Ndre Mjedja – Autor veprash të përkryera poetike

Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, që bashkorganizohen nga revista “Drita” dhe biblioteka “Ernest Koliqi”, mbrëmë në Prishtinë, pikërisht në ditën e lindjes së tij, është përuruar vepra e plotë e poetit të madh shqiptar, Ndre Mjedja.

Në këtë manifestim, akademik Kujtim M. Shala është paraqitur me ligjëratën Labor limae, ndërsa botuesi e publicisti Frano Kulli me kumtesën Vepra e plotë e Ndre Mjedjes.

“Në punën e tij pa fund, Mjedja projektoi katër vepra me tematikë mitologjinë dhe historinë e qendrave kryesore të jetës shqiptare ndër shekuj, si një arkeologji etnike, të kujtuar dhe të krijuar nga fillimi: Lissus (1928), Scodra, Durrhachium e Apollonia, nga të cilat Scodra, me njëmbëdhjetë sonete, nuk u krye, Lissus, me dymbëdhjetë, u shkrua dhe u botua, ndërsa dy të tjerat nuk u shkruan asnjëherë. Poemthat Lissus e Scodra kanë trajtë poetike klasike, tematikë identitare, të rrënjëve të shqiptarëve, të lidhura në kulturën e rrallë letrare dhe diturore të Mjedjes, si dhe të provuara me formën e përkryer poetike”, theksoi akademik Kujtim Shala.

Ndërsa, Frano Kulli paraqiti një kronologji me të dhëna shumë të çmueshme të botimit të veprës poetike të Ndre Mjedjes, duke spikatur edhe momente të veçanta, kur krijimet e këtij poeti kishin pësuar “redaktimet” e censurës socrealiste të kohës së monizmit në Shqipëri.

Manifestimin e mbrëmshëm e begatuan me diskutimet e tyre edhe studiuesit e njohur të letrërsisë, Muhamet Hamiti, Nysret Krasniqi, Ndue Ukaj etj., kurse për pjesën artistike u përkujdesën Magdalena Sedaj, piano, dhe solistët Doruntina Gjini e Genc Krasniqi./KultPlus.com

Gjinushi: Shqipja gjuhë e mrekullueshme, rezultat i një procesi 6-mijëvjeçar

Në ceremoninë e çeljes së Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë “Sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI”, akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbajti një fjalë përshëndetëse.

Në emër të ASHSH, akad. Gjinushi mbështeti nismën e Qeverisë për shpalljen e vitit 2024 Vit të Gjuhës Shqipe, që u bë pjesë e një kalendari mbarëkombëtar: në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, në Arbërinë e arbëreshëve e në Mal të Zi, në ngulimet historike e në diasporë.

“Pa njësimin e alfabetit dhe latinizimin e shkrimit, të vendosura aty, nuk mund as të kuptohet, as të përfytyrohet rruga historike që ndoqi gjuha shqipe përgjatë një shekulli e më shumë që nga viti 1908. Kombi shqiptar u formua dhe shteti shqiptar u pavarësua përmes kontributit të shoqërive atdhetare, klubeve kulturore e lëvizjeve mendore e vendimeve të marra në kongrese e evente si ai i Manastirit”, tha në Kuvend, kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi.

Gjinushi, në fjalën e tij, përmendi studimet e bazuara mbi ADN-në e popullatave e gjetjet arkeologjike ndër vite, të cilat dëshmojnë lashtësinë e vijimësinë e popullimit të rajonit tonë që prej 8 mijë vjetësh.

“Këto studime nuk flasin për supremaci të një gjuhe ndaj të tjerave, as të një popullsie ndaj të tjerave, por i japin shqipes e shqiptarëve, historisë së tyre, vendin që iu takon; tregojnë gjithnjë e më qartë rrugëtimin e formimit të etnosit shqiptar e gjuhës shqipe, krahas e në dallim me gjuhët e popujt e tjerë, shkallën e ndërthurjes midis ardhësve e vendësve, e ky proces 6-mijë vjeçar, me zanafillë parailire e parapellazge ka dhënë këtë gjuhë të mrekullueshme me të cilën Kadare diti të shkruajë kryevepra botërore, dëshmi kjo e pasurisë së saj”, tha akademik Gjinushi.

Më tej, ai theksoi se, ne të gjithëve na takon ta mbrojmë këtë pasuri e vlerë kombëtare: së pari, ta mbrojmë nga vetja, nga keqpërdorimi a mospërdorimi. Gjithashtu duhet theksuar, sipas Gjinushit, rëndësia që ka gjuha standarde, tregues ky i një stadi të avancuar të zhvillimit të kulturës e gjuhës së një kombi./atsh/KultPlus.com

“Ditët e Alfabetit”, Arkivat ekspozojnë “Dorëshkrimet e Kadaresë” në Shkup

Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e “gjeneralit” të pavdekshëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i Drejtshkrimit”, ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i përgjitshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.

Në fjalën përshëndetëse, Asani u shpreh se kjo ekspozitë është produkt i një angazhimi ndërinstitucional, që ka për qëllim nxjerrjen në pah të veprimtarisë së Kadaresë, në këtë përvjetor me rëndësi për kombin.

Drejtori i përgjithshëm i DPA-së, nënvizoi se përmes penës së Kadaresë shpaloset një portret i identitetit kombëtar, që sikurse u dëshmua në Kongresin e Manstirit, është i pajtueshëm me vlerat europiane.

Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:

Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;

Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;

Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;

Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;

Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar; dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën; dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.

Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Nesër publikohet drafti i fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”.

Rama shprehu se fjalori vjen si pjesë e rezistencës për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga presionet e shumta të kohës, duke e cilësuar paraqitjen e fjalorit si moment historik n♪7 këtë përpjekje.

“Sot më vjen shumë mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik, besoj unë, për sa i përket gjuhës të prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që më në fund, pas gjysmë shekulli, përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave dhe me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve, akademikëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut dhe nesër, në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti, le të themi, i këtij fjalori”, deklaroi Rama.

Rama u shpreh se, “fjalori do të hidhet në një konsultim shumë të gjerë publik dhe do të merren të gjitha ato opinione dhe të gjitha ato sugjerime dhe të gjitha to vërejtje dhe të gjitha ato kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme në një përpjekje ku, siç e thashë më parë, ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm sepse jemi nën jemi agresionin e barbarisë dhe gjithfarëlloj injorantësh dhe delirantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të patjetërsueshëm që të jemi në mbrojtje dhe që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”.

“Këtu unë nuk dua të hyjë në debatet e bëra lidhur me çfarë i bëri gjuhës, Kongresi i Drejtshkrimit, i bëri atë që unë besoj, shërbimin më të madh historik dhe shërbimin më të madh kombëtar, apo i bëri të kundërtën sepse unë besoj që nuk është fare detyra e politikës dhe nuk është misioni apo detyra e asnjë politikani që të hyjë në këtë territor dhe aq më pak pastaj të kontribuojë për të kundërtën e asaj që politika duhet të bëjë që të kujdeset për të krijuar një hapësirë sa më të gjerë dhe sa më pjellore për të gjithë ata që janë njerëzit e kësaj pune”, tha Rama.

Sepse, shtoi Rama, “patëm një orë të errët në historinë tonë bashkëkohore kur në 100- vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë inicioi një proces për të hapur debate që vendet e tjera të civilizuara i kanë mbyllur prej shekujsh”.

Rama citoi edhe albanologun Maximilian Lambertz, i cili shkruan se, “historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen të shkruajnë historinë e tyre”.

“Tani u bënë shumë vite që nuk na pengon askush që ta shkruajmë historinë tonë, por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne. Dhe në këtë përballje me vetveten në radhë të parë ne po përpiqemi siç bëmë me fjalorin që të mbështesim dhe e kemi mbështetur Akademinë e Shkencave për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve”, tha Rama.

“Mesa jam informuar kanë thuajse përfunduar ato volumet jo problematike, se deri tek Mesjeta merremi vesh përgjithësisht, duke përjashtuar këtu zëdhënësit e pellazgëve që janë një prurje më vete në këtë lëmë. Dhe që duke folur për pellazgët në fakt përpiqen të mbrojnë interesa të tyret, por tani vjen dhe pjesa e vështirë, ose më e vështirë por nuk është përsëri puna imë, nuk është puna e qeverisë të ndikojë sesi do të dalë në librin e madh të historisë kjo pjesë tjetër, e cila vjen dhe afrohet shumë pranë të gjallëve që janë ende sot, fatmirësisht, në jetë dhe janë aktivë”, u shpreh Rama./ KultPlus.com

Sot, Dita Kombëtare kundër Bullizmit

Sot është Dita Kombëtare kundër Bullizmit. Format e ngacmimit të papërshtatshëm janë në rritje në shoqëri, sidomos për grupet vulnerabël dhe fëmijët.

Dhuna dhe bullizmi në shkolla dhe kopshtet pengon të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve, duke përfshirë të drejtën e tyre për arsim dhe shëndetësi.

Kuadri ligjor vendas garanton të drejtën e fëmijëve për të mësuar në një mjedis pa dhunë dhe pa u diskriminuar.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në një postim në rrjetet sociale rikujton paragrafin 3 të Nenit 54 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që thotë: “Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi …, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal”.

Këshilli i Evropës (KE) e përkufizon bullizmin si: “sjellje agresive, e padëshiruar, në mesin e fëmijëve të moshës shkollore që përfshin një çekuilibër të vërtetë apo të perceptuar të pushtetit. Sjellja përsëritet, ose ka potencial për t’u përsëritur, me kalimin e kohës. Si fëmijët që janë viktima dhe ato që janë agresorë mund të kenë probleme serioze dhe afatgjata”.

