28 Nëntori, shënuesi i ngjarjeve të mëdha përgjatë epokave të ndryshme

Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.

Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.

Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.

KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:

1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.

1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.

1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912

Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

KultPlus ju sjell fjalimin origjinal nga Ismail Qemali

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija! / KultPlus.com

69 vjet nga lindja e komandantit Adem Jashari

Sot është dita e lindjes së Adem Jasharit, një nga luftëtarët më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955.

Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Deri në vitin 1989, qëndroi në ilegalitet për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Në vitin 1991, ai së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.

Forcat serbe nuk mundën të hynin më në Drenicë deri më 22 janar 1998, por më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari.

22 pjesëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë, duke mbetur të vrarë nga kjo familje 21 vetë nga mosha 3 deri në 74 vjeç. Mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, i cili u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët./ KultPlus.com

Rama uron 112-vjetorin e Pavarësisë me jehonën e këngës “Për ty atdhe”

Shqipëria feston sot Ditën e Flamurit, 112- vjetorin e Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë, me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, si dhe koreografinë kuqezi të fëmijëve nga Vlora, në Tiranë e Shkodër.

“Me jehonën e këngës ‘Për ty, Atdhe’, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë”, shkruan Rama.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Sot përkujtojmë me krenari Gjon Milin, një artist global me rrënjë shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në këtë 28 nëntor, ka përkujtuar ditën e lindjes së fotografit, Gjon Milin, “një artist global me rrënjë shqiptare”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se sot përkujtojmë me krenari mjeshtrin shqiptar që i dha dritë botës së artit dhe fotografisë me vizionin e tij unik dhe përdorimin novator të dritës.

“Gjon Mili theu kufijtë e imagjinatës, nga portretet ikonike tek eksperimentet e tij me dritën dhe lëvizjen, ai mbetet frymëzim për artistët në mbarë botën”, shkruan Gonxhja.

Gjon Mili u lind më 28 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani, atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.

Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetiake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës.

Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA./atsh/KultPlus.com

Sot, 27 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Sot u bënë 27 vite nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj. / KultPlus.com

Presidenca e Kosovës reagon për vdekjen e profesorit Sami Repishti: Vepra e tij është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit

Presidenca e Republikës së Kosovës, kanë reaguar pas vdekjes së profesorit Sami Repishti, i cili ishte i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri.

Ai vdiq të mërkurën, më 27 nëntor, në moshën 99-vjeçare.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, patriotit të madh, zërit të shquar për drejtësi, liri e pavarësi të Kosovës. Vepra e profesor Sami Repishtit është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit – duke qëndruar në ballë të luftës për të drejtat e njeriut dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, janë shprehur nga Presidenca.

Tutje, në komunikatën e tyre thuhet se dëshmia e tij në institucionet amerikane, shkrimet e tij për historinë e Kosovës dhe dashuria e tij e thellë për popullin tonë do të mbeten të paharrueshme. Ai ishte një patriot e prijetar me vizion, përpjekjet e të cilit ndihmuan në formësimin e rrugës drejt pavarësisë sonë.

“Mirënjohje e përjetshme për një jetë kushtuar çështjes shqiptare! U prehtë në paqe profesor Repishti. Trashëgimia e tij do të jetojë për sa të jetë kombi jonë!”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet

Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.

Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit  në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu  lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.

Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.

Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim  në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.

Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron 28 Nëntorin me një video nga Prekazi: Kjo ditë na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, duke kujtuar se kjo ditë po i gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se nuk do të kursehet asgjë që të ndërtohet një kompleks memorial i rëndësishëm ndërkombëtarisht.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

“Një Komb, një Flamur”, Dua Lipa uron 28 Nëntorin me vargjet e himnit kombëtar

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka uruar shqiptarët me vargjet e himnit kombëtar, në 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në rrjete sociale, ajo ka shpërndarë fotografinë me simbolet e flamurit shqiptar.

“Një Komb, një Flamur”, shkruhet ndër të tjera në postimin e Dua Lipës./KultPlus.com

Përkujtohet ngritja e flamurit shqiptar nga Skënderbeu në Krujë

Në muzeun e Krujës u përkujtua mbrëmjen e djeshme momenti historik dhe i paharrueshëm për kombin tonë, ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë.

Ky akt heroik nuk ishte vetëm ngritja e një simboli, por një thirrje për liri, bashkim dhe krenari kombëtare.

Në ceremoninë e organizuar në Krujë ku u ngrit  flamuri shqiptar të pranishmit nderuan këtë ditë me zemrat plot dashuri për atdheun dhe për vlerat që na bashkojnë si popull.

Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi.

Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.

Sipas kujtimeve të Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.

Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron 112 vjetorin e pavarësisë, ditëlindjen e Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar ditën e 28 nëntorit, duke u shprehur se në këtë ditë nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona.

“28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë”, është shprehur ajo.

Presidentja shtoi se28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, është shprehur ajo në fund./KultPlus.com

Pavarësia e Shqipërisë – Shqiptarët i ktheu në familjen Europiane

Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

Nga Jusuf Buxhovi

Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:

“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Para pesëqind e sa vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.

Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirë qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.

Ndonëse mbas një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.

Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje e Hasan Prishtinës me Osmanët në Shkup, paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane si një Shqipëri osmane, që nuk do të ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.

Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështirë. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.

Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të tij.

Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.

Kjo paraqiste sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.

Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.

Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.

Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.

Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.

Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do “t’i garantohet” mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, nxiteshin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë i ngushtohej hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij,si fundin i saj.

Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën anë, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.

Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik mbi të, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman, ngaqë një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.

Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.

Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unitarizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.

Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh luante fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.

Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.

Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.

Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.

Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.

I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.

Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.

Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.

Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.

Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.

Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.

Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.

Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.

Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.

Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.

Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.

Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.

Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.

Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.

Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.

Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.

Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.

Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.

Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.

Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.

Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.

Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.

Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.

Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.

Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.

Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.

Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?

Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.

Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.

Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.

Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.

Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.

Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.

Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:

“Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

(Shkëputje nga “Kosova” IV, 2017)./KultPlus.com

Festimet e 112-vjetorit të pavarësisë, Tirana pret mbi 10 mijë pjesëmarrës në “Paradën Shqiptare”

Kryeqyteti shqiptar feston sot 112-vjetorin e pavarësisë.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore.

Në mesditë, duke nisur nga ora 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet “Parada e Shqiptarëve”, ku Tirana pritet të vishet e gjitha kuq e zi. Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 000 të pranishëm.

Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.

Paralelsiht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.

“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë.

Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë.

Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon./atsh/KultPlus.com

Sot festohet 28 Nëntori, kjo është historia e ditës kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë

Sot mbushen 112 vjet nga dita kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip.

Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.

Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.

Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisaarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.

Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme./ KultPlus.com

Alexander Dumas: Gratë kurrë nuk janë më të forta sesa pas mposhtjes

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bënë dhurata.”

– Alexandre Dumas

/KultPlus.com

112-vjetori i Pavarësisë, Veliaj: Shqipëria në ditët e veta më të mira

Në prag të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana është bërë qendër e festimeve kombëtare, duke mirëpritur shqiptarë nga e gjithë bota.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga brenda dhe jashtë kufijve.

Në fjalën e tij, Veliaj theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe pasurisë së traditave që bashkojnë shqiptarët.

“Ky është një moment që përmbledh unitetin tonë kombëtar dhe pasqyron pasurinë e traditave tona. Jam vërtet shumë mirënjohës dhe krenar që unioni i bashkive shqiptare në rajon, është një union që lidh qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor dhe luan një rol kyç të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në realizimin e këtij vizioni Europian të qyteteve bashkësive të komuniteteve shqiptare dhe njëkohësisht Evropiane. Qytetet tona janë pasqyra e historisë tonë e një historie të pasur dhe, përmes këtyre aktiviteteve, ne synojmë që të nxisim një rritje të interesit për ta eksploruar dhe vlerësuar këtë pajë këtë pasuri të veçantë që ne kemi”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi rolin e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, duke e cilësuar si një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve shqipfolëse. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky bashkëpunim shkon përtej kufijve shtetërorë dhe forcon lidhjet kombëtare dhe evropiane.

“Është ky bashkëpunim dhe unitet ai që na bën më të fortë dhe na ndihmon të përballemi me sfidat e përbashkëta. Ndaj dhe në emër të Bashkisë Tiranë dhe të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ju falënderoj për praninë dhe ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar festën e Pavarësisë. Këtë 28 nëntor ne shqiptarët festojmë 112-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, është një nga ato ditë kur zemra na bëhet mal dhe kur shpirti na skuqet kuqezi dhe kur mendja e çdo shqiptari mendon njësoj dhe me zë të lartë thërret “O sa mirë me qenë shqiptar”. E ku ka më bukur se ditën e flamurit ta festojmë të gjithë së bashku këtu në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kujtoi momente historike nga rruga drejt pavarësisë, duke përmendur intervistat e Ismail Qemalit në prag të shpalljes së saj.

Ai riktheu në kujtesë fjalët e Plakut të Vlorës mbi rëndësinë e ndjenjës kombëtare dhe unitetit mbi dallimet fetare dhe politike.

“…për Shqipërinë nuk ka kohë për të humbur, për Tiranën nuk ka kohë për të humbur, për Prishtinën nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët Arbëreshë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Preshevë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Mal të Zi nuk kaq kohë për të humbur është thirrja që na vjen pas 112 viteve sepse është nevoja urgjente për të bërë punë të mira, vepra të mira dhe për të krijuar komunitete të shëndosha në shqiptari kudo ku ne shërbejmë. Dhe prej kësaj kohe që të humbi për 600 vite lind një kohë e re. Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira. A na tremb një vështirësi? A tutemi, a tërhiqemi pas pas çdo sfide, pas çdo minorance të zhurmshme që nuk pëlqen një ndryshim një zhvillim një progres? Tutemi pas apo ndjekim shtegun më të vështirë, ndoshta rraskapitës por që në finale na çon në destinacion?! Falë njerëzve të mëdhenj që marrin në konsideratë vetëm gjëra të mëdha dhe pengesat që shfaqen dhe qëllimeve madhështore dinë tu japin prioritet, i shohin veç si vogëlima këto sfida që nuk meritojnë as të zihen me gojë. Ata që zgjedhin shtegun e vështirë dhe jo zgjedhjet e thjeshta dhe komode janë ata që e çojnë vendin, qytetin, komunitetin përpara”, nënvizoi Veliaj.

Në përfundim, Veliaj bëri thirrje për reflektim mbi të kaluarën dhe punë të përbashkët për të ardhmen.

“Ne na bashkon kulti i Atdheut tonë të përbashkët”, deklaroi Veliaj.

Për 28-29 nëntorin, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh social kulturore. Për të dytin vit radhazi, këtë të enjte, Bashkia e Tiranës do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shqiptarë nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë./ KultPlus.com

Arkivat, ekspozitë dokumentare dhe fotografike për festat e Nëntorit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon me aktivitetet në shërbim të promovimit të historisë kombëtare, në prag të festave të Nëntorit.

Në “Auditor”, në hapësirën kulturore dedikuar të rinjve, u zhvillua një leksion i hapur me nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” mbi Kongresin e Alfabetit, të mbajtur 116 vjet më parë në Manastir.

