11 qershor 1999, futja e NATO-s në Kosovë dhe çlirimi nga pushtimi serb

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.

Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

Kosova në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të vititi  1968

DEMONSTRATAT HISTORIKE TË VITI 1968

Nga Jusuf BUXHOVI

Mbyllja e diskutimeve publike ku kërkohej që Kosova të fitonte statusin e republikës si dhe tërheqja nga ajo e udhëheqjes politike të Kosovës para trysnisë serbe dhe kompromiseve të udhëheqjes jugosllave me atë serbe, nuk e kishte mbyllur këtë çështje. Përkundrazi, fryma e saj nuk kthehej mbrapa. Këtë e dinin të gjithë. Por, çështje ishte si do të drejtohej ajo dhe nëpër çfarë koniunkturash do të kalonte e gjitha,veçmas kur në vend, tek studentët, kishte filluar fryma e lëvizjeve, që asokohe  përhapeshin në Paris, Berlin dhe qendrat tjera evropiane me moton për ndryshime demokratike. Natyrisht, se në kuadër të këtyre ndryshimeve demokratike duhej nxjerrur edhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”.

Andaj, ishte fare e natyrshme që kërkesa për “Republikën e Kosovës”  duhej të kalonte te studentët dhe te rinia,  të shpalosej publikisht, si një kërkesë demokratike e cila ishte në përputhje me konceptin që ishte shfaqur gjatë diskutimeve publike, me ç’rast ajo ishte arsyetuar me të drejtën për vetëvendosje.

Dhe, si e tillë, kërkesa për Republikën e Kosovës, do të kthehet në moto të demonstratave gjatë tetorit dhe nëntorit në disa qytete të Kosovës (Prizren, Pejë, Istog, Gjilan, Podujevë, Besianë, Ferizaj, Mitrovicë, Therandë, por edhe në Tetovë dhe Ulqin) për t’u përmbyllur me atë të Prishtinës më 27 nëntor, e cila njëherësh ishte demonstrata më e fuqishme që ishte parë ndonjëherë në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.

Natyrisht se demonstrata madhështore e Prishtinë si dhe ato që i paraprinë asaj anembanë nuk kishin pikur nga qielli e as nuk ishin “tubime spontane”. Ato kishin organizatorët e tyre (kryesish studentë dhe veprimtarë të tjerë nga Lëvizja e gjerë e rezistencës), që për mentorë të drejtpërdrejtë kishin klasën intelektuale të Kosovës, e cila kishte ndërtuar konceptin ideor të tyre me shumë guxim dhe vizion politik.

Kishte këtu edhe një ndryshim të madh, që po ashtu shfaqej historik, meqë kërkesa për Republikën e Kosovës e barabartë në Federatën Jugosllave, pra si kërkesë për barazi brenda federatës jugosllave, zëvendësonte atë për bashkimin kombëtar, pra me Shqipërinë, me mjete revolucionare.

Megjithatë, e përbashkët e këtyre kërkesave, pra e barazisë me Republikën e Kosovës dhe e bashkimit me Shqipërinë, kishte mbetur parimi i vetëvendosjesderi në shkëputje, që  buronte nga teoria leniniste. Në nivelin e një platforme shfaqej edhe në Programin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, që e kishte themeluar A. Demaçi në vitin 1964.

Kështu, kërkesat që deri më dje ishin ilegale, tash bëheshin legale. Por,  parimet revolucionare ua kishin lëshuar vendin atyre demokratike, gjë që paraqiste një ndryshim të madh.

Duhet thënë se demonstratat  me kërkesën për republikën e Kosovës gjatë muajit tetor dhe nëntor në shumë qytete të Kosovës, por më vonë edhe në Tetovë dhe Ulqin, filluan në Prizren më 6 tetor 1968.

Prizreni si pikënisje nuk ishte i rastësishëm, kur dihej se aty ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 – ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqiptarëve, prej nga do të drejtohen që të gjitha zhvillimet të cilat do të çojnë te pavarësia kombëtare e vitit 1912. Andaj, demonstratat e Prizrenit, me kërkesën për Republikën e Kosovës,  duhej të vënin në veprim, një proces të papërfunduar historik drejt zgjidhjes së drejtë.

Tubimi i demonstruesve u bë pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas nderimeve që iu bënë prijësve të Lidhjes, masa e demonstruesve iu drejtua qendrës së qytetit me ç’rast, te Shatërvani i njohur u nxorën kërkesën për Kosovën Republikë.

 Kështu, Prizreni u bë vendi i parë ku në një demonstratë të madhe u kërkua publikisht Kosova Republikë. Ishin, pra këto demonstratat e para të Shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore ku Shqiptarët po kërkonin barazi, e cila ua kthente të drejtën e vetëvendosjes dhe mundësinë t’i sendërtojnë të drejtat e tyre historike.

Pas kumtit të madh që u dha në Prizren dhe jehonës që bëri në të gjitha anët, fryma e demonstratave përfshiu gjithë vendin. Pas dy ditësh, të njëjtat u mbajtën edhe në Suharekë (Therandën e sotme).

Një demonstratë tjetër e rëndësishme që u mbajt gjatë tetorit, ishte edhe ajo e Pejës. Demonstratat u mbajtën më 19 tetor.

Pas demonstratave të suksesshme të tetorit që filluan në Prizren dhe përfunduan në Pejë, lëvizja demonstruese zuri të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, por qëllimisht u prit dita e 27 nëntorit që ato të mbaheshin njëherësh në disa qytete, gjatë ditës: në Gjilan, Besianë, Mitrovicë e Ferizaj, ndërsa pas dite ato përfundimtare në Prishtinë.

Demonstratat në Gjilan u nisën nga oborri i Shkollës Normale dhe Gjimnazit. Demonstruesit bartnin fotografitë e Marksit, Engelsit dhe të Titos si dhe flamurin kombëtar shqiptar bashkë me atë jugosllav. Demonstruesit kishin edhe pankartat me parullat e shkruara: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitetin” dhe të tjera.

Me këto parulla demonstruesit kaluan nëpër rrugën kryesore të qytetit deri te stacioni i autobusëve për t’u kthyer në vendin prej nga ishin nisur.

Në të njëjtën ditë, demonstrata u mbajtën edhe në Podujevë (Besianë) dhe në Mitrovicë. Në Podujevë, demonstratat ishin të suksesshme dhe masive, ndërsa në Mitrovicë, u penguan nga policia, e cila mori masa të mbeteshin të kufizuara. Edhe në këto qytete u hodhën të njëjtat parulla, siç ishin ajo për Kosovën Republikë, pastaj për Kushtetutën, Universitetin dhe për liri e barazi.

Krahasuar me demonstratat në Gjilan, në Podujevë dhe në Mitrovicë, që kaluan pa ndonjë incident, ato në Ferizaj u përcollën me ndërhyrjen e policisë, e cila përdori forcën që të pengojë parakalimin demonstruesve në qendër të qytetit.

Demonstratat e tetorit dhe të nëntorit, do të kurorëzohen me ato që u mbajtën në Prishtinë pasditen e 27 nëntorit 1968 për të vazhduar deri në orët e mbrëmjes.

Osman Dumoshi, në emër të “Komitetit të demonstruesve”,  parashtroi kërkesat prej shtatë pikash:

1. Realizimi i plotë i të drejtave kombëtare;

2. Populli ynë duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat që i gëzojnë të tjerët;

3. Përmirësimi i shpejtë i kushteve ekonomike-sociale;

4. Realizimi i plotë i vendimeve të Plenumit të Katërt. Largimi i plotë i të komprometuarve nga vendet udhëheqëse, si dhe nga SPB-ja;

5. Realizimi i vendimeve të Plenumit të Dhjetë Krahinor, gjegjësisht për-mirësimi i strukturës së të punësuarve në vendet udhëheqëse;

6. Përmirësimi i kushteve të studimeve dhe jetës së studentëve, si dhe përmirësimi i strukturës sociale dhe kombëtare të studentëve, dhe;

7. Vendosja e kontrollit shoqëror mbi pasurinë e fituar nëpërmes spekulimeve dhe keqpërdorimeve të pasurisë shoqërore.

Ndryshimi politik që prodhuan demonstratat e tetorit dhe të nëntorit të vitit 1968, vula e të cilave u dha në ato të 27 nëntorit në Prishtinë, nuk do t’u shkojë për shtati atyre që nuk donin këtë sjellje të Shqiptarëve. Meqë ato ndryshonin stereotipat mbi të cilët qëndronte lëvizja kombëtare, e cila luftën çlirimtare nga pozitat e veprimit ilegal me mjete revolucionare që shkonin deri te lufta e hapur në rrethanat e bipolaritetit blokist dhe luftës së ftohtë bartte rrezikun e madh që pikërisht Shqiptarëve t’u kthehej në një bumerang tjetër historik, e  kthente në luftë të hapur për barazi kombëtare, që për moto kishte Republikën e  Kosovës, e cila duhej të arrihej në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike. Këtë rrugë nuk mund ta luftonte haptas as Lindja (Moska), edhe pse do të mundohet që edhe më tutje ta shpërfillë me inspirimin “irredentizmit ideologjik” nga ilegaliteti. Ndërkohë që Perëndimi, kishte interes për diçka të tillë, veçmas kur ajo i shkonte për shtati forcimit të kursit federalist të Jugosllavisë, i cili e largonte atë sa më shumë nga ndikimet e mundshme të Bashkimit Sovjetik pas  kohës së Titos.

Kjo u pa edhe nga përdorimi i forcës ndaj demonstruesve, ku pati shumë të lënduar dhe  një të vrarë, i riu Murat Mehmeti. Pra, demonstratat e qeta u provokuan nga organet policore, që me çdo kusht ishin të interesuara që demonstratave të  Prishtinës t’u mjegulloheshin kërkesat politike, siç ishin ato për Republikën e Kosovës, me paraqitjen si “orgji vandale nacionaliste dhe shoviniste”!

Edhe përkundër këtyre provokimeve të rënda si dhe infiltrimit të bashkëpunëtorëve të shumtë në radhën e demonstruesve që të thuheshin parulla me përmbajtje ideologjike dhe shoviniste, me të cilat policia jugosllave ishte munduar vazhdimisht të anatemonte kërkesat e drejta të Shqiptarëve, organizatorët e demonstratave ia dolën që ta ruajnë konceptin e tyre si kërkesa të drejta dhe demokratike dhe qëllimin e shtruar.

 Demonstratat nuk do të vazhdojnë të nesërmen, siç ishte paraparë. Nuk do të ketë as bisedime me “Këshillin e demonstruesve”. Sepse, të nesërmen, rrugët e Prishtinës kishin gdhirë me kordonët e shumtë të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që praktikisht kishin vendosur gjendje të pashpallur policore-ushtarake.

Po atë ditë kishin filluar edhe burgosjet e organizatorëve të demonstratave, me ç’rast prapa grilave do të gjenden: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Hasan Dërmaku, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli, Iliaz Pireva, Skënder Kastrati dhe Afrim Loxha.

Procesi gjyqësor në Prishtinë përfundoi më 7 prill 1969. Në të gjitha seancat të pandehurit deklaruan se kishin vepruar me paramendim dhe me bindjen e plotë se demonstratat në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë ishin në përputhje me të drejtën e Shqiptarëve për vetëvendosje, e cila edhe atyre u takonte, e drejtë kjo nga e cila ishin privuar dhunshëm. Republika e Kosovës ishte quajtur një zgjidhje e natyrshme dhe e pashmangshme e cila ishte në të mirë të Shqiptarëve, të Jugosllavisë, të Shqipërisë, por edhe të paqes dhe të stabilitetit europian.

Në fund, Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, i shpalli organizatorët e demonstratave të Prishtinës fajtorë dhe i dënoi me burg të rëndë: Osman Dumoshin, Selatin Novosellën dhe Hasan Dërmakun me nga 5 vjet burg; Skënder Kastratin dhe Xheladin Rekaliun me nga 4 vjet burg; dhe Adil Pirevën, Afrim Loxhën, Iliaz Pirevën e Skënder Muçollin me nga 3 vjet burg.

Përveç këtij gjykimi të organizatorëve kryesorë të demonstratës së Prishtinës, u dënuan edhe mbi 70 vetë me dënime të ndryshme. Kështu, u dënuan edhe Asllan Kastrati, më 6 muaj burg; Sylejman Kastrati, më 3 muaj burg; Bedri Novosella, Sylejman Pepshi dhe Halil Qosja, Ramadan Ramadani dhe Tefik Çeliku, me nga një muaj burg.

Ndër ato  ndryshime, gjithsesi më të rëndësishmet ishin ato që kishin të bënin me ndryshimet kushtetuese, të cilat, si do të shihet, çuan deri te ngritja e statusit të Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, si dhe te hapja e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Vetë Josip Broz Tito, në Kongresin e Nëntë të LKJ-së, që u mbajt pas pesë muajsh në Beograd, duke bërë fjalë për demonstratat e Shqiptarëve në Kosovë, pasi që në parim do t’i gjykojë, pos të tjerash do të marrë qëndrim pozitiv ndaj tri kërkesave, nga shtatë sosh, që ishin shtruar në demonstratën e Prishtinës:

l. Duhet përshpejtuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të ndryshohet gjendja e Krahinave autonome në dobi të përfaqësimit të tyre sa më adekuat në federatë në përputhje me nevojat e zhvillimit vetëqeverisës socialist;

2. Është obligim i bashkësisë sonë që në çdo pikëpamje ta mundësojmë zhvillimin sa më të shpejtë të Krahinës Autonome të Kosovës;

3. Sa i përket flamurit, për të cilin është folur mjaft, Shqiptarët duhet ta kenë flamurin, por ai flamur në çdo rast duhet të jetë në pajtim me sovranitetin shtetëror dhe integritetin e Jugosllavisë dhe për këtë duhet të nxirret dispozita e qartë.

(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2021, faqe 575-578)./ KultPlus.com

Në mbledhjen e Aktivit Politik të Gjakovës doli kërkesa për Republilën e Kosovës

Nga Jusuf BUXHOVI

Plenumi i Katër i Komitetit Qendror të LKJ-së i quajtur edhe Plenum i Brioneve, i mbajtur në fillim të korrikut të vitit 1966, me rrëzimin e linjës etatise të Rankoviqit, Titos ia krijoi mundësitë që kursin e vetëqeverisjes socialiste ta vërë në binarët e një procesi me ndihmën forcimit të federatës jugosllave jashtë mbikëqyrjes së Beogradit. Kjo hapte mundësitë për shqyrtimin e avancimit të pozitës së Kosovës si krahinë nga ajo në kuadër të Serbi në drejtim të federatës jugosllave. Në mbledhjen e Komisionit të Komitetit Qendror të LKJ për marrëdhënie ndërnacionale dhe ndërrepublikane, më 20 shkurt 1967, me rastin e shqyrtimit të tezave “Karakteri dhe roli i Federatës në kushtet e sistemit të vetëqeverisjes shoqërore dhe struktura e organeve të Federatës në lidhje me këtë rol”, përfaqësuesi i Kosovës në këtë Komision, Asllan Fazlia, paraqiti mendimin: “meqenëse të njëjtët faktorë që kanë sjellë krijimin e njësive federale – kanë sjellë edhe krijimin e njësive autonome, atëherë edhe shkalla e të drejtave të republikave dhe të krahinave autonome duhet të jetë e njëjtë, përkatësisht duhet të bëhet një hap më tutje në krahasim me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963 dhe bartja e të drejtave dhe e detyrave të Federatës në republika duhet të përcillet edhe me bartjen e të drejtave dhe të detyrave të republikës – në krahinat autonome.”

Propozimi i A. Fazlisë shkonte në disa drejtime: ose lidhje e drejtpërdrejtë e krahinave autonome me Federatën, ose themelimi i Serbisë federative me disa republika federale (autonome). Motoja e mendimit të tij ishte se “marrëdhëniet në republikë nuk janë zgjidhur si duhet”.

Këtë qëndrim e kishte pjesa më e madhe e klasës politike të Kosovës nga radhët e Shqiptarëve dhe kjo kishte rëndësi, meqë mbi këtë do të ndërtohet e gjithë strategjia e ngritjes së Kosovës në subjekt të federatës, me çka ajo mund të nxirrej nga tutela e Serbisë.

Meqë trysnia për ndryshime kushtetuese bëhej gjithnjë e më e madhe dhe ajo rëndom vinte nga Kroacia dhe Kosova, ku e para kërkonte forcimin e rolit të republikave në Federatë, ndërsa Kosova që të fitonte statusin e njësisë së barabartë federative duke e zënë në gojë gjithnjë e më shpesh edhe kërkesën për republikë, Komiteti Qendror i LKJ, në mbarim të vitit 1967 dhe në fillim të vitit 1968, e përcaktoi platformën ideopolitike dhe drejtimet e ndryshimeve kushtetuese mbi vlerësimin se meqë federalizmi është një proces dhe jo formulë, ishte e natyrshme që, me transformimet në shoqëri – të transformohej edhe Federata, madje në atë kuptim që në vend që të mbështetej në baza shtetërore, të mbështetej gjithnjë e më tepër në baza vetëqeverisëse.

Në përputhje me këtë platformë mund të pritej që udhëheqja politike e Kosovës, të përcaktojë platformën e vet, e cila përpiqej të ruante ekuilibrat e brendshëm politikë, por që për moto kishte të drejtën për vetëvendosje. Me këtë rast, referencat shkonin te Bujani, por edhe te vendimet me të cilat ishte themeluar Jugosllavia sipas parimit të vetëvendosjes që përfshinë edhe të drejtën e shkëputjes. Kështu, në prill 1968, Fadil Hoxha, kryetar i atëhershëm, i Kuvendit të Kosovës, duke folur për drejtimet e ndryshimeve kushtetuese, pos të tjerash tha:

“Konsiderojmë se disa gjëra na mungojnë. Ta marrim njërën nga tezat themelore – Jugosllavia është bashkësi e kombeve dhe e kombësive të Jugosllavisë, sepse, në qoftë se nuk është edhe bashkësi e kombësive të Jugosllavisë, atëherë kjo kombësi do të ishte jashtë ose mysafire apo diçka tjetër. Meqenëse kjo është bashkësi e kombeve dhe e kombësive, atëherë ky koncept duhet të shprehet në mënyrë konsekuente në tezat e Kushtetutës, madje jo vetëm në një paragraf të hyrjes, por gjithkund ku përmenden kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, kur është fjala se ato e përbëjnë këtë bashkësi si të tillë.”

Sipas Fadil Hoxhës, meqë statusi i krahinave autonome, si bashkësi më e gjerë shoqërore-politike, të krijuar në bazë të vetëvendosjes së popujve të këtyre krahinave në kuadrin e Federatës, është ndryshuar, atëherë ai duhet të kthehet në gjendjen burimore prej nga kanë dalë ato, që do të thotë se Kosova duhet ta fitonte të drejtën që të jetë pjesë e federalizmit, pavarësisht si do të definohet, duke pasur parasysh faktin se njësitë autonome në Jugosllavinë e re janë formuar në bazë të vendimeve të Seancës së Dytë e të Tretë të KAÇKJ, sipas parimit të vetëvendosjes që përfshin edhe të drejtën e shkëputjes.

Atë që Fadil Hoxha do ta prejudikojë në prill 1968 kur do të shtrojë çështjen e të drejtës burimore të Kosovës për vetëvendosje, të cilën ai dhe bashkërendimtarët e tij e kishin shprehur në Rezolutën e Bujanit, por që në përputhje me rrethanat e kohës (mbetjes së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë në kampin komunist nën ombrellën sovjetike), ishte anuluar në saje të pajtimit Tito-Enver Hoxha, që për pasojë do të ketë aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe futjen e dhunshme nën tutelën e saj, do të thuhet në gushtin e atij viti, në mbledhjen e Aktivit të Komunistëve në Gjakovë, prej nga do të dalë qëndrimi se “Kosova do të mund të bëhet republikë”.

Aktivi i Komunistëve të Gjakovës nxori këto konkluzione, të cilat njëherësh ishin kërkesa politike të Aktivit Politik të Kosovës, që jo rastësisht nga Gjakova i bëheshin të ditura opinionit të Kosovës dhe me këtë edhe atij jugosllav.

