Në Drenas, sot rivarrosen 3 viktima të luftës – ishin pjesë e listës së të zhdukurve

Pasi identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, nga mbetjet mortore të zhvarrosura gjatë vitit të kaluara (nga lokacioni i varrezave në Prekaz), familjet kanë vendosur që sot në Drenas, përkatësisht në Polluzhë dhe Shtuticë, të rivarrosen: Xhavit Maloku nga Polluzha, Agim Syla dhe Besim Berisha nga Shtutica.

Këta viktima ishin në Listën e Personave të Zhdukur, bën me dije udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, njofton Klankosova.tv.

“Me këtë rast, Komuna e Drenasit , në nderim të viktimave të luftës, Xhavit Maloku, Agim Syla, Besim Berisha, dhe Ramadan Hoxha (rivarrosur më 1 tetor 2024) e Gani Baleci (rivarrosur më 14 korrik 2024), organizon Mbledhje Përkujtimore, duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Kulturës, për të vazhduar pastaj me ceremonitë e rivarrimit në Polluzhë (ora 14:00) dhe Shtuticë (ora 15:00), me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ministrisë së Mbrojtjes/Forcës së Sigurisë së Kosovës, Institutit për Mjekësinë Ligjore, Kryqi i Kuq i Kosovës / Red Cross of Kosova dhe Shoqatës së Familjeve ‘ For New Life Kosovo’”, thuhet në njoftimin e Garës.

“Lavdi e nderim, mirënjohje për guximin dhe sakrificën e trimave, dëshmorëve, të rënëve dhe gjithë viktimave të luftës, që janë shembulli frymëzues i guximit dhe vendosmërisë njerëzore”.

Lamtumira pa lavdi e Fatos Arapit, poetit që lavdishëm i thuri hymne dashurisë

Albert Vataj

Më 11 tetor 2018, ndaloi zemra e Fatos Arapit, poetit që i mëkoi vargje përjetësie jetës, fjalë shpirti dhe rrahje pulsi dashurisë dhe atdheut. Sendërtoi tempullin e lartë fjalës poetike, me një ngulmim të thellë përjetimi, me atë ritëm dhe muzikalitet që është dhe do të mbetet melodike në ëndjen dhe dëshirimin tonë për dehje.

Poeti Fatos Arapi vdiq, pas një “vdekje” të vullnetshme pranie publike, e cila vjen me modernitetin përmes një mobilizimi mizor për të përjashtuar ata që shenjtëruan fjalën e shpirtit dhe lartësuan ndjenjën e përjetimit, dhe kurorëzuar tiranë në mbretërinë e hireve të komunikimit poetik. Erdhën ata, poetët e rinjë, ata që dilnin nga honet e narcizmit dhe mediokritetit, ata që cingërisin medieve për të zënë I’u dha lamtumirës, ashtu modestisht siç edhe jetoi, ashtu pa bujë e ceremoniale. Ndërroi banesë duke pranuar të ishin me të në këtë udhë të mbramë vetëm ata që vërtetë e deshën dhe e vlerësuan, ata që ju gjendën në të gjallë e nuk munguan në të sosur.

Nuk mundet kurrsesi të gjithëpranohej që një poet t’i jepej një ikje kaq tinzare sa kjo e Fatos Arapit, një lamtumirë me kaq pak ndere dhe respekt, një fashitje prej gjërave të të sotmes, kaq shqiptare.

Politika, e cila bëri lajmësin e keq, më mirë se ç’duhej, pati paftyrësinë të bënte edhe mënjanësin e një detyrese që kishte për Fatos Arapin, për poetin që mëkoi shpirtin e një epoke.

Ai, Fatos Arapi meritoi diçka më shumë se sa ju ofrua si e mbramja mundësi e vlerësimit dhe mirënjohjes. Nuk duhej lënë të ikte pa marrë me vete diçka që ishte e tija, përulësinë e një gjenerate që u dashurua dhe dashuroi me vargjet dhe lirikat e tij. As lule, as kurora, as marsh funebër, as kamera e as… asgjë, çfarë i detyrohet bujarisht çdo shoqëri baltimit të një shpirti në pragun e përjetësisë. U thanë fjalë ashtu me turravrap ditën e kobit. Nuk mungoi askush në këtë poter morte, madje as ata që nuk i’a kishin haberin se kush ishte ky Fatos Arapi. Shpengoi secili gojtarinë e vet, cakut të hidhërimit. Hapën syndyqet e kujtesës zejtarët e shtirjes dhe manipulimit, e lotin e teren në pendesën e fjalëve të pathëna. E nisën dhe e mbarun ditën e përmortshme me përshpirtje dhe ikën, duke marrë me vete atë grush dhe që dot s’ia hodhën mbi qivur.

