’34 gra u vranë brenda 10 vjetëve shkaku i dhunës në familje’

Vrasja e 34 grave brenda një dekade në Kosovë dëshmon se dhuna në familje është fenomen shqetësues dhe në rritje, del nga një raport i publikuar të enjten nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) në Kosovë.

Raporti ka konstatuar se vetëm vitin e kaluar mbi 400 viktima kanë kërkuar strehim nëpër strehimoret, që merren me viktimat e dhunës në familje, shkruan sot Koha Ditore.

Duke qenë fenomen në rritje, OSBE-ja ka rekomanduar që të shtohet numri i strehimoreve, e veçanërisht të sigurohet financim i qëndrueshëm për to. Në anën tjetër, zyrtarë të institucioneve vendore kanë pranuar se situata është shqetësuese, por kanë thënë se këtë vit do të bëjnë edhe më shumë për minimizimin e nivelit të dhunës.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë publikimit të raportit, ka thënë se kërkesa e 400 viktimave të dhunës për strehim nënkupton se strehimoret shpëtojnë jetë dhe janë të domosdoshme.

Ka thënë se është fakt i frikshëm që vendi më i rrezikuar për jetën e gruas është shtëpia e saj. 

Në Kosovë ka shumë raste por kujtojmë Zejnepe Berishën e Diana Kastratin si dy raste që kanë prekur shumë qytetarin e Kosovës, duke mos përjashtuar edhe rastet tjera të grave që u vranë mizorisht nga burrat e tyre. / KultPlus.com

Lejla Pula, gruaja e radhës në ngjarjen ‘KultWoman me…’

KultPlus e fillon vitin 2019-të me një grua tjetër që jep gjithçka nga vetja për artin e kulturën shqipe.

Me datë 23 janar, prej orës 17:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë ju ftojmë në mbrëmjen e radhës të ciklit ‘KultWoman me..’, kësaj radhe me Lejla Pulën.

Lejla Pula është një ndër pianistet më të mira shqiptare. Një grua plot finesë dhe një profesioniste e pashoqe, ajo vazhdon ta udhëheqë ‘Chopin Piano Fest’, një festival që i jep shumë çdo vit artit e kulturës në Kosovë. Rrëfimi i saj është më i gjatë, dhe më i mishëruar se kaq.

Ejani me 23 janar, ta dëgjoni këtë rrëfim e ta takoni nga afër Lejla Pulën dhe botën e saj muzikore.

‘KultWoman me…’ është projekt i implementuar nga KultPlus, financuar nga ‘Culture for Change’ – program i Bashkimit Evropian në Kosovë.

The Cranberries e kujtojnë me album të ri vokalisten O’Riordan

Një album i tërë do t’i kushtohet asaj që i dha jetë këngëve të tyre.

Cranberries po e incizojnë albumin e radhës për ta kujtuar vokalisten Dolores O’Riordan e cila ndërroi jetë në janar të vitit 2018-të.

Cranberries tanimë e ka publikuar këngën ‘All other now’ e cila do të jetë pjesë e këtij albumi, i cili do të publikohet në muajin prill.

The Cranberries janë njohur në botë me këngët e tyre “Zombie” apo “Ode to my family”.

Albumi do ta sjellë vokalisten para publikut sikur ajo të mos ishte larguar kurrë. Këngët janë të shkruara nga vetë ajo, në muajt e fundit të jetës.

https://www.youtube.com/watch?v=gSC2upiyRlQ

Dolores në të kaluarën ka vuajtur nga depresioni dhe doza e madhe e alkoolit, por duket se ka ndërruar jetë kur ishte në një ritëm të madh të punës.

Pas përfundimit dhe lansimit të albumit, grupi do të ndahet për një kohë dhe do të pauzojë nga karriera muzikore. / KultPlus.com

Rita Ora publikon fotografi ku shihet veshja kombëtare

Ylli botëror Rita Ora është emri që po prek majat e suksesit të saj në fushën e muzikës dhe modës, shkruan KultPlus.

