Qeveria miraton projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës

Me anë të një komunikate për media, TERMOKISS ka treguar se është arritur një sukses nga Qeveria e ka cila ka miratuar projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.

Kjo është komunikata në tërësi e TermoKiss.

TERMOKISS konfirmon: Qeveria miraton projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e ri “PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIM TË PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS” ku Neni 7, paragrafi 3 cekë se pronat komunale mund të jipen nga komunat për organizatat e shoqërisë civile në periudhë afatshkurtër me qëllim të përmbushjes së interesit të përgjithshëm. Kjo procedurë do të rregullohet me akt nënligjor nga Qeveria, ashtu siç Termokissi ka kërkuar me kampanjën #Mundësipërkrejt. Ky projektligj pritet të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të hyjë në fuqi.

Ligji i mëparshëm nuk ofronte mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë personat e interesuar në shfrytëzimin e një prone komunale, meqenëse i vendoste pronat në ankand, ku personat që ofronin çmimin me të lartë e merrnin edhe pronën në shfrytëzim, proces i cili përjashtonte entitetet jo-fitimprurëse. Projektligji është përpiliuar fillimisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa sot është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Projektligji dallon nga i kaluari pasiqë përfshinë një proces të veçantë për shoqërine civile, në të cilin kriter kryesor nuk është çmimi më i lartë i ofruar, por interesi i përgjithshëm.

Kampanja jonë #Mundësipërkrejt, ka synuar prej fillimit që të eliminojë shumë prej këtyre pabarazive në shfrytëzimin e këtyre pronave, duke sugjeruar një proces më gjithpërfshirës. Kjo iniciative u mbështet nga ma shumë se 60 organizata jo-qeveritare, gjë që vërtetoi se ka nevojë të madhe për një ligj të tillë. Miratimi i tij nga Qeveria e Kosovës, që merr parasysh edhe entitetet jo-fitimprurese, shënon me sukses hapin e radhës drejtë implementimit të një ligji që ofron qasje të barabartë në prona komunale e publike.

Për më shumë detaje mundeni me vizitu www.mundesiperkrejte.org

Sinqerisht,

Komuniteti Termokiss

Shpërthimi i një shkrimtari për Anton Çettën

Poeti Isa Bytyqi, kushtuar Anton Çettës

Nuk due bronze mâ
por edhe vetëm nja
qi n’tokën teme
duhet me u bâ,
m ‘ n’goni,
o shqyptart e mi
n’krye t’oxhakut
Anton Çetta
ven’in e kâ!

Humanisti shqiptar Anton Çetta do të mbahet mend për kontibutin e tij të madh që e dha në pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve.

Dashuroj tek ti

Poezi nga Nazim Hikmet.

Dashuroj tek ti
aventurën e anijes që shkon në drejtim të polit
dashuroj tek ti
guximin e lojtarëve të zbulimeve të mëdha
dashuroj tek ti gjërat e largëta
dashuroj tek ti të pamundurën
hy brenda syve të tu si në një pyll
plot me diell
e i djersitur, i uritur, i tërbuar
kam pasionin e gjahtarit
për të kafshuar në mishin tënd.
Dashuroj tek ti të pamundurën
por jo dëshpërimin.

Zbulohen pjesëmarrësit e ‘Sarajevo Talents’ 2018

Janë shpallur 61 talentët e rinj që këtë vit do të jenë pjesë e programit Sarajevo Talents në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Edicioni i 12-të i Sarajevo Talents ka edhe tre pjesëmarrës nga Kosova.

May-Linda Kosumoviq, Dritëro Mehmetaj dhe Fisnik Maxhuni kësisoj kanë triumfuar në aplikimin e fuqishëm në këtë program.

May-Linda është përzgjedhur në kategorinë e aktoreve ku janë pranuar vetëm 12-të pjesëmarrës, ndërsa Mehmetaj dhe Maxhuni do të jenë pjesë e grupit të regjisorëve.

May-Linda Kosumoviq është aktore e njohur nga Kosova. Ajo ka luajtur në “A month”, “Lost Exile”, “Të mjerët”, “Cold November” dhe në projekte tjera filmike e teatrale.

Fisnik Maxhuni ka marrë pjesë në disa festivale brenda dhe jashtë Kosovës.

Dritëro Mehmetaj është regjisor i filmit “Trilemma”, shkruan KultPlus.
398 aplikime këtë vit erdhën në kuadër të programit Sarajevo Talents. Festivali i Filmit në Sarajevë fillon me 10 e mbaron me 17 gusht. / KultPlus.com

Qeveria miraton koncept dokumentet për Trashëgiminë Kulturore, të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim dy koncept dokumente: atë për Trashëgiminë Kulturore si dhe atë për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.

Ministri Gashi tha se “Ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet prioritet i MKRS-së dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Hartimi i koncept dokumentit për trashegeminë kulturore është paraparë në planin vjetor të punës së Qeverisë si dhe në kuadër të listës së koncept dokumenteve për vitin 2018. Mbrojta dhe ruajta e pronave, objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe përcaktimi i masave ligjore dhe teknike për invertarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konzervim, restaurim, administrim, prezantim dhe promovim të trashëgimisë kulturore në pajtim me kartat, konventat dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare, është përcaktuar edhe në strategjinë kombëtare për trashëgiminë kulturore tha Ministri Gashi.

“Aprovimi i këtij dokumenti hap rrugë për të punuar në hartimin e ligjit të ri për Trashëgimi Kulturore si një nga prioritetet tona për avancimin e kornizës ligjore të Trashëgimisë Kulturore dhe përmbushje e obligimeve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO” ka thënë ministri Gashi.

Gjithashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim edhe me palët tjera te interesit ka hartuar Koncept Dokumentin për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta i cili për qëllim ka harmonizimin e këtij dokumenti me Ligjin Nr. 04/L-065, si dhe Ligjin Nr. 050/L-047 mbi plotësim- ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Aprovimi i këtij koncept dokumenti, mundëson nismën për hartimin e Rregullores për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta. / KultPlus.com

Këtu rrinte me qira për disa vite një shkrimtar i njohur shqiptar

Kjo është godina ku ka jetuar për 10 vite me radhë një emër i madh shqiptar.

Dritarja që duket në foto është pikërisht dhoma e lirikut Lasgush Poradeci. Është vajza e tij Maria e cila publikon këtë foto bashkë me një propozim të mikut të saj: “që te kjo godinë në Graz të mund të vihet një pllakatë ku të shkruhet: “Këtu, në vitet 1924-1933, ka banuar POETI I MADH SHQIPTAR LASGUSH PORADECI, i cili kurorëzoi studimet e tij në Graz duke marrë titullin Doktor Profesor në Filologji”.

KOMENTI I PLOTË I MARIE LASGUSH PORADECIT:

Para disa ditësh kur publikova shkrimin “Bisedë me babanë tim Lasgushin”, miku im Resul Jusufi i cili ndodhej në Graz, kish bërë një foto shtëpisë ku Lasgushi ka ndenjur me qira për rreth 10 vjet, të cilën ma dërgoi dhe e falenderoj. Dhe pikërisht dritarja që duket, është dhoma ku rrinte Lasgushi. Miku im Resul Jusufi më propozoi diçka shumë interesante që te kjo godinë në Graz të mund të vihet një pllakat ku të shkruhet: “Këtu, në vitet 1924-1933, ka banuar POETI I MADH SHQIPTAR LASGUSH PORADECI, i cili kurorëzoi studimet e tij në Graz duke marrë titullin Doktor Profesor në Filologji”. M’u duk ide e mrekullueshme, po duhet të interesohemi për procedurën. Kush di diçka mund të na e thotë, e mirëpresim.

Eliza Hoxha – ‘Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja’, një rrugëtim nëpër vitet e 90-ta

Alberina Haxhijaj

Eliza Hoxha kësaj radhe nuk ka ‘provokuar’ dikë. Dje ajo ka mbajtur në kryeqytetin kosovar masterklasën ‘Qyteti Satelit: Prishtina – kujtesa dhe e ardhmja’ duke udhëtuar bashkë me audiencën nëpër vitet e 90’.

Masterklasa erdhi si pjesë e prezantimeve dhe diskutimeve publike që organizohen në kuadër të projektit “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë” që ka për qëllim shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve 90’ në Kosovë.

Heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 për shqiptarët nënkuptoi të qenit të përjashtuar nga puna, edukimi dhe informimi. Me këtë rast shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të edukimit dhe shëndetësisë nëpër shtëpitë private të tyre, financuar nga 3% i taksave në të ardhurat e shqiptarëve përgjithësisht nga diaspora. Përderisa qyteti u bë shtëpi për serbët e rinj, për shqiptarët shtëpia u bë sinonim për qytetin.

Vitet e 90’ kanë një rëndësi shumë të veçantë për kosovarët, një mënyrë mbijetese, një formë proteste, solidaritet me njëri tjetrin dhe sigurisht kujtime të cilat nuk duhet harruar. Jo çdo herë është e lehtë që gjërat të mbesin në mendje dhe të mos harrohen e sidomos kur ato nuk dokumentohen. Prandaj është e rëndësishme të pasurit të një kujtese kolektive dhe dokumentimi i këtyre rrëfimeve të ndryshme.

Pikërisht vitet e 90-ta kanë lënë gjurmë në artisten Eliza Hoxha e cila si temë në Bienalen e Arkitekturës sivjet zgjodhi pikërisht këto vite, duke u fokusuar te shtëpitë-shkolla.

“Shtëpia u bë shkollë, restorant, vend promovimi, zyrë, galeri arti, spital dhe shtëpi në të njëjtën kohë. Ky këmbim dhe kjo shkrirje e privates me publiken, e të hapurës dhe të mbyllurës, privatësisë dhe transparencës ndikoi në tipologjitë e banimit në njërën anë dhe mentalitetin kulturor në anën tjetër”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Pavijoni i Kosovës ka qenë një shtëpi, jashtë së cilës janë parë tullat e kuqe ndërsa brenda muret e saj kanë qenë të veshura me pasqyra. Pasqyra – si mjet për të reflektuar mbi veten tonë por edhe si barriera, ndërsa kulmi ka qenë i mbuluar me satelitë. Satelitët shihen nga artistja si mjeti kryesor që ka shërbyer për tu informuar por edhe si një lloj trageti për të ditur se cilat në fakt janë shtëpitë e shqiptarëve.

“Të privuar nga media dhe informimi, familjet shqiptare blenë antenat satelitore. Kushdo mund të shënjonte saktësisht se cilat ishin banesat shqiptare, thjeshtë vetëm për shkak të këtyre antenave satelitore apo rrathëve të bardhë të varur nëpër ballkone”, theksoi Hoxha.

“Shtëpitë kanë dalë nga funksion i tyre vetëm si shtëpi, ato pastaj janë bërë hapësira që njerëzit të diskutojnë në to, njëlloj siç janë bërë edhe kafenetë ku është diskutuar për tema të ndryshme”, është shprehur artistja.

