Ms Indefinite vjen me video-performancën ‘Vitruvian Woman’, riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e ‘Vitruvian Man’ (VIDEO)

Ms.Indefinite së fundi është paraqitur me video performancën e saj të re ‘Vitruvian Woman’, përcjell KultPlus.

’Vitruvian Woman’ riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e “Vitruvian Man”, duke e (de)strukturuar përmes rikrijimit artistiko-feministe.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Ms.Indefinite:

Video-performanca “Vitruvian Woman” riformulon dhe rikonceptualizon figurën dhe konceptin e “Vitruvian Man”, duke e (de)strukturuar përmes rikrijimit artistiko-feministe.
Në faqet e historisë së artit, “Vitruvian Man” e Leonardo da Vincit qëndron si një simbol thelbësor i formës ideale të njeriut (në portretizimin mashkullor), duke harmonizuar proporcionin dhe simetrinë me parimet e arkitekturës klasike. Skica e Da Vincit ka shërbyer dhe shërben si testament i idealit të Iluminizmit që njeriu (në simbolin e burrit) është masa e të gjitha çështjeve jashtë dhe brenda katrorit dhe rrethit kozmik dhe gjeometrik.

Megjithatë, ndërsa shekujt kanë kaluar, kjo figurë emblematike (maskuliste) – si shembull i përpjekjeve për të bashkuar artin dhe shkencën, matematikën dhe arkitekturën – e pezulluar midis dy pozitave dhe katër pozicioneve, me krahët dhe këmbët e zgjatura, duke e përfaqësuar si statikën ashtu edhe stoikën – në riformulimin dhe rikonceptualizimin feminist artistik ndryshon përfaqësimin ikonik (në gjeometrinë e kozmosit) brenda dhe jashtë kornizave të katrorit dhe rrethit kufizues të pabarazisë.

Ajo që është një ekuilibër statik në “Vitruvian Man” tek “Vitruvian Woman” bëhet një përfaqësim i lëvizjes së pabalancuar, duke ilustruar angazhimin e përditshëm dhe kohën e shpenzuar të grave në dhe për punët e shtëpisë, kujdesin e fëmijëve dhe kujdesin për të moshuarit. Në këtë adaptim artistiko-feminist, ndonëse “Vitruvian Woman” ruan pozitat klasike, krahët dhe këmbët e zgjatura — në performim krahët e saj transformohen në akrepa të orës, duke i shënuar vitet, muajt, javët, ditët, orët, minutat dhe sekondat e punës së papaguar dhe punës me dy orare. Lëvizjet në më shumë se dy pozita dhe në shumëfish pozicione simbolizojnë jo vetëm ciklin e pandërprerë të përgjegjësive të pabarabarta në përkujdesje dhe punë shtëpiake, por edhe kërkesën për njohje dhe vlerësim të kontributit ekonomik të grave në familje. Gjithashtu duke e theksuar këtë nëpërmjet alegorisë së kohës si thirrje kumbuese për barazi dhe drejtësi gjinore.

“Vitruvian Woman” nuk replikon thjesht strukturën e figurës së “Vitruvian Man”, por e riformulon atë në aspektin feminist dhe rikonceptualizon nga perspektiva gjinore. Njëherit përmes shprehjeve artistike video-performanca shfaq protestën artistike feministe kundër roleve tradicionale gjinore që lidhin sferën publike me dominimin e burrave, kurse sferën private, veçanërisht familjet, me gratë. Po ashtu, shpërfaq kritikën artistike ndaj normave gjinore dhe pushtetit që i japin formë ndarjes së punës (historikisht kjo ndarje ka çuar në përgjegjësi të pabarabarta përkujdesjeje, veçanërisht kujdesi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit dhe punët e shtëpisë, duke i ngarkuar gratë me detyra të rënda përkujdesjeje). Prandaj, gratë edhe sot vazhdojnë të përballen me mundësi të kufizuara për punësim të paguar, arsimim dhe rritje personale, të cilat si rezultat mund të krijojnë varësi ekonomike dhe t’i vendosin gratë në punësim që kërkon aftësi të thjeshta dhe joformale.

Në këtë mënyrë, “Vitruvian Woman” bëhet një testament i aktivizmit artistik feminist që trajton artistikisht rëndësinë e të kuptuarit, vlerësimit dhe rishpërndarjes së përkujdesit si punë të papaguar për arritjen e barazisë gjinore, promovimin e përfshirjes sociale, uljen e varfërisë dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm brenda një kornize gjithëpërfshirëse.

Concept & Art Directing by Ms. Indefinite./KultPlus.com

Screenshot

Gjykata europiane rrëzon vendimin e KE, Google-it i hiqet gjoba prej 1.5 mld euro: Nuk janë marrë në konsideratë të gjitha rrethanat

Në ndërtesën e Kolegjit universitar jo publik Wisdom, ende janë të afishuara temat e studentët e vitit të shkuar akademik.

