Në Kosovë, vajzat lexojnë më shumë libra sesa djemtë, prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm

14 Qershor, 2019 - 1:49 pm

Ojq ETEA sot ka botuar gjetjet e hulumtimit “Lexueshmëria në shkollat fillore publike të Prishtinës”.

Në mesin e gjetjeve kyçe tregohet edhe fakti se vajzat lexojnë më shumë libra sesa djemtë. Analizat gjinore mbi nivelin e lexueshmërisë tregojnë që vajzat lexojnë më shumë libra sesa djemtë me një mesatare prej 2.14 libra përkundër 1.96 të librave të lexuar me vetëdëshirë nga djemtë.

Nxënësit e shkollave në zona urbane lexojnë më shumë libra jashtëkurrikular me një mesatare prej 2.12 për dallim prej atyre në zona rurale me mesatare 1.77.

Gjetjet tjera nuk janë më pak të rëndësishme.

Prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm. Një përqindje e vogël prej 32.5% kanë deklaruar të kenë parë prindërit e tyre duke lexuar muajin e fundit, pasuar nga një përqindje prej 13.9 që i kanë parë prindërit duke lexuar gjatë gjashtëmujorit të fundit dhe 6.2% brenda vitit të kaluar. Një përqindje shqetësuese prej 47.4 kanë deklaruar se nuk u kujtohet të kenë parë prindërit e tyre duke lexuar. Për më tepër, disa nxënës nuk i kanë parë kurrë prindërit e tyre duke lexuar.

Rënia e nivelit të leximit fillon të bie nga kalimi prej klasëve të katërta në klasët e pesta me 57.5% të nxënësve që kanë qenë në gjendje të kujtojnë 3 librat e fundit.

Shqetësuese është përqindja prej 12.1% e nxënësve që nuk kanë arritur të kujtojnë as edhe një libër/lektyrë/përrallë të lexuar.

Pjesa kryesore e analizave është nxjerrë nga anketat e zhvilluara me 878 nxënës nga 901 të realizuara gjithsej dhe 20 intervista me mësimdhënës dhe prindër. Nga 44 shkolla fillore publike në komunën e Prishtinës, me mostër të rastësishme sipas parimit të numrave qift, janë përzgjedhur gjithsej 20 shkolla. Prej tyre, 13 shkolla kanë qenë të përqendruara në zonat urbane dhe 7 prej tyre në zonat rurale. Shkollat urbane të përzgjedhura kanë qenë: 7 Marsi, Asim Vokshi, Emin Duraku, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Iliria, Meto Bajraktari, Nazim Gafurri, Zenel Hajdini, Xhemail Mustafa, Mehmet Gjevori, Xhavit Ahme dhe Shkolla e Gjelbërt.

Ndërsa nëntë shkollat rurale pjesëmarrëse në hulumtim kanë qenë: Avni Rrustemi, Dituria, Ganimete Tërbeshi, Nexhmi Mustafa, Teuta, Rilindja dhe Shkëndija.

Numri më i madh i respondentëve është arritur në zonat urbane me 78.3% e numrit total të të anketuarve, përkundër 21.7% të nxënësve të anketuar në shkollat e zonave rurale. Nxënësit janë të përfaqësuar pothuajse në mënyrë të barabartë sa i përket gjinisë me 50.2% të nxënësve djem dhe 49.8% vajza. Ndërsa pesë nivelet klasore janë të përfaqësuara në mënyrë pothuajse proporcionale me 21% të nxënësve nga klasët e para, 21% klasët e dyta, 19.1% klasët e treta, 19.1% klasët e katërta dhe 19.8% klasët e pesta.

Ndërsa mosha e respondentëve është nga 5 vjeç deri në 13 vjeç. / KultPlus.com

Të ngjajshme