‘Jemi verbue shpirtnisht, na mungon dashunia’

At Zef Pllumi ka shkruar:

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . . Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

Ndalohen veturat për në Gërmi për shkak të “Sunny Hill Festival”

“Sunny Hill Festival” do të nisë sonte në Prishtinë, me Dua Lipën që udhëheq ditën e parë të këtij festivali.

Ky festival do të mbahet në Parkun e Gërmisë, dhe KP raporton se veturat do të jenë të ndaluara, dhe ata që duan të shkojnë në festival duhet ta përdorin transportin publik.

Për tre ditë në Prishtinë do të interpretojnë yje të mëdha të muzikës botërore si Dua Lipa, Martin Garrix, Action Bronson, Gashi etj. E nuk do të mungojnë as yjet e muzikës shqiptare të zhanreve të ndryshme. / KultPlus.com

Ikona Cher sjellë hitin e njohur të grupit ABBA (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Cher ka lansuar versionin e saj të këngës së njohur nga ABBA.

Në shtator ajo do të lansojë një album me versionet e saj të këngëve të njohura të ABBA.

Megjithatë, ikona Cher nuk na ka lënë të presim, duke na sjellë “Gimme gimme gimme” nga ABBA.

200 mijë klikime ka marrë vetëm nga dje kënga në Youtube, e cila do të jetë pjesë e albumit “DANCING QUEEN” – njëjtë sikur kënga e njohur e ABBA.

Në album do të jenë edhe “Fernando”, “Sos”, ‘Waterloo”, “The Winner Takes it all” dhe këngë të tjera.

ABBA mbetet një prej grupeve më të mira evropiane, me origjinë nga Suedia. Ata u formuan në Stokholm në vitin 1972, nga Agnetha Fältskog, Björn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad. / KultPlus.com

‘Your story is my story’ solli abuzimet seksuale ndaj burrave dhe grave gjatë luftës në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual vazhdojnë të mbeten të heshtura dhe të padiskutueshme.

Sot përmes performancës “Your story is my story” u tregua nevoja që ka kjo shoqëri për të dëgjuar këto tregime duke iu ofruar përkrahje grave dhe burrave viktima në Kosovë, shkruan KultPlus.
“… Unë isha e plagosur në këmbë dhe krahëror. Ata nuk më kursyen. Nuk kishin konsideratë… Nga krahërori më rridhte shumë gjak. Nuk mbaj mend shumë… Kur m’u kthye vetëdija, mbaj mend se pashë dy burra përmbi mua; njëri po më mbante me forcë, tjetri po më… të gjitha u shkatërruam”, është vetëm një pjesë nga tekstet të cilat u lexuan sot të Ura e Arastës në Prizren, në kuadër të performancës emocionuese “Your story is my story”.

Performanca mëton sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi ngjarjet të cilat i kanë përjetuar gratë dhe burrat e Kosovës si të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga regjimi serb.

Sipas regjisorit të performancës, Besim Ugzmajlit, më e rëndësishmja e performancës është fakti se rrëfimet të cilat janë përdorur janë reale dhe të treguara nga gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
“Këto rrëfime përmes leximit skenik jemi munduar që t’ia ofrojmë publikut në mënyrë që të krijojmë një lloj kujtimi të asaj që ka ndodhur në luftë dhe njëfarë sensibilizimi me atë që ka ndodhur. Mirëpo përtej saj po bëjmë thirrje për destigmatizimin e grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, u shpreh ai për KultPlus.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që në shoqëri të diskutohet për këto tema e kjo sipas tij lidhet shumë edhe me vendin ku u shfaq performaca, në urë, e ku të gjithë kalimtarët mund të bëheshin pjesë e saj.

“Nëse i lexon tregimet e sheh se aktet që u kanë ndodhur atyre janë jashtëzakonisht të dhunshme, të organizuara dhe që në njëfarë forme kanë pasur një impakt jashtëzakonisht të madh në personalitetin e tyre, në familjet e tyre dhe në mbarë shoqërinë tonë”, theksoi ai.

Lexues në këtë performancë ishin: Melihate Qena, Gresa Pallaska, Jeta Krasniqi, Arben Ahmeti, Jeta Berisha dhe Xhejlane Tërbunja.

