Të kam pa andërr

Poezi e shkruar nga Drita Ademi.

Të kam pa andërr tuj u mërzitë për mu
tuj më dashtë mu
tuj qeshë me mu dashunisht.

Të kam pa andërr tuj hesht
ulun në nji bankë të një vjeshte tjetër
e malet me thinja e drita mbushte sytë e tu me ar.

Të kam pa andërr tuj të harru
si vdisje në mu, ngadalë, ata sy me ar
e thaheshin ata lisa e shterrej ai lumë
e qanin zanat për atë burrë
qi s`do të lindë n`mu ma kurrë.

Plaku Mujë Loshi, në vitin 1990 flet në aksionin e pajtimit të gjaqeve (VIDEO)

Plaku i urtë Mujë Loshi (sikur fshati i tij Padalishta) u përkiste dy Komunave; Skenderajt dhe Istogut. Ky problem jo pak herë e vuri ne siklet, por në asnjë ndeje a pajtim nuk është vërejtur kurrë.

Dy fshatra; (Padalishta) Pemishtja dhe (Suhogërlla) Syrigana ndahen në dysh nga një lum i vogël. Ato u përkasin dy komunave; Istogut dhe Skenderajt. Sa herë kujtojmë Anton Çetën dhe pajtimin e gjaqeve në Kosovë, me siguri auditorit i kujtohen edhe shumë fytyra pleqsh me plisa, me trup vital, të mençur e të urtë që bënin kolonën e gjatë e të pa fund të krushqve te pajtimit kombëtar. Në mesin e tyre me një fizik të drejtë linte përshtypje një njeri që ia dinte rendin fjalës për të zbutur edhe gurin e për të pajtuar zemrat. Ai ishte vetë Mujë Loshi.

Në këtë video, Mujë Loshi shihet duke folur para qytetarëve në vitin 1990, në Shalë të Bajgores.

Sa herë që rastiste të gjendej nëpër odat e Dukagjinit atë e quanin plaku i Drenicës ndërsa kur gjendej në territorin e Drenicës e quanin plaku i Dukagjinit. Muja, siç ishte, i urtë e i ditur, para çdo ndeje, kudo që gjendej, e studionte mirë odën dhe përbërjen e saj. Kështu urtësia e nxori faqebardhë përherë. Kudo dhe kurdo, kur kishte zënka e mesele të rënda, ai i zbuste me mjeshtri.

Jo një herë, ai ishte mburrur me Xhemail Abrinë dhe me krenari kishte përdorur mendimet e tij për të zgjidhur probleme të ndryshme duke pajtuar gjaqe e ngatërresa. / KultPlus.com

“Zbulohet” kënga fituese e Festivalit në RTSH?

Nga Kozeta Kurti

Hëëëë, u bëtë kuriozë e? E klikuat menjëherë! Madje para se të klikoni, thatë: ah, s’ka për t’u bërë ndonjëherë ky vend. Gjithmonë kështu ndodh. Shiten për pak gjë etj etj.

Ju kujtohem unë? Unë jam Kozeta Kurti, që dhjetë muaj më parë kritikova Festivalin e vitit të kaluar. Pak u morën me atë që kisha shkruar dhe pjesa tjetër u mor se si e gjeta unë kurajon në kritikoja produktin më të rëndësishëm të institucionit ku punoja e merrja rrogën. Por unë prita të ndodhte gjithçka e të bëja një analizë të argumentuar; nuk piva kafe turke e përmbysa filxhanët për të parashikuar të ardhmen, ndaj të dashur kolegë të mediave, mos ja prishni qejfin, dëshirën Arilena Arës dhe shoqeve e shokëve të saj, duke i përmendur si pjesëmarrës të mundshëm në Festival, e si lobues për të qenë fitues. Kjo nuk është as strategji menaxheriale, asgjë, përkundrazi. Të vjen Krasta e ta plas live në sallë e në transmetim direkt, nëse konstaton shkelje e hile dhe të pozicionohet kundër këngës që fiton pa të drejtë. (e ka deklaruar vetë në mjedise të brendshme të RTSH dhe unë mbaj përgjegjësi 100 % për këtë)

Thashetheme korridoresh e dëshira të shprehura, ndoshta unë kam dëgjuar më shumë se gjithësecili prej kolegëve të mi, për pjesëmarrjen e mundshme të Redon Makashit, Aleksandër Gjokës, Elton Dedës, Kamela Islamajt, Era Rusit etj, por nuk flas. Nuk flas ende, sepse nuk është koha.

Unë Festivalin e kam dashur që kur isha ende fëmijë dhe jam e lumtur që këtë vit jam pjesë e një grupi pune që po e bëjnë Festivalin për qejf e nuk i intereson aspak se kush fiton, ndaj dhe është bërë përpjekje nga gjithesesili për të afruar në këtë garë kënge emra të njohur krijuesish e interpetuesish; për të kthyer së pari besimin dhe pastaj edhe për të prodhuar disa këngë të mira. Një vend të parë ka e ai s’mund të ndahet në aq emra sa do të vijnë në Festival. Ajo që më pëlqen këtë vit, është se asgjë nuk lind e vdes në korridoret e RTSH-së. Këngët do të bëhen të njohura për publikun nëpërmjet një rrjeti radiosh, të cilat do t’i bashkohen festivalit këtë vit, si IN Radio, City Radio, Club FM, NRG Radio, gjithçka do të jetë e hapur dhe e njohur për publikun, në mënyrë që në tre netët e Pallatit të Kongreseve ai që do të vijë, ta dijë se çfarë e pret dhe ai që s’do jetë në sallë, s’do vijë se nuk i ka pëlqeyer ajo që mund ta priste, por jo sepse s’kishte dijeni se çfarë do të ndodhte.

