Edhe tortë për rekomandimin e vizave

Në Odën e Ekonomike të Kosovës sot është kremtuar rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarë të Kosovës.

Është prerë edhe torta e janë thënë fjalë të mira për këtë që tashmë nga politikanët e quajnë “lajm të mrekullueshëm”.

Foton nga ky manifestim në Facebook e ka publikuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Ai me këtë rast edhe ka shkruar:

“Liberalizimi i vizave, qytetarëve të Kosovës ua lehtëson jetën, dhe veçanërisht është lajm i mrekullueshëm për bizneset në vend. Në vizitën e sotme në Odën Ekonomike të Kosovës, rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë për të rritur parametrat në ekonomi, si dhe për të vazhduar partneritetin me sipërmarrësit dhe bizneset. Bizneseve në vend me ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re” u garantohet stabilitet energjetik. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që na lidhë me shtetet fqinje e më gjerë. Komunave u kemi siguruar hapësirë të veçantë për zona ekonomike. Kurse, politikat fiskale i kemi ndër më të mirat në rajon. Ekonominë po e orientojmë drejt partnerëve tanë strategjikë dhe me lëvizjen e lirë në vendet e BE-së do të fuqizohen lidhjet ekonomike me Europën”.

Dyshohet për shitje të fëmijëve në Shtëpitë e Bamirësisë së Nënës Terezë

Në Indi ka nisur një hulumtim nëse në shtëpitë e bamirësisë të cilat i ka krijuar Nënë Tereza ka pasur trafikim fëmijësh.

Një dyshim i radhës e ka ngritur pikëpyetjen mbi këtë pjesë.

Në fillim të këtij muaji një prej punëtoreve është arrestuar pasi është zbuluar se ka shitur një fëmijë.

Fëmija u shit për 1500 dollarë, dhe kësisoj Qeveria e nisi inspektimin e saj në të gjitha Shtëpitë Misionare të Bamirësisë. Dy persona janë arrestuar, shkruan KultPlus.

Sot në botë janë rreth 4500 misionere të bamirësisë në rreth 130 vende të botës, me urdhërin e Nënës Terezë e cila me 4 shtator 2016 u shpall Shën Nënë Tereza. Urdhëri ka hyrë në fuqi në vitin 1950 dhe nga ajo kohë asnjëherë nuk ka pasur dyshime e skandale të llojit të tillë. / KultPlus.com

Era Istrefi kthehet në Kosovë (FOTO)

Këngëtarja kosovare Era Istrefi sapo ka arritur në Kosovë.

Pas performancës së saj në finalen e Kupës së Botës në Moskë, ajo sot ka arritur në Kosovë.

“Zeri.info”, ka siguruar këto fotografi të momentit kur Era ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kujtojmë se pjesëmarrja e Erës në ‘himnin’ e Botërorit dhe performanca e saj në natën finale u mirëprit nga të gjithë, madje edhe fotografia e saj me duar në formë shqiponje u mirëprit shumë mirë dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët.

Nuk është turp me shku me autobus për Dhërmi

Nga Alma Nikolli

Po i shkrepja një fotografi mikes sime dhe për një moment e lashë. “Prit të largohemi pak të mos dalin mbeturinat në sfond”, i them. “Jo, jo, lëri, ashtu është relaiteti, shkrepe”. Që të dilja mirë para teje që po më lexon (nëse nuk e ke lënë pas fjalisë së parë) duhet ta “modifikoja” këtë moment. Ndoshta duhet të thoja që e lamë fotografimin dhe mblodhëm mbeturinat, por në fakt nuk e bëmë. Ajo që bëmë ishte një fotografi me mbeturina në sfond. Tani, kur kanë kaluar pak vite do zgjidhja të kishim vepruar ndryshe, por sidoqoftë përcollëm virtualisht një të vërtetë, atë të mbeturinave. Pushkatomëni, po deshët…virtualisht.
Kjo ndodhi m’u kujtua sot, pasi hodha në “Instagram” fotografinë e një bilete autobusi. “Tiranë-Dhërmi”. Zakonisht postojmë fotografi vetëm të biletave të avionëve. Këtu u mundova ta vë theksin, sigurisht me pak humor(ose tentativë për humor). Tregojmë anën e bukur të udhëtimeve, ndonjëherë edhe themi se u kënaqëm më tepër se realisht jemi kënaqur, që të qëndrojmë edhe nga ana e ndjesive në lartësinë e fotografive. Po a gënjehet vetja? A ka lindur ende një mashtrues kaq perfekt? Të besojë gënjeshtrën e vet dhe të jetojë në lumturi? Do të ishte sikur dikush të gjente pijen e përjetësisë, por ajo qenka e shkruar të mos ekzistojë a gjendet.
U habita me reagimet e shumta te postimi im. Ishin kryesisht të vajzave që punojnë vetë për të realizuar udhëtimet modeste që bëjnë. Reagime të vajzave që ashtu si mua, ndonjëherë u duhet t’i bien me avion nga Shkupi për diku, se bileta është më lirë. Po këto gjëra s’para i themi, se ka të vërteta më të bukura për të ndarë me dynjanë. Të vajzave që po qeshnin me biletën time, sepse po u kujtoja veten. Të shoqeve të mia që janë si unë, sepse ndryshe nuk do i kisha shoqe. Vetëm se unë bashkë me to, do përpiqemi që të ia tregojmë botës jetën më pak të modifikuar. Ja kështu si me të qeshur. Jo se djemtë janë ndryshe ëëëë, po qëlluan vajza, deri tani.
Jeta virtuale na ka dyzuar. Po pse kemi turp nga jeta që kemi? Nga farefisi që vjen nga fshati? Nga një kushëri që flet gegnisht a toskërisht? Pse ia nxijmë jetën me “shshsh”? Pse ia “shkatërrojmë” dhe kompleksojmë jetën njëri-tjetrit për “cene” që në një formë i kemi edhe vetë? Sepse besojmë në perfeksionin që dërromohemi për të ia impontar vetes. Do thuash ti, jo unë s’e bëj. As unë nuk e bëj jo.
“Sa mirë ke dalë dhe fustani të rrika aq bukur”, i shkruaj në mesazh një të njohurës sime. “Po çfarë thua moj Alma, se mezi e mbylla zinxhirin, po mbaj frymën se do plas me gjithë fustan”, më tha duke e ekzagjeruar pak sa për të qenë modeste e për të qeshur pak me një lloj falenderimi jo të mërzitshëm. Ama kjo nuk është “sekuencë” e izoluar. Vajza e djem që modifikojmë pjata, fotografi, fytyra, ngjyra detesh… po thjesht mua më ka rastisur të kem të bëj me vajza pak më të sinqerta, ose ndoshta ia pranojmë më lehtë njëra-tjetrës.
Vdiqëm për pak perfeksion, vdiqëm. Ardhtë momenti që të mos kemi turp nga vetja dhe jeta jonë edhe e pabukur. Ardhtë një brez prindërish që ta përdorin pak e më pak fjalën turp, duke e zhveshur nga pesha morale. Jo se kanë faj ata jo, po kushedi. Ndoshta duke na e thënë aq shumë, e kemi marrë në dozën e gabuar.