Në këtë aktivitet, ku ishte e pranishme drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka, mësuesja e historisë Yllka Muka dhe anëtarë të tjerë të stafit pedagogjik përkatës, nxënësit prezantuan referatet e përgatitura, në lidhje me vendimet e marra në Kongresin e Manastirit, si edhe me rolin e kësaj faqeje të lavdishme të historisë në shpalljen e Pavarësisë dhe në procesin e shtetndërtimit.

Po ashtu, pjesëmarrësit shpalosën disa krijime artistike nën tematikën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Në përmbyllje, DPA-ja paraqiti ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Një komb, një abc”, e cila përshkruan trajektoren e përshkuar për unifikimin dhe standardizimin e shqipes./ KultPlus.com

Zbulim i papritur nga NASA – shihen “rrjeta marimange” në një rajon në Mars

NASA ka zbuluar “rrjeta merimange” misterioze në një rajon afër ekuatorit të Marsit që nuk është eksploruar kurrë më parë.

Roveri Curiosity i NASA-s është dërguar për të hetuar këto struktura të çuditshme — të cilat mbulojnë një shtrirje prej gjashtë deri në 12 milje të shkretëtirës marsiane — ndërsa kërkon shenja që ky planet i shkretuar mund të ketë mbështetur dikur jetë aliene.

Gjeologët dyshojnë se këto rrjeta merimange janë një version gjigant i një tipi minerali të kristalizuar, i njohur si “boxwork,” që shfaqet brenda disa shpellave në Tokë.

Ato mund të gjenden në tavanin e Wind Cave në Dakotën e Jugut, të krijuara nga ujërat minerale me karbonat kalciumi që depërtonin në çarje midis shkëmbinjve më të butë dhe u ngurtësuan në kristale.

Por, rrjeta e shtrirë, mbi 3,800 akra e gjerë në Mars, ndryshon në atë që ndoshta u formua nga uji i detit marsian dhe mund të ketë kapur fosile të jetës së lashtë në rrjetën e saj.

“Këto kreshta do të përfshijnë minerale që janë në formën e kristaleve nën tokë, ku mund të ketë qenë më ngrohtë,” sipas gjeologes së Universitetit Rice, Dr. Kirsten Siebach.

“Organizmat mikrobiologjikë në Tokën e hershme mund të kishin mbijetuar në një mjedis të ngjashëm,” shpjegoi Dr. Siebach, duke theksuar se “uji i kripur i lëngshëm” që krijoi këto rrjeta marsiane është një vend ideal për të gjetur prova fosile të mikrobeve aliene të lashta.

Ky zbulim vjen ndërkohë që studiuesit australianë kanë zbuluar se një meteorit marsian, i cili ra në Afrikën Veriperëndimore, ofron më shumë prova për praninë e ujit të nxehtë në Mars.

Një analizë kimike e këtij meteori sugjeron se kushtet ishin të përshtatshme për zhvillimin e jetës ujore në planetin fqinj të Tokës mbi katër miliardë vjet më parë.

Që nga ulja e tij në sipërfaqen e Marsit më 6 gusht 2012, roveri Curiosity ka eksploruar Planetin e Kuq në kërkim të shenjave të jetës — si dhe për të zbuluar të dhëna për klimën, gjeologjinë dhe fatin e ujit të lashtë të Marsit.

Por, kërkuesit e NASA-s janë intriguar nga kjo “rrjetë merimange” masive gjeologjike prej shumë kohësh, që kur sateliti i tyre Mars Reconnaissance Orbiter kapi për herë të parë imazhe ajrore të këtij peizazhi të habitshëm më 10 dhjetor 2006.

Mënyra se si këto formacione mund të jenë shfaqur në sipërfaqen e Marsit mbetet ende një mister, por teoritë tregojnë për kaosin klimatik që zhveshi Marsin nga uji miliarda vjet më parë.

Mundësia që prova të jetës mikrobiologjike ujore në Mars të jetë kapur në këtë rrjetë gjigante si fosile “e bën këtë një vend emocionues për eksplorim,” vuri në dukje Dr. Siebach.

Kjo rrjetë e mundshme mikrobesh dhe insektesh aliene të vdekura ndodhet nën hijen e një mali tre milje të lartë, zyrtarisht i njohur si “Aeolis Mons,” por i mbiquajtur “Mount Sharp.”

Eksplorimet e mëparshme nga roveri Curiosity kanë zbuluar shumë shtresa sedimentare përgjatë faqeve shkëmbore të Mount Sharp, duke sugjeruar në detaje të pasura se ato janë formuar nga erozioni i ujit përmes depozitave të liqeneve të lashta.

Shkencëtarët e NASA-s dyshojnë se erozioni ndihmoi në formimin e rrjetës gjigante kristalore të merimangës, pasi impulset e ujit të pasur me minerale depërtuan në rrjedhën poshtë malit Sharp në çarjet e shkëmbinjve të sipërfaqes dhe më pas kristalizuan.

Sipas punës së hartografimit satelitor që Dr. Kirsten Siebach publikoi në vitin 2014, të paktën 113.6 miliardë gallonë ujë mineral të ngrohtë dhe të kripur do të kishin qenë të nevojshme për të krijuar fushën e madhe të rrjetës kristalore, e cila është më e madhe se Aeroporti i Los Angeles-it (LAX).

“Kjo është një sasi e konsiderueshme uji nëntokësor që duhet të ketë qenë i pranishëm,” shkruan ajo dhe bashkautori i saj në një artikull për revistën Journal of Geophysical Research: Planets.

“Mineralizimi,” lloji i formimit të kristaleve që ndoshta ka ndodhur këtu, “në Tokë njihet për të ndihmuar në ruajtjen e mjediseve dikur të banueshme,” theksuan ata.

