Anita Haradinaj lexon fragmente nga rrëfimi i një të mbijetuare të dhunës seksuale

Anita Haradinaj është personazhi i radhës që ka përkrahur kampanjën Bëhu Zëri im.

Anita Muçaj Haradinaj – Bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës, në këtë video shihet duke lexuar fragmente nga rrëfimi i një të mbijetuare të dhunës seksuale.

‘Bëhu Zëri im” është fushata në përkrahje të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, ndihmuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës – KRCT. / KultPlus.com

‘Bëhu femra e cila nuk ka nevojë për një mashkull që të ndihet e lumtur’

Ji një femër që nuk ka nevojë për një mashkull që të ndihet e lumtur. Ji një femër që nuk ka nevojë për një mashkull që të marrë frymë lirisht. Ti nuk ke nevojë për dikë që të mësojë si t’i kalosh frikërat e tua, si të bësh hapa përpara në jetë, apo si të njohësh mirë aftësitë dhe talentet që ke.

Nuk ke nevojë as për dikë që të të mësojë të jesh e fortë, duke të mbajtur për dore sa herë të rrëzohesh. Ti ke nevojë vetëm për veten tënde.

Ji një femër që e konsideron veten të denjë, pa e pasur të nevojshme t’i kritikojë të tjerët; që e do veten mjaftueshëm, edhe pa pasur dashurinë e të tjerëve; që nuk shkon pas askujt që nuk e respekton.

Mjaft vuajte për personat që nuk të duan, mjaft shkove pas tyre dhe mjaft vendose persona të tjerë përpara vetes tënde. Ti nuk ke nevojë për të tjerët. Nuk ke nevojë që ata të qëndrojnë pranë teje. Nuk ke nevojë për forcën apo mbështetjen që ata të japin. Ke mjaftueshëm fuqi brenda vetes.

Ti mund të buzëqeshësh, edhe pa pasur dikë që të nxisë të buzëqeshësh. Ti mund t’i mbijetosh vështirësive të jetës tënde, edhe pa mbështetjen e dikujt. Ti je e fortë. Brenda vetes ti ke fuqinë të përballosh gjithçka.

Mos e lejo që dashuria e dikujt të të identifikojë ty. Mos lejo që vëmendja e tepërt e tij të të shkatërrojë ty. Nuk ke nevojë për diçka të tillë.

Duhet ta vlerësosh më tepër veten. Tregoji vetes se nuk ke nevojë të duash dikë për të qenë e lumtur. Tregoji të gjithëve që je mirë, edhe pa praninë e tij në jetën tënde. Tregoji vetes që mund t’ia dalësh të mbijetosh edhe pa një mashkull në jetën tënde.

Mbi të gjitha, tregoji vetes që jo vetëm mund të mbijetosh pa të, por mundesh edhe të lulëzosh pa të. Binde veten që je e denjë për të të dashur njerëz të denjë, që të meritojnë dhe që do bënin gjithçka për ty.

A.M.

‘New Rules’ e Dua Lipës u dëgjua 1 miliard herë në platformën Spotify

Këngëtarja e njohur ndërkombëtarisht, Dua Lipa po shënon historinë!

Me sukseset e saj të pandalshme ajo dita-ditës po len gjurmë në historinë e muzikës në nivel ndërkombëtar.

Hiti i saj “New Rules” u dëgjua 1 miliard herë në platformën e muzikës Spotify, duke u bërë kënga e dytë nga një artiste femër që e arriti këtë.

Mëngjesin e sotshëm, lajmin e mirë me fansat e ndau vetë këngëtarja. “Mirëmëngjesi! 1 miliard dëgjime në Spotify! Shumë dashuri dhe respekt për të gjithë ju që po e dëgjoni këtë këngë… Faleminderit faleminderit! Kjo është shumë e mirë’, shkroi Dua sipër fotografisë.

“New Rules” e Duas u publikua në korrik të vitit të kaluar dhe deri më tani arriti mbi 1.5 miliard klikime në kanalin zyrtar në Youtube. / KultlPlus.com

Çka mësova unë

Çka mësova unë – Azem Shkreli
(këngë gegërishte)

Me u ra tërthoreve n’trup
Me ndie andjet tue lehë
Me ra mbas xixave n’pup
Me u ndejtë dhimbjeve n’teh
Me shkel prajshëm n’për tokë
N’vene t’fjalëve mos me u deh
Me i ndreqë muret me kokë
Me thanë fat kobi kuje
Mos me dashtë ngushëllim
Me folë pa hile me mikun
M’u var n’çengelin tim
Me ndezë kandila të fikun
Me i venë vetimet n’sy
Me mat me dorë n’zemër
Me gjerbë e mos me pështy
Me prek Akilin n’themër
Ndër sqota mos me u mekë
Me dashtë si me vdekë
Me vdekë si me lujt.

