Në muzeun Tate Modern do të hapet ekspozita ‘Arti dhe teknologjia në vitet 1950-1990’

Muzeu, Tate Modern në Londër do të hapë “Electric Dreams: Art and Technology Before the Internet”, një ekspozitë që ndërthur artin dhe teknologjinë midis viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1990.

Catherine Wood, e cila është Drejtoresha e Programit të muzeut, tha se aty është kthyernë një vend që artistët e rinj të përdorin mjete dixhitale për punën e tyre. Ndërsa synohet që të vlerësohen të gjithë mjeshtrit që kontribuan në këtë fushë.

”Ajo që ne donim të bënim si muze është të tregonim historinë e së shkuarës për të parë me të vërtetë artistët përpara se të kishin kapacitetin e jashtëzakonshëm të teknologjisë se sotme. Gjithashtu edhe botën që po jetojmë tani.”

Do të shfaqen punët e mbi 70 artistëve ndërkombëtarë, pjesë që përfshijnë instalime mbresëlënëse duke përdorur dritën dhe lëvizjen si dhe imazhe të krijuara nga kompjuterët.

“Ne kemi pasur shfaqje të artit kinetik më parë gjithashtu edhe të artit dixhital, por nuk kemi pasur një shfaqje që përpiqet të tregojë historinë e artit dhe teknologjisë që nga vitet ’50 në tërësi.”

Për veprën e tij, krijuesi me bazë në Çikago, krijoi shërbimet Minitel, një pajisje nga vitet 1980 që ofronte informacion dhe lejonte aksesin online vite përpara internetit.

“Këtu në muzeun Tate Modern, në ekspozitën Electric Dreams, kam tre vepra arti Minitel. Minitel ishte një shërbim që u prezantua nga Franca në fillim të viteve tetëdhjetë, kur Franca e kishte këtë avantazh.”

Pra, Minitel është interneti, kështu që puna në internet në ato vite ishte shumë e ndryshme nëse krahasohet me atë që perjetohet sot me telefonin dhe satelitët .

Përveç se eksploron të kaluaren, Catherine Wood tha gjithashtu se ekspozita reflekton edhe se çfarë po ndodh momentalisht me inteligjencën artificiale.

“Kjo tregon se ndjesitë rreth inteligjencës Artificiale nuk janë të panjohura. Artistët po mendonin gjithashtu në periudhën e Luftës së Ftohtë se si ta kthejmë kërcënimin e mundshëm të teknologjisë dhe armëve në diçka optimiste dhe utopike?  Si mund të bashkëveprojmë me njëri-tjetrin për ta bërë të mundur këtë.”

Ekspozita ‘Electric Dreams: Art and Technology Before Internet’ do të qëndrojë e hapur nga 28 Nëntori deri më 1 Qershor 2025./klan/ KultPlus.com

Gonxhja: Zoica Haxho mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të balerinës së shquar Zoica Haxho.

“E trishtë ndarja nga jeta e balerinës së shquar Zoica Haxho. Ajo i dha formë dhe shpirt baletit shqiptar, duke qenë një nga pionieret e këtij arti që e ngriti në nivelet më të larta artistike dhe njerëzore”, shkroi Gonxhja në rrjete sociale.

“Ajo nuk ishte thjesht një balerinë në TKOB; ajo u bë zemra e skenës, prima balerina që magjepsi publikun për 33 vite me radhë. Interpretimi i saj i parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e Lizës në “Kujdesi i kotë” (1957), ishte veçse fillimi i një karriere brilante. Zoica krijoi një galeri të mrekullueshme rolesh, duke mishëruar personazhe të paharrueshëm si Lola, Fadeta, Hajria, Cuca, Nica, Rina dhe Delina.

Përmes plastikës, finesës dhe interpretimit të saj unik, ajo i dha shpirt çdo karakteri, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. 20 premierat ku ajo shkëlqeu janë një testament i klasit të saj, ndërsa brezat që ajo edukoi si pedagoge pasqyrojnë përkushtimin e saj për të ndarë artin dhe vizionin e saj. E nderuar me çmime dhe tituj të lartë, si “Heroinë e Punës” dhe Çmimet e Republikës, Zoica mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore”, vuri në dukje ministri.

Gjithashtu theksoi Gonxhja, përtej titujve dhe medaljeve, ajo mbetet në zemrat e spektatorëve dhe kolegëve si një frymëzim i pashuar.

Kujtimi i Zoicës do të mbetet gjithmonë gjallë në çdo hap baleti, në çdo duartrokitje dhe në çdo zemër që e ka parë të performojë. Pusho në paqe, Zoica Haxho, kontributi dhe trashëgimia juaj artistike do të mbeten përjetësisht të ndritshme”, tha ministri Gonxhja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të balerinës së shquar Zoica Haxho.

“E trishtë ndarja nga jeta e balerinës së shquar Zoica Haxho. Ajo i dha formë dhe shpirt baletit shqiptar, duke qenë një nga pionieret e këtij arti që e ngriti në nivelet më të larta artistike dhe njerëzore”, shkroi Gonxhja në rrjete sociale.

“Ajo nuk ishte thjesht një balerinë në TKOB; ajo u bë zemra e skenës, prima balerina që magjepsi publikun për 33 vite me radhë. Interpretimi i saj i parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e Lizës në “Kujdesi i kotë” (1957), ishte veçse fillimi i një karriere brilante. Zoica krijoi një galeri të mrekullueshme rolesh, duke mishëruar personazhe të paharrueshëm si Lola, Fadeta, Hajria, Cuca, Nica, Rina dhe Delina.

Përmes plastikës, finesës dhe interpretimit të saj unik, ajo i dha shpirt çdo karakteri, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. 20 premierat ku ajo shkëlqeu janë një testament i klasit të saj, ndërsa brezat që ajo edukoi si pedagoge pasqyrojnë përkushtimin e saj për të ndarë artin dhe vizionin e saj. E nderuar me çmime dhe tituj të lartë, si “Heroinë e Punës” dhe Çmimet e Republikës, Zoica mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore”, vuri në dukje ministri.

