Urimet e politikanëve shqiptarë për ndeshjen Zvicër – Serbi

Politikanët shqiptarë kanë ndarë kohën e tyre për të uruar ekipin e Zvicrës për fitoren e tyre ndaj Serbisë, mbrëmë, ku golashënues ishin dy shqiptarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

KultPlus ju sjellë reagimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Shpend Ahmetit, Albin Kurtit, Kadri Veselit, Erion Veliaj dhe Edi Ramës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci në urimin e tij ka shprehur edhe dashurinë që ka Kosova ndaj Xhakës dhe Shaqirit duke ju thënë: Kosova ju don!

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli i cili ka shikuar ndeshjen nga Prizreni së bashku me tifozë të tjerë, ka shkruar “Faleminderit djema për këtë fitore” duke ndarë një fotografi ku shihen Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka duke bërë shqiponjën pas shënimit të golave. Më të njëjtën fotografi ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili këtë fotografi e ka cilësuar si fotografinë e ditës.

Natën e mbrëmshme e ka konsideruar të paharrueshme kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër kryetari i Bashkësisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë më miqtë e tij fotografitë e realizuara në Sheshi Skënderbej gjatë lojës Zvicër-Serbi, rezultati i së cilës ishte 2:1.

Një shkrim më të gjatë për këtë mbrëmje ka ndarë Albin Kurti sipas të cilit paraqitja e Xhakës dhe Shaqirit iu ka dhuruar nga pak dinjitet shqiptarëve.

“Shqiptarët, si çdo popull, kanë mundësi të nxjerrin talente të nivelit botëror. Por terrenin për zhvillim deri më sot këto talente e kanë gjetur vetëm në tokë të huaj, në mërgim. Jemi ne, është Lëvizja ajo që ka detyrën të krijojë terrenin e përshtatshëm për zhvillimin e talenteve. Sa i përket sporteve, detyra jonë ka për të qenë ndërtimi i hapësirave bashkëkohore për stërvitje e lojë, masivizimi i sportit amatorial dhe specializimi serioz në sportin profesional, dhe kujdesi për talentet. E sigurisht, në aspektin politik, do të përpiqemi të punojmë për bashkimin e kampionateve me Shqipërinë, me synim përfundimtar edhe njësimin e kombëtareve. Vetëm ashtu do të mbërrijmë që t’ua mundësojmë talentëve tanë që ta përjetojnë atë sukses e atë gëzim edhe për atdheun e vet. Së dyti: Shumë politikanë që bëjnë politikë pazaresh dhe kontrabandë me Serbinë, që kanë dëmtuar vazhdimisht Kosovën me pjesëmarrjen në negociatat pa parime, sot po ekzaltohen pse kombëtarja e Serbisë humbi lojën. Kinse patriotë? Hipokrizi”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Guardian: Festimet me shqiponjë rrezikojnë ngritjen e tensioneve në Ballkan

“The Guardian” ka kritikuar Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për festimet e tyre me shqiponjë.

Kjo gazetë, një ditë pas ndeshjes të cilën Zvicra e fitoi 2 me 1 kundër Serbisë, ka shkruar se dy shqiptarët kanë rrezikuar në ngritjen e tensioneve politike në Ballkan kur përdorën simbolin kombëtar të Shqipërisë për të festuar golat kundër Serbisë.

“Dyshja, të dy shqiptarë, por të rritur në Zvicër, kthyen rezultatin pasi Serbia kishte epërsinë me golin e Aleksandar Mitroviq të shënuar në fillim të pjesës së parë”, shkruan The Guardian.

“Të dy hapën duart për të bërë atë që njihet si shqiponjë me dy krerë të paraqitur në flamurin e Shqipërisë. Gjesti i tyre me gjasë do të rrisë tensionet mes nacionalistëve serbë dhe shqiptarëve”, shkruan gazeta e njohur britanike.

“Shaqiri ka lindur në Kosovë, ish-provincë e Serbisë që deklaroi pavarësinë në vitin 2008. Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet mes dy shteteve mbesin të tensionuara. Prindërit e Xhakës vijnë nga Kosova. Babai i mesfushorit të Arsenalit ishte burgosur në ish-Jugosllavi për protesta në favor të pavarësisë së Kosovës”, shkruan “The Guardian” për prejardhjen e dy lojtarëve shqiptarë.

