Në mbrëmjen e 26 Janarit, në ambientet e KultPlus Caffee Gallery është bërë hapja e ekspozitës “Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë”, ku u shfaqën 22 vepra grafike nga tetë artistë, shkruan KultPlus.
Veprat e ekspozuara trajtonin tematika të ndryshme, duke përfshirë emocionet e hidhërimit dhe gëzimit, si dhe elementë të floras dhe faunas. Këto krijojnë një kombinim të veçantë që i jep një pamje të përsosur ambientit të galerisë.
Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh e lumtur për bashkëpunimet e shumta në aspektin e organizimit dhe mbështetjes së ekspozitave të ndryshme, veçanërisht në përkrahjen e të rinjve.
“Bashkëpunimi mes profesorëve dhe studentëve gjithnjë tregon që është një dorë që e ndihmon rininë për me i kyç në projektet e ardhshme. Kjo është ekspozita e parë e artistëve dhe është kënaqësi edhe për mu që këto punime të tyre janë shfaqur për herë të parë këtu, në një ekspozitë kolektive. Falënderime për kuratorin rreth bashkëpunimit, derisa KultPlus Caffee Gallery vazhdon të jetë bashkëpartnerë i shumë ekspozitave të të rinjve”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, kuratori dhe profesori Basri Mekolli rrëfeu se ideja për hapjen e kësaj ekspozite kishte lindur më herët dhe ishte i lumtur me realizimin e saj.
“E kom emëru Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë për arsye që me iu dhënë një mundësi të rinjve tanë, studentëve, që pasi të dalin prej studimeve, të kenë diku një hapësirë për të ekspozuar punën e tyre, sepse shumica e punëve ju mbesin nëpër shtëpi, nëpër atele dhe njerëzit nuk kanë rastin ta shohin, kështu që në bashkëpunim me KultPlus, kemi bërë këtë hapësirë për të ekspozuar punimet të studentëve”, tha ai.
Sipas Mekolli, kjo është një mundësi për artdashësit me i pa punët e studentëve që i kanë realizuar.
“Në këtë edicion të parë marrin pjesë grafistë të cilët tashmë e kanë përfunduar grafikën edhe pse konsiderohen grafistë të rinj. Këtë ekspozitë e kanë realizuar këto krijimet e tyre grafike me tematika të ndryshme. Kryesisht ka tematika të llojit odës së brendshme të secilit prej neve, ku kanë përshkurar momente nga përditshmëria e tyre, gjendja emocionale, dikush ka paraqitur ndjenja hareje e gazmore, e dikush tjetër mllefin, përmbytjen, një zhgënjim të mundshëm momental, apo një situatë të caktuar. Një grup tjetër më i vogël ka diçka tematika nga flora dhe fauna, ose nga pjesë të ndryshme të fshatit, apo një peizazhi. Këto dy tematika ndodhen në këtë ekspozitë”, tregon tutje profesori.
Një moment shumë interesant që u tha në këtë ekspozitë ishte pjesa sesi këta artistë të rinj, dikur nuk ia kishin idenë se si të realizohej një punim më i thjeshtë.
“Duhet të cekët një fakt, unë i kam pasur këta studentë për 4 vite, mirëpo në fillimet e veta, asnjëri prej tyre nuk ka ardhur nga ndonjë shkollë e artit profesionale, të gjithë ishin nga gjimnaze të ndryshme, dhe nuk e dija se si do t’i përfundoja 4 vite me ta. Ndërkohë, këta kanë arritur një rezultat të shkëlqyeshëm në fund, është një gjeneratë që dallohet”, tha kuratori e profesori Mekolli.
Të gjitha veprat e ekspozuara janë të krijuara në teknikën e grafikës në bakër, duke kaluar nëpër procese të ndryshme për të arritur në finalizimin e tyre.
Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Almira Hoxhaj, Arbenita Kuliqi, Ardiana Vishi, Besiana Muhadri, Dafina Maxharraj, Denis Gashi, Drita Blakqori, Festim Matoshi, Lirije Jashari dhe secili shfaqi të paktën nga një vepër me veçanti e stil.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë. /KultPlus.com
Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.
Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.
Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.
Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.
Ai u morr me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988).
Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.
Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.
Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.
Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.
Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:
Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.
Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.
Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com
Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.
Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.
Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.
Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.
Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.
Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com
Planetët jashtë diellit që mund të mbështesin potencialisht jetën janë zbuluar nga astronomët duke përdorur të dhëna nga Sateliti i Sondazhit të Ekzoplanetit në Tranzicion (TESS) të NASA-s.
Në fakt, janë identifikuar 85 ekzoplanete, të ngjashme në madhësi me Jupiterin, Saturnin dhe Neptunin, të cilët “mund të jenë në zonën e duhur të temperaturës për të mbështetur jetën“, tha profesori Daniel Bayliss, i Universitetit të Warwick.
Sipas SkyNews, 65 nga 85 ekzoplanetet janë zbulime të reja, ndërsa 25 janë identifikuar së fundmi nga grupe të pavarura kërkimore.
Studiuesit thonë se disa nga këta planetë janë mjaft larg nga yjet e tyre pritës, saqë mund të jenë në temperaturën e duhur për të mbështetur jetën. Kjo njihet si “zona e Chrysomallousa” ose “zona e banueshme”.
Gjetjet e studimit u publikuan në revistën Monthly Notices Of The Royal Astronomical Society.
Në këtë fazë, gjetjet do të duhet të konfirmohen nga NASA, gjë që ndoshta do të bëhet në vëzhgimet e ardhshme./alsatm/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit, ditë kjo që i referohet vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti ka publikuar disa fotografi në rrjetin social facebook në të cilat shihet familja hebreje Altarac, e strehuar në Prishtinë 1941-‘42.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:
Data 27 janar është e shenjuar botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit! Ajo i referohet 27 janarit të vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni.
Në fotografitë e mëposhtme, shihet familja hebreje Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjësh të tjerë në vitet 1941-‘42. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët.
Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjëve.
Një relike e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7 vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar “Kujtimi nga Shqipnia” dhe shqiptarët në historinë e trishtë të Holokaustit.
Plot 55 vite më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët, tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.
Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur!/KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ditën e sotme në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti me temë “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.
Ministri Igli Hasan vlerësoi rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa u shpreh se evente të tilla shërbejnë për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik, etj.
“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, tha ai.
Hasani tha se “sot, në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë”.
Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit. Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, vijoi ai.
Këto hapa e të tjera masa si këto, nënvizoi kryediplomati shqiptar, janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë tonë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi.
“Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjithë ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot”, deklaroi ministri Hasani.
Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, u shpreh se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa theksoi se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se duhet bërë çmos që historia mos të përsëritet.
Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve.
