Një portret i ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Winston Churchill, i vjedhur nga një hotel luksoz në Otava, është lokalizuar në Itali dhe do të kthehet në fund të këtij muaji, thanë autoritetet kanadeze.
”Portreti, një fotografi nga Yousuf Karsh, u raportua i vjedhur nga hoteli ‘Fairmont Chateau Laurier’ në gusht 2022”, tha policia e Otavës në një deklaratë.
Më vonë doli se ishte marrë midis 25 dhjetorit 2021 dhe 6 janarit 2022.
Policia tha se përcaktoi se portreti i ishte shitur përmes një shtëpie ankandi në Londër një blerësi në qytetin verior italian të Xhenovas.
Të dy personat nuk ishin në dijeni se fotoja ishte vjedhur.
Një 43-vjeçar nga provinca kanadeze e Ontarios u arrestua në prill dhe u akuzua për vjedhje dhe trafikim të portretit.
Shërbimi Policor i Otavës tha se blerësi i veprës do t’ia dorëzonte portretin Shërbimit Policor të Otavës në Romë më vonë këtë muaj.
Portreti do të ekspozohet sërish në ”Fairmont Chateau Laurier”/KultPlus.com
Rreth 80 foto-arkiv të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po ekspozohen për vizitorët dhe dashamirësit e monumenteve në kalanë e Gjirokastrës.
Vetë kalaja monumenti më i vizituar kulturor i kësaj vere në Shqipëri shfaqet në disa nga fotot për të bërë të mundur edhe vëzhgimin e transformimeve prej ndërhytjeve restauruese dhe kohës.
“Po prezantojmë monumentet e kulturës, por edhe punën që është bëra nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore ndër vite që në themelimin e tij dhe deri tani. Kemi sjellë edhe disa materiale promocionale në formë kartolinash të monumente të ndryshme të kulturës në Shqipëri për t’ja dhuruar turistëve që të kenë një kujtim nga Shqipëria dhe nga kjo ekspozitë, gjithashtu kemi vendosur edhe një libër në të cilin mund të japin mendimet e tyre” – shprehet Kejda Lampe, specialiste e insitutit kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Ekspozita prezanton imazhe të monumenteve si teatri i Butrintit, gjetje arkeologjike të rralla, pamje të monumenteve mesjetare të kultit, ura, rrugë, akuadukte, piktura murale dhe ikona.
“Ne kemi ekspozuar një pjesë të arkivit tonë për të treguar ndryshimet që ka pësuar monumenti dhe restaurimet që janë bërë gjatë kohëve në vijim që nga themelimi i institutit tone” – shprehet Andrea Pambuku.
Ekspozita me fotot e realizuara në periudha të ndryshme dhe e sjellë në prag të 80 vjetorit të Çlirimit po shëtit në disa qytete të vendit dhe përfaqëson njëkohësisht një kolazh memorie edhe për njerëzit që i shërbyen trashëgimisë gjatë shekullit të fundit./TopChannel/KultPlus.com
Peter Renaday, aktori origjinal pas zërit të Master Splinter në serialin e parë të animuar “Teenage Mutant Ninja Turtles”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga publicistii Renaday, i cili tha se aktori u gjet nga policia në shtëpinë e tij në Burbank të Kalifornisë të dielën dhe duket se vdekja e tij ka ardhur për shkaqe natyrale.
Renaday u shfaq për herë të parë si Hamato Yoshi/Splinter, i cili është një mentor dhe figurë e babait të Turtles në vitin 1987. Ai do të vazhdonte të shprehte personazhin deri në fund të serialit në 1996 dhe do të ripërtërinte rolin për koncerti “TMNT: Coming Out of Their Shells” i regjistruar në vitin 1990./KultPlus.com
Ekrani gjigand i Kino Armatës në natën e dytë të Prishtina International Film Festival- PriFest para publikut solli premierën e filmit “Okarina”, të regjisorit Alban Zogjani, me skenar të Albana Mujës.
“Okarina” paraqet një histori tipike të familjeve shqiptare të cilët ndër viteve, për arsye sociale dhe politike janë detyruar të emigrojnë në shtete të ndryshme të botës, për të cilat në rast të refuzimit të leje qëndrimit në ato vende, martesa e burrave me gra të nacionaliteteve të tjera ka qenë zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme për të siguruar stabilitetin dhe standardin e familjes së tyre të vërtetë.
Një histori e tillë u trajtua në disa dimensione me filmin “Okarina”, ku protagonistë ishin kryefamiljarët Shaqa (Jehon Gorani) dhe Selvia (Shëngyl Ismajli), të cilët në kohën e luftës kishin emigruar në Londër, të Mbretërisë së Bashkuar. Në mesin e peripecive për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme dhe integrimit të kësaj familjeje, me theks të veçantë dy vajzave Sarandës (Rina Krasniqit) dhe Vjosës(Flaka Latfit) në këtë metropol botëror, një dokument i dërguar nga administrata shtetërore britanike për t’u kthyer në vendlindjen e tyre e ndryshoi komplet rrjedhën e tërë familjes.
