Gonxhja: Konispoli shpallet Ansambël Historik

Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

“Ky vendim i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë”, shkroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale.

Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë. Banesat e tij tradicionale, datojnë në shek. XIX-XX. Në të ka gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri dhe lagje me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave.

“Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë”, u shpreh ministri Gonxhja, sipas të cilit, vendimi i sotëm vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta./atsh/KultPlus.com

Familjarët, miqtë dhe fansat i japin lamtumirën legjendës së muzikës, Ozzy Osbourne

Të mërkurën, më 30 korrik, familjarët dhe miqtë e “princit të errësirës”, Ozzy Osbourne morën pjesë në lamtumirën e fundit të yllit të muzikës në qytetin Birmingham të Anglisë, ndërsa fansat mbushën rrugët e qytetit të tij të dashur për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Familjarët e të ndjerit vizituan “Broad Street”, ku ndodhen ura dhe stoli e Black Sabbath, të kthyera në një memorial publik për këngëtarin e “Crazy Train”, me lule, foto dhe mesazhe nga admiruesit.
Pjesë e funeralit madhështor ishte edhe një performancë live nga grupi lokal Bostin’ Brass, i cili interpretoi këngën “Iron Man”.
Arkëmorti i Ozzy-t ishte zbukuruar me lule të purpurta që krijonin emrin e tij, ndërsa fansat i hidhnin lule makinës së varrimit dhe brohorisnin “Ozzy, Ozzy”.

Makina e zezë e funeralit ndaloi më pas në urën e Black Sabbath, ku familja, përfshirë edhe nipërit dhe mbesat e Ozzy-t, zbriti për të parë homazhet për rreth 5 minuta, sipas pamjeve të transmetuara nga BBC.
Fansat bërtisnin “Të duam, Sharon”, ndërsa gruaja e pikëlluar e Ozzy-t, Sharon Osbourne, u shfaq zemërthyer, teksa ngushëllohej nga vajza e saj Kelly Osbourne, e cila e mbante për dore. Djemtë Jack Osbourne dhe Louis Osbourne, si dhe vajza Aimee Osbourne ishin gjithashtu pranë saj dhe dukeshin tejet të prekur teksa shikonin homazhet.

Familjarët, të gjithë të veshur me të zeza, bënë shenjën e paqes ndaj turmës që brohoriste, përpara se të kryenin homazhet e tyre.

Ozzy u të varros në një ceremoni private gjatë ditës së djeshme (30 korrik) në Buckinghamshire.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik dhe familja, me trishtim të thellë bëri me dije se i dashuri i tyre u nda nga jeta, i rrethuar nga dashuria.
Disa javë përpara vdekjes, Ozzy performoi në koncertin e fundit të Black Sabbath, duke shënuar ribashkimin e tij të parë me grupin pas 20 vitesh. Ai nuk mund të ecte për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.

Një burim tha për People në korrik se familja po planifikonte një “funeral të vogël dhe privat” për “princin e errësirës”, së bashku me një memorial publik dhe një koncert nderimi në të ardhmen.

“Ata janë shumë mirënjohës për kohën e veçantë familjare që patën së bashku përpara se Ozzy të ndërronte jetë. Po planifikojnë një funeral të vogël dhe privat që do të jetë një kremtim i jetës së tij,” tha burimi në atë kohë, duke shtuar: “Ozzy nuk do të donte kurrë një ceremoni të trishtuar.”/KultPlus.com

“Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës”

Thënie të vlefshme për jetën

Mundohem të jem gjithnjë vigjilent dhe i hapur për atë që jeta më sjell.
Kjo që jetojmë nuk është provë, është jeta jonë.

Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës.

Në jetë të trajtojnë ashtu siç i mëson ti të tjerët të të trajtojnë.
Sepse thjesht disa njerëz janë kaq shumë të veçantë, i’a vlen të jetosh, vetëm dhe vetëm për t’i takuar, dikur …

Takoni qindra njerëz dhe askush nuk ju prek me të vërtetë. Dhe pastaj, takoni një njeri dhe tërë jeta juaj ndryshon përgjithmonë.

Ne jetojmë në një periudhë historike kur ndryshimi është aq i shpejtë saqë fillojmë të shohim të tashmen kur ajo tashmë po largohet.

Kur ndjeni se keni arritur në fund
dhe nuk mund të merrni një hap më tej,
kur jeta duket se ka drenazhuar nga çdo qëllim,
çfarë mundësie e mrekullueshme për të filluar përsëri nga fillimi,
për t’u kthyer një faqe të re!

