30-vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha shënohet pikërisht sot.
Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.
Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës.
20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunis, ndërsa shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri./ KultPlus.com
Në tetor të 1975- s, Ismail Kadare do të sfidonte një regjim të tërë më vjershën reaksionare “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, përcjellë KultPlus.com
Asokohe, shkrimtari tentoi ta botonte por korrigjuesit dhe kritikët në redaksinë e gazetës “Drita” ngritën alarmin. Poema denonconte hapur dështimin dhe përlyerjen me gjak të sistemit diktatorial. Ju kujtojmë se në 2016- n, 41 vite pas zbulimit të ditarit sekret të udhëheqësit komunist u gjetën shënime të vetë Hoxhës mbi Kadarenë dhe poemën e tij. “Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën, socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste- leniniste të bazuar në luftën e klasave”, shkruan Enver Hoxha në ditarin e tij. Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se “lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh”.
Në mesditë Byroja Politike u mblodh
Në mesditë Byroja Politike u mblodh. Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë. Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh. Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë. Mos lëvizën klasat e përmbysura, Mos ka katastrofë në prodhim. Vallë ambasadorët mos kanë nisur Radiograme plot shqetësim. Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë. Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka. Dhe nën diktaturë të proletariatit, Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha. Dhe prodhimi është normal dhe ditët Rrjedhin të zakonshme në dhjetor… Po ahere pse kështu papritur Në mesditë Byroja Politike umblodh?
2. Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë. Shumë shumë mund të pikojnë diku. Nga themelet ata prishen Këtij ligji Shteti socialist i bindet gjithashtu. Mund që lart çdo gjë të duket bukur, Gara socialiste, merrja këngës, haj. Dhe pankartat dhe heronjtë e punës Në gazetë lokale në Një Maj. Telegrame urimi, diell i ndritur Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj Kurse poshtë pikërisht në themelitë Rritet ngadalë tumor i zi. Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet. Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta. Për burokratizmin ç’kemi vallë? Topat s’pijnë ujë dhe konsuj atje s’ka.
3. Midis shkresash, telefonash, letërthithësesh Ata skenat mbushin gjithnjë Mjaft me këtë qeshje dashamirëse Burokratët janë tjetër gjë. Jo me bojë pelikan përjargur, Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho, Por të kobshëm me duar të përgjakura Gjer në bryle unë ata i shoh. I shoh atje thellë tek rrëmojnë. Në themelet e revolucionit pikërisht. Ç’bëjnë ashtu pse trupat e dëshmorëve Kthejnë djathtas, majtas dhe përmbys? Pa shiko, trupat sikur i lajnë. Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt. Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë, Idealet dhe parimet krejt. Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin, Oh, e dijnë se është lehtë pastaj Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën E punëtorëve thelbin e saj. Ja kështu, atje në gjunjë të ulur Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim Po ç’patën papritur Pse u ndalën Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë. Këtu janë varrosur të përmbysurit: Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin Që t’i zhveshin me një vrull hata. Rrobe sundimtarësh të përgjakta Me nishane e grada veshin shpejt. Dhe me to mbi supe nëpër natë Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.
4. Dhe mëngjezi erdh, Të zbetë, të ngrirë, Nën mantelet me nishane e me kurorë Ata shkojnë në zyra, ministrira, Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror. Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg. Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…
5. Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe Buzëqeshje, tundje grushti në miting Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe, Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”. Kështu ishte ditën, kurse natën Zbrisnin në themel ata sërish. Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.
6. Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë Ishte i pari që dyshoi për ta. Dhe ahere në themele të shtetit Zbriti si në baladat e mëdha. Një pishtar të kuq mbante në dorë. Dheu dridhej Flaka mbi ta ra. Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve Tek ndanin mantelet seç i pa. “Ja, ku qenkeni!” Ata u ngrinë. – Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!- Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë Si një mal në dimër bubulloi. Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte Nga pushteti me kamçik dhe stap. Ai klasën ngriti të punëtorëve. Për ta bërë burokratizmin zap.
