Bleona Qerreti në film me Nicolas Cage, publikohet një pjesë nga ky film (VIDEO)

Tash e sa vite po jeton në SHBA, ku po ndërton karrierën e saj në atë vend. Bleona ka punuar disa projekte në gjuhën angleze dhe vazhdimisht është e angazhuar në këtë drejtim, shkruan lajmi.net.
Por, së fundi ajo i ka hyrë edhe kinematografisë, duke aktruar në filmin me titull “211”, i cili tashmë është publikuar në të gjitha platformat.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes rrjeteve sociale, meqë rast falënderoi bashkëpunëtorët. Bleona shfrytëzoi rastin ta shkëpus një skenë nga ky film, ku shihet edhe ajo, e në këtë film aktron edhe Nicolas Cage.

Era Istrefi drejt Xhamajkës për klipin e ri, merr me vete edhe këtë artist kosovar (VIDEO)

Këngëtarja Era Istrefi gjendet në mesin e një periudhe tejet intensive. Krahas këngës ‘Live it Up’, himni zyrtar i ‘Rusi 2018’, ajo sapo publikoi edhe hitin e ri, ‘Prisoner’.

Por, angazhimet e Erës nuk mbarojnë me kaq. Ajo me datë 18 do marrë rrugë nga Londra drejt Xhamajkës, atje ku do ta realizojë videoklipin e këngës më të re.

Me vete, Era do e marrë edhe artistin Astrit Ismaili me të cilin duket se ka rilidhur bashkëpunimin e nisur qysh prej projektit të parë ‘E dehur’. Kënga “E dehur”, është një ndër këngët më të mira të Era Istrefit, këngë kjo që pat bërë të reagojnë edhe mediet serbe, për shkak se kënga u pat xhiruar brenda objektit të papërfunduar të kishës ortodokse në Prishtinë, shkruan lapsi.al./KultPlus.com

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë

Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë. Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.

Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich

Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë. Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për armët e tjera të Skënderbeut. Në inventarin e vitit 1585 këto objekte nuk ishin të shënuara ende. Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet: “Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”. Prej këtyre shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se elmi dhe dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës Arescot. Ekzaktësisht në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe 345 (550). Aty shënohet: “George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme, ndërsa tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut. Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550), ku shkruhet: Në një kornizë me ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita, me kokën dhe mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili.

Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës. Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”. Pesha e përkrenares është 3000gr.

Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.

Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.

Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.

Armët e Skënderbeut më 20 nëntor në Shqipëri
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mbërrijnë në Shqipëri më 20 nëntor. Këtë e bën me dije për tv ‘abc news’ drejtori i muzeut historik Luan Malltezi. Kështu është rënë dakord sipas Malltezit pas konsultimeve të bëra një ditë më parë mes specialistëve të muzeut mesjetar të Austrisë dhe specialistëve të palës shqiptare. Reliket e çmuara do të ekspozohen më 27 nëntor në një ekspozitë unike dhe më të rëndësishmet thotë Malltezi. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen në pavionin e mesjetës për një muaj e gjysëm ato do të ekspozohen në kushte të plota të sigurisë, pasi Muzeu është i pajisur me sistem të plotë sigurie. Kostoja e sjelljes së tyre për herë të parë në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë u mundësua nga qeveria shqiptare në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Topalli falënderon Parlamentin e Austrisë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës të Skënderbeut

Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar e posaçme në ceremoninë zyrtare të çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marrëdhëniet shqiptaro- austriake.” Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zoti Erhard Busek, ish zëvendëskryeministër i Austrisë si dhe deputetë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Në këtë ceremoni Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George, etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën. Kryetarja e Kuvendit falenderoi Parlamenti Austriak dhe Kryetaren e tij Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vienës. “Dua të falënderoj qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ta festojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë, që është ditëlindja jonë më e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Historia e vulës së Heroit Kombëtar në Danimarkë

Në vitin 2003 studiuesi danez Peter Pentz pretendoi se zbuloi vulën origjinale të Skënderbeut. Me një histori si ajo e armëve, vula kishte përfunduar në muzeun historik danez. Por pas mbërritjes së saj në Shqipëri, specialistët dhe historianë të ndryshëm deklaruan se vula nuk është e Skënderbeut. Analiza e specialistëve arriti në përfundimin se ajo është një vulë fiktive. Megjithatë jo të gjithë mendojnë se vula mund të mos i përkas heroit tonë kombëtar. Vula mendohet se u është blerë pasardhësve të Skënderbeut në vitin 1614. Vula është arkivuar në vitin 1838 dhe mban numrin 44. Ajo klasifikohej si objekt i perandorisë osmane. Në qendër të vulës është shqiponja me dy kokë dhe rreth saj mund të dallohen disa germa cirilike ku shkruhet: Alb-Servil.Boulgary. Aleksandro.Eleso”. Poshtë shqiponjës është vizatuar një kafshë duke vrapuar. Vula është prej material bronxi, në të cilën janë gdhendur shenjat heraldike së bashku me emrat. Mendohet se ka përfunduar në oborrin mbretëror të Danimarkës rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shkëmbimeve me oborrin austriak. Muzeu Kombëtar i Danimarkës e ka blere vulën në vitin 1839, në një. Përpara se të sillej në këtë muze vula i përkiste dhomës së artit mbretëror danez.

tiranaobserver.al

Buxhovi: Politikanët e papërgjegjshëm në Tiranë dhe Prishtinë rrezikojnë idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prishtinë dhe Prizren nxori në pah gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët në të dy shtetet e tyre nga politikat kriminale dhe nga inferioriteti i elitës politike, vasale ndaj asaj politike.

KultPlus:140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përcoll me shumë probleme: nga ato organizative, politike dhe të tjera, me çka fitohet përshtypja se në shumë aspekte ajo edhe u nëpërkëmb?
J. Buxhovi:
Shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të duhej të ishte ndryshe nga të gjitha aspektet, por ajo që ndodhi në Prizren pardje në të ashtuquajturin manifestim qendror, nxjerr në pah gjendjen e vërtetë në të cilën ndodhen shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, po edhe në Maqedoni, që nuk mund të quhet ndryshe pos politikë që bie në kundërshtim me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Rilindjes Kombëtare në përgjithësi. Në Prizren, u demonstrua një anarki e paparë dhe një primitivizëm ofendues për një manifestim të tillë. Nëse, para dyzet vitesh, më 1978, në Prizren u demonstrua nacionalizmi shqiptar i një niveli institucional në kërkim të shtetit, në vitin 2018, u demonstrua kultura më e ultë kundër shtetit dhe shqiptarizmit, po edhe kundër vlerave të qytetërimit perëndimor!

KultPlus: Zini ngojë politikën që bie ndesh me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ato të Rilindjes Kombëtare. Si mund ta arsyetoni këtë?
J. Buxhovi:
Krahas bashkimit të etnisë shqiptare, nga katër vilajete sa përfshinte ajo në Perandorinë Osmane, në një vilajet autonom ose siç quhej edhe “Shqipëri osmane”, që do të kthehej në shtet të pavarur (Shqipëri evropiane), sapo të krijoheshin rrethanat, Rilindja Kombëtare kishte shpallur edhe disa kërkesa të tjera,që duhej ta përcillnin këtë projekt. Ndër të cilat më të rëndësishme ishin: përkatësia e qytetërimit evropian dhe kultura kombëtare (shqiptarizmi) si bosht që duhej t’i përkitnin asaj.

Nëse mund të thuhet se me Shqipërinë dhe Kosovën – shtete të pavarura dhe, faktorin shqiptar në Maqedoni, afër pozitës së faktorit shtetformues (po qe se barazinë do ta fokusojë te kjo çështje dhe jo te multietniciteti), në njëfarë mënyre, përmbushet kërkesa e njohur për përfshirjen e katër vilajeteve shqiptare në një tërësi shtetërore, megjithatë konfigurimi i përshtatshëm politik, që erdhi me shtetin e Kosovës si një projekt i Perëndimit si dhe tranzicioni demokratik në Shqipëri, nuk po përcillen me faktorët tjerë, në radhë të parë me ata politikë, që kanë të bëjë me rrumbullakimin e idealeve të Rilindjes Kombëtare.

Kur thuhet kështu, kihet parasysh se klasa politike në Tiranë, Prishtinë dhe ajo në Shkup përgjegjësinë e bërjes së shtetit në përputhje me këto ideale, ku përkushtimi për liri, demokraci, shoqëri të lirë dhe të emancipuar në përputhje me vlerat e një qytetërimi perëndimor, që do ta integronin në familjen e bashkuar evropiane dhe atë veriatlantike, e ka zëvendësuar me atë të interesave të ngushta personale për përfitime materiale me anën e metodave kriminale. Të etiketuara me të drejtë si “poligone rajonale të krimit të organizuar”, Shqipërisë i është vështirësuar anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa Kosovës thuajse i janë mbyllur që të gjitha dyert për andej. Në këtë aspekt, shpresëdhënës shfaqet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por kjo nuk mjafton, ngaqë pa aspektin e integrimit politik, Shqipërinë do ta kthente në një bazë ushtarake dhe asgjë më shumë, ndërsa hapësirën tjetër në një poligon eksperimentues për interesa të ndryshme, “tretman” ky që do t’u shkonte për shtati strukturave kriminale të të gjitha ngjyrave si dhe qendrave të jashtme.

Pra, shikuar nga kjo pikëpamje, oligarkët nga radhët e politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, shoqërinë shqiptare po e largojnë nga qytetërimi evropian dhe integrimet në të. Rilindasit tanë, sidomos ata që morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, jo vetëm që derdhën dhe shkrinë mendjen për qëllimet e saj, por edhe pasurinë dhe gjakun madje. Drejtuesit kryesor të Lidhjes, Abdyli, Haxhi Prizreni, Sulejman Vokshi, Mehmet Korenica e shumë e shumë të tjerë si dhe ata që u përfshinë në kryengritjet e viteve 1908-1912 (Hasan Prishtina dhe të tjerët) mund të shërbejnë vazhdimisht si shembull i sjelljes patriotike në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë si dhe shtetit dhe jo të shfrytëzimit të tij për qëllime personale, siç ngjet me pjesën më të madhe të politikanëve tanë, të cilët “luftën” e kthyen në një mjet përfitues. Rilindasit tanë, ndonëse patën vështirësi me kapërcimin e mentaliteteve nga ai oriental në atë evropianë si dhe me përballimin e ndasive fetare, duke i kthyer ato në faktorë integrues të shqiptarizmit, siç ndodhi me sloganin “feja e shqiptarit është shqiptarizmi”, ia dolën që Shqipëria të përballojë sfidat e jashtëzakonshme si dhe vështirësitë e shumta që i vinin nga kundërshtarët e saj të shumtë, që bënin çmos që të jenë mentalitet e tejkaluara historikisht (logjika fisnore, mungesa e kulturës për shtetin) dhe diveristeti fetare ato që ta dështojnë shtetin shqiptar që të shkëputet nga trashëgimia osmane.