Fëmijëria e Rita Orës nuk lidhet aspak me vendin prej nga vjen por e ruan të fortë dashurinë për vendin e saj, Kosovën. Sot ajo ka rikthyer disa kujtime të fëmijërisë me rastin e ditëlindjes së nënës së saj, Vera Ora.

Në njerën nga fotografitë Rita Ora shihet pranë vëllaut të saj  të vogël i cili është  i veshur me veshje kombëtare.

“Për nënë time që është inspirimi më i madh në botë për mua. Urime ditëlindjen dhe faleminderit që ke qenë një grua kaq frymëzuese e punëtore, aty ku unë mora  etikën e punës”, ka shkruar Rita Ora në postimin e saj.

Rita Ora ka mbajtur një koncert në Prishtinë vitin e kaluar për nder të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

‘E bukura fillon me ne’, ekspozitë me fotografi të personave me nevoja të veçanta

Të hënën në Prishtinë do të hapet një ekspozitë e veçantë.

Me fotografitë e personave me nevoja të veçanta, ekspozita ‘E bukura fillon me ne ‘ do të hapet nga Ambasadorja Nataliya Apostolova dhe Elvana Shala – Ambasadore e Vullnetit të Mirë.

Ekspozita përmban fotografi të realizuara gjatë eventit të modës për persona me nevoja të veçanta, në dhjetor të vitit 2018-të.

Ekspozita do të hapet me 21 janar, me fillim prej orës 12:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, në Bulevardin Nënë Tereza, shkruan KultPlus.

Eventi i modës ‘Beauty begins with us’ u mbajt në muajin dhjetor të vitit 2018-të, me pjesëmarrjen e personave me nevoja të veçanta të cilët shërbyen si fotomodelë dhe fotomodele në një sfilatë mode. Për disa momente ata harruan se sa janë të neglizhuar nga shoqëria dhe përçuan mesazhin për dashuri, integrim dhe për jetesë të përbashkët.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 10 shkurt 2019. / KultPlus.com

Ministri i Arsimit i quan ekstreme kërkesat e mësimdhënësve

Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka folur për grevën e mësimdhënësve, duke thënë se kërkesat e tyre janë ekstreme dhe të njëjtat do t’i kushtojnë miliona buxhetit të shtetit.

Sipas Ministrit Bytyqi, brengosja më e madhe është që nxënësit po humbasin orë mësimore, duke deklaruar se po kërkojnë një zgjidhje.

“Brengosja më e madhe është se nxënësit tanë po humbin mësim dhe është një gjë jo e mirë dhe e kemi të vëshitrë të kompenzojmë. Jemi duke kërkuar një zgjidhje që do të jetë e përshtatshme. Deri tani nuk është bërë një zgjidhje që do ta mundësonte rikthimin e mësimit”, deklaroi ai.

Në parim nuk është dashur që të fillojë fare greva, është shprehur ministri.

Bytyqi i ka cilësuar si ekstreme kërkesat e SBASHK’ut.

“Këto kërkesa janë goxha ekstreme. Mund të jetë një kosto mbi 5 milionë euro, që është vështirë e realizueshme. Dje i kemi dorëzuar një propozim Qeverisë dhe po presim që të kemi një reflektim që të ketë një rritje të koeficientit, dhe të hapet një dialog me SBASHK’un dhe të gjithë dikasterët e arsimit”, deklaroi ministri, duke thënë se të hënën maksimumi nxënësit duhet të kthehen në shkollë.

“Të hënën maksimumi është dita kur nxënësit duhet të kthehen në bankat e tyre, sepse çdo vonim tjetër është i pariparueshëm”, ka shtuar ministri.

Besarta Jashari publikon video të rrallë të babait: Zëri që më qetëson shpirtin

“Fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria”

E mbijetuara e betejës historike të 5, 6 dhe 7 marsit, Besarta Jashari vajza e heroit, Hamëz Jasharit në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar një audio regjistrim të rrallë të babait të saj, në të cilën, Hamza dëgjohet duke rrëfyer sakrificat e familjes së tyre që i përcollën për vite me radhë.

Sipas Besartës, edhe sot  pas më shumë se 20 vitesh, fjalët e babait të saj përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria.