Eliza Hoxha tutje ka zbuluar edhe aspektet tjera kulturore të cilat kanë ndikuar në vitet e 90-ta, si kafenetë të cilat ishin shndërruar në galeri, si “Hani i dy Robertëve”, pastaj sesi ka ndikuar muzika dhe tekstet e këngëve për të shprehur preokupimet e asaj kohe. Nuk harrohen edhe hapësirat e reja të krijuar si ajo në Breg të Diellit, Santeja apo edhe nën Kurriz, ku tashmë shqiptarët mblidheshin dhe mundoheshin të zhvillonin jetën e tyre duke përfshirë edhe atë kulturore.

Artistja në kuadër të masterklasës diskutoi edhe se cilat do të ishin format më të mira që kujtesa jonë kolektive në lidhje me këtë periudhë të shndërrohet në krenari kolektive duke u plotësuar me rrëfimet dhe të pathënat e qytetit të të 90-tave.
“Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja”, është organizuar nga ForumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, i cili u mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane (BMZ). / KultPlus.com

Dokufest ka shpallur sot programin e filmave garues

Prizren, 06 korrik 2018 – DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 03 – 11 gusht në Prizren, Kosovë.

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.

Filma dokumentar të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni. Një numër i filmëbërësve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival ndërsa programi përfshinë edhe filmëbërës të rinjë puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“Të guximshëm dhe avanturistik, kështu do ti etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë

Serbia planifikon shembjen e përmendoreve të shqiptarëve

Pllaka përkujtimore e Aqif Efendisë në Novi Pazar dhe ajo e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegje do të shemben me siguri në vjeshtën e sivjetshme, shkruan sot gazeta e Beogradit, “V.Novosti”. Sipas kësaj gazete, këtë fat do ta pësojnë që të gjitha përmendoret në Serbi që u janë kushtuar pushtuesve, kriminelëve të luftës dhe terroristëve. Nuk do të pranohen më nisma që fyejnë ndjenjat fetare e kombëtare, traditat historike, që glorifikojnë idetë fashiste e separatiste dhe për to nuk do të vendosin individë, por shteti, shkruan kjo gazetë, transmeton Koha.net.

Lista e përmendoreve kushtuar personaliteteve të padenja është e gjatë, shkruan “Novosti”, ndërsa numri më i madh i tyre gjendet në Serbinë Jugore (në Luginën e Preshevës – sqarim ynë) dhe në Vojvodinë.

Gazeta paralajmëron formimin e Këshillit për kultivimin e traditave të luftërave çlirimtare, i cili do të vendosë për kushtet e shembjes së memorialëve të vjetra dhe ngritjen e të reja. E gjitha, në përputhje me Ligjin për memoriale, të miratuar kohë më parë.

Pllaka përkujtimore kushtuar Aqif Haxhiahmetoviqit (Blytës) në qendër të Novi Pazarit në gusht të vitit 1912 u zbulua nga Esd Xhuxhoviqi dhe ministri i atëhershëm Sulejman Uglanin. Pllaka nuk u hoq, ndonëse muaj me radhë u prezantuan fakte për veprimtarinë e tij, sipas kësaj gazete, kolaboracioniste me regjimet okupuese. Ky hero (“Novosti” këtë cilësim e vendos në thonjëza – sqarim ynë ) historik, që në fakt shqiptar etnik me mbiemër familjar Blyta, ka marrë pjesë në krijimin e projektit të Shqipërisë së Madhe dhe në krimet e kryera ndaj popullsisë serbe dhe në projektet e rezistencës. Që nga viti 1945 ka statusin e kriminelit të luftës, shkruan “Novosti”.

Një shqetësim në opinionin vendës, sipas kësaj gazete, kishte shkaktuar ngritjanë sheshin kryesor të Preshevës të përmendores në Preshevë me 27 emra të të rënëve nga radhët e, siç shprehet “Novosti” të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegje. Ky monument u ngrit në nëntor të vitit 2012. Kjo p[rmendore u mënjanua me asistimin e xhandarmerisë tre muaj më pas, kur u zhvendos në oborrin e xhamisë lokale. Por janë të paprekura në vendet ku janë ngritur edhe 20 përmendore të tjera në nderim të, siç cilësohen në këtë shkrim, terroristëve të rënë.

Ndër to është përmendorja e përmasave të mëdha kushtuar Ridvan Qazimit – Kapetan Llleshit, komandantit të UÇPBM-së, i vrarë gjatë kryengritjes në Jug të Serbisë në vitin 2001, përfundon shkrimi. / KultPlus.com

Ndërtesa e teatrit ra !

Artan Fuga

Ra!

Ndërtesa e teatrit ra !
Qendra historike si kujtesë kolektive e qytetit të Tiranës ra!
Statusi i aktorëve dhe i gjeneratës aktoriale madhire që kishte zënë rënjë në mendjet e shqiptarëve ra!
Kuvendi ra!
Prona publike ra!
Komunikimi midis artistëve, ministrisë të kulturës dhe pushtetit ra!
Politika si veprimtari e qytetarëve ra!
Trashëgimia kulturore e vendit ra!
Endërra europiane ra!

Tërmeti ra!

Ekonomia ra!
Gjykata e larte dhe gjykata kushtetuese ra!
Sistemi i zgjedhjeve ra!
Imazhi i vendit ra!
Libri ra!

Gjithçka ka rënë si në një qytet ky tërmeti ka kthyer në rrënoja gjithçka!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para! Brezat e rinj duhet ta nisin ndryshe ndërtimin e vlerave të demokracisë dhe shtetit shqiptar !

Nevoja për mendim intelektual dhe veprim qytetar të mënçur, të pastër, është më e fortë se kurrë!

