A e dini historinë ‘Po shkunden plakat’?

Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidhen me “mitin e plakave”.

Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit kur marsi i mori ditë borxh shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër.

Ndërsa për krahina të tjera, ajo kujtohet në dy ditët e fundit të marsit.

“Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Sipas gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”.

Në këtë moment, marsi tha: “Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka.

Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.

Mali Tomorr është vendi ku plaka u ngri me bagëtinë e saj, nga ditët qe mori hua muaji mars.

Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një Plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e Plakës.

Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plakat e Marsit”, e cila sot përdoret si një metafor për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stinës së luleve.

Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse ne gjithë Ballkanin apo dhe vende te tjera te botes.

Pavarësisht se sa e vërtetë është, “miti i Plakave” përdoret edhe sot dhe metereolgoët pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” kanë sjellë mot të ftohtë dhe me reshje.

Ndërsa prilli si gjithmonë vjen me mot të mirë.

4 VERSIONE TË LEGJENDËS
Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë janë disa më kryesoret, në version të shkurtuar…

  1. Vjen marsi.
    Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit.”
    Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.
  2. Plakat e marsit janë shtatë.
    Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar).

Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

  1. Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars.
    E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin: Mullizeza zogjt i çeli, na marsh të keqen Mars kaçeli…

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave.

Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

  1. Kur plakat i thanë marsit, “na marrsh të keqen”, marsi u zemerua aq shumë sa tha “shkurt (apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t’i thaj plakat me gjith ç’kanë… ”

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Polacit dhe asaj të Qabiqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot të rënët në masakrën e fshatit Polac dhe Qabiq.

Në prillin e vitit 1999, në Polac, në njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb, brenda një jave janë vrarë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Kurse më 7 prill të 1999, ushtria serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë.

Presidentja Osmani ka thënë se Masakra e Polacit dhe e Qabiqit nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë së vendit, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet.

“Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë.

Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë.

Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.

Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, thuhet në shkrimin e presidentes./ KultPlus.com

Zemër në zemër

Rita Frances Dove (1952), poete, prozatore dhe eseiste amerikane. Dove ka fituar Çmimin Pulitzer më 1987 dhe ka qenë Poete Laureate e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1993-95, si dhe Poete Laureate e Virginias gjatë viteve 2004-06.

ZEMËR NË ZEMËR

Nga Rita Dove

Nuk është e kuqe

as e ëmbël.

Nuk shkrihet

as nuk rrotullohet,

thyhet a ngurtësohet,

kështu që mund të ndiejë

dhimbje,

mall,

keqardhje.

Nuk ka një

maje ku të rrotullohet,

bile as nuk është

e lezetshme –

veç një fërkim i fortë

muskuli,

i shtrembëruar,

i heshtur. Prapëseprapë,

ndiej brenda

kafazit të saj të tringëllojë

një tatuazh i amullt:

dua, dua 

por s’mund ta hap:

s’ka çelës.

S’mund ta mbaj

në mëngët e mia,

apo t’jua them juve nga

fundi i saj

si ndihem. Këtu,

është e gjitha e juaja, tash –

por ju duhet

të më merrni edhe mua,

po ashtu.

Heart to Heart

It’s neither red/ nor sweet./ It doesn’t melt/ or turn over,/ break or harden,/ so it can’t feel/ pain,/ yearning,/ regret.// It doesn’t have/ a tip to spin on,/ it isn’t even/ shapely—/ just a thick clutch/ of muscle,/ lopsided,/ mute. Still/ I feel it inside/ its cage sounding
a dull tattoo:/ I want, I want—// but I can’t open it:/ there’s no key./ I can’t wear it/ n my sleeve,/ or tell you from/ the bottom of it/ how I feel. Here,/ it’s all yours, now—/ but you’ll have/ to take me,/ too.

Shënim i autores:

Si të gjejmë fjalë për zemrën e njeriut dhe të gjitha emocionet që ia përshkruajmë? Shtegu është një fushë e vërtetë e minuar prej klieshesh – asosh të menduara mirë, dikur shprehje të freskëta popullariteti i vërtetë i të cilave i ka bërë të padobishme, madje qesharake. Ndava mendjen të përdorja këto metafora të lodhta dhe ta dekonstruktoj kamuflimin e tyre, derisa e gjithë ajo që mbetet të jetë ‘zemra’ e vërtetë e lëndës: një qenie njerëzore, e zhveshur nga theshethemet dhe artificiet, që i flet të dashurës.

/poets.org /Gazeta Express/ KultPlus.com

Musk në favor të tregtisë së lirë transatlantike pa tarifa

Këshilltari presidencial i SHBA-së, Elon Musk, ka folur në favor të një zone të tregtisë së lirë transatlantike pa tarifa, disa orë pasi tarifat e reja globale gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump hynë në fuqi.

Duke folur përmes lidhjes video në një konferencë të partisë së krahut të djathtë të Italisë ”Lega”, në Firence të shtunën vonë, kreu i prodhuesit të makinave elektrike ”Tesla” tha se shpresonte që ”SHBA dhe Evropa të mund të bien dakord për një partneritet edhe më të ngushtë se më parë”.

”Shpresoj se me tarifat është rënë dakord që si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të lëvizin, në mënyrë ideale për mendimin tim, në një situatë me tarifa zero, duke krijuar në mënyrë efektive një zonë të tregtisë së lirë midis Evropës dhe Amerikës së Veriut”, tha Musk.

Dje, qeveria amerikane prezantoi tarifa universale prej një minimumi prej 10% për importet nga të gjitha vendet, të cilat ishin njoftuar nga Trump në fillim të javës.

Tarifa ndëshkuese dukshëm më të larta do të zbatohen për disa vende, në varësi të deficitit tregtar.

Importet nga Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian në SHBA përballen me tarifa të reja prej 20% duke filluar nga e mërkura.

Trump ka premtuar se tarifat do të rikthejnë “epokën e artë” të SHBA.

Pas njoftimit të tij të mërkurën, bursat ranë në të gjithë botën.

Musk foli për rreth 15 minuta në konferencën e partisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetarit të ”Lega”-s dhe zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini.

Para zgjedhjeve federale gjermane, Musk ishte një mbështetës i hapur i ”Alternativës për Gjermaninë” (AfD) të ekstremit të djathtë.

Sot, Salvini do të kandidojë për t’u rizgjedhur si udhëheqës i ”Lega”-s – si kandidati i vetëm.

Pritet që politikanë të tjerë nga spektri populist i djathtë do t’i bashkohen konferencës së partisë, duke përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orbán, udhëheqësin e Rassemblement National të ekstremit të djathtë të Francës, Jordan Bardella dhe kreun e partisë spanjolle Vox, Santiago Abascal./atsh/ KultPlus.com

Për 100-vjetorin e themelimit, Teatri i Operës ‘Stara Zagora’ në Bullgari vlerëson sopranon Besa Llugiqi

Teatri i Operës “Stara Zagora” në Bullgari ka vlerësuar sopranon e njohur Besa Llugiqi me rastin e 100- vjetorit të Teatrit të Operas për punën, kontributin dhe dedikimin artistik të dhënë ndër vite përmes interpretimit të roleve të ndryshme në institucion, shkruan KultPlus.

