Lawrence Ferlinghetti. Përkthyer nga Fadil Bajraj.
Bota është një vend i bukur të jesh i lindur në të po s’të prishi punë lumturia të mos jetë gjithmonë bash burim kënaqësie po s’të prishi punë ta shijosh ferrin herë pas here bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi ngase bile as në parajsë nuk këndojnë gjithë kohën e lume
Bota është një vend i bukur të jesh i lindur në të po s’të prishi punë që do njerëz vdesin vazhdimisht apo ndoshta vdesin urie për një farë kohe që nuk është bash aq keq nëse nuk jeni ju
Oh bota është një vend i bukur të jesh i lindur në të nëse fort s’ta ndien për disa tru trumcakësh që gjenden në pozita të larta apo për një a dy bomba që eksplodojnë herë pas here në fytyrat tuaja të përmbysura apo padrejtësi të tjera të tilla si shoqëria jonë e famshme që është pre e njerëzve të saj të shquar dhe njerëzve të saj të zhdukjes dhe e priftërinjve të saj dhe e policëve të tjerë
dhe e segregacioneve të saj të ndryshme dhe e hulumtimeve kongresiane dhe e kapsllëqeve të tjera që trupi ynë i trentë mund t’i trashëgojë
Vërtet bota është vendi më i mirë për shumë gjëra të tilla siç është skena zbavitëse skena e dashurisë skena e trishtueshme këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit endja andej-këtej shikimi në çdo gjë marrja erë luleve qirja e statujave dhe bile të menduarit dhe puthja e njerëzve lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave heqja e kapelës dhe vallëzimi notimi në lumenj shkuarja në pikniqe në mes të verës dhe në përgjithësi ‘të jetosh sipas qejfit’ Po ama bash në atë çast vjen varrtari buzagaz./ KultPlus.com
“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”
“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”
“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”
“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”
Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është mbajtur takimi koordinues ndërmjet përfaqësuesve të Bibliotekës Kombëtare, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për vazhdim të angazhimeve për planifikimin e ekspozitës “Nga lufta në liri: çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, BKK bën me dije se takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për këtë ekspozitë ndërinstitucionale, e cila do të organizohet me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Ekspozita synon të pasqyrojë rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë përmes dokumenteve arkivore, kujtimeve, mediave të kohës dhe eksponateve muzeale.
“Pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional në funksion të ruajtjes, dokumentimit dhe promovimit të kujtesës historike”, thuhet në njoftimin e BKK-së.
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com
CNN– mediumi prestigjioz amerikan e ka renditur këngën “Zjerm” të Shkodrës Elektronike si këngën më të mirë të edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës.
Në një artikull kushtuar Festivalit Evropian të Këngës, ku janë të radhitura 26 këngët finaliste, CNN në krye të listës e ka pozicionuar Shqipërinë.
Dy yjet e Shkodrës Elektronike janë cilësuar si “dyshja më e papritur” e “Eurovisionit”.
Këngëtarja Beatriçe Gjergji ka thënë se “Eurovisioni” në fakt nuk është lloj i muzikës së tyre. Por pikërisht kjo ka bërë që Shqipëria të ketë përparësi për shkak të mosngjashmërisë me asnjë këngë tjetër, po merr vëmendjen e merituar nga fansat.
“Nëse beson në llojin e muzikës që do, ndoshta mund të ndodhë diçka”, ka thënë Gjergji. / KultPlus.com
Në kuadër të Semitit të VI-të të Komunitetit Politik Europian sot në Tiranë dhe për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua edhe një ceremoni e veçantë sa historike, po aq kulturore dhe artistike.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale përshkrimin e kësaj shfaqeje për udhëheqësit europianë.
Gonxhja thekson se ky rrëfim vizual dhe performativ përshkruan Shqipërinë në udhëtimin e saj nga e shkuara drejt së ardhmes – përmes historisë, trashëgimisë dhe inovacionit.
Ceremonia vijoi me një performancë simbolike nga balerini i ri Ergi Imeraj, i cili përfaqëson brezin e ri që mbart kujtesën historike të vendit dhe ëndrrën për një të ardhme më të mirë. Në sfondin e një vizuali dokumentari, që risjell momente kyçe të historisë sfiduese shqiptare – nga prishjet e objekteve të kultit te trazirat e ’97-s dhe eksodi – Ergi lëviz mes kujtesës dhe shpresës, i shoqëruar nga një cohë që përfaqëson ëndrrën dhe vazhdimësinë.
