‘Mosbindja është themeli i vërtetë i lirisë. Të dëgjueshmit janë skllavë’

Thënie nga autorë të ndryshëm!

 “Akoma është e lirë për shpirtrat e mëdhenj jeta e lirë. Vërtet, ai që pak zotëron aq më pak zotërohet, andaj bekuar qoftë varfëria.” – Friedrich Nietzsche

“Brengosu për ato që i thonë të tjerët dhe gjithmonë do të jesh i burgosuri i tyre.” – Lao Tzu

“Një ditë ju do të jeni mjaftueshëm i vjetër për të filluar përsëri leximin e përrallave.” – C.S. Lewis

“Gjëja më tragjike në botë është kur njeriu i gjenialitetit nuk është edhe njeri i nderit.” – George Bernard Shaw

“S’ka pasuri që do ta vë në paqe me veten njeriun e keq.” – Platoni

“Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.” – Benjamin Franklin

“Simptoma e parë e dashurisë së vërtetë tek një burrë, është ndruajtja, ndërsa tek një grua, guximi.” – Victor Hygo

“Të mendosh është e vështirë, prandaj shumica e njerëzve gjykojnë.” – Carl Gustav Jung

“Kur do të kesh një mik, duhet të jesh gati të luftosh për të; dhe për të luftuar, duhet të jesh i aftë për të qenë armik.” – Friedrich Nietzsche

“Mos shko andej nga të dërgon shtegu, por në vend të kësaj shko andej ku s’ka shteg dhe lëre një gjurm.” – Ralph Waldo Emerson

“Para se të niseni në udhëtimin e hakmarrjes, hapini dy varre.” – Confucius

“Sa herë që të gjithë pajtohen me mua, e ndjej se jam diçka gabim.” – Oscar Wilde

“Plagët morale e kanë këtë karakteristikë – ato mund të fshihen, por ato kurrë nuk mbyllen; gjithmonë të dhimbshme, gjithmonë të gatshme të gjakosin sa herë që preken. Ato mbesin të freskëta dhe të hapura në zemër.” – Alexandre Dumas

“Mosbindja është themeli i vërtetë i lirisë. Të dëgjueshmit janë skllavë.” – Henry David Thoreau

“Zoti është dhimbja e frikës nga vdekja.” – Fyodor Dostoyevsky /KultPlus.com

Përurohen dy libra të Sami Pirajt në bibliotekën `Hivzi Sulejmani`

Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës, me theks të veçantë atë të muzikologjisë shqiptare dhe të huaj, kompozitori Sami Piraj ka mbledhur disa prej atyre shkrimeve të veta botuar ndër vite dhe i ka botuar në librin “Jeta muzikore në Kosovë 1990 – 1999, periudha e deinstitucionalizimit”, të cilin libër Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës e ka paraqitur para publikut.

Përveç këtij libri, ditë më parë është publikuar edhe vepra tjetër e Pirajt, “Imazhe muzikore”.

Përurimi i këtyre dy librave mblodhi shumë miq dhe dashamirë të tij në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, të cilët përcollën një video të punuar për këtë ngjarje me disa nga punimet e publicistit Piraj.

Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Naime Beqiraj, e cilësoi Pirajn kronikan dhe zë kritik i cili për rreth 40 vjet, përveç si kompozitor, është shquar në qenësinë kulturore shqiptare me shkrimet analitike në fushat e të gjitha zhanreve të muzikës. Samiu u zhvillua si publicist në Rilindjen e viteve ’80, asokohe kur mediumi i vetëm ditor i Kosovës pasurohej çdo ditë me vlerësime kritike e shkrime të përzgjedhura të pjesëtarëve të saj, emra të shquar të letërsisë dhe kulturës shqipe si: Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Abdullah Konushevci, Gani Mehmetaj, Jusuf Buxhovi etj.

Për veprat folën edhe autoritete muzikore, duke i cilësuar kontribute të çmueshme në fushën informimit të kësaj periudhe dhe literaturës së gjinisë së këngës përcjellë me piano.

Periudha e viteve 1990-1999 cilësohet periudhë e errët në të gjitha sferat e jetës për shqiptarët në Kosovë. Pas aplikimit të masave të dhunshme në institucionet kulturore, arsimore, informative dhe përgjithësisht në të gjitha fushat e jetës te ne, u krijuan rrethana dhe kushte të vështira për shqiptarët. Shuarja e institucioneve dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga vendet e punës, rezultoi me vështirësi të shumta dhe të mëdha në jetën e përgjithshme. Informimi u vështirësua shumë pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës dhe gazetës “Rilindja”. Kjo ishte temë e trajtimit të panelistëve: Ahmet Bella, muzikolog, me banim në Malmo të Suedisë, Elife Podvorica Jashari, profesoreshë e solokëndimit, Kushtrim Jakupi, etnomuzikolog dhe Visar Munishi, etnomuzikolog, të cilët i referoheshin shkrimeve të botuara në gazetën e atëhershme “Bujku”.