Një gjykatë e bllokut europian rrëzoi vendimin e Komisionit Europian duke anuluar gjobën prej 1.49 miliard eurosh të vendosur gjigantit amerikane të teknologjisë, Google nga Brukseli për abuzim të dominimit në fushën e reklamave online.

“Vendimi i KE-së anulohet në tërësinë e tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga gjykata me seli në Luksemburg, e cila pretendon se “institucioni ka kryer gabime gjatë shqyrtimit të çështjes”.

“Gjykata pa se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të rrethanat e rëndësishme në shqyrtimin e kohëzgjatjes së klauzolave të kontratave që KE-ja i kishte cilësuar abuzive”, theksohet aty.

Komisioni Europian, rregullator me ndikim i konkurrencës në BE, reagoi duke thënë se “do të studiojë me kujdes gjykimin dhe do të reflektojë për hapat e mundshëm të radhës” – që mund të përfshijnë edhe apelin. Ky vendim e lehtëson peshën mbi Google pasi gjykata më e lartë e BE-së javën e kaluar konfirmoi një gjobë të vënë ndaj kompanisë më 2017, me vlerë prej 2.42 miliardë eurosh, për abuzim të dominimit përmes favorizimit të shërbimit të saj për krahasimin e ofertave.

Si pjesë e një nisme të madhe për të luftuar abuzimet e gjigantëve të teknologjisë, BE-ja ndëshkoi Google me gjoba që kapin vlerën e përgjithshme të 8.2 miliardë eurove, ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, për shkak të shkeljeve të ligjeve të konkurrencës. Gjoba prej 1.49 miliard eurosh ishte e treta në serinë e këtyre ndëshkimeve./ Top Channel/ KultPlus.com

Dy këngë të rralla arbëreshe në revistën ‘La Calabria’

Më 15 nëntor 1889, u botuan në numrin e tretë të revistës kalabreze “La Calabria – Rivista di Litteratura Populare”, dy këngë të rralla arbëreshe. Alfonso Lucifero (shkrimtar dhe politikan italian, i lindur në qytetin e Krotones në Kalabri) përshtati për revistën që dilte në Monteleone versionin italian, të këngëve si në lidhjen e mëposhtme.

Materialin ku përshkruhen këngët arbëreshe të zonës së San Nicola dell’Alto, i referon Aurenc Bebja, i cili i publikoi në blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, për lexuesin shqiptar.

Këngë shqiptare të S. Nicola Dell’Alto

Canzoni albanesi di S. Nicola Dell’Alto

Versioni arbëresh :

Lloi, lloi, vascia, vale :

Veja u te ato vaghe,

(I) Ndra nde mest vaghijes

Sctura sit me gni vasc :

– Vasc, s’am sit t’im ;

Cu mi more ti ato sii ?

– U t’i voda e t’i rbeva,

Ngo mi pa gnacun gneri,

Mo re gni sog. piz i verd

Mori, sog, amicu jim,

Mori mus t’e cali, sog,

Se u ti bai gno cagiaghe,

Ncaggia c’art u bai ti rric,

Uj cristalli bai ti pic,

Schajurelle ede triggoi.

Versioni italian :

Gioja, gioja, ragazza, al ballo :

Andava anch’io a quel ballo,

In mezzo al ballo

Gettai gli occhi ad una fianciulla.

– Fianciulla, dammi gli occhi miei,

Dove mi prendesti tu gli occhi ?

– Io te li rubai e li nascosi,

Nè alcun uomo mi vide,

Sole mi vide un uccello dal becco giallo :

Oh ! uccello, amico moi,

Oh ! uccello, non dirlo a nessuno ;

Perchè io ti faro una bella gabbia

Ed in gabbia d’oro ti faro stare,

Ti faro bere acqua cristallina

E grano fino ti mandero

Versioni arbëresh :

– Guign te ses e guign ti bard,

Guign te ses cca Manipuja

Mi cheni par trimin t’im ?

– U te e pe te a ato putiga.

– Mos m’e pe siccio me blei ?

– Ai ti blei gni ragg drappi.

– Vaft mot ede nga vit,

E me pruft ti bucarit !

Versioni italian :

– Ulivo nero e olivo bianco,

Olivo nero di Manipuglia,

Aveto visto il mio inamorato ?

– Io l’ho visto a quelle botteghe.

– Hai tu visto quello che mi comprava ?

Ei ti comprava une gonna di seta.

Ch’ei possa andare quest’anno ed ogni anno,

E mi porti delle cose belle./ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-calabria-1889-kenget-origjinale-arbereshe-te-san-nicola-dell-alto-botuar-ne-revisten-kalabreze

Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.

Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.

KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:

Salvatore Quasimodo – Letër Nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

Përktheu: Beti Njuma / KultPlus.com

Sytë e tu

Poezi nga Oktavio Paz

Sytë e tu janë atdheu prej vetëtime dhe lotësh,
heshtje që flet,
stuhi pa erë, 
det pa dallgë,
zogj të burgosur, 
bisha të praruara të fjetura,
topaz të pafe si e vërteta,
vjeshtë në një hapësirë
pylli ku drita në të këndon,
sup i një peme dhe të gjitha gjethet e saj zogj janë, 
plazh që mëngjesi takon mbushur me sy,
shportë me fruta zjarri,
gënjështër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, 
dyer të atje përtej,
valëzim i qetë i detit në mesditë,
absolut që përpëlitet,
një vesë shi. / KultPlus.com

‘Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria’

Naim Frashëri ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes, shkruan KultPlus.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.

KultPlus sot ju sjell një nga shprehjet e tij të shumta kushtuar atdheut.

Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria.”/ KultPlus.com

Digjem, përvëlohem se të dua shumë…

Poezi nga Andon Zako Çajupi:

Digjem, përvëlohem
se të dua shumë,
ditën mendohem,
natën rri pa gjumë.

Lulet po ta dinin,
mike, sa të dua,
këtu do të vinin
të qajnë me mua.

Zogjtë të dëgjonin,
do t’më rrinin pranë
dhe do të këndonin,
të harroj sevdanë.

Asnjeri në jetë
plagën s’ma shëron,
përveç mikja vetë,
që vjen e lëndon!/ KultPlus.com

Kryeveprat letrare, të urryera nga shkrimtarët e mëdhenj

Përgatiti: Armin Tirana

Nuk është e lehtë të thuash se diçka nuk na pëlqen kur të gjithë e pëlqejnë. Rreziku është se mos akuzohemi se nuk kuptojmë apo deri për mendjemadhësi: si guxon ta shprehësh opinionin tënd mjeran kur është e qartë se do të përplaset me murin e përjetësisë që mbron kryeveprat? Dhe, mbi të gjitha, kush guxon se je? Në Literary Hub, Emily Temple ka hartuar një prej listave të saj fantastike. Ka listuar 14 kryeveprat më të urryera nga kush që në fakt kishte plotësisht të drejtën për t’u shprehur: gjenitë e padiskuteshëm të letërisisë.

Kryeveprat: shpesh shfaqen menjëherë, nganjëherë kalojnë pa u vënë re për një farë kohe, të tjera e kalojnë provimin e elitës, por jo të masës. Gjithsesi, herë a vonë, zbulohen dhe forcohen mbi piedestalin e tyre dhe qëndrojnë aty, të palëvizur. Do të jetë edhe për këtë, pasi nuk ka asnjë rrezik për t’i gërvishtur, se do të ishte e bukur që herëpashere të bëhej ushtrimi i vëzhgimit me shikimin e paturpshëm e shkrimtarëve të renditur këtu, duke u stërvitur për të zvilluar një mendim kritik më kurajoz. Por fjalët e këtyre autorëve na kujtojnë edhe sa është e rëndësishme të mos kihet frikë për të gjykuar bashkëkohësit tanë dhe shprehur pa frikë opinionet tona. Më e keqja që mund të na ndodhë? Nëqoftëse do të bëhemi gjeni, Emily Temple do të na fusë në ndonjë prej listave të saj. Në rast të kundërt, askush nuk do të kujtohet.

Virginia Woolf, Uliksi

Kështu shprehet shkrimtarja më e madhe e të gjitha kohërave kur vjen puna për kryeveprën e James Joyce: «Më është dukur një libër i pakulturuar, i trashë. Libri i një punëtori autodidakt dhe të gjithë e dimë sesa mund të jenë stresues, egocentrikë, këmbëngulës, të jashtëzakonshëm dhe, në analizë të fundit, të shpifur».

Dorothy Parker, Winnie the Pooh

Në kolumnen e saj të 20 tetorit 1928 tek New Yorker, Parker përcjell dialogë të tërë nga libri i A. A. Milne, duke ju përqeshur personazhet dhe të folmen e tyre.

Charlotte Brontë, Krenari dhe paragjykim, Ema

Brontë e kishte për vdekje me Jane Austen dhe i kritikoi si Krenari e paragjykim, ashtu edhe Emën. Në vitin 1848 i shkruante e dëshpëruar G.H. Lewes: «Pse ju pëlqen kaq shumë Mis Austen? Gjëja më le vërtet pafjalë».

