Nora Malaj: Jemi në vijën e kuqe, në 2030 nuk do të kemi as mësues, as nxënës

Pedagogia Nora Malaj ka deklaruar se Shqipëria është shumë afër prekjes së vijës së kuqe në arsim.

Malaj tha se jo më larg se në vitin 2030 jo vetëm që numri i nxënësve do pakësohet ndjeshëm por edhe mësuesit do të mungojnë, pasi gjithnjë e më pak studentë po zgjedhin të ndjekin studimet në degët e mësuesisë.

“Ne duhet të kuptojmë një gjë. Ne kemi një problem shumë të madh. Nga një anë kemi braktisjen e shkollës e nga ana tjetër kemi braktisjen e profesionit të mësuesit.

Studentët nuk po shkojnë më për mësuesi. Kjo është kambana e alarmit që kam thënë, ne jemi në vijën e kuqe. Do më vinte shumë keq të bëja Kasandrën e të thosha se në 2030 nuk do kemi më as mësues. do kemi një krizë shumë të madhe”, tha Nora Malaj. / Euronews.al / KultPlus.com

Kostandin Kristoforidhi, kush ishte “babai” i gjuhës shqipe që shkroi në dy dialekte

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë është duke kryer punime të mirëmbajtjes për restaurimin e Shtëpisë Muze të Kostandin Kristoforidhit, në lagjen “Kala”, Elbasan. Kjo ndërhyrje do të eliminojë rrezikun që i kanoset këtij objekti si dhe do të sjellë vënien në funksion të tij. Çatia shfaqte problematika në konstruksion si dhe ishte vënë re prania e lagështisë në ambientet e brendshme të objektit.

Në këtë fazë të ndërhyrjes nga ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Korçë është realizuar ndërhyrja në të gjithë sipërfaqen e çatisë. Gjithashtu përfundoi restaurimi i dyshemesë së dëmtuar prej dërrase dhe pastrimi nga vegjetacioni i territorit. DRTK Korçë bën me dije se vijon puna për trajtimin e materialit drusor me antimol dhe vaj lini, restaurimin e portës së jashtme hyrëse në oborr dhe përforcimin e shkallëve të objektit. Kostandin Kristoforidhi u lind në Elbasan më 1827.

Familja e tij përmendet për herë të parë më 1723. Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në Janinë u njoh me zv.konsullin austro-hungarez Hahn (me shërbim 1847-1850), i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe i mësoi shqipen për të studiuar “Dhiatën” e përkthyer nga Vangjel Meksi dhe Grigor Gjirokastritit. Ndihmoi po ashtu për studimet shqiptare të konsullit. Vitet që vijuan e gjetën mësues në shkollat greke në Tiranë më 1852, Elbasan e Berat. Më 1853 i vdesin prindërit, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij Mimi Xhufka.

Udhëtoi mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 e gjejmë në Izmir, ku me gjasë u takua për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë, ku u rekrutua nga filologu dr. Rigzi. Shoqëria Biblike porsa po interesohej për Shqipërinë dhe ishte në kërkim të një përkthyesi. E fitoi këtë vend pune dhe më pas u regjistrua, më 1 mars ndoqi për katër muaj kurse në “Robert College” në lagjen “Babek” të Stambollit.

STUDIMET

Kristoforidhit iu ofrua që të vijonte studimet në kolegjin e Shoqërisë Biblike në Maltë (fund korriku 1857-1860), ku përfundoi përkthimin e “Dhiatës së Re” në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese. U vendos në Tunis ku u martua dhe dha mësim në një shkollë greke nga 1861 deri më 1865. Në fund të majit 1865 u kthye në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte.

Me Eleninë pati shtatë fëmijë Anastasin, Poliksenin, Anastasian, Kleopatrën, Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin. Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohjeje me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndihmoi Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegërishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 u zgjodh anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes. Qëndroi në Stamboll deri nga marsi i 1870, ku ishte i angazhuar me përkthime dhe botimin e tyre.

Më 1870 kreu një udhëtim të gjatë rreth e përqark Shqipërisë dhe vitet në vijim i çoi mes Stambollit, Shqipërisë dhe Tunizit, ku jetonte familja e tij. Prej vitit 1874 deri më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, pasi dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasur në Maltë. Humbi punën dhe jetoi në mjerim sa në Shqipëri, sa në Tuniz. Me ndikimin e Alexander Thomson të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkak në Stamboll familjarisht. Në kryeqytetin osman mbante kontakte me figurat kulturore shqiptare, qe mik i Jani Vretos. U përpoq të ishte politikisht aktiv dhe me njohjet e tij në Shoqërinë Biblike t’u jepte zë kërkesave shqiptare për autonomi.

Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e përgjithmonë. U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi deri kur ndërroi jetë, më 1895 te shtëpia e Taq Budës. U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.

VEPRA

Kostandin Kristoforidhi është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Lëvizjes Kombëtare të shek. XIX. Ai luajti rolin më të rëndësishëm gjatë asaj periudhe atë të lëvrimit të gjuhës shqipe. Bëri një punë të madhe për mbledhjen e leksikut, për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe pasurimin me fjalë të reja të bazuara në dialektet e shqipes.

Vepra themelore e Kristoforidhit, fryt i një pune njëzetvjeçare, është Fjalori i Gjuhës Shqipe me 11.675 leksema i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë, botuar në Tiranë më 1961. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve. Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.

Gjuha e Kristoforidhit nuk ndryshon nga ajo e rilindësve, ndaj dhe me të drejtë ai u cilësua si “babai” i gjuhës shqipe. Ai, si të gjithë rilindësit e tjerë, mendonte se gjuha ishte një mjet bashkimi për shqiptarët e çarë dhe të përçarë në atë kohë dhe se fakti se ekzistonin dy dialekte me të folmet e tyre si degëzime të një trungu, nuk përbënte ndonjë ndarje, por bashkim të shqiptarëve. Kristoforidhi e vërtetoi këtë me përkthimet dhe me veprat e tij origjinale.

Ai shkroi në dy dialekte. Kristoforidhi është një njohës i mirë i dialekteve të shqipes. Ai është munduar të përdorë në të gjitha variantet format më të përgjithshme. Duke pasqyruar me besnikëri gjendjen reale të gjuhës, për Kristoforidhin dialektet e shqipes janë shumë afër njëri-tjetrit. Për sa vërehet, mund të themi se Kristoforidhi hapi një etapë të re në gjuhësinë shqiptare: kontribuoi në hedhjen e themeleve për një gjuhë standarde që të afronte dy dialektet. Ndaj edhe sot pas kaq vitesh vepra e tij është pikë referimi për çdo gjuhëtar./ KultPlus.com

Kori i Zërave të Bardhë, koncert me ariet më të njohura të Krishtlindjes

Kori i Zërave të Bardhë, i përbërë nga fëmijët e talentuar të TKOB-së do t’i sjellë edhe më shumë hare atmosferës së festave të këtij fundviti.

Sonte, në TKOB do të shfaqet koncerti “Këmbanat e arta”, me Korin e Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi, koncertmaestër Igli Rapaj dhe nën dirigjimin e Dritan Lumshit.

Fëmijët do të këndojnë ariet më të njohura të Krishtlindjes, ato që na shoqërojnë kudo gjatë këtyre ditëve dhe që këndohen në mënyrë instiktive nga një pjesë e madhe e publikut.

TKOB shkruan në faqen online se kjo është një mënyrë e bukur për të pritur festat duke ndarë me artdashësit edhe programin e mbrëmjes së sotme.