Më tej, pamjet e arkivës nga fototeka Marubi, të sjella në jetë me AI të shoqëruara nga kompozimi premierë “Run” nga Aulon Naçi, i dhanë ritëm një vrapimi drejt natyrës dhe vlerave themelore njerëzore – një kthim te origjina europiane.
Trashëgimia shpirtërore e veriut u soll në skenë me Vallen e Shqipeve, nga valltarët e Ansamblit Kombëtar që evokuan figurën e shqiponjës, në një peizazh që flet shqip në çdo hap.
Në kulm, trupa e baletit kontemporan e TKOBAP interpretoi këngën “Zjerm”nga Shkodra Elektronike, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision, të rikompozuar me elemente tradicionale dhe klasike. Në skenë, xhubleta, lahuta dhe motivet kombëtare ndërthuren me gjuhën moderne të lëvizjes, duke sjellë një akt mikpritjeje ndaj së ardhmes, e ku në sfond shfaqej Shqipëria e re, moderne dhe e zhvilluar.
Ergi i bashkohet trupës si simbol i brezit të ri që bëhet pjesë e një Shqipërie që ecën përpara, me rrënjët e saj thellë në tokë dhe sytë nga e ardhmja.
Në fund, ceremonia u përmbyll me një përshëndetje mirëseardhjeje në Shqipëri në gjuhë të ndryshme me AI nga liderët europianë.
“Një ceremoni që ftoi liderët e Europës në një rrëfim të Shqipërisë – të sinqertë, të thellë dhe krenar”, nënvizon ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë në teatrin “Oda” në Prishtinë u hap edicioni i sivjetëm i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Polip”. Organizuar nga Qendra ‘Multimedia’ në bashkëpunim me organizatën ‘Molla e Kuqe’, festivali ‘Polip vjen sivjet me moton ‘Dhe prapë dielli lind’, shkruan KultPlus.
Në hapjen e festivalit ‘Polip’, fjalën e mori koordinatorja e programit të qendrës ‘Multimedia’, Aurela Kadriu, e cila përveçse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje shpalosi edhe programin e edicionit të sivjetëm të ‘Polip’.
“Mirësevini në një edicion të ri të festivalit ‘Polip’ i cili sivjet vjen nën temën ‘Dhe prapë dielli lind’. Programi i sivjetëm flet për vete, thërret për shpresë dhe solidaritet. Ky program ka qenë edhe mënyra e qendrës ‘Multimedia’ të shërohet edhe për vete. Nuk e kemi pasur një vit të lehtë dhe të këndshëm në kuptimin e ballafaqimit me atë se çka po ndodhë në botë, gjithçka që po ndodhë në botë thërret për solidaritet. E kemi bërë këtë temë të festivalit me idenë që jemi bashkë për agime më të mira dhe ‘Dielli prapë do të lindë”, u shpreh ajo në hapje të festivalit duke i bërë thirrje publikut që ta shijojnë shfaqjen që ishte përgatitur për natën hapëse.
Pas këtij fjalimi, në kuadër të këtij edicioni të ‘Polip’, përpara publikut u dha shfaqja, “Hija e Gjatë e Alois Brunner”. Kjo shfaqje, sjell përpara publikut realitetin e dhimbshëm të refugjatëve.
“Hija e Gjatë e Alois Brunner” flet për Alois Brunner, një prej kriminelëve nazistë më famëkeq, përgjegjës për deportimin e më shumë se 100,000 hebrenjve në kampet e përqendrimit. Edhe pse i shpallur ndër më të kërkuarit për krime kundër njerëzimit, Brunner arriti t’i shpëtojë drejtësisë, duke u strehuar në Damask, ku më vonë kontribuoi në themelimin e shërbimeve sekrete siriane. Kjo ngjarje reale bëhet pikënisje për një dramë që hyn thellë në temat e harresës dhe heshtjes.
