‘Ferma e Kafshëve’ e Orwellit, ja pse mbetet aktuale

Në gushtin e vitit 1945, në SHBA u botua libri “Ferma e kafshëve” e shkrimtarit britanik George Orwell (Xhorxh Oruell). Rezultoi një sukses i madh, me mbi gjysmë milioni kopje të shitura që në vitin e parë. Libri u pasua 3 vjet më vonë nga një sukses edhe më i madh, romani “1984”.

Nga Mark Satta

Në vitet që pasuan, shkrimet e Oruell lanë një shenjë të pashlyeshme në mendimin dhe kulturën amerikane. Shitjet e këtyre 2 librave u rritën sërish në vitin 2013 kur Eduard Snouden zbuloi dokumente konfidenciale nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve të Bashkuara (NSA).

Po ashtu “1984“ u ngjit në krye të listës së librave të shitur nga “Amazon”, pas hyrjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017. Si profesor i filozofisë, unë jam i interesuar të analizoj sesi idetë e Oruell mbeten aktuale edhe sot, përfshirë ato mbi totalitarizmin dhe socializmin.

Karriera e hershme

Xhorxh Oruell ishte pseudonimi i Erik Bler. I lindur në vitin 1903 në Indinë koloniale, Bler u transferua më vonë në Angli, ku falë disa bursave ndoqi shkollat ​​më elitare të vendit. Pas mbarimit të shkollës, u bë një zyrtar shtetëror britanik, dhe punoi në Burma (sot Mianmari). Në moshën 24-vjeçare, Oruell u rikthye në Angli për t’u bërë shkrimtar. Gjatë viteve 1930, ai pati një sukses modest si eseist, gazetar dhe romancier. Në atë kohë shërbeu si një ushtar vullnetar në një milici të krahut të majtë, që luftoi përkrah republikanëve gjatë Luftës Civile në Spanjë.

Gjatë atij konflikti, Oruell e kuptoi nga afër se si propaganda mund të diktonte narrativat politike, dhe e bëri këtë duke vëzhguar rrëfimet e pasakta të ngjarjeve, të cilat ai i kishte përjetuar si dëshmitar okular.

Më vonë ai e përmblodhi me këtë fjali kuptimin e shkrimeve të tij nga Lufta Civile Spanjolle:”Çdo shkrim serioz që kam shkruar që nga viti 1936 është drejtuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kundër totalitarizmit, dhe në favor të socializmit demokratik”.

Po çfarë është totalitarizmi?

Për Oruell, totalitarizmi ishte një rend politik i përqendruar tek pushteti dhe kontrolli i tij. Kjo ide shtjellohet nga antagonisti në librin “1984”, O’Brajan. Ky personazh imagjinar, është një zyrtar i fuqishëm qeveritar, që e përdor torturën dhe manipulimin për të kontrolluar mendimet dhe veprimeve të protagonistit, Uinston Smith.

O’Brajan e trajton dëshirën e tij për pushtet si një synim në vetvete. Ai është një përfaqësim i fuqisë për hir të vetë pushtetit. Shumë nga idetë kryesore të Oruell, kanë të bëjnë me atë me të cilën totalitarizmi është i papajtueshëm.

Në esenë e tij të vitit 1941, “Luani dhe njëbrirëshi: Socializmi anglez dhe gjeniu”, Oruell flet për “idenë totalitare, sipas së cilës nuk ekziston një gjë e tillë si ligji, por vetëm pushteti…”. Me fjalë të tjera, ligjet mund të kufizojnë fuqinë e një sundimtari.

Nga ana tjetër, totalitarizmi synon të zhdukë kufijtë e ligjit, përmes një ushtrimi të pacipë të pushtetit. Ngjashëm, në esenë e tij të vitit 1942 “Duke parë në retrospektivë luftën spanjolle”, Oruell argumenton se totalitarizmi synon të mohojë ekzistencën e fakteve neutrale dhe të vërtetës objektive.

