20 mijë euro kushtoi vepra e Flaka Halitit në Manifesta 14, e ‘fluturon’ era

“Nën diell – Shpjego çka ndodhi” ishte titulluar vepra e artistes Flaka Haliti në Manifesta 14, që është hapë së fundi në Prishtinë, dhe po kësaj vepre, organizatorët i kishin lënë një pozicion pothuajse kryesor, pasi që edhe hapja e Manifesta 14 ishte bërë pikërisht nën hijen e veprës së Flaka Halitit, shkruan KultPlus.

Por vepra “Nën diell-Shpjego çka ndodhi” nuk është më pjesë e veprave të vendosura në kuadër të Manifesta 14, dhe sipas burimeve të KultPlus, kjo vepër tashmë është dëmtuar si pasojë e reshjeve dhe bubullimave që ndodhën gjatë javës së shkuar në Prishtinë.

Mirëpo se vepra “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” e Flaka Halitit ka rënë në tokë dhe se është dëmtuar, nuk është konfirmuar edhe nga udhëheqësit e Manifesta 14.

Udhëheqësit e këtij manifestimi kanë thënë  për KultPlus se vepra është larguar nga ekipi teknik i festivalit, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, shi e bubullimë, dhe sipas drejtoreshës Hedwik Fijen, bashkë me ekipin teknik e kanë larguar veprën para se të ndodhte diçka serioze.

Dhe si duket vepra me titullin “Nën diell – Shpjego çka ndodhi”, kërkon ‘shpjegime’ edhe më tej për këtë vepër të Flaka Halitit, pasi që sipas drejtoreshës Fijen, kjo vepër, përpos kostos fillestare për realizimin e kësaj vepre, tashmë ka edhe koston shtesë për rivendosjen e saj në vendin paraprak. Fijen ka thënë për KultPlus se vepra e Flaka Halitit ka kushtuar rreth 20 mijë euro, kurse për kostot e riinstalimit të veprës ende nuk dihen në këtë fazë.

“Puna e Flaka Halitit do të riinstalohet në ditët në vijim, varësisht prej teknikës”, ka thënë Fije.

Dhe duke iu referuar përvojës me veprën e Flaka Halitit, KultPlus ka pyet drejtoreshën Fije se nëse kanë marr masa edhe për veprat e tjera, pasi që shumica prej tyre janë në hapësirë, ajo është shprehur se të gjitha punimet tashmë janë kontrolluar nga inxhinierët dhe janë parashikuar masa shtesë.

Kurse përshkrimi i Manifesta 14 për veprën e Flaka Halitit është në këtë fiormat:

Nëse keni parë ndonjëherë diellin të perëndojë në qiellin e përndezur ose gacat e përflakura të luftës, horizonti i mistershëm i Flaka Halitit do të bëjë që fyti t’ju shtrëngohet pak./ KultPlus.com

“Luaneshat e Kodrës” u shpërblye me Zemrën e Sarajevës, Latifi, Balaj e Shabani morën çmimin aktorja më e mirë

Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.

Në kategorinë aktorja më e mirë, juria e këtij festivali këtë çmim i ka ndarë tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit, dhe aktoret që u vlerësuan në këtë festival janë: Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.

Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./ KultPlus.com

Flaka Haliti në bashkëbisedim me kuratoren Leonie Radine


Qendra Multimedia organizon bashkëbisedim mes artistes kosovare Flaka Haliti dhe kuratores gjermane Leonie Radine.

Ky bashkëbisedim do të shënojë përmbylljen e takimeve ballë-për-ballë të dy artisteve me artistë të rinj vendorë në Kosovë, në të cilat ata kanë pasur mundësinë të marrin këshilla për projektet e tyre artistike.

Në këtë bashkëbisedim, dy artistet do të flasin për artin bashkëkohor në përgjithësi si dhe për bashkëpunimet e tyre të mëparshme dhe ato në të cilat janë duke punuar aktualisht.