Mediat serbe e quajnë provokim festimin me shqiponjë, kërkojnë reagimin e FIFA

Mediat serbe kanë reaguar menjëherë ndaj festimit me simbolin e shqiponjës nga dy lojtarët me origjinë shqiptare të Zvicrës, Xhaka e Shaqiri, duke e quajtur si provokim.

Madje “Kurir” shkruan se FIFA duhet të reagojë menjëherë ndaj “provokimeve”, siç i quajnë ata.

“E papranueshme! FIFA duhet të reagojë urgjentisht për shkak të këtij provokimi”, shkruan Kurir.rs.

Madje “Kurir” shkruan se FIFA duhet të reagojë menjëherë ndaj “provokimeve”, siç i quajnë ata.

Telegraf.rs fitoren e cilëson si rezultat të shqiptarëve dhe të gjyqtarit të takimit.

Edhe B92 e ka cilësuar si provokim festën e shqiptarëve.

“Mezi priti – Xhaka provokoi me festimin me shqiponjë”, shkruan ky portal.

Lulet e Kosovës

Ullmar QVICK

Të bukura janë bozhuret dhe lulëkuqet
prapë dihet se gjaku kërkon gjak
dhe mjaft lule gjaku çelen në Kosovë
Në oborr të Fakultetit rriten bresat*
pak të ashpër në shtat, ndërsa lulet
me ngjyrë të kaltër,
veç pak të kuqe brenda!
Në prag të Fakultetit ngjyra e besës
ngjyra e shpresës!
Dëgjoj të qeshurat e studentëve…
Bresat më shikojnë me sy të kaltër
Po mendoj për të ardhmen,
për besën dhe shpresën
në jetën e rinisë kosovare…
 
* Bresa (Cikoria) – bime e rëndomtë në Kosovë
që ka lule të kaltëra. Në disa shtete dhe në Suedi,
është përdorur gjatë luftës së dytë botërore
si surrogat për kafe.
____________
Kjo poezi ka marrë Çmimin e parë
në Festivalin e poezisë në Malmö,2004.

Edhe kapiteni Lichtsteineri festoi me shqiponjë

Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, njëjtë si Xhaka e Shaqiri festoi me shqiponjë në duar.

Kur Granit Xhaka shënoi golin e parë ndaj Zvicrës, e festoi duke ngritur duart në formë të Shqiponjës. Edhe Xherdan Shaqiri, njësojë iu gëzua golit të dytë.

Por, entuziazëm të tillë pati edhe kapiteni Stephan Lichtsteiner.

Fillon festivali ku do të theren 10 mijë qenë dhe do të hahet mishi i tyre

Përkundër kërkesave të shumta nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, ka filluar edhe këtë vit në Yulin të Kinës, festivali ku festohet duke ngrënë mish qeni.

Festivali nisi dje dhe do të vazhdojë për nëntë ditë. Rreth 10 mijë qen do të theren për të festuar solsticin e verës.

Për të shmangur protestat e shoqatave dhe aktivistëve, këtë vit therja e kafshëve do të mbahet larg nga sytë e klientëve dhe çdo shitës do të ekspozojë maksimumi dy trupa qensh.

Dhe në Yulin, ku festohet çdo vit solstici veror , janë masakruar dhe më pas ngrënë rreth 10 mijë mace dhe qen, një masakër: Sipas besimit popullor, mish i qenit është burim shëndeti, fati dhe energjie seksuale; ndërsa sëmundjet e shkaktuara nga konsumimi i mishit të qenve me origjinë të panjohur janë të njohura – në bazë të të dhënave nga institucionet lokale dhe institucionet shëndetësore “.

‘Serbia me represion policor i ka ndjekë familjet Xhaka dhe Shaqiri nga Kosova’

Nezir Kraki

Para 20-30 viteve Serbia me represion policor i ka ndjek familjet Xhaka dhe Shaqiri nga Kosova.

Sot fëmijët e tyre i hakmerren me represion sportiv dhe i tregojnë asaj dhe Daçiqeve që çdo politikë shtypese një ditë kthehet bumerang.

Një shekull përpjekje me i zbraz tokat tona i shkuan huq ne vitin 1999.
Tash në çdo skenë musike, në çdo terren sporti, në çdo universitet, në çdo kënd të botës Serbia i ritakon ata që i ndiqte si popull nënkategori.

Tash ajo është veç shikuese e ndrydhur nga urrejtja dhe e mllefosur nga pamundësia për një ndjekje të re të Shqiptarëve.

Ne s’kemi urrejtje. Ne e kemi pasë synim shpëtimin dhe lirimin e tash që shpëtuam s’ka dreq që na ndal.