Trajtimi i deinstitucionalizimit të jetës muzikore, që rrodhi nga shkrimet e botuara në gazetën “Bujku” të autorit Sami Piraj, gazetar i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, u cilësua si kontribut i rëndësishëm për informimin e asaj periudhe dhe dokumentimin e ngjarjeve në librin “Jeta muzikore 1990-1999.”. Kurse libri tjetër “Imazhe muzikore” paraqet, po ashtu, një kontribut në sferën e pjesëve të kompozuara në periudhat e ndryshme kohore e që gjithsesi e pasurojnë literaturën muzikore të formave kamertale.

Trump dhe Harris shtrëngojnë duart për herë të dytë brenda pak orësh

Ndonëse nuk ishin takuar asnjëherë më parë më njëri-tjetrin përpara debatit presidencial, Donald Trump pati një tjetër shtrëngim duarsh brenda pak orësh me kandidaten demokrate Kamala Harris.

Këtë herë, dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë u takuan në ceremoninë përkujtimore që u mbajt në Nju Jork në nder të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, teksa Trump shoqërohej nga kandidati i tij për zv.president J.D. Vance.

Më herët gjatë ditës, Trump dhe Harris u përballën në një debat të ashpër televiziv përpara zgjedhjeve, që për shumë media tregoi një epërsi të kandidates demokrate karshi manjati

Konjufca: Shqipëria dhe Kosova s’mund të bëjnë pa njëra-tjetrën

Kryekuvendari Galuk Konjufca ka shpërndarë pamje nga takimi i sotëm me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Konjufca tha se në këtë takim u rikonfirmuar tradita e vjetër e bashkëpunimit vëllazëror.

“Shqipëria dhe Kosova s’mund të bëjnë pa njëra-tjetrën, e të dyja bashkë mund të arrijnë gjithçka për të mirën e të dy vendeve dhe kombit tone”, tha ai.

Rama ndan pamje nga Thethi i mbushur me turistë

Thethi është shndërruar në një destinacion turistik mjaft të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot fotografi nga vizitorë vendas e të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë Parkun Kombëtar të Thethit edhe gjatë muajit shtator.

Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.

Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh./atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku: Le të shijojmë magjinë e kinemasë përgjatë pesë ditëve të mbetura të festivalit PriFest

Mbrëmë, ka filluar edicioni i 16-të i PriFest – Prishtina International Film Festival.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku me këtë rast ka thënë se ky festival ndër vite ka sjellë në Prishtinë filma të jashtëzakonshëm, duke frymëzuar edhe bashkëpunime kulturore përtej kufijve.

Ministri Çeku me tej i ka ftuar të gjithë adhuruesit e filmit që të shijojnë magjinë e kinemasë përgjatë pesë ditëve të mbetura të festivalit.

“Mbrëmë, edicioni i 16-të nisi me një të tillë, premierën botërore të filmit ‘Lejlek’ nga regjisori Isa Qosja.

I gëzuar që këtë vit PriFest, tashmë i njohur për promovimin e kinematografisë vendore dhe ndërkombëtare gëzon mbështetje financiare tre vjeçare nga Ministria e Kulturës”, është shprehur ai./ KultPlus.com

‘Opera në rrota’, iniciativa e RLIOF rrugëton në gjashtë qytete

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Rame Lahaj” do të ofrojë mbrëmje operistike në gjashtë qytete të Kosovës, të quajtur “Opera në rrota”.

Istogu, Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica e Prishtina janë në listën e vendeve të koncerteve që nisin nga 15 shtatori deri më 20 shtator.

“Jemi të lumtur të zbulojmë artistët që me artin e tyre do të bëjnë ‘Operën në Rrota’ të shëtisë në trojet tona. Përkushtimi dhe arti i tyre do të jetësojnë magjinë e operës dhe tingujve të kompozitorëve të shquar”, thuhet në njoftimin e RLIOF.

Artistët Laura Lila, Kaltrina Miftari, Anita Kërhanaj, Safet Berisha, Harris Bajraktari,  Uresa Ahmeti dhe Edon Shileku janë emrat që do të performojnë.

