Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë varrezave të heronjve Ilir Konushevci e Hazir Malaj në 27 vjetorin e rënies së tyre. Kurti e quajti Konushevcin pasardhës të denjë të Zahir Pajazitit . Ai tha se Konushevci ishte shpirti i Ushtrisë Çlirimtare.
“Ishte shpirti i UÇK-së meqë ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit, në një kohë të vështirë kur UÇK-ja po përballej me një ushtri që ishte shumëfish më e pajisur me armatime, municion, mirëpo me vullnetin e çeliktë të luftëtarëve të paepur si puna e Ilir Koushevcit, edhe ajo që ishte e paimagjinueshme bëhej e mundur. UÇK-ja jo vetëm që merrte pjesë ne beteja, por edhe ngadhënjente aty”tha Kurti.
Kreu në detyrë i qeverisë tha se Konushevci kishte nisur veprimtarinë e tij shumë më herët, saktësisht me 1 3maj të vitit 1992. “Atëherë kur u formua organizata e fshehtë politike, “Shqiponjat”, dhe prej asaj dite nuk u ndal asnjëherë për shtimin e radhëve të UÇK-së”.
Kurti tha se, pa njerëz si Iliri nuk mund të kishte luftë çlirimtare pa të cilën nuk mund ta kishte as liri e as shtet.
“Andaj homazhet tona që i bëjmë tek varret e dëshmorëve e martirëve gjatë kësaj pranvere e në veçanti sot te Ilir Konushevi e Hazir Malaj, shprehim mirënjohjen e thellë për punën e sakrificën e tyre, por shprehim edhe përkushtimin tonë që të vazhdojmë rrugën e tyre e cila sot e ka kuptimin e një Republike të pavarur demokratike e sidomos me furnizim të ushtrisë sonë, me forcim të FSK-së, ashtu që të kemi ushtri që i del zot atdheut edhe Republikës edhe popullit të Kosovës”, tha tutje kryeqeveritari në detyrë në këtë ditë përkujtuese për heronjtë Konushevci e Malaj.
Sipas tij, Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur e më e madhe se kurdoherë.
“Me gëzim themi se krenaria jonë për Ilir Konushevcin e Hazir Malën është në të njëjtën kohë edhe realitet i ri, sepse Kosova anë e mbanë posaçërisht rrotull kufirit me Serbinë ka më shumë forca se kurdo herë më parë dhe në këtë mënyrë brezi i ri do të mund të punojnë, studiojnë e flenë të qenë në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet që mund t’i përngjajë agresionit të Serbisë në të kaluarën”, tha ai./rtk/ KultPlus.com
Komuniteti artistik në vend është hidhëruar nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Hermon Madhit.
Hermon Madhi ishte mësues i artit pamor, në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Dhimbjen për ndarjen si edhe ngushëllimet për familjen Madhi, i ka shprehur edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“Si shok klase në Lice, e kujtoj për stilin e tij unik, për mendimin e lirë dhe frymën moderne, për shpirtin rebel, por mbi të gjitha, për zemrën e tij të mirë. U prehsh në paqe Hermon”, shkruan ministri Gonxhja në rrjetet sociale.
Hermon Madhi ishte profesor i pikturës dhe historisë së artit, nip i piktorit Guri Madhi. /atsh/ KultPlus.com
U përurua zyrtarisht pavijoni shqiptar në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit dhe arkitekturës në botë.
Në prani të kuratorit të këtij edicioni, Carlo Ratti, u përurua pavijoni ynë me temën “Building Architecture Culture”, kuruar nga Anneke Abhelakh. I pranishëm ishte edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Pavijoni shqiptar ofron një reflektim të thellë mbi arkitekturën si një gjuhë shoqërore, një mjet për dialog, përfshirje dhe transformim.
Një moment i veçantë i përurimit ishte prania e disa prej emrave më të njohur të arkitekturës botërore si Bjarke Ingels, Winy Maas, si dhe përfaqësues të disa prej studiove më të njohura ndërkombëtare, një dëshmi e rritjes së vëmendjes që po tërheq Shqipëria në arenën globale.