Në program është vendosur Johannes Brahms, me “Guten Abend, gute Nacht”, shoqëruar në piano nga Noemi Koçiaj, Cesar Franck me “Panis Angelicus”, “Ave Maria” nga Giulio Caccini, “Hallelujah” e Leonard Cohen, arie nga kompozitorë të famshëm si Mozart, Rossini, Bizet etj., si dhe këngë tradicionale nga Amerika e Jugut. Kori ka përgatitur një repertor të zgjedhur që premton një koncert të suksesshëm./ atsh / KultPlus.com

Promovohet libri “Arti i Afreskeve të Kishës së Shën Premtes”, trashëgimi e UNESCO-s

Në Kino Lumbardhi, në Prizren mbrëmë u promovua libri “Sjellur më pranë njerëzve”, i botuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe redaktuar nga Sezgin Boynik, që rrjedh nga një tekst origjinal i Otto Bihajli-Merin nga viti 1953 dhe restaurimi e kopjet afreskeve të bëra nga Zdenka dhe Branislav Živković rreth të njëjtës periudhë.

Ato lidhen me afresket e Shën Premtes, një kishë ortodokse e shekullit të XIII-të në Prizren, pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Nga arti bizantin te trashëgimia fetare në politikat kulturore komuniste jugosllave, libri mbulon një sërë temash dhe momente të veçanta në historinë e kishës, duke sjellë një perspektivë të re.

Libri u prezantua nga redaktori Boynik, autorët kontribuues Jelena Vesiq dhe Shkëlzen Maliqi, po ashtu drejtori i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta, ndërsa vazhdoi me bashkëbisedim me pjesëmarrësit.

Botimi i librit dhe ngjarja janë bërë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Tingujt e muzikës shënuan festë mbrëmë në Akademinë e Shkencave, sopranoja Besa Llugiqi mahniti audiencën

Vjollca Duraku

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, të martën mbrëma ka organizuar një koncert festiv në prag të festave të fundvitit me soliste sopranon e njohur Besa Llugiqi e cila u përcoll në piano nga Misbah Kaçamaku, gjithashtu në këtë festë muzikore u prezantuan edhe duo Syzana Jakupi, Alba Muçolli-Dehiri në piano dhe Kori i burrave nën dirigjimin e maestros Rauf Dhomit, shkruan KultPlus.

Në skenën rrethore në të cilën takoheshin dy anët e sallës së akademisë, fjalën hyrëse e mori i ‘zoti i shtëpisë’, akademik Mehmet Kraja, i cili me një fjalim shumë të shkurtër i falënderoi mysafirët për prezencën e tyre, dhe tutje fjalën ja la këngës.

Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, ajo e cila ka shkelur shumë skena prestigjioze nëpër Evropë, në këtë mbrëmje u shfaq si një yll i ndritshëm i muzikës dhe hyri në sallën e Akademisë së Shkencave nën përcjelljen e duartrokitjeve të shumta të publikut, ku para profesionalizmit, ishte eleganca e saj ajo që foli e para.

Një fustan i kuq plotë shkëlqim, në një kontrast të bukur me ngjyrën e zezë të flokut të saj, gërshetuar me zërin mahnitës, bëri që akademikët dhe të pranishmit të shijojnë pafund koncertin.

Zëri i sopranos Llugiqi, rrjedhte me një butësi të sinqertë duke dëshmuar natyrshëm një talent të jashtëzakonshëm. Çdo notë ishte një emocion që shpërthente me fuqi, duke kapur zemrën e audiencës dhe duke e çuar atë në një udhëtim të thellë emocional.

Me një repertor të zgjedhur si: Die Nacht- R. Strauss, Ach Lieb, Ich Muss Nun Scheiden- R. Strauss, Vilja’ Song – F. Lehar, Quando Men Vo “ La Boheme”- G. Puccini, Song to the Moon-A. Dovrak, Pace Mio Dio-G. Verdi, sopranoja Llugiqi, me elegancën dhe forcën e saj, rrëfente histori me secilën notë.

Publiku nuk mund të rezistonte ndaj magnetizmit të saj artistik dhe ndjenjave që ajo sillte në çdo interpretim.  

Po me një elegancë të tillë, në skenë u ngjiten edhe pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli- Dehiri. Pasi zunë vendet e tyre, ato nisën të lëshojnë tingujt e parë në sallë. A. Dvorak Slavoi Dance/ OP. 72 NR.2 dhe Slavonic Dance/ OP.46 NR. 7, ishin pikat e përzgjedhura nga kjo duo, që në harmoni të lëvizjes së duarve me njëra tjetrën dhuronin tinguj herë të lartë, të hareshëm, strikt, të shpejt dhe herë të qetë.

Pas kësaj performance, në skenë zuri vend Kori i Burrave nën udhëheqjen e dirigjentit profesionist Rauf Dhomi. Me disa perla shqipe, Kori i dhuroi publikut art mbi dashurinë për atdheun me pikat interpretuese siç ishin: “Nën Skënderbenë”, “Varka” dhe “Të falemi o dhe”.

Të gjitha pikat që u interpretuan, nga publiku që këtë radhë i takonte nivelit më të lartë, u duartrokitën shumë. Kjo gjë ishte reflektuar edhe te vetë artistët e skenës.

Koncerti u përmbyll nga solistja e kësaj ngjarje, nga sopranoja Besa Llugiqi e cila ngriti publikun në këmbë dhe bëri që duartrokitjet të zgjasnin më shumë se zakonisht.

Emocionet e para pas koncertit, sopranoja Besa Llugiqi i ndau me KultPlus. Interpretimin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ajo e ka quajtur përjetim të rrallë.

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Profesori Rauf Domi ka qenë ai që më ka ftuar dhe jam e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Ka qenë sinqerisht një përjetim i rrallë. Më pëlqeu atmosfera, njerëzit e kanë përjetuar dhe unë u mundova të jap maksimumin tim në këtë aspekt. Besoj që ka qenë një program interesant për ta dhe jemi munduar të prekim një repertor pak më të gjerë, kështu që po shpresoj që e kanë shijuar”, ka thënë sopranoja Llugiqi.

Ndërsa  pianistja Alba Muçolli -Dehiri u shpreh e lumtur për interpretimin e saj në koncertin e mbrëmshëm, ku mbi të gjitha në këtë fundvit shpalosën punën që kishin arritur ta bëjnë gjatë tërë vitit.

“Është jashtëzakonisht kënaqësi e madhe për ne si artistë që të marrim ftesa të tilla, në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës që të performojmë dhe të jemi pjesë e eventeve të tilla, pra koncerteve përmbyllëse apo koncerteve festive të vitit të ri, sepse edhe puna jonë shpaloset. Pra gjithmonë është kënaqësi që këto vepra apo këtë punë që ne i bëjmë gjatë vitit, t’i ndajmë me publikun artdashës”, ka thënë pianistja Muçolli- Dehiri, e cila më tej u shpreh e lumtur që së bashku me kolegen e saj Syzana Jakupi, interpretuan vepra të përzgjedhura me një shije të hollë, të cilat publiku i priti jashtëzakonisht mirë.

Ndërsa dirigjenti Rauf Dhomi, tha se ndihej shumë i kënaqur me performancën e Korit të Burrave që interpretoi nën dirigjimin e tij, e veçanërisht me performancën e sopranos Besa Llugiqi të cilën e quajti: “Primadonë të Ballkanit”.

“Ky koncert është i dedikuar për primadonën Besa Llugiqi, besoj që është një nga këngëtaret më të mira që ka pasur Kosova, dhe besoj që në 10 vitet e ardhshme është Primadonë, gjithsesi unë uroj të mos jetë kështu si them unë dhe të dalin edhe të tjera sikurse Besa në skenë”, tha Dhomi teksa tutje përshkroi edhe interpretimin e Llugiqit.