Aktorja Xhejlane Tërbunja tregoi për KultPlus se përmes kësaj performancë kanë dashur që të ndanin me njerëzit një pjesë nga ajo se çfarë u ka ndodhur grave dhe burrave të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Shpresoj që jemi duke ndihmuar në këtë drejtim pasi që ne si artistë kaq edhe mundemi me bo mirëpo, ata të cilët janë kompetent dhe kanë mundësi të bëjnë akoma më shumë, duhet ta bëjnë. Shpresoj që përmes kësaj performance të ju ndihmojmë edhe këtyre grave që të shprehen dhe të tregojnë se çfarë ka ndodhë, sepse nëse këto gjëra mbahen brenda janë edhe një lloj vetëvrasje e ngadalshme”, u shpreh ajo.

Sipas Jeta Berishës, pjesë e shoqërisë civile, përmes performancave artistike mund të arrihet shumë mirë përçimi i mesazheve vetëdijesuese dhe kjo perfomancë do të shërbejë si e tillë.
“Shoqëria jonë ka filluar që të vetëdijesohet se këto gra dhe burra janë pjesë e shoqërisë sonë dhe e familjes. Sot ne u bëmë në një formë zëri i këtyre grave dhe ndamë tregimet e tyre personale, në këtë mënyrë ne po tregojmë që jemi përkrah tyre dhe do vazhdojmë që t’i përkrahim”, u shpreh ajo.

Kjo performancë leximi është organizuar nga OJQ THY në bashkëpunim me Forum ZFD, Integra, UN Women dhe DokuFest. / KultPlus.com

‘Gruaja shqiptare është inteligjente, të drejtat e saj janë mohuar’

Nga Mit’hat Frashëri

Më vjen keq t’a them prapë, po në të metat që ka Shqipëtari, përgjegjesija më e madhe i bie Shqipëtarkësë. Në qoftë se njerëzit tanë nukë janë aq aktifë, aqë patriot, aq të mëshirshim dhe të drejtë sa dëshironim që t’i shohim, cila grua u dha gjirin e saj, cilamotrë, cila grua, cila mëmë i këshilloj?

Në qoftë se vendi ka mbeturë kështu në varfëri dhe populli vuan në mos-kamje e në smundje, në qoftë se foshnjat tona i korr mortja e keqe, çë bëri gruaja jonë për këtë Shqipëri, çë kujdes morri për të shëruarë plagët morale dhe fizike të saja?

Kur është pra çështja për lumtërinë dhe interesin e përbashkët, a mund që gruaja jonë të rrijë akoma indiferente, si një e huaj e ftuarë në shtëpi të huaj? A nukë duhetë, për të mirët e përgjithsme, të bëhetë një sforcim i përbashkët, në kolaborim dhe harmoni, duke mbledhurë tok fuqinë a po duhetë që të dy palët të shikohenë armiq, dhe pjesa më importante e njerëzisë, mëma, motra dhe shoqeje të rrinë të larguara, duke parë mjerimin dhe plagën?

Burri në verbëri të tij mashkullore, i kërrususr nënë barrën e kalbëzuarë të fanatizmësë dhe paragjykimit që e shtyjnë të shikojë si një faj, si një turp, jo vetëm kolaborimin e gruasë, po sa edhe të zërë ngoje emërin e saj, burri them, munt që të dojë të bëjë një vetëvrasje , se s’i pëlqen të shkundetë prej pluhërit dhe të shpëtojë nga çimkat e idevet të mykura. Po a duhetë që gruaja të rrijë indiferente përpara rezikut, të mos bëjë asnjë çap, asnjë zhest, dhe të vejë drejt vdekjesë?

E dashurë këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nukë bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë active në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë , pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmëgruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonëprej lëngatavet, të kmi një popull të shëndoshë,një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë. Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë. Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërëdergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut.

Pse ka dalë ajo çikë aq vonë në lagje?

Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje?
Mire Prenaj

Ishte mbrëmja e së dielës dhe porsa isha kthyer me familje nga kampingu. Pas një udhëtimi të kujdesshëm dhe koxha të gjatë, fëmijët ishin të uritur, dhe sa hymë brenda, unë fillova të përgatis shpejt diç për darkën. Duhej edhe buka, dhe njërin prej fëmijëve e dërgova në furrën e lagjes të blejë një bukë.
Pas vetëm dy minutave fëmija im u kthye, por çfarë të shihja në fytyrën e tij. Ishte zbehur, dukej i trishtuar dhe madje e kishin përfshirë të dridhura. Shpejt pastrova duart dhe vrapova drejt tij, drejt derës. Nuk dija çfarë kish ndodhur. Cka ndodhi, bir, e pyeta.
Mami, më tha më frymën të zënë, bukën nuk mora se rrugës për në furrë, në atë banesën që po ndërtohet, një vajzë kërkontë ndihmë, qantë bërtiste. Mami të lutem, ta ndihmojmë!
Po zemër, menjëherë, ia ktheva dhe në ato fjalë kapa telefonin dhe thirra policinë. Mund edhe nga trishtimi, por polici mezi më kuptoi.
Andej receptorit, ai më tha: Qetesohu zojë!
Si të qetësohem, të lutem dërgone sa më shpejt një patrullë! Ju lutem!
Polici më kërkoi adresën. Më tha: Mbërrijmë për 5 minuta,.
Ju lutem, i thash, sa më shpejt ndihmone vajzën.
Mbylla telefonin dhe po flisja për ta qetësuar djalin. Nuk përmbahem, thërras sërish pas dy minutave policinë. Djali më bënte presion; Duhet ta ndihmojmë. Të shkojmë vetë ta ndihmojmë.
E pyes policin; Dërguat dikend?
Zojë më tha, çka e ke marr për ngutë.
Humba: Është në pyetje jeta e njeriut, si po thoni ashtu. Ndërsa unë po filsja, ai ndërpreu lidhjen.
Për mua e fëmijët e mi trishtimin e shtoi edhe më shumë sjellja e policit. Provova sërish të marr lidhjen, por nuk kishte përgjigje.
Më në fund, ndërsa po shikoja nga dritarja për të kapur pamjen me vajzën e sulmuar apo policët, mora edhe një herë lidhjen.
Asgjë nuk shoh, nuk ka policë këtu, thash.
Zojë, më tha, sa kërkesat për ndihmë i kemi, nuk kemi mundësi me i mbulu. Po ti çka e ke marrë kaq afër zemrës? Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje e vetme?
Ai po flise ndërsa unë shikoja vajzat e mia, shoqet e tyre, gratë që edhe ato në mbrëmje duhej të lëviznin, se kishin punët e tyre.
A kështu qenka puna, i thash, dhe mbylla lidhjen e trishtuar.
Ulem dhe shikoja se si duhej mbrojtur një vajzë një gura, nëse këtë nuk e bënë policia, e cila është e obliguar me ligjet. Nga duhej pritur mbrojtjen. Arma?! Kjo fatkeqësi që merrë jetë njerëzish nuk është zgjidhja. Shteti ka armët dhe forcën gjithë çfarë duhet për të mbrojtjur qytetarin e tij, por shteti është edhe polici që thotë aq papërfillshëm: Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje?

Ngjarje e vërtetë.

Flaka Haliti, pjesëmarrëse në Bienalen e Busan në Kore të Jugut

Busan Biennale ka zbuluar emrat e artistëve për edicionin e radhës.

Janë 65 artistë nga 34 shtete ata që u zgjodhën të jenë pjesë e Bienales.

Artistja Flaka Haliti do të jetë pjesëmarrëse në Bienalen e njohur në Korenë e Jugut.

Flaka do të krijojë rreth konceptit të Bienales – Divided we stand – ose Të ndarë qëndrojmë. Muzeu i Artit Bashkëkohor në Busan dhe ish Banka e Koresë janë dy objektet në të cilat këtë vit zë vend Bienalja, në edicionin e nëntë të saj.

Në mes të fokusit do të jetë edhe koha e Luftës së Ftohtë dhe prezenca e saj edhe sot, njëjtë sikur edhe territoret e ndara dhe reflektimi i artistëve mbi to. Ballafaqimi me realitetin dhe me vakuumin që prodhojnë ndarjet territoriale janë pjesë e mirë e kësaj bienaleje.

Bienalja do të hapet me 8 shtator e do të zgjasë deri me 11 nëntor.

Në anën tjetër, Flaka Haliti është një artiste nga Kosova e njohur për punën e saj aktive. Fituese e disa çmimeve artistike, përfshirë këtu Sallonin e Tetorit në Beograd, Flaka vazhdon të sfidojë ekspozitat e ndryshme artistike me inspirimin e saj multidimensional. / KultPlus.com

‘Qendra Multimedia Showcase 2018’ vjen në muajin tetor

Qendra Multimedia nga Prishtina do të bëjë bashkë disa prej shfaqjeve të saja më të suksesshme.

