Madhështia e fjalëve të fundit të Skënderbeut, si duhet të rrugëtojë kombi shqiptar

…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…

Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.

Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. / KultPlus.com

Kushton 8 milionë paund, shpërthejnë polemikat për portretin e ri të Mbretit Charles III

I veshur me uniformën e një admirali të flotës, me medalje dhe me dorën në shpatë, por me kokën e zbuluar. Kështu shfaqet mbreti Charles III në portretin zyrtar që u zbulua sot. Fotografia e sovranit në këmbë është bërë në Kështjellën Windsor nga fotografi Hugo Burnand. Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer polemikat, sepse portreti kushtoi 8 milionë paund nga qeveria.

“Tetë milionë paund për këtë? Çfarë humbje e turpshme parash”, akuzojnë aktivistët e “Republic”, të cilët ishin shprehur kundër tij që në nëntor, në momentin e prezantimit. Lideri i sindikatës së mësuesve, Daniel Kebede, komentoi me ironi mbi iniciativën: “Pikon çatia? Lagështia hyn nga korniza e dritares së plasaritur? Ajo që i duhet shkollës suaj është imazhi i mbretit Charles i printuar në letër me cilësi të lartë”. Përkundër kësaj, zëvendëskryeministri Oliver Dowden vlerësoi foton: “Të tregosh atë do të na kujtojë shembullin që jep Madhëria e Tij në shërbimin ndaj komunitetit.”

Kushton 8 milionë paund, shpërthejnë polemikat për portretin

Mbreti Charles III, portreti zyrtar

Vitin e kaluar, Zyra e Kabinetit njoftoi se kishte lënë mënjanë fonde për t’u ofruar të gjitha organeve publike, autoriteteve lokale, gjykatave, shkollave dhe forcave të policisë, një portret falas të mbretit Charles III si pjesë e një programi për monarkun e ri dhe për të vazhduar traditën që ka parë portrete zyrtare të Elizabeth II të ekspozuara në zyrat publike gjatë mbretërimit të saj të gjatë. Në çdo rast, shkollat ​​dhe mijëra zyra të tjera publike nuk janë të detyruara ta ekspozojnë atë dhe mund ta kërkojnë pa pagesë brenda datës 2 shkurt në formatin A3, të printuar në letër me “cilësi të lartë” dhe me kornizë lisi. Autori i shkrepjes është Hugo Burnand, tashmë fotografi i besuar i familjes mbretërore, i njëjti që bëri fotot zyrtare të kurorëzimit, fotot e dasmës së tyre të Charles dhe Camilla në 2005 dhe atë të William dhe Kate në 2011. / KultPlus.com

Qamil Batalli, poeti që udhëtoi në botën e fëmijëve

Qamil Batalli lindi në Prishtinë. Në vendlindje mbaroi shkollën e mesme, për të vazhduar më pas universitetin në Beograd.

Njihet kryesisht si poet dhe prozator për fëmijë, por herë pas here është marrë edhe me tregime humoristike për të rritur dhe dramë. Ka botuar 14 përmbledhje me poezi, duke filluar nga mesi i viteve ’60, deri nga fundi i viteve ’80.

Drama e tij “Ejona” 1987, mishëron një sinteze të fuqishme të mitit të pushtetit të dhunës në formën e fantazmave të vjetra, në petkun e ri që pasqyrohet si parabolë e stigmatizimit të hipokrizisë dhe nënshtrimit.

Qamil Batalli vdiq më 17 janar të vitit 2009 në Prishtinë ku edhe u varros. / KultPlus.com

70 vite nga vdekja e autorit të romanit ‘Sikur të isha djal’, Haki Stërmillit

Haki Stërmilli (17 maj 1895 -17 janar 1953) ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar me dekret të Ahmet bej Zogollit në atë kohë, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

U lind në Dibrës ku mori mësimet e para, shkollimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave Zogolli.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922. Ai u dekretua më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Ndërsa si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg.