Vlerësohet se, në botë janë më shumë se 246 milionë fëmijë dhe adoleshentë, që përjetojnë dhunë në shkollë dhe ngacmim në një formë, çdo vit./ KultPlus.com

Rama: Kuvendi Kombëtar, pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe është pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” Rama u shpreh se, “është e hatashme të përjetosh sesi delirantë dhe injorantë me damkë, për të gjithë ata që vijnë nga betejat për gjuhën shqipe, për të gjithë ata që njohin rrënjët e gjuhës shqipe, për të gjithë ata që jetojnë me respektin e palëkundur për Eqerem Çabejin dhe për të gjithë hapat e hedhur, sot e gjithë ditën proklamojnë gjithfarëlloj tezash ndërkohë që borxhi ynë, borxhi i të gjithëve, borxhi i institucioneve në radhë të parë, bëhet gjithmonë e më i madh dhe duket gjithmonë e më i pashlyeshëm, sepse krahas këtyre zërave, që do të ishin përndryshe për të qeshur, nëse nuk do të jetonim këtë kohë kur barbarizmat në fjalor dhe në sintaksë, nuk do të gjenin shesh për të bërë përshesh dhe hapësirat e paana të rrjeteve sociale na bën që të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar”.

Fatkeqësisht, shtoi Rama, “është e pamundur të jemi në sulm sepse furia e të gjithë kësaj barbarie dhe gjithë kësaj injorance dhe gjithë këtyre delireve është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat”.

Por, vijoi kreu i qeverisë, “që të rezistojmë e kemi të domosdoshme dhe edhe ky Kuvend është pjesë e kësaj rezistence”.

“Sot mungon këtu edhe dikush tjetër, një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe saqë unë besoj që cilido që mund të preket nga dyshimi më i vogël se gjuha shqipe nuk i ka të gjitha kapacitet për t’i thënë të gjithë në 1001 mënyra, mjafton që t’i referohet faqeve të shkruara prej tij, Ismail Kadareja

“E kujtoj vazhdimisht në ato biseda që kam pasur fatin të kem me të sesa ankth kishte nga sulmet që i bëhen gjuhës shqipe”, tha Rama.

Kryeministri solli edhe një thënie të tij me vargjet e Ismail Kadaresë. “Kur panë se gjuhës s’i hodhën dot prangat lëshuan drejt saj gjithfarë merimangash, parashtesa e pjesëza e lidhësa së prapthi të bukurën gjuhë ta bënin lesh arapi”./ KultPlus.com

Nesër mbrëmja finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”

Në konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” kanë aplikuar mbi 180 poezi nga shtete të ndryshme të rajonit, Evropës dhe nga ShBA-të, shkruan KultPlus.

Ky konkurs vazhdon të mbetet një prej konkurseve më të kërkuar të poetëve në nivel mbarëkombëtar, ku për këtë edicion kanë ardhë poezi nga poetë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, shteteve të ndryshme të Evropës dhe të ShBA-ve.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe njëherit themeluese e këtij konkursi që sivjet po shënon edicionin e shtatë është shprehë të jetë e lumtur me arritjet e shumta të poezive, e cila ka paralajmëruar edhe për ceremoninë kryesore të kësaj ngjarje të madhe kulturore

“Ceremonia e edicionit të shtatë të KultStrofa” do të mbahet më 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, ku pritet të jetë një mbrëmje e ngrohtë poetike”, ka thënë Pajaziti, e cila ka njoftuar se kjo mbrëmje do të shoqërohet edhe me performancën e “Dhjetorit” dhe Bekës, njëherit edhe fituesit e Festivalit të RTK-së.

Ceremonia e kësaj mbrëmje do të mbahet prej orës 19:00 ku edhe do të shpallen dhjetë finalistët e edicionit të shtatë, sikurse që do të shpërblehen edhe tri poezitë kryesore të këtij edicioni, vendi i parë, i dytë dhe i tretë.

Poezitë e këtij edicioni do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Edicioni i shtatë i KultStrofa mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com

Rama: Dita e Kongresit të Manastirit, pjesë e zinxhirit të besëlidhjeve të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Dita e Alfabetit është festë e përmotshme e të gjithë shqiptarisë, e cila kremtohet edhe në Shqipëri.

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” Rama u shpreh se, “ky Kuvend vjen edhe si një produkt i Samitit të tretë të Diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntorin e vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat, se s’ka si të jetë ndryshe, kryesore dhe nga ku ne dolëm së bashku me të gjithë atë komunitet me disa përfundime dhe morëm disa angazhime.

Rama gjithashtu lidhi këtë Kuvend me kujtimin e  politikanit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Xhaferrit.

“Për më tepër shtoi Rama, ma ha mendja se është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend me kujtimin e Arben Xhaferrit, i cili sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë që të kërkojë që Dita e Alfabetit 22 nëntori të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe që prej nga ky vit është edhe festë e përmotshme e të gjithë shqiptarisë, e cila kremtohet edhe në Shqipëri”, tha Rama.

Rama shtoi se Dita e Kongresit të Manastirit është pjesë e zinxhirit të Besëlidhjeve të shqiptarëve

“Në zinxhirin e historisë sonë ka pasur disa Besëlidhje, pa diskutim i madh dhe i vogël me njëherë Besëlidhje e lidhin me Kuvendin e Lezhës, pastaj, kush është pak më shumë i interesuar për historinë e lidh me Lidhjen e Prizrenit, por unë besoj se padyshim pjesë e zinxhirit të Besëlidhjeve të shqiptarëve është edhe Dita e Kongresit të Manastirit. Dita e një Kongresi ku një grup shqiptarësh patën vizionin, patën guximin dhe patën vullnetin t’u japin shqiptarëve atëherë dhe përgjithmonë Alfabetin e tyre, në kushte në të cilat kjo nuk ishte aspak diçka e lehtë apo e diçka që do të ndodhte medoemos”, tha Rama.

“Kongresi ku At Gjergj Fishta, më katoliku i katolikëve, tha “Uluni ju burra, uluni këtu në shesh të zgjedhim një komision që të caktojë se ç’ka duhet të bajmë sot për të mirën e popullit shqiptar nesër”. Aty ku ku ortodoksi i ortodoksëve, Petro Nini Luarasi tha në kontekstin e alfabetit helen, “Ju lutem vëllezërve tanë, bashkombasve tanë myslimanë dhe katolikë, të mos vuajnë keq kur të shohin një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe po humbet dhe për qejf të klerit”. Ku Mit’hat Frashëri, arkitekti i Kongresit paraqiti vizionin e më myslimanit të myslimanëve, Hoxhës Hasan Tahsin për një alfabet të gjuhës shqipe, jo një alfabet arab, as një alfabet helen dhe aq më pak cirilik dhe të gjitha këto ishin opsione kërcënuese që peshonin mbi supet e pjesëmarrësve në atë Kongres”, tha Rama.

“Historia ka folur dhe historia ka treguar sesa e guximshme ishte vendimmarrja e atij Kongresi, për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur bashkë me fjalët e veçanta dhe shpirtin dhe botëkuptimin unik të shqiptarit”, tha Rama.

“Ishte pikërisht ai moment që e frymëzoi edhe Ndre Mjedën të shkruajë poezinë që na e mësonin atëherë përmendësh në shkolla, nuk e di sot, por që mu desh ta rikërkoj për ta sjellë këtu:

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqype m’shungullon;

përmbi er’ që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia

jan’ nji komb, m’u da, s’duron;

fund e maj’ nji a Shqypnia

e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon”, tha Rama./ KultPlus.com

Një vit nga hapja e Bibliotekës së Manastirit, Emira Selimi: Jam bllokuar disa herë por mrekullisht kam mbijetuar

“Mos më lini vet” është mesazhi që misionarja e hapjes së Biblitotekës në qytetin e Manastirit, Emira Selimi, iu drejton bashkëkombësve të saj dhe institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, në prag të njëvjetorit të hapjes së bibliotekës më të veçantë në hapësirat mbarë shqiptare, Linknest, shkruan KultPlus.

Nesër bëhen 116 vite nga mbajtja e “Kongresit të Manastirit”, në të cilin u vulosën shkronjat e alfabetit shqip, dhe një vit nga hapja e bibliotekës shqipe në po këtë vend, si i vetmi objekt i cili tregon që ky qytet është dhe ka qenë shqiptar. Këto dy ngjarje të kundërta me njëra tjetrën tregojnë historinë dhe fatin e keq të këtij qyteti, i cili kombit shqiptar i dha elementin kryesor të gjuhës, alfabetin.

Gjuha është elementi kryesor identitar i një populli, me të cilin ne në rastin tonë do të duhej të mburreshim, pasi faktet historike e listojnë shqipen ndër gjuhët më unike dhe më të vjetra në Evropë. Por, vetë fakti që Manastiri tanimë ka vetëm një bibliotekë me libra shqip, flet për një histori të dhimbshme asimiluese të qytetit të iluminizmit shqiptar. Megjithatë, një dritë në fund të errësirës shekullore të tunelit është shfaqur.

Emira Selimi, është nismëtarja e hapjes së kësaj biblioteke në këtë qytet kaq domethënës për kulturën dhe historinë tonë, e cila po i jep zë historisë së lavdishme të Manastirit dhe po e orienton atë drejtë rrënjëve të saj. “Linkest” përveçse një bibliotekë e cila është mirëpritur nga shqiptarët e zonës, është shëndrruar edhe në çerdhe “zogjësh” të cilëve iu mësohet të interpretojnë Himnin Kombëtar, iu mësohet historia e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha iu injektohet ideja për të studiuar në shtetin amë, prej nga edhe mund ta fuqizojnë dhe mbrojnë identitetin e tyre, të marrë padrejtësisht nga etni të tjera.

Në prag të një-vjetorit të bibliotekës, është paralajmëruar një festë e veçantë me këngë dhe poezi të bukura të Manastirasve. Pjesë e festës do të jetë po ashtu edhe një ekspozitë me krijimtarinë artistike të pjesëtarëve të bibliotekës, mbi të gjitha me motive kombëtare. Për të treguar sfidat, rezultatet dhe ecurinë e këtij institucioni dritëdhënës, Emira Selimi ka shpalosur detaje përmes një interviste me mediumin KultPlus:

KultPlus: Si do ta përshkruanit vitin e parë të funksionimit të Bibliotekës së Manastirit?

Emira Selimi: Sprovat dhe sfidat nuk janë ndalur as edhe një moment por mrekullia e gjithë këtij suksesi ka qenë ardhja e fëmijëve shqiptarë të Manastirit në bibliotekë. Gjatë gjithë vitit bibliotekën e kanë vizituar shumë njerëz nga gjitha trevat e tona shqipfolse, ato më kanë dhënë motiv se unë këtu në këtë qytet nuk jam vetë. Suksesi kërkon sfida dhe sakrifica andaj unë i shtrëngoj dhëmbët në çdo sprovë pasiqë qëllimi im kryesor është që Manastiri të kthehet siç ishte dikur dhe andaj punoj me kënaqësi, vullnet dhe shpresë.