“Martesa për letra” ishte opsioni i vetëm që fati e sillte në duart e tyre, përmes së cilit Shaqa dhe Selvia do të mund të qëndronin në këtë shtet pranë vajzave të tyre. Shaqa, si një burrë shqiptar me profesion zdrukthtar refuzon të “shkojë nuse”, kështu që kjo çështje në mënyrë të pavullnetshme pasohet në duart e Selvisë, e cila detyrohet të krijojë një kontratë martese me punëdhënësin e saj Giovanin (Kastriot Shehi). Mirëpo, për shkak të inspektimeve rigoroze të mbikëqyrësve shtetërorë, të cilët bënin kontrollime edhe në pikë të natës, për të vërtetuar nëse martesa e tyre ishte e vërtetë, Selvisë iu desh që për njëfarë kohe të shkojë të jetojë në shtëpinë e punëdhënësit të saj.
Për hir të së vërtetës, ashtu ishte. Selvija vazhdonte punën e saj të pastrimit në atë shtëpi si zakonisht, dhe flinte poshtë në kuzhinë. Mirëpo, dashamirësia, kujdesi dhe mirëkuptimi i treguar nga Giovani, krejt papritur e bën Selvinë të ndihej e vlerësuar, dhe një dashuri e vërtetë mes tyre lind. Ky fakt, si një tërmet i fortë, shkund dhe shpërbën këtë familje shqiptare, në themelet e së cilës gjendeshin pasojat e sistemit të çrregullt të jetesës të injektuar si rezultat i regjimeve të ndryshme, ku në pamundësi të shkollimit dhe arsimimit adekuat, si me thikë u ndahen detyrat e burrave dhe grave, njërit për siguruar mbijetesë dhe tjetrës për riprodhim dhe vazhdimësinë e llojit.
Në film, drama vazhdon edhe më tej kur njëra prej vajzave (Vjosa) kupton që ishte shtatëzënë me ish të dashurin e saj. Në mesin e shumë pikëpyetjeve për qëndrimin e prindërve të saj, të familjes së gjerë në Kosovë, për të ardhmen e saj dhe të bebushit që bartte, Vjosa vendos që të abortojë. Një moment sa shqetësues aq edhe reflektues në shtratin e spitalit ku ajo do të kryente abortin, ndaloi këtë proces bizar, që brenda pak minutash pritej të ndodhte.
“Okarina” përmes trajtimit të kësaj historie thyen tabu në disa kuptime mbi standardin e dashurisë dhe familjes në shoqërinë shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e tij, Shaqa në fund i dorëzohet realitetit dhe lejon gruan e tij pas njëzet vitesh martesë të jetojë me burrin e saj të ri (pa ofendime apo kërcënime për vrasje) siç ndodh rëndom kur dikush tenton të prekë “megjën” (gruan). Për herë të parë “martesën për letra” po e bënte një grua, pasi martesa e burrave shqiptarë me gra të huaja ka qenë një fenomen i njohur. Po ashtu edhe lindja e njërës nga vajzat e qiftit, ka thyer tabu pasi nuk ka qenë normale për atë kohë që një vajzë të lindë dhe të mbajë fëmijën e ish-të dashurit të saj.
Fëmija vajzë pagëzohet me emrin e “Okarina” për shkak të lidhshmërisë së këtij instrumenti me punën e gjyshit si zdrukthtar, por edhe njëkohësisht si element dallues i etnisë shqiptare që në film ndërlidhet bukur edhe me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare në ne vitet ’80-të, 90-të, e 2000. Fundi i filmit shpie te zgjidhjet e secilit karakter në të mirë të vetes së vet.
Krejt në fund të filmit, në një prononcim për media, regjisori Alban Zogjani ka thënë se filmi trajton temën e moralit të krijuar në një shoqëri dhe pasojat e zgjedhjeve jetësore.
““Okarina” vë në pah gjendjen emocionale të një familje, si pasojë e elementeve të tjera të cilat kanë rrjedhur ndër vite, me mënyrën se si janë rritur, si i kanë përballuar sfidat e ndryshme, ku sfidat e përgjithshme kanë prekur deri te morali. Këtu merren vendime të ndryshme nën idenë që po e shpëtojmë familjen, por realisht ne veprojmë në diçka të kundërt”, ka shpjeguar regjisori Zogjani.
Regjisori Zogjani po ashtuka thënë se ideja e tij ka qenë që përmes personazheve të Kosovës, gjuhës dhe ngjyrës së këtij filmi të shpërfaqet kjo temë e përgjithshme botërore.
“Qëllimi im kryesor ka qenë me dhënë rëndësinë e karakterit përmes mënyrës se si kam lëvizur në kamerë, përmes mënyrës se si kam interpretuar personazhin në mënyrën minimaliste, në manyrë që njerëzit të kenë një lidhje me personazhet. Pra, jam munduar t’i jap publikut qasje për të trajtuar diçka që mund t’i ndodh secilit person në mënyra të ndryshme, por përsëri e shpërfaqur brenda në familje. Pavarësisht nëse ngjarja zhvillohet jashtë shtëpisë, ai problem nuk mund të zgjidhet jashtë kornizës së shtëpisë”, ka thënë regjisori po ashtu.