“Mënyra më e mirë për të jetuar me nder në botë, është të jesh ajo që vërtet jeni, dhe nëse vëreni, do të shihni se të gjitha virtytet njerëzore rriten dhe forcohen me praktikë. “

Kur të fitosh jetën duke luajtur piano, duhet të dish të vlerësosh gishtat.

Nëse nuk jeni zotërues i rrjedhës së jetës tuaj, kjo do të thotë që ju lejoni që ekzistenca juaj të jetë një aksident.

Keni lindur me fletë, pse e kaloni jetën tuaj duke u zvarritur.

-” Gjithkush ka një person në këtë jetë.
Dhe le të mos jetë si në filma.
Dhe le të mos përfundojnë së bashku.

Le të takohen fshehurazi, duke u thënë gënjeshtra të gjithëve.

Dhe le të humben për muaj të tërë dhe pastaj të takohen përsëri.

Njeriu juaj është dikush që lidhet me ju në mënyrë magjike,
pa përpjekje, me intimitet që ju frikëson që nga fillimi “.

Jeta fillon në të 40-tat. Por do të humbni pjesën më të mirë nëse prisni deri atëherë.

Prano ritmin e jetës. Është ashtu si nata dhe dita: ditën punoni, natën pushoni. Nëse jeni me të për një-dy orë, e shijon, por pastaj doni të arratiseni sepse uria është zhdukur dhe ju ndiheni të kënaqur.

Nëse nuk mund të jesh lapsi që vizaton buzëqeshjen në jetën e atyre që do,
atëherë bëhu goma që fshin vuajtjet e tyre.

Para se të gjykosh jetën time, të kaluarën time, karakterin tim…

Vish këpucët e mia dhe shkel nëpër shtigjet që ka kaluar jeta ime. Jetoje me “shpirtin tim”, me “dyshimet e mia”, me “frikën time”, me “dhimbjen time”.

Dhe kur të keni jetuar jëtën time, atëherë dhe vetëm ju jap të drejtën të gjykoni jetën time!!!

Ju mund të ikni nga shumë gjëra në jetë, por nuk mund të largoheni nga vetja. Çelësi i lumturisë është të kuptosh dhe të pranosh se kush je.

Në jetë, të besosh ata që mund të dallojnë këto tre gjëra:
Dhimbjen që fsheh pas një buzëqeshje….
Dashurinë që fsheh kur shpreh zemërimin tënd….
Dhe…fjalët që fsheh brenda heshtjes tënde….

Askush nuk do të ndërtojë për ju një urë nga ku ju, dhe vetëm ju, duhet të kaloni lumin e jetës.

Ndoshta do të harrosh nesër fjalët e mira që i the dikujt sot, por marrësi mund t’i rikujtojë gjatë gjithë jetës së tij.

Ndonjëherë jeta krijon situata, ku thjeshtësia dhe sinqeriteti kalojnë si një dinakëri e imët.

Mund të jetojmë pa luks-e, por nga momenti që e arritëm, nuk është në natyrën tonë ta braktisim me vullnetin tonë. 

Shumë pak janë ata që jetojnë të sotmen. Shumica po përgatitet të jetojë më vonë.
Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni jetën tuaj ashtu siç dëshironi, përpiquni të paktën sa më shumë që mundeni: mos e përulni atë në afinitetin e shumtë të botës, në shumë lëvizje dhe fjalime
Njeriu është pjesë e një tërësie që e quajmë “univers”. Qëllimi ynë duhet të jetë të zgjerojmë rrethin e dashurisë dhe të përqafojmë të gjitha qeniet dhe gjithë bukurinë e botës.
Albert Einstein
Është gabimi ynë të kërkojmë kuptimin e jetës në këtë botë, pikërisht sepse misioni ynë themelor këtu është ta krijojmë atë
Jeta në tokë është shumë e këndshme për këdo që gjen kuptim në shëmtinë.
Dy janë rregullat për një jetë plot harmoni: së pari, mos u torturoni për gjëra të vogla. Së dyti, gjithçka është gjë e vogël.
Po aq e vështirë është të jetoni me atë që doni, si dhe ta doni atë me të cilin jetoni.
Nëse jeta është një lule, kujtimet janë parfumi i saj.
Ne jetojmë në një kohë kur gjërat e kota janë nevojat tona të vetme.
Jetoj vetëm sepse nuk dua të vuaj.
Lehtësitë e shumta të jetës moderne e kanë bërë jetën të vështirë për njeriun.
Jeta shpesh i ngjan një anije të mbytur, copat e të cilës janë miqësia, lavdia, dashuria. Brigjet e ekzistencës njerëzore janë mbushur me to.
Duhet të jetojmë ashtu siç mendojmë, ndryshe do të mendojmë ashtu si jetojmë.
Në këtë palo-jetë na sjellin pa na pyetur dhe na përzënë pa e dëshiruar.
Duke u përpjekur të jetoni në harmoni me të tjerët, përfundoni në mosmarrëveshje me veten.
Në jetën tënde të jesh gjithmonë përzgjedhje dhe jo nevojë.
Para se të qani për dashuritë e humbura, shkoni ne spitale të shikoni si qajnë për jetët e humbura.
Jeta është e mbushur me pyetje, por idiotët kanë të gjitha përgjigjet. /KultPlus.com

