Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit me nderime të larta ushtarake në Pallatin Presidencial në Bogota, nga Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro.
Presidentja Osmani ka shkruar se Kolumbia ka shfaqur një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën.
“Kolumbia shfaqi një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën dhe qytetarët tanë gjatë vizitës sime zyrtare në këtë shtet, që është gjithashtu vizita e parë e një kreu shteti nga Kosova në Kolumbi. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si siguria, turizmi, ekonomia e kultura, si dhe për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohëse pafund për mbështetjen për Kosovën!”, ka shkruar ajo./KultPlus.com
Më 27 nëntor të vitit 1926 u nënshkrua Pakti i Parë i Tiranës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot se, ky pakt italo-shqiptar, i quajtur ndryshe si Traktati i Paqes dhe i Sigurisë, kishte një vlefshmëri 5-vjeçare. Pakti e detyronte Tiranën zyrtare të pranonte në radhët e ushtrisë dhe të policisë, oficerë italianë, për mbikëqyrje dhe për trajnime.
Të dy vendet nënshkruese do të ofronin mbështetje ushtarake dhe ekonomike për njëra-tjetrën. Në disa prej neneve të paktit përcaktohej se:
Kushdo që shkonte kundër çështjeve ekzistuese të “status quo”-së shqiptare, do të shihej si armik i shtetit shqiptar dhe atij italian;
Të dyja vendet nuk do të lidheshin me marrëveshje të tjera politike apo ushtarake që dëmtonin interesat e njëra-tjetrës;
Të dyja palët i nënshtroheshin një pajtimi të veçantë nëse lindnin çështje që nuk mund të zgjidheshin me urdhër diplomatik.
Nuk munguan reagimet e ish-Jugosllavisë, e cila ndërmori aksion ushtarak kundër kufirit verior të Shqipërisë me mbështetjen e Francës. Kjo aleancë jugosllavo-franceze u konsiderua prej Musolinit si një akt kundër Italisë./atsh/KultPlus.com
Me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, të përmbyllura në Prishtinë, më 27 nëntor, procesi i shtetndërtimit, i mbështetur mbi kërkesën për Republikën e Kosovës, u vu në binarët e pandalshëm historik, i cili, më 17 shkurt 2008, u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës.
Jusuf Buxhovi
Mbyllja e diskutimeve publike ku kërkohej që Kosova të fitonte statusin e republikës si dhe tërheqja nga ajo e udhëheqjes politike të Kosovës para trysnisë serbe dhe kompromiseve të udhëheqjes jugosllave me atë serbe, nuk e kishte mbyllur këtë çështje. Përkundrazi, fryma e saj nuk kthehej mbrapa. Këtë e dinin të gjithë. Por, çështje ishte si do të drejtohej ajo dhe nëpër çfarë koniunkturash do të kalonte e gjitha,veçmas kur në vend, tek studentët, kishte filluar fryma e lëvizjeve, që asokohe përhapeshin në Paris, Berlin dhe qendrat tjera evropiane me moton për ndryshime demokratike. Natyrisht, se në kuadër të këtyre ndryshimeve demokratike duhej nxjerrur edhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”. Andaj, ishte fare e natyrshme që kërkesa për “Republikën e Kosovës” duhej të kalonte te studentët dhe te rinia, të shpalosej publikisht, si një kërkesë demokratike e cila ishte në përputhje me konceptin që ishte shfaqur gjatë diskutimeve publike, me ç’rast ajo ishte arsyetuar me të drejtën për vetëvendosje. Dhe, si e tillë, kërkesa për Republikën e Kosovës, do të kthehet në moto të demonstratave gjatë tetorit dhe nëntorit në disa qytete të Kosovës (Prizren, Pejë, Istog, Gjilan, Podujevë, Besianë, Ferizaj, Mitrovicë, Therandë, por edhe në Tetovë dhe Ulqin) për t’u përmbyllur me atë të Prishtinës më 27 nëntor, e cila njëherësh ishte demonstrata më e fuqishme që ishte parë ndonjëherë në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e këndej. Natyrisht se demonstrata madhështore e Prishtinë si dhe ato që i paraprinë asaj anembanë nuk kishin pikur nga qielli e as nuk ishin “tubime spontane”. Ato kishin organizatorët e tyre (kryesish studentë dhe veprimtarë të tjerë nga Lëvizja e gjerë e rezistencës), që për mentorë të drejtpërdrejtë kishin klasën intelektuale të Kosovës, e cila kishte ndërtuar konceptin ideor të tyre me shumë guxim dhe vizion politik. Kishte këtu edhe një ndryshim të madh, që po ashtu shfaqej historik, meqë kërkesa për Republikën e Kosovës e barabartë në Federatën Jugosllave, pra si kërkesë për barazi brenda federatës jugosllave, zëvendësonte atë për bashkimin kombëtar, pra me Shqipërinë, me mjete revolucionare. Megjithatë, e përbashkët e këtyre kërkesave, pra e barazisë me Republikën e Kosovës dhe e bashkimit me Shqipërinë, kishte mbetur parimi i vetëvendosjesderi në shkëputje, që buronte nga teoria leniniste. Në nivelin e një platforme shfaqej edhe në Programin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, që e kishte themeluar A. Demaçi në vitin 1964. Kështu, kërkesat që deri më dje ishin ilegale, tash bëheshin legale. Por, parimet revolucionare ua kishin lëshuar vendin atyre demokratike, gjë që paraqiste një ndryshim të madh. Duhet thënë se demonstratat me kërkesën për republikën e Kosovës gjatë muajit tetor dhe nëntor në shumë qytete të Kosovës, por më vonë edhe në Tetovë dhe Ulqin, filluan në Prizren më 6 tetor 1968. Prizreni si pikënisje nuk ishte i rastësishëm, kur dihej se aty ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 – ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqiptarëve, prej nga do të drejtohen që të gjitha zhvillimet të cilat do të çojnë te pavarësia kombëtare e vitit 1912. Andaj, demonstratat e Prizrenit, me kërkesën për Republikën e Kosovës, duhej të vënin në veprim, një proces të papërfunduar historik drejt zgjidhjes së drejtë. Tubimi i demonstruesve u bë pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas nderimeve që iu bënë prijësve të Lidhjes, masa e demonstruesve iu drejtua qendrës së qytetit me ç’rast, te Shatërvani i njohur u nxorën kërkesën për Kosovën Republikë. Kështu, Prizreni u bë vendi i parë ku në një demonstratë të madhe u kërkua publikisht Kosova Republikë. Ishin, pra këto demonstratat e para të Shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore ku Shqiptarët po kërkonin barazi, e cila ua kthente të drejtën e vetëvendosjes dhe mundësinë t’i sendërtojnë të drejtat e tyre historike. Pas kumtit të madh që u dha në Prizren dhe jehonës që bëri në të gjitha anët, fryma e demonstratave përfshiu gjithë vendin. Pas dy ditësh, të njëjtat u mbajtën edhe në Suharekë (Therandën e sotme). Një demonstratë tjetër e rëndësishme që u mbajt gjatë tetorit, ishte edhe ajo e Pejës. Demonstratat u mbajtën më 19 tetor. Pas demonstratave të suksesshme të tetorit që filluan në Prizren dhe përfunduan në Pejë, lëvizja demonstruese zuri të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, por qëllimisht u prit dita e 27 nëntorit që ato të mbaheshin njëherësh në disa qytete, gjatë ditës: në Gjilan, Besianë, Mitrovicë e Ferizaj, ndërsa pas dite ato përfundimtare në Prishtinë. Demonstratat në Gjilan u nisën nga oborri i Shkollës Normale dhe Gjimnazit. Demonstruesit bartnin fotografitë e Marksit, Engelsit dhe të Titos si dhe flamurin