Më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Më 28 maj 1950 u zgjodh deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor.

Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.

Ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë (1936).

Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës./KultPlus.com

Kurti në përvjetorin e vrasjes së Jusufit, Bardhoshit e Kadri Zekës: Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete

Sot shënohet 42 vjetori i vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Në këtë përvjetor ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili është shprehur se Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Në kujtim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës

Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre. Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.

Atë të dielë dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba. Një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit.

Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia. Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës.

Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës! / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, kreshta më e lartë e krenarisë sonë kombëtare, në përvjetorin e vdekjes

Nga Albert Vataj

Ai, vepra dhe emri i të cilit do të shndërrohej në legjendë, do t’i përkiste përjetësisë, siç ishte dhe mbeti të gjallët e tij nga më të zëshmit kushtrime të ekzistencës sonë në histori. 

Ishte 17 janari i vitit 1468, kryezoti i Arbërisë do të ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit.

– Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.

Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.

Trupi i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.

…atë natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466, -pra sot 555 vite më parë.

Skënderbeu, vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të mbretërimit të tij.

Kur e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona.”

Gjithashtu, gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.

Historia e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun përnga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit, rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës. Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës, sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.

Ariçka, mes të vërtetës dhe trillit është një kufi ndarës, shpesh i padukshëm, imagjinar si një sprovë e kureshtisë dhe ëndjes që sëmbon njohjen dhe përjetimin e atyre ngjarjeve, atyre episodeve që në vetvete përbëjnë vetë historinë e epokës së ndritur të Skënderbeut.

Skëndërbeu, ai ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.

Skënderbeu ishte dhe mbeti kreshta më e lartë e historisë së shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është, pa dyshim, ashtu siç e ka përcaktuar, më 1925, historiani i dëgjuar kroat Milan Šufflay “krijesa më hyjnore i kësaj race më të tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte gjallë u madhërua me legjenda të ndryshme nga Evropa Perëndimore. Arësyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh: ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi furinë osmane në një kohë kur Evropa përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare. Armatat perandorake osmane, të pajisura me një energji të pashtershme luftarake, me në krye dy nga sulltanët më ambiciozë të Turqisë, pasi kishin përfunduar pushtimin e Gadishullit Ballkanik, iu turrën Hungarisë, për të çarë rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar nga brigjet e saj në Gadishullin Italik. Përballë këtij rreziku serioz, fuqitë evropiane, në mënyrë të veçantë shtetet italike, qenë thellësisht të përçara. Në vend që të bashkoheshin për t’i bërë ballë bashkërisht rrezikut të madh, ato vazhdonin të luftonin midis tyre dhe të grindeshin me njëri-tjetrin, duke lehtësuar kështu vrullin pushtues të armatave osmane. Si rrjedhim, roli i Shqipërisë në këtë situatë dramatike ishte i barabartë me atë të Hungarisë. Të dy palët, si hungarezët, të udhëhequr nga Huniadi, ashtu edhe shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, me rezistencën e tyre heroike penguan për disa dhjetëvjeçarë përparimin e sulltanëve, të parët drejt Evropës Qendrore, të dytët drejt Gadishullit Italik.

