Një poezi për paqen

Poezi nga Neeli Cherkovski
Përktheu: Fadil Bajraj

E shihni nuk i kemi harruar
lisat e moçëm as nuk i kemi falur asnjëherë me të vërtetë
ata që na tradhtuan
në rrugën për pemishtet qiellore
kështu që ne flemë më mirë se të tjerët
rëra tërheq perden mbi strofullin e korbit
duke qenë se burrat merren me problemet
e instalimit të diktaturave nën qepallat
e atyre që janë të panikuar dhe që po vdesin urie
o hir i tillë o lajme të tilla të këqija ne tensionojmë
mendjet tona ne jemi në zjarr
oh ne jemi të dënuar për t’i përsëritur urrejtjet rrezatuese
në pyjet e vjetra./KultPlus.com

Adem Demaçi: Profesor Zekeria Rexha guxoi të na i hapte sytë…

Nga Adem Demaçi

Në klasën e shtatë na u shtuan edhe disa lëndë të reja: latinishtja e psikologjia. Këto lëndë bashkë me frëngjishten na i jepte Zekeria Rexha. Ky ishte një burrë shtatmesëm, zeshkan, me syze prapa të cilave qëndronin sytë e mëdhenj e të zi. Ky ishte fort i përkushtuar që të na pajiste me dije. Para lufte kishte pas qenë nxënës i Liceut francez të Korçës dhe kishte pas studiuar në Francë. Kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe pas luftës, për disa kohë, kishte qenë në post të lartë, mirëpo serbët e kishin pas shkarkuar nga detyra dhe i kishte ardhur radha që të na bëhej profesor. Djali i tij, Dukagjini, ishte në klasë me ne, por ai kurrë nuk pranonte që të fliste çfarëdoqoftë për babain e vet. Ne kishim dëgjuar nga fjalët në qytet se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte kundërshtuar turqizimin me zor të shqiptarëve. Ishte tejmase tolerant me ne. Më në fund, ne, përsëri e gjetëm Kolën tonë të humbur, thoshim ne nxënësit e pakët që kishim kaluar nëpër duart e Kolë Nikajt. Ne e lusnim që të na i përsëriste leksionet e kaluara nga psikologjia dhe ai e bënte këtë pa përtesë. Ne filluam ta pyesnim edhe për shumë çështje jashtë programit mësimor dhe ai e bënte këtë me kënaqësi të madhe. Ne, me pyetjet tona, filluam të hynim edhe “lakrave”. Dhe ai, nuk hezitonte të hynte “lakrave” bashkë me ne. Ne e patëm pyetur për “Rezolutën e Bujanit” dhe ai na pati folur për atë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, një muaj rresht, duke marrë nga pesëmbëdhjetë minutat e para të orëve që mbante çdo ditë me ne. Ai kishte pas qenë edhe njëri nga hartuesit e kësaj rezolute. Ai na e citonte pothuaj në tërësi “Rezolutën e Bujanit” të nxjerrë nga Këshilli Nacional-Çlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Pasi pati përfunduar këto leksione, profesori ynë, pati nxjerrë shaminë dhe pati fshirë djersët. Vetëm shpirti i tij e dinte se si ndihej. Tani, ne nuk ishim krejt të vegjël që të mos dinim se nga sa po shkonte fasulja në Serbi. Të gjithë ishim mbi shtatëmbëdhjetë vjeç. Mirëpo, kureshtja jonë për të mësuar të vërtetën tonë ishte aq e madhe saqë nuk përmbaheshim dot. Edhe një çështje na kishte mbetur e pasqaruar. Të gjithë e dinim se pyetja ishte fort, fort e rrezikshme, mirëpo ne nuk kishim kë të pyesnim tjetër. Ajo pyetje na shqetësonte pamasë dhe nuk u duruam dot.

Një ditë, gjatë shëtitjes së gjatë mes orëve, më futën në mes Shefqet Popova, Ali Buçinca, Feti Badivuku, të gjithë nga Vushtrria dhe Avdi Sinani e Enver Tali. Shefqeti e hapi i pari muhabetin:

-Shiko Filan! Ty profesori të do më së shumti në klasën tonë…

-Edhe? – thashë unë.

-Edhe,-vazhdoi Shefqeti,- ne, shokët e klasës, e kemi një lutje për ty…

–Po, ta pyes profesorin, çka?

–Dëgjo,-ndërhyri Enveri-kjo është pyetje fort e vështirë dhe mund ta ngushtojmë fort profesorin

– Dëgjo Filan, – ndërhyri Avdiu. – Ta pyesësh profesorin se ku qëndron shkaku që ne kosovarët mbetëm në robëri? Vetëm kaq…

Unë u ndala dhe po i shikoja të gjithë me radhë. Më në fund thashë: -More, po ju a po doni që profesorin ta fusim në burg e ndoshta të bëhemi shkaktar që ai ta humbë edhe kokën?!…

Heshtje. Pas pak, foli Aliu: -Dëgjo! Profesori edhe me kaq sa na ka folur e ka fituar burgun e ndoshta edhe ta humbë kokën. Kur i pata treguar unë në shtëpi vllaut tim, Isakut, se çfarë po na thoshte ne profesori, ai lëkundej prej vendit dhe kapte kokën me duar. Më pati thënë: “Hej, more, juve djalli ju marrtë! Do ta merrni në qafë profesorin”!…

–Mirë po thotë Aliu! Ne, në qafë e morëm se e morëm dhe le të shkojë me një harxh!… Të paktën do ta marrim vesh të vërtetën e plotë. A s’është kështu?- na i hapi sytë prapa syzeve, Feti Badivuku.

-Ashtu është!- thanë të gjithë njëzëri dhe ndër ta vazhdoi Shefqeti:

-Paj, Filan, ty të intereson edhe më shumë se neve e vërteta e plotë…

Rrudha krahët. Ia qëlluan. Po i shikoja të gjithë me radhë dhe ula kokën. Ata buzëqeshnin dhe ia bënin njëri tjetrit me sy. N’ata ra zilja e shkollës për të hyrë brenda në klasa…

Ishte ora e frëngjishtes. Hyri profesori Zekeria dhe pyeti:

-Ku kemi mbetur?