Kësisoj, në muajin tetor do të organizohet Qendra Multimedia Showcase 2018, ku vijnë katër shfaqje të prodhuara nga kjo Qendër.

Nga 19-21 tetor, në Prishtinë do të vijnë “Peer Gynt from Kosovo”, “55 shades of gay” dhe “A play with four actors and some pigs and some cows and some horses and a prime minister and a milka cow and some local and international inspectors”, përfshirë këtu edhe një shfaqje të re që vjen premierë.

Kjo do të jetë një mundësi e mirë për shikuesit të njoftohen me shfaqjet të cilat kanë pasur suksesin e tyre nëpër Evropë. Të gjitha shfaqjet do të kenë përkthim në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Foto: Jetmir Idrizi

‘Your story is my story’ nesër në Prizren

Gati dy dekada pas përfundimit formal të konfliktit në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura dhe jashtë metanarracionit të luftës dhe diskursit publik. Për më shumë, të mbijetuarat(it) e dhunës seksuale dhe të torturës në luftë i nënshtrohen stigmës shoqërore, përjashtimit dhe politikave jokonsistente institucionale.

“Your story is my story” mëton sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi ngjarjet të cilat i kanë përjetuar gratë dhe burrat e Kosovës si të mbijetuar të torturës gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.

Lexues në këtë performancë do të jenë: Melihate Qena, Gresa Pallaska, Jeta Krasniqi, Arben Ahmeti, Jeta Berisha dhe Xhejlane Terbunja, dhe do jetë nën regji të Besim Ugzmajli.

Kjo performancë leximi organizohet nga OJQ THY në bashkëpunim me Forum ZFD, Integra, UN Women dhe Dokufest.
Performanca mbahet nesër, e enjte, me fillim prej orës 15:30 në Prizren, te Ura e Arastës. / KultPlus.com

Fondacioni Sunny Hill ndanë të holla për artin dhe kulturën në Kosovë

Fondacioni Sunny Hill sot ka ndarë 100 mijë euro për organizata dhe festivale të ndryshme në Kosovë.

Shtatë organizata që punojnë me persona me aftësi të veçanta – përfshirë këtu Doën Syndrome Kosova, Hendikos, Atomi dhe Shoqata e Autizmit, janë në mesin e organizatave që kanë përfituar nga Fondacioni Sunny Hill, i formuar pas koncertit të para dy vitesh të këngëtares Dua Lipa.

Sot, në një konferencë për media, Dukagjin Lipa nga Sunny Hill Foundation ka treguar se 100 mijë euro do të ndahen në këtë herë të parë të ndarjes së parave.

Fonde kanë marrë edhe DamFest, ChopinFest, Teatri Dodona e Siparantum Choir ndërsa këtu përshihen edhe pesë shkolla të muzikës në qytete të ndryshme të Kosovës.

Qëllimi i Fondacionit Sunny Hill është dhurimi i parave për ndihmë në artin dhe kulturën dhe mirëqenien në Kosovë.

Të gjithë përfituesit ishin sonte të pranishëm në ceremoni, aty ku ishte edhe Dua Lipa nën patronazhin e së cilës ekziston ky Fondacion. / KultPlus.com

Veshjet kombëtare ekspozohen në Etno Fest

Etno Fest 2018 që është duke u mbajtur në Kukaj të Prishtinës edhe në këtë edicion nuk kanë munguar ekspozimi i veshjeve kombëtare shqiptare.

Në Ditën e Diasporës janë ekspozuar veshjet kombëtare të etnografes, Erodita Qorkadiu, transmeton Koha.net.

Ekspozita “Veshja tradicionale dhe moderniteti”, të kësaj autore, është hapur në ambientet e Etno Teatrit më 5 gusht, kurse një ditë më vonë ishte bërë edhe një sfilatë.

Mysafirë special në këtë edicion ishin Arbëreshët e Italisë, të cilët kanë bërë edhe një performancë.

Qorkadiu bën të ditur se këto veshje kombëtare më parë ishin ekspozuar në Belgjikë, Francë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni e Shqipëri.

“E kam sjell në Kukaj për shkak se ishin Ditët e Diasporës, e kam ftes që ta dërgoj edhe në Slloveni, Itali, Gjermani dhe Amerikë”, ka thënë ajo.