Këtë vit jam lidhja midis festivalit e opinionit publik; jam përfaqësuesja për shtypin e marrëdhëniet publike, jo për të zbukuruar e për të ndriçuar atë që është e zbehtë dhe e errët, përkundrazi, për ta evidentuar atë edhe më shumë, me zë më të fortë, në mënyrë që të bëhet nesër më mirë. Ja pse këtë vit do të ketë një post festival, ku të gjithë do të munden të thonë në mënyrë të arguementuar atë që duan të thonë; të kritikojnë e të nxisin debat sepse debati sjell zhvillim. Boll më me qoka për njëri-tjetrin. Të paktën të na jepet mundësia të flasim…se çfarë flasim e cfarë kurajo kemi secili, kjo është punë tjetër pastaj…

Ngadale ngadalë, ppas datës dhjetë nëntor do të bëhen me dijë konkurruesit, pastaj të ftuarit, elementet skenografikë e gjithçka që publiku duhet të dijë…

Por prisni! Mos nxisni histeri kolektive me fitues të mundshëm sepse u bëni dëm artistëve, dhe mbi të gjitha, nëse vetë artistët e shohin këtë si strategji marketingu, bëjnë mirë ta ndryshojnë, sepse si përdorues të mirë të rrjeteve sociale që janë, ata e dinë pasojnë e efektit “boomerang”.

Afërsia e të dashurit…

Poezi e shkruar nga ohann Wolfgang von Goethe.

Përherë të kujtoj,
kur dielli mbi dete, ndriçon për mua
Përherë të kujtoj,
kur hëna mbi re, shkëlqen mbi krua.

Përherë të kujtoj,
kur pluhuri mbi shtigje, zë e ngrihet ne erë
Në natë e terr,
kur ecën nëpr brigje, shtegetari i mjerë.

Gjithë të ndëgjoj, kur ngrihet valë e thellë
Duke buçitur
Kur zë përgjoj mes pyjeve pa diell
Dhe të nemitur
Gjithë jam me ty: dhe ngado qofsh larguar…..

Të shoh matanë
Po ngryset: ndrisin yjet e pambaruar
Oh, të ishe pranë…

Vlora Nikçi zgjedhet kryetare e Fondacionit ‘Nermin Vlora Falaschi’ në Kosovë

Gili Hoxhaj

Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falasch” sot erdhi në Prishtinë për të përuruar edhe themelimin e degës më të re të këtij fondacioni në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Me këtë rast, kryetarja e këtij fondacioni në Shqipëri – Zejnepe Luka, shënoi edhe promovimin e librit “Testamenti i grave për gratë”. Kjo ngjarje mblodhi shumë personalitete të shquara të kulturës shqiptare. Aktoret Tinkat Kurti e Margarita Xhepa, emrat si Kaqusha Jashari, Vlora Dumoshi e Diana Toska ishin të pranishme në këtë ngjarje.
Luka e quajti këtë ditë të shënuar për faktin se pas pesëmbëdhjetë viteve të rrugëtimit të këtij fondacioni, ato po e përcjellin misionin e tyre edhe tek një grup vajzash të reja në Prishtinë, duke e fuqizuar kështu zërin e gruas shqiptare.

“Duke e formuar këtë degë në Prishtinë siç e kemi edhe në shumë shtete të botës do të thotë që aktiviteteve tona në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera do t’i bashkëngjiten edhe zonjat e Kosovës. Misioni ynë është të mbështesim gruan dhe të bashkojmë zërin e saj nga të gjitha trevat, ne me këtë në fakt e kemi bërë bashkimin kombëtar, pavarësisht territoreve, ne e kemi bashkuar gruan shqiptare” tha Zejnepe Luka.

Ajo po ashtu tregoi për emocionet e saj derisa me anë të veshjes po barte porosinë e mbesës së Ismail Qemailit, e cila e kishte dhimbje Kosovën.

“Kam ardhur këtu e mbushur me shumë emocione, për shumë arsye. E para, sikur më shihni, unë kam veshur një bluzë – flamur që është kuq e zi, që ka edhe thekët e tij. Nuk është e imja. Në janar të vitit 2002 kur u formua shoqata jonë në akademinë “Iliria” në Romë, Nermin Vlora Falaschi, mbesa e Ismail Qemailit në Shqipëri, një patriote e madhe që është e vetmja pinjollë e familjes Vlora që ka përcjellë të gjitha virtytet që kishte gjyshi i saj, Ismail Qemaili. Ajo më tha “bija ime, unë po të dhuroj këtë bluzë, të lutem shumë duhet ta veshësh kur të shkosh në Kosovë”, sepse ajo për shkak të shëndetit të përkeqësuar nuk e dinte se a do të mund të vinte në ndonjë ditë kur Kosova të ishte e pavarur. Unë sot kam ardhur me këtë bluzë këtu për të ju thënë se këtu është Nermini, e cila e kishte dhimbje Kosovën”, tregoi Luka, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje u përcoll me mjaft emocione mes gërshetimit të fjalëve dhe poezive që buronin me plotë mjeshtëri artistike nga aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa. Ajo duke e ngritur lart në piedestal gruan shqiptare solli me shumë pasion e interpretim artistik vargjet që i ishin kushtuar gruas nga Çajupi, Lasgush Poradeci e Dritëro Agolli. Ndërsa për vetë aktoren gruaja ishte “muzika e shtëpisë”.