“…zëri që më qetëson shpirtin ! Sot, pas më shum se 20 vjet, fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria, dëshmon për familjën tonë… Në këtë audio regjistrim, që është i publikuar vetëm pjesërisht, mund të dëgjoni fjalët e babushit përmes të cilave e kuptojmë guximin e përkushtimin për liri, sakrificën për shumë vite që bënte familja jonë, presionin sistematik që përjetonim… por mbi të gjitha të palëkundur dashurinë dhe besimin në lirinë që po na priste… Gjatë këtij rrëfimi të babushit, mes tjerash përjetoj edhe harmoninë familjare që dikur kishim dhe sot më përcjellë si një kujtim i mire. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për liri”, ka shkruar Besarta në postimin e saj të bërë në Facebook.

Hamëz Jashari u lind në vitin 1950 në Prekaz dhe u vra në mars të vitit 1998, bashkë me komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin dhe me anëtarët e familjes, ndërsa Besarta në atë kohë si 11 vjeçare i mbijetoi asaj beteje. 

‘Ai edhe mund të mbjellë flokët, ajo edhe mund të bëjë buzët, ata e ato edhe mund të zvogëlojnë hundën…’

Fitim Uka / Facebook

Ai edhe mund të mbjellë flokët, ajo edhe mund të bëjë buzët, ata e ato edhe mund të zvogëlojnë hundën apo zmadhojnë ndonjë aset tjetër “të vlefshëm”. Por, lajmi i keq është që, tru plastike apo botox-tru nuk ka. Eh, fatkeqësisht, aty qëndron gjithë problemi.

P.S. Po të ishte preokupim i njerëzve mendja dhe shpirti, aq sa është dukja dhe paraqitja, sot nuk do të vdisnim për lajmet e tipit 18+ (Foto & Video). Megjithatë, lexim të këndshëm.

Ke me ma pague

Charles Bukowski

Ke me ma pague.
Ke me ma pague për sytë tuej,
për buzqeshjen e buzët tueja.
Ke me ma pague se më debulon.
Ke me ma pague se më ban me u dorzue.
Ke me ma pague se nuk ke me më lanë me gjetë asnji tjetër si ti.
Të marrtë dreqi gru e mrekullueshme.

Përshtati në shqip A.Zadrima

Presidenti Ibrahim Rugova dhe Qeni i Sharrit – Qeni Mollos Ilir

Presidenti historik Ibrahim Rugova qenin e sharrit e quante Qeni Mollos Ilir.

Qeni Mollos Ilir sipas përshkrimit që Presidenti historik i kishte bërë në një botim të tij në vitin 2004 me titull “Qeni Ilir Shqiptar” ishte një prej racave më të dashura të Aleksandrit të Madh apo Lekës së Madh.

Ai e përdorte për ushtrinë e tij. Është një qen shumë besnik ndaj pronarit të vet dhe e ruan bagëtinë me besnikëri nga sulmuesit.

Në vitin 1995 kur është bërë ndarja e pasurisë së ish Jugosllavisë ka qenë një konflikt mes Serbisë dhe Maqedonisë për pronësi dhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në atë kohë kishte këmbëngulur se ky është qen autokton i Kosovës

Njëkohësisht Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova kishte kerkuar edhe nga Federata Ndërkombëtare e Kenologëve që të regjistrohet si qen autokton i Kosovës. 

Në vitin 2012 një delegacion nga Kosova i deleguar nga z. Dardan Gashi ministër i mjedisit në atë kohë kishte marr pjesë në takimin e Federatës së Kenologëve në Gjermani ku e ka prezentuar si qen autokton të Kosovës.

Bilali, djali që po merr zemrat e francezëve për në Eurovizion

Bilal Hassani tanimë është shndërruar në senzacion në rrjetet sociale, dhe në Youtube.

Djali 19 vjeçar nga Franca po konkurron për ta përfaqësuar Francën në Eurovizionin e këtij viti, dhe kënga e tij ka kaluar fazën e parë.

Kënga ka marrë rreth 3 milion klikime tanimë, dhe po konsiderohet si këngë e mirë dhe e duhur që Francën ta qojë në Eurovizion.