Gjithashtu theksoi Gonxhja, përtej titujve dhe medaljeve, ajo mbetet në zemrat e spektatorëve dhe kolegëve si një frymëzim i pashuar.

Kujtimi i Zoicës do të mbetet gjithmonë gjallë në çdo hap baleti, në çdo duartrokitje dhe në çdo zemër që e ka parë të performojë. Pusho në paqe, Zoica Haxho, kontributi dhe trashëgimia juaj artistike do të mbeten përjetësisht të ndritshme”, tha ministri Gonxhja.

‘Rebeli’, i Ikonomit, Spiropali: Një libër sa qiellor aq edhe demoniak

Studiuesi Ilir Ikonomi publikoi së fundmi vëllimin e dytë të biografisë së Fan Nolit, që përshkruan fillimin e viteve 1920, nën titullin “Rebeli”.

100 vite pas trazirave të bujshme të vitit 1924, Ikonomi synon të sjellë personazhet e librit thjesht si njerëz që ka prodhuar koha, pa heronj apo tradhtarë, në një përpjekje për të treguar të vërtetën, bazuar në faktet e siguruara nga arkivi i gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e cilësoi veprën “Rebeli” të Ikonomit, një libër sa qiellor aq edhe demoniak.

“Të arrish të thyesh klishetë e soc-historisë, pas qindra, ndoshta mijëra, ditëve e netëve kërrusur mbi libra nëpër biblioteka dhe arkiva, them se Ilir Ikonomi është të dyja, edhe prift edhe rebel”, u shpreh Spiropali.

Postimi i plotë i Spiropalit:
REBELI
Fort rrallë ndodh të rebelohet një prift, e të bëhet rebel.
Edhe më rrallë të rebelohet një rebel dhe të bëhet prift.
Shqiptaria, sa kryeneçe edhe e paparashikueshme, krahas çudirave dhe çmendurive, kur e ka parë pisk, e ka bërë ndonjë thagmë.
Papë të Romës dhe të Bizantit, luftëtarë me nam botëror, shtetarë gjenialë, shenjtorë, shkrimtarë me famë planetare, janë disa shembuj sa për t’ua kujtuar sot disa të përgjumurve, se ka vërtet nëpër botë shqiptarë që bëjnë punë të thjeshta e të rënda, ama edhe Mbretërit, Papët, Vezirët, Gjenialët, nuk na kanë munguar.
Një nga këto shkrepëtima, apo zjarre, apo ndezje të genit shqiptar, është padyshim i madhi, i paharruari, i pavdekshmi, Fan S. Noli.
Prift, atdhetar, politikan, shtetar, historian, jetëshkrues, poet, shqipërues, Noli i madh bëri atë që s’ka mundur ta bëjë kurrkush deri më sot: Pa i mbetur hatri as Zotit, as Djallit, pajtoi brenda vetes, Priftin me Rebelin.
Jetën e Priftit Rebel, e shkruajti Ilir Ikonomi.
Po Ilir Ikonomi, a është Prift apo Rebel?
Të arrish të thyesh klishetë e soc-historisë, pas qindra, ndoshta mijëra, ditëve e netëve kërrusur mbi libra nëpër biblioteka dhe arkiva, them se Ilir Ikonomi është të dyja, edhe Prift edhe Rebel.
Aq i vlefshëm është “Rebeli” i Ikonomit sa me ta mbaruar leximin, s’di kujt t’ia ndreqësh e kujt t’ia prishësh, Nolit që bëri gjithato punë për Shqipërinë, apo Ikonomit që e ngriti Nolin nga varri bashkë me punët, ia shkundi baltrat, dhe na dha të lexonim një libër sa qiellor aq edhe demoniak./atsh/ KultPlus.com

Një zbulim i jashtëzakonshëm, ky investim marramendës do të bëjë bashkë Elon Musk dhe Jeff Bezos…

Jeff Bezos dhe Elon Musk, dy prej njerëzve më të pasur në botë, mund të përfitojnë shumë nga një zbulim i fundit në Kaliforni.

Me një pasuri të përbashkët prej rreth 549 miliardë dollarësh, ata janë larg problemit tek paraja, por një studim i fundit ka nxjerrë në pah një burim të jashtëzakonshëm litiumi, i njohur si “ari i bardhë”, që mund t’i ndihmojë ata të rrisin më tej pasurinë e tyre.

Në fund të liqenit Salton Sea në Kaliforni, është zbuluar një sasi litiumi që mund të vlerësohet në 540 miliardë dollarë. Ky litium mund të përdoret për të prodhuar bateri për mbi 382 milionë automjete elektrike, më shumë se numri total i makinave elektrike që janë aktualisht në rrugët e Shteteve të Bashkuara. Sammy Roth për Los Angeles Times, tha se:

Nëse mund ta nxjerrim gjithë atë litium, do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme.

Për Elon Musk dhe Jeff Bezos, ky zbulim është i rëndësishëm sepse ata janë të përfshirë në industrinë e makinave elektrike. Musk themeloi Tesla në vitin 2003, ndërsa Bezos është një investitor kryesor në Rivian. Të dy kompanitë prodhojnë automjete elektrike, dhe për të mbështetur këtë prodhim, nevojiten sasi të mëdha litiumi, një material që përdoret për prodhimin e baterive.

Aktualisht, Tesla merr pjesë të madhe të litiumit nga Kina, ndërsa Rivian ka lidhur një marrëveshje me LG Energy Solution të Koresë së Jugut. Tani, me këtë burim të pasur litiumi në Kaliforni, të dy kompanitë mund të furnizohen me litium në mënyrë më të lirë dhe efikase, duke kursyer para të mëdha dhe duke rritur prodhimin.

