Dita Ndërkombëtare e Autizmit, presidenca shqiptare ‘vishet’ me ngjyrën blu

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, presidenca shqiptare është veshur me ngjyrën blu.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë në rrjete sociale pamjet e presidencës, si shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi me të gjithë personat që janë me autizëm.

“Presidenca i bashkohet Ditës Ndërkombëtare të Autizmit dhe Muajit të Ndërgjegjësimit mbi të”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Arsimit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Përcaktimi i saj si ditë ndërkombëtare është bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.” 

 Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.

Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.

Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com

Dita e themelimit të Kombeve të Bashkuara

Dita e Kombeve të Bashkuara, më 24 tetor, shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi në vitin 1945, të Kartës së OKB-së. Me ratifikimin e këtij dokumenti themelues nga shumica e nënshkruesve të tij, përfshirë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht.

“Nuk ka asnjë organizatë tjetër globale me legjitimitetin, fuqinë e mbledhjes dhe ndikimin normativ të Kombeve të Bashkuara. Asnjë organizatë tjetër globale nuk u jep shpresë kaq shumë njerëzve për një botë më të mirë dhe për të bërë të mundur të ardhmen që duam”, shkruhet në faqen zyrtare të OKB-së.

Rrallëherë ka qenë më e madhe se sot, urgjenca që të gjitha vendet të bashkohen dhe të përmbushin premtimin e Kombeve të Bashkuara.

Dita e OKB-së, e festuar çdo vit, ofron mundësinë për të përforcuar axhendën e përbashkët dhe për të riafirmuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së që kanë udhëhequr gjatë 78 viteve të fundit./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Ushqimit, FAO: Uji është jetë, uji është ushqim, mos lini askënd prapa

Sot është Dita Botërore e Ushqimit dhe kryefjala e këtij viti është uji.

Organizata Botërore e Ushqimit, FAO bëri publike temën e vitit 2023: “Uji është jetë, uji është ushqim, mos lini askënd prapa”.

Kjo temë nxjerr në pah gjendjen e 2.4 miliardë njerëzve që jetojnë në vende nën stres për pamjaftueshmërinë e ujit dhe ku mungesa e tij po bëhet shkak për rritjen e konflikteve.

Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për një mobilizim global për të transformuar sistemin agro-ushqimor, duke siguruar që ai të prodhojë më shumë ushqim për të gjithë, me më pak ujë.

Dita Botërore e Ushqimit festohet në më shumë se 150 vende. Kjo ngjarje është një pikë takimi për qeveritë, bizneset, organizatat e shoqërisë civile dhe publikun për të luftuar bashkarisht urinë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e thellë të menaxhimit të përgjegjshëm të ujit në sistemet tona ushqimore dhe bujqësore.

Rreth 600 milionë njerëz varen nga sistemet ushqimore të bazuara kryesisht në ujë dhe që duhet të mbrojnë burimin e tyre primar të ushqimit nga ndotja, degradimi dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Nga i gjithë uji në Tokë, vetëm 2.5% është i freskët dhe, nga kjo, pjesa më e madhe (72%) përdoret për bujqësi. “Si të gjitha burimet natyrore, uji i ëmbël nuk është i pafund”, thekson FAO dhe rritja e shpejtë e popullsisë, urbanizimi, zhvillimi ekonomik e ndryshimet klimatike po i vënë burimet ujore të planetit nën tkurrjen e vazhdueshme./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë, me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990, vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.

Dita Ndërkombëtare e të Moshaurve është si vazhdimësi e planeve dhe nismave, siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin 1982 në Vjenë.

Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991, viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani (II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje të këtyre sfidave./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Turizmit

Sot në botë shënohet Dita Botërore e Turizmit.

Turizmi është praktika, veprimi i marrë nga ata që udhëtojnë apo vizitojnë vende me qëllim zbavitjeje, njohurie dhe mësimi; sipas definicionit te Organizatës Botërore të Turizmit (World Tourism Organization, një nga departamentet e Kombeve te Bashkuara), turist quhet gjithkush që udhëton në vende të ndryshme nga ai në të cilin ka rezidencën aktuale, jashtë ambientit të përditshëm personal, për një periudhë prej minimumi një nate por jo më gjatë se sa një vit dhe qëllimi i tij i zakonshëm të mos jetë asnjë lloj veprimtarie nga e cila të përfitojë ekonomikisht.