Ata të pestët e oborrit m’i hapën sytë si në mënyrë kërcënuese. Unë

hezitoja. Enveri foli:

-Filani e ka një pyetje për juve, profesor…

– Mos e keni Filanin mësit, ju? – tha profesori duke mos i dhënë rëndësi kësaj pune dhe m’u drejtua mua: -Fol, Filan!

Unë u ngrita në këmbë dhe me zë që dridhej thashë:

– I dashur profesor, kush ka faj që Kosova, përkundër “Rezolutës së Bujanit”, mbeti nën Serbi?…

Profesori, për një çast u pre, pastaj i shkoi një qehre e zbehtë, por menjëherë pas kësaj, mori veten dhe fytyra iu skuq. Ai, me duar që ende i dridheshin, nxori pakon e cigareve, nxori shkrepsën, ndezi cigaren, iu afrua dritares, hapi njërin krah të saj dhe qëndroi ashtu me fytyrë kah rruga. Ai thithte tymin në qetësi të plotë. Ne u bëmë vetëm sy e veshë. Kur e kreu cigaren, profesori fiku duçin duke e shtypur mbi teneqen e jashtme të dritares dhe hodhi duçin në oborrin e shkollës kah rruga. Pastaj, iu afrua ngadalë djalit të vet në bankën e parë, pranë meje dhe i tha:

-Dukagjin, ti merr çantën dhe shko në shtëpi!- Pastaj ai, ua bëri me gisht dy anëtarëve të komitetit të rinisë të gjimnazit, Nazmi Kajtazit e Nazmi Junikut, duke u thënë butësisht:-Ju të dy, përcilleni Dukagjinin deri në shtëpi!

Ata të tre u larguan dhe profesori na u drejtua me zë shumë të sigurt:- Jeni shumë të ri, por edhe ne, në kohën tonë kemi qenë shumë të ri kur jemi marrë me punë shumë serioze, si ju sot. Janë kohëra fort të rrezikshme e fort të vështira, por më duhet t’ua them të vërtetën e kulluar, pa le të dalë, ku të dalë!… Fajin e kemi ne komunistët shqiptarë që komunistëve jugosllavë u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që kërkuam ndihmën e tyre. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveçse një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur. Krejt ato që ndodhën dhe që po ndodhin pas mbarimit të luftës e provuan dhe po e provojnë një të vërtetë të këtillë. Krimet që u bënë deri më sot dhe që po bëhen sot ndaj shqiptarëve në Goli Otok e në burgjet tjera, vrasja nën tortura çnjerëzore e Omer Çerkezit me shokë flet mjaft qartë se komunizmi kishte pas qenë një përrallë për fëmijët e vegjël…

Profesori u ndal për një çast, Na shikoi të gjithëve, një nga një e pyeti me zë të lartë:

-A dëgjuat? –

Ne të gjithë u përgjigjëm me një “po” të gjatë.

-Atëherë, – foli profesori duke na e luajtur gishtin,- prej këtij momenti e tutje, nëse ju pyet dikush, ju do të thoni se nuk keni dëgjuar asgjë!…

Të gjithë ne, prapë, u përgjigjëm me një “asgjë”.

Ora vazhdoi me frëngjishte, por në kokat tona u thadrua thellë e vërteta e hidhur për komunizmin dhe na u ndriçua fort dashuria për kombin tonë. / KultPlus.com

Tarifat e Trump për filmat rrezikojnë Hollywood

Vendimi i Donald Trump për të vendosur një tarifë për filmat e prodhuar jashtë vendit nuk është pritur mirë nga ekspertët e industrisë së filmit.

Ata sqarojnë se ky vendim do të çojë në çmime më të larta për prodhimet filmike dhe biletat e filmave.

“Ndoshta çmimet do të rriten. Ndoshta do të bëhet më e shtrenjtë të realizosh filma. Pra, ose do të xhirohen më pak filma, ose filmat që do të xhirohen do të jenë më të shtrenjtë. Këto kosto do të vijnë më vonë. Do të jetë më e shtrenjtë të shkosh në kinema. Biletat do të rriten dhe do të jetë më e vështirë për njerëzit të blejnë bileta për të parë filma. Rrjedhimisht, do të ketë më pak njerëz që do të shkojnë në kinema. E gjithë industria e filmit për momentin është në një krizë. Patëm Covid-in, i cili pati një ndikim të madh në xhirimin e filmave. Patëm protesta nga aktorët dhe producentët. Shtetet e Bashkuara e mbyllën prodhimin e filmave për një periudhë të gjatë kohore. Hollyëood dhe industria e filmit po përpiqen vërtet të rikuperohen  nga ato zhvillime të mëdha. Nëse i shtojmë këtyre kostot shtesë të prodhimit ose këto tarifa, kjo mund të ketë efekte katastrofike në industri. Nuk shoh asgjë pozitive që vjen nga kjo”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Një lëvizje e tillë e Trump rrezikon të shkatërrojë një industry që mbështetet tek vendet e huaja për të bërë filma.

“Ky vendim vjen pak përpara Festivalit të Filmit në Kanë do të thotë se kjo është gjithçka për të cilën do të flasë secili prej nesh. Ne shpresonim të flisnim për filmat, yjet dhe magjinë e kinemasë, por të gjithë do të flasin për Trumpin dhe tarifat dhe ndikimin e këtij vendimi në industrinë e filmit. Ndoshta ky ishte plani i Trump. Tani do të jetë Trumpi që do të jetë në qëndër të bisedave në Kanë dhe jo Tom Cruise”, Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Pavarësisht reputacionit historik të Los Angeles si qendra e kinemasë, studiot  e filmit me kalimin e viteve e kanë prodhuar filma në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia për të përfituar nga lehtësirat tatimore dhe kostot më të ulëta.

“Ka shumë arsye pse nuk po prodhohen më filma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryesorja ka të bëjë vetëm me paratë. Është bërë shumë e shtrenjtë të xhirosh në Shtetet e Bashkuara për shumë arsye dhe SHBA nuk ka lehtësime tatimore siç kanë disa vende të tjera, Australia, Kanadaja dhe shumë vende në Evropë. Tjetra ka të bëjë me stimujt financiarë që po i largojnë njerzit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa këta stimuj në vend dhe pa gjëra të tjera që mund ta bëjnë më të lehtë dhe më të lirë të prodhosh filma në Shtetet e Bashkuara, nuk shoh arsye që të xhirohen sërish filma në vend. Por ndoshta, në plan afatgjatë mund të ketë një ndikim”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Por cilat janë disa nga pasojat në plan afatgjatë në industrinë e filmit?