Ky zbulim i litiumit mund të ndihmojë Musk dhe Bezos, jo vetëm për të zvogëluar kostot, por edhe për të ndikuar në industrinë globale të makinave elektrike dhe energjisë së rinovueshme./ TopChanel/ KultPlus.com

Mjeku nga Kosova merr çmimin “Kirurgu Oral i vitit 2024”

Në një garë ndërkombëtare të mbajtur në Londër, Dr Bardhyl Rraci, ka marrë titullin “Kirurgu oral më i mirë në Botë në vitin 2024”.

Kjo ngjarje ndërkombëtare mbahet çdo vit në Londër, ku ndahen çmime për profesionistët më të mirë shëndetësorë nga British Healthcare Awards dhe International Award of Excellence.

Ai fitoi çmimin e merituar për punë ekselente: “Kirurgu Oral i Vitit 2024”, duke ngritur kështu kirurgjinë orale të Kosovës në vendin e parë në nivel ndërkombëtar!

Dr. Bardhi prezantoi rezultate të shkëlqyera të punës së tij me implante dentare në zonën estetike, trajtime bashkëkohore dhe të avancuara me implante (pterigoide, nazale dhe transsinusale me ankorim nazal), trajtime dentare të nofullave atrofike, ekstraksione të ndërlikuara të dhëmbëve të impaktuar, operacione të buzës dhe gingivës për qëllime estetike, etj.

Përshtypjet e pacientëve të trajtuar nga ai (kombëtarë dhe ndërkombëtarë), me rezultat shembullor 5.0 (mbi 17 vite punë), padyshim ishin ndër arsyet kryesore që e çuan drejt këtij çmimi./indexonline/ KultPlus.com

‘Mrika’, 66 vjet nga premiera e operas së parë shqiptare

Më 1 dhjetor 1958, pra 64 vjet më parë, u shfaq për herë të parë në Shkodër opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova.

“Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera “Mrika” ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane si Palok Kurti, Lec Kurti, Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka, Shuk Shllaku dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë të lartë të tjerë të muzikës si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, deri te shkodranet e ditëve të sotme.

“Mrika” mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë, me në krye të madhin Prenk Jakova, që dhe Shqipëria të kishte operan e saj. Kujtimi i një plejade të tillë, e cila arriti një sukses të madh të kohës, e që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike, është një detyrim moral i ditëve të sotme.

Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerëzit e saj, po ashtu, janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar./ata/ KultPlus.com

115 vite nga çelja e Shkollës Normale të Elbasanit

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi 115-vjetorin e çeljes të së parës shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri.

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan.

Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Drejtori i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj.

Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit.

Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë./atsh/ KultPlus.com

Stuhia e borës “paralizon” Nju Jorkun, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar për kushte të rrezikshme për udhëtarët e Ditës së Falënderimeve që përpiqen të kthehen në shtëpi.

Në SHBA, reshjet e para të mëdha të borës të sezonit kanë mbuluar qytetet përgjatë liqenit Erie.

Moti i acartë pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme, duke shkaktuar probleme në rajonet e Liqeneve të Mëdha, Rrafshnalta dhe Midwest.

Rreth 60 centimetra borë ranë në disa pjesë të Nju Jorkut, Ohajos dhe Miçiganit, dhe 73 centimetra u regjistruan në skajin veriperëndimor të Pensilvanisë.

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar për kushte të rrezikshme për ata që udhëtojnë për Ditën e Falënderimeve dhe përpiqen të kthehen në shtëpi.

Udhëtimi do të jetë jashtëzakonisht i vështirë dhe i rrezikshëm këtë fundjavë, veçanërisht në zonat ku mund të grumbullohen disa metra dëborë shumë shpejt”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.

Një pjesë e I-90 në Pensilvani u mbyll, ashtu si edhe korsitë drejt perëndimit të Nju Jorkut.

Rritja e rrymave ajrore të Arktikut gjatë kësaj jave solli temperatura më shumë se 10 gradë nën mesataren në Rrafshnaltën Veriore, sipas Shërbimit të Motit, i cili lëshoi paralajmërime për mot të ftohtë për pjesë të Dakotës së Veriut.

Rryma e ftohtë ajrore pritet të lëvizë në lindje të Shteteve të Bashkuara deri të hënën.

Tirana Art Weekend, Gonxhja: Promovim dhe mbështetje e krijimtarisë bashkëkohore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se një tjetër aktivitet i është shtuar Tiranës, si një mundësi për të promovuar artistë të ndryshëm bashkëkohorë. Tirana Art Weekend është ngjarja e parë publike e AVAN (Albanian Visual Arts NetWork), që mbledh aktorët kryesorë të skenës së pavarur të arteve pamore në Shqipëri dhe përreth, duke ofruar një platformë për ekspozita dhe shfaqje artistike të ndryshme.

“Kjo fundjavë arti është një mundësi për t’u njohur me punën e shumë artistëve, hapësirave të ndryshme ekspozuese, organizatave kulturore dhe kolektivave artistikë lokalë, të cilët janë bashkuar nën një program të përbashkët, i cili përfshin aktivitete të ndryshme si ekspozita, prezantime dhe diskutime. Tirana Art Weekend ka për qëllim të promovojë dhe të mbështesë krijimtarinë bashkëkohore, duke e vendosur Tiranën në qendër të skenës ndërkombëtare të artit, përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes artistëve, institucioneve dhe komunitetit”, thotë Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore, si dhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe është një mundësi për të festuar dhe përforcuar lidhjet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane.  Gjatë kësaj fundjave arti, Tirana Art Weekend sjell dhjetëra artistë të njohur, si dhe projekte që përfshijnë një gamë të gjerë mediatikash dhe shprehjesh artistike./atsh/ KultPlus.com

Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz ‘Finlandia’ për romanin ‘A cow gives birth at night’

Autori shqiptar Pajtim Statovci ka fituar çmimin prestigjioz “Finlandia” në shtetin e Finlandës, për romanin e tij të katërt “A cow gives birth at night”, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë çmim prestigjioz, autori Statovci është shprehur të jetë tejet i emocionuar, për çka ai ka shprehur mirënjohje për mbështetësit e rrugëtimit të tij.