Si rrjedhim, me rezistencën e tyre ato u dhanë mundësi shteteve evropiane të kapërcenin përçarjet që kishin midis tyre dhe të përgatiteshin për të përballuar, ashtu siç e përballuan më vonë, valën e invazorëve lindorë. Për këtë rol historik që luajti Shqipëria dhe Skënderbeu, krerët e shteteve të Evropës ishin të ndërgjegjshëm që kur ishte gjallë Heroi. Ky rol u duk që në vitin 1450, kur sulltan Murati II erdhi në Shqipëri në krye të mbarë ushtrisë perandorake për të hapur rrrugën drejt Gadishullit Italik. Por siç dihet, atë vit ushtria osmane, u gozhdua në kalanë e Krujës, të cilën  megjithë përpjekjet katër mujore, Sulltani nuk e shtiu dot në dorë. Madje vetë Skënderbeu ishte i ndërgjeshëm se në Krujë luhej jo vetëm fati i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë Skënderbeu në letrën që i drejtonte princit Italian të Tarantit G. A. Orsini, më 31 tetor, kur i shkruan: “Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve”. Për këtë rol të rëndësishëm që po luante Shqipëria ishin të ndërgjegjshëm edhe fuqitë e Evropës, në mënyrë të veçantë, shtetet e krishtera që ndodheshin më pranë rrezikut osman. Për këtë arsye, fitorja që korrën shqiptarët në Krujë më 1450 ngjalli entuziasmin e Republikës së Raguzës. Shprehje e këtij entuziasmi  janë përgëzimet që raguzianët i drejtuan Skënderbeut pas disfatës së Sulltanit. “Me të vërtetë – shkruanin ata –ju përballuat me një ushtri të vogël- gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe kështjellave tuaja të paprekura kundër hovit dhe peshës së gjithë asaj përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amëshuar pranë Perëndisë. Po ashtu ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni lavdërime dhe lavdi të pavdekshme. Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej fames së amëshuar”.

Ky ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të tilla ishin dhe mbeten përmasat e kësaj figure emblematike të identitetit tonë kombëtar, jeta dhe vepra e një figure që arriti të thithte interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri i madh, Kalorësin e Krishtit. / KultPlus.com

42 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

Sot shënohet 42 vjetori i vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bën homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik.

Më pas Presidentja Osmani viziton edhe kullën e familjes Gërvalla.

Ndërkaq, në orën 13:00, Presidentja Osmani vendos kurorë lulesh te busti i Kadri Zekës, në Prishtinë.

Ndryshe vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 42 vite më parë në Shtutgart të Gjermanisë. As pas mbi katër dekada, vrasja e tre veprimtarëve shqiptarë nuk është zbardhur.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kishte ndodhur në Gjermani, teksa nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre persona dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit po luftonin mes tyre./rtk/KultPlus.com

Kurti kujton Ivanoviqin: Vrasësit e tij akoma enden të lirë në Serbi

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar politikanin serb, Oliver Ivanoviq, në gjashtëvjetorin e vrasjes së tij.

Ai, me anë të një postimi në platformën X, ka thënë se vrasësit e tij enden akoma të lirë në Serbi.

“Oliver Ivanoviq ishte aktiv gjatë të dyjave: luftës ’98-‘99 dhe dëbimit të shkurtit të vitit 2000 të mijëra shqiptarëve nga veriu. Beogradi i frikësohej atij si dëshmitar i mundshëm i EULEX-it. Sot, 6-vjet pas vrasjes së tij në Mitrovicën e Veriut, vrasësit e tij ende enden të lirë në Serbi”, ka thënë Ivanoviq.

Rrethanat e vrasjes së Ivanoviq, duke përfshirë edhe autorët, ende mbeten të panjohura.

Oliver Ivanoviq, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, ishte vrarë më 16 janar të vitit 2018.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash për vrasjen e Ivanoviqit, ku e para ishte ngritur më 2 dhjetor të vitit 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha, kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.

Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u patën deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq ishin në arrati.

Ndërkaq, një aktakuzë e tretë është ngritur në nëntor të vitit 2020, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.

Më 4 dhjetor 2020, u vendos që seanca të shtyhet për një javë për arsye procedurale dhe më 11 dhjetor u shty sërish për një kohë të pacaktuar.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.

Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.

Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.

Kah mesi i vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.

