Ki pec, ki hise!

Nga Roni Idrizaj
E marrë nga Sbunker

Ky artikull është i dedikuar për të gjithë njerëzit të cilët mendojnë me organin hyjnor të tyre dhe besojnë në Kanun, pra, njerëzit (burrat), organi hyjnor (peci), kanuni (koha e bronzit).

Peci si organ dhe koncept mund të shihet në mënyrë relative nëpër shoqëri të ndryshme. Nëse në një shoqëri më të hapur peci shihet si organ gjenital me të cilin kryhen vetëm nevojat seksuale dhe fiziologjike, në disa shoqëri të tjera, pasojnë dasmat, gëzimi, lotët dhe qerasja kur në ekranin e repartit të gjinekologjisë, shihet një zgjatje disa milimetra në mes të këmbëve. Për këto shoqëri, truri ekziston aty.

Në shoqërinë kosovare, nëse je posedues i pecit do të thotë të jesh njeri, të punosh, të trashëgosh pronë (hise), të kesh të drejtë ta dhunosh partneren (kur e lypë), e më kryesorja të përceptohesh se ke lindur në shtëpi të huaj, e jo në shtëpinë tënde. Madje, rëndësia për posedimin e pecit është aq e madhe sa kënaqësia seksuale arrihet vetëm duke menduar se si lëngu i bardhë duhet të kthehet patjetër në trashëgimtarë. Pra, në pec.

E krejt ky glorifikim i kësaj zgjatje të lëkurës vjen si pasojë e besimit në sistemin patriarkal dhe vazhdimit të praktikimit të kodeve të cilat janë përdorur për rregullimin e shoqërive paramoderne. Kodet më të njohura në shoqërinë tonë të cilat përmes praktikimit të tyre ndër shekuj kanë ndikuar në besimin e pecit si organ të shenjtë dhe në mendësinë diskriminiuese kundrejtë grave janë Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe sheriati në të drejtën islame.  Mirëpo në këtë shkrim theks të veçantë do të ketë vetëm Kanuni i Lekë Dukagjinit si kod që praktikohet si i mirëqenë nga një pjesë e madhe e shoqërisë në një kohë kur ekziston një institucion që e rregullon jetesën e një komuniteti/shoqërie e që njihet si shtet, ndryshe prej shoqërive të kanunit të cilët në mungesë të këtij institucioni e kanë përdorur të drejtën zakonore si mjet për zhvillim dhe rregullim të shoqërisë.

Pra, ndonëse konteksti dhe rrethanat dallojnë prej kohës kur është draftuar Kanuni i Lekë Dukagjinit, mendësia e shqiptarëve i ka rezistuar kohës dhe pushtuesve të ndryshëm duke vazhduar t’i praktikoj dispozitat e këtij kodi. Për ne, të ngecësh në kohë është vlerë kombëtare.

Në nenin e 20 të Kanunit të Lekë Dukagjinit, shprehimisht ndalohet trashëgimi i pronës së gruas në familjen e saj duke e parë thjesht si një tepricë në shtëpi:

“NYE I NJIZETËT. Trashigimi i grues Shqyptare.

“Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, e as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi.”

Pra, në dispozitat kanunore në veçanti dhe në sistemin patriakal në përgjithësi, mashkulli i shtëpisë si posedues i pecit, e zotëron pushtetin, është autoriteti moral dhe posedon privilegje sociale. Femra në anën tjetër, në mungesë të pecit, zhvishet nga të gjitha të drejtat, është e varur ekonomikisht, shihet si tepricë kur vjen puna te trashëgimia në pronë, jeton vec për të marrë frymë, për të qenë e robëruar dhe për t’u ushqyer kur t’i teket mashkullit, pra kur atij t’i qohet “truri”. Të kesh pec, do të thotë t’i kesh të gjitha e mbi të gjitha të jesh i aftë të mendosh racionalisht.

Në anën tjetër, korniza ligjore e Kosovës nuk e njeh poseduesin e pecit si të vetmin person i cili do të trashëgoj pronë, specifikisht  neni 3 i ligjit për trashëgimi dhe neni 24 kushtetutës të Kosovës e trajton të drejtën pronësore si të drejtë të njeriut dhe e ndalon diskriminimin në baza gjinore:

Ligji për trashëgimi

Neni 3 Barazia në trashëgimi

. 3.1.Të gjithë personat fizikë në kushte të njejta janë të barabartë në trashëgimi.

Kushtetuta e Kosovës

Neni 24 [Barazia para Ligjit]

1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

Mos zbatimi i  këtyre ligjeve, po bën që që vetëm 4% e grave të trashëgojnë pronë në Kosovë, duke qenë një  indikator mjaft i matshëm për ekzistencën e mendësisë kanunore në shoqërinë tonë.

Si rezultat, për shkak të referimit të vazhdueshëm në kanun dhe përceptimit të burrit si hyjni e gruas si tepricë, dhe jo referimit në këto ligje të Kosovës të cilat janë të përpiluara në mënyrë që të mos diskriminohet asnjë njeri në shoqëri, rezulton  ideja se në rast që një grua e kërkon të drejtën e saj në pronë të etiketohet si e çmendur. Emëruesi i përbashkët i tepricës dhe çmendurisë ndër shqiptarë? Gruaja. Pra, të jesh e çmendur do të thotë të kërkosh barazi në familje dhe të kërkosh t’i respektosh të drejtat e njeriut.