Përmes një shkrimi në rrjetin social në Facebook, sopranoja Llugiqi ka shprehur mirënjohje për vlerësimin dhe mbështetjen e Teatrit të Operas “Stara Zagora” përgjatë rrugëtimit të saj artistik.

“Faleminderit për vlerësimin , dashurinë dhe mbështetjen që më ofruat në udhëtimin tonë në këto dhjetë vite së bashku .

Faleminderit Mestro Ognian Draganoff për mbështetjen , besimin dhe gjithë përkrahjen në secilin rol e performacë.

Urime të gjithë artistëve për performancën! Urime të gjithëve që janë pjesë e këtij teatri, një institucion që krijon e lartëson veten, që rritë artistë e madhëron artin”, ka shkruar sopranoja Llugiqi./ KultPlus.com

A do të jenë në Kanë Tom Cruise, Scarlett Johansson apo Spike Lee?

Tom Cruise për filmin më të fundit “Mission: Impossible”, Scarlett Johansson pas kamerës apo Denzel Washington në një film të Spike Lee?

Bastet kanë nisur në botën e kinemasë përpara prezantimit të së enjtes të përzgjedhjes zyrtare të Festivalit të 78-të të Filmit në Kanë.

Një muaj para hapjes së takimit të madh botëror të artit të shtatë, presidentja e saj Iris Knobloch dhe Delegati i saj i Përgjithshëm Thierry Frémaux duhet të zbulojnë të enjten në orën 11:00, në një konferencë shtypi, listën e filmave të përzgjedhur.

Ndër yjet e pritshëm, Tom Cruise, 62-vjeç, i pandryshkshëm, i cili mbërriti tre vjet më parë me helikopter në tapetin e kuq të “Top Gun: Maverick”, mund ta bëjë sërish me pjesën e fundit të “Mission: Impossible”.

Filmi, i paraqitur si opusi i fundit i sagës, del në kinematë franceze më 21 maj, një datë ideale për një prezantim në Kanë, jashtë konkurrencës.

Nga ana e autorit, 14 vjet pas “The tree of life”, e cila fitoi Palmën e Artë, regjisori Terrence Malick, 81 vjeç, më mistik se kurrë, mund të kërkojë një trofe të ri me një histori në përgatitje prej vitesh, të frymëzuar nga historitë biblike.

Veteranët e tjerë të Festivalit, Jim Jarmusch (“Broken Flowers”, “Dead Man”, “Only Lovers Left Alive”) mund të rikthehet në moshën 72-vjeçare, me një film që bashkon Cate Blanchett dhe Adam Driver, ose Wes Anderson, 55 vjeç, i cili solli së bashku në filmin e tij të fundit, edhe një herë, një yll të pakrahasueshëm, nga Torocaro S. Johansson.

Kjo e fundit mund të sjellë frymë të freskët duke prezantuar në moshën 40-vjeçare filmin e saj të parë regjisorial, “Eleanor The Great”. Ajo nuk është e vetmja aktore që tenton kalimin në regji: Kristen Stewart, 34 vjeçe, sapo ka xhiruar edhe filmin e saj të parë artistik.

Mjeshtri i ri i horrorit amerikan, Ari Aster, 38 vjeç, autor i filmave drithërues “Heredity” dhe “Midsommar”, gjithashtu mund të sjellë gjak të ri në Kanë, ku nuk është përzgjedhur kurrë më parë, me një film që bashkon Joaquin Phoenix dhe Emma Stone.

Tre regjisorë francezë të filmuar me kastin e artë: Julia Ducournau (Palme d’Or me “Titane” shumë të frikshme) për një film të ri me Golshifteh Farahani dhe Tahar Rahim, Rebecca Zlotowski (“Fëmijët e të tjerëve”, “Një vajzë e lehtë”) për një dramë me Jodie Foster për një film me Angelina Winoc.

Festivali mund të mos i rezistojë zgjedhjes së komedisë “Nouvelle Vague”, e paraqitur si një krijim i klasikut “A bout de souffle”, “në stilin dhe frymën e Godardit” dhe të nënshkruar me Richard Linklater.

Ashtu si çdo vit, rreth 20 filma do të jenë në konkurrim zyrtar, në garë për të pasuar “Anora”, Palmën e Artë 2024.

Presidenca e jurisë i është besuar Juliette Binoche, një prej yjeve franceze më të njohura ndërkombëtarisht dhe një personalitet i përkushtuar, për një edicion që do të zhvillohet, nga data 13 deri më 24 maj, në një kontekst të tensionuar, mes shqetësimeve të artistëve për presidencën Trump dhe luftërat, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Në ekran, Kirill Serebrennikov, Andrey Zvyagintsev ose i riu Kantemir Balagov mund të mishëronin zërin e kinemasë ruse të detyruar në mërgim.

Festivali nuk ka shpallur ende filmin e tij hapës si dhe përbërjen e pjesës tjetër të jurisë.

Gonxhja: Muzeu “Onufri”, një udhëtim mes ngjyrave dhe historisë që flet përmes ikonave

Në Kalanë e qytetit të Beratit ndodhet Muzeu Ikonografik “Onufri” i përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”.

Muzeu mban emrin e Onufrit, një prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shek. XVI.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje të muzeut, një udhëtim mes ngjyrash dhe historisë që flet përme ikonave.

“Muzeu Ikonografik Onufri në Berat! Një udhëtim mes ngjyrave dhe historisë që flet përmes ikonave”, u shpreh ai.

Në vitin 2024, ky muze ka mirëpritur mbi 106 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2023.

Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala” dhe ka qënë katedralia e qytetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.

Ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin 1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes.

Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX.

Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/ KultPlus.com

Gjuha Shqype

Poezi nga: Ndre Mjeda

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqype m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.

***

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqype, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqypnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqyptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqyp flet./ KultPlus.com

Ylli italian i serialit “I Cesaroni” vdes në moshën 72-vjeçare

Aktori, regjisori dhe skenaristi i njohur italian, Antonello Fassari vdiq sot në moshën 72-vjeçare.

Fassari u bë i famshëm me rolin e Cezare në “I Cesaroni” – seriali televiziv italian i transmetuar në “Canale 5” nga viti 2006 deri në 2014.

Gjithashtu, ai spikati në rolin e Ciro Buffoni në filmin “Romanzo Criminale”.

Antonello Fassari mbetet një nga aktorët komikë italianë më të vlerësuar – falë pjesëmarrjes së tij në programet kulte televizive si “Avanzi” dhe serialet televizive.

I diplomuar në Akademinë e Arteve Dramatike Silvio d’Amico në 1975, fillimisht ai nisi të performonte në teatër, por ishin rolet e tij në filmat komedi dhe fiction që i dhane atij famë, duke u bërë një ndër aktorët më të vlerësuar nga publiku në mesin e viteve 1980. / KultPlus.com

“Incel”, “Manosphere”, “80:20”: Domethënia e fjalëve dhe numrave tek “Adolescence”

Fjalët kanë rëndësi, edhe emoji-t.