kombëtar shqiptar bashkë me atë jugosllav. Demonstruesit kishin edhe pankartat me parullat e shkruara: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitetin” dhe të tjera. Me këto parulla demonstruesit kaluan nëpër rrugën kryesore të qytetit deri te stacioni i autobusëve për t’u kthyer në vendin prej nga ishin nisur. Në të njëjtën ditë, demonstrata u mbajtën edhe në Podujevë (Besianë) dhe në Mitrovicë. Në Podujevë, demonstratat ishin të suksesshme dhe masive, ndërsa në Mitrovicë, u penguan nga policia, e cila mori masa të mbeteshin të kufizuara. Edhe në këto qytete u hodhën të njëjtat parulla, siç ishin ajo për Kosovën Republikë, pastaj për Kushtetutën, Universitetin dhe për liri e barazi. Krahasuar me demonstratat në Gjilan, në Podujevë dhe në Mitrovicë, që kaluan pa ndonjë incident, ato në Ferizaj u përcollën me ndërhyrjen e policisë, e cila përdori forcën që të pengojë parakalimin demonstruesve në qendër të qytetit. Demonstratat e tetorit dhe të nëntorit, do të kurorëzohen me ato që u mbajtën në Prishtinë pasditen e 27 nëntorit 1968 për të vazhduar deri në orët e mbrëmjes. Osman Dumoshi, në emër të “Komitetit të demonstruesve”, parashtroi kërkesat prej shtatë pikash:
Realizimi i plotë i të drejtave kombëtare;
Populli ynë duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat që i gëzojnë të tjerët;
Përmirësimi i shpejtë i kushteve ekonomike-sociale;
Realizimi i plotë i vendimeve të Plenumit të Katërt. Largimi i plotë i të komprometuarve nga vendet udhëheqëse, si dhe nga SPB-ja;
Realizimi i vendimeve të Plenumit të Dhjetë Krahinor, gjegjësisht për-mirësimi i strukturës së të punësuarve në vendet udhëheqëse;
Përmirësimi i kushteve të studimeve dhe jetës së studentëve, si dhe përmirësimi i strukturës sociale dhe kombëtare të studentëve, dhe;
Vendosja e kontrollit shoqëror mbi pasurinë e fituar nëpërmes spekulimeve dhe keqpërdorimeve të pasurisë shoqërore. Ndryshimi politik që prodhuan demonstratat e tetorit dhe të nëntorit të vitit 1968, vula e të cilave u dha në ato të 27 nëntorit në Prishtinë, nuk do t’u shkojë për shtati atyre që nuk donin këtë sjellje të Shqiptarëve. Meqë ato ndryshonin stereotipat mbi të cilët qëndronte lëvizja kombëtare, e cila luftën çlirimtare nga pozitat e veprimit ilegal me mjete revolucionare që shkonin deri te lufta e hapur në rrethanat e bipolaritetit blokist dhe luftës së ftohtë bartte rrezikun e madh që pikërisht Shqiptarëve t’u kthehej në një bumerang tjetër historik, e kthente në luftë të hapur për barazi kombëtare, që për moto kishte Republikën e Kosovës, e cila duhej të arrihej në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike. Këtë rrugë nuk mund ta luftonte haptas as Lindja (Moska), edhe pse do të mundohet që edhe më tutje ta shpërfillë me inspirimin “irredentizmit ideologjik” nga ilegaliteti. Ndërkohë që Perëndimi, kishte interes për diçka të tillë, veçmas kur ajo i shkonte për shtati forcimit të kursit federalist të Jugosllavisë, i cili e largonte atë sa më shumë nga ndikimet e mundshme të Bashkimit Sovjetik pas kohës së Titos. Kjo u pa edhe nga përdorimi i forcës ndaj demonstruesve, ku pati shumë të lënduar dhe një të vrarë, i riu Murat Mehmeti, nxënës i shkollës teknike në Prishtinë. Pra, demonstratat e qeta u provokuan nga organet policore, që me çdo kusht ishin të interesuara që demonstratave të Prishtinës t’u mjegulloheshin kërkesat politike, siç ishin ato për Republikën e Kosovës, me paraqitjen si “orgji vandale nacionaliste dhe shoviniste”! Edhe përkundër këtyre provokimeve të rënda si dhe infiltrimit të bashkëpunëtorëve të shumtë në radhën e demonstruesve që të thuheshin parulla me përmbajtje ideologjike dhe shoviniste, me të cilat policia jugosllave ishte munduar vazhdimisht të anatemonte kërkesat e drejta të Shqiptarëve, organizatorët e demonstratave ia dolën që ta ruajnë konceptin e tyre si kërkesa të drejta dhe demokratike dhe qëllimin e shtruar. Demonstratat nuk do të vazhdojnë të nesërmen, siç ishte paraparë. Nuk do të ketë as bisedime me “Këshillin e demonstruesve”. Sepse, të nesërmen, rrugët e Prishtinës kishin gdhirë me kordonët e shumtë të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që praktikisht kishin vendosur gjendje të pashpallur policore-ushtarake. Po atë ditë kishin filluar edhe burgosjet e organizatorëve të demonstratave, me ç’rast prapa grilave do të gjenden: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Hasan Dërmaku, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli, Iliaz Pireva, Skënder Kastrati dhe Afrim Loxha. Procesi gjyqësor në Prishtinë përfundoi më 7 prill 1969. Në të gjitha seancat të pandehurit deklaruan se kishin vepruar me paramendim dhe me bindjen e plotë se demonstratat në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë ishin në përputhje me të drejtën e Shqiptarëve për vetëvendosje, e cila edhe atyre u takonte, e drejtë kjo nga e cila ishin privuar dhunshëm. Republika e Kosovës ishte quajtur një zgjidhje e natyrshme dhe e pashmangshme e cila ishte në të mirë të Shqiptarëve, të Jugosllavisë, të Shqipërisë, por edhe të paqes dhe të stabilitetit europian. Në fund, Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, i shpalli organizatorët e demonstratave të Prishtinës fajtorë dhe i dënoi me burg të rëndë: Osman Dumoshin, Selatin Novosellën dhe Hasan Dërmakun me nga 5 vjet burg; Skënder Kastratin dhe Xheladin Rekaliun me nga 4 vjet burg; dhe Adil Pirevën, Afrim Loxhën, Iliaz Pirevën e Skënder Muçollin me nga 3 vjet burg. Përveç këtij gjykimi të organizatorëve kryesorë të demonstratës së Prishtinës, u dënuan edhe mbi 70 vetë me dënime të ndryshme. Kështu, u dënuan edhe Asllan Kastrati, më 6 muaj burg; Sylejman Kastrati, më 3 muaj burg; Bedri Novosella, Sylejman Pepshi dhe Halil Qosja, Ramadan Ramadani dhe Tefik Çeliku, me nga një muaj burg. Ndër ato ndryshime, gjithsesi më të rëndësishmet ishin ato që kishin të bënin me ndryshimet kushtetuese, të cilat, si do të shihet, çuan deri te ngritja e statusit të Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, si dhe te hapja e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Vetë Josip Broz Tito, në Kongresin e Nëntë të LKJ-së, që u mbajt pas pesë muajsh në Beograd, duke bërë fjalë për demonstratat e Shqiptarëve në Kosovë, pasi që në parim do t’i gjykojë, pos të tjerash do të marrë qëndrim pozitiv ndaj tri kërkesave, nga shtatë sosh, që ishin shtruar në demonstratën e Prishtinës: l. Duhet përshpejtuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të ndryshohet gjendja e Krahinave autonome në dobi të përfaqësimit të tyre sa më adekuat në federatë në përputhje me nevojat e zhvillimit vetëqeverisës socialist;
Është obligim i bashkësisë sonë që në çdo pikëpamje ta mundësojmë zhvillimin sa më të shpejtë të Krahinës Autonome të Kosovës;
Sa i përket flamurit, për të cilin është folur mjaft, Shqiptarët duhet ta kenë flamurin, por ai flamur në çdo rast duhet të jetë në pajtim me sovranitetin shtetëror dhe integritetin e Jugosllavisë dhe për këtë duhet të nxirret dispozita e qartë.
