‘Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë, në heshtjen e errët të dhomës së gjumit’

Edgar Allan Poe
(Tale Heart-1843)

-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?

A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.

-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.

E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.

Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.

Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!

Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.

-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.

-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.

– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.

Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!

Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.

Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.

A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.

Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.

Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë, në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!

– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.

Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.

-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.

I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.

Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??

Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”

Nga Albulenë Krasniqi / KultPlus.com

Mirishahe Limani Hiler me një startup në Gjenevë, synon krijimin e një hapësire kulturore

Komuniteti shqiptar i Gjenevës do të ketë një adresë për organizim të ngjarjeve të ndryshme kulturore, për tu shndërruar një pikë reference për krejt zhvillimet e komunitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera.

Nëpërmjet një startup, Mirishahe Limani Hiler do të fillojë këtë aktivitet që ka për qëllim që të organizojë ngjarje të ndryshme kulturore.

Limani Hiler e cila jeton në Gjenevë tash e shumë vite po synon që nëpërmjet këtij startup të ofrojë kushte për mërgatën shqiptare.

“Po synoj përforcimin e lidhjeve me atdheun, duke ofruar shërbime profesionale në organizimin e ngjarjeve me interes kulturor, ekonomik, politik dhe artistik“, ka thënë mes të tjerash Limani Hiler./ KultPlus.com

Thirrje për projekte në QKKF dhe Teatrin e Kukullave

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë si dhe Teatri i Kukullave shpalli thirrjen për projektet artistike për vitin 2025.

QKKF dhe Teatri i Kukullave njoftuan të gjithë krijuesit për hapjen e procedurës së aplikimit për projekte të reja artistike për periudhën janar-dhjetor 2025. Të gjithë krijuesit, regjisorët, skenaristët, muzikantët, skenografët e kostumografët, mund të çojnë projektet e tyre artistike në kategoritë:

  1. Shfaqje teatrale me kukulla për fëmijë +3 vjeç
  2. Muzikale me kukulla dhe/ose fëmijë
  3. Shfaqje teatrale për moshat 10-13 vjeç, 14-16 vjeç
  4. Shfaqje teatrale me kukulla/fëmijë për fëmijët me aftësi ndryshe
  5. Koncerte/ spektakle muzikore dedikuar 1 qershorit, festave të nëntorit dhe festave të fundvitit

Projektet për këto dy institucione kulturore dedikuar fëmijëve do të dorëzohen brenda periudhës 20 janar-28 shkurt 2025 dhe dosja duhet të përmbajë: skenarin e plotë; konceptin regjisorial; skicat e skenografisë së shfaqjes (për shfaqjet me skenografi); skicat e kukullave (për shfaqjet me kukulla) etj./ats/KultPlus.com

Mund të imagjinoj çfarë të dua

Kosti 

Mund të imagjinoj çfarë të dua
Por ty nuk mund të të imagjinoj
Nëpër telat e një kitare mbase
Je melodia qe unë kerkoj
Melodia e shpirtit, thellë në krijim
Frymëzimi i një ëndrre pa mbarim.

Mbase je vetë frymëzim
Melodia e një shpirti
që mban jetën… në vallëzim
Realitet? Mbase…
Po realitet je, sepse ndryshe ska kuptim.

Realiteti nuk imagjinohet
Ashtu si edhe ti …
nuk mund të fshihesh nëpër ëndërra
Nëpër errësira ëndrrash të pa vërteta
Sepse ashtu si realiteti, ti je vetë jeta!

Mund të ënderroj çfarë të dua
Por ty jo!
Mund të krijoj çfarë të dua
Por ty jo!
Sepse ti je vetë frymëzimi
I çdo ndjenje që kam në shpirt
Nëpër terre ëndrrash ti je drit’! /KultPlus.com

‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ dhe kontributi i Jani Vretos, Sami Frashërit e Pashko Vasës

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab.  Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

‘Ti syçkat si ulli, mbi mua i pushon’

Poezi nga Heinrich Heine

Sa herë që shtëpisë sënde
Kaloj, e vogëlo,
Gëzimi është prej zemre
Dritares kur të shoh.

Ti syçkat si ulli
Mbi mua i pushon:
– I huaj, kush je ti,
Që dhimbjes i ngjason?”

– Unë jam poet gjerman,
I njohur n’atë vend;
Askush mua s’më ndan
Më t’mirët kur përmend.

Çka mua më mundon,
Mundon dhe shumë atje;
Në vuajtjen, që s’mbaron
Çdokush dhe timen njeh.”/KultPlus.com

35 vjet nga protesta e parë antikomuniste në Shkodër

Kanë kaluar 35 vjet nga 14 janari i vitit 1990 kur të rinjtë shkodranë të përkrahur nga mijëra qytetarë u ngritën në protestë kundër regjimit, duke shënuar të parën demonstratë antikomuniste në vend.

Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC World Service, RAI, VOA – Zëri i Amerikës. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkangjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha.

Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” kujton se, qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të. Dhjetë prej tyre të cilët u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi ishin:

1- Aldo Perrizi

2-Dedë Kasenci

3-Flamur Begu

4-Gjergj Livadhi

5-Klaudio Daka

6-Kolec Hublina

7-Nikolin Margjini

8-Nikolin Thana

9- Rin Monajka

10-Tonin Dema./atsh/KultPlus.com

322 vjet nga Kuvendi Kishtar i Arbërit

Më 14 janar 1703 nisi punimet Kuvendi i Arbërit, ku episkopati shqiptar analizoi aspektet e brendshme kishtare, si administrimi i sakramenteve, liria fetare dhe e kultit, reforma dhe zakonet e tjera, dhe në anën tjetër, gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.

Kuvendi u mbajt në Mërqi, afër Lezhës, dhe u organizua nga Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare, me dëshirën e Papës Klementit XI Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar.

Aktet e Kuvendit u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u përkthye nga dom Engjëll Radojës më 1868. Në këto akte gjendet material dokumentar për gjendjen ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat njerëzore. Gjithashtu teksti shqip i Kuvendit të Arbërit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es edhe për historinë e shkrimit të shqipes. /dp/ KultPlus.com

‘Heshtje para se të lindësh, heshtje pasi vdes, jeta është veçse zhurmë, në mes dy heshtjeve të padepërtueshme’

Thëniet frymëzuese mbeten përherë në mesin tonë, duke u përcjellur gjeneratë pas gjenerate. KultPlus ju sjell sot disa të tilla, të thëna nga gra të shquara të hostorisë.

“Nëse është ide e mirë, vazhdoni bëjeni. Është shumë më e lehtë të kërkosh falje sesa të marrësh leje.”

(Grace Hopper udhëhoqi ekipin që krijoi përpiluesin e parë kompjuterik, u bashkua me Marinën gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe programoi kompjuterin Mark I)

“Nuk ka asnjë rrugë mbretërore të shtruar me lule drejt suksesit. Dhe nëse ka, unë nuk e kam gjetur, sepse nëse kam arritur diçka në jetë, e kam arritur sepse kam qenë e gatshme të punoj shumë”.

(Madam C.J. Walker shpiku një linjë të produkteve të kujdesit të flokëve për afrikano-amerikanet në vitin 1905 dhe përfundimisht u bë një nga gratë e para amerikane si milionere e bërë vetë.

“Është një gjë e çuditshme, por problemet imagjinare janë shumë më të vështira se ato reale”.

(Një reformatore sociale e përkushtuar për mirëqenien e të sëmurëve mendorë, Dorothea Dix loboi me ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara dhe ata kanadezë, për të krijuar spitale shtetërore për të sëmurët mendorë.)

“Ndonjëherë mund të jem e gatshme të jap mësim falas, por nëse paguhem, unë kurrë nuk do të bëj punën e një burri, për më pak se paga e një burri”.

(Pasi punoi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar gjatë vizitës në Evropë, Clara Barton loboi për një degë amerikane kur u kthye në shtëpi. Ajo themeloi Kryqin e Kuq Amerikan në vitin 1881)

“Lavdia e çdo brezi është të krijojë precedentët e vet.”

(Përveç se është gruaja e parë që argumentoi një çështje përpara Gjykatës së Lartë, Belva Lockwood kandidoi për presidente dy herë! Në fund të fundit, ligji ndalonte vetëm gratë që të votonin, jo që të merrnin vota).

“Unë kurrë nuk dyshova se të drejtat e barabarta ishin drejtimi i duhur. Shumica e reformave, shumica e problemeve janë të komplikuara, por për mua nuk ka asgjë të komplikuar në barazinë gjinore”.

(Një udhëheqëse në shtyrjen e të drejtave të votimit të grave, Alice Paul përfundimisht formoi Partinë Kombëtare të Gruas dhe u bë një figurë kryesore në miratimin e Amendamentit të 19-të).

“Puna e sotme është historia e së nesërmes dhe ne jemi krijuesit e saj.”

(Më shumë se 59 milionë gra janë bashkuar me Girl Scoutët e Amerikës që kur Juliette Gordon Low themeloi organizatën më 12 mars 1912).

“Nëse shoqëria nuk do të pranojë zhvillimin e lirë të gruas, atëherë shoqëria duhet të rimodelohet.”

(Gruaja e parë që mbaron shkollën mjekësore në Shtetet e Bashkuara – Kolegji Mjekësor i Gjenevës në Nju Jork – Dr. Elizabeth Blackwell më vonë krijoi një shkollë mjekësore veçanërisht për gratë në vitet 1860).

“Kauza e lirisë nuk është kauza e një race apo sekti, një partie apo një klase – është kauza e njerëzimit, e të drejtës së lindur të njerëzimit”.

(Në moshën 65 vjeçare, Anna Cooper u bë gruaja e katërt afrikano-amerikane që mori doktoraturë në Histori nga Universiteti i Parisit-Sorbonne në vitin 1924).

“Optimizmi është besimi që çon drejt arritjeve.”

(Helen Keller humbi shikimin dhe dëgjimin kur ishte vetëm një vjeç. Ajo u bë personi i parë i shurdhër dhe i verbër që u diplomua në Arte).

“Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje”.

(Amelia Earhart ishte një pilote amerikane, gruaja e parë që fluturoi vetëm nëpër Oqeanin Atlantik. Në vitin 1932, ajo gjithashtu u bë personi i parë që fluturoi përtej Atlantikut dy herë. Ajo u zhduk në vitin 1937).