Mark Twain, Krenari dhe paragjykim

Duhet thënë se e kishte me të edhe Mark Twain: «Nuk kam asnjë të drejtë t’i kritikoj librat, e bëj vetëm kur i urrej. Shpesh kam dëshirë të kritikoj Jane Austen, por librat e saj më tërbojnë aq shumë, sa që nuk arrij as ta kamufloj tërbimin dhe kështu që e lë fare më përpara akoma sesa të filloj».

Aldous Huxley, Në rrugë

Duke folur pë klasikun e shkruar nga Jack Kerouac, autori i një prej kryeveprave më të mëdha të fantashkencës (Bota e re) fiton çmimin për shprehjen më lezetshme: «Pak më vonë kam filluar të mërzitem. Dua të them, rruga më është dukur tmerrësisht e gjatë».

Katherine Mansfield, Shtëpia Howard

Në vitin 1917, e mbrojtur nga faqet e ditarit të saj, Mansfield ia lejon vetes që ta kritikojë librin e E. M. Forster nëpërmjet përdorjes së një metafore të veçantë. «Nuk arrin të shkojë më tej, kufizohet duke ringrohur çajnikun. Është shumë i zoti në këtë. Dëgjoje këtë çajnik: A nuk është i ngrohur shkëlqyeshëm? Po, por nuk do të ketë asnjë çaj».

Martin Amis, Don Kishoti

Sipas Amis, leximi i kryeveprës së Miguel Cervantes mund të krahasohet me një vizitë të papërcaktuar të «kushëririt më tw pamundur të moshuar, me të gjitha difektet e tij, zakonet e pështira, remineshencat e pandalshme dhe shokët e tmerrshëm të fëmijërisë».

David Foster Wallace, American Psycho

Në një intervistë me Larry McCaffery të botuar në revistën Review of Contemporary Fiction në vitin 1993, Wallace kapet keq me Ellis: «Për pak e nxjerr në plan të dytë në mënyrë të pacipë sadizmin e publikut, por në fund është e qartë se objekti i vërtetë i sadizmit është vetë lexuesi». Kur intervistuesi e mbron, ai i përvishet më keq: «Po demonstron pikërisht llojin e cinizmit që u mundëson lexuesve të manipulohen nga të shkruarit e keq». Është fillimi i një debati letrar midis të dyve që ka vazhduar edhe pas vdekjes së Wallace.

Elizabeth Bishop, Seymour – Një hyrje

Bishop nuk ia përton ta thotë: «E kam urryer historinë e Salinger», shkruan në një letër. «Më janë dashur ditë ta lexoj dhe më është dashur ta bëj me maturi, nga një faqe, nga një faqe, duke u skuqur nga sikleti për secilën prej shprehjeve të tij qesharake».

Mary McCarthy, Franny dhe Zooey

Vështirë të mos e çmosh këtë kryeveprën tjetër e Salinger. Megjithatë, dikush ia ka arritur. Kështu, McCarthy, që i kritikon praktikisht çdo gjë dhe nuk arrin të përtypë as vetëvrasjen finale: «Pse vret veten Seymour? (…) Ndoshta sepse ka gënjyer, ndoshta autori i tij ka gënjyer, gjithçka ishte e tmerrshme, bile edhe ai ishte mashtrim?».

H.L. Mencken, Gatsby i madh Gatsby

Debuton kështu në reçensionin e tij për romanin e mrekullueshëm të F. S. Fitzgerald në Chicago Sunday Tribune e vitit 1925: «Në formë, libri i ri i Fitzgerald nuk është asgjë më shumë se një anekdotë e glorifikuar. (…) Natyrisht, kjo histori është e parëndësishme».

Vladimir Nabokov, Doktor Zhivago, Vëllezërit Karamazov, Krim dhe ndëshkim, Finnegans Wake

Por urryesi më i flaktë dhe më i zellshëm i të gjithëve është i madhi Nabokov: jepini një klasik dhe ai do t’ua çmontojë copa copa. Pasternakut i lavdëron poezinë, por i kritikon prozën: Doktor Zhivago nuk i pëlqen aspak (një roman me një banalitet provincial), konsideron si librat më të rëndësishëm të Dostoevskij veprat e tij më të këqija (të mërzitshme, konfuze), dhe shprehet lidhur me eksperimentin e Joyce me këtë shprehje, që në vetvete është kryevepër: «E urrej Finnegans Wake, në të cilën rritja kanceroze e indeve të fjalëve fantastike nuk arrin pikërisht që të ngjallë harenë e tmerrshme e folklorit dhe alegorinë e lehtë, tejet të lehtë». /KultPlus.com

‘Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh’

Thënie nga Kafka:

Nuk i lexoj reklamat, sepse po t’i lexoja do të shpenzoja gjithë kohën time duke dëshiruar të zotëroj gjëra.

Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh.

