“Natë filmi” në Teatrin ‘Adriana’

Të dielën në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj do të mbahet “Nata e Filmit”, duke filluar nga ora 19:00, përcjell KultPlus.

“Yellow Camel” me regjisore Alma Cocaj, “Sea by the rivër and rivër by the sea” nga regjisori Sovran Nrecaj dhe “Ditë e kuqe” i regjisorit Besim Ugzmajli, janë tri filmat që do të shfaqen këtë mbrëmje.

Filmat përmbyllin programin artistik të teatrit të qytetit të Ferizajt.

Hyrja në teatër për të gjithë filmat është pa pagesë. / KultPlus.com

Së shpejti mbahet paneli i diskutimit “Drama kosovare në letër”

“Drama kosovare në letër” do të vë në diskutim qështjen e përfshirjes së dramës “reale” kosovare në dramën në “letër”.

A është shkruar në “letër” drama “reale” kosovare që lidhet me aspektet socio-ekonomike, etno-kulturore e politike. Drama e shkruar kosovare, a është një refletim apo një intepretim i realitetit subjektiv të autorit, apo një pikvështrim ironik mbi shoqërinë dhe fenomenet tona si shoqëri e tranzicionit të stërzgjatur? Çka është shkruar dhe çka nuk është shkruar në dramat tona?

Ngjarja do të moderohet nga Afrim Demiri. Ndërsa, në panel janë: Jeton Neziraj, Albana Muja dhe Arben Marevci.

Diskutimi mbahet me 4 tetor, duke filluar nga ora 15:00 në Teatrin Adriana (kati 2). / KultPlus.com

‘Memorandumi’ premierë në teatrin “Adriana”

Shfaqja “Memorandumi” do të jepet premierë më 28 qershor në Teatrin “Adriana” me fillim nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Vaclav Havel është autor i shfaqjes, derisa Agon Myftari si regjisor. Reprizat do të jenë ditëve në vazhdim, pra, 28 dhe 30 qershor.

“Memorandumi” nga Vaclav Havel është një komedi e errët politike që parodizon burokracinë dhe konformitetin. Ngjarja është e vendosur në një organizatë ku në mënyrë që komunikimet ndër-zyrtare të përshpejtohen me efikasitet të lartë, shpiket një gjuhë e re artificiale – “Ptajdipi” e cila supozohet se do të thjeshtësonte punën e zyrtarëve të saj dhe ta bënte komunikimin ndër-zyrtar më të sakt dhe më të lehtë. Përkundrazi, pikërisht kjo “gjuhë” e inkuadruar si një eksperiment do ti shpie nëpunësit e organizatës drejt dehumanizimit dhe tjetërsimit, e që përfundimisht e pashmangshëm ata shkojnë drejt një rrethi të tmerrshëm vicioz të një sistemi ngulfatës edhe më burokratik. /KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Teatrin “Adriana”

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës të mërkurën (08.06.2022) prej orës 18:00 mban koncert në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, përcjellë KultPlus.

Me vepra nga kompozitorë vendor e të huaj, koncerti do të drejtohet nga dirigjentët Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla.

Ky koncert përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Ferizajit.

Hyrja është e lirë! / KultPlus.com

23 vjet nga vrasja e aktores Adriana Abdullahu nga forcat serbe

Sot shënohet 23 vjetori i vrasjes makabre të aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra në mars të vitit 1999 nga sulmi i forcave serbe në një kafiteri në Prishtinë, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruan KultPlus.

Adriana ishte një aktore e talentuar, plot jetë e e dashur për të gjithë. Kishte fatin të shëtiste botën dhe kjo e kishte kultivuar edhe më shumë personalitetin e saj kulturorë e social.

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Adrianës, teatri i qytetit të Ferizajt që njëkohësisht mban emrin e aktores, e ka kujtuar atë përmes një postimi në facebook ku shprehin krenarinë e tyre që teatri mban emrin e aktores.