“Akti më i guximshëm është ende që të mendosh për veten, me zë të lartë”.

(Coco Chanel është një nga emrat më të njohur në botën e modës. Ajo ndihmoi në revolucionarizimin e modës për gratë, duke e bërë të zakonshme të vishen për komoditet dhe jo vetëm elegancë).

“Pjesa më e madhe e lumturisë apo e mjerimit tonë varet nga prirjet tona dhe jo nga rrethanat”.

(Gruaja e Xhorxh Uashingtonit, Marta, ishte Zonjë e Parë para se të ishte gjë në modë; termi “Zonjë e Parë” nuk u bë i njohur deri shumë vite pas vdekjes së saj. Ndryshe nga shumë gra të tjera në fillim të shekullit të 18-të, Marta mësoi si të lexonte dhe të shkruante).

“Jeta zvogëlohet ose zgjerohet në përpjesëtim me guximin e njeriut”.

Anaïs Nin është një tjetër autore femër që kapërceu pengesat, lindur gati një shekull pas Evans / Eliot. E rritur në Francë nga prindër me prejardhje kubane, ajo përfundimisht u zhvendos në Amerikë. Atje, ajo do të fitonte lavdërime për tregimet e saj të sinqerta dhe ditarët, duke fituar çmimin “Gruaja e Vitit” të LA Times në vitin 1976. Ajo vdiq më 14 janar 1977.

Priceshë Diana

“Nëse gjen dikë që e do vërtet në jetë, atëherë kapu fort pas asaj dashurie. Nëse je mjaftueshëm me fat dhe gjen dikë që të do, po aq sa ti e do atë, atëherë duhet ta mbrosh atë dashuri”.

“Problemi më i madh në botë në ditët e sotme, është mungesa e tolerancës. Çdokush është intolerant me të tjetrët…”.

“Unë nuk dua dhurata të shtrenjta; Nuk dua të blihem me lekë. Kam gjithçka materiale që dua, por e kam edhe nevojën për të pasur për një person që të më qëndrojë pranë, që të më bëjë të ndihem e mbrojtur dhe e sigurtë”.

“Çdokush nga ne duhet ta shprehë se sa shumë përkujdesemi për njëri-tjetrin, dhe, në të njëjtën kohë, se sa shumë përkujdesemi ne për veten tonë”.

“HIV-i nuk i bën personat të rrezikshëm për t’i pasur pranë, ndaj shtrëngoja dorën atyre dhe dhuroji një përqafim. Një Zot e di se sa shumë kanë nevojë ata për këtë gjë”.

“Njerëzit mendojnë se në fund të ditës, të kesh pranë një mashkull është arritja më e madhe. Për mendimin tim, arritja më e madhe në fund të një dite është një punë e realizuar mirë”.

“Mendoj se sëmundja më e madhe, nga e cila bota ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë, është ndjesia e njerëzve se u mungon dashuria, ndaj unë e di se duhet të dhuroj dashuri për një minutë, për gjysmë ore, për një ditë, për një muaj etj. Ama unë e di se duhet të fal dashuri. Jam shumë e lumtur që e bëj këtë gjë. Unë dua ta bëj vazhdimisht këtë gjë”.

Isabell Allende

“Biblioteka banohet prej shpirtërave që dalin nga faqet e librave gjatë natës”

“Shkruaj atë që nuk duhet harruar”

“Sa më shumë jetoj, aq më e painformuar ndihem. Vetëm të rinjtë kanë një shpjegim për gjithçka”

“Pranoni fëmijët ashtu si pranojmë pemët – me mirënjohje, sepse janë një bekim – por mos kini pritshmëri apo dëshira. Nuk mund të presësh që pemët të ndryshojnë, ju i doni ashtu si janë”

“Nuk ka vdekje, bijë. Njerëzit vdesin vetëm kur ne i harrojmë”, më shpjegoi shkurt ime më, para se të ikte. “Nëse më kujton, unë do të jem me ty gjithmonë”

“Ne kemi vetëm atë që japim”

“Frika është e pashmangshme, këtë më duhet ta pranoj, por nuk mund ta lejoj që të më paralizojë”

“Nuk mund ta gjesh dikë, që nuk dëshiron të gjehet”

“Burri bën atë që mundet; gruaja bën atë që burri s’mundet ta bëjë”

“Fjalët nuk janë shumë të rëndësishme, kur dallon qëllimet”

“Ndoshta jemi në këtë botë për të kërkuar dashurinë, për ta gjetur dhe humbur, sërish e sërish. Me çdo dashuri, ne rilindim, dhe me çdo dashuri që merr fund, kemi një plagë të re. Unë jam e mbushur me plagë krenare”

“Ju jeni rrëfimtari i historisë tuaj, dhe ju mund të krijoni, ose jo, legjendën tuaj”

“Të shkruarit është një proces, një udhëtim në kujtesë dhe në shpirt”

“Kjo është për të qetësuar ndërgjegjen tonë, e dashur”, i shpjegoi ajo Blancas. “Por nuk i ndihmon të varfërit. Të varfërit nuk duan bamirësi; ata kanë nevojë për drejtësi” (Nga SHtëpia e shpirtrave)

“Nëse shkruaj diçka, kam frikë se do të ndodhë, dhe nëse dashuroj shumë, kam frikë se do ta humbas atë person; megjithatë, nuk mund të pushoj së shkruari, apo dashuruari…”

“Heshtje para se të lindësh; heshtje pasi vdes. Jeta është veçse zhurmë, në mes dy heshtjeve të padepërtueshme”. / KultPlus.com

Rama publikon pamje nga eventi në Romë: Shqipëria u prezantua si destinacioni i “Giro d’Italia 2025”

Kryeministri Edi Rama mori pjesë një ditë më parë në eventin dedikuar “Giro d’Italia” në Romë, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku Shqipëria u përzgjodh mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.

