Sot 21 vjet nga rezolutat që detyruan Beogradin të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake në Kosovë

Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehej në librin e tij Paskal Milo.

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim, këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës. Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si “rrezik për paqe dhe siguri në rajon”. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës. / KultPlus.com

Gazetarja serbe bën shqiponjën, mbështetë bukëpjekësin shqiptar që u detyrua të lëshojë Serbinë

Vera Rankoviq, ish-korrospodente dhe redaktore e RTS-së ka publikuar një fotografi duke e bërë shqiponjën, simbolin shqiptar. Rankoviq e bëri këtë veprim në shenjë përkrahje të furrës “Roma” në Serbi, ku për shkak se një punëtor bëri shqiponjën, u detyrua të largohet nga Beogradi për shkak të protestave të qytetarëve.

Bashkë me këtë fotografi të postuar ajo ka thënë se kjo është përgjigja e saj ndaj fashistëve nga Borça. “Kjo është përgjigja ime fashistëve nga Borça. Ftoj të gjithë ata të cilët janë neveritur nga ajo që i ka ndodhur bashkëqytetarit tonë që këtë ta shprehni në këtë mënyrë”, ka shkruar ajo.

Komentet e qytetarëve serb kanë qenë të ndryshme, ku nuk e kanë përkrahur bërjen e simbolit shqiptar. Pronari i furrës Sun Duraj pas publikimit të videos ku shihej punëtori duke bërë shqiponjën ju ka kërkuar falje të gjithëve duke bërë të ditur se Florimi është kthyer në Kosovë./KultPlus.com

Tirana e Beogradi me marrëveshje të bashkëpunimit mes dy Teatrove

Në Beograd, sot është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Beogradit dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Tiranës, shkruan KultPlus.

Kjo marrëveshje ka ardhë si rezultat i zbatimit të marrëveshjes kulturore që është firmosur mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, vitin e kaluar.

“Kultura pa kufi” – është koncepti ynë për bashkëpunimet midis popujve dhe kjo eshte garancia me e mire per integrim dhe emancipim, ka njoftuar ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro./KultPlus.com

Telegrami i Enver Hoxhës nga Beogradi: Organizoni një pritje e manifestim madhështor me flamurët tanë e të Jugosllavisë (FOTO)

Historiani dhe ish-kreu i arkivës në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar për herë të parë një telegram që kishte dërguar Enver Hoxha gjatë qëndrimit të tij për një vizitë në Beograd, shkruan KultPlus.

Përmes këtij telegram diktatori informon se së bashku me të në Shqipëri do të vinte edhe Tito. Në këtë letër ai i shkruante zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, duke i dhënë udhëzimet të cilat duhet të ndiqen për një pritje madhështore.

KultPlus po ju sjellë të plotë këtë dokument që historian Dervishi e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’:

1946/Telegrami i diktatorit tonë nga Beogradi

Më 23 qershor – 2 korrik 1946, kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha vizitoi Jugosllavinë. Në përfundim të vizitës, më 1 korrik 1946, pra disa orë para mbërritjes në Shqipëri, i dërgon një telegram zëvendësit të vet, Koçi Xoxe, të cilin e udhëzon për masat që duhet të marrë në këtë pritje. Hoxha ka tejkaluar se tepërmi detyrat komunale e bashkiake teksa porosit mënyrën e pritjes dhe parullat që duhen hedhur. Ja telegram i datës 1 korrik 1946:

“Nesër në mëngjes nisemi me aeroplan në ora 8. Organizoni një pritje e manifestim madhështor. Autoritetet më të larta, e qeveria të dalin për të na pritur në aerodrom. Populli të dalë me shumicë. Qyteti të zbukurohet me flamurët tanë e Jugosllavisë. Bëni çmos të punohet tërë natën që të bëni flamuj të Jugosllavisë e Shqipërisë e t’i mbajë populli në duar. Përgatitni mikrofona dhe megafona dhe unë do të flas shkurt gjatë manifestimit. Përgatitni parulla të shkruara dhe parulla që duhet të hidhen nga populli. Përveç parullave të tjera të zakonshme të ketë edhe parulla si “Rroftë marrëveshja midis popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë”, “Rroftë mareshali Tito”; parulla të shkruara “Tirana-Beogradi”, të thirret “Enver-Tito”, të bëhet parulla rreth ushtrisë sonë si dhe ushtrisë jugosllave: “Rroftë vëllazërimi i ushtrisë kombëtare shqiptare dhe i ushtrisë heroike jugosllave”, “Rrofshin popujt heroikë të Jugosllavisë”. Sa më shumë parulla mbi miqësinë tonë me Jugosllavinë. Në aeroport të vinë automobilat më të mirë për të na marrë, veçanërisht të vinë ato që janë të hapura”, shkruhet në këtë letër./ KultPlus.com