“PER ADRIANËN #23
Përvjetori i 23-të i vrasjes së Adriana Abdullahut nga forcat serbe në Prishtinë.
Sot, me krenari, Teatri në Ferizaj bart emrin e aktores së talentuar; koleges së dashur e plot dashuri; vajzës energjike e moderne – Adriana Abdullahut.
Adrianës tash e 23 vite më parë, iu shuan ëndrrat e një artisteje që në ato kohë të vështira krejt çfarë kishte mbetur ishin ëndrrat”. / KultPlus.com

Teatri Adriana: Brenda vitit 2021, janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara

Teatri Adriana në Ferizaj, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se viti 2021 për Teatrin Adriana ka qenë një vit sa i vështirë në aspektet që lidhen me pandeminë Covid -19, e po ashtu ka qenë një vit jashtëzakonisht produktiv e i suksseshëm në të gjitha sferat prodhuese e reprezentative, përcjell KultPlus.

“Brenda vitit 2021, në Teatrin Adriana janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara”, thuhet në njoftim.

KultPlus ju sjell postimin e plotë:

Viti 2021 në Teatrin Adriana.
Të dashur spektatorë, artdashës, bashkëpunëtorë, mbështetës e ju shumë të dashur aktorë e staf kreativ e teknik të Teatrit Adriana.
Viti 2021 për Teatrin Adriana ka qenë nje vit sa i vështirë në aspektet që lidhen me pandeminë Covid -19, poashtu ka qenë një vit jashtëzakonisht produktiv e i suksseshëm në të gjitha sferat prodhuese e reprezentative.
Brenda vitit 2021, në Teatrin Adriana janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara.
Në gjysmëvjetorin e vitit 2021, kemi filluar me shfaqjen “Gratë në Parlament” me regjisore Elmaze Nura, pastaj me shfaqjen “Mblesëri në Malësi” me regjisor Ekrem Sopi. Ndërsa në pjesën e dytë të ktij vitit ne kemi sjellur shfaqjen “Fuego” nga Fadil Hysaj, shfaqjen “Ndeja për Borisin” në bashkëpunim me Enkeleda Simitxhiun, për të përfunduar vitin me premierën e fundit për këtë vit, “Marksistët e Lelinistët e Zvicrës” nga Blerta Neziraj. Nga 5 premierat e këtij viti, dy prej tyre kanë qenë nga dramaturgjia kosovare (“Fuego” nga Shpëtim Selmani dhe “Marksistët e Lelinistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj), ndërsa dy të tjera adaptime për skenë (“Gratë në Parlament” nga Elmaze Nura dhe “Mblesëri në Malësi” nga Ekrem Sopi).
Të gjitha produksionet në Teatrin Adriana kanë rezultuar suksesshëm dhe si të tilla kanë prezentuar rregullisht në repertorin e përmuajshëm të teatrit tonë.
Gjatë këtij viti shfaqja e vitit të kaluar “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë”, në festivalin “Flaka e Janarit” në Gjilan, është shpërblyer me çmimin “Pruarje e re Teatrore”, me shfaqjen “Vizita e Zonjës Plakë”, kemi prezentuar në festivalin tradicional në Dibër, ndërsa me shfaqjën “Gratë në Parlament” kemi marrë pjesë në festivalin e komedisë në Korçë – KOKO Fest.
Teatri Adriana si nikoqir edhe sivjet ka organizuar shumë suksesshëm Festivalin e Teatrove – Ferizaj 2021 (edicioni 50/51), ku me shfaqjen pjesmarrëse “Vizita e Zonjës Plakë” është shpërblyer me Rolin Kryesor Grua – Vjosë Abazi.
Teatri Adriana, gjithëashtu ka qenë nikoqir edhe për disa nga shfaqjet – pjesë të SHOWCASE KOSOVA, ku ka prezentuar me shfaqjen “Fuego”.
Teatri Adriana, gjithëashtu ka aktivizuar edhe aktivitetin e rëndësishëm kinematografik -KINO KLUB – Ismail Rama, ku të gjithë adhuruesit e filmit mund të shohin filma të ndryshëm autorial në kuratimin e Sovran Nrecajt.
Në të gjithë këtë vit të suksesshmëm, nuk kemi se si të mos i falënderojmë shumë shikuesit e jashtëzakonshëm që janë gjithmonë në numër të konsiderueshëm në ulëset e Teatrit Adriana, ndërsa merita kryesore për gjithë prodhimin dhe perfomacën tonë në këtë vit, shkon tek aktorët që kanë dhënë kontributin më të madh këtë vit, për stafin kreativ e teknik të teatrit tone dhe padyshim për bashkëpunëtorët e Teatrit Adriana.
Një falenderim të veçant për DKRS- Ferizaj dhe MKRS duke kërkur një angazhim edhe më të madh nga secili institucion në mbështetjen e të gjitha teatrove në Kosovë.
Ju faleminderit shumë e mirëupafshim vitin 2022.
Gëzuar Viti I Ri. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Marksistët e Leninistët e Zvicrës’ jepet premierë më 29 dhjetor në Teatrin Adriana