Me ose pa shtetet tona (Kosovë e Shqipëri) ne do peshojmë aty ku jeta do na çojë. Do peshojmë si Shqiptarë nga të gjitha viset. T’hekun keq por t’pathyeshëm dhe t’patjetërsueshëm.

E paçim njeri-tjetrin !
🇦🇱🇽🇰🇨🇭

Dy shqiptarë sonte e mposhtën Serbinë

Sonte u duk sikur po luante Kosova kundër Serbisë, dhe jo Zvicra.

Loja futbollistike mes Serbisë e Zvicrës përfundoi me fitoren e kësaj të fundit, me dy golat që u shënuan nga dy shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Pjesa e parë e lojës i takoi dukshëm Serbisë ndërsa revanshi filloi pjesën e dytë.

Fitorja bëhet edhe më historike kur dihet se dy golashënuesit janë shqiptarë dhe me duart e tyre bënë shqiponjën në stadiumin e njohur në Kaliningrad të Rusisë. / KultPlus.com

Serbët e marrin si provokim shqiponjën e Granit Xhakës

Është e pritshme që mediat nga Beogradi dhe Serbia do ta konsiderojnë si provokim shqiponjën me duar nga Xhaka.

Blic.rs menjëherë e ka quajtur provokim gjestin e Xhakës pasi ai shënoi golin e parë për Zvicrën sonte në ballafaqimin me Serbinë në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit – Rusia 2018.

“Shqiponja është simboli i atyre që e mbështesin atë që quhet “Shqipëri e Madhe”, dhe atë e bëri sonte Xhaka” shkruan mes tjerash Blic.rs

Edhe për B92 është provokim gjesti i Xhakës pasi shënoi gol.

Mediat serbe jo rrallë tentojnë të mos kenë një raportim gazetaresk profesionist kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla ku simbolet kombëtare shpesh zënë vend.

Edhe TANJUG ka të njëjtin mendim, se goli u festua me provokim – me titullin “Srbija – Švajcarska 1:1, strelac Džaka u 53. minutu, proslavio gol uz provokacije”.

Loja Serbi-Zvicër po vazhdon me rezultatin 1-1 deri në këtë moment.

Granit Xhaka bën shqiponjën në mes të Rusisë

Granit Xhaka sapo ka shënuar kësisoj golin e parë sonte për Zvicrën, duke e barazuar lojën me Serbinë.

Xhaka para pak minutash ka shënuar golën e barazimit në këtë lojë dhe nuk ka munguar simboli shqiptar i shqiponjës si përshëndetje dhe pjesë e gëzimit.

Ai shënoi në minutën e 52, ndërsa festoi duke e bërë simbolin e shqiponjës.

Xhaka me një goditje të fuqishme dërgoi topin në rrjetën e kundërshtarit.

Argjentina, futbolli dhe kultura e tifozërisë

Ndue Ukaj

Argjentina, në kulturë dhe në sport, i ka dhënë njerëzimit jashtëzakonisht shumë.
Pikërisht për këtë arsye, unë kam një simpati krejt të veçantë për këtë vend, dhe kjo lidhet pikësëpari me titanët e letërsisë, si Jorge Luis Borges, Julio Cortazar dhe Ernesto Sabato.
Pa dyshim, si çdo i ri, edhe unë kam ushqyer simpati për futbollin argjentinas.
Ky vend ka zhvilluar futboll të bukur, përmes të cilit i ka mbajtë të mbirë para ekraneve televizive miliona njerëz: i ka mërzitë dhe i ka gëzuar, ndonëse, këtë sport, njëri nga shkrimtarët më të ditur dhe më të mëdhenj botëror, Jurge Luis Borges, e quante “estetikisht të shëmtuar.”
Nuk mund të pajtohem me këtë gjykim të Borgesit, edhe pse, në disa pika, ai ka plotësisht të drejtë. Sidomos kur fletë për kulturën e tifozërisë, të cilën ai e lidhi me mbështetjen popullore që tifozëria iu dha liderëve politikë të lëvizjeve më të tmerrshme politike të shekullit XX.
Shkrimtar i madh argjentinas, Jorge Luis Borges, pohon se, “futbolli është popullor, vetëm se budallaku është popullor.”
Këto mendime tëBorgesit për “lojën e bukur”, lidhen kryesisht me neverinë e tifozërisë.
Sot, gjykimet e Borgesit mund të na duken atipike. Sepse, ky sport ngashënjen të madh e të vogël dhe atë në çdo skaj të botës.
Por, shtrohet pyetja, a kishte të drejtë Borgesi, kur neveritej prej kulturës së tifozërisë, që manifestohet në sferat tjera, sidomos në ato politike dhe nacionaliste. Unë them që po. Pra, sa i përket kulturës së tifozërisë, Borgesi i ka rënë pikës, dhe për këtë duhet të përsiasim.