Oruell e identifikon lirinë dhe të vërtetën si “garancitë” kundër totalitarizmit. Ushtrimi i lirisë dhe njohja e së vërtetës, janë të papajtueshme me kontrollin total të centralizuar që imponon totalitarizmi. Oruell e kuptoi se totalitarizmi mund të gjendet në politikë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë.

Për Oruellin, naz izmi dhe komunizmi ishin totalitariste. Për mendimit tim, vepra e tij na sfidon që t’i rezistojmë tundimit për t’i lejuar udhëheqësit të kenë sjellje totalitare, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Gjithashtu ajo na kujton se disa nga mjetet më të mira që kemi në dispozicion për t’i rezistuar totalitarizmit, janë thënia e të vërtetës dhe ruajtja e lirisë.

Çfarë është socializmi demokratik?

Në librin e tij të vitit 1937  “Rruga drejt skeles Uigan”, Oruell shkruan se socializëm do të thotë “drejtësi dhe liri”. Drejtësia së cilës i referohet ai, shkon përtej drejtësisë së thjeshtë ekonomike. Ajo përfshin gjithashtu drejtësinë sociale dhe politike.

Oruell e shpjegon më në detaje se çfarë nënkupton me socializëm tek “Luani dhe njëbrirëshi”. Sipas tij, socializmi kërkon “barazinë e përafërt të të ardhurave, demokracinë politike, dhe heqjen e të gjitha privilegjeve trashëgimore, sidomos në arsim”.

Duke specifikuar se çfarë nënkupton me “barazinë e përafërt të të ardhurave”, Oruell thotë më vonë në të njëjtën ese, se diferenca në të ardhura nuk duhet ta kalojë raportin 10 me 1. Duke e interpretuar këtë ide nga perspektiva e sotme, mund të thuhet se Oruell do ta konsideronte etike që presidenti i një kompanie të fitojë 10 herë më shumë se sa punonjësit e tij, por jo 300 herë më shumë, siç ndodh sot mesatarisht në Shtetet e Bashkuara.

Por në përshkrimin e socializmit, Oruell nuk merret vetëm me pabarazinë ekonomike. Shkrimet e Oruell tregojnë se koncepti i tij i preferuar i socializmit, dikton gjithashtu “demokracinë politike”. Siç  e vë në dukje studiuesi Dejvid Douan, Oruell dallon “dy koncepte të demokracisë’.

E para i referohet fuqisë politike në dispozicion të njerëzve të zakonshëm. E dyta ka të bëjë me liritë liberale klasike, siç është ajo e mendimit. Të dyja konceptet e demokracisë duken të rëndësishme, për atë që Oruell nënkupton me socializmin demokratik.

Për Oruell, socializmi demokratik është një rend politik që siguron barazi sociale dhe ekonomike, duke e ruajtur gjithashtu lirinë e fortë personale. Unë besoj se përshkrimi i Oruell mbi socializmin demokratik, si dhe pranimi prej tij, se socializmi mund të marrë forma të ndryshme, mbeten të rëndësishme ende sot, pasi debati politik mbi socializmin në Shtetet e Bashkuara anashkalon shpesh shumë prej nuancave që përfshin në debat Oruelli.

Për shembull, shumë shpesh amerikanët e ngatërrojnë socializmin me komunizmin. Oruell na ndihmon të sqarojmë ndryshimin midis këtyre termave. Duke pasur parasysh nivelet e larta të pabarazisë ekonomike, sulmet politike ndaj së vërtetës dhe shqetësimet e reja mbi totalitarizmin, idetë e Oruell mbeten po aq të rëndësishme sot sa ishin 75 vjet më parë./ “The Conversation”

Të enjten promovohet libri ‘E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës’

Promovimi i librit “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” nga Janet Reineck do të behet më 13 mars nga ora 17:00 në Librarinë ‘Dukagjini’.

Një diskutim i shkurtër për librin me antropologen Reineck. Në diskutim do të marrin pjesë antropologu Arsim Canolli dhe antropologia Lumnije Kadriu (përkthyese e librit në gjuhën shqipe). Do të ketë një koktej simbolik dhe mundësi për blerë librin me zbritje dhe të nënshkruar nga autorja.