Shfaqja “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” me regji të Blerta Nezirajt dhe tekstin e shkruar nga Jeton Neziraj, do të ketë premierën e saj më 29 dhjetor në Teatrin ‘Adriana’, shkruan KultPlus.

“Kjo shfaqje është një rrëfim komik policor për një grup idealistësh, të cilët, nga nëntoka e Zvicrës, organizojnë dhe iniciojnë luftën e Kosovës, krijojnë aleancë ushtarake me NATO-n, dhe pastaj e themelojnë shtetin e Kosovës…”, thuhet në njoftim.

Kjo komedi gjithashtu na zbulon një botë të mistershme të ilegales shqiptare në Zvicër, ku përndjekja policore, sulmet me bomba, mbledhja e fondeve milionëshe, e organizimi i luftës, ballafaqohen me ‘neutralitetin’ e jetës zvicerane.

Milot Salihu, Albulena Kryeziu Bokshi, Dardana Mehmeti, Blin Sylejmani,, Sherif Bega dhe Gresa Gashi janë aktorët e kësaj shfaqje.

Shfaqja do të fillojë nga ora 20:00. /KultPlus.com

Teatri Adriana do të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar

Shfaqja e Teatrit Adriana “Gratë në Parlament” do të udhëtojë më 6 dhjetor në Tuniz të Afrikës për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Suksesi i jashtëzakonshëm i premierës së sivjtme, kjo shfaqje do të udhëtojë për një festival ndërkombëtar.

Ekipi i Teatrit Adriana udhëton më datë 6 dhjetor, derisa shfaqja në këtë festival do të bëhet më 9 dhjetor.

Shfaqja pasqyron abuzime me pushtetin. Për shkak të qeverisjes së keqe nga burrat, gratë rebelohen dhe marrin pushtetin në dorë e tyre.

Në shfaqje luajnë: Vjosa Abazi, Mevlan Saraçi, Valdrin Osmani, Blin Sylejmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dora Xhemajli. /KultPlus.com

Gratë në parlament' shfaqet sonte në Teatrin ' - Syri Kosova | Lajmi i  fundit

U dha premierë shfaqja ‘FUEGO’

Në Teatrin Adriana në Ferizaj, të shtunën u dha premiera e shfaqjes Fuego me autor Shpëtim Selmani, regjisor Fadil Hysaj dhe aktorë Bajrush Mjaku e Shpëtim Selmani.

“Shfaqja synon së paku të prek burimet e negativitetit të akumuluar pa pretendimin e gjetjes së shkakut fillestar, pa pretendimin që të japë përgjigje se si duhet të çlirohemi prej atij vreri. Mjafton të evidentohet problemi. Kjo është e pakta që mund të bëhet përmes një vepre arti”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

U dha premierë shfaqja FUEGO

Në Teatrin Adriana në Ferizaj, të shtunën u dha premiera e shfaqjes Fuego me autor Shpëtim Selmani, regjisor Fadil Hysaj dhe aktorë Bajrush Mjaku e Shpëtim Selmani.