Van Gogh kujtohet me dy ekspozita në Belgjikë dhe Angli

Nuk ka periudhë të vitit kur nuk festohet jeta dhe puna e Van Gogh, së paku në një qytet të botës.

Momentalisht, në Bruksel po qëndron e hapur ekspozita me punët e piktorit të njohur holandez. Në fakt, në Bourse de Bruxelles mund të futeni në pikturat e Von Gogh, në dhomën e tij ku ai krijoi dhe ku e humbi dhe e gjeti veten, por mund të përjetoni në ‘virtual reality’ edhe kohën kur jetoi në Arles të Francës.

Në 360 shkallë mund të përjetoni gjithçka mbi jetën e Van Gogh, nëse e vizitoni ekspozitën ‘Van Gogh: the immersive experience’ e cila do të qëndrojë e hapur deri me 6 janar të vitit 2019-të.

Në anën tjetër, me 27 mars të vitit tjetër, në Angli do të hapet ekspozita e madhe për Van Gogh, shkruan KultPlus.

‘VAN GOGH AND BRITAIN’ do të hapet në Tate Britain, për disa muaj. Van Gogh ka jetuar në Londër për disa vite, si djalë i ri, ndërsa është dashuruar në kulturën angleze dhe sidomos në librat e Charles Dickens dhe George Eliot.
45 piktura do të tregojnë se si Gogh, piktori që preu veshin e tij, u inspirua nga anglezët dhe inspiroi anglezët e tjerë.

Van Gogh ka lindur në Holandë, ka ndërruar jetë në Francë. / KultPlus.com

Nga erdhi emri Shqipëri?

Pirroja ishte, ndoshta, sundimtari më i shquar i Epirit. Ai, si pasardhës i largët i Akilit, ishte biri i Akidit. Kushëriri i Aleksandrit të Molosisë, që sundoi Molosët e Janinës. Fatkeqësisht Akidi u ngatërrua në grindje politike familjare e krahinore dhe, si rrjedhoje, në fillim humbi mbretërinë e pastaj edhe jetën në vitin 313 para Kr.

I biri tij, Pirroja në atë kohë vetëm 6 vjeç, u shpëtua nga Glauku, Princi i fisit Ilir të Taulantëve. Në moshë të re ai hipi në fron për një kohë të shkurtër, por u rrëzua shpejt dhe filloi karrierën ushtarake me Antigonin e Maqedonisë, komandantin veteran që kishte shërbyer me Aleksandrin e Madh. Në njërën nga betejat ai u kap rob dhe u dërgua si peng në Aleksandri.

Aty fitoi admirimin e Ptolemit, i cili i dha për grua të bijën dhe në vitin 296 para Kr.e vuri përsëri në fronin e mbretërisë së tij. Pirro gëzonte nam për fisnikërinë dhe trimërinë e tij në betejë. Epirotët e quanin “Shqiponjë”, transmeton Syri.

Sipas një tradite shqiptare pretendohet se emri “Shqiptare” (Bij të Shqipes) e ka origjinën nga thënie e Pirros. Kur dikush lëvdonte zhdërvjelltësinë e lëvizjes së trupave të tij, ai i përgjigjej me krenari se një gjë e tillë ishte normale, pasi ushtarët e tij ishin “Bijtë e Shqipes”, kështu qenë lëvizjet e tyre. Natyrisht u shëmbëllenin fluturimeve të madhërishme të mbretit të shpendëve.

Sipas një versioni tjetër, disi të ndryshëm, kur ushtarët e tij u thurnin lëvdata sulmeve të tija të guximshme e të shpejta ata e quanin “Shqiponjë” ai iu përgjigjej se ata ishin krahët e tija , që bënin të mundur fluturimin e shpejtë të shqiponjës .