Via Ferrata në Kuç, hap i madh për turizmin e aventurës

Ndërhyrjet në infrastrukturën turistike të aventurës, synojnë të nxisin më tej eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë.

Një projekt inovativ ka marrë jetë përmes Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP), ku Çeta Hiking fitoi çmimin e parë për të realizuar Via Ferrata-n në Kuç, në rajonin e Vlorës.

Via Ferrata e parë në Shqipëri po ndërtohet për ngjitje në zona shkëmbore me instalime hekuri.

100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u  financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.

E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.

Ky zhvillim jo vetëm që do të diversifikojë ofertën turistike në rajon, por gjithashtu do të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët. /atsh/ KultPlus.com

Vizatimi i Onfimit: Autoportreti i një fëmije të shekullit XIII mbi kalë, duke vrarë një armik

Rreth 800 vjet më parë, një djalë 7-vjeçar i quajtur Onfim duket se ishte lodhur nga detyrat e shkollës dhe, në vend të tyre, vizatoi veten si një kalorës mbi kalë duke vrarë një armik. Onfim, i cili shkroi emrin e tij mbi këto skica argëtuese, bëri vizatime mbi më shumë se një duzinë copash të holla lëvore thupre në mesin e shekullit XIII. Aftësia e tij artistike u ruajt për shekuj falë tokës së lagësht dhe me pak oksigjen të Novgorodit, një shtet mesjetar sllavo-lindor që më vonë u bë pjesë e Rusisë.

I njohur si Gramota Nr. 200, autoportreti i Onfimit përfshin ushtrimet e tij me alfabetin cirilik mbi një vizatim ku duken një kalë, një armë e ngjashme me shpatë, një armik i mundur dhe, pranë një përfaqësimi të vetes, firma e tij: ОНѲИМЄ. Figuracionet e tij të thjeshta, një tregues i moshës 7-vjeçare, kanë shprehje të ashpra, bust të rrumbullakosur, këmbë të gjata dhe duar me më pak gishta sesa duhet.

Në vitin 1951, arkeologët në Novgorod zbuluan tekstet e para ruse të vjetra të shkruara në lëvore thupri, dhe deri më sot janë gjetur më shumë se 1200 të tilla. Përpara se letra të bëhej e disponueshme, lëvorja e butë e thuprës gërvishtej me mjete metalike ose kockore. Përmasat e këtyre teksteve ndryshojnë, por shumica janë afërsisht sa një kartolinë. Historiani rus Valentin Janin ka vlerësuar se mund të ketë mbi 20,000 tekste të tjera që ende nuk janë zbuluar nga toka me baltë të lagësht.

Qyteti i Novgorodit, që ndodhet në Rusinë perëndimore, rreth 160 kilometra në jug të Shën Petersburgut, ishte një qendër e rëndësishme tregtare gjatë periudhës mesjetare dhe, si rezultat, kishte nivele të larta të shkrim-leximit. Tekstet e shkruara në lëvore thupre nga Novgorodi trajtojnë kryesisht transaksione tregtare ose janë kopje të pasazheve nga Bibla.

Por puna e Onfimit është paksa ndryshe. Edhe pse ai ka shkruar psalme dhe himne, shumica e dorëshkrimeve të tij përmbanin vizatime figurative, dhe stili i tyre i thjeshtë e i këndshëm e ka bërë atë personin më të famshëm të teksteve të Novgorodit në lëvore thupre, si dhe krijuesin e disa prej veprave më të hershme artistike të prodhuara nga një fëmijë që janë zbuluar ndonjëherë.

Fatkeqësisht, nuk ka dëshmi historike që të tregojnë se çfarë ndodhi me Onfimin ndërsa u rrit. A u bë tregtar apo murg? A hipi ndonjëherë mbi kalë dhe vrau armiqtë e tij? Megjithëse nuk e dimë fatin e Onfimit, vizatimet e tij 800-vjeçare kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori. / INKL – Syri.net/ KultPlus.com

Personat që lexojnë ka një anatomi ndryshe të trurit

Leximi modelon trurin! Një njeri i apasionuar pas librave mund të dallohet nga anatomia e trurit, pasi leximi është në gjendje t’u japë formë dy zonave të hemisferës së majtë që janë të lidhura me tingujt dhe kategorizimin e informacioneve domethënëse.