Dramaturgu sirian, Mudar Alhaggi, zbulon historinë e Brunner-it dhe nis një kërkim për të dhe më pas vjen edhe me këtë shfaqje. Rrugëtimi i Alhaggi, që në shfaqje paraqitet si një figurë e zhdukur, rindërtohet nga dy aktorë Mohamad Al Rashi dhe Wael Kadour (po ashtu, refugjatë nga Siria në Francë), që përpiqen të bashkojnë copëzat e kërkimit të tij.
Përmes kësaj strukture narrative, publiku përfshihet në një udhëtim dramatik ku kufijtë mes dokumentarit dhe dramës, historisë dhe përvojës personale, zbehen.
E gjithë kjo dramë, që mbajti publikun të vëmendshëm për gati dy orë, erdhi e reflektuar nga të dy aktorët të cilët herë me tone të lehta, herë me ironi e me ngjyrime nga jeta personale, sollën një realitet të hidhur, i cili përveçse ka në qendër një figurë si ajo e Brunner, hedh dritë edhe mbi jetën e refugjatëve në botë.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli vetë skenaristi, Mudar Alhaggi i cili tregoi më shumë rreth shfaqjes dhe se si filloi gjithçka.
“Shfaqja flet për procesin e të gjithë projektit, nga momenti kur fillimisht kemi dëgjuar për kriminelin nazist të luftës, Alois Brunner, i cili më pas ishte bërë refugjat në Siria dhe ka qenë mbështetës i diktatorit që mbajti Sirinë nën kontroll. Kur mësuam për të, vendosëm që të bëjmë një shfaqje që flet për këtë kriminel. Gjatë procesit patëm edhe disa vështirësi, sidomos ne si azilantë në Gjermani e në Francë, çka na e komplikoi procesin. Megjithëse disa herë kemi vendosur që ta anulojmë shfaqjen, sërish vendosëm që të japim një shfaqje e cila flet një mënyrën se si u bë kjo shfaqje”, u shpreh Alhaggi për KultPlus.
E gjithë kjo shfaqje që u prezantua përpara publikut në Prishtinë vjen edhe si një pasqyrë e aktorit Mohamad Al Rashi. Ai tha për KultPlus që nëpërmjet kësaj shfaqje kanë bërë bashkë dramën e tyre bashkë me dokumentarin.
“Ky është koncepti i shfaqjes, ne flasim për jetën dhe për gjithë dramën që Mudar Alhaggi shkroi gjithashtu. Kjo është një mënyrë e re e jona që të bëjmë bashkë dramën dhe dokumentarin. E gjithë historia që drama flet, po është edhe historia ime”, tha aktori Mohamad Al Rashi.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe aktori Wael Kadour, i cili përveçse foli për rolin e tij, dha edhe përshtypjet e tij për vizitën në Prishtinë.
“Jam shumë i lumtur që jam në Prishtinë për herë të parë. Do të doja të vija sërish këtu me produksione të tjera ose vetëm për të parë qytetin. Roli im në këtë shfaqje, përderisa jam edhe vetë dramaturg, isha një reflektim i Mudar, dramaturgut të shfaqjes. Pra në këtë shfaqje unë jam edhe aktor por njëkohësisht edhe dikush që bën bashkë pjesët që dramaturgu la në gjysmë dhe u zhduk”, theksoi aktori Kadour, i cili më tutje u shpreh se ndjehet shumë i lumtur që kjo shfaqje u paraqit edhe përpara publikut të Kosovës.
Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali ‘Polip’ do të zgjasë deri më 17 maj, e përgjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të ndryshme, si diskutime, shfaqje filmash, lexime historish e shfaqje teatrale./KultPlus.com
Shërbesa ime fillon në zemër të Vitit Jubilar kushtuar shpresës, tha sot papa Leone XIV.
”Është një kohë konvertimi dhe ripërtëritjeje dhe mbi të gjitha një mundësi për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe për të filluar një udhëtim të ri, të frymëzuar nga shpresa për të qenë në gjendje të ndërtojmë, duke punuar së bashku, secili sipas ndjeshmërive dhe përgjegjësive të veta, një botë në të cilën secili person mund ta realizojë njerëzimin e tij në të vërtetë, drejtësi dhe paqe”, shtoi papa.
Duke folur para diplomatëve, papa përsëriti gjithashtu apelin e Bergoglios për të ndaluar garën e armatimeve duke nënvizuar rëndësinë e “vullnetit për të ndaluar prodhimin e instrumenteve të shkatërrimit dhe vdekjes”, si dhe një “vullneti të sinqertë për dialog” për të “zhdukur premisat e çdo konflikti”.