Thuhet se kjo çoi në adoptimin e këtij emri , të cilin populli shqiptar e përdor edhe sot e kësaj dite. Pra jo “Albane” por “Shqiptare” ose “Bij të Shqipes”. / KultPlus.com

Në Rumani gjendet një pikturë e vjedhur e Picasso

Në Rumani është gjetur një pikturë e vjedhur e Pikasos.

E vjedhur në vitin 2012-të në Roterdam, ajo është gjetur në Bukuresht.

Piktura “Cabeza de Arlequin” është vjedhur në vitin 2012-të, ndërsa u dënuan vjedhësit por piktura nuk u gjet kurrë. Në këtë vjedhje u zhdukën edhe disa piktura të Matisse, Monet dhe Lucien Freud.

Vlera e pikturës në fjalë konsiderohet të jetë rreth 800 mijë euro.

Pikturën, Pikaso e ka realizuar në vitin 1971, ndërsa ajo mendohej se ishte djegur bashkë me pikturat tjera për të zhdukur gjurmët. / KultPlus.com

Me 23 nëntor, Festivali ‘Lyra Fest’ mbahet në Gjakovë

Po afrohet dita e mbajtjes së Festivalit ‘Lyra Fest’.

Festivali i këngës për fëmijë Lyra Fest është themeluar në vitin 2007 nga OJQ Neo Musica në Gjakovë.
Sivjet realizohet edicioni i 12-të duke krijuar traditë në qytetin e Gjakovës.

Në mbrëmjen e 23 nëntorit do prezentohen 18 këngë të pa publikuara më parë nga fëmijë të talentuar dhe autorë këngësh tashmë të njohur në skenën muzikore mbarë shqiptare.

Festivali fillon në ora 18:00 në Pallatin e Kulturës Asim Vokshi në Gjakovë. Duke përfshirë dhe këtë vit numri i këngëve pjesëmarrëse kalon mbi 220 me autorë të ndryshëm nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

Festivali ka për qëllim të krijojë një vend për fëmijë të talentuar në këndim, për kompozitorët, orkestruesit dhe tekstshkruesit ku do shprehin talentin e tyre e ndoshta për shumëkë do fillonte një jetë e re artistike muzikore.
Festivali Lyra Fest për çdo vit është në rritje, vetëm këtë vit ka arritur të mbledhë këngë nga këto qytete: Gjakovë, Prizren, Pejë, Deçan, Prishtinë, Ferizaj, Gostivar, Elbasan, Fushë Krujë dhe Düsseldorf.

Lyra Fest ka karakter garues dhe fëmijët pjesëmarrës janë nga mosha 5 deri në 13 vjeç. Edicioni i parë i Lyra Fest është mbajtur me 27 shtator të vitit 2007, për tri netë me radhë: nata e parë e këngës për fëmijë; nata e dytë e muzikës popullore dhe nata e tretë e muzikës argëtuese për të rritur.
Nga edicioni i dytë mbahet vetëm festivali i këngës për fëmijë. / KultPlus.com

‘Boll jetove me thes në kokë, hiqe nga duart atë celular!’

Umberto Eco

Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive.

Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje.

Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira.

Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve.

Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete.

Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit.

Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët?

Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje.

Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit.

Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur.

Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë.

Shqipëroi: Henrik Ligori

Një mbrëmje për Prizrenin në Qendrën Kulturore të Kosovës në Paris

Këtë të mërkurë, me datë 21 nëntor, Prizreni do ti servohet Parisit.

Me fillim prej orës 19:00, në Qendrën Kulturore të Kosovës në Paris do të flitet për Prizrenin, një prej qyteteve më të bukura dhe më ekzotike të Ballkanit.

“Prizreni, perla e Ballkanit” quhet mbrëmja që organizohet në bashkëpunim me Patrimoine sans frontiers dhe “Art & Trashëgimi”.

Prizreni është qytet në pjesën jug-perëndimore të Kosovës si dhe i dyti në Kosovë për nga madhësia dhe popullsia pas Prishtinës. Prizreni po ashtu është qendër e komunës dhe rajonit me të njëjtin emër. Qyteti ka një popullsi prej rreth 170,000 banorësh, shumica shqiptarë. Komuna mendohet të ketë rreth 221,000 banorë, përfshi këtu vetë qytetin dhe 76 fshatrat që e përbëjnë.

