Andon Zako Çajupi, (27 mars 1866 – 11 korrik 1930), ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt. Mbiemri i tij i mesem i vërtetë ishte ÇAKO mirepo per arsye te panjohura me kohe i mbeti ZAKO.
Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë.
Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro.
Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Vepra letrare e Çajupit njihet si ndër të parat vepra satirike me botimin e “Baba Musa Lakuriq”. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratike dhe fryma popullore në brendi dhe në formë, Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara, Pas vdekjes dhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë./ KultPlus.com
Në ambientin e fshatit piktoresk të Kukajt, nisi mbrëmë edicioni i 15-të i Etno Fest 2025 – një nga ngjarjet më unike kulturore në Kosovë, që prej vitit 2011 ka ruajtur dhe promovuar identitetin kulturor përmes artit dhe trashëgimisë. I konceptuar si festival i kulturës tradicionale dhe bashkëkohore, Etno Fest sivjet u hap me një atmosferë të veçantë dhe program të pasur, që ndërthur artin, teatrin, muzikën dhe ekspozitat në hapësirat autentike të etnokompleksit të Kukajt.
Nga rrënjët e traditës në një festival ndërkombëtar
Etno Fest ka nisur në qershor të vitit 2011, me një program të larmishëm multimedial që përfshinte ekspozita pikturash, skulpturash dhe etnoeksponatesh, shfaqje teatrale studentore dhe nga skena shqiptare, performanca figurative, instalacione, koncerte, debate, promovime librash, biseda odash, këngë dhe lojëra të vjetra, si dhe ushqime tradicionale.
Përveç afirmimit të trashëgimisë kulturore dhe interpretimit të saj modern, festivali ka ndikuar në jetën e komunitetit të Kukajt. Falë Etno Festit, shumë banorë janë kthyer në fshat dhe të rinj të tjerë janë vendosur aty. Infrastruktura kulturore e Kukajt është zhvilluar ndjeshëm, duke e shndërruar këtë fshat në një destinacion me identitet të veçantë në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Sot, etnokompleksi i Kukajt përmban 12 skena, teatro dhe amfiteatro, një muze etnografik, dhjetëra galeri dhe stenda ekspozuese, furra tradicionale, oxhaqe, tre etno bare dhe dy restorante. Këtë vit, festivali është zgjeruar edhe me një skenë të madhe për ngjarje me mbi 1000 spektatorë. Me pjesëmarrje artistësh dhe grupesh nga vende të ndryshme, Etno Fest po konsolidohet si një festival prestigjioz ndërkombëtar.
Etno Fest si oazë frymëzimi për artin
Objektet përreth si “Oda Dauti” dhe “Kulla Dielli” e kanë futur fshatin në hartën e turizmit agro-kulturor. Kjo i jep artistëve mundësi të krijojnë vepra në prekje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë, duke ndërtuar lidhje kulturore me vizitorët.
Edicioni i 15-të u hap në një ambient të mbushur me art vizual: piktura dhe skulptura që trajtojnë tema si dashuria, dhembja, sakrifica, urtia, revolta e paqja, duke reflektuar për fuqinë e artit në përshfaqjen e emocioneve njerëzore dhe për identitetin kulturor që përcjellin.
Fadili Hysaj, ideatori dhe nikoqiri i Etno Festit, hapi festivalin me dramën “Dardha pas bunarit” me regji nga Ilirana Arifi dhe tekst nga Arta Arifi. Ai kishte konceptuar një hapje ndryshe këtë vit, duke ftuar mysafirët në një vizitë në ambientet e festivalit, të mbushura me ekspozita të artit pamor dhe instalacione.
Ekspozita që prekën zemrën
Ekspozitat e para u hapën me punimet e artistit Sabri Behramaj nën temën “Gjëma e Tokës”, që përmes skulpturave për Leutrimin dhe Nënë Salë të Jasharajve, trajtonin identitetin e dhembjes dhe sakrificës. Instalacioni me fotografi “Të kam në mendje” nga Malda Susuri provokoi emocione të fuqishme.
Ekspozita kolektive “Një dhe më shumë”, kuruar nga Nita Qahili, përfshinte gjithashtu ekspozitat personale të artistit turk nga Qipro, Umit Inaci, si dhe fotografitë e Yllka Fetahajt me titull “Identitet i fiksuar në fotografi”. Regjisori Ilirian Himaj prezantoi një ekspozitë me piktura ekspresive, ndërsa Gëzim Muriqi solli “Ridimensionime”, ku spikaste figura e Rozafës në dy dimensione.
Një tjetër vepër e veçantë ishte “Qilimi fluturues i gjyshes”, një punim i përbashkët i piktorëve Emona Deda, Laureta Vogliqi dhe Ron Halili, i realizuar në platonë – një hapësirë e re që synon të bëhet oazë e përhershme frymëzimi për artistët.
Fjala e mirëseardhjes dhe shfaqjet artistike
Pas prezantimit të ekspozitave dhe punimeve, Fadil Hysaj i dha fjalën kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për të shpallur të hapur edicionin e 15-të të Etno Fest-it. Rama e vlerësoi festivalin si një ngjarje që përfaqëson shpirtin krijues të Prishtinës dhe Kosovës, duke e quajtur atë një “vendart” që na bën krenarë.
Pas ceremonisë së hapjes, performoi grupi folklorik nga Gostivari, Maqedonia e Veriut, ndërsa në “etno nejë”, atmosfera u gjallërua nga këngëtarja Malda Susuri e cila solli këngë të përpunuara nën shoqërimin e bendit të saj.
Etno Fest 2025 sapo ka filluar dhe pritet të vazhdojë me aktivitete që ndërthurin të kaluarën me të tashmen, traditën me bashkëkohoren, duke krijuar kështu një platformë unike për shprehjen kulturore në zemër të Kosovës./KultPlus.com
Pas muajsh pune të kujdesshme në laboratorin e restaurimit të Muzeut “Onufri” në Berat, restauratori Erion Lezi përfundoi me sukses ndërhyrjen në ikonën “Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë“.
Muzeu “Onufri” bëri të ditur se restaurimi i kujdesshëm jo vetëm që i ktheu ikonës bukurinë origjinale, por siguroi edhe mbrojtjen e saj për brezat që vijnë.
“Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë” është një vepër e rrallë, me origjinë nga kisha e “Shën Triadhës” në Kalanë e Beratit , të cilës iu rikthye drita dhe dinjiteti i saj artistik. Ikona është realizuar në vitin 1805, por nuk i njihet autori. Tashmë ajo është e ekspozuar për herë të parë në Muzeun “Onufri” si një thesar i çmuar ikonografik./atsh/KultPlus.com
Shkruan: Vera Pelaj ( Ky shkrim që është realizuar më herët, botohet me shkas, për shënimin e 90-të vjetorit të lindjes së shkrimtarit Agim Gjakova)
Fotografia: Sevdail Sulejmani
Kush (cili) është Agim Gjakova?
U lind më 1935. Bir i dy mësuesve gjakovarë, i Demushit, oficer demokrat në ushtrinë e Fan Nolit si kryeministër, drejtor didaktik arsimor i tri nënprefekturave, Gjakovës, Malësisë dhe Podrimjes, kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar, i burgosur nga Italia fashiste, i torturuar dhe pas demonstratës që u bë në Gjakovë për lirimin e tij, gjatë së cilës u vra Shani Nushi, u plagosën të tjerë, u rrahën e gjakosën njerëzit, u lirua nga burgu që të vdiste në shtëpi në vitin 1943. E ëma Emine Gjakova – Shehdula e rriti në frymën atdhetare, kur spikati edhe axha i tij Haki Taha që vrau Milladin Popoviqin.