‘Sot e nesër jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë’ (VIDEO)

Meqë ka vite e vite që na janë premtuar vizat, ia vlen shpesh të kujtojmë se jemi në kontinentin evropian, së paku gjeografikisht.

Drejt Evropës, drejt udhëtimit pa viza, drejt metropoleve dhe drejt ëndrrave për një jetë më të mirë… 2020! Ky është viti kur një tjetër zyrtar evropian do të na flasë se si vizat nuk do të liberalizohen kurrë për kosovarët e dëshpëruar.

Për kontinentin Evropë janë kushtuar disa këngë, e herë kanë qarkulluar komente qesharake, satirike e njëkohësisht tmerrësisht pikëlluese.

Ilir Shaqiri para disa vitesh i këndoi Evropës në një formë të veçantë. / KultPlus.com

Në një të ardhme, mbase asnjëherë

Nga Endrit Krasniqi

E di se do e lexosh këtë poezi, mbase do jesh duke shfletuar rrafshe të bardha
në vendin ku jo çdo njeri përket,
kokën e rënduar do ta kesh, gishterinjtë e tu do zgjaten nga dora jote e vogël dhe do prekin magjinë e cila nuk i jepet për barrë çdokujt,
mbase do të ç’lodhesh,
ndoshta do tërbohesh nga gëzimi
apo nga iluzionet e asaj që dikur ke mundur të jesh
Por mos e mallko veten,
ndoshta kjo është arsyeja pse po e lexon këtë poezi.

Gjithçka do ketë ndryshuar, do jenë shkruar libra për gjërat që nuk kishin përgjigje,
gjatë procesit mbase është deshifruar gjithçka
Apo ndoshta çmenduria do ketë arritur kulminacionin ku çdo gjëje do i jepet përgjigje pa e shkruar,
do flasin për dashurinë, pasionin, jetën pa e shijuar atë.

E di se do e lexosh këtë poezi kur do jesh në urat apo tunelet e labirintit të quajtur kohë,
kur asgjë nuk do ta bëj zemrën tënde të rrahë fort
nuk do e bëj as kjo poezi.
Mbase copëzat e tij janë shpërndarë, hidhu në aventura në kërkim të asaj që mungon, të nevoitet
E vetëm ti mund ta gjeshë.

E di se do e lexosh këtë poezi në zyrën tënde
duke sharë mëngjeset pse janë të hershme
Duke pyetur veten pse perëndimet janë të bukura dhe pse shfaqen vonë, duke menduar arsyet pse s’ke takuar disa persona,
pse ke hequr shikimin nga ajo që ke dashur dikur, mbase akoma vazhdon,
t’i mendosh dhe njëherë arsyet pse s’ka njeri të t’pres në shtëpi
dhe pse shtëpia e jote nuk është tamam e definuar.

Derisa përkëdhel qenin tënd do kuptosh se disa gjëra dashurojmë pa arsye, dhe se nuk do t’i kuptosh asnjëherë fjalët që nuk u thanë
Ndoshta as çmendurinë time.
Në rubinetin e kuzhinës tënde do rrjedhë ujë,
do kuptosh se asgjë nuk kthehet si dikur,
por nuk do arrishë t‘i kuptosh arsyet e ikjes.

E di se do e lexosh këtë poezi duke menduar për personat që ke dashur, disa nga të cilet mbase vazhdon t’i dashurosh akoma,
por në vende sekrete sa vet universi do kishte vend dhe për të tjerë që hapsirë s’ju dhe,
mbase do jesh bërë pishman për udhëtimet që s’ke nisur, dashurinë që s’ke falur, vërenjtjen
që nuk lejove të ta heqin nga sytë
Duke u frikësuar se njerëzit shkatërrojnë gjërat e bukura.
Të mendosh akoma ashtu më tmerron dhe pse nuk të njohë
Ngase e di se je duke e lexuar këtë poezi.

Në parkun përballë do shafqen kujtimet si meteorët, nuk ke pse frikësohesh,
me siguri ke krijuar yjet e tu,
nga lumturia e tyre do harrosh gjithçka; premtimet që ke dhënë për bifurkacionin
së bashku me dizajnin e shtëpisë që do ndërtonit në hënë.
Kështjella e qelqit do jetë thyer
Ndoshta fillimi i saj fillin nuk e gjeti kurrë.

E di se do e lexosh këtë poezi ngase njerzit harrojnë
Ose bëjnë sikur, ti vazhdon t’i përseritësh gjërat e vogla që kanë kuptim për ty, mos u mbyll në kullla harrimi.

Kur rrugët nuk bashkojnë më mos mendoni se çdo gjë ka marrë fund,
do mësoheni pa njëri-tjetrin sikur dallëndyshet kur ua shkatërruam strofullat, ato gjetën shtëpi të re.
Fjala e nisur shpejt mund të vras gjithçka në sekonda, mund të ndërtoj dhe harqe bashkimi.

E di se do e lexosh këtë poezi
se s’do kesh gjë tjetër për të bërë ndoshta,
qielli nuk do jetë i purpurt më
Gjithçka do jetë e metalt sikur ky shi,
në qetësi do kërkosh të strehohesh diku
për t’ia mbyllur dyert botës së marrë
dhe gjërave që zotëroje dikur
Të cilat përfunduan duke të t’zotëruar ty.

Kur larg ëndrrave të jesh dhe ta kuptosh se ke bërë luftën e gabuar,
Dhe një herë gishterinjtë e tu nga dora jote e vogël do zgjaten për në raftin e ëndrrave
Unë e di; do jesh duke lexuar këtë poezi.

‘Hajde bac hajde’, komunikimi në delegacionin kosovar në Bruksel

Në prag të takimit me Federica Mogherinin, delegacioni kosovar që udhëtoi në Bruksel të martën realizoi një fotografi me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian.