“Roi” ka kaluar fazën e parë të konkursit Destination Eurovision 2019.

https://www.youtube.com/watch?v=xsAQCsiV3fU

Bilali studion për gjuhë angleze në Universitetin Sorbonne në Paris, ndërsa në vitin 2017-të ai u deklarua se është homoseksual. Kjo e ka penguar pak atë për ta sjellë një këngë për fuqinë e individualizmit, me titullin “Roi”.

Bilal për disa kohë ka publikuar videot e tij në Youtube, duke kënduar edhe këngë tjera të njohura, dhe u shndërrua kështu në një ‘Youtuber’.

Finalja e DESTINATION EUROVISION 2019 do të mbahet me 26 janar kur edhe do të dihet kush këndon sivjet për Francën në Eurovision. Franca e ka fituar gjithsejt 5 herë Eurovisionin – Festivalin Evropian të Këngës, herën e fundit në vitin 1977. / KultPlus.com

‘Kujdes mami, ata do të vrasin!’, fjalët e fundit të vogëlushit Halim Beqiri në Reçak

Në kapitullin e tretë të librit “Mashtrimi i madh” nga Bardhyl Mahmuti tregohet një histori që ka të bëjë me Reçakun, dhimbjen e madhe të shqiptarëve dhe krimin e tmerrshëm mes krimeve tjera që Serbia bëri në Kosovë.

Në artikullin «Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim», shkruhet në librin e Mahmutit, Pierre Hazan-i filloi dëshminë e fshatarëve të Reçakut me thëniet e një fëmije të vrarë në këtë aksion.

“Kujdes mami, ata do të vrasin!”, ishin fjalët e fundit të Halim Beqirit, 12-vjeçar.

Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. ‘Ata e vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë’” rrëfente nëna e tij, Eminja.

Nga Fatmir Arifi / Facebook

Gazetari asokohe e përcillte luftën për Liberation –gazetën e njohur franceze, dhe shkroi disa shkrime për Masakrën e Reçakut, e cila këtë 15 janar përkujtohet në 20 vjetorin e saj.

“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 20 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do të na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma nga të katër anët”, tha Rama, një burrë rreth dyzet vjeç. “Pjesa tjetër e grupit u dërguan në përrua. Policët serbë i prisnin që t’i vrisnin.”. / KultPlus.com

Alicia Keys do të drejtojë ceremoninë e 61-të të çmimeve Grammy

Alicia Keys do prezantojnë çmimet ”Grammy Awards” këtë vit.

“Unë e di se çfarë ndjen kur je në skenë dhe do ta sjell atë energji”, tha fituesja 5 herë e Grammy, në një deklaratë të martën.

“Jam shumë e emocionuar që do jem prezantuese e ceremonisë në mbrëmjen më të madhe të muzikës, që feston kreativitetin, fuqinë dhe magjinë. Jam veçanërisht e gëzuar për të gjitha gratë e nominuara këtë vit”, tha Alicia Keys.

Kjo do të jetë hera e parë që këngëtarja do prezantojë një shfaqje.

Me më shumë nominime këtë vit janë reperët Kendrick Lamar dhe Drake. Të dy kryesojnë me 8 dhe 7 nominime, respektivisht , shkruan ata.

Gjithashtu janë të nominuara edhe dy këngëtaret me origjinë shqiptare, Dua Lipa dhe Bebe Rexha. Çmimet ”Grammy Awards” do jepen në CBS më 10 shkurt./ KultPlus.com

‘Disa arsye pse Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të jap dorëheqje’

Armend Smajli / Facebook

Disa arsye pse Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të jap dorëheqje:

• Udhëheqësi Artistik aktual është plagjiator! Ai, përmes një vendimi të dërguar nga Ministra e Kulturës është njoftuar se shfaqja, nën regjinë e tij ndalohët për reprizim, pas konstatimit se është plagjiaturë. Udhëheqësi Artistik nuk është i pastër moralisht dhe ligjërisht!
• Udhëheqësi Artistik, përvec një dite të vitit kur miratohen tekstet, nuk brengoset më për rrugëtimin, motivimin, nevojat e sfidat e ndryshme artistike që lindin gjatë procesit të krijimtarisë. Pos kësaj, ai nuk udhëheq mirëmbajtjën kreative të shfaqjeve dhe repertorit!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, në vazhdimësi përqesh dhe përbuz shumë prej teksteve dhe shfaqjeve që inskenohën, me pretekstin se nuk i ka përzgjedhur ai. Si duket ende pa e kuptuar që pikërisht kjo është përgjegjësia e tij kryesore! Kjo i bie që ky drejtor artistik bën favore e kompromise. Pra, është i kompromituar!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, gjatë mandatit të tij, deri më tani asnjëherë nuk ka marrë masa dhe përgjegjësi kur shumë repriza të shfaqjeve të caktuara devijojnë nga autorësia e regjisorëve. Udhëheqësi Artistik nuk kryen detyrat e tij! Pra, është i papërgjegjshëm!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, gjatë mandatit të tij nuk ka ndërrmarë asnjë iniciativë për të respektuar, qoftë dhe një artist, me rastin e pensionimit. Ai nuk ka nderuar, përmes asnjë forme asnjë artist të teatrit që ka ndërruar jetë. Ai nuk respekton njerëzit që ishin dhe janë trashegimi e këtij institucioni që nga themelimi i tij! Pra, nuk është artist dhe është mosmirënjohës!
• Udhëheqësi Artistik i TKK u shmanget gjitheherë paraqitjeve publike. Asnjēherë nuk flet publikisht për politikat artistike të teatrit apo arsyet e perzgjedhjëve të teksteve respektive!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, ka kallëzim penal në policinë e Kosovës, sepse gjatë kësaj periudhe sa është drejtor ai ka sulmuar fizikisht/rrahur një aktor brenda objektit të Teatrit. Ky aktor prej asaj dite nuk e ushtron aktivitetin e tij në Teatër. Pra, udhëheqësi Artistik është bërë i dhunshëm dhe ka shkelur ligjin!
•Mungesa e ambicieve, vizionit, kreativitetit dhe mos përmbushja e përgjegjësive artistike qe i takojnë, kanë bërë që drejtori artistik aktual të mos gëzojë as më të voglin autoritet e kredibilitet për detyrēn qe mbanē!

Drejtorin artistik aktual e pritēm mjaft, disa vite. Por ja ku jemi, ne situatën ku nuk mund ta mbyllim njërin sy sepse asnjë nga këto veprime nuk mund të mbrohën e as të demantohēn!

Prandaj, duke ju shmangur çdo gjykimi personal, unë i kërkojë publikisht drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të bëjë një gjë të ndershme. Të ofrojë dorëheqjen e tij! Në të kundërtën, Këshilli Drejtues i TKK ka obligim ta shkarkojë para përfundimit të mandatit të tij, sepse mosshkarkimi dhe mos penalizimi i ketyre veprimeve do të krijojē precedent për të gjithë ata/ato qe do të vijnë në këtē pozitë shumë të rëndēsishme për skenën tonë kulturore!

Kjo pozitë artistike duhët të udhëhiqet fillimisht nga një individ i pastërt ligjërisht, e pastaj nga një individ që është serioz, kredibil, ambicioz, i përgjegjëshëm, artist, intelektual dhe me dinjitet!

Ministri Italian Enzo Milanesi viziton Qendrën COD në Tiranë

Ministri Italian i Punëve të Jashtme, Enzo Moavero Milanesi, vizitoi këtyre ditëve Qendrën COD në Tiranë, ku me rastin e festimeve kombëtare të Shqipërisë dhe mbylljes së Vitit Kombëtar të Skënderbeut është ekspozuar Harta Detare e 1455 nga Bartolomeo Pareto, në sajë të bashkëpunimit me Bibliotekën Qendrore Kombëtare të Romës.

Ministri Moavero Milanesi i dorëzoi personalisht qendrës COD një kopje të Hartës Detare.

