Kryeministri Kurti i shkruan telegram ngushëllimi familjes së poetit Abdullah Sidran: Ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Abdullah Sidran, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

Kryeministri Kurti ka thënë se puna e autorit Sidran do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni telegramin Kryeministrit drejtuar familjes Sidran:

E dashur familje Sidran,

Me respekt të thellë për personalitetin dhe figurën e Abdullah Sidranit, i prekur dhe i pikëlluar nga largimi i tij, ju drejtohem me fjalët më të sinqerta të ngushëllimit.

Abdullahu juaj i dashur, i nderuar dhe i respektuar ndër breza, la gjurmë të pashlyeshme. Kontributi i tij në kulturën, letërsinë dhe artin boshnjak është i pamatshëm, ndërsa fjalët dhe veprat e tij do të mbeten për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta njihnim dhe ta ndiqnim punën e tij.

Z. Sidran ishte më shumë se një artist i talentuar; ai ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella të njerëzimit tonë të përbashkët. Veprat e tij, nga “Sahbaza” te “Lotët e nënave të Srebrenicës”, lanë gjurmë të thella në skenën e artit dhe kulturën e Ballkanit dhe më gjerë.

Biseda jonë e fundit, në të cilën diskutuam politikën, Sarajevën dhe rëndësinë e librave dhe të leximit, do të mbetet në kujtesën time si një dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj drejtësisë dhe besimit në fuqinë e fjalëve, se ato ndryshojnë botën për mirë. Ishte një bisedë, që konfirmoi admirimin tim për gjenialitetin e tij poetik dhe aftësinë e tij për të ndriçuar skutat e errëta të realitetit tonë përmes vargjeve të tij.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të thella për ju dhe të gjithë admiruesit e punës së tij. Kujtimi i Abdullah Sidranit do të jetë i gjallë përmes të gjithë juve dhe përmes veprës së tij, e cila do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Pushoftë në paqen e përjetshme./KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ për vdekjen e kryevalltares shqiptare: Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së kryevalltares shqiptare Liljana Cingu, shkruan KultPlus.

Ansambli Shota përmes një shkrimi në facebook ka thënë se vallëzimi i saj, ndër vite shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat.

“Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona me lajmin e humbjes të ikonës së valles shqiptare, të madhes Liliana Cingu, Lili.

Vallëzimi i saj, shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat. Një ndjenjë humbjeje e thellë për kulturën dhe artin shqiptar.

Ne artistët e AKKV “Shota” ndajmë dhimbjen dhe ngushëllojmë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në këtë moment të vështirë.

U prehtë në paqe, Lili!”, është thënë përmes një shkrimi në Facebook nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”/  KultPlus.com

Kryeministri Kurti i dërgon telegram ngushëllimi familjes Kabashi për ndarjen nga jeta të artistit Mirush Kabashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një telegram ngushëllimi familjes Kabashi pas ndarjes nga jeta të artistit të kombit, Mirush Kabashi.

Në letrën e tij, Kurti shkroi se Mirush Kabashin do ta kujtojë gjithmonë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe në skenë, plot pasion e përkushtim, të cilat të përfshinin emocionalisht e ku ishte e pamundur të mos ndjeje rrëqethje e trazim emocional.

Ai shtoi se aktori i mbi 100 roleve në teatër dhe filma, me punën dhe veprat e tij, do mbetet përjetësisht një thesar në kulturën e kombit shqiptar. Përveç artistit, ato janë gjurmët e një aktivisti të shumë kauzave sociale e një zëri të fortë të çështjes kombëtare.

Përmes këtij telegram ngushëllimi, kryeministri i ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta, të Qeverisë dhe mbarë popullit të Republikës së Kosovës.