Ndërsa skenaristja e filmit, Albana Muja, në koferencën për media ka treguar se si ka shkuar ecuria e punës deri te realizimi i produktit final.
“Ka raste kur një skenar mund ta shkruash për një kohë shumë të shkurtër dhe kur të merr kohë shumë gjatë, sidomos kur do të prekësh një temë sociale. Prandaj në këtë rast procesi i shkrimit ka zgjatur rreth dy vite. Fillimisht ka qenë dramë për teatër, pastaj komedi e zezë. Pastaj te filmi kam dashur të paraqes një puro dramë. Tërë procesi ka zgjatur rreth dy vite, dhe jam shumë e lumtur për këtë bashkëpunim me Alban Zogjanin, i cili nuk e ka pasur aspak të lehtë realizimin e filmit. Është bërë një punë shumë e mirë pavarësisht mundësive të vogla financiare”, ka thënë skenaristja Muja.
Kurse, aktorja Shëngyl Ismajli në një prononcim për KultPlus ka thënë së ndihet mirënjohëse për punën e realizuar me regjisorin dhe gjithë kastën e aktorëve.
“Kjo ka qenë hera e parë që kam punuar me Alban Zogjanin në film. Mund të them që ka qenë një eksperiencë që shpresoj që ka me u përsërit prapë. Albani është fantastik si regjisor, por pikë së pari edhe si njeri. Bashkëpunimi me aktorët si, Kastrioti, Jehoni, Flaka Rina e të tjerët ka qenë fantastik. Kemi pasur një kimi shumë të përbashkët që unë mendoj që ajo ka rezultuar në produktin final që ju sapo e patë.
Për aktoren Ismajli trajtimi i kësaj teme të dhimbshme i “martesës për letra”, një e vërtetë e shqitarëve të viteve 90-ta ka qenë temë bosht që ka ngërthyer atë si aktore në rolin e Selvijes.
“Në këtë rast ky film tregon që edhe gratë kenë ndjenja, që edhe gratë e dijnë se çka është e bukura, kur dikush sillet bukur, të sjellë lule, dhe jo gjithmonë jo ti je ajo që e përgatit kafen për burrin. Ky film tregon që ekziston edhe e kundërta. Sigurisht, Selvija përfundon me Giovanin jo për pasurinë e tij por për mirësjelljen dhe ngrohtësinë që e ofron”, ka pëfunduar Ismajli.
PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
Sonte, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:
O vendi im! Të thërras unë me mall,
Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë, se anë e kand, kudo që kërkoj pa si ty të dashtun nuk gjej
Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)
I huaj jam! Dashuni nuk kam Për mue nuk lind dielli më
O vendi im! Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim
O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im, Tash vetëm po ju kujtoj (2x)./KultPlus.com
Celine Dion nuk ka ndërmend të “zhduket” sërish nga qendra e vëmendjes, pasi pas Olimpiadës përflitet se do të shfaqet edhe në Eurovision 2025.
Sipas Daily Mail, Dion ” thuhet se do të rikthehet në konkursin e këngës në Zvicër, vendi që ajo përfaqësoi në konkursin e vitit 1988 me Ne Partez Pas San Moi .”
Pas performancës së saj në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në korrik, spekulimet kanë qenë të shumta për një paraqitje, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar, as nga organizata, as nga përfaqësuesit e Celine Dion. Këngëtarja ishte larg muzikës për një kohë të gjatë, duke luftuar me sëmundjen e rëndë nga e cila vuan.
Pjesëmarrja e Dionit në konkursin e këngës në vitin 1988 ishte një moment kyç në karrierën e saj. Ajo përfaqësoi Zvicrën me këngën “Mos u largo pa mua”, një baladë e fuqishme. Konkursi u mbajt në Dublin, Irlandë më 30 prill 1988. Performanca e saj mahniti publikun dhe gjyqtarët. Ajo fitoi, duke siguruar 137 pikë. Kjo fitore jo vetëm që i dha Zvicrës fitoren e dytë të Eurovizionit në histori, por gjithashtu nisi karrierën ndërkombëtare të Dion, veçanërisht në Evropë./KultPlus.com
epa07309827 Canadian singer Celine Dion poses for the photographers prior to the Spring/Summer 2019 Haute Couture collection show by French designer Alexandre Vauthier during the Paris Fashion Week, in Paris, France, 22 January 2019. The presentation of the Haute Couture collections runs from 21 to 24 January. EPA/ETIENNE LAURENT
Përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Një faktor mund të jetë sepse historia e Perandorisë Romake është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.
Vjet, mediat sociale u përfshinë nga një trend, ku gratë pyesnin burrat se sa shpesh ata mendonin për Perandorinë Romake. “Shumë,” rezultoi të ishte përgjigjia e tyre. Një numër i konsiderueshëm burrash thanë se mendonin për perandorinë e lashtë disa herë në javeë e madje, edhe disa herë në ditë.