KultPlus: Cilat kanë qenë arritjet kryesore të Bibliotekës gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Arritja më e madhe e bibliotekës është që fëmijët kanë lexuar libra çdo javë. Për t’i nxitur fëmijet të lexojnë unë është dashur të sakrifikoj akoma më shumë dhe plani ka qenë kush lexon ka dhurata. Kjo fëmijët i ka motivuar. Me këtë ata filluan të lexonin pa ndalur që të arrijnë deri te dhurata, kjo metodë ndikoi shumë pozitivisht te fëmijët, pasi librat fëmijët shqiptarë të Manastirit i ndihmuan të kenë mendim kritik dhe të kenë oratori të pastër, fëmijët e bibliotekës po i mbushin me informacione dhe fëmijët po reagojnë, ata po e njohin kulturën dhe Shqipërinë nga faqet e librave shqip, fëmijët bibliotekën e shikojnë si ambasadë shqiptare dhe ata e shprehin këtë me të gjithë, himni kombëtar shqiptar këndohet në bibliotekë nga fëmijët e tanë, ato e shikojnë bibliotekën si shpresë. Ne i nxisim ata që të lidhen me Shqipërinë dhe i orientoj për studime në Tiranë, ua kam ngulitur në kokë dhe fëmijët dhe prindërit këtë ide e duan dhe e kanë pranuar.

KultPlus: Si është pritur nga komuniteti hapja dhe aktivitetet e Bibliotekës?

Emira Selimi: Biblioteka nga Manastirasit është pritur shumë mirë, shqiptarët e Manastirit e duan dhe e mbështesin bibliotekën. Ata janë shumë të lumtur dhe e pohojnë se një gjë e tillë u ka munguar atyre në Manastir. Ata vijnë dhe huazojnë libra dhe më pas i kthejnë, jo vetëm nga qyteti por edhe nga fshatrat vijnë dhe marrin libra. Vlen të potencohet që Manastiri ka 7 fshatra të banuar me shqiptarë.

KultPlus: Çfarë aktivitetesh keni planifikuar për të shënuar njëvjetorin e hapjes së Bibliotekës?

Emira Selimi: Për përvjetorin e bibliotekës kemi planifikuar t’i falenderojmë gjithë shqiptarët anembanë trevave tona për kontributin e tyre për mbledhjen e librave, më pas fëmijët që i dhanë dritë bibliotekës t’i fikin qirinjtë e parë të bibliotekës së tyre, të këndohen këngë dhe poezi nga manastirasit dhe më pas të hapet ekspozita me punimet e fëmijëve të Manastirit që i kanë përgatitur për nder të përvjetorit të bibliotekës Linkest.

KultPlus: Si ka ndikuar Biblioteka në jetën kulturore dhe edukative të Manastirit gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Jashtëzakonisht shumë mirë ka ndikuar biblioteka në bashkëpunim me mësueset e qytetit. Të potencojmë që këtu libri shqip ka munguar shumë dhe këtë e shprehin edhe vetë mësueset. Kemi shumë festa që marrim pjesë bashkë si Viti i Ri, dita e librit, festa mësuesit, dita flamurit etj, të gjitha këto i bëjmë bashkë me fëmijët tanë. Ne planifikojmë që fëmijët ti dërgojmë edhe në Prekaz dhe Vlorë. Të gjitha këto aktivitete janë në dobi të fëmijëve që sa më shumë ato të afrohen me shtetin amë Shqipërinë. Fëmijët janë shumë të vegjël dhe ka qenë shumë më e lehtë puna me ta përderisa ata akoma janë të vegjël. Manastiri duhet të kthehet në qendër kulturore siç ishte gjithmonë edhe historikisht dhe ju them fëmijëve se këtë ëndërr mund ta zgjoni vetëm ju. Ne çdo muaj mundohemi të bëjmë diçka të bukur për kombin dhe Manastirin. Aktivitetet na mbajnë të motivuar përballë problemeve që na paraqiten atje.

KultPlus: Cilat kanë qenë reagimet më domethënëse nga vizitorët dhe lexuesit gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Zakonisht emocionohen kur vinë, se kur e shëtisin Manastirin asgjë nuk shikon në gjuhën shqipe, kur futen në bibliotekë me mijra libra shqip. Poashtu dhe ne ndodhemi në qendër “Shirok Sokak” Shqiptarët emocionohen menjëherë shumë. Më shumë më prekin fjalët e fëmijëve, kur më japin komplimente me fjalët e tyre rrënqethëse. Këto mbesin në zemrën dhe mendjen time gjithë kohës. Me fëmijët kam kaluar një vit të mrekullueshëm.

KultPlus: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në vitin e parë të funksionimit?

Emira Selimi: Për ata që nuk e dinë, mua nuk më lejuan ta hapja bibliotekën në katin përdhesë të Muzeut të Alfabetit. Andaj unë mbeta me librat në rrugë dhe u detyrova të marr objekt tjetër në Manastir me qera, qeraja e të cilës është 1500€ në muaj me tatim. Dhe unë 1 vit e mbaj vetë me qindra sakrifica e strese pa fund. Asnjë institucion nuk më ka përkrahur pa asnjë arsye. Sfida më e madhe e imja është kjo, kam kërkuar ndihm shumë herë në shumë shoqata por ka qenë e kotë, askush nuk më ka ndihmuar, doja të filloja me antarsimet online që të mbijetoja as atë nuk më lejuan, gjithë kohës jam bllokuar por sërish mrekullikisht kam mbijetuar.

KultPlus: Çfarë vizioni keni për zhvillimin e Bibliotekës në vitet e ardhshme?

Emira Selimi: Kjo nuk është vetëm bibliotekë është përtej saj. Kati i tretë i bibliotekës është bërë si një shkollë e vogël. Aty dua që cdo javë të mbahen ligjerata historie për Manastirasit, të ftoj studiues, historianë, shkenctarë që Manastiri sërish të kthehet vatër të kulturës për kombin tonë. E them gjithmonë që çdo bibliotekë është e veçantë por kjo është disi më ndryshe, këtë e themeloi kombi shqiptarë dhe askush tjetër por qytetarët tanë nga gjitha trevat shqipfolse.

KultPlus: Çfarë do t’i përcillnit publikut për rëndësinë e një institucioni siç ka Biblioteka për një qytet si Manastiri?

Emira Selimi: Kjo bibliotekë i ka mbi 100 fëmijë shqiptarë të vegjël vetëm brenda 1 viti, kjo bibliotekë shqiptarët e Manastorit i ka bërë të mos ndjehen vetëm, andaj ju lus që ta mbajmë në jetë bibliotekën shqipe në qytetin e Alfabetit. Mjaftë kemi humbur duke i anashkaluar qytetet më të rëndësishme shqiptare, tani është koha të kthjellemi. Biblioteka dhe manastirasit kanë nevojë për shqiptarët, biblioteka është shpresë për rikthimin e këtij qyteti historik. Kjo bibliotekë është qendër kulture për shqiptarët në Manastir. Të gjithë shqiptarët duhet të vinë në bibliotekë dhe ta mbështesin. Biblioteka në Manastir po e mbron gjuhën shqipe dhe historinë e kombit tonë për shqiptarët e Manastirit.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për komunitetin, për ata që e kanë mbështetur Bibliotekën dhe për ata që ende nuk e kanë vizituar?

Emira Selimi: Mesazhi im është mos më lini vetë. Më shumë se kurrë kam nevojë për bashkëkombasit e mi të më mbështesin. Të gjithë ju që e ndihmuat bibliotekën do të mbeteni në histori, ju që nuk e keni vizituar ende Manastirin ejani se është qyteti më i mrekullueshëm i shqiptarëve. Manastiri është qyteti i iluminizmit, ju lutem ejani dhe na vizitoni në Manastir./ KultPlus.com

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët që erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci, në vitin 1911.

Ajo dallohesh për një natyrë të qeshur por më shumë për një këngëtare të rrallë me një timbër të qartë muzikor në kanto. Zëri i saj i pastërt dhe i kthjellët ishte një mrekulli në publikun shqiptar të prapambetur të kohës kur u zhvillua ajo. Kishte një dinamikë të qartë të qëndrueshmërisë të vokalit të saj.

Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas duke filluar nga 1930 ajo studion si shumë shkodranë në Graz të Austrisë deri në vitin 1934.

Shkodra edhe sot gjysma këndon, gjysma bën humor, ose më mirë gjithë shkodranët kanë për zemër aq shumë artin, sa gjysma e shkodranëve edhe sot dalin artistë, gjysma kanë dialog aq të këndshëm sa të ofrojnë me këndshmëri kulturën e tyre.

Marije Kraja herë-herë interpretonte kur studionte në Austri kompozimet e Bethovenit, Brunkerit, Vangerit, Pucinit, Verdit e Moxartit. Kryevepra këto që të bëjnë madhështor dhe profesionist në profesion ashtu si ishte edhe ajo, një yll i muzikës kombëtare.

Me tipare të qarta sopranoje, ajo mishërohet profesionalisht në kumbimin e zërit në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950.

Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.

Ajo solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas femrave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço. Ishte një nga femrat përparimtare që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte femrën për gjithçka.

Fare mirë ajo mund të quhej shumë e emancipuar sa ishte e gjithë Shkodra me kulturën e saj të dalluar. Një femër e një lloj Hollivudi shqiptar ku përulesh me repsekt.

Njësoj si sopranoja e famshme dhe kolegia Tefta Tashko Koço, të dyja bashkë u munduan me mish e me shpirt për të sjellë një repertor të këngëve tradicionale popullore shqiptare dhe ia dolën. Kjo traditë është e fuqishme edhe sot në instrumentistë dhe muzikologë klasikë që e dashurojnë me zemër muzikën e tabanit popullor nga janë rritur.