Pra, në Gjakovë u kërkua:

1. Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Jugosllavisë, kombësia shqiptare të emërtohet si kombi shqiptar,

2. Me kushtetutë dhe me ligj të përcaktohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar,

3. Krahina e Kosovës të shpallet R e p u b l i k a e K o s o v ë s.

Në këtë mbledhje dolën edhe këto kërkesa:

a) E drejta për v e t ë v e n d o s j e,

b) Në vend të statutit Kosova të ketë K u s h t e t u t ë n,

c) Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ Kosova të ketë 20 përfaqësues si republikat e tjera.

Qëndrimet e Aktivit Politik të Gjakovës u përkrahën me të shpejtë nga aktivet politike të të gjitha qyteteve të Kosovës. E rëndësishme ishte edhe përkrahja e Aktivit Politik të Prishtinë, ku reflektonte inteligjencia dhe kreu politik i Kosovës. Edhe aty, pas shumë diskutimesh u nxorën disa kërkesa:

– Që Kushtetua e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe e Republikës së Serbisë duhet të pranojnë të drejtën dhe dëshirën e Shqiptarëve për vetëvendosje;

– Që krahina duhet të bëhet njësi federale;

– Që të ndërrohet neni 2 i Kushtetutës së RSFJ-së dhe të insistohet që Jugosllavinë ta përbëjnë tetë njësi federale;

Në fund u tha se është e drejtë e çdo kombi dhe kombësie për të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Pra, duhet të kërkohet që Krahina të bëhet Republikë.

Nxjerrja e kërkesës për Republikën e Kosovës, pavarësisht reagimeve të Beogradit, në Kosovë kishte gjetur përkrahje të madhe dhe ishte kthyer në një atmosferë të paparë mobilizimi intelektual dhe politik në të cilin ishin përfshirë thuajse që të gjitha shtresat shoqërore shqiptare. Meqë kishin filluar diskutimet publike rreth ndryshimeve kushtetuese, qarqet intelektuale shqiptare në Kosovë, nga ato akademike (nëpër fakultete, institute, e deri te mjetet e informimit), do të vihen në krye të këtyre kërkesave.

Atyre do t’u bëhet jehonë në shtypin e Kosovës, bajrakun e të cilit e mbante gazeta “Rilindja” me botimet e saj, por do t’u bëhet jehonë e madhe edhe në atë të Beogradit (i cili kishte filluar t’i quante “ide nacionaliste dhe separatiste”), por edhe të qendrave të tjera, veçmas në Zagreb dhe Lubjanë, të cilave u mbahej isoja pse ngritja e statusit të Kosovës në atë të Republikës atyre ua krijonte mundësinë e mirë që përfundimisht të liroheshin nga rreziku i unitarizmit serb, i cili në Plenumin e Gjashtë të KQ të Serbisë në qershorit të atij viti, me rastin e prononcimit të Dobrica Qosiqit kundër ndryshimeve kushtetuese, veçmas atyre sipas të cilave Kosova të fitonte statusin e subjektit të Federatës, kishin marrë mesazhe të qarta se një ditë ai do të dilte në skenë, kur për këtë do ta gjente mundësinë (mendohej te koha pas Titos).

Intelektualët e Kosovës nuk do të ndalen para kërcënimeve të nacionalistëve serbë. Do të vazhdojnë të mbështesin kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e arsyetuar atë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje si dhe realitetet nëpër të cilat kishte kaluar Jugosllavia, pa marrë parasysh si dhe sa ishte trajtuar “vullneti” i Shqiptarëve në të gjitha fazat e konstituimit të saj dhe si ishte interpretuar ai për marrjen e vendimeve që nuk kishin qenë në përputhje me të, por që edhe si të tilla ishin deponuar në krijimin e Jugosllavisë, ndaj duhej që ato të shfrytëzoheshin.

Gjatë këtyre diskutimeve intelektualët shqiptarë rëndom përdornin parimin leninist të vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje dhe të zgjidhjes, që kishte pranuar edhe Kominterni dhe kishin qenë pjesë e platformës politike të komunistëve jugosllavë për zgjidhjen e problemeve nacionale në Jugosllavinë e Versajës, që nga Kongresi Themelues i Drezdenit në viti 1924. Me këtë rast, me të madhe përkujtohej Rezoluta e Kongresit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë e vitit 1928, e nxjerrë në përputhje me qëndrimet e Kominternit rreth rrënimit të Jugosllavisë si krijesë e Versajës, në të cilën, në përputhje me opsionin për rrënimin e një Jugosllavie të tillë të quajtur “burg popujsh”, bëhej fjalë për bashkimin e Kosovës Shqipërisë.

Duke u bazuar në këto dokumente dhe të ngjashme, historiani Ali Hadri përkujtonte se “duke shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, popujt e Kosovës ishin element kreativ në krijimin e Jugosllavisë së re”. Ndonëse ky “kreativitet” ishte i dhunshëm dhe në kundërshtim edhe me parimet ideologjike mbi të cilat ishte ndërtuar Jugosllavia e re. Duke e përkrahur vetëvendosjen si një çështje të rrethanave faktike, profesor Gazmend Zajmi, vlerësonte se “Kombësisë si kolektivitet i takon kjo e drejtë siç i takon edhe kombit”. Fehmi Agani kishte bërë të ditur se “duhet përkrahur të gjitha kërkesat që janë prezantuar si kërkesa të shumicës dërrmuese të popullsisë.” Ai theksonte“ se ato duhet të jenë kërkesat tona”. Ndërsa, Rezak Shala, prokuror krahinor, ngulmonte:

“Republika e Kosovës është imperativ i kohës dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë”.

Natyrisht se nga ana e intelektualëve shqiptarë gjatë bisedimeve kushtetuese do të dalin edhe shumë e shumë argumente të tjera të kësaj natyre. Por, pas një muaji, atyre do t’u ndalet hovi, e madje do të mbyllen fare, nga një reagim i udhëheqjes më të lartë partiake e Kosovës, e cila kishte dalë me qëndrimin se “opsioni i Republikës së Kosovës nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e kërkesave të komunistëve të Kosovës”, por ku theksohej angazhimi “për pasurimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në nivel të Federatës, në mënyrë që edhe në atë nivel të realizoheshin të drejtat e saj”.

Ishte më se e qartë se Tito dhe Kardeli, pasi që kishin vënë në peshojë dëshirat e Shqiptarëve si dhe qëndrimin e Serbëve, po ku ishte matë edhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar rreth kësaj çështje (ai europiano-perëndimor dhe sovjetik), veçmas ky i dyti, nga dilema e drejtë se mos pas marshimit të tyre në Pragë në vitin 1968, ata do të kërkonin pretekste nga reagimi serb për ndonjë ndërhyrje, kishin ardhur te përfundimi se Kosova dhe Vojvodina duhej ngritur në shkallën e njësive federative. Se duhej t’u jepej edhe konsensusi dhe subjektiviteti federativ. Por, me arsyetimin e forcimit të vetëqeverisjes dhe të jetësimit të barazisë së kombeve dhe të kombësive, formalisht duhej të mbete-shin të lidhura edhe me Serbinë.

Esencën e këtij kompromisi, që kishte ardhur nga lartë, më së miri do ta paraqesë vetë Fadil Hoxha, me të cilin, në nivelin politik të Kosovës, do të nisë dhe do të përfundojë hapja e çështjes së Kosovës Republikë:

“Nuk do të thotë se nuk mund të shtrohet çështja e Republikës… Por, duhet të vlerësojmë se çka është reale, vërtet reale dhe e mundshme në këtë drejtim të afirmimit të autonomisë, që do të thotë esenca të arrihet dhe, nga ana tjetër, të kuptohet se çka është dëshirë.”

Me këtë kompromis në Kosovë nuk do të pajtohej askush. Elita intelektuale dhe ajo shoqërore, e cila kishte marrë pjesë në diskutimet kushtetuese me kërkesën për republikën e Kosovës – si zgjidhje që ishte e dobishme për të gjithë, e me të cilën mund të ruhej edhe Federata Jugosllave nga sfidat serbe, me të cilat ajo patjetër se një ditë do të ballafaqohej – me të drejtë do të ndjehet e zhgënjyer, por edhe e tradhtuar madje.

Edhe pse kërkesa për Republikën e Kosovës në debatet publike nuk do të sanksionohet me ndjekje gjyqësore, siç do të ndodhë pak më vonë ndaj demonstruesve, megjithatë disa nga intelektualët e njohur do të anatemohen edhe si nacionalistë, me ç’rast disave do t’u merret drejtimi i katedrave, ose e instituteve, sado që nuk do të mbesin pa punë. Ngjashëm do të ndodhë edhe me disa nga prokurorët ose gjyqtarët, të cilët do të humbin postet, por jo edhe punën.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, 2021) /KultPlus.com

Kur informimi ishte çështje e kauzës kombëtare

Nga Jusuf Buxhovi

Konferencat për shtyp të LDK-së para stadiumit të Prishtinës.

Në fillim të marsit të vitit 1990, kur LDK-ja – parti e parë shqiptare me rreth 700 mijë anëtarë brenda një kohe të shkurtër kishte rrënuar gjithë strukturën politike të LKJ – së dhe si parti ishte më e fuqishmja dhe më e organizuarja në hapësira e ish Jugosllavisë, për t’ia ndalë turrin disi rritës dhe ndikimit të saj në sensibilizimin e opinioti jugosllav dhe atij ndërkombëtar , Beogradi urdhëroi ndalimin e konferencave për shtyp të LDK-së që mbante çdo të premte në orën 10 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve ku ishte e vendosur për ç’gjë ekzistonte inetesim i madh i shtypit vendor dhe veçmas atij ndërkombëtar. Meqë kumtesat e kësaj partie në shumë gjuhë dhe profesinalisht nl nivel të lartë, i vlersonte si zë i demosit shqiptar për liri dhe barazi.

Në këto rrethana, kur policia ia vuri drynat Shoqatës, Kryesia e LDK-së vendosi që konferencat për shtyp t’i mbajë rregullisht para stadionit të Prishtinës dhe në platonën e pallatit “Boro-Ramizi”.

Siç shihet edhe nga fotografitë e fotoreporterit të “Rilindjes”,Iliaz Bylykbashi, këto konferenca u ndoqën me interesim edhe më të madh nga shtypi vendor, jugosllav dhe ai botëror. Pas tri javësh, pas protestave të ambasadës amerikane në Beograd qendrës së të PENIT europian dhe shumë personaliteteve të tjera botërore, policia jugosllave, hoqi dryrin nga dyert e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe largoi forcat policore që e mbanin të rrethuar.

Ishte kjo një fitore tjetër e nadhe në raport me shtetin represiv jugosllav që kërkonte Kosovës t’i vihej perdja e territ informativ.

Kështu, pra, ishte asokohe, kur informini me plot rreziqe, ishte pjesë e kauzës kombëtare…/ KultPlus.com

Aty ku vrasësit kremtohen

Nga Jusuf Buxhovi

Në pjesën ballore te kodrinës, ku tufa bagëtishë kishin zënë pjesën ku do të përfundonte  Koloneli, Vlera e çmendur u ndal.

“Kolonelin  e vrarë do ta hudhin në gropën e coftinave…”

Gazetari amerikan, ende me tronditjet në kokë kur te lapidari i fundit turma e militanteve  me çirrjet shfrenuese “vdekje tradhëtarit”, arkivolin e Kolonelit e   mbuluan me një flamur të madh jugosllav,  sikur të kërkonte shpjegime, një copë herë, derdhi shikimin nga Vlora.

“Kjo është një hakmarrje ndaj njeriut që i kishte mbrojtur nga paramilitarët në çastet më të vështira, kur të tjerët ia kishin mbadhur…”

Gazetari amerikan deshi t’i thoshte se një poshtërim të tillë nuk mund ta merrte me mend, meqë të vdekurit edhe në vendet më mizore, së paku, sa për sy e faqe nderohen, por Vlera e çmendur i tha se në këtë botë të çoroditur skajshmërisht, ku e keqja merret si e  mirë dhe e mira e keqe, ç’e do që shpëtimtarët urrehen, ndërsa vrasësit kremtohen!

(Shkëputje nga romani “Mona”, Prishtinë, 2021)./ KultPlus.com

Buxhovi: Në përvijimet e tanishme bullgare-maqedonase, shqiptarët duhet të kërkojnë barazi kushtetuese

Në vend se të implikohet në çështjet identitare që u përkasin maqedonasve dhe bullgarëve, faktori politik shqiptar në Maqedoni, që deri me tash i ka anashkaluar apo manipulur kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi kushtetuese, duhet t’i rikthehet kodit të barazisë. Pra, të kërkohet barazi kushtetuese dhe assesi ligjore. Ndërsa, Shqipëria zyrtare, duhet të ketë kujdes, që me deklarime jodiplomatike, siç ishin ato të fundit të kryeministrit shqiptar në Bruksel, të mos bëhet e anshme në “kazanin ballkanik” në dobi të polit “serbo-rus”!

Jusuf BUXHOVI

Kohëve të fundit, raportet  midis Maqedonis së Veriut dhe Bullgarisë, nga ato të natyrës ndershtetërore, kanë zënë të kthehen në aso identitare, pak a shumë, mbi modelin e matricës politike të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur e ashtuquajtura “krizë e Maqedonisë”, e inskenuar qëllimisht nga Bullgaria, Serbia dhe Greqia për qëllime hegjemoniste të përvetësimit e tri vilajeteve në hapësirën europiane të Perandorisë Osmane (Kosovës, Manastirit dhe të Janinës, të shumtën  të banuara me popullate shqiptare) në kuadër të shteteve të tyre nacionale.

Ndonëse realitetet e tanishme politike në këtë hapësirë, me krijimin e shteteve nacionale: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë qysh në shekullin XIX dhe të Shqipërisë në shekullin XX dhe të  Kosovës në shekullin XXI, përjashtojnë stereotipet e një krize për territore të vilajeteve osmane në formën e pushtimeve që do të vendoste raporti i forcave, siç ishte ai i krijuar  gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912,  megjithatë, spostimi i saj në çështje “identitare” të mbështetura mbi gjuhën dhe “historinë e përbashkët” të një etnie sllavofone të degëzuar mbi shtrirjen gjeografike (njëra pjesë në Bullgari dhe tjetra në Maqedoninë e Veriut), e përkufizuar në dy realitete shtetërore: atë të Bullgarisë nga vitit 1908 si dhe të Maqedonisë,  si republikë në kuadër të Jugosllavisë së Titos (nga viti 1945-1991) kur me shpërbërjen e saj ajo do të shpallë pavarësinë, fillimisht si ish republika federale e Maqedonisë në Jugosllavi, mandej si Maqedoni, që më marrëveshjen e Prespës do të emërtohet Maqedoni e Veriut, prej nga ajo edhe do të zhvishet “nga identiteti i përvetësuar antik” rreth njëzetvjeçar për t’iu kthyer atij sllavofon, megjithatë lë për të kuptuar se çështjet e së kaluarës jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato, në forma të ndryshme, qoftë edhe te  ndonjë “ridefinimi kulturor” e të ngjashme, mund të kthehen në tektonizma politike, që shpërndahen tutje “qendrës”, siç shfaqet ajo e sotmja midis Shkupit zyrtar dhe Sofjes rreth “identietit të përbashkët gjuhësor” e me këtë edhe “të historisë”, që doemos prek edhe faktorët tjerë rajonalë deri te përmasat gjeostrategjike.

Pa hy te çështjet e hapura identitare midis etnisë sllavofone të këtij rajoni (asaj bullgare dhe maqedonase) mbi emërtimin gjeografik dhe ndjesisë së tyre në rrethanat e ndryshme politike që përcaktuan edhe konfikgurime e tanishme shtetetërore qoftë edhe mbi platformën komb-shtet (në rastin e parë) dhe të asaj shtet-komb (në rastin e dytë) dhe të jurididikcionit të tyre ndërkombëtar, çështje këto që u takojnë atyre që t’i zgjidhin në përputhje me realitet e reja, megjithatë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si shtetas të saj, konfliktet “identitare” midis shtetit bullgar dhe atij të Maqedonisë së Veriut, pa u implikuar me asgjë në dimensionin e saj të brendshëm  se çfarë përgjigje do t’i japin çështjes së gjuhës, të kulturës së përbashkët dhe dimensioni historik, pra që t’u iket çështjeve që implikojnë gjeopolitikën kur faktori shqiptar në rajon është bukur shumë i margjinalizuar dhe me anatemat që atë e lidhin me krimin e organizuar dhe islamin politik, duhet të shikohen vetëm nga prizmi shtetëror, që të mos prekën shtylla e saj të brendshme, meqë vetëm ashtu, duke u përjashtuar faktorët e jashtëm (serb dhe grek), ata dhe interesat e tyre mbesin në lojë.

Ky qëndrim konsekuent i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pra që e gjithë çështja të vendoset në planimetrinë shtetërore, duhetë të sherbejë si shkas që në raportet midis Shkupit dhe Sofjes, por edhe ato ndërkombëtare (në kuadër të NATO-s dhe anëtarësimit në BE), të ngritët çështja e statusit të tyre në kuadër të Maqedonisë së Veriut si popull shtetformues, çështje kjo së cilës nuk i ka dhënë përgjigje as marrëveshja e Ohrit, për ç’gjë edhe shpërtheu edhe konflikti i armatosur i vitit 2001, e as ajo e Prespës. Përkundrazi, edhe në aktet e Ohrit, si dhe në ato të Prespës, përkundër  përfaqësimit politik të shqiptarëve  në jetën parlamentare dhe atë të strukturave qeverisëse deri në nivelet më të larta dhe të rritës së shkallës së tyre në institucionet shtetërore, nuk është arritur që shqiptarët, në përputhje me konceptin e qytetarisë të jenë qytetarë të barabartë të shtetit Maqedoni e Veriut.  Sepse, krahas inercionit të kombit-shtet të politikës maqedonase, që në njëfarë mënyre është pranuar heshtas edhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe pasojave diskriminuese për shqiptarët etnik, klasa politike e dalë nga lufta e vitit 2001, përqendrimin tek arritja e barazisë, e ka zëvendësuar me ambiciet për përvetësime personale, gjithnjë duke u bërë pjesë shërbyese e shemave të strukturave maqedonase – zotëruese e krimit ekonomik. Akomodimi i shpejtë i politikanëve shqiptarë  brenda për brenda strukturave kriminale, korrupcioni, nepotizmi dhe kapja e resurseve ekonomike në nivelet vendore, ka ndikuar që interesat kombëtare, që e motivuan edhe kryengritjen e armatosur të vitit 2001, jo vetëm të anashkalohen, por edhe të shtrembërohen me anën e mashtrimeve të hapura, siç është  ai i manipulimit të barazisë kushtetuese të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, e formuluar në kushtetutë, me të ashtuquajturën bazi ligjore të gjuhës shqipe, si kategori e të drejtave elementare njerëzore (për çfarë nuk nevojiten as formulime të veçanta meqë ato nënkuptohen) tek “barazia ligjore”. Fakt ky që shqiptarët si etni e vetme kulturore dhe hsitorike nga antikiteti në këtë hapësirë, i kthen në pakicë nacionale, në minoritet, të drejtat e të cilit kushtëzohen me logjikën e numrave! Pra, aty ku ka mbi 20% të popullatës, mund të kërkohet “barazia ligjore”,  në administratë, shkollim dhe jetë institucionale (mbishkrime lokale e të tjera). Dhe, aty ku  kjo përqindje bie (siç ndodh tashmë me disa qytete shqiptare që gjithnjë e më shumë rrudhen nga faktori demografik), atëherë ata privohen nga “barazia ligjore” gjë që i pret asimilimi! Ky diskriminim kushtetues sot është fakt i pranuar nga përfaqësuesit politik të shqiptarëve!

Në këto, rrethana pra, hapja e çështjeve identitare apo çfarëdo midis Shkupit dhe Bullgarisë doemos se duhet të përcillet edhe me vendosmërinë që në kushtetutën e shtetit shqiptarët të përcaktohen si popull i barabartë shtetformues, ndërsa gjuha e tyre si gjuhë kushtetuese. Të tjerat janë mashtrime dhe veprime që historia dihet se çfarë gjykimi u jep!        