Para se të zinin vendet për fotografinë e përbashkët, disa nga anëtarët e delegacionit kosovar ngurruan të dilnin në pjesën ku po qëndronte Mogherini. E në këtë situatë filloi një komunikim i pazakontë mes tyre; një komunikim jozyrtar me nofka.

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ftonte Behgjet Pacollin që t’i bashkohej atij dhe Mogherinit në podium, teksa i drejtohej atij si “bac”.

“Hajde bac! Hajde bac hajde”, i thoshte Kadri Veseli, ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit në prani të Mogherinit, raporton Insajderi.

Ndërkaq, presidenti Thaçi i drejtohej delegacionit kosovar ku bën pjesë edhe ai vet, si: “Kosovo Family” dhe i ftonte ata për të realizuar një fotografi duke thënë: “Hajde Family”.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ishte fiksuar pas një simboli të flamurit kosovar që e mbante në uniformën e tij. Këtë simbol, ai ia tregoi fillimisht Mogherinit.

“Më lë që ta fokusoj flamurin e Kosovës”, i tha Haradinaj, Mogherinit. Derisa pas realizimit të fotografisë, Haradinaj tha se herën tjetër do ta merrte një flamur të vogël të Kosovës për ta mbajtur në duar.

I gjithë ky bashkëbisedim mes pjesëtarëve të delegacionit kosovar dhe Federica Mogherinit është inçizuar nga kamera e Zërit të Amerikës, pak para se të fillonte takimi mes dy palëve. / KultPlus.com

Martin Garrix, i emocionuar për koncertin në Prishtinë

DJ i mirënjohur holandez Martin Garrix është i emocionuar për koncertin që do ta mbajë në Kosovë.

Ylli i hitit “Animals” do të jetë njëri nga performuesit në festivalin e organizuar nga Dua Lipa “Sunny Hill Festival”, që do të mbahet në gusht.

Në “Instastory” ai ka postuar foton e tij që konfirmon pjesëmarrjen në “Sunny Hill Festival”, ndërsa ka shkruar, “shumë i emocionuar për këtë”.

Përveç Martin Garrixit në Prishtinë më 10, 11, dhe 12 gusht do të perfomojnë yjet e muzikës Action Bronson, Grace Carter, SG Leëis, Col3 Trane, Dafina Zeqiri e Stanaj. / KultPlus.com

Jo vetëm shiu nga Argjentina Ramosaj (VIDEO)

Një këngëtare e veçantë, Argjentina Ramosajn e kujtojmë prej shumë këngëve dhe melodive të veçanta të cilat ajo i ka sjellur ndër vite me zërin e saj të ëmbël.

Ajo mund të mos ketë shumë këngë, por i ka krijuar dhe interpretuar me shpirtin e saj shpalosur.
Argjentina ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme, dhe rrallë herë nuk ka goditur tek ata që e duan dhe e çmojnë pasaportën e saj muzikore.

Kënga “Shiu” mbetet një prej baladave më të mira të Argjentinës. E sjellë vite më parë, shoqëruar edhe me një videoklip simpatik, kënga tregon ikjen e një djali nga jeta dashurore e një çifti. Një tekst i lehtë shoqëruar gjithmonë me shi, kjo këngë është ideale për tu dëgjuar në këtë mot me shi.

Ndër këngët e para të Argjentinës, në mos e para, është “Shpirt i mbytur”. Kënga është e veçantë dhe ka një refren që lehtë mbetet në mendje. Gati 400 mijë klikime në Youtube e tregojnë vlerën që këngës ia atribuojnë fansat e saj. Madje, poshtë në komente shihet se njerëzit e dëgjojnë këngën edhe sot, disa vite pasi ajo është lansuar.

“Engjëjt për ne do të qajnë” i përket maratonës së këngëve të mahnitshme të Argjentinës. Argjentina, ndonëse jo gjithmonë shumë aktive në muzikë, përkujdeset që çdo këngë e saj të lërë gjurmë dhe të jetë një histori në vete, duke mos dalë në kompromis me antivlerën dhe duke arritur të krijojë gjithmonë diçka të mirë për vesh. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi për “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 Rrëfime nga 100 Pleq e Plaka”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku kanë nënshkruar memrondumin e bashkëpunimit për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 Rrëfime nga 100 Pleq e Plaka”.

Projekti, “Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historive gojore të personave të moshuar të Kosovës dhe që përmes trajnimit të formohet një model dhe një qendër informative dhe trajnuese për krijimin e një bashkëpunimi të fuqishëm për historinë gojore në mes të studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve të rinj dhe përfaqësuesve joqeveritar.

Temat që trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar do të jenë tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu do të mblidhen historitë gojore të mbajtjes së fesë dhe tolerancës, artit dhe zejtarisë, martesave dhe të drejtave të grave në përgjithësi.

Në bazë të memorandumit MKRS-ja merr për obligim mbështetjen financiare të projektit në një vlerë prej 15 mijë euro. Ndërsa, BKK-ja është përgjegjëse për zbatimin e projektit në fjalë.

Ministri Gashi me këtë rast vlerësoi se me nënshkrimin e këtij dokumenti po mundësojmë konkretizimin e një projekti të rëndësishëm për të kaluarën dhe historinë tonë.

“Përkrahja e MKRS-së për projekte të cilat dokumentojnë dhe promovojnë jetën dhe zakonet e të së kaluarës së popullit të Kosovës është në kuadër të politikave që kemi marrë përsipër t’i avancojmë dhe është obligim i yni kundrejt qytetarëve”, tha mes tjerash ministri Gashi.

Ndërsa, drejtori Gajraku falënderoi ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar për projektin në fjalë dhe për tërë mbështetjen që ai dhe ministria kanë për BKK-në.

Gajraku nënvizoi se projekti do t’i shërbejë shumë Bibliotekës për studimet e mëtejme dhe trajnimin e stafit dhe studiuesve pasionantë. / KultPlus.com

Albin Kurti: Shqipëri e Kosovë të bashkohemi si konfederatë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, përsëriti në RTSH objektivin e tij politik për bashkimin kombëtar të shqiptareve, ndërsa tha se ky projekt nuk bie ndesh me atë të BE-së, përcjell Koha Jonë.

“Nuk jam fare kundër BE-së, përkundrazi. Jam një avokat i madh i BE-së dhe mendoj se BE duhet mbrojtur. Mendoj se paqja e qëndrueshme mban emrin e Bashkimit Evropian. Dhe në paqe të qëndrueshme kemi antifashizmin brenda. Por jam edhe avokat i shtetit të mirëqenies, i cili e kombinon rritjen ekonomike me drejtësinë sociale”- tha Kurti në emisionin “Përballë” të RTSH-së.

