‘Hotel Jugoslavija’ po shfaqet në Tiranë, Shkodër dhe Kuçovë

Dokumentari ‘Hotel Jugoslavija’ sonte do të shfaqet në Tiranë.

Ndërtuar në Beograd në vitin 1969, hoteli “Jugosllavia” ishte një vend mitik. Ai ishte hoteli më i madh në Ballkan, një simbol dhe dëshmitar i periudhave që përkufizuan Jugosllavinë si shtet; nga Titoja tek Millosheviçi; nga socializmi tek nacionalizmi; nga bombardimet e NATO-s tek korrupsioni i liberalizimit ekonomik. Jugosllavia nuk ekziston më, por hoteli ekziston ende në shpirtin e Beogradit, si një pasqyrim i komunitetit serb, i cili kërkon ende mundësi të reja dhe moderne. Me shëtitjen në ndërtesë dhe vështrimin në të gjitha dhomat, me mbledhjen e kujtimeve nga e kaluara prej atyre që kanë jetuar e punuar atje, producenti, i cili ka prejardhje jugosllave nga nëna e tij, por i lindur dhe i rritur në Zvicër, krijoi një kronologji, ku e pandërgjegjshmja kolektive dhe identiteti i tyre del përmbi gjithçka.

Për producentin zviceran, ky film dokumentar është një lloj kërkimi për “mbretërinë e humbur”. Ne gjejmë dhe zbulojmë në këtë vend simbol të një epoke, përmes një liste të klientëve të tij të famshëm dhe të panjohur dhe shohim se si një ndërtesë mund të përkufizojë atë ideologji dhe identitet kombëtar. Gjithashtu mund të shohim se me sa forcë i bën ballë ky hotel kolapsit të sistemit.

Filmi vjen në Kinema Imperial Agimi, në Tiranë, ndërsa po shfaqet njëkohësisht edhe në Kinema Millennium në Shkodër dhe në Kinemanë Kadri Roshi në Kuçovë.

Filmi ishte në programin “Panorama”, në Festivalin e Filmit të Berlinit 2018, në programin e konkurrimit në Festivalin e Filmit dokumentar në Selanik 2018 dhe në kompeticinonin zyrtar në Tirana International Film Festival 2018.

Distributor për Shqipërinë është Tirana Film Institute dhe shpërndarja mbështetet nga “Swiss Films”. / KultPlus.com

‘Shingjergjat po sillen more djalë, vjeshtat po përcillen dylbero’

Një zë emocionues e i veçantë, Plator Gashi e ka sjellë një version interesant të “Shingjergjat Po Sillen”.

“Dy vjet mas versionit të parë të kanges, të incizum shpejt e shpejt në qysh të dhomës teme, sot ma n’fund i dulëm n’krye me e qitë studio-incizimin e Shingjergjave!
Dashni të pamatshme për secilin që ka da kohë me e ngu, e për fjalët e ambla të pakursyme. M’u ka knaqë zemra secilën herë që e kam knu, koftë ne gigs, koftë edhe vec kur ka qëllu naj gitare afër e i ka ra n’mend dikujt. Tekstin e kam lexu për herë t’parë në ni përmbledhje të kangëve folklorike të dashnisë, edhe kurrë s’mu ka hjekë shija e mirë që ma ka lanë. Në kangë, Dita e Shën Gjergjit osht kasnec i verës e rilindjes, e i jep vrull ni dashnie të përmallshme, po të butë.
Pa Shpat Morina-n, i cili m’ka shty e ma ka rreh vazhdimisht krahun, s’kisha mujtë me e çu as deri n’gjysë. ❤ Falënderime t’veçanta për Analog Studios për hapsinën edhe mbështetjen!
Ka kohë deri n’Shëngjergj, po ardhtë me gëzim e dashni!” ka shkruar Platori para pak ditësh kur e ka sjellë versionin e tij të këngës.

Këngën nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite.

Po e sjelim poshtë edhe tekstin e këngës bashkë me videon e zërit kaq të ëmbël të Platorit. / KultPlus.com

SHINGJERGJAT PO SILLEN
Shingjergjat po sillen, mor djalë
Shingjergjat po sillen, mor djalë
Vjeshtat po përcillen medet-o
Vjeshtat po përcillen medet-o
Qajo guja e gat, mor djalë
Qajo guja e gat, mor djalë
M’i këputi dy kraht medet-o
M’i këputi dy kraht medet-o
Qajo guja e shkurt, mor dajë
Qajo guja e shkurt, mor djalë
M’i këputi dy gujt medet-o
M’i këputi dy gujt medet-o
( https://www.galabri.com/histori/gallapi/gerbac/foto/libra/baftikrasniqi.pdf )

Sinan Kajtazi jetësoi bindshëm dëshirën e fundit të Osman Takës

Gili Hoxhaj

Sinan Kajtazi, me lëvizjet e tij jo rrallë ka dërguar në Evropë mesazhe të historisë së vendit të tij, ndërsa në Prishtinë ka bartur jo dhe pak role që flasin për histori nga vende të ndryshme të botës.
Në rreth 50 premiera, publiku i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka arritur të identifikojë lojën e tij që ka përfaqësuar kërkesat e koreografëve nga vende të ndryshme të botës.

Premiera e fundit për këtë vit e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës shënoi hapin e parë të Kajtazit në koreografi. Trupa me të cilën Kajtazi është rritur profesionalisht dëshmoi një dinamizëm në lëvizjet e muzikën e projektuar nga Kajtazi.

Kur salla errësohet, një dritë e zbehtë i bën të identifikueshëm trupat e balerinëve që nisin të mbushin skenën por ajo që të rrëmben fillimisht është muzika. Tingujt e klarinetës me muzikën ritmike në përputhje me përplasjet e trupave mes vete shpesh nuk iknin nga njëra-tjetra por bashkëdyzoheshin duke dhënë një eksperiencë të veçantë për publikun që kishte zënë çdo ulëse të teatrit.

Që në fillim publiku shkon në jug të Shqipërisë, e sjellë ndërmend hijeshinë e hapave të Osman Takës, i cili kishte pasur vetëm një dëshirë që në momentet e fundit të jetës të ndjehet i lirë pranë litarit. Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë por të gjithë botës shqiptare dhe mbarë Ballkanit. Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë që u kap rob në luftë me osmanët. Hijeshia me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Eleganca e valles kur burrat kapen në trajtë shkalle erdhi mbrëmë edhe përmes lojës së balerinëve që me kostumet e punuara nga Vesa Kraja të kujtonin fustanellat e valltarëve çam.
Përmes lojës së balerinëve, Kajtazi kishte gdhendur personalitetin e Osman Takës duke e përshkruar si simbol të vallëzimit, sakrificës për të tjerët e sinonim i rezistencës, protestës e filmimit.

Një çast errësire e kthen përsëri publikun drejt skenës, derisa dëgjohen zërat që përsërisin radhazi emrin e Osmanit. Zërat duken sikur vijnë nga çdo pjesë e sallës, e sytë tashmë janë të fokusuar tek trupi i Osman Takës (Fatmir Smani) që është varur në litar.