Përsa i përket tiparit të parë, të tingullit, shkronjat dhe të lexuarit nuk i përkasin vetëm fushës vizive të të kuptuarit, por shkronjat janë tinguj.

Dhe kush lexon, ka një anatomi ndryshe, me lobin temporal në hemisferën e majtë që është në përmasa më të mëdha. Dhe këtë disa njerëz e kanë më të zhvilluar, ndërkohë që tek fëmijët, zona e trurit përgjegjëse për tingujt që është më e hollë, është simptomë e disleksisë.

Dua Lipa dhe Jennie publikojnë videoklipin e këngës “Handlebars”

Jennie nga BLACKPINK dhe ylli botëror i pop-it, Dua Lipa, kanë bashkuar forcat për të sjellë një nga bashkëpunimet më të pritura të vitit – “Handlebars”.

Kënga, e cila ka ngjallur menjëherë entuziazëm mes fansave të të dyja artisteve, vjen e shoqëruar me një videoklip spektakolar, i cili tejkalon pritshmëritë me pamjet e tij vizuale mahnitëse.

Me një stil të rafinuar dhe një estetikë unike, klipi ofron një përvojë vizuale të mbushur me skena të fuqishme, ngjyra të theksuara dhe efekte kinematografike të jashtëzakonshme.

Jennie dhe Dua Lipa shfaqen më karizmatike se kurrë, duke reflektuar një energji tërheqëse dhe një harmoni të përkryer në interpretimin e tyre.

“Handlebars” është një kombinim i veçantë i pop-it modern me elemente elektronike dhe ritme dinamike, ndërsa teksti i saj sjell një mesazh të fortë për vetëbesimin dhe lirinë.

Bashkëpunimi mes dy yjeve të muzikës ka marrë vlerësime të shumta, duke u konsideruar si një nga projektet më inovative të vitit.

Që në momentin e publikimit, videoklipi është kthyer në një sensacion, duke grumbulluar miliona shikime brenda pak orësh dhe duke u komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.

Fansat e të dyja artisteve kanë përshëndetur këtë bashkëpunim, duke e cilësuar atë si një nga duetet më ikonike të kohëve të fundit.

Me këtë projekt të ri, Jennie dhe Dua Lipa konfirmojnë edhe një herë statusin e tyre si ikona globale të muzikës, duke lënë një shenjë të fortë në industrinë muzikore.

Mbetet për t’u parë se çfarë surprizash do të sjellin në të ardhmen dyshja e talentuar, por një gjë është e sigurt: “Handlebars” është vetëm fillimi i një suksesi të padiskutueshëm./rtv21/ KultPlus.com

Kinematografia shqiptare, në fokusin e festivalit italian Sudestival 2025

Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondacionin Gramsci të Pulias, Festivali i Filmit Sudestival mirëpret kinematografinë shqiptare me një sesion të dedikuar.

Pas Romës, do të jetë në Monopoli, te Pulias, stacioni i radhës. Data 14 mars, në Teatrin Radar në Monopoli, do të jetë një ditë e gjatë kushtuar bisedave, debateve dhe shfaqjeve të disa prej veprave më të mira kinematografike që rrëfejnë historinë e Shqipërisë.

Në program parashikohet “Anuloje Ligjin” (Annula il decreto) nga Fabrizio Bellomo. Pas shfaqjes së filmit, do të ketë një bisedë me regjisoren Fabiola Ismaili (Aquile di Seta), Edon Qesari (Historian, Akademia e Shkencave e Shqipërisë), Prof. Claudia Villani (Historiane, Universiteti i Barit – Fondacioni Gramsci Puglia).

Filmi tjetër në program është “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” nga Alessandro Ferrantelli, i cili do të shfaqet në shqip me titra italisht. Kjo premierë italiane do të ndiqet nga një bisedë me Arbër Agalliu, Noè Andreano (kryetar i bashkisë së Casalvecchio di Puglia), prof. Lucia Martino.