Populli ynë, nuk ka ndonjë traditë në futboll, por e zhvillon në mënyrë të çuditshme kulturën e tifozërisë, dhe kjo për mua është tejet shqetësuese, sepse kur kjo manifestohet shumë në sferën e politikës, ku shqiptarët dinë të bëhen tifozë fanatikë.

Prandaj, sot, po të ishte gjallë Borgesi dhe të shihte si sillen shqiptarët në raport me këtë sport, ndonëse kontributi i tyre real në këtë fushë është krejt i papërfillshëm, atëherë empirikisht do të thoshte: Po, unë kam të drejtë.

Eleni Foureira, e tëra në ‘Fuego’ në Barcelonë (VIDEO)

Eleni Foureira po e vazhdon suksesin e saj.

Destinacioni i radhës për këngëtaren me prejardhje shqiptare ka qenë Barcelona, atje ku ajo ndezi atmosferën duke performuar këngët e saj.

Sidomos dallohet kënga “Fuego” me të cilën Eleni morri pjesë në Eurovizion këtë vit.

Ajo ka mahnitur fansat e saj edhe me performancën e këngës “Lo Malo” të kënduar nga Aytana dhe Ana Guerra.
Nata ka vazhduar edhe me këngët “Tranquila” dhe “Gigi Paradiso”.

Eleni jeton në Greqi, atje ku edhe është rritur dhe ka krijuar një karrierë të mirë muzikore. / KultPlus.com

‘Letra e fundit sime shoqe’ – Mitrush Kuteli

MITRUSH KUTELI

Kaq afër jemi, por kaq larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë.

Mediat e Beogradit veshin Shaqirin e Behramin si serbë

Tifozët e Serbisë janë të vetëdijshëm që po i pret një ndeshje futbolli e rrezikut të lartë dhe gjatë bisedimeve nëpër kafene dhe në rrugëve të qytetit Kalinjingrad kanë bërë marrëveshje që në tribuna mos të sjellën egër dhe transparent që mos të dënohet përsëri Federata e Serbisë.

Megjithatë, mediat në Serbi raportojnë se prapa portës në stadiumin në Kalinjingrad ata do të bëjnë thirrje anti futbollistëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën, transmeton Koha.net.

“Valoni serb”, “Xherdani serb”, janë thirrjet që pritet ata t’i bëjnë.

Në Kalingrad është duke jehuar informacioni të cilin “Alo” e ka lëshuar mbrëmë se dy reprezentuesit e Zvicrës, të lindur në Kosovë, kanë kërkuar shtetësi serbe.

Madje gazeta serbe “Alo” ka publikuar një foto të Valon Berishës e Xherdan Shaqirit me veshje kombëtare serbe.

Shaqiri: Ja pse mbaj dy flamuj në këpucët e mia

Xherdan Shaqiri ka bërë një rrëfim prekës rreth jetës së tij dhe karrierës si futbollist.

Futbollisti i kombëtares së Zvicrës, që po luan Botërorin e tretë të tij, ka treguar për The Players’ Tribune se si arriti që nga një fëmijëri e vështirë, të ngjitej në majat e futbollit.

Shaqiri ka rrëfyer për jetën e vështirë të familjes së tij, fëmijërinë e tij si dhe ngritjen e tij në karrierë, shkruan Insporti.

Insporti transmeton në tërësi shkrimin e Shaqirit:Shtëpia jonë nuk kishte ngrohje. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë, shumë e vjetër në një fermë në Basel, dhe kështu ishte. As nuk mendoja për këtë. E mbaja veten të ngrohtë duke vrapuar si i çmendur. Vëllai im më i madh ishte ai i cili gjithmonë ankohej për të ftohtët, sepse dhoma e tij ishte lartë, larg vatrës së zjarrit. Atij i duhej të flinte me rreth pesë batanije gjatë dimrit.