Ndërkohë, këtë muaj në Australi, shkencëtarët që punojnë me meteoritin marsian NWA 7034, i cili ra në Afrikën Veriperëndimore, kanë zbuluar prova të mëtejshme se oqeanet e ngrohta të lashta në Mars mund të kishin mbështetur lehtësisht jetën aliene.

“Përdorëm gjeokiminë në nano-shkallë për të zbuluar prova elementare të ujit të nxehtë në Mars 4.45 miliardë vjet më parë,” tha shkencëtari planetar Dr. Aaron Cavosie në një deklaratë.

“Shenjat gjeokimike të ujit” u zbuluan në meteoritin NWA 7034, shpjegoi Dr. Cavosie, bazuar si në formën e strukturave të kokrrave të tij shkëmbore ashtu edhe në përbërjen e tij kimike: “shenja të qarta të lëngjeve të pasura me ujë nga koha kur u formuan kokrrat.”

Mendohet se NWA 7034 është nxjerrë nga një ndikim asteroidësh në Mars, që krijoi një krater në verilindje të provincës Terra Cimmeria-Sirenum në hemisferën jugore të Marsit.

Një teknikë e veçantë e përdorur për të përcaktuar moshën e mineraleve jashtëzakonisht të vjetra të zirkonit përmes sasive gjurmuese të materialeve radioaktive, e quajtur “datimi uranium-plumb,” zbuloi se ky meteorit përbëhet nga disa prej shkëmbinjve më të vjetër vullkanikë marsianë që janë marrë ndonjëherë.

“Ekipi identifikoi modele elementare në këtë zirkon unik, duke përfshirë hekur, alumin, itrium dhe natrium,” tha Dr. Cavosie, “përmes imazheve dhe spektroskopisë në nano-shkallë.”

“Këto elemente u shtuan ndërsa zirkoni u formua 4.45 miliardë vjet më parë,” vazhdoi ai, “duke sugjeruar se uji ishte i pranishëm gjatë aktivitetit të hershëm magmatik marsian.”

Kjo përzierje e ujit të nxehtë dhe të pasur me minerale, e ngjashme me burimet hidrotermale që mbështesin jetën në thellësi të oqeaneve të Tokës, tregon për mundësinë që jeta të ishte duke u zhvilluar në Mars miliarda vjet më parë, mes të gjithë këtij aktiviteti vullkanik.

“Sistemet hidrotermale ishin thelbësore për zhvillimin e jetës në Tokë,” shpjegoi Dr. Cavosie, “dhe gjetjet tona sugjerojnë se Marsi gjithashtu kishte ujë, një përbërës kryesor për mjedise të banueshme, gjatë historisë më të hershme të formimit të kores.”

Shkencëtari planetar australian dhe ekipi i tij në Universitetin Curtin në Australi publikuan rezultatet e tyre në revistën Science Advances të premten e kaluar.

Gjatë më shumë se një dekade në Planetin e Kuq, roveri Curiosity i NASA-s ka përshkuar rreth 20 milje të sipërfaqes marsiane për të kërkuar prova për jetën që mund të ketë lulëzuar dikur atje.

Curiosity do të fillojë të studiojë nga afër kreshtat e rrjetës së merimangës në vitin 2025, sipas administratorit të NASA-s, Bill Nelson, ku do të qëndrojë për një “udhëtim njëmujor përmes rrjetës kristalore të Marsit.” /Express/ KultPlus.com

Ndërron jetë aktivisti shqiptaro-amerikan Prof. Sami Repishti

Prof. Sami Repishti, i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri ndërroi jetë të mërkurën më 27 nëntor 2024, në moshën 99-vjeçare.

Prof. Repishti lindi në lagjen Dudas të Shkodrës më 6 prill 1925. Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.

Për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit.

“Kalova një periudhë shumë të vështirë me tortura nga më çnjerëzoret që mund të mendohen. Edhe sot akoma më dridhet trupi kur e kujtoj mënyrën se si na kanë trajtuar, sa keq na kanë trajtuar”, u shpreh ai për Zërin e Amerikës në qershor të vitit 2019, për jetën e tij dhe vuajtjet gjatë komunizmit.

Ai u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat vuajti 10 vjet në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe pune të detyruar.

Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimisht në Shtetet e Bashkuara.

Ai vazhdoi studimet e larta për frëngjisht duke marrë doktoraturën nga Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut dhe Universiteti i Parisit. Ai pati një karrierë të gjatë si arsimtar dhe pedagog.

Gjatë gjithë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Repishti pati një aktivizim të vazhdueshëm për çështjet e lidhura me shqiptarët. Në vitin 1996 ai themeloi Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe shërbeu si president i tij deri në vitin 1998.

Ai ka dëshmuar disa herë para Kongresit dhe ka përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Ai ka qenë prej kohësh udhëheqës i veprimtarive kulturore dhe politike të këtij komuniteti dhe ishte një anëtar i respektuar i tij.

Prof. Repishti është autor i librave “Nën Hijen e Rozafës”, ku përshkruan vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist dhe “Pika Loti” kushtuar bashkëvuajtësve të tij në burg. /voa

‘Njeriu do zhvishet nga punët fizike dhe ndjesitë negative’, Ben Blushi ‘projekton’ parajsën e së ardhmes: Do kalojë nga teknologjia. Si do të ndryshojë jeta jonë

“Parajsa Artificiale” është libri i fundit nga Ben Blushi. Ajo që mes dialogëve ngjason si një histori dashuri, ka brenda edhe një projektim të së ardhmes, natyrisht nën ndikimin e Inteligjencës Artificiale. Teksa debati për Inteligjencën Artificiale është tashmë global, Blushi shprehet se nuk ka asnjë frikë, pasi është vetëm në shërbim të njerëzimit. Në intervistën e tij dhënë ekskluzivisht për Gazetën Panorama, Ben Blushi zbulon sesi parajsa në të ardhmen do të kalojë nëpërmjet teknologjisë, duke e ‘zhveshur’ njeriun nga punët fizike dhe ndjesitë negative.