Bashkëpunimi i dyshes ka filluar në vitin 2018 me ekspozitën “KËTU – APO ATJE, ËSHTË MË ATJE” të Halitit në Galerinë Kombëtare të Tiranës, dhe vazhdon me ekspozitën e ardhshme “KËTU DHE TANII” në Muzeun e Ludwig: Transcorporealities në Kolonjë.

Në punët e saj, Haliti përzien estetikën me objekte të ndryshme të përditshmërisë, në mënyrë që të eksplorojë horizonte, agjenci të mundshme dhe figuracione alternative përtej kufijve strukturorë dhe politikë, koncepte të thjeshta të përkatësisë dhe projeksione që lidhen me identitetin. Praktika e saj ndërdisciplinare kërkon për diversitetdhe lëvizje të pozitës së çfarëdo objekti si dhe ndërvarësive brenda për brenda një rrjeti kompleks të marrëdhënieve të pushtetit.

Ky bashkëbisedim do të mbahet të shtunën më 29 qershor, me fillim nga ora 18:00.  / KultPlus.com

Sukses i madh për Flaka Halitin, nominohet për Preis der Nationalgalerie

Artistja Flaka Haliti është në mesin e katër të nominuarve për çmimin artistik Preis der Nationalgalerie.

Çmimi ndahet çdo dy vite për artistët të cilët punojnë dhe jetojnë në Gjermani.

Pauline Curnier Jardin, Simon Fujiwara dhe Katja Novitskova i bashkohen artistes Flaka Haliti në këtë nominim.

Për të zgjedhur fituesin pason edhe një ekspozitë e cila do të hapet në Berlin në muajin gusht. Çmimi, njëjtë sikur ekspozita, promovon pozicionet e ndryshme të artit bashkëkohor që kanë reflektuar në skenën kulturore në Gjermani, duke sjellë edhe shprehje të reja dhe duke bërë që kjo skenë të zgjerohet e të promovohet edhe në botë.

Ekspozita me katër të nominuarit do të hapet me 16 gusht në Hamburger Bahnhof – Museum für Gegenwart – Berlin.

Fituesi do të përzgjedhet nga një pane i ekspertëve dhe më pas do të hapë ekspozitën personale në një prej sallave të Galerisë Kombëtare – Nationalgalerie në Berlin.

Flaka Haliti është një prej artisteve më aktive nga Kosova, e cila jeton në Gjermani por ekspozitat dhe paraqitjet i ka të shpeshta në shumë shtete. Ajo e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2015-të, ndërsa ka fituar edhe çmimin Ars Viva Prize, shkruan KultPlus.

Fituesit e këtij çmimi në të kaluarën janë Agnieszka Polska (2017), Anne Imhof (2015), Mariana Castillo Deball (2013), Cyprien Gaillard (2011), Omer Fast (2009), Ceal Floyer (2007), Monica Bonvicini (2005), Elmgreen & Dragset (2002) dhe Dirk Skreber (2000). / KultPlus.com

Burrneshat e guximshme që sfidojnë botën përmes artit

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës sot ka mirëpritur ekspozitën “Burrneshat”. Kjo ekspozitë e cila ka bërë së bashku katërmbëdhjetë artiste nga Britania dhe gjashtë artiste nga Kosova si dhe kolektivin HAVEIT, është inicuar nga Këshilli Britanik, ndërsa veprat e artistëve britanike janë marrë nga koleksioni të cilin e posedon British Council.

Vjehrra e artistes Alije Vokshi qëndron përballë baroneshave të Madame Yevonde në hyrje të Galerisë Kombëtare. “INA”, piktura e cila është pjesë e koleksionit të Galerisë, paraqet një grua e cila mbanë një shami në kokë dhe duart njëra mbi tjetrën. Në anën tjetër një nga zonjat që i qëndron përballë është zonja e Michael Balkon, ajo me një armë në duar është portretizuar si hyjnesha romake Minerva.