(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2021, faqe 575-578)./KultPlus.com
Turistëve me buxhet të kufizuar që duan të shijojnë këtë pjesë të parajsës evropiane – rekomandohet të rezervojnë sa më shpejt fluturimin e tyre për të zbuluar bukuritë e këtij vendi, shkruan Zak Garner-Purkis në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.
Turistët që kërkojnë një destinacion me diell – vetëm disa orë larg Britanisë së Madhe – pa fluksin e turistëve në vendet e njohura si Kroacia dhe Spanja – nuk duhet të shikojnë më larg se Shqipëria.
Me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, ky vend ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura – që rivalizojnë lehtësisht ato që gjenden në brigjet e fqinjës së saj, Greqisë.
Në të vërtetë, disa nga turistët që kanë zbuluar tashmë Shqipërinë dhe kanë bërë lehtësisht krahasimet me vendet më të famshme – dhe më të shtrenjta të pushimeve.
Laura Hewson, një turiste nga Zelanda e Re që vizitoi vendin vjeshtën e kaluar, tha për “Express” se në atë kohë po planifikonte të shkonte në Kroaci.
“Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri na tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.
“Ne, në fakt qëndruam në një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim në një dhomë me tetë të huaj – në Itali dhe Spanjë”, tha ajo.
Shoqëruesi i saj, Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion të tyre – duke shtuar se ata kishin parë një numër videosh në TikTok ku shfaqeshin peizazhe të pabesueshme nga vendi.
Farrell tha se realiteti përputhej me videot epike në internet dhe se ishte i impresionuar me trajtimin që u bëhej turistëve.
“Uji ishte mahnitës dhe i pastër blu. Shqipëria ofron shumë vende për të bërë not”, tha Laura.
Laura vizitoi qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023 – ku temperaturat shënonin 19 gradë Celsius gjatë ditës.
Ndërsa bregdeti i palmave ishte pothuajse plotësisht i lirë nga turmat e turistëve, duke i lejuar çiftit ta shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me një çmim të përballueshëm.
Një darkë në Shqipëri rrallë kushton më shumë se 10 deri në 15 paund për person – ndërsa turistët që kërkojnë opsione më ekonomike mund të hanë pica të sapo përgatitura për 5 paund.
Për sa i përket pijeve, birrat në Vlorë kushtonin vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.
Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të lira, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që kushtojnë vetëm 28 paund./atsh/KultPlus.com
Për herë të parë në Shqipëri, u shfaq në Auditorin e Drejtorisë së Përgjithme të Arkivave (DPA) realizimi i “Kosovafilm”, “Era dhe lisi”.
Në vazhdën e një sezoni të ngjeshur artistik që mori shkas nga Viti Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit, “Era dhe lisi” përmbylli nismën e DPA-së që pati për qëllim njohjen e të rinjve me të kaluarën historike, nëpërmjet kinematografisë shqiptare.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Silda Çepe Anagnosti, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, të ftuar, nxënës dhe dashamirës të artit filmik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido u shpreh se përmes jetësimit të kësaj nisme, DPA-ja nuk është veçse një arkiv, por një alternativë kulturore për publikun kryeqytetas.
“Është kënaqësi që këtë vit, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit kemi çelur dyert për dy hapësira të reja kulturore, që janë zgjatim i aktiviteteve tona normale. Tradicionalisht, arkivat janë menduar si institucione të mbylluara dhe hijerënda. Në vitet e fundit, kemi filluar të shkojmë më pranë publikut me ndihmën e digjitalizimit dhe të ridimensionimit të infrastrukturës së arkivave. Ky përvjetor historik na e lehtësoi punën sepse nuk u mëdyshëm për çfarë do të transmetonim, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë të rinjve dhe të rejave. E inauguruam Kinemanë dhe Teatrin Veror me filmat e ‘Kinostudios Shqipëria e Re’ që trajtonin tematikën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Jemi përpjekur të bëjmë dallimin mes filmit, punës artistike dhe ngarkesës ideologjike”, theksoi Bido.
Bido u shpreh se “më vjen mirë që këtë film të 12-të ta ndajmë me miq, kolegë dhe nxënës. Përmes këtij realizimi të ‘Kosovafilm’, tejkalojmë një ndasi që na është imponuar nga kufijtë shtetërorë. Po ashtu, i japim peshën e merituar Luftës Nacionalçlirimtare, që shmangu pushtimin nazist në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë ndarjen mes atdhetarëve partizanë dhe regjimeve që u instaluan më pas. Mesazhi që duhet të përçojmë për rininë e kombit tonë është se kur atdheu kanoset nga forcat e huaja, duhet t’i përgjigjemi kushtrimit për liri. Ndërsa, një mesazh i dytë është se jo gjithmonë çlirimi sjell begati, ndaj për ta siguruar atë, duhet të punojmë në vazhdimësi”.
Në fjalën e saj të rastit, zëvendësministrja Anagnosti e përshëndeti ekranizimin e filmave të kinematografisë vendase, si një mundësi për dëshmimin e sakrificave të brezave të mëparshëm.
“Ta nderojmë këtë film si pasuri të paçmuar të shqiptarisë. Ky film është një thesar i artit tonë kombëtar dhe një dëshmi e fuqishme e identitetit tonë shqiptar. Filmi ‘Era dhe lisi’ na kujton sakrificat e brezave të kaluar dhe sfidat që shqiptarët kanë përballuar me dinjitet. Vepra të tilla na vënë para përgjegjësisë për të rritur rolin tonë në promovimin e tyre”, tha zëvendësministrja Anagnosti.
“Urime për këtë bashkëpunim të mrekullueshëm. Shpresoj vërtet që ky aktivitet të pasohet nga të tjerë të ngjashëm, për të promovuar realizimet e ‘Kosovafilm’”, u shpreh Ndria.
Ndërsa, ambasadori Durmishi vlerësoi trajtimin në mënyrë kreative të tematikave historike.
“Kjo nismë kulturore është shumë kreative. Përzgjedhja e këtij filmi më duket me vend, pasi përqendrohet në një periudhë mjaft delikate, por edhe të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Ky film mbart vlera politike, historike dhe sociologjike shumë domethënëse për Kosovën e kohës”.
“Era dhe lisi” realizuar nga regjisori Besim Sahatçiu në vitin 1979 është produksioni i fundit kinematografik që transmetohet pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e jubileut të Çlirimit.
Në këtë përvjetor me rëndësi historike, evokimi i kujtesës kolektive ka qenë në fokus të veprimtarisë së DPA-së, e cila është angazhuar në këtë drejtim edhe nëpërmjet shfaqjes së ekspozitave dhe publikimit të botimeve të dedikuara./atsh/ KultPlus.com
Për nder 112 vjetorit të pavarësisë Shqipërisë dhe në kuadër të javës kulturore kombëtare, Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kino Armatën, organizojnë shfaqjen e katër filmave të shkurtër.
Programi i filmave që shfaqen me 28 nëntor duke filluar nga ora 19:00:
“Kali” nga Alban Ukaj, Yll Çitaku “Shok” nga Jamie Donoughue “Kolona’ nga Ujkan Hysaj “117” nga Besim Sahatçiu/ KultPlus.com
AFP – Maja Mitic është serbe. Zana Hoxha është kosovare. Adaptimi i tragjedisë së lashtë greke e vë theksin jo tek shkatërrimi që lufta iu shkakton grave, por tek aftësia e grave për t’u shëruar e rezistuar.
Tragjedia e Euripidit “Gratë Trojanë”, e shfaqur për herë të parë në vitin 415 para Krishtit, është një dënim i ashpër i mizorive të luftës. Ajo fokusohet në mjerimin dhe padrejtësitë që përjetojnë gratë e Trojës pas konfliktit ndërmjet popullit të tyre dhe grekëve.