Më tej autori rrëfen se edhe besimi në Zot do të ndryshojë me kalimin e kohës, pikërisht nga pushteti që teknologjia do t’i japë njeriut. I ndarë mes ferrit dhe parajsës, Blushi shprehet se më shumë hapësirë i ka dedikuar ferrit në këtë libër, pasi shumicën e jetës e kalojmë në ferr. Simon Shuter është një personazh i krijuar prej Blushit, por duket se edhe vetë autori ia ka “zili” kurajën dhe mënyrën sesi e jeton jetën. Ndaj edhe nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të shijojë sukseset e tij…

“Parajsa Artificiale”, si doli nga Panairi i Librit? A i arritët pritshmëritë tuaja?
Panairi i Librit është dyqani më i madh i librave në Shqipëri, në kushtet kur libraritë pothuajse janë zhdukur nga shumicat e qyteteve tona. Kështu që tri palët që marrin pjesë çdo vit në Panair e shfrytëzojnë këtë aktivitetet sipas interesave të tyre. Botuesit shesin, lexuesit blejnë, ndërsa shkrimtarët negociojnë me të parët dhe bisedojnë me të dytët. Kështu bëj edhe unë dhe prandaj këtë vit u kënaqa me lexuesit e mi, që nuk më tradhtuan dhe erdhën siç i prisja, me kuriozitetin entuziast të librit të ri dhe me shijen e mirë të librit të fundit. Megjithëse organizatorët nuk e bënë publike, sipas traditës, “Parajsa Artificiale” ishte libri më i shitur edhe këtë vit, siç ndodhi edhe vjet me romanin tim “Komploti”. Dhe ndoshta prandaj shifrat e shitjeve nuk u publikuan, sepse Panairi nuk bën të njëjtin gabim dy herë.

Cilat janë pyetjet më të çuditshme që ju janë bërë për këtë libër?
Më janë bërë shumë pyetje, por dikush që kishte lexuar librin më shkroi se nga e dija unë se një ditë robotët humanoidë do të gatuajnë speca të mbushur. Unë e kam shkruar vërtet këtë fjali dhe besoj se një ditë do të ndodhë që robotët e pajisur me inteligjencë artificiale do jenë kuzhinierët, kamerierët, babysiterat, shoferët dhe mësuesit e fëmijëve tanë. Flasim për ndoshta një shekull më vonë ose edhe më shumë.

Ndoshta shija e specave të mbushur nga robotët nuk do jetë si ajo e gjysheve tona, por që robotët do të mësojnë të mbushin specat me oriz, apo të bëjnë një sanduiç me djathë, kjo nuk diskutohet dhe nuk është fare për t’u çuditur. Nëse robotët do arrijnë të hapin aortat tona për t’i zgjeruar nga bllokimet që shkaktojnë infarkte, pse nuk do mbushin dot një spec pasi ta qërojnë? Zemra dhe speci nuk kanë ndonjë ndryshim të madh dhe mund të hapen njëlloj nga një tru artificial, që përdor duar metalike në mënyrë të përpiktë dhe pa asnjë gabim si ata që bën njeriu.

Ku ngjason Simon Shuter me Ben Blushin? Keni pika ku ndaheni dhe takoheni me personazhin tuaj?
Shumica e pyetjeve që kam marrë këtë vit kanë qenë për Simon Shuterin, një personazh të cilin unë e kam në tri libra, te “Kandidati”, “Komploti” dhe “Parajsa Artificiale”. Në të tria rastet ai bën gjëra të ndryshme, që pothuajse janë të pamundura. Pikërisht se arrin gjëra të pamundura, ai nuk ngjan me mua. Në një rast ai djeg një qytet si Elbasani, rrëzon aty bustin e bashkëpunëtorit të nazistëve Lef Nosi, ndryshon rezultatin e zgjedhjeve dhe zgjedh kryetar bashkie një kandidat që kishte vdekur dy javë para zgjedhjeve. Unë kam qenë deputet në Elbasan dhe megjithëse kam dashur t’i bëj të gjitha këto, nuk ia kam dalë dot, kështu që nuk ngjaj fare me Simon Shuterin.

Duke mos hequr dorë nga këto kapriço, në librin “Komploti”, Simon Shuteri sajon një konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve, legalizon eutanazinë, pastaj pushton Kavajën, e çliron atë pasi mbyll të gjitha pikat e naftës në Shqipëri dhe në fund sajon një referendum, ku shqiptarët ftohen të zgjedhin mes Amerikës dhe Rusisë. Unë nuk do të doja t’i bëja të gjitha këto, por edhe nëse do të doja, natyrisht nuk do i arrija dot kurrë. Prandaj nuk ngjaj dot me Simon Shuterin, i cili është më i guximshëm se unë, më elastik dhe shumë më dinak. Ai shpëton nga situata në të cilat unë do kisha rënë në kurth.

Për shkak të Inteligjencës Artificiale – keni thënë ju – do të përjetojmë parajsën, pa pasur nevojë të vdesim. Një fjali që ngjall shumë debat, por sipas jush, cili është koncepti i parajsës që na pret në të ardhmen?
Kur kam shkruar këtë fjali, kam pasur parasysh dogmën e krijuar bashkë me Zotin, sipas së cilës e vetmja rrugë për të shkuar në parajsë është vdekja. Pra, librat e shenjtë, profetët dhe vetë Zoti na kanë mësuar se njerëzit e mirë shkojnë në parajsë, njerëzit këqij shkojnë në ferr. Ky premtim ka qenë një mundësi për të bindur njerëzit që të mos bëjnë keq, të mos vjedhin, të mos vrasin, të mos gënjejnë, të mos mashtrojnë, sepse shpërblimi i tyre do të jetë parajsa. Mirëpo ky premtim i Zotit nuk ka funksionuar. Shumë pak njerëz e kanë besuar dhe shumë më pak i janë bindur. Pra, parajsa e premtuar nuk i ka bërë njerëzit më të mirë.