“Një tingull shkon lartë në kupë të qiellit dhe zbret në cep poshtë, tri oktava poshtë, është sikur të biesh nga një lartësi e madhe 12 katëshe dhe të mos lëndohesh fare. Ka një ngjyrë të mahnitshme të zërit, është shumë e larmishme, nuk është e njëtrajtshme dhe të jep motiv që ta dëgjosh”, u shpreh Dhomi.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili është shprehur se përmes këtij koncerti, artistët shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.

“Një natë tjetër festive mbrëmë në Koncertin Festiv të fundvitit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, së bashku me korin e talentuar të burrave nën drejtimin e kompozitorit Rauf Dhomi, shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.

Performancat e tyre, duke përfshirë veprat e R. Strauss, F. Lehár, G. Puccini, A. Dvorak dhe G. Verdi, paraqitën vitin e suksesshëm të Akademisë përmes muzikës”, shprehet Kryeministri.

Pas këtij koncerti, të gjithë mysafirët u takuan nga afër në një koktej rasti të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

Bëhet i ditur programi për festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza

Festa e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë po afron.

Kjo festë e cila fillon më 24 dhjetor e do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes më 25 dhjetor do të ketë një program të pasur.

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë do të zhvilloj këto aktivitete në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

E DIELE, 24 DHJETOR 2023

Në orën 18:00 – Pritja Solemne e Krishtlindjes, e cila do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet te Katedralja Shën Nënë Tereza. Pritet të jenë prezent përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, trupi diplomatik dhe njerëz të kulturës, artit dhe miq e dashamirë. Në orën 23:30 – Program për Krishtlindje në Katedrale, i cili zgjatë deri në mesnatë. Në orën 24:00 – Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilën do ta udhëheq Sh. T. Imzot Dodë Gjergji.

E HËNË, 25 DHJETOR 2023

Në orën 11:00 – meshë në Katedralen Shën Nënë Tereza. Në orën 18:00 – meshë në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë. / KultPlus.com

Fotografia: Labinot Krasniqi

Sot, Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur datën 20 dhjetor si Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, është e bindur se promovimi i kulturës së solidaritetit dhe i frymës së ndarjes është i rëndësishëm për luftimin e varfërisë.

Solidariteti është identifikuar si një nga vlerat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të, ku ata që vuajnë ose përfitojnë më pak, meritojnë ndihmën e atyre që përfitojnë më shumë. Për rrjedhojë, në kontekstin e globalizimit dhe sfidës së pabarazisë në rritje, forcimi i solidaritetit ndërkombëtar është i domosdoshëm.

Nëpërmjet nismave të tilla si krijimi i Fondit Botëror të Solidaritetit për zhdukjen e varfërisë dhe shpallja e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, koncepti i solidaritetit u promovua si vendimtar në luftën kundër varfërisë dhe në përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës.

Sipas OKB, kjo është një ditë për të festuar unitetin tonë në diversitet; një ditë për t’u kujtuar qeverive të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare; një ditë për t’u ndërgjegjësuar për rëndësinë e solidaritetit; një ditë për promovimin e solidaritetit për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm duke përfshirë zhdukjen e varfërisë etj./ KultPlus.com

Lëvizja pa viza nga 1 janari, tani në dispozicion edhe numri i telefonit për marrjen e informacioneve

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pa pasur nevojë të presin më para ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.

Lidhur me liberalizimin e vizave faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës javët e fundit ka dhënë informata të ndryshme, të nevojshme për qytetarët.

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës ka bërë të ditur se tashmë është në dispozicion numri i ri i informacionit për lëvizjen e lirë në Evropë.

“Tani është në dispozicion numri i ri i informacionit për lëvizjen e lirë #PaViza!  Telefononi në 080077001 nga ora 9:00 – 15:00 dhe merrni përgjigje për pyetjet tuaja rreth lëvizjes së lirë nga 1 janari 2024.

Pyetjet tuaja, përgjigjet tona – vetëm një telefonatë larg”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të gjitha informatat që ju duhen mund t’i merrni në https://integrimievropian.rks-gov.net/…/pyetje-te…/

Kjo faqe qeveritare po ashtu ka njoftuar ditë më parë sa para duhet të kenë qytetarët e Kosovës kur udhëtojnë, çfarë dokumentesh nevojiten për të udhëtuar pa viza dhe sa muaj afat në pasaportë duhet të keni që të udhëtoni në zonën Shengen. / KultPlus.com

Mbrëmë nisi festa e madhe e muzikës shqiptare, Festivali i Këngës në RTSH solli plot emocione (VIDEO)

Mbrëmë në Shqipëri nisi festa e madhe e muzikës shqiptare, përcjell KultPlus.

Festivali i Këngës 2023, edicioni i 62-të i konkursit të përvitshëm të muzikës shqiptare, organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), nisi mbrëmë dhe do të zgjasë deri më 22 dhjetor 2023 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me nikoqire Adriana Matoshi dhe Kledi Kadiu me Xhuliano Dulen dhe Krisa Çaushin. 

Në një skenë të bukur, me një energji të madhe dhe shumë këngë të bukura, festa e muzikës mbrëmë u përjetua me mjaft emocione nga publiku.

Edicioni i 62-të i Festivalit të Këngës përbëhet nga dy gjysmëfinale, e para u mbajt mbrëmë dhe shpalosi pjesën e parë të këngëve garuese, përderisa nata e sotme do të sjellë pjesën tjetër të garuesve, për ti lënë tutje hapësirë datës 21 dhjetor, një “natë nostalgjie” dhe një finale më 22 dhjetor 2023.

Një juri prej 11 anëtarësh do të votojë për të përcaktuar artistët që kalojnë në finale nga faza kualifikuese, që do të shpallet në fund të natës së tretë, si dhe fituesin e finales.

Televotimi i prezantuar në edicionin e kaluar do të përbëjë sërish një përzgjedhje më vete kushtuar përfaqësueses shqiptare në Eurovizion. Dy votimet fillimisht u krijuan për t’u kombinuar në një raport 50/50 ose 60/40 për të përcaktuar një fitues të vetëm.

Për të dytin vit radhazi, fituesi i një televotimi të dedikuar do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024.

Ne po ju sjellim videon e plotë që ju sjell më afër ngjarjes së mbrëmshme. / KultPlus.com

Hapet Konsullata e Nderit e Republikës së Letonisë në Republikën e Kosovës

Në një ceremoni solemne, u zhvillua hapja zyrtare e Konsullatës së Nderit të Republikës së Letonisë në Republikën e Kosovës. Konsulli i Nderit, Ardian Hoxha, priti mysafirët e nderuar dhe foli rreth vizionit dhe qëllimeve që ka me Konsullatën e Nderit.

“Çdo ditë mësoj më shumë për Letoninë dhe shoh shumë ngjashmëri mes dy vendeve dhe kombeve tona,” tha Konsulli Hoxha. “Për këtë arsye, besoj se është shumë e rëndësishme të forcojmë lidhjet diplomatike, ekonomike, sportive dhe kulturore mes Letonisë dhe Kosovës. Letonia ka kaluar në një rrugëtim të ngjashëm me atë të Kosovës jo shumë kohë më parë dhe mund të mësojmë shumë nga ajo në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.”

Ai shtoi se Konsullata e Nderit do të shërbejë si urë lidhëse mes Letonisë dhe Kosovës dhe se dyert janë të hapura për çdo lloj mbështetjeje apo lehtësimi të tregtisë, investimeve dhe partneriteteve ekonomike dhe kulturore. “Do të fokusohemi gjithashtu në shkëmbimin kulturor dhe arsimor dhe shpresojmë të luajmë një rol në nxitjen e kuptimit dhe respektit të ndërsjellë,” theksoi Hoxha.

