Taulant Shehu sjell dasmën shqiptare në teatrin gjerman

9 Janar, 2020 - 12:28 pm

Në fillim është ideja dhe gjithçka duket aq e qartë. “Unë i mbyll sytë dhe `shoh` imazhe e muzikë”, thotë balerini dhe koreografi shqiptar Taulant Shehu, 31-vjeçar.

“Kur pastaj unë i hap sytë, e gjithë kjo nuk funksionon”, shkruan echo-online.de, transmeton KultPlus.

“Do të ishte shumë e bukur nëse një imazh në kokë mund të shndërrohej kaq lehtë në lëvizje trupi dhe formë në skenë. Kjo nuk është mënyra si funksionon koreografia. “Është më shumë sikur gërmimi për ar. Ju mblidhni dhe gërmoni…”

Në prodhimin e tij më të madh deri më sot, Taulant Shehu ka përjetuar një moment të tillë në fund të vjeshtës së vitit 2018. Në atë kohë, shfaqja e tij “Dua”, pati premierën e saj në festivalin e vallëzimit Rhein-Main në Wiesbaden: një studim i atmosferës së një dasme, frymëzuar nga folklori i atdheut të tij. Titulli “Dua” është një folje shqipe, që do të thotë “dua”, “dashuri” dhe “nevojë” në të njëjtën kohë, sqaron gazeta gjermane për lexuesit e saj. Ndërkaq vallja i shpartallon aspektet e këtij termi.

Festa e madhe (dasma) nuk është thjesht ngjarje e pabrenga dhe e lumtur. “Ajo ka edhe anë të errëta”, thotë koreografi i ri, të cilin Stephan Thoss e solli në Wiesbaden në 2010. Ai u bë pjesë e Baletit Shtetëror të Hessenit që nga viti 2014, shtëpi baleti që gjithashtu gjendet në Darmstadt.

“Dasma në vendin tim është shumë e rëndësishme”. Nuk janë vetëm dy njerëz që takohen këtu. Janë familja, klanet që bashkohen, shfaqen struktura të reja sociale, ringjallen konflikte të vjetra. “Në Shqipëri, folklori luan një rol të rëndësishëm në festa të mëdha. E gjithë energjia vjen e plotë nga atje, bazuar në përvojën time të jetës”.

Gjatë vizitës së provës në Mousonturm në Frankfurt, Taulant Shehu dhe gjashtë valltarët e tij nga skena e pavarur janë në proces të rifillimit të përgatitjeve, përcjell albinfo.ch. Dy shfaqje, njëra në Frankfurt dhe  tjetra në Teatrin Shtetëror Darmstadt janë në program gjatë janarit.

Koreografi korrigjon një pozicion krahu këtu, një pozicion supi atje, demonstron vetë lëvizjet, tregon edhe shprehjen. Gjuha arrin shpejt në kufijtë e saj kur vallëzohet me emocione. Është një përparësi kur një balerin si Shehu mund të prezantojë në mënyrë ekspresive dhe dinamike vizionin e tij. Para se të hynte në dhomën e provave me ansamblin, ai ka ushtruar vetë pjesën në studio. “Unë e zhvilloj shfaqjen në trupin tim”. Ndërsa riformatimi i saj, bartja dhe përshtatja e saj në trupa njerëzish të tjerë, ky është arti i koreografisë.

Taulant Shehu ka ndjekur Shkollën e Baletit në Tiranë nga viti 1999 deri më 2006. Pas përfundimit të shkollimit, ai fillimisht ka bërë balet në Düsseldorf, pastaj në Dortmund. Nga viti 2010 ka kaluar në Wiesbaden, dhe që nga viti 2014, në Baletin Shtetëror të Hessenit.

A do të ketë Taulant Shehu një ditë grupin e tij? Kush e di! Dëshira për kreacione të vallëzimit gjithsesi ekziston: “Ju filloni nga e para me një fletë të bardhë letre”, shprehet balerini dhe koreografi. Ai tashmë e ka mbushur pësëri faqen tjetër: Në Nationaltheater Mannheim më 15 shkurt do të ketë një premierë për mbrëmjen e vallëzimit “Paradise Next”. Një nga katër koreografët është edhe Taulant Shehu.

Kompozitori Arne Stevens në këtë sfidë me traditën (te baleti “Dua”) na vë përpara një kompozim, i cili, duke përdorur instrumente tradicionale shqiptare, përqendrohet edhe muzikalisht në origjinën kulturore të kësaj vepre.

Baleti “Dua” shfaqet më 9 dhe 10 janar me fillim në orën 20.00, në teatrin “Mousonturm” në Frankfurt.

Më 18 dhe 19 janar ky balet shfaqet edhe në Staatstheater Darmstadt, po ashtu në orën 20.00. /albinfo/ KultPlus.com

Të ngjajshme