“Unë mendoj se një nga pasojat që mund të ketë është se studiot e filmit do të kërkojnë të prodhojnë filma në Evropë, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke i prodhuar ato në anglisht, duke i bërë ato ndoshta me talente amerikane, por duke bërë tërësisht prodhime evropiane për Evropën dhe duke përjashtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur bëhet fjalë për studio të mëdha filmike kjo do të jetë pak e vështirë për tu bërë. Do të jetë e vështirë që të bëhet diçka 100% jashtë SHBA-ve dhe pastaj të vuajnë ndikimin e tarifave”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Scott Roxborough thotë se ende nuk ka detaje se si do të zbatohen këto tarifa.

“Nuk ka fare qartësi se si do të funksionojnë këto tarifa, dhe për çfarë do të zbatohen. Le të marrim si shembull një film të madh amerikan si Minecraft që sapo doli në kinema. Është xhiruar kryesisht në Zelandën e Re dhe ka përdorur financime nga jashtë Amerikës. Por është ende një prodhim amerikan i financuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara. A është pjesërisht një prodhim amerikan? A është ky një prodhim pjesërisht ndërkombëtar? Prodhimi ndërkombëtar ka tarifa të pjesshme apo jotarifore?  Është shumë e paqartë se si do të zbatohen këto tarifa”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Ndonëse Trump njoftoi se do të vendoste një tarifë ndaj filmave të huaj ai nuk dha detaje nëse tarifat do të shënjestrojnë filmat në platformat e transmetimit dhe ato që shfaqen në kinema dhe as nuk specifikoi nëse tarifat do të llogariten bazuar në kostot e prodhimit apo të ardhurat nga shitjet e biletave.

“Kur bëhet fjalë për platformat e transmetimit, ekziston një pyetje shumë e madhe se cilat prodhime të tyre do të konsiderohen ndërkombëtare apo jo dhe nëse do të aplikohen tarifat. Donald Trump i është referuar vetëm filmave në deklaratat e tij në lidhje me tarifat, por nuk është e qartë nëse ai do të përjashtojë prodhimet e Netflix. Po kështu, a do të aplikohen tarifa për Squid Game, një prodhim korean, dhe a do të duhet Netflix ta heqë nga platforma në SHBA apo t’u faturojë më shumë shikuesve amerikanë për të parë Squid Game ose The Crown ose Money Heist ose të gjitha këto prodhime të tjera ndërkombëtare që janë prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara. Edhe prodhimet në gjuhën angleze, shumë prej të cilave nga janë bërë jashtë SHBA-së. Emily in Paris është një shembull i shkëlqyer i kësaj”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Situata ndërlikohet nëse vendet e huaja përgjigjen me një kundërtarifë.

“Nëse Evropa, për shembull, vendos të kundërpërgjigjet me tarifa, siç kanë kërcënuar të bëjnë me mallra të tjera mbi të cilat Trump ka vendosur tarifa, kjo mund të ketë një ndikim të madh. Sepse kur bëhet fjalë për filmat, Amerika eksporton shumë më tepër se sa importon. Shumica e tregjeve ndërkombëtare në Evropë, në Kanada janë tërësisht të dominuara nga filmat amerikanë. 70- 80% e tregut përbëhet nga filma amerikanë, kështu që një tarifë për të gjithë këto filma do të kishte një ndikim të madh në industritë lokale dhe në shitjet e Hollywood në nivel ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet nëse vende individualisht janë gati për të bërë një lloj marrëveshjeje dypalëshe me SHBA-në”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.

Trump po përmend shqetësimet për sigurinë kombëtare si shkak për këtë vendim.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump pretendoi se industria amerikane e filmit po “vdes shumë shpejt”,ndërsa vendet e tjera ofrojnë “të gjitha llojet e stimujve” për të larguar prodhimin e filmave nga SHBA-ja. Trump më parë ka shprehur shqetësim në lidhje me zhvendosjen e prodhimit të filmave jashtë vendit.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në Janar, kreu Shtëpisë së Bardhë aplikoi tarifa për shumë shtete.

Ai argumenton se tarifat të cilat janë taksa të aplikuara për mallrat e blera nga vendet e tjera do të nxisin prodhuesit amerikanë dhe do të mbrojnë vendet e punës.

Por ekonomia globale është zhytur në kaos si rezultat i kësaj dhe çmimet e mallrave në të gjithë botën pritet të rriten.

Edhe para këtij njoftimi më të fundit, industria amerikane e filmit ishte prekur nga pasojat e politikave tregtare të Trump. Në Prill, Kina tha se po zvogëlonte kuotën e filmave amerikanë të lejuar në vend./KultPlus.com

Dua Lipa rikthehet në Prishtinë si kryeartiste e Sunny Hill Festival 2025

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të jetë kryeartiste në Sunny Hill Festival 2025, që këtë verë rikthehet në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit, duke konfirmuar se artistja do të performojë sërish në vendlindje.

Dua Lipa ka performuar në skenat më të mëdha të botës dhe ka kryesuar top-listat globale, por rikthimi i saj në Prishtinë mbetet gjithmonë i veçantë. Ajo ka qenë pjesë e festivalit që nga fillimi dhe këtë vit do të sjellë energjinë që e ka bërë të njohur anembanë botës.

“Tani një ikonë globale, Dua Lipa ka qenë kryeartiste në festivalet më të mëdha të botës dhe ka kryesuar top-listat kudo nëpër botë, por kur kthehet në shtëpi, ndjesia është krejt tjetër”, thuhet në faqen zyrtare të Sunny Hill.

Line up-i i plotë do të publikohet së shpejti, ndërsa biletat mund të blihen në: Festtix.

Tri vite nga vdekja e aktorit Robin Parkinson

Aktori Robin Parkinson, i njohur për rolet e tij në serialet televizive si ‘Allo ‘Allo! dhe si rrëfyes i emisionit për fëmijë Button Moon, ka vdekur para tri vitesh në moshën 92-vjeçaretransmeton KultPlus.