Ambasadorja Elita Kuzma gjithashtu u drejtua të pranishmëve dhe deklaroi se, “Ne dëshirojmë të ju mbështesim praktikisht si dhe politikisht sa më shumë që të jetë e mundur. Prania jonë në KFOR me ushtrinë kombëtare të Letonisë tregon angazhimin tonë se siguria në Evropë është e pandarë dhe është shumë e rëndësishme për kontinentin tonë.”

Zëvendeskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ishte e ftuara e nderit në këtë ceremoni. Ajo theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj Konsullate në vendin tonë, duke vlerësuar në veçanti rolin mbështetës të vazhdueshëm të Letonisë në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe në aspiratat e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ministrja Gërvalla u shpreh se “rritja e mëtejme e bashkëpunimit dypalësh në mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët është synim i yni i vazhdueshëm.” Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Konsullatës së Nderit, krahas shumë mysafirëve të ftuar, ishin të pranishëm edhe ambasadorë të shumtë, si dhe pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit dhe shoqërisë civile.

Ky event shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy shteteve dhe popujve, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe miqësisë mes Letonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com

NASA transmeton një video me mace nga hapësira e thellë me rreze lazer

NASA ka transmetuar një video me definicion të lartë të një maceje që kthehet në Tokë nga thellësia e hapësirës.

Klipi 15 sekondësh i maces Taters u dërgua me lazer dhe e tregon atë duke ndjekur një rreze lazer.

Pamjet e skelës portokalli udhëtuan 19 milionë milje apo rreth 80 herë më shumë se distanca Tokë-Hënë.

NASA shpreson se teknologjia e lazerit që po testonte do të përmirësojë përfundimisht komunikimin me pjesët më të largëta të sistemit diellor.

Taters, putrat e të cilit qëndruan fort në Tokë, është në pronësi të një punonjësi të Laboratorit Jet Propulsion të NASA-s (JPL) në Kaliforni.

Videoja u ngarkua në një anije kozmike të nisur me raketën Falcon Heavy të SpaceX nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida më 13 tetor dhe u transmetua më 11 dhjetor.

”Megjithë transmetimin nga miliona milje larg, ai ishte në gjendje të dërgonte videon më shpejt se shumica e lidhjeve të internetit me brez të gjerë”, tha drejtuesi i elektronikës i JPL-së, Ryan Rogalin.

Videoja u mor nga teleskopi Hale në observatorin Palomar, ku u shkarkua.

Nga atje u transmetua në JPL dhe u luajt në kohë reale.

Rogalin tha se lidhja mbi të cilën u dërgua video nga observatori Palomar në bazën JPL ishte në fakt më e ngadaltë se sinjali që transmetonte klipin nga hapësira.

“JPL’s DesignLab bëri një punë të mrekullueshme duke na ndihmuar të shfaqim këtë teknologji. Të gjithë e duan tani Taters”, shtoi ai.

Testi i NASA-s ishte pjesë e misionit Deep Space Optical Communications (DSOC) – i pari i agjencisë hapësinore që shikoi komunikimet që arrijnë më tej se midis Tokës dhe Hënës.

Misioni DSOC po eksploron se çfarë lloj teknologjish mund të ofrojnë përmbajtje me gjerësi bande më të lartë nga thellësia e hapësirës në Tokë, ndërsa frekuencat e radios luftojnë për të trajtuar sasinë e të dhënave të nevojshme për të transmetuar vëllime më të larta të imazheve dhe videove me cilësi të lartë në distanca të mëdha.

“Kjo arritje nënvizon angazhimin tonë për të avancuar komunikimet optike si një element kyç për të përmbushur nevojat tona të ardhshme të transmetimit të të dhënave”, tha zëvendësadministratorja e NASA-s, Pam Melroy./ atsh / KultPlus.com

Rama: Pamje mbresëlënëse nga pista e skive në Dardhë

Dardha, fshati turistik vetëm 18 km në juglindje të Korçës është një prej destinacioneve më të frekuentuara gjatë sezonit të dimrit.

Më të veçantë këtë fshat turistik e bën edhe pista e skive e cila kryesisht gjatë fundjavave kthehet në një prej atraksioneve kryesore për turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga pista e skive në Dardhë e mbushur me turistë.

“Pamje mbresëlënëse që vijnë nga pista e skive në Dardhë, në stinën më të bukur për turizmin malor”, shprehet Rama.

Rruga për në Dardhë është e lehtësisht e aksesueshme pas mirëmbajtjes pa ndërprerje me mjetet borëpastruese për pastrimin e dëborës dhe shpërndarjen e kripës megjithatë rekomandohet përdorimi i gomave dimërore./atsh/KultPlus.com

Çeku shpjegon situatën e Gani Jakupit dhe GranFestit

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ishte i ftuar në emisionin “Pressing” të T7.

Ndër tjerash ai është pyetur për 20 mijë euro që ministria e tij ka ndarë për projektin e Gani Jakupit për organzimin e një festivali.

Çeku ka thënë se sipas informatave që ka Gani Jakupi është tërhequr nga projeti i festivalit pas kontratës që e ka me Ministrinë e Punëve të Jashtme për shërbime profesionale.

”T’iu sqarojë që Ministria e Kulturës përmes thirrjes publike çdo vit mbështet jo vetëm qindra, por edhe mijëra artistë të pavarur që janë pjesë e skenës së pavarur të pavarur. Është punë që bëhet në komisione profesionale, që unë nuk ndërhyjë sepse nuk më takon”.

“Ky projekt është një nga qindra ose mijëra përfitues çdo vit në Ministri të kulturës përmes kësaj skeme që e mbështet aktivitetin kulturor”.

“Gani Jakupi është autor i romanit grafik që është një zhanër shumë i rrallë në vendin tonë, mbase nuk ka të tjerë, dhe e ka një festival që e promovon këtë zhanër që është shumë aktraktiv në vendet e tjera dhe ka një rrjet global të romancierëve grafikë nëse mund të quhen ashtu, ky ka jetuar jashtë në Francë në Spanjë, ku ka vepruar dhe përmes këtij festivali ai sjellë emra të mëdhenj të romanit grafikë në Kosovë”.

“Ajo që e di unë përmes një kontrate që ai e ka me MPJ për shërbime profesionale, ai është tërhequr nga festivali. Nuk është më Ganiu në projekt, por njerëz të tjerë”, ka thënë Çeku. /Gazeta Expresss

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

Sa e dua giithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën.

Të mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, djellinë, dritën,
Mbrëmëm dh’atë errësirën.

Natën, kur ësht’ e qetuar,
Edhe gjësendi s’dëgjohet,
Qiellin kur ësht’ i edruar,
E hapësira ndritonet.

A kur hapen herë-herë,
Ret’ e zeza sten nd’erë,
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën.

Retë, shinë dhe lumenjte,
Gjëmim, mjergullë, përrenjtë,
Dëborën, breshërin’ e erën.

Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.

Oshëtimen, pyjet, drurët,
Shkëmbenjte, gërxhet’ e gurët.

Lulet, barërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhe këngera këndojnë,
E nëper dega levrojnë.
Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe giithe eshtë në jetë.

I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është Një e s’ka të dytë./KultPlus.com

Huffpost nxjerr Tiranën një nga destinacionet e 2024-ës

Tirana vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara nga ndërkombëtarët.

Pas bumit turistik të këtij viti, media e njohur amerikane “HuffPost” ka nxjerrë sërish Tiranën si një nga destinacionet e 2024-ës që duhen vizituar, krahas vendeve si Zvicra, Amsterdami etj.

