Ministri Çeku viziton Bienalen e Vendikut: Ngremë dolli për këtë sukses dhe mundësitë e reja që po vijnë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vizituar selinë e Bienales së Vendikut pasi Pavijoni i Kosovës fitoi çmimin  “Special Mention for National Presentation”.

Ministri Çeku është shprehur se në Bienale kanë ngre dolli për këtë sukses të madh dhe për të gjitha mundësitë e  reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministrit Çeku:

Ditën e nisëm në selinë e Bienales së Venedikut, brenda sallës historike ku për 60 vjet janë ndarë çmime për artin dhe artistët më të mirë të botës. Republika e Kosovës këtë ditë do të shënonte historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë. Për kontekst dhe perspektivë, nga të gjitha shpërblimet e fituara këtë edicion, i vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar, është Kosova.

Doruntina, Erëmira e Hana, nga podiumi ku pranonin mirënjohjen, reflektonin shumë porosi. Tregimin e zakonshëm të grave të jashtëzakonshme në realitetin e vështirë të punës dhe shtëpisë. Fuqinë e gjithë ekipit të pavijonit, plot profesionalizëm dhe vetëmohim. Dëshirën e flaktë për t’i treguar botës sa shumë potencial dhe energji jeton brenda nesh. Dhe që Republika e Kosovës është këtu për të vazhduar së qenuri gjithmonë.

Festën e vërtetë e mbajtëm në shtëpinë e pavijonit tonë, në ndërtesën Museo Storico Navale, ku bashkë me ekipin e pavijonit, familjarët, miqtë dhe komunitetin e artit nga Kosova që kishte ardhur për mbështetje, ngritëm dolli për këtë sukses të madh, dhe për të gjitha mundësitë e reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm.

Urime të gjithëve, e faleminderit Dori, Era dhe Hana./KultPlus.com

 

Shëndrrimi në muze i shtëpisë së masakrës së Poklekut në fazën finale, Çeku: Është thirrje për drejtësinë e munguar

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se punimet për shëndrrimin në muze të shtëpisë ku ndodhi masakra e Pokleku nga e cila mbetën të vrarë 53 civil, është në fazën finale, shkruan KultPlus.

Më datën 17 prill 1999, në këtë shtëpi u vranë 53 civilë nga familjet Muqolli, Caraku, Elshani, dhe Hoxha.

“Jemi në fazën e fundit të muzealizimit të shtëpisë së masakrës në Poklek të Drenasit. Sivjet me 17 prill bëhet një çerek shekulli prejse forcat serbe masakruan 53 civilë nga familjet Muqolli, Caraku, Elshani, dhe Hoxha. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, ku viktima më e vogël ishte gjashtë muajshe, ajo më e vjetër 75 vjeçe.

Muzeu mbi masakrën e Poklekut brenda shtëpisë së familjes Muqolli është thirrje për drejtësinë e munguar”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Ministri Çeku ngushëllon familjen e profesorit Fehmiu: Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së profesorit të ndjerë universitar, të Kulturës Fizike, Arsim Fehmiut, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, ka thënë se profesori Fehmiu për 75 vite ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sport dhe se gjithmonë do të kujtohet si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Më poshtë gjeni telegramin ngushëllues të Minstrit Çeku ndaj familjes Fehmiu:

E nderuar familje Fehmiu,

Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesorit Arsim Fehmiu.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Pedagogu Arsim Fehmiu dha kontribut të jashtëzakonshëm në sport, arsim e kulturë për 75 vite. Si themelues dhe dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, si punëtor sportiv në organizimin dhe funksionalizimin e shumë organizatave sportive në Kosovë, e po ashtu me veprimtarinë e tij si sportist e trajner ka dhënë shumë, për shumë sporte.

Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit.

Sinqerisht, Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Republika e Kosovës