Parkinson luajti Monsieur Ernest Leclerc, një aktor i rregullt në ‘Allo’Allo! në 1991 dhe 92.

Aktori ishte gjithashtu një fytyrë e njohur për paraqitjet e tij në komeditë, duke përfshirë Dad’s Army, The Young Ones, Rising Damp, Hi-de-Hi! dhe The Two Ronnies.

Ai u shfaq gjithashtu në episodet e The Liver Birds, Terry and June, Whatever Happened to the Likely Lads?, It Ain’t Half Hot Mum dhe The Brittas Empire.

Ai ishte zëri i të preferuarit të fëmijëve të viteve 1980, në të cilin personazhet e bërë nga enët e kuzhinës udhëtonin në një Hënë të bërë nga një buton në një raketë të bërë nga një tepsi me fasule të pjekur.

Gjithashtu, Parkinson u shfaq në skenë në West End dhe rreth Britanisë së Madhe, dhe në vitet 1980 në reklama televizive për Tunes dhe Babycham./KultPlus.com

“Nga bohemizmi te përjetësia”, COD-i sjell ekspozitën e artit modern

Qendra për Hapje dhe Dialog do të sjellë së shpejti në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.

Ekspozita e titulluar “Nga bohemizmi te përjetësia”, do të ekspozojë veprat e disa prej artistëve më të famshëm të artit pamor ndërkombëtar si: Amedeo Modigliani, Henri Matisse, Edgar Degas, Tamara de Lempicka, Kees van Dongen etj.

Ekspozita vjen në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe Ambasadën e Izraelit.

Koleksioni që do të paraqitet në COD do të ketë vepra nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco, Avant-Garde etj., pa të cilat do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e artit botëror.

Holandezi Kees van Dongen dhe italiani Amedeo Modigliani ishin të lidhur ngushtë me Francën dhe përfaqësohen me kryeveprat e tyre: Van Dongen me një portret spektakolar të Marcelle Léoni, dhe Modigliani me portretin e suedezes së re, Annie Bjarne.

Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur “Vallëzuesja e vogël katërmbëdhjetëvjeçare”, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas, i cili krijoi shumë kryevepra me temën e baletit.

Një eksperiment skulpturor i guximshëm nga Henri Matisse, Aurora prej allçije të lyer me bronz, është një vepër e rëndësishme në koleksion.

Diversiteti i koleksionit pasurohet nga grupi i shquar i artistëve përparimtarë hungarezë, përfshirë Bela Kadar, Lajos Tihani, Csaky dhe Hugo Scheiber. Edhe përfaqësuesit e avangardës gjermane janë të shumtë: Hanns Bolz, Henrich Nauen, Max Ackermann, Friedrich Gotsch, Boris Kleint, Oscar Moll dhe e famshmja Gabrielle Münter./atsh/KultPlus.com

Profesori Bajram Kosumi promovon librin e tij të ri “Revolucioni 1981”

Shkrimtari dhe profesori Bajram Kosumi do të promovojë librin e tij më të ri me titull Revolucioni 1981, nesër më 13 maj, duke filluar nga ora 12:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Libri sjell një qasje studimore dhe personale mbi ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, duke analizuar ndikimet politike, shoqërore dhe kulturore të asaj periudhe.

Promovimin do ta udhëheq profesori Faton Ismajli, i cili do të bashkëbisedojë me autorin dhe pjesëmarrësit. Ngjarja organizohet nga Departamenti i Gazetarisë i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Fondacioni për Kulturë, Art dhe Letërsi “Brezi ’81”./KultPlus.com

Java e Krenarisë 2025, nën sloganin “Asnjë hap mbrapa”

Nën sloganin ‘Asnjë hap mbrapa’, Java e Krenarisë në Kosovë këtë vit do të mbahet prej 9 – 14 qershor, për vitin e nëntë të saj.

“Asnjë Hap Mbrapa” përfaqëson angazhimin tonë për të qëndruar të fortë ndaj lëvizjeve globale që po përpiqen të minojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin themelor të të gjithë individëve pa dallim. Përballë rritjes së urrejtjes, diskriminimit dhe përpjekjeve për të fshirë identitetet tona, ne nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të fshihemi. Kjo Javë e Krenarisë është një rikujtim se ne, personat LGBTQI+ në Kosovë, kemi bërë rezistencë dhe arritje të mëdha, dhe pavarësisht pengesave që hasim, përparimi ynë nuk do të kthehet mbrapsht.

Rezistenca jonë është e fuqizuar nga bashkimi, dhe ne ecim përpara, së bashku, me vendosmërinë që “Asnjë Hap Mbrapa” është po aq për mbrojtjen e pozitës tonë, sa është për refuzimin për të lejuar dikë që të na kthejë në hije. Tema e këtij viti lind nga diskursi aktual lokal dhe global, ku kundërshtimi ndaj të drejtave të personave LGBTQI+ dhe drejtësisë gjinore kërcënon vetë progresin për të cilin kemi luftuar për ta arritur. Ajo mishëron premtimin tonë për të qëndruar të fortë/a përballë këtyre kërcënimeve—jeta jonë nuk është e negociueshme. Ne nuk do të frikësohemi, dhe nuk do të shkojmë askund. Lëvizja jonë është e rrënjosur në qëndrueshmëri, në besimin se lufta për barazi dhe drejtësi nuk mund të kthehet pas.

“Asnjë Hap Mbrapa” është angazhimi ynë i palëkundur për të vazhduar përpara, pa marrë parasysh ndryshimet sociale ose politike që sfidojnë ekzistencën tonë. Do të luftojmë gjithmonë për të drejtat tona, për shoqëritë tona, dhe për përparimin tonë kolektiv që të mbetet i papenguar. Java e Krenarisë e këtij viti është një deklaratë e fuqishme që ne nuk do të dorëzohemi para atyre që kërkojnë të na marrin të drejtat që i kemi fituar me mund. Është thirrja jonë për veprim—të qëndrojmë së bashku, të mos kemi frikë, dhe të vazhdojmë të luftojmë për botën që na takon. Ne do të vazhdojmë të rezistojmë dhe të luftojmë për një shoqëri ku çdo njeri mund të jetojë i/e lirë dhe me dinjitet të plotë.