“Së bashku, ata do të prezantojnë një repertor të zgjedhur me kujdes të kryeveprave operistike, duke siguruar që çdo notë dhe tekst të prekë zemrat e audiencës sonë të re”, vazhdon njoftimi.

‘Më mirë të hash rrush se sa dajak’

Rifat Kukaj

Ti një kokërr unë një kokërr
mos më quaj plak
sepse s’kam deshirë aspak
që të bëhem plak zemerak
e të t’rrah me dajak
më mirë me quaj plakush
kështu rimohet me rrush
e rrushin e do gjithkush
e trillojmë një kalavesh
që i thonë edhe vile
e mirremi vesh
dhe e ndajmë pa hile
ti një kokërr
unë një kokërr
ti një kokërr
unë një kokërr
mos u nxito, kalaveshi është i madh
ti një kokërr
unë një kokërr
ti një kokërr
unë një kokërr
deri te kokrra e fundit
ti më sheh me lakmi drejt në sy
unë e marr e ta jap ty
prandaj më mire më quaj plakush
se sa plak
më mirë të hash rrush
se sa dajak/ KultPlus.com

Statuja prej bronzi e Mbretëreshës Elizabeth dhe princit Philip ndez shumë reagime, kritikët thonë se nuk iu përngjan atyre

Një skulpturë e re prej bronzi e mbretëreshës Elizabeth II dhe princit Philip ka ngjallur shumë reagime të kritikëve, të cilët janë shprehur se nuk iu përngjan fare atyre.

Vepra e artit u zbulua në Antrim Castle Gardens në Irlandën e Veriut të premten, që u porosit nga Këshilli i Bashkësisë Andrim dhe Newtownabbey

Këshilltarja e Antrim dhe Newtownabbey, Vera McWilliam, i tha BBC News NI se duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se nuk i ngjan mbretëreshës në asnjë formë.

Një banor tjetër vendas Richard, i cili kishte shkuar për të pare statujën me gruan e tij, tha për media se ishte me të vërtetë i zhgënjyer.

Nadine Jasper ndau një foto të bustit të Mbretëreshës, duke shkruar: “A do ta dinit se kjo ishte mbretëresha e ndjerë nëse nuk jua thoja?/KultPlus.com

Ministri Çeku ka emëruar Këshillin e ri të Librit

Ministri Çeku ka emëruar Këshillin e ri të Librit, i cili përbëhet nga 11 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme kulturore dhe arsimore të vendit, si dhe ekspertë të fushës.

Këshilli drejtues i cili ka mandat 4 vjeçar ka këtë përbërje: Jehona Shyti, Bekim Sarnadraxha, Faton Berisha, Nysret Krasnigi, Adem Zejnullahu, Eronida Ismajli, Arber Rrahmani, Leontina Gega Musa, Agim Vinca, Nerimane Kamberi dhe Qerim Ondozi.

Sot u zhvillua takimi i parë njoftues me ta, ndërsa ministri Çeku u shprehu mbështetjen e plotë të MKRS për punën e tyre të rëndësishme në vitet e ardhshme.

Ekspertiza dhe përkushtimi i këtij Këshilli do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të kulturës së librit në Kosovë./ KultPlus.com

Premiera botërore ‘Lejlek’ me regji të Isa Qosjes hap siparin e edicionit të 16-të të PriFest

Vjollca Duraku

Një mot me shi që s’kishte të ndalur, nuk ishte aspak pengesë për organizatorët e Prishtina International Film Festival- “PriFest”, për të mbledhur në konak edhe kësaj radhe artistët e teatrit dhe kinematografisë, për të çelë siparin e edicionit të 16-të me radhë, i cili këtë herë po mbahet në ambientet e Kino Armatës, shkruan KultPlus.

Premiera botërore e filmit “Lejlek” ishte ngjarja e parë që e shënoi hapjen e këtij festivali, i cili do të zgjasë për gjashtë ditë. Me regji të Isa Qosjes, kjo premierë botërore kishte zgjuar interesimin e mysafirëve të shumtë cilët u gjendën pranë kinemasë në dy orare, në atë të orës 19:30 dhe 21:30.

“Lejlek” është një film i cili paraqet jetën, mendësinë, kulturën dhe traditat e një fshati të thellë të Malit të Zi, banorët e së cilit fshat kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi në përgjithësi paraqet jetën sfiduese për tre gra të cilat jetojnë në këtë zonë.