E megjithatë ai iku, duke na lënë veprën si amanet i shpirtit që e farkëtoi me kaq përkushtim dhe ndjenj. Iku për të mbetur ai që njohëm përmes vargjeve, Fatos Arapi, poeti i dëshirueshëm, shpirti që mëkoi në çdo kraharor ëndrrën dhe dashurinë.

Iku një poet bashkë me gjethet nën renë e këtij qielli tetori, për të lënë te secili nga ne pengje të një ëndrre që do të na mbetet vetëm poezi.

Poet, të qoftë dheu i lehtë, e kujtesa e pashuar! Meritofsh shpërblimin e dritës së parajsës, shkrepëtimat e së cilave i ndeze me shpirtin tënd në poezinë që mbolle në ëndjet tona.

Poetë të kalibrit të Fatos Arapit vetëm vijnë, siç ai erdhi, për të mbetur te secili nesh, me fjalën e hirshme dhe shpirtin e ngrohtë, me tamëltimin dëshirues të pasionit dhe meditimin shkundullitës, të ngjitjes së fjalës dhe poezisë, lart, lart në Panteon, aty ku t’u ligjërojë gjeneratave dhe t’u thuri hymne pavdekësisë, përmes magjisë së pasionit./ KultPlus.com

Luiza Xhuvani mesazh për gratë në përballjen kundër kancerit të gjirit: Lufta e vështirë, por ju më të forta

Aktorja e njohur e skënës shqiptare Luiza Xhuvani përcolli sot një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë, që po luftojnë me kancerin e gjirit.

Në një video të publikuar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Xhuvani i bën apel grave që të mos harrojnë kurrë se çdo ditë është një hap përpara.

“Për të gjitha vajzat e gratë që po luftojnë me kancerin e gjirit. Nuk duhet të harroni kurrë se çdo ditë është një hap përpara. Forca, kurajo dhe vendosmëria juaj janë më të fuqishme se çdo pengesë. Lufta është e vështirë, por ju jeni më të forta”, tha Xhuvani.

Aktorja Luzia Xhuvani u shpreh se “çdo ditë e kaluar çdo betejë e përballuar është një fitore”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijon fushatën ndërgjegjësuese për të mundësuar kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit në gjirit.

Përveç vizitave falas në 12 spitalet rajonale në gjithë vendin, në kuadër të “Tetorit Rozë” janë krijuar lehtësi për çdo grua në qytet dhe zonat rurale, për të kryer mamografi falas përmes njësive të lëvizshme shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijon fushatën ndërgjegjësuese për të mundësuar kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit në gjirit.

Përveç vizitave falas në 12 spitalet rajonale në gjithë vendin, në kuadër të “Tetorit Rozë” janë krijuar lehtësi për çdo grua në qytet dhe zonat rurale, për të kryer mamografi falas përmes njësive të lëvizshme shëndetësore./atsh/ KultPlus.com

Sonte mbahet koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës sonte do të prezantohet me një koncert artistik para publikut, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi dhe me pjesëmarrjen e violonçelistit Konstantin Manaev.

Me një program dinamik, Orkestra do të sjellë vepra nga Donizetti, Lindpaintner, Vaughan-Williams, si dhe “Koncertin për violonçel” dhe orkestër frymore nga Gulda.

Koncerti mbahet sonte, më 12 tetor 2024, ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë/ KultPlus.com

Zvicra sot përballë Serbisë

Sot, Zvicra përballet me Serbinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ka dy vjet që kur këto dy skuadra nuk janë ballafaquar, e dihet që sytë janë te kapiteni shqiptar, Granit Xhaka.

Ani pse Xhaka ‘cilësohet’ si provokator nga serbët, skuadra e tij i del përkrahës, dhe se pa të nuk nisen askund, raporton Klankosova.tv.

Ndeshja nis nga ora 20:45.

89 vite nga lindja e tenorit më të famshëm në histori, Luciano Pavarotti

Sot janë bërë 89 vite nga lindja e këngëtarit më të famshëm në botën e operas, Luciano Pavarotti, shkruan KultPlus.

Luciano Pavarotti ka lindur më 12 tetor 1935, është tenori më i famshëm italian i tridhjetë viteve të fundit si edhe këngëtari më i famshëm jo vetëm në botën e operas, por ndër të gjitha zhanret.