Mirëpo, hstoria na njeh me shumë njerëz të cilët janë etiketuar si të çmendur dhe kanë arritur  të bëjnë ndryshime nëpër botë dhe që të kthejnë drejtësinë në vendin e vet , si: Rosa Parks dhe Marthin Luther King për të drejtat e zezakëve;  Elizabeth Cady Stanton, Susan B. Anthony dhe Lucy Stone për të drejtën e gruas për të marrë pjesë në zgjedhje në Amerikë; dhe Malala Yousafzai për të drejtën e vajzave për edukim në Pakistan.

Njejtë edhe në Kosovë, brezi i ri me shumë burra dhe gra aktiviste/ë  është i vendosur që të jetë “i çmendur” dhe ta varrosë mentalitetin patriarkal dhe kanunor të shoqërisë sonë derisa të bëhet e qartë për të gjithë që seksi biologjik, gjinia dhe (mos) posedimi i pecit nuk  të bëjnë më shumë ose më pak njeri, dhe derisa në shoqëri të zbatohet neni 3 i ligjit aktual të Kosovës për trashëgimi pronësore e jo neni 20 i Kanunit të Lekë Dukagjinit. E kjo “luftë” do të bëhet përmes aktivizmit, rezistencës dhe përplasjes së argumenteve racionale dhe shkencore, jo në pec, por në fytyrën e patriarkatit.

Linku origjinal:

https://sbunker.net/op-ed/89869/ki-pec-ki-hise/

Arianit Koci duke kënduar në Akordet e Kosovës 1972 (VIDEO)

Sot avokat i njohur, dikur Arianit Koci këndonte dhe provoi fatin e tij në këngët për fëmijë.

Edhe vet një fëmijë i lezetshëm, ai këndoi në Akordet e Kosovës në vitin 1972, në seksionin e këngëve për fëmijë.

Ai këndoi në këtë vit këngën “Nëna ime” me kompozitor Akil Kocin – babain e tij, dhe jo rastësisht edhe e fitoi festivalin, me një këngë simpatike si kjo. / KultPlus.com

‘Rreth muzikës të përbashkuara, me një dëshirë e një qëllim’

Dua Lipa dhe Rita Ora janë dy këngëtaret shqiptare nga Kosova që po prekin top-listat botërore të muzikës, e po lënë nam në eventet prestigjioze të muzikës e modës.

https://www.youtube.com/watch?v=hqX0B7lElLQ

Ato nuk janë të vetmet këngëtare shqiptare që të paktën një herë kanë bërë simbolin e shqiponjës në botë, Bebe Rexha e cila është rritur në New York dhe vjen nga Dibra, po ashtu ka performuar në skenat më të mëdha botërore, shpesh duke u paraqitur edhe përkrah dy këngëtareve të tjera shqiptare, Dua Lipës dhe Rita Orës. Rita Ora ishte e para këngëtare shqiptare që depërtoi në botë, por Dua Lipa eci me hapa edhe më të përshpejtuar përmes hitit të saj “New Rules”, që në vititn 2017 e nxorri si këngëtaren më të dëgjuar në platformën e madhe muzikor “Spotify”, shkruan KultPlus.

Edhe pse Bebe Rexha është paraqitur herë me Dua Lipën e herë me Rita Orën më të cilën ka realizuar edhe këngën “Girls”, Dua Lipa dhe Rita Ora edhe pse jetojnë të dyja në të njëjtin vend dhe vijnë të dyja nga i njëjti vend, ato kurrë nuk janë paraqitur së bashku dhe rrallë kanë zgjedhur të komentojnë njëra-tjetrën. Gjatë vizitave të tyre në Kosovë, ato të dyja janë shprehur se ndihen të lumtura për suksesin e njëra-tjetrës, megjithatë shpesh janë përfolur për raporte jo shumë të mira, si rrjedhojë e mospërkrahjes se Rita Orës në fillimet e Lipës.

Amanda Koçi, e njohur me emrin artistik Ava Max është ende në fillet e saj, mirëpo që po ecën bindshëm drejt hapave të shqiptareve të tjera të suksesshme. Ajo ka prekur top-listat muzikore të Britanisë me këngën e saj “Sweet But Psycho”.

Është këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha ajo që ka refuzuar “luftën” e fansave për ta rreshtuar atë përkrah Dua Lipës apo Rita Orës. Së fundmi, ajo ka bërë një hap edhe më të madh për t’i sjell ato më pranë.

Përmes një postimi në Twitter, ajo ka kërkuar nga Rita Ora, Dua Lipa dhe Ava Max që t’i bashkohen thirrjes së saj për të bashkuar zërat e tyre në një bashkëpunim të vetëm. Këngëtaret Ava Max dhe Dua Lipa i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje, madje Dua i është përgjigjur në gjuhën shqipe “Hajde shqipe”.

Pas kësaj thirrje, e këtyre konfirmimeve, pritet të shihet nëse ky vit do t’i gjej yjet shqiptare në një këngë të vetme./ KultPlus.com

‘Ai kaloi këndej me një tjetër, ai do të shkojë me atë tjetrën’

BALADË
Nga Gabriela Mistral / Përktheu Elida Buçpapaj

Ai kaloi këndej me një tjetër,
Unë e pashë tek kalonte këndej.
Era frynte gjithnjë ëmbël
Dhe shtegu ish krejt i qetë.
Dhe këta sytë e mi, mos pafshin më,
E panë atë kur po kalonte këndej!