“Suta”, të cilin rol në mënyrë brilante e solli aktorja e njohur Arta Dobroshi, është një grua së cilës i vdes burri, ku përveç mërzisë për bashkëshortin asaj i duhet t’i rezistoj edhe presionit të vjehrrës së saj për tu martuar me binjakun autik të burrit tashmë të ndjerë. Si një grua e bukur në ato anë, asaj i duhej të shtypte energjinë e saj feminine, dhe nga fundet e fustanet të kalonte komplet në një energji mashkullore për t’iu shpëtuar ngacmimeve që mund t’i vinin në burrat e tjerë të fshatit, si dhe kunati i saj autik.

Shtrirja e saj mbi çati të shtëpisë, shënonte një moment të prehjes së shpirtit të saj, pasi vetëm atëherë ishte më pranë qiellit, e lirë, në botën e saj dhe larg mendësisë së rrethit ngulfatës në të cilin jetonte, duke i ikur edhe barrës kryesore që ajo tashmë e kishte mbi supe, praninë e kunatit të saj autik, të cilin rol në mënyrë mjeshtërore e kishte sjellë Donat Qosja. Roli i këtij personazhi “me nevoja të veçanta”, brenda vetes plot kreativitet, shpërfaqte mospërputhjen realitetit të tij me rregullat e shoqërisë dhe mjedisit në të cilin që jetonte.

Kurse Vezirja dhe Dranja janë gratë e një burri, i cili me gruan e dytë katolike ishte martuar duke e blerë nga babai i saj, pasi me gruan e parë nuk pati mundësi të kishte fëmijë. Jasemi (Shkumbin Istrefi) ishte një burrë i cili e kishte primatin e njeriut kryesor në familje. Kurse elementet si vetmija dhe ndrojtja e gruas së parë, pastaj xhelozia, inatet dhe lojërat ndaj njëra tjetrës për të “poseduar” burrin secila për vete, si dhe detyrimi për të bashkëjetuar, pasi burri i tyre vendosi të largohej, u sollën po ashtu jashtëzakonisht bukur nga aktoret Flonja Kodheli dhe Doresa Rexha.

Bjeshka, si sinonim i jetës së thellë, tërhiqte një paralele mes bashkëjetesës së fesë islame dhe katolike, tragjedisë dhe komedisa, një jete të prapambetur dhe të evoluar, ku teknologjia dhe lejleku ishin sinonim në kontrast i bartjes së informacioneve në dy realitete të ndryshme të botës. Paraqitja e një lejleku në atë zonë paralajmëronte ngjarje të papritura, kryesisht negative. Përderisa shtrirja e internetit prej shteteve perëndimore të zhvilluara, paraqiste një formë të sofistikuar të bartjes së informacionit nga një kontitnent tjetër, si ai në rastin e dy prindërve të moshuar të cilët pas shumë vitesh mund të komunikonin me djalin e tyre në Amerikë, përmes “Skype”.

Kumrije Hoxha dhe aktori tashmë i ndjerë Mirush Kabashi, vetëm përmes “Skype”-it mund ta shihnin imazhin e djalit të tyre, i cili për shumë vite jetonte në Amerikë. Brenga kryesore e tyre ishte kthmi i djalit të tyre (që i përkiste komunitetit LGBTI), për ta martuar me një vajzë të fshatit. Përmes ekranit ata kishin parë ndryshimin e djalit të tyre mirëpo, në mungesë informacioni për ndryshimet globale, prindërit nuk ishin të vetëdijshëm saktësisht për zgjedhjen që djali i tyre kishte bërë  në jetë.

Publiku e shijoi filmin dhe  performancën e mrekullueshme të të gjithë aktorëve për 97 minuta. Aktorët që morën pjesë në filim ishin: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi dhe Besa Tusha.

Filmi “Lejlek” është bashkëprodhim i Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në këtë ceremoni nuk kishte se si të mungonte edhe përkujtimi për regjisoren e ndjerë Vjosa Berisha, e cila për vite me radhe kishte qenë organizatore e festivalit dhe në përgjithësi një promotore e zhvillimit të filmit në vend.

Për të nderuar veprën e saj para se të fillonte premiera, u interpretua një këngë për të dhe Xhevdet Bajrën nga Shpëtim Sinani dhe Alban Nimani. Organizatorët e Festivalit u shprehën krenarë në nisje të “Prifest”, pasi sipas tyre Prishtina për një javë do të shëndrrohet në qytet të filmit, ku pjesëmarrës do të jenë edhe kineastë rajonal dhe evropian.