 Në këtë term përfshihen të gjithë ata që udhëtojnë për: dëfrim, pushim dhe çlodhje; për të vizituar miq dhe të afërm; për motive pune dhe profesionale, për motive shëndeti, besimi/pelegrinazhi dhe tjetër.

Llojet e turizmit: Turizmi Bregdetar, Turizmi Kulturor, Eko Turizmi, Turizmi Elit, Turizmi Masiv, Turizmi Rural, Turizmi Nautik, Turizmi Kongresial, Turizmi Shëndetësor, Turizmi Fetar, Turizmi Seksual, Turizmi i Zi (Dark Tourism), Turizmi Dimëror.

Turizmi eshte veprimtari ekonomike ,tretësore që lidh prodhimtarinë me konsumin./KultPlus.com

Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjeologjisë

Sot në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjeologjisë, shkencë kjo që e studion tokën dhe pasuritë nëntokësore të një vendi, shkruan KultPlus.

Gjeologjia studion përbërjen e Tokës, ndërtimin e saj, mënyrën e formimit të Tokës si trup qiellor si dhe historinë e Tokës që nga formimi i saj deri në ditet e sotme. Shkencëtarët të cilët merren me këtë shkencë quhen gjeologë dhe studiojnë truallin (dheun) e shkëmbinjtë.

Me termin “gjeologji”, në fakt nënkuptohet tërësia e shkencave të tokës, mes të cilave ndodhet dhe gjeologjia vetë si nëndegë që studion shkëmbinjtë dhe ndërtimin gjeologjik të një rajoni apo krejt tokës.

Sipas gjeologjisë Kosova është e pasur me linjit dhe minerali si: qymyr, zink, plumb, argjend dhe krom, por ka gjithashtu dhe tokë bujqësore produktive. Kosova është sidomos e pasur me qymyr, e treta në Evropë me rezerva. Kosova posedon rreth 14.700 miliard ton linjti në rezerva, që e rendit Kosovën të pesten në botë. Gjithashtu ka rezerva prej 1 trilioni në minerale si: alumin, ari, plumb, zink, bakër, boksit, magnez, etj./KultPlus.com

Dita e gjashtë e edicionit të 14-të festivalit të Anibari vjen me shfaqje të shumta në kinematë ‘Jusuf Gërvalla’ dhe ‘Liqeni’

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Dje më 22.07.2023 u mbajtën shumë aktivitete të ndryshme. Shfaqja e filmave filloi nga ora 10:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla” me programin e Audiencës së Re ku u shfaqën filmat “Immobile Stars” and “Pebble Hill”.

Shfaqja e filmave vazhdoi në Kinema “Jusuf Gërvalla” me shfajqen e filmave të Garës Ballkanike ku më pas u shfaqën edhe filmat nga programi experimental, kuruar nga Panot Mahmutaj.

Momenti i shumëpritur ndodhi në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Eric “Butters” Stough regjisori dhe producenti i animacionit i South Park mbajti prezantimin e tij rreth përvojës së tij në realizimin e këtij seriali ikonik. Seriali i animuar ka përfunduar njëzet e pesë sezone, dhe për Eric Stough ky serial i ka sjellë pesë çmime Emmy. Salla e kinemasë ishte e mbushur me adhurues të këtij seriali, të cilët patë rastin edhe të bisedonin më gjerësisht me Stough.

Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave te videove animacioneve muzikore, ku u shfaqën gjithsej tridhjetë e dy video animacione muzikore, duke përfshirë dy animacione lokale, nga Kosova dhe Shqipëria.

Nata përfundoi me argëtim nën tingujt e muzikës nga Gypsy Groove dhe DJ Wise duke përmbyllur kështu natën e gjashtë të netëve muzikore të Anibar-it.

Sot, në botë shënohet Dita Botërore e Zjarrëfikësve

4 Maji shënon Ditën Botërore të Zjarrëfikësve, në të cilën ditë shënohen aktivitete të ndyshme në nderim të punës dhe sakrificës të cilën e bëjnë zjarrëfikësit për të ndihmuar qytetarët në raste emergjente krizash, shkruan KultPlus.