Ai kaloi duke bërë dashuri me një tjetër
Mbi një lëndinë me lule.
Kulumria po lulëzonte
Dhe një këngë i fërfëlloi flatrat.

Ai kaloi duke bërë dashuri me një tjetër
Mbi një lëndinë me lule!
Ai e puthi tjetrën
Në bregun e detit.
Hëna lule portokalli
I prekte lehtë valët.
Dhe gjaku i zemrës sime nuk e nxiu
Hapësirën e pamasë të detit!

Ai do të shkojë me atë tjetrën
Tejetej përjetësisë.
Qiejt e ëmbël do e ndrisin.
(Zoti do që ata të heshtin.)
Dhe ai do të shkojë me atë tjetrën
Tejetej përjetësisë!

Qytetet “sekrete”, por fantastike të Evropës

Të gjithë njerëzit kanë kurrreshtjen ta vizitojnë Milanon, Londrën, Parisin ose Barcelonën.

Por Europë ka me bollëk vende që ju duhet t’i konsideroni sa më parë, transmeton Klan Kosova.

Janë disa qytete më pak të njohura, por që janë fantastike për t’u parë.

I gjeni të renditura më poshtë – kurseni para dhe vizitoni sa më parë.

Narrow back streets in medieval town of Kotor Montenegro Europe

Kotorr, Mal të Zi

Colorful houses of Parga, Greece

Preveza, Greece

Old town - Tvrda, Osijek, Croatia

Osijek, Kroaci

Ferrara. Street scene. Italy.

Ferrara, Itali

CLONAKILTY TOWN COUNTY CORK IRELAND

Clonakilty, Irlandë

Aerial view of Sintra, Portugal

Sintra, Portugali

old port,marseille,provence,france,europe

Marseille, Francë

People on the streets of Bakklandet in Trondheim, Norway.

Trondheim, Norvegji

Compania street,Salamanca,Spain

Salamanca, Spanjë

cafe and restaurants along Rathausquai, Lucerne, Switzerland, Europe

Lucerne, Zvicër

Houses along the Leie river, Ghent, Belgium

Ghent, Belgjikë/KlanKosova/ KultPlus.com

“Ju, punëdhënësit shqiptarë, jeni ende larg së kuptuari një formule aq të thjeshtë”

Autore: Lura Elezi

E/I dashur punëdhënës/e,

Prej 11 vjetësh punoj në tregun e Shqipërisë, dhe më vjen keq që ju, punëdhënësit shqiptarë, jeni ende larg së kuptuari një formule aq të thjeshtë:

punonjës i lumtur = biznes edhe më të mirë.

Dhe një ndër gjërat kryesore që e bën punonjësin më të lumtur është sigurisht, koha.

Koha për vete, koha për familje, koha për shoqëri, koha për të mësuar një gjë të re (që të hyn dhe ty në dobi!), kohë për hobi e pasione.

▪️Nuk ka rëndësi në çfarë industrie je. Nëse punonjësit nuk punojnë orë me tepri, janë automatikisht më të qetë e më falënderues.

▪️“Këtu jemi në Shqipëri/janë shqiptarë këta jo francezë” nuk vlen. Njeriu do të ketë më shumë kohë për veten e familjen si në Shqipëri, si në Senegal, si në Australi. 24 orë në 365 ditë kemi të gjithë.

▪️ “E di unë si e mbaj biznesin tim/si i trajtoj punonjësit” nuk vlen. E përsëris: si shqiptari, si tailandezja, si kanadezi, kanë nevojë për kohë. Kombësia apo zhvillimi nuk ka të bëjë me këtë nevojë.

▪️ “Çfarë kam bërë unë për ty” është paksa toksike. Je duke gabuar diku në marrëdhëniet njerëzore në punë, dhe se ku e di ti. Dhe jo, nuk ta kanë fajin punonjësit për gabimet e tua, dhe nuk ka përse të ndëshkohen ata.

Nëse vazhdon stilin e 90’ të trajtuarit të punonjësve, je duke e ngrënë gjetkë 100%. Nëpër zyra, ajo e shtuna apo e nxjerrja në ditë pushimi nuk ka asnjë vlerë të shtuar, statistikisht. Njeriu ka një kapacitet të caktuar që do e përdorë dhe shtimi i orëve të tua ka kundër efekt dhe jo vetëm që nuk shton produktivitet, por shton frustrim dhe vetëm frustrim.

Nëse je në shërbim dhe i mbingarkon punonjësit, do e shikosh boomerang-un në sjellje të keqe te klienti, dhe punonjësit me tolerancë më të ulët do të vjedhin.

Çfarë fitove, më thuaj? Pak lekë më shumë, që siç i more do i harxhosh?

Gjithmonë do e hash gjetkë. Po për momentin ndoshta e ke të pamundur të shikosh se je mësuar ta shikosh biznesin sot për nesër, dhe jo pa të drejtë, se ky është ndër tregjet më të pasigurta në botë.

Por guximtari i vërtetë bën pikërisht atë që duket si dobësi. Nëse merr disa masa të vogla drejt kësaj, besomë që je përfitues direkt, në shumë dimensione. Provo të marrësh frymë, të mendosh pak ndryshe. Ndali të shtunat e kota, apo ul orët në 40 për shërbimin. Vëri drynin ndonjë ditë biznesit për festa, dhe mos shiko mbrapa.