Shaqiri në rrëfimin e tij për The Players’ Tribune

Por atëherë unë kisha flokë të bardha dhe kaçurrela, kështu që ishte çmenduri. Shkova në shkollë dhe të gjithë fëmijët po më shikonin skur të mendonin çfarë ka ndodhur me këtë djalë, çfarë dreqin ka bërë?Kjo nuk më pengonte aspak. Isha thjesht vetja. Shkolla ime ishte në pjesën e mirë të qytetit, por shtëpia ime ishte vetëm pesë minuta ecje nga pjesa shumë e keqe e qytetit dhe këtu ishte pjesa ku luhej futbolli i mirë. Nëna ime më lutej që të mos shkoja, por unë shkoja aty çdo ditë pas shkollës për të luajtur. E di se njerëzit mendojnë që Zvicra është e gjitha e mirë, dhe pjesa më e madhe e saj është, por në këtë park, ishte çmenduri. Të gjitha ekipet ishin si Kombet e Bashkuara. Kishte turq, afrikanë, shqiptarë, serb, gjithçka. Dhe nuk ishte vetëm futboll – të gjithë po kalonin kohë aty, kështu që kishte njerëz që dëgjonin hip-hop gjerman, fëmijë që po bënin freestyle në rep, vajza që po ecnin në fushë derisa po luhej ndeshja.Futbolli ishte futboll i vërtetë. Për shembull, djemtë po grushtoheshin gajtë gjithë kohës. Unë nuk u grushtova kurrë, sepse gjithmonë e mbaja gojën e mbyllur.

Por të luaja në atë park më ndihmoi me të vërtetë sepse isha një djalosh i vogël, dhe mësova si të luaja me burra të cilët nuk po bënin shaka.Kur isha 14 vjeç, po luaja për të rinjtë e FC Baselit, dhe patëm rastin që të luanim në Nike Cup në Pragë. Problemi ishte se më duhej të humbisja disa ditë nga shkolla, dhe kur e pyeta mësuesin tim, ai tha jo. Në Zvicër, mësuesit janë shumë serioz për shkollën. Mendova, dreqin, në rregull, do të më duhet të bëj kinse jam i sëmurë.Kështu që bëra që nëna t’i shkruante letër shkollës për t’i thënë se kisha gripin ose diçka e tillë, dhe shkova në Pragë për turneun. Luajta shumë, shumë mirë dhe kjo ishte hera e parë kur pashë fëmijë nga vende tjera të më shikonin duke menduar: Ky është djaloshi nga Baseli. Ai është. Kjo ishte një ndjenjë me të vërtetë e mrekullueshme.U kthyem në shtëpi dhe shkova në shkollë të hënën, ende duke bërë gjoja se isha pak i sëmurë.

Dhe mësuesi menjëherë tha: “Xherdan, eja këtu. Eja, eja, eja”.Ai më mori te tavolina e tij, dhe nxori gazetën nga tavolina. Ai po e shikonte atë dhe tha, “Oh, ishe i sëmurë?”Në faqen e parë të gazetës ishte një foto e imja duke buzëqeshur, duke mbajtur trofeun e Lojtarit të Turneut.Vetëm e shikova atë dhe ngrita duart në ajër, duke menduar, epo… dreqin!Fillova të merrja shumë vëmendje pas këtij turneu, por paratë vazhdonin që të ishin një problem për familjen time, sepse të dy vëllezërit po ashtu po luanin për Baselin. Kurdo që duhej të paguanim për të shkuar në një turne apo diçka e tillë, kushtonte tri herë më shtrenjtë. Kur isha 16 vjeç, duhej të shkonim në një kamp stërvitje në Spanjë, dhe kushtonte rreth 700 franga zvicerane. Babai na tha një natë se ishte e pamundur, pasi nuk mund ta paguanim.

****

Në 2012-tën, kur luajtëm ndaj Shqipërisë, vendosa flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në këpucët e mia, dhe disa gazeta zvicerane po shkruanin gjëra negative për këtë. U kritikova për këtë, por është çmenduri se disa njerëz ndihen kështu sepse është thjesht identiteti im.Gjëja e mrekullueshme për Zvicrën është se shteti ka qenë shumë mirëseardhës për njerëzit që vijnë nga lufta dhe varëfria dhe që kërkojnë jetë të mirë.Zvicra ka liqene, male dhe të gjitha këto. Por Zvicra po ashtu ka parkun ku luaja me turqit, afrikanët, shqitarët dhe serbët. Dhe vajzat me reperët gjermanë. Zvicra është për të gjithë.Kur futem në fushë në Botërorin 2018, kam flamujt e Zvicrës dhe Kosovës në këpucët e mia. Jo për shkak të politikës apo diçkaje të tillë. Por për shkak se flamujt tregojnë storien e jetës time.Por, mos u bëni merak, në këmbën e majtë kam flamurin e Zvicrës.

