Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ishte prezent në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë.

“Në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, shënuam Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, duke shpresuar se entuziazmin për lexim të cilin ma prezantuan këta fëmijë sot, do ta përcjellin tek të gjithë fëmijët e Prishtinës!”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Anulohet konkursi për projektimin e ruajtjes dhe restaurimit të ish-biblotekës ‘Hivzi Sylejmani’

Njoftimi që ishte publikuar më 15 dhjetor nga Komuna e Prishtinës, për konkursin për projektimin e ruajtjes, restaurimit dhe adaptimit të ndërtesës së ish-biblotekës “Hivzi Sylejmani”, është anuluar.

Ky vendim u mor më 9 mars, sipas njoftimit të komunës.

Në bazë të njoftimit, ky tender u anulua për shkak të shkelje e LPP-së që ka ndodhur në procedurën e prokurimit e cila nuk ka mundur të rregullohet.

Për këtë konkurs, operatorët ekonomik ishin paraparë të shpërblehen në bazë të vendit të parë, të dytë dhe të tretë.

Vendit të parë do t’i ndahej pagesa sipas çmimit që vendoset në projekt ideor dhe zbatues.

Vendi i dytë do të shpërblehej me 3 000 euro dhe ai i treti me 2 000 euro.

Kurse, kompania fituese do të ishte përgjegjëse edhe për hartimin e projektit zbatues.

Ndryshe, objekti i ish-biblotekes “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë qëndron i mbyllur tash e disa vite.

Kuvendi Komunal në fund të vitit 2018 kishte miratuar statusin për t’i hapur rrugë funksionalizimit të këtij institucioni kulturor, duke e kthyer atë në muze.

Por ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim./ KultPlus.com

Kur nderohej Hivzi Sylejmani

Nga Jusuf Buxhovi

Përkujtesë

Shkrimtari Hivzi Sulejmani, i takon plejadës së krijuesve të brezit të Esad Mekulit, Martin Camajt, Sitki Imamit, Rexhep Hoxhës, Mark Krasniqit,Sinan Hasanit, Kapllan Resuli, A. Demaçit dhe të tjerëve, me të cilët, në rrethana të vështira shoqërore dhe politike çfarë ishin ata që solli sistemi ideologjik, fillon rrugëtimi i mundimshëm i krijimit të identitetit letrar, që do t’i hapë rrugë gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta , atyre të moderniteti në prozën tonë (A. Pashkut, R. Kelmendit, N. Rrahmanit, R. Rexhepit, A. Shkrelit, R. Qosja për të ardhur te T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani, Y. Shkrelit, J. Buxhovit, Z. Rrahmanit, M. Krajës e të tjerëve), që i dhanë vepra të rëndësishme dhe të qëndrueshme prozës sonë.

Në plejadën e krijuesve që ishin pjesë e revolucionit dhe idealeve të tij, Hivziu, gjithsesi shfaqet më i veçantë, jo vetëm që me të shpejt u largua nga nomenklatura revolucionare, që solli diktaturën e re, me të cilën ai nuk u pajtua dhe nuk deshi t’i sherbejë, por edhe pse me veprën e tij (prozën “Njerëzit”, të ndaluar dhe të anatemuar), shfaqë shenjat e para të një disidence “të heshtur” kundër diktaturës.

Në vitet e shtatëdhjeta, kur pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve që solli, fillon një klimë e re shoqërore dhe politike edhe te ne, Shoqata e Shkrimtarëve, në shenjë nderimi për krijuesin e rebeluar në kohët më të vështira, themeloi çmimin letrar “Hivzi Sulejmani” për prozën më të mirë të vitit. Ndërsa, pas vdekjes së tij, themeloi edhe manifestimin “Takimet letrare Hivzi Sulejmani”.

Këto takime, po ashtu, ishin diçka të veçantë, meqë mbaheshin në trekëndëshin: Mitrovicë, Rozhajë dhe Novi Pazar.

Pjesë e këtyre takimeve ndër më reprezentativët e kohës, pas atyre të Mitingut të Poezisë në Gjakovë që kishin karakter ndërkombëtar, ishin orët letrare në Rozhajë dhe Sanxhak (Novi Pazar), si dhe vënia e kurorës në varrin e Hivziut në Mojstir (në vendlindjen e tij në pjesën e Ribariqit) në Mal të Zi.

Takimi i fundit i kësaj natyre, në një hapësirë me etni krysisht shqiptare të shpërndarë në Kosovë-Mal të Zi dhe Serbi, ishte ai 10 korrikut 1985, ku morën pjesë shumë shkrimtarë të rëndësishëm të Kosovës, bashkëkohanikë të Hivziut (Esad Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Pera Stefanoviqi) si dhe disa nga brezi i shkrimtarëve të modernitetit (Beqir Musliu, Musa Ramadani, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Xh. Mustafa e të tjerë). / KultPlus.com

Mbyllet biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë

Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë ka njoftuar sot se nga data 9 nëntor e deri më datë 13 nëntor do të qëndrojë e mbyllur, përcjellë KultPlus.

Objekti i bibliotekës do të qëndrojë i mbyllur për shkak të punimeve që do të bëhen në objekt (renovimi i dyshemesë).

Ky vendim për mbyllje të objektit ka ardhur në bashkëveprim me drejtorinë e kulturës së komunës së Prishtinës, drejtorinë e bibliotekës, menaxherëve të projektit dhe operatorit punues. / KultPlus.com