Kur ajo këndonte shpërthente në zërin e saj i rrjedhshëm si një perlë e rrallë e muzikës. Krah për krah me Ibrahim Tukiqin, në këngën “Kush më rri karshi karshi” vjen, aq kumbues, sa i tejkalon instrumentat dhe kumbonin tek artdashësit. Zëri i saj rrjedh si burim pa ndalesë dhe gjithmonë shpërthen ëmbël. Ka një vazhdueshmëri të njëtrajtshme të shpërthimtit të vokalit të saj në çdo këngë e sidomos këngëve popullore që ajo i donte aq shumë.

Në vitin 1936 është pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Kushedi sa këngëtarë të njohur dhe të dëgjuar kanë kaluar nga kjo femër e jashtëzakonshme e operas shqiptare.

Në 1946 ajo punon në Radio-Tirana dhe Liceut Artistik ‘’Jordan Misja’’.

Në vitin 1962 ajo është pedagoge Konservatorit Shtetëror të Tiranës ku vazhdon derisa mbaron karrierën e saj të plotë e del në pension në vitin 1966.

Është një nga gurët e themelit të muzikës operistike dhe të këngës në Shqipëri dhe një nga zërat më të rrallë. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para në premierën e parë të këtij institucioni. Ajo merr pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare ‘’Mrika’’.

Aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i dendur dhe i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdhaja të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik.

Ajo u rrit, u mbrujt dhe bashkëpunoi me një grup të madh artistësh që në vetvete ishin të gjithë divë të muzikës si Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ka marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Vjenë në “Mbrëmjen e kombeve me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me profesorin dhe pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Ky profesor ishte i njohur me bashkëpunimin e tij me të gjitha këngëtaret e njohura të kohës.

Disa nga rolet kryesore të veprave artistike  që ajo i zhvillon me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajten në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Disa nga këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja mund  të përmendim:

“Çila sytë me të pa”,

“Dola në penxhere”,

“Marshalla bukurisë sate”,

”O bilbil, i mjeri bilbil’’

‘’Unë ty moj të kam dashtë’’

‘’Të martoj nana’’

‘’Midis t’ballit ma ke një pikë’’

‘’Iftida moj Lulja e Allit’’

‘’Vetë më ke çu fjalë’’

‘’Moll e kuqe topsheqere’’

“Çilni ju moj lule”.( kënga e parë e regjistruar në pllakë gramafoni në 1940)

Maria ka pasur dhe peripeci në lidhje me sistemin komunist ku ishte shënjestruar si një eksponent që vinte siç thuhesh nga ajo kohë me ‘’biografi të keqe’’ ku mendohesh se nga familja e saj kishin pasur lidhje me eksponentë të nazizmit për t’u gjetur mënyra që të kryqëzohesh artistikisht, dhe një mënurë për ta demigruar.

Megjithatë, ngeli në zemrën e publikut gjithmonë një krenari e këngës shqiptare dhe një profesioniste me rang botëror në mënyrën e interpretimit. Një këngëtare virtuoze që nderoi Shqipërinë.

Në Tiranë janë organziuar evente si “Konkursi Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja” me pjesëmarrje vokalistësh nga vende të ndryshme të botës.

Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

U nda nga jeta në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet gjithmonë me respekt.

Maria Kraja erdhi si një mrekulli e këngës shqiptare në një kohë të vështirë për Shqipërinë, dhe si një njeri e dashur dhe e ngrohtë për të gjithë artdashësit që e kanë shumë për zemër në repertorin e saj, ajo ishte me plot gojën yll i muzikës klasike. Iku si një divë e plotësuar dhe e përmbushur.

Ajo rivjen sërish me këngët e saj të kullura nga burimi i pashtershëm i kulturës që ajo e dashuroi gjithë jetën e saj. /EugentKllapi/ KultPlus.com

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit: Kadare, Kuteli, Fishta e Floqi të ndërthurur në dramën bashkëkohore kombëtare

Era Berisha

Një dramë krejt e veçantë që e rifillon dialogun me veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare do të vijë premierë më 13 dhjetor në Teatrin “Adriana” në Ferizaj. Shfaqja “13” vjen nën petkun e regjisorit Sulejman Rushiti, i cili synon që me këtë krijim shpërthyes të sjellë në skenë esencën e disa prej veprave më të shquara të letërsisë sonë: ‘Vitin e mbrapshtë’ të Ismail Kadaresë, ‘Qerthullin politik’ të Kristo Floqit, ‘ABC-në e kreshnikëve’ të Mitrush Kutelit, dhe pjesë nga vepra e Fishtës, të cilat, të gjitha së bashku, formojnë një gjithëpërfshirje të mprehtë dhe poetike të identitetit shqiptar, shkruan KultPlus.

”13″ është më shumë se një titull; është një simbol, një metaforë e fuqishme që flet për më shumë se thjesht një numër. Vjen si një reflektim i asaj që na shoqëron si shoqëri, si një shenjë e një shndërrimi të pandalshëm të fatit dhe historisë. Numri 13 është shpesh i lidhur me besëtytnitë dhe frikën, duke u konsideruar si një shenjë e keqe, e një fatkeqësie të pashmangshme. Ky është një besim që ka rrënjë të thella në shumë kultura, dhe përmes kësaj lenteje, regjisori Rushiti na tregon se ne e shohim 13-në si një simbol të pafatësisë dhe pasigurisë që ngjizet në jetët tona.

Por, përmes këtij numri, dhe në mënyrë të veçantë, në dramatizimin që regjisori Rushiti e ka realizuar, ky simbol merr një kuptim më të thellë dhe më kompleks. Konsiderohet se në veprën “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, ky numër bëhet një përkufizim metaforik i një periudhe historike të vështirë dhe të trazuar për Shqipërinë. Kadareja e sjell këtë numër nëpërmjet vitit 1913, një vit kyç në historinë tonë, pasi pas shpalljes së Pavarësisë, ky vit simbolizon një periudhë të humbjes dhe të errësirës, ku ende mbizotëronin pasiguria dhe pasojat e një realiteti të pasqaruar. Në këtë kuptim, besohet që “13” vjen si një pasqyrë e historisë sonë të mbushur me luhatje dhe kontradikta. Shfaqja është një metaforë për dyndjet e fatit të Shqipërisë, për sfidat dhe vuajtjet që kanë shoqëruar çdo hap të zhvillimit dhe pavarësisë.

Përmes kësaj shfaqjeje, regjisori Rushiti përpiqet të shpalos tërë këtë ngarkesë historike dhe emocionale që vjen bashkë me simbolin e 13-ës, për ta shndërruar atë në një përshkrim të thellë të shoqërisë, që vazhdon të përballet me fantazmat e së kaluarës dhe të ardhmes së pasigurtë. Po ashtu, numri 13 nuk është vetëm një element numerik; ai është një udhërrëfyes për natyrën njerëzore, për besëtytnitë që diktojnë veprimet e njeriut dhe për atë prirje të brendshme që njeriu ka për të kërkuar përshkrime dhe ndihmë në atë që është jashtë tij, për t’u kapur pas simbolikës që të ofron një ndjesi kontrolli në një botë të pasigurtë. Përmes këtij numri, regjisori Rushiti përpiqet t’i ndihmoj publikut që të kuptojë se “13” është gjithashtu një pasqyrë e tensioneve të brendshme të individit dhe të shoqërisë, që janë të lidhura ngushtë me përvojat e jetuara dhe të papërballueshme.

“13” është më shumë se një numër – është një reflektim i të kaluarës dhe një dëshmi përkohësisht të domosdoshme e natyrës së fatit të njeriut. Ky është një udhëtim i brendshëm për të kuptuar se si një histori, që duket e mbyllur, vazhdon të prodhojë gjurmë por edhe pasoja në çdo hap të jetës së përditshme.

Në vitin 2017, regjisori Rushiti ishte nisur në një udhëtim krijues dhe intelektual që, më shumë se një projekt teatror, iu është shndërrua në një eksperiment estetik dhe shpirtëror, një përvojë që mbante thelbin e kërkimit të thellë dhe të transformimit.

“Gjatë dramatizimit të veprës së plotë satirike të Gjergj Fishtës, hulumtova dhe ripërpunova jo vetëm tekstin, por dhe kuptimin dhe shpirtin e tij, duke e sjellë në skenë në një mënyrë që e lëvizte përtej kufijve të vetvetes. Shfaqja, që u realizua në Teatrin Shqiptar të Shkupit, me titull “G” ishte një ngjarje që kërkonte të bashkonte të kaluarën dhe të tashmen, të vjetrën dhe të renë, për të krijuar një hapësirë ku ideja e traditës ishte e hapur për rigjetje dhe përmbledhje të reja”, thotë ai.

Ky projekt hulumtues, me çdo hap të tij, e ka bërë atë që ta rishqyrtoj çdo shtresë të kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke e shtyrë të rilexonte me një vështrim të ri, veprat e autorëve më të shquar, në kërkim të një gjuhe që mund të artikulonte dhe shprehte thelbin e tyre në një kontekst bashkëkohor.

“Ky proces reflektimi më lindi dëshirën për të vazhduar këtë hulumtim të thellë, duke u nisur nga një ndjesi e fuqishme për të krijuar një dramë që e rifillonte dialogun me veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Nga ky shpërthim krijues, lindi “13”, një përpjekje për të ndërthurur dhe për të sjellë në skenë esencën e disa prej veprave më të shquara të letërsisë sonë. Ato janë pjesë të një mozaiku që edhe pse individualisht të ndryshme, krijojnë një pamje të plotë, një panoramë të thellë dhe të ndërlikuar të natyrës njerëzore dhe historisë kombëtare. Në fillim, shfaqja ishte parashikuar të realizohej në Teatrin Shqiptar të Shkupit, u vendos të shfaqej në Teatrin “Adriana Abdullahu” të Ferizajit, me kërkesë të drejtuesit të këtij teatri. Unë besoj thellë që veprat dramatike zgjedhin vetë se ku dhe kur do të linden. 13 ka zgjedhur të lindë në Ferizaj”, thotë Rushiti.

Shfaqja “13” është një eksperiment teatror që bashkon zhanre të ndryshme – dramë, tragjedi, komedi dhe farsë – duke krijuar një mozaik narrativ që pasqyron jo vetëm kompleksitetin e historisë tonë, por edhe ndërlikimet e natyrshme dhe të fshehura të realitetit njerëzor.