Pavijoni shqiptar do të jetë i hapur për publikun nga data 10 maj deri më 23 nëntor 2025./ atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Hargreaves rikonfirmuan përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia dhe mbrojtja, ashtu siç edhe ka patur dakordim gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy.
Një pjesë e takimit iu kushtua Procesit të Berlinit, të cilën kësaj radhe do ta organizojë Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën që në agjendën e këtij procesi të prioritizohet çështja e personave të zhdukur me dhunë, si një detyrim moral dhe ligjor që nuk mund të injorohet në kuadër të paqes së qëndrueshme në rajon.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke parë mundësitë për një rol edhe më aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të rolit të grave në proceset paqësore dhe vendimmarrëse.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e saj në avancimin e proceseve demokratike dhe integrimin në organizata ndërkombëtare./ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me organizatën “Active Mobility” dhe partnerë të tjerë në lëmin e arkivave, çeli një ekspozitë fotografike, e cila ilustron përdorimin e biçikletës në Shqipëri, përgjatë shekullit të kaluar.
Në çeljen e kësaj ekspozite pranë instalacionit “Reja”, ishin të pranishëm anëtarë të komunitetit të çiklistëve, qytetarë dhe dashamirës të shumtë të dyrrotakut.
Materialet arkivore të ekspozuara hedhin vështrimin në historikun e biçikletës, që ndër vite u shndërrua në një mjet transporti mjaft popullor. Mes të tjerash, kjo narrativë fotografike dëshmon se ngarja e biçikletave në Shqipëri u përqafua së pari nga qyteti i Shkodrës, për të gëzuar më pas pëlqimin e mbarë vendit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 15 maj. Ky aktivitet pati mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Fototekës/Muzeut Marubi, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si edhe të një grupi koleksionuesish të pavarur. /atsh/ KultPlus.com
Galeria e Artit Bashkëkohor Tirana (“GOCAT”) vijon të mbajë dyert e hapura për ekspozitën e artistit nga Kosova, Faton Kryeziu – “Jeta dhe Vdekja”. Kjo galeri, dhuratë e Fondacionit Mane për komunitetin artistik, sjell 25 vepra në harmoni me njëra-tjetrën, por edhe me vetë hapësirën, në sajë të përkujdesjes nga kuratorja dhe studiuesja e artit, Suzana Varvarica.
Varvarica, tashmë njihet prej më shumë se 10 vitesh me piktorin. E njeh të gjithë krijimtarinë e tij; çfarë e frymëzon dhe e ngacmon Fatonin, por edhe çfarë e bën të jetë një piktor i talentuar. Për kuratoren, ekspozita “Life & Death” sjell botën simbolike dhe njëherazi racionalitetin e artistit, pikërisht me idenë e të përçuarit ndjesitë e përftuara para, gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë.
***
Njohja juaj me punën e artistit nga Kosova, Faton Kryeziu, daton herët. Në ekspozitën “Life & Death”, tensioni dhe emocioni janë ndjesi që e shoqërojnë artdashësin përgjatë gjithë vizitës. Janë këto ndjesi që Fatoni i sjell vetëm përmes kësaj ekspozite?
Është e vërtetë! E njoh Fatonin prej më shumë se 1 dekade. Në fillim, më ngjallte kureshtje se si një djalë i ri kishte vendosur të mbetej te piktura; kishte plot forma të tjera të artit bashkëkohor…Kështu, me kureshtje e interes, u takova me të. Tek Fatoni pashë një artist krejt të veçantë nga ato që unë isha mësuar të shikoja këtu në Shqipëri. Mes të dyve lindi menjëherë një komunikim i afërt për artin dhe nuk vonoi momenti kur Fatoni më propozoi që të kujdesesha për librin e tij “Tension & Emocion” – libër ky që përmbledh afërsisht 150 vepra. Më duhej të ndiqja në studio mënyrën se si ai punonte, se çfarë mendonte gjatë procesit, dhe pas njëfarë kohe lindi edhe libri i Fatonit; një emocion shumë i fortë i imi kundrejt punës së tij, që më nxiti ta titulloj “Tension & Emocion”.