Nuk u futa fare te lekët, sepse e di sa temë përcëlluese është për biznesmenin shqiptar. Nëse vërtet e ke të pamundur të japësh rrogë të 13 (pengesa është në kokë më shumë se në bankë), merr prapë guximin të bësh atë çka kësaj kulture i duket si dobësi: të falënderosh njerëzit e tu, e t’u thuash sa e/i lumtur je që punon me ta. Ndonjëherë kjo i bën të flenë më të qetë se ca 10she në portofol.

Pavarësisht se çfarë pune bën, bëje mirë—jo për pronarin apo shefin, por për veten

Qe e thellë kënaqësia që më jepte të qenët e nevojshme për prindërit. Nuk qeshë si ata fëmijët e përrallave: një gojë më shumë për t’u ushqyer.

Që të fitoja dy dollarë më mjaftonte vetëm t’ia pastroja shtëpinë për disa orë pas shkolle. Qe shtëpi shumë e bukur, me divan dhe kolltukë të mbuluar me celofan, dysheme të mbuluara mur më mur me moket bardheblu, stufë të emaluar të bardhë, makinë larëse dhe makinë tharëse për teshat, gjëra të zakonshme për lagjen ku banonte Ajo, por që nuk i gjeje kurrkund në lagjen time. Paçka se lufta qe në kulm, te Ajo gjeje gjalpë, sheqer, mish viçi dhe çorape najloni.

Dija si t’i laja me leckë dyshemetë dhe si t’i laja teshat në govatën tonë xingato, por nuk kisha parë kurrë fshesë me korrent apo hekur rrobash që nuk e nxehje në zjarr.
Pjesërisht qeshë krenare që punoja për të ngaqë fitoja pare xhepi për vete, për filma, karamele, akullore. Por ndihesha edhe më krenare ngaqë gjysmën e parave të fituara ia jepja nënës, që do të thoshte se ato që fitoja shpenzoheshin për gjëra të qenësishme—për të paguar policën e sigurimit apo për t’u kthyer borxhin atyre që na sillnin qumësht dhe akull.

Qe e thellë kënaqësia që më jepte të qenët e dobishme për prindërit. Nuk qeshë si ata fëmijët e përrallave: një gojë më shumë për t’u ushqyer, një fëmijë i prapë që ka nevojë të ndreqet, një fëmijë problematik që duhet braktisur në mes të pyllit. Kisha statusin që nuk ta jep të bërët e punëve të shtëpisë. Dhe nga kjo fitoja një buzagaz të shtruar, një lëvizje miratuese të kokës nga të rriturit. Konfirmim se qeshë si vajzë e madhe dhe jo si fëmijë.
Asokohe, në vitet dyzet, fëmijët nuk qenë thjesht persona të dashur apo të pëlqyer, por qenë të nevojshëm. Fëmijët mund të fitonin para, mund të kujdeseshin për fëmijët e tjerë, më të vegjël se ata, mund të punonin në bujqësi, mund të merreshin me gjënë e gjallë, bënin punë të vogla, por edhe më shumë se kaq. Kam frikë se fëmijët sot nuk janë të nevojshëm si atëherë. Sot fëmijët duhen, llastohen, mbrohen dhe ndihmohen. Mirë është, ama . . .

Dalëngadalë ia mora dorën pastrimin të shtëpisë së Saj, aq mirë madje saqë m’i shtoi punët, më ngarkoi edhe shumë punë të tjera. Mora për detyrë të transportoja etazherë librash në katin e sipërm dhe, një herë, të zhvendosja një piano nga njëra anë e dhomës në tjetrën. Kur i ngrita etazherët u rrëzova. Dhe, pas lëvizjes së pianos, krahët dhe këmbët më dhembnin kaq shumë saqë doja të mos punoja më ose të paktën të ankohesha, por kisha frikë se mos Ajo më hiqte nga puna e kështu mund të humbisja lirinë që më falte dollari, si edhe statusin që gëzoja në familje, megjithëse të dyja këto privilegje po mpakeshin nga pak. Ajo filloi të më ofronte veshjet e saj, kundrejt një çmimi. Ia bleva disa, e mrekulluar nga këto sende të përdorura, të cilat një vajze të vogël me vetëm dy fustane për në shkollë i dukeshin të jashtëzakonshme. Gjersa ime ëmë më pyeti nëse doja vërtet të punoja për hedhurina. Prandaj mësova t’i thosha “Jo, falemnderit!” një trikoje të dalëboje që kushtonte sa një e katërta e pagës javore.

E megjithatë, nuk gjeja guxim t’i kundërshtoja kërkesat në rritje që më bënte Ajo. Dhe e dija se po t’i tregoja sime ëme sa shumë mërzitesha ajo do të më thoshte ta lija atë punë. Pastaj, një ditë, kur qeshë vetëm me tim atë në kuzhinë, iu qava pak për punën. I tregova me shembuj se çfarë më shqetësonte, por, megjithëse më mbante vesh me vëmendje, nuk i dallova fije dhembshurie në sy. Aspak “O, sa gjynah, e shkreta vajzë!” Mbase e kishte kuptuar se nuk po kërkoja t’i bëja bisht punës, por doja thjesht një zgjidhje. Gjithsesi, ai vuri filxhanin në tryezë dhe më tha: “Dëgjo. Shtëpia jote nuk është atje, është këtu. Te njerëzit e tu. Shko në punë. Merr ato para. Dhe hajde në shtëpi.”