Agim Gjakova mbaroi shkollën Normale në Gjakovë dhe shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Fryma atdhetare nuk e la të qetë edhe atje dhe bashkë me shokët formoi shoqatën e studentëve shqiptarë në Beograd, “Përpjekja”, në gojën e ujkut, në kohën kur sundonte Rankoviqi dhe torturoheshin e vriteshin shqiptarët e Kosovës në reprezaljen e ashtuquajtur aksioni për mbledhjen e armëve.
U burgos tri herë. Me gjithë torturat ku ia thyen edhe dhëmbët, nuk pranoi asgjë]. I thanë “Ti je i ndërgjegjshëm politikisht dhe me ty nuk bën fajde dajaku. Duhet të ta shkatërrojmë sistemin nervor që të dorëzohesh. Kishte metoda edhe për këtë. Por Agim Gjakova nuk firmosi asnjë shkresë.
Megjithëkëtë Agim Gjakova u tha se nuk ishte dhe nuk do të jetë për Jugosllavinë, se Jugosllavia nuk u ka bërë strehë të barabartë shqiptarëve dhe për trajtimi e familjes së tij dhe vetë atë pa bursë… Po theksoj, se studenti Agim Gjakova pothuajse nuk dinte ç’ishte të hante mëngjes se nuk kishte. Paguante vetëm drekën dhe konviktin dhe darkën herë me bukë e herë pa bukë.
Pasi ia hoqën shtetësinë me arsyetimin se kishte lindur jashtë Jugosllavisë, herën e tretë e arrestuan dhe e dërguan në kampin e përqendrimit dhe i thanë se “Nuk del më kurrë i lirë në tokën e Jugosllavisë”. Morën përgjigjen se “nuk më ka marrë malli për tokën e Jugosllavisë, por për Kosovën time.” Dhe me 27 maj të vitit 1960 vetë zyrtarët e UDB-së e nxorën fishek në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për Jugosllavinë. Ky ishte shkau.
Po si e priti atdheu si të riatdhesuar? Duke dashur t’i bëjnë luftë nervash e lanë për tre muaj e gjysmë pa punë dhe pa pagë. Familjes (nëna dhe një teze që u dëbuan bashkë me të) i dhanë një ndihmë tre mijë lekë për gjithë atë kohë, që ishte sa gjysma e rrogës mesatare në Shqipëri në atë kohë. Qëlloi që në tre katër ditë në javë të hante bukë me dhallë në gjendje shëndetësore të pasburgurt. Por stoicizmi i Agim Gjakovës, në përballje me buzëqeshje dhe humor, aq karakteristike për të gjatë gjithë jetës edhe sot e kësaj dite, e përballoi edhe atë sfidë. Kërkoi të vazhdonte studimet. Më në fund pas dy vjetësh i dhanë mundësinë të vazhdonte studimet për gjuhën angleze dhe shqipe në Tiranë.
Kam në kompjuter dosjen e Sigurimit të Shtetit për Agim Gjakovën. Drejtoresha e Autoritetit të trajtimit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit i tha kur po ia dorëzonin se “Juve do të jua japim dosjen të plotë, pasi nuk keni pisllëqe vetë, por të tjerët kanë për ju. Dhe bashkë me dy të tjerët ju keni qenë, siç themi, gjak e lak me Sigurimin.”
Dhe çfarë dosje se! Për pothuajse mbi njëzet e sa vjet u mbikëqyr, u vëzhgua, u përgjua, u hetua në Shkodër, Kukës, Berat, Lushnjë e Fier, Mirditë, Durrës, Kavajë etj. për ndonjë lidhje të këtij agjenti të rrezikshëm. Një dosje prej njëmijenjëqindenjëzetetetë faqe.
Në dosje figurojnë njëqind e katër emra: drejtorë të Sigurimit të Shtetit, drejtorë drejtorish, oficerë dhe operative, dy ministra, dy zëvendësministra, të cilët janë marrë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me Agim Gjakovën, si armik i rrezikshëm kundër partisë e pushtetit, si agjent i mundshëm i UDB-së.
E çka s’ka në këtë dosje! Në një anë Agim Gjakova e në anën tjetër një ushtri e tërë. Sfida e buzëqeshjes, nëse për miq e shokë tejet e përzemërt, për këtë ushtri edhe sfiduese dhe ironike. E pyetëm Agim Gjakovën se si kanë qenë mbikëqyrja, vëzhgimi, përgjimi. “Ishin të egra, banale, vulgare, me presion psikologjik.” Dhe siç thonë u mbush kupa. Në vitet shtatëdhjetë i shkroi letër ministrit të brendshëm ku trajtoi çështje kombëtare, të marrëdhënieve me Kosovën dhe me vëllezërit kosovarë. Kur e lexon atë letër njeriu i bën pyetje vetes: Çfarë guximi vetëvrasës është ky?
Po citoj pak nga shënimi i ministrit të brendshëm, Kadri Hazbiu, që ia dërgon drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli: “E studiova me vëmendje letrën që më dërgon sh. Agim Gjakova. Mendoj se shqetësimi i tij… është legjitim. Por më duket se ky ka një sërë pakjartësish… Po ashtu tregohet i ngutur e jo me respekt ndaj shokëve që e kanë këshilluar e skjaruar – siç thotë ai vetë. Me sa duket nuk kupton mirë se këto çështje i trajton – si gjithnjë partia dhe organet përkatëse të pushtetit në një gamë të gjerë…”
Po çfarë shkruan, ndër të tjera, në atë letër, Agim Gjakova:
Se politika e Shqipërisë nuk ka qenë në mbrojtje të Kosovës në vitet 1944. Vetëm tani kur ndryshuan rrethanat filloi Shqipëria të interesohet për Kosovën … Shoku Enver nuk është interesuar aq sa duhet për popullin e Kosovës deri tani … në rast të krijimit të situatës së përleshjeve në Jugosllavi nuk besojmë se Shqipëria do të na vijë në ndihmë… sikur mungon vullneti, kjo u pa më katërdhjetekatrën – si mund të pretendohet të krijohet afiniteti, afërsia shpirtërore me kosovarë, kur nuk është krijuar me ne që ndodhemi këtu – se kosovarët në Shqipëri nuk trajtohen mirë e tjerë e tjerë…
Natyrisht se Agimi nuk i kuptonte këto, as ministrin as Enverin, por lëshon batutën ironike se “Nuk mund të lejoj që fjalët e shokut Enver të kthehen në demagogji”. O tempora o mores!
Agim Gjakova nuk kupton kur shtron pyetjen se ç’duhet bërë për Kosovën. Kjo i vë në siklet se si t’i përgjigjen. Dhe në bisedë me drejtorin e Sigurimit të Shtetit, zëvendësministër i brendshëm, Rexhep Kolli nuk merr asnjë përgjigje, por rrotullime fjalësh. Dhe Agim Gjakova, megjithëse e dinte, me buzëqeshjen e tij kupton se Enver Hoxha u ka dhënë urdhër që vetëm të bëhet ndonjë farë propagande për Kosovën dhe asgjë më shumë.
Agim Gjakova nuk kupton kur ua përplasë në fytyrë qëndrimet partiake e shtetërore se “Kosova nuk është pjesë e atdheut, kosovarët janë të gjithë nacionalistë borgjezë” etj.