Në rrjetet sociale, Rama publikoi momente nga ky aktivitet duke theksuar se “Shqipëria u prezantua si destinacioni i sivjetëm i Nisjes së Madhe të Giro d’Italia, që do të ndiqet nga 200 televizione të botës e afro 800 milionë shikues”.

Në këtë event me pjesëmarrjen e edhe të Zëvendëskryeministrit, njëherazi ministër i Jashtëm i Italisë,Antonio Tajani, kryeministri Rama shoqërohej nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.

Rama ishte i ftuar së bashku me organizatorët e “Giro D’Italia” në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone, një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Evropë.

Kryeministri tha se etapat e garës do të jenë spektakolare pasi nxjerrin në pah natyrën e mrekullueshme të vendit.

“Shqipëria është një vend i bekuar, në kuptimin që në një territor të vogël ka gjithçka, kemi shumë male, dy dete, shumë lumenj. Nga ky këndvështrim, këto tre etapa janë spektakolare pasi nxjerrin në pah një pjesë shumë të bukur të vendit dhe nga ana tjetër është e jashtëzakonshme, se është një mënyrë për të treguar Shqipërinë si në një film.” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri, i cili theksoi se interesi i turistëve italianë për të vizituar Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e mbyllur vitin 2024 me 1.4 milionë vizitorë italianë.

Gara e famshme popullore, me një traditë 114 vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues./atsh/KultPlus.com

202 vite nga lindja e rilindasit të shquar Jani Vretos

Jani Vreto (14 janar 1822 – 9 korrik 1900) ishte atdhetar dhe mendimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

Lindi në fshatin Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë.

Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Atje punoi si sekretar në një shoqëri duhanesh dhe me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali.

Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij. Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën “Neologos”, Vretoja botoi veprën “Apologia”, Konstantinopojë 1878, në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre.

Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Anëtarët e këtij komisioni prej kohësh kishin mendime të ndryshme e nuk pajtoheshin në këtë çështje shqetësuese të alfabetit, gjë për të cilën Vretoja ishte për alfabetin grek.

Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Ai qe autor i një statuti (Kanonizmë) të shoqërisë, së cilës i ra barra të reagonte me zgjuarësi e në mënyrë diplomatike ndaj kundërshtimeve Osmane e, sidomos, ndaj qëndrimeve armiqësore greke për çështjen e zgjimit kulturor shqiptar. Pikërisht në këtë kohë ai u shkishërua nga mitropoliti ortodoks i Gjirokastrës, sepse paskësh bërë herezi ‘duke krijuar një çështje shqiptare’.

Në verë të vitit 1881, Vreto shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin ngulur me banim aty e nëpër Rumani, dhe themeloi në Bukuresht një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vreto punoi me energji për botimin e organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj duke bërë praktikisht gjithçka në shtypshkronjë.

Ndërroi jetë më 9 korrik të vitit 1900 në Athinë/KultPlus.com

‘Janari në festën e filmit shqiptar’ në Gjirokastër hapet me dokumentarin kushtuar aktorit Bekim Fehmiu

Në Gjirokastër është rikthyer eventi kinematografik i radhës, “Janari, në festën e filmit shqiptar”. Eventi që sjell produkte të veçanta të filmit dhe kinemasë shqiptare u çel me filmin dokumentar të Valmir Tertinit kushtuar aktorit të njohur shqiptar Bekim Femiu. Dokumentari një nga arritjet më të mëdha kinematografike të Tertinit është xhiruar në 6 shtete të ndryshme dhe ka prekur nga afër jetën e aktorit të parë shqiptar, i cili ia doli të krijojë një karrierë që preku majat e kinematografisë botërore. Bekim Fehmiu sillet në dokumentar përmes rrëfimeve të të afërmve, personazheve të tjerë që aktruan pranë tij, miqve dhe prej një arkivi fotografik. Personazhi i tij disi i vështirë për nga karakteri dhe vazhdimisht i keqkuptuar prezantohet për herë të parë në këtë format autentik për publikun në Gjirokastër.

"Janari në festën e filmit shqiptar"/Gjirokastër,

Kineasti Skënder Jaçe tha se Bekim Fehmiu ka lënë pas një trashëgimi të madhe.

“Filmi i aktorit të madh Bekim Fehmiu një figurë e madhe e aktrimit shqiptar i cili theu barrikadat e Ballkanit dhe kapërceu deri në Hollivud me filmat e tij. Ai ka lënë një pasuri mjaft të madhe dhe spektatori njihet me gjithë jetën e tij artistike”, pohon Skënder Jaçe .