Gjatë ditëve në vazhdim ne do të zbulojmë edhe të tjera detaje rreth Javës së Krenarisë 2025./KultPlus.com 

Vdes papritur Koyo Kouoh, kuratorja e parë afrikane që do të drejtonte Bienalen e Venecias

Koyo Kouoh, kuratorja dhe drejtoresha e njohur e artit, ka ndërruar jetë papritur në moshën 57-vjeçare. Ajo ishte caktuar të drejtonte Bienalen e Venecias në vitin 2024, duke u bërë gruaja e parë afrikane që merrte këtë pozicion prestigjioz. Kouoh ndërroi jetë në Zvicër, ku ka jetuar gjatë vitëve të fundit, dhe shkaku i vdekjes ende nuk është zbuluar.

Lindur në Kamerun në vitin 1967, Kouoh ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme në artin bashkëkohor, duke drejtuar “Raw Material Company” në Dakar dhe promovuar artin afrikan në skenën ndërkombëtare. Ajo ishte e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e kulturës dhe identitetit afrikan, si dhe për mbështetje të fortë ndaj krijuesve të rinj.

Vdekja e saj ka shkaktuar dhimbje të thellë në botën e artit, ndërsa shumë figura të njohura, si artisti Otobong Nkanga dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë shprehur ngushëllimet e tyre, duke e përshkruar Kouoh si një grua vizionare dhe të paharrueshme që la një ndikim të jashtëzakonshëm./KultPlus.com

neoFILMS prezanton “Minibeast” dhe “ZHAK” në Marketin e Festivalit të Filmit në Cannes

Shtëpia filmike neoFILMS, e njohur për prodhimin e animacioneve të avancuara CGI, ka prezantuar teaser-in e parë të filmit të saj më të ri Minibeast. Ky projekt ambicioz ka një buxhet prej 10 milionë eurosh dhe pritet të shfaqet së shpejti në skenën ndërkombëtare të filmit.

Aktualisht, neoFILMS është duke punuar në dy filma të metrazhit të gjatë të animuar: ZHAK dhe Minibeast, të dy të realizuar me teknologjinë më të fundit full CGI. ZHAK, me buxhet rreth 20 milionë euro, është në fazën përfundimtare, ndërsa Minibeast sjell një botë të mbushur me aventura, magji dhe mistere. Të dy filmat do të prezantohen këtë vit në Marketin e Festivalit të Filmit në Cannes, ndërsa premiera ndërkombëtare planifikohet në Los Angeles.

Minibeast rrëfen historinë e një dhelpre të guximshme që nis një udhëtim përmes shtatë universesh të panjohura për të shpëtuar prindërit e saj të rrëmbyer nga krijesa misterioze. Filmi është krijuar nga Dalip Gashi dhe Ilirjana Bejta, bashkëskenaristë dhe bashkëregjisorë të të dy projekteve.

Teaser-in mund ta shikoni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=neOzikPwfkc/KultPlus.com

115 vjet nga lindja e atdhetarit, Zekeria Rexha

Më 12 maj 1910 në Gjakovë lindi Zekeria Rexha. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje dhe në vitin 1925 së bashku me familje u vendos në Tiranë.

Shkollën e mesme e kreu në Liceun frëng në Korçë, kurse studimet e larta i ndoqi ne Francë. Në vitin 1941 u kthye në Gjakovë ndërsa një vit më vonë themeloi dhe drejtoi Shkollën e parë Normale shqipe në këtë qytet.

Ishte pjesëmarrës dhe kryesues i Konferencës Historike të Bujanit nga 30 dhjetor 1943 – 1 janar 1944. Është edhe hartuesi dhe nënshkruesi i Rezolutës së kësaj Konference për vetëvendosje pas çlirimit të vendit. Nga marsi 1958 kur u dëbua me dhunë nga Kosova nga pushteti i atëhershëm jugosllav e deri sa vdiq jetoi në Shqipëri. Vdiq në Tiranë më 26 shkurt 1972. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit të Bimëve, Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) kujton se, bimët janë jetë: ne varemi prej tyre për 80 % të ushqimit që hamë dhe 98 % të oksigjenit që thithim.

Shëndeti i bimëve është themeli i sigurisë ushqimore dhe është i ndërlidhur me shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Bimët e shëndetshme ofrojnë dieta të pasura me lëndë ushqyese për njerëzit dhe kafshët dhe ndihmojnë në promovimin e një ekosistemi të ekuilibruar.

Bimët e infektuara nga dëmtuesit mund të shkaktojnë një kaskadë efektesh negative në furnizimet ushqimore dhe të nxisin shpërthime të sëmundjeve zoonotike (sëmundje të shkaktuara nga mikrobet që kalohen midis kafshëve dhe njerëzve). Pesticidet luajnë një rol në menaxhimin e dëmtuesve, por përdorimi i tepërt dhe menaxhimi i dobët i tyre shkaktojnë humbje të biodiversitetit, ndotje mjedisore, mosfunksionim të ekosistemit, shqetësime për sigurinë ushqimore dhe rezistencë ndaj pesticideve.

Por ne humbasim deri në 40 për qind të të korrave nga dëmtuesit, duke penguar përpjekjet globale për të garantuar sigurinë ushqimore, duke dëmtuar biodiversitetin e çmuar dhe duke ndikuar në ekonomi dhe mjete jetese.

Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Shëndetit të Bimëve u bën thirrje të gjithëve që të ndërgjegjësohen dhe të ndërmarrin veprime për të mbajtur të shëndetshëm bimët, kafshët, njerëzit dhe mjedisin./atsh/KultPlus.com

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Poezi nga Pablo Neruda
Përktheu: Orjela Apolloni

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Me shkruejt, për shembull: “Nata asht e yjëzueme,
dhe dridhen, të kaltër, yjet atje në naltësi”.

Era e natës shetit nëpër qiell dhe këndon.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
E kam dashtë, dhe ndojherë edhe ajo m’ka dashtë.

Në net si kjo e kam mbajtë n’krahët e mi.
E kam puthë kaq herë nën qiellin e pafund.