Në mesin e materialeve të përzgjedhura u ekspozuan informacion mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923, ku hebrenjtë evidentohen të jenë 90 banorë; korrespondencë ndërmjet legatave shqiptare në Paris dhe në Londër me Mbretërinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare mbi mundësinë e instalimit të kapitalistëve hebrenj (polakë dhe zvicerian) në vendin tonë si dhe informacion i ardhur nga Legata Italiane më dt. 06.12.1938 prej nga ku citohet se: “Mbreti Zog është në tratativa për lejimin e 500 familjeve hebrenje të vendosen në Myzeqe”. Komiteti hebraik i Nju Jorkut merr përsipër ndihmesën financiare për këtë veprim kundrejt Mbretërisë Shqiptare.
Gjithashtu, u publikua vendim i Këshillit të Ministrave i datës 28.1.1939, i cili u lejon shtetasve me etni hebraike qëndrimin apo edhe shtyrjen e vizës turistike shqiptare, listë e pjesshme e rezidentëve hebrenj të ndodhur në Tiranë si dhe lista e hebrenjve të ardhur nga Prishtina në lokalitetet e Krujës, të Shijakut dhe të Kavajës./atsh/KultPlus.com
Futja e teknologjive shëndetësore të bazuara në inteligjencën artificiale mund të jetë “e rrezikshme” për njerëzit në vendet me të ardhura më të ulëta, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të ri. Është e rëndësishme që përdorimi i teknologjisë në zhvillim të mos formësohet vetëm nga kompanitë e teknologjisë dhe ato në vendet e pasura. Nëse modelet nuk trajnohen për të dhënat nga njerëzit në vende me burime të pamjaftueshme, algoritmet mund t’i shërbejnë keq asaj popullsie, thotë OBSH.
– Gjëja e fundit që duam të shohim si pjesë e këtij hapi përpara me teknologjinë është të zgjerojmë ose përforcojmë pabarazinë dhe paragjykimet në strukturën sociale të vendeve në mbarë botën – thotë Alain Labrick, drejtor i shëndetit dixhital dhe inovacionit në OBSH.
OBSH lëshoi udhëzimet e saj të para për AI në shëndetësi në 2021. Por fuqia në rritje dhe disponueshmëria e teknologjisë e shtyu organizatën t’i përditësonte ato pas më pak se tre vjetësh. Modelet e AI mund të krijojnë shënime klinike, të plotësojnë formularë dhe të ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë dhe trajtojnë pacientët. Disa kompani të kujdesit shëndetësor po zhvillojnë gjithashtu mjete specifike të AI.
Mbrojtja e shëndetit publik
OBSH thotë se udhëzimet e saj, të nxjerra si këshilla për vendet anëtare, synojnë të promovojnë dhe mbrojnë shëndetin publik. Në një skenar të rastit më të keq, organizata paralajmëron një “garë deri në fund” globale ku kompanitë duan të jenë të parat që lëshojnë aplikacione, edhe nëse ato nuk funksionojnë dhe nuk janë të sigurta. Kjo nga ana tjetër rrit mundësinë e “kolapsit të modelit” dhe një cikël keqinformimi në të cilin modelet gjuhësore të trajnuara për informacione të pasakta ose të rreme shkatërrojnë burimet publike të informacionit, siç është Interneti.
Përfshirja e komunitetit akademik
Menaxhimi i këtyre mjeteve të fuqishme nuk duhet t’u lihet vetëm kompanive të teknologjisë, paralajmëron organizata. Qeveritë e të gjitha vendeve duhet të punojnë së bashku për të rregulluar në mënyrë efektive zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale. Dhe shoqëria civile dhe njerëzit që marrin kujdes shëndetësor duhet të kontribuojnë në të gjitha fazat e zhvillimit dhe zbatimit të teknologjisë, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe rregullimin e tyre.
Duke pasur parasysh kostot e larta të trajnimit, zbatimit dhe mirëmbajtjes së programit, OBSH paralajmëron për rreziqet e “kapjes industriale” të zhvillimit të teknologjisë. Ka prova në rritje se kompanitë më të mëdha po i turbullojnë universitetet dhe qeveritë në kërkimin e AI, thuhet në raport.
Verifikimi i pavarur
Udhëzimet nga organizatat shëndetësore rekomandojnë që palët e treta të pavarura të kryejnë auditime të detyrueshme të modeleve gjuhësore të përdorura. Auditime të tilla duhet të vlerësojnë se sa mirë mjeti mbron të dhënat dhe të drejtat e njeriut, shton OBSH, e cila po i shtyn zhvilluesit e teknologjisë që të kalojnë të njëjtin lloj trajnimi për etikën si profesionistët mjekësorë. Qeveritë, sugjerojnë ata, mund t’u kërkojnë zhvilluesve të regjistrojnë algoritme të hershme për të inkurajuar publikimin e rezultateve negative dhe për të parandaluar paragjykimet dhe reklamat./alsatm/KultPlus.com
KultPlus ju sjell sot 15 citate të Paulo Coelho mbi dashurinë, jetën dhe miqësinë:
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur arritjen e një ëndrre: frika nga dështimi.”
“Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë.”
“Dhe, kur ju dëshironi diçka, i gjithë universi punon për t’ju ndihmuar ta arrini atë.”
“Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë.”
“Cila është gënjeshtra më e madhe në botë?… Është kjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne humbasim kontrollin e asaj që po na ndodh dhe jetët tona kontrollohen nga fati.”
“Dy provat më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me atë që hasim.”
“Çdo gjë që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më kurrë. Por gjithçka që ndodh dy herë do të ndodhë me siguri për herë të tretë.”
“Nëse e doni dikë, duhet të jeni të përgatitur për ta lënë te lirë.”
“Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që dëshiron.”
“Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato.”
“Nëse filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbisni dëshirën tuaj për të punuar për ta arritur atë.”
“Disa gjëra në jetë thjesht duhen përjetuar – dhe nuk shpjegohen kurrë. Dashuria është një gjë e tillë.”
“Kur dashurojmë, ne gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur ne përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka rreth nesh bëhet gjithashtu më e mirë.”
“Është mundësia për të realizuar një ëndërr që e bën jetën interesante.”
“Një është i dashur sepse dikush është i dashur. Nuk nevojitet asnjë arsye për të dashuruar./ KultPlus.com
Nexhmije Pagarusha konsiderohet mbretëresha e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.
Gjtë veprimtarisë së saj 40 vjeçare, ka regjistruar mbi 150 këngë, ndër të cilat “Baresha’’ është kënga me të cilën ajo mori epitetin mbretëreshë e muzikës shqiptare.
Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Kur një ditë të kthehesh ti’:
Fjalët tua aq të rrejshme, qenë të vrazhda për me zgju dashninë time, As qe ditën mem ngushllue, as në çastet kur për ty unë sytë i meksha
Fjalët tua aq të vrazhda s`qenë në gjendje me pajtue zemrën time ishin vetëm sytë e tue asgjë tjetër nuk na lidhte
ref…
Kur një ditë të kthehesh ti, i përbuzur nga të gjithë, dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit Mos kerko strehim te unë se ngrohtësia në shpirtin tim ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti dhe e kupton se je fajtor se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni dhe çkado qe tash premton është shumë vonë për shpresën tone për urrejtje dhe dashni për ne të dy
Çdo mesnate unë të shoh në andërr gjoja se po fle pranë meje si dikur Çdo mesnatë me zgjon kujtimi se më lodhi dashuria me këto andrea Qdo mesnatë un të shoh ne andërr si largohesh ti i heshtur pa buzëqeshje
Fjalët e fundit janë për ty sytë e mi janë tuj lotu
ref…
Kur një ditë të kthehesh ti, i përbuzur nga të gjithë, dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit Mos kerko strehim te unë se ngrohtësia në shpirtin tim ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti dhe e kupton se je fajtor se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni dhe çkado qe tash premton është shumë vonë për shpresën tone për urrejtje dhe dashni për ne të dy./ KultPlus.com
“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”
“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”
“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”
“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” / KultPlus.com
Rosela Gjylbegu është një prej këngëtareve më të pëlqyera shqiptare.
Me zërin dhe stilin e saj të veçantë mori zemrat e publikut që në daljen e parë në skenë, përcjell KultPlus.
Rosela gjithmonë ka ditur të sjellë performancë dhe këngë të fuqishme të cilat e karakterizojnë dhe e bëjnë unike në ndërtimin e një karriere fantastike muzikore.
KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës “Rri me mua” të cilën ajo e këndoi në festivalin ‘Kënga magjike’ 2014:
Gjashtë milionë hebrenj mendohet të kenë shfarosur nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore: Një pakicë e vogël arriti të gjente shpëtim në Shqipëri.
Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, shpjegon sfondin.
Ai tregon se ka gjetur një shënim në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashtme gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, “sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik”.
“Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri”, tha mes tjerash në një intervistë për DW, ambasadori Borchardt.
Intervista e plotë:
Deutsche Welle: Zoti Ambasador, Shqipëria konsiderohet i vetmi vend evropian që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se para Luftës së Dytë Botërore. Nga erdhën këta hebrenj?
Bernd Borchardt: Sipas të dhënave nga Shqipëria, në vitin 1937 kishte 191 hebrenj, ndërsa pas Luftës, ishin rreth 2280. Ekziston një listë nga Ministria e Jashtme gjermane me emrat e 85 familjeve hebreje nga Gjermania e atëhershme, ku përfshihej edhe Austria. Një numër i madh vinte edhe nga ish-Jugosllavia, Serbia dhe nga ajo që sot quhet Maqedonia e Veriut, por dhe shumë nga Kosova.
Deutsche Welle: Si ndodhi, që hebrenjtë zbuluan Shqipërinë si vend shpëtimi?
Bernd Borchardt: Sipas informacioneve të të birit, Mbreti Ahmet Zog i kishte porositur konsullatat dhe ambasadat qysh në vitin 1938, pas pogromit kundër hebrenjve në të ashtuquajturën Nata e Kristaltë, që të gjithë hebrenjve që kërkonin viza në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Evropë, t’u jepeshin viza. Në këtë mënyrë mendohet të kenë mbërritur rreth 400 hebrenj në Shqipëri. Por shumica e tyre vijuan udhëtimin e tyre në Palestinë, në ShBA, e deri në Amerikën e Jugut.
Deutsche Welle: Megjithatë, hebrenjtë nuk u denoncuan as pas ikjes së Zogut, e as pas ardhjes së Gjermanëve. Si e shpjegoni ju këtë?
Bernd Borchardt: E veçanta e Shqipërisë është se nuk ishin vetëm njerëzit që ndihmuan e strehuan hebrenjtë, por edhe qeveria shqiptare, e cila refuzoi t’i dorëzonte nazistëve listat e hebrenjve. Edhe kur italianët kapitulluan, në vjeshtën e vitit 1943, kishte një udhëzim të firmosur nga Ministri i Brendshëm, që kur të vijnë hebrenj nga jashtë, atyre t’u jepen pasaporta shqiptare me emrat që dëshirojnë ata.
Deutsche Welle: Gjermanët e dinin se në Shqipëri kishte hebrenj, përse nuk ushtruan presion ndaj qeverisë kolaboracioniste të asaj kohe?
Bernd Borchardt: Unë kam gjetur një shënim në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashmte Gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik. Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri.
Deutsche Welle: Dhe dy familje u deportuan?
Bernd Borchardt: Po, dy familje u deportuan, prej të cilave mbijetoi vetëm njëra. Sipas hulumtimeve tona, njëra prej këtyre familjeve u tradhtua nga një shqiptar. Familja tjetër ndihej aq e sigurt në Shqipëri, sa nuk kujdesej fare, dilte hapur në rrugë dhe kështu ra në sy të gjermanëve.
Deutsche Welle: Në Kosovë historia ishte pak më ndryshe, apo jo?
Bernd Borchardt: Po, në Kosovë historia është krejtësisht ndryshe. Edhe aty ka pasur shumë kosovarë që kanë shpëtuar hebrenj. Kanë qenë serbë, shqiptarë, romë. Një grua rome pati fshehur një fëmijë hebre nga Kosova. Në Manastirin e Letnicës janë strehuar disa fëmijë. Por nga shënimet e ushtarëve të Vermahtit ka dëshmi për dëbimin e më shumë se 1000 hebrenjve nga Kosova. Shumica u deportuan në Bergen-Belsen. Një numër i madh u dërgua në Vjenë. Kishte një kamp në qendër të qytetit të Vjenës që quhej “Kampi i shqiptarëve”. Ato ishin viktima të divizionit Skënderbeu. Ka patur afro 600 deportime nga Kosova. Fati i hebrenjve në Kosovë është hulumtuar pak. Ka disa botime përgjithësuese që janë edhe paksa disi romantizuese kombëtare dhe që supozojnë se hebrenjtë në Kosovë mbroheshin njësoj si në Shqipëri, por kjo nuk është e saj. Por ajo që kemi kuptuar ne, është se numri i shqiptarëve që kanë ndihmuar hebrenjtë është shumë i më i lartë se 78 emrat që ndodhen në Yad Vashem.
Bernd Borchardt është ambasador në pension. Ai ka qenë shef i misionit të OSBE-së në Shqipëri, dhe shef i EULEX-it në Kosovë. Borchardt mbështet prej vitesh një projekt të Organizatës së Studentëve Shqiptarë në Gjermani (OASA) për historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Projekti synon të vetëdijesojë bijtë e migrantëve shqiptarë në Gjermani për historinë e prejardhjes së tyre. /DW/KultPlus.com
Shqipëria turistike është promovuar edhe në pavionin e Amerikës së Jugut gjatë panairit ndërkombëtar “FITUR” në Madrid.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale edhe eksperiencën e turistëve që e kanë vizituar Shqipërinë dhe sërish do të rikthehen për të shijuar bukuritë tona.
Rama u shpreh se ata janë shembulli më i mirë i një etape krejt të re për turizmin shqiptar si kartëvizitë prestigjioze e prezantimit të Shqipërisë në botë dhe si motor zhvillimi ekonomik gjithashtu.