“Fuego” është ndër dramat e pakta në dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare, e cila trajton problematika të mëdha me qasje minimaliste dramaturgjike. Ngjarja e kësaj drame ndodhë në një dyqan servisi të pajisjeve të prishura shtëpiake. Një burrë dhe një djalë bien në konflikt rreth kusurit të një pagese prej 3 eurosh, të cilat nuk ka t’ia kthejë burri i cili e ka riparuar ngrohësen FUEGO.

Shfaqja synon së paku të prek burimet e negativitetit të akumuluar pa pretendimin e gjetjes së shkakut fillestar, pa pretendimin që të japë përgjigje se si duhet të çlirohemi prej atij vreri. Mjafton të evidentohet problemi. Kjo është e pakta që mund të bëhet përmes një vepre arti.
Në premierën e kësaj shfaqje që u prit shumë mirë nga publiku, ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
/ KultPlus.com

Mbyllet Festivali i Teatrove në Ferizaj, Çeku: Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e Teatrit ‘Adriana’, e së fundmi ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përcjell KultPlus.

“Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit”, ka shkruar Çeku.

Sipas tij, tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Gjysmë shekulli festival.

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e shkëlqyer të Teatrit ‘Adriana’, Ferizaj. Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit.

Juria profesionale në përbërje Shkurtë Aliu, Agim Sopi dhe Alban Beqiraj, ndau çmimet për më të mirët e festivalit: Mentor Berisha për kostumografi (Kosovo for dummies), Petrit Bakalli për skenografi (Provo edhe një herë, Sam), Vlora Dervishi për rolin episodik (Farsë në Varvolth), Donikë Ahmeti për rolin dytësor grua (Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht), Tristan Halilaj për rolin dytësor burrë (Brinat), Vjosa Abazi për rolin kryesor grua (Vizita e Zonjës Plakë), Ernest Malazogu për rolin kryesor burrë (Provo edhe një herë, Sam), Blertë Neziraj për regjinë më të mirë (Kosovo for dummies), Çmimi special për ‘Takime në burg’ të Teatrit ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Shfaqja më e mirë për ‘Provo edhe një herë, Sam’ të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’, Prizren me regjisor Ilir Bokshin.

Tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

Përgëzime për gjithë komunitetin teatror të Kosovës, organizatorët dhe publikun artdashës. Ju faleminderit për cilësinë dhe emocionin e ofruar.

Fotografitë: Teatri ‘Adriana’. / KultPlus.com

Së shpejti, premiera ‘Gratë në Parlament’ me regji të Elmaze Nurës

Deri në fund të marsit, në Teatrin e Ferizajit do të shfaqet premiera “Gratë në parlament”, me regji dhe adaptim të regjisores Elmaze Nura.

Provat e shfaqjes kanë hyrë në fazën finale, Shfaqja trajton temën aq të komentuar edhe sot-pushtetin. Me një qasje moderne, komedia e autorit klasik grek Aristofanit, e përshtatur për ditët e sotme, bëhet shumë aktuale.

Gratë, duke e parë se ku po e çon vendin keqqeverisja e burrave, vendosin ta marrin pushtetin. Ngjarjet zhvillohen vrullshëm e rrjedha e tyre nuk parashikohet lehtë.

Skenë pas skenë, situatë pas situate, “Gratë në parlament”, do të sjellë befasi dhe vlera të reja për teatrin jo vetëm në Ferizaj, është shprehur regjisorja Nura.

Mevlan Saraci, Vosa Abazi, Blin Sylejmani, Valdrin Osmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Valdrin Osmani dhe Doruntina Xhemajli luajnë në këtë projekt teatror, që pritet të tërheqë publikun me tematikën interesante, humorin, satiren dhe me konceptin regjisorial artistik dhe inovativ.

Kompozitor është Gëzim Hasani, tekstet e këngëve janë shkruar nga Blerim Haxhiaj, skenografia është bërë nga Bekim Korça, kostumografia nga Eleonora Gagica, ndërsa koreografia nga Kreshnik Musolli.

