Begaj: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, stabilitet rajonal

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur për një takim që e pati me homologen maqedonase, Gordana Siljanovska, në kuadër të Samitit të Bërdo Brione.

Në një postim në platformën X, ai ka deklaruar se pranuar bashkëpunimin e fortë politik dhe theksuan se anëtarësimi i dy shteteve në NATO siguron më tej stabilitetin rajonal.

“Ne kemi besim se nisma e Korridorit VIII do të rrisë lidhjen dhe do të fuqizojë ekonomikisht të dy vendet”.

“Theksova gjithashtu rëndësinë e gjuhës shqipe, të përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit, si një gur themeli i marrëdhënieve tona”, ka thënë Begaj.

Kryengritja e Zhapokikës, ‘Shtëpia me gjethe’ përkujton rebelimin kundër regjimit komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot Kryengritjen e Zhapokikës.

Lëvizja e armatosur e Zhapokikës më 8 tetor 1948 ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial.

Ishte një revoltë me armë e organizuar, e mirëmenduar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, i ri 30-vjeçar, ish-partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë.

Të mbi 20 burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Në përbërje të çetës kishte ushtarakë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi. Çeta arriti të rezistonte për rreth një javë e ndjekur nga forcat e shumta qeveritare.

Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin; 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA.

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda e dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arritën në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991. Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe humbën të drejtën elektorale.

Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug./atsh/ KultPlus.com

Java e Kulturës Japoneze në Shqipëri, premtohet përvojë autentike për pjesëmarrësit

Arti dhe kultura e Japonisë do të jenë të pranishme në Shqipëri nga datat 9 deri më 15 tetor përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Të interesuarit mund të bëhen pjesë e aktiviteteve si: festival filmi, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremoni çaji, dhe një turne karateje dhe judoje. Java Kulturore Japoneze ka se ç’te ofroje për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë autentike japoneze. Aktivitetet do të çelen nesër me një workshop mbi kulinarinë, ku një shef i mirënjohur do të përgatisë pjata tipike të kulturës japoneze. Ky event është një mundësi shumë e mirë për të thelluar njohuritë mbi teknikat dhe përbërësit unikë të kësaj kuzhine.

Prej nesër e deri më 15 tetor, në kinema “Maks Velo” në Tiranë, do të mbahet Festivali i filmit japonez, që do të sjellë për publikun 5 filma të animuar si: “Ride Your Wave”, “5 Centimeters per Second”, “Time of EVE the Movie”, “The Wonderland”, “The Place Promised in Our Early Days”.

Ndërsa në datën 12 tetor, në Universitetin Politeknik të Tiranës, do të organizohet ceremonia e çajit. Shtatë mjeshtra të ceremonisë së çajit do të njohin të pranishmit me çajin tradicional dhe ritualet e tij të veçanta. Gjithashtu mjeshtrat e çajit do t’u përgjigjen edhe pyetjeve apo kurioziteteve të të pranishmëve.

Më 13 tetor, në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Femijë, do të organizohet workshop-i, “Arti magjik dhe mijëvjeçar i origami”. Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar artin e palosjes së letrës, një traditë që ka ekzistuar për shekuj me rradhë dhe që vazhdon të frymëzojë njerëzit në të gjithë botën.

Do të jetë një simpozium që do të mbyllë Javën Kulturore Japoneze, që do të mbahet në Universitetin Politeknik të Tiranës. Aktiviteti ofron informacione nga përvoja reale të atyre që kanë qenë ose kanë studiuar në Japoni.

Pas Japonisë, do të jetë radha e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sjellë ngjarje kulturore nga më të ndryshmet./atsh/ KultPlus.com

Promovohet Qendra Kulturore dhe Dega e Bibliotekës në fshatin Llukar

Gjatë ditës së sotme është përuruar Qendra Kulturore dhe dega e Bibliotekës në fshatin Llukar të Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Për këtë përurim është bërë e ditur nga drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Jashtëzakonisht e lumtur që sot e promovuam Qendrën Kulturore dhe Degën e Bibliotekës në fshatin Llukar. Kjo hapësirë do të shërbejë si një vend takimi për të rinjtë dhe të rejat që e duan artin dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë.