“Letër fëmijës që nuk u lind kurrë”, premierë në fundjavë në skenën e Teatrit Eksperimental

Shfaqja “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë” me autore Oriana Fallaci vjen këto ditë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Premiera në datën 19 janar është punuar për në skenën teatrore nga Ina Gjonçi dhe Endri Çela. Kjo pjesë që vjen premierë do të interpretohet në skenë nga aktorja  e njohur Ina Gjonçi. Këto ditë janari aktorja po zhvillon provat për të sjellë premierën në skenë, që do të vijojë dhe net të tjera për publikun të shfaqet pas datave 19 dhe 20 janar në sallën Goethe të TKES.Pak ditë para premierës aktorja Ina Gjonçi tregon se pse e zgjodhi këtë vepër, që sipas saj nis dhe nga një njeri i drejtpërdrejtë. “E kam punuar edhe për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve ndaj atëherë më solli fat. Uroj dhe tani. Çfarë më ka ngacmuar? Fallacin përgjithësisht e urrejnë. E urrejnë edhe në vendlindjen e saj Itali, aq sa u largua e jetoi në Amerike. E urrejnë aq sa i uronin kancerin nga i cili edhe vdiq. E urrejnë edhe pse parashikoi çfarë do ndodhte me Islamin sot. E meqenëse unë, njerëzit e drejtpërdrejtë i dua, ja …u puqa me të”, tregon aktorja.

Sipas aktores Ina Gjonçi kjo vepër përcjell mesazhe, dhe ndonëse flitet për vdekjen drama përcjell dashurinë. “Drama përcjell dashurinë. Ndonëse flitet edhe për vdekjen. Dyshimet e një gruaje për të sjellë apo jo në jetë një fëmijë në një botë kaq të pasigurt. E rrëfimi i saj, është përshkrimi i kësaj bote. Ajo ia lë në dorë fëmijës nëse zgjedh të jetojë apo jo, në formën më maksimale të lirisë. Sot gjithnjë e më shumë numri i lindjeve po bie. Jo vetëm nga pasiguria. Por edhe sepse shumë gra zgjedhin karrierën e për këtë shpesh dënohen. Çfarë është mëmësia pra? E drejtë apo detyrim?”, vijon aktorja. Për ta sjellë në skenë këtë herë aktorja ka bashkëpunuar me regjisorin Endri Çela, punë që e vlerëson. “Nuk është regji imja. Kam shumë respekt për regjisorët për ta quajtur regji. Plus kam pasur edhe ndihmën e mikut tim regjisorit Endri Çela. Është një punë imja, më shumë se regji imja. E këtë nuk e them për modesti të tepruar, që në fakt është mendjemadhësia më e madhe”, vijon aktorja.

Teksti i autores

Në vitin 1975, shefi i saj, drejtori i gazetës “Europeo”, i kërkoi Fallacit një shkrim mbi abortin. Gazetarja u kthye pas gjashtë muajsh me tekstin e librit “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë”. Shefi nuk ja fali “mosbindjen”, bota fitoi një nga tekstet më të drejtpërdrejtë mbi gruan, dashurinë dhe jetën. “Ndihem e çorientuar. Unë nuk jetoj me babanë tënd. E nëse do ta dish nuk më vjen keq fare. Ndonëse rri shpesh e shoh atë derën aty, nga e cila iku sikur nuk kishim për t’i thënë asgjë njeri tjetrit. Një grua, me pikëpyetje e dilema, bashkëbisedon me krijesën e saj, duke zbuluar kështu, të vërtetat më të mëdha mbi dashurinë, dhimbjen, e jetën. Teksti i Fallacit shndërrohet me tekstin e çdo gruaje”, shkruan tetari për këtë pjesë monodramë në skenë. Por për ta sjellë në skenën e teatrit aktorja tregon se e “sponsorizon” publiku që do ta ndjekë. “ Shfaqja ime e vockël, mbështetet nga unë. Në sensin, që nuk kam aplikuar askund dhe pritshmëritë janë, që publiku ta zgjedhë, ndonëse “konkurron” me shfaqje me buxhete të mëdha. Doja të ndaja një tekst me publikun e nuk e mendova më gjatë. Uroj vetëm që ky “bast” imi, të rezultojë fatlum. Pra shfaqjen e “sponsorizon” publiku”, përfundon aktorja e njohur Ina Gjonçi. Me aktivitetin e  saj në teatër deri tani aktorja ka sjellë në skenë role të ndryshme.