Drejtori i Festivalit “PriFest”, Fatos Berisha, në fjalimin e shkurtër të ceremonisë hapëse iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke i ftuar të shijojnë filmin premierë botërore i cili do të gjendej vetëm pas pak në ekranin gjigand të kinemasë.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij e përkujtoi regjisoren Vjosa Berisha, duke thënë që falë angazhimit të saj “Prifest” është një ndër organizimet filmike më të rëndësishme të Kosovës.

“Është një nder i madh të jem sonte këtu me ju, për të festuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme, kulturore. “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme Kosovën e pasluftës. Ky sukses është fryt i përkushtimit dhe vizionit të atyre që organizojnë dhe të gjithë neve që marrim pjesë. Padyshim që kontributi në angazhimin dhe përkushtimin e artistes Vjosa Berisha duhet ta kujtomë e përkujtojmë sa herë që mblidhemi për Prifest. Mungesa e sj vazhdon dhe rritet porsi “Prifest”-i.

Kryeministri Kurti me tej potencoi se Filmi është shpallur interes shtetëror dhe si i tillë do të ketë investime dhe rregullime të infrastrukturës së këtij sektori të rëndësishëm të artit.

“Sivjet nga Qendra Kinematografike e Kosovës janë përkrahur plotë 35 projekte filmike me shumë prej 1. 4 milionë euro. Është duke u punuar për përmirësimin infrastrukturor të kinemave publike, në fillim në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, “Lumbardhi” në Prizren si dhe “Kino Armata” në Prishtinë. Gjithashtu janë mbështetur shtatë filmbërës të rinjë për të vazhduar studimet e tyre në shtetin e Pragës”, ka thënë Kryeministri.

Ndërsa, drejtoresha e  Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, u shpreh e lumtur që edhe këtë vit vazhdojnë të jenë partnerë të “Prifest”, duke i ofruar festivalit mbështetje siç tha ajo me aq kapacitet sa ka QKK.

“Faleminderit shumë Fatos! Ne jemi vërtetë shumë, shumë të kënaqur që këtë vit do të kemi gjashtë filma që do të shfaqen në Prishtina International Film Festival- “PriFest”. Janë gjashtë filma që janë mbështetur nga Qendra Kinemtografike e Kosovës. Ne jemi të lumtur dhe krenarë që industria filmike është duke u rritur”, ka thënë drejtoresha Zeqiri duke potencuar se këtë vit do të organizohet  edhe një platformë me Workshop-e për aktorët si bashkëpunim me Filmmakers Europe, “PriFest” dhe  Universitetin të Prishtinës.

PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com

Ag Apolloni në Tuz e Podgoricë, do të promovohen dy libra të autorit

Shkrimtari Ag Apolloni do të prezantojë krijimtarinë e tij letrare edhe për audiencën e Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se Ag Apolloni do të bëj promovimin e romanit “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” në Tuz, përkatësisht në Panairin e Pestë të Libri, takim që do të mbahet më 12 shtator prej orës 20:00.

Kurse në Podgoricë do të bëhet promovimi i romanit tjetër të Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, dhe ky promovim do të mbahet më 13 shtator në ora 21:00, ngjarje kjo që do të mbahet në kuadër të Festivalit të Librit Bashkëkohor./ KultPlus.com

Zëri i gruas shqiptare në fetivalin ndërkombëtar të Ceralia-s

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëri me dije se, Shqipëria është e ftuar si vend mik në festivalin Ceralia, ku një pjesë e eventeve dhe takimeve do të jenë mbi historinë dhe kulturën shqiptare.

Festivali Cerealia është një traditë 14-vjeçare, e cila i ka rrënjët prej antikitetit të vjetër romak. Një festival që synon të rritë vetëdijen mbi rëndësinë e tokës, kulturave vendase si dhe rizbulimin e zakoneve të vjetra të harruara në kohë.

Këtë vit, festivali do të nisë më datën 14 shtator dhe përkrah fushave të tjera si gastronomia, muzika, kostumografia do të jetë edhe letërsia shqipe. Ky festival përfshin një hapësirë të caktuar për realizimin e shkëmbimit kulturor, atë të basenit mesdhetar ku fton kulturat përreth të bëhen pjesëmarrëse duke krijuar kështu një pluralizëm kulturor.