“Këtu kemi ardhur në emër të gruas dhe nënës shqiptare e cila dallohet nga personalitetet e tjera sepse gruaja e Ballkanit, është më e sakrifikuara nga të gjitha gratë e botës. Gruaja jonë gjithmonë është shquar si një nikoqire e mirë, si një punëtore e dalluar. Figura e saj është ngritur gjithmonë sepse ajo është e mençur, durimmadhe, e në prehrin e saj rriten kombet, rriten popujt”, tha me plot emocion aktorja Xhepa.

Me rastin e themelimit të këtij fondacioni, u vendos që në krye të tij të jetë aktorja Vlora Nikçi, ndërsa zëvendëskryetare Sebi Kamberi, pasuar nga një numër i madh i grave të shquara të Kosovës.
Vlora Nikçi pas marrjes së titullit të Kryetares së Fondacionit “Nermin Vlora Falsch”, u shpreh tejet e emocionuar që të flasë pas këtyre personaliteteve të cilat i quan edhe udhërrëfyese të rrugëtimit të saj si aktore, shkruan KultPlus.

“Nuk di sa kam fjalë të shpreh nderin që më është bërë sot si kryetare e fondacionit këtu në Prishtinë. Me nder dhe privilegj pranoj të jem në mesin tuaj, ndërsa më shumë përgjegjësi pranoj të vazhdoj këtë rrugë fisnike krah juve për dëgjimin e zërit të gruas shqiptare, prej së cilës kanë lindur edhe shumë trima që e kanë çliruar edhe vendin tonë. Pra është meritë e nënave tona dhe e ninullave të tyre lindja e trimave tanë, të cilët sollën lirinë. Prishtina ndihet e nderuar që ju ka juve sot këtu , dhe ne ndihemi më të çliruara që nga sot do të mblidhemi kokë me kokë për të punuar për të gjitha preokupimet e gruas prishtinase dhe mbarë shqiptare”, përfundoi fjalën e saj Vlora Nikçi.

Ky grup i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falasch, nesër do të pritet edhe nga zyra e Presidentit të Kosovës – Hashim Thaçi. / KultPlus.com

“Shumë shpejt, Andrra do të pushtojë edhe toplistat e Berlinit”

I HEART BERLIN, një prej bllogave më interesant të artit e kulturës në Berlin, ka krijuar një listë të artistëve që momentalisht jetojnë e punojnë në Berlin dhe të cilët duhet dëgjuar.

Trendi i fundit në Berlin është edhe këngëtarja shqiptare – Andrra. Fatime Kosumi, dikur këngëtare e njohur por e cila pauzoi dhe u kthye në skenë me emrin Andrra dhe me një stil më ndryshe muzikor është propozuar nga I HEART BERLIN në listën e “këngëtarëve në Berlin që nuk duhet humbur”.

Madje, Andrra është e para në këtë listë të rekomandimeve. Sic shkruan blogu “shumë shpejtë Andrra do të pushtojë edhe toplistat e Berlinit, pasi me këngën dhe videoklipin e fundit – Kalle Lamen – ajo ka pushtuar muzikën në Kosovë e në Shqipëri” shkruhet në bllog, përcjellë KultPlus.

“Artiste shqiptare e lindur në Gjermani, Andrra sjellë melodi folklorike të përkthyera në elektronikë moderne për Berlinin. Ajo ka udhëtuar në Gjermani për të dëgjuar tregimet e grave që jetojnë në zonat rurale” vazhdon blogu I HEART BERLIN.

Anna VR, Boiband, Free free dom dom, Simmone Jones janë disa prej emrave të tjerë që propozohen në këtë listë. KultPlus.com

Hapet thirrja për skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Programi “Skena e Vogël e Vogël 2018”

Teatri Kombëtar i Kosovës në kuadër të politikave të tij kulturore për zhvillimin e skenës teatrore në Kosovë ka vendosur që të zhvillojë një program të veçantë nëpërmes të së cilit do të ofrojë mundësi për artistët e lirë të realizojnë idetë dhe konceptet e tyre artistike. Me anë të programit “Skena e Vogël e Vogël” Teatri Kombëtar i Kosovës ka për qëllim që t’i mbështesë idetë kreative, inovative, origjinale të artistëve të ndryshëm të Kosovës, duke kontribuar kështu në prodhimtarinë teatrore në përgjithësi, por që mund të konsiderohen edhe si prurje të reja në skenën e këtij institucioni.

Në kuadër të këtij programi, Teatri Kombëtar i Kosovës fton të gjithë artistët e lirë, dramaturgë, regjisorë, aktorë, dhe artistët e tjerë të Teatrit, që të aplikojnë me idetë e tyre në Programin “Skena e Vogël e Vogël”.
Datat për aplikim: 1 – 30 Nëntor 2017.