Pavaroti lindi në Modena (Emilia-Romanja), Italinë e veriut, dhe vdiq po aty.

Babai i tij ishte këngëtar amator me një farë dhuntie, në ushtri shërbeu si furrëtar. Në fillim Pavaroti donte të bëhej mësues dhe mësoi dy vite nxënësit në Scuola delle Magistrale. Në vitin 1956 Pavaroti ka studiuar me tenorin Arrigo Pola dhe për një kohë të shkurtër me M° Ettore Campogalliani në Mantova.

Pavaroti këndoi për herë të parë në botën e operas më 29 prill 1961, në rolin e Rodolfos në Bohema, në teatrin e operas të Regjo Emilias.

Debutimi në USA nuk vonoi të mbërrinte dhe kështu në shkurt të vitit 1965, në Miami (majemi) këndoi së bashku me sopranon Joan Sutherland (Xhoen Sadhërlend), në operan Lucia di Lammermoor.

Ai ka vdekur më 6 shtator 2007 në Modena të Italisë.

Një ndër thëniet më të bukura të cilën Pavaroti e ka thënë është:

“Mendoj që një jetë për muzikën është një jetë e kaluar mirë, dhe kjo është ajo që unë i jam përkushtuar”.

Disa prej veprave të tij ndër vite janë:

O sole mio (1979)

Mamma (1984)

Passione (1985)

Tutto Pavarotti (1989)

The essential Pavarotti (1990)

Ti amo – greatest love songs (1993)

Pavarotti Plus (1997)

Pavarotti greatest hits – the ultimate collection (1997)

Luciano Pavarotti – Ti adoro (2003). /KultPlus.com

Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë, OKB: Kërcënohen nga ulja e numrit të insekteve

Sot është Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë. Për vitin 2024, kjo ditë botërore festohet dy herë, më 11 maj dhe 12 tetor, në përputhje me natyrën ciklike të shtegtimit të shpendëve në hemisfera të ndryshme.

Zogjtë luajnë një rol vendimtar në pllenim dhe kontrollin e dëmtuesve, dhe mungesa e insekteve i prish këto funksione të ekosistemit. Për këtë arsye, tema e këtij viti është “Mbroni insektet, mbroni zogjtë”. Megjithatë edhe mbipopullimi i disa insekteve, në mungesë të grabitqarëve të tyre natyrorë që janë zogjtë, mund të shkaktojë gjithashtu shpërthime që dëmtojnë shëndetin e bimëve në përgjithësi dhe bujqësisë në veçanti.

Fushata e Ditës Botërore të Zogjve Shtegtarë në 2024 thekson nevojën për masa proaktive të ruajtjes. Kjo përfshin reduktimin e përdorimit të pesticideve dhe plehrave, dhe kur është e mundur, kalimin në bujqësi organike. Masa të tjera përfshijnë ruajtjen dhe lidhjen e zonave të bimësisë natyrore që ofrojnë ushqim dhe strehim për zogjtë dhe speciet e tjera, në peizazhet bujqësore. /atsh/ KultPlus.com

Roli i gruas në Luftën e Dytë Botërore, seri aktivitetesh në 80-vjetorin e Çlirimit të Vlorës

Bashkia e Vlorës ka nisur aktivitetet në kuadër 80 -vjetorit të çlirimit të qytetit.

Ky 80 -vjetor, i cilësuar si vit jubilar për historinë e vendit, ka nisur me një sërë aktivitetesh në qytetin e Vlorës. Sipas kalendarit të publikuar nga Bashkia e Vlorës janë plotë 5 ditë me aktivitete të ndryshme, ndërsa Bashkia e qytetit ka publikuar edhe programin e aktiviteteve.

Aktiviteti që ka çelur siparin ishte ekspozita me tematikën, “Gruaja në luftë”. Një ekspozitë e mbajtur në ambientet e muzeut Historik ku përmes fotografive dhe fakteve historike paraqitet roli dhe ndihmesa që gratë dhanë në luftën e dytë botërore.

“Ky aktivitet është një ekspozitë retrospektive për të gjithë gratë që kanë dhënë jetën në Luftën e Dytë Botërore. Pjesë të formacioneve të ndryshme partizane, janë gjithsej 35 dëshmore dhe heroina që gjenden në kartelat në arkivin e fondit Arkivor”, u shpreh Skënder Spahiu, Drejtor i muzeut.