Realiteti i pabarazisë së shqiparëve në Maqedoninë e Veriut, gjithësesi duhet të brengos Shqipërinë zyrtare si dhe Kosovën. Por, jo në formën e deritanishme, të bllanko përkrahjes së shtetit maqedonas si faktor “stabilizues paqeje në rajon”, dhe as përahjes strukturave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përgjegjëset kryesore të gjendjes diskriminuese të shqiptarëve në Maqedoni me statusin e pakicës dhe tendencat e asimilimit të hapur nga logjika e “barazisë së numrave”!

Kundruall këtyre realiteve, kur në nivelet ndërshetërore  midis Shkupit dhe Sofjes ngritën çështje të tilla që prekin edhe raportet politike në BE (statusin e kandidatëve për anëtarësim), të cilin Bullgaria po mundohet ta shfrytëzojë si kartë për interesat e veta (siç ishte vetoja e paradoditshme në Këshillin e Europës, që pas pak edhe e tërhoq), politika zyrtare e Shqipërisë,  nuk guxon të teregojë naivitet e as anshmëri të dëmshme, siç ndodhi me rastin e prononcimit të kryeministrit shqiptarë kur Bullgaria vuri veto ndaj hapjes së procesit të anëtarësimit të Maqedonisë. Ndonëse kjo nuk prekte statusin e Shqipërisë në këtë proces, kryeminsitri shqiptar, pa takt politik dhe diplomatik, hudhi breshëri ndaj Sofjes zyrtare, gjë që u bë i anshëm në gjithë këtë përvijim.

Qendrimet e tilla, në “kazanin ballkanik” doemos së përcillen me pasoja, veçmas kur dihet se, në këtë rast, ato kanë dy pole: atë serbo-rus në njërën anë dhe bullgaro-europian, në anën tjetër./ KultPlus.com

111-vjetori i Kuvendit të Greçës dhe memorandumit për kërkesat për Autonominë Politike të Shqipërisë

Nga Jusuf Buxhovi

“Memorandumi i Greçës”, siç pohon historiani Romeo Gurakuqi, “ka qenë programi më i avancuar kombëtar shqiptar, i tejkaluar veç prej aktit të shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912”. Por, meqë ishte i kufizuar në hapërisën e fiseve veriore (Kastrati, Kelmendi, Shoshit, Hotit, Grudës, Kuçit, Shkrelit dhe të tjerëve përreth), nën ndikimin e madh të Malit të Zi dhe të rivalitetit austro-italian për instrumentalizimin e popullatës së besimit katolik për qëllime të veta, përnga përgjigjja që mori na Perandoria Osmane, si dhe rrudhja e tyre në “kërkesa të nahijes së Shkodrës”, mbeti i shkëputur nga konteksti i përgjithëm i lëvizjes kombëtare, siç ishte Katërmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës në gusht të vitit 1912, që u kthye në marrëveshje konkrete, të parën e llojit të tillë, me Perandorinë Osmane.

Jusuf BUXHOVI

Udhëtimi i Sulltan Mehmeti V në Kosovë, që filloi me vizitën në Shkupit më 11 qershor, ishte plot “tone pajtuese”. Sulltani lavdëronte besnikërinë e Shqiptarëve ndaj Perandorisë dhe premtonte “jetë të përbashkët” dhe “vëllazërore”.

Në Shkup, disa nga prijësit vendorë para masës së madhe që kishte dalë ta priste Sulltanin, i deklaruan “besnikërinë e përjetshme” Perandorisë Osmane. Pas katër ditësh, Sulltani udhëtoi për në Prishtinë, ku nënshkroi një amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritjet e viteve 1910 dhe 1911. Ndonëse Kosova kishte qenë e njohur për besnikërinë ndaj Sulltanit, pritja qe e ftohtë. Në Fushën e Kosovës, ku pritej një manifestim i madh islamist, kishin ardhur njerëz vetëm nga rrethina dhe katundet e afërta. Qytet si Peja, Gjakova dhe Prizreni nuk kishin dërguar përfaqësues, gjë që dëshmonte se në Kosovës kishte ndodhur një ndryshim i madh.

Më 18 qershor Shefqet Turgut Pasha bëri të ditur shpalljen e dekretit perandorak për amnistinë. Kryengritësit duhej të ktheheshin brenda dhjetë ditëve dhe të dorëzonin armët. Sulltani do t’u bënte një dhuratë prej 10 mijë lirash turke si dëmshpërblim, me ç’rast qeveria do t’u zhdëmtonte malësorëve pasurinë e humbur ose të shkatërruar.

Që “pajtimi” midis Shqiptarëve dhe Osmanëve të mos dukej vetëm si çështje e një konflikti tashmë të mbyllur rreth “vendosjes së rregullit”, ku kishte pasur keqkuptime të dyanshme të cilat po tejkaloheshin, por e gjitha të përcillej edhe me një marrëveshje e cila do të mbështetej mbi kërkesa politike, në përputhje me ato që tashmë dilnin nga platforma kombëtare, e që kishin të bënin me autonomi, do të përkujdeset Ismail Qemali bashkë me disa nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i cili gjatë kësaj kohe ndodhej në Cetinë për të biseduar me kryengritës. Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe me ndërmjetësimin e Komitetit të Podgoricës, më 23 qershor, në pllajën e Greçës (në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe), thirri Kuvendin e Përgjithshëm të krerëve Shqiptarë. Aty u miratua dokumenti më i rëndësishëm i kryengritjes, i njohur me emrin “Libri i Kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilin u shtyp), i hartuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.

Në Memorandum parashtroheshin këto kërkesa:

– garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë dhe zakonet e vendit;

– të njihej kombi shqiptar me po ato të drejtat që kishin e tjera të Perandorisë Osmane;

– liri të plotë për zgjedhjet e deputetëve Shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë;

– të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë Shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit;

– nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit;

– të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin Shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas;

– të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga Sulltani për një periudhë të caktuara;të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që, mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore;

– shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë;

– të ardhurat fiskale të përdoreshin në vend për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafit, të duhanit, të alkoolit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve si kapitulacione;

– fshatarëve t’u njihej e drejta për prerjen e pyjeve sipas një takse;

– këshillat e përgjithshëm të kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet;

– të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive Osmane dhe t’u ktheheshin Shqiptarëve armët që u ishin marrë.

“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit të Perandorisë Osmane në Mal të Zi, Sadredin Beut. Për të pasur mbështetjen e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Bacaj etj., ua dorëzoi Memorandumin përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.

Pas më shumë se një muaji, më 30 korrik 1911, ambasadori osman në Cetinë, Sadredin Beu, shpalli në Podgoricë kundërpropozimet e qeverisë osmane ndaj kërkesave të kryengritësve. Ato ishin shumë larg autonomisë, që Shqiptarët kërkuan në Memorandumin e Greçës dhe kufizoheshin vetëm në zonat e kryengritjes.

Me këtë dokument qeveria Xhonturke shpallte amnistinë e plotë për të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes po i dorëzuan armët. Shërbimi ushtarak do të kryhej brenda vilajetit të Shkodrës dhe vetëm një vit në Stamboll. Si drejtorë dhe anëtarë të këshillave administrativë do të emëroheshin edhe bajraktarët. Xhelepi do të caktohej duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë. Taksat do të mblidheshin kur Shqiptarët të ishin në gjendje të paguanin. Armët do të mbaheshin me leje të posaçme. Do të ndërtoheshin në malësi, me mjete të shtetit, dy shkolla fillore ku do të mësohej gjuha shqipe. Do të ndërtoheshin rrugë dhe ura.

Malësorët në fillim kundërshtuan marrëveshjen, duke kërkuar që vëmendja të përqendrohej tek pikat e Memorandumit të Greçës. Por, përfaqësuesit qeveritarë nuk pranuan që ajo të zgjerohej me kërkesa kombëtare. Te detyruar edhe nga trysnia e qeverisë së Cetinës, e cila ishte marrë vesh me Rusët që të mos përkraheshin kërkesat e Shqiptarëve që kishin të bënin me autonomi, marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke u nënshkrua me 2 gusht 1911. Me 5 gusht malësorët filluan të kthehen në grupe. Ata që nuk pranuan të ktheheshin, e ndër ta ishte edhe njëri ndër prijësit e kryengritjes Dedë Gjo Luli, qeveria malazeze i internoi përtej Moraçës.

Me këtë qeveria xhonturke, po edhe fqinjët e Shqiptarëve, ia dolën që kryengritjen e Malësisë së Veriut, ta shkëpusin nga konteksti i një kryengritjeje të gjerë si dhe pretendimet që ajo të delte me kërkesa politike të përmasave kombëtare, siç pretendohej me Memorandumin e Greçës, për ta rrudhur në një rebelim lokal, i cili justifikonte si dhunën e shtetit “jashtë mase” për të vendosur “rendin dhe ligjin” dhe po ashtu, në njëfarë mase, arsyetonte edhe reagimet e Shqiptarëve ndaj saj, meqë ajo binte ndesh me traditën e tyre shekullore me të cilat ata ishin vetëqeverisur.

Në përgjithësi kryengritja e Malësisë së Veriut mbeti e shkëputur nga një përgjigje e përgjithshme, dhe madje mund të thuhet, se ishte e gjykuar të dështonte, pse në masë të madhe kahun si dhe përmasat reale ia përcaktuan faktorët e jashtëm: ushtarakët osmanë dhe ndërhyrja e Malit të Zi dhe pjesërisht edhe e Italisë./ KultPlus.com

Përkujtesë historike, kuvendi i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Nga Jusuf Buxhovi

Përkujtesë historike: 5 maj 1991

KUVENDI I PARË I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Kuvendi i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shënoi kapërcimin historik nga kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, që doli në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, te ajo për shtet të pavarur. Këtë ndryshim e imponuan rrethanat që lidheshin me fillimin e luftës në Jugosllavi si dhe vendimin e Konferencës së Hagës, që pranoi shpërbërjen e federatës jugosllave.

Kuvendi i Parë i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”,  i mbajtur në Prishtinë më 5 maj 1991, në amfiteatrin e medresës “Alauddin” e ku morën pjesë 350 delegatë të zgjedhur nga degët dhe nëndegët e partisë, shënon një ngjarje të rëndësishme  meqë, kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, nga Kuvendi   Themelues të 23 dhjetorit 1989, u redifenue në kërkesën për shtet të pavarur. Këtë kapërcim  historik e përcaktuan rrethanat e kohës dhe faktorët që krijuan realitete të reja politike, ndër të cilat përcaktuesi ishin: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, me ç’rast delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia si dhe vendimet e Kuvendit të Kaçanikut në kuvendin e 7 shtatorit 1990 me ç’rast Kosova shpallet republikë e pavarur në kuadër të federatës jugosllave me të drejtën e barabartë me njësitë tjera federative. Rol të rëndësishem madje edhe vendidmtar të ky përcaktim pati shpërthimi i luftës në maj të atij viti, kur ushtria Jugosllave e dominaur nga ushtarakët serbë, bëri agresion në Slloveni, ndërkohë që faktori ndërkombëtar reagoi me mbajtjen e konferencës së Hagës në gusht të atij viti,federatën jugosllave e shpalli në shpërbërje e sipër. Pra, evolucioni politik i kërkesave nga ajo për barazi tek pavarësia dhe shteti i pavarur, që do të fillojë të organizohet pas mbajtjeve  të zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në prill 1992, mund të kuptohet drejt dhe mirë në saje të vendimeve që u morën në Kuvendin e Parë të LDK-së, meqë ato ia hapën rrugën rezistencës institucionale (me shtetin paralel që funksionoi deri në mars të vitit 1999) si dhe asaj të armatosur, që u shfaq në nëntor të vitit 1997.

Edhe në planin e brendshëm partiak, Kuvendi i Parë i LDK-së, që duhet dalluar nga Kuvendi Themelues i 23 dhjetorit 1989, nxori dhe përcaktoi strukturën e re organizative, sipas Statutit të aprovuar në Kuvend – Këshillin Qendror – organ kryesor të partisë. Kishte dymbëdhjetë komisione qendrore, ku ai i sistemit politik, i arsimit dhe kulturës, i çështjeve të mbrojtjes sociale, i shëndetësisë, i informimit, i çështjeve juridike, i vetëmbrojtjes, i ekonomisë, i marrëdhënieve me jashtë dhe i ekologjisë, përbënin bërthamën e filleve të shtetit paralel.

Këshilli Qendror i LDK-së që u zgjodh në Kuvend kishte këtë përbërje:

          Dr. Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, dr. Idriz Ajeti, prof. Fehmi Agani, dr. Bujar Bukoshi, dr. Ali Aliu, dr. Rexhep Ismaili, dr. Sabri Hamiti, dr. Gani Bobi, dr. Ejup Statatovci, dr. Nexhat Daci, dr. Fatmir Sejdiu, dr. Faik Brestovci, Ramë Buja, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, dr. Ismet Salihu, dr. Fadil Raka, Anton Kolaj, Mujë Rugova, Edi Shukriu, Ibrahim Berisha, Rexhep Gjergji, Skender Blakaj, dr.Binak Kastrati, Mehmet Kraja, Fadil Hysaj, Kadri Halimi, dr. Zenel Kelmendi, Mensur Fejza, dr. Shaqir Shaqiri, Adil Pireva, Mujë Krasniqi, dr. Abdyl Krasniqi, Ibush Jonuzi, Engjëll Berisha, Agim Çavdërbasha, Selatin Novosella, Xhemail Mustafa, Isa Haxhiu, Myrvete Dreshaj, Shyhrete Malaj, Agron Dida, Milazim Krasniqi, Nexhat Krasniqi-Nekra, Basri Çapriqi, Skënder Kastrati, Arif Bozaxhi, Naip Zeka, Irfan Pashoja, Fadil Kryeziu, dr. Simë Dobreci, Idriz Berani, Abdyl Rama, Paulina Lumezi dhe Melihate Shala.

         Komisionet përfshinin edhe anëtarë të jashtëm, kryesisht profesionistë, të cilët merrnin pjesë në krijimin e politikave të caktuara.

  Këshilli Qendror i LDK-së, me një përbërje të tillë ndër më reprezentativet e kohës, deri në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në prill të vitit 1992, luajti rolin e një kuvendi kombëtar.

(Në foto, në kryesin ë e punës, nga e majta: prof. Fehmi Agani, Flora Brovinar,Dr. Ibahim Rugova dhe prof. Latif Berisha)./ KultPlus.com

‘Maqedonia’ në anglisht, një pasqyrim i saj në kuadër të botës ilire

Shkruan Jusuf Buxhovi

“MAQEDONIA” NË ANGLISHT – NJË PASQYRIM I SAJ NË KUADËR TË BOTËS ILIRE

Botimi në anglisht i veprës voluminoze me 677 faqe, “MACEDONIA – FROM ANTIQUITY TO OUR TIME” nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing” në përkthim të Avni Spahiu, krahas përkthimi në anglisht të “Kosovës” në tre vëllime, që tashmë ka depërtuar në shumë nga universitetet amerikane dhe ato botërore si litetaturë alternative për historinë e Evropës Juglindore, paraqet një tjetër të arritur historiografike në përballje me falsifikimet dhe gënjeshtrat e historiografisë serbe, si dhe me diskursin antishkencor sipas të cilit Mbretëria e Maqedonisë, në njërën anë (nga historiografia institucionale shqiptare) përjashtohet nga bota ilire së cilës i ka takuar, dhe në tjetrën anën, nga historiografia greke dhe ajo europiane, shihet si pjesë e helenizmit grek, ndonëse autorët antik nuk e shohin si të tillë, po pjesë të familjes pellazge. Botuesi “Jalifat Publishing” veprën “Macedonia – from atiquity to our time”, nga nxjerrja nga shtypi para një viti, pas shumë promovimeve të sukseshme (në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe shumë vende të tjera), tashmë e ka dërguar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe në të gjitha institutet hulumtuese shkencore amerikane si dhe në bibliotekat e universiteteve amerikane, përfshirë këtu edhe atë të Harvardit.Botuesi amerikan vlerëson se përkthimi i këtij libri në anglisht si dhe plasimi në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, është me interes të veçantë, ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët, siç përhapë edhe të vërtetën se në shtetin e sotëm të quajtur Maqedoni e Veriut, të shtrirë në pjesën më të madhe të Dardanisë antike dhe më vonë në vilajetin e Kosovës, ndërlidhet identiteti historik, etnik, shpirtëror, kulturor dhe politik i shqiptarëve nga lashtësia i mohuar nga historiografia hegjemoniste serbe, ruse, bullgare dhe ajo e sajuara “maqedone” me ç’rast ata paraqiten “ardhacakë”, “pushtues”, “zullumqarë” të ardhur në këto hapësira nga shekulli XVII e këndej me ndihmën e osmanëve! Mbi këto platforma, nga Kriza Lindore e këtej, janë ndërtuar edhe hartat e reja të shteteve në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku hapësira etnike dhe ajo shpirtërore-kulturore e shqiptarëve është copëtuar nga shtetet fqinje (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia). Ato u kanë sherbyer edhe programeve antishqiptare nga shpërnguljet e deri te etnocidet dhe gjenocidet, siç ka ndodhë në vitin 1878, 1912, 1944 për të vazhduar edhe me konventat me Turqinë për shpërnguljen e tyre në vitin 1938 dhe 1953. Prandaj, i konceptuar mbi këta faktorë dhe i mbështetur mbi fakte të qëndrueshme historike, libri në anglisht përhapë të vërtetën për vendin dhe rolin e shqiptarëve në këtë shtet të krijuar politikisht në vitin 1944 nga Titoja (fillimisht si pjesë e federatës jugosllave në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943) dhe në vitin 1992 si shtet i pavarur, me ç’rast ata do të diskriminohen qoftë si pakicë kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, qoftë me statusin e qytetarisë “me të drejta njerëzore” në rrethanat e shpalljes së Maqedonisë shtet-komb.Duke marrë në shqyrtim edhe zhvillimet më të reja nga shpallja e shtetit të Maqedonisë, krahas kritikës që u bëhet politikave antishqiptare nga Shkupi dhe Beogradi, të cilat, në forma të ndryshme, vazhdojnë edhe në rrethanat e reja, duke shfrytëzuar në njërën anë faktorët gjeopolitikë rajonalë dhe në tjetrën anë dobësitë e mëdha të të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës në raport me injorimin e çështjes shqiptare në Maqedoni, në këtë vepër, me sy kritik, vlerësohet edhe roli i faktorit politik shqiptar në skenën politike maqedonase nga viti 1992 e këndej. Kritikat adresohen te mosgatishmëria për t’u mbrojtur pozicioni i referendumit të vitit 1992 për statusin e popullit shtetformues mbi konceptin e një shteti federal-konfederal të dy popujve të barabartë (shqiptarë dhe maqedonas). Në këtë vepër, po ashtu, me sy tepër kritik shikohet edhe mungesa e konsistencës së faktorit ushtarak shqiptar në kuadër të luftës UÇK-së të vitit 2001 në kërkesat politike, të filluara me ato për shtet federativ (shqiptar-maqedon), të cilat, brenda një kohe të shkurtër do të rrudhen deri te ato për “shtetin qytetar” , pra te korpusi i të drejtave njerëzore,, për ç’gjë as që është deshtë të luftohet fare, meqe ato i garanton Karta e OKB-së në kuadër të të drejtave dhe liritë themelore kudo në botë. Ky degradim politik i luftës pasqyrohet më së miri me Marrëveshjen e Ohrit, me ç’rast, klasa politike që erdhi në pushtet “me meritat e luftës”, nuk bëri tjetër, pos, që duke e zëvendësuar idealin e lirisë, për ç’gjë u derdh edhe gjak, në atë të interesave personale dhe përfitime deri te ato meskine, do të shndërrohet në një vasale të politikës maqedonase, në një rajë bashkëkohore të farses parlamentare, që faktorin politik shqiptarë do ta shfrytëzojë për qëllimet e njohura shtetmëdha, ku me anën e ngatërrimit të barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe si parakusht i barazisë shtetërore me atë të barazisë ligjore të gjuhës, bëhet vetëmashtrimi dhe margjinalizimi i shqiptarëve në pakicë numrash!