Disa fjalë për një fotografi

Disa fjalë për një fotografi

Prof. Burim Myftiu

Kjo fotografi minimaliste, që kujton gjuhën poetike vizuale të Denis Curti-t, kap një koreografi të përmbajtur të figurave njerëzore të shpërndara mbi një peizazh të gjerë me dallgë dhe rërë të tërhequr. Skena është e qetë, por thellësisht evokuese, një studim elegant mbi përmasën, vetminë dhe përkohshmërinë.

 Curti, i njohur për ndjeshmërinë e tij kuratoriale dhe syrin e rafinuar fotografik, me gjasë do ta vlerësonte kompozimin e balancuar të kësaj pamjeje dhe mënyrën se si figurat, të vogla dhe të përhumbura, treten në teksturat abstrakte të rërës dhe ujit. Secili njeri duket i pezulluar në mendime, prania e tyre si e brishtë ashtu edhe ritmike përballë këtij kanavaci natyror. 

Në kontrast me tablotë monumentale dhe hiper-detajuar të Andreas Gursky-t, ku arkitektura, tregtia dhe shoqëria bashkohen në një kompleksitet vizual mbingarkues, kjo fotografi anon nga e përkohshmja dhe meditativja. Ndërsa Gursky shpesh e sfidon shikuesin të përballet me përmasën e madhe të sistemeve dhe strukturave, kjo pamje fton në qetësi dhe reflektim. Megjithatë, të dy ndajnë një magjepsje të përbashkët me gjurmët njerëzore në peizazhe të pafundme, njëri përmes madhështisë dhe dendësisë, tjetri përmes mungesës dhe hapësirës negative.  Nëse Gursky kap spektaklin kolektiv, kjo fotografi e frymëzuar nga estetika e Curti-t, ashtu si vetë etosi i tij kuratorial, vlerëson lirikën e të pavërejturës dhe të përzemërtës.

Denis Curti, një emër i shquar në botën e fotografisë, i cili mban një sërë rolesh prestigjioze: ai është drejtor artistik i Le Stanze della Fotografia në Venecia; përfaqësues o sektorit të fotografisë në Marsilio Editore; drejtor dhe themelues i STILL, një galeri fotografike me bazë në Milano; drejtor artistik i Capri Photography Festival; drejtor artistik i Montefano Photography Festival: Premio Ghergo; drejtor i revistës online Black Camera; si die drejtor artistik i Deloitte PhotoGrant. Nga viti 2018 deri në vitin 2022, Curti ishte drejtor i revistës mujore IL FOTOGRAFO. Përpara këtij roli, nga viti 2005 deri në 2014, ai ishte drejtor i Contrasto – Milano dhe nënkryetar i Fondazione Forma në Milano./KultPlus.com

Granit Xhaka prezantohet zyrtarisht në Sunderland

Granit Xhaka, një nga futbollistët më të njohur kosovarë, është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i Sunderland. Pas kalimit të suksesshëm të testeve mjekësore, Xhaka firmosi një kontratë me klubin anglez që e lidh atë deri në vitin 2028.

Sipas raportimeve të Sky Sports, Sunderland ka paguar një shumë prej 17 milionë euro për transferimin e mesfushorit kosovar. Ky transferim e rikthen Xhakën në Premier League pas vetëm dy vitesh, duke i dhënë atij mundësinë për të shfaqur edhe një herë aftësitë e tij në ligën më të fortë të botës.

Gjatë prezantimit të tij, Xhaka ka shprehur emocionet dhe krenarinë për këtë hap të ri në karrierën e tij. “Jam shumë krenar që ndodhem këtu. Kur fola me klubin, ndjeva menjëherë energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë personat këtu, edhe lojtarët”, tha Xhaka për mediat.

Në Sunderland, Granit Xhaka do të mbajë fanellën me numrin 34, një numër që ka bërë tashmë emër për të, dhe që është i lidhur ngushtë me identitetin e tij si lojtar.

Ndërkohë, klubi i tij i deritanishëm, Bayer Leverkuseni, e ka falënderuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe e ka uruar për këtë hap të ri. Simon Rolfes, drejtori sportiv i Bayer 04, tha: “Granit Xhaka ishte lojtar kyç në ekipin tonë që fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2024. I urojmë atij shumë sukses në karrierën e tij të ardhshme.”