Kriteret bazike të këtij programi janë:
– Idetë duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në katër faqe dhe duhet të përmbajnë informata për dramën/tekstin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik, buxhetin dhe CV e udhëheqësit të projektit.
– Teatri Kombëtar i Kosovës do të përzgjedhë deri në katër koncepte për vitin 2018, për t’u realizuar si shfaqje në skenën e vogël të këtij institucioni.
– Shfaqjet e realizuar në kuadër të këtij programi do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni.
– Teatri Kombëtar do të ndajë nga 10,000 deri në 15,000 Euro për një projekt (për të gjitha shpenzimet që mund të dalin nga ai projekt). Planifikimi financiar finalizohet në bashkëpunim me menagjmentin TKK.
– Konceptet duhet të dërgohen nëpërmes postës elektronike në këtë adresë [email protected], me subjektin Koncept për Programin “Skena e Vogël e Vogël”.
– Afati i fundit për aplikim është data 30 Nëntor 2017.
– Teatri Kombëtar i Kosovës mund t’i ftojë aplikantët e koncepteve për negociata të mëtutjeshme apo sqarime rreth koncepteve.
– Teatri Kombëtar i Kosovës në marrëveshje me udhëheqësit e koncepteve të përzgjedhura do t’i definojnë çështjet tjera organizative dhe administrative.

Për më shume informata na kontaktoni në: [email protected]

Rita Ora sjellë koleksionin e ri me Rimmel London (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora ka sjellë kësisoj koleksionin e saj më të ri në bashkëpunim me Rimmel London.

“Shades of Black” vjen pikërisht në ditën e Halloween – Nata e shtrigave.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë i Ritës me Rimmel London. Edhe në vitin 2015-të, Rita kishte bashkëpunuar me kompaninë e njohur, për buzëkuqin e saj, shkruan KultPlus.



Rita Ora pos si këngëtare çdo ditë e më shumë po aktivizohet edhe në botën e modës.

Rita sot ka zbuluar edhe datat e turneut të saj nëpër Angli, në qytetet Leeds, Glasgow e Birmingham, ndërsa do të performojë edhe në Paris, Munih, Hamburg e Kopenhagë. / KultPlus.com

Seriali ‘House of Cards’ anulohet nga Netflix

Seriali i njohur amerikan “House of Cards” do të përfundojë pas sezonit të gjashtë, pak orë pasi ylli kryesor i serialit Kevin Spacey pranoi publikisht se kishte ngacmuar seksualisht një aktor.

Kompania amerikane e transmetimeve të filmave e emisioneve “Netflix”, ka deklaruar se vendimi tashmë ishte marrë muaj më parë.

Megjithatë, njoftimi vjen vetëm pak pasi aktori Anthony Rapp akuzoi Spaceyn për ngacmim seksual në kohën kur ai ishte vetëm 14-vjeç.

Spacey më pas kërkoi falje dhe u shpreh i hapur se është homoseksual.

“Në jetën time kam pasur lidhje të shumta, me burra e gra. Kam pasur lidhje të mira e romantike me burra gjatë jetës time, prandaj kam vendosur të jetoj si një homoseksual”, ka thënë Spacey ndër të tjera.

Shumë yje të Hollywoodyt më pas dolën me kritika për deklaratën e Spaceyt duke e akuzuar se e bëri publik lajmin se është homoseksual vetëm që të shmangë incidentin.

Memorandum për Qendrën e Kulturës në Vushtrri

Në kuadër të investimeve kapitale në kulturë, sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u nënshkrua një Aneks Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Vushtrrisë, për bashkëfinancim të ndërtimit që Qendrës së Kulturës në Vushtrri.

Sipas këtij aneks memorandumi, për realizimin e këtij projekti, MKRS-ja do të investojë me mjete financiare prej 630 mijë euro ku 300 mijë do të ndahen për vitin 2018 dhe 330 mijë euro do të ndahen për vitin 2019.

Ndërkaq Komuna e Vushtrrisë do të investojë me mjete financiare prej 800 mijë euro, ku për vitet 2017 dhe 2018 ndahen nga 200 mijë euro, ndërsa për vitin 2019 investon shumën prej 400 mijë euro.

Ky aneks memorandum është nënshkruar në kuadër të Memorandum Bashkëpunimit të nënshkruar në janar të këtij viti me qëllim të mbështetjes financiare të projektit “Qendra e Kulturës në Vushtrri”.

Me këtë rast ministri Kujtim Gashi u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi duke theksuar se përkrahja e ministrisë për realizimin e projekteve të këtilla në përmirësim të infrastrukturës kulturore në Kosovë nuk do të mungojë.

Në anën tjetër, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, falënderoi Ministrinë e Kulturës për përkrahjen e dhënë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare regjisori Mihallaq Luarasi.

Mësohet se regjisori ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore. Luarasi ka qënë një nga regjisorët më aktivë, rezistentë të teatrit dhe skenës; ai është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen e famshme “Njollat e Murrme”.