Adaptimi nga Hoxha dhe Mitic që aktualisht janë duke e shfaqur në Ballkan ka një fokus mjaft të ndryshëm.
“Në versionin tonë, ne ecim përpara duke u kujdesur gjithashtu për njëra-tjetrën, duke gjetur mënyra për të shpëtuar fëmijët tanë,” u shpreh Hoxha, regjisore e shfaqjes “Gratë e Trojës. “Kjo tregon se në mes të konfliktit dhe luftës, në mes të urrejtjes, gratë janë ato që gjejnë mënyra për të rezistuar”.
AFP shkruan se ky produksion i jep jehonë diskutimeve të pafundme ndërmjet politikanëve burra të Serbisë dhe Kosovës, të cilët – një çerek shekulli pas përfundimit të luftës ndërmjet Beogradit dhe provincës së saj të shkëputur – ende nuk kanë arritur një paqe të qëndrueshme. Gratë negociojnë në skenën e dizajnuar me seriozitet.
Si kosovare dhe regjisore feministe “që ende e mban mend luftën”, dhe gjithashtu gjithashtu periudhën e Jugosllavisë së dikurshme, Hoxha, 43 vjeçare, tha: “Ishte e rëndësishme të realizonim këtë shfaqje, sepse, fatkeqësisht, është shumë relevante edhe sot”.
PËRTEJ GJUHËS
Në dramën e Euripidit, gratë e Trojës martohen dhunshëm me armiqtë e tyre, vriten dhe sakrifikohen mbi varret e burrave që ranë në betejë.
Ato janë viktimat e luftës që pason.
Mitic, bashkëregjisore e Hoxhës, dhe një figurë e njohur në teatrin serb që prej viteve 1990, theksoi se kjo histori kërkonte dy gra për ta treguar.
“Burrat, ata bëjnë luftërat… Pasojat bien mbi gratë dhe fëmijët e tyre”, u shpreh ajo.
Mitic e portretizon Hekubën, ish-mbretëreshën e Trojës, së cilës fëmijët i sakrifikohen, njëri pas tjetrit, për shkak të marrëzive të luftës.
Ajo reciton tekstin e Euripidit në serbisht.
Taltibi, që vjen për t’i njoftuar gratë për fatin e tyre, përgjigjet në shqip.
Përkthimi në anglisht shfaqet në murin e pasmë.
Pas disa minutash, dëgjuesit nuk mund të dallojnë më gjuhët e ndryshme, sepse dhimbja është universale.
“Marëdhënia, emocionet që këta aktorë janë në gjendje t’i bartin, janë më të rëndësishme se barrierat gjuhësore”, u shpreh Hoxha.
“ARTI KA FUQI”
Dhe, pavarësisht nëse flasin serbisht, shqip ose anglisht, gratë trojane i bëjnë audiencat të reflektojnë dhe t’i zemërojnë.
“Edhe personazhet tona janë të zemëruara”, shpjegon Hoxha. “Thonë, ‘mjaft më, nuk e duam më këtë’. “Pse po vuajmë? Pse duhet që Kasandra të ekzistojë ende sot? Pse Andromaka duhet të humbasë fëmijën e saj?”.
Në një moment të shfaqjes, Andromaka thotë se dëshiron të mund të ecë lirshëm me burrin dhe djalin e saj, pa u ndjerë e kërcënuar në rrugë, kujton Hoxha. Kjo ndjesi mbetet e pandryshuar për gratë sot, sipas saj.
“Ka vetëm disa vende në botë ku ndihem plotësisht e sigurt për të qenë vetvetja. Ne po përpiqemi ta ndryshojmë këtë”, shtoi ajo. “Nuk mendoj se shfaqja vet mund ta bëjë këtë. Por, arti e ka fuqinë të të sjellë diçka që ndoshta nuk e kishe ditur as që ekzistonte”.
Theksi në adaptimin e Hoxhës dhe Miticit mbi rëndësinë universale të shqetësimeve të protagonistëve shtrihet edhe në zgjedhjen e kostumeve të tyre.
Personazhet janë të veshur në lëkurë të zezë dhe çizme deri te kyçet e këmbës — një uniformë që mund t’i përkasë çdo ushtrie në botë.
Po ashtu, Hekuba mund të jetë çdo nënë që vajton kudo në botë.
Është një histori për gratë dhe luftën “në çdo pjesë të botës, në çdo shekull, në çdo kulturë, në çdo fe”, tha Mitic.
“Kjo është historia që Euripidi e shkroi shekuj më parë, por në fakt ne shohim përsëritjen e të njëjtit model gjatë luftës, pas luftës – përdhunime, kriminelë, gjithçka. Ajo që shohim në këtë shfaqje, e shohim vërtet (sot) në Ukrainë, Gaza, ose në Kosovë, Bosnje, ose kudo ku ndodhin konflikte, përfshirë Somalinë dhe Sudanin”, tha Mitic.
Pas një orë para një salle të mbushur, zërat bashkohen, duke shpresuar për një të ardhme tjetër: “Ndonjëherë, të jetosh është të rezistosh”, thonë ata.
“Gratë e Trojës” u prezantua më 22 dhe 23 nëntor, 2024 tek Qendra për Dekontaminimin Kulturor (CZKD) në Beograd.
U prezantua sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit në Tiranë, krijimtaria poetike e autores Drita Ademi Beqiri.
Vëllimet e saj poetike “Andrra e gjethe” dhe “Me kënd fola” u prezantuan nga studiuesit e letërsisë Behar Gjoka dhe Flamur Maloku.
Për studiuesin Behar Gjoka, poezia e saj është një poezi lakonike që del nga shpirti dhe kërkon lexuesin që pranon andrrën. “Poezia e Drita Ademit ndihet e çlirët edhe në gegnisht dhe në standard, gjë që përbën një dukuri që kërkon lexim dhe interpretim të veçantë”, u shpreh Behar Gjoka.
Për studiuesin Flamur Maloku, poezia e Drita Ademit vjen natyrshëm nga vetja dhe kthehet te vetja. Ai e cilëson atë si një zë të veçantë poetik, shfaqur dhe forcuar ndër vite në Perëndim.
Për botuesen Irena Toçi, ajo çfarë e bën të veçantë Dritën, është fryma lirike e poezive të saj. Fakti që është botuar në gjermanisht dhe vazhdon të bashkëpunojë me krijues në këtë gjuhë i kanë dhënë poezisë së saj një dimension më të gjerë.
Gjatë aktivitetit, nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” komentuan vargjet e Drita Ademit. Miq të poetes nga Tirana dhe Prishtina i rezervuan asaj surprizën më të bukur me praninë dhe komentet e tyre. Në mbyllje të aktivitetit poetja dha me dhjetëra autografë për të pranishmit. Në organizimin e këtij aktiviteti ndihmuan Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe Shtëpia Botuese Toena./atsh/ KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u rivu mbrëmë në skenë opera shqiptare “Goca e Kaçanikut”, e cila premierën e pati në Tiranën e vitit 1979.
“Goca e Kaçanikut”, një opera e kompozitorit Rauf Dhomi, erdhi si një prodhim i Operas së Kosovës, por me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë që jetojnë e punojnë edhe jashtë trojeve shqiptare.
Regjinë e “Gocës së Kaçanikut” e bëri Nikolin Gurakuqi. Vepra para pak kohësh pati premierën në Kosovë, ndërkohë në TKOB erdhi si një homazh për festën e Pavarësisë.
Kjo ishte hera e parë për Operën e Kosovës, që ngjitej në skenën e TKOB, për më tepër me një opera kosovare. Edhe për basin Hektor Leka, i cili interpretoi figurën emblematike të plakut, që përngjasonte me heroin legjendar Adem Jashari, gjithashtu ishte hera e parë që këndoi në TKOB, pas një karriere të gjatë në Trieste.