Dhe i mëshon pohimit: “E them haptazi se ka pasur individë që kanë thartuar fytyrat kur më kanë parë me shokët kosovarë. Unë kam guximin ta them, ashtu siç e kam thënë edhe më parë, të gjitha pakënaqësitë apo padrejtësitë e shkaktuara nga qëndrimi i personave të ndryshëm ndaj meje”. E thërrasin dhe ministri i thoë se “je shprehur pa respekt për oficerët e sigurimit”, dhe ky u përgjigjet “ jo për të gjithë, jua jap emrat”.
Ku e ka marrë gjithë këtë guxim që të provokojë deri në sferat më të larta të diktaturës!
E pyesim: Si ke guxuar ta provokosh një shtet diktatorial me aq e aq krime? “Platforma e mbrojtjes sime ka qenë ”qëndroj dhe nisem nga pozicioni që Shqipëria të zhvillohet, të ecë përpara, duke theksuar si vërejtjet e mangësitë, si shtrembërimet e tendencat negative, si edhe provokimet, për të cilat kisha përgatitur edhe kundërpërgjigje në rast se do të më akuzonin, të paktën mos të më zinin në fjalë, pasi dihej se e kishin dorën e gjatë shtatë pash për të bërë ç’iu tekej e ç’të donin”.
Po bërtas edhe një herë: O tempora, mores! Siç thonë në Shqipëri të gjithë këta po bënin një vërë në ujë. E kishin nga ethet për karrierë, për përfitime partiake dhe nga urrejtja, që, siç janë shprehur në ministrinë e brendshme, “po na duket toka rëndë kah po shkel ai në Tiranë!”.
Sfida ironike bëhet edhe më e mprehtë e Agim Gjakovës. Më lejoni të tregoj vetëm një rast: Në hotel “Dajti” në Tiranë, që ishte vetëm për të huajt, ku nuk guxonin kurrsesi të hynin vendësit, Agim Gjakova nuk ka pyetur për Sigurimin. Ka takuar vëllezërit e tij. Një rast tek po priste pranë sportelit që të zbriste në holl nga dhoma një shok i tij i ardhur nga Kosova, i afrohet një operativ i Sigurimit dhe zhvillohet kjo bisedë:
– Kosovar je ti? – Po. – Ke ardhur nga Çerma? (Vend ku ndodhej kampi i kosovarëve) – Po. (Agim Gjakova nuk ka qenë atje). – Sa ke në Çermë? – Gjashtë muaj. – E paske mësuar mirë gjuhën shqipe. – Po. Unë jam gjeni dhe e mësoj një gjuhë të huaj shumë mirë për gjashtë muaj.
Pas raportimit të këtij e thërrasin dhe i thonë: “Pse tallesh me oficerët e Sigurimit?” “Nuk tallem unë, por ata me vetveten.”
Hiç më mirë edhe ministrin e dytë, Hekuran Isai, dhe drejtorin e dytë të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, një kriminel sadist.
Agim Gjakova kërkon të shkojë në Gjermani për temën e një romani me subjekt nga jeta e shqiptarëve të Kosovës. Dhe ku se? Kërkon nga regjimi i një shteti që e kishte mbyllur vendin në karantinë. Por natyrisht shënohet: “Kjo kërkesë mund të jetë një tentativë për të matur pulsin e organeve tona ndaj tij… shpreson se duke shkuar jashtë shtetit edhe mund të mos kthehet më këtu.”
E pyesim Agim për këtë nëse vërtetë besonte se do ta linin. Si zakonisht buzëqesh dhe përgjigjet: “Ata nuk i linin as anëtarët e partisë, madje edhe me përgjegjësi, pa le mua! Por edhe sikur të më lëshonin nuk e kisha ndërmend të largohesha nga Shqipëria.” Dhe këtë provokim e bën edhe në Byronë Politike, letër drejtuar Ramiz Alisë, e cila është në dosjet e Komitetit Qendror të PPSH-së. Dhe i vjen përgjigja që aparati i Byrosë Politike i kishte dërguar kërkesën Ministrisë së Brendshme, e cila. nëpërmjet të Zylyftar Ramizin, i thuhet Agimit se “nuk kemi siguri për të”, pra insinuata se Agimi do ta tradhtojë Shqipërinë, kurse ia interpretojnë se mund ta eliminojë UDB-ja. Kjo e dyta përgjigje ironike. Pra, dhe dyshohet si agjent i saj edhe paskan frikë se ajo ta eliminojë.
Por sfida e Agim Gjakovës, një sfidë që mund të karakterizohet përsëri guxim vetëvrasës, sido që të jetë kuptohet edhe nga Sigurimi. Po citoj drejtorin e Sigurimit: “Kuptohet se qëllimi i tij ishte për të matur pulsin, për të mësuar nëse qëndrimi i shokëve të Degës së Veçantë ishte si individë, apo qëndrim i instancave më të larta.”
Renditen pseudonimet e dyzetekatër spiunëve, të ashtuquajtur bashkëpunëtorë. Disa prej tyre Agim Gjakova i njihte dhe nëpërmjet tyre bënte edhe lojë me Sigurimit. se ata kishin frikë nga ndonjë farë organizimi jashtë partisë dhe jashtë strukturave shtetërore dhe Agim Gjakova i sfidon me atë guximin vetëvrasës, duke iu thënë se “dëgjojeni shefin ju” për veten, se duhet kështu e ashtu e të tjera që t’ua çonin fjalët e tij Sigurimit, por në disa raste shënimi është se Agim Gjakova e ka kuptuar spiunin.
Por hiç më lehtë nuk e ka pasur edhe në botën letrare: me refuzime për botim, me akuza deri në të përbindshmet që mund ta çonin në pushkatim ose burgim dhjetëvjeçar. Dhe përsëri buzëqeshja sfiduese, hera herë ironike. Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1967 Agim Gjakova diskutoi për trajtimin në letërsi me subjekt nga jeta e shqiptarëve të Kosovës, për të cilën jetë ju e dini se si ka qenë. Iu ndërpre fjala, sepse Agim Gjakova shtroi para të pranishmëve tezën se “atdheu është më i madh se shteti”. U prit me kënaqësi e miratim të heshtur në sall se – kush guxonte ndryshe – por u sulmua nga elita partiake se “shfaqte dyshime” ndaj politikës së partisë dhe se kufijtë e shtetit, pra edhe të atdheut, i paskësh përcaktuar saktë Stalini.
Në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve ku duhej të kritikohej Agim Gjakova për veprën “Në kërkim të së vërtetës”, ku u tha, ndër të tjera,“Ti do ta gjesh të vërtetën? Të vërtetën e ka gjetur Partia”, etj. njëri prej kolegëve e krahasoi veprën e tij me mullarë të kashtës që i merr era dhe Agimi iu përgjigj: “Ata nuk janë mullarë kashte të Myzeqesë, por të Kosovës.” Kjo vepër u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin.
Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë, me porosi të Sektorit ideologjik të Byrosë Politike të KQ të PPSH, u organizua një takim i ngushtë prej tetë vetash, ku u akuzua se është kundër ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit, si edhe për hermetizëm e luftënxitës, se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë, siç iu tha, dhe Agim Gjakova u përgjigj: Çudi se si qenkam kaq i fortë që të shti në sherr dy shtete!
E ç’të ju them, e ç’të ju them! Të përballësh me një ushtri të tërë… Ç’i thuhet kësaj!?