Ajo m’ka dashtë, dhe ndojherë edhe unë e kam dashtë
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhenj e të thellë.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
Kur e mendoj që s’e kam ma. Kur e ndjej që e kam humbë.

Me ndëgjue natën e pafundme, ma e pafundme pa të.
E vargu bie n’shpirtin tim si vesa mbi bar.

Ç’randësi ka që dashnia ime s’mundi me e mbajt’.
Nata asht e yjëzueme dhe ajo s’asht me mu’.

Kjo asht e gjitha. N’largësi dikush këndon. N’largësi.
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej.

Si për me e pasë ma ngat, shikimi im e kërkon,
zemra ime e kërkon, e ajo nuk asht me mu’.

Dhe asht e njajta natë që i zbardhë po të njajtat pemë.
Ne, ata të ktyneherë, ma s’jemi t’njajtit.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por sa fort e kam dashtë.
Zani im kërkon erën për me e prekë veshin e saj.

E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zani i saj, trupi i saj i qartë. Sytë e saj t’pafundmë.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por ndoshta edhe e du.
Asht kaq e shkurtë dashnia dhe kaq e gjatë harresa.

Sepse në net si kjo e kam mbajtë në krahët e mi,
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej;

Qoftë kjo dhimbja e fundit që m’shkakton,
Dhe këto vargjet e fundit që për të i shkruej./ KultPlus.com

Java Kulturore e Evropës 2025 sjell 30 aktivitete të 11 artistëve të mirënjohur

Nga data 17 deri më 31 maj, Java Kulturore e Evropës 2025 do të sjellë mbi 30 aktivitete kulturore në 9 qytete të Shqipërisë.

Programi i këtij viti është krijuar së bashku me 11 artistë dhe grupe artistësh që eksplorojnë identitetin, lirinë, kujtesën, dashurinë, pasigurinë dhe përkatësinë përmes teatrit, muzikës, filmit, dansit, ekspozitave dhe artit bashkëkohor.

Më shumë se një festë, këtë vit Java e Evropës 2025 është një hapësirë për krijim.

Përmes një game të pasur dhe të larmishme disiplinash artistike, temash dhe vendndodhjesh, Java e Evropës 2025 shfaq fuqinë transformuese të kulturës në shoqëri. Programi synon të frymëzojë kreativitetin, të promovojë diversitetin, të nxisë dialogun, të nxisë progresin, si dhe të inkurajojë reflektimin dhe të menduarit kritik.

Pas një thirrjeje të hapur që tërhoqi mbi 200 aplikime, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur për të marrë pjesë 11 artistë dhe grupe artistike. Projektet e përzgjedhura përfshijnë:

Grupi ATA, Elsa Demo, Klodian Gjonpalaj – Kanga eme – Teatër

BERK – Shoqëria Post-Gjuhësore – Teatër

Blerta Kambo – Dashuria është e njëjtë – Arte pamore

Ema Andrea, Aida Talliente, Elvira Boncuore – Gjuha mëmë – Teatër

Ansambli Musica Nova, Harlen Nikolli, Mikaela Minga – Dialogë në tinguj – Koncert

Lorin Terezi – Vëndçe – Dokumentar ndërdisiplinor

Mardit B. Lleshi –Rrethi i Tingujve – Koncert

Olsi Hoxha –Pikënisje të paqarta – Ekspozitë vizuale

Redina Qose – Kah shkojnë dallëndyshet? – Ekspozitë

Rona Nishliu, Gent Rushi – JALBOZ – Koncert

was bleibt kollektiv | Gentian Doda – Mes hapave dhe hijeve – Dans bashkëkohor

Këto vepra do të prezantohen në Tiranë, Kamëz, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Pilur (Himarë) dhe Berat, duke krijuar një hartë kulturore që fton për angazhim dhe reflektim publik.

Përveç shfaqjeve dhe ekspozitave, Java e Evropës do të presë gjithashtu sesione bisedash mbi artin dhe biseda me artistë, duke ofruar një platformë për dialog dhe shkëmbim mbi muzikën, filmin, teatrin dhe artet performuese. Këto biseda do të eksplorojnë rolin e kulturës në formësimin e së tashmes dhe përfytyrimin e një të ardhmeje më të mirë./KultPlus.com

Presidentja Osmani ftohet nga Presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në Zvicër në datat 21-22 maj

Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare, dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.

Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.

Në kuadër të agjendës zyrtare, Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve.

Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.

Ndërkaq, në Gjenevë ajo do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.

Vizita shtetërore e Presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror.

Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve.

Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë./KultPlus.com

Fati i Marrë: Një udhëtim në histori dhe imagjinatën e Shqipërisë së mundshme

Romani “Fati i Marrë” i autorit Besnik Mustafaj ofron një perspektivë të veçantë mbi historinë, duke na paraqitur një Shqipëri të imagjinuar ndryshe dhe më optimiste. Nëpërmjet një tregimi distopik që sfidon realitetin historik, ai na nxit të mendojmë thellë për fatin e vendit tonë. Ky roman përfaqëson një kombinim të guximshëm mes fakteve historike dhe imagjinates krijuese, duke ndërtuar një vizion për një Shqipëri të pavarur dhe të fuqishme në vitin 1878.

Shkruan: Melisa Muçkurtaj

Mustafaj ndan romanin në tri pjesë të titulluara: “Përkthyesi M.B”, “Historiani D.D” dhe “Biografi B.J”, ku secila sjell një histori të veçantë në dukje të pavarur, por të lidhura nga fati i Shqipërisë.

Pra, çdo pjesë, ndonëse në dukje e veçantë dhe e izoluar, del të jetë një element i rëndësishëm që kontribuon në kontekstin dhe thellësinë e historisë së përgjithshme.

“Përkthyesi M.B” na ofron një eksplorim të thellë dhe emocional të jetës dhe përvojave të Iskanderit. Ne zbulojmë ndjenjat, dilemat dhe sfidat që e shoqërojnë protagonistin, çka e bën atë të lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë. Kjo narrativë ndihmon në nxjerrjen në pah të natyrës së ndërlikuar historike dhe kulturore të vendit, duke na ofruar një perspektivë më të pasur mbi zhvillimet e tij përgjatë kohëve.