Ndërsa sot, kur po shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një shekull i shtetit shqiptar si dhe dhjetë vjet të shtetit të Kosovës, në saje të politikave të papërgjegjshme në Tiranë dhe Prishtinë, karakteri laik i shtetit, që fetishohej nga rilindësit, nëpërkëmbet duke ia hapur dyert religjionit, jo si e drejtë e patjetërsueshme e individit për besim të lirë, por si përcaktim politik. Kështu që shqiptarët, në këtë gjendje, ndodhen në një udhëkryq antihistorik, që mund t’ua rrezikojë jo vetëm shtetet, por edhe qenien, ngaqë hipoteka e “mbetjeve të rrezikshme radikale islamike në Europë”, i kthen te programet e Çubrilloviqi dhe ngjashmet me të cilat janë ushtruar gjenocidet e njohura mbi ta.

Është për t’u habtur se si diskursi i rikthimit të religjionit mbi atë kombëtar,i ndihmuar nga elitat politike shqiptare në pushtet, që prek edhe identitetin kulturor dhe atë qytetërues duke e zëvendësuar atë nga dita në ditë, shikohet me inferioritet nga qarqet intelektuale, shkencore dhe akademike, ndonëse ajo prek shtyllat kryesore të identitetit historik për të cilin është derdhur aq shumë dije, mund dhe gjak?!

KultPlus: Nga punimet e dy sesioneve shkencore, ai nga Akademia e Shkencave në Prishtinë si dhe në Prizren dy ditë më vonë i organizuar nga Institutet e Historisë të Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit fitohet përshtypja se bota shqiptare thuajse i ka përballuar sfidat, që ju po i quani në kundërshtim me idealet kombëtare, ngaqë aty u tha se shqiptarët gjenden në një rrugë kur po i realizojnë ato në përputhje me linjat globale të natyrës gjeostrategjike dhe gjeopolitike?
J. Buxhovi:
Ato që i quani “sesione shkencore” në Prishtinë dhe Prizren, përkundër firmave “akademike” dhe të instituteve të historisë, më së paku ishin shkencore. Në Prishtinë dhe Prizren u mblodhën “akademikë” dhe historianë për t’u shërbyer dekorit të politikës së papërgjegjshme në Prishtinë dhe Tiranë, me ç’rast, u bë përpjekje që gjendja e rëndë në të cilën gjendet dy shtetet shqiptare, ku grupet mafioze dhe ato kriminale diktojnë politikën antishqiptare, ta paraqesin “të arritur historike në frymën e Lidhjes Shqiptare”! Nëse kalohet kalimthi nëpër ato që u thanë dhe u lexuan në këto “simpoziume shkencore”, bie në sy se aty kishte vetëm mbllaçitje të stereotipeve të njohura ideologjike dhe folklorike nga e kaluara, pa asnjë përpjekje që ato të tejkalohen. Madje, në ato kumtesa, serish, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit flitet me “argumentet” e historianëve të Beogradit rreth Kongresit të Berlinit, që dihet se çfarë janë.

Kështu, edhe në këto “simpoziume” folësit treguan se janë pjesë e kësaj politike si dhe në shërbim të tyre dhe jo të shkencës, gjë që as që mund të ishte ndryshe kur shumica prej tyre është akomoduar si aktivistë të partive politike, me diploma të kurdisura dhe tituj “shkencor” nga kruzhoqet politike!
Të tillët jo vetëm që nuk janë në gjendje të flasin për sfidat e ardhshme me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, por as të jenë kritik ndaj faktorëve që bien ndesh me idealet e Rilindjes Kombëtare dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rrezikimin e shteteve shqiptare (koketimi me islamin politik) dhe fenomenet tjera.

Të tillët, madje, nuk janë në gjendje, që së paku të thonë ndonjë fjalë se si Prizreni, kryeqendra e nacionalizmit politik prej ku nisën fillet e rikthimit të shtetit shqiptar në histori, në katalogjet që ka përgatitur Komuna e Prizrenit, të aprovuara nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës para katër vitesh, paraqitet si “qendër e kulturës mesjetare sere” dhe “e shtetit mesjetar serb” dhe “qendër e kulturës turke dhe islame”!/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Izraelit publikon Kur’anin e rrallë

Një Kur’an i shekullit të 10-të, i veçantë në përmasë e stil, është shfaqur për herë të parë si pjesë e një koleksioni të teksteve islame në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit në kuadër të muajit të Ramazanit.

Të 16 tekstet, të gjitha nga shekulli i 10-të deri në shekullin e 18-të, shfaqen në një dhomë të vogël, me një hyrje të zbukuruar me lule që u ngjajnë dorëshkrimeve në vitrinë. “Ne kemi hapur një ekspozitë të vogël, por madhështore, me dorëshkrime të bukura e të rralla islame që tregojnë historinë e kulturës islame për mbi një mijë vjet”, tha kuratorja Raquel Ukeles.

“Këtu në Izrael, ku kultura hebreje me kulturën e shumicës e kulturat e minoriteteve, shpesh nuk marrin kohë të mjaftueshme apo hapësirë prezantimi, e detyron Bibliotekën Kombëtare që të marrë një rol në mbledhjen e trashëgimisë islame, me mision tërheqjen e vëmendjes dhe ngacmimin e ndërgjegjes sociale dhe kulturore të Izraelit mbi kulturën e Islamit”, theksoi ajo.

Dhe në ekspozitën e quajtur “Zgjidh perla nga Islami”, veçon një Kur’an jashtëzakonisht i vogël dhe i brishtë i shekullit të 10-të, 68 me 37 milimetra, i cili i është shfaqur publikut për herë të parë. “Kjo është një relike e brishtë, por e mirëmbajtur”, tha Ukeles. Biblioteka ka një koleksion prej 1,800 dorëshkrimesh islame dhe kjo është ekspozita e parë e tillë për të gjithë Ramazanin, sqaroi Ukeles. Koleksioni përfshin kuranë të tjerë shekullorë, fletushka dhe ilustrime. /tesheshi.com/

Moda beduine e iftareve në rrugë e në çadra

Shkruan:Gani Mehmetaj

1. Shtrimi i iftareve (darkave beduine) në rrugë, trotuare e në çadra është fenomen (i ri), i shëmtuar që e ka pushtuar Dardaninë. Kur i sheh të mjerët e Dardanisë se si e çapëlejnë kofshën e pulës si të mos kishin ngrënë me javë, të mbërthen sikleti. Nuk e di jemi në shkretëtirën arabe të shekullit VII, apo në Dardaninë evropiane të shekullit XXI. Si pa të keq modën beduine të iftareve në rrugë e filluan shoqatat vehabiste-terroriste, e vazhduan shoqatat tjera islamike të burimeve të dyshimta financiare, ndërsa tash në organizimin e iftareve mbizotëron KFOR-i turk e ambasada turke, që i fusin duart kudo. Të përzihet në lukth kur sheh qindra burra e fëmijë, të veshur keq si të ishin në shkretëtirën arabe, që kanë bërë rrugë tërë ditën pas deveve (gamileve). Fatkeqësisht KFOR-i turk, pos varfërisë së shqiptarëve, e shfrytëzon edhe varfërinë e skajshme të komunitetit jevgë që vijnë për bukën e gojës nga Shqipëria.
2. Moda e darkave beduine i ka infektuar zyrtarët “evropianë” të kryeqytetit e të qyteteve provinciale mu sikur infektoheshin kur ishin fëmijë nga zhuga. I ngjitet njërit zhuga, i kalon tjetrit. Organizojnë shtetarët iftare për t’ia bërë qefin Turqisë e shteteve arabe, organizojnë iftare për të përfituar për xhepin e tyre, sepse për vota nuk e bëjnë, përkundrazi humbasin vota.
Hoqën dorë këta shkretanë nga darka tradicionale shqiptare-Darka e Lamës dhe e përqafuan darkën arabe.
3. Zhuga e darkave beduine (iftareve) i ka infektuara edhe disa kategori të intelektualeve të rrejshëm që e imitojnë beduinin e deveve si majmuni njeriun. Nuk agjërojnë, nuk e respektojnë asnjë rit myslimanë, e megjithatë janë dyfytyrësh e konformistë, thërrasin mysafirë për iftar, ose shkojnë mysafirë në iftare, mu si shkonim dikur në darkat evropiane në fundjavë me miq. Çfarë degjenerimi moral e kulturorë, çfarë turpi!

Një burrë i dashuruar në Paris

Miranda Shehu-Xhilaga

Po lexoja diçka në lidhje me profesionin tim një ditë të zakonshme pune, kur papritur kolegu im, që sapo ishte kthyer nga pushimet, fut kokën në derë dhe më pyet: – Ty të pëlqen Parisi apo jo Miranda? Ngrita sytë dhe duke kuptuar që biseda ishte sjellë rreth Parisit mes kolegësh për disa minuta dhe buzëqeshur ia ktheva me pyetje: – Po ty? – Ah, sikur të mund të shkoja dy herë në vit! Nuk do t’i shmangesha aspak udhëtimit prej 22 orësh, – ma ktheu ai. John jeton në periferi të Melburnit.