Koreografi Sinan Kajtazi i cili i përket gjeneratës së parë të balerinëve tha për KultPlus se gjithnjë historia e Osman Takës i ka ngjallur emocion andaj ka dashur edhe ta sjellë në shfaqjen e tij të parë. Ai thotë se që në fillim tregohet se Osman Taka ka qenë një person i protestës, i sakrificës, i cili ka përçuar një ideal për të mirën e përbashkët. Tashmë që gati një vit, Kajtazi është përkushtuar në krijimin e muzikës së shfaqjes ndërsa thotë se ka përfshirë muzikë të jugut duke e lidhur me historinë e Osman Takës por duke gërshetuar edhe pjesë ritmike për t’i përshtatur me vallëzimin e balerinëve.
“Nuk kam mundur ta përcjellë tërësisht shfaqjen sepse kam qenë prapa duke u kujdesur edhe për anën teknike por një gjë e di që Baleti Kombëtar i Kosovës e ka dhënë më të mirën prej vetes sonte dhe gjithë stafi teknik-artistik përcjellës”, tha ndër të tjera Kajtazi.

Publiku qëndroi më gjatë në sallë ku dha duartrokitje të fuqishme për trupën e BKK-së e koreografin Kajtazi, të cilët për disa herë radhazi u kthyen në shenjë falënderimi për ta. Duartrokitjet vijnë edhe më të fuqishme kur në skenë ngjitet drejtori i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj i cili mes emocionesh duartrokitjet e gjithë sallës mori urimet për ditëlindjen e 65-të tij. Brahimaj është emëruar shef i baletit në vitin 1985 ndërsa është njeriu kyç i rithemelimit të Shkollës së Baletit respektivisht Baletit të Kosovës. Ai tha për KultPlus se mbrëmjen e kaluar, e konsideron si një sukses të përbashkët me gjithë trupën e baletit me të cilën bashkëpunojnë tash e 20 vite. Për koreografinë e Kajtazit, Brahimaj thotë se ai mbrëmë dëshmoi që nuk është vetëm një balerin i mirë por dhe një koreograf shumë i mirë.

“Jam i lumtur që kemi arritur ta bëjmë një trupë atraktive që ka vlera të mëdha artistike dhe po jep kontribut edhe në qendra të tjera evropiane që ta njohin këtë vend edhe nga ana artistike. Unë u uroj suksese më tutje, armiku i tyre më i madh është egoizmi, nëse e ushqejnë atë e shkatërrojnë trupën për të cilën kemi dhënë shumë mund”, u shpreh Brahimaj. Ai pati një porosi për Ministrinë e Kulturës duke thënë se shpreson që tash e tutje të mos vazhdojë pengimin e funksionimit të kësaj trupe, me të cilën përkundrazi do duhej të tregonte më shumë përkrahje.

Hideki Murakami nga Japonia jeton tash e pesë vite në Prishtinë ndërsa nuk ka as edhe një shfaqje baleti që nuk e ka përcjellë këto vite. Ai është një nga të fundit që del nga holli i teatrit. Largohet vetëm pasi arrin që ta përshëndesë Kajtazin e ta përgëzoë për shfaqjen.
Ai tregoi për KultPlus se me baletin si vallëzim artistik është familjarizuar në Kosovë ndërsa thotë se nuk e ka përcjellur atë edhe në Japoni.
“I përcjell zakonisht njoftimet e baletit në Facebook dhe vij ta shoh çdo shfaqje. Këtu jam mësuar të shijoj lëvizjet e trupave në vallëzim. Shfaqja sonte ishte shumë e mirë, veçmas muzika, valltarët dhe ajo që ata dhuruan me vallëzimin e tyre. Më ka lënë përshtypje pjesa e fundit kur personazhi kryesor varet lart, edhe pse është e dhimbshme është edhe shumë impresionuese”, shprehet Murakami për KultPlus.

Januz Beqiraj, profesor i disa prej balerinëve të Trupës së Baletit Kombëtar vjen në secilën premierë të tyre për ta parë punën e këtyre balerinëve, të cilëve është munduar t’ua japë më të mirën nga përvoja e tij. Ai tha se mbrëmë duartrokitjet e publikut treguan më së miri se kush është baleti i Kosovës dhe e ardhmja e kësaj trupe u dëshmua në koreografinë e Teuta Krasniqit që është shfaqur me premierë në fillim të këtij viti dhe koreografinë e Sinan Kajtazit për të cilin tha se tregoi mbrëmë se di të bëjë koreografi të përmasave të koreografëve të njohur botëror.
“Deri tani i kam thënë “Sinan djali”, tani do t’i them “Sinan burri” sepse me këtë shfaqje tregoi se ka arritur edhe pjekurinë profesionale”, u shpreh Beqiraj mbrëmë pas shfaqjes.

Shfaqja “O.Taka” sonte vjen me reprizën e parë, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Robert Aliaj në protestë bashkë me të bijën: Mbani larg politikën

Artisti rebel Robert Aliaj i është bashkuar protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit.

I shoqëruar edhe nga vajza e tij, Aliaj i mëshon fort idesë që politika të mbahet larg.

“Po bëhem 60 vjeç me shpresën për tu bërë ky vend, dhe nuk u bë. Shpresoj që ju ta bëni dhe fëmijët tuaj ta shfrytëzojnë këtë. Është e rëndë kjo. Kërkoni të drejtat tuaja dhe qëndroni të pastër. Asnjë parti politike nuk duhet ta shfrytëzojë këtë moment, pasi janë gati si hiena t’ju shfrytëzojnë. Vazhdoni kështu se jeni në rrugë shumë të mirë”, u shpreh ai.

Plumb në Galerinë Kombëtare të Arteve, kallëzim penal artistit Armando Lulaj

Me datë 3 dhjetor 2018, në Galerinë Kombëtare të Arteve ka ardhur nëpërmjet shërbimit postar një zarf nga qytetari Armando Luaj.

Specialistja e protokollit pasi ka hapur zarfin ka identifikuar një objekt në formën e një plumbi të vendosur në një letër transparente. Për këtë arsye, zarfi është mbyllur përsëri, dhe institucioni ka bërë një kallëzim në polici në datën 4 dhjetor. Policia po bën verifikimet përkatëse për çështjen”. Ka qenë kjo përgjigja që zyra e shtypit të Galerisë Kombëtare të Arteve i ka dhënë “Gazetës Shqiptare”, pas i është kërkuar konfirmim për ngjarjen.

Sqarimi nga ana e institucionit ka qenë i shkurtër, megjithatë ata janë përgjigjur për sa më sipër.

Një letër që në pamje të parë është e tejdukshme dhe një plumb. Nuk është vetëm (as) një vepër arti. Artisti shqiptar Armando Lulaj i ka dërguar një plumb në zarf më 29 nëntor Muzeut të Arteve të Bukura, ose ish-Galerisë së Arteve Kombëtare në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai për “Gazeta Shqiptare”. “PLUMB NË ZARF”, 2018 ka edhe shpjegimin e vet. “Si i vetmi institucion i rëndësishëm i artit në vend, Galeria Kombëtare e Arteve, sot Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, është konsideruar historikisht pikë referimi për artistët vendas, sikundër edhe për publikun. Ndërtesa aktuale, e cila ndodhet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, u inaugurua më 29 nëntor 1974, në përvjetorin e çlirimit të vendit. Ky është edhe momenti i parë i riorganizimit dhe ristrukturimit të institucionit, falë të cilit misioni dhe veprimtaria artistike e galerisë vazhdoi shtysën drejt vizionit shtetëror për ndërtimin e të ardhmes socialiste”, shënon ai në tekstin që shoqëron imazhet e zarfit në platformën “DebatikCenter”.