”Është e mundur të zhduken premisat e çdo konflikti dhe çdo dëshirë shkatërruese për pushtim. Kjo kërkon gjithashtu një dëshirë të sinqertë për dialog, të frymëzuar nga dëshira për t’u takuar në vend që të përplaset. Në këtë perspektivë është e nevojshme t’i jepet jetë e re diplomacisë shumëpalëshe dhe atyre institucioneve ndërkombëtare që ishin të dëshiruara dhe të konceptuara mbi të gjitha për të zgjidhur mosmarrëveshjet që mund të lindnin brenda bashkësisë ndërkombëtare. Sigurisht, ekziston edhe nevoja për vullnetin për të ndaluar prodhimin e instrumenteve të shkatërrimit dhe vdekjes”, shtoi ai.
Papa kujtoi historinë e tij, e cila në vetvete është një dëshirë për të “shkuar përtej kufijve”.
Duke folur para trupit diplomatik, Leone tha se “përveçse është një shenjë konkrete e vëmendjes së vendeve tuaja ndaj Selisë Apostolike, prania juaj sot është për mua një dhuratë, që ju lejon të ripërtërini aspiratën e Kishës dhe timen, për të shtrirë dorën dhe për të përqafuar çdo popull dhe çdo person të kësaj toke, që dëshiron dhe ka nevojë për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen!”./ KultPlus.com
Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.
Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.
1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës. 2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë. 3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa. 4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj. 5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari. 6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes. 7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes. 8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë. 9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë. 10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet. 11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton. 12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh. 13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time. 14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd. 15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër. 16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur. 17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë. 18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do. 19. Bukuria do ta shpëtojë botën. 20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore. 21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira. 22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar. 23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë. /KultPlus.com
Ti e di se si është kjo: nëse unë vështroj në hënën e kristaltë, në degën e kuqe të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time, nëse unë prek pranë zjarrit hirin e imët ose trupin e rrudhosur të drurit, gjithçka më sjell tek ty, sikur gjithçka që ekziston, aromat, dritat, metalet, të ishin anije të vogla që lundrojnë drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.
E pra tani, nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.
Nëse papritmas ti më harron ti do të ndalësh të më kërkosh sepse unë do të të kisha harruar tashmë.
Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht, erën e flamujve që kalon përmes jetës time, dhe ti vendos të më lësh mua në bregun e zemrës ku i kam rrënjët e mia, mos harro se atë ditë. se atë orë, unë do të ngre krahët e mi për fluturim dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen në kërkim të një toke të re.
Por nëse çdo ditë dhe, çdo orë, ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt, me buzëqeshjen që s’të shqitet, nëse çdo ditë një lule ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar, ah dashuria ime, ah vetja ime, tek unë është kthyer rishtaz zjarri, tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar, dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur, dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë./ KultPlus.com
Sindikata “Punëtori” e kompanisë rajonale të mbeturinave, “Pastrimi” ka njoftuar se do të organizojë protestë më 19 maj (e hënë), në ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës, si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe të punëtorëve të saj.
Në njoftimin zyrtar të sindikatës thuhet se protesta është e domosdoshme për shkak të mosreagimit të Komunës ndaj kërkesës së parashtruar më 15 maj.
Kërkesat dhe shqetësimet kryesore të sindikatës përfshijnë, sipas njoftimit të tyre: diskriminim në pagesa, pasiguri në punësim, mungesë transparence, mosdorëzim i mjeteve të punës, mungesë transparence për kontrata e shqetësime për favorizim të kompanive private përkundër kapaciteteve dhe përvojës së gjatë të KRM “Pastrimi”.
Sindikata thekson se “politikëbërja dhe përplasjet institucionale po i kushtojnë punëtorëve me pasiguri dhe mundësi humbjeje të vendeve të punës”.
Në protestë, punëtorët synojnë të kërkojnë trajtim i barabartë për ndërmarrjen publike, siguri dhe dinjitet në punë për punëtorët, transparencë dhe zbatim i ligjit nga Komuna, publikim i kontratave dhe vendimeve që prekin ndërmarrjen e ndalje të qasjeve të dëmshme politike dhe institucionale ndaj punëtorëve.