Gjithçka kontribuon në ndërtimin e një gjuhe që çdo brez e përvetëson, e rimodelon dhe e përshtat brenda një kodi që është i efektshëm për bashkëmoshatarët dhe i pakuptueshëm – ose më keq, i padukshëm – për të gjithë të tjerët. Miniseriali me katër episode “Adolescence”, i disponueshëm në Netflix dhe i kudondodhur në gojën e kritikës dhe publikut, ka edhe këtë meritë: hedh dritë mbi terma të harruar, simbole që marrin kuptime të reja, platforma që secili i përdor në mënyrën e vet.

Konteksti narrativ, për ata që nuk kanë dëgjuar ende për të, është vrasja e një të miture, Katie. Jemi në Yorkshire, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe i dyshuari është një 13-vjeçar, Jamie Miller. Edhe pse më i vogël, ai ndjek të njëjtën shkollë të mesme me djalin e inspektorit Luke Bascombe (Ashley Walters), Adam (Amari Bacchus).

Është pikërisht ky i fundit që, duke parë babanë e tij të hutuar mes pyetjeve për nxënësit dhe mësuesve pa autoritet, e tërheq mënjanë për t’ia çuar vështrimin në drejtimin e duhur.

“E ke parë Instagramin, apo jo?” i thotë Adam të atit. Sigurisht që e ka parë, Instagramin. E ka parë, por nuk e ka vëzhguar, nuk e ka lexuar me sytë e dikujt që njeh një kod të caktuar.

Incel dhe manosfera

Një kod i cili, në mënyrë specifike, lidhet me manosferën (manosphere), një term që identifikon ato hapësira digjitale të ndara vetëm mes burrave, ku përhapet maskuliniteti toksik, përmbajtje dhe teori thellësisht mizogjene dhe antifeministe.

Bëhet fjalë për forume, faqe, profile, kanale ku ndjehet rehat komuniteti i të ashtuquajturve incel: shkurtim i “involuntary celibates”, beqarë kundër dëshirës së tyre, jo për zgjedhje personale.

Qëndrimet e tyre rrënjosen mbi një supozim që tingëllon si një mëkat fillestar (sigurisht, femëror), ndërtuar mbi paaftësinë e tyre për të krijuar marrëdhënie: është sistemi (domethënë gratë) që i përjashton.

Gratë kanë pushtetin dhe ato zgjedhin me kë të kenë marrëdhënie seksuale.

Sipas teorisë që dominon – dhe që del në pah edhe në serial – përqindja është kështu: 80% e grave zgjedhin vetëm 20% të burrave (prej nga vjen emoji me shifrën “100”, që nënkupton “të gjithë”).

80/20

Kjo teori e mbështetur nga komuniteti incel bazohet – në mënyrë të thjeshtuar dhe të shtrembëruar – mbi parimin e Pareto-s, të formuluar në shekullin XIX nga matematikani italian Vilfredo Pareto, sipas të cilit rreth 20% e shkaqeve gjenerojnë 80% të pasojave.

Duke e aplikuar këtë logjikë në marrëdhëniet romantike dhe seksuale, incel-at pretendojnë se shumica dërrmuese e grave dëshiron vetëm një elitë të ngushtë burrash, ata që konsiderohen më të bukur, më karizmatikë, ose “alfa”, duke injoruar të tjerët.

Ajo që për disa është një nënkulturë, për të tjerë është një lëvizje që ka rrënjë të ndryshme historike, por që filloi të përflitet më shumë në fillim të viteve 2010.

Një prej kanaleve të Reddit-it (r/incels), një nga qendrat më të frekuentuara të këtij komuniteti, u ndalua nga vetë platforma në vitin 2017, për shkak të përmbajtjes së dhunshme.

Në vitin 2021, Komisioni Evropian publikoi një raport hetimor mbi këtë fenomen.

Në serialin Adolescence, Katie kishte sugjeruar – me komente në Instagram – se Jamie i përkiste pikërisht komunitetit incel. Gjithçka, përmes përdorimit të emoji-ve: për shembull, ai i dinamitit. Ai simbolizon shpërthimin e “pilulës së kuqe”, ajo që të bën të shohësh të vërtetën.

Referenca për të rriturit është menjëherë e qartë: jemi në territorin e Matrix. Të rinjtë mund të mos njohin filmin, por e përdorin idenë.

Nëse zgjedh pilulën e kuqe, ke vendosur të njohësh realitetin – në këtë rast, teorinë e 80% dhe të tjera “të vërteta” mbi gratë dhe sjelljen e tyre – dhe pra të “shohësh të vërtetën”.

Nëse zgjedh blu-në, ke zgjedhur të jesh bashkëfajtor në sistemin që e mban këtë pabarazi mes burrit dhe gruas, duke lënë shumë meshkuj jashtë dhe duke legjitimuar vuajtjen e tyre.

Zemrat

Në episodin e dytë, Adam i krijon të atit një legjendë të emoji-ve, si një Virgjil në ferrin e bullizmit. Dhe shton: “Ata që kanë vënë zemra janë dakord me të”. Ndërsa babai, i hutuar, pranon se ai vetë dërgon zemra të kuqe në bisedat me mamanë kur “nuk di çfarë të përgjigjet” – një pasqyrë interesante gjeneratash, edhe pse nuk është vendi për ta analizuar më gjatë – djali vazhdon me shpjegimin e ngjyrave: e kuqja: dashuri, vjollca: eksitim, e verdha: interes, rozë: interes pa seks, portokallia: “do të shkojë gjithçka mirë”.

“Çdo gjë ka një kuptim,” shton ai.

Ashtu siç ka kuptim, edhe ajo që del nga episodi i intervistës mes Jamie Miller dhe psikiatres:

Katie ishte viktimë e “revenge porn”. I kishte dërguar një foto në Snapchat një djali, dhe ai e kishte shpërndarë në të gjithë shkollën. Edhe tek ata që konsideroheshin “incel”, sipas konceptit të zgjeruar të “humbamenove”.

Vetëm se ky aspekt – fakti që imazhet qarkullojnë pa pëlqimin e personit në to – ndoshta ka marrë më pak vëmendje, të përthithur si jemi nga plan-sekuencat e jashtëzakonshme dhe rrëfimi i simboleve të vjetra që marrin kuptime të reja.

Me kusht që të mos jetë forca e zakonit që i mban gjallë këto rrëfime, sepse pikërisht ai është kodi i vërtetë i tmerrit. / La Repubblica/ KultPlus.com

“Adolescence” dhe frika e mos njohjes së fëmijës tënd

Është një (mini)serial që po pushton botën. Quhet Adolescence dhe ka lënë në hije produksione më kot të shtrenjta si Il Gattopardo në Netflix. Suksesi i tij tregon disa gjëra aspak të vetëkuptueshme.