Po ta ndiqni Fatonin duke punuar në studio, do të shikoni që është plotësisht jashtë vetvetes. Atë e mbulojnë emocionet për ngjyrën dhe është gjithë kohës në tension, që këto telajo të mëdha që ka edhe këtu (në hapësirën e Galerisë “GOCAT”), të arrijnë jo të mbushen, por të kenë një lloj simbolike të fuqishme për publikun që do të zgjedhë t’i shohë.
Sa rëndësi ka individualiteti dhe personaliteti artistik në suksesin e një ekspozite – në pranimin e saj nga audienca e gjerë dhe jo vetëm nga kritikë të artit?
Piktori nuk punon thjesht për kritikën, për kolegët e tij, nuk punon për të bërë konkurrencë sepse konkurrenca gjendet së brendshmi. Piktori, punon për t’u shkëputur si individ dhe artist. Nëse ai nuk shkëputet individualisht si një artist, atëherë ai mbetet si të thuash në sheshin e shumë artistëve të tjerë, të cilët mund të kenë një emër të përgjithshëm, por nuk kanë atë që është më tipike. Unë mendoj që Faton Kryeziu është shkëputur duke përdorur simbolikën brenda artit figurativ, brenda një pikture figurative që përfshin si të thuash një univers të tërë brenda sipërfaqes së saj. Kjo është çka e bën Faton Kryeziun të jetë i veçantë – simboli që lindi si rezultat i ndjesisë së barazuar me idenë. Pra, nuk kemi ndjesi pa ide dhe ide pa ndjesi, pavarësisht se të gjithë artistët e artit pamor tentojnë të thonë se “nuk nxitemi nga mendimet, por nxitemi vetëm nga emocioni”. Nuk është e vërtetë! Nuk mund të bësh absolutisht asgjë pa patur një ide në kokë. Çfarë mund të themi është se tek artistët ndjesia është shumë më e fuqishme se sa ideja, por jo se kjo e fundit nuk ekziston. Ideja ndryshon rrugës duke pikturuar, duke bërë një vepër arti…Ideja mund të ndryshojë, mund edhe të ketë një shkëndijë që të sjellë një ide tjetër.
Për ju, që gjithë jetën ia keni kushtuar artit, ekspozita e Faton Kryeziut duket se ju ka prezantuar më nga afër me ambientet e Galerisë “GOCAT”. Si e shihni këtë hapësirë të re të artit bashkëkohor në Tiranë për të gjitha ekspozitat e ardhshme që pritet të mbajë?
Kjo galeri është një nga galeritë më të bukurat që ka Tirana dhe e vlerësoj si të tillë sepse i jep ndjesi emocionale jo vetëm artistit, por edhe kuratorit; jo vetëm kritikës, por edhe vizitorëve. E them me bindje këtë gjë, se nuk është se kam parë pak galeri në botë. “GOCAT” funksionon me parametrat e një galerie private në New York, dhe kjo është diçka që më lumturon pamasë. Dua shumë që kjo galeri të bëhet e njohur edhe për të rinjtë e botës së artit, por edhe për ata të rinj që nuk merren me art, qofshin ato mjekë apo inxhinierë të së ardhmes, që e shohin atë si mundësi për të patur një perspektivë ndryshe për jetën./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilit i uroi mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në mandatin e tij të ri.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, njofton Klankosova.tv.
Në një postim në Facebook, ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka pasur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vend.
Presidentja ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në, veçanërisht në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Më tej, Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara.
Vera “Made in Albania” po bëhet gjithnjë e më shumë e njohur në tregjet e huaja.
Programi gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri bën të ditur se, një nga prodhuesit e verës në rajonin e Vlorës, është kantina e parë shqiptare që i është bashkuar Raisin, platformës më të madhe globale për verën natyrale.
Kjo platformë ka mbi 500,000 ndjekës dhe frekuentues nga më shumë se 60 shtete.
“Vera natyrale është më shumë se një produkt është një histori që nis nga toka, një përkujdesje ndaj natyrës dhe një mundësi për të çuar përpara enoturizmin shqiptar”, shprehen ekspertët e këtij programi. /atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtur heroin Ilir Konushevci, luftëtarin e UÇK-së, në misionin për lirinë e atdheut dhe mjekun Hazir Malaj.