Duke iu drejtuar opinionit, ai tha se Millan Radoiçiq, i cili është lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, “nuk ka lidhje me këtë krim”. K

’Tym cigaresh, buzëqeshje të lehta e sërish tym’

Poezi nga Sibilla Aleramo
Përktheu Aida Baro

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta./KultPlus.com

Nis puna për ndërtimin e qendrës së kulturës në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vënë sot gurthemelin e qendrës kulturore Kult Qendra në Gjilan, e cila kap vlerën e investimit afro 1.2 milion euro.

“Ky objekt i Kult Qendrës që e filluam sot ka qenë mungesë e kahershme e atyre që merren me sferën e kulturës, për artistët e artdashësit. Është projekt tejet me rëndësi për jetën kulturore në Gjilan sepse e kemi vetëm sallën e teatrit si mundësi të vetme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se brenda vitit do të përfundojë objekti, për të vazhduar më pas me inventarizimin.

“Në objektin që do ta ndërtojmë tash në vlerë prej 1.2 milionë euro, përveç hapësirës alternative për teatrin e qytetit me rreth 180 ulëse e me hapësira të veçanta për persona me nevoja të veçanta, është menduar që të krijohet edhe kinemaja e qytetit, ndërkohë që galeria e qytetit do të zhvendoset këtu në një hapësirë prej 400 metra katrorë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për përkrahjen e madhe për këtë projekt, i cili po bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndryshe, projekti vizual i Kult Qendrës është publikuar për qytetarët nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, para dhjetë ditësh./KultPlus.com

Britania e Madhe publikon udhëzuesin e parë ndërkombëtar të sigurisë së IA-së

Një udhëzim ndërkombëtar, i pari në llojin e tij se si të menaxhohet në mënyrë të sigurt inteligjenca artificiale (IA) është publikuar nga organi kombëtar i standardeve në Britaninë e Madhe.

Udhëzimi përcakton se si të krijohet, zbatohet, mirëmbahet dhe përmirësohet vazhdimisht një sistem i menaxhimit të IA-se, me fokus në masat mbrojtëse.

Ai u publikua nga Instituti Britanik i Standardeve (BSI) dhe ofron direktiva se si bizneset mund të zhvillojnë dhe vendosin me përgjegjësi mjetet e IA-së si brenda ashtu edhe jashtë.

Udhëzimi vjen mes debatit të vazhdueshëm për nevojën për të rregulluar teknologjinë me lëvizje të shpejtë, e cila është bërë gjithnjë e më e spikatur gjatë vitit të kaluar pas prezantimit të mjeteve gjeneruese të IA-së, si ChatGPT.

Britania e Madhe zhvilloi samitin e parë global të sigurisë së IA-së nëntorin e kaluar, ku liderët botërorë dhe kompanitë kryesore të teknologjisë nga e gjithë bota u takuan për të diskutuar zhvillimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të IA-së, si dhe kërcënimet e mundshme afatgjata që teknologjia mund të paraqesë.

Këto kërcënime përfshinin përdorimin e IA-së për të krijuar malware për sulme kibernetike dhe madje të qenit një kërcënim potencialisht ekzistencial për njerëzimin, nëse njerëzit do të humbnin kontrollin e teknologjisë./KultPlus.com

‘Blinding Lights’, kënga e parë që ka tejkaluar 4 miliardë transmetime në Spotify

“Blinding Lights” e The Weeknd është bërë kënga e parë që ka tejkaluar 4 miliardë transmetime në Spotify, konfirmoi një zëdhënës i kompanisë për Variety.

Kënga kaloi “Shape of You” të Ed Sheeran si kënga më e transmetuar e të gjitha kohërave në shërbimin e transmetimit të muzikës. Është gjithashtu një nga dy këngët e Weeknd në top 10: “Starboy” i 2016-ës është në vendin e 6-të, me afro 2.5 miliardë transmetime.