E para: nëse i jep publikut diçka të mirë, ai e “ha” menjëherë. E dyta: algoritmi është në gjumë, dhe ndërsa ëndërronte gjëra të njëtrajtshme, doli kjo krijesë jashtë çdo rregulli të tij.

Personazhet nuk shfaqen të gjithë që në pesë minutat e para; disa zhduken (si hetuesi) që pas episodit të dytë; të tjerë (si psikologia) shfaqen vetëm në një episod të vetëm; misteri i mundshëm zgjidhet që në fund të episodit të parë (pak a shumë ashtu si kur Hitchcock e “vrau” aktoren kryesore në dush pas 47 minutash tek filmi Psycho); çdo episod është një plan-sekuencë monotematike: arrestimi, hetimi, ekspertiza psikologjike, dhimbja e familjes (e fajtorit, vini re, jo e viktimës – sepse nuk ka keqardhje tipike për kronikën e zezë).

E treta (dhe kjo është e papritur): një tjetër botë, edhe televizive, është ende e mundur.

Te “Adolescence” mbërrin me reklamën e fjalës së gojës, por heziton në prag: a mund t’i besohet ende opinionit të shumicës, asaj që e dimë se si voton dhe lexon çfarë lexon?

Mainstream-i, që prej vitesh është ulur në nivel nga programime mediokre dhe është shuar nga zhgënjimi që kanë sjellë platformat, a është ende i aftë të dashurohet pas diçkaje ndryshe?

A ka jetë përtej Mad Men, Breaking Bad, Better Call Saul, apo duhet të dorëzohemi përpara sondazheve që thonë se seriali më i mirë i të gjitha kohërave është, praktikisht, i pari: The Sopranos?

Adolescence ringjall shpresën. Përbëhet nga 4 episode, por nuk është një film i holluar (siç ndodhi për shembull me “The Undoing”).

Ndërron këndvështrimin çdo herë, pa u mbështetur në skemën e vjetër të Rashomonit: duke ndryshuar perspektivën, historia nuk ndryshon – thjesht hyn më thellë në të, e kupton, të lëviz, por nuk të përlot.

Nuk bën asnjë lëshim ndaj manualit të skenarit: dialogët zgjasin gjithmonë 50 minuta, nuk është fiction, është realitet në shkallë 1:1. I studiuar dhe i riprodhuar.

Jo për të të dhënë banalitetin e përditshmërisë, por jashtëzakonshmërinë e të paarritshmes.

Slogani i tij është kjo frazë: «Është absurde ajo që të shkon në mendje kur je adoleshent.»

Të gjithë e dimë, por e kemi shtypur brenda nesh. Sepse kemi shpëtuar, kemi mbijetuar, na ka mjaftuar ta rrëfejmë një ditë të largët, pastaj të largohemi dhe të vazhdojmë përpara në jetë.

Biseda mes djaloshit fajtor dhe psikologes është çelësi i dollapëve të mbyllur dhe të murosur.

Ajo që bie në sy është që kjo skenë është analizuar nga psikologë profesionistë dhe është cilësuar si e besueshme, madje perfekte.

Spektatori nuk pyet pse ajo i ofron një gjysmë sanduiç me turshi, të cilat ai i urren, por psikologu e kupton menjëherë testin: nëse e ha, është bërë i nënshtruar; nëse e refuzon, është ende i mbyllur; nëse (siç ndodh) e lë mënjanë për më vonë, është i hutuar.

Ka shumë të vërteta në Adolescence: dhe siç ndodh me traditat më të mira kinematografike, kjo është ajo që të frikëson dhe të tërheq njëkohësisht.

Publiku që nuk arrin të shkëputet është ai i prindërve me fëmijë në atë moshë.

Çfarë dinë ata për atë që kalon në mendjen e fëmijëve të tyre? Pastaj ndoshta i gjejnë të vdekur, vetëvrarë, në një dhomë me qira në ndonjë qytet tjetër, pas një bisede të gjatë në kompjuter me sadistë të panjohur – dhe nuk e besojnë.

Atëherë shikojnë episodin e katërt dhe shihen në pasqyrë te prindërit e djalit. “Etërit dhe pasqyrat”, thoshte Borges, “janë përbindësha: dyfishojnë racën njerëzore.”

A kanë faj? E kanë bërë vetë kështu? Apo ishte rastësi?

Vajza tjetër e familjes, është një mrekulli: çfarë e përcakton, atëherë, mënyrën si rritemi, gabojmë, shpëtojmë apo vdesim?

Është një llotari e madhe – dikush mendon se e ka dekoduar frekuencën e rezultateve, por është thjesht një tjetër pretendim absurd. Mirupafshim algoritëm, moral unik, determinizëm social.

Adolescence nuk jep zgjidhje, por të mëson që duhet gjithmonë të dyshosh për atë që mendon se ke përpara – në një ekran apo në shtëpinë tënde. / La Repubblica/ KultPlus.com

‘I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes’

50 shprehje frymëzuese që do ta motivojnë secilin

“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill

“Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville

“Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis

“Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau

“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser

“Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller

“Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson

“Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth

“Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn

“Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein

“Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill

“Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh

“Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill

“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton

“Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson

“Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn

“Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim

“Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim

“Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak

“Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins

“Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski

“Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs

“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama

“I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt

“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller

“E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney

“Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee

“Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell

“Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton

“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn

“Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope

“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që  bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer

“Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur

“Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur

“Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney

“Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur

“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley

“Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy

“Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis

“Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison

“Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar

“Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller

“E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey

“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins

“Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis

“Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison

“Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison

“I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon

“Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering/filozofia.al / KultPlus.com

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës

Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.

“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.

Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.

Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…

Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!

Paqe, dashuri, ndjeshmëri. Kurt Cobain!

Frances dhe Courtney, unë do ju mbroj nga lart!.

Të lutem Courtney, ji e fortë, për Frances.

Do të jeni më të lumtura pa mua.

Ju dua! Ju dua!”./ KultPlus.com

31 vite më parë iku përgjithmonë engjëlli i mallkuar i rock-ut, Kurt Cobain

Më 5 prill, 31 vite më parë, Kurt Cobain qëlloi veten në kokë.

Njeriut simbol të skenës së Seattle-it iu bashkua të ashtuquajturit ”Club 27” si Jimi Hendrix, Jim Morrison, Janis Joplin apo Amy Winehouse.

Edhe sot një aureolë fantazmë rri pezull mbi revolucionin e fundit autentik të rock-ut, i shkaktuar nga një seri e gjatë, shumë e gjatë, vdekjesh të hershme.

Ajo e Andrew Wood, liderit karizmatik të ”Mother Love Bone”, i njohur unanimisht si themeluesi i lëvizjes ”Grunge”, shoku i dhomës dhe shoku më i mirë i Chris Cornell, i vrarë në moshën 24-vjeçare nga një varësi shkatërruese ndaj heroinës.