Ai është një burrë i gjatë e i bëshëm, i thjeshtë e krenar, në të pesëdhjetat, me dy fëmijë dhe flet me një dialekt të rëndë vendas. Australia ka magjinë e vet, Melburni është një nga qytetet më të bukura metropolitane të botës por, natyrisht, John ka rënë në dashuri me Parisin! E kush nuk e vizitoi Parisin e nuk u dashurua me të! Në librin e tij Paris gjer në Hënë, autori amerikan, Adam Gopnick, do të shkruante: “Kam dashur të jetoj në Paris që kur isha 8 vjeç. Kisha shumë imazhe të atij qyteti në kokë dhe bile edhe një objekt që më vonë u bë një ikonë e dhomës sime …”. Fjalë që mund t’i kishte shkruar secili prej nesh. I kishim të gjithë në kokë imazhet e qytetit të dritave, të urave, të autorëve tanë të zemrës e të dashurisë.

Si Gopnik, edhe unë kisha një objekt të thjeshtë në një nga sirtarët e komodinës së vjetër: një kartolinë që kishte udhëtuar nga Parisi në Peshkopi në vitin 1976. Mbartte vlerën e një thesari të vërtetë, një shkëndijë që ndezi ëndrrën. Historia ime e dashurisë me Parisin ka filluar herët, që në ditët kur mësonim frëngjisht në qytetin e vogël verior. Orët tona të mësimit ishin kthyer tashmë në leksione magjepsëse rreth një qyteti për të cilin kishim lexuar vetëm në libra. Përpinim me sy çdo fjalë që dilte nga goja e mësuesit tonë të ri dhe imagjinonim sikur ishim atje. Do ta vizitoja Parisin për herë të parë në fillim të vitit 1993, gjatë kohës që ndiqja studimet pasuniversitare në jug të Francës.

Pas tetë orësh rrugë me makinë e mbajta frymën aty ku e mbajnë të gjithë turistët e huaj që shkojnë në Paris për herë të parë; në vendin ku të gjithë bëjnë një foto. E vetmja pyetje është të ngjitesh lart në kullë apo ta bësh foton në këmbët e saj. Të dyja? Sigurisht! Për tetë orë të tëra (sepse koha ishte e paktë) iu rashë pash më pash atyre rrugëve duke vizituar sigurisht Louvre, të parin muze në listën time të gjatë.

Më pezmatoi fakti që nuk bëja dot asnjë foto, nuk lejohej (kisha një aparat që ma kishte dërguar motra ime Lida, nga Gjermania), megjithatë kjo nuk ma uli dozën e ngazëllimit që provova. Por është interesant fakti që isha aty, aq pranë gjithçkaje, e akoma nuk më besohej se këmbët e mia ecnin në rrugët e atij qyteti. Ecja në ajër!

Dhe në atë çast kuptova përse vizitorë nga e gjithë bota thonë se kanë një marrëdhënie dashurie me qytetin. Do ta vizitoja përsëri Parisin pesë vjet më vonë, rrugës nga Melburni për në Tiranë. Me mikeshën time të ngushtë Blertën do të shkonim përsëri në Louvre, do të shëtisnim në Champs Elysées; do të shkonim në Musée d’Orsay, do t’u binim gjerë e gjatë rrugëve të Montparnasse e do të provonim të gjitha delikatesat e kuzhinës franceze. Dhjetë vjet më vonë do të punoja për disa muaj në Institut de Biologie Moléculaire et Cellulaire në Strasburg e do ta vizitoja përsëri, pothuajse çdo vit, këtë qytet të ëndrrave e dëshirave, artit e kulturës, sharmit të pashoq. Por ç’bën një turist në Paris pasi ka vizituar Tour Eiffel, Arc de Triomphe, Musée de Louvre, Notre-Dame de Paris, Moulin Rouge, Jardins de Tuileries, Jardin de Luxemburg, Musée Rodin e të tjera, që ka bërë një shëtitje në Champs Elysées e një foto te Harku i Triumfit?

Ato që në anglisht quhen land marks nuk janë veçse “fiziku” i këtij qyteti, kostumi i tij prej cohe të shtrenjtë; ajo çka gjendet nën këtë kostum është një thesar për mendjen e shpirtin, kënaqësinë e syrit e të zemrës, Parisi i vërtetë i kulturës e artit që të sjell përsëri e përsëri aty. Sa më shumë e viziton, aq më shumë dëshiron t’i rikthehesh, e befas kupton se një dëshirë e zjarrtë të digjet në gji: të jesh pjesë e këtij qyteti. Magjia ka ndodhur tashmë. E kur kjo ndodh, si në çdo marrëdhënie, fillon të mendosh për mundësi të tjera për t’u “takuar”, gërmon më thellë në jetën e tij, rrekesh të njihesh më nga afër me të.

Rrugët mbajnë emrat e autorëve të zemrës së ditëve të rinisë, në varrezat e famshme prehen titanët e letrave, mendimit e pikturës, (vetëm në Paris ndodh të shkosh për një vizitë në varreza e të ngazëllehesh!). Kafenetë gëlojnë nga zërat e piktorëve më të mëdhenj të kohërave, ata janë aty, pas paletave të tyre varur në mure si relikte të shtrenjta. Pothuajse çdo gjë është e mundur këtu … Hireve të këtij qyteti iu kanë kënduar të gjithë poetët e botës.

Mund të qëndrosh me javë e muaj të tërë aty e çdo ditë të zbulosh diçka të re. Një “bonus” i shtuar është se në Paris jeton një komunitet i shkëlqyer shqiptarësh e mes tyre ca nga miqtë mi më të mirë, të rinj e të vjetër. Është mëkat të vij në Paris e të mos pi një kafe a një gotë verë me Luanin dhe Anilën, të rigjendemi me Aurorën, të qesh me zë me Lirinë në një restorant të vogël në një qoshe jo larg Invalides, të vizitoj Blertën, Aleksandrin e djemtë, e të pi një kafe gourmande me Fulvian. Atë natë të 28 marsit të vitit 2017 do të merrja pjesë në mbrëmjen e organizuar enkas për diskutimet rreth librit Zotërit kishin të drejtë të Leon Rey, ku do të takoja Luanin, djalin e vajzën e arkeologut Rey, Geraldine e Jean-Gabriel, dhe do të takoja Etlevën, Anilën e më pas Axelin.

Të nesërmen, do të kisha fatin të ecja nëpër rrugicat më të bukura të Parisit për pak kohë me Luanin e të dëgjoja nga goja e tij histori të shumta të poetëve e artistëve më të mëdhenj të kohës që njëherë e një kohë e thërrisnin këtë qytet “shtëpi”. Ata aty i kishin mbyllur sytë. Ai i njeh këto rrugë përmendësh, i di historitë e këtyre rrugicave e banorëve të tyre të talentuar me detaje dhe ti e ndjek tek flet me atë zë të qetë, e thua me vete: si ka mundësi që truri i njeriut të mund të strehojë kaq shumë njohuri. Një kujtesë e hekurt! Nga bulevardi Saint Germain vazhdojmë në Rue de Seine e pastaj në Rue des Beaux Arts. Nga La Palette te hotel d’Alsace ose L’Hotel, siç njihet sot, ku kanë jetuar Oscar Wilde dhe Jorge Luis Borges. – Oscar Wilde ka vdekur aty, – thotë Luani, – i pamundur të paguajë edhe dhomën e tij. Kur vinte në Paris, Borges rrinte vetëm këtu. Hyjmë në holl, ku ai më tregon arkitekturën interesante të këtij hoteli.

Personeli i hotelit është mësuar me vizitorët që kalojnë aty pari e fusin kokën të shuajnë kërshërinë. Kafenë e pimë në Café Procope, që gjendet në rrugën e Komedisë së vjetër, kafeneja më e vjetër e Parisit dhe e botës, vend ku takoheshin disa nga filozofët e krijuesit më të mëdhenj të kohës. “Edhe Benjamin Franklin e ka frekuentuar këtë kafe”, më thotë Luani. Rrugës për te Jardins des Tuileries apo Kopshtet e Mbretëreshës,

Luani do të më tregonte për fundin e tmerrshëm të Voltaire dhe ndërtesën në të cilën ka vdekur, sesi kisha katolike nuk pranoi ta varroste dhe sesi do të duhej ta vishnin me kostum e ta ulnin në një karrocë si të ishte i gjallë për ta transportuar fshehurazi larg, në një kishë fshati, ku do të kalonte momentet e fundit para varrimit. Jardins des Tuileries janë zbukuruar me skulpturat e artistit Aristide Maillol, me hiret e modeles së tij besnike, Dina, mikja e ngushtë që e shoqëroi gjatë viteve të fundit të jetës së tij; një mrekulli për syrin e shpirtin.

Plot 4 orë e 6 km në këmbë! Edhe një ushtrim fizik i këndshëm për trupin! Kur vij në Paris, qëndroj gjithnjë në një nga hotelet sharmante të Montparnasse, në mënyrë që të jem afër këtyre relikteve të famshme që jo vetëm i kanë qëndruar kohës, por janë bërë pikëtakimet e dashamirësve parisianë në të gjithë botën. Këtë vit, bëra përsëri turistin e mirëfilltë me motrat e mia Lidën dhe Edën, dhe pastaj vizitova shtëpinë muze të Bourdelle në 18 Rue Antoine Bourdelle, në Parisin XV, si dhe varret e Charles Baudelaire apo Jean Paul Sartre et Simone De Beauvoir.

Si grua që jam, gjeta gjithashtu pak kohë të vizitoj Le Grand Musée du Parfum në Rue du Faubourg Saint-Honoré, një mrekulli arkitekturale e shekullit XIX, një eksperiencë e veçantë për shqisën e nuhatjes e shpirtin, një udhëtim interesant përmes historisë e shkencës së krijimit të parfumeve. Preludi i kësaj vizite ishte mbrëmja e mrekullueshme poetike mes miqsh organizuar nga mikesha ime e vjetër Liri. Lili, siç e thërras unë, lexoi edhe një nga poezitë e mia atë natë, një poezi e shkurtër, të cilën e kisha shkruar mëngjesin e ditës së parë që u gdhiva në Paris; një mbrëmje që do të mbetet përgjithnjë një kujtim i bukur në kujtesën time, mes vizitave të mia të kaluara e të ardhshme në qytetin tim të zemrës.