Luftërat dhe grykësia vazhdojnë. Urrejtja është shtuar. Atëherë duhet të ketë një rrugë tjetër për të shkuar në parajsë para se të vdesësh, dhe kjo rrugë ndoshta kalon nga teknologjia. Nga shkenca. Ditën kur teknologjia do e përmirësojë njeriun duke e zhveshur nga interesat materiale, nga paraja, prona dhe puna fizike, njeriu do të jetojë vetëm për të kënaqur shpirtin e tij dhe kjo shoqëri njerëzore do t’i ngjajë parajsës më shumë se çdo gjë tjetër që kemi njohur. Pra, me pak fjalë, një ditë njerëzimi do të ketë mundësi ta ndërtojë dhe shijojë parajsën në tokë, pa pasur nevojë të vdesë paraprakisht. Prandaj them se rruga për në parajsë nuk kalon nga Zoti, por nga përmirësimi i racës sonë.

Inteligjenca Artificiale a po shfuqizon njeriun, jo vetëm në aspektin fizik?
Ne jemi shumë herët për ta parashikuar fuqinë dhe dobinë e Inteligjencës Artificiale, por unë mendoj se nëse ajo do ta zëvendësojë njeriun në shumë punë, do ishte diçka e mrekullueshme. Njeriu bën keq apo shumë keq shumë gjëra, që IA mund t’i bëjë shumë mirë, shumë shpejt dhe pa shpërblim. Pra, më mirë një polic artificial se një polic njerëzor dhe pa dyshim, më mirë një gjyqtar artificial sesa një gjyqtar që jep drejtësi emocionale apo me interes.

Bota do jetë më e mirë kur IA të marrë në dorë të gjithë burokracinë, përfshi shërbimet, bankat, mjekësinë e deri te marketingu, ndërtimi, arsimi dhe transporti. Nëse do më pyesni ç’do të bëjnë njerëzit, mund t’ju them se do bëjnë mamin dhe babin dhe do t’i kushtohen leximit, artit, pasurimit të shpirtit, shpikjeve, udhëtimeve dhe dashurisë. Kush ankohet pse në vend të peshkatarëve që rropaten nëpër dete, peshqit do t’i kapin ca robotë që nuk lodhen, nuk nxihen dhe nuk mbyten, jeton në të shkuarën. Ata do të kapin më shumë peshk se Jezu Krishti që iu desh të bënte një magji për të ushqyer të varfrit. Inteligjenca Artificiale do e bëjë këtë çdo ditë pa kërkuar adhurim. Kjo punë nuk do jetë një magji, por një detyrë.

“Profetët parashikojnë vetëm gjëra të këqija” – thotë Simon Shuter, mos ndoshta në libër ka edhe një “përplasje” mes fesë dhe teknologjisë?
Një “përplasje” që ndoshta qëndron që në titull? Simon Shuteri beson se pas disa shekujsh, njerëzimi do ketë perëndi të tjera dhe profetë të tjerë, pasi këta që kemi, e kanë kryer misionin e tyre dhe kanë dështuar. Bota nuk është më e mirë, luftërat nuk kanë reshtur, egërsia e njeriut nuk është fashitur, uria nuk është zhdukur. Kështu ka ndodhur disa herë në historinë e njerëzimit. Profetët dhe perënditë janë zëvendësuar shpesh. Para Krishtit dhe Mohamedit njerëzit besonin në gjëra të tjera më bazike dhe më pak mistike. Këta të dy krijuan dy histori fantastike dhe ndryshuan rrjedhën e historisë. Por 1000 vjet më vonë, ata do të jenë pjesë e librave dhe legjendave, siç janë sot Zeusi dhe Poseidoni apo Zarahustra tek të cilët nuk beson më askush.

Pra, si çdo gjë tjetër, edhe profetët, edhe besimi në Zot është i përkohshëm dhe sa më shumë dije të fitojë njerëzimi dhe sa më shumë pushtet të marrë për shkak të teknologjisë, aq më pak do besojë në gjërat që beson sot. Megjithatë, raporti i njeriut me besimin është i paparashikueshëm. Zoti humb kur njeriu është i lumtur. Vetëm kur është i dëshpëruar, njeriu shkon te Zoti. Unë nuk e parashikoj dot të ardhmen, megjithëse kam krijuar një maket të saj te romani “Parajsa Artificiale”, duke besuar se e ardhmja do jetë më e mirë se sotmja, siç është e sotmja më e mirë se e djeshmja.

Një roman që ka edhe dashuri brenda, në çfarë proporcioni qëndrojnë bashkë, ferri, parajsa dhe Inteligjenca Artificiale në këtë histori dashurie?
Përderisa shumë njerëz besojnë se jeta i ngjan më shumë ferrit se parajsës, do të thotë që ne e njohim ferrin më mirë dhe shumë më pak e njohim parajsën. Shumë njerëz besojnë se jeta i ngjan më shumë ferrit se parajsës, do të thotë që ne e njohim ferrin më mirë dhe shumë më pak e njohim parajsën. Dhe meqë shumicën e jetës e kalojmë në ferr, edhe në romanin tim vendin më të madh e zë ferri sesa parajsa. Një shkrimtar tjetër që e kishte bërë këtë llogari më tha se në këtë roman unë i kam kushtuar 89 faqe ferrit dhe 49 faqe parajsës.