Agim Gjakovës i pëlqen të pijë kafe të fortë, na ka ndaluar që në tavolinë të bëjmë biseda serioze, se thotë se i kanë ardhur në maje të hundës, pasi për tridhjetë vjet çdo muaj ka dëgjuar shtatë tetë mbledhje gjoja serioze, për të mos përmendur aksion e të tjera edhe ditën e diele.
Është një hazerxhevap i madh, nuk di të shajë, nuk merr nëpër gojë askënd, bën humor mirëdashës me shokët e shoqet, tregon anekdota që i di me thes e të tjera. Nuk i dhimbsen paret që shpenzon me shoqërinë.
Unë nuk mund t’ia shpërblej kurrë ndihmën që më ka dhënë, vetëm se kur shkoj në katund në shtëpinë time, më porositë që t’i sjell bukë kallamoqe të gatuar mirë. Ky është shpërblimi që ia bëj. E them me mburrje që kam nderin dhe kënaqësinë që të jem në shoqëri me të. / KultPlus.com
Piktura, bashkë me muzikën dhe artet përgjithësisht, është një nga mrekullitë më të mëdha të shpirtit njerëzor. Sa i përket pikturës secili dëshiron ta kuptojë atë, jo vetëm për të vënë në spikamë qëndrimin e tij ndaj së bukurës dhe estetikës, por shpesh edhe për të dëshmuar shijen e vet fine ndaj pikturës. Se kjo i bënë ata të duken më të avancuar kulturalisht dhe më të edukuar në sytë e të tjerëve. Secili njeri flet për të, e interpreton në mënyrën e vet, duke gjetur diç esenciale, shpirtërore në të. Por, në këtë rast, unë dua të kaloj përtej një identifikimi, vlerësimi dhe shijimi të një vepre apo të disa veprave të vetme arti që do të mund të më pëlqenin dhe që mund ta bëjë çdo kush. Fare lehtë do të zgjidhja një a dy piktura të njohura dhe do të thosha: ja kjo është shija ime… Dhe, ato do të mund të ishin vepra të shtrenjta të pikturës botërore, apo vepra të mëdha të piktorëve tanë… Përtej kësaj, kam pritur shumë gjatë për një rast që të shpreh respektin e merituar për një plejadë të tërë piktorësh tanë, në Kosovë, të mjeshtërve dhe emrave të shquar të një plejade të tërë artistësh figurativë të këtij trualli që lanë gjurmët e tyre në artin tonë figurativ
Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në kuadër të rezistencës së gjerë shoqërore në Kosovë, ishte edhe ai që quhej “art i rezistencës” që përfshinte angazhimin e pothuajse të gjithë artistëve dhe piktorëve të Kosovës, të njohur e më pak të njohur, që përmes artit të tyre figurativ u bënë pjesë e këtij manifestimi të hapur estetik të protestës si formë e kundërshtimit dhe refuzimit të realitetit që i ishte imponuar Kosovës. Si dukej dhe si qe e mundur përthyerja e një arti të tillë në atë atmosferë ngulfatëse për artet dhe për tërë jetën kulturore në Kosovë? Dhe, cili ishte efekti?
Arti qe kultivoi kjo plejadë ekspozuese e artistëve tanë ishte i kuptueshëm, i shprehur kryesisht përmes tablove realiste ku dominonte ngjyra e zezë, pa avangardizmin abstrakt që nganjëherë rezulton me shpërthime të rastësishme. Ishte art me preokupim dhe tematikë të njohur për ne, artikulim i identitetit tonë në këto hapësira, i këndimit artistik shpirtëror të njeriut tonë në ecjen e tij nëpër histori dhe aktualitet. Kishim të bënim me personalitete te ndryshme artistike, qasjesh e stilesh, por me një vijëzim të identitetit tonë etnik, historik, kulturor. Por që tani reflektohej si revolt. Si tek veprat e Rexhep Ferrit të torzove domethënëse, Muslim Mulliqit, të Engjëll Berishës, tek Gjelosh Gjoka, Shyqri Nimani, Zake Prelvukuaj, Nebih Muriqi, me imazhet e lashtësisë shqiptare-pellazgiane në ciklin e tij “Pellazget”, tek Hysni Krasniqi, Mustafa Ferizi, Hajrush Fazliu, Esat Valla, Eshref Qahili, Gani Gashi, Mehmet Behluli, e të tjerë. Atëbotë disa prej piktorëve të shquar ishin “strehuar” nën ciklin e “Dardanëve” ku bëhej trajtimi i identitetit historik, kulturor, mitologjik, gjenetik i qenies sonë, që ishte në atë kohë një angazhim plotësisht patriotik i artistit tonë mes dyzimesh që cytnin dellin dhe talentin artistik krijues dhe dëshirës për të kontribuar si ndërgjegje dhe zë patriotik. Dhe, këtë e shprehnin jo në institucionet e tyre të zakonshme por nëpër kafe-galeri, në holle dhe hapësira të hapura korridoresh…
Gjatë luftës shumë prej këtyre piktorëve iu shkatërruan veprat jetësore. Punime të tëra të famshme u dogjën, u grisën, u demoluan, apo u hodhën nëpër koshë mbeturinash. Shqiptari nuk duhej të ishte piktor! (Por, jo vetëm piktorët humbën veprat e tyre – më kujtohet skulptori nga Drenica, Aziz Islami, i cili arriti në Prishtinë kur nisi lufta në Drenicë dhe pikëllimi i tij më i madh ishte se si skulpturat me portretet e personaliteteve të njohura kombëtare, që kishte bërë ai vetë, kishin mbetur tani të hedhura dhe të rrëzuara nëpër arat dhe përrenjtë e vendlindjes së tij, pasi ishin shkatërruar nga pushtuesi!)…
Kam menduar që ky të jetë një dorështrëngim për piktorët kosovarë të paraluftës, ndërkohë që korifenjtë e mëdhenj të pikturës shqiptare janë në që ty anët e kombit, sidomos në Shqipëri. Mirënjohja për ta ka të bëjë me vlera të vërteta arti. Emrat e tyre janë të shumtë dhe ata paraqesin një dëshmi të pasurisë së qytetërimit shqiptar.
Në një aspekt më të gjerë, ndërkaq, piktura shqiptare në përgjithësi ka pasur një traditë dhe vlerë të paçmuar. E kam fjalën si për emrat e lashtësisë së pikturës shqiptare, si Onufri i Korçës, Viktor Karpaçi i shkollës veneciane, etj. E deri në piktorët modernë. Por ajo që më ka intriguar gjithmonë në këtë aspekt është ajo se si piktorë të njohur të huaj, që nga Renesanca, kanë pasur shqiptarët si objekt të pashmangshëm të brushës së tyre? Si ndodhi që piktorë si francezi L. Zherom, që pikturonte “arnautët” me fustanellë, Hobhaus i pasionuar me peizazhet shqiptare dhe Thomas Filips, që bëri portretin e Bajronit në kostum shqiptar, të bënin disa prej portreteve më të mira të shqiptarëve që stolisin muzetë europiane? Apo, se si bën që gruaja shqiptare ishte objekt i pothuajse çdo portretuesi europian që nga shekulli shtatëmbëdhjetë e deri tek ai nëntëmbëdhjetë? Që të gjithë këta piktorë i referohen bukurisë së gruas shqiptare, portretet e së cilës dekoronin salonet dhe shtëpitë aristokrate anembanë Europës.
Sa mirë do të ishte që të mblidhen të gjitha këto “Monaliza” shqiptare në një botim të vetëm reprezentativ dhe të ruhej në çdo shtëpi të shqiptarit…
Kur dashuroheshim në kohën tonë, Kur tretesha dhe digjesha për ty, Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë, … Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë, Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim Me biçikletë a mushkë apo me kalë Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.