“Unë jam absolutisht i humbur dhe nuk kam fjalë. Çfarë mbrëmjeje, diçka për t’u mbajtur mend përgjithmonë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja të mira. Ato më kanë sjellë kaq shumë gëzim dhe mirënjohje, dhe unë do të gjej kohën për t’iu përgjigjur të gjithëve”, ka shkruar Statovci në Instagram./ KultPlus.com

Alfred Moisiu feston 95-vjetorin, Bajram Begaj: Ka dhënë kontribut të çmuar, populli shqiptar e vlerëson me konsideratë të lartë

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, feston sot 95-vjetorin e lindjes.

Përmes një letre të hapur, Presidenti Bajram Begaj uron Moisiun, të cilin e vlerëson për kontributet për vendin.

I dashur President Moisiu,

Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e ngjarjes së gëzueshme të 95-vjetorit të datëlindjes Suaj, të bashkohem me familjarët, miqtë dhe dashamirësit Tuaj të shumtë për t’ju transmetuar urimet e mia më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive.

Në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, Ju, i nderuar President Moisiu, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar ju vlerëson me konsideratë të lartë.

Në moshën e adoleshencës ju u rreshtuat në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, për t’u përfshirë më pas në angazhime të rëndësishme dhe përgjegjësi shumë të larta, duke kulmuar me postin e Presidentit të vendit.

Në çdo hap që keni hedhur, ju keni shkëlqyer!

Ju kontribuuat me përgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës së Kreut të Shtetit, veçanërisht në kohë zhvillimesh të vështira, por edhe me urtësi, ekuilibër dhe frymë përbashkuese në konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, parimit të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në këtë jubile mjaft të veçantë, të cilin ju e keni arritur me shumë përkushtim, punë të palodhur e atdhetari shembullore, duke u bërë model frymëzues për autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare, është kënaqësi për mua t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta”, shkruan Begaj./ topchanel/ KultPlus.com

1 dhjetori – Dita Botërore kundër HIV AIDS

1 dhjetori, njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore kundër Sidës.

Kjo ditë shërben si një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.

U caktua në vitin 1988-të, duke vlerësuar kështu përpjekjet e botës për të ndihmuar njerëzit e prekur nga HIV, i cili shkakton sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Një raport i ri nga UNAIDS, tregon se bota mund të përmbushë qëllimin e rënë dakord për t’i dhënë fund sidës si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, por vetëm nëse udhëheqësit mbrojnë të drejtat e njeriut të të gjithëve që jetojnë me dhe në rrezik të HIV-it.

Nga 39.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, 9.3 milionë njerëz ende nuk kanë qasje në një trajtim për shpëtimin e jetës.

Më 2023, më se 630 mijë njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me sidën dhe 1.3 milion njerëz në mbarë botën u infektuan me HIV.

Në të paktën 28 vende, numri i infeksioneve të reja me HIV është në rritje. Çdo ditë në vitin 2023, 570 gra dhe vajza të reja nga 15 deri në 24 vjeç morën HIV. Në të paktën 22 vende në Afrikën lindore dhe jugore, gratë dhe vajzat e kësaj grup-moshe kanë tri herë më shumë gjasa të jetojnë me HIV sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj.

Në Deklaratën Politike të vitit 2021 për Fundin e HIV/AIDS-it, vendet u angazhuan të sigurojnë që deri në vitin 2025 më pak se 10% e vendeve të kenë korniza ligjore dhe politikash kufizuese që çojnë në mohimin ose kufizimin e qasjes në shërbimet e HIV.

Vdes Zoica Haxho, ylli i përjetshëm i baletit shqiptar

Sot ka vdekur balerina e shquar Zoica Haxho. E lindur më 28 mars 1933, ajo i dha formë dhe shpirt baletit shqiptar, duke qenë një nga pionieret e këtij arti që e ngriti në nivelet më të larta artistike dhe njerëzore.

Qysh e vogël, Zoica kishte një dashuri të madhe për kërcimin. Me pasion dhe përkushtim, ajo ndoqi ëndrrën e saj, duke studiuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950. Pas kthimit, ajo nuk ishte thjesht një balerinë në TKOB; ajo u bë zemra e skenës, prima balerina që magjepsi publikun për 33 vite me radhë. Interpretimi i saj i parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e Lizës në “Kujdesi i kotë” (1957), ishte veçse fillimi i një karriere brilante.

Zoica krijoi një galeri të mrekullueshme rolesh, duke mishëruar personazhe të paharrueshëm si Lola, Fadeta, Hajria dhe Delina. Përmes plastikës, finesës dhe interpretimit të saj unik, ajo i dha shpirt çdo karakteri, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. 20 premierat ku ajo shkëlqeu janë një testament i klasit të saj, ndërsa brezat që ajo edukoi si pedagoge pasqyrojnë përkushtimin e saj për të ndarë artin dhe vizionin e saj.

E nderuar me çmime dhe tituj të lartë, si “Heroinë e Punës” dhe Çmimet e Republikës, Zoica mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore. Përtej titujve dhe medaljeve, ajo mbetet në zemrat e spektatorëve dhe kolegëve si një frymëzim i pashuar.

Sot, skena hesht në nderim të saj. Kujtimi i Zoicës do të mbetet gjithmonë gjallë në çdo hap baleti, në çdo duartrokitje dhe në çdo zemër që e ka parë të performojë.

Pusho në paqe, Zoica Haxho, kontributi dhe trashëgimia jote artistike do të mbeten përjetësisht të ndritshme./tkob/ KultPlus.com

Sandalet

Poezi nga Alda Merini, përktheu nga italishtja Ben Meçe.

Ke harruar sandalet e dashur,
sandalet e tua të preferuara,
i gjeti poshtë krevatit tim
pastruesi
duke fshirë në mbrëmje
gjeti sandalet e tua;
hajde merri sandalet e tua e dashur
sandalet prej druri
sandalet prej druri biblik
hidhja në fytyrë Atit
që na ndau nga zemrat.