Kryebashkiaku Ermal Dredha i ka bërë thirrje të rinjve, të njohin historinë e të ecim në gjurmët e të parëve, për një atdhe më të mirë.

“Çfarë kontributi kanë dhënë ato në tjera kushte përballë një pushtuesi. Janë ato gra që janë vetëflijuar, dhanë jetën e tyre për të qenë ata që jemi sot. Ndaj duhet të jemi shumë mirënjohës, ta njohim mirë historinë e vendit tonë dhe t’i japim vlerat që i takojnë në të gjithë këtë rrugëtim”, u shpreh Dredha.

Këtë të premte organizohet gjithashtu një koncert festiv me fëmijë të shkollave të qytetit dhe qendra kulturore e fëmijëve.

Ekspozita: “Gruaja në luftë” / KultPlus.com

FSK zë vendin e dytë në mesin e 111 ekipeve në garën “Cambrian Patrol”në Mbretërinë e Bashkuar

Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është radhitur në vendin e dytë, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në garën “Cambrian Patrol 2024” në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se këtë sukses ekipi i FSK-së e ka arritur në garën ku ishin 111 ekipe,  prej tyre 37 ekipe ndërkombëtare nga 36 shtete të ndryshme të botës.

“Gara ‘Cambrian Patrol’ është një nga garat më sfiduese në botë, ku ekipet kalojnë nëpër detyra sfiduese ushtarake si përgatitje taktike, përballje me rreziqe CBRN, operacione mjekësore, rikonicion dhe zbulim të forcave, sulm, eksploziv dhe fushë e minuar, kalim i pengesave ujore, caqe te artilerisë fushore, dhe përballje me situata të burgosurve”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës në garë mori pjesë me ekipin e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, të cilët treguan angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë gjatë procesit të realizimit të garës./ KultPlus.com

‘Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë, ss beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata’

Poezi nga Beqir Musliu

”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com

Të përqafuara deri në momentin e fundit, imazhi zemërthyer i koalave që po bën xhiron e botës

I gjetën të pajeta dhe të përqafuara deri në momentin e fundit.

Një dashuri sublime deri në vdekje  me nënën koala që përpiqej ta mbronte foshnjën e vet deri në momentet e tyre të fundit.

Imazhi zemërthyer që po bën xhiron e botës dhe tashmë është kthyer në simbolin e një tragjedie që nuk mund të shmangej.

Ato u goditën nga një makinë në jugperëndim të Brisbane, Australi.

”Dhe ato qëndruan atje, së bashku, në anë të rrugës deri në sekondat e fundit”, shkruan la stampa.it.

Një tjetër thirrje dëshpëruese vjen nga ”Shoqëria e Mbrojtjes së Koalës Ipswich”, e cila gjeti trupat e tyre dhe raportoi incidentin, duke i kujtuar të gjithëve se kjo është periudha e lëvizjes më të madhe për koalat, pasi ato janë në sezonin e plotë të çiftëzimit.

“Kjo nënë dhe foshnja e saj na u raportuan këtë mëngjes. Është një kujtesë tragjike se sa e rëndësishme është të ngadalësosh dhe t’i kushtosh vëmendje jetës së egër. Ato ndajnë mjedisin tonë, jo anasjelltas”, theksoi organizata

Këta marsupialë janë shpallur në rrezik zhdukjeje që nga viti 2022.

Habitati i tyre, tashmë i shkatërruar, sakrifikohet vazhdimisht për zhvillimin urban, bujqësor dhe industrial.

Pas shkatërrimit të mjedisit të tyre, kërcënimi më i madh mbetet trafiku rrugor.

Rreth 300 koala vdesin çdo vit vetëm në Queensland juglindor, të goditura nga makinat.

”Ky rast na ka shkatërruar. Çdo kafshë që shohim të aksidentuar në rrugë na thyen zemrat. Diçka duhet të ndryshojë, para se të jetë tepër vonë për këto krijesa që do të duan të jetojnë ende në atë që dikur ishte shtëpia e tyre”, theksojnë qytetarët./ KultPlus.com

Hovenier falënderon Kasanof për vizitën në Kosovë, njofton për takimet dhe diskutimet që pati

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka falënderuar të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, për vizitën e tij në Kosovë.

Hovenier përmes një cicërime në ‘X’ tha se Kasanof pati diskutime të rëndësishme me liderë dhe partnerë në qeveri, media e shoqëri civile.