Kur dashuroheshim në kohën tonë Me zor na vinin letrat fshat-qytet Nuk kishim nëpër dhomë telefon Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.
Megjithatë më mirë që nuk kishte As telefon, as internet, as faks, Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste Një dashuri të vjetër për një çast./KultPlus.com
Më 11 korrik të vitit 1811, lindi Johan Georg von Han. Ishte albanolog gjerman dhe diplomat në shërbim të Austrisë. Më 1847- 1850 ishte nënkonsull i Austrisë në Janinë për Shqipërinë e Poshtme, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe.
Ndërmori një udhëtim të gjatë në krahinat perëndimore të Shqipërisë deri në Shkodër.
Botoi veprën: “Albanische Studien”, Vjenë 1854 (Studime shqiptare), në 3 vëllime që njihet një nga veprat kryesore. Në këtë vepër ai thekson se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i emërtimeve të dikurshme ilire.
Ai zbuloi fjalëformuese ilire që janë emrat e sotëm të shqipes. Arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e dretëpërdrejtë e ilirishtes.
Hani konstaton: “ Kufiri i sotëm i dy dialekteve të shqipes ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kalon përgjatë përgjatë lumit të Shkumbinit, ashtu si ndahej në lashtësi Iliria me Epirin gjatë rrugës Egnatia.”
Vepra e dytë: “Reise durch die Gibite des Drin und Vardar”, 1867 (Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit), si dhe “Studime për gojëdhënat, Përrallat greke e shqiptare” në 2 volume.
Konkluzionet e Hanit në fushën e gjuhësisë u mbështetën nga Demetrio Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, nëpërmjet një gramatike që botoi në Livorno më 1864.
Në fushën e etnografisë konstatoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit” në viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” në Mat e Dibër. Vëll. II e III i “Studimeve shqiptare” u kushton kryesisht çështjeve të gjuhës.
Shkroi më gjerë për prejardhjen e shqipes; për këtë ai shfrytëzoi edhe burimet antike greke që bënin fjalë për karakterin jo grek të ilirëve, epirotëve dhe maqedonasve.
Ai shfrytëzoi toponiminë dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh shqiptare ishin emërtime të dikurshme ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe ishte i mendimit se ilirishtja është gjuhë pellazgjike.
Sipas tij ilirët ishin një nga degët themelore të popllsisë paleoballkanike që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.
Ai ishte i vendosur për autoktoninë e shqiptarëve.
Gjatë studmeve të tij rreth Shqipërisë, ai shtronte pyetjen:
“Nëse populli i fuqishëm shqiptar që sot mbush tërë Epirin e Vjetër e të Ri, që nuk dinë sllavisht, si dhe një pjesë të Ilirisë në kuptimin e ngushtë, është pasardhës i ardhësve sllavë apo është pasardhës që u rrit natyrshëm dhe shpërtheu me forcë nga një bërthamë jetësore, e pashkatërrushme, e asaj popullsie të lashtë epiriote, që u robërua nga falangat dhe legjionet, që u spërkat nga elemente sllave, por që nuk u nënshtrua plotësisht.”
Rreth kësaj çështjeje mund të hedhë dritë të mjaftueshme vetëm historia e kontinentit ilirik dhe analiza filologjike e gjuhës shqipe, çështje të cilat qaseshin në veprën e tij.
Ai i dha një sfond gjuhësor shqipes nëpërmjet veprës së tij, “Albanische Studien”, ku në atë punim ka rreth 6000 fjalë dhe vetë fragmentet historike janë renditur dhe plotësuar me aq art, saqë, më në fund u zbuluan konturet e paqarta të historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilat kishin munduar bashkohësit e tij albanologë.
Studime shqiptare
A janë autoktonë shqiptarët?
Shqipëria nuk ka një histori të pandërprerë. Si në botën e re dhe të vjetrën emri i këtij vendi del vetëm atëherë kur rrjedha e ngjarjeve në të lidhet ngushtë me të fqinjëve të saj; sapo pushon ose sapo vihet në dukje kjo lidhje, vendi futet prapë në errësirën e tij të lashtë e kështu ndosh që një histori e tërë e brendshme kufizohet vetëm në disa fragmente, që sillen rreth disa përsonaliteteve të shquara ose rreth një peme gjenealogjike (të prejardhjes) të disa dinastive të vogla.
Po kështu, historia na tregon se pas kohës në të cilën marrim rishtas njoftime për këtë vend, ai banohej nga një popull që nuk fliste sllavisht, por një gjuhë që quhet shqipe dhe shpejt ky popull u bë aq i fortë, saqë shpërtheu përtej kufijve të tij e gjatë shumë shekujve ndërmori shtegtime masive në të gjitha drejtimet.
Madje ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte pushtimi që u vuri një pritë të fuqishme, këto shtegtime do të kishin vazhduar një kohë edhe më të gjatë.
Në kohën tonë ky popull kufizohet mprehtësisht me fqinjët e tij sllavë si në lindje dhe në veri dhe në mesin e vendit elementi sllav është zhdukur tërësisht; por, nga ana tjetër, në pjesën e mesme të këtij vendi u dynd një element tjetër i huaj, ardhësit sllavë.
Nga sa u tha këtu del se Shqipëria dikur, duhet të jetë ndodhur në të njëjtat rrethana lidhur me elementin sllav, si Greqia, dhe se për këtë arsye historianët e saj janë të detyruar të pranojnë një periudhë sllave.
Por, në qoftë se banorët e hershëm sllavë të Shqipërisë i kanë bërë vend aty një populli tjetër, të ndryshëm prej tyre, dhe tani ky popull është zotërues i vetëm e i padiskuueshëm i bërthamës së këtij vendi, atëherë lind një pyetje tjetër lidhur me kombësinë e këtij vendi.
Ç’ janë shqiptarët?
A rrjedhin ata nga banorët e lashtë të këtij vendi dhe koha sllave është vetëm një ndodhi në historinë e Shqipërisë, apo edhe ata si sllavë kanë ardhur në këtë vend në kohën historike dhe formojnë shtresën e tretë të popujve, e cila gjendet sot në truallin shqiptar dhe nuk lidhet me ndonjërën nga shtresat e mëposhtme.
Këta qeveriseshin nga prijës vendas, kurse linkestët gjendeshin nën sundimin e Arrabeut, që ishte nga fisi i bakiadeve.
Nga epiriotët, më në fund, ishin molosët, nën Pirron, birin e Akilit, që siç del, ishin thesaliotë. Të tjerët qeveriseshin nga prijës vendas. Herë njëri e herë tjetri, nga këto qytete të vogla arrinin të sundonin mbi të tjerët, derisa, më në fund, të gjithë ranë nën sundimin e maqedonasve, me përjashtim të një rripi të vogël tokë në bregdetin jonian.
Tani Linkestia, Pelagonia, Orestia dhe Elemia quheshin Maqedoni e Sipërme. Disa e quajnë Maqedoni edhe tërë vendin deri në Kërkyrë (Korfuz), duke u bazuar në faktin që prerja e flokëve, dialekti, veshja e të tjera ishin të ngjashme.