‘Eja, eja Lule Borë’ nga Françesk Radi (VIDEO)

Françesk Radi ishte këngëtar shqiptar nga Shqipëria. I përket brezit të artistëve të viteve `70 të shekullit XX. I cilёsuar si kantautori i parё shqiptar, ai solli risi nё muzikёn e lehtё moderne shqiptare. 

Sot KultPlus ju sjell këngën ‘Lule Borë’:

Tuj shetit un n’mal e n’koder,
tuj prek lulet t’gjith me dorë,
ne n’nji kopsht ma t’buk’ren n’Shkoder,
ty të gjeta luleborë

Je e vogel por e plotë,
ty t’kerkoj un tash sa mot,
tash sa mot un ty t’kërkoj,
veç me ty jeten ta coj,
Eja, eja luleborë,
se me ty do thur kuror.
Eja, eja luleborë,
se me ty do thur kuror.

Pash’ ma t’buk’ren stinë t’pranverës
Pash’ ma t’buk’rin drandofill!
Mos t’ja falish kuj ti erën
Se për mu vetëm ke çilë! / KultPlus.com

Bora arrin deri në 20 cm në zonat malore të Shqipërisë

Ulja me 5 gradë e temperaturave solli reshje dëbore e ngrica në veri e në juglindje të Shqipërisë. Reshje të dendura dëbore u regjistruan mbrëmjen e se shtunës në Dibër. Në Qafën e Murrizit, në aksin Peshkopi-Kukës në Kalanë e Dodës trashësia e borës i kalon 20 centimetra.

Raportohet se në Rrugën e Kombit dhe Qafë Mali- Fierzë që nga mëngjesi kanë filluar reshjet e dëborës, por nuk paraqiten probleme për qarkullimin.

Në bashkinë Fushë Arrëz, vijojnë reshjet e dëborës, momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme. Reshjet kanë qenë prezente prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në lartësitë mbi 1300 m të qarkut të Korçës. Në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës ka shkuar në 5 cm.

Emergjencat civile raportojnë se nuk ka rrugë të bllokuara dhe janë marrë masat për kriposjen e rrugëve që kanë prezencë të ngricave. Policia e Shtetit apeloi qe drejtuesit e automjeteve të kenë më shumë kujdes, të ulin shpejtësinë, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor si dhe të përdorim goma dimërore e zinxhirë.

Në të gjithë territorin ka pasur furnizim me energji elektrike, me përjashtim të një lagjje në Ostren ku janë dëmtuar disa shtylla prej gati 10 ditësh dhe nuk janë riparuar ende./ KultPlus.com

Rama: Institut për fëmijët në konflikt me ligjin, model demokratik i shkollës së riedukimit

Qeveria ka një projekt për një institut për fëmijët në konflikt me ligji, një model demokratik i shkollës së riedukimit. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë një takimi këshillues me prindër për kufizimin e rrjeteve si Tik Tok, në shkollën “Janaq Kilica” në Fier.

Sipas kreut të qeverisë ky është një program që mbështetet shumë edhe nga Bashkimi Europian. Rama tha se  nuk është burg, por një institut që ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë.

“Kemi përfunduar një projekt për një institut të fëmijëve në konflikt me ligjin, është një model demokratik i shkollës së riedukimit, sepse ato sistemet e riedukimit kanë problematikën e tyre. Unë personalisht i kam parë gjithmonë me skepticizëm, se duket sikur në fakt i çon në një shkollë që të dalin më të shkolluar për të bërë atë, për të cilën t’i në fakt i çove, që ata mos e bëjnë më.

Por ky është një program që e mbështet shumë Bashkimi Europian, është një model i ri institutesh i fëmijëve që janë në konflikt me ligjin, që do të thotë fëmijë minorenë, të cilët kryejnë vepra penale të lehta ose të rënda, që në rast se do të kishin mbushur moshën të shkojnë në burg, por për shkak se janë nën moshë nuk mund t’i çosh në burg dhe është, nuk është burg, nuk është shkollë vagabondësh. Është një institut ku ka programe të veçanta dhe ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë, që mundësisht çfarë ka ndodhur të mos jetë një traumë, që pastaj thellohet dhe sa më shumë rriten, aq më shumë futen në atë rrugë të gabuar”, tha Rama.

Rama theksoi se numrin e fëmijëve në konflikt me ligjin “e kemi shumë më të ulët sesa shumë vende të tjera të zhvilluara, në raport me numrin e përgjithshëm, që ta dini.

“Është diçka, që fatmirësisht e kemi sot, mund të mos ndodhi kështu nëse këto situata me këto media që krimi, krimi, krimi, krimi e kanë në ‘majë të gjuhës‘ dhe me këto rrjete sociale nuk e përshkallëzojnë këtë influencë, por nuk e kemi të lartë numrin, në raport me numrin e përgjithshëm të nxënësve, të fëmijëve,të miturve në konflikt me ligjin. Fatmirësisht, tani për tani”, u shpreh Rama. /KultPlus.com

Elbasani gati për dhjetorin e festave

Elbasani ka ndezur dritat për festat e fundvitit. Dekoret e veçanta dhe dritat shumëngjyrëshe kanë sjellë më shumë atmosferë festimesh në këtë qytet, i zbukuruar për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga qendra e qytetit të Elbasanit, ku duken qartë momentet festive nga koncerti dhe këngët e fëmijëve në aktivitetet e organizuara për dhjetorin festiv.

Të shumtë kanë qenë qytetarët që i janë bashkuar momentit magjik të ndezjes së dritave të pemës gjigante në sheshin “Hans Didrih Gensher” në qendër të Elbasanit, ndërsa kanë shijuar momentet festive që fillojnë nga sot deri në fillim të muajit janar./ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Qafë Thana: Rruga e qarkullueshme për të shijuar bardhësinë e juglindjes

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet e mrekullueshme nga zona e Qafë Thanës, në juglindje të vendit, që tashmë është “veshur” me petkun e dëborës. Me bardhësinë dhe bukurinë e natyrës, ky vend mund të jetë destinacioni i duhur për ata që duan të kalojnë një fundjavë ndryshe, shprehet Kryeministri.

Ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se ky aks po pastrohet rregullisht nga bora për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Por, Balluku bëri thirrje për kujdes të shtuar ndaj drejtuesve të automjeteve. “Kontrolloni gjendjen e gomave dhe përdorni zinxhirët kur është e nevojshme; Mbani distancë të sigurt nga mjetet e tjera; Mos udhëtoni me shpejtësi të lartë – rrëshqitjet janë të mundshme; Sigurohuni që fenerët dhe pasqyrat të jenë të pastra. Bashkë mund ta mbajmë qarkullimin të sigurt dhe rrugët të kalueshme! Udhëtim të mbarë dhe kujdes për veten”, tha Balluku në një postim në Facebook.

Qafë Thana nën petkun e dëborës dhe rruga e qarkullueshme për të shijuar bardhësinë e jugdlindjes këtë fundjavë, e bëjnë këtë vend një nga më të veçantët këtë fundnëntori.

Dogana e Qafë Thanës, është pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, ndërsa është vizituar nga një numër i madh turistësh gjatë gjithë vitit. Kjo pikë kufitare lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut, ndërsa në prag të festave të dhjetorit pritet të ketë fluks më të shtuar vizitorësh./ KultPlus.com

Dr.Rugova, rilindasi i fundit

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në ambientet e Hotel Tirana Internacional në Tiranë, Insituti i Studimeve të Evropës Juglindore, organizoi konferencëmn shkencore – jubilare “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformim i Kosovës”. 

Në konferencë me kumtesa u paraqitën Dr. Fatmir Sejdiu, Dr. Arsim Bajrami, mr Agim Nesho, Genc Pollo, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha dhe dr Enver Bytyçi.

Në konferencë paraqita kumtesën “Dr. Rugova – rilindasi i fundit”, shkëputje nga libri “Vitet e Gjermanisë” që  këto ditë del nga shtypi.

Vlerësimi për Rugovën – rilindas i fundit, mbështetet mbi faktin se në historikun e shtetndërtimeve  shqiptare, atij në Vlorë, të shpallur nga Ismail Qemali, më 28 11 1912 dhe të Kosovës, të shpallur në Prishtinë më 17 02 2008, përmbyllet koncepti i rilindjes kombëtare për bashkimin e etnisë shqiptare në një vilajet të përbashkët. Në këtë proces historik dr Rugova shfaqet rilindas i fundit, me rolin e tij  si prsident i parë i shtetit të Kosovës, i zgjedhur në votin 1992 , i rizgjedhutër në vitin 1998 dhe 2001 prej nga drejtoi lëvizjen shtetformuese.

Në Konferencë mori pjesë edhe dr Sali Berisha, i cili foli për takimet e shumta me Rugovën në Tiranë si dhe raportet që kishin gjatë këtij bashkëpunimi disavjeçar./ KultPlus.com

Liqenet e Jezercës, ndër destinacionet më atraktive të Alpeve Shqiptare

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot pamje të mrekullueshme nga liqenet e Jezercës.

Liqenet e Jezercës ndodhen në anën veriore të malit me të njëjtin emër, të Jezercës, me rreth 20 ha.

Cirku akullnajor i bllokut të Jezercës gjendet pikërisht në një luginë të vogël, të rrethuar me maja të larta, e cila fillon në Jezercë dhe përfundon në Vuthaj dhe më poshtë në Guci (Mali i zi) ku bashkohet me lumin e Vermoshit.

Këtu gjenden 6 liqene, ku më i madhi dhe më i thelli prej tyre është ‘Buni i Jezercës’, i cili është liqeni që shtrihet më në lartësi, rreth 1794 m. Ndërsa liqeni i vendosur më ulët si lartësi mbidetare, gjendet në kuotën 1765 m.

Regjimi i këtyre liqeneve është tipik alpin, me ujë të pastër kristal, ku gjatë stinës së dimrit ngrijnë të gjithë. Disa nga liqenet janë me thellësi nga 3-4 m, ndërsa disa të tjerë janë krejt të cekët. Pavarësisht faktit se gjenden mbi formacione gëlqerorësh, ata mbajnë ujë për një periudhë të gjatë edhe në stinën e verës. Gjithashtu edhe bota e gjallë është shumë e larmishme.

Liqenet e Jezercës mbeten një ndër destinacionet më atraktive të alpeve shqiptare, me një bukuri mahnitëse, natyrore dhe turistike, me format e shumta karstike e akullnajore, me një bukuri gati mistike, një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë./ KultPlus.com

Pesë këshilla të lashta nga Sun Tzu, që mund t’ju ndihmojnë të kapërceni konfliktet

Nga Kevin Dikinson

Pak libra të tjerë mund të pretendojnë të kenë një ndikim aq të madh në historinë e luftës sa “Arti i Luftës” i Sun Tzu. I shkruar në Kinë rreth 2500 vjet më parë, ky traktat ushtarak themeloi një ideologji të luftës që do të bënte jehonë deri në Revolucionin Komunist të MaoCe Dunit. 

Duke u përhapur në të gjithë Azinë Lindore, ai udhëhoqi shtresën e luftëtarëve të Japonisë gjatë epokës së saj të dominuar nga lufta dhe diktoi taktikat e ushtarëve vietkongë në Vietnam. Sot libri “Arti i Luftës” studiohet në akademitë ushtarake në mbarë botën. Kjo vepër mbetet ende e rëndësishme, pasi autori i tij e njohu konfliktin si një pjesë universale të jetës. 

Ai nuk u mjaftua vetëm me rishikimin e taktikave të betejave të kohës së tij. Ai u përpoq të eksploronte psikologjinë e luftës dhe se si ne mund ta shfrytëzonim atë me mençuri. Trajneri brazilian LuizFelipe Scolari e ka përmendur shpeshherë këtë libër si frymëzim për taktikat që përdori për të fituar Kupën e Botës 2002. 