Këto diskutime, sipas tij ishin për përmirësimin e bashkëpunimit konstruktiv dhe për të avancuar rrugën drejt Bashkimin Evropian e sigurinë në Kosovë.

“Faleminderit DAS Kasanof për vizitën e tij në Kosovë. Diskutime të rëndësishme me liderë dhe partnerë në qeveri, media, shoqëri civile dhe biznes mbi mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin konstruktiv dhe për të avancuar drejtimin evropian, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës”, shkroi Hovenier.

Kasanof qëndroi në Prishtinë pas vizitave që bëri këtë javë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ky ishte turneu i tij i parë në rajon prej se mori detyrën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në korrik të këtij viti./ KultPlus.com

Takim me shkrimtarin Ag Apolloni, prezantohet romani i tij i fundit ‘Sikur të isha djall’

Flonja Haxhaj

Sonte, në hapësirat e librarisë ‘Dukagjini’ në Prishtinë është mbajtur takim me shkrimtarin Ag Apolloni, me ç’rast edhe është bërë prezantimi i romanit të tij të fundit të titulluar ‘Sikur të isha djall’, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrësit, dashamirë të librit, mbushën këtë hapësirë, teksa prisnin edhe takimin me Apollonin për të marrë nënshkrimin e tij dhe të flisnin për më shumë detaje rreth librit.

Vetë shkrimtari Ag Apolloni, tha për KultPlus se ky libër ka në qendër dashurinë, por më shumë se kaq, romani ndërlidhet edhe me tema të tjera.

“Është një roman që paraqet një linjë dashurie mes dy të rinjve në vitin 2013 në Vjenë. Është një roman për dashurinë dhe për dashurinë ndaj Vjenës. Aty më pas gërshetohen edhe temat e tjera si muzika, jeta në përgjithësi, piktura”, theksoi Apolloni.

Ai më tutje u shpreh se ‘Sikur të isha djall’ zanfillën e ka që në romanin e tij të parë, nga i cili është frymëzuar gjithë ky libër.

“Ky roman të çon tek romani i parë sepse flet për romanin e parë dhe atë e ka edhe si preteks, pra ‘Ulërimën e Ujkut’ dhe kushdo që e ka lexuar atë libër e sheh se është një skenë aty, një pjesë e vogël që e ka frymëzuar krejt këtë libër”, tha shkrimtari duke shtuar më tutje se një prej arsyeve pse e gjithë historia zhvillohet në Vjenë është sepse romani i tij i parë është shkruar pikërisht në këtë qytet.

Autori Apolloni ka nisur këtë libër vitin e kaluar, fillimisht duke marrë detaje për qytetin e Vjenës, ndërkaq ai thotë se pjesa tjetër është shkruar shumë shpejt.

“Ky libër është shkruar relativisht shpejt, unë e kam nisur vitin e kaluar të marr disa precizime, disa shënime, detaje për qytetin e Vjenës, sa herë kam shkuar atje, kam mbajtur shënime si quhet ura si quhet ndonjë rrugë atje, ndërsa pjesa tjetër është shkruar shumë shpejt”, përfundoi Apolloni për KultPlus.

Ag Apolloni është shkrimtar dhe professor në Universitetin e Prishtinës. Veprat e tij janë shpërblyer me shumë çmime dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Romanet e tij janë vlerësuar lart nga Mieke Bal, John Kerrigan, Julie Ginzberg si dhe nga kritika shqiptar./KultPlus.com

Manastiri i Ungjillizimit po i nënshtrohet restaurimit në Gjirokastër

Manastiri i Ungjillizimit në fshatin Vanistër të Gjirokastrës po i nënshtrohet restaurimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau foto nga puna për restaurimin e manastirit.

Restaurimi i këtij manastiri përveç stabilizimit nga degradimi i lartë, synon më tej edhe shfrytëzimin për një turizëm të kujdesshëm kulturor.

Ky projekt financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të SHBA dhe Ambasada e SHBA në Shqipëri, përmes CHwB.

Kisha e Ungjillizimit është ndërtuar në vitin 1582. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës.

Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillizimit, ndërsa konakët janë në anën jugore.

Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillizimit të Hyjlindëses dhe kremton më 25 mars./ KultPlus.com

Revolucioni i qetë letrar i Han Kang: nga ‘Vegjetariania’ tek fama Nobel

Han Kang, autorjua koreano-jugore që qëndron pas tregimeve provokuese që eksplorojnë me mjeshtëri thellësitë e dhunës njerëzore dhe ndikimin e saj në identitet, ka fituar Çmimin Nobel për Letërsinë 2024. Arritja historike e bën atë gruan e parë aziatike që njihet me nderin e shquar letrar.