Për herë të fundit, dalja në publik e regjisorit ka qenë pikërisht për këtë dramë, kur për herë të parë është publikuar versioni në dorëshkrim, që e mbante me shpresë se do të mund ta realizonte në skenë sërish.

Mihallaq Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë dhe është regjisor i njohur shqiptar. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël qe qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë. / KultPlus.com

Dhe dashuria shpërtheu në këngë…

Poezi e shkruar nga Else Lasker-Schüler.

Mbrëmja puthte mistershëm
Landrën që çelej.
Ne luanim e ndërtonim tempujt Apollo
Dhe kalamendeshim të mallëngjyer
Mes njëri-tjetrit.
Dhe qielli i natës përhapte aromën e tij të zezë
Në valët e gufuara të ajrit të qullur.
Dhe shekujt gremiseshin
Dhe rrafshoheshin
Dhe rreshtoheshin serish madhërisht
Drejt intrigash vezulluese.
Ne luanim me fatin gazplotë,

Me frytet e parajsës së majit,
Dhe në arin e egërsuar të flokëve të tu të kërleshur
Këndova mallin tim të thellë
Britmë,
Ashtu si një zog i zi i pyjeve të errët.
Dhe qiej të rinj ranë përposh
Të papritura, aroma të ëmbla të egra;
Ne shqyem mbulojat
Dhe bërtitëm!
Të dalldisur nga mushti i erërave.
Unë lidhesha me jetën tënde,
Gjersa ajo zhbëhej e tëra,
Dhe pastaj sërish merrte trajtë
Dhe sërish zhbëhej pastaj.
Dhe dashuria shpërtheu në këngë,
Në dy simfoni të egra!

https://www.youtube.com/watch?v=0gQ31m4Yt0s

Arkivë

Poezi e shkruar nga Agon Rexhepi.

Nëse e hallakat labirintin e mendjes tem
Ki me gjet divers t’ndjenjave e t’menimeve
Për jetën
Për ty
Për neve
Ki me gjet gjana rreth vetës tande
Nashta që edhe vet i ke harru
Ki me gjet
Detaje
T’cilat unë i admiroj
E i kom theksu n’memorien tem
Ki me gjet kujtime
N’fillim t’dashnis’ ton’
Kur jam tut me t’dasht
E me t’kallxu që t’du
Ki me gjet pjesë t’fjalive tua
E t’zanit tand
Që audiencën ma t’madhe e ka n’trunin tem
Se qaty jehon
Çdo moment
Je a s’je afër meje
E fansin ma t’madh zani yt
E ka veshin tem
Kur ti i pëshpërit
Fjal’ dashnije
Përjetsie
Ki me gjet edhe veten

Se veç për ty menon
Kjo mendje e humbun n’pafundsi

Pse u largua Fan Noli nga politika?

FAN NOLI
Më pyesni përse u hoqa nga politika. Çështje e gjatë po me fjalë të shkurtra shkaqet janë këto: mungesa e shokëve, pleqëria, varfëria dhe lodhja. U përpoqa ta ndreq situatën financiare me një fushate pajtimtarësh për Don Kishotin, por puna mori fund me një defiçit prej 800 dollarësh. Mi këtë e sipër u sëmura me dy dollarë në xhep dhe i mbytur në borxhe me të djathtë e me të mëngjër. Aherë i bëra thirrja vatanit për imdat. Më derguan 150 napolona. Bereqat vers. Siç ka thënë Voltaire, Perëndia e ndjeftë: “la fin est triste, la milieu ne vaut pas grande chose e commencement est ridicule!” Kjo qenka jeta e njeriut, edhe e jona ca më keq se e gjithë të tjerëve.

Publikohet traileri i filmit ‘Një muaj’ me regji nga Zgjim Terziqi (VIDEO)

Sapo është lansuar edhe traileri i filmit “Një muaj”.

‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj, secila me rend nga një muaj, shkruan KultPlus.

A month – Një Muaj Official Trailer from Zgjim Terziqi on Vimeo.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.
Filmi është pranuar tanimë në konkurrencë zyrtare në Cairo International Film Festival.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Maqedonia përjashtohet nga pjesëmarrja në Eurovizionin e 2018-tës

Maqedonia është shtet që ka shumë borxhe ndaj Eurovizionit.

Pjesëmarrja e shtetit në Eurovizionin e vitit 2018-të, garës së madhe muzikore ku vijnë mbi 40-të shtete nga tërë kontinenti për të garuar mes vete, është vënë tanimë në pikëpyetje, shkruan KultPlus.

“Pasi Maqedonia nuk e ka paguar borxhin, MRT – televizioni publik, është bllokuar. nga pjesëmarrja në Eurovision Song Contest 2018” ka dalë sot me komunikatë EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë.