Një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë të angazhohen, të krijojnë dhe të shprehin veten në një ambient kaq frymëzues”, ka shkruar Halimi./ KultPlus.com

Piktura e Tahir Emrës – art substancial

Mehmet Kraja

Ikja në amshim e Tahir Emrës është një lajm i trishtë, jo vetëm për anëtarët e Akademisë, për kolegët e tij, por për të gjithë komunitetin artistik të Kosovës. Si pjesëtar nga më të denjët e këtij komuniteti, bashkë me gjeneratën e krijuesve më të spikatur të këtij vendi, Tahir Emra, me shumë kurajë dhe dinjitet, të thuash në një qetësi solemne, ishte kontribues i shquar i asaj gjenerate, e cila, para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin “republikën e artit”: ta bënin Kosovën me identitet artistik!

Në suaza të kësaj tradite, Tahir Emra u identifikua pikërisht si zë identitar, që me heshtjen e tij të mençur e racionalizon retorikën dhe euforinë, në një kohë që ekspresivitetit ia gjen vendin në pikturën e tij substanciale, të sendërgjuar me një abstraksion të thuash gjenetik, primordial.

Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon “lehtësinë e papërballueshme” të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta. Ajo nuk manifeston, ajo nuk mban etiketa njohëse dhe as shpjeguese, ajo thjeshtë nxit për meditim për kuptime të thella ekzistenciale, ndonjëherë më të afërta, ndonjëherë krejt të largëta.

Koha kur u realizua opusi artistik i Emrës, kur panë dritë pikturat e tij më të rëndësishme dhe kryesore, ishte kohë e vështirë, kohë kur, njësoj si në letërsinë tonë të atëhershme, veçmas në poezinë, të shprehurit artistik duhej ta mënjanonte narracionin e drejtpërdrejtë dhe duhej të kalonte përmes mesazheve të koduara dhe konteksteve universale.

Piktura e Tahir Emrës e gjeti rrugën e saj konsekuente dhe krejt të veçantë, për të mbijetuar të gjitha kufizimet dhe sfidat, për të ardhur deri në ditët e sotme si një pasuri artistike që i ka qëndruar kohës dhe, jemi të bindur, do t’i qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.

Për veprën e Tahir Emrës do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse secila kohë do të gjejë kontekstin e saj në këto abstragime pikturave.

Piktura e Tahir Emrës është art i Kosovës dhe për Kosovën!/ KultPlus.com

Homazhe dhe akademi përkujtimore në nder të akademikut Tahir Emra

Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u mbajtën homazhe dhe akademi përkujtimore për nder të akademikut Tahir Emra, një prej figurave që dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim e artit pamor në Kosovë, bëhet e ditur nga MKRS.

Pjesëmarrësit kujtuan jetën dhe veprimtarinë e tij, trashëgiminë e pasur artistike që la pas.

Homazhe në nderim të tij bënë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, ambsadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, familjarë e miq të të ndjerit.

Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit. Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme.

E gjithë kultura kosovare dhe i gjithë populli i Kosovës e çmon dhe nderon punën e figurën e tij./ KultPlus.com

Shliroj cicat prej të premtes deri të dielën

Nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet Festivali “Shliroj Cicat”, e që këtë vit shënohet edicioni i katërt i këtij festivali.

Në komunikatën për media thuhet se ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm  të kancerit të gjirit

“Ju ftojmë të ndiqni edicionin e katërt të Festivalit Shliroj Cicat, i cili do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin Zahir Pajaziti”.

“Ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm  të kancerit të gjirit, me aktivitete të ndryshme, panel diskutimi, mbledhja e sytjenave, rezidencë me artistë nga (Shqipëria si dhe nga Maqedonia e Veriut) performanca artistike, koncerte dhe aktivitete të tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

12 filma kosovarë në “Të Fala nga Prishtina” në Berlin

“Të fala nga Prishtina” është program i filmave eksperimentalë, fiktivë dhe dokumentarë që ndërlidhen me kryeqytetin e Kosovës.

Kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash portretizon qytetin dhe rrethinën përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e poashtu tregimet intime dhe personale.

City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.

Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, video art dhe animacion nga Kosova dhe diaspora. Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V./ KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Vlorës, i pari i këtij lloji në Shqipëri

Si sot më 8 tetor të vitit 1936, u hap Muzeu Arkeologjik i Vlorës.

I pari muze shqiptar i këtij lloji, u pagëzua me emrin e monarkut “Zogu I”-rë.  Në mjediset e këtij muzeu Ismail Bej Vlora mblodhi qeverinë pas shpalljes së Pavarësisë.

Muzeu u ngrit dhe u pasurua me objekte arkeologjike të dala nga gërmimet e kryera në Apoloni prej misionit arkeologjik francez, të prirë nga arkeologu Leon Rey. Mandej, u pasurua me artefakte nga objekte arkeologjike të zbuluara në Vlorë dhe në rrethina.

Në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa, në katin e sipërm qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat, terrakotat dhe figurinat e ndryshme.

Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, muzeu u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u grabit. Për shkatërrimin dhe grabitjen e Muzeut Arkeologjik të Vlorës, arkeologu Rey, botoi një notë proteste në numrin e gjashtë të revistës së tij “Albania”.

Një pjesë e koleksionit antik të Muzeut të Vlorës që u arrit të shpëtohet, gjendet sot në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës, si dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot foto nga ceremonia e inaugurimit të muzeut me pjesëmarrjen e Xhafer Ypit, Ali Asllanit etj, pamje e godinës dhe planimetri të muzeut, si edhe portreti i Leon Rey-it./ KultPlus.com

Dy shkencëtarë amerikanë marrin çmimin Nobel, shpikën kompjuterët që mendojnë vetë


Çmimi Nobel për Fizikë ka shkuar për dy shkencëtarë amerikanë:  John Hopfield dhe Geoffrey Hinton të cilët bënë shpikje për mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.

Dy shkencëtarët amerikanë janë vlerësuar për shpikjen e tyre bën që kompjuterët të kenë funksione të kujtesës dhe të mësuarit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

Postimi i plotë i Presidentes: Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike./ KultPlus.com

“Vajza me vëth perle”, vepra me impaktin më të madh te truri i njeriut

Arti arrin të tërheqë syrin e spektatorit, dhe në mënyrë të veçantë një pikturë. Bëhet fjalë për kryeveprën e autorit holandez Jan Veermer, “Vajza me vëth perle” e viteve 1600, e cila rezulton të jetë hipnotizuese për këdo që e vëzhgon. Sipas një studimi del në pah që kjo pikturë ka impaktin më të madh në krahasim me çdo vepër tjetër tek truri i njeriut.  

Vermeer ka ditur të shfrytëzojë një fenomen shumë të njohur për psikologët, që është pikërisht fakti që truri human është i tërhequr në mënyrë natyrale nga fytyrat, nga ekspresioni i syve dhe gojës, duke aktivizuar tek vrojtuesi Ciklin e Vëmendjes së Theksuar, që është një rreth vicioz që tërheq syrin fillimisht tek vështrimi, më pas tek goja e tek drita e vëthit, gje që përsëritet në mënyrë ciklike.

Reagimin e vëmendjes e shkakton piktura veçanërisht në punimet origjinale të veprave të mëdha, dhe aty ku në qëndër është fytyra njerëzore, përgjigjia emotive cerebrale është 10 herë më e lartë.

Një grup kërkuesish të Universitetit të Amsterdam kanë vëzhguar aktivitetin e trurit të shumë vizitorëve në Muzeun e Hagës dhe reagimi cerebral është mjaft i lartë, dhe në rastin e “Vajzës me vëth perle”, është edhe më intensiv dhe ndalesa përballë veprës është shumë më e gjatë. / Klan News/ KultPlus.com

Gjirokastër, mbi 5500 vizitorë në muzeun “Shtëpia Kadare”

Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.

Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.

Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.

“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.

Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.

Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.

Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.

Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.

Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”.

Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.

“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj./ATSH

Restaurimi i shtëpive të vjetra në Janjevë ka për synim atraksionin turistik

Janë në përfundim e sipër restaurimet e shtëpive të vjetra në Janjevë, punime që janë përcjellë nga afër edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.

Për këtë investim ka njoftuar ministri i MKRS-së, Hajrulla Ceku, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.

Ndryshimet në qytetin e vjetër të Janjevës tashmë janë të dukshme. Një prej projekteve më të mëdha të Ministrisë sonë po shkon drejt finalizimit. 🏛️

Bashkë me kryeministrin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, sot ishim për të parë nga afër restaurimet e shtëpive, ndërsa takuam shumë qytetarë dhe shijuam ushqimet e shijshme tradicionale në panairin artizanal në Janjevë.

Gjatë kësaj vizite po ashtu u pritëm nga prifti Don Matej Palliq në kishën e Shën Kollit, gjithashtu vizituam xhaminë e Janjevës, ku takuam kryeimamin e Kosovës, Vedat Sahiti.

Me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës. 💙🇽🇰/ KultPlus.com

Ansambli Folklorik “Tirana” zë vendin e katërt në “Cheonan World Dance Festival 2024” të Koresë

Ansambli Folklorik “Tirana” u kualifikua i katërti në Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit Folklorik “Cheonan World Dance Festival 2024” në Kore.

“Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga të rinjtë e Ansamblit, në një konkurrencë të fortë me 30 vende nga e gjithë bota. Nga Franca e deri në Mongoli, performanca jonë u veçua për cilësinë dhe pasionin që e karakterizon.

Bravo! “, ka shkruar bashkiaku i Tiranws, Erion Veliaj./ KultPlus.com

Sot, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

Dje, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

Tri teatro për shfaqjen “Emira”, premiera më 20 nëntor

Shfaqja “Emira” e autorit Anton Santori e që në këtë prurje vjen me regji të Kushtrim Bekteshit do të vjen me premierë më 20 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e që për këtë shfaqje janë përfshirë tri teatro: Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe Shkupit, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje do të jetë edhe pjesë e ceremonisë hapëse të Festivalit Teatrit “Moisiu”, që këtë vit do të mbahet në Prishtinë.

Se provat janë duke vazhduar për realizimin e kësaj shfaqje është bërë e ditur edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Më poshtë është përmbajtja e shfaqjes dhe ekipi që është përfshirë në realizimin e këtij projekti teatral.

Në një fshat arbëresh të shekullit XIX, në rrethana terrori nga cubat dhe organet e rendit, Emira dhe Kalina, dy vajza te reja, dashurojnë Mirianin. Por ai dashuron vetëm Emirën. Ndërsa Kallonjeri, një bari i afërt me cubat, u shkon rrotull te dyjave. Intrigat e dashurisë së të rinjëve, dhe familjet e tyre, kryqëzohen me dhunën e cubave dhe të shtetit, duke vënë në pyetje vlerat bazë të shoqërisë, në tragjikomedinë e shkruar nga Anton Santori, që njëherësh konsiderohet drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Kompozitor: Memli Kelmendi

Skenograf: Betim Zeqiri

Kostumografe: Iliriana Loxha Basha

Koreograf: Artan F. Ibërshimi

Dramaturge: Doruntina Basha

Ass.regjie: Skender Podvorica

Inspiciente: Nazmije Krasniqi

Luajnë: Qëndresa Jashari, Arta Selimi, Donald Shehu, Bujar Ahmeti, Edlir Gashi, Shengyl Ismajli, Basri Lushtaku, Neritan Liçaj, Igli Zarka, Shpejtim Kastrati, Muzbajdin Qamili, Franc Bregu, Ermir Hoxhaj, Albrim Kryeziu, Rrezon Zhinipotoku, Mentor Kurti, Abedin Alimi dhe Art Pasha./ KultPlus.com

Rita Ora do të prezantojë MTV Europe Music Awards?