Artisti, i njohur për veprat e tij vitet e fundit dhe si përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Venecias(2015), ka një mesazh që përçon me zarfin e fundit.

“Në këtë moment të kohës sonë, kur i gjithë aparati shtetëror aktual shfaqet më se i vendosur, që me çdo mjet të lançojë vendin drejt bashkëkohores, institucioni më i rëndësishëm i artit, si pasojë e transformimit të tij në muze, i është nënshtruar një ristrukturimi dhe rindërtimi të dytë. Qëllimi bashkëkohor i lajmëruar prej qeverisë socialiste që prej vitit 2013 nuk ka shfaqur ende e nuk mund të shfaqë kurrsesi asnjë shpërthim vizionar, asnjë zgjim, e asnjë hapje reale institucionale. Gjurmët që po lënë pas zbulojnë gjithnjë e më shumë drejtimin e kundërt. Institucioni është ngurtësuar e vetëmbyllur, ndërkohë që shpërthimi i vërtetë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë jashtë tij”, thotë Lulaj. Ai shton se “në këto kohë të demokracisë së paqartë dhe të kontrollit total politik mbi artin, në këtë datë historike të çlirimit të vendit nga nazifashizmi që përkon me përvjetorin e 44-t të inaugurimit të kësaj godine, i dërgova institucionit një copëz të vogël realiteti”. Ai e cilëson “PLUMB NË ZARF”, një dhuratë për Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura. Ky akt u vulos dhe u siglua më dt. 29 Nëntor 2018, në orën 09:20, dhe ju dërgua Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, ish-Galeria Kombëtare e Arteve, me shërbim ekspres të brendshëm postar me nr. EB756471574AA.

Kaltrina Kusari, refugjatja shqiptare që po bën studim për refugjatët në Kanada

Kaltrina Kusari u largua nga Kosova gjatë kohës së luftës, për në Kanada.

Ajo sot jeton e vepron në Kanada ndërsa ka përfunduar studimet PHD.

Momentalisht ajo po punon në një studim, me të tjerë bashkëpunëtorë, duke u fokusuar në faktin se si refugjatët që vijnë nga zonat e luftës kanë nevojë për një tjetër trajtim sesa grupet tjera.

Hulumtimi po ndodhë në Universitetin e Calgary, ndërsa po tenton të shohë se me çfarë trauma përballen refugjatët që vijnë në një vend, nga një vend lufte.

Kosovarja është pjesë e këtij studimi, i cili po bëhet në bashkëpunim me University of Montreal dhe Toronto’s Ryerson University.

Calgary është qytet në Alberta, Kanada, një pjesë industriale por ku janë vendosur edhe refugjatët që vijnë në këtë shtet.

“E kuptoj se ka shumë probleme kur refugjatët vijnë këtu, dhe përballen me ndalime nga më të ndryshmet. Gjetjet e studimit që po bëhet do të mund të ndihmojnë në adresimin e këtyre problemeve në mënyrë që jeta e këtyre njerëzve të jetë më e mirë” tregon Kusari.

Studimi do të fokusohet edhe në refugjatët që kanë nevoja të veçanta, që janë me aftësi të veçanta apo kanë orientim seksual të ndryshëm, kushte këto të cilat do të mund ta bëjnë më të vështirë jetën më pas në Kanada në fillim të shpërnguljes. / KultPlus.com

‘Lahuta është instrumenti më i lashtë dhe kryesori në Eposin e Kreshnikëve’

Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe aktet tjera që rregullojnë fushën e trashëgimisë kulturore, në vazhdimësi është e përkushtuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Krahas kësaj dhe në përputhje me objektivat strategjike, një rendësi të veçantë i kushton edhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Në vazhdën e përpjekjeve për të kompletuar inventarin, studimet, hulumtimet dhe interpretimet në fushën e trashëgimisë kulturore me theks te veçantë të asaj jo materiale dhe promovimit gjithsesi, ka mbështetur punën e Komisionit Ndërqeveritar për Eposin e Kreshnikëve , me theks te veçantë punimin e filmit dokumentar për Eposin e Kreshnikeve.

Dosja për Eposin e Kreshnikeve është punuar në përputhje me kriteret ndërkombëtare dhe bazuar në dispozitat e Konventës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jo materiale kurse është hartuar nga grupi i specialisteve me eminent të Kosovës dhe Shqipërisë , Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Shaban Sinani dhe akademik Vaso Tole.

Filmi dokumentar është punuar nga regjisori Orhan Kërkezi në bashkëpunim me specialistet e sipërpërmendur. Në kuadrin e filmit dokumentar të Eposit dhe të folklorit burimor në fokus është instrumenti muzikor Lahuta, që përfaqëson akretipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian dhe që shoqëron këngët e kënduara.

Qëllimi i përfshirjes se Eposit te Kreshnikeve në Listën e Përfaqësimit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të UNESCO-s ka qenë dhe do të mbetet si i tillë, pra përfshirje e monumentit më të lashtë të etnokulturës si një nga shtyllat kryesore të trashëgimisë jo materiale dhe një nga pikat më të ndritshme evropiane dhe botërore. I kategorizuar si i tillë ka dhe do të ketë për qëllim respektin e vazhdueshëm ndërmjet komuniteteve, grupeve e individëve si dhe do te promovonte respektin për diversitetin kulturor.

Për shkak të rrethanave të asaj periudhe, parashtrimi për Eposin e Kreshnikeve në UNESCO nuk ka ndodhur sikundër qe është aspiruar fillimisht anëtarësimi i Kosovës për të ndjekur tutje procedurat e rregullta. Në këtë relacion, MKRS-ja ka dhënë dhe statusin ligjor për Eposin e Kreshnikeve në kuadër te Listës se Trashëgimisë Kulturore nën kategorinë e V-të Trashëgimia Shpirtërore

Mësuesi që u rrah me policët serbë në qendër të Ferizajt rrëfen ngjarjen

Veterani i arsimit, Maliq Luzha, pati një përleshje të ashpër fizike me policinë serbe në Ferizaj në vitin 1989.

Atë kohë kur shqiptarët malltretoheshin dhe rraheshin nga policët serbë përditë, Luzha mori guximin dhe grushtoi disa herë policët serbë.

Më pas, dhjetëra policë e rrahën atë dhe e dërguan në stacionin policor të atëhershëm.

Videoja nga ky moment ka qenë shume e shikuar dhe e komentuar në rrjetet sociale.

Dalin fotografitë e ushtarëve të Hitlerit duke u veshur si gra

Martin Dammann, fotograf, në projektin e tij të ri do të sjellë atë që ai e quan ‘turpi i Hitlerit’.

Ushtarë gjermanë shihen të veshur me rroba të grave. Ai thotë se i ka zbuluar fotografitë të cilat, nëse nuk do të ekzistonin, do ta bënin të pamundur të besonim se ushtarët e Hitlerit pëlqenin të visheshin e silleshin si gratë.

Janë rreth 270 fotografi nga ‘Wehrmacht’.

“Si duket të gjithë këta burra janë të izoluar në një kënaqësi të papenguar nga askush. Dëshirat e tyre nuk po shtypen nga askush dhe në fotografi ata shihen të lumtur” tregon fotografi dhe sociologu Dammann.