“Sot, kujtojmë me respekt heroin Ilir Konushevci, luftëtarin e pathyeshëm të UÇK-së, në misionin për lirinë e atdheut. Bashkë me mjekun Hazir Mala, ata ishin të palëkundur në përkushtimin e tyre për liri, teksa hovi i tyre u ndërpre pabesisht në një pritë të organizuar, në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej dhe organizohej me vrull për ta çuar deri në fund misionin e saj çlirimtar. Vrasja e tyre ishte një humbje e rëndë për UÇK-në, por edhe një gur themeli për lirinë tonë dhe për shtetin për të cilin ranë, ndaj drejtësia për ta është obligim. Ata ranë bashkë, por u ngritën përjetësisht në kujtesën kombëtare si simbol i përbashkimit të dijes dhe armës, i guximit dhe humanizmit, i lirisë dhe sakrificës. Kujtimi për Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malaj është zotim i përhershëm për ta ruajtur lirinë e fituar me gjakun e tyre dhe për të jetësuar me dinjitet amanetin që ata lanë pas. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre”, tha Osmani.
Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim, në Bylis u zhvillua një takim në terren me përfaqësues të IKTK, AICS, Njësitë e Administrimit dhe të Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni-Bylis dhe konsulentët e kontraktuar.
Takimi kishte si qëllim koordinimin e punës për hartimin e projektit të Qendrës Multifunksionale dhe Planit të Konservimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e Planit të Menaxhimit të parkut, të cilin IKTK mbështet dhe ndjek me përkushtim, në funksion të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Parku arkeologjik i Bylisit shtrihet në zonën e Mallakastrës, rreth 1.5 km larg fshatit të Hekalit dhe rreth 8 km larg qytetit të Ballshit. Parku Arkeologjik i Bylisit dhe rrënojat arkeologjike të Klosit paraqiten sot si përfaqësuesit më tipikë të qytetërimin ilir në shekullin V-I p. Kr., dhe gjithashtu si një pol i ri për zhvillimin e turizmit kulturor me potencialin për të pasuar ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të krahinës së Mallakastrës. / atsh/ KultPlus.com
Dita e Evropës në Kosovë është festë zyrtare, derisa shënohet edhe me aktivitete të ndryshme. Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.
Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.
Schuman propozoi që anëtarët themelues të komunitetit – Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu – do të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët duke hequr taksat e importit dhe eksportit.
Ideja ishte pjesërisht me bazë ekonomike, propozimi i Schumanit vinte vetëm pesë vite pas fundit të Luftës së Dytë Botërore e cila la pas pasoja shkatërrimtare në kontinentin Evropian.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës./rtk/ KultPlus.com
Papa Leo XIV kremton Meshën e tij të parë të premten pas zgjedhjes së tij historike si papa i parë i Amerikës së Veriut, duke u takuar me kardinalët që e zgjodhën atë për të udhëhequr Kishën Katolike dhe për të ndjekur hapat e Papa Françeskut, i cili ishte i prirur drejt reformave.
Leo, misionari augustinian i lindur në Çikago, Robert Prevost, e habiti botën të enjten kur doli në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, duke kapërcyer ndalimin tradicional kundër një pape nga Shtetet e Bashkuara, transmeton Klankosova.tv.
69-vjeçari mbante pelerinën tradicionale të kuqe – të cilën Françesku e kishte shmangur në zgjedhjen e tij në vitin 2013 – dhe zbukurime të papatit, duke sugjeruar një kthim në një farë mase të ndjekjes së rregullave pas papatit joortodoks të Françeskut, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Por duke e quajtur veten Leo, papa i ri mund të ketë dashur gjithashtu të sinjalizojë një linjë të fortë vazhdimësie: Vëllai Leo ishte frati i shekullit të 13-të, i cili ishte një shoqërues i shkëlqyer i Shën Françeskut të Asizit, emnakut të të ndjerit papë.
Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.
Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.