Ky është një transferim që mund të shënojë një kapitull të ri për Xhakën, duke e bërë atë një nga yjet e Premier League dhe duke kontribuar në zhvillimin e Sunderland në nivelin më të lartë të futbollit anglez./KultPlus.com

Përmirësimi i Sallës së Periodikut: Biblioteka Kombëtare ofron kushtet e reja për përdoruesit

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt për përmirësimin e kushteve të shërbimit në Sallën e Periodikut, duke e rikthyer këtë hapësirë në një ambient më të këndshëm dhe funksional për lexuesit dhe hulumtuesit.

Pas një periudhe pune intensive, janë larguar materialet e vjetra dhe është kryer një pastrim i plotë i sallës. Gjithashtu, gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e hapësirës, duke përfshirë lyerjen e mureve dhe përmirësimin e ndriçimit, transmeton KultPlus.

Salla e periodikut është një nga hapësirat më të frekuentuara të Bibliotekës Kombëtare, ku çdo ditë shërbehen dhjetëra numra të gazetave dhe revistave për lexuesit, të cilët kanë mundësinë të studiojnë materiale të ndryshme për kërkime shkencore, profesionale dhe informacione ditore.

Tani, falë përmirësimeve, ky ambient do të ofrojë kushte më të mira për lexim dhe hulumtim. Lexuesve do t’u ofrohet një hapësirë e qetë, komode dhe tërheqëse për të kaluar orë të tëra në kërkim të informacionit dhe leximin e materialeve periodike.

Përveç pastrimit dhe lyerjes, është parashikuar një rritje e kapaciteteve të ndriçimit për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për studim, duke u kujdesur për shëndetin dhe komoditetin e përdoruesve. Puna do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të mundësuar që biblioteka të jetë një vend ku vizitorët mund të kenë mundësinë të zhvillojnë kërkime dhe të kenë qasje në informacionin më të fundit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj për të krijuar kushte optimale për të gjithë ata që kërkojnë informacion dhe burime për punë kërkimore e studimore./KultPlus.com

Çmimi “Pashko Gjeçi”, për përkthimin e letërsisë italiane në shqip

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nënshkroi me Institutin Italian të Kulturës një marrëveshje, duke shpallur thirrjen për çmimin “Pashko Gjeçi” për përkthimet nga letërsia italiane në shqip.

Marrëveshja parashikon dhënien e këtij çmimi për të kremtuar punën e heshtur, por thelbësore, të atyre që i japin një zë të ri letërsisë italiane.

“Të përkthesh do të thotë të rishkruash, të rikrijosh dhe të rishpikësh. E tashmë, edhe të shpërblesh”, shkroi Instituti Italian i Kulturës, në faqen e tij online.

Në garë për këtë çmim mund të marrin pjesë të gjithë përkthyesit, të Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë arritur moshën madhore në momentin e kandidimit.

Dy fituesve do t’u garantohet mbulimi i shpenzimeve të përkthimit si dhe publikimi i veprës. Përkthyesit e interesuar duhet të aplikojnë deri më 21 shtator 2025./atsh/

Përkujtohet Antoine de Saint-Exupéry, autori i “Princit të Vogël” që u zhduk në fluturim më 31 korrik 1944

Më 31 korrik 1944, 81 vite më parë, humbi jetën një nga shkrimtarët më të dashur të shekullit XX – Antoine de Saint-Exupéry, autori i romanit të famshëm “Princi i Vogël” (Le Petit Prince), një prej librave më të përkthyer në botë.

Saint-Exupéry, përveçse shkrimtar, ishte edhe aviator francez. Ai u nis për një mision zbulimi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk u kthye më. Aeroplani i tij u rrëzua pranë brigjeve të Mesdheut dhe për dekada me radhë, zhdukja e tij mbeti mister, derisa mbetjet e avionit u gjetën në vitin 1998, transmeton KultPlus.

“Princi i Vogël”, një tregim filozofik i shkruar me thjeshtësi dhe ndjenjë të thellë njerëzore, mbetet vepra më e njohur e tij. Me ilustrime nga vetë autori, libri shpalos përmes një historie për fëmijë, një reflektim për jetën, vetminë, miqësinë dhe kuptimin e dashurisë.

“Njeriu sheh qartë vetëm me zemër. Ajo që është thelbësore, nuk shihet me sy”, është një nga citimet më të famshme nga vepra e tij, që vijon të prekë lexues të të gjitha moshave.