Në të vërtetë, udhëtimi im i fundit në Paris nuk ishte ky që sapo përmenda më lart, por ai të cilin ndërmora kur po lexoja Mbresa parisiane. Ç’dhuratë e vyer për mua; nga një “e dashuruar” me qytetin te tjetri. Nëse doni të dini për marrëdhëniet e këtij qyteti me njerëzit, kujtimet, baret e famshme madje edhe jetën seksuale, mund të lexoni Brenda një perle, Shëtitësi apo Parisi ynë, skica kujtimesh të autorit amerikan Edmund White. Nëse dëshironi të zbuloni marrëdhëniet e këtij qyteti me kulinarinë, lexoni Jeta e ëmbël në Paris e David Lebovitz (një nga kuzhinierët më të famshëm, bloger e autor që jeton në Parisin 11), e nëse doni të dini për jetën e përditshme të borgjezisë parisiane drejtohuni te Paris gjer në Hënë, të Adam Gopnik (më 1995-n, The New Yorker e dërgoi atë me punë në Paris të shkruante për Paris Journal.

Pas kthimit në New York ai do t’i përmblidhte shkrimet e tij rreth jetës në këtë qytet të botës dhe libri i tij do të ishte bestselleri i vitit). Por nëse doni të zhyteni në pasurinë e vërtetë të këtij qyteti, atë çka ai i ofron shpirtit njerëzor, të ecni në kthinat e qoshet e tij, të përjetoni historinë e marrëdhëniet e tij me figurat letraro-artistike të dy shekujve, si dhe ku kanë lindur disa nga veprat me të lexuara e të cituara në botë, ku kanë lindur e vdekur titanët e mendimit filozofik francez e më gjerë, atëherë merrni në duar Mbresa parisiane.

Është një histori dashurie, një ftesë, një grishje, e cila përmes detajesh marramendëse, forcës, thellësisë e saktësisë së fjalës, përcjell disa nga faktet më të rëndësishme artistike, letrare e kulturore të kohës, copëza të artit e kulturës që gjallon e rreh në zemrën e këtij qyteti. Është një “guidë” kulturore e historike, një shëtitje e këndshme, një gosti e bollshme të marra së bashku, servirur me përkushtim e finesë, ashtu siç di vetëm Luan Rama.

Ky publikim i vyer e i denjë për çdo bibliotekë, iu bashkëngjitet Përballë tablosë dhe Parisi letrar të këtij autori, duke formuar kështu një trilogji të përkorë, në gjuhën tonë të bukur. Bon Appetit! .

(gazeta-Shqip.com)

Këto 10 gjëra do t’ju ndodhin, kur filloni të lexoni më shumë

1.Do të gjeni një shteg të sigurt për të shpëtuar

Kur jeta bëhet e vështirë, dërrmuese, ose thjeshtë e mërzitshme, nuk është nevoja të gjeni prehje tek droga dhe alkooli. Kursejini paratë… Merrni një kartë biblioteke, ose filloni të shkarkoni disa prej atyre mijëra librave që ofrohen falas. Humbisni në një tregim. Humbisni në një botë tjetër. Është e mbartshme: është shtegu juaj personal i shpëtimit, kur duket se gjërat janë vërtetë shumë të ngarkuara.

2.Do të kuptoni se keni një familje

Dakord, keni prindër dhe ndoshta motra e vëllezër, dhe një mori hallash e xhaxhallarësh, tezesh e dajash, si dhe kushërinj, gjyshër e kështu me radhë. Ose ndoshta jo. Ndoshta ndiheni i vetmuar në botë, i braktisur. Nëse jeni jetim në kuptimin e vërtetë të fjalës, ose ndiheni si i tillë, nëse nuk përputheni fare me familjen që keni, duke u bërë një lexuesi rregullt, ju gjeni një mënyrë për të gjetur familjen me të cilën mund të përputheni. Është një familje mbarëbotërore, totalisht e hapur dhe me të vërtetë e jashtëzakonshme. Është familja e lexuesve. E të apasionuarve pas librave. E atyre që ndihen të varur nga letërsia. Bibliofilët. Bëhuni një prej tyre, dhe do keni një familje të zgjeruar e të kudondodhur.

3.Bëheni pjesë e një bisede globale, të përjetshme

Librat janë rruga me të cilën e shkuara komunikon me ne. Dhe librat janë rruga që ne komunikojmë, përmes kulturave dhe kufijve kombëtarë, përmes linjave shoqërore dhe ndarjeve klasore. Librat na lejojnë të hyjmë në jetët dhe botën e secilit, në një mënyrë krejt të rezervuar, por tre dimensionale.

4.Do të mësoni të flisni bukur

Leximi është rruga më pa mundime për të përmirësuar fjalorin tuaj, shqiptimin dhe aftësitë gramatikore. Lexoni më shumë, dhe do të keni mundësi të qeshni nën zë, kur shokët tuaj postojnë statuse të përditësuara në Facebook, me gabime skandaloze. Ju mund të korrigjoni përdorimin e gabuar që u bëjnë ata fjalëve të zakonshme. Mund të jeni “tirani” gramatikor, që keni ëndërruar gjithmonë të jeni.

5.Mezi do të presësh radhët, pushimet, sallat e pritjes

Kjo mund të jetë, në fakt, pika më e madhe e kthesës në jetën tuaj. Në vend që të trokasësh këmbën me padurim, duke bërë uf e puf apo të tregosh inatin dhe zemërimin në një mënyrë të papranueshme shoqërore, ti mundet thjesht… të lexosh. Kujtdo libri që i je futur momentalisht, duhet ta marrësh me vete, në xhepin ose në portofolin tënd. Nxirre dhe ke gjetur zbavitjen, shoqërinë, dhe stimulin intelektual. Të gjitha në një “paketë të lëvizshme”. Leximi të krijon mundësinë të jesh i lumtur në çdo kohë, kudo. Është superfuqi për të cilën gjithsecili ka nevojë.

6.Do të bëhesh një njeri më i këndshëm

Ti ndoshta nuk do t’ia dish që të bëhesh njeri më i këndshëm, por njerëzit në jetën tënde duan. Leximi të lejon të provosh emocionet e dikujt tjetër, gjë që të bën automatikisht të ndjeshëm ndaj atyre që të rrethojnë. Ndoshta nuk keni qenë asnjëherë viktimë e racizmit, abuzimit, ose varfërisë. Ndoshta ti nuk e di sesi ndihet dikush që ofron dashuri dhe nuk e merr mbrapsht. Ndoshta ty të duket më e lehtë të kritikosh, sesa të simpatizosh. Leximi nuk do të t’i shuajë krejt paragjykimet, por do të të ndihmojë shumë që t’i reduktosh. Dhe nxito, për të qenë më i ndjeshëm ndaj të tjerëve. Sepse kur ti jeton jetën e të tjerëve përmes librave, fillon të shohësh jetët e atyre që të rrethojnë. Jetë për të cilat nuk di asgjë, shkruan bota.al

7.Do të mësosh gjëra të reja

Edhe nëse gjithçka që ti lexon është trillim, mund të mësosh shumë rreth influencave kulturore, marrëdhënieve, historisë, frikës, psikologjisë njerëzore, shprehjeve të ndryshme të shpirtërores, efektet e luftës, mënyrat sesi robotët të pushtojnë botën, dhe se si superheronjtë ia dalin t’i mbajnë të pastra pelerinat e tyre. I gjithi informacion shumë i dobishëm. Do më shumë? Futu artit të bazuar në realen, biografive, historisë. Shmang librat për ngjarjet e momentit. Lexo histori në vend të kësaj; ti do të mësosh më shumë rreth ngjarjeve aktuale, duke lexuar për ato historike. Rend pas librave që fillojnë me: “Si të…”. Kujtime. Shkencë. Eksplorim.

8.Do të zbulosh se ishe më “budalla” se sa e kishe menduar

Përpara se të nisje leximin, ti mendoje se kishe një mëndje mjaft të hapur, apo jo? Mendoje se dije shumë, se ti kishe një perspektivë të zgjeruar për jetën, dhe një ide shumë të saktë për botën dhe mënyrën si funksiononin gjërat. Dhe pastaj ti fillove të lexosh. Ndoshta ata pak libra të parë nuk ishin ndonjë gjë e madhe. Ata ndoshta të mbajtën ty të sigurt në zonën tënde të rehatisë. Por sapo një tjetër pjesëtar i familjes së madhe të lexuesve të dha një rekomandim, ndjeve se skajet e mendjes tënde filluan të çahen e hapen paksa. Një dritëz të vogël nisi të depërtonte brenda dhe fillove të shihje pjesën e brendshme të mendjes tënde ashtu siç ishte në të vërtetë: e errët, me pluhur, dhe e mbushur plot hamendësime. Ti vazhdove të lexosh, dhe sa më shumë lexoje, aq më shumë ato të çarat filluan të hapen. Një nga një, ato hamendësime rrëshqitën dhe shkanë jashtë të çarave. Drita rritej. Ajri pastrohej. Fillove të populloje mendjen me gjëra të ndryshme: imazhe, biseda, perceptime, kuptime, të dhëna. Poezi. Fragmente jetësh të cilat nuk i ke jetuar, por që i provove përmes një libri. Emocione që nuk të përkisnin ty, por që i ndjeve po aq fuqishëm. Gjëra të vërteta, nga bota reale, në vend të atij rafti të vjetër të hamendësimeve dhe shpresave të kota.