Akademia Suedeze lavdëroi mjeshtërinë e saj lirike që “përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”, transmeton KultPlus.

E lindur në Gwangju në vitin 1970, Han u shpërngul në Seul në moshën 9-vjeçare, vetëm disa muaj përpara Kryengritjes së Gwangju të vitit 1980, e cila thuhet se mori deri në 2000 jetë civile. Megjithëse fituesja e çmimit Nobel nuk e dëshmoi nga dora e parë goditjen brutale të juntës ushtarake ndaj protestuesve pro-demokracisë, një fotografi që babai i saj ndau për shtypjen e dhunshme la një gjurmë të pashlyeshme në kuptimin e saj për njerëzimin.

Ajo që e shqetësoi dhe e mahniti atë ishte spektri i gjerë i sjelljes njerëzore – aftësia për mizori të paimagjinueshme dhe dhembshuri vetëmohuese. Si mund të bashkëjetojnë dualitete të tilla të ashpra në të njëjtën botë? Dhe sa thellë formojnë këto forma të dhunës trupin dhe ndjenjën e identitetit të një individi?

Këto pyetje kanë shtyrë pjesën më të madhe të karrierës së saj letrare prej tre dekadash – nga portretizimi i drejtpërdrejtë i dhunës së drejtuar nga shteti në Gwangju në “Human Acts” deri te eksplorimi më surreal dhe më guximtar eksperimental i dhunës gjinore në “Vegjetariania”.

“Vegjetariania” është ajo që i solli Hanit zbulimin e saj të parë global kur romani i vitit 2007 u përkthye në anglisht nga Deborah Smith dhe fitoi Çmimin Ndërkombëtar Booker 2016.

Është një përrallë e çuditshme e Yeong-hye, një amvise e moshës së mesme, e cila, pas një ëndrre të tmerrshme, papritmas pushon së ngrëni mish dhe përfundimisht beson se po shndërrohet në një pemë.

Vetë protagonistja mbetet kryesisht pa zë gjatë gjithë librit. Në vend të kësaj, rrëfimi me tre pjesë shpaloset përmes perspektivave të burrit të saj të tmerruar, kunatit të saj të fiksuar seksualisht dhe motrës së saj më të madhe xheloze por të shqetësuar.

Refuzimi radikal i ushqimit dhe i trupit të Yeong-hye-së bëhet një simbol i rebelimit kundër kontrollit patriarkal dhe pritshmërive represive të shoqërisë.

“Doja të merrja me pyetjet që kisha për botën dhe njerëzimin në formën e dy motrave që bërtasin në heshtje: njëra që dëshiron të mos jetë pjesë e racës njerëzore dhe tjetra që dëshiron të mbajë motrën e saj nga vdekja”, ndau Han në një intervistë të vitit 2023 me Fondacionin Booker Prize.

Një tjetër prej veprave të Hanit, “The White Book”, u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin Ndërkombëtar Booker 2018.

I shkruar si një meditim poetik mbi pikëllimin dhe humbjen, komploti ndjek një rrëfyes pa emër të përhumbur nga kujtimi i motrës së saj të madhe, e cila vdiq vetëm dy orë pas lindjes.

Ndërsa përballet me brishtësinë e ekzistencës njerëzore, ajo liston 65 objekte të ndryshme të bardha – të tilla si fustani i një të porsalinduri, qumështi i gjirit, kubet e sheqerit, orizi, hëna, flokët e bardhë dhe një qefin – secila që pasqyron një ndjenjë të përhershme dhe të zbrazëtisë.

Dhe kjo temë e dëshirës për lidhjen nën hijen e humbjes mbartet në “Mësimet greke” të autorit.

Libri përshkruan një lidhje të butë midis dy individëve po aq të pambrojtur – një gruaje që, pasi humbi nënën dhe kujdestarinë e djalit të saj të vogël, është bërë e paaftë për të folur dhe një burrë, shikimi i të cilit po shuhet ngadalë për shkak të një gjendjeje trashëgimore.

Ajo që i bashkon ata është studimi i greqishtes së lashtë. Për burrin, ajo përfaqëson kthimin e tij në Kore si mësues pasi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Gjermani, duke e lënë atë të pezulluar mes dy kulturave. Për gruan, kjo gjuhë e vdekur prej kohësh, që nuk flitet më dhe për këtë arsye e paaftë për ta frikësuar, ofron shpresë teksa ajo përpiqet të rifitojë zërin e saj.