Rita Ora mund të prezantojë MTV Europe Music Awards që pritet të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar muajin e ardhshëm. Artistja e hitit “Hot Right Now” është në bisedime me drejtuesit e eventit për të udhëhequr ceremoninë e cila do të zhvillohet në Manchester më 10 nëntor.

Ylli i muzikës ndërpreu bashkëpunimin me menaxheren e saj dhe drejtuesen e kompanisë First Access Entertainment Sarah Stennet dhe tashmë po pret për projekte të reja.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Rita merr përsipër të drejtojë eventin pasi e realizoi detyrën e prezantueses në mënyrën më të mirë të mundshme në vitin 2017 në stadiumin Wembley.

Lajmi vjen pasi këngëtarja me origjinë shqiptare është zëvendësuar nga prezantuesja e Love Island Maya Jama në emisionin “The Masked Singer”. Megjithatë, kjo lëvizje nuk u prit mirë nga shikuesit të cilët dëshironin që Rita Ora të vijonte të ishte pjesë e panelit./ KultPlus.com

‘Po hap derën brenda teje, po hyj, të veproj, unë vij’

Poezi nga Henri Michaux

Po hap derën brenda teje, po hyj
Të veproj, unë vij
Jam këtu
Të t’mbroj
Ti nuk je më e braktisur
Ti nuk je më në vështirësi
Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë
Makthi që të la te drobitur s’është më
Unë po të mbaj me shpatullat e mia
Me mua ti hedh
Hapin e parë në shkallën e pafundme
Që të transporton
Që të ngre lart
Qe të përmbush

Unë të paqtoj
Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty
Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde
Buroj
Buroj nga gjethet e çara rrathë imazhesh përqark gruas së frikësuar
Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj
Buroj nga frymëmarrja e saj…dhe zjarri ndizet sërish.

Përktheu: Mirela Petalli / KultPlus.com

Bakteret mund të jenë zgjidhja për problemin e plastikës në natyrë

Studiuesit zbuluan se një lloj bakteri që jeton në plastikë në ujërat e zeza e tret dhe e zbërthen plastikën.

Në studimin e publikuar në faqen e internetit të Universitetit “Northwestern” është shqyrtuar efekti i një bakteri nga familja “Comamonadacae” në mbetjet plastike.

Në studim u pa se këto baktere të quajtura “Comamonas testosteroni” që rriteshin në plastikë të llojit polietileni tereftalat (PET) fillimisht zbërthenin mbetjet plastike në madhësi nano plastike dhe më pas nanoplastika u bë më e vogël me një enzimë të veçantë që sekretonin.

Hulumtimi zbuloi se plastika e thyer në ciklin tretës të baktereve u reduktua në atome karboni dhe u zbulua se plastika e thyer ishte ushqim për këto baktere.

Autorja kryesore e studimit, Ludmilla Aristilde tha se është demonstruar në mënyrë sistematike për herë të parë se një bakter i ujërave të zeza mund të degradohet, shpërbëhet dhe përdor makroplastikën si burim karboni dhe se është zbuluar një enzimë që prish plastikën.

Ajo theksoi se plastika e tipit PET përbën afërsisht 50 për qind të mikroplastikës që gjendet në ujërat e zeza në botë dhe 12 për qind të përdorimit të përgjithshëm të plastikës.

“Zbulimi i këtij bakteri dhe enzime mund të përdoret për pastrimin e mbetjeve plastike dhe trajtimin e problemit të ndotjes së mjedisit”, theksoi Aristilde.

Studimi është publikuar në revistën “Environmental Science & Technology”./ KultPlus.com

‘KamerFest’ vazhdon rrugëtimin me vepra të epokës romantike, José Gallardo, Xhafer Xhaferi dhe Jelena Očić dhurojnë koncert emocional

Vjollca Duraku

Vepra të epokës romantike  u interpretuan mjeshtërisht në koncertin e kartërt të Festivalit “KamerFest” nga José Gallardo-Piano, Xhafer Xhaferi- Violinë, Jelena Očić-Violoncel, Sihana Badivuku-Violinë dhe Altin Tafilaj- Violë, shkruan KultPlus.