Festa e filmit do të sjellë një kronologji të historisë së kinemasë, rënies dhe ringritjes së saj.

Kineasti Jaçe dha detaje për programin e përzgjedhur nga filmat e ish-Kinostudios deri te filmat për fëmijë.

“Kemi gjithashtu një film mjaft interesant shqiptar që bën fjalë për zhvillimet e kinematografisë shqiptare që nga ngritja e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe më pas rrjetin e kinemave që erdhi duke u degraduar dhe shkatërruar deri sa fillon ringritja e tij tani pas kaq vitesh. Natën e tretë siç thashë kemi “Kapedanin”, restauruar kohët e fundit në variantin 4K dhe në pastrimin e pistave të audios. Kemi përzgjedhur edhe një paketë filmash vizatimorë për moshat e vogla që ta ndjejnë edhe ata këtë pjesë të e kranit të madh në Gjirokastër”, shton ai.

"Janari në festën e filmit shqiptar"/Gjirokastër,

Kinemaja ka një traditë gati shekullore në Gjirokastër, që prej vitit 1927. Qyteti u bë sheshxhirim për disa nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj. Festa e filmit në dimër pason një radhë eventesh verore të Open Cinema ku publiku është njohur me disa nga produktet më të mira të kinemasë moderne shqiptare por edhe dramën e komedinë bashkëkohore ndërkombëtare. Kinemaja i është rikthyer qytetit pas një mungesa prej më shumë se tri dekadash./CNA/ KultPlus.com

Media britanike ‘Time Out’ artikull për Tiranën, Veliaj: Kryeqyteti ynë, zgjedhja perfekte

Një tjetër media prestigjioze i ka kushtuar një artikull Tiranës, si një prej destinacioneve që mund të vizitohet nga turistët e huaj në çdo periudhë të vitit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, e ka risjellë në vëmendje këtë botim, duke cilësuar përmes një postimi në rrjetet sociale, se gazeta “Time Out” e ka renditur Tiranën si destinacionin më të lirë dhe më të mirë për të eksploruar në Europë këtë vit.

“Për ata që kërkojnë një pushim buxhetor, por plot kulturë, histori dhe argëtim, kryeqyteti ynë është zgjedhja perfekte. Me histori unike si Bunk’Art 1, art urban që gjallëron qytetin, dhe vende fantastike si “Mystic 2” e “Radio Bar,” Tirana i ka të gjitha”, shprehet Veliaj.

Vija e bukur bregdetare e Shqipërisë është shndërruar në destinacionin më të kërkuar gjatë dy viteve të fundit – si një alternativë buxhetore ndaj Greqisë, Spanjës dhe Italisë.

Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri nuk duhet të humbisni kryeqytetin e tij – veçanërisht nëse po kërkoni një pushim buxhetor në qytet.

Tirana është e zhytur në historinë e epokës komuniste: Bunk’art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze, dhe një nga atraksionet më të njohura të qytetit, kushton vetëm 4 paund për ta vizituar.

Ndërsa shumë ndërtesa tradicionale që nga ajo kohë u janë nënshtruar ndryshimeve të gjalla në formën e artit të rrugës.

Gjithashtu, Tirana ofron restorante të shkëlqyera si “Mystic 2” dhe bare si “Radio Bar”, të cilat shërbejnë pjata dhe kokteje të shkëlqyera me çmime të përshtatshme./atsh/ KultPlus.com

Rina Jonuzi publikon këngën ‘Ten Thousand Miles’

Këngëtarja Rina Januzi ka publikuar projektin e saj më të ri ”Ten Thousand Miles” të kompozuar nga Florent Boshnjaku, shkruan KultPlus.

Lajmin për lansimin e këtij projekti e ka bërë të ditur vetë këngëtarja Januzi përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Kënga ime e re ”Ten Thousand Miles” është në YouTube🙏✨💿💿✨✨✨ Çdo like, share e suport ka shumë e shumë rëndesi✨✨❤️❤️ Faleminderit për bashkëpunimin: Florent Boshnjaku, Berat Hasani, Yllka Krasniqi, Ensar Lutaj, Ceren İncedursun, Nora Hoti, Folé Publishing”, është shprehur këngëtarja Januzi në Facebook./ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës fillon provat për koncertin e parë të këtij viti

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka filluar tashmë provat për koncertin e parë të këtij viti, nën drejtimin e dirigjentit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Filharmonia e Kosovës ka paralajmëruar koncert me interpretim unik me vepra të autorëve Sibelius, Bruch dhe Rachmaninoff.

“I njohur për energjinë dhe vizionin e tij artistik, me këtë koncert do të shënojë një kapitull të ri për Filharmoninë e Kosovës, duke sjellë një interpretim unik të veprave nga Sibelius, Bruch dhe Rachmaninoff”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Koncerti mbahet më 17 janar, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, prej orës 19:30./ KultPlus.com

‘Parajsa Artificiale’ të mërkurën promovohet edhe në Prishtinë

Publicisti i njohur Ben Blushi të mërkurën do të promovoj romanin e tij të fundit “Parajsa Artificiale” edhe në Prishtinë.