Ndërsa veprat e sipërpërmendura të Hanit gërmojnë më thellë në atë se si traumat personale manifestohen në jetët individuale, “Human Acts” dhe “We Do Not Part” e saj përballen me traumat historike dhe dhunën kokë më kokë.

Secili ofron një pasqyrë rrëqethëse, por lirikisht bindëse në momentet kryesore në historinë moderne të Koresë; “Human Acts” përqendrohet në Kryengritjen e Gwangju të vitit 1980, ndërsa “We Do Not Part” riviziton Kryengritjen e 3 Prillit të Jeju 1948.

Kjo e fundit shqyrton, përmes këndvështrimeve të tre grave, ngjarjet tragjike në ishullin Jeju, ku rreth 30,000 civilë – gati 10 për qind e popullsisë së ishullit në atë kohë – u spastruan në një fushatë ushtarake antikomuniste.

I përkthyer së bashku në frëngjisht nga Choi Kyung-ran dhe Pierre Bisiou, libri mori çmimin “Prix Medicis” për letërsinë e huaj në 2023. Përkthimi i tij në anglisht, i përkthyer nga Emily Yae Won dhe Paige Aniyah Morris, pritet të dalë në janar 2025.

Në një intervistë pas Nobelit me Akademinë Suedeze, Han rekomandoi “We Do Not Part” si një pikënisje për ata që janë të rinj në veprën e saj.

“Mendoj se çdo shkrimtar e pëlqen librin e tij më të fundit”, tha ajo. “Shpresoj se ky libër [‘We Do Not Part’] mund të jetë një fillim.”

Shkruan: By Park Han-sol / KultPlus.com

“Tesla” prezanton “Cybercab” dhe autobusin vetëdrejtues

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, zbuloi sot një automjet të ri elektrik me vetëdrejtim – të cilin ai e quajti “Cybercab” – një moment historik pas disa vitesh premtimesh.

Taksia vetëdrejtuese – e njohur gjithashtu si robotaksi – ka dy dyer që hapen lart dhe duket si një coupé bazuar në Modelin 3 më të shitur të “Tesla-s”.

Më pas ai prezantoi “Robovan” – një automjet elektrik, autonom afërsisht me madhësinë e një autobusi, i projektuar për të transportuar deri në 20 persona.

“Tesla” pret të nisë prodhimin e automjeteve në vitin 2026″, tha Musk duke shtuar se priret të jetë shumë optimist kur bëhet fjalë për oraret.

“Cybercab” do të jetë gjithashtu e disponueshme për t’u blerë dhe do të kushtojë më pak se 30 000 dollarë.

Fillimisht, softueri për ngarje autonome, i cili nuk kërkon që njerëzit të ndërmarrin veprime, do të dalë në rrugët në shtetet amerikane të Teksasit dhe Kalifornisë vitin e ardhshëm me automjetet aktuale Model 3 dhe Model Y. / KultPlus.com

“Muzak’Fest” shkëlqeu me performanca të jashtëzakonshme nga artistë të mirënjohur

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga nata e parë e festivalit “Muzak’Fest”, në qytetin historik të Apolonisë, që shkëlqeu me performancat e jashtëzakonshme nga artistë të mirënjohur.

“Muzak’Fest shkëlqeu me performancat e jashtëzakonshme nga artistët e mirënjohur në një ndër skenat më magjepsëse siç është Parku Arkeologjik i Apolonisë, duke vazhduar eventet e turizmit kulturor”, u shpreh Rama në një postim të tij.

Edicioni i parë i Muzak’Fest solli në qytetin antik hijerëndë të Apolonisë harmoni mbresëlënëse të artit dhe kulturës. Mes monumenteve që dëshmojnë histori, muzika dhe poezia u bënë një, duke shënuar fillimin e një tradite të re kulturore, kushtuar trashëgimisë./ KultPlus.com

Kosova së shpejti me program zyrtar të certifikimit të udhërrëfyesve turistik

MKRS ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe GUIDEKS (Asociacioni i Udhërrëfyesve Turistik të Kosovës), për hartimin e programit zyrtar të certifikimit të udhërrëfyesve turistik në Kosovë.

Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vend dhe promovimin e pasurive tona kulturore. Përmes trajnimit dhe certifikimit do të zhvillohen kuadro të rinj të profesionistëve në sektorin e turizmit, udhërrëfyes me njohuri dhe aftësi të standardeve ndërkombëtare, duke e bërë përvojën e vizitorëve më të pasur dhe më autentike.