Në një deklaratë, kantautori kanadez The Weeknd (emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye) tha: “Unë kurrë nuk do të ndalem së ndjeri i përulur për çdo gjë që krijoj që arrin miliona, e lëre më miliarda!“. Sakaq, këngëtari theksoi se është mirënjohës që kjo këngë i bën njerëzit të kenë dëshirë ta dëgjojnë sërish.

The Weeknd është gjithashtu artisti nr. 1 në Spotify me 113.5 milionë dëgjues mujor, duke kaluar artisten femër më të transmetuar të Spotify në vitin 2023, Taylor Swift, e cila ka 107.7 milionë dëgjues mujor./KultPlus.com

Poezia ‘Vetëm të jesh këtu’ e Jashar Rexhepagiqit dedikuar Fehmi Aganit

Vetëm të jesh këtu

(Kushtuar Fehmi Aganit)

Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.

Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.

Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim. / KultPlus.com

Dua Lipa përmend shqiptarët në revistën botërore “Rolling Stone”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dhënë një intervistë për revistën e njohur “Rolling Stone”.

Lokacionin për zhvillimin e kësaj interviste, Lipa e zgjodhi me gjasë qëllimshëm: restorantin me pronar shqiptar në Los Angeles.

Teksa gazetarja seniore e “Rolling Stone”, Brittany Spanos e përshkruan Dua Lipën dhe paraqitjen e saj për këtë intervistë, ku thotë se e këngëtarja erdhi me flokë në të kuqe të errët dhe dukej për mrekulli, ajo shton se “kjo mund të jetë arsyeja pse pronari, i cili e njeh babanë e saj dhe është gjithashtu me origjinë shqiptare, dërgon një desert gratis”, raporton Klankosova.tv.

“Shqiptarë gjithandej”, i thotë Dua asaj, duke ngritur supet.

Dua në këtë intervistë, e cila u publikua njëkohësisht në të gjitha edicionet e revistës nëpër botë, ka folur edhe për albumin e saj të tretë që pritet të publikohet gjatë këtij viti, por edhe për lidhjet e saj të dashurisë.

Ndërsa ajo është një nga artistet më të transmetuara në botë, ajo është gjithashtu e preferuara e yllit tuaj të preferuar të muzikës rock: kur Elton John nuk e thërret atë për darka luksoze, është Mick Jagger ai që bën lëvizje me të në festën e tij të Krishtlindjes. “Ne patëm një festë të madhe vallëzimi, duke vallëzuar me Mick Jagger në dhomën e tij të ndejës”, thotë ajo duke qeshur.

Lipa është kudo, por shumë kritikë mendojnë se e kanë zbuluar vetëm sipërfaqen e saj. Për të, muzika është një punë – dhe jeta e saj personale mbetet pikërisht ajo. “Më pëlqen të jetoj jetën time, të bëj fotot e mia, të shkruaj këngët e mia”, shpjegon ajo. “Unë nuk jam e interesuar të përpiqem të jem kontroverse ose të bëj diçka për një reagim”.

Dua tregoi se Instagrami është platforma e vetme të cilën e menaxhon ajo vetë.

Lipa po punon shumë tani. Fansat e saj janë duke pritur me padurim albumin e saj të tretë, të cilin e kanë quajtur DL3. Ajo nuk është plotësisht e gatshme të zbulojë titullin aktual, por ndan se është një dedikim i mbushur me psikedelik-pop për kulturën “rave” në Mbretërinë e Bashkuar. Është frymëzuar shumë nga akte si Primal Scream dhe Massive Attack, elementë kryesorë për një vajzë londineze me prirje për vozitje natën vonë nëpër qytetin e saj.

Por Dua është ende Dua, dhe ajo nuk ka humbur asgjë nga e kaluara e saj që e kanë sjellë deri këtu. Ka një ton plane, dhe ajo do t’u japë fansave të saj gjithçka. “Po përpiqem të lëviz me një lehtësi, sikur ‘asgjë nuk është fundi i botës’”, thotë ajo. “Çfarëdo që të ndodhë është pikërisht ashtu siç duhet të jetë”. /KultPlus.com

Margariti: Krenare për gjithë sa bëmë e që do të vijohet

Ish-ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka reaguar pas përfundimit të misionit të saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë së Kulturës. Ministri e cila u shkri, duke u krijuar një e re, ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që do të drejtohet nga ministri Blendi Gonxhja.