Kur më pyeti nëse ky raport joproporcional ka ndonjë domethënie, i thashë se nuk ka, por ai tregon se unë, si të gjithë ne, e njoh më shumë ferrin se parajsën dhe prandaj kam shkruar më gjatë për të parin dhe më shkurt për të dytin.

Po dashurinë, si do ta ndryshojë Inteligjenca Artificiale?
Personazhi im thotë se dashuria në kohën e Inteligjencës Artificiale, pra shumë kohë më vonë, do jetë më e pastër, shumë më e bukur dhe njeriu do t’i kushtojë asaj gjithë jetën e vet. Imagjinoni sikur dashuria të jetë e çliruar nga xhelozia, pasiguria, tradhtia, lodhja, varfëria, pabarazia, plakja dhe shëmtia, se si do jetë. Imagjinoni si mund të jetë dashuria nëse njeriu gëzon një rini të përjetshme duke mundur plakjen.

Nëse Inteligjenca Artificiale na e zgjat jetën, na ndihmon të jetojmë pa sëmundje të rënda, na bën njerëz më të mirë, na heq nevojën për të gënjyer, për të vrarë dhe për të rrëmbyer atë që nuk na takon, atëherë përfituesi më i madh do jetë dashuria, sepse njeriu do të jetë plotësisht në funksion të saj. Dashuria është nevoja për të bërë mirë. Atëherë njeriu që nuk bën keq apo do ketë harruar të bëjë keq, do jetojë për të dashuruar njerëzit e tjerë, natyrën dhe artin. Kështu, njeriu mund të jetë një krijesë perfekte, pothuajse po aq e përkryer sa Zoti që ka krijuar vetë. Ka shumë njerëz që kur i pyesin çfarë është Zoti, thonë se Zoti është dashuri. Atëherë pse të mos jetë edhe njeriu dashuri përderisa ai ecën në gjurmët e Zotit?

Keni folur për të mirat që AI sjell për njerëzit, por a ka sot Ben Blushi një frikë për Inteligjencën Artificiale, diçka që mund të shkojë keq në të ardhmen?
Unë nuk kam asnjë frikë nga Inteligjenca Artificiale sepse besoj se ajo nuk ka asnjë arsye t’i bëjë keq njeriut. Inteligjenca Artificiale jeton për të shërbyer. Ajo nuk do pasuri, nuk do pushtet, nuk kërkon shpërblim, nuk kërkon rrogë, nuk kërkon të shkojë me pushime, nuk kërkon të martohet, nuk ka fëmijë, nuk ka frikë nga vdekja, nuk beson në Zot dhe prandaj nuk bën keq. Atëherë pse duhet të kem frikë nga një makinë që i ngjan njeriut duke e tejkaluar në shpejtësi dhe që nuk e përdor trurin e vetë special për të përfituar

Ben Blushi si gazetar, si shkrimtar dhe politikan, kë mendoni se bëni më mirë nga këto tri profesione? Ku gjendeni më komod?
Unë jetoj për të shkruar dhe kjo më shijon më shumë se çdo punë që kam bërë më parë në jetë.

Çfarë iu frymëzon të shkruani zakonisht? Ka një ndodhi, një zhvillim, apo një gjendje që iu shërben si muzë?
Vjen një moment kur nuk ke nevojë as për muzë dhe as për frymëzim të caktuar, por vetëm për qetësi. Nëse truri yt është i qetë dhe nuk kërcen në gjëra të tjera, mund të jesh një shkrimtar i mirë. Të jesh në një gjendje qetësie për të menduar nuk është shumë e lehtë në ditët tona dhe nuk varet shumë nga ty, sidomos në rastin tim kur personazhet që kam pasur nëpër disa libra, nganjëherë dalin që aty, marrin rrugët dhe mikrofonat dhe më sulmojnë me sa kanë fuqi. Atëherë unë duhet të mbrohem dhe të shkëputem përkohësisht nga shkrimi, derisa t’i mund apo të më mundin siç ka ndodhur jo rrallë. Kështu që në rastin tim, qetësia e të shkruarit nuk është asnjëherë e garantuar, sepse jetët që kam bërë më parë, kanë qenë të mbushura me shumë dallgë, të cilat më lagin akoma.

Simon Shuter krijoi një luftë për një grua, cila është çmenduria më e madhe që Ben Blushi ka bërë për një grua?
Siç të thashë, unë nuk barazohem dot me Simon Shuter. Ai më mund në çdo aspekt, përfshi edhe në mënyrën si e shijon dhe e administron jetën e vet private. Ai është shumë kurajoz dhe nuk ka frikë t’i tregojë historitë e veta. Unë jam më i varfër në këtë drejtim dhe prandaj shumë më i heshtur. Unë shijoj sukseset e tij të vjetra dhe të reja dhe kjo më mjafton./Panorama/ KultPlus.com

Ambasada e Shqipërisë uron pavarësinë

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë e ka uruar ditën e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntorin.

“Ambasada e Shqipërisë në Kosovë e ka uruar sot festën e 28 nëntorit.“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ju uron Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e shenjtë te flamurit!”, thotë urimi i ambasadës në X.

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, ekranizim i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i është nënshtruar procesit të restaurimit.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, përmes një postim në rrjetet sociale i cili i fton të gjithë të ndjekin tani në 4K filmin e realizuar në 1989 “Kthimi i ushtrisë së vdekur” që iu nënshtrua digjitalizimit duke u restauruar, si një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat./Konica.al/ KultPlus.com

Promovohet libri “Kape Lepurin” i autores Lana Bastašić, trajtohen pasojat e pasluftës në shoqërinë e Bosnjës

Vjollca Duraku

Në kuadër të projektit kulturor “Evropa Kreative” mbrëmë është promovuar libri “Kape Lepurin” i autores Lana Bastašić, në ambientet e librarisë Dukagjini, shkruan KultPlus. Libri është përkthyer nga Shkëlzen Maliqi dhe trajton një histori tejet emocionuese për luftën, vdekjen e miqësinë femërore e krahas tyre edhe për identitetin dhe marrëdhëniet femërore e pjekurinë feministe në një shoqëri patriarkale e konservatore të periudhës së viteve ’90.  