9.Do të jesh më shumë krijues

Ndërsa e mbush mendjen tënde me material të freskët nga të gjithë këta libra, diçka e mrekullueshme fillon të ndodhë. Mendja jote zgjohet. Krijimtaria ka të bëjë me gjetjen e lidhjeve. Njerëzit krijues në jetë, ata që ne i admirojmë për zotësinë e tyre, janë ata të cilët mund t’i bëjnë ato lidhje me të vërtetë mirë. Ata kanë një fond të gjerë njohurish. Ata e lënë poezinë të depërtojë në shkencë, lënë besimin dhe historinë të ecin bashkë. Leximi të ndihmon të mbushësh mendjen tënde nga sa më shumë burime që dëshiron, dhe pastaj ta lësh të gjithë atë gjë të bukur të trazohet e të përzihet, në mënyrën që ti vetë dëshiron, shkruan bota.al

10.Do të bëhesh më shumë imagjinues dhe më pak i frikësuar nga të qenurit i çuditshëm

Kur lexon libra të cilat janë produkt i imagjinatës së dikujt tjetër, ti fillon t’i besosh vetë imagjinatës tënde, dhe ta përdorësh atë. Çfarë ideje madhështore! Ta përdorësh atë copë tru, në të gjithë potencialin e vet “të çmendur”. Leximi do të ndihmojë ta bësh atë. Nëse ti e ndien se mendja jote është e çuditshme, fillo të lexosh. Pas disa rendjeve përmes botës së surealizmit ose trillit shkencor, ti do të ndihesh si njeriu më normal në botë. Kush janë këta njerëz të çmendur, të cilët dalin me këto ide fantastike të çuditshme? Sigurisht, ti do të duash të lexosh më shumë. Dhe atëherë vetë imagjinata jote do të fillojë të bluajë çfarë ti ke lexuar, në jetën reale, do t’i shtosh në koleksionin tënd unik të informacionit, eksperiencë, edukim, dhe personalitet/portalb

Babai i gjashtë fëmijëve që bëri për vete për pak ditë 22 milionë njerëz (VIDEO)

Michael Ketterer sfidoi vetën në America’s Got Talent, dhe kur u ngjit në skenë ishte mjaftë nervoz, shkruan KultPlus.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe gjashtë fëmijët e tyre, ai ka mahnitë audiencën me zërin e tij të thellë, dhe pikërisht ky interpretim ka bërë që njëri nga trajnerët, Simon Cowell ka shtypë butonin për Golden Buzzer.

KultPlus ju sjellë performancën e tij që bëri audeincën edhe të qajë./KultPlus.com

Kam fjetur me armikun tim

Dokumente fotografike nga arestimi i grave që u akuzuan se kishin marrëdhënie seksuale me pushtuesit gjermanë në Europë. Ka mijëra foto me skena festive nga çlirimi i Francës në vitin 1944. Në mesin e këtyre fotografive të lumtura megjithatë, ka disa skena shumë tronditëse. Këto janë fotografi që tregojnë se çfarë i priste gratë që u akuzuan nga bashkatdhetarët e tyre për bashkëpunim me armikun. Tipike është imazhi i një gruaje me kokën e rruar që mban në krahë fëmijë e saj,(Foto 1) fryt i marrëdhënieve intime me një ushtar gjerman.

Në Europë kjo praktikë daton në Mesjetë me Visigotët. Gjatë Mesjetës, denigrimi i grave ishte shumë i zakonshëm në rastet e kurorëshkeljes. Rruajtja e kokës si një metodë poshtërimi dhe ndëshkimi u kthye në shekullin e 20-të. Kur trupat franceze pushtuan Rhinelandin në vitin 1923, gjermanet kishin hyrë në marrëdhënie me ushtarët francezë pësuan poshtërim publik dhe përfundonin me kokat e rruhura.

Pra, nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhanë urdhër se gjermanet që akuzoheshin për marrëdhënie me burra jashtë të ashtuquajturës “racë ariane”, prsh me të burgosurit e huaj të cilët punonin në punë të rënda, do ndëshkohen publikisht me të njëjtën mënyrë.Në foton e dytë, anëtarët e rezistencës franceze po dërgojnë dy gra të akuzuara për bashkëpunim me pushtuesit në burgun lokal. Para se të shkonin atje, duhej të kalonin testin e rruajtjes së kokës. Vëzhgoni se si prekin shfaqen gra të arrestuara gjysmë të shveshura dhe me kokat të rruara.29 gusht 1944. Në foton e tretë një grua franceze me uniformë gjermane. Pantallonat ndoshta nuk i bënë. Ishte e zakonshme që të vishnin uniformat e oficerëve gjermanë partnerë të tyre.

Gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore arritën të pushtojnë pjesën më të madhe të Europës. Kur luftimet përfunduan dhe u vendosën në territoret e pushtuara, kërkuan gra të disponueshme. Kjo përfundimisht doli të jetë jo shumë e vështirë. Në foton e katërt një tjetër bashkëpunëtore e gjermanëve diku në Francë. Fotografia u gjend në duart e një të burgosuri gjerman, rob lufte. Në foton e pestë gjermanë shkëmbejnë rrobat me të dashurat e tyre franceze dhe bëjnë “gallatë” .

Zakonisht fotot e vajzave që bashkëpunuan me gjermanët gjendeshin në trupat e vdekur të dashnorëve të tyre gjermanët në kampet e përqendrimit. Askush nuk e di se nga erdhi fotografia e ardhshme,(Nr 6) e cila fillimisht iu atribua të dashurës së një oficeri gjerman. Gruaja e re shfaqet me kapele dhe veshje SS të Divizionit të Tretë të NS Panzer që kishte emblemë kafkën (Division Totenkopf). Vajza me kurorën. Vishte uniformën e SS të kampeve famëkeqe të përqendrimit. A ishte e dashur apo thjesht vishte uniformën e babait të saj oficer? Uniformat me emblemën e kafkës visheshin nga rojet në kampet e përqendrimit veprimi i të cilëve ishte i njohur.

Gratë mund të shërbenin në këto njësi vetëm si asistente dhe natyrisht nuk mbanin uniforma të SS. Hulumtimi rreth kësaj foto tenton të përfundojë se ndoshta është veshja e babait të saj. Megjithatë, dihet se ushtarët gjermanë për ndonjë arsye e gjenin interesante të vishnin pushtuesit me uniformat e tyre. Vini re se imazhi është prerë në mënyrë që të mos tregojë këmbët që mund të kenë qenë të zhveshura. Ndoshta kjo është një vajzë e pafajshme. Një vajzë e re me kapele të SS (Foto 7) Një ushtar gjerman jashtë shërbimit “relaksohet” në pishinë me të dashurën e tij (Foto 8). Disa oficerë gjermanë kishin zakon të thirrnin dashnoret franceze në bazë, në shkelje të rregulloreve ushtarake. Gjermanët pushtuan të gjitha qytetet europiane dhe u vendosën atje për një kohë të gjatë. Në këto zona u regjistruan incidente të grave që patën lidhje dashurie met pushtuesit kryesisht me qëllim. Si justifikim zakonisht paraqisnin “mungesën” e burrave, pasi shumë francezë ishin të burgosur të gjermanëve ose kishin ikur në male, ose zhvillonin aktivitetet e rezistencës. Shoqëri me sfond Kullën Eifel (Foto 9) Kjo foto është marrë në Montelimar, Francë, 29 gusht, 1944 (Foto 10) Në foto shihet një franceze që ndëshkohet publikisht sepse kishte marëdhënie me një ushtar gjerman. Mbrapa një tjetër vajzë është duke pritur rradhën e saj. Ishte një prostitutë që u shërbente ushtarëve gjermanë.

As ajo nuk i shpëtojë ndëshkimit. Qytetarët francezë i rruajnë kokën publikisht. Në foto të ndryshme duket se janë gratë ato që kënaqen më shumë me dënimin e bashkëpunëreve. Në rrugët e qytetit Brignoles, (Foto 11) qytetarë të egërsuar, ndëshkojnë publikisht një grua të dyshuar si bashkëpunëtore e gjermanëve. Gratë shprehin ndjenjat e tyre sapo gjermanët largohen nga vendi i tyre. Nuk kishte dallim midis grave dhe burrave. Tradhëtarët ndëshkoheshin pavarësisht gjinisë. Nga: Ngjarje nga Historia Botërore.

“Profeti nga Praga”- I ringjalluri


(Musa Ramadani: “Profeti nga Praga”, “Mapo”, Tiranë, 2017)

Shkruan: Valjeta Rexhaj

Ringjallja apo rikthimi, kujtimet, ndërgjegjja, premtimet, shpresa, vendlindja, dashuria, rinia, fantazmat, të gjitha këto të bashkuara në një padyshim në mënyrën më të mirë, nga Musa Ramadani na paraqesin figurën e plotë të të famshmit, shkrimtarit të rikthyer nga amshueshmëria – Kafkës.

Vepra e përbërë nga një parakaptinë : lajm-shpall-ftesa, nga një paskaptinë : mbi-gur-shkrimi si dhe nga dy pjesë, e realizuar në formë të rrëfimit, ku pjesa më e madhe realizohet kryesisht si dialog pa lënë anash ca monologje, na shfaqet si vepër e cila na sjell biografinë e Kafkës si autor, si njeri dhe lidhjet e personazheve me autorin ose letërsinë në formën më të arrirë të artit.

Qysh në fillim të veprës na del rikthimi i autorit dhe ritakimi me shokun më të ngushtë të jetës Max Brodin. Maxi e njeh mikun, por meqenëse ai kishte kohë që nuk jetonte, aludon që njeri i ri mund të jetë djali i tij, fati i të cilit ishte një vdekje që në moshën 7 vjeçare krejt papritmas sipas asaj që kishte treguar Greta Blouch në letrën dërguar mikut të saj nga Izraeli, në të cilën nuk thuhej emri i babait, por sipas letërmarrësit i cili ishte i vetmi dëshmitar, atësinë ajo ia m’veshte Kafkës. Greta e gjorë ishte zhdukur në kampin nazist dhe dyshimi për vdekjen e djalit vazhdonte të ekzistonte.

Maxi si mik i dikurshëm i të ringjallurit, akt të cilin nuk e beson, na del jo vetëm si mik, por edhe si njeri artdashës, sepse ishte ky që dorëshkrimet e Kafkës, të cilat autori kishte dhënë urdhër të zhdukeshin, premtim që nuk e realizoi bëri që Kafka të jetë sot njëri nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore.

Musa Ramadani përmes këtij libri arrin të gërshetojë të vërtetën, legjendën, religjionin, fantastiken deri në çmitizimin e tyre, siç është besa e shqiptarit, besimi religjioz dhe simboliken e urës në artin letrar.

Vepra “Procesi” me të cilën u njoh ishte titulli të cilin ja la Maxi bashkë me ca rregullime aty këtu dhe e hodhi veprën në botim pa mëdyshjen që po tradhëtonte besën që dikur kishte dhënë.

Besa është akti më i lartë i yni, andaj ajo duhet mbajtur i gjallë apo i vdekur qofsh. Edhe këtu vdekja nuk e ndalon mbajtjen e saj, për të na rikthyer edhe një herë te mitologjia jonë, Konstandini i legjendës dhe te mbajtja e besës së tij. Prapë një i ringjallur apo i rikthyer nga vdekja një Konstandin i quajtur Kafkë i cili i kthehet motrës Oltës pas 40 viteve, ashtu siç edhe i kishte premtuar.