Në mbrëmje do të shfaqet i mirënjohuri “Lulëkuqet mbi mure”, i regjisorit Dhimitër Anagnosti që do të ndiqet nga biseda me Vito Saracino (Fondacioni Gramsci i Pulias), Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendor Shtetëror i Filmit), Nicola Barbuti (Dabimus srl – Universiteti i Barit), Resmie Hallulli (Universiteti i Barit, Fondacioni Gramsci i Pulias). /atsh/ KultPlus.com

Osmani pas takimit me Këshillin e Atlantikut të Veriut: Riafirmova përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimit me NATO-n

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Këshillin e Atlantikut të Veriut, përcjell KultPlus.

Osmani e ka konsideruar këtë takim si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe në një moment vendimtar.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment vendimtar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC).

Patëm një diskutim përmbajtësor rreth zhvillimeve në Kosovë e rajon dhe riafirmova përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimit me NATO-n.

Forcat e NATO-s kanë rol të rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë, prandaj si partnere serioze e kredibile, Kosova do të vazhdojë të kontribuojë për paqen e stabilitetin afatgjatë./KultPlus.com

Ministri Çeku takohet me sekretarin Boban Totov, diskutojnë për organizimin e Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totov, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Esports në Kosovë, Altin Preniqi.

Në këtë takim u disktuan për përgatitjet, progresin dhe punët që po bëhen drejt organizimit të Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë.

Ngjarja më e madhe e Lojërave Elektronike në Evropë do të mbahet në Prishtinë në korrik të këtij viti. Me 45 shtete pjesëmarrëse dhe me mbi 250 lojtarë, ky kampionat do të sjell në Prishtinë garat e Counter-Strike 2 dhe Dota 2./ KultPlus.com

Lindita Sejdiu- Rugova zgjedhet drejtoreshë e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, shkruan KultPlus.

“Profesoresha Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit për një mandat dyvjeçar. Duhet theksuar se Prof. Sejdiu Rugova ka përvojë 23 vjeçare në organizimin e drejpërdrejtë të aktiviteteve të Seminarit”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Filologjisë.

Sekretar shkencor nga Këshilli i Seminarit u propozua Prof. asoc.dr. Muhamed Çitaku, kurse anëtarë të Këshillit u zgjodhën profesorët: Prof. dr. Bardh Rugova, Prof. dr. Avdi Visoka, Prof. ass. Dr. Gëzim Qerimi, Prof. ass. dr. Shpëtim Elezi, dhe Prof. ass. dr. Zahrije Kapllanaj.

Sekretare profesionale u emëruan MA. Liridona Bërkolli dhe Donika Elezkurtaj Bërveniku./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës pasurohet me katër balerinë të rinj

Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se është pasuruar me katër balerinë të rinj, të cilët tashmë janë pjesë e përhershme e institucionit të BKK, shkruan KultPlus.

Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani kanë nënshkruar kontratat e rregullta të punës, duke u bërë pjesë e trupës së baletit.

“Edhe pse këta balerinë kanë qenë të angazhuar prej kohësh si pjesë e jashtme e trupës sonë, është tejet e rëndësishme që tani kanë marrë statusin e të punësuarve në BKK-së.

Baleti Kombëtar i Kosovës ju uron suksese dhe mbarësi në karrierën e tyre artistike, me shpresën që angazhimi dhe puna e tyre do të sjellin vlera të reja për publikun dhe artin skenik në vend” thuhet në njoftimin e BKK./ KultPlus.com

Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike, diskutime mbi projektin ‘Historia e shqiptarëve’

Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.

Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.

Fillimisht drejtori i qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”. Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.

Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.

Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025.

Okteti i vajzave ‘Harmonius’ sonte me koncert në Kishën ‘Shën Ndou’

Ansambli Vokal “Harmonius” nën dirigjimin e Adelina Ndreca Kolaj, sonte do të mbaj koncert në Kishën katolike “Shën Ndou”, shkruan KultPlus.