Ligj për të rikthyer Enver Hoxhën në varrezat e dëshmorëve

Qeveria i ka dërguar Parlamentit një ligj për ri për statusit e dëshmorit të Atdheut.

Dhe ky ligj hap rrugën që Enver Hoxha, Mehmet Shehu, gjithë anëtarët e byrosë kriminale, të marrin statusin e dëshmorit e madje me status të tillë, të kenë mundësi t’u rikthehen eshtrat në varrezat e dëshmorëve.

Kjo sepse sipas këtij projektligji, Enver Hoxha duhet të jetë dënuar me vendim gjykate për krimet e tij, dhe përderisa s’ka ndodhur, ai me ligj do jetë dëshmor i atdheut.

Statusi i plotë i studiuesit Erald Kapri

Qeveria, ligj për rikthyer Enver Hoxhën në varrezat e dëshmorëve

Nuk po mjaftojnë skandalet korruptive të përditshme të qeverisë, por tani po vendos PPP edhe me historinë dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve. Në mënyrë krejt tinëzare, të fshehtë, qeveria i ka dërguar Parlamentit një ligj për ri për statusit e dëshmorit të Atdheut.

Dhe gjejeni çfarë, ky ligj hap rrugën që Enver Hoxha, Mehmet Shehu, gjithë anëtarët e byrosë kriminale, të marrin statusin e dëshmorit e madje me status të tillë, të kenë mundësi t’u rikthehen eshtrat në varrezat e dëshmorëve. Kjo sepse sipas këtij projektligji, Enver Hoxha duhet të jetë dënuar me vendim gjykate për krimet e tij, dhe përderisa s’ka ndodhur, ai me ligj do jetë dëshmor i atdheut.

Kjo do vlejë për të gjithë. Nexhmije Hoxha do e përfitojë statusin direkt e madje me protokoll duhet ti bëhen nderime për në varrezat e dëshmorëve kur të ikë në botën tjetër.

Ky projektligj i shëmtuar do nderojë vrasësit e Prek Calit e Jup Kazarit, kryengritësit e parë në Postribë, sepse parashikon që asnjë vrasje nuk quhet para datës 9 maj 1945. Kjo do të thotë, se çdo krim në luftë e madhe deri në vitin 1945 nuk mund të jetë krim me ligj.

Mund të duket e pabesueshme por Musine Kokalari, Sabiha Kasimati e çdo martir që u sakrifikua nga komunizmi nuk mund të përfitojë statusin e dëshmorit. Asnjë nacionalist s’mund të jetë dëshmor, por çdo komunist po.

Sonte, Alketa Xhafa Mripa sjellë ‘Britain Is Still Speaking’

Ajo ka qenë e qetë por asnjëherë larg prej artit. Qetësia e saj e ka bërë që të reflektojë mbi punën e saj të radhës.

Artistja Alketa Xhafa Mripa sonte kësisoj do të prezantojë rezultatin e një pune tjetër të saj artistike.
“Britain is still speaking” është titulli i videos.

“Unë kam ardhur në Angli nga Kosova në vitin 1997. Jam me fat që erdha në këtë vend në një kohë kur mirëpriteshin refugjatët. Është e vështirë të largohesh nga shtëpia jote, jo me dëshirë, dhe të kërkosh mbijetesë” thuhet në një pjesë të tekstit të videos.

Videoja ka dalë si rezultat i punës së kaluar të artistës ku refugjatët në Angli patën mundësi të pinin çaj dhe të ndanin disa minuta me artisten brenda kamionit “Refugees Welcome”.

Tregimet e ndara aty janë pjesë e videos, shkruan KultPlus.

“Britain is still speaking” është mënyra e artistes për të treguar se Britania e Madhe ende po flet, dhe nuk ka përfunduar së foluri siç thotë slogani i #Brexit “Britain has spoken”.
“Ideja e videos është të tregojë se përkundër sentimentit kundër refugjatëve në mbarë botën, ka ende një solidaritet në mesin e popullit britanik për refugjatët në nevojë” tregon Alketa Xhafa Mripa për KultPlus.

