‘Shpirti është plot me yje që bien’

Thënie nga Viktor Hygo

Mos i edukoni fëmijët tuaj të jenë të pasur. Mësoni ata të jenë të lumtur, kështu që ata do të njohin vlerën e gjërave dhe jo çmimin.

Femrat mbajnë mend vetëm meshkujt që i kanë bërë të qeshin; meshkujt vetëm femrat që i kanë bërë të qajnë.

Asnjë ushtri nuk mund të përballojë forcën e një ideje, koha e së cilës ka ardhur.

Kush hap dyert e një shkolle, mbyll dyert e një burgu.

Mund t’u rezistosh pushtuesve, por jo ideve.

I shtypuri që e pranon shtypjen, bëhet bashkëpunëtor.

Njerëzve s’u mungon forca, por vullneti.

Lumturia ekstreme është kur të duan për atë që je, ose kur të duan pavarësisht se kush je.

Ka një spektakël më madhështor se detin: është qielli. Ka një spektakël më madhështor se qiellin: është shpirti.

Po të mos ishte femra, diamantet do të ishin gurë të rëndomtë.

Liria nis nga ironia.

Zoti është e padukshmja e qartë.

Zoti pati bërë veç ujin, por njeriu bëri verën.

Shpirti është plot me yje që bien.

Ka njerëz që do të paguanin për t’u shitur.

Melankolia është gëzimi i të qenët i trishtuar.

Spiuni del për gjueti për llogari të të tjerëve, si qeni. Ziliqari del për llogari të vet, si macja.

Një poet është një botë e mbyllur brenda një njeriu.

Atë çfarë ka krijuar përralla, nganjëherë e përsërit historia.

Suksesi është diçka mjaft e ndyrë. Ngjashmëria e rreme që ka me meritën, i mashtron njerëzit.

E gjithë historia është vetëm përsëritje. Një shekull i ngjason një tjetri.

Tek këmba e secilit zog që fluturon është e lidhur fija e pafundësisë.

Gjatë ditës është një orë gjatë së cilës mund të thuhet se mbretëron qetësia: është ora e qetë e muzgut.

Njerëzit duhet ta kenë korruptuar pak natyrën, pasi nuk linden ujqër dhe u bënë të tillë.

Edhe ideja është ushqim.

Liria e dashurisë nuk është më pak e rëndësishme se liria e mendimit. Çfarë sot quhet tradhti bashkëshortore, dikur quhej herezi.

Një femër që ka një dashnor është një engjëll, një femër që ka dy dashnorë është një përbindësh, një femër që ka tre dashnorë është një femër.

Femra nuk është tjetër veçse pendë në ajër.

Është e lehtë të jesh i mirë; të jesh i drejtë është e vështirë.

Dashuria: dy veta që janë një person i vetëm.

Dashuria nuk do që të ketë, do që të dojë.

Buzëqeshja është dielli që dëbon dimrin nga fytyra njerëzore.

Nëse Zoti nuk do të kishte krijuar femrën, nuk do të kishte krijuar as lulen./ KultPlus.com

Fitues të Ekspozitës Ndërkombëtare dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili janë Klodiana Millona dhe Endi Tupja

Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimit të thellë dhe detajuar, kanë përzgjedhur veprën nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja të titulluar “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” (2023), fituese të çmimit për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili. 

Raporti i Jurisë:

Të enjten, me 23 janar në prani të shumë dashamirësve të artit, artistëve pjesëmarrës e jurisë, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili të titulluar Ajo që ia thotë këngës…, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera. Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimi të thellë dhe detajuar, ka kënaqësinë të shpallë çmimin për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili (Galeria Kombëtare e Kosovës, 23 janar – 30 mars 2025, Prishtinë). Çmimi i ndahet veprës që është pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…”, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera.

Çmimi i ndahet veprës Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita (2023) nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së ekspozitës, duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mos përkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme. Duke kombinuar elemente dokumentare me performancën evokuese të subjekteve të saj, vepra tejkalon kufijtë tradicional, duke ofruar një narrativë të fuqishme të qëndresës dhe identitetit. Kërkimi i kujdesshëm dhe ekzekutimi kreativ i punës theksojnë një perspektivë të fuqishme feministe, duke ndërthurur historitë personale krahas një komentimi më të gjerë socio-politik. Procesi i përzgjedhjes filloi me vlerësimin e portfoliove dhe përshkrimeve të dorëzuara përmes thirrjes së hapur. Më pas, juria pati mundësinë të përjetojë veprat në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ky proces ishte veçanërisht sfidues për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të veprave të menduara, të bukura dhe unike që janë të paraqitura në ekspozitë.

Princi dhe Princesha e Uellsit takojnë të mbijetuarit e Holokaustit në 80-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit

Princesha e Uellsit përqafoi të mbijetuarit e Holokaustit ndërsa mori pjesë në përkujtimet zyrtare për të shënuar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

Kate iu bashkua bashkëshortit të saj William, Princit të Uellsit, i cili e përshkroi pjesëmarrjen e tyre si “aq të rëndësishme dhe “një nder të madh”, në Guildhall në qendër të Londrës në 80-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Bashkë, ata u takua me shumë nga 50 të mbijetuarit e Holokaustit- duke përfshirë Yvonne Bernstein, 87 vjeçe dhe Steven Frank, 89 vjeç.

“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me burrin tim”, tha Kate përpara se dyshja të takonte të mbijetuarit dhe familjet e tyre.

Në një fjalim të shkurtër, William tha: “Guximi i tyre, duke ndarë me ne momentet më të tmerrshme të jetës së tyre, është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe sigurojnë që ne të mos harrojmë kurrë. Unë i siguroj se nuk do ta bëjmë kurrë”.

The Princess of Wales meets Rachell Levy
The Princess of Wales reaches across a table to shake hands with Sabit Jakupovic during a ceremony at London's Guildhall
The Prince of Wales meets Alfred Garwood

Molla e Adamit dhe simbolika e saj e zhgënjimit

Nga Timo Mërkuri

Befasuese është poezia e rrymës ekspresioniste “Rrenë asht molla e Adamit” nga Dije Demir Frangu, e cila shquhet për qasjen ironike dhe vizionin modern mbi temën unive-rsale të dashurisë, zhgënjimit dhe ndarjes, e trajtuar si rrallë poezi nëpërmjet simboli-kës së “Mollës së Adamit”. Pavarësisht se poetja përdor simbolikën e mollës së famë-shme Biblike, ajo  i tejkalon kornizat e trajtimit tradicional duke ndërtuar një realitet poetik të veçantë, plot me figura të fuqishme dhe tonalitete të përziera. Në këtë poezi , simboli biblik i mëkatit dekonstruktohet dhe rindërtohet si metaforë që reflekton zhgënjimin e marrëdhënieve njerëzore dhe boshësinë emocionale në modernitet.

I-Menjëherë lind pyetja: Pse poetja e çmitizon mitin e mollës së Adamit kur synimi i saj kryesor në poezi është tjetërsimi i dashurisë në kohët moderne, ndërkohë që miti biblik i mollës shfaq mëkatin fillestar të njerëzimit: shkeljen e porosisë së Zotit për mos ta kafshuar mollën. Në përgjigje të kësaj pyetje të natyrëshme shprehemi se:

Poetja çmitizon mitin e mollës së Adamit për të ndërtuar një paralele krahasimi apo qasjeje midis mëkatit të parë njerëzor dhe shpërdorimit të dashurisë në kohët modern . Në mitin biblik, kafshimi i mollës simbolizon tundimin dhe mëkatin e parë, shkeljen e porosisë hyjnore dhe fillimin e ekzistencës së ndërlikuar për njerëzimin. Poetja, megjithatë, e sheh këtë mit si një “rrenë” (gënjeshtër), duke nënkuptuar se akti i kafshimit të mollës nuk është thjeshtë mëkat, ai është simbol i një ndjenje  zhgënjimi dhe  tradhtie në kohët moderne.