“Kosova” e Jusuf Buxhovit në bibliotekën e Universitetit të Harvardit

Sot, pak orë para ngjarjes së promovimit në Harvard Faculty Club që filloi në orën 5:30, “Kosova” e Buxhovit iu dorëzua zyrtarisht Zv.Drejtoreshës së Bibliotekes së Universitetit të Harvardit, Elizabeth Kirk.

Në një diskutim të përemertë bashkë me autorin Buxhovi, botuesin Tafilaj nga Jalifat Publishing e bashkëbotuesin Abdullahu, Kirk shprehu falëmderimin më të sinqertë për pranimin e librave në fjalë.

Në vatrën më të famshme të diturisë e të kërkimeve akademike nga sot edhe historia e Kosovës në tri volumet e përkthyera e botuara në Anglisht (bashkë edhe me një kopje të librit “Maqedonia” në Anglishtë poashtu) do të jenë e çasshme për shkollarë e studentë, profesorë e hulumtues nga e gjithë bota që frekuentojnë Universitetin e Harvardit.

Imazhi i Republikës sonë të re ndërtohet më së miri përmes shkencës e fakteve, përmes përkushtimit e punës vetmohuese!

Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

“Krenar që në universitetin tim nga ku kam magjistruar para fiks 15 viteve, kemi kaq shumë respekt e çasje!”, ka shkruar tutje Bislimi në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Programi i LDK-së, dokumenti autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues

Në vigjilie të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (6)

PROGRAMI  I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS*

(Dokument autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues)

Nga Jusuf BUXHOVI

 “Kriza e thellë shoqëror, ekonomike dhe politike, në të cilën gjendemi tash e sa kohë, para bashkësisë shumëkombëshe hapi dilema që kanë të bëjnë me ekzistencën e saj të mëtutjeshme. Në opsion tashmë janë shumë programe dhe projekte të nduarndurta që mëtojnë të fitojnë legjitimimet në Jugosllavi. Kjo larmi idesh, propozimesh e deri te programet me profile të qarta politike tregon më së miri se për fatin e Jugosllavisë janë të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhohen të gjitha subjektet e saj, pa iu rezervuar askujt e drejta  që të flasë apo të vendosë në emër të të tjerëve. Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtën e saj që lirisht  të vendosë për fatin e vet.

 Fakti se kriza e thellë dhe e gjithanshme që po rëndon vendin dhe që më fuqimisht e me  pasoja më të rënda po shprehet në Kosovë, kërkon kthesa radikale në fushën ekonomike, shoqërore e politike, se ajo mund të përballohet e të tejkalohet vetëm me angazhimin dhe veprimin e të gjitha forcave subjektive e të potencialeve krijuese, dhe se ky angazhim nuk është i mundur në kuadër të monizmit politik dhe të monopolit njëpartiak, ne të nënshkruarit, morëm nismën që të themelojmë:

 Lidhjen Demokratiket të Kosovës,

Si Parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe intencat e saj.

 1

 Lidhja Demokratike e Kosovës (në  tekstin e mëtutjeshëm LDK) angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza, që mund të bëhet me  zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Për këtë qëllim LDK angazhohet për ekonomi të tregut, forma të ndryshme të pronësisë, për treg  modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështjet ekonomike  (nga orientimi i pa kriter i investimeve e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi), gjë që kishte dhe ka pasoja të dëmshme.

 Kosova, përkundër potencialeve të veta njerëzore dhe natyrore, është pjesa ekonomikisht më e prapambetur dhe me papunësi më të madhe. Prapambetja ekonomike dhe papunësia janë forma permanente të krizës. LDK vlerëson se pikërisht prapambetja ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore të Kosovës dhe përpiqet për përballimin e tyre. LDK përpiqet për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve të investimeve, për racionalizimin dhe modernizimin e prodhimit, për rekonstruksione e orientime prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituar të organizatave ekonomike; angazhohet për të drejtën e barabartë të secilit  në punë – varësisht nga aftësitë; angazhohet kundër privilegjeve në këtë lëmë në baza regjionale, kombëtare dhe të tjera.

LDK angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve dhe mundësive të brendshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës; angazhohet për politikë sociale, siç ndodh në të gjitha shtetet moderne  dhe angazhohet për solidaritet të të  zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve.

 2

LDK angazhohet për Jugosllavinë demokratike, federative dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.

LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij – pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore apo fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës.

LDK angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve politike të ndryshme;

LDK angazhohet për sistem shumëpartiak; angazhohet për  mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të  qytetarit; angazhohet për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit  e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e  çfarëdo censure të fshehur; angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve.

LDK angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta, si bashkësi të qytetarëve dhe të kombeve të barabarta. Pra,angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve dhe  të republikave dhe të krahinave në sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votës së lirë.

LDK do të angazhohet për një shoqëri demokratike, në bazë të traditës më të mirë të qytetërimit njerëzor.

LDK do të angazhohet për zgjerimin e kanaleve demokratike institucionale, drejt ri afirmimit dhe afirmimit të mëtutjeshëm të individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese si njësi e barabartë e federatës.

LDK angazhohet për afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre, që në marrëveshje me popujt me të cilët jetojnë bashkërisht, të shfrytëzojnë format e  konstituimit politik dhe juridik që do të afirmonin barazinë e tyre.

    3

E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet  më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi  e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve në Kosovës, në Jugosllavi dhe në botë.

Barazia  e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të:

-se shqiptarët, serbët,malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht Kosovën e kanë të tyre dhe bashkërisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë;

-se jeta në miqësi është bazë e mirëqenies dhe lumturisë së popujve;

-se shumësia e kulturave dhe e traditave, e kuptuar drejt, është pasuri;

-se bashkëpunimi e miqësia e popujve janë të pandashme pa njohjen, mirëkuptimin dhe respektin e kulturave dhe të traditave, të qenieve dhe të interesave të njëri-tjetrit.

LDK do të luftojë kundër çdo qëndrimi ose pikëpamje të pabarazisë. Ajo veçmas do të angazhohet:

-kundër çdo privilegje ose diskriminimi kombëtar;

-kundër konceptet mbi popujt autoktonë dhe shteformues dhe popujve të prezencës së rastësishme e margjinale;

-kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit;

-kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjen kombëtare.

LDK përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi. Angazhohet për zhvillimin e  gjithanshëm kulturor të të gjithëve, për arsim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit; angazhohet për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës; për kultivimin e gjuhës amtare dhe barazinë e saj në komunikim publik dhe në administratë;angazhohet për kultivimin e lirë e të barabartë të traditave kulturore, historike dhe për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe të kremtimit me dinjitet të festave kombëtare; për të drejtën dhe mundësinë që çdo popull të shfrytëzojë rezultatet pozitive të krijimtarisë së vet kulturore dhe shpirtërore kudo që krijohen.

Në këtë drejtim duhet zhvilluar edhe më tutje institucionet që merren me studimin dhe kultivimin e kulturës, të traditës dhe të shprehjes së lirë të individualitetit kombëtar të të gjithëve në Kosovë dhe në Jugosllavi.

    4

LDK përpiqet për të vërtetën për Kosovën, duke luftuar kundër dezinformatave e shpifjeve, kundër përpjekjeve që çështjet e sotme të Kosovës të paraqiten e për to të flitet vetëm me terme diskualifikuese, pa u parë ato në tërësinë dhe kompleksitetin  e tyre. LDK është kundër represioneve e rikonstruksioneve si zgjidhje të problemeve, është kundër imponimit të pseudovlerave për t’u mbyllur problemet e vërteta, është kundër gjendjeve dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve e kundër proceseve politike si dhe angazhohet për lirimin e të burgosurve politikë. Angazhohet, pra për dialog konstruktiv e mirëkuptim të ndërsjellë dhe kundër diskualifikimeve dhe etiketimeve të çdo mendimi ose kërkese, që ndryshon nga ajo zyrtare e një partie.

 5

LDK do të angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë që pa nikoqirllëk t’i shfrytëzojë ato që duhet t’u takojnë edhe gjeneratave të tjera.

Në Prishtinë,

Më  23 dhjetor 1989.

Jusuf Buxhovi (Nënshkrimi)

* Ky dokument, i mbështetur mbi sugjerimet e akademik Gazmend Zajmit, profesor Fehmi Aganit dhe Ajri Begut dhe me korrigjimet që iu bënë pak para fillimit të Kuvendit, u paraqit në Kuvendin Themelues, i aprovuar njëzërit nga të pranishmit. Dokumenti autentik që gjendet në arkivin personal te autorit bashkë me të tjerët nga themelimi, i paraqitur në librin “Kthesa historike” 1, ka rëndësi ngaqë  menjëherë pas aprovimit, në opinion iu nënshtrua përpjekjeve të shumta për t’u falsifikuar. Këso falsifikime, që pastaj u shpërndanë nën firmën e LDK-së, pati në Gjermani dhe Zvicër, mbi të cilat u mbështetën shumë nga shpifjet partisë dhe programit të saj, me ç’rast fjala “barazi në federatë” u zëvendësua me “autonomi” madje edhe nën Serbinë! Këto dhe falsifikime të ngjashme me të cilat u përcoll veprimtaria e pandalshme e LDK-së, shkuan deri aty  saqë u lansua edhe shpifja  se “programi i përkthyer, me kërkesa autonomiste, u soll nga Serbia”!./KultPlus.com

Agani, Zajmi dhe Cana, kyç në nismën për hartimin e programit të LDK-së

Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (5)

PROFESOR AGANI, AKADEMIK  GAZMEND ZAJMI DHE ZEKERIA CANA…

Nga Jusuf BUXHOVI

Rruga e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet programore) pa mëdyshje lidhet edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur profesor Fehmi Aganin, akademik Gazmend Zajmin dhe historianin Zekeria Cana.

Kjo treshe intelektuale, u kyç në nismën për hartimin e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përputhje me konceptin e kërkesave: liri, demokraci dhe barazi, që njëherësh shfaqej edhe platformë e ndryshimeve që kishin përfshirë vendet e ish diktaturës komuniste në rrugën e tyre kah bota perëndimore. Në rrethanat e ish Jugosllavisë, kur tranzicioni, nga udhëheqja e Beogradit kamuflohej me pretendimet që Jugosllavia e Titos të transformohej në një shtet unitar nën mbikëqyrjen e Serbisë, që praktikisht ia hapte rrugën afrisë kah Lindja, formulimet për liri, demokraci dhe barazi nga një parti politike nga shqiptarët e Kosovës, që kishin humbur autonominë dhe statusin e njësisë federative që e kishin me kushtetutën e vitit 1974, kishin rëndësi të veçantë. Meqë me anën e tyre mund të arriheshin dy parametra historik: shkëputja nga ideologjia komuniste, ku ata ishin futur me dhunë nga viti 1944 e këndej, si dhe çlirimi nga tutela e Serbisë, ku ishin rikthyer dhunshëm më 23 mars 1989, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, që nga shqiptarët, me të drejtë, përjetohej një ripushtim tjetër mbas atij të vitit 1944. 

Kështu, në parametrat e këtij misioni historik, akademik Gazmend Zajmi, ishte referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, siç ishte  formula se “Kosova duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e Jugosllavisë”, që do të zërë vendin në programin e LDK-së. Sepse, sipas akademik Zajmit avansimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, pra barazimi i plotë me njësitë tjera jashtë statutit dual që e kishte, përjashtonte çfarëdo lidhjeje me Serbinë, siç linte të hapur mundësinë që juridikisht pozita e subjektit të barabartë të fitonte edhe legjitimitet politik dhe ndërkombëtar njëherësh, jashtë anatemës së “rrënimit të Jugosllavisë”, që e lansonte Serbia. Mbi këtë koncept akademik Zajmi u angazhua që këtij procesi t’i përgatitej edhe infrastruktura e legjitimitetit demokratik siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Pavarësi i shtatorit 1991.

Profesor Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur. Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij që të bashkëbisedojë me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i pakapërcyeshëm në rrethanat kur nga sjellja intelektuale dhe mençuria varej ajo me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë së re ta përfshinte profesor Aganin, ku ai punoi  me përkushtim jo vetëm në fazën e  themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, por edhe në atë transformimit të saj nga një parti në Lëvizje Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve me mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë politike që t’i bashkojë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht luftë të parakohshme për t’iu kundërvënë represionit serb, që do të kishte pasoja fatale në ato rrethana pa miq nga jashtë dhe mbështetje ndërkombëtare, profesor Agani u bë dorë e djathtë e presidentit Rugova. Përkundër përpjekjeve të grupeve të ndryshme që nuk e donin këtë nga shkaku i fuqisë dhe shkathtësisë së tij politike, Agani mori përsipër çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet diplomatike çfarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1987, kur rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në Rambuje.

Natyrisht se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor Aganin, rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar. Madje, edhe LDK-ja në rrethanat e pluralizmit politik çarë solli protektorati ndërkombëtar, do ta ruante kursin dhe drejtpeshimin politik, që e humbi mbas vdekjes së Rugovës. Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.

Edhe profesor Zekeria Cana pati merita të mëdha për themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Si pjesëtar i grupit nismëtar, profesor Cana, u angazhua me përkushtim që të jetë sa më përfshirës në planin intelektual, ndonëse në të njëjtën kohë kryente edhe punën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore që ishte themeluar kohë më parë dhe po vepronte me të madhe për mbledhjen e të dhënave që regjimi serb ushtronte ndaj shqiptarëve, jo vetëm me masat e aparhejdit, po edhe me instalimin e regjimit policor-ushtarak në Kosovës, që po ia përgatiste hapësirën fushatës së spastrimit etnik të Kosovës në përputhje me programet hegjemoniste të së kaluarës, që Millosheviqi kishte filluar t’i jetësonte./KultPlus.com

Në kuadër të veprimtarisë donatore për bibliotekat e shkollave të Kosovës, Jusuf Buxhovi dhuron 60 libra në Xërxë

Në kuadër të veprimtarisë donatore për bibliotekat e shkollave të Kosovës, sot në Xërxë, bibliotekës së renovuar të shkollës “Hamëz Thaçi” iu dhuruan 60 libra, përcjell KultPlus.

Drejtori Setki Kryeziu, falënderoi autorin Jusuf Buxhovi me mirënjohje për kontributin e dhënë për pasurimin e bibliotekës.

Lajmin e bëri të ditur edhe historiani Jusuf Buxhovi, i cili ka shpërndarë edhe disa foto. / KultPlus.com

Lufta e Nacionaldemokrates Shqiptare kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkim shqiptar

Rishqyrtime historiografike (5)

(Forcat nacionaliste shqiptare nga radhët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe ato të Ballit Kombëtar iu kundërvunë ripushtimit të Kosovës dhe të Maqedonisë nga partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë .- Formimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” në Anamoravë, mbajtja e Kongresit themelues të Nacionaldemokrates Shqiptare NDSH në Tanushë të Kopilaçës dhe bartja e qendrës së lëvizjes në Shkup. – Vendimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” për t’u tërhequr në Greqi, dobësoi krahun ushtarak të Lëvizjes, por jo edhe rezistencën e mëtutjeshme në formë të luftës guerile si dhe veprimtarinë politike të NDSH-së nën platformën për luftën për krijimin e Shqipërisë së bashkuar, demokratike dhe perëndimore).

Nga Jusuf Buxhovi

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) 1945-1947 lindi në rrethanat dramatike nëpër të cilat po kalonte bota shqiptare në prak të përfundimit të luftës antifashiste, me ç’rast ajo u ballafaqua me sfidat ekzistenciale, të cilat i vinin në njërën anë nga raporti i forcave të luftës, ku e majta dilte fituese dhe me këtë përcaktonte edhe sistemin shoqëror mbi baza ideologjike, dhe në tjetrën nga sferat e interesit të fuqive të mëdha me të cilat Jugosllavia si shtet ruante integritetin territorial të para shkatërrimit, gjë që edhe realitetin shoqëror dhe politik shqiptar të viteve të përbashkëta (1941-1945) e kthente në gjendjen e ndarjes që ia kishte përcaktuar Konferenca e Londrës dhe konfirmuar ajo e Paqes në Paris.

Në këto rrethana bota shqiptare ndodhej dyfish e hendikepuar: e ndarë në dy shtete, ndërsa e bashkuar ideologjikisht në sferën lindore. Kjo e dyta e kthente në kthetrat sllavokomuniste me pasoja të rënda dhe të paparashikuara. Sepse, ripushtimi i Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, që për disa vite kishin jetuar në rrethanat e një bashkimi, u lidh me terrorin shtetëror. Filloi qërimi i hesapeve me inteligjencën shqiptare, patriotët si dhe forcat tjera, që luftonin për një ardhmëri të përbashkët, demokratike dhe perëndimore. Ishte kjo një luftë me të cilën synohej rrënimi i gjithëmbarshëm i vetëdijes historike të Shqiptarëve si popull i lashtë, që i kishte takuar qytetërimit perëndimor dhe hapësirës së tij.

Duke mos u pajtuar me këtë gjendje me të cilën atyre u rrënohej qenia si popull dhe qytetërim, forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin qenë të lidhura me shtetin e bashkuar shqiptar, pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash ishte krijuar ai, duke e konsideruar atë si të drejtë që u takonte kurdoherë për të cilën duhej luftuar pareshtur, iu kishin kundërvënë ripushtimit partizan të Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni, e me këtë edhe vendosjes së komunizmit qysh në çastet e para të largimit të ushtrisë gjermane dhe paralajmërimit të futjes së forcave partizane shqiptare dhe jugosllave ngaqë e dinin fare mirë se çfarë po i përgatitej atyre dhe Shqipërisë.

Kështu, Ushtria Shqiptare dhe forcat e tjera patriotike në kuadër të Forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilat edhe deri më atëherë vëmendjen kryesore e kishin përqendruar në mbrojtjen e vendit nga pushtimet sllavo-komuniste, ndonëse të shkapërderdhura, kishin bërë luftimet e para me partizanët jugosllavë që depërtonin nga verilindja (Presheva dhe Karadaku) dhe juglindja (Maqedonia). Ngjashëm ishte vepruar edhe në Pollo-gun e Maqedonisë (nga Shkupi, Kërçova e deri në Dibër), kur forcat nacionalliste kishin rikthyer hapësirën që deri më atëherë e mbanin të pushtuar forcat bullgare, të cilat, kishin vazhduar me terrorin kundër popullatës shqiptare.
Luftimet e para do të zhvillohen në Anamoravë dhe Luginën e Preshevës në tetor të vitit 1944 për të vazhduar edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit, kur një pjesë e rëndësishme e forcave të shkëputura patriotike, do të bashkohen rreth frontit të përbashkët të rezistencës kombëtare. Kjo do të ndodhë në Anamoravë me formimin e “Shtabit Suprem” nën drejtimin e Adem Gllavicës, i cili mori përsipër drejtimin e luftimeve në Gjilan, Ferizaj dhe pjesët e tjera të Anamora-vës, në mënyrë që e gjitha në prill të vitit 1945 të kthehet në një lëvizje të gjerë të rezistencës kombëtare nën platformën politike të “Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila tashmë e kishte shpallur hapur luftën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë dhe demokratike.