Ai thotë se në disa raste në fotografi duket sikur ushtarët kanë luajtur edhe teatër.
Fotografitë megjithatë janë bardh e zi dhe të bukura në esencën e tyre, duke treguar burrë që lirshëm shprehin trupin e tyre, seksualitetin e tyre dhe janë të sigurt brenda tij, shkruan KultPlus.

Hitleri në anën tjetër nuk ishte i mëshirshëm me homoseksualët në mes të viteve 1933-1945. Rreth 100 mijë homoseksualë janë arrestuar gjatë kësaj kohe dhe shumica kanë përfunduar të vdekur në kampe të përqëndrimit.
Ndryshe ishte sjellja me lezbiket në kohën e Holokaustit. Ato nuk ndiqeshin shumë sepse dihej se në fund do të mund të bënin fëmijë në një formë a tjetrën, në raport me gjininë tjetër. Lezbiket konsideroheshin se mund të “shëroheshin” dhe kishte një trajtim mjekësor për to. / KultPlus.com

Homofobia e Kevin Hart bën që ai të largohet nga prezantimi i The Oscars

Kevin Hart nuk do të jetë nikoqir i mbrëmjes së Oscars vitin tjetër.

Ende pa u bërë saktë 24 orë prej kur Akademia e shpalli si moderator aktorin, duket se ai dhe homofobia e tij nuk kanë vend në Hollivud.

Në Twitter, me të marrë lajmin se Hart do të udhëheqte natën e Oscars, pati shumë polemika rreth homofobisë së shprehur haptazi të aktorit dhe komedianit.

Ai ka kërkuar falje ndaj komunitetit LGBT për fjalët që ka thënë në të kaluarën dhe thotë se largohet nga moderimi sepse Oscars është një natë ku festohet dhe jo ku ka agresivitet dhe ofendime.

Para disa vitesh, Hart kishte thënë se nëse do të kishte mundësi ta parandalonte faktin se djali i tij do të ishte homoseksual e gay, ai do ta bënte një gjë të tillë. Poashtu ai kishte thënë se është frikë e madhe që fëmija të të dalë gej apo lesbike. / KultPlus.com

Lahuta e Serbisë? Lahutari mes lotësh: Ja dhamë vetë, s’e grabitën!

I ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në 5” në Top Channel, ishte lahutari i vjetër i malësisë Jonuz Delaj. I prekur emocionalisht pas vendimit të UNESCO-s për ta regjistruar lahutën si pasuri kombëtare të Serbisë, Jonuzi nuk mundi t’i ndalte lotët.

Ai rrëfeu se lahuta ka qenë pjesë e pandarë e jetës së tij, e trashëguar brezi pas brezi nga familjarët si një vegël muzikore që i jep identitet dhe përfaqësi popullit shqiptar.

Teksa moderatorja e ngacmoi për t’i kërkuar një mendim të sinqertë rreth vendimit të marrë nga UNESCO, i prekur, lahutari tha: “Lahutën ja u dhamë vetë, nuk na i grabitën”, duke e lënë përgjegjësinë te institucionet shqiptare përkatëse.

Ndërkohë, studiuesi i njohur Sokol Shupo që po ashtu ishte pjesë e debatit për vendimin e UNESCO-s lidhur me lahutën, tha se kjo është një çështje, ku fitues janë ata që lobojnë dhe janë aktiv, e në rastin konkret serbët kanë punuar për të realizuar atë që donin.

Nga ana tjetër Shupo ka fajësuar Ministrinë tonë të Kulturës dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse, që nuk kanë bërë mjaftueshëm.

“Se kemi këtu ca njerëz që nuk kanë asnjë lloj vizioni, asnjë lloj formimi apo informacioni që ta bëjnë këtë punë tamam, nuk na e ka fajin njeri”, është shprehur ai.

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projektet e vitit 2019

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-propozime në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore për vitin 2019. Në faqen zyrtare ministria shkruan se duke krijuar një sistem të qëndrueshëm në mbështetje të skenës së pavarur artistike, tashmë në vitin e pestë, kjo thirrje do të mbështesë propozime të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin dhe edukimin në fushat e artit, kulturës dhe trashëgiminë kulturore jo materiale.

“Ministria e Kulturës do të mbështesë projekt-propozime që ideojnë, nxisin, promovojnë krijimtarinë artistike dhe trashëgiminë kulturore në vijim të programeve dhe strategjisë së MK-së, me fokus në projekte të edukimit përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; projekte në funksion të turizmit kulturor; projekte që nxisin pjesëmarrjen dhe angazhimin e artistëve të lirë të skenës; projekte të industrive kreative. Ky fond shkon për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 20 shkurt – 5 dhjetor të vitit 2019”, bën me dije ministria në faqen zyrtare.

Thirrja për projekt-propozime e Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 u hap të martën, datë 4 dhjetor dhe mbyllet në orën 14.00, të ditës së martë, datë 15 janar 2019. Përzgjedhja përfundimtare shpallet nga kolegjiumi në datën 15 shkurt 2019. Shuma për të cilën një individ mund të aplikojë shkon nga 100,000 deri në 500,000 lekë. Shuma për të cilën një organizatë mund të aplikojë shkon nga 100,000 deri në 2,000,000 lekë. Por sipas udhëzimit të Ministrisë së Kulturës të paktën 15 përqind të fondeve që duhen për aktivitetin duhet të sigurohen nga burime të tjera. Në udhëzimin e ministrisë bëhet me dije se në fushën e kinematografisë mbështeten projekte promovimi dhe edukimi përmes kinemasë (festivale, promovim filmi, edukim të audiencave përmes kinemasë), por përjashtohen produksione të veprës filmike në të trija gjinitë e filmit (artistik, dokumentar dhe të animuar) sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr. 9353, datë 3.3.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8096, dt 21.03.1996 “Për Kinematografinë”. Në fushën e trashëgimisë kulturore përjashtohen projektet që kanë natyrë rehabilituese apo restauruese. Në fushën e librit mbështeten projektet e promovimit të librit dhe edukimit të leximit, por përjashtohen përkthime letrare dhe krijime letrare, të cilat do të trajtohen në thirrje dhe fonde të veçanta.

Arbnora Dushi: Çdo njeri e ka tregimin e tij dhe si i tillë secili është rrëfimtar në folkloristikë

Gili Hoxhaj

Jo rrallëherë folklori shqiptar është cilësuar si një prodhimtari ekskluzivisht gojore e shpirtërore e mjediseve të “pakontaminuara” nga moderniteti, duke e lokalizuar vetëm në zonat rurale, sikurse edhe folkloristikën, disiplinën e folklorit, si një disiplinë të tejkaluar dhe të izoluar brenda arealit kulturor shqiptar, thënë kushtimisht – albanologjik.

Por siç duket, folkloristika ka filluar t’i shkëpusë vargojtë e cilësimit të saj si e tillë, duke shpërthyer përtej kufijve konceptualë të definimit, por edhe përtej kufijve gjeografikë të prezantimit. Ajo sot po ndryshon pamje për të mirë, në përmbajtje e në formë. Viteve të fundit po vërehet një hapje e folkloristikës, e hulumtimeve dhe studimeve të folklorit shqiptar ndaj qasjeve dhe metodave të reja, por edhe e pranisë së saj, në rritje, nëpër konferenca e në botime ndërkombëtare, që po bën që edhe sot folklori të transformojë mënyrën e tij të depërtimit dhe të adaptohet në format e zhvillimit teknologjik e shoqëror.