Parisi njihet si metropol evropian që gjithmonë ka mirëpritur kulturën dhe traditën shqiptare, artin dhe artistët shqiptarë që kanë ekspozuar ndër vite në një prej vendeve më të civilizuara në Evropë. / KultPlus.com

‘Babi, më prit edhe mua’, historia që fshihet pas fotografisë së famshme

‘Babi, më prisni edhe mua’- është një foto ikonë e marrë nga Claude P. Dettloff, më 1 tetor 1940, teksa Regjimenti i Kolumbisë Britanike ishte duke marshuar në Rrugën e Tetë në kryqëzimin e Kolumbisë në New Westminster të Kanadasë.

Fotografia mori ekspozim të gjerë dhe u përdor në disqet e lidhura me luftën dhe këtu është historia që qëndron pas saj. Të shtunën, më 26 gusht 1939, Hitleri kërcënoi Poloninë dhe kërkoi Danzig.

Në orën 4:15 në mëngjes Regjutori Admirues në British Columbia, Kanada, mori një telefonatë nga kryeqyteti kanadez duke e udhëzuar atë që të thërresë regjimentin e BC.

Ushtarët u shpërndanë në qytet për të ruajtur pikat e rrezikuara.

Më 10 shtator 1939, Parlamenti i Kanadasë shpalli luftë kundër Rajhut Gjerman, i cili kishte pushtuar Poloninë në fillim të muajit. Ndërsa njësi të tjera u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar, Regjimenti britanik i Kolumbisë u la prapa në bregun perëndimor.

Pas disa muajsh stervitje dhe detyrës roje, regjimenti u urdhërua dhe më 1 tetor 1940 marshoi në New Westminster për të kapur një anije pritëse, SS Joan, në destinacionin e tyre sekret.

Duke dalë në Rrugën e Tetë në New Westminster, fotografi amerikan Claude P. Dettloff i gazetës The Province pozicionoi veten për të fotografuar të gjithë kolonën që marshonin poshtë kodrës. Ndërsa po përgatitej të merrte fotografinë, ai pa një djalë të vogël në mes të rrugës.

‘Më prisni dhe mua’ bërtiste vogëlushi, ndërsa i ati shikon djalin pesëvjeçar, Warren “Whitey” Bernard, duke u larguar nga e ëma e tij, për tek ai.

Fotografia e kapur nga Dettloff bëri bujë në të gjithë botën, duke u ekspozuar kështu në çdo shkollë të British Columbia.

Kur Jack Bernard u kthye në shtëpi, Dettloff ishte aty për të fotografuar momentin e ribashkimit të familjes, por ky ribashkim nuk ishte i përhershëm, pasi Jack dhe bashkëshortja e tij Bernice Bernard u divorcuan tri vite më vonë.

Sidoqoftë, fotografia e djaloshit 5-vjeçar u bë pjesë e historisë dhe një statuje prej bronzi, që gdhend imazhin e vogëlushit, është vendosur pjesën e poshtme të Rrugës së 8-të, në sheshin Hyack, saktësisht aty ku është shkrepur edhe imazhi i cili është konsideruar si një ndër 10 fotografitë më të mira të viteve 1940. / KultPlus.com

Një virgjëreshë e përbetuar shqiptare në Panairin e Librit në Tiranë

Emmanuelle Favier, autorja franceze e cila ka shkruar romanin “Guximi që u duhet lumenjve” (Le courage qu’il faut aux rivieres – nga origjinali), ka vizituar për herë të dytë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve të Panairit të Librit, për të takuar lexuesit e saj. Ajo ka qëndruar për disa orë në stendën e “Albas”, që është edhe Shtëpia Botuese që solli në shqip romamin e saj, me përkthim të Rina Çela. E surprizuar që ka takuar shumë të rinj që kanë interes për ta pyetur lidhur me “burrneshën” e librit, Emmanuelle Favier thotë se nuk e kishte menduar ndonjëheë që do e shkruante këtë libër.

“Është shumë emocionuese për mua, nëqoftëse do ta kisha ditur disa vite më përpara kur fillova të shkruaja këtë libër, që do të botohej, ose që do të përkthehej në shqip dhe do të isha e ftuar në Panairin e Librit, as që më shkonte ndër mend. Por ndodhi, dhe është diçka e jashtëzakonshme, e pabesueshme që jam këtu në Panair. Jam shumë e impresionuar nga të gjithë këta lexues që vinë, sidomos nga të rinjtë që na vizitojnë në panair. Gjithashtu jam impresionuar nga numri i njerëzve që flasin frëngjisht. Jam e habitur që frëngjishtja ka akoma kaq shumë vend në zemrat e shqiptarëve, dhe shpresoj që numri i tyre të jetë gjithnjë e në rritje.”