Në luftën midis vetes dhe botës, përkrahe botën.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Duke besuar në mënyrë pasionante në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Ajo që ende nuk ekziston është thjesht diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm”.

Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty.

Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.

Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.

Librat që na duhen janë ato që na vijnë si fatkeqësi, që na bëjnë të vuajmë si vdekja e një personi që e duam më shumë se veten, që na bëjnë të ndihemi sikur jemi në prag të vetëvrasjes, ose të humbur në një pyll ku nuk frymon asnjë njeri.

Mos e ndrysho, mos e ujit, mos u mundo ta bësh logjik. Mos e ndrysho shpirtin tënd sipas kërkesave të të tjerëve. Përkundrazi, ndiqi fiksimet e tua më të forta, në mënyrë të pamëshirshme.

Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e Mira është e parehatshme.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Nuk është e nevojshme të largohesh nga shtëpia jote. Rri në tryezë dhe dëgjo. Madje mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, vetëm rri qetësisht dhe vetmitar. Bota do të paraqitet tek ti pa masë, nuk ka rrugë tjetër, vetëm do të bjerë në gjunjë para teje.

Parimi im kryesor është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë. / KultPlus.com

Viti Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit, aktivitet përkujtimor në bibliotekën ‘Musine Kokalari’

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake, organizoi një aktivitet përkujtimor në bibliotekën “Musine Kokalari” në Tiranë.

Tema e këtij aktiviteti ishte: “Rreth historikëve të Brigadave Sulmuese të krijuara në shtator 1944”, duke vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme të figurave historike në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë diskutim folën prof. asoc. dr. Bernard Zotaj, Gani Elezi, Ledio Xhoxhi, Hysni Mullalli, Vjollca Trebicka. 

Aktiviteti përkujtimor kontribuoi në ruajtjen e kujtesës kolektive për sakrificat dhe heroizmin e popullit shqiptar.

Qeveria ka miratuar projektvendimin për shpalljen e 2024-ës, si viti mbarëkombëtar i festimeve të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe gjithashtu ngritjen e Komisionit Shtetëror për organizimin e festimeve gjithëvjetore për 80-vjetorin e Çlirimit. Në kuadër të tij po organizohen aktivitete te shumta artistiko-kulturore./atsh/ KultPlus.com

‘Hej u rrit vasha o n’hije t’manit…’ (VIDEO)

Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.com

“U rrit vasha”, është vetëm njëra ndër interpretimet më të njohura të saj.

Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

U Rrit Vasha

Hej u rrit vasha o n’hije t’plepit
Of aman aman bilbilat po këndojnë.
Hej o shkoi nuse rrethit t’qytetit
Of aman aman bilbilat po këndojnë.

Hej u rrit vasha o n’hije t’manit
Of aman aman bilbilat po këndojnë.
Hej o shkoi nuse rrethit t’Gjilanit
Of aman aman bilbilat po këndojnë.

Hej u rrit vasha o n’at’ malësie
Of aman aman bilbilat po këndojnë.
Hej o ju rrit shtati o si selvie
Of aman aman bilbilat po këndojnë./ KultPlus.com

Javët Kulturore Ndërkombëtare: Punëtori ekskluzive me regjisorin Mike Figgis

Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, Shqipëria mirëpret emra të njohur të kulturës nga jashtë vendit. Më 17 shtator regjisori Mike Figgis mbanë punëtorinë e veçantë që do të nxisë transferimin e njohurive midis industrive të filmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri.

Ky event është një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar teknika të avancuara dhe për të ndarë ide me një profesionist të klasit botëror, duke kontribuar kështu në zhvillimin e brezit të ardhshëm të kineastëve shqiptarë.

Më 19 Shtator, do të shfaqet filmi i njohur “Timecode,” ku pas shfaqjes do të zhvillohet një diskutim frymëzues dhe informues mbi prodhimin e filmit eksperimental me Mike Figgis.

‘Kryeqyteti, transformim të thellë’, ‘Forbes’ artikull për Tiranën: Model urban pioner dhe projekte ambicioze

Transformimi që ka pësuar Tirana në 10 vitet e fundit është pasqyruar në një artikull te Revistës së njohur Forbes, duke nisur që nga zhvillimi urbanisitik e deri tek ai kulturor.

Forbes shkruan se nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier.  Po ashtu në artikull nënvizohet se lidershipi i Veliajt karakterizohet nga një vizion i guximshëm dhe inovativ, që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Tiranës në një qendër kulturore dhe turistike të klasit të parë.

Ndër projektet më ambicioze që janë përmendur në artikull janë Pylli Orbital, një nismë që përfshin mbjelljen e dy milionë pemëve rreth qytetit deri në vitin 2030  dhe tranformimi i Piramidës. Po ashtu nuk mbetet pa përmendur dhe rinovimi i sheshit Skënderbej, i shndërruar në një pedonale, sot një pikë referimi dhe pikëmbështetje e ngjarjeve kulturore.