Dua Lipa: Do të vishem kuq e zi në festivalin në Prishtinë

“Ky është veç fillimi i karrierës sime” ka thënë sot mes tjerash në konferencën në Prishtinë këngëtarja shqiptare Dua Lipa.

Lipa po qëndron në Prishtinë për koncertin e datës 10,11 dhe 12 gusht, në kuadër të Sunny Hill Festival.

Ajo është pyetur në një pikë se a ka ndonjë befasi për koncertin e saj në Prishtinë.

“Do të vishem kuq e zi” ka thënë Dua, edhepse në shaka e kjo pritet të shihet nëse do të jetë e vërtetë në koncertin e radhës, shkruan KultPlus.

Dua Lipa tregoi se shumë shpejtë do të lansohet edhe kënga e saj e re, një bashkëpunim kësaj radhe.

Sunny Hill Festival do të mbahet në Parkun e Gërmisë. / KultPlus.com

Dua Lipa: Do ta doja edhe Rita Orën, Bebe Rexhën e Era Istrefin në festival

Dua Lipa sot në konferencën për media në Prishtinë ka përmendur edhe koleget e saja tjera shqiptare të cilat ajo ka dashur të jenë në Sunny Hill Festival.

Edhepse për shumë kohë u fol për një antipati mes Duas dhe Rita Orës, Dua e ka përmendur Ritën.

“Kemi pas qef me i pasë plot artista tjerë, bile edhe Rita Orën, Era Istrefin, Bebe Rexhën. Për mua sa më shumë femra është mirë të jenë pjesë e festivalit” ka treguar Dua Lipa në konferencë.

Konferenca e Dua Lipës po vazhdon edhe tash në Prishtinë. / KultPlus.com

Konferenca e Dua Lipës në Prishtinë (LIVE)

Po mbahet momentalisht konferenca për media e këngëtares Dua Lipa.

Sot Dua erdhi në Prishtinë gjatë ditës ndërsa pas pak ditësh do të performojë në Parkun e Gërmisë, në kuadër të Sunny Hill Festival.

Konferenca e sotme vjen pas asaj dje ku foli Action Bronson, i ftuar në këtë festival.

Dua Lipa i bashkohet kësisoj edicionit të parë të festivalit Sunny Hill Festival krahas emrave të tjerë si Bronson e Martin Garrix, përfshirë këtu edhe këngëtarët e njohur shqiptarë. / KultPlus.com

Rita Ora i bashkohet Agjencisë “Kate Moss”

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora nga sot është pjesë e Agjencisë “Kate Moss”.

Ajo përmes një postimi në Instagram ka konfirmuar se i është bashkuar agjencisë së modeles britanike Kate Moss, që mbështet talentët për të zhvilluar karrierën brenda industrisë së mediave globale, transmeton Koha.net.

“Ekipi i ëndrrave. E emocionuar konfirmoj se tani jam pjesë e Agjencisë Kate Moss”, ka shkruar shkurt Ora.

Kate Moss më parë rreth Agjencisë së saj kishte deklaruar se, “dua të përqendrohem në menaxhimin e karrierave të njerëzve, jo vetëm në udhëheqjen e një agjencie”.

‘Sarabande’, sonte te Kino Lumbardhi

Filmi dokumentar “Sarabande” i regjisores Kaltrina Krasniqi do të shfaqet në festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest të Merkurën me 8 Gusht në orën 20:00.

SARABANDE filloi si një dokumentar personal mbi virtuozin e muzikës klasike, Petrit Çekun, që në vitin 2014, në Spanjë, do t’i regjistronte Suitat për Viollonçello nga J.S. Bach. Por, rrugës, filmi u shëndrrua në një ‘road movie’ mbi kufinjtë dhe ilegalitetin, që më pas të paketohet si rrugëtim i dy shokëve nëpër idetë e shpikura mbi Orientin dhe Oksidentin, të shkuarën dhe të ardhmen.

Filmi do të shfaqet në Kinemanë Lumbardhi, ndërsa biletat mund të validohen në pikën e shitjes DokuShop në Sheshin Shadërvan.