Në këtë aspekt, lidhja mes mollës së kafshuar dhe dashurisë së tradhtuar qëndron në idenë e shkeljes së besimit të ndërsjelltë: te kafshimi i mollës  tradhëtohet Zoti (shkelet porosia e prerë e Zotit për mbajtjen e së cilës Adami dhe Eva i premtuan besnikëri)  , në poezinë e Dije Demir Frangut, ajo është simbol i shkeljes (tradhëtisë) së ligjësive të dashurisë, ku ndjenjat shkatërrohen e shpërdorohen, si në vargun:”Ti qenie kravatlidhur, flokëkrehur / I ke shqyer t’gjitha buzëqeshjet si letrat e dashurisë.”

Pra poetja përdor këtë mit të lashtë për të treguar se, njësoj si mëkati fillestar, dashuria ( e parë) moderne është kthyer në një akt tradhtie dhe shpërdorimi. Kjo lexohet qartazi në vargun:”Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet / rrenë është se e kafshoi Adami,” i cili sugjeron se në rrënjët e historisë njerëzore ekziston një mëkat, një tradhëti  , që në modernitet shfaqet edhe në marrëdhëniet emocionale, ku dashuria është kthyer në një koncept të përdorur dhe të lënë pas, “si na dashninë sot.” Pra, në përgjigje të pyetjes së mundëshme shpjegojmë se qasja mes mollës dhe dashurisë së tradhtuar qëndron te përvoja e një tradhtie të hershme dhe universale, që tani shfaqet në forma të reja në marrëdhëniet njerëzore. Poetja përdor çmitizimin për të reflektuar mbi një plagë emocionale të përhershme.

II-Në qoftë se do kërkojmë disa veçori të kësaj poezie, unë do tju shfaq disa, parë në këndvështrimin tim personal:

1.Poezia nis me çmitizimin e mitit të mollës së mëkatit, duke e trajtuar atë si një “rrenë”, një mashtrim, por qëpas asaj poetja fsheh mrekullisht brishtësinë e ndjenjave njerëzore. Në thelb Frangu nuk përforcon narrativën biblike, por e përmbys atë katërcipërisht, madje këtë përmbysje e realizon përmes ironisë:

“Rrenë është se e kafshoi Adami

atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh

tutje do ta ketë hedhur

si na dashninë sot.”

Të ironizosh mitin biblik të kafshimit të mollës së ndaluar në kopështin parajsor me argumentimin se kafshuesi (Adami) i kishte dhëmbët të sëmurë, është më shumë se një ironi që të krijon buzëqeshje. Në këtë kontekst, molla nuk është më simbol i mëkatit, por shndrohet në një simbol zhgënjimi të hidhur, që reflekton marrëdhënien e brishtë emocionale mes njerëzve, si të përkohëshme dhe kalimtare.

2.Çmitizimi i mitit të mollës në poezinë e Frangut është qasje që e zhvendos kuptimin nga simbolika e mëkatit Biblik në një kritikë të marrëdhënieve njerëzore. Poetja e “shpë-rbën” mitin duke e zhvlerësuar momentin biblik të fajësisë dhe duke e ridimensionuar mollën si objekt që bart zhgënjim dhe manipulim. Te vargu:“Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet.” rrotullimi i mollës nënkupton zhvendosjen e kuptimit nga një simbol hyjnor në një objekt të kotë e të rrëndomtë, përmes imazhit të së cilës ajo sugjeron se dashuria dhe marrëdhëniet njerëzore kanë të njëjtin fat si miti i mollës, pra shndrimin në iluzione të zbrazëta. E parë te kjo poezi, molla nuk është simbol i mëkatit biblik, por një metaforë për zhgënjimin dhe pavlefshmërinë e marrëdhënieve moderne shfaqur te vargjet e mësipërme ku, poetja përdor ironinë, madje “tregon”se ai mëkat nuk ishte asgjë më shumë se një akt i zakonshëm kafshimi molle, pa ndonjë domethënie hyjnore, madje ai kafshim as që u dha, për arsyen vulgare se kafshuesi, Adami, i kishte dhëmbët të sëmurë. Kështu në vend të pasojave biblike që molla mbart në mit, ajo shndrohet në një frut të rrëndomtë, një iluzion që i ngjan zhgënjimit të dashurisë së përditshme. Është kjo një qasje e veçantë që reflekton në thelbin e poezisë: çmitizimi dhe zhvlerësimi i dashurisë. Marrëdhënia midis partnerëve shfaqet si diçka e zbrazët, pa emocion dhe pa qëllim. Ajo dashuri, që në poezitë e poetëve romantikë shfaqet si ideal , tani paraqitet si një ndjenjë e ftohtë, mekanike dhe e pashpirt:

“Ti qenia kravatëlidhur, flokëkrehur

I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.”

Përmes këtij imazhi, nëpërmjet metaforës “I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.” poetja tregon shkallën dhe brutalitetin (shqyer) e zhvlerësimit të diçkaje emocionale si buzëqeshjet. Dashuria nuk është më një emocion që lartëson shpirtin, por një akt që përfundon në fragmentim dhe asgjësim, si një letër e shqyer.

Çmitizimi shfaqet gjithashtu përmes metaforave dhe ironisë që përshkojnë poezinë, duke e bërë të dukshme distancën midis realitetit dhe miteve apo ëndrrave romantike. Kjo distancë pasqyrohet në ndjenjën e izolimit që subjekti lirik përjeton:

“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme.”

Pra, në çdo anë që ta shohësh çmitizimi i mitit të mollës i shërben poetes për të theksu-ar zhvlerësimin e dashurisë në kohët e sotme modern, kur ajo, ashtu si molla e Adamit, shfaqet si mashtrim, një iluzion që ka mbetur thjeshtë  si një relikt i idealizmit të së shkuarës. Ky çmitizim jo vetëm që zbërthen simbolikën biblike, por ofron një pasqyrë të qartë të natyrës së marrëdhënieve në realitetin bashkëkohor.

3. Përmes figurave poetike, poezia shpreh një ndjenjë të thellë vetmie dhe boshllëku emocional. Subjekti lirik përpiqet të komunikojë, por përballet me një mur të ftohtë indiference:

“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme.”

Pra moskomunikimi, izolimi është një ndjenjë e brendëshme e heroinës, pasi “kordat e zërit …bien në dysheme”, ku pamundësia për të shprehur ndjenjat, tashmë të tradhëtu-ara  thekson ndarjen dhe vetminë, duke krijuar një atmosferë të rënduar.

4. Kujtesa në poezi shfaqet si një mbeturinë që duhet të fshihet me fshesë ndërkohë që, ndarja ndodh pa zhurmë, pa një ofshamë apo reflektim emocional nga ana tjetër:

“E nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy.”

ku me troshat, mbeturinat e kujtesës, nënkuptojnë fragmentet e dashurisë që i vijnë në kujtesë si një ngarkesë e pavlerë, jo vetëm e dhimbëshme. Pra nga miti biblik autorja  ofrohet në aktualitetin modern të sotëm.