Në takimin e datës 24 shtator, të ftuara do të jenë dy autore shqiptare, poetja Olimbi Velaj dhe Eliza Çobo, të cilat nën moderimin e Anna Lattanzit nga “Albania Letteraria” do të flasin dhe diskutojnë mbi rolin e gruas në kulturën shqiptare, mes të shkuarës dhe të tashmes. Po ashtu përgjatë takimit është planifikuar të ketë ndërhyrje me interpretime nga aktorja Anita Pagano. Ky takim vendos në qendër të vëmendjes letërsinë shqipe, fugurën e gruas shqiptare në letërsi, por edhe vetë autoret femra, të cilat kanë shkruar për gruan dhe rolin e saj në shoqëri./atsh/KultPlus.com

Një jetë me muzikën, Sami Piraj prezanton librin për periudhën 1990-1999

Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës e me theks të veçantë atë të muzikologjisë jo vetëm shqiptare, por edhe të huaj, kompozitori Sami Piraj ka mbledhur disa nga shkrimet e tij me ndikim dhe i ka botuar ditë më parë në librin “Jeta muzikore në Kosovë 1990 – 1999, periudha e deinstitucionalizimit” të cilën Biblioteka e Prishtinës “Hivzi Sulejmani” e kishte zgjedhur për ta paraqitur para publikut të kryeqytetit.

Përveç këtij libri, po kështu, ditë më parë u publikua edhe vepra tjetër e Pirajt “Imazhe Muzikore”.

Publikimi i këtyre librave kishte mbledhur auditor të zgjedhur të cilët përcollën një video të punuar enkas për këtë ngjarje me disa nga punimet e shquara të publicist Piraj.

Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” Naime Beqiraj e cilësoi Pirajn si kronikan dhe zë kritik i cili për rreth 40 vite, përveç si kompozitor është shquar në qenësinë kulturore shqiptare me shkrimet e tij analitike në fushat e të gjitha zhanreve të muzikës.

Samiu u zhvillua si publicist në Rilindjen e viteve ’80, asokohe kur mediumi i vetëm ditor i Kosovës pasurohej çdo dite me vlerësime kritike e shkrime të përzgjedhura të pjesëtareve të saj, emra te shquar të letërsisë dhe kulturës shqipe si: Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Abdullah Konushevci, Gani Mehmetaj, Jusuf Buxhovi, etj.

Për veprat refruan edhe figura të njohura të fushës së muzikës, duke e cilësuar si kontribut në fushën informimit të kësaj periudhe dhe literaturës së gjinisë së këngës përcjellë me piano.

Periudha e viteve 1990- 1999, cilësohet si periudhë e errët në të gjitha sferat e jetës për shqiptarët në Kosovë. Pas aplikimit të masave të dhunshme në institucionet kulturore, arsimore, informative dhe përgjithësisht në të gjitha fushat e jetës te ne, u krijuan rrethana dhe kushte të vështira për shqiptarët. Shuarja e institucioneve dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga vendet e punës, rezultojë me vështirësi shumë të theksuara në jetën e përgjithshme. Informimi u vështirësua shumë, pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës, gazetës “Rilindja”, duke u mbyllur një dritare e rëndësishme kulturore e informative.

Kjo ishte temë e trajtimit të panelistëve: Ahmet Bella muzikolog nga Malmo e Suedisë, Elife Podvorica – Jashari – profesoreshë e solokëndimit, Kushtrim Jakupi – etnomuzikolog dhe Visar Munishi – etnomuzikolog, duke iu referuar shkrimeve të botuara në gazetën e atëhershme “Bujku”.

Trajtimi i deinstitucionalizimit të jetës muzikore, që rrodhi nga shkrimet e botuara në gazetën “Bujku” të autorit Sami Piraj, gazetar i rubrikës dhe kulturës në të përditshmen “Rilindja”, u cilësua si kontribut relevant në informimin e asaj periudhe dhe dokumentimin e ngjarjeve në librin “Jeta Muzikore 1990-1999..”.

Kurse libri tjetër “Imazhe Muzikore” paraqet poashtu një kontribut në sferën e pjesëve të kompozuara në periudhat e ndryshme kohore e që gjithsesi e pasurojnë literaturën muzikore të formave kamertale./ KultPlus.com

Përurohet Qendra për Trajtimin e Qenve Endacakë, kryetari Rama: Problemi i qenve endacakë në kryeqytet po zgjidhet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot kanë përuruar Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë.

Rama ka njoftuar se kjo qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve.

“Sot përuruam Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë. Kjo Qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve tanë duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre. Qendra është furnizuar me pajisje moderne dhe ka të punësuar veterinarin, dy teknikë veteriner si dhe stafin tjetër mbështetës”, ka njoftuar Rama.

Tutje, Rama ka njoftuar se bartja e qenve endacakë nga rrugët e kryeqytetit në këtë qendër, do të fillojë shumë shpejt.

“Qentë do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Siç është në dijeni opinioni, qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë Qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si dhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar nga Kryeqyteti”, ka shkruar kryetari Rama.