Faqja amerikane “HuffPost” ka renditur 27 vende të cilat do të jenë trend gjatë pushimeve të ardhshme, mes të cilave është përfshirë edhe Tirana.

Kryeqyteti shqiptar mbetet ende një destinacion që nuk është shumë i njohur për udhëtarët e huaj, megjithëse me gjasa nuk do të jetë kështu në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë destinacioni ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe.

“Një vend si Tirana mund të jetë një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe. Shumica e  udhëtarëve ende nuk e kanë zbuluar, por fluturimet dhe infrastruktura  funksionojnë shumë mirë dhe ka më pak njerëz në krahasim me destinacionet në trend  në Evropë si Italia, Greqia apo Portugalia”, thotë Laura Lidnsay eksperte e udhëtimeve.

Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë vendin tonë një destinacion perfekt për stinën e verës.

Jo vetëm natyra, por qytetet historike ja vlen që të eksplorohen nga udhëtarët. Gjatë kulmit të sezonit turistik ka një mori aktivitetesh përfshirë ngjarje të shumta muzikore për të rinjtë. /ATSH /KultPlus.com

‘Ditët do t’i numëroj ndryshe për ty e brishta, aritmetika e mallit numëron me gishta’ (VIDEO)

Kur vargjet e poezive shndërrohen në ritëm tingujsh, sublimohen dy fusha artistike në të njëjtën kohë, shkruan KultPlus.

Poezia “Më ka marrë malli” nga Petrit Ruka, ishte interpretuar në mënyrë të mrekullueshme nga Ermira Babaliu.

Madje interpretimi fantastik i kësaj kënge kishte marrë pjesë edhe në filmin “Eja”.

KultPlus ua sjell videon e interpretimit të kësaj kënge dhe tekstin e saj:

Më ka marrë malli, shumë më ka marrë,
Tani në dhomën time nuk mbaj më kalendar…
Dhe një që e pata e bëra copë e çikë,
Ç’i kanë bërë muajtë me nga tridhjetë ditë ?!
Ditët do t’i numëroj ndryshe, për ty, e brishta,
Aritmetika e mallit,…numëron me gishta…
Më ka marrë malli, shumë më ka marrë,
Tani në dhomën time nuk mbaj më kalendar… / KultPlus.com

Ti buzëndritur në stoli

Poezi nga Lasgush Poradeci

Nër ato male shtat-mëdhaja,
Nër ata pyje me fshehtësi,
N’ato mburima lozonjare,
N’ata shkëmbenj plot llaftari;
Ku fryn një erë pastërtije,
E vetëtin një bukuri,
E ritet malli posi deti,
E ndizet zemëra në gji;

Ku nuku duket asnjeri,
Ku vemi shpesh veç un’e ti
Ku djeg si zjarr, moj dashuri!
Ku ndrin si yll, moj perëndi /KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Elbasanit, aty ku tradita vijon edhe në ditët e sotme

Muzeu Etnografik në Elbasan, që funksionon si i tillë prej shumë dekadash, mban brenda mureve të tij një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikat një mozaik prej 80 lloje zejesh.

Ndaj edhe çdo ditë muzeun e vizitojnë jo vetëm vizitorë vendas, por edhe të huaj.

Një bashkëpunim mes shkollave dhe bashkisë së Elbasanit, ka bërë të mundur që muzeu të vizitohet edhe nga nxënësit, me qëllim që këta të fundit të mësojnë dhe ruajnë traditën.

Të rinjtë janë njohur me historinë e ndërtimit të muzeut deri në ditët e sotme. Godina ku ndodhet muzeu është ndërtuar në fund të shekullit XVII. Në vitin 1986, pas një rikonstruksioni që iu bë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, u kthye në Muze Etnografik.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi mes shkollash sipas drejtorit të muzeut Kliton Kapaj, kryhet me qëllim që të rinjtë të njihen me traditat e vyera që mbart qyteti i Elbasanit, të cilat janë të ekspozuara ndër shekuj në këtë godinë.

Në dhomat e godinës dy katëshe të muzeut, nxënësit janë njohur me objektet që janë trashëguar brez pas brezi, ku pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj.

Me një godinë me arkitekturë të veçantë Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986.

Specialistët e kulturës në atë kohë vendosën që si ‘strehë’ e pasurisë popullore, të krijuar brez pas brezi, të shërbente shtëpia e Sejdinëve, që ndodhet në ‘Sheshin e Bezistanit’, në qendër të Elbasanit.

Shtëpia, një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, u restaurua në atë kohë dhe u përshtat për muze.

Në planin kompozicional, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës. Kati i parë i banesës paraqiten vlerat e traditës popullore. Dhoma e punimit të leshit, dhoma e metaleve si dhe dhoma e tabakëve kanë zënë vend në këtë kat, duke i krijuar mundësi vizitorit që të njihet me kulturën dhe traditën vendase.

Ndërsa kati i dytë i banesës së Sejdinëve përbëhet nga një korridor i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave dhe dhoma e nuses. Në mozaikun e zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajak punuesve, qelesh punuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabitis, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.

Janë një mozaik i pasur veshjesh që pasqyrojnë tiparet etnografike të krahinës, mjeshtritë e Terzinjve, të cilët spikasin në punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve, etj. /ATSH /KultPlus.com

FSHF i akordon çmimin “Nderi i Kombit në Futboll” Kombëtares shqiptare

Shqipëria siguroi një sukses fantastik këtë vit, teksa për herë të dytë në histori u kualifikua në finalet e një europiani.

Por jo vetëm kaq, këtë edicion kualifikues ekipi Kombëtar bindi me lojë dhe rezultat, duke u renditur në vendin e parë dhe duke dominuar ndaj çdo kundërshtari në Grupin E.

Një sukses i jashtëzakonshëm, më i miri në histori, që erdhi gradualisht, si pasojë e punës së mirë të bërë nga FSHF, trajneri Silvinjo, stafi teknik dhe lojtarët.

Për këtë arsye një çmim i veçantë në Mbrëmjen Gala të FSHF-së “Më të Mirët 2023” ka shkuar pikërisht për ekipin Kombëtar të Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit në Futboll”. Kombëtarja solli gëzim dhe i bashkoi të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Si asnjëherë tjetër, stadiumi ishte në çdo ndeshje “sold – out” dhe interesi për biletat kaloi çdo kufi duke bërë që të shiten në pak orë.

Shqipëria dhuroi spektakël në fushë me performancë, rezultat dhe gola spektakolarë, ndërsa në Europian do të luajë ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Gjatë Mbrëmjes Gala, u ripërshkruan edhe një herë të gjitha momente magjike e më pas lojtarët e pranishëm dhe stafi teknik me në krye trajnerin Silvinjo dolën në skenë dhe morën çmimin “Nderi i Kombit në Futboll”, që i është dorëzuar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili falënderoi ekipin Kombëtar që na bëri krenarë të gjithëve me arritjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. /ATSH /KultPlus.com

Fellini: Nëse e bëni atë që keni lindur për ta bërë, mendoj se nuk do të plakeni kurrë

Në shqip: Bujar Meholli

Federico Fellini është emër i madh në fushën e kinematografisë. Filmat e tij ishin përherë të gjallë, me imazhe interesante, bizare, që portretizonin gjendjen njerëzore. Gjenialiteti i tij bëri që katër filma t’i shpërblehen me çmimin “Oscar” për filmin më të mirë. Ishin “La Strada”, “The nights of Cabiria”, “8 1/2” dhe “Amarcord”, që u laureuan.