5.Vizualiteti i poezisë krijon një peizazh të ndezur ngjyrash, ku çdo imazh është i mbushur me kuptim simbolik. Për shembull, “flokët e shtrigave” dhe “akullnajat e vetmi-së” simbolizojnë një botë të ftohtë e të pandjeshme, thua se janë elemente të një bote akullnajore:

“E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash.”

Këto figura përçojnë një ndjenjë vetmie dhe dhimbje emocionale.

6. Poezia mjeshtërisht kombinon një tonalitet elegjiak me një dozë ironie të hollë. Ndërkohë që subjekti lirik përjeton humbjen e dashurisë, ironia ndihmon në zbërthimin e solemnitetit të kësaj humbjeje:

“Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.”

Kjo përzierje tonalitetesh e dallon poezinë nga trajtimet tradicionale të dashurisë, dhe e paraqet atë si një realitet të thjeshtë, të ngarkuar me absurditete dhe zhgënjime.

III-Poezia “Rrenë asht molla e Adamit” dallon nga shumë poezi me të njëjtën  temë përmes qasjes së saj të veçantë ironike, figurave të fuqishme poetike dhe tonalitetit të përzier. Disa nga veçoritë kryesore të saj, të shoqëruara me pasazhe specifike janë:

1.Poezia trajton mitin e mollës së Adamit dhe Evës me një qasje të veçantë, të pa hasur gjer më sot në letërsi: tepër ironike, duke e shndruar aktin biblik si një absurditet të përditshëm. Në vend që molla e Adamit të shfaqet si simbol i mëkatit, ajo shfaqet si  një “rrenë,” një simbol i mashtrimit dhe zhgënjimit në marrëdhëniet njerëzore, madje ironikisht te vargu:” atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh”

Kjo ironi nxjerr në pah brishtësinë dhe pavlefshmërinë e premtimeve në dashuri, duke i kundërshtuar idealizimet romantike, klasike e tradicionale.

2.Molla, që simbolizon një ngarje të madhe në Bibël, këtu shfaqet si metaforë  mashtri -mi. Ajo rrotullohet, duke lënë pas një ndjenjë boshësie:

 “Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet

rrenë është se e kafshoi Adami.”

Ky përdorim metaforik i mollës shpreh humbjen, braktisjen, tradhëtinë duke e barazuar dashurinë me një send të hedhur tutje si molla (e pakafshuar). Pra në thelb, molla nuk është kafshuar sepse Adamit i dhimbnin dhëmbët atë ditë, e megjithatë kafshimi i saj ( i pa dhënë) quhet mëkati i parë. Sdi pse më kujtohen rastet kur djemtë i braktisin vajzat kinse i “kanë kafshuar” djem të tjerë. Ndoshta këtë ka patur ndërmend poetja sepse  tashmë molla quhet e Evës dhe jo e Adamit.

3.Subjekti lirik përjeton një vetmi të thellë, duke u përpjekur të komunikojë në marrë -dhënie tashmë të prishur. Pamundësia e fjalës dhe indiferenca e tjetrit e forcojnë ndjenjën e vetmisë:

 “Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zëritsi kokrra breshëri më bien në dysheme

e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy.”

Kjo përshfaqje e kujtesës si “trosha” dhe heshtjes së thellë përçon mungesën e kuptimit dhe të lidhjes mes dy njerëzve në dashuri, por shfaq dhe një imazh të dhimbshëm të vajzës që përpiqet të flasë, të shfaqë pafajësinë e saj, ta bindë partnerin në qëndresën, në ndershmërinë e saj, por kordat e zërrit janë jashtë funksionimit të tyre, qoftë dhe mekanikisht e jo më shpirtërisht. Tradhëtia në dashuri është akullnaja që ngrin çdo gjë njerëzore.

4.Poezia mund të quhet dhe poezia e imazheve pasi poetja përdor një peizazh të mbushur me imazhe të fuqishme që krijojnë një atmosferë tronditëse dhe të ngarkuar emocionalisht. Psh:

“E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash.”

Shikoni pak, imazhet e flokëve, sit ë shtrigave dhe akullnajës së vetmisë pasqyrojnë me një bukuri të dhimblshme brishtësinë emocionale dhe ndjenjën e një bote të ftohtë e të largët, sa dhe të rrezikëshme. Një vajzë e tradhëtuar në dashuri është lehtësisht e goditëshme në një shoqëri ku ndjenjat njerëzore janë akullsuar.

5. Për shkak të kësaj mënyre trajtimi, poezia kombinon një ndjesi elegjiake, (që qaset me traditën) për dashurinë e humbur me një dozë ironie. Realisht në letërsinë shqipe kjo përzierje është e rrallë dhe nuk gjenden shpesh poezi që të idealizojnë dhimbjen në këtë mënyrë:

“Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.

Në shoqërimin e metaforës tronditëse  “mort të dashnisë”  ironia e kontrastit midis pritshmërisë(subjekti dëshiron të dëgjojë një kollë të keqe) dhe realitetit (një heshtje e ftohtë)  në këtë varg tregon një dëshirë për ndonjë shenjë, qoftë edhe më të voglën, për të thyer boshllëkun, duke mos e trajtuar vetminë si tragjedi epike.Në thelb poezia dallon për trajtimin e zhgënjimit përmes një qasjeje të re. Ironia, dekonstruktimi i mitit dhe imazhet e fuqishme metaforike në ndërveprim krijojnë një portret të ndjeshëm e të ndërlikuar të dashurisë së humbur. Duke kombinuar elegjinë me ironinë, ajo kapërcen idealizimin tradicionale dhe i qaset jetës reale në të gjitha absurditetet dhe zhgënjimet e saj.

IV- Mesazhi i poezisë  së Frangut qëndron në një kritikë të thellë ndaj shpërdorimit dhe deformimit të ndjenjave njerëzore të dashurisë dhe vlerave morale, si në nivel personal ashtu edhe shoqëror. Për tja arritur artistikisht kësaj ideje, poezia çmitizon mitin biblik të mollës së mëkatit dhe ndërton një metaforë universale që reflekton zhgënjimin në raportet njerëzore të kohëve moderne. Poetja tregon se dashuria, që dikur mund të ishte simbol i pastërtisë dhe përkushtimit, është reduktuar në një gënjeshtër të rëndomtë. E parë në këtë aspekt mesazhi  i poezisë mund të përmblidhet në këto pika:

1.Dashuria, dikur-themeli i marrëdhënieve të qëndrueshme, tani është shndruar në një ndjenjë të shpërdoruar, siç sugjerohet në vargjet: “Tutje do ta ketë hedhur / si na dashninë sot.” duke reflektuar mbi një shoqëri që ka humbur aftësinë për të ruajtur thelbin e ndjenjave.

2.Poetja, nëpërmjet çmitizimit të mollës së ndaluar, paralelizon shkeljen e normave (urdhërave të Zotit)në Eden me shkeljet e moralit në shoqërinë moderne. ”rrenë është se e kafshoi Adami/atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh /tutje do ta ketë hedhur /si na dashninë sot”

3. Janë të shumta poezitë që shfaqin se në botën moderne, dashuria është bërë një ndjenjë sipërfaqësore, e përkohëshme që ikën duke lënë pas vetminë e boshësinë: “Në këtë mort të dashnisë / t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.” Duhet të ndjejmë se përmes simbolikës së mollës dhe zhdukjes së kujtimeve të dashurisë, poetja shpreh një zhgënjim me mënyrën se si vlerat e dikurshme janë zbehur dhe shkatërruar në botën moderne të mashtrimeve dhe hipokrizisë.