Në njoftim, i pari i kryeqytetit i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës, duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera./KultPlus.com

Ekspozita e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore “shkon” në Shkodër

Ekspozita “Muaji i Monumenteve Historike” ka mbërritur në kalanë e Shkodrës.

Kjo ndalesë përfaqëson një nga vendet më të rëndësishme historike të Shqipërisë, me një trashëgimi të pasur kulturore që shtrihet për shekuj me radhë.

Me panelet e shfaqura nga arkivi i IKTK-së, vizitorët do të kenë mundësinë të zbulojnë histori dhe vlera të jashtëzakonshme kulturore, të ilustruara me kujdes ndër vite.

Pak dite më parë, kjo ekspozitë ishte edhe në qytetin e Beratit, ku shfaqi materiale grafike të trashëgimisë kulturore nga e gjithë Shqipëria.

Ky aktivitet shëtitës, vijon të sjellë në vëmendjen e publikut rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të këtyre monumenteve historike./atsh/KultPlus.com

Gati për edicionin e 23-të të KamerFest, më 12 shtator hapja solemne

Përgatitjet për edicionin e 23-të të KamerFest tashmë janë në përfundim e sipër dhe hapja solemne e këtij festivali do të bëhet më 12 shtator, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ceremoni që do të nisë prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë edicion do të ketë pjesëmarrës prej shumë shteteve të ndryshme, sikurse: Franca, Gjermania, Italia, Argjentina, Kroacia, Turqia, sikurse edhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova…

Koncertet për këtë edicion përpos në Bibliotekën Universitare, do të mbahen edhe në Kishën Katolike “Shën Ndou” dhe në Atelienë e Pallatit të Rinisë

KultPlus si sponsor medial i këtij festivali ju sjell më poshtë programin e këtij festivali.

SHTATOR 

12 SHTATOR 2024 

HAPJA SOLEMNE E FESTIVALIT

Amfiteatri Biblotekës së UP ,

ora 20.00

“Violin sound journey”

Solist : 

VADIM TCHIJIK,violi

Mysafiré:

NITA GRUBI ,piano

MAQEDONI E VERIUT 

SIHANA BADIVUKU,vl

ORKESTRA HARKORE E FESTIVALIT KAMERFEST

(Beethoven,Sarasate,Bach )

14 SHTATOR 2024

Kisha Katolike”Shën Ndou”Prishtinë

Ora 20.00 

“Passioni delle anime popolari”.

GIUSY MIRIAM POMPILIO,soprano

LUCIANO POMPILIO,kitarë 

ITALI 

(Giuliani,Almeida,A.B.Mangorre,F.G.Lorca,F.P.Tosti,U.Calise)

TETOR

03.TETOR 2024

Amfiteatri i Biblot.UP 

20.00 

“Future virtuoso” 

SIBORA RESYLI,violinë

(Laueratja e Çmimit “Grand Prix ArsKoskva 2024 “& “Akil Koci Prize”

Bashkëpunëtor në piano:

MELOS BUZA 

(Bach,Massnet,Mendelssohn,Vivaldi)

06.TETOR 2024

Amfiteateatri i Biblot UP 

20.00

“Chamber Masterpieces in KamerFest”

JOSE GALLARDO,piano ARGJENTINË

XHAFER XHAFERI,violinë 

GJERMANI 

JELENA OČIĊ,vcllo KROACI 

Mysafirë:

ALTIN TAFILAJ,violë FRANCË

SIHANA BADIVUKU,KOSOVË

(Rahmaninoff,Tchaikovsky,Franck)

08.TETOR 2024 

Kisha Katolike”Shën Ndou”Prishtinë

Ora 20.00

“Viola d’amore”

Solist :

ALTIN TAFILAJ,violë FRANCË

ANSAMBLI HARKOR KAMERFEST 

Mysafirë:

SIHANA BADIVUKU,vl

RRON BAKALLI ,vl

(Vieuxtemps,Handel-Halvorsen, Dvorak ,Schubert)

26.TETOR 2024

Salla e Ateljesë-karshi salles se kuqe /Pallati i Rinisë,iora 20.00

“Mendelssohn & Friends – A Peaceful Message

Orkestra WBYO-West Balkan Youth orchestra 

DESAR SULEJMANI,dirigjent GJERMANI

ONDER BALOGLU,violinë TURQI 

(Bruckner, Mendelssohn-Batholdy, Schönberg)./ KultPlus.com

Si ndryshoi vendi i Kullave Binjake pas 11 shtatorit

Sulmi terrorist i kryer nga Al Kaeda kundër kullave binjake të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, më 11 shtator të vitit 2001, ndryshoi përgjithnjë jo vetëm qiellin e një nga qyteteve më dinamikë në botë, por të gjithë kombin amerikan si dhe vendet e tjera aleate.