Lidhur me historinë e romanit të saj “Guximi që u duhet lumenjve”, autorja shprehet: “Historia rrotullohet pas një personazhi. Është Manushja, një virgjëreshë e betuar, jeta e së cilës do të ndryshojë pas një takimi që do të bëjë me personazhin tjetër. Gjithashtu është edhe një histori rreth Shqipërisë, rreth traditave të saj, që unë i kam njohur dhe më kanë bërë shumë për vete. Kam studiuar dokumente, libra, studime rreth këtij fakti. Në të njejtën kohë , është një histori dashurie, një histori e kërkimit të vetes, të qënies njerëzore, kush jemi, çfarë jemi, ku po shkojmë e kështu me radhë.”

Manushja është betuar të bëhet burrneshë. Që nga dita kur i presin shkurt flokët e artë, që ia djegin para kuvendit të burrave në një zjarr ku hedhin pajën e qepur për tri vite rresht, ajo vesh tirqit e burrave, vë qeleshen mbi kokë dhe të gjithë burrat e respektojnë dhe e konsiderojnë të barabartë me ta. Por ardhja e Adrianit, një krijesë me të shkuar enigmatike dhe vështrim magjepsës, do t’i zgjojë dëshira të ndaluara, duke i kujtuar se femra që ka ndrydhur brenda vetes është ende gjallë.

Realiteti i maleve merr ngjyra poetike në këtë roman magjepsës, që përcjell me forcë përplasjen e miteve të lashta me realitetin.

Emmanuelle Favier, për këtë roman ka marrë një seri çmimesh, mes të cilëve: “Zbulimi i vitit”, “Libri i preferuar i gjimnazistëve”, “Libri i preferuar” apo çmimi “Poulet-Malassis”, Alençon.

Mickey Mouse është 90 vjeç!

Për herë të parë, karakteri dhe maskota e Walt Disney Company doli në skenë në vitin 1928 dhe u shndërrua në njërin prej personazheve më të dashur për të gjitha gjeneratat.

Mickey u bë i pari personazh i animuar që morri yllin e famës në Ëalk of Fame në Hollivud. Mickey zakonisht paraqitet afër me Minnie Mouse – e dashura e tij, qenit të tij Pluto dhe shokëve Donald Duck dhe Goofy.

Disney ka hapur një ekspozitë në Mahnattan, për të festuar këtë përvjetor. / KultPlus.com

‘Për vitet, që nuk u martova veç sa për transaksion e ujdi’

Nga Ida Vitale

Për vitet në të cilat i kam gëzuar njëjtë gabimet dhe ndreqjet,
Për vitet në të cilat eca e fola e lirë,
Ekzistova pa gjymtime
U futa në kisha, ose nuk u futa
dhe lexova, dëgjova muzikë të dashur për mua,
Për vitet që isha njeri edhe natën, si në dritën e ditës.

Për vitet, që nuk u martova veç sa për transaksion e ujdi
sa për sy e faqe,
të matur prej dhive
Nuk durova të isha e drejtuar prej të afërmve
apo dënimit të gjyqit.

Që kurrë më të mos marshoj,
As të mos harroj fjalët
që mbjellin fije të hekurit
në gjak njeriu.
Për vitet nëpër të cilat duhet të zbulosh veten tënde
një tjetër qenie, të paparashikueshme
mbi urën e shikimit tënd.
Të jesh një njeri dhe një grua, as më pak, as më shumë.

Përktheu: Arbër Selmani

Mjekët po përshkruajnë si terapi shërimi edhe vizitat në Muze dhe galeri arti

Imagjinojeni nëse pas një gripi, depresioni, ankthi apo stresi të madh shkoni tek doktori dhe ai apo ajo përshkruan për juve, një vizitë në një muze arti apo galeri arti?

Kjo po ndodhë në Kanada, sipas Quartz. Një bashkëpunim në mes të një Muzeu dhe një Asociacioni të Doktorëve ka bërë që mjekët të përshkruajnë vizita në Muze dhe ecje në natyrë për pacientët që kanë problem të ndryshme, sikur tensioni i lartë apo ankthi.