Autori Blushi përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” i ka ftuar të gjithë lexuesit për një takim të hapur për diskutime mbi Inteligjencën Artificiale dhe tema të tjera të rëndësishme.

“Të mërkurën në ora 18.30 në Klan Arena të Prishtinës do promovoj romanin tim të fundit Parajsa Artificiale. Meqë do flasim për çështjet e Inteligjencës Artificiale dhe ndikimin e saj në jetën tonë, por natyrisht edhe për shumë tema të tjera poaq të rëndësishme të cilat preken në këtë libër, takimi do të jetë i hapur. Ju pres të gjjthëve”, thuhet në njoftim.

Promovimi mbahet të mërkurën nga ora 18:30, në KlanArena/ KultPlus.com

Sunny Hill Foundation ndan 30 bursa për vajzat e reja në fushat STEM

Në mbështetje dhe fuqizimit të vajzave të reja në Kosovë, ylli i muzikës Dua Lipa, në bashkëpunim me Sunny Hill Foundation, ka shpallur një iniciativë të re që synon ta nxisë potencialin e vajzave që studiojnë në fushat STEM.

Përmes fushatës EmpowerHer, do të ndahen 30 bursa për vajzat e reja në fushat STEM , duke hapur rrugë për të ardhme më të ndritur dhe mundësi më të mëdha. Fondacioni ka promovuar vazhdimisht edukimin, artin dhe zhvillimin e komunitetit në Kosovë, dhe kjo iniciativë e fundit përforcon përkushtimin e tyre ndaj barazisë gjinore dhe fuqizimit të brezit të ardhshëm të liderëve gra.

Fushata EmpowerHer synon vajzat e reja që tregojnë talent të jashtëzakonshëm, ambicie dhe përkushtim ndaj ëndrrave të tyre. Këto bursa do të mundësojnë qasje më të lehtë në arsim dhe trajnime. Përkushtimi i Dua Lipës shkon përtej kontributeve financiare.

Si model dhe avokuese për të drejtat e grave, ajo frymëzon miliona në mbarë botën që të përpiqen për barazi dhe ekselencë. Përpjekjet e vazhdueshme të Sunny Hill Foundation në Kosovë pasqyrojnë një lidhje të thellë me komunitetin dhe një vizion për një shoqëri më përfshirëse dhe të begatë./ rtk/ KultPlus.com

DPA: Tajar Zavalani, mërgimtari që vijoi ta kishte Shqipërinë në qendër të publicistikës së tij

Tajar Zavalani është një ndër figurat e mërgatës shqiptare të cilat dhanë kontribute të mëdha për shtetin shqiptar.

Këto kontribute përfshijnë rrafshin atdhetar e politik në një anë, por edhe rrafshin intelektual e letrar në anën tjetër, sidomos me përkthimet e tij, dorëshkrimin në gjuhën angleze “Historija e Shqipnis”, si edhe konferencat e ndryshme në të cilat ka marrë pjesë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale sot, shkruan se “Tajar Zavalani ishte një shembull i përkryer i brengës atdhetare, i cili ndonëse i mërguar në Londër, vijoi ta kishte Shqipërinë në qendër të publicistikës së tij”.

“Lënia e vendorigjinës nuk nënkupton doemos harresën e rrënjëve nga derivon. Një shembull i përkryer i brengës atdhetare është intelektuali Tajar Zavalani, i cili ndonëse i mërguar në Londër, vijoi ta kishte Shqipërinë në qendër të publicistikës së tij”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

“Vizionin për një Shqipëri perëndimore, e shpalosi duke e kontekstualizuar me shoqërinë e kohës. Veprat më të rëndësishme të Zavalanit ishin “Histori e Shqipnisë” dhe “Ditari”, që përcjell thirrjen e mërgatës për një Shqipëri të bashkuar”, theksohet më tej në postim./atsh/ KultPlus.com

‘Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim’ nga Erzë Dinarama përzgjidhet projekti fitues për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025

Me vendim të jurisë, “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” nga Erzë Dinarama është përzgjedhur si projekti fitues për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025.

“Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” eksploron ekologjitë në ndryshim të shkaktuara nga klima dhe migrimin e specieve si një çarje—një moment kur sistemet ekologjike, kulturore dhe hapësinore të vendosura tronditen, duke hapur mundësi për transformim. Duke u përfshirë me tensionet midis mjeteve shkencore parashikuese me drejtim global dhe realiteteve socio-ekologjike lokale, instalacioni kritikon zgjidhjet universale ndërsa përqafon pasigurinë e peizazheve në ndryshim. Ndërsa këto ndryshime ndërthuren me qeverisjen, mirëmbajtjen, praktikat kulturore dhe dinamikat gjeopolitike, pavijoni fton vizitorët të perjetojne errësirën dhe tensionet e këtyre dinamikave të pazgjidhura si një terren pjellor ku mund të lindin forma të reja të agjencisë dhe bashkëpunimit.

Erzë Dinarama është arkitekte, dizajnere ndërdisiplinore dhe hulumtuese që punon në ndërthurjen midis urbanizmit, arkitekturës së peizazhit dhe ekologjisë. Ajo hulumton kompleksitetin e sfidave mjedisore përmes shkencës dhe dizajnit, duke i bërë këto sfida të dukshme përmes hulumtimeve estetike.