Këshillat e tij janë zbatuar në fusha shumë të gjera duke nisur nga politika, menaxhimi i biznesit dhe madje edhe sportet. Ja cilat janë 5 citate të Sun Tzuqë mund t’ju ndihmojnë të kapërceni strategjikishtkonfliktin kudo që mund ta hasni.

1. Ata që fitojnë çdo betejë nuk janë vërtet të aftë. Ata që i bëjnë ushtritë e të tjerëve të pafuqishme pa luftuar janë më të mirët nga të gjithë.

Për të, fitorja më e madhe nuk është mposhtja e kundërshtarit përmes forcës, zgjuarsisë apo forcës së vullnetit. Ajo ka të bëjë me shmangien e plotë të betejës. Një person i mençur, thotë Sun Tzu, ka aftësinë dhe mençurinë për të zgjidhur një konflikt përpara se të fillojë. Për shembull, një diplomat i mençur mund të bëjë që dy kombe të zgjidhin një mosmarrëveshje për tokën përpara përshkallëzimit të dhunshëm. Në mënyrë të ngjashme, një mik i mençur di të përdorë humorin për të lehtësuar tensionet përpara se të shpërthejë një debat. Në të dyja rastet, fitorja gjendet në mungesën e konfliktit.

2. Nëse i njihni të tjerët dhe veten, nuk do të jeni të rrezikuar as në 100 beteja. Por nëse nuk i njeh të tjerët, por njeh veten, do të fitosh një betejë dhe do të humbësh një tjetër. Nëse nuk i njeh të tjerët dhe nuk e njeh as veten, do të jesh i rrezikuar të humbësh në çdo betejë.

Sipas tij, njerëzit emocionalisht inteligjentë kanë vetëdijen për të kuptuar motivet e tyre, për të njohur synimet e tyre dhe për të rregulluar emocionet. Duke e njohur veten, ata nuk fillojnë konflikte të panevojshme, dhe as nuk lejojnë që emocionet negative të çojnë në shpërthime ose veprime të pamenduara.

Në mënyrë të ngjashme, ata mund të përdorin inteligjencën e tyre emocionale për të zhvilluar vetëdijen sociale. Një aftësi e tillë i ndihmon ata të kuptojnë motivimet dhe emocionet e të tjerëve përmes dhembshurisë dhe simpatisë. Kjo njohuri mund të ndihmojë në parandalimin e konflikteve pasi personi emocionalisht inteligjent do të krijojë kushte që i bëjnë të tjerët të mos dëshirojnë një grindje me të. 

Gjithsesi edhe nëse lind një konflikt, inteligjenca emocionale mund të ndihmojë në krijimin e situatave që i japin fund nevojës për grindje tek personi tjetër. Tek libri i tij, Sun Tzu rendit pesë tipare të rrezikshme që mjegullojnë gjykimin e gjeneralëve dhe i çojnë ata në konflikte të panevojshme. Këto janë zemërimi, lakmia, krenaria, pamaturia dhe të qenit më shumë sesa duhet mbrojtës ndaj të tjerëve. Këto tipare, thotë ai, sjellin fatkeqësi. Sot mund të themi se ato e pengojnë inteligjencën emocionale dhe prishin qetësinë tonë.

3. Pamposhtshmëria qëndron tek vetja jonë, cënueshmëria është tek kundërshtari.

Kjo këshillë pasqyron pikëpamjen stoike të kontrollit. Ju nuk mund të kontrolloni se si sillet dikush tjetër; por mundeni të dalloni sjelljen e tyre. Megjithatë, ju keni kontroll mbi veprimet tuaja, gjë që do të thotë se mund të përgatiteni për konflikt dhe të forconi mbrojtjen tuaj përpara veprimit.

Në luftë, përgatitje të tilla mund të përfshijnë mbajtjen e moralit lart, të kuptuarit e vlerës së një terreni të caktuar dhe mbajtjen e një zinxhiri të fortë komandimi. Në strategjinë e biznesit, mund të nënkuptojë forcimin e partneriteteve, gatishmërisë për t’u distancuar nga një vendim i keq, apo punësimin dhe zhvillimin e talenteve më të mira. Në nivelin personal, mund të përfshijë zhvillimin e besimit, zotërimit të vetvetes dhe vetë-efikasitetit për të mbrojtur veten dhe besimet tona.

4. Përdor rendin për t’u përballur me kaosin, përdor qetësinë për t’u përballur me zhurmën

Çrregullimi dhe zhurma e mjegullojnë vetëdijen tonë mbi situatën, i ngacmojnë emocionet tona negative dhe na shtyjnë të marrim vendime të këqija thjesht për të kënaqur nevojën për të bërë diçka. Pra çdo gjë, mjafton të ketë një ndryshim. Por kjo e bën më të mundshëm konfliktin dhe kur ndodh, është më problematik për t’u menaxhuar.

Mjerisht që të dyja janë të zakonshme në jetën moderne. Ndërsa ne mund të mos kemi shumë ndikim mbi kaosin dhe çrregullimin në botën e jashtme, ne mund ta zgjidhim zhurmën nga brenda. Pasi konflikti bëhet i pashmangshëm, ne nuk duhet ta lëmë atë të na shqetësojë apo ta shohim si një mjet për të ndëshkuar një person tjetër për përfitimin tonë. 

Në vend të kësaj, ne duhet të vendosim ta zgjidhim atë, të minimizojmë dëmet dhe të ruajmë qetësinë përballë sfidave të tij. Kjo kërkon jo vetëm shmangien e 5 tipareve që përmend SunTzu – zemërimin, lakminë, krenarinë, pamaturinë dhe mbrojtjen e tepruar – por edhe të mësojmë t’i përshtatim përgjigjet tona ndërsa zhvillohet konflikti.

5. Konsideratat e një njeriu inteligjent përfshijnë gjithmonë përfitimin dhe dëmin. Ndërsa ata mendojnë përfitimin, puna e tyre mund të zgjerohet. Kur mendojnë dëmin, mund të zgjidhen problemet e tyre.

