Nis sonte festivali i Këngës Magjike

Festivali i “Këngës Magjike”, rikthehet në shtëpinë e saj, në Pallatin e Koncerteve, duke nisur sonte rrugëtimin e netëve live, përpara një publiku të jashtëzakonshëm.

Nata e 4 Dhjetorit do të çelë siparin e festivalit historik, që ka bërë traditë në kulturën muzikore Shqiptare.

Mbrëmja e sotme do të jetë edhe nata e parë gjysmë finale, ku në skenë do të ngjiten 22 artistë të talentuar dhe emra të mirënjohur të muzikës shqiptare, 8 prej të cilëve në kategorinë “New Artist” dhe 14 në kategorinë “Big”.

Në hashtagun #musicistheanswer, muzika është përgjigja, edicioni i 24-tët i skenës magjike premton emocione, performanca të jashtëzakonshme dhe muzikë të mirë. Por gjatë tre netëve live nuk do të mungojnë ethet për artistët e rinj, që do të duhet të bindin jurinë prej 5 anëtarëve për të kaluar në natën finale dhe për artistët “Big”, që do të duhet të sjellin në skenë gjithë bagazhin emocional dhe artistik për çmimin e madh.

“Kënga Magjike 2024” është një nga edicionet me më shumë larmi rrymash muzikore: me baladat e dashurisë, me rryma elektronike, techno, drum and bass, pop rock, ku i këndohet dashurisë, forcës së gruas, rebelizmit dhe shpresës.

Mjeshtri i madh i skenës Gaetano Castelli shënon bashkëpunimin në 15 edicione të festivalit, duke i dhuruar me skenografitë e tij mahnitëse, magjinë që i takon “Kënga Magjike”.

Producenti dhe moderatori i Këngës Magjike, Ardit Gjebrea, ashtu siç është bërë traditë në këtë edicion, do të ketë në krah dy bashkëprezantuese, gazetaren Matilda Mcini, në natën e parë, balerinën Selin Bollati, në natën e dytë gjysmëfinale dhe të shtunën në finalen e madhe në skenë do të jenë të tre bashkë.

Ashtu siç ka ndodhur në çdo edicion, edhe sonte, nesër dhe të shtunën, “Kënga Magjike”, premton shumë surpriza, që publiku ka mundësinë t’i ndjekë live nga Pallati i Koncerteve dhe drejtpërsëdrejti në ekranin e Televizion Klan./ tvklan/ KultPlus.com

Javët Kombëtare, Shkodra elektrizohet nga tingujt e muzikës tradicionale

Në kuadër të Javës Kombëtare, Shkodra Elektronike solli një dimension të ri në skenën muzikore, duke transformuar këngët tradicionale shqiptare në një stil modern elektronik. Performanca unike krijoi një atmosferë të veçantë, ku tradita dhe ritmet bashkëkohore ndërthureshin në harmoni të plotë.

Publiku përjetoi një eksperiencë të jashtëzakonshme, duke vlerësuar kreativitetin dhe freskinë e sjellë në këtë event.

“Shkodra Elektronike në Javën Kombëtare. Një rikthim unik ku Shkodra Elektronike solli një frymë të re, duke transformuar këngët tradicionale shqiptare në një stil elektronik modern dhe dinamik. Atmosfera ishte elektrizuese dhe publiku e përjetoi si kurrë më parë! Ky event i veçantë ndërthuri trashëgiminë kulturore me tingujt bashkëkohorë, duke sjellë një harmoni të freskët dhe plot energji”, lexohet në një postim në rrjetet sociale të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”.

Rama: Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para.

Ai ka shkruar kjo po bëhet me një projekt inovativ që sipas tij, synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie.

“Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para, me një projekt inovativ që synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike dhe funksionale në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë që do të bëhen pjesë e eventeve që do të zhvillohen aty”, ka shkruar Rama.

“Ti dhe hëna”, ndër poezitë më romantike nga Ismail Kadare

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

Kristo Frashëri, akademiku e personaliteti i shquar i historiografisë shqiptare

Historiani, profesori, akademiku i shquar shqiptar Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar.

Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zevendeskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Akademiku Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016./atsh/KultPlus.com

Thomas Hobbes: Jeta e njeriut është e vetmuar, e varfër, e pistë, e shëmtuar dhe e shkurtër

Hobsi e përgjithësoi sistemin e vet në tri shkrime të titulluara: Për trupin, Për njeriun dhe Për qytetarin.

Ashtu si bota materiale lëviz sipas një mekanizmi të ndërlikuar ingranazhesh, si ajo e një ore të ndërlikuar, edhe njeriu është rrënjësisht ashtu si një makinë.

Mjeku Uiliam Harvei, mik i vjetër i Hobsit, e kishte treguar në mënyrë të shkëlqyer këtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Prandaj, sipas Hobsit, pulsionet psikologjike dhe gjendjet si kënaqësia dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, dëshira dhe frika, mund të çojnë te pulsioni fizik i dorës së parë, që është ruajtja e vetes. Një pulsion i tillë i bindet domosdoshmërisë, megjithëse këtu nuk bëhet fjalë për një vullnet të lirë./ KultPlus.com

“K’cimi i Tropojës” shkëlqen në Nju Jork

“K’cimi i Tropojës” shkëlqen në Nju Jork.

Ministri i Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot pamje të “K’cimit të Tropojës” të kërcyer nga shqiptarët në Nju Jork.

“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër elementi unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Fjala është e vogël shumë

Poezi nga Odhise Grillo

Fjala është e vogël shumë:
disa shkronja, disa rrokje…
ajo rrjedh si mjaltë e qumësht
midis miqve, midis shokëve.

Fjala është e vogël shumë:
dhe e ashpër, dhe e brishtë…
i ngre valët përceshkume,
kur vërsulet mbi armiqtë.

Fjala është e vogël shumë:
t’ëmbëlson a vret si plumbi…
fjala është si një urë
që lidh brigjet e nje lumi. / KultPlus.com

Festivali teatror “Hapat” në edicionin e tretë

Festivali Teatror “Hapat” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke shndërruar Tiranën në qendrën kryesore të teatrit të të rinjve.

Ky festival, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një platformë unike që promovon skenën e pavarur artistike dhe fuqizon zërin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj nga i gjithë vendi.

“Hapat” nisi mbrëmë (3 dhjetor) dhe shfaqjet do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor 2024.

Këtë vit, në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), Teatrit Metropol, dhe sallës Black Box të Universitetit të Arteve, do të prezantohen 11 prodhimet më të mira të Fondit të Teatrit për të Rinj.

Festivali teatror “Hapat” është faza finale e Fondi të Teatrit për të Rinj që është një nga ato raste të shumta iniciativash të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit, duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës po shkon në të gjithë hapësirën shqiptare.

Në kuadër të këtij fondi u realizuan 11 projekte teatrore, 66 shfaqje të shtrira në 7 qarqe të vendit, janë angazhuar rreth 80 krijues dhe interpretues të moshës 20-35 vjeç.

Krijuesit dhe interpretuesit e rinj kanë punuar dhe prezantuar krijimet e tyre jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë si në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metopol dhe Universitetit të Arteve , por edhe në qytete të tjera si Korça, Shkodra, Berati, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra dhe Bulqiza, duke zgjeruar ndjeshëm ndikimin dhe rëndësinë e teatrit për publikun shqiptar.

Festivali “HAPAT” ka karakter garues dhe do të shpërndajë çmime në disa kategori kryesore, përfshirë: shfaqja dhe regjia më e mirë, aktori/aktorja më i/e mirë, koreografia më e mirë, skenografia më e mirë, kostumografia më e mirë, muzika më e mirë.

Një juri e përbërë nga pesë profesionistë të shquar të fushës do të vlerësojë produksionet dhe do të shpallë fituesit në mbrëmjen gala të 8 dhjetorit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në Bruksel, u prit në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, është pritur në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka uruar atë për detyrën e re, duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit në interes të përbashkët.

Presidentja Osmani diskutoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, sulm ky që kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit. Ajo prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës. Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhërat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radojqiç, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, gjersa i ka falënderuar BE-në, SHBA-të si dhe shtetet e tjera të NATO-s, dhe përtej për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e ofruar. Ajo potencoi se është shumë me rëndësi,

që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja.

Presidentja theksoi se në mënyrë që të garantohet stabilitet në Ballkanin Perëndimor është më rëndësi që të jemi unik në luftimin e kërcënimeve që rrezikojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të saj të integrimit evropian, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE. Për më tepër, Presidentja nënvizoi se heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët të Bashkimit Evropian, duke argumentuar sërish se ato janë të padrejta dhe se e dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës, por edhe vet parimin e balancit dhe paanshmërisë në dialogun Kosovë-Serbi./KultPlus.com

Festa Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare

Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota.

Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin krijoi lidhje të ngushta me patriotët e shquar si Barjam Curri, Idriz Seferi dhe Haxhi Zeka, duke u organizuar ushtrinë kombëtare shqiptare. Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet pashë Dërralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse.

Në sajë të aftësive të tij akademike kontribuoi në hartimin e “Rregullores për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, në hartimin e “Rregullores së përkohshme mbi formimin e strukturës së Milicisë Shqiptare” dhe mori masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Pothuajse të gjithë ushtarakët e asaj kohe vinin nga shkolla ushtarake dhe nga radhët e ushtrisë turke.

Mehmet pashë Dërralla ka hyrë në histori si ministri i parë i Luftës së Shtetit Shqiptar. Për nder të tij 4 dhjetori është caktuar Festa e Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare./atsh/KultPlus.com

Thomas Hobbes: Ne e gjejmë veten duke jetuar një jetë të egër, pa edukim dhe mbrojtje nga shteti

Duke iu referuar gjendjes fillestare të natyrës, një të kaluare hipotetike përpara qytetërimit, filozofi Thomas Hobbes nuk shihte asnjë arsye për të qenë nostalgjikë.

Ndërkohë që Rousseau thoshte se “njeriu lind i lirë, dhe më pas është kudo në zinxhirë”, Hobbes besonte se e gjejmë veten duke jetuar një jetë të egër dhe të pamundur, pa edukim dhe mbrojtje nga shteti.

Natyra njerëzore është e keqe: ne i zëmë pusi dhe e shohim si pré njëri-tjetrin, në mënyrat më të këqia të mundshme.

Nuk është për t’u habitur pra, që shteti do të imponohet mbi lirinë tonë, në një mënyrë pothuaj të dhunshme.

E megjithatë Hobbes pretendonte se këta zinxhirë janë absolutisht të rëndësishëm për të na mbrojtur ne njerëzve nga njëri-tjetri. / KultPlus.com

Sot 112 vjet më parë filloi punën Qeveria e Ismail Qemalit

Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, Qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.

Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar të vitit 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.

Po më 4 dhjetor, Vlora u godit me artileri nga flota greke që kishte bllokuar portin.

Trupat greke gjithashtu pushtuan ishullin e Sazanit, duke kontrolluar hyrjen në portin e Vlorës dhe këputën kabllon e komunikimit Shqipëri-Itali, e vetmja lidhje e vendit me botën e jashtme.

Grekët gjithashtu tentuan të merrni Sarandën.

Anëtarët e Kabinetit Qeveritar

Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm

Dom Nikoll Kaçorri – Zv.Kryeministër

Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm

Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës

Abdi bej Toptani – Ministër i Financave

Dr. Petro Poga – Ministër i Drejtësisë dhe sistemit Gjyqësor

Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit

Mit’hat Bej Frashëri – Ministër i Punëve Publike

Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës

Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit. / KultPlus.com

Parlamenti Evropian para 33 viteve i dha Adem Demaçit Çmimin Saharov

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i dha Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.’

Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.

Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Çmimi Saharov ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”.

Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.

Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.

Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të  aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Demaçi ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur,  Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im.

Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018. / KultPlus.com

‘Kam shumë shpresë’

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

“K’cimi i Tropojës” shpallet pjesë e listës së UNESCO-s, Rama: Deri dje, trashëgimi e braktisur

“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ku shkroi se “K’cimi i Tropojës” ishte një trashëgimi e braktisur.

Rama shprehu edhe kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021./atsh/KultPlus.com

Përmbys

Poezi nga Sali Bashota

Përmbys
Matanë dashurisë 
Të gjitha gjërat janë përmbys
Si dikur 
Pa diell pa hënë pa yje
Përmbys është qielli
Kur i mbyllim sytë
Kur dridhen puthjet
Dhe bota merr pamje tjetër
Përmbys është shpirti
Loja e shikimeve të ngrira
Shtegtimi i fundit i hijeve
Elegjitë për jetën
Rrokjet e fjalëve të ndaluara
Nata e parë pa ëndrra
Është po ashtu përmbys
Në jastëkun me pendla
Të verdha si vetmia
Të gjitha gjërat janë përmbys
Edhe rruzullimi i zjarrit
Akrepat e orës
Dy lumenjtë e një shtrati 
Edhe shushurima e ujit
Është përmbys
Matanë dashurisë
Edhe dhimbjet plot metafora
Janë po ashtu përmbys
Dorëshkrimi i ngjallur
Molla e kafshuar 
Tri ditë të lumtura
Janë përmbys
Si dikur
Pa diell pa hënë pa yje
Përmbys jam Edhe unë
Përmbys jemi të gjithë./KultPlus.com

“Travel off Path”: Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse dhe vendpushime të qeta

Mesdheu është i mbushur me brigje me ujëra blu dhe vendpushime të qeta – që përqafojnë stilin e jetës si nomad, por jo të gjitha mund të kurorëzohen si më të mirat ne Evropë, shkruan Sam Sears në një artikull të botuar në “Travel off Path”.

Ekspertët veçojnë Shqipërinë, një vend i vogël që ka regjistruar një fluks të numrit të nomadëve digjitalë – që nga lëshimi i vizave jozyrtare në vitin 2022 – ndërsa shumë prej tyre kanë zgjedhur të jetojnë në kryeqytet, Tiranë, mes qyteteve të tjera bregdetare.

Vlora është një nga qytetet më mahnitëse në Shqipëri.

Ku ndodhet Vlora?

Vlora është qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë, i vendosur përgjatë brigjeve të pacenuara me pamje nga Gjiri i Vlorës – dhe i shtrirë në një vijë të drejtë me qytetin turistik, Leçe – aktualisht “arratisja” më në trend e Italisë.

Qyteti bregdetar – së shpejti pritet të kthehet në pikën turistike më të vizituar të Shqipërisë nga turistët e huaj – pasi vendi vazhdon të tërheqë vëmendjen, kryesisht falë zbulimit të më shumë xhevahireve të fshehura, si Vlora.

Ky qytet turistik ofron akomodime cilësore për një pushim të qetë, dhe apartamente të cilat mund të rezervohen për 400 dollarë në muaj.

I rrethuar nga nga më shumë ujëra bruz se sa Santa Fe – kryeqyteti i shtetit amerikan të Nju Meksiko – ky qytet i mrekullueshëm ofron peizazhe si në kartolina – ndërsa jeni duke pushuar në një nga shumë plazhet e tij idilike.

Sipas ekspertëve të udhëtimeve tre plazhet më të mira të Vlorës për të vizituar janë:

Plazhi i Gjipesë
Plazhi i Dhërmiut
Plazhi Pulëbardha

Aeroporti i ri i Vlorës hapet në mars 2025

Mbërritja në Vlorë do të jetë shumë më e lehtë në mars 2025, pasi aeroporti i ri të jetë funksional.

Transportuesi kryesor i Shqipërisë, “Air Albania” është në krye të linjave ajrore.

Duke qenë se kompania ajrore “Ryanair” po nis fluturimet për në Dakhla, Sahara Perëndimore nga të gjitha vendet, a nuk mendoni se edhe Vlora do të jetë në radarin e saj?

Për momentin, mënyra më e lehtë për të mbërritur në Vlorë është me autobus nga Tirana.

Për një mundësi më aventureske, mund të fluturoni gjithashtu në Korfuz ose në porte të ndryshme italiane si në Bari, Brindisi dhe Leçe, dhe të merrni një traget./atsh/KultPlus.com

64 ikonat që rrëfejnë historinë e kishës së Lubonjës

Në kuadër të projektit “Hartografimi & Dokumentimi i Zonave Arkeologjike, Lubonjë-Korçë”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar evidentoi 64 ikona, të cilat treguan për herë të parë për historinë e një kishe, për një komunitet i cili mbrojti dhe zhvilloi për shekuj me radhë traditat dhe besimin brenda fshatit të tyre.

Studimi mbi këtë projekt ishte një zbulim i jashtëzakonshëm mbi potencialin arkeologjik, natyror dhe fetar. Kisha “Fjetja e Shën Marisë” ruan në muret e saj, ende një pjesë afresku të shek. 13-të, ku tregon cilësinë e lartë artistike dhe ka karakteristikat e artit bizantin.

Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar pas studimit dhe restaurimit u përzgjodhën rreth 13 ikona me karakteristika të veçanta, tipologji dhe periudha të ndryshme. Ikonat tregojnë jetën tepër aktive prej 8 shekujsh, në këtë kishë./atsh/KultPlus.com

Teatri te Parku i Madh i Liqenit të Tiranës do të mbajë emrin e Mirush Kabashit

Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë legjendën e artit shqiptar, Mirush Kabashi, duke i dhënë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.

Ky vendim vjen si një mënyrë për të përjetësuar kujtimin dhe kontributin e një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se “duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të kryeqytetit”.

“Propozimi për emërtimin e Teatrit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial me emrin “Mirush Kabashi” është një iniciativë që nderon një nga figurat më të shquara të artit shqiptar. Përtej vlerës simbolike, ky vendim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Mirush Kabashi, një aktor me një karrierë të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përfaqësuar kombin tonë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke transmetuar mesazhe universale përmes artit të tij. Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë për të bërë dhe për të konsumuar art”, tha Veliaj.

Mirush Kabashi, u nda nga jeta një vit më parë në moshën 75-vjeçare, është ndër artistët më të vlerësuar të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Ai interpretoi mbi 100 role në teatër dhe 30 personazhe në kinematografi, ndërsa shfaqja e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbetet një moment historik për kulturën tonë.

Në karrierën e tij është nderuar me mbi 90 çmime dhe është aktori më i vlerësuar jashtë trevave të Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 personazhe në kinematografi.

Kabashi është nderuar edhe me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i skenës”, “Nderi i Kombit”, të akorduara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shumë tituj të tjerë të akorduar nga institucione të ndryshme qendrore, lokale apo ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku pret kampionin e Evropës në boks, Labinot Xhoxhajn: Jemi krenarë për përfaqësimin e dinjitetshëm të Kosovës në botë

Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot ka pritur në takim boksierin Labinot Xhoxhaj, i cili së fundmi ka fituar titullin kampion i Evropës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist në EBU.

Me këtë rast, Ministri Çeku tha se e ka përgëzuar sportistin evropian për arritjet dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të Kosovës në botë.

“Ishte kënaqësi e veçantë takimi i sotëm me të. E urova për suksesin e jashtëzakonshëm, e poashtu folëm për rrugëtimin, sfidat e tij si sportist dhe planet për të ardhmen.

Këtë titull të çmuar të boksit evropian, më parë e kanë fituar boksierë të njohur elitarë, përfshirë edhe legjendën Luan Krasniqi.

Qëllim i ardhshëm i Labinotit është që titullin ta mbroj në Kosovë, e ne padyshim jemi shumë krenarë më arritjen e tij dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të Kosovës në botë”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

E jashtëzakonshme: ‘K’cimi i Tropojës’ zyrtarisht pjesë e UNESCO-s

“K’cimi i Tropojës” sot është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, shkruan Kult Plus.

Ky vendim erdhi pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, të Paraguaj-it.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, përmes një postimi në rrjetin social Fcebook.

“K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Një trashëgimi që përçon ritmet, emocionet dhe identitetin tonë kombëtar, tashmë të njohur në nivel global si një thesar kulturor. Një tjetër hap drejt lartësimit të vlerave kombëtare duke na bërë dhe me krenarë për vendin tonë!”, thuhet në shkrimin e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Akademi Solemne për nderë të Pjetër Bogdanit në BogdaniPolis

Takimet kulturore “Pena e Dritës” për muajin dhjetor, i kushtohen Pjetër Bogdanit, i cili pëkujtohet me “Ditët e Bogdanit” përmes një akademie solemne në Qendrën Bogdani Polis, shkruan KultPlus.

Në ditëkujtimin e kalimit në amshim të Pjetër Bogdanit, Dioqeza Prizren-Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), organizon Akademi Solemne “Ditët e Bogdanit”, me interpretime artistike dhe fjalime të autoriteteve.

Ngjarja do të  mbahet më 6 dhjetor 2024 në ora 19:00, në Qendrën BogdaniPolis./ KultPlus.com

“Mik i vërtetë është ai që nuk ta lëshon kurrë dorën dhe ta prek zemrën”

Gabriel García Márquez është shkrimtar i njohur kolumbian që lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Në vitin 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi.

Për krijimtarinë e tij letrare ai u laureua me “Nobel” për letërsinë. Markezi njihet kudo në botë edhe për thëniet e vlefshme që dalin nga veprat e tij, disa prej të cilave, KultPlus jua sjellë më poshtë:

Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.

E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

Injeksionet janë gjëja më e mirë e shpikur ndonjëherë për t’i ushqyer mjekët.

Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalen së ndjekuri ëndrrat, ngaqë plaken; ata plaken ngaqë ndalen së ndjekuri ëndrrat.

Jo, jo nuk jam i pasur. Unë jam një njeri i varfër me të holla, çka nuk është e njëjta gjë.

Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.

Ajo zbuloi me kënaqësi të madhe se njeriu nuk i do fëmijët e tij vetëm sepse ata janë fëmijët e tij, por për shkak të miqësisë së krijuar duke i rritur ata.

Kujtesa e zemrës e eliminon të keqen dhe e madhëron të mirën.

Ai që pret gjatë, mund të fitojë pak.

Interpretimi i realitetit tonë nëpërmjet modeleve tona e jo nëpërmjet nesh, shërben vetëm për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, kurrë më pak të lirë, gjithnjë e më të vetmuar.

Problemi me martesën është se ajo përfundon çdo natë pas së bëri dashuri, dhe duhet të rindërtohet çdo mëngjes para ngrënies së mëngjesit.

Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri.

Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është ajo që ndodh me ju, por çfarë ju kujtohet dhe si ju kujtohet ajo. /KultPlus.com