Protesta do të jetë paqësore dhe synon të nxisë përgjegjësi institucionale, theksohet në fund të njoftimit./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka thënë se pjesëmarrja është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë.
“Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë”, ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com
Nga data 16 maj deri më 21 qershor 2025, Shqipëria do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit – edicionin e 9-të të Albania Guitar Festival. Nën drejtimin artistik të kitaristit të njohur Denis Bizhga, ky edicion do t’i dedikohet dueteve, duke sjellë në skenë emra të mëdhenj të muzikës klasike nga e gjithë Europa.
“Ky edicion synon të thellojë dialogun muzikor përmes bashkëpunimeve dhe interpretimeve në Duo, duke treguar se muzika është një gjuhë universale që bashkon,” shprehet Bizhga.
Një festival që udhëton përmes tingujve
Festivali do të hapet më 16 maj, në Tiranë, me performancën e duos gjermane Daniel März dhe Thomas Oldenbürger – një koncert që premton të jetë një nisje madhështore për serinë e aktiviteteve që do të pasojnë.
Më 30 maj, festivalin do ta presë bregdeti i Himarës, ku Denis Bizhga do të ngjitet në skenë përkrah flautistes hollandeze Corien Vos-Ëoestenburg. Një duo delikate midis kitarës dhe flautit do të sjellë një atmosferë poetike nën tingujt e detit.
Në datën 2 qershor, dueti italian Giovanni Masi dhe Lucio Matarazzo do të ofrojë një përvojë virtuoze për publikun, me një repertor që përfshin disa nga kryeveprat e muzikës italiane për kitarë.
Më 13 qershor, skena do t’i përkasë Barcelonës: Luís Robisco dhe Ekaterina Záytseva do të sjellin ritmet pasionante të flamencos në kryeqytet, duke sjellë një atmosferë mesdhetare dhe një performancë që pritet të jetë ndër më të veçantat e festivalit.
Ndërkohë, më 14 qershor, Kisha e Shelbuemit në Rubik do të kthehet në një tempull të muzikës klasike. Duo austriake Rosa Franziska Maier (kitarë) dhe Anna Maria Niemiec (violonçel) do të sjellin një mbrëmje intime dhe emocionale, që shkrin tingujt dhe arkitekturën në një përvojë shpirtërore.
Finalja e festivalit do të mbahet më 21 qershor në Himarë, me performancën e triolës së kitaristit virtuoz nga Kosova, Agron Peni. Me një karrierë ndërkombëtare dhe një stil unik, Peni do të mbyllë këtë edicion me energji dhe pasion.
Aktivitetet edukative dhe bashkëpunimet artistike
Përveç koncerteve, Albania Guitar Festival do të ofrojë masterclass-e, ëorkshop-e, si dhe prezantime speciale nga artistët pjesëmarrës. Një nga risi të këtij viti do të jetë “Guitar Test” – një aktivitet ku të rinjtë do të kenë mundësinë të provojnë instrumente të ndërtuara nga mjeshtri luthier Sergei Rusakov.
Gjithashtu, festivali do të mbështesë talentet e reja përmes koncertit “Albania Young Talent”, ku studentë të kitarës klasike do të performojnë para publikut dhe profesionistëve të fushës.
Më shumë se një festival – një lëvizje muzikore
Edicioni i 9-të i Albania Guitar Festival nuk është thjesht një seri koncertesh – është një lëvizje që synon të krijojë ura mes artistëve, të frymëzojë të rinjtë dhe të forcojë rolin e muzikës në jetën kulturore të vendit. Me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe mbështetje të gjerë, festivali përfaqëson një hap të rëndësishëm në vendosjen e Shqipërisë në hartën kulturore europiane./ KultPlus.com
Sot janë bërë plot 26 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar veprimtarin e Lëvizjes Kombëtare, profesorin dhe intelektualin Ukshin Hoti. “Mungesa e veprimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës mbetet boshllëk i dhimbshëm në përpjekjen tonë kolektive për drejtësi dhe për të vërtetën. Institucionet tona të drejtësisë e kanë obligim moral dhe kushtetues që të veprojnë me përgjegjësi, për të mos lejuar që harresa ta zëvendësojë drejtësinë”, thuhet në njoftimin e tij.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
26 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit
Ukshin Hoti u arrestua më 1994 dhe u dënua për aktivitetin politik të tij me 5 vite burgosje. Dënimi i tij do të merrte fund më 17 maj 1999, por një ditë më herët, më 16 maj, autoritetet e Burgut të Dubravës ku ai po e vuante dënimin e nxorën nga burgu dhe e zhdukën.