Mirëpo, përderisa këto piktura mund të vështrohen për bukurinë e tyre disa hapa më tutje prapa bukurisë fshihet një gjendje e cila sjellë tension dhe reagim. Portretet e pesë vajzave të reja e të grimosura të paraqitura si “Spice Girls” nga  Clare Strand, portretizojnë situatën ku vajzat e reja, edhe pse ndjehen të ngulfatura në mënyrë që të pranohen në shoqëri, vishen dhe sillen si gra të rritura. Në anën tjetër modelja e realizuar nga Alketa Xhafa –Mripa paraqitet si një kukull, të cilën duke e vënë në prizë mund ta ndizesh dhe ta fikësh, ta lësh të flasë ose ta bësh të heshtë. Një vepër kjo e cila erdhi si reagim nga artistja në vitin 2007, një ditë pas 8 marsit, Ditës së Gruas.

“Me simbole të vogla jam munduar që të rrumbullakojë dhe të paraqes gruan shqiptare”, shprehet artistja derisa bisedon edhe me të pranishmit që afrohen për të parë punën e saj.

“Në ekspozitë ka emra për të cilat unë kam mësuar pasi që i kam pasur në literaturë si Tracy Emin apo Sarah Lucas. Prandaj të ekspozojë punën time se bashku me to, e sidomos në Kosovë është nder i madh. Njëkohësisht është kënaqësi edhe me artistët shqiptare,  punët e të cilave i njoh dhe i çmoj”, u shpreh ajo për KultPlus duke cilësuar se akoma ka punë për tu bërë për emancipimin e gruas në shoqëri. Diçka që e kërkon edhe artistja Ann Elliot e cila përmes nallaneve na fton që të ecim në këpucët e saj,  të cilat lënë gjurmët e dikujt tjetër, të një kuratoreje.


INA nga Alije Vokshi

Kjo ekspozitë vë në pah më shumë sesa vetëm çështjen e pozitës së gruas e që vërehet qartë te artistja shqiptare Arbana Hajredinaj me videon “30 %” e që tregon përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon ofshamën e grave përmes Zake Prelvukaj e cila largon katranin nga lëkura. Ju mëson që të mos kërkoni falje shpesh, sepse atëherë ajo do të humb vlerën përmes Anetha Hamilton dhe karriges së saj, këmbët e të cilës janë kopje e këmbëve të artistes. Kjo ekspozitë tregon se diçka nuk është në rregull përmes gruas që sjellë Tracey Emin, prej vaginës së të cilës nuk kuptohet a po dalin apo po hyjnë monedhat por edhe përmes videos “Nuk dëgjojë asgjë” të Rudina Xhaferit në të cilën ajo çep veshin e saj.

Drejtoresha e Galerisë, Arta Agani – Në prapavijë “Baby Doll On, Baby Doll Off” nga Alketa Xhafa Mripa

Me një aranzhim që i ngjan një beteje,  sipas drejtoreshës së Galerisë, Arta Aganit kjo ekspozitë synon të shfaq ndërrimet mes roleve, ku gruaja nuk është vetëm një formë dhe burri nuk është vetëm një funksion. Ajo tregon se kjo ekspozitë e fragmentuar në disa faza bënë që gratë artiste të ndërrojnë nga njëra fazë në tjetrën, nga forma deri të funksioni.

“Në pjesën e titullar ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ e cila gjendet në katin e dytë të Galerisë, artistet e shfaqura tashmë e kanë kuptuar rolin e tyre në shoqëri si gra artiste. Ato me krenari ekspozojnë artin e tyre duke mos kritikuar dhe ankuar. Ato janë në krye të muzeve dhe galerive dhe nuk janë të shqetësuara për barazinë gjinore në art, sepse në këtë fazë ajo duket e parëndësishme”, theksoi Agani. 