Max Brodi nuk e mban fjalën e dhënë sepse ai nuk ishte as korsikan, as irlandez, as shqiptar…

“Vetëm ata e mbakan fjalën e dhënë, hebreu s’qenkërka besnik?”

“-Po të isha si ata, dorëshkrimet e tua do të bëheshin pluhur e hi”

Maxi përmendi besën duke pasur parasysh shqiptarin.

Dialogu mes autorit e mikut të tij, e jep pjesën e jetës, veprës, dashurisë dhe famës së Kafkës, dhe konflikti paraqitet në nivelin më të lartë kur Kafka kërkon llogari dhe e gjykon se nga e kishte marrë lejen e botimit të veprave për të cilat kishte dhënë urdhër të zhdukeshin. Përballë një tradhtie të cilën Kafka ia mvesh Maxit, qëndron një vlerë e cila nuk bënte të zhdukej sipas Maxit.

“- Po ama i dija vlerat e tua, s’mund ta privoja botën nga arti.”

“- Nuk e mohoj që drama ime jetësore ishte thjeshtë metafizike!”

“- Po veç mos harro qenia jote posedonte një forcë mesianike!”

“- Sidoqoftë, botimi i veprave post mortem është akt tradhëtie!”

“- Akt tradhëtie do të ishte djegia e dorëshkrimeve, megjithatë.

Krahasimi i Franzit me Mesian, Moisiun na risjell autorin si profet, profet në mënyrën e ringjalljes dhe risjelljes në jetë pas 41 vitesh së vdekjes, por i cili nuk na sjell besimin si religjion por besimin në letërsi si art i bukur dhe shkrimin si formë e lutjes.

Figura e femrës dhe sfidat e dashurisë dalin përmes një mori personazhesh femra duke filluar nga Felice Baueri tregtare si dashuria e pare e autorit, vazhdimin me Jasenkën, Gretën për të përfunduar me një besimtare të quajtur Dora Diamant.

Dora si besimtare, si femër e fuqishme arrin të thyej parimin e mosmartesës nga ana e Kafkës, duke përfunduar i martuar me të deri në momentet e jetës. Nuk e beson veten si Kafkë, pasi dashurohet në atë masë.

Diku ka mesi kemi takimin mes të atit dhe birit i cili shoqërohet me një përqafim miqësisht ose letrarisht në mes të të riut K dhe të vjetrit Z.K. Ajo që mbeti enigmë e që ndryshon komplet nga legjenda është pikërisht ky përqafim, sepse në historinë e saj i gjalli asnjëherë nuk arriti të përqafohej me të vdekurin e rikthyer ose ndoshta kjo është një porosi e autorit, që kërkon që çmitizimi të sjellet në format e krijimit të letërsisë.

Fantastikja si shprehje në veprat e folklorit na del edhe te Musa Ramadani, për të kuptuar lidhjen e ndikimin e autorëve me të kaluarën. Ura si simbol i mëhershëm na vjen si urë ku statujat e njerëzve, të qenëve e kaprojve në të kishin diçka fantastike, misterioze ata flisnin e komunikonin duke ndodhur që nganjëherë shprehnin edhe ndjenjat me një gjuhë çuditëse.

Epitafi i vendosur në varrin e tij sikur na e shpjegon tërë punën e shkrimit e të fames së Kafkës.

“ Të shkruash është një gjumë më i rëndë se vetë vdekja.” Si personazhi J.K gërryen tërë shkrimin në varrin e tij sepse gjeniu anonim i tillë duhet të jetë përjetë.

(Autorja është student në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën, “ Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për here të parë.)

Agatha Christie, shkrimtarja më e famshme e veprave me mister

Agatha Christie, shkrimtarja më e famshme e veprave me mister, u lind më 15 shtator 1890 si Agatha Mary Clarissa Miller, në Devon, Angli.

U rrit në Asfild, ku mbaroi shkollën dhe më pas studioi për këngë në Paris. Në vitin 1914, para Luftës së Parë Botërore, u martua me kolonelin Arshybald Christie, me të cilin pati një vajzë. Kur burri i saj u lirua nga detyra, punoi si asistente në një farmaci, ku mësoi për helmet. Filloi të shkruajë me nxitjen e motrës së saj dhe në librin e saj të parë, të botuar në vitin 1920 nën titullin “Rasti misterioz në Stajls,” shfaqi për herë të parë detektivin legjendar Hercule Poirot, një karakter i cili u shfaq në më shumë se 25 romane të tjera.

Libri i saj i dytë (“Vrasja e Roger Acroud” – 1926) ishte në krye të tabelës së shitjeve dhe ajo ndër shkrimtarët më të njohur. Megjithë suksesin e saj të madh, pas vdekjes së nënës dhe burrit, Agatha Christie hyri në një periudhë trazirash emocionale.
U zhduk për 11 ditë dhe më në fund u gjend në banjat termale. Në 1930 u martua me një arkeolog, Sir Max Malouwan, të cilin e shoqëroi në misionet e tij në Lindjen e Mesme, ku u zhvilluan shumë prej romaneve të saj.

Aty u krijua Miss Marple, një prej heroinave më të dashura të saj. Në përgjithësi, Agatha Christie shkroi 80 romane, 30 koleksione tregimesh të shkurtra dhe 15 drama teatrale, teksa dhe 6 dhe romanca sentimentale nën pseudonimin Mary Uestmakot. Deri në vdekjen e saj, më 12 janar 1976, më shumë se 400 milionë kopje të librave të saj ishin shitur në më shumë se 100 gjuhë. Agatha Christie 1890 – 1976/ Ngjarje Nga Historia Boterore

Ndue Ukaj: Bashkëfajtorë për rrëmujën tonë shoqërore, janë ata që u kanë dhënë krahë budallenjve

Ndue Ukaj

Shoqërinë tonë e ka vërshuar injoranca, prandaj, pasojat reale të degradimit, nuk mund t’i kuptojmë tashmë, kur jemi duke përjetuar kulmin e dalldisë së kësaj epidemie. Ato di t’i kuptojmë një ditë, kur do të kthjellemi, dhe do të detyrohemi ta pastrojmë llumin e madh që është mbledhë kudo.
Nëse duam të bëhemi shoqëri normale- edhe nëse nuk na pëlqen një gjë e tillë- këtë hap do të detyrohemi ta bëjmë. Atëherë, do të dalim përballë gjykatores së historisë dhe do të turpërohemi të gjithë.
Bashkëfajtorë për rrëmujën tonë shoqërore, politike dhe kulturore, janë ata që u kanë dhënë krahë budallenjve, po aq sa ata që i kanë parë ata duke marshuar përpara dhe janë strukë.
E të tillët janë të shumtë dhe nuk janë vetëm në politikë. Të tillët janë kudo.
Po ashtu, bashkëfajtorë janë, edhe inxhinierët e ideologjive të shumta, që tentuan t’i bëjnë një “brainwashing” shoqërisë sonë, duke luftuar me tërë fuqinë kundër çdo gjëje që lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare. Si pasojë e këtij ligjërimi të pështirë, jemi ligështuar tej mase, prandaj përbuzim dhe mohojmë çdo gjë.
E një i ditur si Ernest Koliqi, në librin e tij, “Dy shkolla letrare shkodrane”, na këshillonte: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendosë vetvrasjen e vet.”/KultPlus.com

Artisti Omer Kaleshi bëhet anëtar nderi i ASHAM-it

Listës së shqiptarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) i është shtuar edhe emri i artistit të shquar shqiptar, Omer Kaleshi, njofton Portalb.mk.

“Në përputhje me ligjin dhe statutin e ASHAM-it, si anëtar i asociuar është zgjedhur Bllazhe Boev, si anëtar jashtë përbërjes së punës është zgjedhur Vlladimir Kostiq, dhe si anëtar nderi është zgjedhur Omer Kaleshi”, njoftojnë nga ASHAM-i.

Omer Kaleshi është piktor, i lindur në Kërçovë të Maqedonisë. Përveç në Maqedoni, veprimtarinë artistike Kaleshi e ka zhvilluar edhe në Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Britani të Madhe dhe Francë. Përvoja e dija disa dekadëshe ka numëruar mbi 50 ekspozita në shtete të ndryshme, pjesa dërmuese e tyre edhe në Francë.

Miratohet Këshilli Artistiko-Kulturor i Tiranës

Këshilli Bashkiak i Tiranës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për ngritjen e Këshillit Artistiko-Kulturor të Tiranës. Në bazë të këtij vendimi ky këshill ka karakter këshillimor dhe vepron pranë Bashkisë së Tiranës për shqyrtimin, vlerësimin dhe miratimin e projekteve kulturore dhe sportive, që ato të jenë në përputhje me prioritetet e politikave kulturore të Bashkisë Tiranë. Gjithashtu këshilli do të ketë një rol vendimmarrës në përcaktimin e kalendarit vjetor të veprimtarive kulturore – artistike dhe sidomos të atyre që tani përbëjnë traditën e qytetit.

Këshilli Artistiko-Kulturor i Tiranës në përbërje të tij do të ketë personalitete të spikatura nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit dhe të shkencës. Bien në sy mes 9 anëtarëve të këtij këshilli emra si ai i aktorit dhe Artistit të Popullit, Robert Ndrenika, aktores Yllka Mujo, trajnerit të sportit të futbollit, Ylli Tomorri apo edhe piktorit Helidon Haliti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në prezantimin e këtij vendimi para Këshillit Bashkiak theksoi se përfaqësuesit e këtij këshilli do t’i bënin nder çdo bashkie në vend. “Është një listë që ka edhe një përfaqësim e mbulim të shumë fushave të artit. Jam i sigurt që është një këshill që do të japë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e mëtejshëm të jetës kulturore të qytetit”, tha Veliaj.

Pjesë e vendimit të sotëm të Këshillit Bashkiak ishte edhe miratimi i pagesës së çdo anëtari me 4 500 (katër mijë e pesëqind) lekë për çdo mbledhje./gazetashqip

Versioni Queer i këngës “Qou Rexho” (VIDEO)

Një nga këngët folklorike që njihet për publikun shqiptarë, “Qou Rexho” është kthyer në një version ndryshe prej asaj që jemi mësuar ta dëgjojmë.