Ndërkohë, në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt. Një mirënjohje e rëndësishme e dhënë nga 43 vendet anëtare të Unionit për Mesdheun, e cila vjen pas një vlerësimi të kujdesshëm në fronte si promovimi i dialogut ndërkulturor dhe vlerat e tolerancës dhe respektit./ Top Channel/ KultPlus.com

Veliera turistike “Panorama” me turistë amerikanë viziton portin e Durrësit

Eksploruesja e ishujve grekë “Panorama” ka zgjedhur bregdetin shqiptar për tu ndalur këtë mëngjes.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “veliera turistike ka sjellë 40 turistë amerikanë të cilët janë duke shijuar turin e tyre në Mesdhe, ku pjesë e ndalesave është bërë dhe Durrësi”.

“Panorama” ofron pamje mahnitëse, përbërë nga tri direkë, gjatësi prej 54 m dhe renditet ndër më të mëdhenjtë në llojin e vet, lundron nën flamurin grek dhe është një eksploruese e sprovuar, e cila ka përshkuar nga Oqeani Altantik deri në Detin e Zi.

Pas vizitës ditore në vendin tonë veliera luksoze do vijojë itinerarin drejt ishullit të Korfuzit./atsh/KultPlus.com

“Opera në Rrota” sonte prezantohet në Gjilan

Projekti “Opera në Rrota” ka ditë që ka filluar dhe tenton të shtrij perfromancat operistike në shumë qytete të Kosovës.

Gjilani do të jetë sot qyteti nikoqir i cili mirëpret artistet dhe publikun në hapësirat e Parkut Urban.

Nga ora 20:00 do të perfromojnë solistët Kaltrina Miftari, Anita Kërhani, Safet Berisha dhe Harris Bajraktari.

Pianiste do të jetë Laura Lila, narratore Uresa Ahmeti dhe aktor Edon Shileku./KultPlus.com

Dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut

Në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), u shfaqën filma në lokacione të ndryshme, disa prej të cilave në Qendrën për Hapje e Dialog (COD) si dhe në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.

Filmat u shfaqën për grupmoshën e nxënësve të gjimnazeve. Në COD, spektatorë ishin nxënës të shkollës “Petro Nini Luarasi” ku u shfaqën  “00:04:47 Till…” dhe “Breaking Social”. Projeksioni u moderua nga lektorja e Akademisë “Marubi”, Bora Ylli, e cila bëri analizën e filmave.

Ishin gjithsej 11 filma që u shfaqën ditën e djeshme, tre prej të cilëve edhe në Akademinë e Sigurisë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut zhvillohet në Shqipëri prej 19 vjetësh. Në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 41 filma nga vende të ndryshme të botës, por që i lidhin tema sensitive që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Tema e këtij viti është “Vepro gjelbër për të tashmen dhe për të ardhmen”. Filmat do të shfaqen në kinema të ndryshme të Tiranës deri më 21 shtator./atsh/KultPlus.com

5 Top profesionet si i diplomuar në MSc. Data Science & Analytics

Sipas raporteve dhe studimeve të ndryshme, kërkesa për specialistë në fushën e Data Science & Analytics është rritur dhe pritet që kjo tendencë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Njëri nga programet më atraktive në botë për punësim po cilësohet programi MSc. Shkencë dhe Analizë e të Dhënave. Programi i vetëm në Kosovë në këtë fushë i cili ofrohet nga profesorë të klasit botëror, me orar fleksibil, ofrohet nga UNI – Universum International College.

Ndjek lëndë direkt nga Thunderbird School of Global Management, Shkolla #1 në botë për ‘Global International Trade’.

➡ INFORMOHU ONLINE çdo kohë, këtu.

 Shiko disa nga #ligjeruesit këtu: https://rb.gy/sjvv1
 Shiko disa nga #lëndët këtu: https://rb.gy/3tr7s

UNI – Universum International College ka partneritet me Arizona State University, i renditur nr. #1 në Shtetet e Bashkuara për Inovacion sipas “US News & World Report” për nëntë vite me radhë, duke i’u ofruar kështu studentëve arsimim të klasit botëror dhe diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.

Studentët e nivelit MASTER përfitojnë:

Diplomë të Fuqizuar nga Arizona State University

Diplomë te njohur ndërkombëtarisht

Sistem modular, ligjerata fizikisht apo online

Orar fleksibil, ligjërata në mbrëmje dhe gjatë vikendeve

Eksploro Evropën gjatë studimeve, përfito BURSË të plotë për studime në njërin nga 221 Universitetet partnere të Evropës.