Po, përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Sipas klasicistes dhe studiueses së njohur të Romës, Mary Beard, Republika Romake përbën themelin e politikës dhe kulturës moderne. Për më tepër, duket se historia e Romës është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.
Roma ishte frymëzimi kryesor i demokracisë liberale. Mendimet dhe veprimet e “etërve themelues” të Amerikës ishin të injektuara nga idealet romake dhe vetë SHBA u paraqit si standardi i ri i lirive republikane. Por, në mënyrën e tyre, edhe fashistët Italianë me Musolinin në krye, u përpoqën po aq të paraqiteshin si trashgimtarë të denjë të Perandorisë Romake.
Historia e Romës është gjithashtu historia e një republike demokratike që kthehet në autokraci kur bëhet viktimë e zemërimit popullor dhe kur normat politike shkelen, duke i hapur rrugën dëshirës së përgjithshme për një udhëheqës “të fortë.” Kritikët shpesh e krahasojnë Donald Trump me Jul Çezarin, ndërsa i referohen demagogjisë së tij, luftës së pamëshirshme për pushtet dhe dëshirës për të shkelur rregullat dhe normat. Nga ana tjetër, ekstremistët e djathtë në amerikë bëjnë po të njëjtin krahasim, duke dashur ta paraqesin Trump-in si një pushtues të lavdishëm perandorak.
Mbështetësit e Trump-it, besojnë (në mënyrë të gabuar), se ishin emigrantët ata që sollën rrënimin e Perandorisë Romake. Më gjerësisht, forcat e ekstremit të djathtë kanë sugjeruar gjithmonë se Roma e lashtë hodhi themelet e “kulturës së bardhë.” Kjo ndihmon në spiegimin e pikëpamjeve të klasicistit të Universitetit të Princeton-it, Dan-el Padilla Peralta, se disiplina që ai drejton është e pandashme nga mendësia imperialiste.
Por, Beard e sfidon mitin e kulturës së bardhë në librin e saj “SPQR: Një Histori e Romës Antike” (botuar në vitin 2016), duke argumentuar se historia e Perandorisë Romake – e cila në fakt kishte një diversitet etnik – është “historia e njerëzve me ngjyrë.” Në fakt, libri mbyllet me dhënien e shtetësisë gjithë subjekteve të perandorisë nga perandori Caracalla. Aristokracia e vjetër romake i humbi të gjitha privilegjet, pasi nuk pranoi t’i ndante ato me pjesën tjetër të popullsisë.
Kështu, historia e Romës është kthyer në një fushë ëndrrash për njerëz që besojnë tek patriarkalizmi. Ndonëse Roma kishte figurat e saj heroike femërore, ato përgjithësisht ishin nënat dhe gratë e perandorëve. Në thelb, shoqëria romake ishte një shoqri pretoriane, e cila çmonte trimërinë, nderin dhe burrërinë, ose të ashtuquajturat virtus. Njëkohësisht, marrëdhëniet homoseksuale konsensuale ishin të ligjshme, ndaj, Roma e vjetër mund të shihet edhe si një burim i hershëm i legjitimitetit të të drejtave për personat homoseksualë.
Nga ana tjetër, Roma sillet në kujtesë edhe kur është fjala për hegjemoninë amerikane. Paqja Romake – një lloj “epoke e artë” paqeje relative e prosperiteti, e mbështetur në një perandori të fuqishme – ka qenë modeli për krijimin e Paqes Amerikane (Pax Americana), që lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu sikurse lufta për një “paqe të përbashkët” mes qytet-shteteve greke pas Luftës së Peloponezit i dha Romës bazën morale për ta pushtuar Greqinë, edhe luftërat e pafundme në Europë, i nxitën gradualisht SHBA-të që të silleshin si garantues të jashtëm të paqes dhe rendit. Paqja, mesa duket, rrallë përputhet me lirinë e plotë politike.
Por, Paqja Amerikane sot duket se po zbehet, duke i hapur rrugën spekulimeve të shumta për “rënien” e afërt të “perandorisë” amerikane. Bazat për këto spekulime u hodhën qysh në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur figura si Edward Gibbon dhe Montesqueiu shkruajtën për fatin e Perandorisë Romake. Megjithatë, SHBA-të kanë ende shumë për të mësuar, që të mund të shmangin rënien e tyre.
Ndoshta mësimi më i rëndësishëm është se edhe hegjemonia kërkon një sens mase. Roma vuajti nga ajo çfarë Gibbon e përshkruan si “pasoja e natyrshme dhe e pashmangshme e madhështisë së tepruar.” SHBA-të njihen për një mungesë të ngjashme përulësie, veçanërisht gjatë viteve të hegjemonisë së pakontestuar pas Luftës së Ftohtë. Ndaj, ato duhet të kujdesen që kryelartësia mos të kthehet në fundin e tyre.
Megjithëse krahasimet historike mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë të tashmen dhe të ardhmen, ato nuk na ofrojnë asnjë garanci. As i ashtuquajturi “Kurthi i Tukididit,” i cili flet për përplasjen e “pashmangshme” mes një hegjemoni ekzistues (si SHBA) dhe një fuqie në rritje (si Kina), nuk duhet parë si një ligj i hekurt i historisë, qoftë edhe për shkak të çmimit të lartë të luftërave modern.