“Shpresoj vërtetë që Shqipëria të jetë udhëtimi im i ardhshëm, sepse sa më shumë shoh nga Shqipëria, aq më shumë dua të shkoj, sidomos në malet e saj të mrekullueshme”, u shpreh një i ri.
Një tjetër turiste e huaj konfirmoi se do të udhëtojë drejt vendin tonë këtë verë, e interesuar veçanërisht për plazhet, zonat arkeologjike dhe trashëgiminë e qyteteve historike.
“Ne u dashuruam nga udhëtimi në Shqipëri sepse na u duk një destinacion shumë i bukur, me qytete të mrekullueshme si Berati. Ne pëlqyem shumë Alpet shqiptare, ishin pjesa ime e preferuar, por edhe plazhet në jug ishin te mrekullueshme. Kështu që ju rekomandojmë të vizitoni Shqipërinë”, u shprehën dy turistë të tjerë.
Një tjetër i ri u shpreh se ka qëndruar në Shqipëri për tre muaj si nomad dixhital dhe për të Shqipëria është kthyer në një vend të preferuar, me natyrën autentike të paprekur, të egër në veri, por edhe me ushqimin gjithashtu.
Përveç ushqimit, natyrës dhe plazheve, një çift të rinjsh vlerësojnë po ashtu Tiranën me jetën e saj të natës./atsh/ KultPlus.com
Ata erdhën n’Shkoder n‘pranverën e vjetit 1993. Doreen Klemens, grueja e atdhetarit shkodran Anton Logoreci, gazetare n’nji revistë prestigjioze angleze e djali i saj Philipi, pedagog i Kimisë e Biologjisë n’Cambridge. Për shumë dekada familja londineze nuk u lejue me vizitue Shkodren, aq sa Antoni 83 vjeçar mbylli sytë i dishruem pa takue t’dashtunit e tij.
Mbasi shuen mallin me familjarët e vizituen vendet ma t’bukura t’Shkodres, miqtë, patën shumë takime t’organizueme nga parija e qytetit n’nderim t’tyne. N’diten e tretë, me krye nji amanet t’ndjerit Anton, m’kërkuen me takue z. Qazim Dërvishin.
Atë kohë Qazimi 85 vjeçarë jetonte me t’birin n’nji pallat t’vjetër n’Parrucë e kur shkuem po na prit’te me interesim. Ishim 4 vetë. Dy londinezët, unë dhe përkthyesja. I moshuemi dukej shumë i tensionuem mbasi me Anton Logorecin kjenë shokë, studentë e bashkëqytetar n’shkollën amerikane t’Fultzit. Te dy, shumë t’talentuem, por edhe t’preferuemit e drejtorit Harry Fultz, i cili i vlersonte për disiplinen, inteligjencen e rezultatet e shkëlqyeshme.
Edhe pse Antoni, si drejtues i seksionit shqip t’BBC-së, dinte gjithshka për Shqypninë, familjarët e tij, por edhe kush jetoj larg Shqypnisë, nuk arrijshin me besue vuejtjet e shqyptarëve prej diktaturës. Kur prej pamundësisë kërkojshim prej tyne ndoj ilaçë apo ndihmë ekonomike, ato nuk mund t’kuptojshin vorfninë ekstreme e pamundësinë tonë me pasë gjanat elementare. Zotni Qazim-, ju luta t’moshuemit me përvujtni e respekt, – a mundesh me i tregue zojës Doreen se çka ndodhi me ne gjithë kto vjet? Jam mundue me ja përshkrue, por ajo nuk mundet me i kuptue e as me i pranue ato çka i tregoj.
Z.Qazimit ju mbushen sytë e tuj u dridhë prej emocionit, me nji anglishte t’zhdërvjedhët ju drejtue mikes angleze:
E dashtun zojë, përjetuem ferrin. Vendi ishte nji burg i madh. Vrau e përndoqi shqyptari shqyptarin, lene mandej kalvarin e intelektualve, e sidomos per ne që studjuem n’shkolla t’hueja. M’arrestuen e m’masakruen n’hetuesi vetëm se isha student i shkollës amerikane, e jo vetëm mue, por shumicën e studentve edhe pse ishin atdhetar e puntorë t’mirë, ….. – e tuj u dridhë prej emocionit e moshës, vazhdoj: – po t’tregoj nji rast e ke me kuptue mizorinë e sistemit ku jetuem. N’ditët e para t’burgut, n’hetuesi, për me pranue e firmosë çka hetuesi donte, ai përdori metodat ma shtazore që nuk i koncepton truni i njeriut normal. M’patën lidhë për kambësh me litar, me krye poshtë, n’nji pemë n’oborrin e burgut, afër nji grope që t’burgosunit e përdorshin për nevojat përsonale, tuj m’lanë me orë ashtu t’varun. N’ditën tjetër, hetuesit i kishte “punue” mendja ma “hollë”, e urdhnoj me m’varun për kambësh, por jo ma vetëm, po me kufomën e nji priftit katolik që kishte vdek n’tortura nji ditë ma parë. Çka t’tregoj zojë! Na lidhen përball njeni tjetrit e t’gjithë sekrecjonet prej gojës s’kufomës bijshin n’ftyren teme. E nuk i mjaftoj kjo, por e lidhën litarin mbi gropën e fekaleve tuj na lëshue poshtë aq sa prekshim me krye pisdhëkun e nevojtores, – … e ktu trimi ndërpreu tregimin mbasi zoja londineze u trondit e humbi ndjenjat, i ra t’fikët prej çka ndigjoj prej t’masakruemit pa faj, intelektualit shkodranë Qazim Dervishi./ KultPlus.com
Artisti i mirënjohur italian Fausto Leali ka ndezur skenën e teatrit “Petro Marko” me hitet e tij. Për rreth 90 minuta, artdashësit vlonjatë shijuan repertorin e një prej këngëtarëve më të njohur të muzikës italiane në vitet ’60. Vetë artisti u shpreh i mrekulluar nga pritja e publikut.
Një tjetër emër i madh i muzikës italiane në Vlorë. Fausto Leali solli në skenën e teatrit “Petro Marko” për rreth 90 minuta hitet që kanë shoqëruar karrierën e tij dhjetëra vjeçare.
Koncerti i artistit 79-vjeçar u ndoq nga qindra dashamirës të muzikës italiane, të cilët shoqëruan në kor këngët më të njohura të repertorit të tij.
Ky ishte koncerti i parë për emrin e madh të artit Italian në Vlorë, por Fausto Leali thotë se ka mbetur i mrekulluar nga pritja e publikut.
“Publiku ka qenë fantastik. Kam mbetur i mrekulluar. Nëse do te rikthehem? Natyrisht që “Po” bashkë me gruan time. Nuk e di nëse do të vij thjesht për pushime apo të marr një apartament të vogël këtu në Vlorë. Dua t’i falenderoj të gjithë që bënë të mundur këtë organizim dhe këtë koncert në Vlorë”,- është shprehur artisti italian.