Andaj, nuk ishte e rastit që ideja për një organizim të përbashkët politiko-ushtarak, që do të udhëhiqte lëvizjen e rezistencës shqiptare, të vinte njëherësh nga Shkupi dhe Anamorava, ngaqë pikërisht këtyre pjesëve, krahas ndarjes Kosovë-Shqipëri në përputhje me atë që kishte sjellë Konferenca e Londrës, e Parisit e që e kishte konfirmuar ato ditë edhe Jalta, Shqiptarëve në përbërje të Ju-gosllavisë “së re e demokratike”, u vinte edhe një ndarje tjetër: nën Maqedoninë dhe nën Serbinë. Ndarja në republikat simotra shfaqej edhe më e rëndë, ngaqë ajo prekte themelet e etnisë shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, e cila nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej kishte qenë qendër shpir-tërore dhe politike e Shqiptarëve në luftë për pavarësi kombëtare, ku Prizreni dhe Shkupi njësoj kishin ushqyer idetë e bashkimit shqiptar dhe të shtetësisë së tij. Në rrethanat e reja, Prizreni kthehej në qendër të një province (obllasti) nën Serbi, ndërsa Shkupi, qyteti më i madh shqiptar nga antikiteti, mesjeta dhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane qendër e Vilajetit të Kosovës ku edhe kishte qenë epiqendra e zhvillimeve historike (1878-1912) që kishin sjellur pavarësinë e Shqipërisë, kthehej në qendër të shtetësisë të një kombi politikisht të formuar (Maqedonas), me detyrë që ta shuante identitetin shqiptar nga aty me anën e metodave të dhunës politike dhe shtetërore (privimi nga arsimi kombëtar, heqja gjuhës shqipe në administratë, stimulimi i emigrimit për në Turqi, sforcimi i turqishtes e të tjera) deri në shuarje të tyre fizike në të.

Si reagim ndaj kësaj gjendjeje, kur në Kosovë, Karadak dhe pjesët e tjera të Maqedonisë Perëndimore forcat patriotike nga radhët e Divizionit IV shqiptar dhe ato të Ballit Kombëtar po luftonin kundër njësive partizane dhe terrorit të tyre, në Shkup, i cili pas kapitullimit të forcave bullgare dhe larimit të atyre gjermane, për disa kohë kishte qenë në duart e ballistëve shqiptarë, gjatë muajit mars të vitit 1945, u shfaq “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila, luftës së filluar kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkimit shqiptar duhej t’i jepte një platformë të qartë politike. Ndaj, si e tillë, u themelua në shtëpinë e Hysniqemal Ejupit, në të cilën morën pjesë: Azem, Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Sipas organizatorëve, NDSH, në rrethanat e ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe ndarjes së saj midis Maqedonisë dhe Serbisë, si synim kryesor kishte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me shumicë shqiptare me Shqipërinë.

Që kjo të sendërtohet, NDSH dhe drejtuesit e saj u zotuan sa më shpejtë të vendosin lidhje vëllazërore me nacionalistët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët ishin të shumtë por pa një qendër drejtuese.
Në kuvendin themelues, po ashtu, u tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ngritjes nacionale te Shqiptarët, me çka do të zgjerohet dëshira dhe vullneti i tyre për bashkim kombëtar.

Themelimi i ONDSH-së dhe programi i saj kombëtar nuk mbeti i pavërejtur. Nacionalistët shqiptarë, të cilët e kishin gjithnjë e më të qartë se pushteti popullor komunist po zhvillonte një veprimtari të hapur kundër Shqiptarëve dhe qenies së tyre, filluan t’i bashkohen asaj, veçmas pas copëtimit të hapësirës së tyre në shumë pjesë (Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës). Bie në sy se krahas nacionalistëve të devotshëm që nuk pajtoheshin me ripushtimin sllavo-komunist dhe ndarjen që sillte ai, do të jenë ish partizanë, pastaj prefektë komunash dhe të tjerë të përfshirë në radhët e nacionalçlirimtares, por të zhgënjyer nga mashtrime e saj, që do t’i bashkohen organizatës. I tillë ishte Rexhep Dauti nga Tanusha, i cili ishte komandant policie në Tanushë, Mulla Hajdar Kurteshi nga Kumanova – ish komisar politik i aradheve ushtarake të Sylë Hotlës, Mehmet Bushi, oficer – ushtarak dhe oficer në Tetovë e Gostivar, Jetish Vishi nga Vitia e Gjilanit e shumë të tjerë nga Maqedonia Perëndimore, Anamorava dhe Karadaku i Shkupit.

Masivizimi i shpejtë i ONDSH-së në Maqedoni si dhe ndërlidhja me Kosovën bëri që pjesët e ndryshme të rezistencës kombëtare në Kosovë dhe Maqedoni të ndërlidheshin ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë që lufta e tyre të jetë sa më e suksesshme. Kështu, në gusht të vitit 1945, “Shtabi Suprem i Kosovës” i drejtuar nga Adem Gllavica ftoi një takim të përfaqësuesve të njësive të kryengritësve shqiptarë dhe të organizatave të NDSH-së. Takimi u mbajt në Tanushë të Kopilaçës, më 15-16 gusht, midis Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit.

Komiteti i NDSH-së Shkupit, i cili ditë më parë edhe nga Hysen Tërpeza kisht marrë një ftesë për kongresin e përbashkët, për në Tanushë të Kopilaçës nisi Qemal Skënderin, Mexhid Zymberin, Rexhep Dautin dhe Xhemal Fazli Ferën.

Krahas përfaqësuesve të Shkupit në këtë tubim ishin edhe: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, prof. Ibrashim Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi – Vitia, Din Hoxha nga Kaçaniku, Qazim Sefa nga Llugaxhia, Qazim Soba, Hajriz Kajolli e të tjerë. Mbledhja mbajt në shtëpinë e Zylbehar Beqiri Ajvazi.

Hysen Tërpeza, bëri të ditur për lidhjet e vendosura me Komitetet e NDSH-së në Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe së fundit edhe me atë të Shkupit. Në Kongres folën edhe Adem Gllavica, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi, të cilët shpalosën platformën mbi të cilën duhej të zhvillohej veprimtaria kombëtare, qëllimi i së cilës është kundërshtimi i vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste, mospranimi i copëtimit të trojeve shqiptare si dhe lufta për bashki-min shqiptar në një shtet demokratik dhe të lirë.

Kongresi emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës me në krye Hysen Tërpezën në përbërje të të cilit ishin edhe Luan Gashi, Bajrush Xhakli (komandant i batalionit të dytë në malet e Presedelit), Rexhep Okllapi (komandant i batalonit të tretë në malet e Keçekollës), Shaban Haliti (komandant i batalonit të katërt), Syl Hasip Hotla (komandant i batalonit të pestë për Kumanovë e rrethinë) dhe Din Hoxha (komandant i batalionit të gjashtë). Në Shtabin e luftës ishte edhe Adem Gllavica i ngarkuar për propagandë. U vendos që prof. Ibrahim Klemendi të delegohet për propagandë në Shkup, ku NDSH do ta kishte selinë, kurse Luan Gashi do të kryente të njëjtat detyra në pjesët midis Suharekës dhe Prizrenit. Kongresi caktoi edhe komandantët e katër zonave operative.

Në fund, Kongresi doli me udhëheqjen e re të NDSH-së në krye me patriotin Halim Orana nga Gjilani. Qemal Skënderi u zgjodh zëvendëskryetar dhe Azem Marana sekretar i organizatës. Anëtarë të KQ të NDSH-së u zgjodhën: Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tërshana.
Kongresi miratoi disa dokumente si “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” me pesë pika:

  1. Liri dhe pavarësi të plotë me të drejta vetëqeverimi në bazë të vullnetit të shfaqur lirisht;
  2. Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet, ku banojnë Shqip-tarët, në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është pushtuar;
  3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet me kufij etnik;
  4. Mbasi të vendosën kufijtë etnik, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç janë ato: strategjik, ekonomik, politik, etj… në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr Shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë;
  5. Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre të jashtme, ndërkombëtar t’ua organizua për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanik.

Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, të gjithë të deleguarit në qendrat e veta iu rrekën punëve për themelimin e komiteteve vendore të NDSH-së, të cilat duhej të marrin përsipër realizimin e vendimeve të marra në Kongres. Komitetet vendore të NDSH-së u themeluan në të gjitha rrethet e vendit, të cilat ishin të lidhura me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup.

Shema organizative që e lidhur me qendrën në Shkup kishte arsye praktike, por edhe strategjike, me anën e të cilave synohej që të ndërlidhej puna e lëvizjes me karakterin e saj kombëtar, ku Shkupi si qendër kundërshtonte jo vetëm ndarjen që u ishte bërë Shqiptarëve në dy pjesë (Serbi – Kosova dhe Maqedonia Perëndimore në Maqedoni), por edhe demonstronte unitetin politik dhe shpirtëror në përputhje me të drejtën historike dhe etnike të tyre.

Kongresi i bashkimit në Tanushë të Kopilaçës si dhe platforma politike që u aprovua aty për veprim ushtarak dhe politik në të gjitha pjesët drejt sendërtimit të synimeve të përcaktuara: bashkimi kombëtar si dhe lufta kundër komunizmit krijoi një atmosferë mobilizimi te grupet e shkapërderdhura, por njëherësh ngriti gatishmërinë e pushtetit komunist jugosllav dhe atij shqiptar “në luftë të pakompromis kundër reaksionit” dhe “shërbëtorëve të tyre”, që rëndom identifikoheshin si “kuislingë”, meqë kështu fshiheshin aspiratat dhe qëllimet e njëmendta siç ishte bashkimi kombëtar dhe lufta kundër komunizmit. Kështu, në Maqedoni dhe Kosovë, pushteti ushtarak, i cili nga fillimi kishte goditur pamëshirshëm gjithçka shqiptare, kishte filluar operacionet e gjera në ndjekje të pjesëtarëve të NDSH-së dhe të strukturave të tyre politike dhe ushtarake, që përhapeshin në të gjitha anët. Kreu i NDSH-së në Shkup, konkretisht prof. Ibrahim Kelmendi do t’i kundërpërgjigjet me hapjen e degëve të organizatës në të gjitha qytetet e vendit si dhe të shtrirjes së nëndegëve të tyre në thellësi si dhe me venien e lidhjeve me përfaqësuesit e huaj në Maqedoni, ku me interes shfaqeshin ata anglezë dhe të Turqisë.

Lidhjet e para me përfaqësuesin e konsullatës britanike në Shkup si dhe me atë turk u vunë me anën e një letre që u ishte drejtuar diplomatëve anglezë dhe atyre turq, ku njoftoheshin me qëndrimin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës rreth bashkimit me Shqipërinë dhe se për këtë arsye “mijëra shqiptarë janë duke luftuar me shpresë të madhe se do të kenë përkrahjen e Perëndimit, posaçërisht nga faktori anglo-amerikan”.

Krahas këtij njoftimi të përgjithshëm, konsullit turk i ishte bashkangjitur edhe një njoftim tjetër në të cilin i bëhej me dije për veprimet përçarëse të pushtetit jugosllav, me anën e të cilave popullsia turke, jo vetëm që po mbështet politikën jugosllave ndaj Shqiptarëve, por disa aktivistë të saj janë vënë në shërbim të verbët të saj duke bërë çmos që ata të deklarohen turq.

Profesor Ibrahim Kelmendi kërkon nga konsulli turk që të shqyrtojë seriozisht këtë çështje dhe të ndikojë te eksponentët e pushtetit jugosllavë të heqin dorë nga kjo politikë, e cila mund të jetë e dëmshme për të dy popujt.
Por, në vlugun e këtyre aktiviteteve politike, që po ndërmerrte prof. Ibrahim Kelmendi nga Shkupi për masivizimin e NDSH-së, gjë që kjo edhe do të shfaqet me suksese të konsiderueshme, hetohet rënia e aktivitetit ushtarak si dhe tërheqja nga veprimtaria e kundërvënies së armatosur regjimit komunist jugosllav në përputhje me vendimet e Kongresit të Tanushës, kur edhe ishte themeluar Shtabi Suprem Ushtarak bashkë me zonat operative. Kjo kishte ndodhur pasi që Hysen Tërpeza komandant i Shtabit të Përgjithshëm në përputhje me një vendim që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm në fillim të tetorit në Tanushë, me anën e një letre, njoftonte qendrën e Shkupit për tërheqjen e Shtabit Ushtarak drejt Greqisë. Në këtë letër kërkohej nga prof. Kelmendi që të jepej pëlqimi i qendrës së NDSH-së për këtë veprim, i cili arsyetohej me qëndrimin që ishte marrë nga kërkesa që ushtarakëve (Adem Gllavicës dhe bashkëpunëtorëve të tij) u ishte drejtuar nga Mit’had Frashëri dhe Muharrem Bajraktari që ata të kalonin në Greqi për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrënimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse “çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, Shqipërisë dhe Jugosllavisë”.

Qendra e NDSH-së në Shkup nuk do të pajtohet me këtë vendim. Komiteti Qendror i saj do të reagojë me qëndrimin se do të luftohet deri në përmbushjen e idealeve kombëtare. Ngjashëm reagoi edhe Mulla Idrizi nga Gjilani, i cili me disa njësi ndodhej në pjesët e thella të malësisë së Karadakut. Ai kërkonte që të hiqej dorë nga arratia, sepse “nuk ka me shkue gjatë”.

Edhe përkundër thirrjes së KQ të NDSH-së si dhe të Mulla Idrizit dhe disa patriotëve të tjerë që gjendeshin nëpër njësitë guerile dhe luftonin për aq sa mundeshin, forcat kryesore ushtarake të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm, nga tetorit i vitit 1945 e deri në dhjetor, mori rrugën e vështirë dhe të rrezikshme të tërheqjes për në Greqi, rrugë kjo të cilën shumë prej tyre nuk do ta arrijnë, ngaqë do të jenë forcat jugosllave që do t’u vihen pas dhe hap pas hapi do t’i ndjekin duke u sjellë humbje të rënda, me ç’rast disa njësi do të shuhen fare.

Nëpër të tilla pusi do të vritet edhe Mefail Shehu – Zajazi, i cili mori rrugën për në Greqi me mbi 100 luftëtarë, por ra në një pritë partizane bashkë me shumë luftëtarë, të cilët ishin duke pritur që të bashkoheshin me njësitë tjera që kishin marrë këtë rrugë.

I fundit që do të niset për në Greqi ishte grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan Kabashit. Këtë rrugë ata e morën nga gjysma e nëntorit. Atyre iu bashkuan edhe grupe të tjera që vepronin në Zhegoc, Kopilaçë të Ferizajt dhe Kaçanik.
Me largimin e njësive kryesore ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm për në Greqi bashkë me ushtarakët e rëndësishëm që i drejtonin ato (fjala është për oficerë të shkolluar), filloi të bjerë edhe intensiteti i rezistencës së armatosur ndaj regjimit sllavo-komunist, i cili kishte filluar të vendosej në Kosovë dhe në Maqedoni në përputhje me realitetet e Jugosllavisë komuniste, realitet ky që etninë e deriatëhershme shqiptare të shkëputur nga trungu i saj në vitin 1912, tash e ndante në dy pjesë: në atë brenda republikës së Maqedonisë si pjesë e federatës jugosllave dhe në krahinën “provincën” e Kosovës nën Serbi. Kjo ndarje, bëhej edhe më e rëndë për Shqiptarët ngaqë Shkupi, qytet antik dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës bashkë me Tetovën, Gostivarin dhe pjesët e tjera të Pollogut, shkëpute-shin nga Kosova, qendër kjo graviteti e botës shqip-tare nga Kriza Lindore e këndej, me çka në rrethanat e reja që të dy pjesët margjinalizoheshin së tepërmi, që si do të shihet, për Beogradin dhe Shkupin diktatura komuniste do t’iu ofrojë mundësi të shumta që të vazhdohet politika e tyre të njohur antishqiptare e pasqyruar nëpërmes asimilimit dhe e shpërnguljes së tyre për në Turqi.

Por, si do të shihet, edhe përkundër largimit të krahut ushtarak në Greqi dhe Gjermani, NDSH-ja nuk do të pushojë veprimtarinë e filluar. Degët e saj të shkapërderdhura në Kosovë dhe Maqedoni do të vazhdojnë të ruajnë frymën e rezistencës kombëtare qoftë me veprimtari politike, qoftë edhe me përdorimin e luftës guerile në disa pjesë të vendit, e cila do të jetë e pranishme edhe gjatë dy viteve të ardhshme përkundër përgjigjes së ashpër që do ta marrë nga regjimi komunist, i cili krahas pushkatimit të militantëve, mbushi burgjet me gjithë ata intelektualë shqiptarë që nuk ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e mashtrimit të ri ideologjik nën parullat e vëllazërim-bashkimit.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 399-406) / KultPlus.com

Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafaj, një dramë e madhe tronditëse e burgut në tri pamje

Nga Jusuf Buxhovi

Përshtypje

JETA – BURG DHE BURGU – JETË!

Besnik Mustafaj: “Një sagë e vogël”, roman. Tiranë, 1995.

Të kalosh çaste leximi me romanin “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafaj, do të thotë të përjetosh thuajse deri në mizori dramën e madhe tronditëse të burgut në tri pamje, që autori, në parathënien që mund të merret edhe si prolog, i quan “tri nyje” te një fatumi, ngaqë hija e burgut ka rënduar vazhdimisht si në ankth i verbër, i pakuptueshëm, që megjithatë vetë rrëfimi në tri pjesë, i viktimave të tre brezave, e zbërthen dhe e bën tejet “të kuptueshme” deri aty saqë të krijohet pamja e një rrethi vicioz, ku në Shqipërinë e shekullit të fundit, jeta paraqet burg dhe burgu jetë!
Ky dimension tepër tragjik, nëpërmes dramës së tre gjeneratave të viktimizuara, shfaq anamnezën më të thellë të kësaj problematike në letërsinë tonë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria e regjimeve të satrapëve dhe diktaturave, tematizimi i së cilës nuk është se nuk është prekur, por rëndom nga dioptria e ndonjë “disidence”, e pragmatizmave ideologjike ose e ndonjë “hakmarrjeje” e të viktimizuarve, e parë nga këndvështrimi personal, nuk ia ka nxjerrë në pah dimensionin e saj jashtë dramave të vërteta dhe të thella, që e kanë ngarkuar shoqërinë shqiptare me fatkeqësi, pasojat e të cilave edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të ndjehen.

Këndvështrimi i Mustafajt, nuk është i fokusuar vetëm te diktatura dhe mekanizmat e saj të njohur, ku burgu paraqiste një mjet i pashmangshëm për mbajtjen po edhe për krijimin e njeriut të zhvlerësuar deri në palcë, pa identitet dhe dinjitet elementar madje, ku i përcaktohet çdo gjë, edhe jeta intime. Përkundrazi, autori përcaktohet që “saga e burgut” fillimisht të kapet nga dimensioni socio-etik për te ai socio-politik për t’u përmbyllur me atë jetësor gjithnjë si pasojë e lidhur me shkakun. Kjo qasje shfaq edhe karakteret në raport me burgun po edhe atë që shfaqet si “mentalitet i burgut”, i cili, në rastin e parë, siç ngjet me gjyshin e Lulit Omer Hutën, ka të bëjë me trimërinë si virtyt i shoqërisë patriarkale, që megjithatë bie në kundërshtim me normat dhe rendin që i imponon shteti autoritar çastin që ai shfaqet si kapërcim nga njëra gjendje shoqërore në tjetrën, pra nga ajo e pushtimit tek shteti, ku kundëthëniet e çlirimit me lirinë vazhdojnë në planin e brenshëm. Ndërsa në rastin e dytë, viktimizimin e nipit dhe mbesës (Lulit dhe Lindës), lidhet me kohën e diktaturës, jo nga ndonjë fajësi e tyre, por me konceptin e njohur të mbikëqyrjes së individit deri te përmasat absurde dehumanizuese, që për nga pasojat, ua kalojnë edhe atyre të Gulagut, pra ku vuajtja fizike përdoret si mjet për disiplinim dhe shkatërrim në masë!