Të afërmit veriorë të këtyre pellazgëve, që banonin në Epir, Maqedoni dhe Iliri ruajtën gjuhën e tyre derisa erdhën bullgarët në Maqedoni dhe serbët në Iliri, dhe ajo që mbijetoi nga mbeturinat pellazge në ato vende kaloi edhe gjuhësisht tek adhësit. Shqipëria gjithashtu u mbishtresua nga serbët e bullgarët, por këtu elementi i popullit të lashtë ngadhënjeu mbi ardhësit dhe i asimiloi edhe gjuhësisht. Nga kjo pikëpamje shqiptarët e meritojnë emrin pellazgë të rinj, të paktën po aq sa edhe grekët e rinj emrin e tyre dhe kjo nuk është e vogël si dëshmi për drejtësinë e asaj që emri i lashtë i shqiptarëve u ruajt në gjuhën e ndonjë populli të huaj.
Çifutët grekë, vllahë, turq dhe arabë që jetojnë në Levant i quajnë shqiptarët peleshtim domethënë pellazgoi dhe gjermanisht Filister. (Johaness Georg von Hahn)
Shumë vjet pasi kishte botuar Albanische Studien, Hani bëri një udhëtim nëpër Shqipëri të Veriut, të cilën e përshkroi në një vepër të veçantë.
Në faqen 13 të kësaj vepre thotë:
“…edhe sot e gjithë ditën, krejt fushën që shtrihet në breg të detit, midis grykës së Matit e të Erzenit bashkë me luginën e Tiranës që shtrihet në lindje të saj vendasit e quajnë, Arbën; në këtë krahinë jo vetëm ka një katund që mban këtë emër, po këtu gjenden edhe tri qytete të vjetra: Ishtmi, Preza dhe Ndërrenja dhe Tirana, e cila është ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut dhe konsiderohet si kryevendi i sotëm i Arbënit.
Në këtë fushë ka, përveç këtyre, 22 katundeve me popullsi të përzier, dhe nja aq me popullsi muhamedane, dhe me to shkon dhe Kep Rodoni bashkë me gërmadhat e kullës së Skënderbeut.”
Në faqen 15 ai shton: “Gjithë fusha e arqipeshkvisë së Durrësit quhet Arbëni.”
Më 1854 Johan Georg fon Hani, dijetari që shikohet me të drejtë si babai i albanistikës, tezën e tij rreth burimit ilir të shqiptarëve e të shqipes e zgjeroi me anën e një vështrimi edhe të situatës etnografike të Ballkanit të vjetër.
Në lidhje me atë ai në kryeveprën e tij shkruan Albanesische Studie formuloi këto teza:
1. Epiriotët e maqedonasit edhe në kohën e Strabonitt ishin jogrekë, ose barbarë. 2. Epiriotët, maqedonasit e ilirët janë farefis në mes tyre. 3. Ka shumë shenja që epiriotët e maqedonasit përbënin thelbin e fisit tireni-pellazgjik, skajet më të tutjeme të të cilit në Itali e në Traki hyjnë brenda në histori. 4. Ilirishja e vjetër është gjuhë pellazgjike në një kuptim më të gjerë.
Me këto teza Hani, tek ilirët si të parët e shqiptarëve, përfshsin dhe epiriotët e maqedonët, e të gjithë këta popuj i bën të ardhur prej pellazgëve.
Teoria e tij si tërësi, me gjendjen e sotme të kërkimeve arkeologjike e gjuhësore, në disa anë del e drejtë, në disa përgjithësime që bën nuk mund të qëndrojë, po në analizë të fundit përmban një thelb pjellor e të vërtetë.
Vlerësimi i Eqerem Çabejt për Babain e Albanologjisë:
“Hani vlerësohet si themeluesi i albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale. Ai është i pari që u mor tërësisht me studime shqiptare, që nuk i trajtoi studimet për shqipen dhe për Shqipërinë në mënyrë anënsore, duke u nisur nga fusha të tjera studimore. Por ai iu kushtua drejtëpërdrejtë ghuhës shqipe dhe Shqipërisë, historisë së saj dhe lashtësisë së saj në një mënyrë të përqëndruar në këto objekte. Askush më përpara nuk e kishte bërë në këtë mënyrë.” /KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, koncerti “Lu Mappamundi” e çoi publikun në një udhëtim muzikor nëpër Mesdhe.
Koncerti erdhi si një rrëfim me zë, tinguj dhe valle që përshkon shekuj dhe brigje, nga Napoli në Andaluzi, nga Sicilia në Greqi, duke sjellë këngë dashurie, ritme popullore dhe melodi të harresës dhe çlirimit. Mbrëmja ishte e larmishme me instrumente historikë, zëra të rrallë dhe pasion për rrënjët muzikore të Mesdheut, në ritmet e Ensemble Pentàgonon. “Lu Mappamundi” kujtoi një botë të përbashkët që përqafohet nga të njëjtat ujëra dhe emocione.
Pjesë e ansamblit që performoi mbrëmë në TKOB ishin artistët: Agnese Allegra (vokal), Alessia Travaglini (viola da gamba), Lorenzo D’Erasmo (perkursione historike), Angelo Basile (violinë baroke) dhe Alessandro Gonfiantini (kitarë baroke)./atsh/KultPlus.com
Përflaken yjet dhe ju dua. Nata hap sytë dhe ju dua. Zemrat tona dy njerëz dhe ju dua dy njerëz prej nesh. Dhe sa ju ngjajnë dhe sa më ngjajnë. dhe pastaj sa nuk na ngjajnë. Nga ne më të mirë nga ne më të vegjël nga ne më të guximshëm. Ne jemi goxha më të shtruar se zemrat tona, më të matur ndaj rrëmujës më të prirur. Jemi ne që ushqejmë si dyshime si besëtytni, për në frikërat dhe ndodhitë për ne përmallimi. Dhe jemi sërish ne, në gaz e në dënesë. Ne pezmatojmë zemrat tona, tjetër s’dinë veç dashurisë, Dritë e syve të mi, jeta ime, sulltanesha ime Unë ju dua. zonja Pîrâye, afërmendsh ju dua. / KultPlus.com
“Elbasani në shek XX” ishte ekspozita e hapur në mjediset e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit, e cila solli copëza nga trashëgimia kulturore e zonës.
Ekspozita solli për publikun fotografi bardhë e zi, të cilat pasqyrojnë mënyrën e organizimit të Qendrës Historike të Elbasanit gjatë shekullit XX. Në to bien në sy veshjet tradicionale të burrave e grave të qytetit dhe rrethinave te tij. Gjithashtu shfaqen shtëpitë karakteristike apo dyqanet e zejtarëve elbasanas, duke ofruar një udhëtim në kohë për të gjithë vizitorët.
I njohur dikur me emrin Skampis qyteti në “kërthizë” të Shqipërisë, Elbasani, është ndër zonat më të hershme që vërtetojnë trashëgiminë dhe kulturën e lashtë të vendit tonë.
Ai shtrihet në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit. Elbasani është një vendbanim i lashtë, i ngritur në një pozicion të përshtatshëm gjeografik. Si stacion i rrugës Egnatia, përmendet në shekullin e II të erës sonë me emrin Skampis dhe fakti që vërtetoi plotësisht vendndodhjen e qytetit është guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në Muzeun Etnografik në Elbasan. Specialistët vlerësojnë se guri në fjalë është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të Elbasanit. Elbasani njihet ndryshe edhe si “kryeqendra e ditës së verës”, një festë pagane që më mirë se kudo tjetër festohet në këtë qytet./atsh/KultPlus.com
As lufte s’bej dhe askund s’gjej paqe’ dhe frike dhe shprese: kam zjarr dhe akullohem, ne qiell nxitoj, ne toke prap rrezohem, askend s’takoj dhe boten kam perqafe.