Në mbarë botën më 4 Maj, organizohen ngjarje të ndryshme ku marrin pjesë institucionet shtetërore për të nderuar punën e zjarrfikësve dhe për të ndarë mirënjohje për ata punonjës të cilët e kanë dëshmuar veten gjatë detyrës në mbrojtjen e qytetarëve.

KultPlus, ju rikujton se numri për të komunikuar me zjarrëfikësit në rast të ndonjë avarie të munshme për Shtetin e Kosovës është 193./KultPlus.com

3 qershori, Dita Botërore e Biçikletës

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.

“Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër dhe më pak ngarkesë në trafik si dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi”, thotë OKB.

Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Më 15 mars të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik, për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit dhe produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.

Autoritetet kujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, është gjithashtu i barabartë dhe me kosto të përballueshme./atsh/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz

30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të.

Sot bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Sot, në botë shënohet Dita Botërore e Librit.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntorë të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë autorë të mëdhenjë botërorë si: Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor./KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës

Sot, më 22 prill në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.

Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën me 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshinë ngjarje të ndryshme globalisht nga Rrjeti i Ditës së

Në Ditën e Tokës 22 Prill 2016, Marrëveshja e Parisit u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe rreth 120 vende të tjera.  Ky nënshkrim plotësoi një kërkesë kryesore për hyrjen në fuqi të draft traktatit historik të mbrojtjes së klimës, të miratuar me konsensusin e 195 vendeve të pranishëm në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2015, në Paris.

Komunitete të shumta krahas kësaj festojnë edhe Javën e Tokës, e që përfshin një javë të tërë veprimtarish të përqendruara në çështjet mjedisore me të cilat përballet bota./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Romëve

8 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve, e cila shënohet për të festuar kulturën rome dhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemet dhe sfidat me të cilat përballet ky komunitet, shkruan KultPlus.

8 prilli u shpall zyrtarisht si dita ndërkombëtare e Romëve, në vitin 1990 në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë të madh të përfaqësuesve romë, më 7-12 prill 1971 në Chelsfield afër Londrës.

Flamuri me rrotë të kuqe është flamuri ndërkombëtar i romëve, i cili u krijua nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933, për tu miratuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në vitin 1971.

Ngjyra blu e flamurit simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Ndërsa rrota të kuqe (chakra) është si kujtim i origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin.

Romët, janë një komunitet i shtypur dhe i diskriminuar dhe për të cilën gjë ka pasur edhe reagime për të drejtat e tyre nga figura të shquara botërore. Ndër të tjerë, Papa Gjon Pali ll,  i nxiti ndjekësit e tij që t’i trajtojnë romët me dhembshuri dhe respekt.

Për nder të kësaj dite, sot në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, Nënë Tereza në Gjakovë dhe në Amfiteatrin e Muzeut Kombëtar do të shënohen aktivitete të ndryshme/ KultPlus.com

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit

Me shprehjet, “Autizmi është veçanti, nuk është uniformë”, “Fëmijët me autizëm nuk ju injorojnë, ata presin të hyni në botën e tyre”, “Autizimi thërret: Bëjeni Ligjin për Gjithëpërfshirje”, fëmijët bashkë me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të shoqatës “Autizmi” dhe përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, sot dekoruan pemën afër qeverisë, ku u shënua edhe Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit.

Kryeministri Albin Kurti u zotua se do të punojnë më shumë për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

“Ne zotohemi për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha obligimeve tona për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi e në veçanti në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.

Ai bëri thirrje institucioneve që të punësojnë sa më shumë persona me aftësi të kufizuar.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Autizëm, Cen Krasniqi tha se institucionet qeveritare duhet të bëjnë më shumë për fëmijët me autizëm./rtv21/KultPlus.com

Dita Botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.

Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike.

Edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin, për çka do të mbahen aktivitete të ndryshme./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi me propozimin e Findlandës kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror, të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në vitin 1961, përcjellë KultPlus.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./KultPlus.com