Në një postim në rrjetet sociale Margariti e cilëson si një rrugëtim të jashtëzakonshëm punën e saj 5-vjeçare në Ministrinë e Kulturës. Ajo falenderoi kryeministrin Edi Rama që i besoi këtë post, por edhe kolegët dhe strafin e Ministrisë.

Ndër të tjera Margariti i uron suksese Gonxhes në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste”, tha Margariti.

“I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri. Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë”, u shpreh Margariti.

Ajo i uroj suksese ministrit Blendi Gonxhja në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /ATSH /KultPlus.com

Osmani ngushëllon familjen Gashi: Dëshmoi përkushtim, la gjurmë të pashlyeshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit të gazetarëve dhe shkrimtarëve për ndarjen nga jeta të gazetarit e shkrimtarit Adem Gashi.

“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit e shkrimtarit Adem Gashi. Ai dëshmoi përkushtim për fjalën e shkruar, ndaj la gjurmë dhe trashëgimi të pashlyeshme në fushën e krijimtarisë letrare, duke bërë që disa nga tekstet e tij të shndërrohen në këngë ikonike. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit të gazetarëve dhe shkrimtarëve! I përhershëm qoftë kujtimi për Adem Gashi!”, ka shkruar Osmani.

Shkrimtari Adem Gashi, i lindur më 18.10.1953 në Nekoc të Gllogocit. Në vendlindje Gashi u varros sot në ora 15:00 në prani të familjarëve e miqve të tij. /KultPlus.com

Dua Lipa do të performojë në ndarjen e çmimeve, “Grammy Awards 2024”

Dua Lipa, Billie Eilish dhe Olivia Rodrigo janë zbuluar si emrat e parë që do të performojnë në mbrëmjen e madhe të çmimeve, “Grammmy Awards 2024”.

Këngëtaret do të ngjiten në skenë gjatë ceremonisë së 66-të vjetore të ndarjes së çmimeve, e cila do të mbahet më 4 shkurt në “Crypto.com Arena” në Los Angeles, shkruan DailyMail.

Tri këngëtaret janë të parat nga një seri performuesish që pritet të zbulohen nga Akademia e Regjistrimit, me veprime shtesë që priten të njoftohen në javët e ardhshme.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Të gjitha tri artistet janë nominuar për çmime të ndryshme gjatë natës, përfshirë Olivian, 20 vjeeç, dhe Billien, 22 vjeçe, që kanë nga gjashtë nominime.

Dua, 28 vjeçe, e cila tashmë është fituese e tri çmimeve “Grammy” dhe ka performuar më parë gjatë ceremonisë, është e nominuar për çmimin “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Kënga më e mirë e realizuar për Media Vizuele”, për këngën e saj “Dance The Night” nga filmi “Barbie”.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Megjithatë, artistja më e nominuar këtë vit është SZA – emri i vërtetë i së cilës është Solana Rowe. Ylli, 34 vjeç, mori nëntë nominime në total, duke përfshirë çmimet kryesore “Albumi i vitit”, “Regjistrimi muzikor më i mirë i vitit” dhe “Kënga më e mirë e vitit”.

Në këtë mbrëmje të madhe të ndarjes së çmimeve është nominuar edhe këngëtarja tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Ajo konkurron për të marrë çmimin “Kënga më e mirë ritmike e zhanrit pop”, për hitin e saj “One In A Million” në bashkëpunim me David Guettan. /KultPlus.com

Ndoshta ishte puthje

Poezi nga Adem Gashi.