Tek ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ hynë disa artiste pjesë e kësaj ekspozitë si kolektivi HAVEIT, të cilat edhe në këtë ekspozitë ishin të pranishme duke e rruar patriarkalitetin, pastaj Flaka Haliti me “Bolet e mia” apo artistja Sarah Lucas me vezët e fërguara.

Gillian Wearing- Kopshti

Kjo ekspozitë nuk mund të kalojë vetëm me një shikim pasiv,  theksoi ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell në hapje të kësaj ekspozite.  Sipas tij,  çështja për të cilën duhet të mendojmë e që e përcjellë edhe këtë ekspozitë është sesi trajtohet gjysma e shoqërisë sonë.

“Të gjithë ata që do të vijnë në këtë ekspozitë do të marrin nga një porosi të ndryshme. Porosia që unë mora,  është ajo e guximit dhe e sfidës. Disa nga veprat janë shumë personale dhe disa janë shumë sfiduese. Unë jam i nderuar që i njoh edhe personalisht disa nga artistet dhe nuk me befason që punët e tyre janë reagim i guximit dhe sfidës. Ne duhet që të reagojmë ndaj kësaj, të sfidohemi nga to dhe të mendojmë më ndryshe kur të largohemi dhe jo njëlloj siç kemi menduar kur kemi ardhur”, theksoi ai.

Abigail Lane- Pa titull (Ann Elliot)

Ekspozita “Burrneshat” do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt./ KultPlus.com

Sarah Lucas – Autoportret me vezë të fërguara

https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/arts/perceptions

Ekspozita e Flaka Halitit tërheq artdashësit në GKA

Ekspozita e artistes kosovare Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve është vizituar nga 2197 vizitorë nga data 8 shtator deri më datë 24 shtator.

“Këtu – apo atje, është më atje” ka nxitur një interes të madh si për publikun shqiptar dhe për atë të huaj.

Flaka Haliti (1982, Prishtinë) jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Stadelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

Në hapjen e ekspozitës kuratorja Leonie u shpreh më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë.

“Kjo ekspozitë që prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale. Titulli “Këtu- apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?”, tregoi kuratorja.

Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita u hap më datë 7 shtator, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor./ata

Flaka Halit shprehet e lumtur për hapjen e ekspozitës së parë personale në Shqipëri

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është zhvilluar sot konferenca për shtyp mbi ekspozitën e Flaka Halitit “Këtu – apo atje, është më atje”. Kjo ekspozitë e parë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018.

Folës gjatë konferencës ishin artistja Flaka Haliti, kuratorja Leonie Radine dhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli.

Erzen Shkololli falënderoi Leonie Radine që pranoi ftesën e tij dhe të Flakës për të kuruar këtë ekspozitë të parë të artistes në Shqipëri. Shkololli përmendi faktin që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më pas fjalën e mori Leonie e cila foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.

Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?

Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.

Jeni të ftuar nesër, datë 7 shtator, ora 19:00 për të marr pjesë në çeljen e ekspozitës së parë personale të Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare te Arteve.

Biografi e shkurtër
Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare. /KultPlus.com
Foto: Gerta Xhaferaj

“Këtu – apo atje, është më atje”, Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Nesër më 7 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, hapet ekspozita e parë personale në Shqipëri e artistet Flaka Haliti, shkruan KultPlus.

Ekspozita hapet me fillim nga ora 19:00 ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor.

“Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes. E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë.

Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjerë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi. Duke zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, Haliti u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.

Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik. Banerë të ngjyrosur me sprej, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri,ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. Duke refuzuar status quo-në e objektit, Haliti përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen potenciale të tij, duke e hapur fushën e mundësive dhe perspektivave që tejkalojnë nocionet e thjeshta të përkatësisë. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.

“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.