Në anën tjetër, ‘Historiani D.D’ na ofron një shqyrtim të thellë të historisë së dashurisë përmes lidhjes së veçantë mes një anglezi dhe Hanës, një vajze nga Gjakova. Kjo marrëdhënie romantike shkon përtej vetëm një historie dashurie; Një dashuri e tillë, që tejkalon kufij dhe tradita të ndryshme, ilustron një nga temat kryesore të romanit: ndjenja e dashurisë si një forcë që arrin të lidhë dhe ndajë popujt. Megjithëse Hana është myslimane, dashuria e tij për të i jep një dimension të ri identitetit dhe kulturës shqiptare, duke theksuar vlerat humaniste përballë pengesave të ndryshme sociale.

Romani ‘Fati i marrë’ shfaqet si një vepër letrare që tejkalon thjesht historinë e një dashurie, duke u bërë një reflektim i thellë mbi kompleksitetin historik të Shqipërisë. Në pjesën e tretë, titulluar ‘Biografi B.J’, autori sjell në sipërfaqe fakte tronditëse të historisë, duke përfshirë ngjarjen e dhimbshme të masakrës së Manastirit.

Këto ngjarje historike të përshkruara në roman shërbejnë si një kujtesë e fuqishme për pasojat e tmerrshme që kanë shoqëruar shqiptarët përgjatë historisë së tyre. Ato nxjerrin në pah përmasat e tragjedisë dhe dhimbjes që kanë kontribuar në formimin e identitetit kombëtar shqiptar. Duke i shqyrtuar këto momente të errëta, ‘Fati i marrë’ na fton të reflektojmë mbi sfidat e kaluara, si dhe mbi ndikimin e tyre në ndjenjën tonë të përkatësisë kulturore dhe historike. Kjo qasje e thelluar ndihmon të kuptohet se historia nuk është thjesht një grumbull ngjarjesh, por një proces dinamik që vazhdon të formojë vetëdijen dhe identitetin e një kombi.

Një element kyç që lidh të tri pjesët e romanit është figura e Benjamin Disraelit, i cili luan një rol dinamik dhe shumëdimensional. Ai paraqet një paletë të gjerë emocionesh dhe përvojash, të cilat pasqyrojnë kompleksitetin e historisë shqiptare. Disraeli kalon nga një admirimi i thellë për figurën legjendare të Iskanderit, simbol i heroizmit dhe shpirtit luftarak, në një ndjenjë të thellë dashurie për Hanën, e cila përfaqëson aspektin më intim e njerëzor të jetës së tij. Mustafaj romanin “ Fati i Marrë” e krijon si një labirint dinamik ngjarjesh që përfshijnë histori, dashuri dhe identitet, e figura e Benjamin Disraeli-t shërben si një pikë referimi. Romani eksploron konceptin se historia mund të kishte ndjekur një rrugë tjetër, dhe në këtë dritë, Besnik Mustafaj e ripërcakton Shqipërinë si një komb që i ka mbijetuar sfidave. Ai nis nga një vizion optimist për një Shqipëri të pavarur që do të shërbejë si një shembull i jashtëzakonshëm për demokraci dhe mirëqenie në nivel rajonal dhe më gjerë.

Për Besnik Mustafajn, ky rrëfim përbën një ‘ëndërr të bukur,’ siç e përshkruan ai, plot me shpresë dhe aspirata. Kjo ‘ëndërr’ na motivon të ndjekim një vizion më të gjerë, duke eksploruar mundësitë që shtrihen para nesh dhe duke na inkurajuar të besojmë se Shqipëria e dëshiruar është e arritshme.

Pra, shërben si një urë mes historisë reale dhe imagjinatës, duke krijuar një panoramë të re dhe më nuancuar për Shqipërinë. Autorin e shquan një mjeshtëri në transmetimin e emocioneve të thella, duke na nxitur të reflektojmë mbi të gjitha potencialet që historia na ofron, nëse ne e transformojmë mënyrën e të shkruarit dhe të menduarit për të.

Ky roman na ofron një distopi, me një perspektivë alternative, duke shqyrtuar se si do të kishte qenë Shqipëria nën kushte të tjera. Me anë të fiksionit, autori ndërton një narrativë ku vizioni i një Shqipërie të bashkuar dhe të pavarur është në qendër; një vend ku dashuria dhe politika nuk janë armike, por aleate që krijojnë mundësi të reja dhe shpresë për qytetarët e saj.

Sa i përket titullit ‘Fati i Marrë,’ është i mbështetur në vargjet e Naim Frashërit. Një titull ky që përshkruan tensionin mes historisë dhe imagjinatës, mes asaj që është dhe asaj që mund të ishte. Sikurse përmes titullit ashtu edhe përmes personazheve dhe ngjarjeve del në pah tensioni mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që mund të ketë qenë. Kjo përplasje, është pikërisht ajo që ndihmon në theksimin e rëndësisë së njohjes së të kaluarës për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.

Mendoj që kjo vepër nuk është thjesht një Shqipëri e rikonstruktuar, por një rrugëtim përmes ngjarjeve dhe figurave që kanë ndikuar në formimin e kombit, duke na ofruar një kuptim më të thellë të sfidave dhe aspiratave të tij. Duke ndërtuar një dialog mes së kaluarës dhe së ardhmes, Mustafaj na nxit të reflektojmë mbi historinë tonë dhe të nxjerrim prej saj mësime të vlefshme, që mund të na udhëheqin drejt një të ardhmeje më të ndritur. Aspiratat tona për këtë të ardhme marrin trajtë konkrete, sa “ëndërr e bukur” na shfaqet ky “Fati i Marrë”./KultPlus.com

Ekspozitë përkujtimore për Fehmi Aganin, nderohet kontributi i tij atdhetar, intelektual dhe politik

Me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së akademikut dhe veprimtarit të shquar, Fehmi Agani, nesër, me datë 13 maj, do të hapet ekspozita përkujtimore me titull “Kontributi atdhetar – intelektual dhe politik i akademik Fehmi Agani”, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ekspozita organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër, duke synuar të nderojë jetën dhe veprën e tij.