Megjithatë Maqedonisë do ti lejohet pjesëmarrja në Junior Eurovision, një Eurovizion për më të vegjlit.
Maqedonia në Eurovizion nuk ka pasur gjithmonë rezultate të mira. Deri sot, rezultati më i mirë është ai i vitit 2006-të, kur Elena Risteska është pozicionuar në vendin e 12-të me këngën “Ninanajna”. / KultPlus.com

Adelajda, gruaja shqiptare dhe trupat e vajzave në tavolinë

SIBEL HALIMI
Jo rastësisht trupat e vajzave tek emisioni “E diela” e Ardit Gjebresë janë shndërruar në tavolina. Në shoqëritë shqiptare, trupi i grave është tavolinë mbi të cilën ushqehen misogjenistët. E për mungesë të një vetëdije kritike, kjo shoqëri e cila gjithçka ka shndërruar në konsum, di vetëm të ekzaltohet nga një shfaqje e tillë, në të cilën gratë nëse nuk janë tavolina janë shërbyese të ushqimit në to. Përfshirja e patriarkalitetit në media, sot përbën pengesën më të madhe për ndryshim të këtij botëkuptimi. Sot vajzat dhe gratë i nënshtrohen një dhune sistematike nëpërmjet ofrimit të modelit seksist për atë se çfarë në të vërtet e përbën trupin e një vajze apo një gruaje. Naomi Wolf thotë se: “në aspektin e mënyrës se si ndihemi fizikisht për veten tonë, në të vërtetë mund të jemi më keq se gjyshet tona të pambrojtura”.
Primitivizmin shqiptar askush nuk e ilustron më shumë se sa personazhi i gazetares Adelajda. Ajo tregon se në vendet si Shqipëria e Kosova, një grua e ka të vështirë ta realizojë ëndrrën, të funksionojë jashtë kontrollit të dikujt, cilido qoftë ai dhe në të gjitha dimensionet e shoqërisë.
Sot, Adelajda na kujton se për të ikur nga një vend si Kavaja në ndjekje të pasionit, sakrifica mund të transformohet në fat fatal. Personazhet si ajo, na kujtojnë se në shoqëritë shqiptare duhesh të shndërrohesh në tavolinë, po që se bënë përpjekje ta projektosh veten jashtë kornizës patriarkale. Për më tepër, shuarja e saj fuqizon idenë për ikjen e grave nga çfarëdo tavoline.
“Në qoftëse një ditë zgjohesh dhe nuk e sheh diellin, ose dielli je ti vetë ose ke vdekur…”, shkruan Jim Morrison.

Videoja e re e Gjikos, ide e vjedhur nga P. Diddy (VIDEO)

Videoja e këngës më të re të reperit Gjiko, “Papuqe Gucci” është një kopje e pastërt e një videos së këngës së njohur “Bad Boy for Life” të reperit P. Diddy, e cila është realizuar në vitin 2001.

Insajderi ka gjetur se e gjithë storja në videoklipin e Gjikos është e bazuar në storjen e videoklipit të reperit amerikan.

Një shtëpi superluksoze në të cilën banon reperi po bëhen vazhdimisht party. Njejtë është edhe në videoklipin e Gjikos.

Detajet e tjera që janë komplet të kopjuara janë në gjithë videoklipin. Një komshi i cili është kureshtar se çfarë po ndodhë në shtëpinë e P.Diddy është edhe tek videoja e këngës së Gjikos.

Detajet e tjera që janë komplet të kopjuara janë në gjithë videoklipin.

Një tjetër komshi të cilit i pengon party është tek videoja e P.Diddy. Njëjtë është edhe tek Gjiko., veçse tek videoja e P.Diddy këtë rol e luan aktori i njohur botëror Ben Stiller e tek Gjiko aktori i njohur shqiptar, Vedat Bajrami me rolin e tij të stërpërdorur “Sahit Plisi”. / KultPlus.com

Gani Jakupi vjen me retrospektivën e pasur artistike në Kosovë

Artisti Gani Jakupi është më i rrallë në Prishtinë, sesa në Zvicër, në Spanjë apo në Francë. Është rikthyer kësisoj në Kosovë për të sjellë retrospektivën e punëve të tij dhe ndoshta përmbledhjen më të fuqishme të punëve të tij artistike.

Jakupi ka sjellë kësisoj tablotë e ndryshme të aspekteve të ndryshme të punës së tij, në Prishtinë, sonte në hapjen e ekspozitës personale në Monet – Art and Books Gallery.
Gjithandej janë pikturat, vinjetat dhe faqet e romaneve grafike, ilustrimet e ballinave të albumeve muzikore, fotografi intervista, teknikë e ndryshme nga tushi me kallam e deri te akuareli dhe akriliku, shkruan KultPlus.

Hapjen e ekspozitës së Jakupit e bëri shkrimtari Veton Surroi, i cili pati disa fjalë për artistin që jeton tash e disa vite jashtë vendit kur gjithmonë përkujdeset që ta sjellë artin e tij edhe para publikut i cili e flet më së miri gjuhën e tij.

“Kemi këtu në ekspozitë të përfshira punime të ndryshme të Jakupit, që prej Kthimit në Kosovë – ku portretizohet lufta – gjegjësisht ditët e para të pasluftës e deri te një analizë e shumë e gjerë që ai i ka bërë muzikës xhez, por edhe projektit i cili i morri rreth katër vite përgatitje – “Havana USA” ku ai përcjellë rrëfimin e njërit prej komandantëve të revolucionit kuban i cili është amerikan dhe i bashkëngjitet këtij revolucioni” tregon mes tjerash në hapje Veton Surroi.