Jemi si në 1997 kur shteti ra!
Jemi si në 1966 kur besimi ra!
Jemi si në 1956 kur idealet e majta ranë!
Jemi si në 1946 kur republika ra!
Jemi si në 1943 kur uniteti i kombit ra!
Si në 1935!
Si në 1924!
Si në 1917!
Si në 1914!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para!

‘Hej Zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë’

Njani i rrethit t’Deçanit i vrau tre vetë edhe duel n’Malsi. Nêjti tri vjet tu ni shpinak. I zoti i shpisë, kur u çojke, e kish pas zakon me thanë:
— Hej zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë.
Ky kaçaku, mas tri vjete i tha:
— Aman, more plak, qe tri vjet qi rri tu ti, për gjeth ditë ta kam nî qet fjalë. Unë ni herë jam koritë edhe i kam vra tre vetë me e nxerrë ftyrën.
He, more bir, – i tha plaku e ke pasë taksirat se nuk e di ti se qysh â korija. Korija à shum turlish. Me i folë vllaut keq, â kori, me i folë e me e idhnue kojshinë, â kori. Me i idhnue print, â kori. Me e sha gruen, â kori. Shum janë koritë n’jetë t’njerit, e për qatâ â zor me pshtue pa u koritë tri herë n’ditë.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.

Sislej Xhafa vjen në Prishtinë me ekspozitën si nderim për rrënjët tona

Arbër Selmani

Në hyrje të ekspozitës janë disa lopë, për të cilat është thyer muri i Galerisë Kombëtare të Arteve në Prishtinë. Ato kësisoj shihen, janë pjesë e oborrit por jo nga jashtë, veç nga brenda.

Lopët janë të Kosovës. Era vjen Kosovë. Sisleji është vetë kosovar, me rrënjë kosovare, me erë kosovari, me historinë e tij prej kosovari, pa marrë parasysh në çfarë vendi jeton e ku gëzon më shumë famë.

Sislej Xhafa i solli kësisoj mbrëmë në Prishtinë veprat e tij të renditura e të gatshme për audiencën e cila do të reflektojë e analizojë mbi to. Një ombrellë me rroba varur poshtë saj, një anije e realizuar me mbathje refugjatësh, zemra e madhe me tela dysheku, vepra të tjera të Sislejit kanë ardhur në një ekspozitë që potencohet gjithmonë se nuk është retrospektive por introspektive, me Sislejin si kryefjalën e krijuesin e të gjitha punëve artistike ndër vite.

“Kjo ekspozitë është një tribut për dashurinë. Ndihem tejet i nderuar që Sisleji ka ardhur me një ekspozitë në Prishtinë, nuk më besohet që po ndodhë kjo këtu. Kjo është një ekspozitë për të vlerësuar rrënjët, aty prej nga vijmë” ka thënë mes tjerash kuratori i ekspozitës, Jerome Sans në hapje të ekspozitës. Ky burrë nga viti 1999 deri në vitin 2006 ishte drejtor artistik i Palais De Tokyo në Paris, një prej hapësirave më të mira të artit bashkëkohor në Evropë dhe më gjerë.

“love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. I lindur në vitin 1970, në Pejë, Xhafa ka jetuar ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të të 1990-ave. Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij.
Nënshkrimi i Sislejit dhe thënia “Love you without knowing” të shoqëronin të parat në katin e dytë të ekspozitës, në të njëjtin kat ku vijnë edhe punët ‘Landscape L’ e vitit 2013-të dhe ‘Rocket Ship’ e vitit 2011-të, midis punëve tjera.

Me qasje ironike dhe subversive e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi deri tek skulptura dhe instalacioni, Xhafa me subtilitet dhe konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta të cilat i strukturojnë jetët tona.

‘Benvenuto’ ishte e vetmja përshëndetje e një Sisleji të brishtë në hapjen e ekspozitës, kjo për të treguar edhe njëherë sa fjalëpak është artisti kur krahasohet me punët e tij artistike.

Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka mirëpritur mbrëmë në hapje të gjithë mysafirët dhe shikuesit duke shprehur respektin e saj dhe rëndësinë për ardhjen e Sislej Xhafës në këtë formë në Kosovë, në një shpalosje disapalëshe me punët e tij para një publiku që dukshëm ka interesim për punët e tij.

Edhe Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, ka treguar sa e lumtur është kjo Ministri ta përkrahë ardhjen e Sislej Xhafës në Kosovë me ekspozitën e tij por edhe me aktivitetet tjera që e shoqërojnë këtë ardhje.
“Jemi të nderuar ta kemi Sislejin në Kosovë me këtë ekspozitë, prandaj duhet ta shijojmë secilën pjesë të ekspozitës” tha mes tjerash Ministri Gashi.

Karriera e Sislej përfshin harkun kohor nga të 1990-at deri në të tashmen, prandaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksibile t’iu përshtatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në nivel lokal duke i krijuar ato atypëraty me njerëz të Kosovës dhe me artistin.

Sislejin duhet ta kujtojmë qëkur u fut në Bienalen e Venecias pa leje, për një ndërhyrje artistike me top futbolli, e deri në ardhjen e tij në këtë Bienale më pas në një përfaqësim ‘legal’ për Italinë, për Shqipërinë e për Kosovën.
“E kemi menduar së bashku një projekt me Sislejin gati tash e dy dekada, dhe së bashku kemi pasur aventura të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Por ai më ka bërë sot dhuratën më të bukur, duke më ftuar në ekspozitën në vendin e tij të prejardhjes. Kultura është i vetmi element që mund ta ndajmë mes njëri tjetrit kudo ku jemi, nën të njëjtin qiell” ka vazhduar kuratori Sans për ekspozitën e Sislej Xhafës e cila u hap mbrëmë me numër të madh audience, siç nuk mbahet mend në këtë Galeri.