Erzë ka qenë e angazhuar në aktivitete mësimore në institucione si Politekniku i Milanos dhe Torinos, ETH Zurich, Shkolla e Dizajnit në Milano, Domus Academy ne Milano dhe Universiteti Polis në Tiranë. Ajo ka publikuar hulumtimet e saj me Routledge dhe i ka prezantuar ato në konferenca si Acadia, eCAADe, CAADRIA dhe simpoziumi Digital Double (ETH Zurich Future Cities Lab dhe Digital Visual Studies i Universitetit të Zurich-ut). Punimet e saj janë ekspozuar edhe në Muzeun Pecci në Itali.

Në praktikën e saj profesionale, Erza ka bashkëpunuar dhe ka qenë pjesë e studiove dhe institucioneve, duke përfshirë Carlo Ratti Associati, Fondacionin Manifesta dhe Studio Olafur Eliasson. Ajo shërbeu si anëtare e jurisë për Thirrjen e Hapur të Manifesta 15 Barcelona, dhe ishte pjesë e ekipit të Carlo Ratti Associati që zhvilloi vizionin urban për Manifesta 14 Prishtina.

Erza ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Politecnico di Milano dhe UC Berkeley dhe ka ndjekur një program specializimi mbi tranzicionin socio-ekologjik në projektimin territorial dhe urban në ETH Zurich dhe EPFL.

Si themeluese e Institutit SRD, Erza udhëheq një qendër ndërdisiplinore që eksploron dimensionet hapësinore të sfidave ekologjike. Aktualisht, ajo është artiste në rezidencë në projektin S+T+ARTS4WaterII, pjesë e programit të BE-së EU STARTS – Science, Technology, and Arts./ KultPlus.com

Elias Kaneti, shkrimtari i spikatur që fisnikëroi e pasuroi shpirtin njerëzor

Shkroi: Blerta Zeqiraj- Studente në nivelin Master në Departamentin e Gjermanistikës

Më 15 tetor 1981, lajmi u përhap si një flakë zjarri: shtypi i botës shkroi se shkrimtari Elias Kaneti ishte laureati i ri i Çmimit Nobel për Letërsi. Por kush ishte kjo figurë titane, ky mjeshtër i fjalës që vriste me zërin e tij të fuqishëm mbi rrëfimet e njerëzimit?

Romancieri, dramaturgu, filozofi, aforisti, eseisti dhe sociologu Elias Kaneti është një ndër shkrimtarët më të spikatur evropianë dhe botërorë. I quajtur nga kritika si një “klasik i gjallë e modern” dhe si “një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë”, Elias Kaneti dëshmon se vepra letrare është njëkohësisht gjuhëkrijuese dhe botëkrijuese.

Me artin e tij të pakrahasueshëm, ai na mrekullon, fisnikëron dhe pasuron shpirtin njerëzor. Kaneti gjithmonë ka përhapur botëkuptime të pastra, pacifiste dhe ka rrezatuar kulturën e tij të gjere. Duke udhëtuar në vende të ndryshme dhe duke kaluar përvoja të pasura kulturore, arriti të prekte zemrat e çdo lexuesi si solist i pashoq.

I lindur në një mjedis shumëgjuhësh dhe i rritur mes kulturave të ndryshme, Kaneti mësoi gjermanishten vetëm në moshën shtatëvjeçare, por kjo gjuhë u bë shpejt arma e tij më e fortë krijuese. Ai spikati si mjeshtër i fjalës, me një talent të rrallë krijues dhe me një aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në skutat më të thella të shpirtit njerëzor.

Kaneti na ka dhuruar një trashëgimi të pasur letrare, duke përfshirë romane, drama, ese psikologjike dhe sociologjike, libra udhëtimesh dhe një trilogji të mrekullueshme autobiografike. Në këto vepra, ai shpalos universin e tij të brendshëm, kuptimet filozofike dhe përjetimet e tij të thella, duke ofruar një pasqyrë të rrallë të botës njerëzore.

Takimi i tij me mendimtarë dhe artistë të mëdhenj, si Karl Krausi në Vjenë, e frymëzoi për të zhvilluar një kritikë të mprehtë ndaj strukturave të pushtetit dhe për të eksploruar tema universale si masa, pushteti dhe identiteti. Veprat e tij na tregojnë jo vetëm historinë e tij personale, por edhe atë të një brezi të tërë që përjetoi kriza të thella sociale, politike dhe kulturore. Në romanin Die Blendung ne shqip “Verbimi”, Kaneti paraqet degradimin e njeriut të izoluar dhe ndikimin e errët të pushtetit, ndërsa në Masa dhe Pushteti, Kaneti me studimin e tij sociologjiko-filozofik i ka vënë pikën kuptimit të termit “masë”, duke e përdorur për të përshkruar jo vetëm një grup të njerëzve të përbashkët në aspektin e tyre fizik, por edhe për të paraqitur një formë të bashkimit shoqëror, emocional dhe politik. Kaneti ecën në veprën e tij midis botëve të ndryshme: Përveç hulumtimeve sociologjike, ai përfshin studime etnologjike, psikologjike, antropologjike, mitologjike dhe madje edhe zoologjike.  Në trilogjinë e tij autobiografike, ai përshkruan jo vetëm përvojat e tij personale, por edhe transformimet e mëdha shoqërore që formuan jetën e tij dhe botën që ai njohu.

