Studiuesit zbuluan se një lloj bakteri që jeton në plastikë në ujërat e zeza e tret dhe e zbërthen plastikën.
Në studimin e publikuar në faqen e internetit të Universitetit “Northwestern” është shqyrtuar efekti i një bakteri nga familja “Comamonadacae” në mbetjet plastike.
Në studim u pa se këto baktere të quajtura “Comamonas testosteroni” që rriteshin në plastikë të llojit polietileni tereftalat (PET) fillimisht zbërthenin mbetjet plastike në madhësi nano plastike dhe më pas nanoplastika u bë më e vogël me një enzimë të veçantë që sekretonin.
Hulumtimi zbuloi se plastika e thyer në ciklin tretës të baktereve u reduktua në atome karboni dhe u zbulua se plastika e thyer ishte ushqim për këto baktere.
Autorja kryesore e studimit, Ludmilla Aristilde tha se është demonstruar në mënyrë sistematike për herë të parë se një bakter i ujërave të zeza mund të degradohet, shpërbëhet dhe përdor makroplastikën si burim karboni dhe se është zbuluar një enzimë që prish plastikën.
Ajo theksoi se plastika e tipit PET përbën afërsisht 50 për qind të mikroplastikës që gjendet në ujërat e zeza në botë dhe 12 për qind të përdorimit të përgjithshëm të plastikës.
“Zbulimi i këtij bakteri dhe enzime mund të përdoret për pastrimin e mbetjeve plastike dhe trajtimin e problemit të ndotjes së mjedisit”, theksoi Aristilde.
Studimi është publikuar në revistën “Environmental Science & Technology”./ KultPlus.com
Vepra të epokës romantike u interpretuan mjeshtërisht në koncertin e kartërt të Festivalit “KamerFest” nga José Gallardo-Piano, Xhafer Xhaferi- Violinë, Jelena Očić-Violoncel, Sihana Badivuku-Violinë dhe Altin Tafilaj- Violë, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Chamber Masterpieces in KamerFest” edhe kësaj here mblodhi adhurues të muzikës klasike në sallën e improvizuar për koncerte të tilla, si ajo e Amfiteatrit te Bibliotekës Universitare.
Mbrëmja artistike filloi me interpretimin e veprës së kompozitorit S. Rachmainoff- “Trio Elegjik” nr.1, “g moll”, “Trio Elegiaque”, “g minor, no1”, për të vazhduar me P. I. Tchaikovsky – “Romance’ Op.6 Nr.6” për piano trio nga José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Jelena Očić, me tinguj që te publiku zgjonin nostalgji, duke e thelluar ndjenjën edhe më tej në mes emetimit të tingujve të qetë dhe atyre më të lartë.
Kësaj harmonie të mrekullushme i printe pianisti argjentinas Jose Gallardo, i cili është drejtor artistik në Festivalin Asiago, në Itali. Si fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai luan koncerte në mbarë botën në vende si: Elbphilharmonie në Hamburg, Filharmonia e Berlinit, Wigmore Hall në Londër apo Teatro della Pergola në Firencë. Është i njohur edhe për prodhime në studio, dhe të publikuar ka 20 CD.
Kurse violonçelistja Jelena Očić me një energji dhe virtuozitet të paparë, i jepte mbrëmjes tërë sharmin. Kjo artiste përmes veprave të Kabalevsky, Ginastera dhe Senderovas ka fituar çmimin “Regjistrimi i vitit”. “Një nga talentet më të veçanta të violonçelit kohës sonë” dhe “një nga talentet kryesore në fushën e interpretimit të muzikës bashkëkohore” janë lëvdatat e violonçelistëve të njohur Bernard Greenhouse dhe Siegfried Palm për të.
Ky imazh i bukur në dukje dhe përmbajtje plotësohej me interpretimin e violinistit shqiptar Xhafer Xhaferi, i cili me një interpretim krejt të natyrshëm zbërthente ndjenjat e publikut në sallë, të shkrheshin në një me tingujt nostalgjikë. Xhaferi solli me vete përvojën e marrë nga interpretimi në orkestrat prestigjioze si: Gewandhausorchester Leipzig, NDR Elbphilharmonie orchester, MDR Sinfonieorchester, Orchestra della Svizzera Italiana etj.