Ndonëse projekti i Vetvendosjes për bashkimin e shqiptarëve gjen pengesë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk gezon as mbështetjen e ndërkombëtarëve, Albin Kurti e sheh edhe variantin që ai mund të ndodhë përpara mbërritjes në BE.

“Për një periudhë kalimtare le të bëhemi konfederatë apo federatë. Nuk do isha kundër një solucioni të tillë, por gjithsesi vetëm si një fazë kalimtare. Nëse ne hapat integrues drejt bashkimit I përshpejtojmë dhe I kemi më seriozë e më të sinqertë se deri tani, atëherë bashkimi ynë do të mund të ndodhë para Bashkimit Evropian”, – u shpreh Albin Kurti.

Për Albin Kurtin integrimi i 6-të vendeve te Ballkanit në BE duhet te jetë i njëkohshëm.

Filloi sonte në Prishtinë edicioni i dhjetë i PriFest

Arbër Selmani

Tregimi “Rooftop Story” me regji nga Gazmend Nela sonte e ka hapur edicionin e dhjetë jubilar të Festivalit të Filmit Prifest në Prishtinë.

Tepihu i kuq ka mirëpritur para Teatrit Kombëtar të Kosovës artistë dhe personalitete të ndryshme në hapjen e këtij edicioni të dhjetë, kur kujtohen në retrospektivë momentet më të mira të nëntë edicioneve të mëparshme dhe planet për edicionet tjera të një festivali që po kthehet në një pikë reference në hartën e festivaleve prestigjioze të filmit në Ballkan.

Ky edicion i dhjetë u hap sonte dhe për disa ditë në Prishtinë do të sjellë filma, panele, debate, diskutime, punëtori dhe takime me artistë nga mbarë bota.

Drejtoresha Vjosa Berisha e ka shpallur të hapur festivalin duke kujtuar momente të ndryshme dhe kësisoj ëndrrën për të realizuar një festival në Kosovën të shpallur shtet.
“Nuk më besohet që kemi arritur deri në vitin e dhjetë jubilar. Para një dekade kur vendosëm të realizonim festivalin, kishim udhëtuar nëpër festivale të ndryshme dhe donim diçka të tillë edhe në Kosovë. Ishte momenti për Kosovën me një festival, pasi edhe e shpallëm pavarësinë. E patëm guximin dhe e sollëm Prifestin, sot po e realizojmë ende festivalin dhe po bëjmë plane për të ardhmen, prandaj jam e nderuar dhe e lumtur në mesin e të gjithë atyre që kanë ndihmuar që ky festival të jetë aty ku është sot” tha mes të pranishmëve Vjosa Berisha.

Aktorët Afrim Muçaj dhe Njomza Fetiu e hapën festivalin me falenderimet e tyre në cilësinë e moderatorëve, duke sjellë një mëlmesë kënaqësie në festivalin PriFest dhe në natën e hapjes, kur vëmendje gjithmonë bjen mbi artistët dhe filmin si kryefjalë.
Nga nesër deri me 22 korrik, PriFest do të sjellë programet garuese dhe ato jashtë garës me filma me tematikë nga më të ndryshmet.

Në këtë natë të hapjes, festivalin e përshëndeti edhe Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës në Kosovë.
“PriFest-i ka zënë vend të arsyeshëm në kinematografinë shqiptare. Programet përcjellëse apo plotësuese kanë ndikuar edhe më shumë në fuqizimin e PriFest-it. Programet e PriFORUM-it si: ‘Kosova’s Rising Stars’ ku PriFest-i promovon aktoret e rinj të Kosovës, para filmbërësve ndërkombëtar, si aset në koproduksionet e ardhshme. Si ministër, zotohem së do t’i mbështes projektet e tilla të cilat do ta përfaqësojnë kinematografinë shqiptare si në vend ashtu edhe jashtë Republikës së Kosovës” ka treguar në hapje Kujtim Gashi nga Ministria e Kulturës, e cila ka ndihmuar në realizimin e këtij edicioni të festivalit, shkruan KultPlus.

Nga Raifaissen Bank, Robert Ëright tregoi entuziasmin e tij për të mbështetur një festival i cili para dhjetë vitesh nisi si një provë ndërsa sot është një festival me renome dhe një festival që ndihmon në kulturën shqiptare.

Në këtë edicion, vlen të përmendet rikthimi i Vanessa Redgrave – aktorja e njohur që fitoi Oscarin por edhe ishte pjesë e Prifestit në edicionin e tij të parë, atëherë kur ajo me gjithë vuajtjen për vajzën e saj të vdekur gjeti forcë dhe kurajo të vinte në Kosovë. Ajo në fund të festivalit do të nderohet me një çmim për kontributin e saj në kinematografinë shqiptare.

Filmi “Rooftop Story” u dha sonte në dy lokacione: tek Teatri Kombëtar i Kosovës dhe tek platoja në Sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet, njëjtë sikur edhe ceremonia e cila ndodhi në të dyja lokacionet, njëra pas tjetrës.
Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest. / KultPlus.com

Aktori që refuzoi të aktronte para fytyrave të vrasësve

Milenko Jergoviç për Bekim Fehmiun

Në vitin 2001, në Pavijonin Velkoviq, në rrugën e Birçaninit, e kam takuar Brankën e Bekimin. Ajo: aktore e madhe teatri, zonjë e bukur e delikate beogradase, në të cilën atë mbrëmje nuk shihej gjurma e kohërave të këqija dhe e rrethanave fatkëqija në të cilat ka kaluar. Ai: tashmë më gjatë se një decenie, për protestë, larg publikut, me fytyrën e cila është bërë ndryshe nga ajo sipas të cilës e kemi njohur në film. Është plakur i bukur, por në ndërkohë fytyra e njërit prej seks simboleve të filmit jugosllav e evropian është shndërruar në fytyrë asketi. Po të arrinte të plakej Ahmet Nurudini,* apo sikur Mesha Selimoviqi ta personifikonte si plak, në film do ta aktronte Bekim Fehmiu. Në të vërtetë, nuk do ta aktronte, sepse Bekimi ka vendosur, së pari nga protesta për shkak të qëndrimit ndaj shqiptarëve në Beograd e Serbi, e pastaj edhe për shkak të shumë gjërave tjera, që më të mos aktrojë. Njëherë, shumë vite më vonë, do ta pyes pse, e ai në mënyrë të arsyeshme e me qetësi do të më shpjegojë se për të aktrimi është lojë, ndonëse lojë shumë serioze, dhe se ai më nuk mund të aktrojë pasi që kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Fliste ngadalë e bukur, sikur përherë rishtas ta mësonte këtë gjuhën tonë të huaj për të dhe secilën fjalë ta çmojë sikur të jetë fjala njeri. (…)

*Personazhi kryesor i romanit “Dërvishi e vdekja”, të Mesha Selimoviqit, i përkthyer edhe shqip (shënim i përkth.)