Julia Vrapi / Sot.al / KultPlus.com

Sot shënohet 155 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

Kompjuterët e harruar të Bashkimit Sovjetik

Sot një pjesë e mirë e atyre që kanë kompjuterë ose laptopë, kanë harruar se si dukeshin dikur kompjuterët e vjetër dhe me dizajne të ndryshme.

Normalisht, në pjesë të ndryshme të botës prodhoheshin kompjuterë të dizajneve të ndryshme dhe shtetet e botës konkurronin që të prodhonin kompjuterët më të mirë, e më të avancuar me teknologjinë.

Microsha (ca. 1987)

Gjithmonë kanë qenë të veçantë kompjuterët e sovjetëve. Tetris, MERA MC, Microsha, Agate-4 ishin lloje të ndryshme të komputerëve në Bllokun Sovjetik, kur ishte shumë e shtrenjtë blerja e një kompjuteri personal, sidomos të këtyre llojeve. / KultPlus.com

Tetris on EC 5300
BK 0010-01
EC 1841

‘O shqipëtarë, as nder, as turp, as gjak s’kini..’

Faik Konica
Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

F.K. – 1901

Grevës i bashkohet edhe Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim që të bashkohet në grevën e thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

UP-ja thotë se ky qëndrim unanim ka dalë pas takimit të zhvilluar sot në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku morën pjesë menaxhmenti i lartë i Universitetit, dekanët e njësive akademike dhe përfaqësues nga SBASHK-u.

“Në këtë takim, dekanët njoftuan që si pasojë e grevës, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë pezulluar në mënyrë të tërësishme të gjitha proceset administrative dhe akademike. Situata e krijuar ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek palët brenda dhe jashtë Universitetit, të cilat kërkojnë ekzekutimin e kërkesave të tyre, në veçanti të kërkesave të adresuara në mënyrë emergjente”, thuhet në njoftimin e UP-së.

“Duke shpresuar që në një afat të shkurtër kohor do të arrihet zgjidhja e duhur për situatën e krijuar, UP apelon tek palët e përfshira që të mundësojnë daljen nga kjo bllokadë dhe të vijohet me mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe administrativ në institucionet arsimore”, theksohet në komunikatën e UP-së.

Ambasadori O’Connell: Sot kujtojmë për një moment viktimat e Reçakut

Në 20-të vjetorin e Masakrës së Reçakut, sot kujtojnë të gjithë shqiptarët për këtë masakër që tronditi botën.

Ambasadori Ruairi O’Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, sot ka shkruar në rrjetin social solidarizimin e tij me rastin e kësaj dite të kombshme.

“Today I join with people across Kosovo to remember, for a moment, the victims of the killings at Reçak, and all victims from the past thirty years. Peace in the Balkans depends on justice for them and their families”

“Sot bashkohem me popullin e Kosovës për të kujtuar, për një moment, viktimat në Reçak, dhe të gjitha viktimat në tridhjetë vitet e fundit. Paqja në Ballkan varet prej drejtësisë për këto viktima dhe për familjet e tyre”

Kështu ka shkruar O’Connell në rrjetin social Facebook.

Mynihu renditet ndër atraksionet kryesore turistike për 2019-ën

“New York Times” e rendit Mynihun si një ndër atraksionet kryesore të udhëtimeve për vitin 2019. Kryeqyteti i Bavarisë ia ka dalë të renditet në 5 destinacionet më të rëndësishme të listës, pas zonave të njohura për bukurinë e tyre natyrore si Karaibet apo dhe objekte kulti si tempulli Hampi në Indi.

Arsyeja nuk është birra bavareze, por gazeta prestigjoze e rekomandon me forcë qytetin gjerman si pikë kulturore udhëtimi. Teatro si “Münchner Kammerspiele” dhe “Residenztheater” janë ndër më kreativet në Europë, thuhet në artikull.