Deri me 25 gusht në këtë Galeri mund të udhëtoni nëpër ekspozitën introspektive të Sislej Xhafës duke zbuluar botën e brendshme të artistit i cili ka më shumë se 20-të vide karrierë artistike. Xhafa përfaqëohet sot nga disa galeri; Galleria Continua, San Gimignano / Beijing / Le Moulin dhe BlainSouthern. / KultPlus.com

Një puthje dhe punë tjera nga HAVEIT

Katër vajzat e grupit artistik HAVEIT kanë paralajmëruar ekspozita dhe pjesëmarrje të reja artistike në Kosovë dhe jashtë vendit.

Grupi i cili performancën e parë e pati në vitin 2011-të, po vazhdon kohë pas kohë të thumbojë realitetin kosovar në forma të ndryshme artistike.
Hana, Vesa, Lola dhe Alketa kanë disa performanca dhe punë artistike të cilat po i sjellim në kujtesë sot.

Me rastin e 8 marsit, në vitin 2015-të vajzat publikuan videon ku shihen duke e gatuar KANUNIN – librin me të cilin u rregulluan çështje të ndryshme ndër shqiptarë, me vite e vite. Një libër që edhe sot sjellë qëndrime kontraverze, sidomos rreth trajtimit që i bën grave. Katër vajzat e gatuajnë, me dorëza, me t`hollues, me shkrepsë, dhe KANUNI kthehet në lëng të zi.

Puthja e njohur e vitit 2014-të është cilësuar si provokimi më i madh i HAVEIT. Në një shoqëri ku homofobët lulëzojnë, vajzat u puthën në qendër të qytetit për të treguar se në një ditë si Shën Valentini i dashurisë, dashuria lejohet pa dallim në gjini.

Billbordet u realizuan në marsin e këtij viti, ndërsa HAVEIT goditi kësisoj shoqërinë e cila lejon burrat ti vrasin e keqtrajtojnë gratë e tyre. Emrat e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit – bashkë me EDHE SA THIRRJE TË HUMBURA qëndruan për disa kohë në billbordet në qendër të Prishtinës. HAVEIT tentoi prapë të kundërvihej dukurisë së vrasjes së grave në Kosovë, inspiruar nga filmi ‘Three Billboards outside Ebbing, Missouri’

Një video afër Gjergj-Kastriot Skënderbeut, me vajzat që e rruajnë veten, ose patriarkatin shqiptar. / KultPlus.com

Rreth shtatores së Anton Çettës

Nga Ndue Ukaj

Askush nuk do të mund ta imagjinonte se, do të vinte një ditë dhe në atdheun e tij, kundër Anton Çettës, do të ngriheshin drejtuesit e Institutit, të cilit, më punë dhe përkushtim, ai i dha nder dhe lavdi.
Arsyetimet që u bënë publike sot në media, janë qesharake dhe krejtësisht banale. Janë arsyetime të shkreta, që vijnë si rrjedhojë e mendjeve të mykura, të cilat i trazon shtatorja e Antonit. Po, sepse personaliteti i tij reflekton kulturë, paqe, urtësi dhe dashuri, prandaj mendjet e mykura, që nuk mund të shkapen nga prangat e urrejtjes, e kanë të vështirë ta shohin përditë atë. E kanë vështirë ta shohin atë të tillët që besojnë se drejtësia vendoset me dhunë dhe jo me dashuri.
Mundem me thanë me plot gojën se, prapa refuzimit të prezantuar sot fshihen tendenca tjera dhe jo “arsyetimet” e proklamuara. Prandaj, leni mënjanë broçkullat dhe “arsyetimet” qesharake, të cilave nuk u beson askush, përpos juve që i keni konstruktuar ato.
Antoni e ka vendin te Instituti i Albanologjisë.
Jam i bindur se, shtatorja e Antonit, i trazon vetëm ndërgjegjet imbecile dhe të trazuara, kontributi i të cilëve në punët e kulturës dhe të albanologjisë është tepër modest, karshi figurës madhore të tij. Dhe jo ata që besojnë te puna e tyre.
Gjithashtu jam i bindur se, shtatorja e Antoni është burim frymëzimi për mijëra zemra të etura për të parë vendin e tyre më të prosperuar, më të bashkuar dhe më të emancipuar.
Arsyet pse shtatorja e Anton Çettës, duhet të vendoset te Instituti Albanologjik dhe jo diku tjetër, më se paku në livadhet e shkreta, ku tentojnë ta zhvendosin ata të cilëve u bënë hije, janë të pafundme dhe nuk mund të fshihen, ashtu siç nuk mund të fshihet dielli me shoshë.
Në anën tjetër, gjithë ata që hedhin gurë tinëzisht mbi të, duhet ta dinë një fakt: Antoni shtatoren e madhe, në lartësitë e të cilës nuk mund të ngrihen kurrë xhuxhët e kulturës, e ka ndërtuar me veprimtarinë e tij të bujshme, me dashuri dhe punë të madhe, dhe jo me dokrra dhe intriga.
Anton Çetta është figurë shembullore- ikonë e Kosovës- ndikimi i të cilit për lirinë dhe pavarësinë e saj është i pamatshëm dhe i pakontestueshëm.
Shoqëria jonë, e cila nuk ka modele dhe referenca të qëndrueshme kulturore, morale dhe humane, te figura e tij, ka mundësi të gjejë shembullin më të mirë për breznitë e reja. Një shkollë dashurie, për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë, ne një kohë kur na mbizotëron urrejtja dhe mosdurimi ndaj njëri-tjetrit. Në një kohë kur na predikohet përditë urrejtja ndaj historisë dhe figurave themelore kombëtare.
Gjithashtu, figura e tij përfaqëson modelin më të mirë kundër harbutërisë, dinakërisë, autoriteteve të rreme dhe dredhisë. Po, sepse ai, pa asnjë lloj pushteti praktik: pa armë, pa shërbime informative, pa para, pa struktura të organizuara, përballë një regjimi të çmendur, siç ishte ai i Millosheviçit, dhe, përballë një plage tepër të rëndë kombëtare, arriti ta bashkonte popullin e tërë dhe ta luftonte të keqen më të madhe mes nesh: gjakmarrjen.
Antoni zotëronte diçka tejet të çmuar, të pamatshme; një pushtet të epërm: atë të urtësisë dhe të dashurisë, të ngjizur nëpër shekuj nga urtia popullore dhe dija e tij e sistemuar.
Në Prishtinë, tani e dy dekada pas luftës, për të s’ka shtatore.
Ky është turp kombëtar.