Sarabande është prodhuar nga shtëpia filmike Vera Films në vitin 2018 dhe është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komuna e Prishtinës, Fondacioni Lumbardhi dhe dit’ e nat’. / KultPlus.com

‘Heshtje kolektive sepse dajaku është pjesë e jetës sonë’

Arbana Xharra / Facebook

Valbonat i vrasim cdo dite. Ato dhunohen, shkelmohen, nencmohen e degradohen tere jeten e tyre. Ato rrihen qysh ne vegjeli, vellai e shqelmon per te ia ruajtur moralin, nena nuk ben ze se e shkreta han dajak nga burri i saj…Kjo vajze rritet, behet grua e me pase nene duke e harruar dajakun vetem atehere kur i pushojne dhimbjet e trupit. Tjetra goditet me gure nga kalimtaret; se “kurva e lype”…Rrethi i saj heshte, sepse “dajaku ka dale prej xhehnetit”. Policia s’ben gje ngase eshte ky “burr” qe dajakun e vrasjen e gruas nuk e konsideron krim por normalitet. Keta burra e jo pak gra (qe i edukojne djemte te dhunshem e vajzat te durojne) qe edhe vet jane te dhunshme, jane shoqeria jone qe ne i perkasim. Ata/ato, nuk kane pike prej qiellit, jane ne shtepite tona, ne rruge, ne institucione, jane vet NE. E ngushellimi qe keto viktima marrin jane statuset tona ne Facebook, vetem atehere kur plumbi i vret. Heshtje kolektive sepse dajaku eshte pjese e jetes sone!

Serbia s’lejon akademik Hivzi Islamin të vizitojë Preshevën

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, sot, në vendkalimin kufitar Muçibabë/Buhiq nuk është lejuar nga policia kufitare e Serbisë të shkojë në Preshevë.

“Islami ishte nisur me familjen për vizitë te familjarët e tij në Preshevë. Familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të u lejuan ta kalonin kufirin, ndërsa ai jo pa marrë shpjegime nga policia kufitare serbe”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

ASHAK thotë se deri sot, Islami ka udhëtuar në Preshevë e Bujanovc sa herë ka pasur arsye apo dëshirë pa asnjë problem. Ai është i lindur në Letovicë të Bujanovcit, ndërsa familjarët e tij të afërt jetojnë në Letovicë, në Bujanovc dhe Preshevë. / KultPlus.com

Dua Lipa ka arritur në Kosovë (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa ka arritur në Kosovë.

Ajo para pak minutash ka ateruar në aeroport ndërsa gjatë ditës pati postuar edhe videon ku paralajmëronte për koncertin në Prishtinë.

Dua Lipa do të jetë emri kryesor i festivalit Sunny Hill Festival.

Dua po bëhet një prej emrave më të njohur momentalisht në muzikën botërore, duke prodhuar hitet “Neë Rules”, “Genesis”, “IDGAF” e hite tjera.

Mbase takimi i fundit me hënën

Visar Zhiti

Sonte ua hodha policëve,
Kur po më jepnin darkën, atë supën e ligë.
Sepse pashë hënën. Është e rrezikshme
që të bëhem edhe një herë
……………siç isha, lirik.
Një ngushëllim i verdhë, hënor, i ftohtë
mbushi dyshemenë te këmbët e mia
…………..dhe po e lëkund.
Unë s’jam i pari që dënohet në këtë botë,
por më vjen keq që s’jam i fundit unë.

Hëna – grua e bukur, mahnitëse
seç i bën ca makjazhe një çuni
………….pas kuintave të një skene.
Errësirë përralle dhe drita, drita magjike
si një kozmos i vogël,
…………fluturues,
…………prej shprese.

Unë isha ai aktori i vogël
…………që luante aq mirë
e megjithatë s’e lanë të bëhej aktor.
Që ahere e kuptova: jeta është tepër e vështirë
Dhe tepër e lehtë
…………një tallje, një lojë.
Ja, mua m’i hodhën prangat, moj Hënë.
S’e kupton? Është njëlloj sikur ty të të shkulin
…………nga prania e Diellit
dhe të të flakin nëpër gropat astronomike
Ma bënë këtë gjëmë
ngaqë shpirti im nëpër parajsa çmendurish
…………donte të ikte.
– Ej, t’u derdh supa! – më briti polici te koka
duke më kërcënuar me garuzhden avdalle.

Mua më erdhi mirë
Që supa s’më ish bërë më e shtrenjtë akoma
Se ëndërrimet me një hënë ankthesh.

Action Bronson bën shqiponjën dhe zbulon detaje nga performanca në Prishtinë

Këngëtari Action Bronson, shqiptari Arian Asllani, ka mbajtur para pak minutash një konferencë për media në Prishtinë ku edhe ka dhënë më shumë detaje për performancën e tij.