Në prag të një konfliktit, dëshira për përfitime mund të na nxitë të veprojmë në mënyrë agresive. Këto mund të jenë përfitime materiale, ndëshkimi emocional i të tjerëve apo rritje e fuqisë sonë shoqërore. Sido që të jetë, ndjekja e një përfitimi të perceptuar mund të na bëjë të harrojmë dëmin e mundshëm që mund të sjellë agresioni. 

Në të njëjtën mënyrë, ne mund të largohemi nga konfliktet e nevojshme nëse mendojmë vetëm për dëmet e mundshme. Në vend të kësaj, Sun Tzurekomandon që t’i marrim parasysh të dyja veçmas. Duke i njohur përfitimet dhe duke planifikuar për to, ne i bëjmë ato më të mundshme. Anasjelltas, duke paramenduar se çfarë mund të shkojë keq dhe dëmet që mund të lindin edhe nëse kemi sukses, ne mund të ndërmarrim hapa për t’u mbrojtur kundër tyre. /Big Think/ KultPlus.com

Britania: Rusia mund të kryejë sulme kibernetike me IA

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve kibernetike me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Gjatë një konference të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, Britania njoftoi se po krijon një laborator të ri për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla nga vende armiqësore, përfshirë Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me këtë duke thënë se ekzistojnë shumë boshllëqe që hakerët mund t’i shfrytëzojnë nëpërmjet metodave tanimë të provuara. Ata thonë se paralajmërimet për sulme me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, mund të jetë të ekzagjeruara.

Bota mund të ndeshet me sulme më të rënda kibernetike përmes Inteligjencës Artificiale.

Ky paralajmërim u bë nga ministri britanik Pat McFadden, gjatë një fjalimi në Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, në Londër.

Qeveria britanike veçoi Rusinë si një burim të mundshëm të këtyre sulmeve. Londra po krijon një laborator për t’u përballur me, siç e quajti ministri McFadden, këtë “garë të re armatimi me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”.

Faqet e internetit të qeverisë ukrainase, në vitin 2022, u përballen me sulme kibernetike për të cilat shërbimet e sigurisë fajësuan Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk janë të bindur se Britania e Madhe do të përballet së shpejti me një valë sulmesh kibernetike të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për Inteligjencën Artificiale sikur të ishte një ndryshim i madh në natyrën themelore të operacioneve kibernetike. Përkundrazi, mendoj se ne ende po përballemi me të njëjtat probleme që i kishim dhjetë vjet më parë. Ne ende po luftojmë për t’u marrë me probleme të njëjta”, thotë James Sullivan nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.

Qeveria britanike thotë se Inteligjenca Artificiale mund të “përforcojë kërcënimet ekzistuese kibernetike”, por gjithashtu thotë se paraqet mundësi për t’u mbrojtur kundër tyre.

Eksperti James Sullivan pajtohet.

“Inteligjenca Artificiale mund të analizojë sjelljen e përdoruesit dhe madje edhe reagimin ndaj incidentit. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Mund të automatizojë proceset e reagimit ndaj incidentit, sepse ne kurrë nuk do të mund të mbrohemi nga këto incidente gjatë gjithë kohës”, thotë ai.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po i kërkon NATO-s që t’i përshtatet këtij kërcënimi të ri, siç ka bërë gjatë historisë së saj prej shtatë dekadash.

Por, disa ekspertë thonë se kërcënimi i sulmeve kibernetike që nuk shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale është ende “shumë i madh”.

“Unë dëgjoj gjatë gjithë kohës për mashtrime që kryhen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Më pas e kuptojmë se mashtrimet nuk kryhen fare ashtu. Miliarda dollarë përfitohen në mënyrë të jashtligjshme pa shfrytëzuar fare Inteligjencën Artificiale”, thotë Rob Pritchard, ekspert i sigurisë kibernetike.

Eksperti Pritchard shton se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vetëm atë që arrin të bëjë njeriu dhe për këtë arsye, nuk e ka ndryshuar ende situatën rreth sigurisë kibernetike.

“Nuk shoh ndonjë gjë veçanërisht të rëndësishme. Momentalisht nuk egziston mundësia që të japësh urdhër dhe Inteligjenca Artificiale të kryejë sulme kibernetike”, thotë ai, duke shtuar se Britania momentalisht po has në vështirësi të përballet me sulmet kibernetike që kryhen pa ndihmën e Inteligjencës Artificiale./VOA/ KultPlus.com

Tirana Art Weekend, promovim dhe mbështetje e krijimtarisë bashkëkohore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se një tjetër aktivitet i është shtuar Tiranës, si një mundësi për të promovuar artistë të ndryshëm bashkëkohorë.

Tirana Art Weekend është ngjarja e parë publike e AVAN (Albanian Visual Arts NetWork), që mbledh aktorët kryesorë të skenës së pavarur të arteve pamore në Shqipëri dhe përreth, duke ofruar një platformë për ekspozita dhe shfaqje artistike të ndryshme.

“Kjo fundjavë arti është një mundësi për t’u njohur me punën e shumë artistëve, hapësirave të ndryshme ekspozuese, organizatave kulturore dhe kolektivave artistikë lokalë, të cilët janë bashkuar nën një program të përbashkët, i cili përfshin aktivitete të ndryshme si ekspozita, prezantime dhe diskutime. Tirana Art Weekend ka për qëllim të promovojë dhe të mbështesë krijimtarinë bashkëkohore, duke e vendosur Tiranën në qendër të skenës ndërkombëtare të artit, përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes artistëve, institucioneve dhe komunitetit”, thotë Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore, si dhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe është një mundësi për të festuar dhe përforcuar lidhjet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane.  Gjatë kësaj fundjave arti, Tirana Art Weekend sjell dhjetëra artistë të njohur, si dhe projekte që përfshijnë një gamë të gjerë mediatikash dhe shprehjesh artistike./ KultPlus.com