Kjo na sjell tek dallimi i madh mes Perëndimit sot dhe Romës në ditët e saj të lavdisë: ndërsa romakët shpresonin se e ardhmja do të përsëriste lavditë e tyre të dikurshme, për botën post-iluministe thelbësore janë besimi tek progresi dhe rimëkëmbja. Të armatosur me shpresë dhe besim, ne kemi ende mundësi t’i aplikojmë mësimet e historisë dhe të shpresojmë se do të mund t’i shmangim gabimet më të rënda të paraardhësve tanë. (Përgatiti për Gazetën TemA: Bjorn Runa)
*Shlomo Ben-Ami është ish-Minsitër i Jashtëm i Izraelit. Aktualisht, ai është Zv. President i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe në Toldeo, si edhe autor i librit “Prophets wthout Honor: The 2000 Camp David Summit and the End of the Two-State Solution.”/KultPlus.com
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com
Petrit Halilaj: Abetare (Klasa Zhurmëtare) risjell kujtimet e klasave shkollore dhe i bën homazh intelektualëve dhe artistëve shqiptarë të diasporës për kontributin e tyre në themelimin, praktikimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe përgjatë historisë
Ekspozita e fundit e Petrit Halilajt, Abetare (Klasë Zhurmëtare), hapet sot në galerinë “kurimanzutto” në New York. Në këtë hapësirë, Halilaj ekspozon banka shkollore të braktisura, të gërvishtura me vizatime të fëmijëve që ai i gjeti nëpër shkollat e Kosovës dhe i solli në studion e tij në Berlin.
Në Berlin, ai i rielaboroi dhe i montoi bankat e vjetra në objekte skulpturore, vizatimet e të cilave janë burim frymëzimi për serinë e tij të njohur me skulptura prej bronzi dhe çeliku me titull Abetare, që është aktualisht e ekspozuar në Muzeun Metropolitan të Artit (MET) si pjesë e projektit Roof Garden Commission (e hapur deri më 27 tetor).
Të integruara me bankat shkollore janë edhe skulpturat prej bronzi nga seria Abetare, që transformojnë vizatimet e fëmijëve mbi bankat e tyre në forma tre-dimensionale.
Në galerinë “kurimanzutto” Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës.
Kjo ekspozitë është vazhdimësi e serisë Abetare të Halilajt e cila merr format e saj të larmishme nga vizatimet dhe skicat e fëmijëve gdhendur në bankat e tyre, për ti shndërruar këto ëndrra të përditshme dhe akte të vogla rebelimi në krijime hapësinore të gjera dhe tridimensionale.
“Klasa Zhurmëtare” shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt. Kjo është hera e parë që bankat shfaqen si objekte skulpturore të varura në mur. Më parë, bankat ishin elemente të integruara në instalacione më të mëdha, por asnjëherë nuk janë kombinuar dhe modifikuar për t’u bërë vepra të pavarura arti.
“Për ‘Klasën Zhurmëtare’, jam rikthyer tek rrënjët”, shpjegon Halilaj, dhe kjo pasqyrohet në vetë hapësirën e galerisë, e cila është transformuar në një klasë tradicionale frymëzuar nga kujtimet dhe përvojat personale të artistit.
Për dallim nga klasat e zakonshme, Halilaj mbush muret me banka të shkollave të vizatuara nga fëmijët. Nga larg ato duken si piktura minimaliste, por në vështrim më të afërt, vizatimet dhe skicat e fëmijëve bëhen të dukshme mbi sipërfaqet e drurit.
Krahas këtyre bankave janë edhe skulpturat e njohura prej bronzi nga seria “Abetare”, që përfaqësojnë motive të përsëritura – zemra, shtëpi, yje. Së bashku, skulpturat dhe bankat krijojnë një logjikë të veçantë hapësinore: ato luajnë nëpër muret, dyshemenë dhe tavanin e galerisë, duke rikrijuar klasën si një peizazh ëndrrash.
Për të shoqëruar ekspozitën, Halilaj ka ftuar kuratoren shqiptare Eriola Pira, për të organizuar një seri prej tre punëtorish gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës (14 shtator, 28 shtator dhe 19 tetor, secila duke filluar në orën 15:30), duke aktivizuar klasën si një hapësirë për të përjetuar dhe mishëruar gjuhën shqipe. Përmes aktiviteteve dëgjimore, gojore dhe të bazuara në lëvizje, pjesëmarrësit e të gjitha moshave janë të ftuar të rikrijojnë dhe përjetojnë një kujtim formativ huazuar nga fëmijëria e Halilajt dhe Pirës në Kosovë dhe Shqipëri. Duke jetuar në diasporë, ky bashkëpunim nderon rolin që intelektualët dhe artistët shqiptarë të diasporës kanë luajtur në themelimin, praktikimin dhe qëndrueshmërinë e gjuhës shqipe gjatë historisë.