Ai është një ndër të ftuarit e Sunny Hill Festival – festivalit që me 10,11 e 12 gusht sjellë emra të njohur nga bota e muzikës botërore në Prishtinë.

“Do të jetë një performancë fantastike, më e mira ndonjëherë. Më pëlqen një festival që po sjellë trashëgimi shqiptare, me emra shqiptarë” ka thënë mes tjerash Action Bronson.

Bronson do të performojë në Gërmi në njërën prej netëve të këtij festivali. / KultPlus.com

Shqiptarja Eleni Foureira performon në Paradën e Krenarisë në Amsterdam dhe Stokholm (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, po bën bujë me performancat e saj kudo në Evropë.

Paradat e ndryshme të komunitetit gej e lezbik nëpër Evropë e kanë pikësynim këngëtaren shqiptare.

Në Stokholm, në EuroPride, para pak ditësh Eleni Foureira e elektrizoi skenën kur këndoi këngën “Fuego” me të cilën u radhit në pozitën e dytë në Eurovizionin e këtij viti.

“Jam tepër e lumtur që jam këtu. Jeni vetja gjithmonë” ka thënë Eleni, duke asocuar në komunitetin LGBT dhe pranueshmërinë ndaj këtij komuniteti.

Paradën e komunitetit LGBT në Stokholm e kanë ndjekur rreth 500.000 njerëz derisa rreth 55 mijë kanë ecur brenda saj.

Pak ditë më pas, ajo ka marrë pjesë në Paradën në Amsterdam ku ka performuar duke dhuruar atmosferë për publikun atje.

https://www.youtube.com/watch?v=w1t-LXKvjz4

Eleni Foureira kësisoj po bëhet një emër i njohur për evropianët dhe për muzikën në Evropë, me suksesin e saj të fundit në Eurovizion dhe paraqitjet e shpeshta nëpër Evropë. / KultPlus.com

Ministri i Kulturës pa telegram ngushëllimi edhe një ditë pas vdekjes së shkrimtarit Ragip Sylaj

Gili Hoxhaj

Dje ka ndërruar jetë shkrimtari nga Suhareka, Ragip Sylaj, duke lënë prapa vetes një krijimtari mjaft të pasur letrare për të cilën edhe u shpërblye me disa çmime, shkruan KultPlus.

Çmimin e fundit Ragip Sylaj e pranoi pikërisht nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në shkurt të këtij viti, ministri Gashi ka ndarë çmimet vjetore për letërsi, me ç’rast në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, i kishte dorëzuar Sylës çmimin për veprën më të mirë në poezi “Kam drojë për ty”.

Ndërsa edhe pse ka kaluar më shumë se një ditë nga ikja e shkrimtarit nga kjo botë, e disa orë nga varrimi i tij në Shllapuzhan të Suharekës, ministri Gashi nuk ka ndarë as edhe një rresht për të shprehur ngushëllime e për të nderuar krijimtarinë e shkrimtarit Ragip Sylaj.

Vëllau i Ragip Sylajt, Hajrush Sylaj ka konfirmuar për KultPlus se nuk kanë pranuar as një letër ngushëllimi nga ministri Gashi.

Sylaj që nga 3 maji i vitit 2009-të punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndryshe nga ministri Gashi, Ministri i Punëve të Jashtme – Behgjet Pacolli me anë të një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij ndërkohë e ka vlerësuar punën e Sylajt si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e ka theksuar se puna dhe veprat e tij mbesin si frymëzim për të tjerët.

“Daja siç e quanin kolegët e miqtë e tij të afërt do të përkujtohet gjithmonë si një njeri me virtyte të larta njerēzore. I heshtur, i qetë, me plot energji pozitive dhe gjithmonë me humor të mirë. Puna dhe veprat e tij si gazetarë i dëshmuar, shkrimtarë i veçantë dhe punonjës i dalluar do të mbesin frymëzim dhe shembull për të tjerët. Zoti e shpërbleftë me Parajsë Shpirtin e Tij. Ngushëllimet më të thella Familjes, të të afërmëve dhe kolegëve nga Ministria”, shkruhet në postimin e Pacollit.

Sylaj vdiq dje në moshën 59 vjeçare. Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.
Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’, organizimit letrar të KultPlus dhe ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i KultPlus, gjithmonë i dashur dhe i qetë në personalitetin e tij të veçantë. / KultPlus.com