Por, ajo që është veçori e kësaj sage “të vogël” për nga faqet por të madhe për nga trajtimi, të veçantë nga rrëfimet e ngjashme dhe madje krejt të ndryshme, ka të bëjë me dimensionin e një të vërtete, të paparë ose të anashkaluar, se “jeta e burgut” kthehet në “burg të jetës” dhe, madje, dimensioni i dytë, përfshinë edhe mekanizmat e saj të brendshëm deri aty sa edhe ata, të identifikuar thellësisht me të, çastin që ai mungon, qoftë edhe te kohët kalimtare, ndjehen viktima “të lirive”! Personazhi i Hyqmet Hidit, gjyshit të Lindës, një gardiani me stazh nga burgu i mbretit te ai fashist, mungesa e burgut, kur ai do të thyhet pas kapitullimit të fashizmit dhe ikja e të burgosure nga ai, do t’i kthehet në një opsesion deri aty sa jetën pa burg dhe të paburgosur si dhe shtetin pa burg, ta marrë për fatkeqësi personale po edhe shoqërore, gjë që paradigma e kësaj fatkeqësie, bashkë me ato të viktimave anbllok të diktaturës, veprës i jep një fuqi të jashtëzakonshme pasqyruese, që atë e radhit ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe. / KultPlus.com

Buxhovi kujton Referendumin për Pavarësinë e Kosovës më 26 shtator 1991

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka kujtuar Referendumin për Pavarësi të Kosovës më 26 shtator të vitit 1991, të cilin e ka vlerësuar si akt sublim të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Përkujtesë historike: 26 shtator 1991
REFERNDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS – AKT SUBLIM I VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT TË KOSOVË
Më 26 shtator të vitit 1991, me vendimin e Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhjer me Kushtetutën e Kaçanikut të aprovuar më 7 shtator 1990, është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.
Në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.
Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin.
Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. / KultPlus.com

“Murtajen e kemi nga Robi…”

Jusuf Buxhovi

“…Unë, Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, i lindun në Gjakovë në ditën e dytë të motit të madh njëmijë e shtatëqind e dy,  me ndjenjën e përulësisë ma të thellë  para të Madhit si dhe të përgjegjësisë së plotë që ka njeriu për të vërtetën, duhet të dëshmoj rreth një  të keqe të madhe që na ka ra mbi kokë…

 Na pra, i madh e i vogël, nga dita e sotme, i jemi nënshtrue një rrethimi të tmerrshëm, që vjen fare papritun me kërcënimin që të mbesim të shkëputun përgjithmonë nga bota…

Ky kërcënim lidhet me shfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se ndodhet midis nesh, sado që ajo ende nuk ashtë dëshmue…

Sprovat e Zotit janë të mirëseardhuna dhe të mirëprituna, por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, len me dyshue se ajo ashtë pjellë e ligësisë së robit…

Me gjithë që, me kohë çdo gja ka me u sqarue, na duhet me gjetë forcë për me i ba ballë të ligës që vjen nga robi, ngaqë këtë e kemi për detyrë pa marrë parasysh rreziqet me të cilat ballafaqohemi…

Në këtë rrugë kemi për detyrë për me ushqye shpresën, por edhe për me gjetë mundësitë që çojnë deri të zgjimi i ndjenjës së kundërvënies së ligës që na kërcënon deri në asgjasim…

Nuk kemi me e pasë të lehtë, por nuk kemi shtegdalje tjetër…

Natën e mirë, trishtim, por edhe shpresë…”

Shënimin e vendosa te vargjet “Lutjet e Mëngjesit” nga Katekizmi:

“Po të falem o Zot i vërtetë,

e po të bindem,

e po të due me gjith zembër.

Po të falem nderës

se më ke kriuom

e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë

prej ndonji mortje së pakujtueshme.

Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija

e po të lutem të më ruojsh sod

e për gjithë her

 prej gjith fajesh e mpkatesh…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982.)

Rilindja

Tregim nga Jusuf Buxhovi

(Në kujtim të monumentit më të madh kulturor shqiptar, që u vra mizorisht më 2002).

Në kafenenë “Te Rrema”, për vite të tëra, kishin pirë kafenë e mëngjesit. U pëlqente të uleshin në tavolinën skaj dritares, nga, si në pëllëmbë të dorës, shihej pjesa më e madhe e qytetit që shtrihej kundruall Kodrës së Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, që ngrinte krye sa më lart për të treguar hijeshinë dhe elegancën e vet në atë fushgropë, tash i lënë shkretë dhe i përdhosur me lloj-lloj reklamash, mbizotëronte gjithë atë fushëpamje, së cilës i kishte humbur harmonia.

Dhe, në atë kënd me soditje tepër pikëlluese, pirja e kafesë përherë shoqërohej me ndonjë bisedë rasti, nga ato që merreshin si çështje kote, siç ishte shpjegimi i ëndrrave, ankesat për gjumin e parehatshëm të natës, për t´u sjellë pastaj te ndonjë ndeshje futbolli që jepej në ekran ( të shumtën nga ato të ligës gjermane) dhe të ngjashme, ku mund të kishte vend për çmos, por jo edhe për gratë dhe politikën.

Që të mos flisnin rreth grave dhe politikës, që moti kishin rënë në ujdi, ngaqë prej vitesh bënin jetë vejanësh (njërit i kishte vdekur gruaja shumë herët, ndërsa tjetrit i kishte ikur me një kushëri, diku jashtë, dhe e kishte lënë me borxhe deri në fyt). Kjo vlente edhe për ato që i merrnin si përçapje të pavlefshme politike, sepse që të dy kishin qenë gazetarë shumëvjeçarë të rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, ku ishin rritur dhe e kishin pasur pjesë jete të pandashme, me të cilën krenoheshin, por që me mbylljen e saj, që e shihnin si një vrasje me paralajmërim, që i ishte bërë, jo vetëm nga moria e mediokërve, që për arsye të njohura silleshin vërdallë nëpër të dhe që prisnin t´u vinte çasti t´i hakmerreshin ( ata përherë ishin ndjerë inferiorë kundrejt elitës së saj profesionale, e cila me të drejtë kishte gëzuar edhe trajtimin e elitës shoqërore që në çaste vendimtare do t´u prijë proceseve të ndryshimeve historike, nëpër të cilat ishte kaluar) – por edhe ngaqë ajo në kohët kalimtare, që do të vinin më pas, ngjashëm do të shihet me smirë edhe nga ata, të cilët kishin dëshiruar që kalimtaren ta mbanin sa më gjatë, mundësisht përgjithmonë, sepse vetëm ashtu rrinin në atë syprinë të sipërfaqshme, në ç’mënyrë edhe përfitonin. Dhe, ishte e natyrshme që një gazetë e vlefshme, me autoritet dhe traditë, do t´u pengonte të krijonin ato opinione të rreme, siç i kishin krijuar, pa ngurruar edhe të vetëshpalleshin ata që nuk ishin, të vetëdekoroheshin dhe të përhapnin broçkulla të panumërta, që zotëronin skenën politike dhe kishte rrezik që, në saje të gazetave, të cilat me parashtesa e prapashtesa të shtypit të lirë dhe atij gjithëkombëtar, që mbinin si kërpudhat pas shiut, të kthehej e gjitha në një farsë tragjikomike të mashtrimit me anën e imitimit të idealeve të nëpërkëmbura, të cilat jo vetëm që nuk ishin përmbushur, siç thuhej me mburrje vend e pa vend, por ato edhe më tutje mbeteshin të hapura e, madje, për ta edhe të shpërfillura…

Por, të pije kafe në një kafene përherë të mbushur me të tillë që qejfin e kafesë përherë e mëlmonin me thashethemet rreth grave dhe me përçapje politike nga më të pabesueshmet, ku secili dinte më shumë se tjetri dhe ishte në gjendje t´u jepte aty për aty përgjigje që të gjitha çështjeve, qofshin edhe të atilla që u duhej edhe një jetë e tërë studimesh, ishte pak e vështirë. Këtë e dinin fare mirë që të dy gazetarët e dikurshëm të “Rilindjes”, të cilët ishin të vetëdijshëm se duke përjashtuar nga bisedat e tyre gratë dhe politikën, nuk bënin asgjë tjetër veçse ikjen e kohës dëshironin ta fshihnin disi me ato që më së shumti u mungonin, e kjo paraqiste një sjellje të panatyrshme, po që ata nuk dëshironin ta ndryshonin, pikërisht pse ashtu shfaqnin një mospajtim të brendshëm ndaj humbjeve të pakthyeshme, që njëherësh paraqiste një kundërshti ndaj atyre që në të vërtetë ndodhnin dhe me të cilat ata, jo vetëm që nuk pajtoheshin, por, për më tepër, as nuk dëshironin të kishin të bënin. E gjithë kjo i sillte në një gjendje që shumica e të tjerëve t´i shikonin ndryshe: si të çekuilibruar nga dëshpërimi, e madje edhe të krisur fare, por që askush nuk ua vinte veshin, ngaqë merreshin si fatkëqij që nuk kishin qenë në gjendje, ose nuk kishin ditur t´u përshtateshin rrethanave të reja ( krejt njësoj), fatin e zi të të cilëve, si për gjithçka tjetër, e merrte përsipër koha, e cila një ditë do t’i vilte nga kjo botë për të mos qenë më dhe për t’i vendosur në labirintet e harresës…

Dhe, dita që ata nuk do të ishin më, sado tragjike, do të vinte sikur të ishte e paralajmëruar, meqë edhe njëri edhe tjetri do të gjenin vdekjen në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë, mu në të hyrë të kafenesë “Te Rrema”, ku ata për vite të tëra, në të njëjtën tavolinë, që kapte shikimin kundruall Bregut të Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, i lënë shkretë, edhe më tutje mbizotëronte gjithë atë pjesë që i kishte humbur harmonia, pinin kafenë e mëngjesit dhe bënin ato bisedat e rëndomta, nga përjashtoheshin gratë dhe politika, por që vdekja e të parit kishte ndodhur nga përplasja e drejtpërdrejtë e një makine, që asnjëherë nuk ishte shpjeguar si duhej, pse kishte dalë nga ana e djathë në të majtë (kur nuk kishte pasur ndonjë makinë tjetër që t´i vinte nga ana tjetër, si dhe hamendje të ngjashme) me ç´rast ai ishte qëlluar për vdekje, ndërkohë që tjetri, po ashtu kishte vdekur thuajse nga po ai aksident, nga pasojat e vërtitjes së makinës në shtyllën elektrike, me ç´rast ajo ishte shkëputur dhe e kishte qëlluar për vdekje.

Fatkeqësia e tyre, që gjatë gjithë viteve të fundit i kishte bashkuar kafja e mëngjesit në kafenenë “Te Rrema”, ditën kritike, kur nuk do t´ia dilnin të pinin kafenë e pritur, ngaqë ishte shfaqja e asaj makine që thuajse pa shkak kishte kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe me shpejtësi të madhe ishte përplasur aty ku para kafenesë kthesa e rrugës merrte një kah të ashpër, dukej sikur të kishte qenë një kurdisje tragjike e fatit, që as ata, po qe se do të pyeteshin, nuk do ta kundërshtonin, sepse nuk mund të merrnin me mend ndonjë fund tjetër përveçse të përbashkët, sy botës dhe të rrufeshëm, që i kursente prej mundimeve të sëmundjeve dhe veçmas prej pleqërisë, e cila u kishte trokitur në derë, por që në ato rrethana të jetës pa dinjitet, pushtetin e saj nuk e donin. Këtë madje do ta bëjë të ditur edhe pronari i kafenesë, i cili ishte ndër të paktët që kishte pasur mirëkuptim po edhe nderim për mysafirët e përhershëm, jo vetëm pse dikur kishte qenë lexues i tyre dhe ua kishte vlerësuar shkrimet, por edhe pse ata ishin të vetmit që kafenë nuk e pinin për qejf dhe të përcjellë me gjithfarë thashethemesh, siç ndodhte me shumicën e myshterinjve, por e pinin për ta ngushëlluar njëri-tjetrin në pritje të asaj që do t´i gjente dhe e dinin se ishte e pashmangshme, me çka mund të nxirrej përfundimi se ishin pajtuar vullnetarisht…. Këtë mendim madje pronari i kafenesë ua kishte thënë edhe hetuesve, kur kishin kërkuar prej tij të dinin se mos myshterinjtë kishin shfaqur shenja të ndonjë prirjeje vetëvrasëse, me çka atij sikur i kishte lindur dyshimi se dikush dëshironte t´i linte fajtorë në vend se të hulumtonte gjithë të vërtetën e tragjedisë, që kishte ndodhur sy botës.

“Nuk ka qenë vetëvrasje, por vrasje”, kishte thënë ai.

Dhe, për ta forcuar këtë bindje kishte treguar diçka nga biseda e fundit, të cilën e kishin bërë ata një ditë më parë, derisa pinin kafe dhe që e kishte kapur kur ai që do të qëllohej i pari nga vetura dhe do të mbetej në vend i vdekur, kishte folur për një ëndërr, që nuk ishte i sigurt në ishte ëndërr e mirëfilltë apo ankth ( kjo as që kishte rëndësi), por që në atë ëndërr apo ankth ishte shfaqur një veturë e kuqe e një marke gjermane (e njëjtë me atë që të nesërmen do ta qëllonte) dhe madje ia kishte mbajtur mend edhe numrin e targës ( ishte targë e njëjtë me atë të veturës që e kishte qëlluar), ndërkohë që ai tjetri e kishte shënuar me gisht në telvenë e kafesë, por që kishte thënë se vetura e ëndrrës apo ankthit, e cila do të shfaqet të nesërmen, për habi, drejtohej pa njeri…

Biseda e tyre e mëtejme, që ua kishte përshkruar hetuesve, kishte qenë kjo:

“Epo, këto i kanë ëndrrat. Sepse, po të mos u mungonte diçka, atëherë nuk do të merreshin për të tilla, por si realitete…”

“Kam përshtypjen se nuk ishte ëndërr, meqë çdo gjë ishte në përputhje me realitetin”.

“Po të ishte ashtu, atëherë sot nuk do të ishe këtu. Nuk do të pije kafe”.

“Kush e di. Mund të jetë kjo kafeja e fundit?…Pse jo…”

“Mund të jetë, siç kanë qenë që të gjitha deri më tani dhe këtu nuk ka asgjë të papritur”.

“E, pra, paralajmërimi është paralajmërim…”

“Duhet të kuptohet drejt…”

“Duhet, posi…”

“Duhet…”

“Sepse, nuk vjen kot…”

“Por, ç´e do që atij nuk mund t´i iket…”

“Këtu duhet parë çështjen e të pashmangshmes…”

“Ah, le të vijë sa më parë…”

“Le të vijë…”

“Le të vijë…”

“Ne po e presim…”

“Po pra. Po e presim…”

Në fund, pronari i kafenesë i kishte deklaruar policisë se kishte përcjellë ndarjen e tyre të heshtur me një parandjenjë frike, siç kishte parë dhe përcjellë edhe atë që kishte ndodhur të nesërmen para syve të tij dhe nuk kishte qenë në gjendje t´u besonte, pse ndodhjen e asaj ngjarjeje pikë për pikë e kishte dëgjuar një ditë më parë prej tyre. Dhe, kjo kishte bërë që në mendje t´i ngatërrohej fare ngjarja me paralajmërimin, sa të mos jetë në gjendje të shpjegonte, kur, në të vërtetë, kishte ndodhur e njëmendta? Një ditë më parë?…Atë ditë?… Apo, qëmoti?…

(Nga libri me tregime “Jeta lakuriqe”, Prishtinë 2009) / KultPlus.com

Promovimi i “Kosovës – histori e shkurtër” në Mitrovicë

Historiografia institucionale shqiptare vazhdon avazin e logjikës ideologjike dhe paternalizmit ndaj Kosovës

Promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” u prit me interesim edhe në Mitrovicë. Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, theksoi komponentën  shkencore të këtij libri që paraqet me dinjitet historinë e shtetit të Kosovës si qendër shqiptare në një raport kundërshtues  me realitetin e tij, që pasqyrohet në Mitrovicën e ndarë dhe Veriun jashtë sovranitetit të shtetit të Kosovës. Shikuar nga ky aspekt, Bahtiri theksoi se pikëpamjet e autorit në këtë libër, ku edhe gjendja e Mitrovicës pasqyrohet në kuadër të një kompleksiteti historik që këtë hapësirë, nga kriza lindore e këndej, për shkak të resurseve të mëdha natyrore dhe pozitës gjeografike, e kanë vu në shënjestër të interesave të fuqive të mëdha, interesa këto, që në rrethanat e tanishme duhet të gjejnë përgjigje politike brenda kornizave të sovranitet të saj dhe në përputhje me frymën eruopiane të bashkëpunimit dhe të integrimeve dhe assesi me anën e aventurave me Beogradin për shkëmbim territoresh.

Publicisti, Nexhmedin Spahiu, në fjalën e tij të rastit, librin e vlerësoi si një punë të rëndësishme autoriale, që shfaqet ndryshe nga historitë kolektive ideologjikisht të ngarkuara dhe me korniza të ngushta, të cilat, rëndom kanë paraqitur pikëpamjet e fitimtarëve (komunistëve) dhe të diktatit të tyre jashtë të vërtetës. Spahiu theksoi se autori i “Kosovës” në tetë vëllime dhe në formën e shkurtër që doli këto ditë, theu stereotipet ideologjike dhe ato të limitëve të vëna nga historiografia hegjemoniste serbe, e cila rëndom e ka deformuar pamjen historike të shqiptarëve në përputhje me interesat e veta, që shqiptarët të tregohen jashtë vazhdimësisë historike, si popull pa civilizim autokton, rrënues dhe të dëmshëm për qytetërimin evropian. Sipas Spahiu, “Kosova” e Buxhovit, edhe mund të injorohet nga xhelozia dhe arsye të tjera joshkencore  nga historianë institucionalistë në Tiranë dhe Prishtinë, shumë prej tyre të formuar gjatë mendësisë ideologjike dhe  me diapazon të rrudhur shkencor, por binarët që ka hapur autori në këtë vepër voluminoze (atë të çështjes pellazge, antikitetit, mesjetës, ato të perandorisë Osmane, Rilindjes Kombëtare dhe në veçanti të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë), mbesin të hapur dhe të pashmangshme, veçmas kur ato tashmë, në saje të përkthimit në anglisht në SHBA tashmë kanë depërtuar edhe në qarqet universitare dhe shkenvore botërore. Ato, domosdoshmërish do të kërkojnë përgjigje shkencore dhe assesi refuzim siç po ndodh tani, ngaqë shfaqen si kërkesa që i imponohen rishkrimit të historisë në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore dhe politike që u pasqyruan me rënien e komunizmit si dhe kthimin e pluralizmit në realitetin shoqëror-politik shqiptar dhe më gjerë.