Këto qenë fjalët e tij. Ndërsa mua m’u duk se më tha:
1. Pavarësisht se çfarë pune bën, bëje mirë—jo për pronarin apo shefin, por për veten.
2. Je ti zonjë e punës, jo e anasjella.
3. Jetën e vërtetë e ke me ne, me familjen tënde.
4. Nuk ka rëndësi çfarë pune bën, ka rëndësi çfarë njeriu je.
Prej atëherë kam punuar për gjithfarësoj njerëzish, për gjeni dhe të trashë, për mendjeshkathët dhe mendjengathët, për zemërgjerë dhe zemërngushtë. Kam bërë lloj-lloj punësh, por pas asaj bisede me tim atë kurrë nuk e kam matur veten me nivelin e punës dhe kurrë nuk e kam vendosur sigurinë e vendit të punës përmbi vlerën e familjes.

Përktheu Ilir Baçi/ filozofia.al

Brezovica, hyjnesha në fronin e dëborës

Brezovica në mes të dimrit ndrit nga bardhësia e dëborës me linjat e varg-kodrave në ngjitje ku prekin qiellin në majat e bjeshkëve të Sharrit. Paqja mbizotëron në këtë pllajë që tashmë është mbuluar nga bardhësia, duke e bërë hyjneshë në fronin e dëborës.

Me një peizazh hyjnor, gjithë dritë e bardhësi, ujëra që rrjedhin nga malet, bimësi të larmishme, përrenj dhe shtigje alpine, Brezovica është ndër më të bukurat jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Ballkanin.

Brezovica është një nga destinacionet më të preferuara për apasionantët e turizmit dimëror, por jo vetëm. Edhe në verë natyra e Parkut Kombëtar të Sharrit është ndjellëse për adhuruesit e natyrës, sepse bora qëndron dhe në këtë stinë.

Ajo ndodhet në rajonin Ferizaj në Kosovë, i njohur si vend pushimin dimëror, shtrihet në një pllajë në Parkun Kombëtarë të Sharrit një nga bjeshkët më të bukura që ka rajoni.

Zona turistike e skive ndodhet në mënyrë ideale në shpatet e Parkut Kombëtar të Sharrit në veri dhe në veriperëndim.

Linja e kreshtës përfshin 39,000 hektarë terrene malore alpine dhe pyje, me një florë dhe faunë mjaft të larmishme dhe të bollshme.

Hapësira e qendrës së skive është rreth 2500 ha, në lartësinë mbidetare 1718-2522 m. Përbrenda kësaj hapësire janë shtigjet e skive me gjatësi mesatare rreth 4 km dhe me një lakueshmëri mesatare prej 38 %.

Në lartësinë mbidetare prej 1718 m, në Livadhin e Madh gjendet teleferiku më i ri. Stacioni i daljes nga ky teleferik është në lartësinë 2212 m mbi nivelin e detit.

Qendra e skive “Brezovica” është e hapur për adhuruesit e skive gjatë të gjitha stinëve të vitit, ku në verë, sipërfaqja e mbuluar me borë zvogëlohet por prapë lë mundësinë e shfrytëzimit.

Kjo qendër ka disa hotele të cilat ofrojnë shërbime cilësore të kategorive më të larta.

Vendpushimi vendor i skive u krijua në vitin 1954. E para nga pesë ashensorët e skive në u instalua në vitin 1979. Po ashtu, përmban 16 km shpatet e skive të vendosura në veri dhe në verilindje përballet me shpatet e Rezervatit Natyrornë Malet e Sharrit.

Linja e kreshtës përfshin 39,000 hektarë terrene malore alpine dhe pyje, me një florë dhe faunë mjaft të larmishme dhe të bollshme. /ata

Vlora dhe Berati i vitit 1900 në fotografitë e Karl Paçit

Në maj të vitit 1900 historiani Carl Ludwig Patsch, vizitoi Myzeqenë. Në aparatin fotografik që kishte me vete ai do të fokusonte momente të ndryshme nga jeta e shqiptarëve në atë zonë.

Në një nga fotot shfaqen muzikantët teksa interpretojnë rrugëve, veshur me veshjet karakteristike të kohës. Në një tjetër shfaqen disa klerikë nga Manastiri i Zvërnesit në Vlorë. Fotoja është realizuar në 1 maj 1900. Më 17 maj Patsch ka vizituar Beratin, ku imazhe të ndryshme na vijnë nga qyteti i asaj periudhe, ku spikat pazari./gazeta-shqip.com/ KultPlus.com

Restaurim banesës së Hasaf Galanxhit në Gjirokastër

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin me objekt: “Restaurimi i banesës së Hasaf Galanxhit”, Gjirokastër.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese në fasadat e banesës, monument kulture i kategorisë I. Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com

Dhelpra e kuqe, pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit

Moratoriumi i gjuetisë në vendin tonë përherë e më shumë po pasuron parqet natyrore me faunën e egër, si dhe me specie të rralla që i kanë munguar natyrës dhe mjedisit tonë.

Përkujdesja dhe angazhimi i specialistëve për të ruajtur mjediset nga gjuetia e paligjshme ka bërë të mundur që një specie rrallë në vendin tonë si është dhelpra e kuqe të rikthehet pas përkujdesjes në Parkun Kombëtar të Dajtit, duke e shndërruar tashmë në një atraksion turistik dhe për pasionantët e vëzhgimit të botës së egër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se, ”dhelpra e kuqe e “Safari Park”, në Fier, tani është e lirë. Pas 80 ditësh trajtim intensiv në kopshtin zoologjik të Tiranës, “Four Paws” realizoi me sukses lëshimin e saj në natyrë. Ajo do të jetë pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit”./koha.net/ KultPlus.com

Posta francezë sjellë pullën postare me imazh të Skënderbeut

Posta  e Francës ka vënë në qarkullim një pullë postare të veçantë duke përdorur për të imazhin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Ky lajm e ka lumturuar edhe Ulpiana Lamën. Ajo këtë e ka ndarë edhe me miqtë e saj në Facebook.