Si përfundim mund të themi se poezia: “Rrenë asht molla e Adamit” e Dije Demir Frangut sjell një qasje të re dhe të guximshme në poezinë shqipe, duke çmitizuar një mit të përbotshëm për të reflektuar mbi shpërdorimin e ndjenjave dhe deformimin e dashurisë në kohët moderne. Me një përdorim fin të ironisë, metaforave të pasura dhe vizion të veçantë poetik, autorja ndërton një poezi që jo vetëm analizon marrëdhëniet njerëzore, por edhe sfidon perceptimet tona mbi to.  Përmes një gjuhe të fuqishme dhe figuracionit të pasur, poetja na çon drejt një introspeksioni mbi moralin, vetminë dhe mënyrën si është reduktuar dashuria në gënjeshtër të heshtur e të braktisur. Mesazhi i saj mbetet universal dhe sfidues, duke na ftuar të rishikojmë marrëdhëniet tona me dashurinë dhe vlerat njerëzore.

Sarandëm ,më Janar 2025

Dije Demir Frangu

Rrenë asht molla e Adamit

si një zonjë e trathtuar në të zeza,  ikën nata  

i tmerron dritaret  tue i  pështye zi, zi në ikje

unë e ti karrige druri, rrimë çele guri gojën

ti qenia  kravatëlidhur, flokëkrehur

I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë  

provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e  zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme

e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy

një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë

këtë natë që as shi s’bie as era s’troket dyerve t’mbyllura

 e fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas  akullnajës së vetmisë si mes thikash

 molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet

rrenë është se  e kafshoi Adami

atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh

tutje do ta ketë hedhur

si na dashninë sot/ KultPlus.com

Instituti i Krimeve të Luftës mbledh materiale edhe në Shqipëri

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, një pjesë e ekipit të IKKL-së vizitoi Shqipërinë, mblodhi materiale të rëndësishme dhe zhvilloi një seri takimesh për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi e për të forcuar lidhjet ekzistuese me figura dhe institucione kyçe.

“Në Kukës, z. Izet Ademaj, ish-polic kufitar dhe aktualisht drejtues i një organizate që mbështet të mbijetuarit e minave tokësore, dhuroi albumin ‘Ditët Kukësiane të Dramës Kosovare’ dhe librat e Jonuz Kolës nga Shoqata AlbAid. Gjithashtu, z. Sokol Kolgjini kontribuoi duke dhuruar librat e Sulejman Didës, të nënshkruara nga SHBA, të cilat pasurojnë më tej arkivin e IKKL-së me materiale të vlefshme”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në Tiranë, ekipi i IKKL-së zhvilloi takime në Bibliotekën Kombëtare, ku u pritën nga Zv. Drejtoresha znj. Majlinda Toçi dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku patëm kënaqësinë të takonin znj. Mira Hoxha. Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për të kontribuar me materiale relevante për arkivin e IKKL-së. Gjithashtu, gazetarët e njohur z. Mero Baze dhe z. Rexhep Shahu, kontribuan duke dhuruar materiale të rëndësishme për arkivat tona, ndërsa z. Armand Mero, gazetar i Zërit të Amerikës, ndau këndvështrimin e tij profesional dhe përvojën e tij mediatike, duke ofruar një pasqyrë unike për ekipin tonë.

“Në Durrës, gjatë takimit me z. Kudusi Lama, u zhvillua një shkëmbim konstruktiv i mendimeve, duke thelluar më tej bashkëpunimet tona edhe në këtë qytet të rëndësishëm. Angazhimi ynë për të ruajtur kujtesën historike dhe për të ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me individë dhe institucione që ndajnë të njëjtat vlera dhe qëllime mbetet i palëkundur”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Vaji i bylbylit

Ndre Mjeda

Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.

Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamie,
Ke me gjrtë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.

E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.

Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.

E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshte kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Por vaj! Se ‘i dimën tjetrë
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.

Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.

A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.

Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.

Kur a tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’këngë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.

Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.

Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.

T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.

Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kena për ju nji kob.

Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.

Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.

III

Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.

Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…

IV

Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.

Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.

Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.

Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.

Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.

Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.

Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.

Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue.

Forma e përkyer, gjatësie e vargut nis me katër-gjashtë rrokësh në pjesën e parë, tetë në të dytën, nëntë në të tretën, dhejtë dymbëdhjetë dhe gjashtë rroksh në të katërtën. Rrima abcb në pjesën e parë, abbc në të dytën, abab në të tretën, aabb në të katërtën. A ka bylbyl të këndojë më larmishëm e më gjatë pa iu dridhur zëri një herë të vetme?
Vargje shekspiriane:
Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.
për Bylbylin, presje mbas çdo shkrimi të fjalës si një përulje të thellë për të.
Dymbëdhjetë herë, aq sa muaj ka viti, grishje “Fillo me gëzue”, e mbas tyre një mbyllje e papritur “Kam për t’u gëzue” që na bën ta nisim recitimin (leximi është i pakët) nga e para e nëse gjendet bylbyl të na shoqërojë të shohim kush i vajton më bukur fitores së jetës ndaj vdekjes, gazmendit ndaj idhnimit, lirisë ndaj burgut.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Ne erdhëm. Bylbyl, fillo me gëzue./ KultPlus.com

Panairi ‘Fitur 2025’, Çela: Vizitorët shijojnë destinacionet turistike shqiptare në këndin VR

Në stendën e Shqipërisë në panairin Ndërkombëtar të Turizmit, “Fitur 2025’ në Madrid, Spanjë, këndi VR është më i frekuentuari.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, e cila ndodhet në Madrid në kuadër të këtij panairi, në një video të publikuar në rrjetet sociale tha se “kjo është hera e parë që vizitorët ndëkombëtarë po shijojnë destinacionet turistike shqiptare në mënyrën më reale të mundshme me VR stereoscopic 3D”.

“Në stendën tonë ka një kënd që është më i vizituari, pasi stafi jep informacione vizitorëve të shumtë, më pas ata kalojën në këndin VR, ku shikojnë të gjithë informacionin për Shqipërinë turistike. Ndalen në vijën brgedetare në plazhet më të bukura, në Shqipërinë malore, të agrobiznesit dhe shikojnë një Shqipëri në të gjitha senset e saj dhe e gjithë kjo e bërë me nje teknologji të lartë, me një sistem me 8 kamera, të cilat xhirojnë me 360 gradë për të na dhënë të gjithë buku me syzet VR bukruitë e natyrës dhe trashëgimsië kulturore që Shqipëria prezanton në panairin ndërkombëtar të “Fitur 2025”, tha Çela.

Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria është kthyer në stacionin më tërheqës për vizitorët në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” 2025 që hapi dyert të mërkurën në Madrid.

Panairi “Fitur 2025” është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit dhe panairi kryesor për tregjet hyrëse dhe dalëse në vendet iberike.

Stenda e Shqipërisë po kthehet në një qendër aktivitetetesh, pjesë e axhendës së organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e konceptuar si një miks përvojash që prezantojnë Shqipërinë si destinacionin më emocionues në Europë, që nga përjetimet përmes eksplorimit virtual të vendit, “Albanian Nights” të frymëzuara nga trashëgimia e pasur e traditave të kulturës dhe jetës së komuniteteve, deri tek përvojat e degustimit të ofruara nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit./ atsh/ KultPlus.com

‘The Guardian’ – Karnavalet e Shkodrës më të veçantat në Ballkan, si alternativë e atyre të Venecias

Në Kroaci, në Malin e Zi dhe në Shqipëri, trashëgimia e pushtimit venecian jeton në një seri karnavalesh spektakolare, që këto ditë kanë një aromë lokale, shkruan Camilla Bell-Davies për ”The Guardian”.