Karriera e tij është ndër më interesantet. E mbushur me shumë pasazhe ku shquhet vizioni i tij personal te i cili ai përqendrohej dhe madje edhe e vinte në krijimtarinë filmike. Fellini ishte antiklerik i prirur, e shpeshherë i shqetësuar brenda vetes. Preokupimi i tij bie te marrëdhëniet midis burrave dhe grave, gjegjësisht te seksi dhe dashuria.

Filmat e Fellinit përmbajnë maska, maskarada, cirk, fytyra të çuditshme, befasuese, rokoko, është prizmi nga i cili ai e shihte jetën. Konceptet e filmave të tij, e kanë bazën te mendja e Maestros, te e brendshmja e tij e pasur. Ëndrrat, fantazitë shumta, ai arrin t’i shkrijë në skenarë filmash.

Shpeshherë ishte protagonist i filmave të tij, e njohur është alter egoja Marcello Mastroianni në filmat “La Dolce Vita”, “8 8/2” dhe “City of women”.

I prirur për ta synuar dhe arritur perfeksionin, Fellini, përsëriste shumë skena madje në periudha të gjata kohore që kapnin vite. Studimi i hollësishëm që iu bënte filmave, e bëri njërin prej kineastëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Përveç çmimeve “Oscar”, filmat e Fellinit fituan qindra çmime të tjera të rëndësishme, duke përfshirë ato të festivaleve, si dhe pesë çmimet e para nga kritikët e filmit në Nju-Jork.

Nuk ka se si mos të përmendet kryevepra felliniane “Fellini’s Casanova”, saga e jashtëzakonshme e Giacomo Casanovas, aventurierit dhe shkrimtarit të shekullit 18, të cilën ai e përshtati mjeshtërisht.

Mes viteve ’60, filmat e tij do të theksojnë imazhin surreal dhe grotesk.  Me ëndrrat e tij që i shfaqeshin dhe të cilat më pas i hidhte në letër Fellini fascinoi gjithë botën. Ëndrrat e tij janë të përmbledhura në “Librin e ëndrrave”. Federico Fellini ishte poet i kinemasë, dhe puna e tij në masën më të madhe është autobiografike. /KultPlus.com

Tri motrat Brontë

Me sa duket, familja Brontë i detyrohet shumë Jorkshirit dhe Hauorthit. Veçanërisht tri motrat Brontë: Sharlotë (Charlotte), Emili (Emily) dhe Anë (Anne), emrat e të cilave lidhen menjëherë me peizazhin e lagësht e të vrazhdë të lëndinave angleze.

A ju thonë gjë malet dhe gëmushat e shqopishtave?

A nuk thërresin titujt e romaneve më të famshëm të epokës viktoriane?

Po, sigurisht që po, por edhe jeta e përditshme dhe mbresat e tri vajzave të reja, tri motrave të bashkuara nga pasioni i përbashkët. Në të vërtetë, fshati që i mikpriti që fëmijë, Hauorthi, me kalimin e viteve u shndërrua në vend pelegrinazhi, po kështu edhe shtëpia e familjes dhe kisha ku punonte i ati, një reverend. Se ç’ndikim ka pasur peizazhi që shoqëroi rrugëtimin e jetës së tyre të shkurtër dhe natyra e vendit në krijimtarinë e tyre, është një pyetje që mund të marrë lehtësisht përgjigje. Ndikimi ka qenë i madh dhe, pavarësisht disa udhëtimeve dhe periudhave jashtë vendit, ato i kanë qëndruar gjithmonë besnike. nga ana tjetër, një fakt edhe më magjepsës ka të bëjë me artin që i bashkon. Secila prej tyre shprehet vetëm me fjalë dhe njëkohësisht njëra me tjetrën. Në fakt, në 1847, ato kanë gati 3 romanet e tyre kryesore: “Xhejn Er”, “Maja të stuhishme” dhe “Anjezë Grej” – njëherazi. Botimi, në harmoni të përsosur, ishte një fakt që i kishte ndodhur tashmë treshes, vetëm dy vjet më parë. Kishin vendosur të botonin poezitë e tyre, të cilat i kishin shkruar në fshehtësi të plotë dhe tejet personale. Përballë heshtjes së Emilisë, Sharlotë pranon një kompromis. Koleksioni mund të shohë dritën, por vetëm me një pseudonim.

Shkrimi me pseudonim: e përbashkëta artistike e motrave Brontë

Zgjedhja e emrit, nuk është e rastësishme. Secila supozon një emër, që nuk lë të nënkuptojë aspak atë realen, përveç shkronjës së parë: Sharlotë zgjedh “Currer” , Emili dhe Anë, bëhen “Ellis” dhe “Acton”. Të gjitha me mbiemrin Bell – “këmbanë” në anglisht, për të na sjellë ndërmend një poetikë të caktuar. Me pseudonimi qëllimisht bishtnuese për sa i përket gjinisë, pasi nuk specifikojnë nëse janë autorë apo autore dhe pikërisht për këtë pasiguri funksionojnë aq mirë. Botimi bëhet në një vëllim të vetëm, edhe për shkak të temave të përbashkëta: marrëdhëniet e njeriut me natyrën ose me hyjninë, trazimet e dashurisë dhe lavdërimi i lirisë. Marrëveshja mes tre Brontëve është evidente në disa përshkrime të peizazhit dhe në mbresat më shpirtërore. Shpesh dashuria bëhet vuajtje, nuk u kthehet në këmbim ose tradhtohet. Sa herë kërkojnë ngushëllim, tashmë në shtëpi – si Anjeza te poezia “Ngushëllim” –  në agimin e parë të ditës – si Sharlotë te “Mëngjesi”. Edhe Emili i bashkohet korit melankolik, duke gjetur strehë në livadhet e njohura.

“Do të shkoj atje ku do të më çojë natyra: / Nuk dua të zgjedh tjetër udhërrëfyes: / ku kopetë gri kullosin midis grigjave; / ku era fryn e tërbuar mbi mal”. (E. Brontë).

Natyra është e gjallë dhe manifestohet në praninë e tyre, por evokimi i hapësirave të shqopishtës dhe shkëlqimit të hënës, nuk ngjallin gjithmonë ndjenja mirëqenieje ose përkatësie. Ndonjëherë tek Emilia, vargjet e së cilës janë më komplekset, shpirti i njeriut është i stuhishëm dhe po ashtu edhe natyra, e cila lidhet me të në harmonizim. Pamjet e stuhisë dhe erës, që trondit lumenjtë dhe pyjet përsëriten shpeshherë. Përkundrazi, Zoti mund të shfaqet indiferent ndaj kërkesave, të cilat bëhen të kota dhe të pashprehshme.

Marrëdhënia midis motrave dhe natyra e Jorkshirit

Emili Brontë përqafon kontrastet: dashurinë dhe urrejtjen, jetën dhe vdekjen, realen dhe imagjinare, i deshifron dhe e pohon praninë e tyre në çdo formë jetike. Në vend të kësaj, poezia e Sharlotë dhe Anë Brontë, ka luhatje të dobëta. E lëshojnë veten në keqardhje dashurie dhe lutje melankolike, herë-herë shtrijnë dorën drejt lirisë dhe refuzojnë hallkat e burgosjes, të gjitha me një dozë më të vogël tensioni.

“Do të doja të bredhërija lirshëm,/ një dehje po ma pushton mendjen/ me mendimin për të shkuar larg/ në botët fantastike-gëzim i çuditshëm /që nuk duron dot të jetë i burgosur/erë më të lehtë perëndimore”. (Sh. Brontë) .