Mundësi për Diplomë të Dyfishtë në Amerikë.

Shih planprogramin këtu.

Disa nga profilet e të diplomuarve nga programi MASTER në Data Science & Analytics: 

  • Punësim në koorporata, agjenci, institucione, kompani të mëdha vendore dhe ndërkombëtare 
  • Punësim si Specialist i të Dhënave, Inxhinier i të Dhënave, Analist i të Dhënave, Statisticient, Zhvillues i Software-ve 
  • Hapja e kompanisë tuaj në ofrimin e shërbimeve për menaxhim dhe analizim të të dhënave 

Për të transformuar pasionin tuaj për menaxhimin e të dhënave në një karrierë përmbushëse me programin Master në Shkencë e të Dhënave, për më shumë informacione kliko KËTU.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në facebook dhe instagram./KultPlus.com

Mike Figgis në Tiranë, regjisori britanik me masterclass për kineastët e rinj

Java Kulturore Britanike vazhdoi aktivitetet e saj me masterclass-in nga Mike Figgis. Në Qendrën e Artit “Agimi”, ishin të pranishëm me këtë rast, kineastë të rinj e të apasionuar ndaj kinematografisë për të ndjekur ligjërimin e regjisorit, skenaristit e kompozitorit britanik, Figgis.

Mike Figgis erdhi për një seminar rreth realizimit të filmave me buxhet të limituar dhe pajisje minimale. Eventi ngjalli interes tek gjenerata e ardhshme e kineastëve dhe ishte një shkëmbim i vlefshëm njohurish midis industrisë së filmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe asaj shqiptare.

Mike Figgis dha nga përvoja e tij e vyer, si një regjisor që është kandiduar 2 herë për çmimin Oscar, me veprën e tij “Leaving Las Vegas” (1995).

Falë Javës Kulturore Britanike, të rinjtë mundën të bashkebisedonin me një artist që ka nxjerrë dhjetra prodhime si në kinematografi ashtu edhe në televizion. Figgis përveç regjisë ka shkruar një pjesë të madhe të skenarëve që ekranizohen, si dhe ka shkruar muzikën për pjesën më të madhe të tyre./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Pagave të Barabarta

Sot është Dita Ndërkombëtare e Pagave të Barabarta, e cila përfaqëson përpjekjet e kahershme drejt arritjes së pagës së barabartë për punë me vlerë të barabartë.

Kjo ditë bazohet më tej në angazhimin e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe kundër të gjitha formave të diskriminimit, duke përfshirë diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Në të gjitha rajonet e botës, gratë paguhen më pak se burrat, me diferencën gjinore të pagave të vlerësuara në rreth 20 %, në rang global. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave vazhdojnë të frenohen për shkak të marrëdhënieve të pabarabarta historike dhe strukturore të pushtetit midis grave dhe burrave, varfërisë dhe pabarazive dhe dizavantazheve në aksesin ndaj burimeve dhe mundësive që kufizojnë aftësitë e grave dhe vajzave.

Progresi në ngushtimin e këtij hendeku ka qenë i ngadaltë. Ndërsa paga e barabartë për burrat dhe gratë është miratuar gjerësisht, zbatimi i saj në praktikë ka qenë i vështirë./atsh/KultPlus.com

Dokumentari për Ukrainën shfaqet në Kuvendin e Shqipërisë

Një prej filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shfaq sot në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Forumit për Ukrainën. Për këtë veprimtari u përzgjodh dokumentari “Intercepted” (Të përgjuarit).

“Të përgjuarit” është një dokumentar, prodhim i vitit 2024. Ai rrëfen shkatërrimin e Ukrainës prej luftës, duke e sjellë këtë përmes tablove të gjata. Ndërsa anën njerëzore, dokumentari e rrëfen përmes telefonatave të ushtarëve me familjet, duke zbuluar një botë paralele. Tingulli dhe imazhi përballen me njëri-tjetrin.

Përpara se të shfaqej filmi, përshëndetën forumin edhe drejtori ekzekutiv i festivalit, regjisori Kujtim Çashku si dhe prof. Theodore S. Orlin, president nderi i festivalit.

“Kam qenë në Kiev dhe kam kuptuar se, duke ndjekur dronët dhe raketat e shumta brenda 2 orëve, kuptova se ato binin në trupin e Evropës. Asnjëherë zjarri që shihet në shtëpinë e tjetrit, nuk duhet menduar se nuk do të vijë edhe në shtëpitë tona”, u shpreh Kujtim Çashku.

Ndërsa prof. Orlin tha se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është një tragjedi e shekullit të 21-të dhe mund të jetë ndër gjërat më domethënëse të këtij shekulli. Sipas tij, nëse Ukraina nuk do të fitonte, ky do të ishte një shkatërrim për rendin ndërkombëtar, për të cilin kemi punuar shumë.