Udhërrëfyesja ime, Jovana Markic ngre një gotë verë nga një tavolinë rruge në qytetin e vjetër të Kotorrit dhe ngre një dolli: “Abrum!”

Tavolina është e pavëzhguar nga askush dhe nuk lidhet me ndonjë restorant të caktuar, por njerëzit me kënaqësi po ndihmojnë veten për të pirë verë dhe për të ngrënë ushqim. Jovana thotë se kjo është normale.

Është një gjest i mirëpritur për vizitorët që vijnë në Kotorr, në bregdetin adriatik të Malit të Zi, për karnavalin e Mardi Gras (3-25 shkurt të këtij viti).

”Abrum” do të thotë mirëseardhje në dialektin vendas dhe vjen nga ”ombra”, dialekti venecian për një gotë të vogël me verë.

Ndërsa pimë verë, argëtues dhe muzikantë të veshur me kostume vërshojnë nëpër rrugët e ngushta dhe mblidhen në sheshet me kalldrëm dhe jashtë kishave baroke. Ajo të kujton Italinë, por ajri ka aromë shege dhe kafeje turke.

Jovana tregon një luan guri mbi portat e qytetit, simboli i Venecias. Luani mban një libër të hapur, që do të thotë se Kotorri ishte gjysmë autonom nën venecianët, nga 1420 deri në 1797, së bashku me pjesë të bregdetit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Gjatë ditës parada është një përzierje ngjyrash dhe tingujsh, por gjatë natës kokat e kafshëve marrin një aspekt të botës tjetër.

Këtë vit, në vend që t’i bashkohem karnavalit të mbipopulluar dhe të kushtueshëm të Venecias, kam ardhur të shoh se si ka jetuar trashëgimia e saj në këto poste dikur të fortifikuara ballkanike.

Karnavalet më të famshme janë këtu në Kotorr dhe në Rijeka të Kroacisë, por ka shumë të tjera përgjatë bregut të Adriatikut. Ato përfshijnë një karnaval të ringjallur në Shkodër, qyteti shqiptar që prodhon mijëra maska ​​për Venecian.

Ambienti është më i ashpër se Venecia. Kotorri ndodhet në një lagunë blu të rrethuar nga malet. Panorama shihet më së miri nga një teleferik që nis pak jashtë qytetit dhe ngjitet në majën më të lartë të Lovçen. Eksploruesit venecianë u ndeshën për herë të parë me dramën e Kotorrit nga deti, kur lundruan në gjirin e Bokës në vitin 1420. Ata u kthyen për të ndërtuar porte, qytete tregtare të rrethuara me mure, katedrale dhe fortesa.

Ata hodhën gjithashtu një ”Mardi Gras” të frymëzuar nga Venecia për të shënuar fundin e dimrit. Edhe sot e kësaj dite, banorët e Kotorrit mbajnë maska ​​në stilin satirik italian të komedisë. Nëse një politikan ka zemëruar njerëzit atë vit, ata do ta dinë që kur të vijë koha e karnavalit do të përcjellin mesazhet e tyre.

“Fatkeqësisht, shumica e politikanëve tanë duket se nuk e kuptojnë kritikën e fshehtë”, thotë Jovana.

Në vitin 2022, një kukull e kryeministrit të atëhershëm Dritan Abazoviç u dogj ceremonialisht në fund të paradës për të shuar shenjat e këqija.

Abazoviç postoi një imazh të kukullës së tij në rrjetet sociale së bashku me një falënderim të sinqertë.

Është e gjitha shumë italiane derisa muzika popullore shqiptare të nisë dhe t’i bëjë të gjithë të kërcejnë.

Maska të stilit venecian mund të blihen në disa dyqane kostumesh nëpër qytet, duke përfshirë një pranë Hotel Boutique Historik Cattaro. Topi dhe parada kryesore (23-25 ​​shkurt) nis me një festë me ushqime deti dhe verëra malazeze dhe kulmon me një paradë dhe zjarr kaleidoskopik.

Për të mbushur stomakun përpara festimeve të mbrëmjes, shkoni në Restaurant Galion ose Konoba Galerija, i njohur për ushqimet e detit të përzier me një salcë me vaj ulliri, verë, hudhër dhe erëza të buta.

Përgjatë bregdetit në Kroaci, karnavali i Rijekës zhvillohet nga 17 janari deri më 5 mars.

Këtu, frika e vazhdueshme e venecianëve nga infiltrimi i armikut nga perandoria austro-hungareze dhe otomane, i shtyu autoritetet e qytetit të ndalonin maskat në karnaval, pasi nuk e dinit se kush ishte pas tyre.

Tani, çdo vit, kryetari i bashkisë së Rijekës ia dorëzon çelësin e qytetit mjeshtrit të ceremonive të karnavalit, i cili bëhet kryetari simbolik i festave. Zgjidhet një mbretëreshë e karnavalit. Parada zhvillohet të dielën e fundit para së ashtuquajturës ”e mërkura e hirit”.

Maskat e Rijekës ndryshojnë shumë nga stili italian: në vend të puplave dhe temave, ka  koka të çuditshme kafshësh me brirë dhe gjuhë të kuqe.

Shumë janë fermerë që vijnë nga fshatra që mbajnë vaj ulliri, djathëra, verëra dhe mish të pjekur, të cilat vizitorët mund t’i provojnë në tezga.

Ditën parada është një trazirë ngjyrash dhe tingujsh, por natën kokat e kafshëve marrin një aspekt të botës tjetër.

Ndihet më afër ritit pagan të dëbimit të dimrit.

Karnavali që ngjan më shumë me një ballo mesjetare me maska ​​veneciane zhvillohet në Shkodër (20-22 mars). Megjithëse Shkodra kaloi nga kontrolli venecian në Perandorinë Osmane në fund të shekullit XV, ajo u bë një qendër e prodhimit të maskave të karnavalit në vitet 1990, kur Venecia filloi t’i kontraktonte ato për shkak të rritjes së kërkesës.

Një nga këta furnizues është artizani shqiptar Edmond Angoni, i cili ngriti Fabrikën e Maskave të Artit në Venecia në vitin 1996 dhe tani prodhon më shumë se 20 000 maska ​​​​të punuara me dorë në vit.

Kur e vizitoj para karnavalit, dalloj të gjitha figurat e komedisë italiane, të varura në sallon.

Artizanët më tregojnë edhe mënyrën e punimit të tyre.

Maskat dërgohen në Venecia, Rio de Zhaneiro dhe madje edhe në Hollivud dhe disa mbeten në Shkodër, ku një karnaval ka nisur fuqishëm që nga vitet 1990.

Ai u shartua me një traditë vendase (që ishte e ndaluar në kohën e komunizmit) ku figurat e njohura si ”surretënit” shkonin derë më derë duke kërcyer dhe duke kënduar dhe shpërbleheshin.

Në ditët e sotme, karnavali i Shkodrës organizohet nga Kisha Katolike.

Të ftuarit parakalojnë nëpër pazarin me kalldrëm me fustane mesjetare dhe një ballo zhvillohet në Hotel Tradita.

Është e gjitha shumë italiane derisa muzika popullore shqiptare të nisë dhe t’i bëjë të gjithë të kërcejnë.

Rakitë e frutave do t’ju bëjnë të lëkundeni në një ritëm të madh ballkanik, ndërsa kamerierët ju shërbejnë me raki dhe pjata me mish.