– –
Petrit Halilaj
1986, Kostërrc, Kosovë
Petrit Halilaj i kupton ekspozitat si një mënyrë për të ndryshuar rrjedhën e historive personale dhe kolektive, duke krijuar botë komplekse që krijojnë hapësirë për liri, dëshirë, intimitet dhe identitet. Veprat e tij lidhen ngushtë me historinë e Kosovës, dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon. Të rrënjosura në biografinë e tij, projektet e Halilajt përfshijnë një gamë të gjerë mediumesh, duke përfshirë skulpturë, vizatim, tekst dhe performancë.
Duke inkorporuar materiale nga Kosova dhe duke i manifestuar ato në instalacione ambicioze hapësinore, puna e tij transpozon marrëdhënie personale, vende dhe njerëz në forma skulpturore. Puna e Halilajt mund të shihet si një përpjekje lozonjare dhe herë pas here e guximshme për të rezistuar politikave shtypëse dhe normave sociale, duke festuar në mënyrë të paepur të gjitha format e lidhjeve dhe lirisë.
Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën në paraqitjen e parë të vendit në Bienalen e Venecias. Në vitin 2017, ai u ftua të marrë pjesë në Bienalen e 57-të të Venecias nga kuratorja Christine Macel, ku mori Mirënjohje të Veçantë nga Juria. Po atë vit, ai mori çmimin Mario Merz, që rezultoi në një projekt madhor të porositur, të cilin e prezantoi në vitin 2018 në Zentrum Paul Klee, Bern dhe në Fondazione Merz, Torino, Itali. Ai gjithashtu mori çmimin Kunstpreis Berlin nga Akademie der Künste, Berlin (2023). Petrit Halilaj është anëtar i Akademisë së Arteve të Botës në Këln, Gjermani, dhe aktualisht është profesor në École Nationale Supérieure des Beaux-Arts de Paris, Francë, ku ndan klasën e tij me Alvaro Urbano. Petrit Halilaj jeton dhe punon në Gjermani, Kosovë dhe Itali.
—
Ceremonia e Hapjes:
kurimanzutto, New York
E enjte, 12 shtator, ora 18:00
Punëtoritë:
14 shtator, 28 shtator, dhe 19 tetor, ora 15:30./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot ka pranuar në Gjermani Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni postimin e presidentes Osmani:
Në Gjermani, në shtetin tonë mik dhe në shtetin ku e kemi mërgatën tonë më të madhe, për ta pranuar Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë.
Ky çmim është inkurajim për vazhdimin e rrugës përpara, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë.KultPlus.com
Nëntë muaj pasi kullat u rrëzuan, Lucas Foglia vizitoi lagjet e ndryshme të Nju Jorkut me kamerën e tij.
Fotografi Foglia thotë: ‘Kështu më kujtohet New York City në vitin 2002. Isha 19 vjeç dhe sapo isha shpërngulur në Manhattan nga ferma e familjes sime në Long Island. Ishte vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit.”, transmeton KultPlus.
Ai paraqiti përmes fotove ‘qytetin që po shërohej … por me plagë’.
Më poshtë mund të gjen fotografitë që ai i realizoi gjatë asaj kohe:
Lucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas Foglia
Më 11 shtator, në UBS Arena në New York, u zhvillua eventi madhështor i MTV Video Music Awards, nën moderimin e Megan Thee Stallion, e cila ishte gjithashtu e nominuar në 7 kategori. Mbrëmja pati surpriza fantastike, performanca dhe sigurisht artistë të vlerësuar për kontributin e tyre në muzikë.
Por Taylor Swift mori çmimin si artistja më e mirë në historinë e ceremonisë, duke shënuar kështu një rekord. Ajo fitoi shtatë çmime, duke përfshirë dy çmimet kryesore: artisten dhe videon e vitit.
Këngëtarja me famë botërore tani ka 30 trofe MTV, duke kaluar Beyoncé si fituesja më e madhe e eventit.
Swift përdori fjalimin e saj për të inkurajuar fansat të votojnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA muajin e ardhshëm, një ditë pasi ajo mbështeti publikisht kandidaten demokrate Kamala Harris.
Ajo gjithashtu përkujtoi viktimat e sulmeve terroriste të vitit 2001 në SHBA.
“Duke u zgjuar këtë mëngjes në Nju Jork më 11 shtator, thjesht kam menduar për atë që ndodhi 23 vjet më parë, të gjithë ata që humbën një të dashur dhe të gjithë ata që humbën jetën ”, tha Swift.
“Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për sot./KultPlus.com
Mbrëmë në Prishtinë është shfaqur dokumentari “Rexhep” – Çka e vrau arkitektin?, përcjell KultPlus.
I pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook tha se Rexhep Luci duhet të kujtohet jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.
Në vijim gjeni postimin e kryeministrit Kurti:
“REXHEP” – Çka e vrau arkitektin? Vizion 20 vjeçar: Kryeqyteti me qytetarët në qendër. Planifikimi për mirëqenie të të gjithëve përkundruall kaosit për përfitime të disave.