Dhe më pas ato të Layne Staley, këngëtares së ”Alice in Chains”, të Scott Weiland, zërit të ”Stone Temple Pilots” dhe më pas të ”Velvet Revolver”, Mike Starr, basistit të ”Alice in Chains” dhe vetë Chris Cornell.

Megjithatë, Kurt Cobain mbetet ikona më e fuqishme dhe, siç ndodh shpesh me liderët, është ai që përmbledh një rrugë kolektive.

Kurt Cobain është dhe ishte një ikonë pavarësisht nga vetja.

Me ”Nirvana” ai arriti të sintetizonte ato fermente muzikore që ishin të përqendruara në Seattle duke i bërë ato universale.

“Nevermind”, një nga albumet më të rëndësishme të rock-ut në histori, e solli në mënyrë sensacionale muzikën e pavarur në krye të top listave në vitin 1991, duke i dhënë zë shqetësimeve të asaj që atëherë quhej Generation X, siç përshkruhet në librin e Douglas Coupland.

Është pikërisht në vazhdën e këtij suksesi të bujshëm që Grunge pushtoi botën e muzikës (dhe më gjerë).

Është pikërisht ky roli i yllit, i imazhit të bluzave, i personazhit të kopertinës që ka bërë ndoshta shpërthimin e një shqetësimi që i kishte rrënjët në një fëmijëri të torturuar dhe që gjeti ushqim në një skenë muzikore që, pavarësisht konotacioneve të saj dramatike, ka çuar një qytet, Seattle, për t’u transformuar nga qyteti shumë i mërzitshëm i Veriut, i njohur vetëm për selinë e ”Boeing”-ut dhe varrin e Jimi Hendrix, edhe falë ardhjes së Microsoft dhe Starbucks, në një nga metropolet më vitale dhe mikpritëse të botës.

Zemërimi dhe dhimbja post punk e ”Nirvana”-s u bënë zëri i një brezi, por me sa duket Cobain nuk donte ta merrte atë rol.

Ai as nuk mund ta vlerësonte vëmendjen e thashethemeve mediatike të ngjallur nga martesa e tij me Courtney Love, një udhëheqëse shumë ambicioze e ”Hole”, e cila gjithashtu ishte prekur nga probleme serioze të varësisë./ KultPlus.com

‘Nëse e di më parë se çfarë do të shkruash, ti je shkrimtar komercial’

Teksa fshin ngadalë pluhurin nga një dosje e gjelbër e fshehur me kujdes në një kënd të bibliotekës të familjes Bellow, Ianis e di se leximi i tyre mund ti sjellë të papritura. Shtatë vite nga ndarja nga jeta e të shoqit, gruaja me flokët me onde që i bien mbi qafë, e di se sekretet ndonjëherë mund të ndryshojnë përgjithmonë kujtimin që kemi për dikë.

E vërteta mund të jetë krejt ndryshe nga ajo që kemi menduar, dhe disa jetë të tjera mund të kenë shoqëruar jetën tonë… Por, Janis kishte besuar gjithnjë tek Saul Bellow dhe leximi I atyre letrave nuk solli gjë tjetër veçse I shtoi admirimin për të. Ajo e pa për herë të parë atë, në vitin 1989 dhe ishte një nga studentet e tij në Universitetin e Çikagos.

“Më kujtohet se vura re duart e tij, që tregonin për një qenie njerëzore të jashtëzakonshëm. Ishte kaq bukur të dëgjoje leksionet e tij. E, mbi të gjitha, ai asnjëherë nuk hynte në auditor me shënime. Nuk kishte asnjëherë shënime dhe të bënte të dashuroje Flaubert-in (Gustave), Stendhal-in (DescriptionMarie-Henri Beyle,), Proust-in, Joyce-n (James). Nuk mungoja asnjëherë në kurset e tij”, rrëfen Ianis.

Pas përfundimit të studimeve nisi të punonte si asistentja e tij në Universitet. Por, jashtë orës së leksioneve ai ishte një njeri tjetër. Në vitin 1985, gruaja e tij e katërt Aleksandra, i kërkoi divorcin. Ianis tregon se kjo ishte një periudhë shumë e vështirë për shkrimtarin. Atij iu desh të largohej nga shtëpia ku ndante jetën me të në Çikago dhe të vendosej në një apartament në Hyde Park.

“Në atë periudhë ai ishte tepër I trishtuar dhe doja ta ndihmoja. I përgatisja ushqimin në shtëpi, teshat, deri sa një mbrëmje ai më kërkoi të qëndroja për darke”, rrëfen Ianis.

Burri që karakterizohet për ironinë e theksuar në librat që shkroi, do të shndërrohej ngadalë në sytë e ish-studentes së tij, në një tjetër burrë, të ngjashëm me atë që ajo kishte ëndërruar në libra. Dhe… në dosjen e pluhurosur që ajo kishte frikë ta hapte, gjen kujtimet e tij për atë periudhë. Ndjehet kaq e lumtur për ethet e pritjes së tij që ajo të mbërrinte në apartamentin e thjeshtë, ditët në park, apo mbrëmjet e fshehura , kur miqtë i dinin në bibliotekë. Ja pse sekretet nuk mund të jenë gjithnjë të trishta, ndonjëherë ato na bëjnë të ndjehemi krenarë për të shkuarën.

Në morinë e letrave që Ianis gjeti pas vdekjes të së shoqit, janë dhe korrespodencat e tij me emra të njohur të letërsisë amerikane, si Philip Roth, intimitetet me gratë e mëparshme, por dhe aforizma mbi situate të ndryshme të kohës që jetoi.

“Saul ishte një njeri I guximshëm dhe I pëlqente të jetonte intimitetin. Ndoshta kjo është arsyeja që ai ishte i ‘fiksuar’ pas martesave”, thotë Ianis. “Ai gjithnjë besonte se është mirë të duash dhe të të duan njëkohësisht”.

Saul Bellow është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane të shekullit të XX, fitues I çmimit Nobel në letërsi në vitin 1976. Motivacioni që Akademia Suedeze i dha shkrimtarit për këtë çmim ishte “për mirëkuptimin njerëzor dhe analizat e thella të kulturës bashkëkohore, që ndërthuren mjeshtërisht në punën e tij. Është e rëndësishme të shtohet fakti se, një njeri i cili vazhdon me këmbëngulje përpjekjen për të gjetur pikëmbështetje të shqetësimeve të tija në botën tonë të dyzuar, një individ i cili nuk heq dorë nga besimi i tij në vlerat e jetës të bazuar në dinjitetin dhe personalitetin dhe aspak në sukseset e tij, si edhe në faktin se e vërteta duhet të triumfojë, thjesht pasi ajo kërkon gjithçka me përjashtim të… triumfit”.

Kjo është mënyra e të menduarit, te e cila “antiheronjtë” e Saul Bellowit, gjejnë themelet e tyre, si edhe fitojnë statusin dhe lartësinë e tyre finale…”.

Bellow ishte 61 vjeç kur fitoi çmimin e madh të letërsisë dhe ashtu si shumë shkrimtarë që kishin fituar këtë çmim dhe ai ishte në ankth për letërsisë që do të shkruante pas këtij vlerësimi.