Ngjarja zë fill në një udhëtim rrugor të Bosnjës së pasluftës, ku dy shoqet Lejla dhe Sara udhëtojnë nëpër të kaluarën e tyre, ku synimi i përbashkët është gjetja e vëllait të Lejlës, Arminit, i cili figuronte si person i zhdukur në luftën e Bosnjës, e që vetëm ato ishin të bindura se ai ende ishte gjallë.

Kjo ceremoni u hap nga moderusja Jeta Zymberi, e cila fillimisht dha detaje për përmbajtjen e librit si dhe të autores Lana Bastašić.

“Lana Bastašić është shkrimtare, romanciere dhe përkthyese boshnjake. Romani debutues i Bastashiqit “Kape lepurin” u botua në Beograd në vitin 2018, dhe më pas u ribotua në Sarajevë. Libri fitoi Çmimin e BE-së për Letërsinë në vitin 2020 dhe u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin NIN. Ndërsa “Dukagjini” e sjell “Kape lepurin” ne gjuhen shqipe, në kuadër të kolonës “Effugium””, ka thënë moderuesja Zymberi.

Ndërsa, përkthyesi i librit “Kape Lepurin” Shkëlzen Maliqi ka thënë se vepra  trajton një tregim mjaft njerëzor për tmerret që kanë ndodhur në Bosnjë, që në prapavijë ka zhgënjimin në shoqëri.

“Ky roman nuk është direkt, nuk flet direkt për luftën, por për pasojat te gjeneratat e mëvonshme. Jugosllavia dhe Bosnja janë në qendër. Kryepersonazhet janë dy shoqe të cilat e kujtojnë rininë e tyre kur këto kanë qenë në shkollë të mesme, atëher edhe kur ka ndodhur lufta, ku u shpërbë edhe një shoqëri që deri gjatë kohës së Jugosllavisë kanë jetuar në njëfarë sistemi vllaznim-bashkim, që në Bosnje nuk dallon shumë. Vetëm feja i dallon, bile edhe etnikisht janë një substrat”, ka thënë Maliqi.

Më tej, përkthyesi Maliqi ka thënë se romani është i shkruar në një gjuhë lehtësisht të kuptueshme, porse për të personalisht procesi i përkthimit ka qenë mjaft sfidues.

“Tregimi i këtyre dy vajzave është e shtjelluar mirë. Trajtohet ajo që e përjetojnë ato, kërkimi i vëllaut të njërës prej tyre që kthehet nga Irlanda ku ka jetuar shumë vite, se Lejla e thërret  Sarën në njëfarë udhëtimi me kërku Arminin. Autorja e ka zbritur në një nivel interesant, dhe i tregon pasojat e një katastrofe që e ka përjetuar ajo shoqëri edhe ato individualisht. Ky roman është për Jugosllavinë, në të vërtetë udhëtimi në të kaluarën është një lloj përshkrimi i biografisë së vetë autores sepse edhe ajo është e Bosnjës, por që ka lindur në Zagreb”, ka thënë përkthyesi Maliqi.

Ndërkaq, shkrimtari  Shpetim Selmani ka thënë se shkrimtarët e rajonit të Ballkanit në përgjithësi e trajtojnë si filozofi temën e dëshpërimit, për shkak të origjinës së tyre dhe historisë së luftërave.

“Këta e kanë dëshpërimin si filozofi. Ndoshta edhe për shkak të luftrave, e kanë të pamundur shkëputjen prej të kaluarës dhe e kanë të pamundur me u largu komplet nga identiteti. Personazhi kryesor edhe pse shkon në Irlandë dhe e ka të pamundur ikjen nga kjo temë, sepse është diçka që është formësuar gjatë kohës së fëmijërisë, është diçka që reziston tërë jetën”, ka thënë Selmani.

Kurse, sa i përketë personazheve kryesore shkrimtari Selmani thotë që nuk e ka konceptuar si një raport komplet të definuar.

“Në fakt medoj që ka dashuri edhe mes atyre, edhe dashuri erotike, megjithëse karakteri i Lejlës ka një liri personale që i mungon personazhit tjetër. E ka një vullnet që e ushtron shumë fuqishëm, e ka një liri të jashtëzakonshme. Ndërkohë që personazhit tjetër i mungon kjo. Dhe ndërkohë asaj i mungon kjo brishtësia, ky naiviteti i personazhit tjetër”, ka deklaruar Selmani.

Ai më tej thotë që Sara dhe Lejla janë personazhe të ndryshme nga njëra tjetra, por që kanë një lidhje të thellë shpirtërore.

“Personazhi i Lejlës është personazh shumë i fuqishëm që then then shumë rregulla, në një Bosnjë të shkatërruar prej normave, prej luftës, mendësi arkaike. Është një personazh jashtëzakonisht interesant. Mendoj që kanë një lloj dashurie erotike sepse e kanë të pamundur shkëputjen prej njëra tjetrës, idomos kur takohen me këto kujtime kaq të thella. Mënyra se si i përshkruan autorja me një gjuhë jashtëzakonisht të fuqishme poetike, të detajuar, me shumë kujdes e rafinuar, mendoj që është mund të jetë edhe ky element i pranishëm”, ka thënë Selmani.

Libri “Kape Lepurin” në gjuhen shqipe është përkthyer në kuadër të kolonës “Effugium”. /KultPlus.com