Teksa e shikoja këtë film, ndjeja zemërim gjithnjë e më të madh. Përse ka ende kaq shumë të panjohura? Si mund të shndërrohet një atentat mizor mbi një arkitekt të mirënjohur të qytetit në një historik të paditur për të cilën ende ka kaq shumë frikë saqë as emrin e tij nuk e themi më? A është emërtuar asokohe një rrugë Prishtine “Rexhep Luci” pikërisht që të mos i përmendet emri më atij as në Prishtinë? Apo me atë rrugë deshën të na e dëshmojnë që anarkia ngulfatëse e privatizimit abuziv ka ngadhënjyer edhe në rrugën që mban emrin e tij?
Mbrëmë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, u shfaq dokumentari “Rexhep – Çka e vrau arkitektin”, nga MB OFFICE me regji të Mathieu Jouffre dhe skenar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre, ku përkujtuam jetën dhe veprën e Rexhep Lucit. Rexhep Luci nuk ishte vetëm një arkitekt, por një njeri me vizion pasionant e profesional urbanistik, njëkohësisht të qartë e të realizueshëm, për të ardhmen e qytetit të tij të dashur, Prishtinës.
Ai punoi pandalshëm para dhe pas luftës për një plan modern, human e konkret për kryeqytetin duke shpalosur dy dekadat e ardhshme: 2000-2020. Një vizion i tillë, largpamës dhe i fortë, është gjithsesi shembull unik te ne jo vetëm për atë kohë. Nuk mund ta imagjinoj që në vitin 2000 ndokush tjetër në Prishtinë a Kosovë të ketë planifikuar urbanizëm e hartuar projekte për të gjithë neve për vitin 2020! Madje edhe në vitin 1987 kur kishte propozuar planin urbanistik zhvillimor për Prishtinën 1988-2000, regjimi i atëhershëm i Serbisë dhe Jugosllavisë e kishte dëbuar nga puna dhe ia kishte marrë banesën. Sepse shqiptarët që donin të mbeten në Kosovë dhe po bënin plane progresiste nuk i duronin dot.
Në 11 shtator të vitit 2000, Rexhep Luci u vra brutalisht me gjashtë plumba para hyrjes së ndërtesës në lagjen “Dardania” ku banonte me familjen e tij. Vrasja e tij nuk është thjesht humbja e një njeriu tonë të mirë, eliminimi i një eksperti qytetar nga Peja, apo këputja e një jete shqiptari në Prishtinë, por një goditje ndaj së ardhmes së përbashkët që ai po na e vizatonte. E sot ne kemi një të ardhme tjetër prej atij vizatimi ariktektonik, diçka që i afrohet një shkarravitje aspak arkitektonike, pikërisht sepse nuk e kemi më atë dhe as ndokend tjetër të patrembur sikur ai tash e 24 vjet.
Ky dokumentar tregon jetën e arkitektit Rexhep, përkujton se drejtësia për të ende nuk është vendosur dhe se ne të tjerët kemi humbur shumë më tepër sesa ai vetë.
Rasti i vrasjes së Rexhep Lucit i cili fillimisht trajtohej nga ndërkombëtarët e UNMIK-ut është transferuar te prokuroria e drejtësia vendore. Dorasi(t) ende në liri, me drejtësi të mohuar për rastin, familjarët e miqtë e tij, mbarë popullin e shoqërinë.
Ne të gjithë duhet të flasim, të zemërohemi me të panjohurën sublime që e shfaq ky krim dhe të angazhohemi për dokumentimin e punës dhe qasjen që e kishte arkitekt Rexhepi.
Le të nderojmë kujtimin e Rexhep Lucit jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.
Trashëgimia e Rexhep Lucit mbetet e gjallë dhe duhet të vazhdojë përmes veprave tona. Puna e tij, vizioni për një Prishtinë më të drejtë dhe më të rregullt, është një udhërrëfyes për të gjithë ne që besojmë në një të ardhme më të mirë./KultPlus.com
Sot shënohen gjithsej 21 vite nga vdekja e muzikantit të talentuar Johnny Cash.
Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Një letër që ai i dërgonte gruas sëtij me rastin e 65- vjetorit të lindjes njihet si letra e dashurisë më e bukur në botë.
Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij. KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:
“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”.
Johnny Cash u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2003, ai ishte martuar me June Carter Cash në vitin 1968 kjo martesë zgjati deri në vdekjen e tij. Paraprakisht Cash ishte i martuar edhe me Vivian Liberto gjatë viteve 1954 deri në 1968./ KultPlus.com
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel stinën koncertore të premten, në datën 13 shtator.
Orkestra së bashku me pianisten, Alba Shkreli dhe klarinetistin, Lorenc Stajka do të interpretojë një program të larmishëm me 3 prej kompozitorëve më të njohur botëror sikurse është Mozart, Chopin, dhe Weber.
Dirigjenti, Gridi Kraja premton se ky sezon do të sjellë për publikun edhe më shumë koncerte.
“Kemi menduar që gradualisht të shtojmë numrin e koncerteve për të qenë më afër publikut”. Me koncertet që ofrojmë e mirëpresim publikun pa bileta dhe kjo është veprim shumë simpatik i RTSH-së”, u shpreh Kraja.