Duke u lidhur me këtë komponentë, pra të rishikimit të historisë si gjë të natyrshme dhe të domosdoshme, pasi që të jenë vlerësuar drejtë shumë nga stereotipet  e kaluara që solli dioptria ideologjike dhe ajo e diktatit të historiografisë serbe, autori theksoi se kjo nuk do të jetë punë e lehtë, ngaqë historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, vazhdon avazin e vjetër, me pengun e  monopolit  paternalisht rreth gjoja të së drejtës për “të vërtetën” historike gjithëshqiptare, duke penguar me çdo kusht rishqyrtimet, korrigjimet si dhe rishkrimin e saj për aq sa këtë e determinojnë faktet meritore nga puna kompetente  hulumtuese- shkencore nëpër arkiva botërore, të cilat, deri më tash kanë qenë inkognito për historianët shqiptarë për arsye të njohura. Kjo pasqyrohet më së miri, jo vetëm me ribotimin e versionit gjoja të rishkruar të   “Historisë së Popullit Shqiptar”  në vitet 2002-2007 në katër vëllime, që nuk sjell gjë të re nga ai i viteve të gjashtëdhjeta, po përkundrazi edhe ato gjoja korrigjime nga diktati ideologjik, dalin të karikuara nga shkaku se “tradhtarët” e deridjeshëm konvertohen mekanikisht në “patriotë” dhe e kundërta! Andaj, është absurde edhe nisma e tanishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për rishkrimin e historisë së Shqiptarëve, si thuhet, kur janë po ata që e kanë shkruar histori ideologjike, janë po ata që kanë promovuar pikëpamjet e historiografisë serbe në raport me shqiptarët ( gënjeshtrën rreth shtetit mesjetar serb në Kosovë së ciklës i përmbahen edhe sot e gjithëditën) dhe vlerësimet tjera antishkencore, që thonë se “do të sjellin një pamje të plotë objektive të historisë së shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë”, të cilat madje “do t’u dedikohen edhe historianëve të huaj si histori e plotë e shqiptarëve”! Me këtë rast, harrohet se nga historia e shqiptarëve, që pretendohet se do të jetë e plotë, po nga këta historianë është përjashtuar Mbretëria e Maqedonisë dhe Epiri si dhe është minimizuar brutalisht Dardania, duke u rrudhur në një kapitull, përkundër faktit se mbretëria e Dardanisë paraqet bërthamën e botës pellazge-shqiptare nga antikiteti,mesjeta e deri te koha jonë, ndërkohë që po kjo pjesë e Dardanisë (si vilajet i Kosovës) shfaqet bartëse e lëvizjes kombëtare  nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Duket sheshazi, që historianët e Tiranës, kryesisht të mendësisë serbe-ruse,logjikën shtetërore që prodhoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913 kur qendrën (Kosovën) e ktheu në periferi, ndërsa periferinë (shtetin e përgjysmuar shqiptar) e ktheu në qendër, dëshirojnë ta vazhdojnë si koncept për historinë kolektive, paçka që shteti i Kosovës tashmë ka vendosur balanset e prishura të  botës shqiptare, fakt ky që përjashton paternalizmat çfarëdoqofshin ato. Në këtë aspekt, autori tha se historiografia shqiptare ka për detyrë që  t’i përfill realitet shtetërore shqiptare të vendosura më 1913 dhe 2008, përfillje kjo që ka për detyrë që të korrigjojë pikëpamjet antishkencore, sidomos ato të natyrës ideologjike, me ç’rast, në lupën e korrigjimit duhet të futen sidomos vlerësimet antihistorike për ngjarjet që solli shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1941 si dhe shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991. Në kapitullin e parë duhet korrigjuar qëndrimi antihistorik ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit të tetorit 1943 si dhe formimit të Qeverisë Shqiptare të atij viti të XH. Mitrovicës dhe Xh. Devës, së cilës duhet hequr hipotekat e “qeverisë kuislinge”, siç duhet të vlerësohet bashkëpunimi i aradheve partizane shqiptaro-jugosllave nga marrëveshja Tito-Hoxha e shtatorit 1944 si një shkas për ripushtimin e dytë të Kosovës nga Serbia me pasoja tragjike për shqiptarët dhe lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi sllavo-komunist në tetor 1944 – mars 1945 që u pasqyrua me rreth 50 mijë viktima, ku rëndom u masakrua popullata e pambrojtur siç ndodhi me masakrën e Tivarit, ato të Sremit dhe të tjera./ KultPlus.com

May be an image of 5 people, people sitting and people standing
May be an image of Jusuf Buxhovi and Tafil Peci Boletini

‘Jetojmë si në romanet e Markezit…’

Pjesë nga intervista e Jusuf Buxhovit dhënë shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë

Jusuf Buxhovi është historian dhe publicist nga Prishtina, i njohur më së shumti jashtë ndër shkrimtarët e gjuhës shqipe të Kosovës, autor i bestsellerit postmodern të Ballkanit “Nata e shekujve”, “Koloneli i vdekjes”, “Kujtimet e zonjës von Braun”, “Kodi i dashurisë”, “Libri i Gjakovë “,” Janiqeri i fundit “. Romani i tij “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982 dhe shumë herë i ribotuar, i përkthyer në vitin 2010 në Francë me titullin “Kush i bën ballë murtajes, i shpëton edhe djallit”, ka provokuar një debat të gjallë në qarqet intelektuale pariziane. Por, debate shumë më të nxehta intelektuale si dhe provokime ka ngjallur “Kosova” e Buxhovit në pesë vëllime, e para vepër në studimin e albanologjisë rreth historisë së Ballkanik nga antikiteti i hershëm e deri në fund të shekullit XX. Në opinion u shfaq një shumëllojshmëri komentesh – nga ato entuziaste e deri te kritikat e ashpra që erdhën nga Serbia, Shqipëria, po edhe Kosova, Ballkani dhe më gjerë.

Buxhovi hedh përpara një hipotezë shkencore të guximshme, duke nxjerrë etnogjenezën e popullit shqiptar nga Pelasgët e lashtë, të cilët, sipas disa versioneve, banonin edhe në këto hapësira edhe para tre mijë vjetësh dhe si tö tillë ishin djep i qtetërimit antik që me pa të drejtë u atribuohet grekëve të sotëm . Kështu, Buxhovi i konsideron shqiptarët më të moshuarit nga kombet ekzistuese evropiane, duke insistuar në vazhdimësinë e qëndrimit të shqiptarëve (ose paraardhësve të tyre) në hapësirën e Kosovës (Dardanisë antike) gjatë gjithë historisë së rajonit. Vendosjen e shtetit serb në Kosovë në shekullin XX (nga luftrat ballkanike e këndej), Buxhovi e quan pushtim. Por, periudhën e Titos, me theks nga Plenumi i Brioneve e këndej, për shqiptarët e Kosovës, e konsideron gjithashtu një periudhë të rëndësishme të zhvillimit shkencor, arsimor dhe kulturor. Në këtë mënyrë, nga këndvështrimi historik dhe zhvillimet politike shtetformuese, Buxhovi Kosovën e quan Qendër të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Kur deklaron kështu Buxhovi, duket se kjo nuk i pëlqeu shumë Tiranës.

Historiani i suksshëm Buxhovi, kombinon gazetarinë (në kohët jugosllave thuajse një çerek shekulli ishte korrespondent i gazetës në gjuhën shqipe “Rilindjua” nga Prishtinë në Gjermani) dhe aktivitetet shoqërore. Në vitet 1980-1990, Buxhovi ishte shumë aktiv në radhët e opozitës intelektuale kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, gjë që jo rastësisht ishte edhe bashkë-themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që ishte në krye të rezistencës jo të dhunshme institucionale ndaj politikave shtypëse të Beogradit.

Ashtu si pothuajse të gjithë shqiptarët e Kosovës, Buxhovi përshëndeti pavarësinë e vendit të tyre, por mbeti njëri ndër kritikët e ashpër të kalasës politike, e cila doli nga radhët e guerilës, që sipas tij, shumë prej tyre, shfrytëzuan pushtetin për qëllime private – pasurim e të tjera, gjë që i bënë dëmë vendit dhe kauzës së shtetësisë së saj.

Shkrime për historinë e e Kosovës në përbërje të asaj shqiptare ka pasë edhe përpara, por shumica e librave në këtë temë janë të njëanshme në aspektin ideologjik ose politik. Puna e Buxhovit (versioni i tij në gjuhën angleze në tre vëllime) shfaqet e shkruar nga një këndvështrim shqiptar dhe në përpupthje me kritere objektive shkencore pse ai flaki klishetë ideologjike dhe ato të limiteve nga historia e Beogradit nga të cilat vuajnë librtat paraprake. Si kthesë të rëndësishme në këtë drejtim Buxhovi e konsideron punën e madhe të historianit britanik Noel Malcom, në vitet 1999 me librin “Kosova: një histori e shkurtër”, me të cilën, thotë, iu hap rruga demistifikimit të historiografisë serbe rreth shqiptarëve.

– Noel Malcolm ka shkruar një libër të mirë, veçanërisht i rëndësishëm, që erdhi në një kohë kur klasa politike në Serbi po ia hapte rrugën politikës së njohur nacionaliste dhe luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqin – tha Jusuf Buxhovi. – Së pari Malcolm tregoi se qasja e historianëve të fundit komunistë të Kosovës është jo-shkencore. Megjithqë Malcomi sjell disa argumente dhe konkluzione që kundërshtojnë mitomaninë serbomadhe rreth Kosovës dhe shqiptarëve, stereotipi i Kosovës si “tokë serbe” nuk është shkatërruar sa duhet. Puna ime, megjithatë, konsiston që miti serb për Kosovën të demistofikohet në tërësi, si një gënjeshtër historike për qëllime hegjemoniste, që ka prodhuar shumë fatkeqësi në këto hapësira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.

Por, Buxhovi, thotë se përkundër këtyre demistifikimeve, mitologjia mbetet një ngarkesë e madhe në vetëdijen e ballkanasve. Atë sikur e bën edhe më fuqishme “karizma e komunizmit”, paçka se zhvillet e para njëzet vjetësh, me ndryshimet e mëdha atë e hoqën nga skena politike. Te ne në Kosovë, thotë Buxhovi, komunizmi u shkatërrua ndër të parët, por mentaliteti komunist është ende këtu. Ende ka një trashëgimi të vështirë staliniste ndër shqiptarët, por edhe tek të tjerët. Ajo vrehet veçmas te mbetjet e kruzhoqeve marksiste-leniniste, shumë prej të cilëve kanë ardhur në pushtet me ndihmën e tranzicionit dhe në emër të pluralizmit demokratik! Nuk përjashtohet mundësia që “hibridi i Kremlinit” të ketë serish kokën te qendra oligarke e Putinit dhe projektet “rreth kriminalitetit ndërkombëtar”, kur dihet se lëvizjet e tilla globale (të djatha ose të mjata), përherë janë drejtuar nga njëra qendër botërore (Vashington ose Moskë)?

“Këtyre çështjeve i dedikohet romanit im i fundit “Dosja B”, vepër kjo që brenda një kohe pati tre botime dhe hë për hë ndodhet në top listën e librave më të shitur të vendit. Ky libër flet për zhgënjimin ndaj një “fuqie të re”, e cila nën flamurin e demokracisë kombëtare, me metoda kriminale, ka ardhur në pushtet”.

Në realitet, sipas Buxhovit, kjo “fuqi e re”, shumë prej të cilëve lidheshin me krahun komunadues të luftës (krah politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), përkundër faktit se morën pjesë në një luftë të drejtë, pas luftës, u përfshinë në politikë kriminale, siç ndodhi me strukturat e ngjashme në Shqipëri dhe Serbi.

– Sa e madhe është shkalla e mosmarrëveshjes shkencore mbi historinë e Kosovës? A ka historianë serbë me të cilët ju mund të zhvilloni një dialog të frytshëm për çështjet e diskutueshme?

J. Buxhovi: Në Serbi ka shumë e shumë historianë objektivë, të cilët i ka anashkaluar politika hegjemoniste. Fjala është për dijetarë dhe shkencëtarë të cilët lidhen me traditën objektivite në albanologji dhe historiografi. Nësë nund të thuhet se në shekullin XIX, themelet e shkencës së albanologjisë u vendosën nga gjermanët, shumë shkencëtarë serbë dhe jugosllav më vonë ndoqën këtë traditë edhe përkundër faktit se shkolla serbe e historisë ka vuajtur gjithmonë nga idetë hegjemonike në të. Këtu mund të përmenden emrat e studiuesve të njohur serbë dhe jugosllavë që i ndihmuan shumë ablonologjisë si Milan Budimir, Shuflaj, Tucoviq, Aleksandër Shtipqeviq, N. Garashanin, Banjac, Katiqiq , Papazogllu e të tjerë. Punën e tyre edhe unë citoj në librin e tim dhe e vlerësoj si të rëndësishme. Kjo ka të bëjë, sidomos me periudhën e historisë së lashtë dhe mesjetës së hershme, deri në kohën në shekujt VI-VII kur në Ilirik shfaqen sllavët. Për fat të keq, në 20 vitet e fundit, sikur u janë mbyllur rrugët këtyre zhvillimeve pozitive. Përkundazi, gjërat kanë marrë kah të kundërt: shumë shkencëtarë janë kthyer në sherbëtorë të politikës ditore.

– Ti shkruan romane, kërkime historike dhe po ashtu me profesion mbeteni gazetar. Çfarë për ju është parësore: letërsia, gazetaria apo historia?

J. Buxhovi: Me pak fjalë – unë jam dhe mbetëm krijues, emancipimi i të cilit u zhvillua në hapësirën e ish Jugosllavisë, kryesisht në gjuhën serbokroate dhe më vonë edhe atë gjermane. Asokohe, shumë nga burimet e rëndësishme dhe librat mund të gjendeshin vetëm në gjunë serbo-kroate. Pra, fillet e emancipimit tim, por edhe të brezit tim lidhen me këtë gjuhë. Kjo bëri që ne ta njohim mirë letërsinë dhe kulturën serbe, mbase shpesh edhe më mirë se shumica e serbëve. Por, më kohë, krijuesit tanë, hapësinën jugosllave dhe realitetin e saj shoqëror dhe politik, veçmas pas plenumit të Brionve, pra atë nga vitet 1970 e këndej, kur me ndryshimet e atëhershme kushtetuese u zgjeruan të drejtat e Kosovës, filluan ta shfrytëzonin për një emancipim të përgjithshëm politik dhe shoqëror, drejt një barazie me republikat tjera prej nga e ka burimin edhe kërkesa për republikën e Kosovës, e shfaqur haptas në demonstatat e nëntorit të vitit 1968. Meqë Jugosllavia asokohe, krahasuar me regjimet tjera komuniste, ishte një vend liberal, kjo kanalizoi edhe orientimin tonë politik, nëpër të cilin do të kalojë rrugëtimi ynë i shtetndërtimit. Pra, pa reformat kushtetuese të Titos të viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta dhe përkushtimit të klasës politike shqiptare që ato të shfrytëzohen sa më shumë për t’u avancuar pozita e shqiptarëve aty ku mundej, pra të largimit të saj nga tutela serbe drejt federatës jugosllave, rruga e Kosovës për pavarësi do të ishte edhe më e vështirë.

– Me sa di unë, në mesin e viteve 1970 ju keni marrë pjesë në krijimin e libretit të veprës së parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, në temën e luftës anti-turke të popullit shqiptar. Si e mbani mend këtë punë?

J. Buxhovi: Epo, natyrisht që nuk mund ta quaj veten një shkrimtar profesionist i librave të operës. Kompozitori Rauf Dhomi, një shok gjenerate, më pyeti për ta bërë këtë punë. Autroi i muzikës kishte parasysh një vepër që lidhej me këtë problematikë. Meqë kisha nëpër duar tregimet e shkrimtarit shqiptar Milto S. Gurra, i propozova diçka të tillë, me të cilën ai u pajtua. Duhej që fabula e tregimit të kthehej në vargje, gjë që pas një kohe edhe u krye. Opera, së pari e paraqitur në vitin 1978 në Prizren, me rastin e kremtimi të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare , me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Shqipëria, në kuadër të programit të bashkëpunimit kulturor me Jugosllavinë. Një vit më vonë, në Tiranë, opera u luajt nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, me shumë sukses. Si e tillë, kjo vepër mbetet, ndër të parat e muzikës shqiptare.

– Në Ballkanin Perëndimor, në dekadën e fundit janë në modë trendët “për gjuhët e reja”, ndër të cilat tani janë dhe ajo boshnjake dhe malazeze. Gjuha shqipe, për aq sa dimë, u standardizua së fundi në fillim të viteve 1972, bazuar në dialektin jugor, atij toskë, ndërsa në Kosovë flitet dialekti gegë. Besohet se dialekti toskë “fitoi” sepse erdhi nga jugu i Shqipërisë, prej nga ishte elita komuniste e Tiranës. Pse edhe Kosova nuk duhet të ketë gjuhën e vet, kur dihet se ju flisni një dialekt tjetër, që është anashkaluar?

J. Buxhovi: Që të heqen moskuptimet si ai që “Kosova duhet ta ketë gjuhën e vet”, duhet thënë se Kosova e ka gjuhën e vetë dhe ajo është gjuha shqipe, ku gegnishtja, si dialekt është pjesë e saj ndonëse jo gjithaqë i prezentuar në të. Ndërsa sa i përket gjuhës së standardizuar, duhet thënë se ajo u arrit në vitin 1972, në Tiranë, një konventë e veçantë, me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve të të gjitha trevave gjuhësore shqiptare , ku u miratua një standard i përbashkët letrar për të gjithë shqiptarët. Mesiguri se asokohe dhe më vonë ka pasë dilema se cila duhet të jetë baza e standardit të një gjuhe, por kjo nuk e konteston nevojën që shqiptarët duhet të kishin një gjuhë të përbashkët, e cila duhej të mbështetej diku. Në çdo gjuhë duhet të jetë një bazë e unifikuar qoftë edhe e njëanshme ose e rastësishme pa përjashtuar këtu edhe aspektet politike ose “lokalsite”. Reformatori serb Vuk Karadzic, në fund, gjithashtu, mori si bazë vetëm një të folme të rrudhur të gjuhës serbe, atë të një krahine të Bosnjes (Tershiq), të pazakontë për zona të tjera të banuara nga serbët dhe kroatët. Vendimi i vitit 1972, pa dyshim paraqet një fitore të madhe shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, me të cilin ata u unjisuan në përputhje me synimet e tyre kombëtare. Me këtë u përjashtua edhe mundësia e përçarjes në grupe të ndryshme, sipas programeve të huaja. Sigurisht, gjithmonë do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur në këtë rast, por duhet pasë parasysh se gjuha është e gjallë dhe ajo duhet të lejojë mundësi për reforma të vazhdueshme, me çka edhe dialekti gegë të pjesmarrë në këtë proces, veçmas kur kihet parasysh se gegnishtja ka një fjalor të pasur dhe fonetikisht është e rrënjosur në histori me veçoritë (foljet njërrokëshe dhe paskajorja me operatorët aktivë në shqipe nga gjendja e pasive në gjuhët tjera), që atë e nxjerrin si fundament të gjuhësisë së përgjithshme që lidhet edhe me sanskritishten. Gjuha standarde ka për detyrë që të unifikojë gjuhën dhe veçoritë e saj t’i kthejë në një thesar të përbashkët kulturor kombëtar, gjë që këtu, ka vend për plotësime dhe ndryshime të vazhdueshme sidomos tash kur shqiptarët gjenden në një pozitë tjetër shoqërore dhe politike nga ajo e viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar kur politika diktonte disa procese qofshin ato edhe kulturore. Natyrisht se shkrimtarët ndihen më të lirë në këtë drejtim. Ata mund ta pasurojnë gjuhën me trajtat dialektore dhe veçoritë tjera, pa marrë parasysh çfarë parashtron standardi si dhe dogma e tij. Në të vërtetë kështu edhe ndodhë. Në veprat e mia letrare ruaj paskajoren e gegnishtes dhe disa forma të tjera dhe ato thuajse “po rikthehen sërish” . Ndërsa në veprat historike i përmbahem standardit gjuhësor.

– Shqiptarët e Kosovës, i takojnë kombit shqiptar, apo një etnie kosovare, që mund të kthehet në identifikim të ri shtetëror deri te “kombi kosovar”?

J. Buxhovi: Para së gjithash unë jamë shqiptar, i takoj kombit shqiptar dhe si shkrimtar, me veprat e mia, ndjehem pjesë e kulturës së gjithëmbarshme shqiptare. Sigurisht se shqiptarët e Kosovës, me disa veçori etnike, dalin paksa “me ndryshe” nga ata të jugut shqiptar, dhe kjo është fare e natyrshme. Këto “ndryshime” etnike duhet parë si të natyrshme, veçmas kur lidhen me zhvillimet e caktuara shoqërore dhe politike, po edhe kulturore siç ishin ato gjatë perandorisë osmane, kur vilajetet shqiptare paraqitnin një pjesë të identiteteve rajonale. Por, këto “identitete” ndiqnin edhe kahun e “nënidentiteve” lokale , ku, ta zëmë, një pejan ishte ndryshe nga gjakovari, siç ishte ndryshe shkodrani nga shkupjani dhe të ndryshme dhe siç vazhdojnë të jenë “ndryshe”… Këto diversitete, megjithatë, janë laryshi të brendshme kulturore, që e pasurojnë identitetin e përgjithshëm shqiptar. Ndaj, ato do të ekzistojnë edhe në rrethanat e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që ekzistenca e tyre nuk është arsye për të ndarë kombin në dy, aq më pak që prej tij të krijohet kombi “kosovar” pasi që kemi edhe shtetin e Kosovës si një realiet të ri shoqëror dhe politik, që shikuar historikisht, paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Pra, nuk duhet ngatërruar përkatësia shtetërore me atë kombëtare. Sepse, shqiptarët do të mbesin shqiptarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, siç do të mbesin serbët serbë edhe në shtetet tjera jashtë shtetit serb pa marrë parasysh se dikush do të të dëshironte që, në përputhje me paragrafet alogjike të pakos së Ahtirasit rreth qytetarisë, komponenten shtetërore të Kosovës ta lidhte me identitetin e “kombit kosovar”, si një “zhvillim të natyrshëm” që prodhon realiteti i kontratës së qytetarisë me shtetin…

Megjithatë, realietet politike në Ballkan janë të tilla se tashme kemi dy shtete shqiptare në të: Kosovën dhe Shqipërinë shfaqen si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë dhe se qytetarët e tyre të jetojnë në shoqëri demokratike, siç është e rëndësishme që të gjitha shtetet e dala nga republikat e ish Jugosllavisë të lënë prapa përgjithmonë konfliktet ushtarake dhe gjakderdhjet e shumta. Sepse, historia e ish-Jugosllavisë, edhe pse ishte me dhunë dhe hegjemonizëm serbomadh dhe unitarist, veçmas koha e Millosheviqit, megjithatë ajo ishte edhe një kohë e një emancipimi pozitiv kulturor jugosllav, nëpër të cilin kemi kluar edhe ne shqiptarët si qytetarë të RSFJ-së. Pra, pasi që këto realiete kanë ndryshuar, ne duhet të bëjmë përpjekje që si shtete, me anën e ndërveprimit kulturor, të afrohemi dhe të bashkëpunojmë që hapësirës së dikurshme t’i kthehet lira, paqja dhe demokracia. Dhe kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe për zona të tjera të federatës së mëparshme.