Në Skotlandë prej shumë kohësh përshkruhet ecja në natyrë, si një metodë shërimi.
Shumë njerëz mund të jenë skeptikë, por profesionistët e mjekësisë janë të sigurtë që ecja në natyrë dhe vizita në muze i jep enegji të mirë trupit dhe mendjes tonë.

“Hormonet tona vihen në lëvizje kur vizitojmë muze arti, kur shohim art, dhe hormonet janë përgjegjëse për mirëqenien tonë” thotë Helene Boyer nga Asociacioni Francezo-Kanadian i Mjekësisë.

Të shohësh art është vërtetuar që edhe e zvogëlon vetminë për 15 përqind, nga fakti se takojmë njerëz, flasim me njerëz, dhe ushqehemi me art.
Në anën tjetër, natyra gjithmonë ka qenë mike e shëndetit të njeriut.
Kësisoj edhe japonezët për shumë vite e kanë rekomanduar “forest bathing” – ecja në natyrë, hapja e veshëve dhe gojës për të marrë erërat dhe aromën e natyrës, prekja e pemëve. / KultPlus.com

‘Jo të gjithë shqiptarët janë seksista’, Alyne realizon video rreth pyetjes skandaloze në emisionin e Mamaqit

Skandali i cili u shkaktua në Shqipëri para pak javësh, kur në emisionin e Ermal Mamaqit mysafirja u pyet me një pyetje seksiste dhe më pas nisi të qante e ofenduar, duket se nuk përfundon me kaq.

Alyne, e dashura e Nas – djalit që nisi të bënte video në Shqipëri dhe promovoi kulturën shqiptare nëpër botë, ka realizuar një video duke e treguar prapë momentin se si ajo reagoi kur në emision, në prani të saj, të dashurit të saj iu bë pyetja nëse ai udhëton të takojë vajza të tjera.

Ajo tregon se si në këtë emision ka plot momente seksiste, prej fillimit kur Kejvina – vajza e cila bën pyetje futet në skenë dhe deri tek pyetja.

“Para emisionit, ai i fliste të dashurit tim për kolegen e tij mjaft seksi. Ta përdorësh seksizmin për vëmendje nuk është mirë” thotë Alyne në video, ku prapë i dalin lotët edhe pse thotë se njerëzit menduan se ajo e teproi me reagimin e saj në emisionin e njohur shqiptar.

“Kuptohet se jo të gjithë shqiptarët dhe ballkanasit janë seksista, por kjo pjesë e botës ka probleme me seksizmin” tregon Alyne, e cila thotë se shakatë me seksizmin dhe femrat si objekte nuk janë në rregull dhe nuk tolerohen, shkruan KultPlus.

Videoja është shpërndarë shumë dhe ndoshta është e para që Shqipërinë e paraqet më dobët se të tjerat. Problemet me seksizmin janë të pranishme kudo në Ballkan, por Aline duket se është prekur shumë nga gjesti në emisionin e Ermal Mamaqit. Ajo ka rreth 1 milionë ndjekës në Facebook dhe videoaj në fjalë është shikuar mbi 1 milion herë në vetëm dhjetë orë të publikimit. / KultPlus.com

Nuk du’ me u plakë

Poezi nga Pjerin Ndreka.

Të lutem shumë mos u fut n’mue
veç me pshtetë kryet si mbi nankresë,
se zemra ème nuk àsht odë gjumi.

Po ta thàm troç:
-S’due m’u plakë kurrë,
as me ty e as për hatër.

Du’,
sa t’jem gjallë,
me kènë i ri
që t’mundem me hi mbrènda teje,
e me e kërku’ e gjetë shelbimin.
Ashtu kjoftë për sot e mot!

Herion Mustafaraj vë në skenë “Prapaskenat e Fatit”

Komedia “Prapaskena e Fatit” vjen premierë në skenë e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra po shoqëron këto mbrëmje publikun, dhe kjo shfaqje që sjell në skenë aktorin e njohur Herion Mustafaraj përcjell jo vetëm pjesë komike, por dhe mesazhe për shoqërinë.