Ajo me futi ne burg, hapsan e laqe, as nuk me mban,as nuk me le te iki, dhe me largon dhe hallke me ve tek shpirti, as rroj, as vdes, as dhimbjet s’kane cae.
Pa sy dhe shoh, pa gjuhe dhe nxjerr klithme, kerkoj te vdes, therras qe te shpetoj, perbuz vetveten, ju jap ju lumturine.
Mes lotesh qesh, ju jap ju dhembshurine, dhe jet’, dhe vdekje i ve ne barazi, po per keto, o grua,faj ke ti./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike sot statistikat e vizitueshmërisë së siteve kulturore në gjysmën e parë të vitit.
Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.
5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:
– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;
– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;
– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;
– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;
– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.
Pjesa më e madhe e turistëve duket se preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.
Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore./atsh/KultPlus.com
Pak kafshë kanë kontribuar në përparimin njerëzor aq thellësisht dhe në heshtje, sa kali. Nga nomadët e lashtë në stepat euroaziatike deri tek arenat moderne olimpike dhe hambarët e oborrit të shtëpisë, kuajt kanë bartur mallra, kanë lëruar fusha, kanë fituar luftëra dhe kanë ngushëlluar zemrat e njerëzve.
Edhe në botën e sotme të teknologjisë së lartë, kuajt e ngarkuar ende punojnë në ferma organike, rojat e pyjeve dhe jetës së egër ende i përdorin dhe gjithashtu kuajt poni përdoren si terapi për fëmijët e shtruar në spitale.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 3 qershor 2025, shpalli 11 korrikun “Ditën Botërore të Kuajve”. Rezoluta u bën thirrje qeverive, shkollave, bizneseve dhe individëve të vlerësonin rolin e kuajve dhe të trajtojnë sfidat me të cilat përballen ata në botën moderne.
Të dhënat e FAO-s për vitin 2023 numërojnë rreth 60.8 milionë kuaj globalisht, por të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Shtetet e Bashkuara kanë 2.41 milionë kuaj dhe poni në mbi 63,000 ferma (Regjistrimi i USDA 2022), ndërsa Bashkimi Evropian ka rreth 7 milionë kuaj dhe 800,000 vende pune në mbarështim, sport dhe turizëm. Në Mongoli, kuajt janë ende pjesë e jetës së përditshme me 3.4 milionë kuaj për 3.3 milionë njerëz.
Por kushtet me të cilat përballen kuajt po bëhen më të vështira. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, viti 2024 ishte viti i parë i plotë me temperatura globale që kaluan 1.5 °C mbi nivelet paraindustriale. Kjo rrit stresin e nxehtësisë si për kuajt e punës ashtu edhe për kuajt sportivë. Nga korsitë e ftohjes në ngjarjet olimpike, te standardet e reja globale të mirëqenies, përshtatja ndaj një klime në ndryshim është tani thelbësore.
OKB thotë se, Dita Botërore e Kuajve është më shumë se një festë. Ajo është një thirrje për të mbrojtur një nga partneritetet më të vjetra të njerëzimit, i cili ende na ndihmon të ushqehemi, të mbështesim ekonomitë tona si dhe na ngre lart moralin duke na mbështetur psikologjikisht./atsh/KultPlus.com
Më 11 korrik të vitit 1930 ndërroi jetë dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi.
Emrin e vërtetë e kishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”, duke mbartur kështu në krijimtarinë e tij, gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga vjen pseudonimi letrar.
Pas shkollimit bazë, e la Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Ndoqi një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku kreu studimet për drejtësi.
Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Sa ishte gjallë iu botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskritishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909)./atsh/KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci njoftoi sot se ka përfunduar me sukses edhe faza e dytë e ndërhyrjes në pastrimin e shtratit të lumit Buna, pranë zonës së Dajlanit.
Beci e cilëson këtë si një operacion të rëndësishëm që i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.
“Pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet. Falënderoj të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, por në mënyrë të veçantë shpreh mirënjohjen time për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga Nënkolonel Shkumbin Gjana, Nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga Kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.
Beci tha se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.
Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar./atsh/ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot se në krye të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit është emëruar Eljan Tanini.
Ministri Gonxhja tha se, Tanini është një artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive.
“Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale. Nga krijimet murale e instalacionet publike, te kontributet në media dhe ekspozitat brenda e jashtë vendit, Tanini sjell një vizion artistik dhe narrativ që pasuron më tej rolin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”, u shpreh Gonxhja.
Eljan Tani zëvendëson në këtë detyrë Marinela Ndrian, ndërsa ministri Gonxhja shpreh falënderimet për Ndrian, për kontributin dhe drejtimin e saj gjatë këtyre viteve./atsh/ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Koteleve festohet çdo vit, më 10 korrik, sipas “National Today”.
Kotelet! Kush nuk i do kotelet e vogla dhe të adhurueshme? …kokat e tyre të mëdha, sytë gjigantë, putrat dhe hundët e vogla rozë, dhe mjaullimat e adhurueshme që bëjnë…
Nuk mund t’i rezistojmë sharmit të tyre. Çuditërisht, amerikanët duket se i pëlqejnë më shumë macet dhe kotelet.
Sipas Shoqatës Amerikane Humane, 95,6 milionë mace ishin në pronësi, ndërsa 83,3 milionë familje zotëronin një qen.
Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe me qentë, por një kotele e vogël është e parezistueshme!
Kur është Dita Ndërkombëtare e Koteleve?
Dita Ndërkombëtare të Koteleve festohet çdo vit, më 10 korrik – për të rritur ndërgjegjësimin për kotelet e pastreha dhe për të promovuar adoptimet dhe donacionet për strehimoret e kafshëve.
Historia e Ditës Ndërkombëtare të Koteleve
Macet janë një enigmë, dhe ne njerëzit jemi plotësisht të magjepsur prej tyre.
Macet kanë jetuar me njerëzit për 12 000 vjet, sipas shkencëtarëve.
Ende nuk jemi saktësisht të sigurt se kur u bënë të zbutura, veçanërisht pasi skeletet e maceve të egra dhe maceve të zbutura – të zbuluara në vendet arkeologjike janë shumë të ngjashme.
Megjithatë, shumica e provave sugjerojnë se zbutja e maceve ndodhi më shumë se 8 000 vjet më parë.
Sikur macet të mos ishin kaq të lezetshme dhe të parezistueshme, ato janë edhe më të adhurueshme si kotele!
Kotele të ëmbla që thjesht duam t’i mbajmë dhe t’i përkëdhelim, dhe sapo fillojnë të mjaullojnë, zemrat tona shkrihen.
Dita Ndërkombëtare e Koteleve është koha kur i llastojmë dhe i përkëdhelim kotelet tona të vogla me gëzof.
E krijuar nga avokatja e kafshëve dhe ekspertja e kafshëve shtëpiake Colleen Paige, Dita Ndërkombëtare e Koteleve është gjithashtu një mundësi për kotelet e braktisura që të adoptohen.
Dita Ndërkombëtare e Koteleve shërben edhe si një fushatë ndërgjegjësimi për të shpëtuar këto kafshë dhe për t’u dhënë atyre dashurinë që meritojnë. /atsh/ KultPlus.com
Sally Rooney është një ndër shkrimtaret më të përfolura dhe më të lexuara të letërsisë bashkëkohore anglishtfolëse.