Ky program, që po hartohet për herë të parë në Kosovë vë themelet profesionale për një profesion tashmë atraktiv dhe shumë të rëndësishëm për promovimin e vendit tonë.

GUIDEKS si anëtare e Federatës Evropiane të Asociacioneve të Udhërrëfyesve Turistike të Evropës është e certifikuar për trajnim të udhërrëfyesve kombëtar dhe lokal. / KultPlus.com

Osmani dekoron komandatin Ulutash me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e deritanishëm të KFOR-it, Özkan Ulutaş.

Ajo atë e ka falënderuar për punën e tij në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Komandantit të deritanishëm të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i shpreha mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në përfundim të mandatit të tij, e dekorova me Medaljen Presidenciale Ushtarake, si shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e ngushtë, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate”.

Sot u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës në shtabin e KFOR-it ku komandanti turk Ulutas bëri kalimin e detyrës zyrtare te gjeneralmajori italian Enrico Barduani./ KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë organizon koncert dedikuar muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit

Me iniciativën e drejtorit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, Kastriot Sada, do të organizohet koncert në dedikim të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

Në koncert do të marrin pjesë Kori i Grave dhe Vajzave”Besa”, në dirigjimin e Klodina Kryeziu Hana. Kurse

“Korepetitor: Besim Qorri. Kori i Shkollës së Muzikës”Prenk Jakova”, Gjakovë, në dirigjimin e Kastriot Sada. Korepetitor: Nezahate Shala-Zeka, Gent Kumnova. Mysafirë: Jeta Gërqari-Flaut, Andi Duraku-Piano”, thuhet tutje në njoftim.

Poashtu, me një fjalë do të paraqiten edhe ongologu Ilir Kurteshi i cili është drejtor i Klinikës Onkologjike, gjinekologia Aida Kumanova, onkologia Brunilda Haxhiu dhe gazetarja Edita Doli./KultPlus.com

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka  pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar edhe nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

Gjatë diskutimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen e NATO-s, për lirinë e Kosovës si dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Presidentja Osmani ka uruar gjeneralmajor Barduani për marrjen e detyrës dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim./KultPlus.com

Shqipëria dhe Kosova me konferencë të përbashkët “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizojnë konferencën shkencore ndërkombëtare me temën “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”.

Kjo konferencë mbahet më 14.10.2024, ora 09:00, në sallën e ASHAK-ut në Prishtinë dhe organizohet në shenjë të 150-vjetorit të lindjes së Shtjefën Gjeçovit.

Studiuesit nga Instituti Albanologjik-Prishtinë që do të marrin pjesë me kumtimet e tyre në të janë:

– Dr. Arbnora Dushi: “Këngë popullore nga botimet e Gjeçovit: mbi një dorëshkrim të botuar, por të zhdukur”,

– PhD. Cand. Zana N. Hoxha: “Shtjëfen Gjeçovi: Kontributi në arkeologji drejt identitetit kombëtar”,

– Dr. Kujtim Mani: “Hija arkaike e koncepteve kanunore”,

– Dr. Lush Culaj: “Diskutimet në Parlamentin e Shqipërisë për vrasjen e Shtjefën Gjeçovit”. / KultPlus.com

Premiera e “Prokurorit” pas Tiranës e Prishtinës do të shfaqet edhe në diasporë

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u zhvillua dje në mbrëmje premiera e episodit të parë të seralit të shumëpritur shqiptar “Prokurori”, një nga prodhimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në vitet e fundit. Me regji dhe skenar të Fatmir Dogës dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, seriali trajton luftën e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik.

Ky serial shquhet për pjesëmarrjen e aktorit të famshëm hollivudian, Danny Glover, në rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Danny Glover ka luajtur në disa filma shumë të njohur përkrah Mel Gibson në “Lethal Weapon” apo në filmin kult horror “Saw”.

Regjisori Fatmir Doga shprehu falënderimet e tij për interesin e madh të publikut shqiptar si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në premierë.

“Nuk besoj se ka Oscar më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd, njerëzit e tu, gjithë këtë interesim sot”, tha Doga. Ai falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre.

Sipas producentit, e veçanta e filmit qëndron në faktin se në çdo seri do të ketë yje të Hollivudit.

Pas Tiranës, premiera e serialit “Prokurori” do të vazhdojë në Prishtinë nga 12 tetori dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com