Videoperformanca do të shfaqet sonte në ora 18:00 në VaMuseum – Victoria and Albert Museum, në kuadër të Javës së Refugjatëve. / KultPlus.com

Bebe Rexha nesër publikon albumin debutues

Këngëtarja Bebe Rexha nesër do të publikojë albumin e saj “Expectations” mirëpo një ditë më parë në intervistën e dhënë për West Hollywood ajo ka zbuluar më shumë rreth mënyrës se si i lindin idetë për tekstet e këngëve.

Diçka shumë e rëndësishme për këngëtaren është të mos menduarit disa herë për të njëjtën gjë. Herën e fundit kur ajo mendoi shumë nëse kënga ishte mirë apo jo, ishte fare pranë ndalimit të publikimit të këngës “Meant To Be”. Mirëpo, të nesërmen këngëtarja kishte shkuar te producentët për ti bindur që ta publikojnë versionin final të saj.

“Nuk brengosem sa i dobët është incizimi, refuzoj që ta bëj një incizim përsëri pasi që ajo ka lidhshmëri me ndjenjat që kemi gjatë atij interpretimi dhe nuk është matematikë”, është shprehur ajo.

Tutje këngëtarja ka treguar se gjatë kohës sa është duke bërë dush i lindin tekstet e saj. Në këtë mënyrë kanë lindur edhe shumë këngë nga albumi i saj, duke përfshirë këtu edhe këngën “Grace” .

Kënga e saj e fundit “I’m A Mess” ka ardhur gjatë takimit të saj të parë me tekstshkruesin Justin Traintor.

“Isha duke hyrë në studio duke qarë dhe me grim të shkatërruar dhe i thashë: Më vjen keq që jam vonë, jam një katastrofë. Justin më tha: S’ka përse të të vije keq, posa më dhe titullin e këngës, vazhdo tutje”, ka treguar ajo.
Detaji tjetër të cilin e ka zbuluar këngëtarja është fakti se nuk duhet të mendosh një emër gjersa shkruan këngët.

“Nëse jeni duke menduar për Britney, ju do të rishkruanit këngën Toxic. Përse ta rishkruanit një hit? Kështu që shkruani dhe pasi që kënga të ketë përfunduar ju do të gjeni se kujt i përket. Kur kam shkruar tekstin për këngën “Monster” e kam ditur menjëherë që ajo është për Eminemin”, ka treguar këngëtarja.

Albumi debutues i këngëtares Bebe Rexha, ‘Expectations’, do të publikohet nesër më 22 qershor. / KultPlus.com

‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj prezantohet në Palm Springs International Short Film Festival

Filmi ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e garës zyrtare të edicionit të 24-të të Palm Springs International Short Film Festival & Film Market.

Palm Springs International ShortFest & Film Market mbahet prej 19 – 25 qershor në Palm Springs, ndërsa shfaqja e parë e filmit ‘Gardhi’ me prezencë të një pjese të ekipit të filmit ka ndodhur sonte.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit.

Festivali poashtu organizon të ashtuquajturin ShortFest Forum, me një varg panelesh, punëtori dhe diskutime të dizajnuara për filmbërës që t’ju ofrojnë njohuri të reja nga industria e filmit botëror.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com

The Guardian: Kosovarët e Zvicrës mund t’ia japin dy goditje Serbisë

Tradita kosovare e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Valon Behramit, do të thotë se mund të ketë “një gjilëpër” shtesë për takimin shumë të rëndësishëm ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë.
Kështu e nis artikullin e saj The Guardian, për ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë e cila do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:00.

Pas mediave zvicerane e serbe, kjo ndeshje ka bërë jehonë edhe në mediat e tjera ndërkombëtare. Kjo për shkak se te Zvicra janë katër shqiptarë që do të ballafaqohen me Serbinë.

E gjithë buja nisi nga fotografia të cilën Xherdan Shaqiri e publikoi në Instagram, e ku shihej edhe flamuri i Kosovës. Kjo shkaktoi një reagim të madh sidomos te serbët.

“Kur Xherdan Shaqiri do të ecë nëpër Kaliningrad, ai nuk do të ketë mbathur vetëm një këpucë sportive. Në anën e djathtë të këpucës, ai do ta ketë edhe flamurin e Kosovës”, nis shkrimi i prestigjozes britanike.

Këpucët e Shaqirit kishin nxitur reagimin e sulmuesit serb, Aleksandar Mitroviq.

“Nëse ai e do aq shumë Kosovën, pse refuzoi të luajë për shtetin e tij”, kishte thënë lojtari serb.