Ndërsa, mozaiku i mbrëmjes u plotësua në tërësi kur skenës iu bashkangjitën edhe violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe violisti Altin Tafilaj në interpretimin e veprave: C. Frank- Piano Kuintet në f moll, “Piano Quintet in f- minor, “Molto moderato quasi, “lento- Allegro”, Lento con molto sentimento”, “Allegro non troppo ma con fuoco”.
Krejt në fund të koncertit violinisti Xhafer Xhaferi për KultPlus tha se ndihej jashtëzakonisht entuziast, pasi në këtë koncert kishte interpretuar përkrah profesoreshës së tij, Sihana Badivuku.
“Ky koncert ishte shumë i veçantë për mua, pasi për herë të parë jam kthyer në Kosovë pas një dekade. Kënaqësi e veçantë ka qenë interpretimi përkrah profesoreshës time të dashur, Sihana Badivuku. Njëkohësisht, pata mundësi që të bashkëpunoj edhe me miqtë e mi me të cilët bashkëpunoj në festivale të ndryshme, por kësaj radhe u kombinuam në KamerFest, dhe besoj që dhamë një koncert të bukur me muzikë nostalgjike me shumë emocion”, ka thënë violinisti Xhafer Xhaferi.
Po ashtu, edhe violinistja Sihana Badivuku ka thënë se ndihet krenare pasi në këtë mbrëmje është paraqitur me nxënësin e saj Xhafer Xhaferi.
“Është kënaqësi e shumëfishtë për mua sepse kam interpretuar së bashku me ish nxënësin tim Xhafer Xhaferi. Kam qenë profesoreshë e tij pothuajse 7 vite. Ai ka vazhduar studimet në Gjermani dhe tani është violinist koncertant dhe është anëtar i orkestrës në Gjermani. Vijon karrierë shumë aktive si solistike ashtu edhe kamertale, dhe jam me të vërtetë krenare pasi tash ai e ka rrugëtimin e tij të pavarur koncertal. Kjo më jep kënaqësi të dyfishtë”, ka thënë drejtoresha e KamerFest Sihana Badivuku.
Ajo më tej ka thënë se ndihej e privilegjuar për perfomancën e dhënë së bashku edhe me kolegët tjerë të mbrëmjes.
“Për herë të parë po luajmë në këtë formacion me pianistin argjentinas Jose Gallardo, i cili është një pianist i jashtëzakonshëm. Për ne ishte privilegj të luajmë me të sepse energjia u kombinua në mënyrë të përkryer, posaqërisht me çelisten nga Kroacia, Jelena Očić. Ndërsa me Altin Tafajn është hera e dytë që performoj, sepse kam me të kam pasur privilegjin që të performoj së bashku në Shkupi KamerFest”, ka thënë më tej Badivuku.
Kurse Altin Tafilajt ky koncert i kishte lënë mbresa, për shkak të harmonisë së krijuar brenda interpretimit të “grupit”.
“Jam shumë i kënaqur, tani pas koncertit edhe shumë i entuziazmuar. Kolegët janë fantastikë sepse për të dhuruar një koncert të tillë është shumë e rëndësishme që të kemi sinergji të duhura, pasi ne këtu mbajmë edhe prova, dhe në rast se nuk janë ndjenjat e duhura nuk funksionon, është pak problematike. Patëm fat, ishte mirë, shkoi gjithçka në rregull. Jam shumë i kënaqur dhe ky koncert më la mbresa të mira” ka thënë Altin Tafilaj.
Koncerti i radhës i KamerFest me titull “Viola d’amore” do të mbahet me solistin Altin Tafilaj dhe artistët mysafirë Sihana Badivuku dhe Rron Bakalli më 8 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në ora 20:00./ KultPlus.com
Antarktida po bëhet gjithnjë e më e gjelbër, një transformim veçanërisht i dukshëm në Gadishullin Antarktik, ku zonat e mbuluara nga bimësia janë rritur dhjetëfish në 40 vitet e fundit.