Sipas regjisorit, numri 13, i ngarkuar me një ngarkesë simbolike të thellë, siç beson besëtytnia, është përfshirë në rrëfimin e ngjarjeve që shprehin tensionin mes fatit dhe zgjedhjes, mes rastësisë dhe determinizmit. Ky proces paraqet një reflektim të kaosit dhe rendit, të cilat shpesh janë të pandashme në përvojën njerëzore.

“Në aspektin metodik, e kam mbështetur këtë shfaqje te qasja brehtiane, që synon të largojë spektatorin nga emocionet e thella për të hapur një hapësirë kritike mendimi. Te Brecht, distancimi nuk është thjesht një teknikë, por një mjet për të provokuar mendimin dhe për të nxjerrë në pah kontradiktat e shoqërisë. Megjithatë, pas çdo përvoje, çdo regjisor krijon një stil unik – një gjuhë personale që e lidh me jetën dhe botëkuptimin e tij. Dhe në këtë shfaqje, ka shumë nga vetja ime: një kërkim për të thyer kufijtë e pritshmërive dhe për të shpërfaqur atë që është nën sipërfaqe, një ballafaqim me botën ashtu siç është dhe si mund të jetë, përmes një lente artistike që sfidon realitetin dhe na nxit të mendojmë për të ardhmen dhe për përmasat e mundshme të ekzistencës sonë”, thotë ai.

Çdo pjesë e re teatrale për regjisorin Rushiti konsiderohet të jetë një udhëtim i pasur dhe një sfidë e ëmbël, e cila ia mundëson që të rihap horizonte të reja dhe ta njeh një realitet tjetër krijues.

“Ky proces, që është më shumë se thjesht një realizim i një shfaqjeje, është një kërkim konstant për thellësinë, për kuptimin më të plotë të asaj që duam të shprehim, dhe padyshim, kënaqësinë më të madhe unë e ndjej gjatë këtij hulumtimi të pandërprerë. Në momentet më të ngarkuara dhe sfiduese të këtij rrugëtimi, gjej një kënaqësi të pashpjegueshme, sepse çdo hap që hedh është një mundësi për të krijuar diçka që përballet me thelbin e artit dhe të natyrës njerëzore”, tregon ai.

Ajo që është e veçantë për të, mbetet puna me një ekip jashtëzakonisht të motivuar dhe të pasionuar, një ekip që, në çdo moment, kontribuon me kreativitetin dhe përkushtimin e tij të pakufishëm. Ky bashkëpunim, për të, është më shumë se thjeshtë një koordinim i roleve – është një ngërç i mendimeve, ideve dhe pasioneve që formojnë një energji kolektive.

Sipas tij, skenografia, kostumografia, drejtimi i muzikës, aktorët dhe çdo individ tjetër janë pjesë e pandashme e kësaj ngjarjeje, duke krijuar një harmoni që është një refleksion i krijimtarisë së përbashkët. Pra, secili ka rol të veçantë dhe të domosdoshëm, dhe së bashku e krijojnë një ambient që është i ngarkuar me kërkim dhe eksperimentim.

Ali Krasniqi, Arben Marevci, Blin Mani, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Dora Xhemajli, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Saliu, Nexhat Xhokli dhe Sherif Bega, janë aktorët të cilët priten ta jetësojnë këndshëm këtë shfaqje të rrallë. Skenografia vjen nën realizimin e Bekim Korçës, kostumet vijnë nga Eleonora Gagica dhe muzika vjen e krijuar nga Linda Isufi.

“Ne jemi të angazhuar në një proces të vazhdueshëm hulumtimi, ku çdo seancë është një mundësi për të thelluar kuptimin tonë të veprës, për të hetuar secilin detaj dhe për të eksploruar mundësitë që skena dhe karakteret mund të ofrojnë. Puna jonë është e thellë dhe kërkon një përqendrim të plotë, prandaj ne zhvillojmë seanca të thella analizash që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë shpirtin e personazheve dhe strukturën e ngjarjeve. Ne gjithashtu angazhohemi në ushtrime psikofizike që na ndihmojnë të krijojmë një lidhje më të ngushtë me trupin dhe mendjen, dhe të përcjellim më saktë emocionet dhe energjitë që duam të shprehim. Ky proces është esencial për të ndërtuar një lidhje autentike dhe të natyrshme me publikun dhe për t’i dhënë shfaqjes shpirtin e saj të vërtetë. Në këtë hulumtim dhe eksperimentim të përditshëm, jo vetëm që ndihmojmë për të krijuar një shfaqje të veçantë, por gjithashtu rrisim kuptimin tonë të artit dhe të ndikimit të tij në shoqëri, duke e shndërruar secilin moment në një mundësi për rritje dhe krijim të ri. Për mua, ky është thelbi i procesit krijues – jo vetëm realizimi i një vepre, por ndërtimi i një bote të re, të mbushur me mundësi të pafundme dhe të hapura për t’u zbuluar”, tregon regjisori Rushiti.

Ai e konsideron veten të jetë një ithtar i rileximit skenik të veprave kombëtare, sepse beson se çdo vepër e tillë ka një forcë dhe një shprehje të pashtershme që mund të përjetohet dhe të ripërpunohet përmes kohës dhe hapësirës. Këto vepra, që janë themeli i identitetit tonë kulturor dhe kombëtar, përmbajnë një pasuri të jashtëzakonshme që kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe një rifreskim të themeluar në kontekstin e aktualitetit, andaj dhe rileximi i tyre skenik mendohet të jetë një mundësi për të zbuluar nivele të reja, për t’i dhënë atyre një dimension të ri, dhe për të angazhuar publikun në një dialog të përhershëm mes të kaluarës dhe të tashmes.

“Në këtë kuptim, nuk mund të pretendojmë të kemi një teatër kombëtar të qëndrueshëm dhe të zhvilluar pa një dramaturgji kombëtare të fortë dhe të thellë. Dramaturgjia kombëtare është ajo që ndihmon në formësimin e një teatri që është jo vetëm një art formë, por edhe një instrument reflektimi dhe kritike sociale, historike dhe kulturore. Ajo është e lidhur ngushtësisht me shpirtin dhe identitetin e kombit, dhe duhet të mbajë dhe pasqyrojë jo vetëm zhvillimet kulturore, por edhe pasigurinë, aspiratat dhe pasionet që përshkojnë historinë e tij. Po ashtu, ka një domosdoshmëri të theksuar për të zhvilluar një regjisor kombëtar që e kupton dhe e shpreh këtë dramë kombëtare në një mënyrë autentike”, shpalos ai.

Sipas Rushitit, është pikërisht regjisori ai që e nxjerr thelbin e kësaj dramaturgjie dhe e lidh atë me realitetin e sotëm. Ai është një krijues që, duke pasur një njohje të thellë të trashëgimisë kulturore, është i aftë ta interpretojë dhe ta përshtatë veprën për t’i dhënë asaj një vlerë të re në kontekstin e aktualitetit. Ai beson se pa një regjisurë kombëtare që e njeh dhe e respekton thelbin e veprës, teatri kombëtar mund të humbasë lidhjen me shpirtin e tij dhe me mesazhin që ka për ta pasqyruar. Prandaj, mendon se teatrit kombëtar i nevojitet një angazhim i përbashkët për të zhvilluar dhe mbajtur gjallë dramaturgjinë kombëtare dhe për të kultivuar një regjisurë që është e lidhur me të, që është një reflektim i kulturës dhe historisë sonë, dhe që ka guximin të ballafaqohet me realitetet e sotme të shoqërisë. Kjo konsiderohet të jetë mënyra më e mirë për të krijuar një teatër që është i gjallë, i qëndrueshëm dhe i lidhur me identitetin e tij kombëtar.

Provat për shfaqjen ’13’ kanë gjetur nisjen më 13 tetor, një datë që përkon edhe me esencën e vetë shfaqjes. Premiera pritet të epet më 13 dhjetor, ku aty publiku do ta ketë mundësinë ta shijojë këtë shfaqje gjerë në thelb.

Regjisori Rushiti beson thellë se publiku do të përjetojë një shfaqje ndryshe, një përvojë teatrale që e sfidon perceptimin e zakonshëm. Pra, pritet të jetë një shfaqje që reflekton frymën dhe identitetin kombëtar, por që e trajton këtë trashëgimi me një estetikë bashkëkohore, e cila e bën të mundur që temat shqiptare të komunikohen në një mënyrë moderne dhe tërheqëse.

“Kjo është një shfaqje produkt i një ekipi të tërë kreativ, ku çdo individ, nga skenografi e deri te aktorët, ka kontribuar me pasionin dhe mendimin e tij, duke e bërë këtë projekt një tërësi organike që bashkon larminë e ideve dhe metodave.”

Krejt në fund, regjisori Rushiti na shpalos se shfaqja që do të shohë publiku është një përzierje e thellë mes tradicionales dhe modernes, duke sjellë në pah thelbin e kulturës dhe historisë shqiptare, por me një trajtim që është i përputhur me kërkesat e kohës dhe të shoqërisë moderne. Pra, ajo nuk do të jetë thjesht një përsëritje e të kaluarës, por një rishikim i saj në një mënyrë që i jep asaj një frymë të re, një frymë që i flet të tashmes dhe që mund të krijojë një lidhje të fortë me publikun e sotëm. Në këtë mënyrë, kjo shfaqje do të jetë një udhëtim i pasur artistik dhe intelektual, ku temat dhe mesazhet shqiptare, që kanë qenë gjithmonë të ngulitura në shpirtin e kombit tonë, do të shprehen përmes një estetike që është gjithashtu e hapur për inovacion dhe eksperimentim. Publiku nuk do të shohë vetëm një dramë kombëtare, por një shfaqje që e merr atë dhe e risjell në një kontekst ku mund të dëgjohet dhe të preket me një mënyrë të re dhe të freskët./ KultPlus.com

Mario Calivà publikon dramaturgjinë në vargje në gjuhën arbëreshe, “Ari Arbëresh”

Shkrimtari Mario Calivà ka publikuar së fundi librin e tij më të ri “Ari Arbëresh – L’oro Arberësh”, dramaturgji në vargje në gjuhën arbëreshe me përkthim shoqërues italisht, përcjell KultPlus.