Saint-Exupéry u bë simbol i ëndrrave, guximit dhe ndjeshmërisë që lidhen me artin e të shkruarit dhe jetën vetë. Edhe pas 80 vitesh nga vdekja, vepra dhe mesazhi i tij jetojnë më të freskëta se kurrë./KultPlus.com

“Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj”

Jorge Luis Borges

Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.

Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.

Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.

Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.

Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.

Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.

Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.

Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.

Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.

Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.

Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.

Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.

Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.

Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…

Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?/ KultPlus.com

“Open Cinema”, kinemaja shëtitëse në Maliq

Aktiviteti “Open Cinema” – Kinemaja shëtitëse në Shqipëri, u zhvillua në qytetin e Maliqit.

Nata e parë në Maliq mblodhi rreth ekranit grup-mosha të ndryshme të cilat ndoqën plot interes shfaqjen e radhës të kinemasë shëtitëse.

Të ftuar specialë në natën e parë ishin: regjisori i shquar Mevlan Shanaj, skenaristja dhe shkrimtarja Natasha Lako, si dhe këngëtarja Eranda Libohova.

“Open Cinema” mbështetet financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky aktivitet synon të promovojë, pa pagesë, për publikun e gjerë, vlerat më të mira të kinematografisë shqiptare dhe asaj botërore./atsh/KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen autorja e librit  të famshëm ‘Harry Potter’, JK Rowling

Shkrimtarja britanike, Joanne Rowling e njohur me super veprën e saj të ‘Harry Potter’ feston sot 60 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

As sfidat më të rënda jetësore, që prej ndarjes së prindërve të saj, përballja me sëmundjen e rëndë e deri tek ndarja nga bashkëshorti, nuk e rrëmbyen suksesin e saj. Përkundrazi, pjesa personale nuk luajti fare rol në profesionin e saj.

Si një fëmijë i vogël, ajo kishte thurur në kokën e saj ëndrra të mëdha, përkushtimi i të cilave shndërroi ‘të pamundurën në realitet’ me ndërtimin e suksesit, por edhe me kalimin e përmasave të saj.

Me vetëm 6 vjeç, shkroi librin e parë të titulluar ‘Lepuri’. Ndërkaq, 5 vite më vonë, me të mbushur 11 vjeç, ajo shkroi romanin e saj të parë- rreth shtatë diamante të mallkuar dhe njerëzit që i zotëronin ato.

Karrierën e nisur në fëmijëri, e vulosi në pjekuri, me veprën gjigante të saj ‘Harry Potter’’, libër i cili numëroi shifra marramendëse, me shitjen e mbi 400 milionë kopje të librit.

Rowling, studimet i përfundoi në Universitetin Exeter, në programin për frëngjisht dhe klasikë, karakteristika këto, të cilat i hynë në punë edhe në ndërtimin e librit të magjishëm ‘Harry Potter’.

Rowling e konceptoi idenë e Harry Potter në vitin 1990, ndërsa ishte ulur në një tren të vonuar nga Mançesteri në Londrën King’s Cross. Ndërkaq, përgjatë pesë viteve të tjera, ajo nisi të hartonte shtatë librat e serisë.

Edhe pse libri i Harry Potter konsiderohet një markë globale, historia e autores J.K Rowling përmban në vete dhimbje, rezistencë e në fund edhe triumf.

Historia e shkrimtares britanike, Rowling është një histori inspirimi, një motiv për të mos u dorëzuar kurrë dhe një shtysë për të besuar se asnjëherë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat.

Kujtojmë që Rowling përpos tipit të librave si ‘Harry Potter’ merret edhe me shkrimin e romaneve për të rriturit, siç janë edhe ato me tematikë kriminale, me emrin e stilolapsit Robert Galbraith. / KultPlus.com

“Nuk po vdes”: Phil Collins përballet me thashethemet

Legjenda e muzikës botërore, Phil Collins, ndodhet aktualisht në spital për një ndërhyrje kirurgjikale në gju, duke mohuar zërat spekulativë që qarkulluan ditët e fundit mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe trajtimin në kujdes paliativ.

Zëdhënësi i artistit konfirmoi për The Standard se Collins është në repartin mjekësor për operim, dhe jo në ndonjë formë trajtimi për fundin e jetës, siç ishte raportuar në mënyrë të pasaktë në disa media.

Këngëtari i njohur për hite si “Another Day in Paradise”, është përballur me probleme të shumta shëndetësore gjatë viteve të fundit, përfshirë dëmtime nervore, pankreatit akut dhe vështirësi në ecje, të cilat kanë ndikuar që ai të performojë i ulur në karrocë në koncertet e tij të fundit, transmeton KultPlus.