Vlerësime, edhe nga qytetarë e artdashës për të cilët ishte një mbrëmje magjike.
“Për moshën tonë është pak më përpara në kohë por këngët e të gjithë këngëtarëve të “Sanremos” për vlonjatët janë si këngët tona popullore të Vlorës. Është një mrekulli që normalisht që kemi herë pas here këngëtarë të këtij niveli”,- është shprehur një qytetar.
“Kënaqësi të kesh një të madh si Fausto Leali në Vlorë. Është një gjë krejt e madhe. Ju e patë vetë çfarë emocioni”,- tha një tjetër.
“Kënaqësia jonë e pafund në skenën e madhe italiane të Vlorës”.
Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha thotë se koncerti i Lealit, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndërsa premton të tjerë emra të njohur të muzikës italiane.
“Mbrëmje spektakolare mund të them unë. Në fakt kjo është në vazhdën e atyre ç’ka ne po bëjmë me të gjithë artistët e mëdhenj italianë. Vlora meriton të ketë këtë lloj vibe njëlloj siç themi siç ne kemi atë programin tonë që e nëmi themi shpesh dhe patjetër të shikosh këta zëra të mëdhenj që na kanë shoqëruar, jemi rritur me këngët e tyre e ku ka më mirë se sa të bëhet realitet”,- është shprehur Dredha.
Me një karrierë dhjetëra vjeçare, Fausto Leali është një nga emrat më të njohur të muzikës italiane dhe simbol i hiteve të viteve ‘60-‘80. Ai është pjesëmarrës dhe fitues i Festivalit të Sanremos.
Për shkak të stilit të tij të ngjirur natyral të të kënduarit, Leali u mbiquajt nga media italiane “Il negro bianco” ,gjithashtu titulli i albumit të tij të vitit 1968.
Më herët, koncerte në Vlorë kanë mbajtur edhe një sërë emrash të njohur të muzikës italiane si “Pupo” dhe grupi “Ricchi e Poveri”/Shqiptarja.com/KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ftuar të gjithë të interesuarit që të aplikojnë dhe insitucionet relevante të artit të propozojnë kandidatët për Çmimet vjetore në Teatër.
Kategoritë:
Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore
4 Çmimet Vjetore për Teatër 2023; shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori/aktorja më e mirë dhe çmimin vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar.
MKRS ka njoftuar që propozimi duhet të përmbajë arsyetimin me shkrim, CV-në e të nominuarit, si dhe materialet tjera përcjellëse./ KultPlus.com
Në fillim të viteve 1930, Heidegger-i nisi të merrej me veprën e Ernst Jünger-it, por të dy autorët do të takohen formalisht vetëm në vitin 1948, në “kasollen” e famshme të Heidegger-it në Todtnauberg. Një vit më vonë, inauguruan një korrespondencë të rregullt, e cila do të zgjaste deri në vitin e vdekjes së Heidegger-it, më 1976
Martin Heidegger për Ernst Jūngerin
Freiburg in-Breslau,
23 korrik 1949
I dashur Herr Jünger, të falenderoj për letrën tënde, e cila është në një vijë me reflektimet e mia. Por së pari më duhet të të kërkoj të mos më thërrisësh më “Profesor”. Ende e mbaj mend lokacionin e shtegut në të cilin kemi folur vjeshtën e kaluar rreth rrezikut të skajshëm që hasin ata që sot përpiqen të merren me atë që është thelbësore; se të durosh vetminë nuk është fshehje, po liria më e madhe. Megjithatë nevoja natyrore për t’i dalë në ndihmë tjetrit menjëherë, për t’i ofruar mbështjetje dhe drejtim, na bën të mundohemi të bëjmë gjëra që më pas dalin të jenë të gabuara, pasi që i mendon më thellë. Prej se Herr Klett dhe Dr. Nebel kanë ardhur të më takojnë, nuk kalon asnjë ditë që të mos vras mendjen rreth këtij projekti. Dëshira për të zbuluar dhe për ta bërë të dukshme në një mënyrë origjinale çka është autentike në traditën perëndimore, të bësh bashkë ata që janp duke pritur, t’i japësh zemër atij që ka nevojë, është magjepsëse. Por, siç e shoh sot shumë qartë, e gjithë kjo po shkon drejt rënies së ngadalshme në një formë të shpëlarë ditari. Tirania e opinionit publik nuk mund të thyhet brenda tij.
Shfaqja e emrave tonë së toku, qoftë edhe nën formën e thjeshtë të një bashkëpunimi të rregulltë, do të shndërrohet në një ngjarje politike që me shumë gjasë do ta lëkundë pozicionin tonë të tashëm të sigurt, ose në fund do ta bëjë lëmsh. Është një shënim postum i Nietzsche për të cilën sigurisht jeni në dijeni, nga koha e Shkencës gazmore, “Venediku është themeluar nga njëqind vetmi të thella së toku – kjo është magjia e tij. Një imazh i njeriut të së ardhmes”*. Më duket se këtu fshihet një normë për poetët dhe mendimtarët e ardhshëm, për praktikën përgatitëse të së cilës me gjasë jemi të përcaktuar. Për këtë arsye mendoj se duhet të tërhiqemi nga ky projekt dhe ta lejojmë fatin e saj të piqet më gjatë. Nuk duhet t’ia hedhim copëzat e fundit etjes së përhershme për hakmarrje, e cila ndërkohë është bërë edhe më dinake; mund të mbesim të pangopur në atë që është më e përshtatshme për ne. Taktika më e mirë mund të mos na ndalë në ndihmë; për një kohë të gjatë kemi qenë të tejkaluar teknikisht. Para pak ditësh, miku im, një refugjat nga Silezia e Epërme i cili jetën me ne, mori një letër nga një emigrant hebre (profesor në ShBA) i cili i shkruante se ai (kjo është, është si të thuash “dikush” [njeriu]) është skajshmërisht në ankth të mësojë se çfarë po ndodh me gazetën e re të Jungerit dhe Heideggerit**. Jam i gëzuar se po ndihesh mirë në Oberschwaben, vend që e dua dhe shpresoj të mund të të vizitoj një ditë aty. Do të shkojmë për në fundjavë në kasolle, e cila nuk është aq rezistuese ndaj motit të lig.
Përzemërsisht, Yti,
Martin Heidegger
Shënime:
*Friedrich Nietzsche, Die Froliche Wissenschaft, in Samtliche Werke, ed.
Giorgio Colli and Mazzino Montinari, Kritische Studienausgabe, vol. 3 (Berlin/
New York: de Gruyter, 1880), 343–651.
**Referencë me gjasë në Hans Jonasin (1903–1993), student i Husserlit
dhe Heideggerit, i cili e kishte braktisur Gjermaninë më 1933 për t’u vendosur në Angli e pastaj në Palestinë. Mësimdhënës në Kandana dhe në fund në New School for Social Research në New York City, ai është autor i shumë librave përkitazi me gnosticizmin, teknologjinë dhe psikologjinë e biologjisë.