‘Rruga Fan Noli’, regjisorja Jehona Berisha trajton të kaluarën me trauma

Alberina Haxhijaj

Projekti filmik ‘Rruga “Fan Noli”’, gjendet në mesin projekteve filmike në kategorinë metrazh i shkurtër artistik, të cilët janë subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.

KultPlus ka biseduar me regjisoren Jehona Berisha për të zbuluar më shumë rreth filmit ‘Rruga “Fan Noli”’ dhe gjithë asaj çka fshihet prapa projektit të regjisores.

Për regjisoren, kjo është hera e parë që një film i saj subvencionohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Pikërisht ky fakt e bën gjithë këtë proces shumë të veçantë për regjisoren.

Filmi trajton një ngjarje të vërtetë, historia e së cilës mbetet akoma një mister të cilin regjisorja e ruan me shumë kujdes edhe gjatë intervistës duke mos zbuluar më shumë rreth ngjarjes që përfshihet në film.
“Në një lagje paqësore jeta është e qetë, por një e kaluar traumatike premton të ndërrojë jetët e banorëve përgjithmonë”, zbulon Jehona.

Ajo nuk tregon në cilën lagje apo vend ndodhet kjo rrugë, për shkak se sipas saj një ngjarje e tillë mund të ndodhë në secilën rrugë, kudo në botë, në periudhën e pasluftës në një vend të caktuar.

Skenari i filmit është shkruar nga Milot Hoxha i cili po ashtu është edhe producent i filmit. Skenari përçon një mesazh të kohës së pasluftës në Kosovë, luftë të cilën regjisorja nuk e ka përjetuar, por po e përjeton tash me anë të shtegtimit artistik.
“Përmes artit do të mundohem të shfaqi problemet që çdo shoqëri mund ti ketë nëse nuk i ndihmojmë njëri-tjetrit (ne si shoqëri dhe institucionet e vendit), pasojat mund të jenë aq të mëdha sa mund të shkojnë deri të vrasja”, shprehet regjisorja.

Aktorët të cilët do të jenë pjesë e këtij filmi nuk janë caktuar akoma nga regjisorja edhe pse ajo gjatë tërë kohës është duke menduar për emrat potencial të cilët mund të jenë pjesë e ekipit.

“Kemi filluar përgatitjet, por ditët e xhirimit mendojmë që do të jenë në pranverë. Kemi menduar edhe për lokacionet se ku dëshirojmë të xhirojmë. Deri tani kemi disa lagje dhe rrugë mirëpo asgjë nuk është akoma konkrete”, tregon Berisha për KultPlus.

Regjisorja Jehona Berisha ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve, drejtimin Regji-Filmi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tani është duke vazhduar studimet master në Fiofa, Ohër. Gjatë periudhës së studimeve ajo ka punuar filma të shkurtër, por gjithashtu ka punuar edhe si asistente e regjisë në filma të gjatë, filma të shkurtë, seriale e të tjera.

Rikujtojmë se filmi ‘Rruga “Fan Noli”’ është në mesin e 19-të filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com

‘Shko, lëre heshtjen të na ndajë, asgjë mos thuaj’ (VIDEO)

Një prej zërave që nuk harrohet lehtë është ai i Adelina Thaçit.

Këngëtarja e njohur e muzikës argëtuese dikur vinte me hite të ndryshme dhe me muzikë të mirë për veshin shqiptar. Sot më pak aktive në muzikë argëtuese, Adelina vazhdon të jetë një grua e lidhur me muzikën dhe melodinë.

Adelina e nisi muzikën në moshën 16 vjeçare ndërsa më pas do të bashkëpunonte me emra të ndryshëm drejt një karriere muzikore në Kosovë. Albumin e saj të parë e publikoi në moshë të re dhe tregoi kualitetet e saja si këngëtare.

Albumi i dytë bazuar në kritikat dhe shitjet, ka qenë mjaft i suksesshëm.

Adelinën e njohim prej shumë këngëve, por sot po e sjellim këngën “Shko” e cila ndoshta është kënga më e mirë e Adelinës, dhe kënga që i hapi dyert asaj drejt zemrave të audiencës. / KultPlus.com

Rikthimi i kohëve të errëta

Mehmet Kraja / Facebook

Nuk kam asnjë llogari të pambyllur me këtë vend, as politike, as patriotike, as kulturore, as letrare. Nuk kam as nxitje intelektuale, nuk kam as llogari pragmatike për të folur në këtë kohë, sepse në kohë krizash të mëdha, siç është kjo e jona, kur të gjithë flasin dhe dërdëllisin hipokrizi dhe dëngla amorale, nuk është mençuri as heroizëm që edhe ti të këpusësh ndonjë nga ato gjepurat e mëdha ose të vogla. Më anë tjetër, tashmë të gjithë u mësuam më këtë realitet dëshpërues dhe e vetmja gjë që na ka mbetur, është që të shohim deri ku mban durimi dhe deri në çfarë mase mund ta përballojmë pafuqinë tonë. Tani për tani në Kosovë nuk ka një masë kritike, e cila do të përbente kufirin moral midis të mirës dhe të keqes, që do të ndante vlerat nga jovlerat.