“Çmimet Nobel rrallë janë një gjë e mirë për shkrimtarët. Sinclair Lewis dhe John Steinbeck, pasi morën këtë çmim, ishin jo rrallë më të matur. Sa për Hemingway-n (Ernest), ai reshti së shkruari”, ka thënë ai.

E shkruara për Bellowin është diçka që vjen nga brenda teje dhe shndërrohet në fjalë.

“Një shkrimtar nuk e di asnjëherë ekzaktësisht se çfarë do të shkruajë. Vetëm një shkrimtar komercial ulet dhe vendos qëllimin e tij mbi librin që do të shkruajë duke reflektuar qëndrime dhe dëshira për publikun e gjerë. Nëse ju e dini më parë se çfarë do të shkruani, jeni një shkrimtar komercial. Është e njëjta gjë edhe në pikturë: nëse e dini se çfarë do të pikturoni, jeni një piktor komercial. Unë nuk jam i tillë. Kur unë filloj të shkruaj, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Në shkrimin tim jam një historian, një kronikan në një lloj mënyre. Jam i lirë të them atë që është thjesht një klasifikim ideologjik dhe që reflekton një formë të pavullnetshme në lexim, nga aq pranë sa është e nevojshme”, është shprehur Bellow.

Për të një libër më shumë se ide duhet të ketë emocion, pasi pasionet e mëdha fshihet pas emocionesh.

Bellow vdiq në moshën 89-vjeçare, në vitin 2005./ KultPlus.com

Saul Bellow, përfaqësuesi i shkrimtarëve hebrenj amerikanë

Saul Bellow, lindur më 10 qershor 1915 në Quebec, Kanada, ishte romancier amerikan të cilin e karakterizonte njeriu modern urban i pakënaqur nga shoqëria, por jo i shkatërruar në shpirt, e ky karakterizim i personalitetit të tij i dha Çmimin Nobel për Letërsi më 1976.

I rritur në një familje hebraike dhe i rrjedhshëm në gjuhën Yiddish, që ndikoi në stilin e tij energjik anglez, ai ishte përfaqësues i shkrimtarëve hebrenj amerikanë, veprat e të cilëve u bënë qendrore në letërsinë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.

Prindërit e Bellow emigruan më 1913 nga Rusia në Montreal. Kur ai ishte nëntë vjeç ata u transferuan në Chicago.

Ai ndoqi Universitetin Chicago dhe Universitetin Northwestern dhe më pas kombinoi shkrimin me një karrierë mësimore në universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin Minnesota, Universitetin Princeton, Universitetin e New York, Bard College dhe Universitetin Boston.

Bellow fitoi një reputacion në mesin e një grupi të vogël lexuesish me dy romanet e tij të para, “Dangling Man”, një histori në formë ditari të një njeriu që pret të futet në ushtri dhe romani “The Victim”, një studim delikat i marrëdhënies midis një judeu dhe një hebrei, ku secili prej të cilëve bëhet viktimë e tjetrit.

“The Adventures of Augie March” , sollën një vlerësim më të gjerë dhe fituan një National Book Award. Kjo është një histori aventuriere e një të riu të varfër hebre nga Chicago, përparimi i tij ndonjëherë shumë komik në botën e shekullit të XX, dhe përpjekjet e tij për ta kuptuar atë.

Në këtë roman, Bellow përdori për herë të parë një stil të lirshëm, të errët në revoltën e vetëdijshme kundër preokupimit të shkrimtarëve të asaj kohe me përsosjen e formës së tij të shkrimit.

“Henderson the Rain King” vazhdoi qasjen picareske në përrallën e tij të një milioneri ekscentrik amerikan në një kërkim në Afrikë.

Ai gjithashtu shkroi një vëllim me tregime të shkurtra “Mosby’s Memoirs” dhe “To Jerusalem and Back” në lidhje me një udhëtim në Izrael.

Në romanet dhe novelat e tij të mëvonshme, “Herzog”, “Mr. Sammler’s Planet”, “Humboldt’s Gift”, “The Dean’s December”, “More Die of Heartbreak” , “A Theft”, “The Bellarosa Connection” dhe “The Actual”, Bellow arriti në venën e tij më karakteristike.

Heronjtë e këtyre veprave janë shpesh intelektualë hebrenj, monologët e brendshëm të të cilëve shkojnë nga sublime në absurde. Në të njëjtën kohë, bota e tyre përreth, e populluar nga realistë energjikë dhe të pakorrigjueshëm, vepron si korrigjues ndaj spekulimeve të tyre intelektuale.

Ky kombinim i sofistikimit kulturor dhe urtësisë së rrugëve e përbën origjinalitetin më të madh të Bellow.

Në “Ravelstein” ai paraqiti një version imagjinar të jetës së mësuesit dhe filozofit Allan Bloom. Pesë vjet pas vdekjes së Bellow, më shumë se 700 letra të tij, të redaktuara nga Benjamin Taylor, u botuan në “ Saul Bellow: Letters ”.

Autori vdiq më 5 prill 2005, në Brooklyn, Massachusetts./ KultPlus.com

‘Më duket sikur jam në qiell midis Perëndive, nëse pranë teje rri’

Poezi nga Sappho

Më duket sikur jam në qiell
Midis Perëndive,
nëse pranë teje rri,
dhe shikoj buzëqeshjen tënde të bukur,
e ndjej
fjalët e bukura dhe këngën dashurore!
Mua zemra
Dirthërueshëm në kraharor më hidhet:
zëri më vdes,
ndërkoh që unë të kundroj,
gjuha ime ngjitet në qiellëz
shuhet buzëqeshja.
Gjarpëron flaka
Brenda gjakut tim,
kallem:
një bubullimë e panjohur më kumbon
në veshët, dhe ëndërroj:
më pushton tejetej
një hije tronditëse.
Dhe më mbulon të tërën
Djersa e ftohtë akull,
dhe fytyra zbehet si bari që rritet,
dridhem e fërgëlloj e rrënqethem,
e nemitem
e ngurosur.

Përktheu: Elida Buçpapaj / KultPlus.com

Në mbrëmje zemra ime

GEORG TRAKL- Poezi

Në mbrëmje dëgjohet klitha e lakuriqëve të natës.
Dy vraçë kërcejnë përmbi livadh.
Fëshfërin panja e kuqe.
Shtegtarit i shfaqet pijetorja e vogël ndanë udhës.
Mrekullishëm shijojnë vera e re dhe arrat.
Mrekullishëm: i dehur të lëkundesh në pyllin që muzget.
Mes degnaje të zezë kumbojnë kambana të dhimbshme.
Mbi fytyrë pikon vesë.