Në buzë më rri një bulë
mbetur nga një puthje
përzierje qumështi e loti tepër e rrallë,
e kush më mirë se buzët ruan një perlë
të mos bëhet dhallë

Mbase e tërë shfaqja s’është tjetër
veçse kujtim i largët,
kujtim i ri në një peizazh me gjethe e shi

Në pyllin poetik me lajthi
lajthitur sherrnajës shtojzovalle
si vetëndëshkim po e ndez një cigare

Humbës i humbur
tymit të saj të platintë,
tymit të saj të zi

Ndoshta vërtet qe puthje
në pezulin e një ëndrre./ KultPlus.com

Dita Botërore e Botuesve të Librave

16 janari njihet botërisht si Dita Botërore e Botuesve të Librave. Kjo ditë është vendosur në nder të botuesve, duke ua njohur atyre rolin e rëndësishëm në shpërndarjen e dijes, ideve dhe promovimit të letërsisë.

Libri i parë i shtypur është prodhuar në Kinë, në shekullin e tetë. Më herët ishin skribët, mjeshtërit e shkrimit, ata që merrnin dorëshkrimet e autorëve dhe nxirrnin kopje të pastra. Shtypi i shkruar u shpik në shekullin e 15-të, duke revolucionarizuar këtë industry dhe duke bërë që librat të prodhoheshin në mënyrë më eficiente dhe me një kosto më të ulët. Tashmë jetojmë në epokën e “e-books”, librave elektronike dhe platformave online, të cilat po bëjnë shpërndarjen e librit, duke sjellë ndryshime të mëdha, në këtë industry.

Sidoqoftë botuesit “klasikë” janë ende të rëndësishëm. Shumë dije nuk do të ishte e mundur të shpërndahej pa ta. Për këtë arsye është vendosur një ditë enkas, për të na kujtuar se dija nuk do të kishte këtë shpërndarje në rang botëror pa botuesit. Institucionet kulturore në këtë ditë, ftohen të organizojnë aktivitete të cilat t’u mësojnë fëmijëve rëndësinë e botimit të librave, përtej atyre shkollorë. Libri është ushqimi shpirtëror i njerëzimit dhe botuesit janë ata që përgatisin këtë ushqim. Për këtë arsye meritojnë respekt dhe kanë një ditë të tyren në rang global. / atsh / KultPlus.com

95 vjet nga lindja e intelektualit, Jashar Rexhepagiqi

Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.

Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.

Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.

Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.

Ai u mor me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988). / KultPlus.com

Përkthehet në shqip libri ‘Empuzion’ i nobelistes Olga Tokarczuk

Ka dalë në shqip një tjetër roman i nobelistes polake, Olga Tokarczuk. Shtëpia Botuese “Papirus” organizoi ditët e fundit në Vlorë promovimin e romanit të ri me titull “Empuzion”. Ky është libri i parë i autores polake Olga Tokarczuk pas marrjes së çmimit Nobel.

Ngjarjet vendosen në vitin e largët 1913, në një sanatorium ku studenti polak Mjeçisllav Vojnjiç lufton kundër tuberkulozit. Përmes fatit të heroit të romanit autorja parodizon, me një stil të sofistikuar, qëndrimet dhe teoritë mizogjene mbi pozicionin dhe rolin e femrës në shoqërinë e asaj kohe.

Romani “Empuzion” është përkthyer nga Astrit Beqiraj.

Olga Tokarczuk është shkrimtare, aktiviste dhe intelektuale polake e angazhuar. Ajo është një nga autoret më të vlerësuara nga kritika dhe më të suksesshme të gjeneratës së saj në Poloni. Në vitin 2019, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë 2018, si prozatorja e parë femër polake për “një imagjinatë narrative që me pasion enciklopedik përfaqëson kapërcimin e kufijve si një formë jete”. Për romanin e saj “Fluturimet”, Tokarczuk u nderua me Çmimin Ndërkombëtar Man Booker 2018./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku për vdekjen  e autorit Adem Gashi: Do të kujtohet si një njeri i cili ka krijuar vepra të cilat janë shndërruar në himne

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen e shkrimtarit dhe poetit Adem Gashi, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Ministri Çeku ka thënë se ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat u shndërruan në himne këngësh dhe që me ëndje do të vazhdojnë të dëgjohen edhe në të ardhmen.