Pavarësisht si dukemi së jashtmi, pavarësisht në jemi shkaktarë apo viktima të këtij realiteti, duhet ta pranojmë se edhe vetë plëngprishësit, shkatërrimtarët e këtij vendi, të gjithë kanë filluar tashmë të ndihen bashkëvuajtës, sepse për sjelljen tonë të papëlqyer (lexo: idiote, të papërgjegjshme, primitive) kemi filluar të paguajmë faturën. Mbi të gjitha, pavarësisht në e themi me zë ose jo, të gjithë kemi filluar të ndjejmë një dhembje që na sfilit, një dëshpërim që ka zënë të na lodhë. Të gjithë, pothuajse të gjithë, kemi filluar të vuajmë nga pafuqia për ta duruar fyerjen dhe poshtërimin, që ia bëjmë vetes ose na e bëjnë çdo ditë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë politikanët, titullarë institucionesh ose liderë partiakë, deputetë ose këshilltarë, të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra, të cilët në çdo paraqitje publike afishojnë paditurinë dhe imoralitetin e tyre. (Si është e mundur që Kosova të jetë kaq e padijshme, sa ta durojë në heshtje këtë injorancë, këtë rrugaçëri, këtë mediokritet të përbindshëm?! Si është e mundur që Kosova të mos ketë pasur më shumë se kaq dije, kulturë, moral, dinjitet, vlera njerëzore?!) Na fyejnë dhe na poshtërojnë çdo ditë kolegët e mi, gazetarë, shkrimtarë, artistë, profesorë, akademikë, filozofë, sociologë, historianë, juristë, të cilët do t’i falte edhe vetë providenca qiellore pse nuk dinë më shumë, por nuk e di pse i falin fëmijët e tyre, teksa e venë në funksion të gënjeshtrës publike dhe të korrupsionit intelektual edhe atë pak dije që kanë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë studentët dhe krejt të rinjtë e këtij vendi, të cilët e kanë humbur sensin e kundërshtimit dhe të protestës, tek dëgjojnë me indiferencë (të mërzitur ose jo, po kush i pyet?), ndërsa i mashtrojnë, i gënjejnë të gjithë me radhë, baballarët dhe nënat e tyre, njerëzit e fesë dhe të pushtetit, të shkollës dhe të mejtepit, të gjithë pa përjashtim ua nëpërkëmbin të gjitha shpresat dhe idealet.

Vetëm se krejt kjo duket patetike dhe nuk besoj se vlen aq shumë.

Por nuk është patetike, është tmerrësisht cinike, që në Kosovën e dëshiruar për më shumë vlera, tashmë po kthehen zërat e errësirës: kërcënimi i çdoditshëm për të humbur atë që është fituar; sekush legalisht, sekush ilegalisht punon që Kosova të humb territor dhe të integrohet me Serbinë; dikush tjetër ka përvetësuar të drejtën historike të pajtimit; një tjetër ka uzurpuar të drejtën e ndarjes së territorit; Shqipëria politike e ndihmon Serbisë për pacifizimin dhe ndarjen e Kosovës; sekush e pohon publikisht se është i përfshirë në krimin e organizuar serb; sekush tjetër e ndërton krejt prestigjin ekonomik dhe shoqëror duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë; nostalgjia për ish-Jugosllavinë (edhe për Serbinë) është bërë trend politik dhe kulturor; autonomistët dhe ish-luajalët e jugosllavizmës janë bërë heronj; ish-spiunët e UDB-së ose trashëgimtarët e tyre bëhen këshilltarë të burrave të rëndësishëm të shtetit; ideologjitë po rifuqizohen; marksist-leninistët dhe enveristët e djeshëm kanë bërë “bashkim ideologjik” më ish-komunistët jugosllavë; rikonfigurohen koalicione fetare, politike dhe ideologjike më të pamundshme që janë parë ndonjëherë; mëkatarët dhe blasfemuesit me pedigre, mashtruesit, zhvatësit dhe masa e madhe e njerëzve me deficit moral kanë gjetur strehën më të rehatshme te feja dhe patriotizmi, ndërkaq institucionet e shtetit janë azili më i madh i vagabondëve dhe pushtave të këtij vendi.

Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demoktatik është më i keq se çdo diktaturë.

Por as adhurimi i diktaturave nuk na mungon: erdoganizmi fetar dhe politik ka marrë përmasat e një epidemie.
Po kultura? Unë bëj pjesë aty dhe më duhet ta pranoj se mungesa e vlerave, korrupsioni kulturor, shthurja institucionale kanë marrë përmasa të çmendurisë kolektive. Për më tepër, derisa politika merret me “punët e mëdha të kombit”, në arsim dhe në kulturë është duke ndodhur një masakër e vërtetë. Si brez ne mbajmë përgjegjësi, pse nuk arritëm të ngrehim dhe të fuqizojmë një gjeneratë iluministësh, krijuesish dhe animatorësh të kulturës, që do të dinin t’i identifikonin vlerat dhe do t’ia dinin kuptimin artit të lirë dhe lirisë në art. Sepse, tashmë dhe tashmë, pikërisht në këtë fushë liria ka marrë kuptimin e zhvlerësimit, të së drejtës për të shkelur dinjitetin e vet dhe të kombit të vet, për ta nëpërkëmbur atë dhe për t’u mburrur me përdhosjen që i bëhet. Liria e Kosovës tani ka marrë kuptimin e së drejtës për të fyer dhe për të zbrazur pëgërat (lexo: flligështirën) mbi çdo shenjtëri. Ose, për të ngarendur deri në Beograd, me një vepër letrare, me një performansë teatrore ose figurative, që nuk t’i bluan mideja dhe ta çojnë barkun po u bëre konsumator i pavëmendshëm i tyre. Nuk është problem i madh pse disa OJQ tonat i gjejnë me aq lehtësi paratë për promovime të këtilla pa dinjitet; as nuk çon peshë fakti pse para opinionit kulturor të Beogradit na prezantojnë me jovlera, sepse në qarqet e atjeshme kulturore as që çan bythën kush për “mirëdita, dobar dan”; vetëm se, pikërisht vetëm se, është e shëmtuar dhe neveritëse që këta djem dhe vajza (dikur i quaja të UNMIK-ut, por tani nuk e di kush më se të kujt dreqin janë!), për të marrë legjitimitet patriotik dhe për t’u bërë objekt e medies në Kosovë dhe në Serbi, i luten Zotit që ndonjë polic serb të bëjnë ndonjë proçkë në kufi dhe nja dhjetë protestues të gjenden në ndonjë rrugë të Beogradit, në mënyrë që “dishepujt kulturorë të Europës”, që i ndihmojnë Serbisë për integrim, kur të kthehen në Prishtinë, të fitojnë atributet e heronjve të kombit.