“Posta franceze nxjerrë në përdorim pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu). Iniciative fort e çmuar e Maison d’Albanie në një realizim te spikatur të piktorit Zamir Mati”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Grupi ABBA së shpejti me këngë të reja

Anëtarët e grupit suedez, “ABBA”, së shpejti pritet të hyjnë në studio dhe të nisin punën për përgatitjen e këngëve të reja.

Bendi i muzikës pop kishte paralajmëruar që para Vitit të Ri de do të fillonte me realizimin e materialeve të reja, mirëpo fansat duhet të presin së paku deri në verë të këtij viti.

Grupi i ka incizuar këngët “I Still Have Faith In You” dhe “Don’t Shut Me Doën” për nevojat e spektaklit “Virtual ABBA”, i cili është dashur të emetohej në BBC në fund të vitit 2018.

Megjithatë, në shtatorin e kaluar, grupi njoftoi se spektakli është shtyrë për këtë vit. Ndërsa sipas Variety, këngët e reja të “ABBA” nuk do të lansohen para verës.

Edhe pse nuk ka pasur ndonjë informatë zyrtare për arsyen e shtyrjes së projektit, besohet se disa komplikime ligjore kanë qenë pengesë për publikimin e mëhershëm.

“Kemi bërë këngë të reja për t’i përfshirë në emisionin e ri. Megjithatë, kur emisioni do të nisë shfaqjen, këngët do të jenë të vjetra”, ka thënë anëtari i grupit, Benny Andersson.

Njëherësh, në një intervistë për IceTheSite, Anderson ka thënë se ekziston mundësia që “ABBA” të hyjë së shpejti në studio dhe të incizojë edhe këngën e tretë të re. 

Shqipëria mirëpriti 6 milionë turistë, rritje me 16%

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në muajin dhjetor 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, rezulton me rritje 12,3 %.

Instituti i Statistikave ka bërë të ditur këtë të mërkurë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2018, janë 833.200.

Paralelisht, INSTAT thotë se në dhjetor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 280.699 krahasuar me dhjetorin e 2017-ës, ky numër është rritur me 9,0 %.

Instituti i Statistikave raportoi se hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë në vitin 2018, janë 5.926.803 duke u rritur me 15,8 %, në krahasim me vitin 2017./ ata

Anatoli, burri që dërgoi Zotin në gjykatë, dhe e dënoi

Me 17 janar të vitit 1918, regjimi i ri sovjetik e gjykoi Zotin. Ose kësisoj mendoi.

Një numër i të shtënave shkuan drejt qiellit për të përmbushur dënimin që Zoti e morri prej tribunalit revolucionar, i cili e shpalli vdekjen e Qenies Supreme.

Burri që e nisi dhe e organizoi këtë gjykim ishte Anatoli Lunacharski, që në atë kohë ishte komisar dhe bashkëpunëtor i Leninit. Ai e nisi një proces që zgjati pesë orë dhe që e dënoi Zotin “për krime kundër njerëzimit”.

Zoti kishte faj, për shumë njerëz që u paraqitën në gjykim. Zoti nuk kishte reaguar kur duhej, i kishte ikur përgjegjësive të tij. Procesin e përkahu edhe Lenini, Trotski, Zinovievi dhe Kamenevi, shkruan KultPlus.

Lunacharski kishte një miqësi të rëndësishme me gruan e Leninit, prandaj edhe e morri këtë hap absurd historik. Zoti u dënua, pa të drejtën e ankimit, dhe pas pesë orëvve në qiell u gjuajtën armët në drejtim të Zotit. Kjo edhe njihet në histori si dita kur Bashkimi Sovjetik e dënoi Zotin lart, për ‘gjenocid’.

Lunacharski ka lindur në Ukrainë ndërsa që i vogël kishte proklamuar kulturën marksiste. Ai vdiq në moshën 58 vjeçare, në vitin 1933. / KultPlus.com

Haradinaj: Vlerat më të larta atdhetare i gjejmë te Isa Boletini

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar Isa Boletinin me rastin e shënimit të 103 vjetorit të vrasjes së tij.

Haradinaj ka thënë se figura e Boletinit edhe tani duhet të jetë shembull se interesi kombëtar vendoset para çdo interesi tjetër.

“Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme”, shkruan Haradinaj.

Fëmijët që kalojnë disa orë në telefon apo tabletë rrezikojne të mos kenë gjumë të mjaftueshëm

Fëmijët që kalojnë disa orë duke luajtur në telefon apo tabletë rrezikojne të mos kenë gjumë të mjaftueshëm, ka treguar një studim i realizuar së fundmi.

Hulumtimi zbuloi se të rinjtë nën moshën dhjetë vjeç që qëndrojnë pranë pajisjeve elektronike portative, kanë gjasa për dy herë më të larta që të humbasin gjumin.

Pajisjet portative mendohet të jenë më të dëmshme sesa thjesht shikimi i televizorit për shkak se fëmijët  janë në gjendje t’i bartin ato në dhomat e tyre gjatë kohës së gjumit.