“Harmonius” është një ansambël vokal i përbërë nga tetë vajza, të bashkuara nga pasioni për muzikën me një repertor që dhuron emocione të veçanta, i cili kësaj radhe vjen me një program modern.

Koncerti mbahet sonte duke filluar nga ora 19:30 në Kishën “Shën Ndou”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka treguar se është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku kanë diskutuar për partneritetin më të fuqishme të sigurisë në botë.

Ajo ka shkruar se Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen.

“Si vend që ka tejkaluar objektivin e NATO-s për investime në mbrojtje prej 2% të GDP-së dhe po ndërton një forcë moderne të sigurisë, në përputhje me standardet e Aleancës, synimi ynë është i qartë: anëtarësimi në NATO si një kontribuues i palëkundur për sigurinë rajonale dhe globale”, ka shkruar tutje Osmani./KultPlus.com

“Building Architecture Culture”, pavijoni shqiptar në Venecia

Shqipëria do të ketë pavijonin e saj në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.

Pavijoni ynë, me titull Building Architecture Culture, eksploron marrëdhënien midis arkitekturës dhe shoqërisë, duke shtrirë ndikimin e saj përtej praktikës, në akademi dhe sferën publike. Kjo është një hapësirë dialogu ku idetë ndahen, pikëpamjet shkëmbehen dhe riformësohen.

Kuratorja e pavijonit shqiptar Anneke Abhelakh është një studiuese e angazhuar në projekte në fushën e artit bashkëkohor, arkitekturës dhe hapësirave publike, që jeton dhe punon në Zyrih. Fusha e veprimtarisë fokusohet në marrëdhëniet hapësinore midis praktikës, akademisë dhe sferës së tretë të kulturës arkitekturore dhe zhvillon projekte që lidhin dhe nxisin diskutimin dhe mirëkuptimin.

Bienalja e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, ka temë qendrore: “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.

Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias./atsh/KultPlus.com

Bëhu i mirë

Nga Charles Bukowski

Na është thënë gjithmonë
çmoje mendimin e tjetrit
edhe po qe ai
mendimi më arkaik
më teveqeli apo
më i neveritshmi.

Na është kërkuar
të mësojmë me dashamirësi
nga gabimet e tyre
nga jeta e tyre e çuar dëm
në veçanti
nëse janë të moshuar.

Por mosha është
shumësia e bëmave tona.

Ata janë rritur
keq
sepse kanë jetuar
në terr,
ata kanë refuzuar
që të shohin.

S’është faji i tyre?

I kujt qenka, atëherë?

I imi qenka?

Më është thënë
ti fsheh prej tyre
mendimet
nga frika e frikës së tyre.

Mosha nuk është krim
por turpi i një jetë të çuar dëm
me paramendim
ndërmjet shumë jetësh të tjera
të çuara dëm me paramendim.

Përktheu: Agon Sinanaj / KultPlus.com

Të premtën premiera e video-performancës “Krenaria Ka Shumë Ngjyra”

Të premtën, me datë 14 mars duke filluar nga ora 20:00, në teatrin Oda do të jepet premiera e video performancës “Krenaria Ka Shumë Ngjyra” nga Arlinda Morina – Liki dhe Uresa Ahmeti.

Kjo video-performancë zhytet thellë në ngjyrat e flamurit të krenarisë, duke i zbërthyer ato në përjetimet e një komuniteti që jeton mes shtypjes dhe rezistencës. Secila ngjyrë e flamurit – nga e kuqja e jetës deri te e vjollca e rilindjes – merr formë përmes 6 poezive dhe 6 performancave trupore dhe vizuele që shqyrtojnë një gamë të gjerë emocionesh, nga dashuria dhe solidariteti deri tek frika dhe dhuna.

Ky projekt, i financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka për qëllim jo vetëm të edukojë dhe sensibilizojë publikun për të drejtat e njeriut, por gjithashtu të njohë rezistencën shumëngjyrëshe LGBTQI+ dhe të fuqizojë e frymëzojë individët queer të jetojnë me liri dhe krenari./KultPlus.com

Nesër promovimi i librit “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka njoftuar se të mërkuren, do të promovohet libri “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”.