Libri vjen me parathënien e Lidia Riviello-s, ndërkaq filli i rrëfimit në libër është i njëjti fije ari që qëndis Ncilonën.

Personazhet e kësaj dramaturgjie tregojnë gjenealogjinë e një trashëgimie të çmuar e cila nga duart e rrobaqepëses demiurge, krijuese dhe gjeneratore, i kalon vajzës që do të veshë vestën ari nën diellin e Pashkëve Arbëreshe./ KultPlus.com

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”, mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

Arti i viteve 1970-1980, përkatësisht kinematografia e Kosovës do të shpaloset nëpërmjet një bashkëbisedimi me regjisorin Isa Qosja, bashkëbisedim që do të mbahet më 25 nëntor prej orës 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo mbrëmje kinematografike është një ndër mbrëmjet e veçanta që do të ofrohet në këtë fund nëntori, pasi që bashkëbisedimet me regjisorin Qosja janë tejet të rralla, dhe si i tillë vjen në përvjetorin e 40-të të realizimit të filmit të tij “Proka”, film që është prezantuar në vitin 1984.

Ky projekt i ideuar nga aktorja Vlora Merovci dhe që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës do të shpalosë edhe kontributin e artistëve që lanë gjurmë dhe shkëlqim në vitet 1970- 80, sikurse që do flitet për rrugëtimin e regjisorit Qosja në fushën e kinematografisë dhe krijimtarinë artistike.

Kjo mbrëmje është e hapur për të gjithë adhuruesit e kinematografisë, dhe jo vetëm./ KultPlus.com

Dita Botërore e Televizionit

Sot është Dita Botërore e Televizionit, e shpallur si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes rezolutës 51/205 të 17 dhjetorit 1996.

Ky vendim i OKB-së erdhi si njohje e ndikimit në rritje që kishte televizioni, duke ndikuar dukshëm në vendimmarrje e duke sjellë në vëmendjen botërore konfliktet dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, si dhe rolit të tij të mundshëm në mprehjen e fokusit në çështje të tjera kryesore, duke përfshirë çështjet ekonomike dhe sociale.

Dita Botërore e Televizionit nuk është aq shumë një kremtim i këtij mjeti, sa ç’është më tepër filozofia që ai përfaqëson. Televizioni përfaqëson një simbol të komunikimit dhe globalizimit në botën bashkëkohore.

Televizioni u pranua si një mjet kryesor në informimin, kanalizimin dhe ndikimin e opinionit publik. Ndikimi, prania dhe ndikimi i saj në politikën botërore nuk mund të mohohej.

Pavarësisht zhvendosjes së konsumit të përmbajtjes audiovizuale në platforma të ndryshme dhe teknologjisë vazhdimisht në zhvillim, TV mbetet një mjet i rëndësishëm komunikimi. Kanalet tradicionale televizive “on air”, një formë transmetimi e transmetuar nëpërmjet valëve të radios në antenat në shtëpitë tona, duket se janë në rënie të ngadaltë në favor të kompanive të transmetimit, sinjali televiziv i të cilave merret përmes lidhjeve të internetit me gjerësi bande.

Mbetet për t’u parë nëse rënia e televizionit tradicional do të rritet me kalimin e viteve, apo nëse dy formatet do të bashkëjetojnë dhe do të konkurrojnë paralelisht për vëmendjen e shikuesve./ KultPlus.com

Sot dhe nesër, PEN Qendra e Kosovës me Konferencë për Letërsinë

PEN Qendra e Kosovës sot do të mbajë një konferencë për letërsinë, konferencë që do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.

Kjo konferencë që për temë ka pozitën sociale të shkrimtarit, lirinë e shprehjes dhe të drejtëm e autorit ka përfshirë shumë figura të njohura të krijimtarisë, të cilët do të paraqiten me referimet e tyre përgjatë dy ditëve.

KultPlus më poshtë ju sjell të plotë programin e kësaj konference, që më 21 nëntor do të fillojë punimet prej orës 15:00.

Rrethi vicioz i ferrit…

-Besnik Mustafaj: “Porta e ngushtë e purgatorit”, novela, botoi “Onufri”, Tiranë, 2024.

Jusuf Buxhovi

Si në veprat e fundit, edhe në novelën “Porta e ngushtë e purgatorit”, Besnik Mustafaj, shfaqet në rolin e personazhit (politikan, diplomat dhe të shkrimtarit), që nëpërmes prosedeut të rrëfimit në vetën e parë, me një elasticitet thuajse publicistik, ndërton narracionin e pasqyrimit të gjendjeve shpirtërore të atyre të cilët në përpjekjet e tyre për të kaluar nga purgatori (diktatura e egër komuniste) në parajsë (liria jashtë vendit, kudo qoftë edhe iluzore), mbesin në një askundjen, pra fizikisht jashtë saj, ndërsa shpirtërisht në kurthin e saj, sa nga trauma e së kaluarës, ngarkesat e së cilës rëndojnë me dilema të shumta morale dhe thuajse të pasqaruara dhe, sa nga sfidat e lirisë, që vazhdimisht pengohen nga mosmësimi me të nga kompleksi i robit, që edhe në rrethanat e tranzicioneve politike dhe shpirtërore, nuk është në gjendje që ta tejkalojë atë, që po u shikuar nga aspekti psikoanalitik, shfaqet fatal për një brez të tërë.

Pra, ky rreth vicioz, megjithëqë ndërtohet, në njërën anë, në rrethanat e “ferrit shqiptar” duke imagjuar “zbulimin e Amerikës” si shpëtim dhe, në në tjetrën anë, që as kapërcimi i tij (me shkuarjen në Amerikë), nuk e liron nga dilema pse ishte “fati” ai që, si do t’i thotë Alush Bello oficerit të FBI-së, gjatë një interviste pune, e kishte shpëtuar nga thertorja, kur prapa tij mund të fshihej diçka tjetër, ndonjë kurth nga sistemi, që pavetëdijshëm mund ta kishte kthyer në vidër të vet e të ngjashme? Madje, as pranim i gjendjes së nënshtrimit të plotë, për ç’gjë oficeri amerikan do t’i thotë se “a keni turp nga vetja”, që Alush Bello do t’ia kthejë se “me aq sa e njihja vetën nuk kisha asnjë tharm prej heroi”, nuk e liron nga mundimi i të qenit hiq, meqë sipas atyre që i silleshin dhe i përsilleshin në kokë, në ato rrethana edhe gjendja e hiqit, ishte e mjaftueshme për t’u kthyer në viktimë, por jo për të shpëtuar “si i pahetuar”. Kështu, “shpëtimi” për Bellon, kthehet në një përndjekje të përhershme shpirtërore, ndonëse përpiqet që ndryshimin fizik ta inskenojë në një normalitet jetësor, të njeriut të pavërejtur, të numrit statistikor, por që do të jetë intervistimi i oficerit të FBI-së, që do t’ia krijojë përshtypjen se kjo ishte e pamundur nga përfytyrimi si pjesë e planit të “tërheqësit të fijeve” për ta përfshirë në celulën e fshehtë të FBI-së, brenda kolegjit. Me çka, sikur, arsyetohet fatumi se individi nuk është i lirë në ferr e as në parajsë. Bindje kjo thuajse kafkiane, që njeriu sikur e ka fat.

Antipod i “zbuluesit të Amerikës”, të atij që sheh se edhe në botën e lirë vepron “megasyri i përgjimit”, në format më përfide dhe me ndihmën e imperiumit të internetit dhe të robërisë digjitale në të, që nuk mund t’i iket, shfaqet “zbuluesi i Parisit”, Agron Shala, shoqërues i grupeve të turistëve nga Franca në Shqipëri, të cilit, një lidhje seksi (e panjohur për rrethanat e diktaturës shqiptare, por realitet në ato të jashtme), pra jo dashurie, ia kishte mundësuar që të kalojë portat e ngushta të purgatorit për te “parajsa”. Edhe pse ky kapërcim, mbetet kondicional, në pritje të bashkimit me të fejuarën, francezen Katrine Berger, për të kaluar përfundimisht në Paris, do të dukej si një “fat” që kanë ata të cilët i takojnë disa “të çarave të sistemit”, siç ishin vizitat e grupeve të miqësive të Shqipërisë me dy-tre vende të perëndimit, në këtë rast me Francën, që megjithqë rasti i Agron Shalës, sado që duket “çështje fati”, në të vërtetë, çon te skenarët e sistemit të mbikëqyrjes globale, që Asturiasi i identifikon si “syri i fshehtë”, në shërbim të diktaturave – për krijimin e viktimave dhe të viktimizimit, të ideologjive dhe të religjioneve – për nënshtrim të plotë deri te pastrimi të trurit dhe të demokracive liverale – për instrumentalizimin e individit deri tek përmasat e kthimit në numër. Në kuadër të këtyre realiteteve, përpjkejet sado perfide të atyre që mendojnë se sistemeve të tilla mund t’ua hedhin me truqe të lira (shuarjen e poqave elektrine nëpër kate e të ngjashme), siç janë ato të Agron Shalës, të arsyetuara me moralaitetin e mbijetimit dhe “të sjelljes praktike” në ferr apo parajsë , pa u hetuar dhe pa u konfrontuar, mbesin iluzione, ngaqë “logjika praktike”, nuk është vetëm manir mbijetues i diktaturës, por, edhe “i lirisë”, siç shihet edhe nga qëndrimi i Katrine Berger, ku, ta zëmë, fjala dashuri përjashtohet fare. Vendin e saj e zë seksi. Në këtë kontekst, raportet midis instrumentalizimit dhe vetëinstrumentalizimit nga ato tek sistemeve kthehen tek individët që nuk kanë zgjidhje.