Lendi Mustafa, një prej aktivistëve të komunitetit LGBTI ka bërë publike këngën “Qou Rexho” të cilën e ka realizuar AKA Thesaur, ku e ka përpunuar duke u inspiruar nga pop artistja britanike, Lady Gaga.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar arsyen e përpunimit të kësaj kënge për të cilën thotë se e ka lidhur me kulturën etnike të cilës i takon.

“Njihuni me artistin shqiptar i cili po promovon kulturën Queer në anë të artit, AKA Thesaur, arsyeja pse e kom përpunua “këngën e Rexhes” që është e kompozume në formë korale nga Lorenc Antoni, është se e kam lidhe me kulturën etnike që i takoj. Po në performancen në vijim e kom krijuar si manifestim i identiteteve tjera që i posedoj, duke përfshi elemente nga pop culture edhe queer kulture, saktësisht, e inspiruar nga pop ikonave kryesore Lady Gaga, qe më ka inspiru sot të jem ky person që jam”, ka shkruar Lendi Mustafa.

Kënga “Qou Rexho” është kënduar nga Qamili i Vogël, ndërsa historia e kësaj këngës besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në grazhd të kalit. /Insajderi.com
Video:

Koha nuk është thjesht një datë në kalendar

Intervistë me poetin dhe gazetarin Ndrek Gjini1

Nga Trevor Conway, kryeredaktor i revistës irlandeze “Poems in Profile”

Poezia e Ndrek Gjinit duket në pamje të parë e thjeshtë. Ajo e tërheq lexuesin në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë, me referenca për komunizmin, rakinë e rrushit dhe gjyshen e folësit. Por kjo poezi ka një gjë tjetër që është më abstrakte. Nënkuptimi i përdorimit nga folësi i një kalendari personal është se vetë nocioni i kohës është trillim, një konstrukt që ne e kemi krijuar siç kemi dashur vetë.

Në fakt, “trillimi” i folësit është “i vërtetë” dhe “domethënës”. Ai/ajo refuzon konvencionin në formën e kalendarit të përgjithshëm. Mbase ne të gjithë operojmë përmes kalendarëve të tillë personalë. Kur i shikojmë fotografitë, ne nuk themi “Ishte 3 gushti i vitit 1993”. Ne mund të themi “Ishte dita kur ne shkuam për piknik”. Apo 9/11 na ngjall imazhet e një ngjarje më shumë sesa vetë datën. Dhe shumë prej nesh kujtojmë ku ishim kur kanë ndodhur ngjarje të tilla të rëndësishme duke i lidhur përvojat tona të vogla jetësore me ndodhi të tilla globale.

Kalendari konvencional me të gjithë shenjat e tij dhe numrat është gjithashtu i lidhur me ngjarje të tilla si rrotullimi i tokës rreth vetes, fazat e rrotullimit të hënës dhe rrotullimi i tokës përreth diellit. Ne instiktivisht shikojmë përtej këtij planeti për të kuptuar dicka më të madhe dhe abstrakte siç është koha. Në të njëjtën kohë, ne mësojmë nga bashkëkohësit dhe familjet tona siç bën poeti këtu. Zakonisht, njohje të tilla lidhen me gjëra shumë praktike por këtu rrëfimi i gjyshes e bën poetin dhe lexuesin ta shikojë më nga afër ngjarjen apo ndodhinë e treguar.

Kalendar

Gjyshja ime përdorte një kalendar të vërtetë, domethënës, sipas ngjarjeve.

“Ti ke lindur katër hëna pas përmbytjes së madhe kur vdiqën gjysma e qytetit, dymbëdhjetë hëna pasi komunistët hodhën në erë kishën.

Linde vetëm dy hëna pasi qe pjekur rrushi,” më tregonte ajo.

Si fëmijë, para se të shkoja në shkollë unë nuk dija asgjë për faktin se qeshë lindur më 1 Tetor 1963.

Nëse ju them datën e lindjes time sipas kalendarit të tanishëm nuk ju them asgjë për veten.

Po, çfarë nëse unë përdor kalendarin e sime gjysheje?

Ndrek Gjini

Kam lindur në Shqipëri. Pas diplomimit nga Universiteti i Shkodrës, për Gjuhë-Letërsi, kam punuar fillimisht si mësues e më pas si gazetar. Gjatë atyre viteve, kam botuar katër libra në gjuhën shqipe dhe shumë poezi, kritikë letrare, ese dhe artikuj në gazetat dhe revistat shqiptare.

Në vitin 2002, kam emigruar në Irlandën perëndimore. Në 2004, ndoqa një kurs tek CCFE (http://www.ccfe.ie/) ku mora një Çertifikatë Kombëtare për Shtypin e Shkruar dhe më pas ndoqa në GMIT (http://www.gmit.ie/) dhe përfundova një program baçelor studimesh universitare për trashëgiminë kulturore. Më 2011, mbarova Masterin për krijimtari (MA In Writing) në Universitetin Kombëtar të Irlandës, Galway (http://www.nuigalway.ie/) . Interesat e mia për studime dhe mësimdhënie janë në shkencat humanitare digjitale, histori, studime tekstuale dhe bibliografi, redaktime dhe letërsi e shekullit XX. Poezitë e mia, tregimet e shkurtra dhe shkrimet për kritikën letrare janë botuar në shumë gazeta dhe revista në shumë vende të botës. Përmbledhja ime e parë e poezive në gjuhën angleze “The Death of Night” (Vdekja e Natës) është botuar më 2011 nga shtëpia botuese EMAL.

Në vitin 2011, jam përzgjedhur për të lexuar në Festivalin Poetik Ndërkombëtar të Strokestown (http://www.strokestownpoetry.org/), në aktivitetet e “Over the Edge & Culture Night “ (Në Teh & Netë Kulture ((http://www.galwayculturenight.com/) si dhe si folës i ftuar me studentët e programit Master për krijimtari në Universitetin Kombëtar të Irlandës, Galway më 2014 dhe 2015.

Gjatë viteve 2012-2013, kam punuar si ndihmës në zyrën për artet në Departamentin e Kulturës dhe Komunitetit të Bashkisë Galway. Nga viti 2013 deri më 2017, kam punuar në Qendrën e Arsimit të Galway (Galway Education Centre, (http://www.galwayec.ie/). Aktualisht jam redaktor përgjegjës për revistën letrare “The Galway Review” (http://www.thegalwayreview.com/) si dhe webmaster dhe editor online i www.artsingalway.com

Intervistë:

Ka një ndjesi sikur jeta që bëhej dikur ka patur më shumë gjallëri sesa kjo aktuale apo moderne. Në ç’mënyrë mendoni ju se jeta e sotme moderne ka ndikuar tek poezia?

Ndrek Gjini: Bota ka ndryshuar shumë nga ajo që ishte në rininë time në vitet 1970. Ndryshimet e mëdha në fushën e teknologjisë dhe komunikimit i kanë dhënë fund mënyrës tradicionale të jetesës, e cila ka qenë statike për shumë breza. Pa dalë fare nga dera e shtëpisë, ne tani mund të shohim dhe të dëgjojmë rreth ngjarjeve që sapo ndodhin në pothujajse çdo pjesë të botës. Pajisjet dhe mjetet e reja teknologjike kanë sjellë më shumë argëtim dhe “kohë të lirë” dhe e gjitha kjo ka ndodhur brenda harkut kohor të një brezi. Këto ndryshime kanë ndikuar në gjithë mënyrën e të menduarit tonë, në mënyrën e të shkruarit gjithashtu, përfshirë edhe poezinë. Megjithatë, pavarësisht nga lehtësirat dhe kënaqësia që na sjellin këto ndryshime, ato kanë shkatërruar shumë nga zakonet tradicionale të jetesës. Bashkëbisedimi i çiltër në shtëpi mes anëtarëve të familjes, madje edhe me fqinjët, mbrëmjeve pranë zjarrit, pa Radio, TV, Laptop, Iphone apo IPad ka marrë fund tashmë. Do të thoja se këto lloj bisedash ishin më interesante sesa aktivitetet e leximit të poezive në pabet e Galluejt, Londrës apo Nju Jorkut ku secili pretendon se po dëgjon ndërsa rri duke dërguar mesazhe apo duke postuar statuse në facebook ose tuiter gjithë kohën.

Koha pothuajse gjithnjë paraqitet si një lloj gjuhe në poezinë tuaj ku njerëz të ndryshëm e masin atë në mënyra të ndryshme,. A shikoni ndonjë lidhje mes kohës dhe gjuhës, në mënyrën e të shkruarit të përgjithshëm dhe specifik?

Ndrek Gjini: Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, së pari do të thoja se që në kohën që njerëzit për herë të parë vunë rë lëvizjen e rregullt të diellit dhe yjeve, kanë filluar ta vrasin mendjen rreth kalimit të kohës. Njerzit parahistorikë masnin fazat e lëvizjes së hënës rreth 30 000 vjet më parë. Matja e kohës ka qenë një mënyrë përmes së cilës shoqëritë kanë vëzhguar qiejt dhe kjo tregon edhe progresin e qytetërimit.

Së dyti, do të thoja se duhet ta kuptojmë se koha nuk është thjesht një datë një kalendar; ajo është një ndjesi, ngjarje, ndodhi. Edhe gjuha si mjet i të shprehurit është e tillë. Keshtu që çdo ndryshim që sjellin këto ngjarje në mënyrën tonë të jetesës, pasqyrohet edhe në gjuhë gjithashtu.

Anëtarët e familjes tuaj janë karaktere që shfaqen shpesh në përmbledhjen tuaj “Vdekja e Natës” siç ndodh edhe në këtë poezi. Përveçse si karaktere në poezitë tuaja, a kanë ndikuar ata në shkrimet tuaja në ndonjë mënyrë tjetër?

Ndrek Gjini: Po, nëna ime ishte një grua e qetë dhe e ndrojtur. Kur isha i vogël e dëgjoja atë shpesh duke recituar poezi kur ajo lutej. Lutjet në shqip kanë shumë muzikalitet dhe rimë. Në atë kohë, unë nuk dija gjë për kuptimin e tyre por unë i doja vjershat dhe kështu erdhi edhe pasioni im për poezinë.