– Por, idea e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet mbetet opsion i shumicës së shqiptarëve? Si e shihni ju këtë?

J. Buxhovi: Kjo ide është legjitime nga aspekti kulturor, shoqëror dhe historik edhe pse shikuar nga këndvështrimi politik ajo është ideologji e tejkaluar e shekullit të kaluar, që mund të thuhet, se pas realiteteve të reja, ia ka lëshuar vendin unionit të shteteve shqiptare. Por, tash për tash, hapi më i rëndësishëm yni është forcimi dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës dhe i faktorizimit të mëtutjeshëm të Shqipërisë në konfigurimet rajonale, përfshi BE-në dhe NATO-n. Vetëm pasi që kjo të kryhet mund të shkohet një hap tutje, por gjithnjë në rrethana demokratike dhe në bashkëpunime me miqtë tanë SHBA-të dhe NATON, e ku, siç thashë, si opsion shfaqet unioni i shteteve të barabarta shqiptare. Por, edhe në rrethanat tona, kufijtë ndërshqiptar janë fare të parëndësishëm. Asgjë nuk na pengon për të udhëtuar në Shqipëri, për të tregtuar dhe për të bashkëpunuar me Shqipërinë. Pra, për ne, tash për tash, në vend të përhapjes së tezave nacionaliste që rëndom përhapen nga politikanë të dështuar, të lidhur me skemat e btrëndshme kriminale të jashtme dhe të brendshme dhe të etshëm për pushtet të kësaj natyre, është më e rëndësishme të ndërtojmë një shoqëri demokratike, të bëhemi qytetarë të lirë të Ballkanit dhe të gjithë Evropës, ku mund të gjendemi bashkarisht.

– Më thuaj, ka të paktën një serb, që shtetin e Kosovës e sheh si të vetin?

J. Buxhovi: Nuk e di. Ndoshta është politika hegjemoniste e Beogradit, e cila edhe sot e gjithë ditën luanë me idenë e një Serbi të Madhe, ajo që parandalon çdo mundësi të tillë. Kjo ka një efekt negativ në politikat tona, sepse edhe në Kosovë ka kriminelë të mjaftueshëm, të cilët shpjegojnë veprimet e tyre shkatërruese për shqiptarët duke manipuluar “me rrezikun serb”. Është e qartë se serbët do të jenë në gjendje të ndihen rehat në Kosovë vetëm nëse ata vërtetë marrin pjesë në jetën politike dhe shoqërore të vendi dhe respektojnë ligjet e shtetit në të cilin jetojnë. E di që shumë serbë ndjehen në Kosovën e sotme keq, por edhe shqiptarët mund të thonë të njëjtën gjë, meqë në pushtet sot janë edhe kriminelë dhe nacionalistë të të gjitha ngjyrave që manipulojnë shumanshëm dhe bëjnë çmos që shteti i Kosovës të dështojë.

Natyrisht se në këto rrethana, intelektualit krijues, siç është rasti im, nuk i mbetet tjetër pos të mbrojë reputacionin krijue si shkrimtar dhe historian, edhe pse dikur isha i angazhuar në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Meqë nuk kam interesa të caktuara në politikë, dua të kritikoj edhe miqtë tanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët prioritetet e angazhimit të tyre në Ballkan më shumë i vendosin kah stabiliteti se sa demokracia. Ju nuk mund të keni një hajdut dhe bandit për partner vetëm sepse me anën e tyre mbani nën kontroll gjendjen! Kjo logjikë, për fat të keq, ende vlen në Kosovë dhe në Maqedoni, ngaqë atje, më me dëshirë bashkëpunohet me parnterë “të besueshëm”, qofshin edhe kriminelë, se sa me intelektualët që duan lirinë dhe demokraci dhe jo gjithnjë pajtohen me ato që ofrohen. Dhe, përderisa do të jetë kështu, këtu nuk do të ketë qytetarë të lirë, as serbë e as shqiptarë…

– A jeni i sigurt se reputacioni i shkrimtarit dhe historianit mund t’ju mbrojë? Orhan Pamuk – një fitues i çmimit Nobel, u detyrua të largohet nga Stambolli, pasi pranoi gjenocidin që u ushtrua ndaj armenëve në Perandorinë Osmane. A nuk keni frikë?

J. Buxhovi: Nuk do të tërhiqja paralele me Turqinë dhe realitet e saj politike. Pikëpamjet e mia, ndjenjat e mia janë të një krijuesi me reputacion të gjatë intelektuaë dhe krijues, që me të drejtë shqetësohet për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Pra, si të tilla ato janë legjitime dhe korrespondojnë me pjesën më të madhe të qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë kthyer në peng të elitave kriminale politike dhe ndihamçarëve të tyre nga jashtë, që siç e thashë më parë, që pushtetin e kthyen në mjet për ta plaçkitur vendin. E di se qëndrimi im kritik mund t’u pengojë këtyre strukturave mafioze dhe kriminale dhe padronëve të tyre të fuqishëm nga jashtë, por nuk çaj kokën për to, e as që do të ma ndalin zërin tim kritik në mbrojtje të një projekti historik, siç është liria, demokracia dhe përkatësia jonë qytetërimit perëndimor, me të cilin lidhet qenia jonë edhe si njerëz…

– Ta ndryshojmë temën: cila është literatura moderne shqiptare e Kosovës?

J. Buxhovi: Ajo ndan fatin e letërsive të gjitha vendeve post-komuniste si dhe të tranzicionit, ndonëse ajo nuk e pat ngarkesën ideologjike të përmasave socreliste, siç ndodhte në vendet tjera dhe vepmas në Shqipëri. Megjithatë, realitetet e reja, ato të tranzicionit të çoroditur, që po ndodhin te ne, në njëfarë mase pasqyrohen edhe në letërsi, gjë që mund të thuhet se ajo ndodhet shumë afër realitetit aktual. Personalisht, si shkrimtar, në dy-tri veprat e mia të fundit, (Dosjën e hapur dhe Dosjen B), merrem shumë me këtë realiet të trishtë. Si të tilla ato janë shumë kritike, pasi që ndryshimet politike jo vetëm që nuk sollën lirinë e pritur, por ato abuzuan edhe me idealet e saj, gjë që sot më shumë se kurrë, nga një frustrim, hetohen edhe nastolgjitë edhe për “kohët e vjetra”. Në të vertetë, ne po jetojmë në një kohë të ngjashme me atë që ndeshet në romanet e Gabriel Garcia Marquezit, ku edhe idetë e mëdha shihen të diskredituara nga metodat e papërshtatshme të zbatimit të tyre. Njerëzit që erdhën në pushtet, të interesuar vetëm për pasurim personal, shkelën idealet e shtetit të lirë të Kosovës. Kështu, që shumë nga “çlirimtarët” e djeshëm u kthyen në pushtues të sotëm!Ndodhi kështu ngaqë ata i dehi pushteti dhe paraja… Ajo i përçudnoi aq saqë disa prej tyre u kthyen edhe në mafiozë dhe vrasës madje. Natyrisht se letërsia nuk mund t’i shërojë këto deformime as t’i ndryshojë njerëzit e pushtetit, por mund të ndikojë në vetëdijen e përgjithshme drejt ndryshimit të gjendjes, që njerëzit të kuptojnë cili është mashtrimi, cili është heroi, e cili vrasësi, i cili vazhdon të mbetet në kuadër të skemave të caktura historike, të cilat, te ne kanë sjellë tragjedi të prëseritshme, siç janë ato ideologjike ose religjioze… Dhe, siç u pa, lufta e fundit dhe ato që ndodhën gjatë këtij tranzicioni, nxorën në pah edhe sindromin ideologjik të puçeve të brendshme me metoda revolucionare në një raport absurd kur disa nga patriotët të dëshmuar gjatë rezistencës insitutcionale , por edhe luftëtarë aktivë gjatë rezistencës së armatosur, u desh të vriten mbi këto baza, siç ndodhi edhe pas luftës së dytë botërore, kur fitoi komunizmi… Në fakt, te ne mund të flitet edhe për fitoren e ndërgjegjes revolucionare, të ngjashme me atë që mund të hetohet edhe te proza e Isaac Babelit dhe te Pasternaku. Andaj, nuk është e habitshme që tranzicioni te ne u përcoll edhe me kriminalizimin e ndërgjegjes së një pjese të mirë të elitës politike, e cila rrënoi thuajse çdo vlerë, së cilës i ndihmuan edhe disa intelektualë vazalë, të cilët me vetëdshirë hoqën dorë nga morali intelektual… Dhe meqë jetojmë në një ambient të tillë, nuk është e habitshme që gjëja më e rëndësishme është “modeli i njeriut të suksesshëm” me çdo kusht, paçka se ai, siç ndodh me personazhet e Markezit nga bota e Makondos, mund të jetë një kriminel, që me duar të pista dhe me magjinë e mashtrimit arrin të gjitha! Kësaj gjendje, iu desh, në radhë të parë , inskenimi i “kultit të heroizmit të rremë”, shpallja e shumë patriotëve “tradhëtarë” si
dhe rrënimi i arsimit me anën e shitjes së diplomave dhe marifetet tjera, ku matrapazët dhe të padijshmit fitojnë pushtet të plotë. Nuk është ngushëlluese që kjo epidemi murtaje ndodh sot kudo, meqë Kosova është një vend i vogël dhe pasojat janë rrënuese…

-Çfarë mund të pritet tash e tutje prej jush: më shumë letërsi apo historiografi?

J. Buxhovi: Shkruaj pareshtur në dy drejtime: në letërsi dhe në historiografi, edhe pse qasja është e ndryshme. Te unë ato sikur ndërthurën, si uji me bukën, ku ato plotësohen pareshtur. Hë për hë, po merrem me edhe me dy vëllime të tjera të “Kosovës”, ato që kanë të bëjë me kohën e protektoratit ndërkombëtar dhe të shpalljen së pavarësisë, në mënyrë që projekti im historik të përmbyllet. Por, nuk do të resht të plotësoj konceptin tim për shkatërrimin e gënjeshtrës historike serbe rreth Kosovës dhe shqiptarëve, të mbështetur në mitomani. Do të vazhdoj edhe me letërsinë, meqë ajo mundëson që krijuesi të çlodhet nga pragmatizmi shkencor, e ku edhe realiteti i zymtë, zëvendësohet me atë të imagjinatës së pakufijshme…

A keni ndonjë idhull letrar? Dëshironi të shkruani si dikush?

J. Buxhovi: Çdo shkrimtar duhet të jetë një model i vetvetes, që si individaualitet dallohet nga të tjerët. Për mua, një model i tillë shëmbëllesë paraqesin shkrimtarët latinoamerikanë: Marquez, Ernesto Sabato, Borges si dhe shumë gjermanë (Getë, Man, Hesse e deri te Gras). Në filozofi parapëlqej Schopenhauerin dhe Nietzsche. Nga shkrimtarët bashkëkohorë gjithsesi se Orhan Pamuku paraqet një vlerë të veçantë. Edhe letërsia ruse, me interpretimin e praktikës së totalitarizmit komunist dhe dramës së tij, po ia del të ruajë namin që e kishte nga klasicizmi.

Letërsia shqipe sot në botë njihet kryesisht nga shkrimtari Ismail Kadare në saje të romaneve “Gjenerali Ushtrisë së vdekur”, “Dimrit të madh” dhe “Prillit të thyer”?

J. Buxhovi: Kadare, një shkrimtar shumë i mirë, ka një problem kur e konsideron veten disident, gjë që nuk është e vërtetë. Kadare ka shkruar dy ose tre libra të shkëlqyer, por pjesa tjetër e tregimeve dhe romaneve të tij është hija e trashë ideologjike, që atë do ta ndjek përherë pa marrë parasysh deklarimet e tij si dhe sukeset, që arrin jashtë, e të cilave ne u gëzohemi. Letërsia shqipe ka edhe shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm, për shembull, postmodernistin Kasem Tribishina, Ben Blushin dhe të tjerë, të cilët kanë sjellë një frymë të re në letërsinë tonë.

Andrei Shary. / KultPlus.com

Adem Jashari në Kosovën e pasluftës

Nga Jusuf Buxhovi

Opinioni kosovar sot është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik.

Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik?

Dy janë pozicionet reale:

a)Madhështia e sakrificës, dhe

b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake.

Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton.

Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike.

Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera.

U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore.

LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet.

Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës.

Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve.

Roli i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë.

E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake.

Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën.

Dihet mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë. Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por cenohet në të gjitha mënyrat.

Vetëm me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë.

Vepra dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore.

Prandaj ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e vrullshme. U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të shpëtimit të një populli nga gjenocidi.

E vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore.

Kështu, Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që duhet të jetë shenjtëri.

Klasa e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet fundi.

Me tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit, me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës .

Ky vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë historike.

Ridimensionimi i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet.

Vetë kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale.

Herëdokur do t’iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë.

Prishtinë, më 8 mars 2015. / KultPlus.com

Shteti i Kosovës – e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull

-Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik.

Nga Jusuf Buxhovi

Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.

Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.

Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.

Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.

Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.

Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.

Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.

Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.

Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.

Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1992. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.

Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.

Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.

Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).

Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!

Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.

Këtij diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe, që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja, ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!

Ky sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.

Ndonëse djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane (Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë gjendje.

Andaj, shteti i Kosovës, njëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.

Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.

Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra si ardhacakë.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, që doli këto ditë nga shtypi) / KultPlus.com

….

“Shteti në Pazar, heshtja e prokurorit të shtetit dhe hipokrizia e mediave!”

Nga Jusuf Buxhovi

Sikur të mos mjaftonte deklarimi i paradoditshëm i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnett, se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe, që bashkimi kombëtar, si ideologji nacionaliste e shekullit të kaluar, që për alternativë mund ta ketë unionin e shteteve shqiptare në BE dhe vetëm me përkrahjen e aleatëve, të mos kthehet në temë spekulative të debateve zgjedhore dhe madje, të anashkalohet fare, meqë shteti i Kosovës si realitet politik i krijuar nga Perëndimi paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit është i pakthyeshëm, vërejtja e ambasadorit amerikan, jo vetëm që nuk u përfill. Ajo nxiti edhe më shumë këtë çështje. U bart thuajse në të gjitha studiot televizive për t’u zhvlerësuar tmerrësisht dhe në mënyrën më të paskrupullt deri te licencimi me sondazhe televizive e të ngjashme, sa që me të drejtë shtron edhe e çështjen e marrjes së licencës çdo televizioni apo radioje që e vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës qoftë si ide e bashkimit me Shqipërinë me anën e “referendumeve” fare të paqarta dhe fare të papërgjegjshme politikisht, gjoja për të “dalë nga pika zero”, pra anashkalimi dhe harresa “nga aleatët”, qoftë kur mohohet fare nga “Lista serbe”!

Natyrisht, se marrja e kësaj mase nuk duhet të jetë vetëm preokupim i Komisionit për Media të Pavarura, e as detyrim i përhershëm i KQZ-së, që partitë që nuk i nënshtrohen kushtetutës së Kosovës, simboleve të saj dhe betimit për të, të mos certifikohen, po t’u merret e drejta e garimit sapo të hetohet përdori i slogane i “bashkimeve” kuturu, që rrezikojnë shtetin dhe qenin e tij.

Por, që KQZ, të veprojë si e pavarur dhe në përputhje me detyrimet nga shteti i Kosovës, rrugën duhet t’ia hapë Prokurori i shtetit. Prokurori është dashtë nga fillimi të veprojë si gardien i shtetit të Kosovës, ngaqë këtë e ka detyrë kushtetuese. Kjo e ka obliguar dhe e obligon që të marrë masa të menjëhershme ligjore kundër gjithë atyre që, qoftë kur atë dëshirojnë ta shohin “pjesë” të Shqipërisë ose “pjesë” të Serbisë, politikisht kjo e njëjtë, sepse, kushtetuta e Kosovës, neni i saj 1, përcakton qartë se Kosovës si shtet i ndalohet bashkimi, siç ndalohet edhe mbajtja e referendumeve për çështje të tilla. Pra, prokurori i shtetit, nuk duhet të hezitojë me rastin e hapjes së temave të tilla, të luajë strucin, por të marrë masa ligjore.

Veprimi ligjor i domosdoshëm për t’u ruajtur shteti i Kosovës, që për fat të keq ka munguar, por kjo nuk duhet të kthehet në alibi të përhershëm mosveprimi, meqë ka edhe anën tjetër, atë diplomatike dhe politike. Sepse në këtë mënyrë duhet t’u dërgohen mesazhe të qarta miqve dhe aleatëve, atyre që ndihmuan çlirimin nga Serbia dhe mundësuan krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, që të jepen dëshmi të ruajtjes së këtij kursi dhe jo të vënies së tij në dyshim. Ky mesazh duhet t’u dërgohet edhe atyre që me hapjen e temave të tilla, sidomos në Beograd dhe Rusi, Kosovën, ndonëse shtet i pavarur me të drejtën e konfirmuar edhe nga GJND-ja dhe të pranuar nga shtetet kryesore të botës (SHBA-të dhe shumica e vendeve kryesore të NATO-s), dëshiruan ose dëshirojnë që ta kthejnë te pika zero, siç u tentua para dy vitesh në prapaskenat midis Vuçiqit, Thaçit dhe Ramës, gjoja për “arritjen e një marrëveshje historike me Serbinë” kur shihej se ajo duhej t’ia hape rrugën krijimit të Serbisë së Masdhe dhe intresave ruse në rajon, gjë që me të shpejt u pengua nga Uashingtoni dhe Berlini.

Natyrisht se temës së sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe vënies së saj në pazar nëpër studio televizive dhe tubime zgjedhore, me masat e menjëhershme ligjore, duhet t’i vijë fundi. Meqë demagogjia e “krijimit të balancimeve politike”, nga ata që kanë përgjegjësi për krijimin e kësaj gjendjeje dhe atë dëshirojnë ta shfrytëzojnë për të mbetur në lojë me çdo kusht, madje duke e ndryshuar diskursin zgjedhor (nga ai parlamentar në presidencial), jo vetëm që nuk e ndihmon procesin e ndryshimit që pritet dhe duhet të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve, por e ngarkon atë me dyshimin e drejtë se po qe se vazhdon kjo retorikë, e gjitha mund të kthehet në një riciklim të klikave kriminale dhe oligarke, gjë që gjithë procesin do ta zhvendoste në binarët antihistorik! / KultPlus.com

Tre nëntorët shqiptarë: 1443, 1912 dhe 2008

Nga Jusuf Buxhovi

Historia njeh vetëm realitetet, që i vendos logjika e saj, që rëndom përcaktohen nga fitimtarët dhe interesat e tyre.

Të tilla sot janë dy shtete shqiptare në Evropë: Shqipëria dhe Kosova.

Rrënja e tyre e përbashkët etnike shpirtërore dhe kulturore nuk përjashton mundësinë që ato të bashkohen në kuadër të një unioni shtetëror në përputhje me vullnetin demokratik dhe assesi me formulat romantike dhe ideologjike të shekullit të kaluar, që mohojnë apo përjashtojnë këto realitete politike…/ KultPlus.com