Pavarësisht sfidave, Collins vazhdon të jetë një figurë e dashur dhe e respektuar në skenën muzikore botërore, ndërsa fansat në mbarë botën i kanë shprehur mbështetje dhe urime për rikuperim të shpejtë./KultPlus.com

“Mitrovica Neolitike”- Ekspozita që ndriçon 8 mijë vjet histori hapet sonte në Muzeun e Mitrovicës

Ekspozita “Mitrovica Neolitike” hap dyert sonte, më 31 korrik, duke filluar nga ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.

Ky është një rikonceptim i ekspozitës arkeologjike që hedh dritë mbi fillesat e jetës së qëndrueshme në territorin e Mitrovicës, të dokumentuar që më shumë se 8 mijë vjet më parë, duke ofruar vizitorëve një pasqyrë të pasurisë kulturore dhe historike të kësaj treve, përcjellë KultPlus.

Kuratorët e ekspozitës janë Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala, të cilët kanë përzgjedhur dhe prezantuar artefakte të rëndësishme që dëshmojnë për jetën neolitike, stilin e jetesës, zhvillimin bujqësor dhe përparimet e hershme shoqërore në këtë rajon.

Ekspozita vjen si një nismë për të forcuar ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë arkeologjike të Kosovës dhe për të krijuar ura të reja mes publikut dhe së kaluarës së hershme të vendit. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me objekte autentike dhe interpretime vizuale që tregojnë historinë e qytetërimit të hershëm në Mitrovicë./KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Apolonisë, ndër më të vizituarit në vend

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga një ditë e zakonshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, ku duket se vizitorët janë të shumtë në numër.

PAA është nga sitet tona kulturore më të vizituara. Çdo ditë janë me qindra vizitorët vendas dhe të kombësive të ndryshme që shijojnë ato çka ofron ky park arkeologjik. Sipas statistikave, nga të huajt kryesojnë vizitorët nga Evropa Perëndimore.

Apolonia është një ndër parqet arkeologjike që pret një numër relativisht të lartë vizitorësh gjatë një viti. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti në PAA u tejkalua shifra prej 58 mijë vizitorësh.

Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj./atsh/

“Everybody Calls Redjo” me premierë në Kroaci në kuadër të Brač Film Festival

Filmi shqiptar “Everybody Calls Redjo” do të ketë premierën e tij ndërkombëtare më 9 gusht në Kroaci, si pjesë e edicionit të 10-të të Brač Film Festival, një ndër festivalet më të njohura në rajon që mbështet autorët e rinj dhe kinemanë e pavarur.

Shfaqja e filmit do të mbahet në ambientin veror Ljetno Kino Supetar, duke filluar nga ora 21:00, ku pritet të marrin pjesë edhe figura të njohura nga bota e filmit, producentë dhe përfaqësues të industrisë kreative evropiane, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrja e “Everybody Calls Redjo” në këtë festival përfaqëson një hap të rëndësishëm për kinemanë shqiptare, duke sjellë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar një histori që rrëfen përditshmërinë dhe sfidat e një brezi të ri përmes një qasjeje të freskët artistike.

Filmi pritet të ngjallë interes jo vetëm për tematikën që trajton, por edhe për mënyrën kreative të realizimit, duke dëshmuar potencialin e autorëve të rinj shqiptarë në skenën kinematografike evropiane./KultPlus.com

“Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane

Aktiviteti “Nata Kulturore Epidamn” e shndërroi Kullën (Torra) Veneciane të Durrësit në një hapësirë ku historia dhe arti u bënë bashkë.

“Nata Kulturore Epidamn” i ftoi vizitorët, përfshirë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, UNOPS, Bashkia Durrës dhe Qendra Muzeore e Durrësit, të përjetonin trashëgiminë e qytetit në një mënyrë unike dhe kreative.

Rreth 50 qytetarë ndoqën nga afër projeksionet historike në muret e kullës, artin quilling që rindërtoi Kullën fije pas fije, “Kronikat e Kullës” që i dhanë zë legjendave të qytetit nën tingujt e violonçelit dhe një performancë muzikore që vuri në dialog këngën tradicionale isopolifonike me instrumentet bashkëkohore.

Gjatë aktivitetit performuan: Emily Spahiu – solo violonçeli; Donald Llaperi – quilling live; Erdit Asllanaj – Equilibrium”; “Kronikat e Kullës” nga Alesio Hysenaj, Gjergj Doçi, Marsel Rupi, Romir Llukaçi.

Performanca “Kronikat e Kullës” ishte ajo që mbylli natën me një udhëtim teatror që lidh zërat e së kaluarës me të tashmen.