Përktheu nga origjinali Arb Elo./ KultPlus.com

Vetmia e Frederik Rreshpjes

Poezi nga Sali Bashota

Atë natë në Shkodër më pate thënë
Dashnia asht si zjarri
Kaluan vite e vite
I njëjti zjarr ndezi dhimbjen tonë
Deri në pafundësi

Atë natë në Shkodër më pate thënë
Dashnia asht si andrra
Fjalët i mori dallga e detit
Pastaj erdhi prova e zjarrit

Atë natë në Shkodër më pate thënë
Dashnia asht si qielli i paanë
Të gjithë planetet u zgjuan nga gjumi
Kur doli Ylli i Mëngjesit

Atë natë në Shkodër më pate thënë
Dashnia asht si rrezja e diellit
Që bie mbi lumë
Pastaj me barkën e shpëtimit
Diqysh dolëm në breg/ KultPlus.com

Për Margaritën, për të bukurën në vite…

Shkruan: Sadik Bejko

E mban mend? Cila ishte femra më seksi, më e bukur e atyre viteve?

Për femrën më seksi të atyre viteve kur unë isha 20 vjeç, nuk flitej, nuk dëgjohej lavdërimi në publik. Jo se kjo e bukur nuk ekzistonte. Por se ajo publikisht refuzohej si e ndëshkuar. Të flisje për të bukurën, ishte si pëshpërima e mbytur më fyt, si ai sekret i shfaqur frikshën në errësirë bodrumi.

Student në Tiranë, dëgjova për herë të parë atë që ishte një mrekulli më vete për femrën vetëm e vetëm që ajo të ishte seksi, të ishte e bukur.

Në kulturën shqiptare, në atë fshatare, në atë socialiste (medet!)… të ishe vetëm e bukur, mund të ishte fatale, fatkeqe, jo e dobishme, e njerëzishme… jo praktike.

Shkurt e rrezikshme. “U deshmë e njeri s’e diti”. “Pëllumb i shkruar… Më qafë na pastë kush na ka kallëzuar”.

Naimi: “Në fytyrën tënde gjeta dashurinë/si ai që gjeti në mal Perëndinë”.

E bukura lavdërohej në këngë, por si shjaqje e një mjedisi qiellor, vizion i ndarë me përrenj e humnera nga kjo jetë. Pse? Se në këngë “ishte ndryshe” nga ajo, të qenët në jetë. Ishte si në legjendë, si në atë përrallën kur “E bukura e dheut” që jetonte në qiejt e 13-të, arrihej dhe lumturohej nga trimi i marruar.

E bukura normale, tokësore, duhet të ishte e mirë, dmth duhet të kishte vlera që prekeshin nga dora, prodhonin diçka. E bukura në hava, ajo vetëm e bukura … nuk i shkonim për shtat tokësores, gruas që martohej me mua, me ty…

Por kryeqyteti, qyteti e kishte një kut tjetër: e bukura vihej përtej të dobishmes, përtej moralit, madje, përtej skandalit… e bukura kishte vlerë absolute, jashtëkohore e tejnjerëzore.

Prandaj ishim në qytet.

Gratë e bukura e tundnin shtatin, e tundnin dheun e njeriut dhe të shtetit vetëm për qejf të vetes ..
Ato si të bukura merrnin gjithë lavdërimet e përditshme të njerëzve që mrekulloheshin tek i shihnin, që vetëm i përshëndesnin, që u buzëqeshnin, i adhuronin, u këndonin këngë, u përfaleshin hireve të bukurisë në largësi… i quanin shenjtëri… më vehte

Kjo ishte Tirana e viteve ’60.

Ajo kishte të bukurat e saj në çdo lagje.. Dhe “burrat e bukur”. Për një të ardhur nga provinca si unë, mirë kjo gruaja e bukur, kjo e pikuara nga qielli, “misi”, E bukura e dheut, mund të pranohej si vlerë më vete kulminante, e pavarur nga krahasimet, balancat e vlerave të tjera, por mister “burri i bukur” ma shpifte.
Por Tirana e pranonte… burrin e bukur, “mashkullin mister”, jo në kuptimin e homos, të dylberit.

Disa nga gatë më të bukura të kohës ishin artistet… ato dinin të kriheshin, të visheshin, të ecnin bukur…

Tirana atëherë ishte këmbësore, nuk kishte makina. Këto të bukurat i shpërndanin hiret e tyre falas në ecjen e përditshme në punë, në kafe, në shoqni, në vdekje a dasma..

Bukuri që shkoqej e shpërfaqej sheshit.

Dy nga artistet e bukura… ishin këngëtarja klas Luiza Papa e Operas.Tjetra: Margarita Xhepa e teatrit…

Dhe sa të tjera të bukura… e shumë të bukura …

Jeta do thahej pa ujin e ëmbël të bukurisë që derdhej rrugëve të kryeqytetit… dikur në vitet ..60…

Dhe sot e gjithë ditën./ KultPlus.com

Stadiumi i ri ‘Selman Stërmasi’, shpallet fituese projektideja e studios arkitekturore “OMA”

Studioja arkitekturore “OMA” është shpallur fituese e garës ndërkombëtare për projektidenë arkitekturore për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Kryetarja e jurisë ndërkombëtare, Amanda Levete, shpalli kompaninë fituese të kësaj gare ndërkombëtare, ndërsa në fazën finale morën pjesë pesë skuadra finaliste që prezantuan para jurisë konceptet arkitektonike për një stadium krejtësisht të ri, sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV, i cili do ta kthejë atë zonë në një qendër të re të Tiranës.

“Përgëzoj qytetin e Tiranës sepse kultura e garave të arkitekturës në Shqipëri tashmë është bërë e rëndësishme. Nuk e di sa me fat jeni që e gjithë kjo kulturë dhe dëshirë për arkitekturën mbështetet nga qeveria dhe gjithë qyteti”, tha ajo.

“Qasjet e ndryshme që ju keni na kanë bërë që të kemi shumë pyetje dhe pikëpyetje në mënyrën se si mund të integrohet në mënyrë të suksesshme një stadium në të gjithë pjesë e qytetit”, tha Levete, ndërsa shtoi edhe disa sugjerime mbi projektin që pritet të realizohet nga studio arkitekturore “Oma”.

“Juria ka disa rekomandime që do donte t’i shihte të zbatuara në projektin e realizuar për të rafinuar formën e fasadave qoftë për interesat tregtare, por edhe ato të stadiumit”, vuri në dukje ajo duke sugjeruar që një nga ndërtesat në vendndodhje të jetë më pak ndërtesë, e më shumë në formën e një kulle sahati apo një obelisku. “Ishim jo fort të bindur për aktivitetin publik në tarracë dhe sugjerojmë që përdorimi i këtyre hapësirave të bëhet edhe me energji diellore”, pohoi Levete.

Nga ana e saj, drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona u shpreh se “skuadrat konkurruese në këtë garë na bënë të ëndërrojmë dhe reflektojmë mbi Tiranën tonë”.

“Ky konkurs ka një funksion të dyfishtë, rendit koncept idetë arkitekturore më të mira si hap të parë dhe si hap të dytë për tre skuadrat e renditura të para nga juria ndërkombëtare hapet zarfi që përmban ofertën financiare”, tha ajo.