Kjo tregohet nga imazhet satelitore të analizuara nga studiuesit e udhëhequr nga Thomas Roland, nga Universiteti i Exeter në Britaninë e Madhe dhe të publikuara në ”Nature Geoscience”.
“Peizazhi i Antarktidës është ende pothuajse tërësisht i dominuar nga bora, akulli dhe shkëmbi, me vetëm një pjesë të vogël të kolonizuar nga jeta bimore, por ajo pjesë e vogël është rritur në mënyrë dramatike, duke demonstruar se edhe ky rajon i gjerë dhe i izoluar po ndikohet nga klima dhe ndryshimi i shkaktuar nga njeriu”, theksoi Roland.
Në fakt, duke krahasuar imazhet satelitore të mbledhura që nga viti 1986, është e mundur të vërehet sesi zona e mbulesës së bimëve në gadishullin Antarktik është rritur nga më pak se një kilometër katror në vitin 1986 në pothuajse 12 kilometra katrorë në vitin 2021.
Është një mbulesë e kufizuar dhe e përbërë kryesisht nga myshk, por studimi nënvizon se si shtrirja është rritur shumë shpejt dhe duket e destinuar të rritet më tej dhe ndërsa këto ekosisteme të reja konsolidohen, ato mund të ndryshojnë mjedisin e rajonit.
“Toka në Antarktidë është kryesisht e varfër por kjo rritje në jetën e bimëve do të shtojë lëndë organike dhe do të lehtësojë formimin e tokës, duke hapur potencialisht rrugën për rritjen e bimëve të tjera. Kjo rrit rrezikun e ardhjes së specieve jovendase dhe pushtuese, të transportuara ndoshta nga ekoturistët, shkencëtarët ose vizitorët e tjerë në kontinent”, deklaroi Olly Bartlett, nga Universiteti i Hertfordshire./ KultPlus.com
Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila. I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. Çfarë të bëj me gjëra të tilla, që mund t’i mbledhë kushdo?
E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu. Ajo që shpirti im e injoron është ajo që do të doja ta kisha këtu.
Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot vargje për të thënë atë që akoma nuk e di. E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë… Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…
Rreth 24 milionë emigrantë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në bazë të analizave të të dhënave të regjistrimit të popullsisë amerikane nga Qendra Kërkimore Pew. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, bisedoi me dy shtetas të rinj amerikanë lidhur me mënyrën se si i shohin kandidatët për Shtëpinë e Bardhë.
Laban Seyoum është drejtues i një kompanie të vogël kamionësh në Jessup të shtetit Merilend. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij në vitin 2000 për t’i shpëtuar luftës midis Etiopisë dhe Eritresë.
Zoti Seyoum thotë se ai është konservator për sa u përket çështjeve sociale dhe ekonomike dhe është mbështetës i kandidatit republikan për president, Donald Trump.
“Kur Presidenti Trump ishte në pushtet, kishim një biznes mjaft të mirë. Tregu ishte në gjendje të mirë, mundësitë e punësimit ishin të mëdha dhe njerëzit ishin optimistë”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Seyoum.
Si anëtar i Partisë Republikane, ai kandidoi për të fituar emërimin e partisë së tij për Senatin e shtetit të Merilendit. Ai thotë se bizneset si kompania e tij po e ndjejnë barrën e çmimeve të larta të karburantit, për të cilat fajëson demokratët.
“Aktualisht çmimi i naftës po luhatet mes 1:30 dhe 1:45 dollarë për litër duke ulur ndjeshëm fitimet e biznesit tonë”, thotë zoti Seyoum.
Ndërsa e kupton se çmimi i naftës në tregun global përcaktohet nga shumë faktorë kompleks, ai thotë se republikani Trump ofron zgjidhjen.
“Trumpi ka treguar se si arrihet kjo. Duhet të nxjerrim naftën në vend dhe pastaj mund të konkurrojmë. Nuk është e nevojshme të eksplorojmë ideologji të tjera”.