Në dokumentin e lirimit të Ukshin Hotit, i lëshuar me numër protokolli 24-2241-05 dhe i nënshkruar nga Drejtori i Burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq, dëshmohet që Ukshin Hoti është liruar formalisht më 16 maj 1999. Në një letër të shkruar me dorë nga autoritetet e burgut, gjatë një strukturimi të të burgosurve, ku shihen të listuar emrat e të burgosurve të Krahut 13 D, nga dhoma nr. 14 deri te dhoma nr. 22, kuptohet që Ukshin Hoti ishte i vendosur në dhomën nr. 22, me numër rendor 6. Por ndryshe nga emrat e të burgosurve të tjerë, emri i Ukshin Hotit duket që është fshirë duke i rënë me laps sipër, kurse pranë emrit të tij është shkruar vërejtja: “ka mbaruar dënimin”.
Ukshin Hoti u nxor prej dhomës së burgut nga mbikëqyrësi Branko Komatina, duke mbajtur me vete vetëm një thes me gjërat e tij personale dhe prej asaj dite ai nuk dihet asgjë për të. Këtu është karta e identitetit të mbikëqyrësit Branko Komatina dhe e drejtorit të burgut, Aleksandër Rakoçeviq, si dy nga personat e përfshirë në skenarin e zhdukjes së Ukshin Hotit. Por emrat e zyrtarëve shtetërorë serbë të përfshirë në këtë rast, ndjekin një zinxhir që shkon deri te nivelet e larta ministrore dhe qeveriare të Serbisë.
16 maji i vitit 1999, dita e lirimit të Ukshin Hotit nuk ishte dita e daljes së tij në liri, por dita e zhdukjes së tij. Që nga ajo ditë, Ukshin Hoti është një ndër personat e zhdukur me dhunë nga forcat dhe autoritetet shtetërore të Serbisë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në ditët pasuese pas zhdukjes së Ukshin Hotit, autoritetet shtetërore të Serbisë kryen një masakër të madhe dhe të llahtarshme ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, një tjetër krim shtetëror ky i Serbisë.
Megjithëse këto dokumente sikur edhe të tjera relevante janë publikuar që në vitin 2011 nga Ukë Thaçi në librin “Masakra në burgun e Dubravës” dhe megjithëse shumë të burgosur të tjerë në Burgun e Dubravës atë kohë, kanë dëshmuar për rrethanat e zhdukjes së Ukshin Hotit, sistemi prokurorial dhe gjyqësor i Kosovës, nuk ka ngritur aktakuzë qoftë dhe në mungesë të të dyshuarve, për rastin e Ukshin Hotit.
Mungesa e veprimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës mbetet boshllëk i dhimbshëm në përpjekjen tonë kolektive për drejtësi dhe për të vërtetën. Institucionet tona të drejtësisë e kanë obligim moral dhe kushtetues që të veprojnë me përgjegjësi, për të mos lejuar që harresa ta zëvendësojë drejtësinë.
Republika e Kosovës kërkon zbardhjen e plotë të rastit të zhdukjes së Ukshin Hotit dhe drejtësi për të, sikur edhe për të gjithë të zhdukurit e tjerë me dhunë. Politikani e profesori Ukshin Hoti do të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës e unike të mendimit politik shqiptar./ KultPlus.com
Ura antike e Bogdanit, mendohet të jetë ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Ajo është ura e vetme e kësaj periudhe e njohur dhe e studiuar deri më tani në territorin e Shqipërisë, duke e bërë një monument me vlera unike.
Rrënojat e këmbëve të Urës së Bogdanit ndodhen në shtratin e lumit Shushicë, në fshatin Mesaplik të bashkisë Selenicë, pranë qytetit antik të Ceries.