“Kjo ofertë përmban përqindjen e zhvillimit, që secili konkurrent i ofron shtetit apo korporatës, përqindje e cila nuk duhet të jetë më pak se 47% e sipërfaqes së zhvilluar mbi tokën shtet. Pasi të hapen dhe renditen ofertat financiare të tre më të mirëve, ftohet skuadra e përzgjedhur e para nga juria ndërkombëtare e arkitekturës për të bazuar ofertën e saj me ofertën më të lartë të ofruar për korporatën nëse kjo është e nevojshme”, pohoi Kokona. /atsh/ KultPlus.com

Fisi i Hotit, pozita dhe popullsia e tij

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vermoshit ,në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug.
Ngulimet kryesore të Hotit janë: Rapsha e Hotit në Shqipëri dhe Arza, Helmesi dhe Traboini në Mai të Zi.

Popullsia

Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sardë-s, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasparit, më 1671. Hoti gjithashtu shfaqet në raportin e Gjorgjo Stampaneos, aty kah viti 1685 dhe në hartën e vitit 1689, të hartografit italian Gjakomo Kantelli da Vinjola.

Më 1614, shkrimtari venedikas, Mariano Bolizza nga Kotori i përmend 212 shtëpi të Hotit nën zotërimin e një farë Marash Papës, me 600 burra të armatosur.66 Më 1838, doktori austro-hungarez , Jozef Myller, ishte informuar nga At Deda i Vuklit se në Hot kishte 1500 banorë.67 Pothuajse në të njëjtën kohë (1841), në “Një informatë e shkurtër mbi fiset e Malësisë së Shqipërisë së veriut, në veçanti mbi malet e pavarura”, Nikolla, Princi i Vasojeviqve, pohon se popullata e Hotit përbëhej prej 2400 banorëve, prej të cilëve 600 ishin të armatosur. Në saje të regjistrimit të vitit 1854, diplomati francez, Hajsinth Hekardë, ka cekur se Hoti ka 450 familje.

Një diplomat tjetër francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshinin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.70 Autorë të tjerë të fimdit të shekullit nëntëmbëdhjetë përmendin gjithashtu 400 dhe 500 familje. Nga këto të dhëna, mund ta kemi të qartë se popullata e Hotit ka pasur rreth 400 banorë në atë kohë. Edith Durhami i referohet Hotit në dekadën e parë të shekullit njëzet si një bajrak i përbërë prej 500 shtëpive.

Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shënjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Kisha e famullisë së Brigjës, e ndërtuar më 1699, i është kushtuar Shën Gjonit Pagëzues. Vetëm disa gurë dhe një varrezë e vjetër kanë mbetur nga kisha. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën. Kisha në Hot i është dedikuar Shën Venerandës. Kisha në Rapshë të Hotit është ndërtuar në vitin 1699 nga françeskanët, të cilët pas një kohe të shkurtër qenë të detyruar të largoheshin prej saj. Një shtëpi e famullitarit u ngrit aty më 1907, e financuar nga Austro-Hungaria. Në Traboin ka qenë një famulli katolike që nga viti 1648, megjithëse shpesh braktisej.

Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman u konvertuan dhe kaluan në fenë islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar probleme të mëdha brenda fisit. Dhjetë familje në Rapshë, bie ijala, kaluan në fenë islame më 1800 dhe nga Pasha fituan të drejtën që të kenë Bylykbashin ose (Vojvodën e vet); këtë post e pati vazhdimisht familja e Hasan Agës./ KultPlus.com

Media gjermane “Petra”: Vizitoni Shqipërinë për një eksperiencë autentike dhe të paharrueshme

Dëshironi një klimë mesdhetare, plazhe të bukura dhe monumente historike për pushime? Atëherë nuk keni pse të shkoni në pikat e nxehta turistike të Greqisë. Ju këshillojmë të bëni një udhëtim në Shqipëri – një vend më i lirë dhe më pak i mbushur me vizitorë – por po aq i këndshëm!, shkruan Silva Oldenburg në revistën mujore gjermane “Petra”.

Shqipëria është po aq bukur sa Greqia – por shumë më e lirë

Gjatë pikut të sezonit turistik ka një numër të madh pushuesish, plazhet janë të mbipopulluara dhe çmimet rriten në mënyrë eksponenciale.

A nuk do të ishte e mrekullueshme të gjenit një vend po aq të bukur, por më pak të mbushur me turistë dhe më të lirë?

Shumë pranë Greqisë qëndron një vend që po bëhet gjithnjë e më popullor vitet e fundit: Shqipëria.

Me bregdetin e saj që të lë pa frymë, plazhet e pacenuara dhe njerëzit mikpritës, Shqipëria ka fituar reputacionin si “alternativa ndaj Greqisë”.

Riviera Shqiptare si alternativë ndaj Greqisë

Riviera Shqiptare shtrihet 450 kilometra përgjatë brigjeve të deteve Jon dhe Adriatik.

Këtu gjendet gjithçka që mund të dëshirojë një pushues: ujëra të kristalta, gjire të izoluara, fshatra piktoreskë dhe peizazhe mbresëlënëse malore.

Kryesisht, rekomandohen te vizitohen vende si Ksamili, Dhërmiu dhe Himara.

Një perlë e vërtetë është edhe ishulli i Sazanit, i cili për një kohë të gjatë ka qënë një zonë ushtarake e kufizuar.

Shqipëria ofron çmime të përballueshme dhe qetësi

Në pamje të parë mund të mendoni se Shqipëria është Greqia e dytë. Ngjashmëritë janë të dukshme: klima mesdhetare, peizazhi i larmishëm, historia e pasur dhe kuzhina e shijshme.

Por, nëse shikoni më afër, mund të shihni ndryshimet delikate që e bëjnë Shqipërinë të veçantë.

Avantazhi më i madh i Shqipërisë është padyshim çmimi. Krahasuar me Greqinë, akomodimi, ushqimi dhe aktivitetet janë dukshëm më të lira.

Kjo do të thotë që ju mund të kaloni pushime ëndrrash edhe me një buxhet të kufizuar.

Një tjetër pikë plus është paqja dhe qetësia. Shqipëria nuk është ende e mbipopulluar me turistë, ju mund të shijoni bukuritë e vendit në qetësi.

Kjo është arsyeja pse ia vlen të udhëtoni në Shqipëri

Natyrisht, Shqipëria nuk është një zëvendësuese e drejtpërdrejtë e Greqisë. Çdo vend ka identitetin, traditat dhe kulturën e vet.

Megjithatë, Shqipëria ka edhe një histori plot ngjarje, e cila pasqyrohet në vendet dhe monumentet e shumta historike.

Kuzhina shqiptare është një ndërthurje e ndikimeve mesdhetare dhe orientale dhe ofron një shumëllojshmëri shijesh.

Pra, nëse jeni në kërkim të një eksperience autentike dhe të paharrueshme pushimesh, duhet me patjetër të vizitoni Shqipërinë.

Këtu mund të zbuloni bukurinë e Ballkanit pa u përfshirë nga turmat e turistëve.