Në vijim, KultPlus ju sjell poezinë ”Kënga e pranverës”, poezi kjo e cila ishte botuar edhe në New York Times Magazine” nga Chris Stephen.
Nuk do të jemi bashkë, jetërave tona po u afrohet fundi. Nuk do të njihemi, bashkë nuk do të takohemi, do të derdh lot, duhet ta dish se nuk ka shpresë më për mua, e kam dashur shpirtin tënd më tepër se veten. Shkrova për ty kujtimin që të mund të gjesh prehje. / KultPlus.com
Oh, do të kisha dashtë shumë që edhe ti t’kujtoje ditët e lumtuna të dashnisë tonë. Sa e bukur ishte jeta, e sa djegës ishte dielli. Me pirgje bijn gjethet e vdekuna. A e sheh: nuk kam harrue, gjethet e vdekuna bijn me pirgje si kujtimet e keqardhjet, dhe era e veriut merr gjithçka me vedi në natën ma të ftohtë që harron. A e sheh: nuk e kam harrue kangën që më ke këndue…/ KultPlus.com
Ai ishte një prej figurave më të ndritura që ka njohur albanologjia. Lindi me 25 shkurt 1877 në Bzenec, apo siç njihet ndryshe Bisenz, në jug të Moravisë dhe vdiq në rrethana tragjike, në maj të vitit 1942. Përveçse si albanolog, ai pati një kontribut të çmuar edhe si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar i Universitetit të Vjenës.
Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Skiroit, Naimit dhe traditës bektashiane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.
Është meritë e tij që, qysh në vitin 1914, u kryen në Vjenë regjistrimet e para të zanoreve në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Ai njihet si autor i shumë studimeve që trajtojnë kryesisht probleme etimologjike dhe çështje letrare të gjuhës shqipe.
Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb.
Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Ai u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij. Si datë e vdekjes së Norbert Jokl konsiderohet 6 maji i vitit 1942. / KultPlus.com
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Po shkëpusim një pjesë ku Faik Konica tregon për shqiptarët se si dhe sa i duan paratë.
Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”./ KultPlus.com
Nuk kalon nji natë e n’andërr porsi zgjandërr e shof nanën këtu përbri; me krye vjerrte, me lot për sy rri tue shfry njat idhnim që don me e gri Ndejun m’duket prap te votra ku me motra n’dritë t’kandilit qepte e arnote por njat gaz ka që i shndritte kur goditte petkat e djalit e shendote Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe kur nuk kishe fije idhnimi nëpër ftyrë e ngurron, si t’kenke gurit e, pshtetë murit lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë “T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë – thotë sa herë, – Afër nanës qe t’desh e t’ruejti; t’kishe mbyllë me duer te mia këtu te shpia njata sy qe mordja shuejti Afër vorrit tand nan-shkreta porsi bleta ishte sjellun tue gjimue e n’at bar qe kishte qitë për gjithë ditë ndonji lule kish kerkue…” …E mandej, si del nji krue tue bumue rreth e rreth prej brijes s’malit rrkaj i ulen lot’ per rrudha – Nuk asht udha nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit Kur n’kët shekull n’drit’ e qite kur e rrite me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh) “Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke, bir n’kët dhe nana jote a shqiptaria Mend e zemër për të shkriji e përtriji nam e lavd kur t’i vijë dita” Mbas fjalësh t’tua përherë shkova e t’ndigjova: shqiptarin’ nuk e korrita./KultPlus.com
Ai është një nga shkencëtarët më të spikatur të shekullit të 20-të. Studentët e psikologjisë në mbarë botën i referohen atij si “gjysh Frojdi”. Gjatë jetës së tij, disa e konsideruan një sharlatan, të tjerët një gjeni. Coco Chanel e ka quajtur feministin e parë mashkull – sepse ishte Frojdi, në mënyrë të veçantë, që u bë teoricien i revolucionit seksual,i cili shtyu gratë drejt idesë së të drejtave të barabarta.
Dy zbulime në veçanti e kanë siguruar ndoshta reputacionin e tij përjetë; ai zbuloi misterin e ëndrrës, dhe ishte personi i parë që doli me një teori universale për funksionimin e mendjes së nënndërgjegjeshme të njeriut.
Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.
Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.
Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.
Çdo gjë që ju bëni në shtrat është përsosmërisht dhe absolutisht e pranueshme. Me kusht që të dyja palët ta shijojnë.
Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.
Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.
Personi i parë që hodhi një fyerje në vend të një guri, ishte themeluesi i qytetërimit.
Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.
Ne jetojmë në një kohë krejt të çuditshme, në të cilën befasohemi tek vërejmë se progresi marshon në një hap me barbarizmin.
Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.
Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.
Ne nuk jemi kurrë aq të dobët, sa kur dashurojmë, dhe kurrë aq të palumtur e pa shpresë, se sa kur humbasim objektin e dashurisë.
Tregues i parë i idiotësisë, është një mungesë e plotë e turpit.
Njerëzit janë më shumë moralë se sa mendojnë, dhe shumë më tepër amoralë sesa imagjinojnë.
Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.
Çdo njeri normal është, në fakt, vetëm pjesërisht normal.
Gustave Flaubert (1821-1880) ishte një romancier francez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në historinë e letërsisë. Ai lindi në Rouen, Normandi, Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij atje. Babai i tij ishte mjek dhe vetë Floberi studioi drejtësi në Paris, por shpejt e braktisi këtë rrugë karriere për të ndjekur pasionin e tij për të shkruar.
Më poshtë gjeni fragmente nga libri i tij ‘Zonja Bovari’:
“…Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?… Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre larg në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht mos e gjente atë?
Oh! Sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Çdo buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzën dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar…”./KultPlus.com
Poezi e shkruar nga William Shakespeare Përktheu: Fan Noli
Kur isha i ri kisha dashuri, ah dashuri, E kisha zëmrën plot me lumtëri, Me nuse e me dasm’ e me kurorë, Isha si dash me brir’ e me këmborë, Po e pabesa pleqëri më theu, ah më theu, Me pançën e me thonjtë më mbërtheu, Më çthuri, m’arratisi në kurbete, ah kurbete, Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete. Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë, ah lopatë, Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë; Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë, ah moj baltë, Kështu e do kjo mysafir’ e naltë./KultpPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Papën e sapozgjedhur Leo XIV, pas zgjedhjes së tij në krye të Selisë së Shenjtë.
Në një postim në platformën X, Osmani ka shprehur urimet e saj në emër të popullit të Kosovës, duke e cilësuar këtë një moment shprese për mbarë njerëzimin.
“Në një kohë kur bota ka etje për paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të ketë peshë të madhe”, ka shkruar presidentja Osmani, duke uruar që pontifikata e Papës Leo XIV të karakterizohet nga qartësi morale, udhëheqje e qëndrueshme dhe përkushtim i thellë ndaj dinjitetit të çdo qenieje njerëzore.
Papa Leo XIV pason Papën Françesku dhe pritet të udhëheqë Kishën Katolike./KultPlus.com
Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal. Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina. Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina, Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.
E si shkon me hap të matur, më pushton një dhëmshuri: Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate, T’i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.
Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim, Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote. Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lotë, Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.
Të m’a shkelish hije- letë! të m’a shkelish mes për mes! Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar, Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar, E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes. / KultPlus.com
Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi ka ndarë me emocion lajmin se do të marrë pjesë për herë të parë në shfaqjen operistike “Tosca” të Giacomo Puccinit, ku do të interpretojë rolin kryesor. Ky angazhim shënon gjithashtu debutimin e saj në skenën e Operës Mbretërore Daneze në Kopenhagë dhe paraqitjen e saj të parë në Danimarkë.
“Një ëndërr që po bëhet realitet – Do të bëj debutimin tim në rolin e ‘Tosca’ nga Giacomo Puccini. Gjithashtu, do të jetë edhe debutimi im në shtëpinë e Operës Mbretërore Daneze Det Kongelige Teater në Kopenhagë”, ka shkruar Qerkezi
Produksioni do të hapë sezonin e ri artistik 2025/26 dhe do të vihet në skenë nga regjisori i njohur Kasper Holten./KultPlus.com