E lindur më 20 shkurt 1991 në Castlebar, një qytet i vogël në Irlandën perëndimore, ajo është bërë emër i madh në botën letrare përmes një stili të përmbajtur, emocionalisht inteligjent dhe përfaqësues të brezit të ri. Edhe pse shumë e re në moshë, ajo është cilësuar nga kritika si “Jane Austen e milenialëve”. Rooney studioi në Trinity College në Dublin, ku fillimisht ndoqi letërsinë angleze, përpara se të vijonte me një master në politikë. Ajo ka qenë gjithashtu kampione e debatit universitar në Evropë, çka reflektohet edhe në përqendrimin e saj në dialogët e mprehtë dhe dinamikat e pushtetit në marrëdhënie. Romani i saj i parë, “Conversations with Friends” (2017), solli një vëmendje të konsiderueshme, por ishte “Normal People” (2018) ai që e bëri një yll ndërkombëtar. Historia e Connell dhe Marianne dy të rinj me sfond social të ndryshëm, që ndajnë një lidhje komplekse e të ndërlikuar gjatë adoleshencës dhe viteve të universitetit preku miliona lexues në mbarë botën. Libri fitoi çmime të shumta dhe u adaptua në një serial televiziv shumë të suksesshëm nga BBC dhe Hulu në vitin 2020.
Në vitin 2021, Rooney publikoi romanin e saj të tretë, “Beautiful World, Where Are You”, i cili eksploron ndjenjën e boshllëkut dhe pasigurisë në kohët moderne. Në këtë vepër, autorja zgjeroi më tej spektrin tematik, duke përfshirë reflektime mbi shkrimin, famën, miqësinë dhe kolapsin shoqëror e klimatik. Edhe ky libër u bë bestseller në mbarë botën. Rooney njihet për stilin e saj minimalist, përshkrimet e ndjeshme emocionale dhe portretizimin e marrëdhënieve intime me ndërlikime psikologjike. Dialogët në librat e saj janë shpesh të zhveshur nga shenjat e pikësimit si thonjëzat apo thekset emocionale, duke lënë hapësirë për interpretim. Kjo mënyrë e të shkruarit ka krijuar një ndjenjë realizmi dhe intimiteti që ka tërhequr një numër të madh lexuesish të rinj në të gjithë globin. Ajo është gjithashtu një zë i angazhuar politikisht.
Në vitin 2021, Rooney refuzoi që një nga librat e saj të përkthehej në hebraisht nga një botues izraelit që kishte lidhje me institucionet shtetërore, si shenjë proteste ndaj politikave të Izraelit ndaj Palestinës. Ky veprim u diskutua gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe e shndërroi atë në një figurë edhe më të ndjekur. Përveç romaneve, ajo ka shkruar edhe ese, tregime të shkurtra dhe artikuj për revista si The New Yorker, The New York Times, The London Review of Books, etj. Ka qenë edhe redaktore për pak kohë në revistën The Stinging Fly, një platformë për autorë të rinj irlandezë. Letërsia e Sally Rooney nuk është e mbushur me ngjarje të mëdha dramatike, por me tensione të brendshme, me heshtje që peshojnë sa fjalët. Ajo nuk jep përgjigje të qarta, por shtjellon ndjenja njerëzore të përziera, si turpi, izolimi, dëshira, ndërlikimi social, presioni ekonomik dhe politika e trupit e mendjes në marrëdhënie.
Shkrimtarja është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar si një nga figurat kyçe të “letërsisë së milenialëve”. Ajo nuk ka rrjete sociale, jeton në Irlandë dhe ruan një profil të ulët publik. Megjithatë, librat e saj janë kthyer në objekte diskutimi në klube librash, në TikTok, në universitete dhe në rrethana shumë më të gjera sesa vetëm letërsia. Sally Rooney përfaqëson një brez që kërkon kuptim në një botë të trazuar, që ndjen shumë por shpreh pak, që kërkon dashuri por nuk di si ta mbajë. Me vetëm tre romane, ajo ka hyrë në historinë moderne të letërsisë si një nga zërat më të sinqertë dhe më prekës të kohës sonë. /Konica.al/ KultPlus.com
Hafsa Zyberi është një ndër këngëtaret e para shqiptare, e cila shquhet për interpretimin e këngëve të Shqipërisë së Mesme.
Disa prej këngëve të cilat ajo i interpretoi ndër vite janë: Hajde Moj Malenake, S’paske Pas Një Pikë Mëshirë, Si Më Ke Sytë Më Ke Vetullat, Të Du Moj Goce E Vogel, Ti Pelqeva Ato Sy, Unë Ty Moj Të Kam Dashte, Kënga E Shoqënisë, Balluket E Tuja, Këngë Për Kajo Karafilin, Kumuri Qafëbardhë, Kur Ke Qenë Një Herë E Re, Lum E Lum Se Ja Mërrina, Më Shikon Më Buz Në Gaz, Moj Thëllënxa Mitare, Mun Te Ara Kë Tagjia, Në Bash Të Qejfit E T’muhabetit, Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie etj.
Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Elbasan i bukur’: / KultPlus.com
MIK Festival rikthehet këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.
Bashkimi Evropian mbështet mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, që mbahet nesër më 11 korrik ora 20:00 në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, dedikuar artistit të madh të muzikës lirike Gaqo Çako, Nder i Kombit.
Ky homazh sjell një ndërthurje të elegancës vokale me përkushtimin shpirtëror, duke rikthyer në skenë frymën e një epoke të artë të interpretimit operistik shqiptar.
Në koncert performojnë Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, dhe Xhoiden Dervishi. Koncerti shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e mjeshtrit të madh Eno Koço.
Kulmi emocional i mbrëmjes pritet të jetë performanca përmbyllëse, ku Inva Mula do të interpretojë së bashku me të birin, një moment simbolik që përfaqëson vazhdimësinë e një trashëgimie familjare, por edhe lidhjen intime mes muzikës dhe traditës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka mbajtur një ligjeratë në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalimit të saj, ajo preku shumë tema me rëndësi të veçantë.
Osmani deklaroi se kurrë në histori të vetën Kosova nuk e ka sulmuar asnjë vend.
“Ne vetëm e kemi mbrojtur vetën. Për shekuj ne kemi kaluar nëpër shumë sakrifica”, deklaroi ajo para profesorit të njohur Edward Joseph njofton Klankosova.tv.
E para e vendit theksoi se në vitet në vazhdim Kosova planifikon ta dyfishojë buxhetin për mbrojtjen.
“Ne planifikojmë që ta bëjmë këtë para vitit 2035. Kjo sepse është nevojë strategjike e vendit për të ofruar stabilitet dhe siguri në rajon”, deklaroi Osmani.
Tutje ajo përmendi edhe potencialet e shumta të zhvillimit, duke theksuar se rinia e Kosovës ka përgatitje të mëdha, në veçanti në sektorin e teknologjisë informative.
“Po ashtu shto faktin se ne e kemi popullsinë një ndër më të renë jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë”, tha ndër të tjera shefja e shtetit Vjosa Osmani.
Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit.
“Prioritet i veçantë i kësaj marrëveshjeje është digjitalizimi i plotë i fondit të gazetës ‘Rilindja’, një ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë dokumentare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BKK.
Në këtë njoftim të nxjerrë nga BKK thuhet se marrëveshja synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për shkëmbim të koleksioneve, informacion bibliografik dhe njohuri teknike-teknologjike, digjitalizim dhe veprime kulturore/shkencore.
“Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe qasjen më të gjerë në trashëgiminë kulturore dhe dokumentare të vendit”, thuhet në njoftimin e BKK-së në Facebook.