“Goca e Kaçanikut” është një histori dashurie, po aq sa trimërie dhe lirie, me frymë folklorike. Simbolet kombëtare të kudogjendura, pasuruan shfaqjen, e cila u duartrokit gjatë nga publiku në sallë./atsh/ KultPlus.com
Një bashkëbisedim i ngrohtë, i rrallë dhe i jashtëzakonshëm është mbajtur mbrëmë me regjisorin e madh, Isa Qosja, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Në këtë ndejë e cila u organizuar me rastin e 40-të vjetorit të filmit ‘Proka’ u shfaq papritur edhe malli i sa e sa viteve të mungesës së regjisorit të mirënjohur, i cili ka kohë që është tërhequr nga adhuruesit e tij dhe nga jeta publike në përgjithësi, të cilës për vite me radhë i kishte dhënë aq shumë.
Filmi ‘Proka’ është filmi i parë i regjisorit Qosja, i cili edhe pse i realizuar në fillim të karrierës së tij si regjisor, para katër dekadash, vazhdon të kryesojë listën e filmave më të mirë të kinematografisë tonë. Kjo prurje flet për një artist të papërsëritshëm, e i cili konsiderohet “numri një” i filmit. Përmes një rrëfimi jetësor të sinqertë e të përzemërt me aktoren Vlora Merovci, regjisori Qosja i tregoi prapaskenat dhe detajet e filmit ‘Proka’ dhe të filmografisë si asnjëherë më parë.
Regjisori Qosja në këtë rrëfim intim me adhuruesit e tij, tregoi që ideja për të krijuar skenarin e filmit “Proka” i kishte lindur pasi i ishte dhënë ta lexonte një libër të Filip Papajanit.
“Te ‘Proka’ ka parë një njeri që rebelohet në mënyrë të heshtur, rebelohet në mënyrë të qetë, mu duk pak si personazh antik. Kisha dëshirë ta shihja një personazh të tillë, dhe fillova të bëj skica, në këtë kontekst Azem Shkreli ishte gjithnjë pranë krijuesve, i cili ishte edhe arkivë e diturisë edhe për rrjedhat shoqërore edhe për letërsinë mos të flasim për poezinë. Ishte artist në shpirt nganjëherë edhe bohem. Një njeri i jashtëzonshëm në gjeneratën e krijuesve që atëherë erdhën nga shkolla të ndryshme që i kishin kryer në Ballkan. Më sugjeroi të bashkëpunoj me Eqerem Bashën me këtë ide dhe filluam e bëmë skenarin”, ka thënë regjisori Qosja.
Filmi “Proka” është realizuar në vitin 1984, në të cilin trajtohet një ngjarje simbolike e filozofike, që përqendrohet në betejën mes individit dhe shoqërisë, si dhe në çështjen e lirisë dhe ekzistencës. Aty tregohet historia e një burri të thjeshtë, i cili përballet me sfidat e jetës dhe me presionet e një jete të mbyllur. ‘Proka’ gjykohet sepse ai e prish mentalitetin e provincës me atë qe nuk lutet për të rënë shi, i cili vazhdon të punojë përkundër një thatësire të madhe. Rrethi social me të cilin ai ballafaqohet në film e shpallin të rrezikshëm dhe psiqikisht të sëmurë.
Profesor Qosja ka thënë që gjatë realizimit të filmit i dukej që po artikulohej dhe se po e gjente vetveten si artist dhe si njeri. Mbi të gjitha ai tha që këtë film e kishte realizuar me zemër, duke iu referuar regjisorit Ingmar Bergman mbi filozofinë se filmat bëhen me zemër ose me mendje.
“”Proka” është ai që iu bën ballë padrejtësive por edhe mënyra se si iu bën ballë është ajo metoda të cilën unë e preferoja. Nuk mund të shkëputet asnjë vepër e një krijuesi prej krijuesit. Nuk mund të jetë vetëm prodhim për një qëllim.
Unë e gjeta veten në një mënyrë, aty flitet edhe për njeriun që dëshiron të dallohet nga mjedisi, për diçka qoftë për sjellje, për angazhim të vetin, për emocion, për dashurinë ndaj të tjerëve, për dashurinë ndaj vetvetes ose për përkushtim. Dhe natyrisht ti duhet ta gjesh vetveten në krejt këto dimensione për të patur filmi atë pjesë që e themi ne është e zemrës, e kam punuar me zemër. Kur themi e kam punuar me zemër nënkupton që ti nuk e ke të rëndësishme a do të vlerësohet kështu apo ashtu, apo do të gjykohet”.
Mbi këtë qështje ai më tutje thotë që regjisorët të cilët kanë arritur që të gjejnë hamoninë mes mendjes dhe zemrës kanë arritur të krijojnë vepra të gjithmonshme dhe të gjithhershme, të tillë si: Ingmar Bergman, Federico Fellini dhe Andrei Tarkovsky.
Në filmin e ‘Prokës’ përkundër konflikteve personale, reflektohen edhe tensionet shoqërore të kohës kur është krijuar si projekt.
“Secili nga ne në një mënyrë ka kontribuar në atë mision, në atë që quhet dëshmi për përkushtimin atdhetar. I pari që e jep dëshminë e tij është populli, populli i shpreh së pari të gjitha pakënaqësitë, natyrisht pjesë e popullit jemi të gjithë ne dhe po nuk fole me gjuhën e popullit është anakronizëm. Ne e kemi ndier që duhet të themi diçka edhe ne si krijues, por kjo që duhet të themi diçka në një mënyrë e zbehë autorësinë në një film. Në një vepër artistike, sepse të bart gjendja emocionale për të thënë dicka më fuqishëm, për të dërguar një mesazh”, ka thënë më tej profesor Qosja.
Më tutje, profesor Qosja ka thënë që filmi Proka përmban shumë arte të veçanta ne vetvete duke përfshirë artin e muzikës, letërsisë, fotografisë të cilat filmin e bëjnë një art vërtetë madhështorë, shumë domethënës dhe kuptimplotë me mesazh.
“Sa herë i shoh filmat e mij, shoh që kam shumë gabime, shumë kisha me i ndryshu, është atësi e pandershme, por ja që ne i shohim shumë më shpesh gabimet se ato që ja vlenë. Megjithatë, “Proka” ka një të mirë. Atë kundërshtinë e tij të heshtur, e cila është mesazh i përhershëm. Ajo më pëlqen si vijë gjenerale, si vijë e përgjithshme. Ajo më pëlqen, ndoshta për faktin që unë nuk jam njeri që shërbehem me potera. I marr në heshtje të gjitha, gjërat, natyrisht thonë që ato që shkarkohen në heshtje bëjnë më keq, por shumë më mirë është me e mbajtë të keqen në vetvete, se më ju përplasë të tjerëve. Kështuqë “Proka” e ka këtë vlerë për mua dhe ka vlerën e freskave në kuptimin e rëndësisë së fotografisë”, ka thënë profesor Qosja duke e zgjeruar rëndësinë e fotografisë në film.
“Secila pamje ka pasur në vetvete një mesazh të vogël. Këta filma të vegjël e bëjnë një film më të gjatë. Te dikush kjo mund të mos funksionjë, unë mbetem në atë rrugën e vjetër të filmit i cili shprehet me fotografi në mënyrën më kuptimplote. E di që ka teksti shumë rëndësi, por nganjëherë ndodhë që ne duke u marrë me tekstin ne harrojmë përmbajtjen, posaqërisht aktorët e kanë këtë veti. Aktorët që e trajtojnë më shumë tekstin se sa përmbajtjen nga pak kalojnë në skenën teatrale. Fotografia është ajo që e gëlltitë tekstin, andaj në situata të tilla duhet pasur kujdes”, ka thënë ai.
Profesor Qosjen e frikëson plani i afërt në krijimin e filmit, pasi sipas tij është një teknikë e cila kushton shtrenjtë.