Biografi e shkurtër Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas diplomimit në Grafikë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë në vitin 2006, ajo vazhdoi studimet për Artet e Bukura në Städelschule në Frankfurt mbi Main nga viti 2008 deri në vitin 2013. Aktualisht ajo është duke bërë doktoraturë në praktikë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Vjenë. Punët e saj janë ekspozuar në shumë raste, përfshirë edhe ekspozita personale në pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 56-të të Venecias (2015), në mumok, Vjenë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Prishtinë (2014). Në vitin 2016 ka qenë artist rezident në Villa Romana në Firence, dhe në po të njëjtin vit është nderuar me çmimin Ars Viva. Në vitin 2018, ajo është pjesëmarrëse në Artin Publik të Mynihut dhe Bienalen e Busanit. ——– Imazhi: E shqetësume prej fantazmës pa u brengosë, 2017 Njëzetë e pesë flamuj banerë, flamuj në shtizë, flamuj në hark, metal, print digjital, bojë me sprej, beton Pamje instalacioni Kunsthaus Hamburg, 2018.

Me autorizimin dashamirës të artistes dhe Deborah Schamoni, Mynih Foto: Michael Pfisterer./ KultPlus.com

Flaka Haliti, pjesëmarrëse në Bienalen e Busan në Kore të Jugut

Busan Biennale ka zbuluar emrat e artistëve për edicionin e radhës.

Janë 65 artistë nga 34 shtete ata që u zgjodhën të jenë pjesë e Bienales.

Artistja Flaka Haliti do të jetë pjesëmarrëse në Bienalen e njohur në Korenë e Jugut.

Flaka do të krijojë rreth konceptit të Bienales – Divided we stand – ose Të ndarë qëndrojmë. Muzeu i Artit Bashkëkohor në Busan dhe ish Banka e Koresë janë dy objektet në të cilat këtë vit zë vend Bienalja, në edicionin e nëntë të saj.

Në mes të fokusit do të jetë edhe koha e Luftës së Ftohtë dhe prezenca e saj edhe sot, njëjtë sikur edhe territoret e ndara dhe reflektimi i artistëve mbi to. Ballafaqimi me realitetin dhe me vakuumin që prodhojnë ndarjet territoriale janë pjesë e mirë e kësaj bienaleje.

Bienalja do të hapet me 8 shtator e do të zgjasë deri me 11 nëntor.

Në anën tjetër, Flaka Haliti është një artiste nga Kosova e njohur për punën e saj aktive. Fituese e disa çmimeve artistike, përfshirë këtu Sallonin e Tetorit në Beograd, Flaka vazhdon të sfidojë ekspozitat e ndryshme artistike me inspirimin e saj multidimensional. / KultPlus.com

Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Artistja kosovare Flaka Haliti do të prezantohet me ekspozotë personale në Tiranë, shkruan KultPlus.
Flaka Haliti e cila është duke e zhvilluar karrierën e saj artistike në shtete të ndryshme evropiane, kësaj radhe punën e saj do ta prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Bëhet e ditur se kjo ekspozitë do të hapet me 9 nëntor dhe do të rri e hapur për publikun vetëm dy ditë.

“Këtu- apo atje, është më atje”, titullohet kjo ekspozitë që do të sjellë Flaka Halitin në Tiranë./KultPlus.com

Artistët shqiptarë i bashkohen problemeve të përbashkëta në ekspozitën në Shkup

Një numër artistësh shqiptarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Shkup.

Alban Muja, Anri Sala, Flaka Haliti do tu bashkohen artistëve të tjerë në “All That We Have in Common”.

Ekspozita do të hapet të mërkurën e 18 prillit.

Ekspozita adreson paqartësitë në kontekstin e zhvillimeve kulturore, politike e sociale që lidhen me dobësinë dhe paparashikueshmërinë e jetës.

18 artistë kanë sjellë punët e tyre në Shkup, në ekspozitën që synon të na bëjë të reflektojmë mbi të tashmën, mbi sjerlljet tona dhe përvojat tona. Problemet që këta artistë i fokusojnë në veprat e tyre janë tragjike: mjerimi shoqëror, përjashtimi, manipulimi politik dhe faktorët tjerë që ndikojnë në shqetësimin tonë të ditëpërditëshëm.