Ceremonia e hapjes do të përfshijë fjalë përshëndetëse nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, si dhe fjalë rasti nga Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, znj. Vjollca Aliu, Akademik Hivzi Islami, dhe bashkautorët e ekspozitës Ph.Dc. Besnik Kraci dhe Dr. Sadik Krasniqi.

Në këtë ngjarje do të flasë gjithashtu Mentor Agani, djali i akademikut Fehmi Agani. Autorët e ekspozitës, Besnik Kraci dhe Sadik Krasniqi, kanë bashkuar dokumente, fotografi dhe materiale të tjera që ndriçojnë rolin historik të Fehmi Aganit si intelektual, akademik dhe politikan që kontribuoi në proceset paqësore dhe diplomatike të Kosovës drejt pavarësisë.

Ekspozita do të hapet më 13 maj 2025, në ora 12:00, në Prishtinë./KultPlus.com

Mentor Xhemali, ikona e muzikës operistike shqiptare

Mentor Xhemali ka hyrë në histori si një nga kolosët që themeluan TKOBAP.

Ai lindi më 12 maj të vitit 1924. Një nga ikonat e muzikës operistike shqiptare. Mentor Xhemali, Artist i Popullit, do të mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal.

Ai mbetet një nga basët më të mëdhenj, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare.

Ndër interprentimet e tij mbresëlënëse në opera veçohen rolet në operat: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, “Berberi i Seviljes’, “Aleko”, “Eugjen Onjegin”, e shumë role të tjera të spikatura.

Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë atdheut ka qenë e shumtë dhe mbresëlënëse si në: ish-Jugosllavi, ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari, Austri, Finlandë, Kubë, Turqi, Kinë, etj.

Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet kënga madhore “Për ty Atdhe”. / atsh / KultPlus.com

Java Globale e Sigurisë Rrugore

Prej sot e deri më datë 18 maj, anekënd botës do të kremtohet Java Globale e Sigurisë Rrugore. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mandatoi OBSH-në dhe komisionet rajonale që të planifikojnë dhe organizojnë aktivitete kombëtare dhe lokale, për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e sigurisë rrugore.

Lëndimet në trafikun rrugor janë shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë në mbarë botën, me afro 1.2 milionë njerëz të vrarë dhe deri në 50 milionë të plagosur çdo vit. Aksidentet rrugore janë vrasësit kryesorë të të rinjve të moshës 5-29 vjeç. Globalisht, më shumë se 1 në çdo 4 vdekje ndodhin tek këmbësorët dhe çiklistët.

Kjo është java e 8-të që OKB-ja organizon për sigurinë rrugore duke ofruar një mundësi për të nxitur veprime në nivel kombëtar dhe lokal për ta bërë të sigurt ecjen dhe çiklizmin, duke theksuar ndërhyrjet konkrete dhe specifike që mund të ndërmerren nga palë të ndryshme të interesuara – qeveritë, agjencitë ndërkombëtare, shoqëria civile, bizneset dhe shkollat.

Këto veprime do të ndihmojnë në promovimin dhe lehtësimin e ecjes dhe çiklizmit, të cilat janë mënyra transporti më të shëndetshme, të gjelbra, të qëndrueshme dhe ekonomikisht më të favorshme./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet Edward Lear në 213-vjetorin e lindjes

Në 12 maj 1812, në Highgate, Angli, lindi Edward Lear, poet dhe illustrues, autor, piktor që vizatoi çdo gjë që pa në rajonin e Mesdheut (Shqipëri, Greqi) dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij me përshkrime udhëtimesh.

Në 1848 Lear nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij morri një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes disa zonave të perandorisë. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Më pas vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë. Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX.

 Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851). Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e shumtë e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Por, me librin e tij “Nonsense”, Lear fitoi famë si poet limerik, zhanër vargjesh të pakuptimta që shpesh shoqërohen me vizatime ilustruese. Vargu Limerik (nga emri i qyteti në Angli) është formë poetike autentike angleze. / KultPlus.com

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese
Përktheu: Orjela Stafasani

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë./KultPlus.com

KQZ: Pjesëmarrja në votime 42,17%, nga diaspora 79,24%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi përqindjen e të dhënave të pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet parlamentare të 11 majit me raportimet nga 3020 qendra votimi nga 5225 në total.

Sipas KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje e shqiptarëve brenda vendit është 42,17%. Pjesëmarrja në votime në 2023 ka qenë 37,79% dhe 48,59% në 2021.

Për herë të parë të drejtë vote këtë vit kishin edhe shqiptarët në diasporë, ndërsa sipas KQZ pjesëmarrja e tyre e përkthyer në përqindje ka qenë 79,24.

Ndërkohë sa i përket votimit brenda vendit në përqindje sipas qarqeve, janë këto rezultate:

Berati: 39,55%
Dibra: 50,10%
Durrësi: 40,53%
Elbasani: 42,13%
Fieri 42,02%
Gjirokastra: 39,23%
Korça: 40,99%
Kukës: 46,15%
Lezhë: 41,56%
Shkodër: 36,78%
Tiranë: 48,73%
Vlorë: 31,49%

Pjesëmarrja e diasporës sipas qarqeve në total është 79,24%:

Berat 78,70%
Dibër 80,21%
Durrës 81,47%
Elbasan 79,15%
Fier 81,41%
Gjirokastër 77,68%
Kor çë 78,96%
Kukës 76,58%
Lezhë 81,07%
Shkodër 78,65%
Tiranë 81,52%
Vlorë 78,68%

/ KultPlus.com

Fjalët e fundit dhe kafeja e djegur e Faik Konicës

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë./ KultPlus.com

Dua Lipa konfirmon se do të performojë në Sunny Hill Festival 2025

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, duket se po rikthehet me performancë në edicionin e sivjetmë të festivalit Sunny Hill.

Lajmin e ka konfirmuar me anë të një postimi të shpërndarë me ndjekësit në Instagram, aty ku numëron 87.4 milionë njerëz.

Në kuadër të turneut dhe vendeve që do të mbajë koncerte është edhe Prishtina.

“Shihemi në Sunny Hill Festival”, ka shkruar ndër të tjerash, Lipa.

Sunny Hill është një festival ndërkombëtar i muzikës që zhvillohet çdo vit në Prishtinë.

Këtë vit vlen të ceket se do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht. / KultPlus.com