“Duhet pasur kujdes nga plani i afërt. Unë e kam frikë planin e afërt. Fakti që me plan të afërt ti i sheh sytë e njeriut prej të cilëve nuk mund të ikësh, nuk ke nga ja mban, sytë e njeriut janë pasqyra e brendshme dhe po i pe sytë e njeriut nëse ata sy nuk ta sjellin gjendjen spontane, qetësinë, po të shqetësojnë automatikisht ke dalë prej linje. Planet e afërta janë të shtrenjtë”.
Natyra si element përbërës i çdo kuadri, lidhshmëria e regjisorit Isa Qosja me natyrën
Për regjisorin Isa Qosja, natyra përbën një element shumë të rëndësishëm krijues, qoftë në aspektin e formësimit të njeriut, qoftë në aspektin e inspirimit të artistit për të realizuar vepër arti.
“Natyra është pjesë e asaj që unë e konsideroj ngjarje, tregim. Natyra ndikon në secilin njeri, në secilin nga ne. Ne jetojmë së bashku me natyrën dhe në momentin që e ndiejmë fuqinë e natyrës, ne shprehemi ndryshe. Kjo është përshtypja ime. Është një intuitë brenda njeriut, brenda natyrës që shpalos dashurinë me natyrë të veçantë. Në natyrë të veçantë e shpalos edhe mos durimin, emocionin që se ka njohur. Natyra ka ndikim të jashtëzakonshëm, prandaj e konsideroj si një element themelor në një kuadër”, ka thënë ai.
Profesor Qosja ka lindur në vitin 1949 në Vuthaj të “Malit të Zi”, fshat ky i cili është i njohur për natyrën e tij të mahnitshme dhe të paprekur. Ky fshat ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare dhe ka një peizazh të mrekullueshëm malor me male të larta dhe maja mbresëlënëse.
“Nganjëherë mund të duket një lloj western-i i vogël sepse është element konstituiv i përmbajtjes brenda asaj që e quajmë brendësi të njeriut. Është e pamundur ta evitosh. Është e pamundur ta evitosh edhe fuqinë e natyrës, është themelore ajo dhe nganjëherë dijmë me besu në fuqinë e natyrës dhe në unifikimin e ndjenjës sonë me reagimin e natyrës. Mund të reagojë natyra. Një shi mund të bie rastësisht por që përputhet me momentin e gjendjes sonë emocionale”, ka thënë ai.
Heshtja, mençuria më e madhe e njeriut
Profesor Qosja në pjesën më të madhe të jetës së vetë thotë se ka qenë oportunist, dhe se më të dobishëm për shoqërinë sipas regjisorit janë njerëzit e kundërt me të.
“Diku të mësojnë, sepse heshtja është menquria më e madhe, ajo që nuk thuhet shpeshherë është ideja më e menqur. Dhe nëse ajo depërton te bashëbiseduesi ose bashkëbiseduesi te të tjerët, atëherë ne me të vërtetë hipotetikisht po themi një teori që për mua funksionon shpesh. Në zhargonin modern mund të quhet edhe oportunizëm që është veti e keqe thonë, por mua më ka ndodhur në shumicën e jetës time të jem oportunist. Është veti e keqe por që ndodh edhe tani. Janë shumë më të drejtëpërdrejt, më të dobishëm ata që nuk janë të tillë, ata që e thonë atë që mendojnë. Epo njerëzit janë të ndryshëm për aq mund të jenë të dobishëm ose jo. Në këtë kahje, në këtë mënyrë unë nuk jam i dobishëm”, ka thënë profesor Qosja.
Kukumi, një dilemë për njerëzit e pasluftës
Një film tjetër të cilin e ka realizar Profesor Qosja është “Kukumi”, në vitin 2005, që trajton një histori të thellë mbi pasojat e luftës, dhe ato të cilat priteshin të barteshin pas luftës te një popull i cili do të ishte komplet i lirë.
“Kukumi ka qenë një dilemë për të gjithë. Kam qenë edhe unë. Pas luftës ka pasur shumë kukuma, për atë e ka edhe emrin e tillë. E ka më shumë tingëllimë se sa emër të vertetë. Sepse ka pasur edhe shumë paqartësi. Droja ime ka qenë që ndoshta ne nuk do të sillemi mirë në momentin kur do të jemi plotësisht të lirë, sepse do ta konsiderojmë që gjithçka na takon përnjëherë dhe gjithcka mund të bëjmë përnjëherë. Ka qenë kjo pyetja ime a do ta qëndrojmë të tillë çfarë jemi treguar një kohë shumë të gjatë, shumë unik, shumë së bashku, shumë pranë, a do të qëndrojmë edhe më tutje dhe kam pasur frikë të dehumanizimit të shoqërisë, dhe për fat të keq ajo urë për të cilën mendojsha se do të kalojmë sigurtë tash në anën tjetër, që shumë gjatë kemi qëndruar në një anë, ajo urë filloi të lëkundet”, ka thënë Qosja, duke potencuar që në këtë projekt ka punuar edhe me mendje edhe me zemër.
Profesor Qosja më tej ka thënë se mesazhi i fundit i Kukumit sado i vrazhdë të ketë qenë, ende mbetet i tillë, dhe është i qëndrueshëm.
Parametrat e paevitueshëm që e përkufizojnë një film të mirë:
Profesori Isa Qoja ka thënë që në filamt e tij gjithmon më shumë i vë re gjërat të cilat do të donte t’i ndryshonte se sa ato që realisht vlejnë. Nisur nga kjo ai tha që nëse do të mund t’i bashkonte të gjithë filmat e tij në një, do të kishte arritur të krijonte një film ashtu siq do të dëshironte vërtetë.
Sipas tij parametrat e pazëvendësueshëm për të krijuar një film të mirë janë: skenari i mirë, interpretimi i mirë i aktorëve dhe fotografia e mirë.
Nuk e përmenda regjinë, pasi regjia i ka të gjitha këto në distribuim. Pra, skenari që është thelbësor, pa skenar të mirë, s’ka film të mirë, prej skenarit të mirë mund të bëhet edhe film i keq, jo shumë por prej skenarit të keq kurrë film të mirë s’mund të bëjmë. Fotografia e mirë prej së cilës varen emocionet tona, pra ne mundemi me e ndëgju rrëfimin e dikujt si vokal pa fotografi, po e zëmë, por neve na bën përshtypje vazhdimisht se kush qëndron prapa atij territ. Pra na duhet fotografia, na duhet ajo dritë në hije që e themi. Dhe natyrisht ai që e bartë vetitë e një njeriu, e një personazhi nji karakteri, pra aktori për mua këto janë tri ememente konstante fanatike”, ka thënë Qosja.
Filmat mbi luftën e Kosovës, tema kryesore e luftës dhunimi i 20 mijë grave
Nisur nga përvoja e amerikanëve të cilët vetëm pas 50 vitesh nga Lufta e Dytë Botërore kanë arritur rezultatet maksimale të të krijuarit film mbi temat e luftës, Regjisori Qosja ka thënë që për të sjellë një film të madh për temën e luftës së Kosovës nuk është koha e duhur tani.
“Unë mendoj që lufta jonë është tema e dhunimit të 20-mijë grave. Ajo është lufta më e tmerrshme që e kemi përjetuar, mendoj që për atë temë duhet me pas akoma kohë dhe duhet të vijë një film i madh në atë degë. Duhet të vijë sado që është punuar, punohet dhe janë filma me të vërtetë me arritje të mira të gjithë, por që është tema më e madhe të cilës i duhet përkushtuar jo tani, më vonë, ashtu qysh mendoj që nuk i duhet tani Kosovës një film për luftën sepse është herët. Janë gjiruar shumë emisione, aq sa njerëzit janë të ngopur me informacione. Duhet ato informacione të hyjë pak në arkivë që të harrohen pak, që më pas të vijmë me një kujtesë përmes një filmi i cili e ka një fuqi, që vetëm filmi mund të ketë. Natyrisht filmi dhe vetëm filmi”, ka përfunduar Qosja.