E shkruar prej vetë Mustafarajt në skenë “Prapaskena e Fatit” vjen si një komedi muzikore. Me regji të Endri Çelës e skenografi të Bledar Gërcalliut kjo shfaqje është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Aktori Herion Mustafaraj tregon se mesazhi që përcjell pjesa e shkruar prej tij përmblidhet me pak fjalë: nuk ka dështak që provon. “Kjo është një vepër, që si të thuash shpreh edhe dëshirën për të jetuar dhe provuar deri në çfarëdolloj moshe dhe profesioni, për të provuar një ëndërr që ke pasur dikur. Ajo nuk është e lehtë, është një ëndërr që ka qëndruar në sirtar dhe dikur do të dali, dhe atëherë njeriu do të ndjehet i plotësuar.

Është një thënie që vjen dhe si mesazh i pjesës, nuk ka dështak që provon”, pohon aktori Mustafaraj. Regjisori Endri Çela vlerëson bashkëpunimin me aktorin Herion Mustafaraj, që sipas tij edhe muzika është live në shfaqje. “E shkruar prej tij është e bazuar në gjërat reale dh jo vetëm. Në qendër të veprës është xha Fati, personazh shqiptar i emigruar në Amerikë, i cili që në fëmijëri ka ëndërruar muzikën dhe të jetë artist, por shanset kanë qenë të pakta për tu bërë. Ai ka luftuar që ëndrrat e tij të jenë realitet, dhe ka kaluar shumë peripeci gjersa ai vendos të emigrojë në Amerikë. Muzika është e bazuar në pjesë të njohura, por tekstin e ka bërë vetë Herioni, dhe muzika luhet live në skenë. Në interpretim e sipër ai luan në piano, luan në kitarë, trompë dhe gjithçka live”, tregon regjisori Çela në një reagim të tij. Për regjisorin është një vepër që tregon dhe atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët dekada më parë, por dhe tani. “Një shfaqje shumë e ngrohtë, me një fill tragjik brenda, por në thelb është komedi argëtuese muzikore, dhe janë gjëra të cilat vetë shqiptarët i kanë kaluar qoftë në vitet 90, por edhe tani. Ai flet brezit të ri dhe të vjetër”, pohon regjisori.

Komedia në skenë

Komedia u shfaq mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes në skenë dhe do të vijojë dhe në datat 10, 11, 14, 15, dhe 16 nëntor te Teatri Eksperimental. Një teknik pianosh në moshë të thyer xha Fati, me origjinë shqiptare, vjen në prapaskenat e një teatri në Broadway të New York-ut, për të akorduar pianon, që ndodhet në dhomën e zhveshjes të një artisti me famë botërore. Xha Fati futet në jetën e këtij artisti nëpërmjet sendeve personale që ndodhen në këtë dhomë dhe shfaq talentin e tij të fshehtë tek spektatorët. Me mesazhin “Nuk egziston një dështak që provon”, ai do të zgjojë ndjenjën e vlerësimit të sakrificave njerëzore në rrugëtimin e vështirë të emigracionit, respektin ndaj figurës së femrës, të moshuarve dhe të ruajtjes së kulturës e traditave në këtë shekull të ri. Mes dy botëve të ndryshme Shqipërisë dhe Amerikës, xha Fati gjen probleme të njëjta sociale e shoqërore. Xha Fati i inspiruar nga pasioni i tij i hershëm për t’u bërë artist, rinohet në skenë duke sfiduar jetën. Edhe më parë në skenën e teatrit Herion Mustafaraj është duartrokitur nga publiku, këtë herë ai vjen me një tjetër komedi, ku si autor dhe aktor në skenë përcjell mesazhin që nuk ka njeri dështak nëse provon.

Nga Julia Vrapi / KultPlus.com

Jeta në Mozomazi

Abdullah Konushevci

Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë

Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik

Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave

Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri

Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis

Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash

Shkrimtari i preferuar i Ismail Kadaresë

Gjatë shfaqjes se dokumentarit “Kadare” të realizuar në vitin 2011 nga regjisori Pirro Milkani, së bashku me të birin Eno Milkanin, u përmend mes faktesh të tjera interesante edhe se cili është shkrimtari i preferuar i Kadaresë.

Bëhet fjalë për mjeshtrin e lirikës Lasgush Poradecin. Regjisori Pirro Milkani lidhur me dokumentarin “Kadare” u shpreh së është ndër filmat më të mirë që ka realizuar.

Lasgush Poradeci ishte një poet dhe shkrimtar shqiptar. Lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916. / KultPlus.com

Mimoza Ahmeti vjen me romanin ‘Tutori’

Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, romani me titull “Tutori” me autore shkrimtaren e njohur Mimoza Ahmeti.