Sislej Xhafa mishëron veprën e tij ‘Lost and Found’ me natyrën e Pejës

Alberina Haxhijaj

E njëjta punë me telefonin që pret të cingërojë, nga Venecia e vitit të kaluar e ka sjellë Sislej Xhafën në Pejën e Kosovës.

Artisti ka ardhur në vendlindjen e tij në Pejë për të sjellë ‘E humbur dhe e gjetur’ në kuadër të ekspozitës ‘Të dua pa e ditur’.

Ekspozita “Të dua pa e ditur” e Xhafës është një rrugëtim nëpër lokacione të ndryshme duke zbuluar kështu punime të mëparshme të artistit, por edhe të tilla të reja. Bëhet fjalë për një udhëtim introspektiv, një shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut- brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Një Sislej që shpaloset palë palë në punë artistike që e sjellin artistin e njohur në Kosovë, në habitatin e tij artistik ndoshta.
Ky rrugëtim i artistit kësisoj filloi me “Bazenin me dymbëdhjetë kitrra”, një udhëtim që nisë në fillim të Shtegut të Shëndetit në Pejë, te vendi i njohur si Breg-vorre për të vazhduar duke ecur përgjatë shtegut për më shumë se 30 minuta në ‘kërkim’ të veprës e cila qëndron e vendosur afër lokacionit që njihet si Bazeni, apo pishat.

Në mesin e bukurive të maleve të Rugovës që e rrethojnë hapësirën, në një harmoni të përkryer me natyrën, vizitorët e ekspozitës të lodhur nga ecja e gjejnë veten përballë një kabine me mbishkrimin “Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur).

Kabina prapa vetes si mburojë ka malet e Rugovës ndërsa brenda vetëm një telefon me ngjyrë të zezë që tërheq vëmendjen e të gjithëve, një telefon që nuk cingëron.

Për drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Aganin, kjo është vetëm një pjesë përbërëse e ekspozitës e cila do të lërë gjurmë dhe me të cilën galeria dhe artisti po krijojnë histori.

Në anën tjetër për kuratorin Jerome Sans, “Të dua pa e ditur” është një deklaratë e dashurisë, një histori e vërtetë të cilën ai dhe artisti e kanë shkuar si një libër por që ka kapituj të ndryshëm.
“Kjo nuk është një retrospektivë, kjo është një introspektivë brenda vetë artistit”, thekson kuratori.
Ndërsa vepra edhe pse për herë të parë është prezantuar larg Kosovës, ajo është risjellë pasi është Kosova, origjina e kësaj vepre.
“Kjo punë ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për Kosovën por edhe në konceptin global. Pra “Të dua pa e ditur” ju thotë se asnjëherë nuk e kam harruar se nga vij, asnjëherë nuk kam braktisur asgjë, nuk është se vetëm po sjelli vepra dhe po iki”, theksoi kuratori i cili duke buzëqeshur thotë se përmes tij burojnë fjalët e artistit Xhafa.

Pikërisht me këtë pjesë kuratori është shumë i lidhur pasi ai e konsideron veten një endacak të kulturës, gjithmonë në lëvizje nëpër vende të ndryshme ku humb dhe gjen gjëra.

“Pra ne humbim dhe gjejmë gjëra çdo ditë, jeta është e tillë, ne humbim kujtime, zbulojmë gjëra të reja, humbim miq, familjarë por përsëri na vijnë gjëra të reja. Pra, kemi të bëjmë me artin, dashurinë dhe botën”, tregon kuratori.

I rrethuar nga të pranishmit por edhe nga fëmijët që hidheshin në ujin e lumbardhit për tu larë, artisti Sislej Xhafa u shpreh se pikërisht kjo hapësirë i kujton vendlindjen e tij, Pejën.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ekspozita të jetë inkluzive, por jo ekskluzive. Prishtina ka kapacitet dhe aftësi, Prizreni është i mrekullueshëm, Gjakova po ashtu dhe të gjitha qytet e tjera. Por, Peja është një qytet magjik ku natyra mishëron gjithçka dhe mentaliteti i njerëzve mua më ka sfiduar me kriju diçka magjike në këtë qytet e që të mos jetë vetëm e këtij qyteti por të jetë edhe një mënyrë më globale e përceptimit të artit me natyrë. Pra, kjo është çka mundet me bo arti me natyrën”, tha Xhafa, artist i dëshmuar tanimë brenda e jashtë Kosovës dhe një personazh me botë artistike të cilën e ka transmetuar në plot ekspozita e ngjarje kulturore.