Ky bashkëbisedim i këndshëm për të gjithë audiencën ka qenë projket i aktores Vlora Merovci, të cilin e ka mbështetur Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com
Shmangia politike e shkrimtarëve për t’i bërë të padukshëm dhe të padëgjueshëm është projekt shtypës që sjell si pasojë atë që mund të quhet padukshmëri publike, e rrënjosur në rrethana të jashtme, tek paragjykimet e egra të gangsterëve që drejtojnë regjime të kalbura, tek paragjykimet hakmarrëse të akademikëve të korruptuar që propozojnë bojkotime intelektuale, tek paragjykimet e cekëta të lordëve botues në gjuhët sot mbizotëruese, dhe së fundi (reductio ad absurdum!) tek paragjykimet ideologjikisht të ngushta të disa botuesve të revistave letrare. Të gjitha këto ndodhin në mënyrë të shfrenuar, skandaloze dhe shkatërruese. Por çfarë mund të thuhet për një padukshmëri vetjake, të brendshme, të ndjeshme dhe shumë më të përhapur? Vladimir Nabokovi ishte dikur shkrimtar i padukshëm i cili vuante nga tre prej këtyre rrethanave të pafavorshme: padukshmëria nga publiku, padukshmëria vetjake dhe ajo gjuhësore. Si emigrant që u largua nga trazirat bolshevike dhe më vonë si refugjat që u largua nga nazistët, ai u shpëtoi dy tiranive më të mëdha të shekullit XX. Dhe si emigrant që shkruante në rusisht, në Berlin dhe Paris, mbeti i padukshëm gati për të gjithë, me përjashtim të bashkatdhetarëve në mërgim. Vetëm pasi vajti në Amerikë, termi diskriminues “emigrant” filloi të zhdukej, duke u zëvendësuar së pari me nocionin e qytetarit, dhe në fund fare me atë të shkrimtarit amerikan, sepse ndodhi që në Amerikë, nga i padukshëm Nabokovi jo vetëm u bë i dukshëm, por edhe i pathyeshëm. /Hejza/ KultPlus.com
Artistë nga 25 shtete morën pjesë në festivalin e katërt ndërkombëtar të Prishtinës, duke prezantuar tema të ndryshme përmes punimeve të tyre në posterë.
“Synohet që edhe Prishtina të jetë pikë referuese e artit dhe e kulturës”, u tha me këtë rast.
Drejtuesi i festivalit Rrezart Galica, tha se këto tema ndërlidhen me temën kryesore “Harmoninë”, dhe kështu si penalizim dhe si përmbledhje e kualitetit dhe kreativitetit mund të konsiderojmë se ky festival ka arritur qëllimin e tij.
Galica shtoi se në këtë edicion është fuqizua juria ndërkombëtare ku janë pranuar profesionist me renome në fushën e dizajnit grafik.
“Ata me vlerësimin e tyre cilësor dhe profesionalizmin kanë arritur që të krijojnë një numër posterësh të cilët kemi vendosur që t’i ekspozojmë në këtë edicion”, tha ai./rtk
“Të njohim vlerat natyrore dhe kulturore të qytetit të Kukësit” ishte qëllimi i ekspozitës së piktorit Ilmi Halilaj.
Nëpërmjet kolorit dhe ngjyrave autori ka përcjellë mesazhin e vlerave natyrore e traditave të trevës nga vendlindja.
Për vet autorin e kësaj ekspozite Ilmi Halilajn, pikturat përcjellin jo vetëm peizazhin e bukur natyror por edhe vlerat e vendit tonë që duhet të ruhen nga brezi i ri.
Punimet e piktorit Halilaj gjenden në koleksionet private në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Itali e më gjerë./ TopChanel/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, kanë pritur në takim arkitektin kroat, Andrija Mutnjakoviq, i cili ka dizajnuar e ideuar godinën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti tregon se nga Mutnjakoviqi pranoi librin që përmban planimetri e skica të Bibliotekës, një pasqyrim i punës komplekse dhe dizajnit të veçantë.
Në takim u trajtua dhe nevoja e rëndësia për renovimin e Bibliotekës dhe hartimit të projektit arkitektonik, proces në të cilin ka qenë i përfshirë dhe është konsultuar edhe arkitekti e akademiku kroat, si ideues i këtij objekti.
“Shënimi i 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, na bëri bashkë edhe me arkitektin vizionar e akademikun kroat Andrija Mutnjaković, i cili ka dizajnuar e ideuar këtë godinë ikonike. Me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot e mirëpritëm për të diskutuar përzemërsisht e shprehur mirënjohjen për kontributin dhe vlerën e tij tash edhe në renovimin e tërësishëm të objektit, gjersa hartimi i projektit arkitektonik është shumë afër përfundimit. Me kënaqësi pranova nga ai librin që përmban planimetri e skica të Bibliotekës, një pasqyrim i punës komplekse dhe dizajnit të veçantë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës qëndron si një simbol i përhershëm i identitetit tonë dhe arkitekti Andrija Mutnjaković si një mik i vendit të cilin e mirëpresim kurdoherë”, ka shkruar Kurti.
Aktore të njohura nga vendi ynë, por edhe nga rajoni u bënë bashkë për të sjellë në Korçë veprën dramatike ‘Pëshpërima’.
Shfaqja sjell histori të ndryshme të grave që nuk dorëzohen përballë dhunës. Historitë janë nga më të dhimbshmet, ndërsa përcillet mesazhi që gratë duhet të qëndrojnë të forta. Regjisorja Adriada Dervishi tregon edhe arsyen pse është zgjedhur ky titull.
“Pëshpërima të grave, histori të vërteta që nuk janë më, kanë lënë gjurmë dhe të tjera që janë pasardhëse të këtyrë pëshpërimave duke u bërë bashkë me idenë për të dhënë një zë më të fortë.”
Vetë aktoret japin mesazhin që duhet ti thuhet stop dhunës.
“Është një emocion shumë i madh dhe do doja që shfaqje të tilla të ishin në çdo cep të çdo qyteti. Uroj që nëpërmjet artit të zbusim sadopak gjithë këtë gjuhë, dhunë. Jo vetëm gjuhë, por veprime të tmerrshme kundrejt grave.”
“Historitë janë të tirshta, të dhimbshme, të frikshme, por edhe të bukura dhe sigurisht që nëpërmjët tyre ne do ta përcjellim këtë mesazh që përkon pikërisht me luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Mos e prek gruan, vajzën.”
Pjesë e kastit ishin edhe aktore nga Kosova e Serbia.
“Nesër do të qëndroj e ta shoh Korçën se këto 2-3 ditë kemi qenë duke punuar gjithë kohës me këtë ambjent kaq të bukur saqë më duket sikur jemi në Londër.”
Shfaqja erdhi edhe në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore./ KlanNews/ KultPlus.com
Kinema Jusuf Gërvalla, si e vetme në qytetin e Pejës, përveç funksionit të saj, shpeshherë hapësirat e saj adaptohen për forma të tjera të aktiviteteve kulturore, duke funksionuar edhe si qendër multidisiplinare.
Në javën e fundit të nëntorit, përkatësisht në datat 29-30 nëntor dhe me 1 dhjetor, do të shfaqet premier filmi ‘Okarina’, me regji të Alban Zogjanit.
Filmi paraqet një histori për problemet familjare, që lindin si pasojë e ndryshimit në stilin e tyre të jetesës, pas zhvendosjes në një vend të ri, të shtyrë nga një dëshirë e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës.
Shaqa dhe Selvia zgjedhin të sfidojnë ndjenjën e tyre të ‘moralit’ në kërkim të një të ardhmeje më të ndritur. Nga ana tjetër, përfshirja e pavullnetshme e Giovanni-t e drejton rrugën e tyre të zgjedhur në një drejtim të paparashikuar. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon ashtu siç e kishin pritur.