7. Si dikur patrullat partizane Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor. Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër. Sot i marrim me kontroll. Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor. Je për socializmin? Vrapo në rrjeshta Shpall kudo dhe mbi këdo kontroll punëtor. Bjeri ditë e natë burokratizmit, Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj. Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.
8. Ditët ikin. Vorbullat e ngjarjeve Nëpër stinë e vite shtjellen me furi Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët E revolucionit në stuhi. Ecën klasa pas partisë në ditë epike, Populli pas klasës derdhet oqean Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike Mesditë a mesnatë gati të gjithë janë. / KultPlus.com
Data 27.12.1946 është një ditë e madhe për komunistët e Shqipërisë. Këtë ditë, me vendimet numër 388 dhe 389, Kuvendi Popullor, ratifikoi dy marrëveshje me Jugosllavinë “mike e motër”:
Marrëveshjes mbi bashkëpunimin ekonomik në mes të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Republikës Federative Popullore Jugosllavisë, bërë në Beograd më 1.7.1946 dhe Traktatin mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave, midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”. nënshkruar në Beograd më 27.11.1946. Votimeve “historike” historike i parapriu një plenum i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, më 18-20 dhjetor 1946. Po kujtojmë një pjesë të vogël nga fjala e Enver Hoxhës, i cili nuk tutej nga asgjë para marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ndërsa kërkohej që shqiptarët e Kosovës të ulnin kokën e vëllazëroheshin me jugosllavët, vetë Hoxha i cilëson miq ata.
Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës në plenumin e jashtëzakonshëm të 18-20 dhjetor 1946:
Me nënshkrimin e këtij akordi, tregoi se vendi ynë hyn në një fazë të re historike. Kjo për partinë tonë nuk është gjë e papritur. Këtë partia jonë e dinte. Për këtë udhëheqja e partia duhet të jenë të qartë për këtë akord si nga ana politike dhe ekonomike për ta zbatuar mirë këtë akord. Nëse konsiston ky akord? Të gjithë neve e dimë se me vajtjen tonë në Beograd u nënshkrua akord i një ndihme materiale si rrjedhim i kësaj do të kishte si rrjedhim edhe marrëdhënie ekonomike konsekuencë logjike e vijës së partisë sonë..Në lidhje me këtë, është edhe një çështje tjetër se unë mendoj se disa anëtarë partie që duan të na filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo që jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatën, përkundrazi duhet të bëjmë ç’është e munduar të kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi. Tash vjen çështja këtu kur ne të kemi arrirë në socializëm, do të thotë se atje dhe këtu mbeturinat e kapitalizmit kanë ngrënë dru. Ahere në një situatë të tillë Kosova dhe të bashkohet me Republikën Socialiste të Shqipërisë. Kjo është vija, këtë na mëson marksizmi. Ne do ta shpjegojmë. Kush nuk e kupton ne kemi për detyrë ta luftojmë. Kur ne bëjmë një akord, hapim doganat, është një hap drejt socializmit e marrëdhënieve të Kosovës me popullin shqiptar. Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forca e argumenteve tona është më e madhe. /express/ KultPlus.com
Komunizmi është i njohur për ndërhyrjen apo cenzurën e theksuar që i bën artit, shkruan KultPlus.
Edhe në periudhën komuniste në Shqipëri, artistët kohë pas kohë i kushtonin këngë Enver Hoxhës.
Në vijim, KultPlus ju sjell një këngë nga ‘Grupi i Bënçës’, e cila ishte kënduar në vitin 1983, me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës. Në video shihet Enver Hoxha tejet i emocionuar nga vargjet e dedikuara atij.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës, tekst ky i shkruar nga Maliq Lila
Dëgjo Argjiro shqiponja
këngën që të sjell gjitonia.
Ç`të ka lezet lëmi i këngës
për birin e shtrenjtë të zemrës.
Moj nëna Gjirokastrite
gjiri yt me qumësht drite,
dhe mbi gjith djepet që rite
ç`ti jepje Shqipes e dite,
lum si ne….