Karriera e tyre si poetesha është mjaft e shkurtër, ashtu si ekzistenca e tyre. Na lënë pak rreshta dhe preferojnë të shprehen me prozë. Megjithatë, në paraqitjet e përshtypjeve të tyre romantike, ato sjellin elemente dhe tema që do të kthehen edhe në romane, shumë më të famshme se poezitë. Si pasojë, njohja e këtij aspekti të letërsisë së motrave Brontë mund të jetë e dobishme si në fushën artistike, ashtu edhe në atë njerëzore, për një qasje në njohjen e gjendjes së tyre shpirtërore.

Virxhinia Ulf, në një shkrim publikuar në “The Guardian” më 1904, nuk e ka të vështirë t’i përcaktojë “sentimentale” udhëtimet në Jorkshir dhe shtëpinë-muze të tri shkrimtareve. Në rrëfim, ajo përmend vendet që ka vizituar dhe për secilin përjeton një emocion të ndryshëm, thuajse kaq të fortë. Edhe tek ajo, Hauorth provokon njëherazi ëmbëlsi dhe zymtësi, drithërimë dhe frikë. Edhe Ulf rijeton stuhitë e jetës së shkurtër, të motrave Brontë në Jorkshir./Konica.al/ KultPlus.com

Kryeveprat letrare, të urryera nga shkrimtarët e mëdhenj

Përgatiti: Armin Tirana

Nuk është e lehtë të thuash se diçka nuk na pëlqen kur të gjithë e pëlqejnë. Rreziku është se mos akuzohemi se nuk kuptojmë apo deri për mendjemadhësi: si guxon ta shprehësh opinionin tënd mjeran kur është e qartë se do të përplaset me murin e përjetësisë që mbron kryeveprat? Dhe, mbi të gjitha, kush guxon se je? Në Literary Hub, Emily Temple ka hartuar një prej listave të saj fantastike. Ka listuar 14 kryeveprat më të urryera nga kush që në fakt kishte plotësisht të drejtën për t’u shprehur: gjenitë e padiskuteshëm të letërisisë.

Kryeveprat: shpesh shfaqen menjëherë, nganjëherë kalojnë pa u vënë re për një farë kohe, të tjera e kalojnë provimin e elitës, por jo të masës. Gjithsesi, herë a vonë, zbulohen dhe forcohen mbi piedestalin e tyre dhe qëndrojnë aty, të palëvizur. Do të jetë edhe për këtë, pasi nuk ka asnjë rrezik për t’i gërvishtur, se do të ishte e bukur që herëpashere të bëhej ushtrimi i vëzhgimit me shikimin e paturpshëm e shkrimtarëve të renditur këtu, duke u stërvitur për të zvilluar një mendim kritik më kurajoz. Por fjalët e këtyre autorëve na kujtojnë edhe sa është e rëndësishme të mos kihet frikë për të gjykuar bashkëkohësit tanë dhe shprehur pa frikë opinionet tona. Më e keqja që mund të na ndodhë? Nëqoftëse do të bëhemi gjeni, Emily Temple do të na fusë në ndonjë prej listave të saj. Në rast të kundërt, askush nuk do të kujtohet.

Virginia Woolf, Uliksi

Kështu shprehet shkrimtarja më e madhe e të gjitha kohërave kur vjen puna për kryeveprën e James Joyce: «Më është dukur një libër i pakulturuar, i trashë. Libri i një punëtori autodidakt dhe të gjithë e dimë sesa mund të jenë stresues, egocentrikë, këmbëngulës, të jashtëzakonshëm dhe, në analizë të fundit, të shpifur».

Dorothy Parker, Winnie the Pooh

Në kolumnen e saj të 20 tetorit 1928 tek New Yorker, Parker përcjell dialogë të tërë nga libri i A. A. Milne, duke ju përqeshur personazhet dhe të folmen e tyre.

Charlotte Brontë, Krenari dhe paragjykim, Ema

Brontë e kishte për vdekje me Jane Austen dhe i kritikoi si Krenari e paragjykim, ashtu edhe Emën. Në vitin 1848 i shkruante e dëshpëruar G.H. Lewes: «Pse ju pëlqen kaq shumë Mis Austen? Gjëja më le vërtet pafjalë».

Mark Twain, Krenari dhe paragjykim

Duhet thënë se e kishte me të edhe Mark Twain: «Nuk kam asnjë të drejtë t’i kritikoj librat, e bëj vetëm kur i urrej. Shpesh kam dëshirë të kritikoj Jane Austen, por librat e saj më tërbojnë aq shumë, sa që nuk arrij as ta kamufloj tërbimin dhe kështu që e lë fare më përpara akoma sesa të filloj».

Aldous Huxley, Në rrugë

Duke folur pë klasikun e shkruar nga Jack Kerouac, autori i një prej kryeveprave më të mëdha të fantashkencës (Bota e re) fiton çmimin për shprehjen më lezetshme: «Pak më vonë kam filluar të mërzitem. Dua të them, rruga më është dukur tmerrësisht e gjatë».

Katherine Mansfield, Shtëpia Howard

Në vitin 1917, e mbrojtur nga faqet e ditarit të saj, Mansfield ia lejon vetes që ta kritikojë librin e E. M. Forster nëpërmjet përdorjes së një metafore të veçantë. «Nuk arrin të shkojë më tej, kufizohet duke ringrohur çajnikun. Është shumë i zoti në këtë. Dëgjoje këtë çajnik: A nuk është i ngrohur shkëlqyeshëm? Po, por nuk do të ketë asnjë çaj».

Martin Amis, Don Kishoti

Sipas Amis, leximi i kryeveprës së Miguel Cervantes mund të krahasohet me një vizitë të papërcaktuar të «kushëririt më tw pamundur të moshuar, me të gjitha difektet e tij, zakonet e pështira, remineshencat e pandalshme dhe shokët e tmerrshëm të fëmijërisë».

David Foster Wallace, American Psycho

Në një intervistë me Larry McCaffery të botuar në revistën Review of Contemporary Fiction në vitin 1993, Wallace kapet keq me Ellis: «Për pak e nxjerr në plan të dytë në mënyrë të pacipë sadizmin e publikut, por në fund është e qartë se objekti i vërtetë i sadizmit është vetë lexuesi». Kur intervistuesi e mbron, ai i përvishet më keq: «Po demonstron pikërisht llojin e cinizmit që u mundëson lexuesve të manipulohen nga të shkruarit e keq». Është fillimi i një debati letrar midis të dyve që ka vazhduar edhe pas vdekjes së Wallace.

Elizabeth Bishop, Seymour – Një hyrje

Bishop nuk ia përton ta thotë: «E kam urryer historinë e Salinger», shkruan në një letër. «Më janë dashur ditë ta lexoj dhe më është dashur ta bëj me maturi, nga një faqe, nga një faqe, duke u skuqur nga sikleti për secilën prej shprehjeve të tij qesharake».

Mary McCarthy, Franny dhe Zooey

Vështirë të mos e çmosh këtë kryeveprën tjetër e Salinger. Megjithatë, dikush ia ka arritur. Kështu, McCarthy, që i kritikon praktikisht çdo gjë dhe nuk arrin të përtypë as vetëvrasjen finale: «Pse vret veten Seymour? (…) Ndoshta sepse ka gënjyer, ndoshta autori i tij ka gënjyer, gjithçka ishte e tmerrshme, bile edhe ai ishte mashtrim?».

H.L. Mencken, Gatsby i madh Gatsby

Debuton kështu në reçensionin e tij për romanin e mrekullueshëm të F. S. Fitzgerald në Chicago Sunday Tribune e vitit 1925: «Në formë, libri i ri i Fitzgerald nuk është asgjë më shumë se një anekdotë e glorifikuar. (…) Natyrisht, kjo histori është e parëndësishme».