Për të dalë në përfundimin se i përket shek. III p.K. specialistët janë bazuar tek teknika e ndërtimit e morfometria. Gjatësia e urës ka qenë rreth 30 metra ndërsa gjerësia 3,05 metra.
Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë po kryen punime mirëmbajtjeje në rrënojat e urës, konkretisht në këmbën që është ruajtur më mirë. Kjo është e para herë që po realizohet një ndërhyrje e tillë nga DRTK-Vlorë. Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë pastrime, sistemime si dhe rivendosjen në vendin e vet të njërit prej blloqeve antike, i cili ishte rrëzuar nga përmbytjet e lumit.
Ky projekt u realizohet edhe me kontributin e Parkut Arkeologjik Apoloni./ KultPlus.com
“Elita 5″ është pa asnjë dyshim grupi më emblematik i muzikës në Kosovë, veçmas rreth viteve 90-ta, shkruan KultPlus.
Elita 5 ka realizuar një mori këngësh, të cilat edhe sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin shumë të kërkuara.
“E urrej shiun”, është një nga hitet që ky grup kishte lansuar në treg. Një këngë që flet për dashurinë e zjarrtë por të humbur, lotët e shiun si një element përkujtimi, e në një ditë të tillë me shi kënga përqafon kujtimet e publikut në strofullën e melodive dhe tingujve të veçantë.
KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:
Në kitarë teli i këputur Ndali këngën më të bukur Por s’e ndali Shiun në këtë qytet Ku je buza e paputhur Dashuria ime e humbur Në mes të rrugës Unë po lagem vetë
I harruar si një letër e djegur Në këtë rrugë pa adresë kam mbetur
E urrej shiun kur bie Se njëherë ma fiku një zjarr Një zjarr dashurie I urrej lotët e mi Dhe pse ngjajnë me shiun Që më ndau nga ti
Dashuria ish dikur Mbet kornizë pa pikturë Që askund nuk e shoh në mur
I harruar si një letër e djegur Në këtë rrugë pa adresë kam mbetur
E urrej shiun kur bie Se njëherë ma fiku një zjarr Një zjarr dashurie I urrej lotët e mi Dhe pse ngjajnë me shiun Që më ndau nga ti E urrej shiun kur bie Se njëherë ma fiku një zjarr Një zjarr dashurie I urrej lotët e mi Dhe pse ngjajnë me shiun Që më ndau nga ti
Ti ndoshta ishe një rrufe Që erdhe shpejt (Shpejt) Dhe kur shkove, nuk e dita, as e di Por këngën edhe shpresën I le të treten nëpër shi.
Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet çdo vit më 16 maj, në përvjetorin e operacionit të parë të suksesshëm me lazer, në vitin 1960 nga fizikani dhe inxhinieri, Theodore Maiman.
Studimi i dritës ka çuar në burime alternative të energjisë, përparime mjekësore që shpëtojnë jetë përmes teknologjisë dhe trajtimeve diagnostikuese, internetin me shpejtësi të dritës dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë formësuar të kuptuarit tonë për universin.
Në këtë ditë, UNESCO bën thirrje për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij për të nxitur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Dita Ndërkombëtare e Dritës u festua për herë të parë më 16 maj 2015.
Tema zyrtare për vitin 2025 është “Drita, inovacioni, shoqëria”. Kjo temë nënvizon se si drita mund të shfrytëzohet për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, për të zgjeruar arsimin, për të rritur energjinë e qëndrueshme dhe për të reduktuar pabarazitë globale, të gjitha në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. /KultPlus.com
Gjatë këtij panairi, më shumë se 25 kompani dhe organizata vendore patën mundësinë të prezantojnë ofertat e tyre të punësimit, programet e praktikës profesionale dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me studentët e UNI-it. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me kërkesat reale të tregut të punës dhe të aplikojnë për pozita të hapura apo programe praktike që do t’i ndihmojnë në zhvillimin profesional.
Qëllimi i këtij panairi është fuqizimi i lidhjes së studentëve me tregun e punës, identifikimi i talenteve të reja dhe nxitja e bashkëpunimit mes universiteteve dhe industrisë, duke i dhënë një shtysë konkrete zhvillimit të karrierës së studentëve të UNI-it.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë studentët që janë në kërkim të hapave të parë në karrierën e tyre profesionale, duke u njohur më konkretisht me kompanitë, organizatat dhe sektorët ku ata mund të angazhohen.
UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po pret ardhjen e liderëve europianë në Tiranë në një mot me shi.
Me një çadër në dorë, Rama qëndron në tapetin e kuq, ndërsa në sfond u dëgjua kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike, e cila po e përfaqëson Shqipërinë në Eurovisionin e sivjetmë.
Deri më tani në Tiranë ka arritur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion po mbahet në Tiranë, Shqipëri, dhe që do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri Rama, gjersa përgjatë samitit, do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.
Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë.
Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.
Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë që të diskutojnë çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj./ KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar, Rexhep Elmazi, lindi më 3 janar të 1938 në Malishevë të Gjilanit, shkruan KultPlus.
I njohur për punën e tij si shkrimtar, Elmazi njihet edhe si një patriot i madh, pasi konsiderohej si personalitet i rrrezikshëm për regjimin pushtues.
Rexhep Elmazi është detyruar të punojë si përkthyes në Këshillin Popullor të Rrethit të Gjilanit. Në vitet ’60, i’u bashkua një grup ilegal të atyre viteve që i printe Adem Demaçi ku ka demaskuar politikën rankoviqiste shpërndarë parulla dhe afishe kundër regjimit serbo-jugosllav. Më 1964 zgjedhet udhëheqës i Komitetit për Gjilan në Lëvizjen për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë ilegale patriotike, në krye të së cilës ishte atdhetari Adem Demaçi.
Pasiqë zbulohet nga shërbimi i fshehtë serb UDB-ja dhe, poeti, Rexhep Elmazi arrestohet me 8 qershor të vitit 1964, ku dënohet me nëntë vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, ai lirohet nga burgu i Pozharecit, më 8 nëntor të vitit 1968.
Gjatë punës si përkthyes në Entin e Sigurimit Social në Gjilan, vazhdoi krijimtarinë poetike dhe librin e parë me poezi “Frymëmarrje” që e botoi, më (1972), ai botoi edhe veprën e dytë “Fryma”, më (1994).
Një shkollë në Gjilan nderon figurën e Elmazit duke lënë emrin e tij.
Ka shkruar mjaft, por shkrimet e tij janë asgjësuar nga bastisjet e shumta që janë bërë në shtëpinë e tij. Rexhep Elmazin e konsiderohej si personalitet të rrezikshëm për regjimin pushtues, atij i inskenua rasti më 16 maj të vitit 1978, vritet mizorisht në rrethana që shërbimi sekret e kualifikoi me “maskim”. /KultPlus.com
Sot janë bërë plot 26 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur./ KultPlus.com
Në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision 2025, e cila u mbajt më 15 maj në Bazel të Zvicrës, dhjetë shtete siguruan kualifikimin për në finalen e madhe.
Mes performancave energjike dhe emocioneve të mëdha, në finale kaluan Lituania, Izraeli, Armenia, Danimarka, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Letonia, Malta dhe Greqia.
Këto shtete do t’i bashkohen finalistëve të gjysmëfinales së parë, e cila u zhvillua më 13 maj dhe ku u kualifikuan Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.
Finalja e madhe e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj në qytetin e Bazelit, ku pjesëmarrësit do të konkurrojnë për trofeun, së bashku me pesë vendet e “Big 5” – Spanjën, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – si dhe Zvicrën, vendin mikpritës të këtij viti./KultPlus.com
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert në Gjakovë. Para paraqitjes në Sofje, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, koncerti është hapur me “Baresha” nga Rexho Mulliqi.
Koncerti ka vazhduar me arien “Un bel dì vedremo”, interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi, e cila gjatë mbrëmjes ka interpretuar gjithashtu edhe “Sempre libera” nga *La Traviata*. Në bis, ajo ka sjellë interpretimin e “Agimet shqiptare” nga Avni Mula.
Në pjesën e dytë, orkestra ka interpretuar Simfoninë nr. 2 të Kreshnik Aliçkajt dhe The Three-Cornered Hat – Suita nr. 2, nga Manuel de Falla.
Filharmonia do të paraqitet në Sofje më 17 maj 2025, nga ora 19:00 në sallën “Bulgaria Hall” në prezantimin e dytë ndërkombëtar për këtë vit./ KultPlus.com