Bisedë dhe sesion dëgjimi me Anna Bromley dhe Michael Fesca mbahet sot në Hapësirën 17, më fillim nga ora 18:00
Artistja dhe shkrimtarja Anna Bromley do të prezantojë librin e saj më të fundit që ka të bëjë rreth shëtitjeve dhe bisedave të saj radiofonike A Voice Exists in Voicing (e porositur nga Manifesta 14 Prishtina në 2022). Libri përmban tekste radiofonike për gjuhën dhe zërin në kontekstin e zërit, politikës dhe jetës së përditshme – për të cilat ajo shpesh bashkëpunon me (zërat e) artistëve, aktivistëve dhe studiuesve të ftuar. Një nga kapitujt zhvillohet mes Tiffany`s në Prizren dhe Galeria 17 me zërat dhe mendimet e Alisa dhe Shkëlzen Maliqit si dhe Sihana Klisuricës. Kështu që është e natyrshme ta lansojmë librin në Residencën 17 në Prishtinës!
Anna Bromley është artiste dhe shkrimtare nga Berlini. Dëgjimi i fshehtë i radios gjatë shpërbërjes së RDGj-së shërben si pikënisje për kërkimin e saj artistik mbi radion e fshehtë të protestës. Duke ndjekur një qasje ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese, ajo e dërgon zërin e saj radiofonik në kërkim të gjuhës së improvizuar të radios përtej transmetuesve të mbështetur nga shteti, amplifikatorëve të salduar me dorë, protokolleve të mbikëqyrjes policore dhe kujtimeve polifonike. Gjatë këtij procesi, ajo kombinon esenë e saj dëgjimore me objekte dhe instalacione, performanca dhe vizatime procesuale. Asambletë radiofonike të Bromley kohët e fundit janë dëgjuar dhe parë në pavijonin gjerman në Trienalen e 23-të të Milanos, në Manifesta 14 në Prishtinë, në beuys2021 në Düsseldorf, Bienalen e Tbilisit, në ADKW në Këln, në Akademie der Künste dhe HKW – të dyja në Berlin, dhe documenta14 në Kassel.
Nën drejtimin e mjeshtrit skocez-italian Dario Salvi, Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert më 28 nëntor 2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.
Programi përfshinë vepra të jashtëzakonshme nga kompozitorët: Beethoven, Holst, Ketèlbey, Jones etj.
Mbrëmja do ta kulmojë me premierën kosovare të veprës “Illyrian Dances (Valle ilire)” nga kompozitori Guy Woolfenden.
Mysafir special i mbrëmjes do të jetë gajdexhiu nga Malta, Stefan Mercieca, ndërsa pjesë e koncertit do të jetë edhe Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës.
Koncerti do të përsëritet në Mitrovicë më 30 nëntor 2024, në sallën e rinovuar të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena”, duke filluar nga ora 19:30./express/KultPlus.com
Si shumica e ikonave më të mëdha pop, Tina Turner, e cila vdiq më 24 maj të këtij viti në moshën 83 vjeçare, kishte më shumë se një karrierë të thjeshtë.
Ajo filloi si një këngëtare R&B dhe si një kërcimtare e pakapërcyeshme, që bashkë me bashkëshortin e saj Ike, bëri shfaqjen më të emocionueshme në skenë, anëtare e James Brown. Pastaj ajo u bë një heroinë rok, që këndoi në turne me Rolling Stones dhe shërbeu si Rregjina e Acidit për grupin The Who. Dhe në fund ajo u bë e mbijetuara përfundimtare – gruaja e abuzuar që e braktisi burrin e saj dhe, pa kërkuar falje, mori një kurorë vetëm për vete, shkruan The New York Times, transmeton KultPlus.
Këtu janë disa nga momentet më të mëdha muzikore të Tina Turner.
Hitet e hershme R&B të Ike dhe Tina janë momente elektrizuese të fuqisë muzikore të papërpunuara, por retrospektivisht ato gjithashtu janë thellësisht të shqetësueshme në përmbajtjen e tyre lirike. Singlli i parë i duetit paraqet vokalin e shënuar të Tinës dhe e lë të këndojë për një marrëdhënie të trazuar në të cilën burri i saj e keqtrajton dhe “më bën të buzëqesh edhe pse zemra ime vuan”, megjithatë ajo ende premton të “bëj çdo gjë që ai dëshiron”. Fjalët janë shkruar nga Ike Turner, i cili ka kredi të vetme si autor i këngëve.
Tekst më i çuditshëm dhe i pakëndshëm: Tina pranon jo dashurinë, por adhurimin dhe thotë se në këmbim, “vetëm pak vëmendje, ti e di, do të më ndihmojë të kaloj”. Qarja e thellë e Tinës mbi një linjë basi kërcuese ishte tingulli më i seksit dhe më i pakontrolluar në muzikë në atë kohë, por është pothuajse e pamundur të dëgjosh këto këngë tani pa nxirë fytyrën nga spektakli i tmerrshëm që Tinë më vonë do të përshkruante për martesën e saj me Ike.
Hiti më i madh i viteve të hershme të Ike & Tina – ai shkoi në vendin e dytë në tabelën R&B të Billboard dhe u rendit në Top 20 pop – është një rutinë më e lehtë për një çift që ngulmon në problemet e tyre. Përsëri, epo. Por të paktën këtë herë kënga nuk ishte e Ike. Ai u shkrua nga Rose Marie McCoy së bashku me Joe Seneca dhe James Lee, dhe dyshja R&B Mickey & Sylvia u përfshinë në regjistrim.
Phil Spector e kishe parë drejtpërdrejtë këtë shfaqje me një energji të lartë. Ajo regjistroi ketë këngë të shkruar nga Jeff Barry dhe Ellie Greenëich,në bashkëpunim më labelin, Philles. Kjo këngë cilësohet si dështim, gjë që bëri që albumi që mban të njëjtin titull, të vonohej të dilte në treg për 3 viteve.
Këngë tjetër kemi Ike dhe Tina Turner, me “Proud Mary”, 1971
Për të prezantuar këtë hit, Tina u shpreh: “Ne kurrë nuk bëjmë asgjë të këndshme dhe të lehtë. Ne e bëjmë gjithmonë mirë dhe ashpër.”
Tina si kantautore e vlerësuar tregon për herë të parë historinë e saj, duke treguar edukimin e saj në fshatin Tennessee, ku tregon se shkonte në fushë gjatë ditëve të javës. Kënga tregon një përfytyrim, duke mos imagjinuar kurrë një jetë përtej thjeshtësisë së qytetit të vogël.
Këngë që ishte pjesë e versionit filmik “Tommy”,ku Tina luan rolin e ”ciganës’ .Ajo përdor seks dhe drogë për të kuruar djalin. Tina pas kësaj, del si simbol i seksit dhe famës botërore. Pak kohë pas kësaj ajo u largua nga Ike.
Kjo këngë doli kur Tina ishte diku 40 vjeçare dhe marka e saj ishte mbijetesa. Këngët ne albumin “Privat Dancer”, u shkruan kryesisht nga burrat, por u përshtaten në mënyrë të përkryer me rolin e një gruaje të pavarur që nuk heq dorë nga të qenurit vetëm. Kjo këngë tregon historinë e një gruaje me zemër të thyer, e cila dhe pse tundohet ka frikë të provojë dashurinë përsëri.
U shkrua nga Holly Knight dhe u publikua nga grupi i saj Spider. Paraqet një kërkesë të sigurtë dhe sfiduese për një burrë. Ajo lëshon vargun e vrullshëm “Should I ?”,pra “Duhet unë ?”
Këngë e regjistruar fillimisht nga Bonnie Tyler. ”The best” është këngë lavdërimi për një të dashur. Mirëpo nëse mbylli sytë është kënaqësi për vete. Ashtu siç shprehet Tina:” “Ti je thjesht më i miri, më i mirë se të gjithë të tjerët”. / KultPlus.com