Hulumtimi u krye nga Universiteti Shtetëror i San Diegos, i udhëhequr nga Dr Jean Twenge, nga departamenti i psikologjisë.

Akademia Amerikane e Pediatrisë, Shoqata Kanadeze e Pediatrisë dhe Departamenti Australian i Shëndetësisë këshillojnë fëmijët të kenë jo më shumë se dy orë në ditë pranë ekranit./klankosova/ KultPlus.com

“Delegacioni” shpërblehet në Trieste Film Festival 2019

“Delegacioni“ me skenar të Artan Minarolli e me regji të Bujar Alimani është shpallur fitues në kategorinë “Best Feature Film” në Trieste Film Festival 2019, shkruan KultPlus.

“Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë – një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar.“

Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi./KultPlus.com

‘Lufta në Siri – Tregime nga Kosova’, të martën vjen në Prishtinë

Me datë 22 janar, të martën, duke nisur prej orës 18:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë vjen një ngjarje e veçantë.

Këtë natë do të shfaqen dy filma  – ‘Forgive me’ nga Besim Ugzmajli dhe ‘Voices from Within’ me regji nga Lum Çitaku, ndërsa pas shfaqjes së të dy filmave të shkurtër do të pasojë një panel diskutimi me të dy artistët.

Të dy filmat kanë marrë një vëmendje të mahnitshme edhe në tregun kinematografik ndërkombëtar ndërsa trajtojnë luftën në Siri dhe ndikimin e kësaj lufte në shoqërinë kosovare.

FORGIVE ME |
Bujari, një djalë i ri, manipulohet nga një Imam kosovar duke iu bashkëngjitur grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai në mënyrë sekrete i bashkohet luftës dhe pastaj kërkon nga vllau i tij më I vjetër Agroni ta dërgoj gruan e Bujarit, Mimozën në Siri. Agroni i tmerruar nga veprimet e vllaut të tij e konfronton Bujarin dhe kërkon nga ai të kthehet në Kosovë. Agroni përpiqet të parandalojë nisjen e Mimozës në Siri duke shpresuar që do ta bind edhe të vllaun të kthehet në Kosovë.

VOICES FROM WITHIN |
Film dokumentar ku portretizohet përvoja e grave kosovare në raport me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm përbrenda familjeve të tyre. Filmi sjell së bashku tregimet e dy grave kosovare, bashkëshortët e të cilave kanë vdekur në luftën e Sirise. Ato tash janë të vetme në sigurimin e ekzistencës për fëmijët e tyre. / KultPlus.com

Skender Sahiti, hendbollisti i gjeneratës së artë

Në ditën e shpalljes së laureatëve të vitit 2018-të, hendbolli humbi një prej lojtarëve më të dalluar të viteve 70-80-të, ish portierin, Skender Sahiti, që ndërroi jetë sot në moshën 63 vjecare.

Ai vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër. Sahiti ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të ish klubit Borac të Ferizajt, që për kohë të gjatë garoi suksesshëm në Ligën e Parë Federative të Jugosllavisë.

Më pas, Sahiti ka bërë karrierë si hendbollist edhe në Kroaci e Itali, ku ka ushtruar edhe zejën e trajnerit./21Media

Hapet ekspozita ‘E bukura fillon me ne’

Çdo person në botë është i bukur, në forma të ndryshme, aq sa e ndryshme është edhe vetë bukuria. Por më të bukurit, janë ata që janë më të veçantë, personat me nevoja të veçanta.

Një ekspozitë që pikërisht ka për fokus këta persona të dashur u hap sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ekspozita ‘E bukura fillon me ne’ u shpall e hapur nga Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Elvana Shala – Ambasadore e Vullnetit të mirë në Kosovë. Ekspozita sjellë fotografi të personave me aftësi të veçanta nga një revy mode e organizuar në vitin 2018-të, ku këta persona u veshën me rroba nga dizajnerët e njohur kosovarë.

Eloida Alija është njëra prej bukurosheve e cila sot e pa veten edhe në ekspozitë. Është e papërshkrueshme se sa e gëzueshme ishte ajo sot.

“Sot nuk e kam veshur fustanin e revysë, por jam shumë e lumtur me atë sfilatë dhe me këtë ekspozitë sot” tregon Eloida, gjithmonë e buzëqeshur dhe e gatshme për të dhënë dashuri ndaj njerëzve rreth saj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, dhe është një mënyrë e mirë për të menduar e reflektuar mbi gjendjen e këtyre personave me nevoja të veçanta dhe për të punuar më shumë drejt integrimit të tyre në shoqëri, shkruan KultPlus.

Para ekspozitës, po në këtë Qendër u mbajt një panel diskutimi me Apostolovën dhe Shalën, në kuadër të ciklit ‘Gender Talks’ ku muaj për muaj do të diskutohet për gruan dhe problemet që ajo hasë në këtë shoqëri.

Mes tjerash, në këtë debat u fol se si gruaja me nevoja të veçanta është e diskriminuar në mënyrë të dyfishtë, nga paragjykimet familjare por edhe nga mentaliteti në shoqëri. / KultPlus.com

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës reagon lidhur me rastin e Kaltrina Ibishit

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka reaguar lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj Kaltrina Ibishit, shkruan KultPlus.