Fatmata Barrie ka tjetër mendim. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Sierra Leone kur ishte 11 vjeçe. U diplomua në drejtësi dhe punon si organizatore për komunitetin dhe të drejtat civile. Ajo drejton bordin që mbikëqyr punën e policisë në qarkun Montgomery në Merilend. Ajo thotë se mbështet demokraten Kamala Harris.
“Nënpresidentja Kamala Harris është një person për njerëzit. Ajo është personi që na duhet tani për të kapërcyer ndasitë që ka vendi”.
Zonja Barrie thotë se fitorja e zotit Trump përbën shqetësim.
“Unë jam e frikësuar. Po rikthehet përsëri frika mes emigrantëve. Frika mes njerëzve me ngjyrë. Është e vështirë kur i sheh njerëzit të pajtohen me njeriun që udhëheq këtë frikë”.
Zonja Barrie është vullnetare në një organizatë bamirëse. Ajo thotë se përfitimet ekonomike nuk po ndjehen njëlloj për të gjithë.
“Kontrasti në thelb është se 0.1% e njerëzve do të kenë të gjitha paratë dhe të gjithë ne do të vuajmë pasojat nëse votoni për Trumpin. Amerika nuk është ndërtuar në këtë mënyrë. Amerika u bë e fortë falë punës së klasës së mesme”, thotë zonja Barrie.
Organizata Pew thotë se shtetasit e rinj amerikanë përbëjnë rreth 10% të elektoratit dhe shumica e tyre kanë jetuar këtu për më shumë se 20 vjet. /VOA/ KultPlus.com
Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë. E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.
Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet. U largova nga zjarri me një vazjë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia. Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.
Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës. Duke psherëtirë thellë, vajza filloi: – Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë… Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullakët e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:
Eh, përse më tradhtove?
Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë. Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova. Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës. Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.
Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit. Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri. -S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull… Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:
Ah, përse më tradhtove?
– Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës. Ajo u përgjigj shkurt: – Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj. Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.
Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti. Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi. Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet. -Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka… Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.
– Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet. Në prehër mbante një qese letre me portokalle. – A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju! I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu? Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm: -Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im… Jeta s’është aspak si në libra… Po… Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha: – I poshtri, e ka futur të kalbur…
Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe. – Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë? Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë. Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj: “Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…” Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte: – Po, do të isha gruaja juaj… -Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.
Ish-futbollisti holandez Johan Neeskens ka vdekur në moshën 73-vjeçare, sipas ”The Guardian”.
Mesfushori ishte pjesë e brezit që u vlerësua me prezantimin e “futbollit total” dhe pjesë e ekipit që arriti dy finale radhazi të Kupës së Botës në vitet 1970.
Federata holandeze e Futbollit, KNVB tha në një deklaratë se ”u tronditëm nga lajmi se Johan Neeskens ka ndërruar jetë papritur në moshën 73-vjeçare. Gjatë dy ditëve të fundit ai ishte në Algjeri duke punuar për një program trajnerësh të KNVB’s World. Fatkeqësisht, ndihma mjekësore nuk mund të bënte ndryshim për të”.
Neeskens pati 49 paraqitje për Holandën dhe i dha epërsinë në finalen e Kupës së Botës 1974 pas dy minutash, me një penallti kundër Gjermanisë Perëndimore, e cila fitoi 2-1.
Holanda humbi edhe finalen katër vjet më vonë, këtë herë 3-1 pas kohës shtesë kundër Argjentinës.
Në nivel klubesh ai përfaqësoi Ajaxin (ku fitoi tre Kupa Evropiane dhe dy tituj ligë) dhe Barcelonën përpara se të transferohej në SHBA, ku luajti për New York Cosmos dhe Kansas City Comets./ KultPlus.com
Aktori i njohur Herion Mustafaraj, edhe pse prej vitesh jeton dhe punon në SHBA, mbetet tejet i lidhur me artin shqiptar.Së fundmi, ai ka shprehur vlerësimin e tij për regjisorin Fatmir Doga dhe filmin më të fundit “Prokurori”, ku luan edhe legjenda e Hollivudit, Danny Glover.
Përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, Mustafaraj i ka kushtuar fjalë të veçanta regjisorit Doga.
“I dashur Fati, ti je regjisori që i duhet kinemasë shqiptare, vëlla. Ti sjell yjet amerikanë të klasit botëror në historitë tona shqiptare. Ju i tregoni këto histori pa paragjykime, pa e shitur të keqen si shqiptare në filmat komercialë. Kjo është një kthesë e madhe për ne si kineastë shqiptarë. Urime vëlla, shkëlqe!”, u shpreh Mustafaraj.
Ky film pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, duke sjellë emra të mëdhenj si Danny Glover në ekranin shqiptar.
“Prokurori” do të nisë shfaqjet në të gjitha kinematë shqiptare më 10 tetor, duke premtuar një përvojë unike për artdashësit./ KultPlus.com
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademikut e piktorit Tahir Emra.
Postimi i plotë i saj:
Kosova sot humbi akademikun dhe piktorin Tahir Emra. Ai la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore.
Veprat e tij artistike, të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit, janë dëshmi e pasionit dhe përkushtimit, ndaj mbeten trashëgimi e çmuar për brezat.
Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, komunitetit kulturor dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Tahir Emrën! / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Postimi i plotë i presidentes Osmani:
Takim gjithnjë përmbajtësor me Presidentin kroat Zoran Milanović.
Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike./ KultPlus.com
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të kam dashtë…
Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë. Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura. Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish. Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët. Dashunia vdes kur i shërohen plagët. Dashunia fillon prap prej fillimit…
Dashunia i beson të gjitha. Dashunia i shpreson të gjitha. Dashunia i “ha” të gjitha. Dashunia i fal të gjitha. Dashunia banon te duert…
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të paskam dashtë, pra…/ KultPlus.com
Projekti “Jeta dhe Arti” është një udhëtim i thellë dhe emocionues nëpër artin që feston forcën, guximin dhe shpresën e grave që luftojnë kundër kancerit të gjirit.
“Jeta dhe Arti” do të shtjellohet përmes punëtorive që kanë për qëllim ofrimin e një hapësire kreative ku pjesëmarrësit mund të shprehin emocionet e tyre përmes artit, ndërsa rrisin ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.
Projekti ”Jeta dhe Arti” është një homazh për jetën dhe artin që shpreh fuqinë e shpirtit njerëzor. Përmes një kombinimi të fuqishëm të artit vizual dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ky projekt synon të inspirojë solidaritet, empati dhe guxim./ KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.
Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi edhe lehtësitë fiskale si TVSH-ja e ulur në 6% për hotelet dhe bujtinat, për agroturizmin do të jetë 5% dhe 0% për biznesin e vogël.
“Këto masa të cilat mund të duket se s’kanë influencë, sot kanë bërë që të shtohet zinxhiri i ekonomisë dhe ju kanë nxitur që të shpikni forma të reja të ofertës turistike. Vjosa është kthyer në një kartvizitë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila nuk ka kuptim pa ju. Dërguam në UNESCO dosjen e plotë për të cilën kemi një vit që punojmë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për ta regjistruar si një kategori e veçantë në listën Botërore të Trashëgimisë Natyrore”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh gjithashtu se vizitorët që vijnë në Gjirokastër, vizitojnë edhe Përmetin, edhe bashkitë e tjera të qarkut dhe sipas saj, organizata e menaxhimit të destinacioneve “Visit Gjirokastra” si dhe të shtatë bashkitë e këtij qarku kanë meritën e të krijuarit të një modeli të destinacionit të organizuar turistik.
“Në një zonë kaq të vogël, ne mund t’i mbajmë turistët deri në një javë. Dhe kjo nuk bëhet duke folur vetëm për Përmetin, apo për Këlcyrën, apo për Gjriokastrën. Vjosa na bashkon të gjithëve si një hartë unike me shumë propozime brenda”, vazhdoi ministrja.