Vladimir Nabokov, Doktor Zhivago, Vëllezërit Karamazov, Krim dhe ndëshkim, Finnegans Wake

Por urryesi më i flaktë dhe më i zellshëm i të gjithëve është i madhi Nabokov: jepini një klasik dhe ai do t’ua çmontojë copa copa. Pasternakut i lavdëron poezinë, por i kritikon prozën: Doktor Zhivago nuk i pëlqen aspak (një roman me një banalitet provincial), konsideron si librat më të rëndësishëm të Dostoevskij veprat e tij më të këqija (të mërzitshme, konfuze), dhe shprehet lidhur me eksperimentin e Joyce me këtë shprehje, që në vetvete është kryevepër: «E urrej Finnegans Wake, në të cilën rritja kanceroze e indeve të fjalëve fantastike nuk arrin pikërisht që të ngjallë harenë e tmerrshme e folklorit dhe alegorinë e lehtë, tejet të lehtë». /KultPlus.com

Çmimi prestigjoz, “Menaxheri më i mirë i vitit në New York” u fitua nga shqiptari Driton Sinishtaj

Në një intervistë për “Shqiptarët e New Yorkut”, Sinishtaj shprehet i lumtur me këtë arritje, të cilën modestisht ja dedikon stafit të tij, që përbëhet nga më shumë se 40 punonjës.

Shqiptari i lindur në Tuz, po ashtu vlerëson integrimin e komunitetit tonë në shoqërinë amerikane, pa harruar kulturën, gjuhën dhe traditat e origjinës.

 Mund të na tregoni diçka më shumë për veten tuaj?

Fillimisht dua t’ju falënderoj shumë për këtë mundësi, kënaqësia është e imja. Unë kam lindur ne Tuz, në zonën e Malësisë së Madhe, në pjesën administrative të Malit të Zi. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, kam vazhduar studimet e larta në Tiranë, pranë Universitetit Europian dhe në vitin 2011 jam diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Në vitin 2013 kam përfunduar masterin dhe jam specializuar në degën e Studimeve Strategjike. Kam jetuar, studiuar dhe punuar në Tiranë për një periudhë 8-vjeçare. Paralelisht kam punuar edhe në Mal të Zi në sektorin privat, si dhe në pozicione të ndryshme të administratës publike.

Gjithashtu kam qenë i angazhuar për një periudhë të shkurtër kohore ne sektorin civil e pastaj edhe në jetën politike të shqiptarëve në Mal të Zi, duke dhënë një kontribut modest në procese të ndryshme. Sot jetoj në New York. Kam emigruar në vitin 2016. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë, Jonin, Dean dhe Artin.

Ju jeni menaxher rezidencial në Manhatan. Na tregoni diçka me shumë për aktivitetin tuaj të perditshëm?

Në këtë industri kam filluar të punoj në vitin 2017. Fillimet nuk kanë qenë të lehta, kam filluar të punoj në kompani më të vogla, si fillestar, por në të njëjtën kohë kam vazhduar të ndjek klasa të ndryshme për t’u perfeksionuar sa më shumë në këtë fushë.

Sot punoj në një kompani prestigjioze në industrinë e “Real Estate” në NYC, kompani me eksperiencë mbi 120 vjeçare , që rritet dita-ditës. Menaxhoj një ndër komplekset rezidenciale më të mëdha në NYC, me mbi 1200 apartamente, ku jetojnë afro 3500 banorë, në zonën e Midtown West në Manhattan.

Menaxhoj drejtpërdrejt afro 40 punëtorë, që merren me mirëmbajtjen e kompleksit rezidencial, duke u kujdesur për sistemet mekanike, mirëmbajtjen e deri tek shërbimet që ofrojmë për banorët. Pastaj është edhe pjesa administrative dhe financiare si pjesë përbërëse e punës sime. Është një punë që kërkon shumë përkushtim, energji dhe aftësi të mira menaxhuese.

Pak ditë më parë, ju morët çmimin menaxheri i vitit nga shoqata prestigjoze, REBNY. Cfare do te thote per ju ky vleresim?

E vlerësoj shumë, është nder për mua që u përzgjodha Menaxheri i Vitit nga kjo shoqatë kaq prestigjoze. Duke pasur parasysh se sa e fuqishme është industria ku ne punojmë, të them të drejtën ky çmim ka qenë mjaft surpizues për mua, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i lumtur që puna ime u vlerësua maksimalisht.

Këtë çmim edhe pse individual, unë e shoh si vlerësim i një pune të gjatë dhe bashkëpunim të mirë me stafin tim dhe drejtuesit e lartë të kompanisë. Kam një staf të shkëlqyer, që bën një pune të mrekullueshme dhe kolegë që punojnë në pozicione të ndryshme drejtuese, që kanë dhënë një kontribut shumë të madh për të arritur deri këtu.

Sa i lidhur jeni me komunitetin shqiptarë në NY?

Jam shumë krenar që jam pjesë e komunitetit shqiptar, i cili gëzon respekt të veçantë nga të gjitha komunitet e tjera në NY. Jemi njerëz që edhe pse jemi integruar fuqishëm në sistemin amerikan akoma po me krenari mundohemi të ruajmë kulturën, gjuhen dhe traditat tona, si dhe vetitë që na karakterizojnë.

Mundohem sa më shumë të jap kontributin tim për komunitetin tonë, në mënyra të ndryshme, me mundësitë modeste që kam. Është me rëndësi jetike që të afrohemi dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, pasi vetëm kështu mund të mbijetojmë dhe ruajmë identitetin tonë. Në qoftë se angazhohemi të gjithë bashkë, kemi mundësi për të dhënë më shumë si komunitet. Hapja e shkollave të mirëfillta shqipe është e domosdoshme për kultivimin dhe transmetimin e saj tek pasardhësit tanë.

Po ashtu angazhimi dhe integrimi në jetën politike amerikane i sa më shumë shqiptarëve, do të na jepte mundësi për të realizuar objektivat tona si komunitet. Ka shumë për të bërë, por mendoj që jemi në rrugën e drejtë, pasi kohëve të fundit kemi arritur të bëhemi pjesë edhe e gjyqësorit. /BM /KultPlus.com

Kajtazi pas shfaqjes “Arrëthyesi”: Projekt sfidues, ndjehem shumë krenar

Më 16 dhjetor në një numër të madh para publikut u shfaq shfaqja “Arrëthyesi” nga Baleti Kombëtar i Kosovës, shkruan KultPlus.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës Sinan Kajtazi, përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë shfaqje, duke thënë se ishte njëri ndër projektet më sfidues të BKK-së.

Postimi i plotë:

“Të nderuar miq,

Falë një pune të jashtëzakonshme të balerinëve tanë, koreografit, orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, kostumografes, skenografes, fëmijëve të baletit, fëmijëve të korit, realizueseve të kostumeve, stafit teknik-artistik dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme kanë qenë të përfshirë në këtë projekt, kemi arritur që në datat 16 dhe 17.12.2023, të realizojmë një nga shfaqjet më të rëndësishme të repertorit botëror klasik.

“Arrëthyesi” është projekti më sfidues që BKK ka arritur të përgatis për 51 vite histori dhe duke marrë në konsideratë edhe interesimin e publikut, kjo shfaqje do të jetë në repertorin e BKK në dhjetor të çdo viti, siç e kanë të gjitha trupat e baletit nëpër botë.

Dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës, të cilët duke kuptuar përmasat e këtij projekti, na kanë mbështetur në vazhdimësi në raport me kërkesat tona për realizim sa më të mirë të shfaqjes.

Falënderim të sinqertë edhe për Këshillin Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët i kam mbështetje përherë!

Ndjehem shumë krenar me punën e balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës!

Shihemi në projekte të tjera!”, shkruan Kajtazi. /KultPlus.com