Krahas ekspozitës dhe punimeve, në hapjen e ekspozitës retrospektive ku vjen shpirti i artistit i përthekuar në forma të ndryshme e përgjatë një periudhe të konsiderueshme pune e shprehje artistike, erdhi edhe libri “Havana USA”, botuar nga Qendra Multimedia, që përmban edhe reportazhin e parë grafik të një autori ballkanik. Reportazhi ka qenë botuar fillimisht në revistën franceze XXI dhe pastaj në shtojcën javore të së përditshmes Koha Ditore.

Artisti Gani Jakupi tregoi se kjo është hera e parë që po përmblidhet në këtë dimension një format i gjerë i veprave të tij personale, e kësisoj madje as Franca, Zvicra e Spanja nuk e kanë parë punën e tij, kaq të përmbledhur dhe të strukturuar brenda një hapësire.

“Ky është në fakt reportazhi i parë grafik nga një autor ballkanik i botuar në gjuhën shqipe, pra është vepra e parë e këtij zhanri, projekti im i ri. Shpresoj që do të vijnë projekte tjera, por që do ta kenë një ide të pikënisjes sikur projekti im” tregoi mes tjerash në hapje Jakupi.

“Është një diapazon shumë i gjerë në këto vepra, këtu janë disa tablo të imazheve të fundit, që janë botu në shqip nga “Koha” dhe ajo është për pasluftën e fundit dhe gazetarinë. Kryesisht tema kryesore janë media dhe ku kam intervistuar shumë personazhe nga Associated Press, Reuters dhe prapavija e tyre është paslufta, pra kur flitet për pasluftën, flitet edhe për luftën. Dy- tri tablo i kam përzgjedhë nga ato këtu, këto janë strikt të lidhur me Kosovën, të tjerat janë më Spanjë, me Kubë, me Algjeri me Brazil e vende të ndryshme. Unë kam përvojë edhe si fotograf edhe pse jam grafist dhe mënyra ime e editimit është vizatimi” ka treguar për KultPlus artisti Gani Jakupi.

Jakupi është edhe muzikant, një personazh i gjithanshëm, një skenarist por edhe një shkrimtar dhe një ilustrues i librave me grafika. Disa prej punëve të tij janë “La derniere image”, “Les amants de Sylvia”, “Matador”, në vitin 2012-të është CD-ja muzikore Aldea dhe dy vite më vonë CD-ja Kismet.
Në vitin 2010-të, në Douai, tablotë nga “Le Roi invisible” të Jakupit janë ekspozuar afër me ato të Henri Matisse. GILI HOXHAJ / KultPlus.com

Po trokas në zemrën tënde

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Motiv arbëresh
Po trokas në zemrën tënde
hapma derën,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda…
Dua që të kem mbi krye
hapësirën erë yjesh;
të shikoj rrëketë qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit të syrit tënd.
Dhe si luftëtar i varfër
që të mbështet kryet mbi gurë,
gjer të nisë lufta prapë,-
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…

…dhe të marr, moj, një sy gjumë.

Botohet në Bjellorusi një prej veprave të Ismail Kadaresë (FOTO)

Ismail Kadare vazhdon të përkthehet e të lexohet me ëndje në vende të ndryshme të botës.

Libri “Kronikë në gur” i Kadaresë sapo është botuar edhe në Bjellorusi. Kronikë në gur është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë dhe flet për qytetin e Gjirokastrës e traditat e saj.

Libri është botuar në vitin 1971, ndërsa vetëm këtë vit vjen në Bjellorusi dhe është përkthyer nga Maksim Mudrou.

Kjo është edhe kopertina e librit në Bjellorusi, sjellë nga Shtëpia Botuese “Janushkeviç”, shkruan KultPlus.

Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij.

Po sjellim poshtë fragment nga libri, leximi i të cilit është i domosdoshëm për të njohur Kadarenë dhe një prej periudhave të arta të tij si shkrimtar. / KultPlus.com

– Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë… –

Rita Ora: Kam zgjedhur të jem artiste 360 shkallë

Në një intervistë për The Guardian, kosovarja Rita Ora ka zbuluar se në moshën 25 vjeçare ka qenë e shtrirë në spital pas stresit që ka përjetuar nga ngjarja me reperin Jay Z.

Ajo ka treguar se shkaku i procedurave gjyqësore me këngëtarin por edhe shkaku i një sesioni fotografish që shkoi keq, ajo është venitur dhe është hospitalizuar.

Në këtë moshë ajo thotë se ka përjetuar një “shkrirje”, – meltdown, që nënkupton se është vënë në pyetje vazhdimësia e karrierës së saj.

“Jemi në vitin 2017-të, dhe mund të bësh ç‘të duash. Unë jam artiste 360 shkallë, dhe në këtë epokë artistët e kanë të mundur të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë” ka treguar Rita në këtë intervistë.

E përshkruar si vajza nga Kosova që ka dalë në Londër për shkak edhe të rrethanave politike, Rita në intervistë ka treguar se vitet e fundit janë një fillim i ri dhe i freskët në karrierën e saj, sidomos pasi ka ndërruar kompaninë muzikore bashkëpunuese, shkruan KultPlus.