Në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro foli për të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare. Ajo kujtoi se në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2.8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4.2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi./atsh/ KultPlus.com
Në Kinema “Republika”, në Shkodër çeli siparin edicioni i tretë i festivalit të filmit “Idromeno Independent Film Festival”. 58 filma nga autorë vendas dhe të huaj do të shfaqen për adhuruesit e kinematografisë.
Ky festival u konceptua nga një grup studentësh me një qëllim madhor: integrimin e ideve të reja në mentalitetin e kineastëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo mund të arrihet me ndihmën e partnerëve dhe kineastëve të “Idromenos” në të gjithë Evropën. Qëllimi është të përmirësohet kinemaja eksperimentale dhe e pavarur duke e zgjeruar atë si një lëvizje multidisiplinare duke përfshirë shkenca të tjera që lidhen me filmin.
Ditën e djeshme përveç projeksioneve të filmave pati edhe një panel diskutimi me të ftuar si: Edon Qesari, Stefania Consigliere, Eris Agolli dhe Eno Milkani, ku tema e diskutimit ishte “Metamorfoza”.
Në sesionin Idromeno Evocative, u shfaq filmi “Kapedani” i regjisorëve Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi. Ndërsa në sesionin Special Screenings u shfaq filmi i Pirro Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
Ditën e sotme ishte Emilie Richelle e cila foli mbi sfidat e të qenit grua në industrinë e kinemasë, ndërsa Miguel Velez dha një leksion mbi temën “Të krijosh një film të shkurtër”.
“Idromeno Indipendent Film Festival” do të vazhdojë aktivitetet e tij deri më 11 tetor./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është publikuar lista e përfituesve të skemës “Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese”.
“Qëllimi kryesor i kësaj skeme është ta ndihmojë mësimdhënien e bazuar në punë hulumtuese duke financuar veprimet mësimore të bazuara në punë hulumtuese, të cilat propozohen nga mësimdhënësit e universiteteve për lëndë specifike për t’i përtërirë agjendat aktuale të mësimdhënies”, shprehet Nagavci, transmeton Klankosova.tv.
Buxheti i planifikuar për këtë skemë mbështetëse është 150 mijë euro, ku do të ofrohen 15 grante në vlerë prej 10 mijë euro. Kjo skemë financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Projekti HEI’25.
“Pas kalimit nëpër një proces transparent, secili aplikim është vlerësuar nga 3 ekspertë të angazhuar nga Diaspora shqiptare në arsimin e lartë në Evropë dhe ShBA, ndërsa lista me pikët e vlerësimit nga ekspertët ka kaluar nëpër Jurinë e emëruar për këtë program te udhëhequr nga Prof. Bruno Sergi nga Universiteti i Harvardit. Kjo listë tashmë është miratuar edhe nga Këshilli Shkencor në MASHTI. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese 15 ditë nga dita e shpalljes së këtij njoftimi”, shton tutje ministrja.
Shkrimtarja shqiptare Anita Likmeta është vlerësuar me çmimin “Giuseppe Dessì” për romanin e saj “Fabulat e komunizmit”, çmim që i është në edicionin e 39-të të këtij vlerësimi letrar në Itali.
Për këtë arritje ka njoftuar edhe Anita Likmeta e cila është shprehë të jetë e lumtur për këtë vlerësim./ KultPlus.com
Më 7 tetor të vitit 1945, u krijua në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se dy vjet më pas, në vitin 1947, këtij organi i bashkëngjitet edhe Lidhja e Artistëve, duke bërë bashkë kështu letrarët me kastën e artistëve të vendit.
Në fillesat e saj, Lidhja (LSHA) numëronte 70 anëtarë, ku bënin pjesë po ashtu gazetarë dhe gjuhëtarë. Mandej, numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj, u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa detyra honorifike e presidentit iu ngarkua Fan Nolit. Në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte parakushti që nuk do të pranohej anëtar asnjë prej atyre shkrimtarëve, publicistëve e gazetarëve që i shërbyen me veprat e tyre okupatorit e që konsideroheshin armiq të popullit.