/Marrë nga M. Heidegger & E. Junger, Correspondence 1949–1975, Rowman & Littlefield International Ltd, 2016 /Përkthimi: Gazeta Express/KultPlus.com
Në tetorin e vitit 2013, përmbledhja me poezi të zgjedhura “Më jepni një emër” e poetit Fatos Arapi, botohej në gjuhën polake nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë. Poezitë u përkthyen nga Mazllum Saneja dhe Eva Smietanska, ndërsa libri u shoqërua me një parathënie të Andrzej Zaniewskit, poet, prozator dhe kritik shumë i njohur në Poloni e përtej saj. Përveç faktit kuptimplotë se ky vëllim i tij në polonisht përbën një njohje të poezisë sonë elitare në një tjetër gjuhë evropiane; përtej rastësisë fatlume se vjen i botuar në tetor, muaj të cilit poeti i këndoi si rrallëkush në poezinë shqipe dhe në të cilin biri i Akrokerauneve nisi fluturimin e tij qiellor; ky vëllim me poezi, përmban një nga studimet më të përkora dhe të thella që i është bërë ndonjëherë poetikës arapiane nga kritika e huaj dhe ajo shqiptare. Në parathënien e librit, me titullin intrigues “Emra të shkëmbinjve që shkëlqejnë në gji”, Zaniewski e vë theksin në shumë aspekte të krijimtarisë së poetit shqiptar, por ne do të ndalemi në dy prej tyre: së pari, në përfundimin se: “… nga poezitë e Fatos Arapit aq shumë kam mësuar për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe së dyti (por, jo nga rëndësia) në përcaktimin shterues se: “… dy forca, dy vektorë të qartë etikë vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e jetës dhe një nevojë e pamposhtur e lirisë”.
Që të mësosh nga një poet apo shkrimtar i përkthyer në një gjuhë të caktuar, për fatin e kombit të tij, është padyshim privilegj, jo vetëm i talentit të përveçëm poetik (truall letrar ku shumë janë të thirrurit dhe fare pak të zgjedhurit), por edhe një mision i shenjtë shpirtëror për ta mbartur atdheun kudo me vete, si Atlasi qiellin e tij. Është padyshim kjo lloj mbartjeje e atdheut dhe nevoja e pamposhtur e lirisë, një ndër shumë arsyet që do ta kenë shpënë kolegun tjetër ballkanas të Fatosit tonë, pikërisht poetin dhe studiuesin maqedonas Anté Popovski, që të arrijë në gjykimin se: “Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX”. Vertikalja morale e poezisë së Arapit, vjen me faktin se poeti nuk i këndoi vetëm lirisë dhe jolirisë së atdheut të tij në epoka të ndryshme, por se nocionin liri ai e pa në shumë dimensione, ku njëra prej tyre ishte liria e popujve. Gjatë krijimtarisë së shtrirë në gjashtë dekada, poeti eci dorë për dore me tragjeditë e shumë popujve, u këndoi himne lirie tiranive të qytetërimeve të lashta dhe atyre moderne. Qe si një lloj ushtari i rrëzuar në fushën e betejave të pakohshme për liri, ku hordhitë e çmendura të bijve të errësirës ngjishnin hapat e tyre të komanduar prej frymës së ndotur të tiranëve.
o unë vij e mbledh rrënojat. dhe me duar të dhimbjes sime asgjësimin ngre në këmbë. Mu në zemër të njeriut ngrita shtatoren e dhimbjes. (Exegi monumentum)
Poeti i ngre një shtatore dhimbje edhe holokaustit nazist në vende të ndryshme të Evropës. Pjesa dërrmuese e poezive për tragjedinë e popullit hebre dhe popujve të tjerë janë përfshirë në përmbledhjen poetike në gjuhën polake. Janë poezi të mrekullueshme si nga ana estetike, ashtu dhe nga intensiteti i pikëllimës pa cak e zanafillë përpara rrënojave të humanizmit njerëzor. Përmendim poezitë “Dahau” dhe “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” në vëllimin “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Më duhet të takoj Robert Desno-n” në vëllimin “Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999), “Përse të shkosh në Mat’hausen?” në vëllimin “Shëtitje pa veten” (2005) etj. Shohim se dy poezitë e para vijnë të botuara gjatë viteve të diktaturës, ndërsa dy të tjerat në kohën e pluralizmit politik në Shqipëri.
Nga të dhënat historike, mësojmë se Dahau ishte i pari kamp përqendrimi i hapur nga udhëheqja naziste në mars të vitit 1933 dhe shërbeu si model për ndërtimin kampeve të tjera të përqendrimit në Gjermani. Sipas të dhënave të kampit, puna në Dahau ishte aq rraskapitëse, sa viktimat e para humbën jetën tragjikisht në tri javët e para, ndërsa deri në përfundimin e luftës, aty gjetën vdekjen rreth 32 000 të burgosur. Kampi i Dahaut është pra i pari varr masiv i holokaustit hebre të kohëve moderne. E keqja e parë, që do të mbillte të tjerë varre apo varri mëmë. Prandaj dhe Arapi e përfytyron Dahaun si një varr shëtitës.
Nga dita në ditë, nga viti në vit. Varr që ecën udhëton, Dahau. (Dahau)
Çfarë e pikëllon poetin tonë përtej ndodhisë së tmerrshme? Padyshim se e keqja që ka zënë rrënjë dhe papritmas nuk vjen në përfytyrimin e një varri të ngulitur në një tokë, por si një varr shtegtar që mund të shfaqet papritur në horizontet e një tjetër populli. Ecën e udhëton njeriu, por jo varri i tij. Një varr udhëtar papritur do të ngjallet dikur diku dhe do të gëlltisë të tjerë njerëz. Një varr udhëtar tregon se apeli për humanizëm nuk ka nevojë vetëm për fjalë, por për veprime që e çrrënjosin të keqen me themel. A nuk u shfaq ky varr shëtitës në Ukrainën e sotme, ku mijëra jetë të pafajshme u gllabëruan prej ditës në ditë? Poezitë që Arapi i thur holokaustit hebre marrin vlerë edhe për holokaustet e tjerë që kemi përpara syve. A nuk tingëllon poezia “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” si një vaj për një vajzë të vogël ukrainase nëse do ta hiqnim emrin e Anës dhe do ta zëvendësonim me emrat Alona, Antonina, Maryna, Mikhaila? Tek emri i Anës fundosen gjithë tragjeditë njerëzore, të kohëve të shkuara dhe të kohëve të tashme, të kohëve të lashta dhe të kohëve moderne. Edhe poeti shqiptar që i shkruan këto vargje ka gjithashtu një varr ende të pazbuluar në makthet dhe në shpirtin e tij: varrin e të vëllait, Vllasit, kujtimi i të cilit dhe i mijëra të vrarëve të tjerë, i të zhdukurve pa nam e nishan apo i të burgosurve politikë në burgjet e atdheut, e bën që ta ndiejë dhimbjen e popullit hebre, njësoj si dhimbjen e tij. Ndaj flet për varre të gjalla që enden në kujtesën e njeriut si fantazma ndjellakeqe.