Shkodra është e bekuar me një liqen të bukur dhe para se të fillojnë festimet, shkoj në bar-restorantin e Hotel Balani, buzë liqenit, dhe shikoj peshkatarët që kapin krapin e Shkodrës.

Legjenda thotë se krapi është i vetmi peshk që shqiptarëve u pëlqente të hanin gjatë pushtimit venecian, sepse vendasit u tmerruan nga zakoni venecian për të pompuar ujërat e zeza në det.

Tava e krapit është një pjatë kyçe në kohën e karnavalit./ atsh/ KultPlus.com

Vdes akademik Minir Dushi

Sot ka vdekur inxhinieri i parë shqiptar dhe akademiku Minir Dushi.

Lajmin për vdekjen e akademik Dushit e ka bërë Komuna e Mitrovicës përmes një telegram ngushëllimi, ku edhe është cilësuar një figurë e shquar në fushën e mineraleve.

Në këtë telegram ngushëllimi u tha se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.

Komuna e Mitrovicës nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës./ KultPlus.com

Filharmonia koncertin e radhës e mban me yllin italian të flautit, Andrea Griminelli

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i radhës i Orkestrës së Filharmonisë do të mbahet me yllin italian të flautit Andrea Griminelli, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Mozartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa.

Në këtë mbrëmje, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethoven-it, Orkestra do të interpretojë Simfoninë e 8-të të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.

Me këtë koncert, i cili mbahet më 31 janar 2025  do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com

Rama: Maskat veneciane të prodhuara në Shkodër, pjesë e artikullit në “The Guardian”

Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të “The Guardian”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar në “The Guardian”, ku pasqyrohet prodhimi i maskave veneciane në Shkodër.

“Maskat veneciane që prodhohen në Shqipëri janë bërë pjesë e artikullit të ‘’The Guardian’’, ku përmendet Shkodra si qyteti që jo vetëm e ka mirëpritur traditën e Karnavaleve çdo 20-22 mars, por dhe është kthyer në furnizues kryesor prej vitit 1996, me më shumë se 20 000 maska në vit të punuara më dorë”, shkruan Rama.

Maskat veneciane prodhohen në një atelie në Shkodër, ku artistët pikturojnë dhe dekorojnë me dorë dhjetëra mijëra maska veneciane, që pjesëmarrësit e festivaleve duan t’i mbajnë gjatë gjithë sezonit të karnavaleve në mbarë botën.

Atelieja përbëhet edhe nga një sallë ekspozite, ku vizitorët mund të admirojnë modelet e luksit të dekoruara me flori apo argjend, të zbukuruara me pendë, kristale Swarovski, perla. Ekspozita konsiderohet një atraksion shtesë për turistët e huaj që vijnë të vizitojnë Shkodrën, “Venecian e Shqipërisë”, e famshme për liqenin dhe kalanë e saj./atsh/KultPlus.com

“Më tutje, më larg përtej vetes time të kërkoj”

Pedro Salinas. Sjellë në shqip nga Elona Caslli.

Po, përtej njerëzve
të kërkoj.
Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin,
as në imazhin tënd, po ta pikturojnë.
Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.

Përtej vetes tënde të kërkoj.
Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde,
as në shkrimin tënd
dhe madje as në shpirtin tënd.
Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.

Më tutje, më larg
përtej vetes time të kërkoj.
Ti nuk je veçse
ajo çka ndiej.
Nuk je veçse
ajo çka rreh bashkë me gjakun
në venat e mia.
Nuk je brenda meje.

Dhe për të të gjetur
duhet të mos jetoj më
brenda teje,
brenda vetes time
dhe brenda njerëzve.
Duhet të jetoj përtej gjithçkaje,
në bregun tjetër të gjithçkasë,
për të të gjetur ty
njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor të vitit 1929 në Frankfurt am Main.

Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës. Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes, ditar ky që u publikua pas vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus sjell disa nga thëniet më të njohura të saj, të cilat janë shkëputur nga ditari i saj.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.

“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / KultPlus.com

Jeta e vështirë e Mozartit, letra me të cilën ai i drejtohet mikut të tij për t’i kërkuar borxh

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.

Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.

I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh tëe ri, kërkesa të reja.”

/KultPlus.com

“Don Kishoti”, përsëri në shqip 100 vjet pas përkthimit të Nolit

 Përveç përkthimit 100-vjeçar që i bëri Noli, “Don Kishotit të Mançës”, ka ardhur në shqip një tjetër përkthim, ai i Bajram Karabollit. Përkthyesi ishte i ftuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në një takim letrar mbi “sojliun mendjemprehtë”.

Romani fantastik i Migel Servantesit, edhe pse i publikuar që në 1605-ën (pjesa e dytë në 1615) mbetet ndër librat më të lexuar edhe në kohën tonë. Figurës së Don Kishotit dhe bëmave të tij, shpeshherë i referohemi sot e kësaj dite për të etiketuar fenomene të ndryshme.

QKLL thotë se, përkthim i ri në shqip “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës”, pas atij 100-vjeçar të Nolit, vjen me një shqipe më të pasur, si dhe fragmente dhe faqe të tëra të përkthyera për herë të parë nga Bajram Karabolli.

Ripërkthimi i këtij romani ofron një qasje dhe mundësi të re leximi dhe interpretimi për lexuesin e sotshëm. Në takimin letrar në QKLL ishin të pranishëm dhe të rinj me të cilët përkthyesi foli mbi procesin e përkthimit të romanit, njohjen e jetës dhe veprimtarisë së Servantesit, njohjen me veprën në gjuhën origjinale, përkthimet në gjuhë të tjera si dhe me përkthimet në gjuhën shqipe (realizuar nga Noli dhe Zheji)./atsh/KultPlus.com

“Trëndafilin kur ta dhashë”, koncerti i Ansamblit Popullor dedikuar dashurisë

Ansambli Popullor e çeli sezonin e tij të ri artistik me koncertin “Trëndafilin kur ta dhashë”. Koncerti tërhoqi vëmendjen e publikut i cili mbushi gjithë sallën e TKOBAP.

Këngët dhe vallet më të bukura shqiptare erdhen në një koncert-triptik muzikor, i mbështetur në lajtmotivin e dashurisë.

“Trëndafilin kur ta dhashë” erdhi si një udhëtim muzikor nga Veriu, Shqipëria e Mesme dhe trevat e Jugut, ku u përjetua pasuria kulturore, magjia e këngës shqipe dhe bukuria e valleve tradicionale.

Drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Solol Marsi tha se kjo ishte një shfaqje me emocione të bukura e të forta. “Trëndafilin kur ta dhashë” përmbante këngë, valle, pjesë vokale të cilat trajtuan të gjitha tematikën e dashurisë.

Në shfaqje interpretuan solistët e Ansamblit Kombëtar, grupi i valleve, grupi vokal dhe orkestra. Ndër pjesët më të duartrokitura ishte K’cimi i Tropojës por gjithashtu publiku shijoi vallen e Çamërisë, vallen e Shqipërisë së Mesme etj./atsh/KultPlus.com

“Falsifikatorët”, filmi që fitoi Oscar vjen në Ditën e Përkujtimit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ambasada e Republikës së Austrisë në Tiranë organizojnë sot, shfaqjen e filmit “Falsifikatorët”.