Projekti i realizuar është mbështetur nga Komuna e Ferizajit, Drejtoria për Kulturë si dhe Teatri “Adriana Avdullahu”.

Kjo është hera e dytë që regjisorja Elmaze Nura bën shfaqje në Teatri e Ferizajit. Me shfaqjen, ‘Kopraci”, produksion i po këtij teatri, ajo përfaqësoi Kosovën në një ndër Festivalet më të mëdha në botë në Kajro të Egjiptit –Cifcet, ndërsa u shpërblye në Festivalin e Dibrës në Maqedoni me çmimin për Regjinë më të mirë.

Në vitin 2020, Nura u shpall regjisorja më e mirë e vitit, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për regjinë në shfaqjen “Kopraci”./ KultPlus.com

Teatri ‘Adriana’ në Ferizaj nesër organizon natë poetike

Teatri i qytetit të Ferizajit, “Adriana Abdullau” nesër do të organizoj një tubim poetik, shkruan KultPlus.

I emërtuar si “Gostia-Natë poetike”, Teatri do të jetë nikoqir i disa artistëve, të cilët do të flasin nga skena nëpërmjet vargut të tyre.

Duke filluar nga ora 19:00, Leonora Hasani, Sherif Bega, Gresë Gashi, Milot Salihu, Dora Xhemajli, Jajush Ramadani dhe Besim Ugzmajli do të interpretojnë veprat e tyre artistike.

Kjo ngjarje do të zhvillohet nën regjinë e regjisorit Sovran Nrecaj. / KultPlus.com

‘Vizita e Zonjës Plakë’, premierë në teatrin ‘Adriana’

Shfaqja ‘Vizita e Zonjës Plakë’, do të vijë si premierë më datë 28 dhjetor të këtij viti në teatrin e qytetit të Ferizajit, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga Vjosa Abazi, e cila do të jetë edhe pjesë e kësaj shfaqjeje.

‘Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për të gjithë ne. Por për mua ky vit do të përmbyllet me diçka të mirë dhe pozitive’, ka shkruar Abazi në rrjetin social Facebook.

Shfaqja e cila është realizuar nën regjinë e Sulejman Rushitit do të shfaqet në orën 17:00.

Ndërkaq, në rolet tjera do të jenë Milot Salihu, Ali Krasniqi, Uratë Shabani, Dora Xhemajli, Arben Marevci, Dardane Mehmeti, Gresa Gashi, Jajush Ramadani, Mevlan Saraçi, Nexhat Xhokli, Blin Sylejmani, EEdona Berisha Bekteshi, Sherif Bega, Durim Neziri dhe Valdrin Osmani. / KultPlus.com

Është hapur thirrja për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe

Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia, Teatri i Gjilanit, Teatri i Ferizajit ‘’Adriana’’, Etno Teatri në Kukaj ka hapur thirrjen për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Laboratori i dramës bashkëkohore shqipe do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza nën drejtimin e regjisorit e dramaturgut Fadil Hysaj. Pjesa e parë do të mbahet mes periudhës 27 nëntor-3 dhjetor, ndërkaq pjesa e dytë më 18-22 dhjetor të këtij viti.

Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë laborator duhet të jenë në intervalin e moshës mes 18-45 vjeç, teksa të përzgjedhurit do të kenë rastin të përfshihen në proceset kreative të shkrimit të dramës.

Dramat e përfunduara të çdo pjesëmarrësi do të prezantohen para publikut si një lexim skenik dhe do të botohen në një vëllim. Nga të gjitha të shkruarat, tre më të mirat do të përkthehen në gjuhën angleze dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë-Eurodram.

Afati i fundit për aplikim është deri më 19 nëntor, kurse 7 persona janë të paraparë që të përzgjidhen gjithsej./KultPlus.com

Anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Ferizaj

Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në Ferizaj bashkë me menaxhmentin e institucionit të Teatrit dhe në konsultë me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, shtrëngimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 përmes së cilave ndalohen tubimet publike, rrjedhimisht edhe aktivitetet kulturore përkatësisht veprimtaria teatrore, mori vendim që të anulohet organizimi i edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove që mbahet pikërisht në këtë teatër.