Por nuk është vetëm kjo. Një performansë e para do ditëve në sallën e Kuvendit të Kosovës më bëri të çmeritëm. Seç kishin hyrë në atë sallë ca delikuentë të artit dhe e përdhosën atë në mënyrën më barbare, të cilët me lejen ose me ndihmën e vetë kryetarit, apo të ca skuthave përreth tij, vunë maskat në fytyrat e tyre dhe i kënduan rekuiemin institucionit më domethënës të shtetit të Kosovës. Askush nuk u brengos, askush nuk tha gjë, se ai Kuvend, përveç që është përdorur dhe keqpërdorur së fundi për shumë paudhësi, ai e ka edhe historinë e tij, nga më domethënëset për Kosovën dhe lirinë e saj. Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës. Po kujt i thua! Unë nuk e di pse këta artistë kontemporanë nuk i realizojnë këto ide atje ku kanë zgjedhur ta bëjnë jetën e tyre. Pse këta artistë kontemporanë, ta zëmë, nuk i vënë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, rreth kokës dhe rreth qafës, një çallmë nja njëqind metër të gjatë të Bin Ladenit? Ose, pse nuk e improvizojnë një mur betoni nja 20 metër të gjatë, me tel me gjemba sipër, në sallën e madhe të Kongresit Amerikan, mbi atë qilimin e kaltër, aty pranë foltores, duke i vendosur rrëzë atij muri 10-15 fëmijë meksikanë të leckosur, tek hanë përshesh me lugë druri nga ca govata plastike? Përse, pra, para Muzeut të Holokaustit, po në Nju-Jork, këta artistët tanë kontemporanë nuk vendosin një statujë të Adolf Hitlerit të veshur si rabin hebre? Këto janë ide që tronditin botën, dhe jo ca bagla lopësh në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të gjithë e dinë se idetë e këtilla, të shkalluara e të lajthitura gjithsesi, kanë një problem të madh: nuk gjejnë dot një vend të çmendur për t’i realizuar ato.

Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë. Çudi për t’u çuditur është pse njerëzit nuk e paskan kuptuar se nuk është i politizuar vetëm Instituti Albanologjik, por e politizuar është edhe Biblioteka Kombëtare (po Biblioteka Universitare ku mbeti?), i politizuar është edhe Universiteti, madje edhe fijet e barit në hapësirën gjelbëruar përreth tij. Të politizuara janë të gjithë institucionet e kulturës, të tilla kanë qenë dhe, mbase, do të jenë edhe për një kohë të gjatë, si Tetari Kombëtar (derisa të mos vendosin ta rrënojnë një ditë, si në Tiranë), si Galeria, si Qendra Kinemtografike, si Muzeu etj., të gjitha, pa asnjë përjashtim. Këto institucione për afro njëzet vjet me radhë janë sunduar nga partitë politike, kryesisht nga PDK-ja, ndonjëherë edhe nga LDK-ja, qoftë përmes bordeve, qoftë përmes drejtorëve të ligjshëm ose të paligjshëm, përmes konvertimit dhe shitblerjes të lojalitetit, përmes financimit, përmes projekteve, përmes punësimit etj. Po cili është ndryshimi, çfarë e bëri sundimin e LDK-së më të mirë se sundimin e PDK-së? Asgjë, përveç se të dy palët kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, u kanë bërë gjëmën institucioneve, kanë ushqyer pasione të pandershme dhe, në shumë raste janë bërë bashkë për të luftuar kundër ndonjë kauze të drejtë, kundër vlerave dhe kundër atyre që i krijojnë ato. (Ndërkohë, unë që jetoj në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, mund t’ju bëj me dije se kam në afërsi një rrugë qorre që mban emrin e Anton Pashkut dhe një rrugicë të shëmtuar që mban emrin e Ali Posdrimjes. Esad Mekulin dhe Azem Shkrelin nuk i gjej dot askund.)

Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.

Flamuri i Kosovës ishte i ndaluar në stadiumet e Rusisë

Pas shumë vjet përpjekjesh, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) më në fund e mori atë që dëshironte me çdo kusht kur dy vjet më parë u bë anëtare e plotë e FIFA-s, duke u mirëpritur në këtë organizatë që numëron më shumë se 200 vende anëtare.

Anëtarësimi në FIFA nënkuptoi se Kosova, që ende po lufton për njohje nga Kombet e Bashkuara dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, mundi të konkurronte për një vend në Kampionatin Botëror, që përfundoi dje dhe u mbajt në Rusi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa Përfaqësuesja e Kosovës do të ishte e mirëpritur në këtë turne në rast se do të siguronte kualifikimin nëpërmjet eliminatoreve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për flamurin e saj. Kjo për shkak se flamuri i Kosovës nuk ishte i dëshiruar në Rusi gjatë kohës së botërorit (14 qershor – 15 korrik).

Flamuri – që bart hartën ngjyrë ari të Kosovës nën gjashtë yj të bardhë në një sfond të kaltër – është një prej disa flamujve të ndaluar në stadiumet ku u mbajtën ndeshjet e botërorit nga organizatori i kësaj ngjarjeje. Në fakt, flamuri i Kosovës është i vetmi i një anëtareje të FIFA-s që nuk u lejua të shfaqet në 12 stadiumet në Rusi. Flamujt e tjerë të ndaluar nuk janë të vendeve anëtare të FIFA-s.

Ai i Kosovës është listuar si flamur i ndaluar në një dokument prej shtatë faqesh, përkrah flamujve që përfaqësojnë territoret e panjohura ndërkombëtarisht dhe organizatat e lëvizjeve separatiste. / KultPlus.com

‘Edhe një herë, o veç edhe një herë’ (VIDEO)

E shtuna kërkon muzikë të mirë.

Dhe muzikë e mirë është ajo që ka mbetur prej Armend Rexhepagiqit. Një prej këngëtarëve më të mirë shqiptarë ndër vite, Armendin e nisim me një këngë por nuk ndalojmë kaq lehtë së dëgjuarit këngët e tij.

Armendi, kompozitor e tekstshkrues dhe këngëtar me zë kristal, nuk ka krahasim.

Sot po e sjellim një baladë të Armendit e cila i mbijeton kohës, dhe duket se do ti mbijetojë edhe për shumë kohë.

“Edhe një herë” është këngë e realizuar shumë kohë më parë por e përjetuar si sot. Një tekst dashurie, si shumë tekste tjera të Armendit, balada çon nëpër emocione të lehta e deri te shpërthimet për një dashuri të pamundur. / KultPlus.com

Racizmi ynë idiot

Nezir Kraki / Facebook

Sonte e keni rastin me pa sa racistë e sa jonjerëzorë janë një numer i madh i shqiptarëve.

Foto-montazhe, statuse, komente raciste dhe të padinjitetshme i pushtuan muret injorante të mendimtarëve fejsbukorë që botën e kanë 2km katror.