Disa prej pasuesve të Malëshovës në krye të LSHA-së ishin: Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari etj.
LSHA-ja kishte organet e saj letrare dhe artistike, sikurse: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare”, “Revista letrare” etj./ atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së akademikut të ndjerë, Tahir Emrës.
Ministri Çeku përmes këtij telegrami është shprehur se piktori dhe akademiku Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit dhe se vepra e tij do të vazhdoj të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme. Vepra dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë në historinë e kulturës sonë kombëtare, si frymëzim për brezat e ardhshëm.
Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet në telegramin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com
Sapo është publikuar lista e këngëtarëve pjesëmarrës për edicionin e 63 të Festivalit të RTSH-së, e që në këtë listë ka mjaftë emra që tashmë janë treguar në fushën e muzikës, KultPlus ju sjell listën e plotë të këngëtarëve.
Lista e këngëtarëve që do të garojnë në FIK 63, sipas rendit alfabetik:
“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria—Vendi i Popullit të Shqiponjës
(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)
Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.
Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.
Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.
Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçëpasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës.Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre.Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollatamerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.
Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël.Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.
Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha.Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës;pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.
Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.
Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor.Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit.Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.
Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë.Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur.Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri.Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.
Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne./ KultPlus.com
Më 9 tetor do të hapet ekspozita „Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998„, ekspozitë që është kuruar nga Shkumbin Brestovci e që është organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, Akademinë e Shkencave të Austrisë dhe Leibniz-Institut für Ost- und Südosteuropaforschung.
Në hapjen ekspozitës do të mbahet një panel diskutimi me temën “Toka e largët, konflikti aktual: Mosmarrëveshja serbo-shqiptare mbi Kosovën në vitet 1990 dhe sot“, kurse do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor.
Ekspozita do të hapet në ndërtesën e Friedrich Ebert Stiftung, Hiroshimastraße 17-28, 10785 Berlin./ KultPlus.com
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka uruar studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Presidenti Begaj është shprehur se studentët janë brezi që do të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe të qëndrueshme.
“Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi.
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka shkruar presidenti Begaj në “Facebook”./ KultPlus.com
Sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.
Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.
Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com
Taylor Swift ka kaluar zyrtarisht Rihannën për t’u bërë muzikantja më e pasur femër në botë me një vlerë neto prej 1.6 miliardë dollarësh.
Swift tani kryeson listën e muzikantëve më të pasur, duke tejkaluar pasurinë neto të Rihannës prej 1.4 miliardë dollarësh.
Ky lajm u konfirmua nga revista Forbes, duke përditësuar gjendjen financiare të Taylor Swift, pas suksesit historik të turneut të saj “Eras” dhe popullaritetit të qëndrueshëm të muzikës së saj.
Përveç titullit të artistes më të pasur femër, ajo është edhe në vendin e dytë në listën e përgjithshme të muzikantëve më të pasur, pak pas Jay Z që ka 2.5 miliardë dollarë.
Ndryshe nga shumë muzikantë të tjerë të pasur, pasuria e Taylor Swift vjen kryesisht nga karriera e saj muzikore.
Ajo arriti për herë të parë statusin e miliarderes në tetor 2023 dhe është e vetmja muzikante në histori që ka një vlerë neto me 10 shifra kryesisht nga shitjet e albumeve dhe performancat live, dhe jo nga sipërmarrjet sipërmarrëse.
Vetëm një vit më vonë, Forbes vlerëson se 600 milionë dollarë nga pasuria e Taylor Swift vijnë nga turneu dhe honoraret, 600 milionë të tjera nga vlera e katalogut të saj muzikor dhe 125 milionë dollarë nga investimet në pasuri të paluajtshme.
Swift është në prani të vazhdueshme në listën e “muzikantëve më të pasur”, por rritja e saj financiare në vitet e fundit ka qenë befasuese.
Që nga viti 2020, pasuria e saj neto vlerësohet në 365 milionë dollarë, që do të thotë se ajo ka grumbulluar rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm në katër vitet e fundit./abcnews.al/ KultPlus.com