Ky vendim, rrodhi nga diskutimi i gjatë mes anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të Teatrit, padyshim me konsultën e përhershme edhe me institucionet lokale dhe ato shëndetësore, vendim ky i dhembshëm por i domosdoshëm kur mirëfilli dijmë se është pikërisht Festivali i Teatrove, kryengjarja kulturore e Ferizajt për vitin përkatës kalendarik.

Duke qenë e tillë, shtrëngohemi që edicionin jubilar, 50 vjetorin e Festivalit të Teatrove në Ferizaj ta shtyjmë për vitin e ardhshëm 2021, për ta përgatitur ashtu siç meriton, dinjitetshëm, me pjesëmarrjen e gjerë të publikut fantastik ferizajas dhe jo vetëm si dhe me mirëpritjen e trupave teatrore nga gjithë gjeografia shqiptare.

Teatri “Adriana” dhe Këshilli Drejtues shprehin keqardhjen para publikut, artdashësve, trupave teatrore, për këtë vendim të diktuar nga situata epidemiologjike në vend. / KultPlus.com

Historia e Verterit dërgon teatrin ‘Adriana’ në Gjermani

Trupa e Teatri Adriana e fillon vitin 2019 me shfaqjen “Verteri”e cila do të jepet në Gjermani, shkruan KultPlus.com

Me tekst të Johann Wolfgang Goethe dhe regji të Stefan Schletter shfaqja do të jepet më 19 janar nga ora 19:30, në teatrin Pfalzbau në Ludwigshafen. Shfaqja realizohet si bashkëpunim teatror i teatrit “Adriana” nga Ferizaj, Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe teatrit Pfalzbaubühnen nga Ludwigshafen. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Jajush Ramadani, Milot Salihu e Edona Berisha- Bekteshi.

“Sa i lumtur jam që nuk jam më”- kështu fillon novella e Johann Goethe-s “Vuajtjet e Djaloshit Verter”.
Edhe pse e shkruar në shekullin e 18-të nga Goethe, historia që tregohet aty, edhe sot reflekton nevojën themelore të çdo gjenerate të re për t’u çliruar.

Verteri udhëhiqet nga pasioni për liri absolute. Ai e jeton jetën pa ndonjë barrë apo ndonjë obligim për të kaluarën dhe vlerat tradicionale. Ai ndjek emocionet e tij, dhe në takim të pare bie në dashuri me Loten. Lote, një vajzë e re dhe e bukur që kujdeset për vëllezërit e motrat e saj pas vdekjes së nënës së tyre, është e fejuar me Albertin, një njeri i durueshëm dhe shumë i respektueshëm. Përkundër të gjitha pengesave dhe arsyeve, Verteri ndjek rrugën e dashurisë ndaj Lotes, gjithnjë deri sa nuk gjen një fund tragjik.

Për bileta dhe informata klikoni në linkun e mëposhtëm./ KultPlus.com

https://www.theater-im-pfalzbau.de/programm/schauspiel/?eventUid=3425&fbclid=IwAR0QiMGYfEZWxhNgLCJNXK-IO8N9p-Whv2fZIRIeQhiwFm_Za9uF-fDN3no

‘Oh, Oh, xhulia’ me regji të Besim Ugzmajlit nis sezonin në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit ‘Adriana’ në Ferizaj, shumë shpejt pritet të nis sezonin me premierën ‘Oh, Oh, xhulia’.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Provat për këtë shfaqje tashmë veç kanë filluar, ndërsa për KultPlus, regjisori Ugzmajli, dha disa detaje për tekstin.
“ ‘Oh, Oh, xhulia’, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar. Provat vetëm sa kanë filluar dhe shfaqja pritet të jepet pas datës 20 tetor”, tha për KultPlus Besim Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Muaji tetor mirëpret Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Sarandë Selimi

Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.

Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.

“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.

Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.

Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.

“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com