Koncerti i titulluar “Chamber Masterpieces in KamerFest” edhe kësaj here mblodhi adhurues të muzikës klasike në sallën e improvizuar për koncerte të tilla, si ajo e Amfiteatrit te Bibliotekës Universitare.

Mbrëmja artistike filloi me interpretimin e veprës së kompozitorit S. Rachmainoff- “Trio Elegjik” nr.1, “g moll”, “Trio Elegiaque”, “g minor, no1”, për të vazhduar me P. I. Tchaikovsky – “Romance’ Op.6 Nr.6” për piano trio nga José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Jelena Očić, me tinguj që te publiku zgjonin nostalgji, duke e thelluar ndjenjën edhe më tej në mes emetimit të tingujve të qetë dhe atyre më të lartë.

Kësaj harmonie të mrekullushme i printe pianisti argjentinas Jose Gallardo, i cili është drejtor artistik në Festivalin Asiago, në Itali. Si fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai luan koncerte në mbarë botën në vende si: Elbphilharmonie në Hamburg, Filharmonia e Berlinit, Wigmore Hall në Londër apo Teatro della Pergola në Firencë. Është i njohur edhe për prodhime në studio, dhe të publikuar ka 20 CD.

Kurse violonçelistja Jelena Očić me një energji dhe virtuozitet të paparë, i jepte mbrëmjes tërë sharmin.  Kjo artiste përmes veprave të Kabalevsky, Ginastera dhe Senderovas ka fituar çmimin “Regjistrimi i vitit”. “Një nga talentet më të veçanta të violonçelit kohës sonë” dhe “një nga talentet kryesore në fushën e interpretimit të muzikës bashkëkohore” janë lëvdatat e violonçelistëve të njohur Bernard Greenhouse dhe Siegfried Palm për të.

Ky imazh i bukur në dukje dhe përmbajtje plotësohej me interpretimin e violinistit shqiptar Xhafer Xhaferi, i cili me një interpretim krejt të natyrshëm zbërthente ndjenjat e publikut në sallë, të shkrheshin në një me tingujt nostalgjikë. Xhaferi solli me vete përvojën e marrë nga interpretimi në orkestrat prestigjioze si: Gewandhausorchester Leipzig, NDR Elbphilharmonie orchester, MDR Sinfonieorchester, Orchestra della Svizzera Italiana etj.

Ndërsa, mozaiku i mbrëmjes u plotësua në tërësi kur skenës iu bashkangjitën edhe violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe violisti Altin Tafilaj në interpretimin e veprave: C. Frank- Piano Kuintet në f moll, “Piano Quintet in f- minor, “Molto moderato quasi, “lento- Allegro”, Lento con molto sentimento”, “Allegro non troppo ma con fuoco”.

Krejt në fund të koncertit violinisti Xhafer Xhaferi për KultPlus tha se ndihej jashtëzakonisht entuziast, pasi në këtë koncert kishte interpretuar përkrah profesoreshës së tij, Sihana Badivuku.

“Ky koncert ishte shumë i veçantë për mua, pasi për herë të parë jam kthyer në Kosovë pas një dekade. Kënaqësi e veçantë ka qenë interpretimi përkrah profesoreshës time të dashur, Sihana Badivuku. Njëkohësisht, pata mundësi që të bashkëpunoj edhe me miqtë e mi me të cilët bashkëpunoj në festivale të ndryshme, por kësaj radhe u kombinuam në KamerFest, dhe besoj që dhamë një koncert të bukur me muzikë nostalgjike me shumë emocion”, ka thënë violinisti Xhafer Xhaferi.

Po ashtu, edhe violinistja Sihana Badivuku ka thënë se ndihet krenare pasi në këtë mbrëmje është paraqitur me nxënësin e saj Xhafer Xhaferi.