Parathënia e këtij libri është shkruar nga Aurel Plasari. Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te ‘Tutori’ ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik.

Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”.

Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj me dy burrave të dashurit imagjinar dhe atij real ajo zbulon një nga një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore.

Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ahmeti është polivalente dhe nganëjherë qortimi bën vlerë më shumë se sa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpeh Aliçka.

Vetë autorja e romanit ‘Tutori’, Mimoza Ahmeti u shpreh se ky libër fillon në vitin ’94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror sepse kontekstet kuptimore, duam apo sduam ne rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. ”Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. / KultPlus.com

Reagon Galeria Kombëtare e Kosovës rreth vandalizimit të veprës artistike

Galeria Kombëtare e Kosovës ka reaguar sot pasi puna artistike e Eliza Hoxhës shumë afër këtij institucioni është vandalizuar.

Siç ka lajmëruar artistja dhe KultPlus sot në mëngjes, puna e Eliza Hoxhës në kuadër të Çmimit ‘Muslim Mulliqi’ është dëmtuar nga persona të panjohur.

Ky ka qenë sot edhe reagimi i GKK-së.

“Në synimet e GKK që të zgjerojë audiencën dhe ta sjellë artin tek qytetari, duke pasur për qëllim që ta ngritë nivelin e perceptimit publik ndaj artit dhe kulturës, patëm kënaqësinë që në kuadër të bienales “Muslim Mulliqi 2018” ta kemi instalacionin “Plisi Informativ” të artistes Eliza Hoxha. Dje pasdite ky instalacion u gjet në këtë gjendje. Apelojmë te qytetarët të parandalojnë incidente të tilla të cilat e shëmtojnë qytetin dhe shkatërrojnë vlerat kulturore të Kosovës!”. / KultPlus.com

‘At Sergi’ nga Fatos Berisha, me 28 nëntor vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Shfaqja teatrore “At Sergi”, mbështetur në novelën me të njëjtin titull të Tolstoit vjen për publikun kosovar. Historia e ushtarakut të karrierës Stefan Kazatski, i cili pasi përballet me tradhtinë e gruas së jetës dhe mikut të shtrenjtë, vendos të heqë dorë nga bota dhe bukuritë e saj, duke u bërë murg. Lufta e vazhdueshme me veten dhe betimin ndaj Zotit, dyshimi dhe epshi ndryshojnë edhe një herë rrjedhën e Kazatskit të shndërruar tashmë në At Sergi.

Producente e shfaqjes është Kozeta Kurti, regjia nga Fatos Berisha. Vepra vjen në skenë me 28 nëntor, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. E përshtati për skenë Shpëtim Selmani, interpretojnë aktorët Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi, Arta Lahu, instrumentist Denis Hima.

“At Sergi” është një novelë e realizuar në vitin 1890 dhe e publikuar në 1898. Në 1917, regjisori rus Jakov Protazanov realizoi një film pa zë mbi këtë novelë. Novela flet për princin Stefan Kasatzki. Ai ishte një ushtarak me karrierë të suksesshme, që zbulon tradhtinë e të fejuarës së vet pak para se të martohet. I shqetësuar dhe në mëdyshje, ai tërhiqet në ushtrinë e ortodoksisë ruse duke u bërë një murg. Shumë vite poshtërimi dhe dyshimi pasuan dhe ai tashmë qe një heremit që bën mrekulli para fshatarëve. Çaste provokimesh vënë në provë besimin e tij dhe situata të pafat të provokimit femëror e çojnë në dështim. Më herët regjisori Fatos Berisha ka treguar se për veprën është punuar shumë.

“Që në fillim e kam ditur, që është i vështirë një klasik i tillë si Tolstoy për ta vënë në skenë. Me sa di unë kjo novelë nuk është vënë në skenat e Ballkanit si shfaqje teatrore. Kështu filloi rrugëtimi me shfaqjen. Unë propozova, që kjo vepër të dramatizohet për në skenë nga një autor nga Kosova, Shpëtim Selmani, me të cilin kam bashkëpunuar dhe për të tjera projekte. E dija që ai mund ta bënte këtë, sepse besoja në estetikën e tij dhe aftësitë e tij. Është punuar shumë për të ardhur te një tekst, që për mua ishte mjaftueshëm i mirë për të filluar punën më pas me aktorët e veprës”, pohon regjisori Fatos Berisha. / KultPlus.com