Ky aktivitet, i organizuar nga organizata Durrësi Aktiv, u mbështet përmes programit të granteve të EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon Dua Lipën me pulla postare të dedikuara

Posta e Kosovës ka lansuar një seri të re pullash postare me imazhin e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke e kthyer atë në një simbol zyrtar të krenarisë kombëtare që “udhëton” përmes çdo letre të dërguar, transmeton KultPlus.

“Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin,” thuhet në njoftimin e bërë nga Posta, e cila shoqëroi lansimin me hashtagun zyrtar #DuaLipaVibes.

Kjo iniciativë vjen si një tjetër nderim për artistën me prejardhje nga Kosova, e cila ka bërë që emri i vendit të dëgjohet në mbarë botën përmes muzikës dhe suksesit të saj ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue’

Poezi nga Luigj Gurakuqi 

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron! /KultPlus.com

Julia Roberts dhe Cameron Diaz ribashkohen në vazhdimin e “My Best Friend’s Wedding”

Një nga filmat klasikë të viteve’90, “My Best Friend’s Wedding” do të vijojë.

Filmi origjinal me protagoniste Cameron Diaz dhe Julia Roberts, u kthye në një sukses në vitin 1997 kur u shfaq për herë të parë. Tani ai konsiderohet një nga ikonikët e zhanrit të tij.

Roberts dhe Dermot Mulroney ishin në rolet e Julianne dhe Michael, miqve të ngushtë që bënë një marrëveshje se nëse do të ishin ende beqarë kur të bënin 28 vjeç, do të martoheshin

Kur personazhi i Mulroney fejohet me një grua tjetër që luhet nga Diaz, Roberts ka vetëm katër ditë afat për ta ndaluar dasmën.

Regjisorja Celine Song, e cila është nominuar për Oscar për filmin “Past Lives”, është punësuar nga Sony për të shkruar vazhdimin e filmit.

Lajmi zyrtar vjen pas intervistës së fundit të Mulroney i cili tha për New York Post se “po bëhen bisedime për vijimin.”

“Nuk di gjë. Së fundmi dëgjova, hap thonjëza, avokatët po flisnin, mbyll thonjëza”, tha ai./ora/

Prezantohet strategjia për kinematografinë, studio për filma vendas e të huaj

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka prezantuar platformën e re dixhitale dhe rregulloren e re të aplikimit dhe financimit për projektet filmike e audiovizuale.

Në një takim me kineastë dhe aktorë të industrisë, drejtori i QKK-së, Jonid Jorgji, shpalosi strategjinë e re kombëtare për zhvillimin e industrive kreative dhe audiovizuale.

“QKK është një institucion që financon filma, tani ka lindur nevoja që gama e financimeve të zgjerohet më tepër. Zgjerimi i mbështetjes financiare për serialet televizive, video-lojërat, realiteti virtual dhe i shtuar (VR/AR). Objektivi është ndërtimi i një industrie audiovizuale të qëndrueshme, konkurruese dhe të integruar në tregun evropian. Ligji i ri për audiovizualin është nevojë imediate dhe kemi nisur punë paraprake. Shpresojmë në shtator që të gjejmë konsensus dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Jorgji.

Ligji do të përfshijë edhe implementimin e mekanizmit “tax rebate” që do t’u kthejë deri në 31% të shpenzimeve produksioneve të huaja që xhirojnë në Shqipëri.

Në këtë kontekst, do të krijohet “Albanian Film Commission”, një strukturë që do të ketë për detyrë të promovojë Shqipërinë si destinacion filmik ndërkombëtar dhe tërheqje të studiove si Netflix, Amazon dhe Disney,transmeton euronews

Jorgji bëri të ditur se po diskutohen hapësira të dedikuara për studio të mëdha, mes tyre Kombinati Metalurgjik në Elbasan.
Rijetësimi i kinemave ekzistuese në vend dhe krijimi i një rrjeti të organizuar për shpërndarjen e filmit shqiptar është një tjetër pikë e parashikuar në strategji.

“Shteti dhe bashki të ndryshme kanë filluar të rijetësojnë kinema, jo vetëm në Tiranë por dhe në qytete të tjera. Do të krijojmë një sistem, ku prodhimet shqiptare apo bashkëprodhimet të qarkullojnë në këto kinema dhe kështu rrisim monetiziminm, të ardhurat që këta filma sjellin”, u shpreh kreu i QKK.
Mbështetje do të ketë edhe për programet mësimore në shkolla të specializuara si “Marubi” dhe “Catalyst”.

QKK është pranë finalizimit të një marrëveshjeje dypalëshe me CNC-në franceze për bashkëprodhime, si dhe pjesë e iniciativës rajonale “Balcanica” që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Strategjia e re dhe rregulloret e përmirësuara synojnë të krijojnë një klimë të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke e pozicionuar Shqipërinë si një qendër dinamike të industrisë audiovizuale në Ballkan.

