishin fjalët e kuratores Dika.

Profesori dhe poeti francez Max Fullenbaum që kishte ardhur në kryeqytet posaçërisht për këtë ekspozitë e cilësoi punën e Albana Ejupit të mbushur me plot spirtualitet.

“E dashuroj punën e Albanes”, ishin shprehjet që përmblodhën përshtypjet e tij në hapjen e kësaj ekspozite.

Kuratorja e kësaj ekspozite Panesta Dika tha për KultPlus se kishte dashur që publikut t’i sjellë një anë të cilën nuk e ka parë më herët tek Albana.

“Duke qenë se publiku e njeh Albana Ejupin si një piktore portretesh pata dëshirë që kësaj herë ta tregojmë Albanën prej një ane krejt tjetër të saj dhe kur i pash aktet dhe siluetat mendova që kjo është mënyra e duhur që kësaj radhe të shprehim diçka tjetër në këtë hapësirë”, është shprehur Dika.
Ndërsa sipas piktorit Kamuran Goranci, veçantia e kësaj ekspozite ishte vet Albana me stilin e saj, e cila në këto vepra e ka shkrirë shpirtin dhe personalitetin e saj.

“Albana është studente e mirë dhe një talente, ajo është një piktore që i njeh shumë mirë ngjyrat dhe kompozicionin. Është një artiste shumë e guximshme dhe ta kesh një guxim kaq të madh qysh në fillim kjo do të thotë shumë për të si artiste dhe nëse vazhdon kështu kjo artiste që jo vetëm pretendon por edhe premton shumë për të ardhmen”, tha Goranci për KultPlus.

Ndërsa autorja e kësaj ekspozite, Albana Ejupi, tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë është rezultat i një punë rreth një viti e gjysme dhe është kurorëzim i studimeve të saj të masterit. Ajo tha se me vendosjen e femrës si figurë qendrore ka synuar provokimin e shoqërisë kosovare që gjërat normale të mos i tabuizojnë.

“Arsyeja kryesore që në veprat e mia femra ka luajtur rolin kryesor ka filluar prej këndvështrimit të gjendjes në Kosovë dhe shoqërisë kosovare, duke i parë femrat në një mënyrë “jonormale”. Trajtimi karakteristik që e kam sjellë në këtë ekspozitë është fakti që i lë disa vepra në gjysmë, që për të tjerët mund të duken në gjysmë por për mua jo sepse gjithmonë vendosi se çfarë të shpalos për publikun e çka jo”, tregoi Albana Ejupi për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të vazhdoi të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Albana Ejupi vjen me ekspozitën ‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’

Ekspozita e autores Albana Ejupi hapet më 26 tetor, në ora 19:00, në sallën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

“Ekspozita ‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ përmes paraqitjes së akteve apo siluetave trajton tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë jetësore, dashurinë, apo tema të tabuizuara si akti seksual, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej tij e po ashtu edhe gruan si bartëse të plleshmërisë dhe të përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi…”, shprehet kuratorja Penesta Dika.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com