Nga djali i vogël që dëgjonte me kureshtje bisedat e prindërve në gjermanisht, u krijua një nga mendjet më të ndritura të letërsisë së shekullit të 20-të. Forca e mendimeve të tij rroku një botë të tërë dhe depërtoi thellë edhe në trevat shqipfolëse. Ai pasqyroi të gjitha këto përvoja me një ndjeshmëri dhe një mjeshtëri të tillë që lexuesi jo vetëm që i përjeton, por edhe e gjen veten në to.

Veprat e tij, të shqipëruara mjeshtërisht nga i ndjeri Aristidh Ristani dhe tani nga Naim Kryeziu, kanë gjetur një jehonë të fuqishme edhe në kulturën shqiptare. Kësisoj, vepra e tij kumboi lartësisht, përsosmërisht dhe thellësisht në gjuhën shqipe.

Kaneti na magjeps me vullnetin e tij për jetë. Qëndrimi i tij njerëzor dhe emocional ndaj jetës, pasuria ideoartistike dhe vullneti i tij i palëkundur për të jetuar dhe për të krijuar e bëjnë Kanetin një figurë të papërsëritshme në kulturën botërore.

Thelbi i veprës së tij është Jeta – jo thjesht ekzistenca, por një jetë e jetuar me pasion, kuptim dhe përkushtim ndaj humanizmit. Mesazhi i tij është i qartë: të jetosh në mënyrë të tillë që të mos vdesësh kurrë në kujtesën e njerëzimit. Dëshira e tij e flaktë ishte që “të lexohej edhe pas 100 vitesh”. Kaneti, me veprat e tij që magjepsin, fisnikërojnë dhe pasurojnë, nuk do t’i takojë kurrë së shkuarës, por do të mbetet gjithmonë një udhërrëfyes i përjetshëm në rrugën e kulturës dhe shpirtit njerëzor. Ai mbetet simbol i ndershmërisë, i njerëzores dhe i një njeriu human./ KultPlus.com

Studentët e UNI-Universum International College shpallen finalist në garat e fjalimeve publike në kuadër të projektit VirtuEU

UNI-Universum International College është përfitues i projektit ndërkombëtar VirtuEU (Virtual Exchanges of Active Citizens), i cili mundëson shkëmbime virtuale mes të rinjve nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor. VirtuEU ka për qëllim përfshirjen e studentëve nga universitete të ndryshme, duke ofruar mundësi për zhvillimin e aftësive të komunikimit dhe promovimin e aktivizmit qytetar.

Në kuadër të implementimit të këtij projekti, u organizua një garë ndërkombëtare për fjalime publike, ku morën pjesë studentë nga 9 universiteteve partnere të projektit nga Evropa. 

6 studentë nga UNI-Universum International College morën pjesë në këtë garë dhe konkurruan me rreth 24 grupe ndërkombëtare. Alda Muhaxhiri dhe Adea Bullakaj, studente të vitit të parë në Programin Biznes Menaxhment, ishin pjesë e grupeve që shpallen finaliste, duke treguar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në komunikim dhe fjalim publik.

Ky sukses është një dëshmi e angazhimit të UNI-Universum International College për të ofruar mundësi zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi për studentët e tij, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe aftësive profesionale.

UNI-Universum International College aktualisht është duke implementuar 40 projekte në kuadër të Erasmus+ Capacity Building in Higher Education (CBHE), që kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së arsimit.

Për më shumë informata, ndiqni UNI-Universum International College në Facebook dhe Instagram, kontaktoni në [email protected], ose telefononi në +383 44 144 062./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti e uron Milanoviq për marrjen edhe të një mandati si president i Kroacisë

Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Zoran Milanoviq për rizgjedhjen e tij si president i Kroacisë.

Në një postim në platformën X, Kurti ka folur për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Urime  Zoran Milanoviq për rizgjedhjen tuaj në Presidencën e Kroacisë. Presim me padurim vazhdimin e bashkëpunimit të fortë”, ka thënë Kurti.

Më 22 janar bëhet hapja e Muzeut të Fëmijëve të Luftës

Më 22 janar do të bëhet hapja e Muzeut të Fëmijëve të Luftës në Prishtinë.

Kjo nismë është e përkushtuar për të ruajtur kujtimet e fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë, duke siguruar që përjetimet personale të luftës të mos harrohen. 

“Në këtë ngjarje do të hapim ekspozitën e parë të Muzeut “Fëmijëria e Ndërprerë” e cila zbërthen një rrugëtim të fshehjes, të ikjes në kushte ekstreme, të përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen, si dhe të situatës së krijuar pas përfundimit të luftës.

Jemi të hapur për intervista edhe paraprakisht. Për çdo pyetje, mos hezitoni të na kontaktoni”, thuhet në një komunikatë për media.

Hapja bëhet më 22 janar në ora 18:00, afër zyreve të YIHR KS./ KultPlus.com

‘Si s’të desha pak më tepër’

Poezi nga Fatos Arapi

Si s’të desha pak më shumë
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”./KultPlus.com