Panairi Midi në Bruksel hap dyert për herë të 145-të, pjesë e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s

Parku i madh i argëtimit Panairi Midi (Foire du Midi), një nga ngjarjet më të mëdha vjetore në Bruksel të Belgjikës, ka hapur dyert për vizitorët për të 145-ën herë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të madhe festive në muajt korrik dhe gusht.

Ngjarja e sivjetshme përmban mbi 120 lojëra dhe atraksione argëtuese, duke tërhequr çdo vit më shumë se 1.5 milion vizitorë nga Belgjika dhe jashtë saj, raportoi agjencia Anadolu.

Panairi po tërheq këtë vit vëmendje të shtuar pas përfshirjes së kulturës së panaireve në Belgjikë dhe Francë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, një njohje që thekson rëndësinë kulturore dhe historike të këtij tradicioni.

Vizitorët mund të shijojnë atmosferën unike me ushqime tradicionale, argëtim për të gjitha moshat dhe aktivitete që pasqyrojnë frymën festive të komunitetit belg.

Statuja e Skënderbeut në Prizren lyhet me bojë të kuqe, reagime të ashpra dhe thirrje për protestë më 28 Nëntor

Një akt vandalizmi ka tronditur opinionin publik në Kosovë, pasi statuja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, e vendosur në qytetin e Prizrenit, është lyer me bojë në përkrenare dhe shpatë.

Ky akt është dënuar ashpër nga Shoqata “Trojet e Arbrit”, e cila ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet e drejtësisë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve. Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kush fshihet pas këtij akti, ndërsa policia nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar për hetimet.

Shoqata “Trojet e Arbrit” ka paralajmëruar se nëse autoritetet vazhdojnë të heshtin, përplasjet mes forcave atdhetare shqiptare dhe grupeve pansllaviste apo neotomane do të jenë të pashmangshme.

Në reagimin e saj, Shoqata ka bërë thirrje për një demonstratë gjithëpopullore më 28 nëntor 2025 në Prizren, në mbrojtje të identitetit dhe krenarisë kombëtare shqiptare, me moton: “Duam Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren”.

Statuja e Skënderbeut u vendos në qytetin historik më 28 nëntor 2020, në përkujtim të 577-vjetorit të ngritjes së flamurit shqiptar në Krujë dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të shumta nga qytetarë, historianë dhe figura publike, të cilët kërkojnë ruajtjen e simboleve kombëtare dhe vlerave historike shqiptare./KultPlus.com

I huaji

Charles Baudelaire 

– Kë do ti më tepër, o njeri enigmatik, pa më thuaj? Babanë, nënën, motrën apo vëllanë tënd?

– Unë nuk kam as baba, as nënë, as motër, as vëlla.

– Miqtë, atëherë?

– Nuk e di ende ç’do të thotë kjo fjalë.

– Atdheun?

– As që e di fare se ku ndodhet.

– Bukurinë?

– Do të doja me gjithë qejf të ishte hyjneshë dhe e pavdek­shme.

– Arin?

– E urrej atë po aq sa ju urreni Zotin.

– Po çfarë të pëlqen ty atëherë, o i huaj i çuditshëm?

– Më pëlqejnë retë… retë që kalojnë… atje tej… retë e mreku­llueshme.

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”./KultPlus.com

Dua Lipa në Prishtinë me Callum Turner, pak para “Sunny Hill Festival 2025”, shijojnë jetën e natës në Prishtinë

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është parë mbrëmjen e së mërkurës në një nga ambientet më të njohura të Prishtinës, në shoqërinë e të fejuarit të saj, aktorit britanik Callum Turner.

Çifti ka kaluar një mbrëmje të ngrohtë verore, të rrethuar nga miq të afërt, kokteje dhe atmosferë relaksuese. Dua, e njohur për stilin dhe buzëqeshjen e saj, ka tërhequr vëmendje me prezencën karizmatike dhe energjinë pozitive, transmeton KultPlus.

Në video të siguruara nga Dukagjini, çifti shihet i relaksuar dhe i përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, duke reflektuar një lidhje të fortë dhe natyrale.
Vizita e saj në qytetin e origjinës nuk ka kaluar pa u vënë re fansat dhe qytetarët janë ndjerë të emocionuar dhe krenarë, sidomos me faktin që Dua ka zgjedhur Prishtinën për momente të rëndësishme personale.
Kjo paraqitje publike vjen pak ditë para performancës së saj në “Sunny Hill Festival 2025”, ku do të ngjitet në skenën kryesore në mbrëmjen e parë, të premten./KultPlus.com