Ekspozita do të hapet në ora 20:00 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.

Në ekspozitë marrin pjesë edhe Maja Bajevic, Ibro Hasanović, Gjorgje Jovanovik, Šejla Kamerić, Žaneta Vangeli dhe artistë të tjerë nga Serbia, Bosnja, Maqedonia, Slovenia, Turqia, Greqia dhe Franca.
Mira Gacina dhe Jovanka Popova janë dy kuratoret e ekspozitës. / KultPlus.com

Flaka Haliti, këtë vit pjesëmarrëse në Public Art Munich

Public Art Munich – PAB ka prezantuar disa prej pikave kryesore të edicionit të këtij viti.

Nga data 30 prill e deri me 27 korrik të këtij viti, në Olympic Stadium në Munih vjen organizimi artistik, kësaj here me konceptin “Game Changers”.

Artistja shqiptare Flaka Haliti është njëra nga pjesëmarrëset në këtë panair arti, së cilës i është besuar njëra prej punimeve artistike.

Me datë 1 maj do të inaugurohet Pavijoni i PAM, ku kanë punuar Flaka Haliti dhe Markus Miessen në një program me kurator Gursoy Dogstas.
PAM 2018 do të adresojë mekanizmat e ndryshimit dhe ndryshimet fondamentale që zënë vend sot në Munih, një qytet që ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme ideologjike, socio-politike dhe simbolike.

Projektet që u janë besuar këtë vit artistëve kanë të bëjnë me Radion Evropa e Lirë, me Republikën Sovjetike të Bavarisë, me de-nazifikimin e pasluftës, me vitin 1989, me inteligjencën artificiale dhe me kampanjën #Metoo. Çka duhet të ndryshojë, dhe si?

Çdo vikend, nga 30 prilli e deri me 27 korrik, në Munih vijnë ngjarje të ndryshme në kuadër të PAM.
PAM është programi artistik më i madh në Munih, ndërsa këtë vit hapet me instalacionin e arkitektes Alexandra Wasilkowska, shkruan KultPlus.

Flaka Haliti nuk është emër i panjohur për artin momental evropian. Haliti përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, bienale prestigjioze dhe e respektuar, ndërsa në vazhdimësi ka realizuar ekspozita të ndryshme brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Haliti ka ekspozuar në Sallonin e Tetorit në Beograd, në Castilla në Spanjë, në mumok në Vjenë. Vitin 2015-të ajo morri çmimin Ars Viva Prize.

Artistët tjerë që janë porositur për këtë edicion të PAM janë Lawrence Abu Hamdan, Cana Bilir-Meier, Anders Eiebakke, Leon Eixenberger, Massimo Furlan, Mariam Ghani, Rudolf Herz & Julia Wahren, Alexander Kluge, Michaela Melián, Ari Benjamin Meyers, Dan Perjovschi, Alexandra Pirici & Jonas Lund, Olaf Nicolai, The 9th Futurological Congress/Julieta Aranda & Mareike Dittmer dhe Franz Wanner. / KultPlus.com

Flaka Haliti me ekspozitë në Gjermani

“Here – Or Rather There, Is Over There” është ekspozita e Flaka Halitit që do të prezantohet në Lingen të Gjermanisë, përkatësisht në Kunsthalle të Lingen, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 13 tetor në ora 13:00, kurse e hapur për publikun e gjerë do të jetë prej 14 tetorit të këtij viti deri më 14 janar të vitit 2018.

Organizatorët kanë bërë të ditur se kjo është ekspozita e parë artistike që do të prezantojë kjo galeri, duke specifikuar më pas për Flaka Halitin, si përfaqësuese e Kosovës në Bienalen e Venedikut përgjatë vitit 2015, sikurse edhe pjesëmarrje të tjera të shumta artistes kosovare Flaka Haliti./KultPlus.com