Sonte në kuadër të ekspozitës “Të dua pa e ditur” do të jetë edhe eventi “Bilbili” në Kuvend të Kosovës, dhe Lepuri i Bardhë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në ora 20:00. / KultPlus.com

Dashuro!

ASDRENI

Shëko lisi si më flet
Fjalë t’ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret
Dashuro, se koha shkon!

Maj’ e plepit gjithënje,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Er’ e malit me një ushtim
Dhe mburimi që kullon,
Gjithë më thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha që po pret
Si zog pylli që këndon,
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Mua zemëra gjith më rreh
Brenda gjaku më valon
Ma ndes mallin me ve re
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull më pyet
Djalë ç’pret e s’dashuron
Ditët shkojn, jeta shket
Dashuro, se koha shkon!

Anri Sala, me ‘Take Over’ në Klubin e Boksit në Prishtinë

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina ka kënaqësinë të prezentoj “Take Over” nga Anri Sala, pjesë e Shkolla Verore si Shkollë 2018 të Programit Publik.

Sala vjen me datë 17 korrik në Klubin e Boksit, me fillim prej orës 20:00.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Anri Sala, artist që punon në Berlin, lindi më 1974 në Tiranë, Shqipëri. Ekspozitat e tij të fundit përfshijnë Anri Sala, Marian Goodman Gallery, New York (2018), Anri Sala, Museo Tamayo, Mexico City, Mexico (2017), The Last Resort, Kaldor Public Art Projects, Sydney, Australia (2017) Anri Sala: Answer Me, New Museum, New York, NY (2016), Anri Sala, Galleria Alfonso Artiaco, Naples, Italy (2015), “The Present Moment (in D)”, Haus der Kunst, Mynih, Gjermani (2014); “Anri Sala: Two Films”, Museum of Contemporary Art, Detroit, Michigan (2012); Louisiana Museum of Modern Art, Humlebaek, Danimarkë (2012); Centre Pompidou, Paris, Francë (2012); “1395 Days Without Red”, Irish Museum of Modern Art, Dublin, Irlandë (2012); National Museum of Art, Osaka, Japoni (2011); Serpentine Gallery, Londër, Angli (2011) dhe Musée d’Art Contemporain, Montreal, Quebec (2011).

Sala fitoi çmimin Gilles Dusein në vitin 2000; Çmimin Artist i Ri në Bienalen e Venedikut më 2001, dhe Absolut Art Award, Stokholm, Suedi, më 2011. Në vitin 2013 u zgjodh të përfaqësoj Francës në Bienalen e 55-të të Venedikut me “Ravel Ravel Unravel” dhe së fundi Sala pranoi çmimin Vincent, Hagë, Holandë (2014).

Vjen traileri i ‘Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha (VIDEO)

Premiera e filmit “Një tregim Prishtine” do të jetë në kuadër të programit të filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018, shkruan KultPlus.

Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku.

Regjisore e filmit është Burbuqe Berisha, skenari është bërë nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, producent Agron Vula, ndërsa në kastën e aktorëve janë aktorët Teuta Krasniqi, Donat Qosja, Luran Ahmeti, Artiola Hamdijaj e të tjerë.

Filmi ka në qendër historinë e Aurorës dhe Benit, të porsamartuar të cilët kanë një vajzë Fionën. Kjo familje i takon klasës së mesme të shoqërisë, por jetojnë në harmoni dhe janë shumë të lumtur.

Sfidat e tyre fillojnë kur vajza e tyre diagnostifikohet me kancer. Beni humbet punën, ndërsa ende paguan borxhin e kompanisë së tij, dhe i duhet të paguajë hipotekën e banesës së re, si dhe kredinë.
Aurora punon për një organizatë ndërkombëtare, por me pagën e saj e ka vështirë për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet, sidomos tani kur ata do të kenë nevojë për paratë për trajtimin e Fionës, jashtë vendit.

Drama familjare, drama shoqërore, si dhe korrupsioni dhe dashuria, marrin një kthesë tjetër kur Fiona është diagnostifikuar. Beni është i detyruar të bëjë gjëra që ai kurrë nuk mendonte të bënte, ndërsa Aurora nuk e kupton situatën e Benit dhe e lë atë.

Kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në Eurovision 2019?

Nëse Kosova do të debutojë në Eurovizionin e vitit 2019-të në Izrael, kush do të mund të ishte përfaqësuesi i parë i saj në këtë festival ?

Pyetja kryesore është kjo derisa po pritet të dihet në fund të këtij viti nëse EBU do ta lejojë Kosovën të debutojë në Eurovizion.

EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë ka treguar se ende Kosova nuk ka mundësi të anëtarësimit në EBU por megjithatë ka ende shpresë që së paku Kosova të jetë pjesë e disa organizimeve nga ky Union, përfshirë Eurovizionin.

Lindita Halimi dhe Rona Nishliu janë dy kosovare që kanë kënduar për Shqipërinë në Eurovizion, por kush do të ishte përfaqësuesi i Kosovës gati për të na përfaqësuar denjësisht vitin tjetër në Izrael?

Propozimet dhe idetë janë nga më të ndryshmet, ndërsa komentet janë gjithmonë pozitive për një debutim sa më të mirë dhe ideal për Kosovën në festivalin e madh që më shumë se garë muzikore është edhe politike.
Momentalisht në Kosovë muzika po zhvillohet në zhanre të ndryshme dhe secila audiencë e ka të veçuarin ose të veçuarën e saj.

Premtues është fakti që emrat si Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi janë nga Kosova, por a do të ishte dikush nga këto figura përfaqësimi më i mirë i Kosovës në Eurovizionin 2019, nëse pranohet kjo pjesëmarrje?