Ministri Çeku ngushëllon familjen e profesorit Fehmiu: Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së profesorit të ndjerë universitar, të Kulturës Fizike, Arsim Fehmiut, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, ka thënë se profesori Fehmiu për 75 vite ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sport dhe se gjithmonë do të kujtohet si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Më poshtë gjeni telegramin ngushëllues të Minstrit Çeku ndaj familjes Fehmiu:

E nderuar familje Fehmiu,

Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesorit Arsim Fehmiu.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Pedagogu Arsim Fehmiu dha kontribut të jashtëzakonshëm në sport, arsim e kulturë për 75 vite. Si themelues dhe dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, si punëtor sportiv në organizimin dhe funksionalizimin e shumë organizatave sportive në Kosovë, e po ashtu me veprimtarinë e tij si sportist e trajner ka dhënë shumë, për shumë sporte.

Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit.

Sinqerisht, Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Republika e Kosovës

Brazili ndalon përdorimin e aplikacionit Telegram

Brazili ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram në kuadër të luftës kundër “lajmeve të rreme”.

Gjykata e Lartë ndaloi përdorimin e aplikacionit të mesazheve pasi Telegram nuk zbatoi urdhrin e gjykatës për mbylljen e profileve të përdoruesve që përhapnin lajme të rreme.

Kreu i gjykatës, Alexandre de Moraes tha se Telegram nuk ka zbatuar vendimet e gjykatës dhe se kjo përbënte një shkelje e ligjeve të Brazilit.

Moraes tha se platformat që nuk respektojnë urdhrin e gjykatës do të gjobiten me 20 mijë dollarë në ditë.

Mbyllja e Telegram pritet të ndikojë negativisht tek presidenti Jair Bolsonaro i cili ka mbi 1 milion ndjekës dhe përmes së cilës zhvillon një pjesë të rëndësishme të fushatës së tij zgjedhore.

Bolsonaro e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e gjykatës duke pretenduar se nëpërmjet Telegram bëhen njoftime të rëndësishme lidhur me çështjet kombëtare.

Zgjedhjet presidenciale në Brazil pritet të mbahen në tetor. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së gazetarit Avni Shabani

E nderuara familja Shabani, 

Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, gazetari i shquar sportiv Avni Shabani.

Jo vetëm ju si familje, por ne si Kosovë, humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar, një gazetar të shquar i cili ka dhënë kontribut të madh në gazetarinë sportive të vendit tonë. 

Avni Shabani, do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për gazetarinë sportive sepse ai vazhdimisht me profesionalizmin e tij solli energji dhe pozitivitet në secilin angazhim. Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në gazetarinë sportive të vendit. 

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës. 

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Avni Shabanit. / KultPlus.com

Telegrami i përfaqësuesve të Lidhje së Prizrenit drejtuar kryeministrit britanik më 1880

Nga Aurenc Bebja 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të shtunën e 29 majit 1880, në ballinë, telegramin e përfaqësuesve shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit dërguar asokohe kryeministrit britanik William Ewart Gladstone, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Raguzë, 28 maj.

Drejtuesit e Lidhjes shqiptare vendosën, më 26 maj, të urdhëronin komandantët e mbledhur në Tuz që të sulmonin malazezët. Por partia myslimane ishte kundër kësaj rezolute.

Përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare i dërguan telegramin e mëposhtëm Z. Gladstone :

“Shqiptarët, të përfaqësuar aktualisht nga komiteti i nënshkruar, ju përgëzojnë për emërimin tuaj si kryeministër të Anglisë.

 Në të njëjtën kohë, ata i bëjnë thirrje mbrojtjes së lartë të kombit anglez për të ruajtur kështu integritetin e territorit dhe të drejtat e tyre; shqiptarët do t’u kushtojnë të gjitha përpjekjet dhe jetën e tyre.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1880-telegrami-i-perfaqesueve-te-lidhjes-se-prizrenit-dejtuar-kryeministrit-britanik-william-ewart-gladstone/

Udhëheqësit e Shqipërisë telegram Kombeve të Bashkuara: Anton Ashiku tradhtar i kombit dhe agjent propagandistik i Jugosllavisë

Nga Aurenc Bebja

Në faqen n°1246 të dokumentit diplomatik të Kombeve të Bashkuara gjejmë telegramet revoltuese të udhëheqësve fetarë dhe politikë të Shqipërisë kundër priftit tradhëtar Anton Ashiku, dërguar asokohe Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Fan Nolit.