Në rrethin vicioz të ferrit shqiptar, desh a padeshë, krahas dy personazheve shqiptarë: Alush Bellos dhe të Agron Shalës, futen edhe francezët: Georges Vignaut dhe të Katrine Berger. Nëse, në kundrimin horizontal të ndërtimit të rrëfimit, personazhet shqiptarë Bello dhe Shala shfaqen në rolin e “zbuluesve” të Amerikës, zhburiset nga jashtë, francezët Gorges Vignaut, misionar humanitar dhe Katrine Berger, përpiqen që përmasat e ferrit shqiptar t’i nxjerrin në pah jo nga futja në të përmes portave të purgatorit, por të hasjes së mbetjeve të tij në mentalitetin shqiptar, kryesisht në planin moral, të pasqyruara përmes një amnezie thuajse kolektive te një popullate të tërë e sharruar në një humnerë, e që nuk bënin kurrëfarë përpjekjesh për ta kuptuar se si të dilet prej saj! Te kjo përshtypje do të vijë, Georgesi gjatë shpërndarjes së një dërgese humanitare për fëmijë, diku në nj katund të strukur të Tropojës, kur gjatë shpërndarjes së ndihmave, ata jo vetëm që nuk ndihmohen, por shikohen me kurreshje dhe mosbesim se çfarë mund t’i ketë shtyrë këta njerëz të moshuar, nga larg, t’i ndihmojnë? Cilat janë interesat e tyre dhe dilema të ngjashme që shtrojnë atra që kanë humbur ndjenjën e të mirës, të ndihmës dhe të solidaritetit!

Në të vëretë, me vendosje dhe zhvendosje të personazheve nga “brenda jashtë” dhe nga “jashtë përbrenda”, paradigma e ferrit shqiptar sikur humb kufirin hapsinor dhe gjeografik, për të kaluar në një orbitër universal ku normat e “lirisë së jashtme”, rëndom rrënojnë “liritë e brendshme”, ku individi shpronësohet nga egoja për t’u kthyer në një numër të mbikëqyrur nga “megasyri përgjues”, në shërbim të kthimit të individit në numër.

Shkrimtari Besnik Mustafaj, me “zbuluesit” shqiptarë të “parajsës” dhe të zhbiruesve nga jashtë të mbetjeve “të ferrit shqiptar”, siç vepron edhe në romanet paraprake, gjithnjë në rolin e personazhit (deputet, diplomat, pra si politikan), si individ, i lindur dhe i ngritur nga pikëpamja arsimore dhe kulturore përbrenda një diktature, nuk përpiqet as të shfajësohet e as të fajësojë. Përkundrazi, letërsia shfrytëzohet për t’u paraqitur dimensioni i brendshëm, atij moral dhe shpirtëror, i kapërcimit nga diktatura tek liria, që siç shihet në novelën “Porta e ngushtë e purgatorit”, kthehet në një rreth vicioz, ngaqë vetëdijet e caktura mund të ndikohen, por assesi të ndryshohen përmes abradakadabrës…./ KultPlus.com

May be an illustration of 1 person and text

Ra bora e par’ ketë vit e bashk’ nuk u pám’

Poezi nga Xhabir Tabaku

Bie borë

ra bora e ré, e s’je pá
qielli nuk qesh, á vrâ
kambânat heshtën si nji natë mâ par’
hije déket ka rá

qè bukur kur borat talleshin me ne
në rininë e pár’
qytetit, kangë i thurshim atbot’
bri lumit, në záll

tash lumejt me ujna jan’ mbárs
shtrati a rrënu’ e s’i mbán

ra bora e par’ ketë vit
e bashk’ nuk u pám !

Nga vëllimi “bir’ i fllanzës” / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Binomi Rugova – Jashari dhe guximi i pashoq i UÇK-së, bazament i themeleve të forta të shtetit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë.

“Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirinë. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që mund t’i rrënojë ato”, ka theksuar Osmani.

Sipas Osmanit, sot, sikurse gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova si dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të secilit pjesëtar të UÇK-së.

“Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, ndaj mbeten qendrore edhe përcaktuese për të ardhmen tonë”, është shprehur ajo./ KultPlus.com

Reshjet e borës përfshinë vendin gjatë natës

Reshjet e shiut që kanë përfshi vendin ditën e mërkurë, gjatë natës me kalimin në ditën e enjte u shndërruan në reshje bore me rënie të temperaturave, që zbresin në 0C e -2C orëve të mëngjesit, kur dhe pritet të pushojnë të reshurat.

Gjatë ditës më pas parashihet të kalojnë vransira, por nuk mungojnë intervalet me diell. Temperaturat maksimale gjatë ditës luhaten ndërmjet 2C e 5C. Me kalimin e frontit të ftohtë gjatë natës, frynë erëra të fuqishme veriore me hove deri në 20m/s (70km/h).

Reshjet e shiut dhe erërat e fuqishme rikthehen sërsih ditën e premtë, me kalimin e stuhisë “Caetano” mbi Ballkan. Me një rënie të temperaturave të premtën pasdite, nga 10C në 0C, reshjet e shiut shndërrohen në borë, duke vazhduar pas mesnate me kalimin në ditën e shtunë. Nga e shtuna vransirat shpërndahen e parashihet mot stabil, kryesisht me kthjellime. Temperaturat minimale zbresin në -3C e -5C, e ato maksimale me një rritje gradule në 4C e 7C, ditën e diel dhe të hënë. Të premtën frynë erëra mjaft të fuqishme, fillimisht nga jugperëndimi, më pas veriore e verilindore me hove edhe mbi 20m/s, lokalisht.

Gjatë kësaj periudhe sasia e reshjeve të akumuluara në vend shkon në 50mm deri 80mm, derisa viseve malore në perëndim edhe mbi 100mm. Shtresa dëbore mund të formohen në zona më të ulëta, prej 5cm deri 20cm, e viseve malore 30-40cm.

Shkaku i erërave më të theksuara, indeksi i cilësisë së ajrit do të qëndrojë më gjatë në vlera të pranueshme dhe të mira, me ngjyrë të gjelbërt. Tek nga dita e shtunë, orëve të mbrëmjes vlerat e çastit kalojnë në ndotje më të rritur, me indeks jashtëzakonisht të dobët, ngjyrë vjollce.

Finalizohet projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është finalizuar Projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe se do të procedohet për votim në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Kjo është bërë e ditur pas një takimi që ka zhvilluar kryeministri Kurti, përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, si dhe përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.

“Sipas këtij projektligji, Komiteti Organizativ do të udhëheqë me projektin më të madh sportiv në historinë e Republikës së Kosovës. Ai do të përbëhet nga ministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Republikës, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e Kryeministrit në cilësinë e kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare, Prishtina 2030”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani falënderuan Sekretarin e Përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e treguar.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, do jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë.

Lojërat Mesdhetare 2030 do të shtrihen në disa komuna të vendit tonë dhe në qytetin e Durrësit të Republikës së Shqipërisë./ KultPlus.com

‘Po nisem për të fundit herë, dhe pi për dashurinë e shenjtë’

Poezi nga Robert Burns / Përktheu Dritëro Agolli

Për mua gjej një shishe verë,
Ma hidh në kupën e argjendtë
Po nisem për të fundit herë
Dhe pi për dashurinë e shenjtë.

Kërcet direku i anijes
Kur era rreh e ndehet terri
Kur toka dalëngadalë zë fshihet
Unë pi për ty, e dashur Meri!

Më pret tufani dhe stuhia
Flamuri ngrihet palë palë
Për luftë larg më fton buria
Shigjetat derdhen valë-valë.

S’më tremb aspak luftë e tërbuar,
S’më tremb sfilitja, humbja, sherri,
Më tremb veç ndarja e trishtuar
Veç ndarja e hidhur me ty, Meri! / KultPlus.com

Cilat janë sekretet e jetës sipas Tolstoyt

Ka shumë gjëra për të mësuar në lidhje me Artin e të Jetuarit nga Lufta dhe Paqja e Tolstoit – për kotësinë dhe budallallëkun, xhelozinë seksuale dhe marrëdhëniet familjare. Por ne mund të mësojmë gjithashtu nga jeta e vetë mjeshtrit të romaneve.

Roman Krznaric

Tolstoi është anëtar i fisnikërisë ruse, nga një familje që zotëronte një pronë dhe qindra shërbëtorë. Jeta e hershme e kontit të ri ishte e zhurmshme, imorale dhe e dhunshme. “Unë vrisja njerëz në luftëra dhe i sfidoja njerëzit në duele me qëllim që t’i vrisja”, shkruante ai.

“Unë humbisja në bixhoz, konsumoja punën e fshatarëve, i dënoja me ndëshkime, jetoja i lirë, dhe i mashtroja njerëzit… kështu jetova për dhjetë vjet.” Por ai gradualisht filloi t’i largohej këtij stili jete prej racisti dekadent dhe i hodhi poshtë besimet e marrë prej tabanit aristokratik, duke adoptuar një këndvështrim jotradicional të botës, i cili i trondiste bashkëmoshatarët. Ja çfarë këshillash mund të na ofrojë rrugëtimi personal i Leon Tolstoit, për të riparë filozofinë tonë të jetës.

1. Qëndroni mendjehapur

Një nga dhuntitë më të mëdha të Tostoit ishte aftësia dhe dëshira e tij për të ndryshuar mendjen, bazuar në eksperienca të reja. Gjakderdhja e tmerrshme që ai pa ndërsa luftonte në Luftën e Krimesë në 1850-ën e shndërroi në një pacifist për gjithë jetën.

Në 1857-ën, pasi pa një ndëshkim publik në gijotinë në Paris – ai nuk e harroi kurrë zhurmën e kokës së prerë ndërsa binte në kutinë poshtë – ai u bë një kundërshtar i bindur i shtetit dhe i ligjeve të tij, duke besuar që qeveritë nuk ishin vetëm brutale, por në esencë i shërbenin interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve. “Shteti është një komplot,” i shkroi ai një miku.

“Prandaj, unë kurrë nuk do t’i shërbej ndonjë qeverie ndokund”. Tolstoi ishte në rrugën e shndërrimit në anarkist. Ai ishte i pari që do të na nxiste të vinim në dyshim besimet themeltarë dhe dogmat me të cilat jemi rritur.

2. Praktikoni ndjeshmërinë

Tolstoi shfaqi një kapacitet të pazakontë për t’u prekur duke e vënë veten në vendin e njerëzve, jeta e të cilëve ishte shumë e ndryshme nga e tija. Në 1860-ën ai jo vetëm adoptoi veshjen fshatare, por filloi të punonte krahpërkrah me punëtorët e sapoemancipuar në pronën e tij, duke punuar me parmëndë fushat dhe duke riparuar shtëpitë e tyre me duart e tij.