“Është kënaqësi e shumëfishtë për mua sepse kam interpretuar së bashku me ish nxënësin tim Xhafer Xhaferi. Kam qenë profesoreshë e tij pothuajse 7 vite. Ai ka vazhduar studimet në Gjermani dhe tani është violinist koncertant dhe është anëtar i orkestrës në Gjermani. Vijon karrierë shumë aktive si solistike ashtu edhe kamertale, dhe jam me të vërtetë krenare pasi tash ai e ka rrugëtimin e tij të pavarur koncertal. Kjo më jep kënaqësi të dyfishtë”, ka thënë drejtoresha e KamerFest Sihana Badivuku.

Ajo më tej ka thënë se ndihej e privilegjuar për perfomancën e dhënë së bashku edhe me kolegët tjerë të mbrëmjes.

“Për herë të parë po luajmë në këtë formacion me pianistin argjentinas Jose Gallardo, i cili është një pianist i jashtëzakonshëm. Për ne ishte privilegj të luajmë me të sepse energjia u kombinua në mënyrë të përkryer, posaqërisht me çelisten nga Kroacia, Jelena Očić. Ndërsa me Altin Tafajn është hera e dytë që performoj, sepse kam me të kam pasur privilegjin që të performoj së bashku në Shkupi KamerFest”, ka thënë më tej Badivuku.

Kurse Altin Tafilajt ky koncert i kishte lënë mbresa, për shkak të harmonisë së krijuar brenda interpretimit të “grupit”.

“Jam shumë i kënaqur, tani pas koncertit edhe shumë i entuziazmuar. Kolegët janë fantastikë sepse për të dhuruar një koncert të tillë është shumë e rëndësishme që të kemi sinergji të duhura, pasi ne këtu mbajmë edhe prova, dhe në rast se nuk janë ndjenjat e duhura nuk funksionon, është pak problematike. Patëm fat, ishte mirë, shkoi gjithçka në rregull. Jam shumë i kënaqur dhe ky koncert më la mbresa të mira” ka thënë Altin Tafilaj.

Koncerti i radhës i KamerFest me titull “Viola d’amore” do të mbahet me solistin Altin Tafilaj dhe artistët mysafirë Sihana Badivuku dhe Rron Bakalli më 8 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në ora 20:00./ KultPlus.com

Antarktida gjithnjë e më e gjelbër

Antarktida po bëhet gjithnjë e më e gjelbër, një transformim veçanërisht i dukshëm në Gadishullin Antarktik, ku zonat e mbuluara nga bimësia janë rritur dhjetëfish në 40 vitet e fundit.

Kjo tregohet nga imazhet satelitore të analizuara nga studiuesit e udhëhequr nga Thomas Roland, nga Universiteti i Exeter në Britaninë e Madhe dhe të publikuara në ”Nature Geoscience”.

“Peizazhi i Antarktidës është ende pothuajse tërësisht i dominuar nga bora, akulli dhe shkëmbi, me vetëm një pjesë të vogël të kolonizuar nga jeta bimore, por ajo pjesë e vogël është rritur në mënyrë dramatike, duke demonstruar se edhe ky rajon i gjerë dhe i izoluar po ndikohet nga klima dhe ndryshimi i shkaktuar nga njeriu”, theksoi Roland.

Në fakt, duke krahasuar imazhet satelitore të mbledhura që nga viti 1986, është e mundur të vërehet sesi zona e mbulesës së bimëve në gadishullin Antarktik është rritur nga më pak se një kilometër katror në vitin 1986 në pothuajse 12 kilometra katrorë në vitin 2021.

Është një mbulesë e kufizuar dhe e përbërë kryesisht nga myshk, por studimi nënvizon se si shtrirja është rritur shumë shpejt dhe duket e destinuar të rritet më tej dhe ndërsa këto ekosisteme të reja konsolidohen, ato mund të ndryshojnë mjedisin e rajonit.

“Toka në Antarktidë është kryesisht e varfër por kjo rritje në jetën e bimëve do të shtojë lëndë organike dhe do të lehtësojë formimin e tokës, duke hapur potencialisht rrugën për rritjen e bimëve të tjera. Kjo rrit rrezikun e ardhjes së specieve jovendase dhe pushtuese, të transportuara ndoshta nga ekoturistët, shkencëtarët ose vizitorët e tjerë në kontinent”, deklaroi Olly Bartlett, nga Universiteti i Hertfordshire./ KultPlus.com

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila

Poezi e shkruar nga Fernando Pessoa

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila.
I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. 
Çfarë të bëj me gjëra të tilla,
që mund t’i mbledhë kushdo?