Vetëm midis muajve janar dhe maj të këtij viti, atje do të shfaqen 30 premiera. Si arsye për të vizituar Mynihun, përmenden gjithashtu muzetë e njohur si Lenbachhaus me koleksionin e artit modern dhe opera Bayerische Staatsoper e drejtuar nga drejtori muzikor, Kirill Petrenko, shkruan koha.net

Mynihu zë vend qendror, por nuk është i vetmi në këtë land që tërheq turistë si me magnet; të huajt duket preferojnë shumë edhe malet, kështjellat dhe qytetet e gjithë Bavarisë.

Sipas një vlerësimi të Zyrës Federale të Statistikave, landi i Bavarisë pati rritje prej 6,1 përqind të turistëve të huaj në vitin 2018./KultPlus.com

‘Të dashur mësues, mos i detyroni fëmijët të shkruajnë se si e kanë kaluar pushimet dimërore’

Te dashur/a mësues/e,

Javën e ardhshme kur ato fytyra te ëmbla të vijnë në klasën tuaj dhe ju dëshironi  të jepni detyrën e zakonshme “Si i keni kaluar pushimet dimërore”, ju lutem konsideroni një fëmijë, familja e të cilit/cilës nuk ka pasur mundësi të shkojë për pushime. Një fëmijë tjetër që është dashur të kujdeset për vëllaun/motrën më të vogël, sepse vëllau/motra i/e saj/tij më i/e madh/e ka fjetur gjithë ditën. Një fëmije që i është dashur të rrijë poshtë batanijes deri në orën 2 pas mesnate duke dashur t’i ik britmave dhe fyerjeve. Një fëmijë që po shikon për të ngrënë dhe për të mbushur barkun, pasi që sandwichi ka qene ushqimi i/e tij/saj gjate tere pushimit ose që nuk ka ngrënë asgjë dhe e ka kaluar tere pushimin duke kërkuar ushqim për veten. Fëmija që po vesh rrobat e vitit të kaluar, sepse familja nuk ka pasur mundësi t’i blejë rroba të reja.

Ka fëmijë qe druhen ne ditën e parë të shkollës sepse nuk kanë një përgjigje të mirë për pyetjen se si e kane kaluar dhe çfarë kanë bërë gjatë pushimeve dimërore, sepse ndoshta ajo që ata kanë bërë ka qenë veç mbijetesa.

Andaj ju lutem konsiderojeni një pyetje tjetër, psh “Çfarë do të bëj këtë gjysemvjetor”.

Por, ju lutem shume mos i detyroni të shkruajnë një paragraf për të ju treguar se si i kanë kaluar pushimet.

Aaron Baker / Përktheu Gentrita Nuka (Pershtati KultPlus.com)

Mësuesi i ngujuar nga bora në Dukagjin: Jam në mëshirë të fatit

Mësuesi Ndue Leka ndodhet i izoluar nga dëbora prej 5 ditësh në Dukagjin.

Leka është i vetëm në një banesë në Bushalë, pa ushqim dhe pa energji elektrike.

Në një lidhje telefonike me redaksinë e Report Tv, Leka thotë se ndodhet pa ushqim dhe pa energji elektrike.

“Ka rënë 1 metër borë, po pres të shoh çdo bëhet. Jam në një banesë i vetëm në Bushalë. Jam i sëmurë nga mushkëritë dhe nuk eci dot. Ushqimin unë e marr për 5 ditë por sot është e shtunë. Të iki deri tek lumi bëj 6 orë me këtë borë me këmbë. Kërkoj që kur të kalojë helikopteri të marrë mësuesit e tjerë tek Bregu i Lumit, të vijë të më marrë edhe mua. Jam në mëshirë të fatit, kërkoj ndihmë. ”-ka thënë Leka.

Dy ditë më parë, drejtpërdrejt me Kol Vladaj, një nga 8 mësuesit e bllokuar në Dukagjin. Vladaj tha se shkolla rrezikon të shembet dhe situata mund të përkeqësohet.

Ende mësuesit e bllokuar ndodhen tashmë në zonën e Bregut të Lumit duke pritur që të ketë një ndërhyrje me helikopter që ata të transportohen drejt Shkodrës.