Më poshtë është postimi i plotë i Ministrit Çeku në facebook:

E nderuara familja Gashi,

Me pikëllim e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar, Adem Gashi. Ikja e tij do të lërë mungesë në krijimtarinë letrare por veprimtaria e tij artistike e lënë si trashëgimi do të mbetet referencë për brezat e ardhshëm.

Shkrimtarin Adem Gashi do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri modest, atdhedashës e punëtor të zellshëm, i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat edhe u shndërruan në himne këngësh që me ëndje i kemi dëgjuar dhe do t’i dëgjojmë edhe në të ardhmen.

Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm letërsia shqipe, por e gjithë bota letrare ka humbur një prej figurave emblematike dhe frymëzuese.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com

Muhamedin Kullashi publikon librin që dokumenton diplomacinë me Francën

Akademiku Muhamedin Kullashi ka publikuar librin “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë 2008- 2016”, i cili vjen si dokumentim i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, ai, ka thënë se si ish-ambasador i Kosovës në Francë, ai ka përmbledhur rrëfimet e politikanëve, takimet e ngjarjet e ndryshme të delegacioneve diplomatike në Paris.

“Edhe shënimet edhe kujtesa më kanë shërbyer për librin. Kanë qenë takime të rëndësishme edhe për mua edhe për ministrinë tonë. Komunikimi me këto përfaqësi e institucione të ndryshme franceze kanë qenë të rëndësishme”, ka thënë ai për mënyrën e të shkruarit të librit.

Kullashi tutje ka treguar edhe për takimet të cilat kanë qenë të realizuara me qëllimin e njohjes së Kosovës, të cilat janë të përfshira në libër, transmeton RTKlive.

“Viti 2008 lidhet me Pavarësinë e Kosovës. Ne e kemi njohjen nga Franca menjëherë një ditë pas shpalljes. Kjo është shprehje e mbështetjes nga presidenti dhe diplomacia franceze në atë kohë, kjo ka qenë e re sepse Franca ka pasur marrëdhënie tradicionale shumë të mira me Serbinë. Por luftërat në Ballkan kanë shkaktuar disa ndryshime në orientime dhe qëndrime”, ka thënë tutje Kullashi./rtk/KultPlus.com

Sonte koncerti i Ansamblit Popullor, me pjesë nga traditat më të bukura shqipe

Sot, në TKOB do të vihet në skenë shfaqja e Ansamblit Popullor, “Jehona jone”. Nga Çamëria në Kosovë e nga Bregu në Korab, publiku do të mund të përcjellë traditat më të bukura shqipe, këngët, vallet, vajet e gëzimet, të cilat do të vijnë të interpretuara mjeshtërisht nga artistët e Ansamblit Popullor, mbrëmjen e sotme.

“Ndër shekuj, jehona e isos së Jugut, tupanit të Veriut e këngët majë krahi kanë lajmëruar lajme të gëzuara e të trishta. Kjo ishte mënyra se si populli ynë komunikonte dikur”, shkruhet në publikimin e bërë nga TKOB në rrjetet sociale.

Koncerti “Jehona jonë”, vjen si lajmërim i ditëve të bukura të vitit te sapoardhur dhe do të kumbojë në skenën e TKOB-së nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Solistë të këtij koncerti të veçantë do të jenë: Denisa Gjezo, Iris Bega, Aranit Hoxhaj, Lekë Pecnikaj, Avni Miraka etj./atsh/KultPlus.com