Në 21 vitet e fundit, vendi ku ishin kullat binjake ka ndryshuar vazhdimisht, duke u kthyer në një memorial për 2977 personave me kombësi jo vetëm amerikane, por nga e gjithë bota të cilët humbën jetën nga sulmet.

Ky sulm bëri që të krijohet Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Akti Patriotik dhe zyra për Përforcimin e Doganës dhe Emigrimit. /tch/KultPlus.com

Komisioni i Medias miraton propozimin për shpalljen e 2 marsit Festë Kombëtare

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin i cili propozon shpalljen e 2 marsit 1444 festë zyrtare.

Deputeti Eduart Ndreca ka propozuar që 2 marsi 1444, kur u themelua Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës, i cili çmohet të jetë pika e nisjes së krijimit të shtetit shqiptar, të shpallet ditë feste zyrtare.

“Me kthimin e 2 marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tone, Gjergj Kastrioti por dhe periudhën më të lavishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtar, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, tha ai.

Deputeti Ndreca tha se ky propozim do t’i shtojë me tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut./atsh/KultPlus.com

200 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën 1 janar deri më 10 shtator.

Ajo ka pritur 200.000 vizitorë vendas e të huaj ose 21% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

DRTK Gjirokastër shkroi në rrjetet sociale se, kalaja e Gjirokastrës mirëpret vizitorët për t’i njohur me historinë e për të shijuar pamjen që e rrethon në 360°.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë, pranuar në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime.

Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala prej rreth 12 kilometra larg.
Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore./atsh/KultPlus.com

Petrit Halilaj hap ekspozitën “Abetare”, do të shfaqen bankat shkollore të zhgarravitura nga nxënësit në Kosovë

Artisti Petrit Halilaj, më 12 shtator do të hap ekspozitën e tij të radhës të quajtur “Abetare”, ku do të ekspozojë bankat shkollore të zhgarravituara.

Në njoftim thuhet se tavolinat janë të mbuluara me gërvishtjet e fëmijëve dhe do të jetë hera e parë që do të shfaqen si objekte arti, të varura në mur.

Hapja do të bëhet në galerinë “Kurimanzutto” në New York, të enjtën, më 12 shtator duke filluar nga ora 18:00./KultPlus.com

Poezitë e Dritëro Agollit do të përkthehen në 5 gjuhë

Në mjediset e Qendrës së Botimeve për Diasporën, u zhvillua takimi mes përkthyesve dhe redaktorëve letrarë (pedagogë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës), të angazhuar në projektin e përkthimit në pesë gjuhë të poezive të Dritëro Agollit.

Përkthyesit pjesëmarrës për 52 ditë në rezidencën “Fan Noli” të Qendrës së Botimeve për Diasporën janë: Rigels Halili nga Polonia, Eleana Zhako nga Belgjika, Griselda Doka nga Italia, Loreta Shillcok nga Gjermania dhe Evelyne Noygues nga Franca.

Gjatë kësaj periudhe përkthyesit në rezidencë në bashkëpunim me redaktorët letrarë do të përmbyllin projektin e përkthimit në 5 gjuhë të përmbledhjes me poezi nga shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli.

Projekti i rezidencës së përthyesve është fitues i programit “Kultura Lëviz Evropën”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Instituti “Gëte”.

Lidhur me sfidat e përkthimit të poezisë së Dritëroit, u theksua në veçanti vështirësia në ruajtjen e drejtpeshimit mes thjeshtësisë së gjuhës dhe kompleksitetit të përmbajtjes, të përcjelljes së kontekstit specifik shqiptar për një lexues të huaj, të ruajtjes së nuancave të humorit dhe ironisë, apo të ritmit dhe rimës, si dhe të referencave kulturore, elementeve të folklorit apo simbolikave të ngulitura në traditën shqiptare.

Të pranishëm në këtë takim ishin përkthyesit: Manjola Nasi, Evelyne Noygues, Loreta Shillock, Griselda Doka dhe redaktorët: Rudina Xhillari, Mirela Papa, Marsela Likaj dhe Lorena Dedja./atsh/KultPlus.com

11 shtatori, ngjarja që ndryshoi dhe tronditi botën (FOTO)

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 23-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: 11 shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 23-vjetorin e sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001.

“Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist.

“Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!”, ka shkruar presidentja Osmani.