“Kjo nuk është hera e parë që shohim një film për Ukrainën. Por kësaj here jemi të shqetësuar për kombin e Ukrainës”, u shpreh Orlin./atsh/KultPlus.com

Viti Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit, aktivitet përkujtimor në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake, organizoi një aktivitet përkujtimor në bibliotekën “Musine Kokalari” në Tiranë.

Tema e këtij aktiviteti ishte: “Rreth historikëve të Brigadave Sulmuese të krijuara në shtator 1944”, duke vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme të figurave historike në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë diskutim folën prof. Bernard Zotaj, Gani Elezi, Ledio Xhoxhi, Hysni Mullalli, Vjollca Trebicka. 

Aktiviteti përkujtimor kontribuoi në ruajtjen e kujtesës kolektive për sakrificat dhe heroizmin e popullit shqiptar.

Qeveria ka miratuar projektvendimin për shpalljen e 2024-ës, si viti mbarëkombëtar i festimeve të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe gjithashtu ngritjen e Komisionit Shtetëror për organizimin e festimeve gjithëvjetore për 80-vjetorin e Çlirimit. Në kuadër të tij po organizohen aktivitete te shumta artistiko-kulturore./atsh/KultPlus.com

Procesi gjyqësor i komunistëve, kundër “spiunazhit amerikan”

Më 18 shtator 1947, regjimi komunist orkestroi një proces gjyqësor kundër “çadrës” së spiunazhit amerikan në Shqipëri. 

Qe vendosur që të zhvilloheshin dy gjyqe, një i hapur dhe një i mbyllur “për gjykimin e disa elementëve armiq, mbeturina të fashizmit, të spiunazhit të huaj, fraksionistë..etj, si edhe mbi qëndrimin dhe masat ndaj atyre teknikëve që dalin të implikuar në procesin gjyqësor”. 

Akuzat ngriheshin kundër Harry Fultz-it, që sipas regjimit përdorte kontaktet e tij si drejtor i Shkollës Teknike, në kuadër të një aktiviteti spiunazhi. 

“Nga procesi dalin të implikuar shumë teknikë. Një kategori e tyre mund të futen edhe në burg. Një kategori duhet të këshillohet. Një kategori që mund të vëzhgohet. Njerëzit tonë duhet të përfitojnë për të krijuar agjentë. Ka nga ata që do të transferohen ose do të pushohen”, shkruhet në dokumentin e ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit.

Nëpërmjet tekstit ilustrues, mësohet se në përgatitjen e gjyqit do të përcaktohej edhe ndërmarrja e masave të karakterit politik. Nga punimet e gjyqit u dënuan me vdekje Beqir Çela, Riza Alizoti, Paollo Sagioti, Andrea Tarasconi, Sulo Klosi dhe Agathokli Xitomi./atsh/KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga Milan Kundera

Milan Kundera është një shkrimtar çek që shkoi në mërgim në Francë në 1975, duke u bërë një shtetas francez i natyralizuar në vitin 1981.

Kunderas iu hoq shtetësia çekosllovake në vitin 1979; ai mori nënshtetësinë çeke në vitin 2019. Ai “e sheh veten si një shkrimtar francez dhe këmbëngul se vepra e tij duhet të studiohet si letërsi franceze dhe të klasifikohet si e tillë në libraritë”.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura nga librat dhe punimet e shkrimtarit.

Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.

Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.

Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.

Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.

Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.

Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.

Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.

Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.

E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”

Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.

Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.

Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.

Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.

E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.

Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.

Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.

Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.

Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.

Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.

Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.

Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.

Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.

Të qeshësh është të jetosh thellë.

Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.

Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.

Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.

Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.

Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.

Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.

Lumturia është dëshira për përsëritje.

Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.

Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.

Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.

Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.

Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.

Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.

Nuk kam asnjë mision. Askush nuk ka./KultPlus.com

18 shtatori shënon Ditën e Respektit

18 shtatori shënon Ditën e Respektit.

Kjo ditë është themeluar me qëllim që t’i shtyjë njerëzit që të përqendrohen më shumë në mënyrën se si ata mund të respektojnë të tjerët.

Kjo do të thotë që t’u kushtoni më shumë vëmendje të dashurve tuaj, mirëpo në përgjithësi merret si një arsye shtesë që t’i trajtoni njerëzit me mënyra më të sjellshme.

Nuk ka ndonjë rregull mbi të cilin kjo ditë shënohet, kjo gjë varet nga ju, rrethi dhe nevojat tuaja.

Natyrisht, respekti është diçka që duhet të na shoqërojë gjithë vitin, por kjo ditë duhet t‘ju frymëzojë që të mendoni më shumë se si silleni me njerëzit rreth jush. / KultPlus.com