“Falsifikatorët” me regji të Stefan Ruzowitzky, është një prodhim austriako-gjerman. Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, në kampin e përqendrimit Sachsenhausen dhe tregon për programin më të madh të falsifikimit të parave nga nacionalsocialistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky program falsifikimi parash prej nazistëve njihet si “Aksioni Bernhard”.

Filmi trajton një aspekt pak të njohur të historisë së Holokaustit dhe njëkohësisht ngre pyetje thelbësore për jetën aktuale: pyetje për humanizmin dhe kurajon civile, për përshtatjen dhe rezistencën.

Filmi “Falsifikatorët” u vlerësua në vitin 2008 me çmimin Oskar si “Filmi më i mirë i huaj”.

“Falsifikatorët do të shfaqet pasditen e sotme, në Kinema “Millennium”, në gjuhën origjinale, me titra shqip./atsh/KultPlus.com

Begaj pret këngëtaren Anna Oxa: Në çdo fjalë përcjell dashurinë për Shqipërinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në Presidencë këngëtaren me origjinë shqiptare Anna Oxa.

Kreu i Shtetit u shpreh se artistja italiane me famë botërore, Oxa në çdo fjalë përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë.

“Ditë e veçantë sot në Presidencë me shqiptaren nga rrënja e Shqipërisë, Kruja, artisten italiane me famë botërore, Anna Oxa, dhe familjen e saj. Në çdo fjalë ajo përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë, amanet që po e trashëgon”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Në vitin 2020 Anna Oxa (Hoxha) ka marrë pasaportën shqiptare nga dora e kryeministrit Edi Rama.

Ajo ka jetuar gjithë jetën e saj në Itali dhe ka zhvilluar karrierën si këngëtare, por origjinën e saj nga Kruja nuk e ka harruar kurrë./atsh/KultPlus.com

Agim Qirjaqi, artisti poliedrik dhe elegant i skenës dhe ekranit

Teatri Kombëtar kujtoi sot aktorin e shquar Agim Qirjaqi, në ditën e tij të lindjes.

Qirjaqi lindi në Kolonjë, më 27 janar të vitit 1951. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973 filloi punën si aktor në Teatrin Kombëtar. Në skenën e TK, Agim Qirjaqi luajti me sukses shumë role të dramaturgjisë sonë dhe asaj botërore si: “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Hijet e natës”, “Rikardi III”, “Fando e Lis”, “Marrëzia e madhështisë”, “Këngëtarja tullace”, “Armiku i Popullit” etj.

Në sezonin artistik 2002-2003, Agim Qirjaqi ishte edhe drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ai skaliti në kujtesën e publikut një mori karakteresh të skenës dhe ekranit, duke u bërë një burim krenarie për kulturën dhe kinematografinë shqiptare. Agim Qirjaqi është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” ndërsa pas vdekjes u vlerësua edhe me dekoratën “Nderi i Kombit”. Ndër rolet më të spikatura të tij në kinematografi mund të përmenden: drejtori tek “Lulëkuqe mbi mure”, profesori tek “Apasionata”, komediani tek “Tela për violinë”, Ethemi tek “I dashur armik”, etj.

Agim Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars të vitit 2010./atsh/KultPlus.com

‘Po, unë kam qenë shumë i sëmurë, por pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur’

Edgar Allan Poe

(Tale Heart-1843)

-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?

A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.

-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.

E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.

Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.

Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!

Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.

-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.

-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.

– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.

Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!

Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.

Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.

A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.

Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.

Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë , në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!

– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.

Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.

-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.

I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.

Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??

Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”

Përktheu: Albulenë Krasniqi / KultPlus.com

Historia e panjohur e motrës së Mozartit, e cila ‘sakrifikoi’ për kompozitorin

Maria Anna Mozart motra e madhe e Wolfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishin pengesat që koha ia vinte një gruaje në karrierë atë kohë.

Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën që të mësonte të gatuante dhe të martohej.

Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Evropë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i saj) ajo që merrte vëmendjen e madhe të kritikëve.

Por më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqendruar gjithçka te djali, Volgang. Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetë evropiane të të dyve dhe për këtë arsye, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Annas u ndërpre.

Fati i saj ishte tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej grua dhe nënë e mirë. Historinë e motrës së Mozartit, gati dy shekuj pas, e risjell vepra teatrale e shkruaj nga Sylvia Milo me titull “Mozarti tjetër”.

Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë “Nanerlit” gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.

Edhe vetë Volfgangu e kishte të qartë talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto” i thoshte ai.

Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, vetëm familjet e pasur mund të kishin mundësi të investonin te një pianist. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të viktimave të Holokaustit

Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit”.

Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.

Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪‎

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. ‪‎Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre. / KultPlus.com

Gonxhja: Muze “Besa”, homazh për guximin dhe fisnikërinë e shqiptarëve ndaj hebrenjve

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se është dita të kthejmë sytë drejt një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore, duke kujtuar me nderim viktimat e pafajshme dhe duke vlerësuar aktet e guximshme të atyre që zgjodhën humanizmin përballë errësirës.

“Në këtë ditë reflektimi, nderojmë ndër të tjera edhe popullin shqiptar, i cili, i udhëhequr nga tradita e lashtë e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtoi duke i hapur dyert e shtëpisë qindra hebrenj nga përndjekja e pashpirt gjatë Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Gonxhja.

Heroizmi i shqiptarëve, një shembull i rrallë i solidaritetit dhe humanizmit, do të përjetësohet së shpejti në muzeun “Besa”, i cili do të ngrihet në zemër të Tiranës. Ky muze do të jetë më shumë sesa një hapësirë kujtese; do të jetë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një homazh për guximin dhe fisnikërinë, një vend ku tradita e paqes, tolerancës dhe respektit për jetën njerëzore do të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Ministri i MEKI-t kujtoi se, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka nisur ndërtimi i Muzeut Hebraik në Vlorë, që do të hedhë dritë mbi traditat e solidaritetit dhe humanizmit të rrënjosura thellë te shqiptarët, duke paraqitur lidhjen e jashtëzakonshme midis shqiptarëve dhe komunitetit hebre këtu dhe nëpër botë./atsh/KultPlus.com

124 vjet nga vdekja e kompozitorit revolucionar, Giuseppe Verdi

Giuseppe Verdi ishte dhe mbeti i plazmuar si një prej dy majave që rrokaqiellin me famë dhe madhështi eterin operistik të shekullit XIX. Viti 2013 ishte një vit kujtese për atë që do të skaliste në memorien e brezave shtatoren më të lartë të kumtimit mjeshtëror të një shekulli.  200 vjet në të ikur e naltësuan në apogje këtë figurë emblematike. Gjunjëzohemi sot, besimplotë para kujtesës për këtë gjeni tokësor të operas italiane dhe botërore. Përbashkohemi krejt tok në këtë mbamëndje. Se kjo magji ngas në vetëdijen tonë artistike nderim të njëzëshëm, për Giuseppe Verdin, ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian.

Ngadhnjimtari i Apenineve

Giuseppe Verdi, italian kryekëput ishte ai. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane. Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.