Arbnora Dushi ka tash e 20 vite që është dedikuar në lëminë e shkencës e folklorit. Dushi e cila tash e disa vite punon në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, në një intervistë për KultPlus tregon se duke i hapur kufijtë e definicionit klasik, falë mundësive të reja teorike njohëse dhe kooperimit ndërdisiplinar, gjë që po arrihet nëpërmjet kontaktit me shkollat dhe literaturën në gjuhën e huaj, folkloristët po e çojnë disiplinën e tyre në hap me kohën. Dushi tha se kjo veçmas po arrihet edhe me pjesëmarrjen e folkloristëve shqiptarë në asociacione e organizma ndërkombëtarë të fushave të ngushta profesionale, por më së shumti edhe nëpërmjet prezantimeve të rezultateve të hulumtimeve nga folklori shqiptar në konferenca shkencore ndërkombëtare.
Pjesëmarrjet e rregullta të folkloristëve nga Kosova në konferencat e përvitshme ndërkombëtare të Baladës, në konferencat e çdo dy-vitshme të antropologëve të Evropës Juglindore, në konferencat e folklorit në Bullgari, të historisë gojore në Finlandë e në vendet baltike, por edhe si ligjërues të ftuar e pjesëmarrës në konferencat rajonale, kanë filluar ta bëjnë të dukshme Kosovën në hartën akademike të Evropës. Gjithashtu edhe aftësimet profesionale të etnomuzikologëve në Turqi e Bullgari, me ç’rast po specializohen në fusha të ngushta të problematikave nga trashëgimia muzikore, po tregojnë për potenciale të reja të studimeve të folklorit shqiptar.

Arbnora Dushi thekson se trajtimi rrëfimeve e prozave gojore nga perspektiva e studimeve të kujtesës, sociale e kolektive, por edhe nëpërmjet metodës së historisë gojore, po i jep një këndvështrim të ri folklorit shqiptar.
Trajtimi i riteve të kalimit dhe riteve familjare nga perspektiva antropologjike, po e pasuron mundësinë e zbërthimit dhe të kuptimit të këtyre proceseve jetësore, të evidentuara e të shtresuara në trashëgiminë kulturore në përgjithësi, e atë gojore në veçanti. Trajtimi i këngëve dhe i riteve të motmotit, jo vetëm si tekst a melodi muzikore, por edhe si kontekst e teksturë, duke i dhënë mundësinë e zbërthimit të performansës si e tërë, me të gjithë përbërësit e saj rrethanorë, po e hap folklorin edhe ndaj disiplinave të tjera. Pranimi i koncepteve të reja si ‘folklori i shkruar’, ‘folklori digjital’ apo ai në mas-media, po i japin rezultatet e para të hulumtimeve dhe studimeve edhe në folklorin shqiptar në Kosovë.

“Çdo njeri është një prodhues i folklorit”

Arbnora Dushi e cila ka qenë e pranishme në shumë konferenca ndërkombëtare, studimet post-doktorale i ka përfunduar në Universitetin e Turku-t në Finlandë, ku është specializuar në integrimin e metodës së historisë gojore në studimet e folklorit. Takimi i saj i parë në Institutin e Folklorit në Turku në vitin 2002 e kishte bërë që të kuptojë se atje zhvillohej një punë shumë kreative me folklorin. Duke e parë këtë, ajo ishte mbërthyer nga dëshira që atë përvojë ta integrojë edhe në kontekstin kosovar. Dushi thotë se çdo njeri e ka tregimin e tij dhe si i tillë secili është rrëfimtar për folkloristikën, sipas saj secili njeri është një prodhues i kësaj fushe.
“Folkloristët në Filandë punonin shumë me historinë gojore dhe kryesisht me trashëgiminë dhe kujtimet e të moshuarve për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Me pjesëmarrjen e tyre pasive apo aktive në Luftën e Dytë Botërore, rrëfimet e tyre nuk kishin të bënin me data, dëshmi faktike të asaj kohe por me emocione që ata i kanë përjetuar. Për shembull njëri kujtonte atë kohë me atë që i kishte ndodhur atij – “unë e pata lindur vajzën kur hyri ky pushtues”, kishte qenë një nga përgjigjet”, tregon Dushi.

Dushi pasi ishte kthyer nga specializimi atje, menjëherë filloi të aplikonte metodat e përvojën që kishte hasur në Finlandë.
Gjyshja e saj kishte qenë personazhi i parë. Duke qenë se gjyshja e saj kishte jetuar në Shqipëri dhe ishte martuar në Kosovë, në pamundësi për të parë familjen e saj në Shqipëri, gjithnjë e kishte përndjekur malli për ta. Rrëfimin e saj Dushi e kishte dokumentuar në vitin 2002, ndërsa gjyshja kishte ndërruar jetë në vitin 2006. Rrëfimi i gjyshes e kishte orientuar studiuesen Arbnora Dushi që të kërkojë tek rrëfimet e të tjerëve kujtimet e tyre dhe lidhjet me historinë, duke i ikur datave dhe duke u përqendruar në shprehjen e botës së tyre emocionale.
“Gjyshja ka qenë shumë e pasur me historitë e jetës së saj. Posa u ktheva e regjistrova rrëfimin e gjyshes me kamerë, gjyshja ime nuk është më në jetë por konsideroj që e kam një trashëgimi shpirtërore dhe një pasuri shumë të madhe prej saj”, tha për KultPlus Dushi.

Pas kësaj, Dushi kishte nisur të grumbullonte materiale nga rrëfimtarët e zonës së brezit kufitar të Shqipërisë. Ajo kishte realizuar 40 intervista, me njerëz me kujtesë më të zhvilluar ndërsa lidhur me këtë thotë se gjetja e rrëfimtarëve është një histori në vete sepse jo gjithmonë janë të gatshëm të tregojnë dhe jo gjithnjë e krijojnë një raport miqësor me ty. Dushi beson fort se ngjarjet tragjike, ku njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin dhurojnë shumë brum për folklor pasi komunikimi dhe shkëmbimi mes tyre është më i madh, bashkohen më shumë njerëz brenda një hapësire.
“Përmes një rrëfimi, nxjerr përbërjen e një grupi. Grupi më i ngushtë i folklorit përbëhet prej dy personave, ku njëri është rrëfimtari e tjetri dëgjuesi. Përderisa në letërsi mjafton të jetë vetëm shkrimtari i cili punon vetëm me tekstin dhe nuk i duhet domosdoshmërisht lexuesi që ta dijë atë që e thotë, tek folklori duhet patjetër dëgjuesi. Më pas grupi rritet në njerëz që kanë interesimin e njëjtë apo mentalitetin e njëjtë”, tha ndër të tjera Arbnora Dushi.