Sigurisht që kishte një element paternalizmi, por e vërteta është se ai e shijonte shoqërinë e fshatarëve dhe në mënyrë të vetëdijshme i largohej elitës letrare dhe aristokratike në qytete. Tolstoi besonte se ju nuk mundet kurrë të kuptoni realitetin e jetës së njerëzve të tjerë, nëse nuk e provoni vetë atë.

3. Bëni ndryshimin

Ai u dallua nga moshatarët e tij të kastës së lartë duke ndërmarrë veprime praktike për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve të tjerë, më evidente ishte puna e tij për lehtësimin e urisë. Pas dështimit të të lashtave në 1873-shin, Tolstoi ndaloi së shkruari Ana Kareninë-n për një vit, me qëllim që të organizonte ndihmë për ata që vdisnin urie.
Në këtë kohë, ai i shkruante një të afërmi: “Nuk mund të shkëputem nga krijesa që janë reale, për t’iu kushtuar krijesave imagjinare”. Shokët e tij, ashtu si edhe familja, menduan se ishte çmenduri që njëri nga romancierët më të mirë t’i vendoste veprat e tij gjeniale në plan të dytë.

Ai e përsëriti këtë gjë gjatë zisë së bukës së 1891-shit, kohë kur kaloi dy vite duke punuar në “kazanët e supës” dhe për mbledhje fondesh. A mund ta imagjinoni dot një shkrimtar të sotëm, nga ata që shesin shumë kopje, që të lënë mënjanë librin dhe t’i kushtohen për dy vite punës humanitare?

4. Zotëroni artin e të jetuarit thjeshtë

Pas një krize nervore në fundin e vitit 1870, Tolstoi hodhi poshtë gjithë fenë e organizuar, duke përfshirë Kishën Ortodokse në të cilën ai ishte rritur. Ai adoptoi një lloj revolucionar të Kristianizmit i bazuar në jetën e thjeshtë shpirtërore e materiale. Ai i dha fund alkoolit, duhanit dhe u bë një vegjetarian.

Tolstoi frymëzoi gjithashtu krijimin e komuniteteve utopike të jetesës së thjeshtë, ku pasuria ishte e përbashkët. Këto komunitete “Tolstojane” u përhapën rreth e rrotull botës dhe e shtynë Gandin të themelonte një vendbanim fetar në 1910-ën, me emrin Ferma “Leo Tolstoi”.

5. Kujdes nga kontradiktat tuaja

Kjo jetë e re, më e thjeshtë nuk ishte pa mundime dhe kontradikta. Tolstoi predikonte dashuri universale, megjithatë ishte në mënyrë konstante në luftë me të shoqen. Veç kësaj, apostulli i barazisë nuk ishte kurrë i aftë të braktiste plotësisht pasurinë dhe jetën e privilegjuar.

Ai jetoi deri në moshë të madhe në një shtëpi të madhe me shërbëtorë. Por në fillim të 1890-ës ia doli – kundër dëshirës së familjes së tij – të hiqte dorë nga e drejta e autorësisë për një pjesë të madhe të veprave të tij letrare, si pasojë duke sakrifikuar një pasuri të tërë. Duke marrë me mend pozicionin e privilegjuar në të cilin Tolstoi e filloi jetën, transformimi i tij shpirtëror, gjithësesi është për t’u admiruar.

6. Bëhuni zanatçi

Tolstoi kuptoi që arritja e një ekuilibri midis mendjes dhe trupit ishte një pjesë thelbësore e procesit të tij krijues. Ai jo vetëm e linte vazhdimisht penën për të marrë plugun mespërmes fushës, por mbante një kosë dhe priste me sharrë duke u mbështetur pas murit ngjitur me tavolinën e shkrimit.

Në vitet e tij të fundit, kur gazetarë e shkrimtarë vinin të respektonin plakun e zgjuar me mjekër, ata gjithmonë befasoheshin kur gjenin një nga autorët më të famshëm botërorë të mbledhur kruspull mbi veglat e punës, duke bërë një palë çizme.

Nëse Tolstoi do të ishte këtu sot, ai pa dyshim do të na sugjeronte të fusnim ndonjë zanat në jetën. Më mirë se sa të kalonim kaq shumë kohë në twitter apo duke bërë mesazhe. /KultPlus.com

‘Guxo’

Poezi nga Ndre Mjeda

Lundertari qe s’rezikohet
Kur asht’ deti shkum’ e vale
Vete me vedi mos t’ankohet
Se i shkoi dita pa fitim

Tuj u tall’ e tuj pritue
Kurrgjasend nuk qitet n’drite
Cfaredo sendi me fitue
Trimni lypet e guxim./KultPlus.com

Antoninette Lohmann dhe Ansambli i Harqeve të Filharmonisë sjellin koncert-ligjëratë mbi teknikat barokiene

Vjollca Duraku

Në kuadër të “Musical Conversation” sot është interpretuar një koncert me violinisten Antoinette Lohmann dhe ansamblin e harqeve të Filharmonisë së Kosovës, i cili u mbajt në formë të një koncert-ligjërate mbi teknikat barokiene të interpretimit në harqe, shkruan KultPlus.

Pjesë e publikut në këtë koncert të veçantë kanë qenë nxënësit e shkollave të muzikës, të cilët nga afër ndoqën koncertin dhe krahas tij edhe ligjëratat e profesionistes holandeze, Lohmann, dhe mbi të gjitha interpretimin e veçantë të instrumenteve harkore me tela zorrësh.

Antoniette Lohmann ka studiuar violinën, violën dhe violinën baroke në Konservatorine Amsterdamit. Si muzikante e pavarur, ajo ka performuar dhe incizuar me shumë orkestra dhe ansamble në të gjithë botën. Aktualisht repertori i saj shtrihet prej shek. XVII deri në shek. XXI, gjithmonë interpretuar nga një perspektivë e caktuar historike.

Kryesisht u interpretuan tinguj të qetë, te cilët kur interpretoheshin në intervale më të gjata kohore krijonin tinguj fisnikë, të cilët integorheshin lehtas mbi nxënësit të cilët e ndiqnin koncertin plotë koncertin, e i cili luhej pa dirigjent. Interpretimi duke i goditur lehtas telat e instrumentve harkore, si dhe interpretimi me gishtrinjë nga instrumentistët ndryshonte komplet ritmin e tingujve të nxjerrë aq mrekullisht.

Në koncert u interpretuan veprat e Georg Muffat: “Sonatë nr.2 në g-mol” (Grave, Allegro, Grave, Forte e allegro, Aria, Grave, Sarabande, Grave, Borea) dhe Carlo Farina “Capriccio Stravagante”: La Lira, ll Pifferino, Lira variata, Qui si batte con il legno dell’archetto sopra le corde, La trombetta, ll Clarino, La Gallina, ll Gallo, ll Flautino pian piano, ll Tremulo, ll Fifferino della Soldatesca, ll Gatto, ll Cane, La Chitarra Spagniola.


Instrumentistët të cilët interpretuan ishin: Violinë-Visar Kuqi, Liridon Ballata, Arion Ballata, Mrika Hoxha, Fjolla Koxha; Violë- Lumnije Osmani, Njomza Bislimi, Vjosa Hoxha, Ardian Shala; Violonçel- Adorel Haxhijaj, Vjosa Berisha, Narta Zeqiri; Kontrabas- Feriz Feka; Harpsikord-Lekë Salihu.

Në fund të koncertit, fëmijët,  violinistja Lohmann dhe instrumentistët realizuan së bashku fotografi, të cilat do të mbeten si kujtim mjaftë i bukur i këtij koncerti me shumë vlerë për ta.

Në fund të koncertit, violinistja Mrika Hoxha, ka thënë se ky koncert ka qenë për të mjaft i veçantë pasi kanë interpretuar me një teknikë jo shumë të zakonshme.

“Telat që i përdorim zakonisht janë pak më të lehtë për interpretim ngase harku është më i gjatë, dhe mund të interpretosh fraza më të gjata. Kanë qenë pak ditë prej kohës kur kemi filluar të ushtrojmë, por në përgjithësi besoj që për të gjithë anëtarët ka qenë një përvojë krejtësisht ndryshe. Kemi mësuar diçka rreth luajtjes edhe në tela me zorrë por edhe rreth veprave pasi është stil i veçantë i të luajturit”, ka thënë violinistja Hoxha, duke potencuar se interpretimi në këtë koncert pavarësisht sfidave për të ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme.

“Ka qenë sfidues për arsye se kemi qenë pa dirigjent, ka kohë të gjatë që nuk kemi luajtur pa dirigjent, ngase duhet tjetër koncentrim për ta përcjellë më shumë njëri-tjetrin. Është goxha më e vështirë, sidomos kur nuk luan shpesh. Është e vështirë ngase nuk e ke dikë që të mban ritmin, duhet vet të gjindesh, duke e mësuar veprën e secilit ku kyqet dhe çka bën. Është shumë vështirë, por gjithsesi është më shumë kënaqësi”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj, ka thënë se ky koncert konsiderohet i rëndësshëm për institucionin për arsye se ka të bëj me edukimin e gjeneratave në ardhje.

“Koncerti i sotëm është pjesë e programit të Filharmonisë, por jo pjesë e programit të sezonit në kuptimin që është koncert specifik. Është koncert i cili për Filharmoninë është pjesë e programit të artit në shkolla, por në këtë rast për një audiencë më specifike për shkolla të muzikës dhe Fakultetin e Arteve”.

Më tej drejtori Selimai këtë projekt të ESTA Kosova e ka quajtur për disa arsye të mirëseardhur.

“E para për të krijuar një eksperiencë të re brenda orkestrës, lojën e një repertori të cilin nuk e kemi luajtur më herët, por edhe veprat të cilat janë luajtur, nuk janë luajtur me specifikat që i ka repertori i harqeve. Në të njëjtën kohë për të prezantuar një formë të muzikimit për muzikantët e rinj, të cilët nuk kanë akses në koncerte të tilla, që të edukohen edhe mësohen në literaturën e cila është në përdorim të sistemit edukativ të edukimit muzikor në Kosovë”, ka përfunduar drejtori Selimaj./ KultPlus.com