E dua natën veç pse agu e hollon
dritën në ar dhe në blu. 
Ajo që shpirti im e injoron
është ajo që do të doja ta kisha këtu.

Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot
vargje për të thënë atë që akoma nuk e di.
E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë…
Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…

Përktheu: Orjela Stafasani/ KultPlus.com

SHBA, rreth 24 milionë emigrantë me të drejtë vote

Rreth 24 milionë emigrantë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në bazë të analizave të të dhënave të regjistrimit të popullsisë amerikane nga Qendra Kërkimore Pew. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, bisedoi me dy shtetas të rinj amerikanë lidhur me mënyrën se si i shohin kandidatët për Shtëpinë e Bardhë.

Laban Seyoum është drejtues i një kompanie të vogël kamionësh në Jessup të shtetit Merilend. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij në vitin 2000 për t’i shpëtuar luftës midis Etiopisë dhe Eritresë.

Zoti Seyoum thotë se ai është konservator për sa u përket çështjeve sociale dhe ekonomike dhe është mbështetës i kandidatit republikan për president, Donald Trump.

“Kur Presidenti Trump ishte në pushtet, kishim një biznes mjaft të mirë. Tregu ishte në gjendje të mirë, mundësitë e punësimit ishin të mëdha dhe njerëzit ishin optimistë”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Seyoum.

Si anëtar i Partisë Republikane, ai kandidoi për të fituar emërimin e partisë së tij për Senatin e shtetit të Merilendit. Ai thotë se bizneset si kompania e tij po e ndjejnë barrën e çmimeve të larta të karburantit, për të cilat fajëson demokratët.

“Aktualisht çmimi i naftës po luhatet mes 1:30 dhe 1:45 dollarë për litër duke ulur ndjeshëm fitimet e biznesit tonë”, thotë zoti Seyoum.

Ndërsa e kupton se çmimi i naftës në tregun global përcaktohet nga shumë faktorë kompleks, ai thotë se republikani Trump ofron zgjidhjen.

“Trumpi ka treguar se si arrihet kjo. Duhet të nxjerrim naftën në vend dhe pastaj mund të konkurrojmë. Nuk është e nevojshme të eksplorojmë ideologji të tjera”.

Fatmata Barrie ka tjetër mendim. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Sierra Leone kur ishte 11 vjeçe. U diplomua në drejtësi dhe punon si organizatore për komunitetin dhe të drejtat civile. Ajo drejton bordin që mbikëqyr punën e policisë në qarkun Montgomery në Merilend. Ajo thotë se mbështet demokraten Kamala Harris.

“Nënpresidentja Kamala Harris është një person për njerëzit. Ajo është personi që na duhet tani për të kapërcyer ndasitë që ka vendi”.

Zonja Barrie thotë se fitorja e zotit Trump përbën shqetësim.

“Unë jam e frikësuar. Po rikthehet përsëri frika mes emigrantëve. Frika mes njerëzve me ngjyrë. Është e vështirë kur i sheh njerëzit të pajtohen me njeriun që udhëheq këtë frikë”.

Zonja Barrie është vullnetare në një organizatë bamirëse. Ajo thotë se përfitimet ekonomike nuk po ndjehen njëlloj për të gjithë.

“Kontrasti në thelb është se 0.1% e njerëzve do të kenë të gjitha paratë dhe të gjithë ne do të vuajmë pasojat nëse votoni për Trumpin. Amerika nuk është ndërtuar në këtë mënyrë. Amerika u bë e fortë falë punës së klasës së mesme”, thotë zonja Barrie.

Organizata Pew thotë se shtetasit e rinj amerikanë përbëjnë rreth 10% të elektoratit dhe shumica e tyre kanë jetuar këtu për më shumë se 20 vjet. /VOA/ KultPlus.com