“Shaqiri ka bërë publike ndjenjat e tij duke postuar një foto në Instagram. Kjo shkaktoi reagim në rrjete sociale duke e quajtur si provokim. Dhe duke ndezur edhe më shumë ndeshjen”, vazhdon artikulli i The Guardian.

Tutje gazeta e njohur tregon detaje nga prejardhja e tre lojtarëve të Kosovës, që si pasojë e luftës ikën në Zvicër.

“Granit Xhaka, Valon Behrami dhe të tjerët nga Kosova janë larguar me familjet e tyre para se të shkatërroheshin nga lufta me Serbinë. Dhe rezultatai solli një konfiguracion modern të futbllit. Para se Kosova të njihej në UEFA dhe FIFA, këta djem ishin zëri më i zjarrtë në skenën ndërkombëtare. Zvicra me rreth 200 mijë banorë të Kosovës, gjetën mbështetje edhe te ekipi kombëtar”, shkruan The Guardian.

Ndeshja zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:00. Për Zvicrën fitorja është e domosdoshme pas barazimit në ndeshjen e parë me Brazilin.

Filharmonia e Kosovës, me koncert në Prizren

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës “Nga bota (e vjetër) e re” do të jetë në Prizren në Kino Lumbardhi, më 29 qershor, shkruan KultPlus.

Gjatë këtij koncerti do të interpretohen vepra të kompozitorëve si R. Mulliqi, F. Beqiri, K. Aliçkaj,
G.Rossini, M.Mussorgsky, A.Dvorak.

Koncerti do të dirigjohet nga Baki Jashari dhe Hajrullah Syla. / KultPlus.com

Serbia të paditet për helmimin e nxënësve dhe punëtorëve në pranverën e vitit 1990

Nazmi Bajra edhe pas gati 30 vjetwsh e ka të freskët ngjarjen tragjike të helmimit të nxënësve kosovarë në pranverën e vitit 1990, pjesë e së cilës ishte edhe vetë ai.

Ai kujton momentin kur uji kishte mbuluar këtë hapësirë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” në Podujevë, raporton KTV.

kohës kur bashkë me nxënës të tjerë u urdhëruan ta pastronin dyshemenë e mbuluar me ujë, që kishte arritur deri në 12 centimetra, atyre kishin nisur t’u shfaqeshin simptomat e para si: shtrëngim muskujsh, vjellje, alivanosje e çrregullim ndjenjash, që atë dhe shumë të tjerë i la me pasoja.

Bajra tregon se si në spitalin e Prishtinës, pas analizave që i ishin bërë, mjekët kishin konstatuar se bëhej fjalë për helmim me një lloj helmi toksik.

I helmuar kishte mbetur edhe Avdi Seta, i cili në atë kohë ishte maturant.

Ai thotë se pas trajtimit në spital, për të shpëtuar, ishte detyruar të kërkonte shërim edhe në Gjermani, ku qëndroi dhe u trajtua atje për një periudhë të gjatë.

Pikërisht për faktin se ky akt i sigurimit sekret serb nuk u ndëshkua kurrë, të prekurit nga helmimi në atë kohë, nga Podujeva kanë vendosur që ta padisin Serbinë në Gjykatën e Strasburgut.

Tashmë është formuar Këshilli Organizativ, i cili ka angazhuar një avokat ndërkombëtar për t’u marrë me këtë çështje.

Ndërkaq, ka nisur të mblidhet dokumentacioni i nevojshëm i secilit të helmuar të asaj kohe, në mënyrë që të merren si dëshmi për këtë rast.

Podujeva nuk ishte e vetmja komunë që pësoi nga helmimi.

Një helmim masiv i nxënësve nëpër shkolla ku kryesisht mësonin shqiptarët, filluan në mars dhe vazhduan gjatë gjithë muajve të pranverës së vitit 1990. Numri i të prekurve nga helmimi toksik arriti në rreth 8000.

Kosova tenton prapë të marrë pjesë në Eurovision

Radio Televizioni i Kosovës ka prezantuar edhe njëherë argumentet se pse duhet të jetë pjesë e EBU – Unionit të Transmetuesve Evropianë.

Përfaqësuesit nga ky televizion janë takuar me përfaqësuesit e EBU ku kanë shprehur dëshirën për një anëtarësim në këtë institucion.

Ata kanë marrë premtimin se janë në agjendë në takimin e radhës kur mund të vendoset për fatin e televizionit publik në EBU.

Në anën tjetër, një anëtarësim në EBU do të nënkuptonte edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovizionin e vitit tjetër, në Izrael. / KultPlus.com