Perse shkruan? Ndrek Gjini: Nuk mund ta imagjinosh sa herë ia kam bërë vetes këtë pyetje deri në momentin që vendosa të shkruaj një poezi për të ku them: “Unë linda në një qytet pa heronj / Jo fort i zoti për të luftuar / dhe për këtë shkruaj.”

Nëse do të kishit ndonjë këshillë për një shkrimtar, çfarë do të ishte? Ndrek Gjini: Më fal por nuk kam. Nuk e di se pse e kemi kaq të vështirë ta pranojme idenë se talenti nuk është thjesht një dhuratë nga Zoti, por një zeje që mësohet duke punuar me mijëra e mijëra orë. Ka shume aforizma rreth të shkruarit; dua të kujtoj vetëm dy prej tyre. “Shkrimi eshte rishkrim” dhe “Nuk mund të mësosh dikë sesi të shkruajë./KultPlus.com

Porta nga kaloi qytetërimi në mesjetën shqiptare ishte Arkitektura Ilire

Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale…

Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve

Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t’u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta.

Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.

Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.

Fortifikimet më të rëndësishme të shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit që i takojnë periudhës së sundimit të perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash. Çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo.

Kati i parë përbëhej nga një hapësirë e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit përshkoheshin nga një numër i madh portash, prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj porte qëndronte një statujë prej bronzi, e cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej perandorit Adrian.

Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit, Belizari, të ndërtonte në Romë një tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara në kështjellën e Durrësit.

Gjatë periudhës së Justinianit vërehet një tendencë për ndërtimin e kështjellave mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve dhe nënndarje të tjera, që s’ishte gjë tjetër veçse kthimi në format e vjetra të periudhës helenistike apo të fortifikimeve më të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës, Çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë fillojnë të bëhen gjithnjë e më të ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë mbrojtjen gjithnjë e më pasive.

Një vend të rëndësishëm midis monumenteve të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.

Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec), Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht (Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë (Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të cilave në pjesën më të madhe kanë qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.

Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.

Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemere (varianti oriental).

Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari, ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi). Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).

Më të rralla janë ndërtesat e kultit me planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit, të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të dyshemesë.

Gjatë shekujve të parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII.

Gjurmë të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan të përdoren të njëjtat monumente kulti në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë të varfër, që tregon për vështirësitë ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.

Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint. Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti (Drivast) dhe Deja.

Në fushën e ndërtimeve të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet në kishën e Shën Kollit në Perondi të Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin kulmin me kishën e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin e pasur me tulla.

Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë. Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe, bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.

Përveç këtyre monumenteve për vlerat e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte të tjera të stilit bizantin, që u përkasin shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb), manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës, e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj.

Vlera të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë ndërtesë tjetër të këtij stili dhe që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur në viset Veriore të Shqipërisë dhe në ato Perëndimore të bregdetit ballkanik.

Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër në atë të Epërme lulëzoi në mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat veriore mbetën të lidhura më shumë me kishën perëndimore, ndërsa në Durrës dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte përparësi kisha lindore. Në kushte të tilla përveç tipave arkitektonikë të pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën sundimtarë perëndimorë.

Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i frantonive në anët më të ngushta, nga çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.

Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.

Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë pati një lulëzim të veçantë në ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës.

Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë, dru apo të ndërthurura. Çatitë mbuloheshim me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në godinat e kultit dhe në ato të shtresave të pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe, si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre. Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të kenë qenë njëkatëshe.

Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse, zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet). Në këtë veprimtari u dalluan despotët e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë, si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet nga Barleci ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të Semanit.

Monumentet kryesore të arkitekturës civile në Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës, Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës etj. Për një pjesë të mirë ato janë ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore të vendit në gjendjen e tyre të sotme në themel u përkasin shek. XII-XV.

Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella e Beratit, muret e sotme të së cilës janë rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron mbi portën e parë të hyrjes.

Muret rrethuese që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, të përforcuar me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së fundit, por më tepër për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni.

Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve të mësipërme, në shpatin jugor të kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit.

Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në kështjellë ndodhet një lagje e tërë me emrin “Kala”, më e vjetra e qytetit të Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët e saj lagje të jashtme, “varoshet”, të fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende të tjera.

Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman, ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle.

Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë, dhe me mure të fuqishme për t’u rezistuar makinave gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë e rrethuar me bedena.

Përveç kullave të zakonshme në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone), që mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe të zinin një vend qendror në kështjellë, mund të ishin të lidhura me muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i qëndronte një rrethimi të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, si në Durrës, Butrint etj.

Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla ishin kështjellat në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare, si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit, e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria e saj është katërkëndëshe, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.

Një tjetër tip kështjellash qenë ato që u ndërtuan në formë kullash në viset malore nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara në vende strategjike, nga ana arkitekturore ato ishin të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës (Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë) etj. Shek. XV shënon një epokë të re në zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën e përdorimit të armës së artilerisë dhe të përsosjes së saj.

Në territorin e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim parimet moderne të fortifikimit, siç janë kullat për artileri që u quajtën “Rondelo”, të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të ndërtonin gjithnjë e më tepër në lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike se praktike vinin nga Gadishulli Apenin.

Në këtë fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe turqit, prej të cilëve këta të fundit nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë. Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara në këtë periudhë, përmenden fortifikimi në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri në kështjellën e Durrësit etj./albapoli.com/

Tirana e Beogradi me marrëveshje të bashkëpunimit mes dy Teatrove

Në Beograd, sot është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Beogradit dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Tiranës, shkruan KultPlus.

Kjo marrëveshje ka ardhë si rezultat i zbatimit të marrëveshjes kulturore që është firmosur mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, vitin e kaluar.

“Kultura pa kufi” – është koncepti ynë për bashkëpunimet midis popujve dhe kjo eshte garancia me e mire per integrim dhe emancipim, ka njoftuar ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro./KultPlus.com

Rruga në Gjilan që mban emrin e diktatorit Enver Hoxha (FOTO)

Në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në fshatin Velekincë është një rrugë e emërtuar me emrin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, dhe pikërisht ky emërtim ka bërë që një grup i qytetarëve të reagojnë, të cilët kanë kërkuar në adresë të Lutfi Hazirit që të largohet ky emërtim i kësaj rruge, shkruan KultPlus.

Dritan Dema është iniciatori i kësaj kampanje, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë thirrje që ti shkruajnë Lutfi Hazirit, kryetarit të Komunës.

“Në Komunën Gjilan të Republikes se Kosovës, siç rezulton në foton e hartës ka nje rruge te emertuar në emer te Diktatorit Hoxha. Ftojme te gjithe te interesuarit ti dergojne një email Kryetarit te kesaj Komune në adresen: lutfi.haziri…Le t’ja kujtojmë Z. Haziri dhe kujtdo tjeter qe e ka te nevojshme se në Republiken e Shqiperise jane mbi 5000 persona të zhdukur, gjate periudhes se rregjimit te diktatures komuniste”, ka shkruar Dema, statusi i cili më pas është shpërndarë nga shumë qytetarë.

Në lidhje me këtë, redaksia e KultPlus ka provuar të kontaktojë kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, kurse se ekziston një rrugë me një emërtim të tillë, të gjithë qytetarët mund ta vërtetojnë edhe nëpërmjet google.map./KultPlus.com

Kur ishte në rolin e Uliksit, intervistë e Bekim Fehmiut e vitit 1967 (VIDEO)

Konsiderohet të jetë një ndër rolet më të mëdha të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, të cilit i ishte besuar roli i Uliksit, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu shihet duke dhënë një intervistë, pikërisht nga sheshxhirimi i këtij filmi, i cili ndanë disa momente mbi përvojën me këtë film.

https://www.facebook.com/Julio.marndoj/videos/242806456271515/

Ai ka thënë se roli i Uliksit ka një rëndësi të njëjtë sikurse rolet e tjera, përpos asaj se për të realizuar këtë rol, është një vështirësi më e madhe.

Kjo intervistë e dhënë në vitin 1967, na sjellë shumë afër Bekim Fehmiun, i cili ka falënderuar edhe përvojën e tij në Beograd e Prishtinë, familjarët, aktorët, që i kanë ndihmuar të jetë aty ku edhe ka synuar./KultPlus.com

Ish kryeministri i Italisë: Ibrahim Rugova, profet i paqes dhe baba i Pavarësisë

“Profet i paqes dhe baba i Pavarësisë” – kështu e cilësoi jetën dhe veprën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ish kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, shkruan KultPlus.

Sot në Rezidencën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, qëndroi për vizitë kryeministri i 53-të me radhë i Italisë, vitet 1998-2000, Massimo D’Alema.

Falë angazhimit dhe miqësisë me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova së bashku me familjen e tij u transferua në Itali me iniciativë të kryeministrit italian Massimo D’Alema, më 5 Maj të vitit 1999, për të vazhduar punën dhe angazhimin e tij drejt realizimit të ëndrrës së tij Kosovës shtet të pavarur e demokratik. U jemi gjithmonë mirënjohës shtetit italian, Kryeministrit dhe mikut të përhershëm të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova Massimo D’Alema dhe gjithë bashkëpuntorëve italian të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova për kontributin dhe angazhimin e tyre drejt çlirimit të Kosovës, lirisë që ne e gëzojmë sot, ka shkruar në lidhje me këtë vizitë, Blerta Kllokoqi Rugova./KultPlus.com

Princesha Maxhide, ajo që udhëhoqi revolucionin kundër ferexhesë

Ajo duket e buzëqeshur, veshur me një fustan të lehtë mëndafshi të gjatë. Eshtë princesha Maxhide, një prej motrave më të përfolura të mbretit Zog, për bukurinë dhe zgjuarsinë që mbarte. Kjo është vetëm një prej fotove të mbetura nga ajo kohë, kur Maxhide nuk e fsheh lumturinë në fytyrë. Por ajo kujtohet dhe si gruaja që ndikoi në emancipimin e femrës shqiptare. Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.

“Ndodhi një revolucion i vërtetë.Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane. Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore. Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”, thuhet në shkrimin e plotë të gazetës përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja.