Dosjet e ish-sigurimit, një vizitë në arkiv për të mësuar se si përgatiten të dhënat për lexim

Kush njeh të shkuarën, nuk e rikthen më atë.

Por ndërkohë mijëra dosje presin të lexohen. Në ambientet e Autoritetit të informimit mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit  u organizua me mbështetjen e OSCE-së një vizitë në arkiv për të parë nga afër punën e arkivistëve e për të mësuar më shumë si përgatiten të dhënat për lexim, si mund të përdoren ato e si duhet mbrojtur privatësia e viktimave të regjimit.

Dosjet e të dënuarve janë marrë nga ministria e brendshme apo edhe nga SHISH.

Qasja në dosjet e ish-sigurimit të shtetit shqiptar u plotësua edhe me ndarjen e përvojës nga ish zëdhënësja për arkivën e Stasit, ekspertja gjermane Dagmar Hovestadt.

“Historitë që më kanë mbetur në mendje vec torturave për vdekje, që janë të dhimbshme për të gjithë sigurisht, më e tmerrshme është të përballesh me tradhëtitë; që një shok apo më keq një vëlla ose vetë nëna spiunon fëmijën apo njeriun e zemrës. Nuk është fare e lehtë të dish kush të ka thyer besimin, por është po aq e vështirë edhe për autorin të pranojë fajin e të thotë që “po, kam bërë gabim!” Ndaj dhe njerëzit nuk duan shpesh të shikojnë pas të kaluarën. Por ajo nuk fshihet, vetëm se ti nuk do! Është gjithmonë aty, duhet ta lësh të dalë në sipërfaqe, që të pastrohet ajri dhe të shtrosh një rrugë më të mirë për të ardhmen”, tha Hovestadt.

Diskutimi mbi interpretimin e të dhënave në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit u fokusua te koncepti midis dy kohëve; të vërtetat e komunizmit që përplasen me të vërtetat e shoqërisë demokratike.

“Nuk është se do të përballeni thjesht me ca letra. Por do të futeni te e shkuara më e errët e vendit. Ndërsa do të shihni arkivat, do të kërkoni të vërtetën, e do të lexoni të vërtetat e tyre”, tha Mauro Puzzo.

“Në arkivë do të gjeni gjysmën e historisë së shtetit shqiptar. në 50 vite komunizëm u ndërtua një aparat propaganda, censure dhe shkeljesh të drejtash të njeriut, jo vetëm për mohim fjale por mohim jete dhe jo vetëm për kundërshtarin  politik por edhe në 3 breza të familjes së tyre”, tregon Gentiana Sula./TopChannel/KultPlus.com

Nesër ndërrohet ora, akrepat do të kthehen 60 minuta pas

Të dielën akrepat e orës do të kthehen 60 minuta pas.

Akrepat do të lëvizin prapa me një orë në 03:00, natën mes të shtunës dhe të dielës, 26 dhe 27 tetor, duke u ripozicionuar në orën 02:00. Kështu, do të mund të flihet një orë më shumë gjumë, por pasditet do të kenë një orë më pak dritë natyrale. Akrepat do t’i lëvizim vetëm në orët analoge, pasi të gjitha pajisjet e tjera digjitale të lidhura me internet do të përditësohen automatikisht me orarin e ri.

Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri në 31 mars 2025, kur si gjithmonë në orën 03:00 të mëngjesit do të hyjë në fuqi ora ligjore, ose ajo verore. Përcaktimi i ndryshimit të orës nuk ka asnjëherë datë fikse, në të dyja rastet, por aplikohet gjithmonë natën mes të shtunës e të dielës së fundit të muajit tetor dhe muajit mars. Pavarësisht polemikave që prej disa vitesh kanë shoqëruar ndryshimin stinor të orës, ende nuk është vendosur asgjë nga BE.

Diskutimi ishte mbi mbajtjen në fuqi të vetëm një ore ligjore, për të kursyer energji elektrike, arsye se pse është adoptuar që për herë të parë, ose mbajtjen e regjimit të orës diellore. Por, pikërisht për kursimin e energjisë, impakti në ekonomi apo edhe në mjedis, pasi sjell reduktim të CO2, ka ndikuar në mosvijimin e diskutimeve për ta hequr orën ligjore, pasi duhet të jetë një vendim unanim për të gjitha vendet e BE./Akrepat do të lëvizin prapa me një orë në 03:00, natën mes të shtunës dhe të dielës, 26 dhe 27 tetor, duke u ripozicionuar në orën 02:00. Kështu, do të mund të flihet një orë më shumë gjumë, por pasditet do të kenë një orë më pak dritë natyrale. Akrepat do t’i lëvizim vetëm në orët analoge, pasi të gjitha pajisjet e tjera digjitale të lidhura me internet do të përditësohen automatikisht me orarin e ri./KultPlus.com

Është e ndaluar

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty…/KultPlus.com

Një robot drejtoi për herë të parë një orkestër simfonike në Gjermani

Muzikantët e Orkestrës Simfonike të Dresdenit performuan nën drejtimin e një roboti të dielën, i cili dirigjoi me ndihmën e tre krahëve të artikuluar të krijuar në bashkëpunim me universitetin teknik lokal.

Një robot me tre krahë të bashkuar, i krijuar për të imituar një njeri, ku secili krahë mbante një shkop që të kujtonte shpatat e dritës nga filmi “Star Wars” dhe u interpretua muzika e kompozuar posaçërisht për të.

Roboti përdori tre krahët e tij për të drejtuar të tre pjesët e orkestrës veç e veç, gjë që nuk do të ishte e mundur me një dirigjent të vetëm njerëzor.

Kompozitori gjerman Andreas Gundlach, i cili kompozoi veprën e realizuar me ndihmën e një dirigjenti robot, tha se ishte frymëzuar nga ideja për robotin nga shkencëtarët në Universitetin Teknik të Dresdenit, të cilët po zhvillojnë “robotët bashkëpunues”, që nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë qeniet, por të punojnë me ta./KultPlus.com

Letra e fuqishme e Hillary Clinton, drejtuar vetës së saj në adoleshencë

Më 26 tetor të vitit 1947 lindi Hillary Diane Rodham Clinton. Ajo është ish-Sekretare e Shteteve të Bashkuara, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001.

Kohë më parë Teen Vogue botoi një letër që Clinton e kishte shkruar për veten e saj si një vajzë e re në kolegj, letër kjo të cilën KultPlus e sjell sot në ditëlindjen e kësaj gruaje të fuqishme e të njohur në mbarë botën.

Në letër, ajo ofroi disa këshilla shumë të vlefshme dhe nxjerri në pah disa nga pasiguritë me të cilat është përballë si një studente e re. Duke iu drejtuar vetes si një studente e semestrit të parë në Wellesley College, ajo kishte shkruar.

“Kur erdhe për herë të parë në kampus, u gjenda e rrethuar nga gra të mrekullueshme dhe të kualifikuara. Ato flisnin rrjedhshëm në shumë gjuhë të tjera. Ato kishin jetuar jashtë vendit. Ato kishin lexuar tashmë gjysmën e librave të programit mësimor. Kjo më frikësonte – ishte aq e frikshme për mua sa që u telefonon prindërve për t’u thënë se nuk i përket kolegjit Wellesley, dhe në fund të fundit duhet që të ktheheshe në shtëpi”, kishte shkruar Hillary.

Mësimi që Hillary kishte nxjerrë nga kjo përvojë ishte. “Rrezikoni dhe mos kini frikë të kapeni duke u përpjekur”, tha Clinton. “Bëni çmos për të përqafuar entuziazmin që vjen me mosnjohjen e asaj që vjen në të ardhmen dhe mos harroni se besimi dhe mendja e hapur gjithmonë do t’ju shërbejnë më mirë se pasiguria dhe dyshimi”, kishte shkruar Hillary Clinton. / KultPlus.com

Lara Colturi nis mbarë Kupën e Botës në Ski

Skiatorja Lara Colturi që përfaqëson Shqipërinë është renditur e 16-ta në botë në garën e parë të Botërorit të Skive që nisi këtë të shtunë në Solden të Austrisë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vlerësoi sot këtë rezultat, ndërsa u shpreh se “Lara Colturi e nis kështu mbarë Kupën e Botës në Ski”.

“Skiatorja e talentuar që garon për Shqipërinë kualifikohet për në finalen e Sllallomit Gjigant në Solden të Austrisë”, tha ministrja Manastirliu.

Në disiplinën e Sllallomit Gjigant, Colturi mundi të jetë brenda pritshmërive dhe të futet mes 20 më të mirave në botë nga 100 skiatoret që marrin pjesë.

Në lëshimin e parë ajo e mbylli me kohë 1:08.39, ndërsa në të dytën 1:09.85, duke e mbyllur me 2.19 sekonda pas vendit të parë.

Ndërkohë Colturi ka siguruar 15 pikët e para në Botërorin e këtij viti. /atsh/ KultPlus.com

“CN Traveler”: Tirana mes qyteteve evropiane perfekte për një ”arratisje” treditore

 A mjafton një ”arratisje” treditore për të kënaqur shpirtin tuaj?

Nëse zgjidhni destinacione që nuk janë shumë larg, por mbi të gjitha emocionuese, mund t’ju sigurojmë se po. Ku do të niset fluturimi juaj këtë herë…?

Kaloni një fundjavë në një nga këto opsione – të përshtatshme për një vizitë ekspres, por të paharrueshme!

Ne ju rekomandojmë të zbuloni 27 qytete evropiane që ndoshta nuk i njihni ende, shkruan Marta Sader në edicionin spanjoll të revistës globale CN Traveler (Condé Nast Traveler).

Tiranë, Shqipëri

Ju kemi paralajmëruar që prej vitit 2016: është koha për të vizituar Shqipërinë, destinacioni i fundit i paprekur nga turizmi masiv në Evropë.

Aty do të gjeni plazhe magjepsëse dhe të pacënuara – që nuk kanë asgjë për t’i pasur zili nga ato të Kroacisë – xhevahirit tjetër gjysmë të egër të kontinentit.

Eksploroni kryeqytetin e saj, Tiranën e gjallë.

Për të shijuar atmosferën e saj, zbuloni lagjen e Bllokut, ku janë të përqendruara kafenetë, restorantet dhe baret më të mira.

Aty mund të hani një darkë të mrekullueshme me një çmim shumë të arsyeshëm, të shijoni një kafe ose birrën vendase (Birra Korça apo Birra Tirana) ose të provoni rakinë, pijen e fortë alkoolike tradicionale.

Nëse doni të rrini zgjuar deri vonë, mund të frekuentoni pub-et dhe baret e saj argëtuese.

Gjithashtu, me ndërthurjen e rrugëve të gjera të mbushura me pallate dhe zona të gjelbra, zona e Bllokut ruan ende stilin arkitekturor tradicional komunist.

Pjesa tjetër e qytetit ruan gjurmët sovjetike në ndërtesat e tij – deri në strehimin e një prej muzeve më të rëndësishme të tij… në një bunker bërthamor.

Revista globale CN Traveler e ka renditur Tiranën mes qyteteve evropiane perfekte për një arratisje treditore:

1-Tiranë (Shqipëri)
2-Bratislavë (Sllovaki)
3-Gdansk (Poloni)
4-Ljubljanë (Slloveni)
5-Gent (Belgjikë)
6-Bologna (Itali)
7-Salzburg (Austri)
8-Beograd (Serbi)
9-Stokholm (Suedi)
10-Valleta (Maltë)
11-Edinburg (Skoci)
12-Lozanë (Zvicër)
13-Innsbruck (Austri)
14-Zagreb (Kroaci)
15-Selanik (Greqi)
16-Dublin (Irlandë)
17-Napoli (Itali)
18-Bristol (Britani e Madhe)
19-Porto (Portugali)
20-Roterdam (Holandë)
21-Kopenhagë (Danimarkë)
22-Hamburg (Gjermani)
23-Antwerp (Belgjikë)
24-Tulouse (Francë)
25-Helsinki (Finlandë)
26-Krakow (Poloni)
27-Oslo (Norvegji) /KultPlus.com

Hija e tim eti

Poezi nga Milazim Krasniqi

Dritarja kap një cop qiell
të mugët si fytyrë gruaje me dhembjet e lindjes
Ka kohë që e vështroj këtë sfond të plumbtë
gjelbër të shkyer nga degëmollët
e të qepur etshëm nga pipëtima e gjetheve
Në këtë soditje të qetë
papandehur më shfaqet porteti i tim eti
me atë shqetësimin e përjetshëm
që lidhte tokë e qiej

Dhe m’i shpalon vrragët e duarve e të buzëve
të ashpra e të thella si të tokës
sa unë vërtet s’mund ta di
i mori ai të tokës apo toka të tij

Im atë i mirë im atë i etshëm
ende endet hije arave duke u lutur
për diell shi e bukë
Dhe paqe në shpirt

Tash nga gjethet po bien pikat e para të shiut
të kthjellëta si lot gëzimi
Të dikujt që kthehet përgjithmonë
Nga mërgimi./KultPlus.com

Esat Pashë Toptani ndryshe?

Ilir Ikonomi: “Esat Pashë Toptani – njeriu, lufta, pushteti”. Botoi UETPress, Tiranë, 2016. Faqe 551.

Nga Jusuf Buxhovi

“Nuk është lehtë ta shpjegosh Esat pashë Toptanin (1864-1920), njërin ndër personazhet më enigmatike të botës shqiptare”.

Kështu thotë autori Ilir Ikonomi në librin “Esat Pashë Toptani”, i cili qysh në fillim paralajmëron se qasja ndaj kësaj figure historike, vlerësimi i së cilës edhe sot e gjithë ditën në opinionin e gjerë është kontrovers dhe të shumtën me anatemën e paqëndrueshme “të tradhtarit”, ka të bëjë me kohën në të cilën ka jetuar, duke shtuar se “askush nuk e ka monopolin e të vërtetës”. Mbështetja mbi këtë parim autorin pashmangshëm e ballafaqon me paragjykimet e shumta bardh-zi, të ngritura sa nga historiografia shqiptare me qasje ideologjike e sa nga mosnjohja, po edhe injorimi i burimeve meritore me të cilat do të mund të thyheshin stereotipat politike me të cilat Esat Pashtë Toptani si ushtarak, politikan dhe burrështetas i njohur me shumë fuqi dhe ndikim i kohës së shtet ndërtimit shqiptar dhe krrajateve që e përcollën atë, është dashtë të shihej vetëm “tradhtar”, paçka se ai ka marrë pjesë në një zhvillim historik tepër kompleks, kur shteti shqiptar ishte në formim e sipër, dhe se ky proces me shumë kurthe, me shumë lojëra e lojtarë, përfshinte aktorë të shumtë nga elita e asokohshme politike shqiptare, që kryenin shërbime të ndryshme ndër më të rëndat, herë nga bindja, e herë pse atë detyrimisht e kërkonin nevojat që i duheshin vendit për të shkuar aty ku duhej.

Natyrisht se ballafaqimi i Ikonomit me Toptanin, i parë në kohën në të cilën ka jetuar si dhe zhvillimet historike nëpër të cilat ka kaluar, në njërën anë nxjerr në pah një figurë historike të ushtarakut veprues me fuqi të madhe pas, të politikanit të pakapërcyeshëm dhe njëherësh qeveritarit dhe të diplomatit aktiv ndër më komplekset, me të cilin lidhet rrugëtimi i shtetit shqiptar me gjithë ato telashe dhe drama të mëdha që e kanë përcjellë nga shfaqja e deri te akti kur atij përfundimisht, në Konferencën e Paqes në Paris, do t’i njihet ekzistenca ndërkombëtare në përmasat që ia caktoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës.

Ndërsa në tjetrën anë, nxjerr në pah shumësinë e faktorëve të tjerë, nga brenda dhe nga jashtë, veçmas ata social, kulturorë në formën e një amalgame absurd politik, që kanë ndikuar këtë zhvillim si dhe rolin e tyre në të, që Toptanin e kthejnë në një referencë të pazëvendësueshme të ushtarakut, të politikanit dhe të një diplomati, i cili, në skenën e madhe diplomatike dhe politike, ku çështja shqiptare, të shumtën, bartej si një plaçkë për kusuritje midis fuqive të mëdha të kohës, në saje të ndikimit në vend si feudal dhe të fuqisë ushtarake (kishte nën armë mbi dhjetë mijë përkrahës), shfaqej i pashmangshëm, qoftë kur ai ishte i nevojshëm (për dike) dhe duhej të shfrytëzohej, qoftë kur shihej i rrezikshëm (për dike) dhe duhej të eliminohej, siç do të ndodhë në të vërtetë edhe me vrasjen e tij në Paris.

Shikuar nga këndvështrimi i dokumenteve relevante të kohës, shumë prej të cilave Ikonomi i shfrytëzon me objektivitetin e duhur dhe jo rrallë dhe qëllimisht duke i lidhur edhe me aktualitetin, ndërsa disa prej tyre qëllimisht të anashkaluar ose të injoruara, i nxjerr në pah për herë të parë, (Memorandumin Konferencës së Paqes, takimin me presidentin amerikan Uilson si dhe letrën dërguar atij dhe takimet e shumta me burrështetasit e fuqive të mëdha e të tjera të kësaj natyre), Esat Pshë Toptani shfaqet një lojtar i pandalshëm, tepër i shkathtë, tepër i vendosur, i gatshëm për kompromise dhe lojëra ndër më të ndryshmet, ku madje edhe ajo që shumë herë është vlerësuar “ambicie e shfrenuara për pushtet”, qoftë edhe në dëm të shtetit shqiptar e të ngjashme, del si pjesë e pragmatizmit të pashmangshëm politik , ku natyrisht se shteti kthehet në një dividendë pa të cilin nuk mund të ketë fuqi.

Por, gjithnjë në përputhje me dokumentet që trajton Ikonomi si dhe qasjen ndaj tyre “ku nuk ka tradhtarë dhe heronj”, sidomos të atyre që mund të merren “si kapitale” (Memorandumi Konferencës së Paqes, ku kërkohej të rikthehen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe takimi me presidentin amerikan Ulon në Paris, ku kërkohej që shteti shqiptar, për t’u nxjerrë nga kthetrat e traktateve të fshehta, siç ishte ai i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshja Itali-Greqi për ndarje në Shqipërisë në dy pjesë, duhej të kthehej nën administrimin e fuqive të mëdha, në të cilën fjalën kryesore do ta kenë SHBA-të ), del një Esad Pashë Toptan ndryshe nga hipotekat e rënda “të tradhtarit”, me të cilat kuturu është ngarkuar historiografia ideologjike dhe në përgjithësi politika inerte shqiptare e kohës, hipoteka këto që pastaj kanë ushqyer edhe bindjet dhe veprimet revolucionare aq tragjike për vetë shqiptarët, që do ta kthejnë kah sfera lindore. Pamja “ndryshe” e Toptanit, në të vërtetë, demistifikon edhe shabllonet e deritanishme ku ai përshkruhet “injorant”, “fodull”, “anadollak” , “vrasës” dhe çmos, edhe pse ato demantohen nga rivalet e tij politik kur për ta diskredituar cilësohet “si ngatërrestar perfid”, “intrigant i pashoq”, “dinak” dhe të ndryshme, që nuk mund t’i ketë torollaku…

Në dokumentet që lidhen me kohën e Konferencën e Paqes dhe ato që i paraprinë asaj (fitorja e Antantës), Toptani shfaqet si lojtar i shkathtë dhe tejet mendjemprehtë, i cili kërkon që fati i Shqipërisë të trajtohet në përputhje me pjesëmarrjen në anën e aleatëve, pra të shpërblehet në vend se të kthehet në plaçkë, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Londrës dhe ato të mëvonshmet midis Italisë dhe Mbretërisë Jugosllave. Duket paksa absurde, por gjithnjë sipas dokumenteve që trajton Ikonomi, vërtetësia e të cilave është e justifikueshme, në kohën kur delegacioni i qeveris së Durrësit me Turhan Pashën në krye, i sajuar nga italianët, në Paris nuk bënte tjetër pos që luante lojën e italianëve, ai, nga presidenti amerikan, gjatë takimit me të, kërkonte që Shqipëria të vihej nën mbikëqyrje ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e amerikanëve në Komision.

Gjithnjë sipas këtyre dokumenteve, edhe në takimet e veçanta me kryetarët e fuqive të mëdha të kohës (Francës, Anglisë dhe të Italisë), Toptani luftonte edhe projektet antihistorike xhonturke dhe ato austro hungarezë për rikthimin e një Shqipërie Osmane, që u shfaqen gjatë Luftës së Parë Botërore, duke theksuar se “shqiptarët njëherë e përgjithmonë kishin hequr qafe pushtimin osman”.

Ndonëse Ikonomi, me të drejtë, i ka kushtuar rëndësi të madhe raporteve të Toptanit me Italinë, Serbinë më vonë me mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, atyre me Francën, po edhe me Greqinë dhe faktorët tjerë të lidhur për fatin e saj në ato rrethana), duke u përpjekur që ambiciet e tij politike dhe ato për pushtet t’i fokusojë te përcaktimi që ai midis Italisë dhe Beogradit të zgjedh këtë të fundit “si mbrojtës të Shqipërisë”, përcaktim ky, që si do të shihet, do të jetë vendimtar që ai të eliminohet edhe fizikisht në Paris madje me hipotekën e tradhtisë, megjithatë fundi i tij tragjik, më tepër del si pasojë që nga skena politike shqiptare të përjashtohet njëri nga lojtarët kyç, më të zhdërvjelltë dhe më me ndikim në vend, nga frika se ai herdokur mund të dëmtonte planet italiane në Shqipëri dhe rajon duke futur në lojë kartën e Beogradit ndaj të cilës, nga ndikimi italian dhe ai grek, me mosbesim shikohej edhe nga fuqitë e përçara të Antantës. Por, edhe përkundër kësaj, karta e ndikimit të Beogradit në politikën shqiptare nuk do të eliminohet. Si do të shihet, me rastin e Ahmet Zogut e deri te Enver Hoxha, politika shqiptare jo vetëm që nuk do të lirohet prej saj, por ajo do t’ua përcaktojë kahun zhvillimeve tragjike nëpër të cilat do të kalojë shteti shqiptar, por edhe shqiptarët në përgjithësi për thuaja një shekull…

Kështu, Esat Pashë Toptani, pasi që kishte parë se në ato rrethana të kusuritjeve midis faktorëve të jashtëm, Shqipëria deri te shkalla e konsolidimit si shtet, doemos duhej të kalonte nëpër tutelën e huaj dhe se kjo mund t’i kthehej në kob po qe se nuk do të veprohej me mençuri e pse jo edhe dredhi ndër më të ndryshmet, kishte bindjen se fati i Shqipërisë dhe Shqiptarëve duhej të lidhej me Beogradin, çështje këtë që asnjëherë nuk e mohoi dhe as nuk e fshehu bashkë me ato që duhej t’i kishte si çmim. Edhe pse ky pragmatizëm politik atë e ktheu në “tradhtar”, megjithatë, lidhja e politikës shqiptare me Beogradin dhe vasaliteti ndaj tij, jo vetëm që nuk u përjashtua, por ndodhi që në të gjitha fazat e mëtutjeshme të rrugëtimit të shtetit shqiptar, nga ato monarkike dhe ideologjike, Serbinë dhe Jugosllavinë e pati si referencë dhe mentor madje.

Ndaj, libri i Ikonomit, mund të duket paksa “ndryshe”, jo pse Toptanit ia heq hipotekën e “njeriut të Beogradit”, të kthyer në kredo politike “të shpëtimit të Shqipërisë”, që si fakt politik nuk do të lejohej assesi nga italianët dhe aleatët e tyre, të cilët objektivisht qëndrojnë pas atentatit në Paris, por pse atë e kthen në pararendës të politikanëve shqiptarë (nga Zogu e deri te Enver Hoxha), që nuk do të vonojë dhe praktikisht shtetin shqiptar e kthyen nën tutelën e Beogradit, me lëshime territoriale dhe marrëveshje politike tejet të dëmshme për Shqipërinë dhe Shqiptarët, pa u anatemuar “për tradhtarë”!

Si i tillë, libri i Ikonomit, është i veçantë, i dobishëm politikisht dhe meriton vëmendje të madhe, ngaqë, formula e njohur e “esadizmit”, si “kod tradhtie”, në raportet me Beogradin, demistifikohet në “pragmatizëm politik” edhe në rrethanat kur politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë Perëndimi ia përcakton sjelljet dhe kufijtë./KultPlus.com

Mbahet në bibliotekë ‘Marin Barleti’, ngjarja letrare ‘Letërsia, përtej…’

Mbrëmjen e 25 Tetorit, në sallën “Koliqi” pranë Bibliotekës Publike “Marin Barleti” u mbajt ngjarja letrare “Letërsia, përtej…”

Në qendër të kësaj ngjarje ishte shkrimtari i mirënjohur Ridvan Dibra dhe shkrimtari i ri Andreas Dushi.

Aktiviteti ishte organizuar në formën e një bisede me të dy autorët, Dibra dhe Dushi. Lidhur me veprën letrare të këtyre autorëve folën poetja dhe studiuesja e re Klevisa Bardeli, shkrimtari Liridon Mulaj, shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati.

Në mbyllje të takimit, Biblioteka Publike “Marin Barleti” dorëzoi çmimet: “Koliqi” Çmimi i Karrierës, për shkrimtarin Ridvan Dibra dhe “Koliqi” Çmimi për Shkrimtarin e Ri, Andreas Dushit. Këto çmime u bënë të mundura me mbështetjen e zotëri Admir Lani, i cili jeton aktualisht në Vjenë, me dëshirën e mirë për të evidentuar letërsinë dhe shkrimtarët shkodranë, pikërisht në tempullin e librit./KultPlus.com

Thesari im

 Charles BAUDELAIRE

Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë.
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithçka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im!

Përvjetori i çlirimit të Kepit të Rodonit nga Skënderbeu

Më 26 tetor 1467, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Kepin e Rodonit dhe kështjellën e tij strategjike.

Kjo kështjellë ishte pronë e familjes së Kastriotëve, dhuratë nga Princi Karl Topia për Pal Gjon Kastriotin. Kështjella u ndërtua me rastin e martesës të Mbretit e Mbretëreshës, Gjergj e Donika Arianiti Kastrioti (1451). Skënderbeu i kërkoi Venedikut ta ndihmojë, për të rindërtuar kështjellën e shkatërruar nga betejat. Duke pasur frikë forcimin e Skënderbeut dhe të shqiptarëve, Venediku e refuzoi kërkesën e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit u bë vendvarrimi i Princeshës Mamica me dy fëmijët e vet. Gjithashtu u bë fortesa e sigurisë së lartë për familjen Kastrioti. Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit, Mbretëresha Donikë u arratis me birin e vetëm, princin Gjon Gjergj Kastrioti. /atsh / KultPlus.com

Syt’e tu vetëtimtarët

Poezi nga Lasgush Poradeci

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht./KultPlus.com

“Sounds of Unity”, muzika bashkon artistët në Ditën e Kombeve të Bashkuara

Një koncert i paharrueshëm ka “festuar” përmes fuqisë së muzikës bashkimin e njerëzve në Ditën e Kombeve të Bashkuara. Si pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare në Shqipëri, duke sjellë një përzierje unike talentesh dhe shpirt komunitar, ky koncert ka marrë vëmendjen e shumë artistëve dhe artdashësve shqiptarë dhe të huaj.

“Koncerti nisi me AJS Quartet, që solli një kombinim të jashtëzakonshëm të Jazz-it dhe Ethno Jazz-it. Më pas, Kori i Tiranës u bashkua me korin “Joy of Singing”, i përbërë nga individë me vështirësi në shikim, dhe Korin e Fëmijëve, duke e kthyer mbrëmjen në një festë magjike plot emocion. Publiku u përfshi në çdo notë muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Muzika, emocionet dhe repertori me këngët më të bukura botërore e shqiptare na bashkuan të gjithëve në një natë që do të mbahet mend gjatë”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Turizmi kulturor nuk ka sezon në Krujë, Hafizi: 160 mijë vizitorë në qendrën muzeore

Në Krujë vitet e fundit turizmi kulturor nuk ka sezon.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik i Krujës gjallërojnë nga turistët edhe gjatë muajit tetor.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “qendra muzeore e Krujës ka shënuar këtë vit një fluks të lartë vizitorësh. Nga fillimi i vitit deri tani qendra muzeore e është vizituar nga mbi 160 000 vizitorë vendas e të huaj”.

“Ndërsa mbi 12 000 vizitorë janë shënuar nga  fillimi i muajit tetor deri tani. Një vizitë interesante zhvilluan në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” rreth 50 operatorë turistikë nga Franca, të cilët shfaqën interes për historinë e popullit shqiptar dhe të heroit kombëtar Skënderbeu”, tha Hafizi.

Hafizi u shpreh se gati tre muaj pas rihapjes së Muzeut Etnografik të Krujës mijëra vizitorë vendas e të huaj kanë treguar interes për trashëgiminë kulturore dhe traditat shqiptare.

“Përveç turistëve të huaj në muajt shtator dhe tetor kanë rinisur edhe ekskursionet e nxënësve nga Kosova”, shtoi ai.

“Ka ditë që i kalojnë mbi 1 mijë vizitorë në ditë, kryesisht gushti kishte më shumë, por edhe tani vazhdon i njëjti trend”, tha Hafizi.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik./atsh/KultPlus.com

‘Spaske pas një pikë mëshirë’, nga Nazmie Hoxha

Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Ajo ka lidur më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.

KultPlus ju sjell këngën ‘Spaske pas nje pike meshire’:

S’paske pas nji pik mëshire
Qysh pësova unë ksi soj
Xhanëm aman
Qysh pësova unë ksi soj

S’pres prej teje far të mire
Veç me m’fol o njiher me goj
Xhanëm aman
Veç me m’fol o njiher me goj

Pse m’ke marrë ti kaq mëni e
S’çohet jeta me inat
Xhanëm aman
S’çohet jeta me inat

Fol me gojë o syn oj zi e
Mos ke frikë o se bën mëkat
Xhanëm aman
Mos ke frikë o se bën mëkat

Paske pas moj zemrën hekur
Qysh durove mori xhan
Xhanëm aman
Qysh durove mori xhan

Përveç teje nuk du tjetër
Trëndafil o në Elbasan
Xhanëm aman
Trënadafil o në Elbasan

Kur më than se u zemru xhanani
Mu ma mir t’më kishin vra
Xhanëm aman
Mu ma mir o t’më kishin vra

Si t’më çitnin prej Elbasanit
Nuk e ndroj o t’shkretën sevda
Xhanëm aman./KultPlus.com

‘Vajza para një pasqyre’, nga Pablo Picasso (një nga veprat e preferuara të tij)

Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.

Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al

Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.

Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e aktorit të famshëm, Leslie Jordan

Aktori dhe komediani Leslie Jordan, i njohur për rolet e tij në seriale si ”Will & Grace” dhe ”American Horror Story” dhe për videot e tij frymëzuese gjatë pandemisë, ka vdekur më 25 tetor 2022, pas një aksidenti me makinë në Hollywood.

Jordon fitoi një çmim Emmy, në vitin 2006, për rolin e tij si Beverley Leslie në serialin hit ”Will & Grace”.

Jordan, gjithashtu u bë i njohur pas videove të tij komike, të cilat u bënë virale gjatë muajve të parë të pandemisë./atsh / KutPlus.com

Rama ndan pamje nga Valbona: Rrezet e para të ditës ndriçojnë krejt luginën

Një mozaik natyror magjepsës të ofron në këto ditë vjeshte Lugina e Valbonës, një prej mrekullive të papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të lumit Valbona në stinën e vjeshtës.

“Gurgullima e lumit të Valbonës teksa rrezet e para të ditës ndriçojnë krejt luginën”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Vjeshta me temperaturat e ngrohta që ka dhuruar këtë vit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë luginën e Valbonës.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Ajo shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. La statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.

Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.

Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron.

Udhëtimi nis përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet.

Kaltërsia e Valbonës, është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë ti kenë majat e mbuluara me dëborë./atsh/KultPlus.com

Mes performancave të jashtëzakonshme e skenës magjepsëse, nis Festivali i Këngës në RTK

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, nisi edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kjo e cila që në nisje premtonte emocion dhe spektakël. Në një sallë të transformuar në një hapësirë madhështore nga Rudina Xhaferi dhe Shqipe Kamberi, u hap maratona muzikore me pjesëmarrjen e 16 këngëtarëve të talentuar, të cilët garojnë për të fituar vendin e parë, shkruan KultPlus.

Festivali u hap me energjinë e artistes Dea Strica, e cila solli këngën “N’Shqipni”, më pas, Greta Azizi interpretoi këngën “Veres”, duke e vazhduar këtë atmosferë të ngrohtë. Agim Poshka dhe Jehona Lumi ishin gjithashtu në skenë me këngët e tyre, “Ndarja erdhi” dhe “Shko”, duke krijuar një fillim të fortë për festivalin.

Pas kësaj pjese, skenën e ndau fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, ‘La Fazani’, i cili emocionoi të pranishmit me interpretimin e këngës fituese “Oj Kosovë”.

Mbrëmja vazhdoi me një sërë këngëtarësh, duke përfshirë Rei Bezhani me “Zonja tradhëti”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, dhe Ardita Begu me “Fundosu në dritë”. Këto performanca ishin prova e potencialit të jashtëzakonshëm të artistëve.

Pas këtyre këngëve garuese, në skenë u ngjit këngëtari i njohur shqiptar, Ylli Limani, i cili dhuroi emocione teksa interpretoi këngën e tij ‘Ty’.

Pas kësaj shkëputje në skenë u ngjit këngëtari Bledi Kaso solli këngën garuese “Një të vetme ka në jetë”, ndërsa Ardit Stafaj këndoi “Faji”. Santino De Bartola ishte gjithashtu pjesë e skenës me “Unë jam arbëresh”. Mbrëmja vazhdoi me Endrit Krasniqi dhe këngën “Flas me gjethen” si dhe Besmir Shishko “Unë – Ajo”.

Ndërkaq, të ftuar në këtë ngjarje madhështore ishin edhe grupi legjendar Elita 5, të cilët ndezën atmosferën me disa nga këngët e tyre epike si “Faleminderit”, më fal dhe “Naten e Mire”.

E mbrëmja kulmoi me performancën elektrizuese të Aurela Gaçes, e cila ndezi skenën me performancën dhe paraqitjen e saj. Lëvizjet dhe interpretimi që e karakterizojnë i dha edhe më shumë ngjyrë edicionit të dytë të këtij festivali.

Pas këtyre performancave, festivali vazhdoi me interpretimet e tjera, duke përfshirë Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, Luna Çausholli me “Dielli të më shoh”, dhe u përmbyll me Bruna Sata “Ti je i pa shpirt”.

Pas përfundimit të të gjitha këngëve garuese, për KultPlus foli djetori artistik i këtij festivali, Florent Boshnjaku, i cili shprehet i lumtur për rezultatin që e kanë arritur pas gjithë asaj pune.

“Jam i lumtur që ka shkuar shumë bukur, ka pasë këngëtarë që për herë të parë janë ngjitur në skenë të tillë dhe normalisht ato emocione janë vërejtur dhe ndoshta aty-këtu ndonjë mos përshtatje me skenën është tepër e madhe, kuptohet edhe me orkestrën live me këndu nuk është e lehtë, kështu që është e kuptueshme, mirëpo besoj se ka qenë një natë shumë e bukur për publikun, publiku edhe në sallë por edhe në ekrane besoj se e ka shijuar”, tha Boshnjaku i cili theksoi më tutje se edhe ata vetë kanë mbërritur në pikën që ta shijojnë koncertin dhe jo vetëm ta bëjnë punën e tyre.

Për KultPlus foli edhe artisti Ardit Stafaj, i cili tha se çdo gjë në këtë mbrëmje shkoi mirë dhe për të ishte emocion i madh që të rikthehet në skenë pas disa vitesh pauzë.

“Për mua, ky festival është një gjë e jashtëzakonshme, mirëpo pas disa vitesh rikthimi në skenë ishte një emocion i veçantë, në një skenë gjigante siç ishte kjo sonte, aq më tepër kur këndohet live, ka qenë një emocion që më kishte munguar për kohë. Për mua, sikur për shumë këngëtar sa herë që paraqitem në skenë më duket sikur për herë të parë po dalim sepse emocioni e bën të veten”, tha Stafaj duke shtuar se çdo gjë sipas tij ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, ju kujtojmë se sonte mbahet nata e dytëv ku juria e përbërë nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Valbona Selimllari, miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore do të të përgjedhin këngët që do të kalojnë për natën e tretë ku edhe do të shpallet kënga fituese./KultPlus.com

“Më mirë me quaj plakush, kështu rimohet me rrush”

Sot më 25 tetor bëhen plotë 85 vite nga lindja e shkrimtarit Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.

Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.

Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”

Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.

Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.

Rifat Kukaj, vdiç më 11 shtator 2005.

KultPlus më poshtë ju sjëll një nga poezitë e tij:

Ti një kokërr unë një kokërr

mos më quaj plak

sepse s’kam deshirë aspak

që të bëhem plak zemerak

e të t’rrah me dajak

më mirë me quaj plakush

kështu rimohet me rrush

e rrushin e do gjithkush

e trillojmë një kalavesh

që i thonë edhe vile

e mirremi vesh

dhe e ndajmë pa hile

ti një kokërr

unë një kokërr

ti një kokërr

unë një kokërr

mos u nxito, kalaveshi është i madh

ti një kokërr

unë një kokërr

ti një kokërr

unë një kokërr

deri te kokrra e fundit

ti më sheh me lakmi drejt në sy

unë e marr e ta jap ty

prandaj më mire më quaj plakush

se sa plak

më mirë të hash rrush

se sa dajak/ KultPlus.com

Media britanike “Belfast Telegraph”: Udhëtim përgjatë peizazheve mahnitëse të Shqipërisë

Udhëtuam përgjatë peizazheve mahnitëse të Shqipërisë, një vend përrallor plot surpriza, shkruan Rebecca Hay në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Belfast Telegraph”.

Linjat ajrore me kosto të ulët kanë rritur numrin e turistëve që shkojnë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Një aeroport i ri do të hapet në Vlorë në jug të vendit, në mars 2025. Shqipëria po hapet për turistët!

Dhe të gjithë përjetojnë një kënaqësi pasi vendi mesdhetar është plot magjepsje. Ndërsa fluturoni për në Tiranë, malet dhe kodrat rrethojnë aeroportin i cili ka ndenjëse në natyrë ndërsa prisni të hipni.

Dy vjet më parë, Tirana u shpall “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dhe është plot emocione dhe aktivitete dhe mundësi të reja në zhvillim.

Duket se kryeqyteti shqiptar po ecën mirë, me vendasit të prirur për të përqafuar ndryshimet dhe për të mirëpritur botën në cepin e tyre të vogël.

Zgjerimi i Tiranës është mbështetur nga kompani të mëdha duke përfshirë “Hilton”, i cili hapi hotelin e tij të parë në 2018.

Hoteli “Hilton Garden Inn” ndodhet pesë minuta me autobus nga qendra e qytetit dhe është mjedisi i përsosur për të eksploruar Tiranën.

Me pamje të mrekullueshme në të gjithë qytetin, ky hotel modern ka ambiente të shkëlqyera, staf miqësor dhe mëngjese të bollshme.

Dhomat me përmasa të bollshme kanë krevate jashtëzakonisht komode, orendi moderne qetësuese, teknologjinë më të fundit dhe një mini bar të kompletuar me ujë falas.

Një palestër dhe lavanderi në katin e fundit është e hapur për mysafirët dhe restoranti i ajrosur ofron shije lokale, ushqim dhe lëngje të shijshme gjatë gjithë ditës.

Është e mrekullueshme të provosh ushqimin shqiptar të servirur me stil dhe shefat e kuzhinës janë të gatshëm t’ju rekomandojnë çdo gjë që mund t’ju josh.

Një mënyrë e mrekullueshme për të zbuluar se sa i bukur është vendi mesdhetar – do të ishte përmes një turneu me autobus që nis me kryeqytetin, Tiranën.

Udhëtoni përgjatë monumenteve kryesore, duke përfshirë Sheshin Skënderbej, sheshi kryesor i qytetit që mban emrin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, heroi kombëtar për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.

I dominuar nga një monument i madh, Sheshi është pika kryesore e takimit të qytetit – me një sipërfaqe  prej 40,000 metra katrorë, është një nga më të mëdhenjtë në botë.

Aty pranë është Piramida magjepsëse, e cila fillimisht u ndërtua si muze, por tani është një qendër e mrekullueshme teknologjike.

Xhamia e Et’hem Beut ka pemë, ujëvara dhe ura dhe është mbyllur gjatë sundimit komunist.

Arti është i rëndësishëm në Tiranë dhe dy ish-bunkerë të Luftës së Ftohtë janë shndërruar në muze “Bunk’Art”.

“Bunk’Art 1” ndodhet në periferi të qytetit dhe pasqyron një histori gjithëpërfshirëse, ndërsa “Bunk’Art2” i kushtohet pikturave të rëndësishme.

Gjurmët për të kaluarën zbulohen në Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete, i njohur gjithashtu si “Shtëpia me Gjethe”.

Larg jetës së qytetit dhe katër orë me makinë mes disa prej peizazheve më mbresëlënëse të Shqipërisë ndodhet Riviera mahnitëse.

Saranda është e vendosur mes detit Jon dhe kodrave me ullishte.

Me një gji në formë patkoi, të rrethuar nga plazhe dhe një shëtitore, Riviera është një vend hyjnor për t’u vizituar.

Mbetjet e qendrës, ku jetonin familjet e pasura hebreje, ruhen gjithashtu.

Në krye ndodhet Kalaja e Lëkurësit e shekullit XVI, nga ku mund të shihni pamjen e qytetit, Sarandës.

Në fakt, e gjithë vija bregdetare është mahnitëse. Vizitoni qytetet bregdetare, Durrësin dhe Vlorën.

Pranë Sarandës ndodhet fshati Ksamil, i quajtur nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet Evropiane”.

Parkut Kombëtar të Butrintit, është i njohur për vajin e ullirit, limonët dhe mandarinat e tij dhe është shndërruar nga një fshat i fjetur në një strehë për kërkuesit e diellit që dynden në plazhet e bardha dhe ujërat bruz për t’u çlodhur dhe rimbushur.

Aty pranë ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s plot me histori mesdhetare, që daton 50,000 para Krishtit.

I mbuluar nga pemët, ju mund të endeni dhe të admironi artefaktet e frymëzuara nga romakët dhe grekët – si dhe të eksploroni një muze të mbushur plot me statuja dhe vepra arti.

Në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drin ndodhet qyteti i bukur i Gjirokastrës, i mbrojtur nga UNESCO.

Është thjesht e këndshme të shëtisësh përreth, në rrugët me kalldrëm dhe kafenetë e vogla familjare.

Vera është e nxehtë dhe një mënyrë e shkëlqyer për t’u freskuar është një vizitë në Syrin e Kaltër, një burim natyror jashtë Sarandës. Qendra e errët e saj është e ngjashme me bebëzën e syrit të njeriut.

Gjatë rrugës, liqeni dhe lumi i bukur aty pranë mund të përdoren për kanoe.

Noti në Syrin e Kaltër është i ndaluar pasi është ftohtë dhe potencialisht i rrezikshëm pasi presioni i pranverës të detyron të rikthehesh sapo të hidhesh, por njerëzit e shohin burimin shumë joshës dhe gjithsesi zhyten!/atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Operës, TKOB aktivitet me nxënësit e shkollave “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”

Në Ditën Botërore të Operës, një aktivitetet artistik ka bërë bashkë nxënësit e dy shkollave në kryeqytet, “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”, të cilët u bashkuan me stafin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për të zbuluar magjinë e prapaskenave të këtij institucioni.

“Pasi ndoqëm pak nga provat regjisoriale të operës “Tosca,” e cila vjen këtë fillim nëntori në TKOB, vizituam arkivin, ku përveçse mësuam shumë gjëra të reja për operën, u surprizuam edhe nga Papageno dhe Papagena nga opera “Flauti Magjik”, të cilët po i bënin rrengje njëri-tjetrit.

Më pas, vërshuam drejt skenës, ku Serpina nga opera “La Serva Padrona” po kërkonte të gjente Umberton dhe na la edhe ne një porosi për të, nëse e shikonim korridoreve. Për të mësuar më shumë mbi operën, u futëm së bashku në zemër të teatrit, aty ku skenografitë dhe kostumet marrin jetë. Në fund, njëzëri, lamë një mesazh për të gjithë miqtë tanë të vegjël: “Ejani në Opera!””, mbyllet kështu thirrja e TKOB-së në këtë ditë të rëndësishme për Operën si zhanër artistik, por jo vetëm./atsh/KultPlus.com

Një vit nga vdekja e aktorit legjendar Richard Roundtree

Sot janë bërë një vit nga vdekja e aktorit legjendar Richard Roundtree, i cili ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Ai bëri historinë e filmit me rolin e tij si ‘Shaft’.

Me interpretimin e tij në filmin “Shaft” ai u nominua për çmimin “Ylli i Ri i Vitit” në Golden Globes në 1972.

Ai ishte shfaqur edhe në vazhdimet e filmit ‘Shaft’s Big Score!’ dhe trilogjinë “Shaft In Africa” ​​të vitit 1973, dhe gjithashtu luajti në serialin televiziv “Shaft” të vitit 1973.

Ka marrë pjesë edhe në filmat “Rrënjët”, “Një herë … Kur ishim me ngjyrë”, “Man Friday”, “Shaft’s Big Score!”, “Shaft në Afrikë”, “Tërmete”, “Ikje në Athinë”. “, “Forca kundërshtare”, “Polic Maniac”, “Shtatë”, “George of the Jungle”, “Corky Romano”, “Brick”, “Speed ​​Racer” dhe “What Men Want”./KultPlus.com