E çka është më e keqja, shqiptari kur është racist, është racist idiot. I pavetdijshem, çnjerëzor.

Lojtarët me ngjyrë në ekipin e Francës janë Franca e vërtetë. Gjyshërit e tyre kanë luftu për Francën qysh në Luften e Parë boterore. Këta janë shumica gjenerata e tretë dhe e katërt që lindin këtu. Janë persona që përmes sportit kanë arritë ta thyejnë murin e padukshem të ndarjes klasore që ende është realitet në shumë vende evropiane. Fiks sikur lojtarët shqiptarë të Zvicres apo vendeve tjera.
Ju me këtë racizem primttiv dhe idiot jeni në vijë me rrymat fashiste dhe neonaziste eveopiane që janë duke ju izolu atje ku jeni.

Sa për kujtesë e njohuri:
Franca e Evropa kanë dy shekuj që thithin çdo pasuri nëntokësore afrikane. Çdo afrikan konsiderohet sot moralisht bashkpronar i çdo gjëje evropiane. 90% e uraniumit që e prodhon 70% të rrymes evropiane vjen nga Afrika. Por a dini çka? 75% e afrikaneve janë pa rrymë edhe sot. Nga viti 2030 sipas te gjitha studimeve serioze, emigrimi do ndrrojë kahje. Kontinentet tjera do i versulen Afrikes si tokë e re ku gjithçka duhet të ndërtohet dhe sistemohet, sikur
n’Evropën e vitit 1945. Vetem n’Afrikë do ketë ngritje ekonomile dyshifrore në 50 vitet e ardhshme.

Dhe t’ju them të drejtën, për mua çdo afrikan që arrin n’Evropë i gjallë është hero i vërtetë. Kujtojeni rastin e atij që u ngjit për 25 sekonda në katin e 4 per ta shpetu një francez të bardhe derisa me dhjetra francezë e evropianë shikonin si spektakel në pritje të aktit final tragjik.

Tash merreni telefonin e googloni pak histori mos na ndotni fejsbukun me idiotsira. Dhe mos harroni që kolektivisht jeni duke prit me u shendrru në refugjatë sapo t’ju jepet rasti. Kështu që mos u tallni me refugjatë ose ish refugjatë që sot janë yje, qofshin ata të zi, të bardhë apo të verdhë.

/nk/

Ardian Kozniku, shqiptari në formacionin e Kroacisë në Kupën e Botës ’98 (VIDEO)

Sonte Kroacia tregoi kulturën dhe disciplinën sportive, formën e saj më të mirë në dekada.

Edhepse humbi në duelin me Francën, kësisoj shumë afër fitores së Kampionatit Botëror të Futbollit – Rusia 2018, Kroacia i dha shumë edhe sonte sportit botëror.

Kur e përmendim Kroacinë, shumëkujt i kujtohet emri Ardian Kozniku.

Me origjinë shqiptare, Kozniku ishte pjesë e ekipit kroat në Kupën e Botës të vitit 1998, edhe pse nuk u angazhua në asnjë lojë. Po këtë vit, Kroacia morri vendin e tretë në këtë Kampionat.

Kozniku luajti për Kosovën në lojë miqësore me Shqipërinë në vitin 1993 dhe më pas në vitin 2002.

Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ai luajti për Hajduk Split të Kroacisë ndërsa në vitin 1998 nënshkroi me Dinamon e Zagrebit.

Në kampionatin e EURO UEFA 1996 ai shënoi një gol për Kroacinë. / KultPlus.com

‘Francë, gjysma e ekipit tënd janë myslimanë, prandaj…’

Një profesor i Juridikut nga Detroit, sot ka ndarë një status në Twitter kur ka kuptuar për fitoren e Francës në Kampionatin Botëror në Rusi.

Kësisoj ka shkruar Khaled Beydoun:

“E nderuar Francë,
Urime për fitoren në Kupën e Botës.
80 % e ekipit tënd janë nga Afrika – prandaj ndërpreje racizmin dhe ksenofobinë
50 % e ekipit tënd janë myslimanë, prandaj mjaft me islamofobi
Afrikanët dhe myslimanët sot ta sollën Kupën Botërore të dytë me radhë, prandaj ti angazhohu që ata të kenë drejtësi”

Franca sot fitoi 4-2 kundër Kroacisë. / KultPlus.com

‘Këndoi e zhveshur në Kishën Serbe, tash këndon në Botëror’

Mediat serbe gjithmonë janë aktive në shkrimet e tyre kur bëhet fjalë për performancat e shqiptarëve nëpër botë.
Kësaj radhe, Era Istrefi ka shokuar, dhe madje edhe titulli i serbes Blic është i tillë.

“Shqiptarja shokon. Këndoi në Kishën Serbe, tash këndon në Botëror’ është titulli i tekstit që sjellë performancën e Erës në finalen e Kampionatit Botëror që sonte u fitua nga Franca.

“Era para disa vitesh xhiroi një videoklip në një prej Kishave Serbe në Kosovë. Megjithatë, performance e saj sot në Rusi nuk është aq provokative” ka shkruar Blic.rs

Era sonte e hapi finalen e Kampionatit Botëror derisa kënga e saj në bashkëpunim me Will Smith dhe Nicky Jam ishte kënga zyrtare e këtij Kampionati, e cila u dëgjua e u bë hit për disa muaj nëpër tërë botën.

Në rastin e Kishës Serbe, Era xhiroi videoklipin e saj “E dehun jam” në një prej Kishave Serbe në Kosovë, në vitin 2014-të. / KultPlus.com

Himnet kombëtare të Francës dhe Kroacisë (VIDEO)

Kroacia dhe Franca kanë nisur përballjen e tyre për fitore në Kampionatin Botëror në Rusi.

Loja po vazhdon në minutat e para dhe pas disa aksioneve, askush nuk ka shënuar.

Po i sjellim këtu poshtë dy himnet kombëtare të Francës dhe të Kroacisë, të cilat si zakonisht vijnë para se të nisë loja, njëjtë siç ndodhë me çdo kombëtare në futboll.

Kroacia ka pasur disa mundësi më të mira duke qenë më afër zonës së Francës, derisa këta të fundit janë më të ngadaltë në aksionet e tyre drejt golës së Kroacisë. / KultPlus.com

Performanca e Era Istrefit në finalen e Kampionatit Botëror në Rusi (VIDEO)

FIFA ende nuk e ka publikuar videon e plotë të performancës së Era Istrefit në Kampionat Botëror por këto janë videot e fansave nga mbarë bota në rrjete sociale.