Rona Nishliu, prapë? Adelina Ismaili? Dafina Zeqiri? Nora Istrefi? Ledri Vula me ndonjë bashkëpunim ose solo? Kush do të ishte më adekuat për një format të festivalit si Eurovizioni ? / KultPlus.com

Botohet Antologjia e poezisë shqipe në gjuhën kineze

Në Tajvan botohet Antologjia e poezisë shqipe në gjuhën kineze (Mandarinë), e cila përfshin poezi nga 20 poetë bashkëkohorë shqiptarë si dhe disa poezi të Naim Frashërit, shkruan KultPlus.

Në Antologjinë e poezisë shqipe, janë përfshirë me nga pesë poezi dhe një biografi të shkurtër Zef Schirò Di Maggio, Basri Çapriqi, Fadil Bajraj, Ledia Dushi, Mario Bellizzi, Naime Beqiraj, Ilire Zajmi, Ndue Ukaj, Salajdin Salihu, Parid Teferici, Anton Gojcaj, Olimbi Velaj, Mujo Buçpapaj, Silke Liria Blumbach, Manjola Brahaj, Jeton Kelmendi, Isuf Sherifi, Belfjore Qose, Alisa Velaj, e shkrimtarë tjerë.

Po ashtu në fillim të librit janë vendosur edhe disa poezi të poetit të njohur Naim Frashëri.
Përkthimin e poezive nga anglishtja në gjuhën kineze (Mandarinë) e ka bërë laureati i FNP “Ditët e Naimit”, poeti tajvanez Kuei-shien Lee. / KultPlus.com

Vlora Çitaku, në bardhësinë e qiellit bën simbolin me shqiponjë

Simboli i shqiponjës dykrerëshe nuk është praktikuar asnjëherë më shumë se kohëve të fundit.

Ishin futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ata të cilët pas shënimit të golave kundër Serbisë festuan me simbolin e shqiponjës, e ku si pasojë u dënuan nga FIFA me nga 10 mijë euro. Ky vendim i cilësuar si i padrejtë nga të gjithë, ka nxitur lojtarë e tifozë, personalitete të shquara të artit e njerëz nga politika që ti kundërpërgjigjen FIFA-së duke bërë simbolin shqiptarë gjithandej.

Ndërsa sot, është Vlora Çitaku ajo e cila simbolin e shqiponjës ka vendosur ta bëj në një vend më të veçantë se gjithë të tjerët. Ajo ka zgjedhur bardhësinë e qiellit.

“Ai moment kur nuk ke frike, as dhimbje, as dëshirë, as ambicie, uri… vetëm paqe #fluturolartë, #shqiponjë. Qielli nuk është limiti, paqe”, ka shkruar Ambasadorja Vlora Çitaku poshtë fotografive. / KultPlus.com

Dashakeqësia ndaj shqiptarësisë së Shaqirit e Xhakës

Gani Mehmetaj

Pas Ibrahim Rugovës askush nuk arriti ta ndërkombëtarizojë e ta riaktualizoj çështjen shqiptare në Dardani e në Gadishullin Ilirik më shumë se sa Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemajli. Mediet Perëndimore i ritheksuan edhe një herë krimet serbe në Dardani, shpjeguan se prindërit e këtyre futbollistëve ashtu si mijëra familje shqiptare ishin viktima të dhunës serbe.

Pjesa dërmuese e opinionit, medieve, deputetëve e politikanëve zviceranë e mbështetën Shaqirin e Xhakën, qëndruan prapa tyre pas figurës ‘nacionaliste” të shqiponjës dhe u tallën me histerinë serbe për disfatën dhe për zhurmën koti që e bënë kundër futbollistëve shqiptarë. Mediet zvicerane e perëndimore i tallën edhe zyrtarët e FIFA-s që reaguan serbisht.

Vetëm një deputet zviceran pati rezerva ndaj simbolikës së shqiponjës për arsyet e veta “atdhetare”. Por nuk e kuptova pse një surrogat gazetari i kooperativave të Skraparit (M. Nano) në një gazetë shqipfolëse i lëpinë serbët aty ku nuk duhet, duke u përpjekur t’u thotë se Shaqiri e Xhaka nuk janë ata.

Për shkak të servilit të pa dinjitetshëm e të padijshmit proverbial, Mustafa Nanos, duhet të sqarohet opinioni i huaj se duart e kryqëzuara me shqiponjën dykrenore nuk janë manifestim kundër serbëve e Serbisë, ashtu siç duan t’ia përkëdhelin sedrën vetës serbët e frustruar me ndenjen e vogëlsisë e të hiçit, por simboli i duarve me shqiponjë është shprehje e shqiptarësisë.

As tre gishtat e serbëve nuk kemi pse i përjetojmë manifestim kundër shqiptarëve, sikur policët e ushtarët serbë kur bënin krime në Dardani, para kufomave të mos fotografoheshin me tre gishta. Patrikana e Moskës dhe Kisha Serbe atëbotë ua bekonte armët dhe i shpallte heronj këta kriminelë me tre gishta.
Serbët mu si rusët, kur u shkërmoq diktatura sovjetike, e zëvendësuan përshëndetjen pesëdhjetëvjeçare të grushtit komunist me tre gishta, duke iu kundërvënë përshëndetjes së kombeve jo ruse me dy gishtat latin. Serbëve pro rusë u shkonte për shtati tre gishtëshi në luftën kundër kroatëve katolikë dhe shqiptarëve properëndimor që e bënë simbol përshëndetjen me dy gishta latin. Edhe në Kroaci serbët fotografoheshin para kufomave me tre gishta.