Koncerti do të mbahet në Sallën e Qendrës Kulturore, Katedralja Ortodokse./rtsh/KultPlus.com
… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar Të mosqënies.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan Atje ku qenë – lanë prapa tyre Një tingull n’erë, shuar dalngadalë, Si çdo qënie.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur Kur çasti i madh troket në derën tone Urdhëronjës.
Koprace është jeta në të mira Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash – Të gjitha duhen hequr dhe duruar Zemërkthjellët.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë, Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh Pa keqardhje.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin Tim trashëgim të ta le pas vdekjes Siç e mora.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar: Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh, Qofsh i lumtur!./KultPlus.com
Komuna e Tuzit ka organizuar panairin e pestë të librit, një ngjarje kulturore e rëndësishme që tërheq vëmendjen e shtëpive botuese dhe dashamirësve të librit.
Ky panair synon të promovojë letërsinë, autorët dhe botimet e reja, duke krijuar një platformë për të lidhur lexuesit me krijimet më të fundit nga shtëpitë botuese të ndryshme.
Në këtë panair, morën pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, duke ofruar libra në fusha të ndryshme si historia, filozofia dhe arti. Kjo ngjarje ndihmon gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta kulturore përmes librave.
Në Panairin e Librit,Tuz 2024, janë të pranishme edhe botimet e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdam-it.
“Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftimin e bërë nga juria, thuhet se Osmanit i është dhënë ky çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma. Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra. Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert”, ka njoftuar tutje presidenca.
Me këtë çmim deri tani janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane./KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 82-vjetorin e ndarjes nga jeta, studiuesin arbëresh Pal Skiroi.
Lindi më 1866 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Siçili. Ndoqi studimet në seminarin arbëresh të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë. Në vitin 1912 themeloi revistën e së dielës arbëreshe, “Fjala e t’in Zoti”, një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë.
Pal Skiroi është autor i shumë përkthimeve fetare që u botuan kryesisht në këtë revistë gjatë viteve 1912-1915.
Skiroit i njihet merita e rizbulimit të Mesharit të Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën shqipe që përfundoi së shkruari më 1555. Skiroi e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim të tij, por ky studim nuk u botua i plotë. Puna e tij e fundit, ishte përkthimi i Liturgjisë së San Giovanni Crisostomo më 1964, në Palermo. Vdiq më 12 shtator 1941 në Horën e Arbëreshëvet./atsh/KultPlus.com
Festa e Pezës po afron dhe këtë vit pritet të jetë edhe më e paharrueshme. Me një program të pasur aktivitetesh, koncertesh, piknikësh, lojërash dhe sportesh për të gjitha moshat, Peza do të shndërrohet në një qendër të vërtetë argëtimi për të gjithë familjen.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’u bashkohen festimeve që do të zhvillohen të dielën, më 15 shtator, ndërsa ceremonia zyrtare do të mbahet të hënën, më 16 shtator.
“Festa e Pezës po afron, dhe këtë vit pritet të jetë më e bukur se kurrë. Ejani të festojmë dhe nderojmë së bashku me aktivitete të ndryshme, koncert, piknik, lojëra & sporte për të gjitha moshat dhe shumë argëtim për gjithë familjen”, shkroi kryebashkiaku Veliaj./atsh/KultPlus.com
Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore.
Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator. Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit. Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.
Programi me 16 shtator
Shfaqja e parë që do të jepet, është “Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…
Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.
Programi me 17 shtator
Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë: Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.
Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po fuksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai. Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.
Programi me 18 shtator
Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.
Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj. Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.
Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.
Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.
Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.
Festivali “Summer Cult”, është pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Veç ajo ndijonte tingujt e heshtjeve të mia. Me raste druhesha se mos koha pengestare ia mbathte teksa flisnim. Paskëtaj humba kujtesën dhe ja tek gjendem duke folur rreth saj me ty, mes dredhash duhani q’e fshehin ngashërimin tonë. Ja se ç’qenka ndryshe te kjo vetja ime: ndjenja, vetë e patrajtë, në kët’ ditë që është veç përmallimi.
Nga përmbledhja “Diario postumo: 66 poesie e altro”
Veliera turistike “Talitha” me flamur britanik është ndalur mëngjesin e sotëm në Autoritetin Portual Durrës për shërbime portuale.
Me një dizanj klasik, vepër e kompanisë “Bannernburg & Rowell”, jahti turistik me gjatësi prej 80m, ndalet sot për herë të parë në Durrës.
Vendi ynë tashmë ofron komoditetin dhe sigurinë për ndalesa turistike apo shërbime në funksion të mjeteve detare, ndërsa ndërtimi i Marinës Turistike do ta kthejë Durrësin në destinacionin kryesor turistik detar.
Porti i Durrësit edhe gjatë këtij sezoni turistik ka qenë ndalesa e një numri të lartë mjetesh turistike. Gjatë periudhës janar-korrik 230 mjete turistike detare janë ndalur në Autoriteti Portual Durrës./atsh/KultPlus.com