Ka një emër të thjeshtë gjer në dhimbje … E merr në duar, e kundron … e së largu ndjen se si tek ty gjithë tragjeditë njerëzore fundosen e kridhen … Një emër njeriu – Ana Franku (Dedikim në ditarin e Ana Frankut).
Në qytetin e dashurisë, në Paris, Arapi nuk mundet ta gjejë dot udhën për te dashuria e tij, pa iu përfalur së pari Robert Desnos. Robert Desnos (1900-1945) është poet i shquar surrealist francez. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Desnos ishte anëtar i Rrjetit Francez të Rezistencës dhe botonte shkrime me pseudonime të ndryshme, derisa ra në sy të Gestapos dhe u arrestua më 22 shkurt 1944. Vuajti dënimin në kampet gjermane të përqendrimit në Aushvic, Buchenwald dhe në fund në Terezín, ku edhe vdiq nga ethet e tifos një muaj pas çlirimit të kampit. U shua në Malá pevnost, pjesë e brendshme e Terezínit, e cila përdorej vetëm për të burgosurit politikë. Si mundet dikush të mos humbasë një Paris të tërë, një dashuri të tërë në Paris, nëse i shmanget takimit me poetin profet të Lirisë dhe dashurisë? Si mundet Arapi të jetë i lirë për të shijuar Parisin dhe dashurinë, nëse më parë nuk bekohet prej këngëtarit të dritës Robert Desno, i cili u përpoq për një Paris pa pranga tiranie, për një qytet pa hije vdekjeje nëpër shpirtrat e njerëzve. Prandaj shpirti i poetit shqiptar është i paqetë në qytetin e dritave, i paplotë derisa ende s’ka takuar Prometeun e Lirisë.
Më duhet të takoj Robert Desno-n, në Paris. Ai është i vdekur, as unë s’jam i gjallë.
…
Ai është hije, as unë s’jam i vërtetë.
…
Tani më duhet prej territ tim, të krijoj e ta ndez diellin. Dhe me diellin tim në dorë, të hyj në jetën e Saj. (Më duhet të takoj Robert Desnon)
Ky takim i një poeti të gjallë e rrugëhumbur në kryeqytetin e dashurisë (Sepse i humba të gjitha rrugët), me një poet të vdekur, kryqëzuar e torturuar nga tiranët e lirive, që deri në çastet e mbrame të jetës e mbrojti me guxim të paepur të dashurën e vet, shndërrohet në alegorinë e lirisë së trashëguar nga një brez në tjetrin, nga një popull në tjetrin. Liria si kusht ekzistence, liria si mirënjohje ndaj shpirtrave të ndritur të heronjve që dhanë jetën për të. Liria si testament drite nga ati te bijtë. Robert Desno është poeti at i dritës. Arapi është biri poet i po kësaj drite. Me shkëndijën e diellit të Desnos, poeti shqiptar do të ndezë diellin e territ të tij të dashurisë. Për të qenë i gjallë, për të qenë i vërtetë dhe pikërisht kjo e vërtetë do ta bëjë të lirë në kërkimin e tij në qytetin e dritave.
Poezia “Përse të shkosh në Mat’hausen” trajton çështjen e holokaustit shqiptar nën pushtimin nazist. Holokausti në Shqipëri përbëhej nga vrasje, dëbime dhe krime kundër njerëzimit përkushtuar hebrenjve, sllavëve, romëve dhe minoriteteve tjera në Shqipërinë e Madhe nga gjermanët, italianët dhe forcat bashkëpunëtore shqiptare në kohën kur shteti ishte nën pushtim italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Mauthausen-it ishte një kamp përqendrimi nazist i vendosur pranë fshatrave të Mauthausen-it dhe Gusen-it në Austri. Ky kamp quhej “mulliri i kockave”, pasi Hitleri e shfrytëzonte për të dërguar aty drejt vdekjes armiqtë e tij më të përbetuar politikë. Në mesnatën e 15 marsit 1943, krahas shumë të arrestuarve në vendlindjen e poetit do të ishte dhe mësuesja e Fatosit, zonjushë Zina.
Përse, përse sot në Mat’hausen? Por, çështja është, se Zonjushë Zina, pret atje … Dhe nga pllaka e gurtë tani zgjatet një dorë: një trëndafil, kësaj here, jo i kuq, – i verdhë … (Përse të shkosh në Mat’hausen?)
Poezia mban si datë krijimi 1 qershorin 2004 dhe është shkruar në Vjenë, plot 61 vjet pas arrestimit të mësueses së poetit. Vetë Fatosi ishte 10 vjeç kur nisi lufta më 1939 dhe në vitin 1943, në moshën 14-vjeçare doli partizan, ndërkohë që ishte aktivizuar dhe më parë me lëvizjen çlirimtare. Në mars të vitit 1943, kur mësuesja e tij do të ishte në rrugëtimin drejt kampit shfarosës të përqendrimit, nxënësi i saj luftonte për lirinë e atdheut si partizan. Po ky nxënës, tashmë poet dhe një burrë i thinjur 75-vjeçar ndodhet para Memorialit të Holokaustit shqiptar në Mat’hausen. Trëndafilat e kuq të dashurisë për mësuesen, dhuruar dikur nga kopshtari, i vijnë në kujtesë si trëndafila të verdhë e të zbehtë vdekje. Poezia ka një dramacitet shumë të ngjeshur, sidomos përmes përsëritjes së pyetjes kuptimplote: “Përse, përse sot në Mat’hausen?”. Ajo nuk është pyetje që uni lirik ia drejton vetes, por një pyetje që ia bën lexuesit. Vetëm duke mos e harruar të kaluarën dhe tiraninë e së djeshmes, do të dimë t’i ndërtojmë më mirë udhët e Lirisë. Duke shkuar sot dhe përherë sot në vendet e krimit, përforcohet kujtesa për të mos harruar të keqen. Arapi bën apel, sepse “njeriu s’harron”. Harresa është varr i hapur, ndërsa kujtesa është etje për Jetë dhe Liri! / Epoka e Re/ KultPlus.com
Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.
Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.
I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:
“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.
Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!
Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!
Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.
O perëndi!
Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh tëe ri, kërkesa të reja.”
Drejtori i teatrit “Migjeni” në Shkodër, Arjan Çuliqi ka reaguar sot pas deklaratës së përfaqësuesve të opozitës për shkrirje të këtij institucioni.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në Shkodër i pyetur lidhur me këto deklarata, Çuliqi deklaroi sot se jo vetëm që nuk ka shkrirje, por teatri “Migjeni” po përgatitet për aktivitetet që do të mbahen përgjatë të gjithë vitit 2024.
“Edhe unë kam dëgjuar për shkrirje, por nuk shoh shkrirje, por shoh ngrirje më shumë. Është pak ftohtë këtu, por ne vazhdojmë punojmë, jemi në kulmin e provave të fundit për një shfaqje të mrekullueshme sikurse është “Mbretëresha e Dëborës”, shprehet ai.
Risi e aktiviteteve kulturore që do të organizohen nga teatri “Migjeni” është organizimi i festivalit mbarëkombëtar të humori, që për Shkodrën është rikthim pas 30 vitesh.
Çuliqi ka bërë me dije se aktiviteti do të organizohet në muajin Maj, do të ketë disa grup mosha që do të konkurojnë në disa zhanre humori.
Pjesë e këtij eventi, pritet të jenë edhe aktorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.
“Synimi im është të formohet trupa e varietese me talentet e reja që shumë shpejt do të jenë e ardhmja e humorit në vend”, ka deklaruar drejtori Çuliqi.
Mediet nga qyteti verior bëjnë me dije se me vendim të Këshillit të Bashkisë Shkodër, institucionet kulturore janë përfshirë në një proces ristrukturimi, në të cilat është krijuar një ndërmarrje e veçantë për mirëmbajtjen e tyre me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Objekteve Publike (DPMOP).
Ndërkohë qe menaxhimi i këtyre institucioneve si teatri, galeria, biblioteka, muzeu, vendi i dëshmisë dhe kujtesës, do të vijojë me tagër të drejtuesve të këtyre institucioneve që do të merren totalisht me krijimtarinë artistike dhe kulturore të këtyre institucioneve./ KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ditën e sotme në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti me temë “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.
Ministri Igli Hasan vlerësoi rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa u shpreh se evente të tilla shërbejnë për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik, etj.
“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, tha ai.
Hasani tha se “sot, në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë”.
Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit. Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, vijoi ai.
Këto hapa e të tjera masa si këto, nënvizoi kryediplomati shqiptar, janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë tonë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi.
“Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjithë ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot”, deklaroi ministri Hasani.
Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, u shpreh se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa theksoi se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se duhet bërë çmos që historia mos të përsëritet.
Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve.
Në mesin e materialeve të përzgjedhura u ekspozuan informacion mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923, ku hebrenjtë evidentohen të jenë 90 banorë; korrespondencë ndërmjet legatave shqiptare në Paris dhe në Londër me Mbretërinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare mbi mundësinë e instalimit të kapitalistëve hebrenj (polakë dhe zvicerian) në vendin tonë si dhe informacion i ardhur nga Legata Italiane më dt. 06.12.1938 prej nga ku citohet se: “Mbreti Zog është në tratativa për lejimin e 500 familjeve hebrenje të vendosen në Myzeqe”. Komiteti hebraik i Nju Jorkut merr përsipër ndihmesën financiare për këtë veprim kundrejt Mbretërisë Shqiptare.
Gjithashtu, u publikua vendim i Këshillit të Ministrave i datës 28.1.1939, i cili u lejon shtetasve me etni hebraike qëndrimin apo edhe shtyrjen e vizës turistike shqiptare, listë e pjesshme e rezidentëve hebrenj të ndodhur në Tiranë si dhe lista e hebrenjve të ardhur nga Prishtina në lokalitetet e Krujës, të Shijakut dhe të Kavajës./atsh/ KultPlus.com
Së shpejti vjen shfaqja “Aura” me regji dhe dramatizim nga Anxhela Gaxhazi, shkruan KultPlus.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Altea Lazaj, Kleard Germenji, Arta Muçaj, Katerina Fili dhe Endrit Ahmetaj. Ndërsa, shfaqja po jetësohet në bazë të romanit me autore Kaltrina Pacolli.
Shfaqja do të luhet më 30-31 Janar; 01 Shkurt në Kristal Center (pranë Komunës së Parisit) Tiranë. Shfaqja fillon nga ora 19:00.
Lajmin e ka bërë të ditur autorja e romanit, “Aura”, Kaltrina Pacolli.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Dashamires, dicka e mire po ndodh!
Librin Aura e kam promovu ne Janar te vitit 2020. Para disa dite jane bo 4 vite prej promovimit, dhe ne kete hapesire kohore prej 2020-2024 shume uje ka kalu nen ure!
Une si fmi e kam pas anderr me pas nje liber temin, kam dasht me iu dhuru njerezve, lexuesve emocione shume t’forta kur lexojne dicka temen. E kam mendu qe gjithe vec anderr ka me mbete.
Tash, lexuesit e mi, shoqnia, familjaret, rrethi, njerez qe m’kane pa vec disa here, njerez qe s’m’kane pa kurre, njerez qe vec kane ni dicka per mu, i lexojne ndjenjat e mia ma te thella, mendimet ma te pafolura, neper rreshtat e tre librave te mi.
Gjate veres 2023 kam marre nje thirrje nga Tirana, ku me bene kerkesen per me marre Romanin AURA me e kthy ne nje drame teatrale. Une u pergjigja sikur eshte dicka normale, ama vec imagjinojeni britmen e fmise brenda meje sa e fuqishme u kane!
Kemi muaj qe po punojme ne kete shfaqje, dhe po realizohet! E une, s’kisha mujt me kane ma e lumtur.
Une ju ftoj me qene pjese e shfaqjes ne Tirane, me i ndje bashke me mu keto emocione te forta!
30-31 Janar; 01 Shkurt
Kristal Center (prane Komunes se Parisit) Tirane,
19:00
P.S Mundohu deri n’maksimum me ia plotesu deshirat femijes qe jeton brenda teje! Vetes se pari, pastaj botes. / KultPlus.com
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot regjisoren e njohur shqiptare, Xhanfise Keko (1929-2007), në 95-vjetorin e saj të lindjes.
AQSHF ndau imazhe të mrekullueshme të Fototekës së saj që dokumentojnë jetën pranë filmit e fëmijëve të regjisores së njohur e nderuar me medaljen “Nderi i Kombit”.
Në përkujtim të 95-vjetorit të lindjes së regjisores Xhanfise Keko (1929-2007), programi @KINOjonë do të shfaqë në sallën e kinemasë në AQSHF filmin “Kur po xhirohej një film” (1981).
Me regji të Xhanfise Kekos, kjo dramë me ngjyra tregon historinë e aktorit të vogël Gencit, i cili përjeton stres për shkak të ndarjes së prindërve të tij, ndërsa po xhirohet një film.
Në vitin 1971 Xhanfise Keko nisi xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” që do t’i jepej publikut në vitin 1972. Më tej do të vazhdonin filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë”, film i cili do të vlerësohej me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar; “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Këto filma do ta bënin të njohur dhe të dashur si për publikun e vogël, por edhe atë të rritur.Me këto filma Xhanfize Keko përfaqësoi Shqipërinë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime e tituj, si në “Giffoni Film Festival” në Itali, në Festivalin e Filmit në Beograd, Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane etj.Por edhe në atdhe Xhanfize Keko do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. U vlerësua me “Çmimin e Madh të Republikës”, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit iu dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa 5 vjet më vonë edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”. / KultPlus.com