Në njoftim thuhet se promovimi do të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Promovimi do të bëhet duke filluar nga ora 18:00./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër nesër, me datë 12 mars, në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Casino Bern, me një mbrëmje gala nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier”. thuhet në njoftim.

Tutje, nga filharmonia kanë njoftuar se ky koncert do të jetë i veçantë, pasi do të interpretohen vepra nga disa prej kompozitorëve shqiptarë të Kosovës të shekullit XX dhe XXI deri te disa nga perlat e literaturës klasike botërore, si dhe me pjesëmarrjen e sopranos Besa Llugiqi dhe saksofonistit Vitaly Vatulya./KultPlus.com

Niçe: Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh

Këto dhjetë rregulla, Friedrich Nietzsche i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:

1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;

2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;

3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;

4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;

5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;

6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;

7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;

8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;

9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;

10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore. / KultPlus.com

179 alpinistë nga e gjithë Shqipëria ngjiten në majën Mark Zagora në Theth

Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” në këto ditë marsi u vizitua nga alpinistë dhe turistë të të apasionuar pas ngjitjeve në mal.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ngjitja në Alpe e një grupi të madh alpinistësh.

“179 alpinistë nga gjithë Shqipëria eksploruan “Parkun Kombëtar të Alpeve”, një përvojë unike e turizmit malor mes peizazheve të mrekullueshme, nismë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit, të cilës iu bashkuan edhe turistë të pasionuar pas natyrës”, tha Kumbaro.

Në këtë ekspeditë 179 alpinistë nga 16 ekipe të vendit tonë u ngjitën në majën më të lartë të Qafë Thores, Mark Zagora apo siç njihen ndryshe si binjaket e Thethit, në lartësinë 2313 metra mbi nivelin e detit, duke sfiduar kështu vështirësitë dhe rreziqet që shoqërojnë stinën e dimrit në këto zona.

Ky aktivitet është një mundësi për të promovuar bukuritë dhe vlerat turistike të Alpeve.

Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, tërheq çdo vit të apasionuarit pas ngjitjeve në mal./atsh/KultPlus.com

AQSHF restauron filmin ikonë “Ngadhnjim mbi vdekjen”

58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Filmi, prodhim i vitit 1967, është vepër e dy regjisorëve, Gëzim Erebara dhe Piro Milkani dhe skenaristit Peçi Dado.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri të ditur se, “Ngadhnjim mbi vdekjen” do të vijë i restauruar nga Augustus Color me shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit.

Premiera e filmit të restauruar do të bëhet në kinema Millennium në datën 25 mars.

Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri./atsh/KultPlus.com

Poema e Kthimit nga Jose Angel Buesa

Jose Angel Buesa
Përktheu: Fatbardha Statovci

Nga fundi i errët i një nate të paepur po vij
yjet i sodis krejt i habitur.
Fajin e pranoj posa te porta jote mbërrij
e një pëllumb bardhok për supi më është puthitur.

Para satës portë zemra ime e përulur ndalet në vend
me dorën e shtrirë posi një lypës i moçëm;
në kopsht qeni yt nga gëzimi leh gjithë shend,
sepse, sidoqoftë, vazhdon të jetë miku im i sotshëm.

Trëndafili që nuk rritej u rrit më në fund
tani gonxhet prapa portës së hekurt ofron:
Kam ndryshuar shumë nga ajo ditë gjithashtu edhe unë
se netët e mërgimit yjësia s’i mbulon.

Ndoshta prapa portës së mbyllur shpirti yt është i hapur;
por me ta hapur portën tënde, sikur një lypësi i hapet pa një pa dy,
shikomë ëmbëlsisht, krejt e shushatur, atëherë do ta kuptosh që s’jam kthyer… sepse gjithmonë isha me ty! / KultPlus.com

Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike, diskutime mbi projektin “Historia e shqiptarëve”

Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.

Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.

Fillimisht drejtori i qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”. Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.

Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.

Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025./atsh/KultPlus.com