Në këtë intervistë rikthehen pak emocionet e këndimit të Rita Orës në shenjtërimin e Nënës Terezë, vitin e kaluar, dhe se di ajo nga një refugjate ka arritur të jetë emri që është sot në botën e muzikës por edhe të modelimit.
Rita Ora do të jetë moderatore e MTV EMAs, me datë 12 nëntor. / KultPlus.com

Inis Gjoni sjellë ‘Çiftin e çuditshëm’ në Teatrin Kombëtar

Komedia “Çifti i çuditshëm” në Teatrin Kombëtar. Regjisorja e sjell këtë vepër për të treguar se kompromisi dhe toleranca janë rregullatorë shoqëror. Pa këto elemente, sipas saj, shoqëria jonë do të ishte shumë më e ashpër sesa është.

Tema e veprës “Çifti i çuditshëm” e Neil Simon, që kësaj here riktheu, si regjisore Inis Gjonin në skenën e Teatrit Kombëtar, është një ndër ato tema, prej të cilave përherë ajo vetë është “ngacmuar”. Një komedi, që në qendër ka dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, tema dhe nëntema për familjen, divorcin, bashkëjetesën, miqësinë dhe shoqërinë, por jo vetëm kaq. “Kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është”, shprehet regjisorja Inis Gjoni, e cila së bashku me artistët protagonistë rrëfen më tepër rreth realizimit të kësaj shfaqje.

“E përzgjodha këtë vepër, sepse mendoj se tema që trajton është interesante, gati-gati është një nga temat, që mua më ka pëlqyer përherë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, në të shtrohen një sërë nëntemash, si familja, divorci, bashkëjetesa, komunikimi, miqësia, shoqëria etj”, shkruan Shekulli.

Ndërsa, më tej Gjoni shton se ideja qendrore, është që kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë dhe dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është. “Është një vepër shumë aktuale dhe do të jetë e tillë, derisa njerëzimi të jetë mbi tokë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve shoqërore. Pra kjo vepër nuk ka kohë për temën dhe idenë që trajton”.

Zakonisht në të gjitha vëniet e saj, Inis Gjoni, i qëndron strikte autorit, duke ndërhyrë atje ku mendon se është e nevojshme. Na tregon se i intereson shtylla e veprës, prandaj duhet që të bëjë gjithçka që duhet për të dhënë idenë që përmban vepra.

Protagonistët e “Çiftit të çuditshëm” janë Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj. Zalla na tregon se gjëja më interesante e komedisë, të cilën e ka kuptuar pas provave gjenerale, është që në këtë komedi publiku mund të shikojë jetën e një burri pasi divorcohet. Çfarë ndodh me të realisht? “Nëse gratë e marrin jetën ndryshe nga burrat pasi divorcohen, duke e nisur nga fillimi, pavarësisht se vuajnë shumë, duhet të shihni se çfarë ndodh me një burrë”, thotë ai.

“Çifti i çuditshëm” është një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit. Vepra sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë, por jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre. Nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi, Annais Lika. Skenograf Stivi Rrapo, ss/regjisor Alba Shtëmbari dhe Elios Ibro, stiliste Julinda Arallambi. / KultPlus.com

Dita e parë e verës ’98

E shkruar nga Teki Dervishi

Në çdo fund të vitit shkollor të fëmijërisë sime Kanë munguar nxënësit që janë mbytur në Lumin e thellë
Unë siç shihni ende jam gjallë.
E prita edhe këtë verë
Në këtë fund të vitit shkollor mungojnë disa arsimtarë
Tashmë janë tharë.
Ra zilja e mbramë.
Të gjithë pse qajnë?

Unë dal oborrit të shkollës mbuluar me barin e njomë
Jo nata që më zë në atë rrugë deri te dera kah largohem
Më zë mosha ime. Pikëllimi.
Kori me këngën për dëshmorë pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?

Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së Buza e tyre e njomë me shkrumbin e dhembjes i fotografon Kanë shenjë Saturni.
Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!

Si luftoj unë që mendoj se fjalët ta hanë kokën shqim?
Unë nuk kam kujdes kur flas.
Gjuha m’shtin në flakë
Kur shkruaj unë nuk flas, dikush me pëshpërit në vesh
Mos u frikëso! Futu në zjarr! Mos u sill rrotull zjarrit!
Mos e aktro dhembjen! Mos e aktro vetminë!
Mos u shtir! Por fjalët e rrezikshme ende nuk më vranë.
Jam gjallë
Kush mund të më besojë? Kush beson se ka trima të gjallë?
Një herë ndodh çdo gjë! Të tjerët ta përsërisin fatin!
Unë ia dal të mendoj: nëse vazhdojnë t’i vrasin fëmijët
Ç’t’i them moshës sime?

Të ngushëllohem me fjalë t’rrezikshme
Të hyj në flakë me fjalët trime, apo me trupin tim – me kokë?
Kush thotë e jap kokën për Atdhe, gjuha i flet n’gojë e gjallë
Heronjtë s’flasin, veç kur m’i përshpërisin në vesh këto fjalë!
Ra zilja e mbramë. Fëmijë të vdekur mungojnë. Mungojnë arsimtarë

Lumi i Thellë i fëmijërisë sime i merr, apo
Mali në Veriun e Thellë
Çdo gjë është vjetruar.
Çdo gjë që përsëritet.
Vetëm fëmijët tanë Dhe, varret e gjyshërve – habiten si nuk na ka hije mosha jonë!
Nëse keni duruar robërinë, na lini neve rrugë kah parajsa, thonë.