Mbas çdo bore në furtunë
balli i malit thatë më shumë,
në çdo thinjë të mënçurisë
beharët e Shqipërisë.
Mes çdo dallge e rrebeshi sa udhëheqës aq ushtar, Historia siç të deshi komandat dhe komisar. o Maje malit me borë që s`qas hije në sinore. Emri yt gëzim lirie lule në çdo buzë fëmije. Shqipërisë fjala jote, kushtrim dhe flamur epoke. ju bë dritë si ëndërronte rrofsh sa mosha e kësaj toke. Shkon urimi goja gojës shëndet trimit Enver Hoxhës, se të vertetës së kohës i dhe krahët e Shqiponjës.
Shqipëria nënë e gjirit të uron bir jetë të gjatë, dhe kur thotë dita njëmijë nënës prap i duket pak. Moj nëna Gjirokastrite gjiri yt me qumësht drite, dhe mbi gjith djepet që rite ç`ti jepje Shqipes e dite, rrofsh Enver… Nga Saranda në Tropojë shkon urimi goj më gojë, kush ndrit udhën siç do nëna sa vet kombit i rreh zemra…. / KultPlus.com
“Paris-presse” ka botuar, të dielën e 14 janarit 1962, në ballinë, një shkrim në lidhje me vendimin mizor të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve të martuar asokohe me shtetase ruse, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqiptarët të ndarë nga gratë e tyre ruse
Tiranë, 13 janar.
Rreth 100 oficerë dhe nëpunës civilë shqiptarë janë detyruar të ndahen nga gratë e tyre, sepse ato janë me origjinë ruse. Qeveria e Enver Hoxhës dëboi, tre ditë më parë, gratë ruse të martuara me shqiptarët në kohën kur ata ishin studentë në Moskë.
Vetëm disa nga burrat e tyre guxuan të shkonin në aeroport për t’u dhënë lamtumirën e fundit grave të tyre.
Shkrimtari Ylljet Aliçka ka treguar në librin e tij “Metamorfoza e një kryeqyteti” momentin e tmerrshëm të ekzekutimit të 22 burrave dhe 1 grua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Shkrimtari rrëfen në libër se 22 burrat nuk ndenjën në rresht, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së diktatorit Hoxha.
“Si në çdo fushë të jetës, edhe në atë të marrjes së jetës së armiqve ndodhnin parregullsi, kur rregulli nuk respektohej korrektësisht, siç ishte rasti i një ish-shefi të shtabit të ushtrisë i cili, pasi u shpall armik, dha shpirt me mjaft vështirësi nga rrahja me purteka të trasha druri në karrocerinë e një kamioni ushtarak.
Pra në mospërputhje të plotë me rregullat elementare të ekzekutimit.
Po si pasojë e shkeljes së rregullores, ndodhi që në një pushkatim pa gjyq që iu bë 23 intelektualëve të shquar të kohës, 22 burra dhe një grua, pikërisht gjatë çastit kulmor të krejt procesit, atij të ekzekutimit, në respekt të të vetmes grua, të 22 burrat nuk ndenjën në rresht për një përballë, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së Udhëheqësit në të ritë e saj dhe ca më pas, mospërqafimi i idealit të vetë Udhëheqësit.
Ndonëse e shpëtuan nga breshëria e plumbave, qëlloi që ashtu të lidhur me një tel të përbashkët me të gjithë të pushkatuarit, këta e tërhoqën pas vetes, për së gjalli, në gropën e përbashkët, hapur paraprakisht nga ata vetë.
Si rrjedhojë, fshatarët e atyre zonave u lemerisën tek dëgjonin ca rënkime dalë nga thellësia e tokës, për aq kohë sa i duhej një qenieje njerëzore të japë shpirt, mbuluar me dhe e bërë njësh me trupat e vdekur të 22 bashkëvuajtësve të saj”, thuhet në romanin e Aliçkas “Metamorfoza e një kryeqyteti”. / KultPlus.com