Dushi thekson se rrëfimi gojor luan një rol të rëndësishëm edhe në mjekësi, veçmas në psikiatri, pasi që kjo lidhet me nevojën e njerëzve për t’u shprehur. Lidhur me përvojën e saj të mbledhjes së rrëfimeve nga njerëz kryesisht të moshave më të shtyera, thotë se njerëzit shpesh në ketë moshë janë më të hapur për t’i shpalosur kujtimet e tyre. Dushi tutje shprehet se nga hulumtimet që ka pasur del që njerëzit kanë prirje t’i shpalosin më shumë përvojat më të mira që kanë pasur.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Dushi tutje thotë se burrat janë të prirur të tregojnë më shumë informata të përgjithshme që lidhen me jetën sociale dhe jashtë shtëpisë kurse gratë, me lëvizjet e tyre brenda shtëpisë.
“Kur një burrë tregonte për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, tregonte lajmet që i ka dëgjuar dhe se çfarë ka ndodhur në qytet. Gratë kur tregonin për atë kohë, tregonin se a kanë pasur miell në shtëpi, a kanë pasur me çfarë t’i mbulojë fëmijët, pra emocionet që ato shprehnin janë të kufizuara më shumë brenda hapësirës së familjes”, tregon Arbnora Dushi, këshilltare shkencore në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës
“Kur pat hy Italia, unë kam qenë e pambuluar”, i ishte përgjigjur Dushit njëra nga të intervistuarat.

Kjo i kishte lënë fort përshtypje, pasi e intervistuara e lidhte Luftën e Dytë Botërore me një ngjarje krejtësisht personale, me botën e saj të brendshme, me lirinë e lëvizjes së saj, e që tregon se ajo ishte diku 12-14 vjeçare, kur është mbuluar.
Dushi thotë se përkundër historisë, ideja e folkloristit nuk është insistimi në regjistrimin e datave por emocioni i tij me ngjarjen që ka ndodhur.

Dushi në studimet post-doktorale ishte fokusuar tek rrëfimi personal si lloj i krijimtarisë gojore të folkloristikës, zhanër ky i paprekur në folkloristikën shqiptare. Folklori zakonisht ishte kërkuar tek zhanret e konsoliduara si përrallat, këngët epike, lirike, anektodat të cilat rëndom janë konsideruar si elementet kyçe të folklorit. Ajo në një intervistë për KultPlus tutje shprehet se këtu folklori shpesh shihet si një veprimtari që e ka përfunduar fazën e vet krijuese, që lidhet me fshatin, me njerëzit e paarsimuar.

“Ekziston mendimi se momentin që ne lexojmë dhe analizojmë atëherë nuk kemi të bëjmë me folklorin sepse bëhemi letrarë e nuk prodhojmë me folklor. Kjo është një gjë shumë e gabuar, unë kam parë që në këtë fazë kanë kaluar shumë kultura e popuj në botë, të cilët kanë qenë në këtë fazë kur ardhur në dilemën “A ta mbyllim folkloristikën si disiplinë për studimin e foklorit”, duke e konsideruar se folklori e ka përmbyllë fazën hulumtuese në teren apo ta vazhdojmë duke e inkuadruar në forma të reja shprehëse të kulturës në folklor””, tregon Dushi duke e ilustruar këtë me shembullin e folkloristëve të Finlandës të cilët kanë marrur një iniciativë për të zgjeruar definicionin e “folklorit”, duke futur edhe kulturën e të rinjve dhe të masmedias, duke integruar edhe folklorin që prodhohet sot.
Arbnora Dushi e sheh praninë e folklorit në përditshmërinë dhe në të sotmen dhe kudo në media. Ajo thotë se folklori nuk është më një diciplinë, prodhimi i të cilës duhet të bazohet tek njerëzit e pashkolluar.

Duke qenë se edhe Instituti Albanologjik ka Departamentin e Folkloristikës dhe folkloristët, qëllimi i tyre është të hapen kufijtë e folklorit. Shtatë folkloristë sa ka ky departament synojnë që të zhvillojnë projekte që e integrojnë folklorin modern, atë që prodhohet sot e që mund të nxjerret në pah vetëm përmes hulumtimeve. Dushi beson në atë se folklori nuk duhet të shihet si një kapitull i cili duhet të izolohet në të kaluarën.
“Folklor sot ka edhe në parlament, pasi që shpesh përdoren anektoda, zhargone të cilat krijohen aty për aty dhe mund të analizohen. Folkloristika sot në botë vazhdon të shihet si një fushë e studiuar prej akademikëve por duke i parë kufijtë shumë më të zhvilluar se sa kanë qenë fillimisht. Folklori zhvillohet vazhdimisht por varet nga ajo se ku shkojmë ne që ta kërkojmë. Derisa të ketë njerëzim, botë shpirtërore, derisa të ketë kujtime ka nevojë që folklori të prodhohet”, u shpreh tutje Dushi.

Krejt në fund Dushi, e kujton një mendim avangard të profesorit Anton Çetta, të dhënë më 1979, gjatë një interviste në gazetën Bota e re, në lidhje me gjendjen dhe perspektivën e folkloristikës shqiptare në Kosovë, ku shprehet:
“Për një punë më kualitative, është gjë shumë e rëndësishme përpos të tjerash edhe njohja e gjuhëve të huaja që të mund të njihen punonjësit tanë shkencorë, sidomos ata të së nesërmes me rezultate e arritura në studimin e letërsive gojore të popujve të tjerë. Të pajisur me gjuhë të huaja, ata do të mund të shfrytëzojnë literaturën ekzistuese, të venë kontakte me shkencëtarë eminentë të letërsisë gojore, ndër tubime shkencore ndërkombëtare përpos atyre që mbahen këtu në Jugosllavi, dhe të paraqesin në ato tubime pasurinë e trashëgimisë sonë artistike popullore e kështu të zgjojnë interesimin e të tjerëve për integrimin e saj në studimet folklorike në përgjithësi, në përmasa më të gjera. Sot, ashtu sikurse dhe në disiplinat shkencore, edhe letërsia gojore kundrohet në mënyrë integruese nga aspekte të ndryshme në studimet e shumta krahasuese”. / KultPlus.com

Shtyhet votimi për Kosovën dhe debutimin në Eurovizion?

U mendua dhe u raportua se votimi për Kosovën si anëtare e rregullt e Unionit Ndërkombëtar të Transmetuesve do të bëhet këtë dhjetor.

Megjithatë ka mundësi që ky votim të shtyhet.

Sipas Magazina.al, nëse Kosova do të bëhet pjesë e EBU-së dhe më pas të marrë pjesë në Eurovizioni do të vendoset në muajin 2019-të, sepse procesi është shtyrë.

Nëse do të votohej këtë dhjetor, Kosova do të kishte mundësi të debutonte vitin tjetër në Eurovizion, në Izrael.
Kosova nuk ka raporte të mira me Izraelin dhe ky i fundit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Eurovision Song Contest 2019 do të mbahet në Izrael, pasi Netta e fitoi Eurovizionin në maj të këtij viti me këngën “Toy”. / KultPlus.com

Ministri Gashi: Për herë të parë e njohim punën vullnetare rinore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mori pjesë në aktivitetin “Njihu me vullnetarët e vitit” të organizuar nga Kuvendi i të Rinjve të Kosovës.

Qëllimi i këtij organizmi ishte prezantimi i punës së bërë gjatë vitit 2018 nga ana e vullnetarëve së bashku me aktivitetet e organizatave partnere përmes prezantimeve në këndin e ndarë për promovimin e punës së tyre vullnetare.

Me këtë rast ministri Gashi tha se sot për herë të parë MKRS-ja zyrtarisht ka vendosur që ta njeh gjithë punën e vullnetarëve.

“MKRS-ja së bashku me UNICEF-in ka krijuar një data bazë e cila do i ndihmojë shumë të rinjve që të kryejnë punët e tyre vullnetare, për herë të parë në Kosovë kemi vullnetar të certifikuar edhe është një fakt që brenga e të rinjve që kanë pasur kur kanë aplikuar për punë ju është kërkuar përvoja e punës në tanimë përmes kësaj data baze kemi arritur që punën vullnetare ta njohim si përvojë pune” tha ministri Gashi.

“Ne jemi në finalizim të strategjisë për rini, e kemi ndryshuar atë plotësisht kemi bërë një dokument i cili u përshtatet kërkesave të të rinjve. Për herë të parë do ta kemi një fond rinor ku do ndahet një buxhet për të gjitha organizatat që kryejnë punë vullnetare, suksese dhe rezultate janë tek të rinjtë, fuqia e një shteti është rinia” tha ministri Gashi.

Ndërkaq, Kastriot Luma, kryetar i Kuvendit të të Rinjve tha se qëllim i KRK-së është përgatitja e të rinjve për sfidat që ata do ti kalojnë gjatë jetës së tyre.

“Qëllim i joni është përgatitja e të rinjve për sfidat që ata do ti kalojnë gjatë jetës së tyre si dhe për ti përgatitur ata në vendimmarrje. E gjithë kjo arritët në bashkëpunim. Sot kemi nevojë për një rini idealiste brenga e së cilës është e ardhmja e shtetit tonë”, tha ai.

Në fund organizatoret ndanë mirënjohje për ministrin Kujtim Gashi, për vullnetarët e Kuvendit të të rinjve dhe deputetëve të cilët ishin të pranishëm.

Qëndresë Deda fiton çmimin ‘Artistët e së nesërmes 2018’

Qëndresë Deda mbrëmë u zgjodh fituese e çmimit prestigjioz artistik ‘Artistët e së nesërmes 2018’.

Këtu mund ta gjeni fjalën e jurisë me rastin e shpalljes së fituesit.

Me 4 dhe 5 dhjetor, 2018 juria u mbledh në Prishtinë për të zgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018. Ne jemi të ngazëllyer nga ekspozita dhe takimi me secilin finalist Qëndresë Deda, Altin Krasniqi dhe Dion Zeqiri për të diskutuar punën e tyre.

Ne ju kënaqëm tejmase ekspozitës në Klubin e Boksit dhe instalimin e punës së tyre, dhe mënyrën se si është krijuar hapësirë që secili artist t’i bëj idetë e veta të qarta. Ne kemi qenë të mahnitur nga përkushtimi i artistëve dhe si ata i kanë artikuluar ambiciet për punën e tyre. Ne kemi identifikuar një marredhënie të fuqishme mes kontekstit lokal të punës së secilit artist, për temën dhe materialin, dhe ka qenë inkurajuese për ne që të shohim se si artistët Kosovar gjithnjë e më shumë janë duke gjetur mënyra efektive për të tërheqë paralele nga përvoja personale dhe konteksi shoqëror dhe ekonomik.

Ne vlerësojmë hulumtimin e Altin Krasniqit të shitoreve private, si një hulumtim i posaqëm dhe në veçanti mënyrën si i ka tematizuar ato në pikturat e tij. Ne kemi qenë të mahnitur nga kritika e mprehtë e Dion Zeqirit në raport me kontekstin urban të Prishtinës, dhe mënyra në të cilën janë instaluar punimet e tij në Klubin e Boksit. Puna e Qëndresë Dedës është një ndërthurje e mrekullueshme, personale, poetike dhe analitike. Instalacioni i saj bindshëm kombinon në formë komplekse dhe precize imazhin, tekstin dhe materialet natyrore.

Në diskutimet e gjata dhe interesante, ne kemi konsideruar tre kandidatët me rradhë. Ne kemi shikuar punët e tyre në detaj, historinë e secilës praktikë, kemi konsideruar potencialin e punës së tyre, dhe se si kandidatët do të mund të përfitonin nga rezidenca në Nju Jork.

Juria falenderon Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizimin e çmimit dhe udhëzimin e mirë të jurisë përgjatë procesit. Në fund, ne jemi të lumtur që kemi arritur në një vendim unanim për fituesin.

Prandaj, kemi kënaqësinë të shpallim fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2018 Qëndresë Deda, dhe i urojmë sukses në Nju Jork, dhe në të ardhmën. Ne dëshirojmë të përgëzojmë të gjithë finalistët këtë vit, dhe të inkurajojmë Altin Krasniqin, Dion Zeqirin dhe të gjithë artistët nën 35 vjeç që punojnë në Kosovë që të konsiderojnë aplikimin në edicionin e çmimit 2019.

Ne dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë mundësi që të inkurajojmë institucionet publike dhe donatorë të tjerë privat që të rrisin mbështetjen për çmimin “Artistët e së nesërmes”, financiar dhe infrasturkturor. Çmimi mundëson qasjen më të madhe të shkëmbimit ndërkombëtar dhe zhvillimit kolektiv për artistë të rinj që punojnë në Kosovë sot.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018

Adrian Deva
Charles Esche
Erëmirë Krasniqi
Amanda Parmer
Jelena Vesić

Autorizimi i Mid’hat Frashërit për Dhimitër Fallon, Greqia të kërkojë Kosovën për Shqipërinë

Historiani Kastriot Dervishi në një shkrim të fundit ka publikuar një dokument të vitit 1944, të Luftës së Dytë Botërore.

Dervishi shkruan se ky dokument i është marrë pas vdekjes Dhimitër Fallos, letër e cila tregon se Balli Kombëtar kishte shkëmbyer informacione me qeverinë Greke.

“Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mid’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza, Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të)”, shkruan ndër të tjera Dervishi.

Më tej Dervishi polemizon dhe me historianin Pëllumb Xhufi, ku shkruan se “Ndryshe nga ç’thotë z.Xhufi, Mid’hat Frashëri ka synuar që të bëjë palën greke për të luftuar në konferencën e paqes në mënyrë që Kosova dhe viset e tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë. Kjo sepse kufijtë nuk caktohen nga marrëveshje partish, por në konferenca të rangut ndërkombëtar me pjesëmarrjen e fuqive”.

Qendra Kinematografike e Kosovës me Javë të Filmit në Bujanoc

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc nga data 10 deri më 15 dhjetor organizojn Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc.

Gjatë javës do të shfaqën pesë filma të metrazhit të gjatë që janë realizuar në vitet e fundit në Kosovë.

Java e filmit do të hapet me filmin e regjisorit Ismet Sijarina; “Nëntor i Ftohtë”, dhe do të vazhdoj me “Home Sweet Home” nga Faton Bajraktari, “Tri Dritare dhe Një Varje” nga Isa Qosja, “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli, dhe “Një Tregim Prishtine” nga Burbuqe Berisha.

Filmat do të shfaqen në Shtëpinë e Kulturës çdo ditë në 17:00. / KultPlus.com

Kjo është renditja e këngëve në natën e parë të Festivalit në TVSH

Është hedhur sot shorti që përcakton radhën e këngëve konkurruese në natën e parë të Fest’ 57. Sipas shortit renditja do të jetë kjo:

1. Bojken Lako
2. Alar Band
3. Lidia Lufi
4. Kujtim Prodani
5. Gjergj Leka
6. Dilan Reka
7. Mirud
8. Soni Malaj
9. Jonida Maliqi
10. Elton Deda
11. Elona Islamaj
12. Klodiana Vata
13. Klint Çollaku
14. Artemisa Mithi dhe Febi Shkurti
15. Kelly
16. Bruno Pollogati
17. Marko Strazimiri dhe Imbro
18. Lorela Sejdini
19. Eliza Hoxha
20. Eranda Libohova
21. Aurel Thëllimi
22. Orgesa Zaimi

Ministria e Kulturës sqaron rastin e Serbisë dhe lahutës në UNESCO

Ministria e Kulturës, në komunikim edhe me Misionin tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, sqaron se:

• Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare por serbe”.

• Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës, ashtu sikurse u theksua edhe në këtë mbledhje nga delegacioni i Shqipërisë, vë sërish në dukje se:

• Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

• Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin.

• Ministria e Kulturës së Shqipërisë është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik.

• Çdo vend ndjek prioritete të ndryshme në punën përgatitore për regjistrimin e pasurive kulturore në listat e trashëgimisë botërore dhe aktualisht Shqipëria është në fazën përfundimtare të procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që ka në proces përgatitjen e propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jo materiale, si për shembull, Parku Arkeologjik i Apolonisë.

Ndajmë gjithashtu me publikun lajmin e mirë se falë punës së mirëkoordinuar të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në po të njëjtin takim, u miratua kërkesa e Shqipërisë për asistencë ndërkombëtare për projektin e krijimit të Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore Jomateriale që do të krijojë një bazë të dhënash në nivel rajonal dhe kombëtar për këtë kategori.

Drama ‘Tri gra dhe Misugi’, në Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë

Drama “Tri gra dhe Misugi” vijon në skenat teatrore në qytete e Kosovës.

Mbrëmja e datës 10 dhjetor, shfaqja me regji nga Suela Bako është në Teatrin e Qytetit në Gjilan, më 11 dhjetor – teatri “Adriana” në Ferizaj dhe 12 dhjetor teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë. “Tri gra dhe Misugi”, dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue e pati premierën në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për të vijuar dhe në skena të tjera teatrore. Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tri personazhe, aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët vjen nën interpretimin e aktorëve Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.

Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor – regjisor me kompleksitetin e saj, e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues. Kjo shfaqje vjen e dramatizuar nga Anxhela Çikopano e Suela Bako. Si regjisore Suela Bako më herët me media është shprehur se ka qenë një vepër që e ka menduar për ta realizuar në skenë para disa vitesh.

“Veprën e kam menduar që para 13 vitesh. Nuk kam mundur dot ta sjell më parë në skenë, kam tentuar herë pas here, por nuk ka qenë e mundur ta realizoja. Më në fund erdhi momenti për ta sjellë në skenën e teatrit për publikun”, pohon regjisorja Suela Bako. Për herë të parë si regjisore në skenën e teatrit, Suela Bako tregon se ka qenë një punë shumë impenjative për realizimin e shfaqjes. Sipas regjisores, publiku do të gjejë më shfaqje dashurinë, pasion, trishtimin dhe dhimbje. “Kam një ndjesi timen që nuk do të flerë i qetë ai që do të vijë të shohë këtë shfaqje, sepse autori ka hyrë kaq thellë te femra dhe mashkulli, dhe të gjithë e ndjejnë veten brenda veprës të përfshirë. Është kaq pranë nesh me ato që përcjell vepra”, shprehet mes të tjerave regjisorja Suela Bako. Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes.

Ministri Gashi: Kosova çdo ditë e më shumë po e mbron autorin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi mori pjesë në Konferencën Rajonale “E drejta e Autorit në Kohën Digjitale” e cila u organizua nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Me këtë rast ministri Gashi foli rreth rëndësisë së krijimtarisë kulturore, inovacionit dhe zhvillimit të së drejtës së autorit në vendin tonë.

“Kreativiteti dhe novacioni janë baza e krijimtarisë kulturore dhe ekonomike e një shoqërie, edhe në kohën digjitale veprat e autorit krijohen me shumë mund dhe investim, ndërsa teknologjia e ka bërë të mundur që kopjet digjitale të veprave të bëhen shpejt dhe me shumë pak shpenzime e mund”, tha ministri Gashi.

Ministri u shpreh i vendosur për të vazhduar punën në mbrojtjen e të drejtës së autorit në ambientin digjital. “Puna e jonë ka qenë e bazuar në krijimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit dhe në luftimin e piraterisë fizike edhe ashtu në zhdukje falë zhvillimit të teknologjisë, institucionet ligj zbatuese në kuadër të Task Forcës kundër piraterisë, Inspektorati i tregut, Policia dhe Dogana e Kosovës të koordinuara nga Zyra për të Drejtën e Autorit, kanë marr masa të vazhdueshme kundër shkeljeve të së drejtës së autorit, mijëra mallra pirate janë sekuestruar dhe konfiskuar”, tha po ashtu ministri Gashi.

Ministri po ashtu theksoi se viti 2018 është vit i të drejtës së autorit për Kosovën sepse pas pesë viteve negociata është arritur marrëveshja e parë dhe historike për tarifat e përgjithshme për shfrytëzimin e muzikës nga transmetuesit në territorin e Republikës së Kosovës, janë miratuar tarifat për kompensime të veçanta.

“Ministria që drejtoj unë deri në fund të marsit të vitit 2019, do të propozoj edhe tarifat për operatorët kabllorë, në këtë mënyrë do të funksionalizohet menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit. Ne jemi duke ecur përpara dhe sigurt për të krijuar një ambient ku të drejtat e autorit zbatohen dhe autorët e krijuesit gëzojnë mbrojtje dhe përftime ekonomike nga veprat e tyre, Kosova çdo ditë e më shumë po mbron autorin”, u shpreh ministri Gashi.

Në fund ministri Gashi falënderoi për pjesëmarrjen e tyre përfaqësuesit e Zyrës hungareze dhe asaj shqiptare dhe avokatët Randaza nga SHBA, dhe nga Bogataj Sllovenia.

Sonte në Shqipëri fillon Festivali ‘Kënga Magjike 2018’

Nata e parë gjysmëfinale mbahet sonte në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Nata e dytë mbahet nesër, e enjte, derisa finalja e madhe mbahet këtë të shtunë, 8 dhjetor.

Edhe këtë edicion emrat e mëdhenj të muzikës shqipe do të ngjiten në skenën prestigjioze derisa edhe emrat e rinj dhe talentët e zbuluara së fundi nuk mungojnë.

Këngët tanimë janë prezantuar në emisionin E Diela Shqiptare, ndërsa pritet të marrin duartrokitjet e publikut në sallë derisa performohen. / KultPlus.com

Sot në Prishtinë mbahet paneli ‘Diplomacia kulturore e udhëhequr nga gratë’

Duke filluar prej orës 16:00, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian do të mbahet paneli që do të shqyrtojë gratë kosovare dhe suksesin e tyre në art dhe kulturë.

Në panel do të marrin pjesë Vjosa Berisha – drejtoreshë e PriFest, Nita Deda – drejtoreshë e Dokufest, Donika Rudi – drejtoreshë e ReMusica, Besa Luzha – drejtoreshë e Chopin Piano Fest, Zana Hoxha Krasniqi – drejtoreshë e FemArt dhe Arta Agani – drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Paneli “Diplomacia kulturore e udhëhequr nga gratë” do të fokusohet në faktin se si në Kosovë institucionet kryesore – festivalet e filmit, janë me drejtoresha gra.

Paneli do të moderohet nga Arbër Selmani – gazetar në KultPlus dhe pjesë e Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com