Emblematiku i skenave operistike

Pa emrin e Giuseppe Verdit, galeria e kryeveprave operistike botërore do të ishte e mangët. I zbrazët do të ishte qielli i bruztë i shekullit XIX pa Giuseppe Verdin dhe Richard wagnerin, emrat e të cilëve nuk na lidhin vetëm me operan, por me botkuptimin dhe filozofinë e përjetimeve dhe shijeve estetike të një shekulli. Bota Apenine pa Verdin nuk do të kishte kreshtë të krenarisë prejnga do të mësynte gjeneratave dhe botkuptimeve me një shëmbëllim të kësisojtë. Sot 200 vjet më parë lindi ai, ai dhe ato; “Rigoletto”, “Traviata”, “Trovatore”, “Nabuko”, “Makbeth”, “Aida”, “Don Carlo”, “Otello”. Pa këto kryevepra të memories operistike, pa këto kumte lirike do të mbyllnin dyert ata që sot mbahen sallat e shugurimit të shenjtorëve të artit. Saora do të shterronte forca e përceptimeve ndjesore, marrëdhënia e shënjtë e njeriut me muzikën dhe densitetin emocional që shpërthente nëpër këto salla, për tu kthyer më pas në energji dhe vitalitet vërshimi ndryshues dhe përqafës.

Viti 2013, viti “Viva Verdi”

Viti 2013 është viti verdian. Dyqindëvjetori i lindjes së Giuseppe Verdit u përkujtua dhe vazhdon të mbush sallat koncertore dhe operistike me shpirtin e kredhur në kryeveprat e tij. Në çdo cep të globit, ai do të rivijë në të tashmen e këtij brezi, mbamëndje dhe trashëgimi universale e njerëzimit. Në Italinë mëmë, “Viva Verdi” përciku me aktivitetet përkujtuese pëllëmbë për pëllëmbë Gadishullin Apenin. Nga Parma, vendlindja e kompozitorit më 12 janar, me një ballo me maska startoi ky vit festiv, për tu përmbyllur me Traviatën që do t’i besohet  Daniele Gatti, në La Scala më 7 dhjetor 2013.

Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane dhe asaj botërore. Ai mbetet i tillë jo vetëm në kufinjtë shpirtëror dhe kalendarik të shekullit të XIX. Kapërceu me sharmin dhe kumtin e tij shekuj dhe gjenerata. Shkroi me shpirt dhe pasion ata që do të jenë sot e në përjetësi pjesë të fondit të artë të historisë së operas.

Vegjelia e mjeshtrit të madh

Giuseppe Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqen qysh heret. Shkollimi i këtij vullneti ngashërues u vu përballë pamundësishë dhe vështirësishë. Paradoksale por jo e panjohur, kjo ngase ai kishte origjinë nga fshati. Në moshën 18-vjeçare dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se e kishte kaluar moshën e paraparë dhe se nuk zotëronte mirë pianon. Për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punojë që të sigurojë mbijetesën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh, Verdi arriti të kompenzonte mësimet që do t’i bënte në konservator. Meqë punonte si instrumentist në qytetzën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Veç punës për ngritjen profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, kryevepra të letërsisë botërore që do të bëheshin mbështetje për krijimin e libreteve të operave të tij të njohura.

Kompozitori revolucionar dhe patriot

Veç origjinës që e torturoi, paradoksalisht rrugëtimin e tij promovues do ta tensiononte, por edhe do ta lartësonte pozita historike e Italisë. Verdi jetoj në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Ndaj kjo e bëri atë dëshmimtar dhe pjesëmarrës të zedhshëm në këto përpjekje dhe përleshje. Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje, ngjizej sakaq në flakadanin e kësaj “kacafytje”. Kësisoj kjo etapë mund të quhet si etapa revolucionare e Verdit. Asokohe ai arrin suksesin e vet të parë me operën “Nabuko”, e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rilindjes. Nga kjo kryevepër operistike, emri i Verdit u be siombol i kësaj levizje që shprehej me “VIVA Vitori Emannuel”, mbreti i Italisë. Pra i brohorisnin mbretit të Italisë, në vend të atij të Austrisë, nën sundimin e të cilit osohere ishte Italia. Korali nga opera Nabuko këndohej si kënge patriotike nga masat italiane, duke e vendosur sakaq shpirtin verdian në vijën e parë të frontit patriotik.

Kapërthimi në kreshtën e lavdisë

Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën. Mjeshtri dallon nga bashkatdhetaret e vet, kompozitorët, të cilët vite të tëra jetonin dhe krijonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe, Itali, lidhur ngusht me popullin si një patriot i vërtetë. Ai u përkushtua sakaq në njohje me historinë e vendit të tij mbi te gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës, prej së cilës hoqi disa mangësi eventuale që vëreheshin, veçanërisht në operat seri. Ai bëri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos, jo për qellim në vetvete, por për shërbim të përmbajtjes.

Meloditë e operave të Verdit ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Këto dy komponent njësues ishin të mishëruara mesvedi, ndaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte, dhe bashkëpunoi ngusht me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi njëkohësisht anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e Verdit mbështetej veçmas në burimoren e traditës. Kësisoj ai erdhi për të mbetur një faktor i rëndësishëm i afrisë me njerëzit e thjeshtë. Kujtojmë kushtet dhe rrethanoren e asokohëshme, kur opera ishte një art vetmitar i ngushëllimit të tragjikes së një brezi.

Verdi kompozitori patriot

Origjina e tij do ta mbante shpirtërisht dhe artistikisht të lidhur me Italinë dhe popullin italian, historinë dhe traditën e kombit. Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjate jetës se tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të Italisë dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901. Ai kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kane një përmbajtje serioze dhe disa sosh janë edhe tragjedi. Operat me të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabuko, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, ballo me maska, Aida, Othello Falstaf opere komike.

Në historinë e gjate të operës, Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat me të bukura të operës Italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës Italiane, të absorbojë elementet pozitive që ishin shfaqur ne artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente te reformës se Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

Verdi dhe Wagneri polet e universit operistik

Ata ishin dhe mbetën më të mëdhenjt e një shekulli. Shkruesit me të zellshëm të historisë së operas evropiane dhe botërore. Ata jetuan si një binom paradoksal. Verdi dhe Wagneri, ishin udhëheqësit e shkollave të tyre përkatëse të muzikës. Dukshëm ata nuk e durojnë njëri-tjetrin në masë të madhe, edhe pse kurrë nuk u takuan. Komentet e Verdit mbi Wagner dhe muzikën e tij janë të pakta dhe aspak mirëdashëse “Ai gjithmonë zgjedh, të panevojshmen, rrugën e braktisjes, duke u përpjekur për të fluturuar ku një person racional do të ecte me rezultate më të mira, shkruan Verdi. Me të mësuar ndarjen nga jeta të Wagner, Verdi e derdhi brendinë: “Sad, i trishtuar, i trishtuar! Një emër që do të lërë një përshtypje të fuqishme në historinë e artit.” Prej komenteve të Wagner-së mbi Verdi, vetëm një është e mirënjohur. Pas dëgjimit të Requiem të Verdit, gjermanisht, pjellor dhe elokuent, në komentet e tij me disa kompozitorë të tjera deklaroi, “Ajo do të jetë e mirë për të mos thënë asgjë.”. I tillë ishte Wagner, sepse sintesë e këtij shpirti ishte dhe “Tristani dhe Izolta”, tragjik.

Verdi më shumë se një kujtesë

Sot kur njëzëshëm dhe vullnetlirë thërrasim dhe pranojmë atë, Giuseppe Verdi, si një korife i operas italiane dhe botërore, kujtesa do të ishte një prekje e përciptë e ngulmit që rreket të rrok të tashmën e një gjenerate. Ne i jemi më së shumti mirënjohës. Italia do t’i jetë borxhli, Giuseppe Verdit, atij që nuk i’a ktheu shpinën kurrë, atij që e ngriti me pasion dhe përkushtim vendlindjen e tij në pjedestalin e universit operistik. Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin, lirikun dhe romantikun ngadhnjimtar të shekullit XIX. /Albert Vataj /KultPlus.com