Në reagim thuhet se rastin e publikimit të dhunës së ushtruar kundër Kaltrina Ibishit, e kanë përjetuar rëndë për faktin se dhuna e ushtruar kundër gruas, si gjini fizikisht më e pafuqishme, ka shëmtinë e vet arkaike, burracakërinë dhe perversitetin.

“Të jeni të bindur se raste të tilla të dhunës ka dhe janë të shumta. Dhuna nuk ushtrohet vetëm në zonat rurale, aty ku në përqindje është më i theksuar patriarkalizmi. Dhuna ushtrohet edhe nga njerëzit e veshur me kravata, edhe nga njerëzit më kuleta të fryra, edhe nga politikanë të profileve të ndryshme, madje edhe nga vetë predikuesit fetarë. Madje këta të fundit thonë se gruaja duhet të varroset më thellë se burri. E turpshme kjo”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se zëri i Kaltrina Ibishit e të tjerave si ajo, duhet të dëgjohen më shumë në shoqëri.

“Si çdo plagë trupore, edhe kjo plagë e shoqërisë duhet të hapet që e keqja të del. Zëri i Kaltrinës është një zë, fatkeqësisht shumë i vetmuar, siç është edhe vetë zëri i Oso-s së vogël – djalit të, Kaltrinës, si përjetues i dhunës. Kaltrina është një ekzemplar shembullor i një heroine. E tillë na duhet ne femrave sot. Ajo është një heroinë çfarë i duhet shoqërisë tonë për shërimin e plagëve arkaike të dominimit gjinor”, thuhet tutje në reagim. / KultPlus.com

Rita Ora dhe interpretimi i saj i fuqishëm te Jimmy Fallon (VIDEO)

Rita Ora së fundi ka qenë pjesë e emisionit të famshëm amerikan “The Tonight Show”, të udhëhequr nga Jimmy Fallon, shkruan KultPlus.

Ajo bisedoi për albumin e saj të ri “Phoenix” si dhe u bë pjesë e disa lojërave së bashku më nikoqirin duke përfshirë këtu edhe këndimin e disa këngëve të njohura./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=hqX0B7lElLQ
https://www.youtube.com/watch?v=gHB_Ljz9PDU
https://www.youtube.com/watch?v=UArEPGoBt74

‘Sa të due mor fishek’, letra e Sadijes për Dritëro Agollin

Letra

Shkodër 20.IV.1965

I dashtun, Gjithë këtë kohë e kam mendjen tek ti. Më ka dalë gjumi qysh në orën 5.10 të mëngjesit nga një vetëtimë e tmerrshme dhe bubullimë që tronditi gjithë shtëpinë. Menjëherë më shkoi mëndja tek ti. Me se do të niset? Me motoçiklete asht gomarllëk ta mendoj, se s’ke luejtë mënc. Nga vetëtima neve na u dogj radioja, megjithëse nuk e kishim të ndezur. Gjithë këtë tersllëk shiu e ka prue ai Thimi i pllakave, po ti mos i thuej se na zemërohet burri i botës. Kot nuk të thashë që kur të rrinje, të më baje nji telegram sa të më hiqje merakun.

Ty pa të porositë, nuk të shkon mendja për asgja. Por duhet të kesh arritë mirë se nuk kam asnji parandjenjë të keqe në zemër. Unë sot, skam dalë hiç, korrigjova disa detyra e hartime dhe tashti po merrem me ty. Sa të due mor fishek, sa nuk di me ta tregue. Ma mirë që takohemi në krye dy tri javëve se kështu të paktën i kuptojmë ndjenjat tona. Ti më qorton se s’të kam shkrue letra, po as ti s’më ke shkrue ma shumë, barazi jemi.

Ti më pritnjë se po vi në Tiranë, edhe unë mendoja se po takohem me ty. Po tashti e kemi të qartë të dy, se për tri javë nuk do takohemi kështu që ti shkruajmë njëni – tjetrit pa justifikime të kota. Janë letrat e fundit e kupton, s’do kemi nevojë ma për letra, se do merremi vesh tue qenë pranë dhe jo nëpërmjet postierit shkodran e tiranas. Veç ndonjëherë kur të grindemi, do pajtohemi me anë letrash. Sot jemi më 20 prill edhe dy muaj e dy javë kanë mbete që të jemi të ndarë.

Edhe 3 herë nga dy tre ditë do të takohemi, mandej… e di vetë ti. Mendon për dasmë, mos mendo shumë me ardhë, dasmë pa mish dhe lekë nuk ka. Ti je fishek, s’mendon fare. Do të bashkohen të gjitha bashkë dhe s’do të dish nga t’ia fillon.

Pa pasaportizimin s’ka emnim pune, prandaj më dërgo fjalë sa më shpejt çfarë duhen si dokumente për lutje dhe mos i lër pas dore. Prilli po mbaron, pra edhe për Xhelalin mos harro, gjej kohë të lirë, se nuk bëhet kiameti. E di se punë do të kesh shumë por ç’të bajsh. Sot një vjet për 1 maj do më shohësh tue parakalue edhe mue me nxanësit, do më tundësh dorën, mor fishek, do të shkruejsh ma me entuziazëm. Mjaft porosi të kam dhanë, mbes me shpresë se do ti kryesh o “portret i njeriut të madh”. A ta mban të shkojsh esëll me ble ato që donje ti merrje mbramë në atë dyqanin që pamë. Je një cikë i paturpshëm. Të fala kush të pyesi për mue Të puth fort, jo si tek gjyshja.