Telegramet në fjalë, të dërguara nga Shkodra, Oroshi dhe Tirana, gjatë muajit tetor të 1921, i ka sjellë në shqip Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Çështja e Mirditës

Telegramet e dërguara me kërkesën e Imzot Fan Nolit, delegat i parë i Shqipërisë në kuvendin e dytë të Kombeve të Bashkuara.

Shkodër (Shqipëri), 5 tetor 1921.

Si kreu i Episkopatit dhe në emër të të gjithë klerikëve të Shqipërisë, unë e mohoi Atin françeskan Anton Ashiku, tashmë i përjashtuar nga Shqipëria si tradhtar i vendit tonë, i cili ndodhet në Jugosllavi, me një emër të huazuar dhe një mandat të rremë, ku është vënë në shërbim të një kombi të huaj dhe përpiqet të përmbushë në Gjenevë shfrytëzimet më të këqijat. Kleri katolik mbështet qeverinë e Tiranës dhe në bashkëpunim me të gjithë shqiptarët e të gjitha feve dhe të gjithë krahinën e Mirditës, e cila është dhe do të jetë gjithmonë pjesë integrale e Mëmëdheut.

Kryepeshkop i Shkodrës dhe Mitropolit i Shqipërisë,

(Nënshkruar)
Jak Sereggi


Orosh, 7 tetor 1921.

Unë, udhëheqësi fetar i Mirditës, duke mësuar me habi hapat e ndërmarrë nga Anton Ashiku, i ashtuquajtur delegat kryesor mirditor, që kërkon ndarjen e Mirditës me atdheun tonë, më lejoni të theksoj se qeveria jonë qendrore është thjesht kombëtare, jo-fetare dhe përbëhet nga shtetas shqiptarë të tri feve.Në emër të të gjithë klerikëve katolikë dhe të popullatës së Mirditës, unë protestoj më të gjithë forcën time kundër veprimeve të shërbimëve të lartpërmendurit, i cili është në shërbim të propagandës së huaj, dhe ju lutem që të mos keni besim në komunikimet që do të bëjë në emër të Mirditës. Shtoj se delegacioni ynë në Lidhjen e Kombeve përfaqëson të gjithë Shqipërinë. Popullsia e Mirditës mendon vetëm për forcimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit kundër ambicieve dhe intrigave të fqinjëve të saj.

Udhëheqësi fetar i Mirditës
Don Jozef Gjonali

Tiranë, 9 tetor 1921.

Ne, përfaqësuesit e popullsisë katolike shqiptare në Parlamentin Kombëtar, duke mësuar se Anton Ashiku është afruar pranë Lidhjes së Kombeve, në cilësinë e delegatit të Mirditës, nxitojmë të paralajmërojmë Asamblenë e Lartë kundër manovrave të këtij individi që përfaqëson vetëm veten e tij, dhe për më tepër, ai është i njohur si agjent propagandistik i Jugosllavisë dhe si i tillë është përjashtuar prej vitit të kaluar nga territori kombëtar dhe rendi françeskan. Ne shtojmë gjithashtu se popullsia katolike shqiptare nuk kanë ushqyer apo shprehur kurë ndonjë dëshirë për autonomi, por përkundrazi, ajo është e vendosur të mbrojë deri në fund integritetin, unitetin dhe pavarësinë e atdheut të përbashkët.


Deputetët katolikë në parlamentin shqiptar:

(Nënshkruar)
At Ndre Mjeda
At Fishta
Luigj Gurakuqi
Kolë Thaçi
Shuk Gurakuqi

https://darsiani.com/la-gazette/mjeda-fishta-gurakuqi-sereggi-dhe-gjonali-nepermjet-fan-nolit-kombeve-te-bashkuara-1921-ati-françeskan-anton-ashiku-tradhetar-i-kombit-dhe-agjent-propagandistik-i-jugosllavise/